26.5 C
Tirana
E diel, 1 Qershor, 2025

Ujë i vakët apo i ftohtë, cili është i duhuri për larjen e fytyrës?

Uji i vakët është mënyra për të bërë çdo pastrim të lidhur me lëkurën përfshirë këtu edhe trupin tuaj. Kur është lëkura e ngrohtë ajo e ka më të lehtë të thith produkte të tjera që ju mund të përdorni për kujdesin e lëkurës.

Përsa i përket ujit të ftohtë, nuk është opsion i mirë megjithëse do të shkaktojë më pak dëmtim të lëkurës sesa uji i nxehtë. Çështja është se uji i ftohtë nuk e pastron grimin apo papastërtitë në fytyrën tuaj aq mirë dhe lëkura juaj nuk do të përfundojë aq mirë sa ju mund të mendoni.

Disa ekspertë besojnë gjithashtu se uji i ftohtë në lëkurën tuaj e bën lëkurën të mbyllet dhe të ‘mbytet’ me papastërti, vaj dhe baktere përpara se pastruesi juaj ta lajë atë.

Por nëse ëse dëshironi të spërkatni fytyrën tuaj me pak ujë të ftohtë pasi të keni mbaruar rutinën tuaj të pastrimit, kjo është krejtësisht e mirë.

Meqenëse temperaturat e ftohta shkaktojnë ngushtimin e enëve të gjakut, një shpëlarje me ujë të ftohtë mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit të shkaktuar nga acarimi në lëkurën me akne.

“Shiu pushonte dhe dilte dielli, kur në tribunë shfaqej udhëheqësi ynë Enver Hoxha”- Refleksionet e emigrantes shqiptare në Itali për festimet e 1 Majit,në Shqipërinë komuniste

Një vend që nga periudha e pasluftës e deri në fillim të viteve 1990, i cili për rreth gjysmë shekulli, – jetoi nën një diktaturë – e udhëhequr në mënyrë njëpartiake nga e vetmja parti ligjore dhe organ qeverisës në pushtet, Partia e Punës (ish-Partia Komuniste Shqiptare), është e qartë se 1 Maji, do të thoshte fjalë për fjalë; edhe “Dita e Punës” ose “Dita e Punëtorëve”.  Sot ky përvjetor në Shqipëri, nuk festohet më njësoj si më parë, pasi në vend ndodhi ndryshimi i sistemeve politike – në fillim të viteve ’90-të dhe në momente në të cilat, përgjithësisht në nivel global, ai është transformuar, në një ditë proteste dhe demonstratash, në të cilën populli kërkon të drejtën e tij themelore, atë që i jep kuptim këtij përvjetori: “punë”, që për fat të keq aktualisht, është në mungesë dhe njerëzit janë kapur në kthetrat e krizës…!

enver hoxha

Në atë kohë, në Shqipëri, më 1 Maj në sheshin kryesor të Tiranës, qindra mijra njerëz manifestuan të gëzuar, pikërisht për të demonstruar me krenari sukseset e tyre në vendin e punës, në të gjitha frontet e prodhimit. Arritjet e punës, siç raportohej bilanci pozitiv, i treguan shtetit, i cili u kishte garantuar qytetarëve punën, në përputhje me sistemin në fuqi.

Ndaj, ishte “detyra” e popullit punonjës, t’u tregonte eksponentëve të udhëheqjes së lartë të vendit, rezultatet e larta dhe pozitive të ekonomisë shtetërore, të arritura gjatë vitit dhe kjo më 1 Maj, u dëshmua në të njëjtën kohë, si një mundësi e rëndësishme për t’i falenderuar ata, për mirëqenien që popullit, ia nxirrte pikërisht nga perspektiva e punës në vetvete, e garantuar nga “kompania shtetërore” e madhe.

Një vështrim mbi historinë dhe konceptimin e punës në Shqipëri gjatë  sistemit komunist diktatorial

[…] Ky ishte traktori i parë “Made in Albania”, i prodhuar nga industria mekanike shqiptare në vitin 1978, me forcat e veta, në një Shqipëri nën diktaturë dhe në autarki të plotë. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, lufta e Partisë Komuniste Shqiptare, filloi ta shndërronte vendin; nga një vend i prapambetur bujqësor, në një vend bujqësor-industrial.

Kongresi i parë i Partisë u zhvillua në vitin 1948. Fokusi ishte në punën themelore për industrializimin dhe elektrifikimin e vendit. Industria: Pikat vendimtare ishin ato të qenësishme për zgjerimin e prodhimit kombëtar. Industrializimi socialist, duhet të ishte aplikuar me ritme shumë të shpejta, për ta nxjerrë vendin nga prapambetja, në një kohë rekord, duke u mbështetur në pasuritë e tokës dhe nëntokës, duke shfrytëzuar atë pak industri ekzistuese dhe duke krijuar një të re. Në fshat, ishte në fuqi slogani: “Përkrahni fshatarin e varfër, aleancë me fshatarin e mesëm dhe luftoni kundër kulakëve”! (Tedi Papavrami. Libri : “Fuga për violinë solo”)

Më pas Partia Komuniste Shqiptare e formuar në vitin 1941 mori emrin Partia e Punës, për të mbërritur deri më 12 qershor 1991, me fryrjen e erërave të ndryshimeve politike dhe shoqërore në të gjithë Evropën Lindore – e inicializuar tashmë me rënien e Murit të Berlinit në 1989 – për të ndryshuar, përkufizim për Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Rregullimi i “katrorëve” njerëzorë!

