26.5 C
Tirana
E mërkurë, 4 Qershor, 2025

Cilat janë zonat e preferuara për të blerë apartament në Tiranë? Brokeri Demirxhiu: Kush ka buxhet më tepër blen tek Liqeni. Personat më me pak mundësi zgjedhin…

Brokeri i Remax, Ervin Demirxhiu, i ftuar në emisionin Sintezë të moderatorit Brenton Kotorri në News 24 foli për zonat që janë më të shtrenjat në Tiranë dhe ata ku mund të gjendet apartament më lirë.

Demirxhiu u shpreh se kush ka më tepër para më së shumti blen apartament tek Liqeni Artificial, Komuna e Parisit apo në ish-Bllok. Ndërsa, shtoi se personat që kanë më pak buxhet blejnë banesa në periferinë e Tiranës, në Paskuqan, Kamëz ose Vorë.

Ervin Demirxhiu, broker i “Remax”:
Kur flasim për blerje banese, gjithçka varet nga buxheti. Vendndodhja ndikon shumë në çmim. Kush ka shumë buxhet, mund të blejë tek Komuna e Parisit, tek Rruga e Kosovarëve, rreth Liqenit Artificial etj.

Por, kush nuk ka shumë mundësi, mund të gjejë apartament në zona si Kamza, Vora, Univers City, Paskuqani, që janë pjesë e Tiranës mund të themi se janë bërë tashmë. Duhet menduar më shumë për zhvillim të zonave, ku njerëzit të kenë mundësi të blejnë banesa.

6000 banorë të fshatit Çermë Sektor pa mjekë. Pozicioni bosh prej 10 muajsh, askush nuk paraqet interes

Në fshatin Çermë Sektor (Tërbuf) të Divjakës prej 10 muajsh mungon një mjek i përgjithshëm dhe për të ardhur në ndihmë afër 6000 banorëve shërben një mjek e cila është specializante dhe vjen në punë tri ditë në javë të enjte, të premte dhe të shtunë.

Banorë ankohen se më parë kanë shërbyer dy mjekë ndërsa sot është vetëm një që u shërben dy tri herë në javë. Duke mos pasur shërbim mjekësor gjatë gjithë javës ata janë të detyruar që të shkojnë në Lushnje, e cila për ta ka kosto se shpesh duhet të paguajnë edhe shërbimin e taksisë. Të njëjtin problem kanë dhe pacientët kronikë dhe jo vetëm ata ambulator.

Infermierja e Qendrës Shëndetësore Çerme Sektor, zonja Zamira Jahollari, shpjegon për Fiksin se që pas ikjes së mjekes nga kjo qendër , kanë kaluar dhjetë muaj dhe nuk ka ardhur askush që ta zëvendësoj. Shpesh ndodh që ajo u jep rekomandimet që të sëmurët të shkojnë të vizitohen në Lushnje.

Edhe drejtori i OSHKSH Lushnje, zoti Denis Korreshi, në një intervistë për Fiks Fare pohoi se e njeh mirë këtë situatë, por deri më tani nuk është zgjidhur zëvendësimi mjekut. Kjo sipas tij është se në Portalin “Mjeku për Shqipërisë” nuk ka paraqitur askush interes që të punësohet në këtë pozicion. Deri sa dikush të tregojë interes nuk mund të zëvendësohet nga dikush tjetër. Për sa i përket rekomandimeve te mjekët specialist këtë e bëjnë vetëm mjekët e tjerë që vijnë për ndihme nga qendrat e tjera shëndetësore të kësaj zone, ose mjekja që vjen në fund javë.

Deri sa dikush të aplikojë për vendin vakant, 6000 banorët e fshatit Çermë Sektor shërbimin do e marrin të kufizuar ose duhet t’u drejtohen qendrave të tjera më të afërta./ Top Channel

“Ekziston vetëm një busull që e orienton dinamikën e jetës politike në Beograd, quhet Aleksandër Vuçiç”- Analiza e REL: Qeveria e re e Serbisë me qëndrime të vjetra ndaj Kosovës

Me zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë nuk do të ndryshojë politika ndaj Kosovës, sepse ajo udhëhiqet nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe jo nga kryeministri apo ministrat, thonë për Radion Evropa e Lirë analistët e çështjeve politike nga Kosova dhe Serbia, Artan Muhaxhiri dhe Ognjen Gogiç.

