22.5 C
Tirana
E premte, 6 Qershor, 2025

SHKRIMTARI

Nga Agron Tufa

Kisha ndjesinë se personazhet më katilë të veprave të mia kanë braktisur fletët dhe janë lëshuar në veprim. I kisha përpara. Skifterë që lëshoheshin me shkopinj mbi një vargan zhelanësh të zhytyr deri në brez në llucën e Kënetës. Skllevër të cilës epoke janë vallë këta? Qesh ulur mbi dengun e plaçkave të mia, aty ku na kishte shkarkuar autoburgu.
– Nga je ti, more? – pyeti me arrogancë një skifter, duke vringëllirë shkopin në ajër, ndërkohë që më goditi më kambale në kërcinj.
– Nga burgu i Tiranës, – thashë tek ngrihesha.
– Ç’je?
– I burgosur.
– Këtë e di, po ç’punë ke bërë? – ulëriu ai.
– Shkrimtar, – thashë i qetë.
– Shkrimtar?! – pyeti i habitur duke kruar kokën dhe shpërvjelë buzën e poshtme.
– Ç’punë ke bërë ti, si shkrimtar?
– Kam shkruar libra, – thashë.
– Gënjeshtar! Ulëriu, i bërë kuq, si lafshë këndezi. – Mashtrues! – gjëmoi dhe filloi të më gjuajë me tërbim. – Na shkruaka libra syfeti yt! Libra vetëm Lenini ka shkruar!
Qesha nën buzë. Me pahir. Kjo e tërboi skifterin me shkop dhe më goditi. Ma mpiu supin, por nuk u shmanga. E pashë në sy. Qëlloi dhe njëherë. Kur po ikte, tha:
– Prit deri nesër… Ta tregoj unë si shkruhen librat!
Ktheu shpinën, por diçka s’e linte të qetë, ngase u kthye dhe pyeti:
– Si të quajnë ty, maskara?
– Mitrush. Mitrush Kuteli.
– Hëm. Dëgjo këtu ti Mirush. Vare vëth në vesh: sa të jem unë këtu, s’do të ta ndaj pendrekun mbas qafe! U bëre ti, birbo, Lenin!

Depresioni, alarm për gratë! Tre tentativa për t’i dhënë fund jetës ditët e fundit, mjekët: Nuk pranojnë…

Në tre ditët e fundit tre gra, nga një në çdo ditë, kanë tentuar t’i japin fund jetës. Alarmante ka qenë situata edhe vitin e shkuar ku rreth 200 persona humbën jetën duke kryer vetëvrasje, shumica gra.

“Këta persona që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor nuk iu drejtohen profesionistëve për të marrë ndihmën e duhur, sepse kanë frikë se krijojnë varësi nga medikamentet. Sëmundjet madhore që ne kemi në shëndetin mendo mendoj janë psikozat, personi nuk e pranon dot që është i sëmurë.

Në këto rast janë familjarët dhe të afërmit, komuniteti, që duhet t’i ndihmojnë për t’i drejtuar tek profesionistët e shëndetit mendor. Sepse këto mund të bëhen shkak për vetëvrasje, si këto rastet e fundit. Një person që të shkojë në vetëvrasje, është një kohë e gjatë i patrajtuar, sepse nëse sëmundja kapet në fillim, kur njeriu mbyllet në vetvete dhe ka mendime negative, i mungon shpresa e energjia, mendimet janë të tilla që e bezdisin derisa përdorin shprehjen ‘nuk ia vlen të jetohet, më mirë të shkoj e të shpëtoj’.

Tentativat për t’i dhënë fund jetës është më e shprehur tek gratë, sepse ndoshta gruaja ka peshën më të madhe në familje. Zakonisht gratë janë ato që vuajnë problematikat e fëmijëve të tyre më shumë se sa burrat. Unë do tu lutesha që në familjet që shohin që kanë një person me këto problematika, t’i ndihmojnë që të shkojnë tek profesionistët e shëndetit mendor, sepse trajtimi në kohë do të ndikonte pozitivisht, do t’i shpëtonte jetën”, tha Valentina Asabella-mjeke psikiatre./ Top Channel

Vetting zbardh skemën/ Si OSHEE-KESH-OST zhdukën 1.1 mld euro, bilance të padeklaruara dhe borxhe të pashlyera. Dyshime për abuzime

Nëse qytetarët e thjeshtë, mes të cilëve edhe pensionistë e invalidë, rrezikojnë të penalizohen deri në burg kur nuk arrijnë të paguajnë energjinë e muajit, për zyrtarët e OSHEE, KESH e OST-së humbjet në miliona duket se nuk janë aspak shqetësim. Madje, si për ironi, miliona euro që mungojnë në arkat e tyre apo që humbin në tendera plot dritë-hije për fituesit, shënohen si “humbje në rrjet” apo “humbje teknike”, duke bërë që buxhetit të shtetit t’i mungojë një fond i konsiderueshëm të ardhurash. Paradoksi është se mungesa e këtyre parave vjen në një fushë që konsumohet gjithçka që prodhohet apo blihet. Pra, nuk kemi të bëjmë me asnjë stok, por me keq menaxhim dhe vjedhje.