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” i Tiranës, vendi më i rëndësishëm qendror i kryeqytetit, që ka si fillim “Sheshin Skënderbej” dhe si fund Sheshin “Nënë Tereza” – ndër të tjera, një rrugë e projektuar nga arkitekti italian Gherardo Bosio gjatë pushtimit italian të Shqipërisë së vitit 1939 – në vitet e diktaturës, në 1 maj, u pushtua nga një turmë e madhe, qindra mijra njerëz, që demonstronin e manifestonin para tribunës së ngritur për Byronë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, e kryesuar nga diktatori Enver Hoxha.

Madje kam ende në vesh zërin zyrtar që shoqëronte lajmet e këtyre manifestimeve në Radio-Televizion, Alfons Gurashi (më duhet të them, një zë me një timbër dhe intonacion shumë të bukur e të veçantë) dhe komentet e tij profesionale, të denja për një gazetar të shkëlqyer televiziv shqiptar, të cilat i sollte në çdo shtëpi, përmes ekranit të vogël, emocionet e kësaj dite që mobilizuan të gjithë vendin dhe siguroi që sytë e të gjithëve, të përqendroheshin ekskluzivisht në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, për këtë festë.

Njerëzve u duheshin muaj dhe muaj të tërë përgatitjeje për këtë manifestim. Të radhitur në një mënyrë gjeometrike rigorozisht të saktë, ato përbëheshin nga katrorë të mëdhenj njerëzorë, pra me njerëz, të cilët, të euforizuar për ngjarjen, vazhduan ecjen me një ritëm marshimi, përgjatë rrugës.

Kuadrati i parë që nisi manifestimin, ishte ai i mbajtësve të flamurit kombëtar, më pas kuadratet e tjera të përbërë nga punëtorë të ndryshëm të industrisë së rëndë, si; minatorët, ata që punonin në sektorët e metalurgjisë, çelikut dhe energjetikës, etj. Pasuan më tej kuadratet e industrisë së lehtë dhe ushqimore, dhe më pas pamë që kuadratet e punonjësve të shërbimeve, si tregtia, shëndetësia dhe punonjësit e Komitetit Ekzekutiv të kryeqytetit, të rreshtoheshin gati për parakalim. Pas tyre ishin kooperativistët dhe punonjësit e blegtorisë së fermave shtetërore.

Më pas parakaluan grupet e të rinjve të vullnetarëve, pra ata që morën pjesë vullnetarisht në ndërtimin e hekurudhave shtetërore, hidrocentraleve apo në tarracat e kodrave. Më pas radhën e kishin kuadratet me nxënësit gjimnazistë dhe ata të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Më pas, mbërritën të paktën dhjetë kuadrate me ushtarë të Forcave të Armatosura, por me armë të lehta mbi to.

Më pas, i takonte një kuadrati gjigant me nxënës të shkollave të mesme, si dhe të ashtuquajturve “Pionierë”, të performonin, të cilët paraqitën një shfaqje të vërtetë, duke kënduar me zë të lartë “Internacionalen”. Manifestimi u mbyll me shfaqjen e kuadratit të artistëve, si ato të Radios, Televizionit, Kinostudios “shqipëria e Re”, Operës, Baletit, Teatrit Popullor dhe më pas shtypit.

Në këtë mënyrë, përballë tribunës, në avenue, u interpretuan vallet tradicionale të vendit nga artistë të veshur me veshje folklorike shqiptare dhe të njëjtat u kënduan nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore.

Rreth 100 mijë persona, marshuan para tribunës ku kryesonte Enver Hoxha, anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe shumë të ftuar të tjerë nderi, të ardhur nga vende të ndryshme të botës, që ishin përfaqësues të partive marksiste-leniniste. Lajmi për këtë ngjarje, u transmetua edhe nga shumë televizione të huaja”.

“Edhe shiu pushoi, sepse Enveri u shfaq në tribunë”

“Edhe shiu pushoi, se doli Enveri në tribunë! Ishte ai që na solli diellin”! – brohoritën manifestuesit dhe veteranët për udhëheqësin dhe diktatorin komunist, Enver Hoxha, cili nderohej si një hyjni, aq sa shqiptarët kishin rënë në idhujtari, për shkak të personalitetit të tij.

Në këtë rast, kështu, ndodhi që në Tiranë të binte shi gjatë manifestimeve popullore të 1 Majit, pikërisht në momentin që udhëheqësi kryesor, Enver Hoxha, do të hynte në tribunë, në skenën e ngritur posaçërisht për anëtarët e Byrosë Politike, nga disa njerëz, u bënë pasthirrma të çuditshme, për shkak të ideve të ngulitura në kokën e tyre, se; “Dielli do të shfaqej në të njëjtën kohë, kur lideri suprem i vendit, Enver Hoxha, doli në skenë”!

“Doni të shihni që kjo ndodh vërtet”? – disa po sfidonin njëri-tjetrin, aq të bindur, në një lloj basti që e lidhte udhëheqësin komunist, me një hyjni të aftë për të kryer mrekulli, përfshirë ato meteorologjike! Këto ishin vetëm një pjesë e dëmit të shkaktuar nga lartësimi i kultit të individit i cili, kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme, në regjimin diktatorial në Shqipëri.

Por pas pak, ndoshta do të kuptonin se shfaqja e udhëheqësit komunist në tribuna, nuk do të kishte atë fuqi të veçantë që njerëzit i atribuonin subjektivisht. Ato buqeta me lule letre krep me ngjyra, që mbanin në duar, të punuara në formën e një trëndafili, i cili në vend të kërcellit kishte një tel të mbuluar me letër dhe që shpesh shponte rastësisht duart, duke i tundur mbi kokë, duke brohoritur udhëheqësin, duke vizatuar një portret të tij, pasi do të lageshin nga shiu, ata thjesht do t’i mbushnin të gjitha rrobat e tyre, me njolla…! Por nuk ishte as “panem et circenses”. Njerëzit vërtet besuan në gjithë këtë mobilizim.