“Ekziston vetëm një busull që e orienton dinamikën e jetës politike dhe institucionale të Serbisë – quhet Aleksandar Vuçiç. Të gjithë të tjerët afër tij janë shtesa që kanë përfitime të ndryshme nga të qenët kukulla politike”, thotë Muhaxhiri.

Ai thekson se “fuqinë e vërtetë për të marrë vendime të rëndësishme, përfshirë ato që kanë të bëjnë me Kosovën, e ka Vuçiç”.

Për Gogiçin, Qeveria e Serbisë është më shumë “një shërbim që i dorëzon raporte presidentit të Serbisë”.

“Politika [ndaj Kosovës] do të vazhdojë të përcaktohet nga presidenti, varësisht rrethanave të ndryshme”, vlerëson ai.

Më 2 maj, deputetët e Kuvendit të Serbisë zgjodhën Qeverinë e re, të kryesuar nga Millosh Vuçeviç, i cili është kryetar i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.

Gjatë paraqitjes së ekspozesë më 1 maj, Vuçeviç tha se Serbia do të bëjë gjithçka të mundur për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Serbia, deri më tani, e ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndonëse me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, është zotuar se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008, por, përmes marrëveshjeve të ndryshme të arritura ndër vite, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i ka njohur targat, dokumentet e diplomat e Kosovës.

Nga Qeveria e Kosovës nuk ka reagime

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës se si e komenton përbërjen e re të Qeverisë së Serbisë dhe cilat janë pritjet e saj për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, por nuk mori përgjigje.

Autoritetet e Kosovës vazhdimisht e akuzojnë Serbinë për shkeljen e marrëveshjeve të arritura përmes dialogut, se punon për destabilizimin e situatës në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për “presion” dhe “shantazh” ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb.

Autoritetet e Kosovës e akuzojnë, gjithashtu, Serbinë se qëndron pas sulmit të armatosur në Banjskë, që ndodhi shtatorin e kaluar – gjë të cilën Beogradi zyrtar e mohon.

Në atë sulm u vra një polic i Kosovës, ndërsa përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Nga deklaratat e zyrtarëve të lartë të Kosovës shpesh mund të dëgjohen akuza edhe kundër kësaj partie, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Ka, po ashtu, akuza për bashkëpunim të ngushtë mes Beogradit dhe Moskës.

Në përbërjen e re, Qeveria e Serbisë i ka dy persona, të cilët janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryesisht për shkak të lidhjeve me Rusinë: Aleksandar Vulinin si zëvendëskryeministër dhe Nenad Popoviçin si ministër pa portofol.

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është “i zhgënjyer” me propozimet e Vulinit dhe Popoviçit dhe se të dy ata do të mbeten nën sanksione, sepse qëndrimi i SHBA-së ndaj tyre është “i njohur”.

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, thotë se Beogradi, me përfshirjen e Vulinit dhe të Popoviçit në Qeverinë e re, është kujdesur për t’i mirëmbajtur marrëdhëniet me Moskën.

“Prej kohësh, anëtarësimi në BE është më shumë një mjet për konsolidimin dhe mbajtjen e Vuçiçit në pushtet dhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Serbisë, pa orientime të qarta ideologjike, sesa një synim serioz i Aleksandar Vuçiçit”, thotë Weber.

Vulin dhe Popoviç si “maska” për kompromise për Kosovën

Muhaxhiri beson se Vulin dhe Popoviç e gjetën veten në Qeverinë e re të Serbisë, sepse Vuçiç do që të tregojë se e ka fuqinë për ta kundërshtuar shtetin më të fuqishëm në botë.