Lulet dekorative prej letre ‘krep’, që u përdorën për demonstratën e madhe të 1 Majit

Simboli dallues i skenografisë së manifestimeve, lulet me ngjyra prej letre krep, që mbushën duart e kuadrateve që parakaluan për 1 Majin, kujtohen nga të gjithë shqiptarët, që i përkasin të ashtuquajturve “breza manifestuesish”.

Ishin lule dekorative, të cilat ishin paketuar nga përgjegjësit paraprakisht dhe u shpërndaheshin institucioneve arsimore apo qendrave të punës e prodhimit, së bashku me uniformat, të destinuara për eventin e radhës.

Në mëngjesin e 1 Majit, kur isha ende fëmijë, me shoqet e mia, duke jetuar një hedhje guri nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku ndodhi ngjarja e madhe, dolëm dhe u pozicionuam buzë një gjelbërimi të madh. Lëndinë – në të cilën zakonisht luanim gjatë javës – duke pritur të gjithë manifestuesit, të cilët, për të arritur në shesh, do të kishin kaluar domosdoshmërish pranë fushës sonë. Ky terren ndër të tjera, ishte ngjitur me Ambasadën Italiane.

Nga sheshi, dëgjuan tingujt e ndonjë instrumenti muzikor apo mikrofoni. Ata kanë qenë ekspertët, të cilët kanë kryer testet përfundimtare teknike akustike, nga tribuna e destinuar për “shokët e udhëheqjes” së lartë të Partisë së Punës Shqipërisë.

Zakonisht vishnim rroba të reja për këtë rast. Të lumtur dhe të shqetësuar, pritëm në radhë për ardhjen e manifestuesve, duke ngritur strategjikisht, sipas mënyrës tonë, “një pritë”.

A do ta pyesni veten pse? Për t’i kërkuar që të na japin disa lule letre krep, ato që përbënin buqetat e tyre dhe me të cilat do të bënin performancën e tyre në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”!

Ata e dinin këtë “zakon” të fëmijëve të lagjes ngjitur me Sheshin kryesor, ndaj me dashamirësi, shkëputën disa lule nga buqeta e tyre artificiale dhe na i hodhën, duke u bërë një gëzim i madh për ne.

Duke pasur parasysh që aty kalonin qindra njerëz, ne fëmijët morëm aq shumë lule letre, për t’i çuar në shtëpi, sa nuk dinim ku t’i vendosnim. Në këtë mënyrë, në shtëpitë e lagjes sonë, atmosfera e festës së 1 Majit përforcohej dhe ndihej edhe më shumë, për shkak të këtyre zbukurimeve që fëmijët sillnin nga jashtë, me bëmat e tyre tipike fëminore, por karakteristike për kohët në të cilat ata jetuan. Memorie.al

“Big Bang” ndodhi 20 vite më parë, si u krijua BE dhe sfidat me të cilat përballet! Si do të vazhdohet më tej zgjerimi, shanset për anëtarësimin e Shqipërisë

“Big Bang”- Ribashkimi i madh europian u realizua më 1 maj 2004 me raundin e madh të zgjerimit lindor. Por tani me pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Ukrainës, BE do ta ketë të vështirë.

“Big Bang”, këtë emërtim mban zgjerimi i Bashkimit Europian në zhargonin e BE-së përpara 20 vjet më 1 maj 2004, kur në bllok u pranuan dhjetë vende të reja anëtare. Numri i vendeve anëtare qysh atëherë arriti nga 15 në 25. Kontinenti asokohe u ribashkua 15 vjet pas rënies së Murit të Berlinit dhe fundit të sundimit sovjetik në Europën Lindore. Me festa popullore dhe fishekzjarre, fjalime solemne dhe heqje barrierash kufitare përpara 20 vjetësh u kremtua bashkimi me vende që nga Estonia në veri e deri tek Sllovenia në jug. Ishulli mesdhetar, Malta dhe Qiproja gjithashtu u pranuan në bllok.

“Ky ishte një sinjal i fuqishëm ndaj Rusisë, por jo vetëm kaq. Ky hap tregoi aftësinë e BE-së për të marrë vendime të fuqishme, për të zgjeruar rradhët e veta dhe për të përmbushur kushtet. Gjithçka kaloi pozitivisht, sepse në në BE dhe në vendet kandidate ekzistonin kushtet përkatëse politike, që ishin të favorshme, krahasuar me vendet kandidate sot”, mendon Tefta Kelmendi nga thin tank-u “European Council on Foreign Relations” në Bruksel.

Bashkim pa alternativë

Si për BE-në edhe për dhjetë shtetet që u anëtarësuan zgjerimi ishte pozitiv, thotë për DW, ekspertja Kelmendi. Rritja ekonomike në vendet e reja të anëtarësuara influencoi pozitivisht në treegun e brendshëm europian. Demokracia, shteti ligjor dhe liria e shtypit u forcuan, sipas analizave të Fondacionit Bertelsmann, institutit studimor të zhvillimeve politiko-shoqërore.