“… dhe për të treguar se ai ka autoritet për të vendosur vetë në Serbi. Ai do t’i shfrytëzojë këta dy ministra si eksponentët e tij më agresivë, do të krijojë mjegull në jetën mediatike dhe publike, për t’i balancuar kompromiset e tij të mundshme që i kërkohen në kuadër të dialogut [me Kosovën]”, thotë Muhaxhiri.

Pas reagimit të Departamentit amerikan të Shtetit, Vuçiç tha se “nuk është i lumtur” për këtë, por se shpreson në marrëdhënie të mira me “partnerët tanë amerikanë”.

Gjuriç si “urë” mes Serbisë dhe SHBA-së

Ministër i ri i Punëve të Jashtme të Serbisë është Marko Gjuriç, deri para pak kohësh ambasador në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën.

Gogiç beson se roli i tij do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve me SHBA-në, pra “fitimi” i mbështetjes së saj për disa qëndrime të Serbisë, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me Kosovën.

“Kjo më shumë do të varet prej asaj se kush do të jetë në pushtet në SHBA pas zgjedhjeve të nëntorit. Prej kësaj varet se cili do të jetë qëndrimi i tyre afatgjatë ndaj Kosovës dhe dialogut. Por, mendoj se është naive nga ana e Serbisë të mendojë se mund ta ndikojë në ndonjë mënyrë politikën e Shtëpisë së Bardhë. SHBA-ja është sponsorizuesja më e madhe e pavarësisë së Kosovës”, thotë Gogiç.

Megjithatë, ai kujton se SHBA-ja, së voni, ka qenë mjaft kritike ndaj Qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shkak të disa vendimeve që i ka marrë ai.

Qëndrimi ndaj dialogut

Weber beson se Marrëveshja e Ohrit për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është bazuar në “politikën e dështuar të zbutjes ndaj Vuçiçit”.

“Ajo ka dështuar me një përshkallëzim të paprecedentë [të situatës] në veri të Kosovës, të cilin kryeqytetet perëndimore nuk janë ende gati ta pranojnë. Beogradi nuk do të sanksionohet kurrë për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të regjimit për sulmin terrorist në Banjskë”, thotë Weber.

Muhaxhiri thekson se qëndrimi i Serbisë ndaj dialogut varet edhe nga presidenti Vuçiç, nga idetë dhe vendimet e tij.

“Sikurse deri më tash, përparimi ose bllokimi do të lidhet kryesisht me nivelin e presionit nga SHBA-ja dhe BE-ja”, thotë ai.

Kosova dhe Serbia, për më shumë se një dekadë, zhvillojnë bisedime për normalizimin e marrëdhënieve. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren./REL

Si përfunduan ikonat e Kishës Ortodokse të Shkodrës në shtëpinë e Luigj Gurakuqit? Atë Aleksandër Petani: Komunizmi prishi objektet e kultit, por nuk shuajti besimin

Nga Senad Nikshiqi

Atë Aleksandër Petani, ish- drejtues i Kishës Ortodokse në Shkodër për 25 vite me radhë, në këtë vigjilje Pashkësh rrëfen për News24 zhvillimet të Kishës Ortodokse në Shqipëri, që nga epoka e rënies së kishës, kur objektet e kultit u shkatërruan nga regjimi komunist, deri te përpjekjet e ringritjes së institucionit kishtar gjatë viteve ‘90-të.

Për tri dekada me radhë, që prej vitit 1962 kur Kisha Ortodokse në Shkodër u rrënua plotësisht, deri në vitet 1990 historia e besimeve fetare në kryeqendrën kulturore të vendit, Shkodër zhvillohej paralelisht, ku të krishterët dhe myslimanët përkrahnin njëri-tjetrin në rimëkëmbjen e objekteve të kultit dhe garantimin e vijimësisë së besimeve fetare, pavarësisht rrethanave historiko-politike tejet të vështira. Pas prishjes së Kishës Ortodokse nga regjimi komunist Atë Aleksandri mundi të sigurojë emrat e personave që nënshkruan vendimin për shkatërrimin e saj, duke bërë të mundur negociatat me ta, prej nga ku zbuloi se ikonat e shenjta gjendeshin në shtëpinë e Luigj Gurakuqit.