Përjashtim përbëjnë Hungaria dhe Polonia. Në të dy këto vende qeveritë u distancuan nga vlerat europiane. Në Poloni tendenca ka nisur të përmirësohet pas ndryshimit të qeverisë pas zgjedhjeve vitin e kaluar. Sipas indeksit të transformacionit të Fondacionit Bertelsman shtetet Baltike, Çekia, Sllovenia dhe Sllovakia arrijnë notën më të mirë të “konsolidimit të demokracisë”. Polonia dhe Hungaria evidentohen si “demokraci difektoze”.

Me zgjerimin e BE-së më 2004 dhe me pranimin e vonuar të Bullgarisë e Rumanisë më 2007 si dhe Kroacisë më 2013 nuk kishte alternativë, beson eksperti i BE-së Hans Kribbe nga Instituti i Brukselit për Gjeopolitikën (BIG). “Ishte e pashmangshme që të realizohej ky zgjerim si përgjigje ndaj kthesave historike dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe Bllokut Lindor”, thotë Kribbe.

Priten dy valë të reja zgjerimi

“Kommisioni i BE-së natyrisht luan rolin e vet si ithtar entuziast i zgjerimit”, mendon Hans Kribbe nga BIG në Bruksel. Por në vetvete Komisioni është i vetëdijshëm, që nga vala e madhe e zgjerimit duhen nxjerrë edhe mësimet për të ardhmen. BE-së i është dashur të mësojë në radhë të parë, se duhet të aftësohet për absorbimin e anëtarësimeve të tjera dhe duhet të bëhen në efikase procedurat dhe ecuria e procesit të zgjerimit. Deri tani për një reformë të tillë të BE-së nuk ka pasur asnjë plan dhe asnjë perspektivë kohore.

Ndërkohë që priten të tjera valë zgjerimi. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nga Bosnje-Hercegovina deri tek Shqipëria duhet të anëtarësohen. Po ashtu edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia janë vendet më të reja kandidate, që për shkak të kërcënimit nga Rusia lipset të sigurojnë një biletë ekspres anëtarësimi.

Shteteve të Ballkanit Perëndimor vazhdimisht u premtohet anëtarësimi. Afrim, negociata, përshtatje, të gjitha këto janë në proces me dekata që pas luftrave civile në ish-Jugosllavi. Kancelari Olaf Scholz vazhdimisht preferon të theksojë, se tani është koha, për të vepruar.

“Unë nuk besoj, se do të ketë një tjetër Big Bang, kjo nuk do të funksionojë”, thotë Tefta Kelmendi nga European Council on Foreign Relations. Gjashtë vendet janë krejt të ndryshme sa i përket zhvillimit të tyre dhe aftësisë për anëtarësim. Ato do të pranohen njeri pas tjetrit, mendon ekspertja. Fillimisht Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Serbia dhe Kosova duhet së pari të zgjidhin konfliktin për shtetësinë e Kosovës dhe pakicat.

Por sidoqoftë nuk mund të pritet derisa të jetë zgjidhur konflikti bilateral mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo do të thotë që të mbeten peng të këtij konflikti vendet e tjera. “Mënyra se si BE përpiqet ta shfrytëzojë perspektivën e zgjerimit, për të zgjidhur problemet bilaterale, nuk i ka ndihmuar rajonit. Kjo qasje është e fokusuar më shumë tek stabilizimi dhe jo aq tek zhvillimi ekonomik.”

Anëtarësimi i Ukrainës në BE  një sfidë e madhe

Krahasuar me shtetet e Ballkanit, Ukraina është vërtetë një “Big Bang” për BE-në. Mbi 40 milionë banorë, një vend gjigand agrar, më i varfëri në Europë, i rrënuar prej luftës që i imponoi Rusia. Bisedimet e anëtarësimit pritet të fillojnë me një konferencë ndërqeveritare.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen , është e sigurt, se Ukraina bën pjesë në klubin europian. “Ukraina e ka bërë zgjedhjen e saj europiane. E ju e dini çfarë do të thotë kjo. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë për Ukrainën. Po ashtu si përpara shumë vitesh kemi vendosur për të futur kaq shumë shtete në shtëpinë e përbashkët”, tha von der Leyen në Parlamentin Europian.

Pranimi i Ukrainës në BE është po aq i pashmangshëm sa edhe pranimi i dhjetë shteteve përpara 20 vjetësh, mendon eksperti i BE-së Hans Kribbe. Ky vend mbrohet ndaj Rusisë edhe për Europën. “Ukraina po bën të gjithë punën”, por në fund njerëzit duhet të binden në shtetet e BE-së për të pranuar zgjerimin. Për këtë është i nevojshëm miratimi ndoshta dikur i më shumë se 30 shteteve. Në disa vende duhet të mbahen referendume.

Për momentin, vëren Hans Kribbe, problemet e vërteta të këtij zgjerimi nuk përfliten, për të mos i trembur europianët. “Kjo është një strategji riskante. Dikur do duhet të përballemi me realitetin.” Sepse pranimi i Ukrainës mund të kërkonte një ndryshim radikal të buxhetit të BE-së. Vendet që marrin ndërkohë subvencione dhe fonde neto si p.sh. Polonia dhe Hungaria, me shumë gjasë do të duhej të paguanin për të vendosur ekulibrat ekonomiko-financiar sipas normave të bllokut në vendet e reja anëtare si Ukraina apo shtete të tjera të dobëta ekonomikisht.

Ëndrra duhet të vazhdojë

Një parashikim se kur do të bëhet zgjerimi i radhës, është e vështirë të bëhet tani, por duhet të mbetemi optimistë, mendon Jerzy Buzek, eurodeputet polak që nga 2004 kur Polonia u anëtarësua në BE. Deri në vitin 2001 ai ka qenë kryeministër dhe përgatiti anëtarësimin e vendit në BE. “Kur ne ishim të rinj, dukej sikur nuk ishte reale, por anëtarësimi u bë fakt. Kjo do të thotë, se ne duhet të vazhdojmë të ëndërrojmë dhe t’u përmbahemi ëndrrave tona”, tha Buzek në Parlamentin Europian duke iu referuar vendeve të ardhshme kandidate për antarësim.

Turqia, që negocion që nga viti 2005 për anëtarësim në BE, me gjasë nuk do të anëtarësohet. Shteti i drejtuar në mënyrë autokratike po distancohet gjithnjë e më shumë nga vlerat europiane. “Ky është një rast i pashpresë, kur bëhet fjalë për anëtarësimin”, thekson eksperti i BE-së Hans Krippe nga BIG në Bruksel. Megjithatë BE-ja duhet të ruajë marrëdhëniet e ngushta bilaterale si dhe një partneritet të privilegjuar, sepse Turqia ka një rol të rëndësishëm kyç gjeopolitik, kur është fjala për t’u mbrojtur nga Rusia apo nga valët e migracionit./DW

EMRAT/ Operacioni “Flakë në det” ku u kap ‘Baroni i drogës’ Gëzim Çela, edhe 3 të arrestuar me urdhër të SPAK

Me urdhër të Gjykatës së Posaçme janë arrestuar dhe 3 persona të tjerë në kuadër të operacionit “Flakë në det”.

Ata akuzohen për “trafikim narkotikësh” dhe si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Të arrestuarit janë: Alket Deda, Ksenofon Bodo dhe Selami Lushkaj.

NJOFTIMI I SPAK

Në vijim të veprimeve proceduriale, në lidhje me procedimin penal nr. 185, të vitit 2023, në kuadër të të cilit, është zhvilluar operacioni policor i datës 15.08.2023, i emërtuar “Flakë në det”, ku nëpërmjet detit është tentuar të trafikohet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 46, datë 29.04.2024, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për caktimin e masës së sigurimit për personat nën hetim A. D., S. L. dhe K. B., si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Masat e sigurimit ndaj personave nën hetim A.D. S.L. dhe K.B., janë ekzekutuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 30.04.2024.

Gjatë ekzekutimit të vendimit për caktimin e masave të sigurimit, është ushtruar kontroll në disa banesa dhe subjekte tregtare.

Çfarë shqiptarë mund të mësojnë nga tufa e majmunëve Keekerok për PS, Foltoren dhe PL!

NGA IRENA BEQIRAJ

Tufa Keekerok ishte tufa me të cilën neuroshkencëtari Sapolksy kishte filluar studimet mbi sjelljet shoqërore të majmunëve babunë në Kenia, studime që zgjatën plot 30 vite.

Babunët, njësoj si njerëzit jetojnë në grupe të mëdha shoqërore, të lidhura ngushtë edhe shfaqin sjellje shumë të qarta hierarkike. Meshkujt dominues janë në krye të hierarkisë.

Duke matur nivelet e kortizolit, ose hormonit të stresit, shkencëtari arriti në përfundimin se sa më i lartë të jetë rangu social në grup, aq më të ulëta janë nivelet e stresit.

Sa më i ulët të jetë rangu social aq më mizerabël është jeta e një babuni.

Përbërësi kritik për të pasur stres të ulët ishte aftësia e kontrollit”.

Sa më i lartë niveli i dominimit në tufë, aq më i lartë ishte kontrolli mbi të tjerët duke stresuar këta të fundit, sikurse edhe Andreotti thoshte: ” Pushteti lodh ato që nuk e kanë”.

“Një babun shpenzonte rreth tre orë në ditë për të marrë kaloritë, dhe kishte nëntë orë kohë të lirë çdo ditë, për ta bërë nje babun tjetër të mjerë.

Në atë tufë, ishe i vdekur nëse nuk ishe agresiv dhe veçanërisht nëse nuk kishe lidhjet e nevojshme shoqërore”, thotë Sapolsky.

Për një moment teksa lexoja, mu duk se kishte studiuar shoqërinë shqiptare.

Por tregimi i shkencëtarit nuk përfundon këtu.

Diçka e tmerrshme por shkencërisht shumë interesante, i ndodhi tufës Keekerok.

Tufa e babunëve ishte nisur të kërkonte ushqim në depon e plehrave të një shtëpize turistike dhe hëngri mish që ishte i ndotur me tuberkuloz.

Nga epidemia e tuberkulozit gati gjysma e meshkujve vdiqën. Por saktësisht kush vdiq ishte befasuese.

Pas epidemisë së turberkulozit ç’ka mbeti nga tufa ishin dy herë më shumë femra se meshkujt dhe meshkujt që kishin mbetur duke përdorur zhargonin shkencor, të Sapolsky-it, ishin pikërisht “djemtë e mirë”.

Kjo çoi në një ndryshim transformues në dinamikën sociale të tufës. Çuditërisht, “djemtë e mirë” krijuan një mjedis më pak stresues dhe më bashkëpunues brenda tufës.

Çfarë fati! Tufa Keekerok për një rastësi të fatit shpëtoi nga djemtë agresivë, dominues, stresues, të cilet dukshëm pengonin formëzimin e një mjedisi më të mirë brenda saj.

E pra historia e tufës Keekerok na mëson se “vdekja politike” e liderëve agresivë e dominues të Kongreseve të PS-së, Konventave të PL-së edhe Foltoreve të PD-së është kusht i nevojshëm për të trasformuar jetën politike shoqërore brenda këtij vendi.