Gjatë trazirave në fillim të viteve ‘90 ishte e nevojshme që Kisha Ortodokse në Shqipëri të kishte një drejtues. Atë Aleksandri rrëfen se i dërguan kërkesë Patriarkanës në Kostandinopojë për dërgimin e një kryepeshkopi, që të riorganizonte pushtetin kishtar ne vend. Pas kërkesës nga Shqipëria, Patriarkana e Kostandinopojës dërgoi me mision kishtar në Shqipëri Kryepeshkopin Anastas Janullatos. Në kujtimin e ditës së ardhjes së Janullatosit në Shqipëri, Atë Aleksandri rrëfen të papriturën e asaj dite, kryepeshkopi ortodoks u prit në Rinas nga frati françeskan, Atë Zef Pllumi.

Rimëkëmbja e objektit të kultit në Shkodër kërkoi përpjekje të mëdha, duke nisur që nga blerja e truallit ku do të ndërtohej kisha e deri te ruajtja e saj nga sulmet e bandave famëkeqe të Shkodrës. Mes gjithë vështirësive, ndasitë mes klerikëve të krishterë, ortodoksë e katolikë nuk ekzistonin. Atë Aleksandri tregon se i kërkoi kishës françeskane që Meshën e Shenjtë kryepeshkopi Janullats për besimtarët ortodoksë në Shkodër ta mbante në kishën katolike, gjë e cila u pranua me dashamirësi prej tyre. Në këtë vigjilje Pashkësh, Atë Aleksandri ka një mesazh për të gjithë qytetarët të keishterë e myslimanë, të mos largohen nga Zoti dhe t’i rrisin fëmijët me dashurinë për Të. Më tej Atë Aleksandri pohon se Imzot Massafra në një drekë të organizuar në Shkodër i kërkoi kryepeshkopit Janullatos ndërtimin e kishës ortodokse./ BalkanWeb.com

Forma e shkëlqyer te Rubin Kazani, Mirlind Daku në garë për dy çmimet kryesore

Lënia jashtë listës së grumbullimit në miqësoret e muajit mars nga Silvinjo, e ka motivuar më shumë Mirlind Dakun, i cili po shënon rregullisht me ekipin e tij në kampionatin rus. Sulmuesi ka koleksionuar 7 gola dhe 4 asiste deri tani dhe forma e tij ka ardhur në rritje.

Falë kësaj ecurie fantastike, Daku është nominuar si futbollist i vitit dhe si sulmues i vitit. Ceremonia në të cilën do të shpallen emrat e fituesve do të jetë më 26 maj në Moskë. Tifozët kanë të drejtë të votojnë deri më 13 maj, ndërsa përzgjedhja varet edhe nga votat e ekspertëve.

Për çmimin e futbollistit të vitit janë 32 kandidatë, ndërsa për sulmuesin më të mirë vetëm dhjetë.

Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur të zgjerojë listën e lojtarëve nga 23 në 26 për finalet e Europianit “Gjermani 2024”

Me anë të një komunikate zyrtare UEFA ka bërë me dije vendimin, që i lejon ekipet Kombëtare që do të marrin pjesë në finalet e “Euro 2024” të grumbullojnë deri në 26-të lojtarë, nga 23-të që ishte e lejuar.

Megjithatë UEFA shton se ky vendim nuk është i detyrueshëm, pasi ekipet finaliste do të kenë mundësi të grumbullojnë nga 23, deri në 26 lojtarë për në finalet e “Euro 2024”, sipas dëshirës së tyre.

Sipas rregullores që UEFA ka vendosur për Kampionatin Europian, lista me lojtarët e grumbulluar duhet të dorëzohet deri më datë 7 qershor 2024.

Shqipëria do ta nisë rrugëtimin në Europian më datë 15 qershor ndaj Italisë. Sfida do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”. Katër ditë më pas, më datë 19 qershor 2024 kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Europianit kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”. Ndërsa ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor 2024 në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.

Pashkët Orthodokse, Kryepeshkopi Anastas: Të mposhtim hidhërimet me fuqinë e Ngjalljes

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë në prag të Pashkëve.

Ngjallja e Krishtit kulmon këtë vit në mesnatën mes 4 dhe 5 majit për besimtarët ortodoksë që gjenden në javën e Madhe dhe të Shenjtë.

Në përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe kryqëzimin e më pas Ngjalljen, Kryepeshkopi Anastas vë theksin te konfliktet në Ukrainë, Gaza apo edhe në Sudan e Haiti.

Në mesazhin në vigjilje të Pashkëve ortodokse drejtuar besimtarëve, Kryepeshkopi Janullatos flet edhe për më shumë dashuri në vendin tonë, “të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë”.

Mesazhi i plotë i Kryepeshkopit Janullatos:

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Mposhtja E Hidhërimeve Me Fuqinë E Ngjalljes

“Të njoh atë me fuqinë e Ngjalljes së tij” (Fil. 3:10)

Ηimni ngjallësor: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…”, ende kumbon ngadhënjyes dhe ngushëllues në mes të errësirës së melankolisë, të shkaktuar nga ngjarjet e dhimbshme në Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës, madje edhe këtu, në mjedisin tonë, të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë. Ne e dimë se jemi të brishtë, që e mbajmë “këtë thesar (të besimit) në enë prej balte” (2 Kor. 4:7-8), por kjo ndodh “që të dalë në pah se kjo fuqi tejet e madhe vjen nga Perëndia, jo nga ne”.

Periudha e Pashkës, me një mënyrë të veçantë dhe përmes një përjetimi personal, na fton t’i afrohemi Krishtit, që pëson dhe ngjallet: “Që ta njoh atë dhe fuqinë e Ngjalljes së tij, të marr pjesë në pësimet e tij dhe të bëhem i ngjashëm me të në vdekjen e tij” (Fil. 3:10). Dy të vërteta na e ndriçojnë udhën drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me atë që pësoi dhe u ngjall: Pranimi për të marrë pjesë në pësimet e Tij dhe të qenit i ngjashëm me të në vdekjen e Tij. E kemi theksuar edhe herë tjetër se Ngjallja nuk është diçka që vjen më vete, që vjen pas Kryqit, por gjendet brenda Kryqit, brenda pësimit, kur e pranojmë atë ashtu siç e pranoi edhe Krishti. Dhe anasjelltas, përjetimi i Ngjalljes kërkon gjithnjë si kusht paraprak të bëhemi të ngjashëm me Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur.

Kjo pjesëmarrje në Pësimet dhe Ngjalljen e Tij forcon qëndresën tonë, në mënyrë që të mos na përpijë depresioni dhe dëshpërimi. Himni triumfal themelor, që kumbon fort brenda nesh – “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…” – është shpallja kryesore e besimit të krishterë orthodhoks dhe përmbledh domethënien më të thellë të Mishërimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Këtë përvojë të dyfishtë, të Kryqit dhe të Ngjalljes, e përjetojnë dëshmorët e Kishës sonë ndër shekuj. Edhe ne “le të ecim me durim në betejën që na pret, duke soditur Jisuin, që është kreu i besimit tonë dhe ai që e bën atë të përsosur” (Heb. 12: 1-2).

Duke lavdëruar me mirënjohje Perëndinë Triadik gjatë periudhës paskale, le ta shtojmë përpjekjen tonë, në mënyrë që ta përjetojmë këtë bindje dhe le të përçojmë ngushëllim në mjedisin tonë me dhembshuri.

Krishti u Ngjall, vëllezërit e mi!

Pashkë të bekuara, me shëndet, durim dhe mendësi kryqngjallësore!

Policia apel qytetarëve: Kujdes nga mashtrimi përmes investimeve të dyshuara online

Policia e Kosovës ka njoftuar se keqbërësit kibernetikë çdo ditë tentojnë të kryejnë sulme kibernetike të llojeve të ndryshme, duke shpresuar apo duke synuar që të gjejnë një viktimë të radhës, që mund të jetë secili prej nesh.