Nëse kjo nuk do të ndodhë, liderët agresivë, dominues, të palodhur nga pushteti afatgjatë do të vazhdojnë të harxhojnë 3 orë në ditë për të marrë kalori dhe 9 orë të tjera, të mendojnë se si do të na mjerojnë gjithë ne të tjerët!

Amnistia, Agalliu: SPAK konfirmoi se u liruan rreth 100 të dënuar për korrupsion. Po tani a do thotë Pitkini që nuk do të amnistohet asnjë i dënuar nga GJKKO dhe i hetuar nga SPAK?

Në një postim në profilin e tij në rrjetin social facebook, deputeti i PD, Arbi Agalliu, duket se ka ironizuar Gazment Bardhin, i cili ishte shprehur se nga amnistia nuk do të përfitonte asnjë i dënuae nga GJKKO apo i hetuar nga SPAK, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme është shprehur një ditë më parë se kanë përfituar 100 të dënuar të tillë.

Postimi i plotë i Agalliut:

Po tani a do thot Pitkini që nuk do të amnistohet asnjë i dënuar nga GJKKO dhe i hetuar nga SPAK?
Fol Pitkin fol! Behu burrë! Fol e prano që PO, votova që të amnistoj të korruptuarit.

SPAK ka bërë me dije se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga amnistia votuar në 4 prill në Kuvend.

Mes tyre, 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm përfituan falje, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera apo shpërdorimit të detyrës përfituan ulje dënimi.

16 funksionarë publikë të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë për shkelje të barazisë në tenderë si dhe 7 gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit.

Këtu duket mjaft qart se kush e mbështet luftën kundër korrupsionit dhe kush e mbështet korrupsionin.
Këtu duket mjaft qart se kush kërkon një Shqipëri pa korrupsion dhe kush i mban shpresat tek korrupsioni për interesa personal.

E pra, ky është rezultati i bashkimit të votave me mazhorancën i Pitkinit me shok.

Skandali me bashkëshortin e ministres Ibrahimaj, Pampuri: Kambanë alarmi për njerëzit e pambrojtur nga pushtetarët. Ministrja të jap dorëheqjen!

Në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së, nënkryetarja e kësaj force politike, Orjola Pampuri, ka ngritur edhe një herë shqetësimin se si autoritetet shqiptare heshtën dhe mbyllën çështjen e bashkëshortit të ministres Delina Ibrahimaj.

Pampuri ka kërkuar në emër të PD-së dorëheqjen e ministres Ibrahimaj dhe fajëson edhe shefin e saj, Edi Rama, për heshtjen e tij dhe për mos marrjen e asnjë mase.

Për PD-në kjo është një kambanë alarmi se si standardet e dyfishta veprojnë ndryshe për njerëzit e thjeshtë dhe ndryshe për ata të pushtetit.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, NËNKRYETARJA, ORIOLA PAMPURI

Rasti i bashkëshortit të ministres Delina Ibrahimaj, i cili u mbajt i fshehur nga autoritetet përgjegjëse dhe u bë publik vetëm kur media e pasqyroi, nuk është vetëm për të kuptuar se si funksionon pushteti në Shqipëri, por është edhe një kambanë alarmi për njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur nga sulmet dhe dhuna e njerëzve të pushtetit.

Ndonëse kanë kaluar disa ditë nga bërja publike e ngjarjes, përveç një reagimi të vakët dhe aspak bindës nga ministrja Ibrahimaj, nuk kemi asnjë reagim zyrtar të qeverisë shqiptare apo të vetë Edi Ramës si shefi i drejtpërdrejtë i ministres në fjalë.

Ngjarja nuk është vetëm e shëmtuar si akt përmbajtësor, ku burri i ministres bëhet protagonist i zgjidhjes së “halleve” shtetërore të bashkëshortes së tij, por ajo është një ogur i keq për zgjidhjen e konflikteve apo të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrës në të ardhmen.

Partia Demokratike e Shqipërisë kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres Ibrahimaj si akti i parë i të treguarit të vullnetit dhe i fillimit të hetimeve të paanshme dhe të patrysnuara nga prokuroria.

Partia Demokratike e Shqipërisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të denoncojnë të gjitha aktet e dhunës dhe të presionit shtetëror të kësaj qeverie si e vetmja rrugë dhe mënyrë për të dalë nga presioni dhe zgjedha e saj.

Ne jemi të vendosur për të qenë zëri i njerëzve të pa zë dhe mbrojtës të interesit të tyre.

Guterres i bën thirrje Izraelit të mos kryejë ofensivë në Rafah: Një operacion ushtarak do të ishte…

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i bëri thirrje Izraelit që të mos e pushtojë qytetin jugor të Gazës, Rafahun.

 

Kjo thirrje e Guterres erdhi pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se do ta pushtojë Rafahun pavarësisht nëse arrihet ose jo një marrëveshje me Hamasin për lirimin e pengjeve.

“Një operacion ushtarak në Rafah do të ishte një përshkallëzim i padurueshëm, duke vrarë mijëra civilë të tjerë dhe duke detyruar qindra mijëra të tjerë të largohen”, tha Guterres për gazetarët më 30 prill.

Një operacion i tillë, “do të kishte ndikim shkatërrues ndaj palestinezëve në Gazë, me pasoja serioze në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në mbarë rajonin”, tha Guterres.

“Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe shumë qeveri të tjera qartazi kanë shprehur kundërshtimin e tyre për një operacion të tillë. U bëj thirrje të gjithë atyre që kanë ndikim ndaj izraelit që të bëjnë gjithçka që munden që të parandalojnë një operacion të tillë”.