Sipas Policisë, viktima të krimit kibernetik mund të jenë të gjitha shtresat e shoqërisë, dhe pasojat në shumë raste mund të jenë mjaft të mëdha si në aspektin psikologjik, fizik por edhe në aspektin material.

“Së fundi, keqbërësit kibernetikë janë duke aplikuar një formë mashtrimi përmes së cilës i joshin përdoruesit e internetit që të investojnë në platforma të ndryshme online”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Më tej Policia thotë se ”kjo formë e mashtrimit përfshin investimin në kinse kriptovaluta përmes platformave të ndryshme fiktive që dyshohen se janë skema piramidale. Me qëllim që të minimizojmë kërcënimet kibernetike dhe qytetarët të mos bien viktimë e tyre, Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes nga investime në platforma të panjohura të internetit”.

-Policia ka publikuar disa metoda të cilat përdoren nga keqbërësit për të joshur viktimat të investojnë në skema mashtrimi përmes internetit:

-Fitim i shpejtë dhe i garantuar;

-Fitim në vlera joproporcionale dhe i pabazuar në trendin e kriptovalutave;

-Ftesa për regjistrime në platforma përmes linqeve të ndryshme, përfshirë një kod personal përmes të cilit ju jeni ftuar për t’u regjistruar në platformë dhe ju mund të ftoni persona tjerë të investojnë dhe për secilin person të regjistruar ju merrni një shumë nga investimi;

-Me qëllim të “bindjes” së përdoruesve se këto platforma janë gjoja të vërteta, në raste shumë të rralla disa persona shpërblehen duke iu kthyer mjetet;

-Prezantim i rrejshëm i certifikatave të ndryshme për t’u dukur kinse janë platforma investimi të vërteta;

-Platformat e investimeve janë të thjeshta, nuk kërkojnë shumë të dhëna për t’u regjistruar;

-Platformat nuk janë të regjistruara në institucione financiare;

-Njoftimi se e-mail adresa e juaj, numri i telefonit apo llogaria në rrjete sociale është përzgjedhur fituese;

-Investimi tingëllon shumë i mirë për të qenë i vërtetë (psh.:Investo 200 euro për të marrë 400 euro brenda tri ditëve);

Si të mbroheni:

-Kërkoni në burime të hapura për platformën e caktuar dhe shikoni vlerësimet e bëra në internet;

-Hulumtoni nëpër forume online dhe informohuni për platformën apo për projektin;

-Nëse investimi është për kriptovaluta të reja shikoni dhe vlerësoni projektin e valutës;

-Kontrolloni nëse kriptovaluta dhe projekti janë të regjistruara dhe janë të rregulluara nga institucione përkatëse financiare;

-Analizoni dhe vlerësoni rrezikun e kthimit në fitim! Nëse fitimi është joproporcional dhe nuk është e qartë se si funksionon kthimi i fitimit konsideroni se kjo mund të jetë skemë piramidale;

-Skemat piramidale mbështeten në një fluks të vazhdueshëm investitorësh të rinj, për të paguar kthime për investitorët e mëparshëm. Ata mund të përdorin metoda të ndryshme referimi ose taktika marketingu, për të nxitur investitorët ekzistues për të rekrutuar të rinj.

-Konsultohuni me profesionistë që i njihni;

-Nëse jeni viktimë e këtyre mashtrimeve, i raportoni ato në stacionin më të afërt policor;

-Kujdes nga MASHTRIMET ME INVESTIME ONLINE!!! Mendoni dy herë para se të investoni online!, thuhet në njoftimin e Policisë.

EURO U-19/ Shqipëria njeh kundërshtarët në raundin kualifikues, përballet me Izraelin, Danimarkën & Irlandën e Veriut

Edhe Shqipëria U-19 ka njohur kundërshtarët e raundit kualifikues për Kampionatin Europian “Rumani 2025”.

Në shortin e hedhur në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës morën pjesë 52 skuadra, që u ndanë në 13 grupe me nga katër ekipe. Shqipëria U-19 u pozicionua në Grupin 11 së bashku me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut.

Në rast se kuqezinjtë do të renditen në vendin e parë ose të dytë në Grupin 11 pas ndeshjeve të këtij raundi do të kualifikohen më tej për në fazën “Elite Raund”. Një mundësi e mirë për të kaluar në këtë fazë do të jetë edhe si vendi i tretë më i mirë i çdo grupi.

Nga ndeshjet kualifikuese në fazën “Elite Raund” do të shkojnë më tej 27-të ekipe, dy skuadra e para të çdo grupi dhe vendi i tretë më i mirë. Ndërsa Portugalia është e kualifikuar automatisht në këtë fazë.

Në total 28-të skuadra që më pas do të njohin kundërshtarët nga shorti i UEFA-s, ku do të formohen shtatë grupe me nga katër skuadra. Pas përfundimit të ndeshjeve të fazës “Elite Raund”, shtatë vendet e para të çdo grupi do t’i bashkangjiten Rumanisë në finalet e Europianit U-19.

OBSH: Shqipëria, me numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Europë! Si ndikoi emigracioni i bluzave të bardha

Me tkurrjen e popullsisë, numri i mjekëve për banorë erdhi në përmirësim vitet e fundit, por sërish Shqipëria renditet e fundit në Europë për këtë tregues, referuar të dhënave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Të dhënat për Shqipërinë, që i takojnë vitit 2020, tregojnë se, numri i mjekëve për 10 mijë banorë është 18.8 në vitin 2020, niveli më i ulët në rang europian dhe në rajon. Pas Shqipërisë, numrin më të ulët të mjekëve për banorë e ka Turqia me 20.4 doktorë për 10 mijë banorë dhe më pas Bosnja me 21 doktorë, e ndjekur nga Mali i Zi me 27.4 doktorë për 10 mijë banorë.

Në anën tjetër, Greqia kryeson listën për numrin e lartë të mjekëve për 10 mijë banorë. Në vitin 2020, ky vend kishte 63.1 doktorë për 20 mijë banorë e ndjekur nga Portugalia me 56,2 mjekë për 10 mijë banorë, Austria me 53.5 mjekë, Norvegjia me 50.9 mjekë për 10 mijë banorë.

Vendet e zhvilluara të Europës kanë mbi 40 mjekë për 10 mijë banorë. Madje edhe Moldavia që është një ndër vendet më të varfra të Europës ka 40.6 mjekë për 10 mijë banorë.

Në rajon, numrin më të lartë të mjekëve për banorë e ka Serbia me 36.7 për 10 mijë banorë.

Në vitin 1990, Shqipëria kishte 13.7 mjekë për 10 mijë banorë, por treguesi u përkeqësua deri në vitin 2016 kur numëroheshin 12.3 mjekë për 10 mijë banorë, si rrjedhojë e emigrimit të lartë në këtë profesion dhe investimeve të dobëta publike në shëndetësi.

Në vitin 2018 treguesi shënoi rritje në 21.5 mjekë për banorë si pasojë e zbatimit të një plani për shtimin e organikës ne entet publike te shëndetësisë dhe nga ana tjetër rënia e popullsisë ka favorizuar përmirësimin e raportit.

Mirëpo emigracioni i fortë në këtë grup, sidomos drejt Gjermanisë, e përkeqësoi sërish treguesin përgjatë 2018-2020, i cili arriti në 18.8 mjekë për 10 mijë banorë.

Ekspertët vendas të statistikave të shëndetit pohojnë se vitet e fundit për shkak se popullsia banuese në vend është më e ulët se popullsia zyrtare që raporton INSTAT, të gjitha prevalencat për sëmundjet, duke përfshirë dhe mjekët për banorë janë të pasakta.

Ata pohojnë se, të dhënat e censit nuk duhen vonuar pasi shifra e pasaktë e popullsisë po behët shkak për deformimin e politikave shëndetësorë dhe shpërndarjen e financimeve në sektor.

Gjatë pandemisë Covid-19, Shqipëria u përball me vdekje shtesë ndër më të lartat në Europë, teksa barra e sëmundjeve në rritje për shkak të plakjes së popullsie sugjeron më shumë investime në këtë sektor./Monitor