Më herët gjatë ditës, Netanyahu premtoi se ushtria izraelite do të nisë një ofensivë tokësore në Rafah për të shkatërruar, siç tha ai, batalionet e Hamasit në këtë qytet.

Në Rafah, mbi gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës që po strehohet. Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë paralajmëruar Izraelin që të mos kryejë ofensivë në këtë qytet dhe të rrezikojë civilët.

Ofensiva izraelite në Gazë ka vrarë më shumë se 34.000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë. Lufta ka detyruar 80 për qind të popullatës së Gazës që të largohen nga shtëpitë e tyre, ka shkaktuar shkatërrim të madh dhe ka shtyrë banorë në veri të enklavës buzë urisë.

Amnistia që vulosi pazarin

Nga Desada Metaj

Rikthimit në normalitet i punimeve të kuvendit të Shqipërisë i parapriu një marrveshje që PS dhe Rithemelimi u përpoqën ta mbajnë të fshehtë dhe ta bëjnë të duket një dakordësi mes dy forcave politike. Në fakt, ky do kishte qenë dhe akti më normal mes dy faktorëve politikë që kanë kundërshti por duan më të mirën për vendin dhe qytetarët që përfaqësojnë. Por nuk është ky rasti. Sepse qeverisja e 11 viteve ështe në degradim e sipër dhe pjesa opozitare e Sali Berishës ka për qëllim veç ta mbajë këtë të fundit gjallë politikisht. Jo më kot vitet e fundit dozat për “bashkëpunim me regjimin” dhe tradhtarët që Berisha zbulon janë të gjitha në funksion të halleve të Foltores së tij. Kështu ndodhi dhe me rikthimin në parlament të normalitetit,çmimi i të cilit ishte një tjetër copë rrënimi nga morali i opozitës së përfaqësuar nga Sali Berisha.

Le ti marrim me radhë.

Një nga kushtet e marrveshjes ishte krijimi i komisioneve hetimore parlamentare. Dy të tillë u krijuan sa hap e mbyll sytë por pas dy muajsh, i vetmi produkt i tyre kanë qenë lajmet për sherre dhe batuta bajate mes deputetëve. Pa harruar që me vetëdije të plotë, Albana Vokshi si kryetare e komisionit hetimor për koncencionet në shëndetësi hoqi nga objekti i hetimit 2 koncencionet e Spitalit Amerikan. Amnistimi i Klodian Allajbeut u erdhi për mbarë dhe socialistëve e ndërkohë, objekt i këtij komisioni ka degraduar në sherrin banal mes deputetëve. Asnjë fakt, asnjë dokument dhe asnjë dëshmi nuk është publikuar ende pas dy muajsh kur ndërkohë milionat e abuzimit janë të dukshme dhe me sy të lirë. I ngjashëm duket dhe fati i komisionit hetimor për sistemin Tims. Ku objekti dhe serioziteti i hetimit nuk varet nga hetimi i hryje daljeve në Tims por nga hyrje daljet e Salianjit në sallën e Gjykatës së Apelit ku pritet të jepet vendimi për të.

Një tjetër pikë e marrveshjes mes PS dhe Foltores ishte dhe amnistia. Ajo u paketua shpejt e shpejt nga Gaz Bardhi dhe Ulsi Manja që të cilët nxituan të deklaronin se nga amnistia do të përjashtoheshin zyrtarët e korruptuar me vendim nga Gjykata e Posaçme. Por vetëm pak ditë më vonë rrjeti i gazetarëve INA në një shkrim të publikuar konfirmoi zyrtarisht nga Spak se janë me dhjetra ish zyrtarë të dënuar për korrupsion që kanë përfituar nga amnistia. Dhe jo më larg se dje i pyetur nga BIRN mbi lirimin e zyrtarëve dhe magjistratëve të korruptuar, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nuk komentoi. Ajo që do mbahet mend nga amnistia Bardhi- Manja do jetë lirimi i një banditi dhe ndalimi i tij të nesërmen me urgjencë si “gabim” mes rreshtave.

E fundit pikë e marrveshjes mes PS dhe Foltores dhe që ktheu normalitetin në kuvend ishte ajo për komisionin e reformës zgjedhore. Por për këtë as ja vlen të zgjatesh sepse 1 vit para procesit elektoral edhe me naivi e kupton që nuk mund të ndërrohen rregullat e lojës. Për më tepër që Ramës, ky kod dhe këto rregulla i vijnë për shtat sepse i ka bërë siç i duhen. E vetmja arritje e kësaj pike të marrveshjes ishte që Oerd Bylykbashit iu gjet hapësirë për të folur në media meqë protagonizmi i Gaz Bardhit e kishte lënë në hije.

Pra në fund, ajo që duket është se marrveshja e rikthimit në normalitet të parlamentit në të gjithë pikat e saj e ka dëshmuar se ishte thjesht një pazar i lyer me ngjyra revolucioni, boja e të cikit zgjati vetëm pak javë. Ajo tregoi dhe njëherë se morali i munguar i opozitës është forca që e kalon Ramën gjithmonë në avantazh. Sepse problemi nuk qëndron tek marrveshja por tek baza mbi të cilat ajo ndërtohet, pritshmëritë dhe projektimi për të ardhmen. E nëse marrveshjet bëhen për të krijuar një mur të ri mbrojtës për ca të korruptuar të tjerë (ndoshta më të vegjël) apo për lojra meskine të politikës së ditës rezultati do të jetë ky që kemi sot. Shumë zhurmë, pak revolucion dhe aspak opozitë cilësore!

Skenar si në filma/ Lypësja e pasur nga Elbasani që dyshohet se organizoi vrasjen e burrit të saj

ELBASAN– Ilir Osmani, një qytetar nga Elbasani, humbi jetën para disa ditësh në Pejë të Kosovës, pasi u përplas për vdekje nga një automjet. Ngjarja që fillimisht u dyshua si aksidentale, rezulton se është vrasje e qëllimshme. Emisioni Uniko e ka ndjekur këtë histori dhe ka zbardhur tërësisht ngjarjen.

Në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Pejës që po heton rastin, gazetari Spartak Koka ka depozituar prova dhe dëshmi lidhur me këtë ngjarje. Shoferi i makinës që përplasi për vdekje Ilir Osmani është Serxhio Osmani 23 vjeç nga Elbasani, nipi i Donika Jonuzit. Donika Jonuzi ishte bashkëjetuesja e Ilir Osmanit.

BASHKËJETESA E ÇIFTIT DHE FËMIJA I ADOPTUAR

Ilir Osmani dhe Donika Jonuzi nga Elbasani bashkëjetonin prej 10 vitesh. Ata nuk ishin të celebruar zyrtarisht me dokumente, por bashkëjetonin me njëri-tjetrin në shtëpinë e nënës së Ilir Osmanit në Elbasan.

4 vite më parë, ata adoptuan një fëmijë. Fëmija, që për baba biologjik kishte vëllain e Donika Jonuzit, u adoptua që në ditën e lindjes nga Donika dhe bashkëjetuesi i saj Iliri.

Procesi i birësimit u bë sipas ligjit, por djali, Denisi që sot është 4 vjeç, nuk u regjistrua zyrtarisht me prindër Ilirin dhe Donikën për shkak se çifti nuk ishte celebruar me dokumente, por thjesht bashkëjetonin. Në fakt, Donika Jonuzi rezulton të jetë e martuar në Francë me një shtetas francez më të madh në moshë se ajo. Nga divorci me të, pret që të përfitojë gjysmën e pasurisë së një prone.

LYPsJA, NGA ELBASANI NË PEJË TË KOSOVËS

Problemet mes çiftit nisën vitin e fundit. Donika Jonuzi shkonte shpesh në Pejë të Kosovës, aty ku lypte. Familjarët e të ndjerit Ilir Osmani thonë se Donika nuk ishte në gjendje të vështirë ekonomike. Ajo madje kishte dhe makinë. Por, Donika shkonte për të lypur në Pejë për shkak se fitonte shumë. Kurse Iliri punonte me tregti në Elbasan.

DYSHIME PËR PËRDORIMIN E DJALIT NË LYPJE

Disa ditë më parë, Ilir Osmani kishte shkuar në Pejë për të takuar Donikën që ishte aty bashkë me djalin 4-vjeçar, Denisin. Ilir kishte krijuar shumë afërsi me djalin e birësuar, dhe siç tregojnë familjarët, edhe Denisi e kërkonte shumë babain birësues.

Iliri Osmani dyshonte se bashkëjetuesja e tij Donika mund ta shfrytëzonte djalin e mitur për lypje në Pejë. Për këtë arsye kishte shkuar që ta merrte. Në Pejë ai ndodhej bashkë me të ëmën e tij. Kjo e fundit u largua prej andej dhe u kthye në Elbasan 2 ditë para se Iliri të përplasej për vdekje nga makina.

VRASJA E PARAMENDUAR ME MAKINË

Ilir Osmani u përplas për vdekje në Pejë nga një makinë Volkswagen Golf 5 që drejtohej nga 23-vjeçari Serxhio Jonuzi, nipi i Donika Jonuzit. Fillimisht u dyshua për aksident, por Prokuroria dhe Policia e Pejës, duke analizuar kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e dëshmitarëve okularë, rezulton se makina ka ndryshuar korsi dhe është futur mbi trotuar duke përplasur për vdekje Ilir Osmanin. Në momentin e përplasjes, sipas hetuesve rezulton që shoferi ka shtuar shpejtësinë dhe nuk ka shenja frenimi. Pra, kemi të bëjmë me vrasje të paramenduar. Serxhio Jonuzi është arrestuar nga autoritetet e Pejës në Kosovë.

DYSHIMET PËR ORGANIZIMIN E VRASJES NGA DONIKA JONUZI

Kur Ilir Osmani ndodhej në Pejë së bashku me nënën e tij, Donika Jonuzi i tha të ëmës së bashkëjetuesit që të kthehej në Elbasan se për dy ditë do të kthehej dhe Iliri. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Por Iliri u kthye i vdekur. Familjarët e Ilirit thonë se Donika është “peshku i madh dhe organizatorja” e vrasjes së Ilir Osmanit.

Sipas tyre, por edhe sipas dyshimeve të grupit hetimor të Prokurorisë së Pejës, Donika kishte porositur nipin e saj që të përplaste me makinë Ilir Osmanin për të mbajtur e vetme Denisin 4-vjeçar me qëllim që ta shfrytëzonte për lypje në Pejë. Kjo për shkak se Iliri ishte kundër dhe nuk donte që djalin ta nxirrte për lypje. Nga ana tjetër, Donika e konsideronte si biznes lypjen në Pejë dhe përfitonte shuma të konsiderueshme. Kjo duket edhe në jetën e dyfishtë që bënte Donika Jonuzi, ku në fotot e siguruara nga emisioni Uniko ajo duket një njeri tërësisht ndryshe me veshje të tjera dhe makinë./Klan