Humbjet duken edhe më të pabesueshme kur përmes shifrave faktohet se në ketë fushë janë investuar miliona euro për të përmirësuar këtë sektor të rëndësishëm.

Çfarë ndodh me KESH, OSHEE dhe OST?
Tre institucionet kryesore të varësisë së Ministrisë së Energjisë, OSHEE, OST dhe KESH, prej kohësh janë përfshirë në një hartë humbjesh të mëdha në dëm të buxhetit të shtetit. Këto institucione që duhej të ishin burim të ardhurash janë kthyer në humbësit e mëdhenj të parave publike.

Nuk janë pak, por 1.1 miliardë euro buxhet nga të cilat, fati i 670 milionë eurove nuk dihet për shkak të bilanceve të padeklaruara nga OSHEE dhe KESH, vetëm për vitin 2021 – 2022.

Ndërkohë 257 milionë euro tendera janë dhënë vetëm për një apo dy kompani në garë, ku jo rastësisht njëra prej tyre gjithmonë përjashtohet nga tenderi, duke i hapur rrugën konkurruesit tjetër që mbetet i vetëm për oferta që fitohen zakonisht në 99% të vlerës së fondit limit.

Këto fonde të mëdha janë kthyer në një minierë ari për familjarë të ish-krerëve të policisë të përjashtuar nga procesi i Vettingut dhe investitorë strategjikë.

Pamundësimi i bursës shqiptare për të funksionuar, transaksionet në kundërshtim me ligjin si edhe sherret ndërinstitucionale për borxhet e pashlyera, janë një pjesë e ajsbergut të parave të shpërdoruara që “Vetting” sjell në këtë episod.

Sherri për borxhet 1.1 mld euro dëm në buxhet të shtetit
Borxhet mes KESH, OSHEE dhe OST, kanë krijuar prej kohësh një sherr ndërinstitucional, ku palët janë të ndarë në pretendimet e tyre. Në këtë përplasje, fillimisht OSHEE do të deklaronte se borxhi ishte 104 milionë euro ndërsa OST pretendonte se ishte 129 milion euro.

Diferenca prej 25 milionë eurosh ishte burimi i konfliktit për detyrimet që kompanitë kishin ndërmjet njëra-tjetrës. Sipas burimeve zyrtare “Vetting” zbulon se në 15 prill 2021 ndërmjet OSHEE dhe OST u firmos marrëveshja për pagesën e detyrimeve të prapambetura me vlerë 9,68 miliardë lekë ose 96 milionë euro.

Nga informacionet e Ministrisë së Financave, përplasja midis OST dhe OSHEE vazhdon pasi në projekt buxhetin 2024 nënvizohet se detyrimet janë nga 9 miliardë lekë deri në 18.3 miliardë lekë të OSHEE-së ndaj OST-së, e thënë ndryshe 90 deri në 183 milionë euro pasi kompanitë publike akoma nuk bien dakord me njëra-tjetrën.

Ngelet shqetësues fakti dhe krijohen dyshime për abuzime pasi bilancet nuk pasqyrohen dhe fondet i mungojnë buxhetit, ndërsa palët ende kundërshtojnë njëra -tjetrën, duke mos qenë transparente./ BW

Koordinimi i aksionit politik në të gjitha degët e Shqipërisë/ Gjunkshi: Diskutojmë mbi sfidat dhe angazhimin e qytetarëve

Në një postim në profilin e tij në rrjetin social facebook, anëtari i kryesisë së PD, Xhemal Gjunkshi, shprehet se vijon koordinimi i aksionit politik të PD në të gjitha degët e Shqipërisë.

Gjunkshi shprehet se temë e diskutimeve ka qenë problematika e njerëzve dhe angazhimi i tyre.

Më poshtë postimi i plotë:

Vazhdon koordinimi i aksionit politik të Partisë Demokratike në të gjitha degët e Shqipërisë. Sot zhvilluam takim në Njësinë Laprakë e Vjetër. Gjatë takimit diskutuam mbi shqetësimet dhe problematikat e qytetarëve të njësisë dhe pjesemarrësit diskutuan mbi sfidat aktuale, si dhe për mundësinë mbi angazhimin e tyre politik dhe qytetar për të sjellë ndryshimin në vend, për një të ardhme më të mirë.

“Plaku dhe deti”, Santiago dhe sfida për të kuptuar kohën

Nga Agim Baçi

Shumëkush mund ta ketë lexuar, dëgjuar apo parë film përpjekjen e Santiagos, personazhit të një prej romaneve më të rëndësishëm të letërsisë botërore, “Plaku dhe deti”, të Ernest Heminguejit. Gjithçka nis pas 84 ditësh ku heroi ynë vijon të mos fusë dot asnjë peshk në rrjetën e tij. Por i ka dhënë fjalën Manolinit, nxënësit të tij të ri, se do t’i japë fund sezonit të pafat dhe do të udhëtojë sërish drejt peshkimit.

Ai arrin me varkën e tij të vogël të kapë peshkun në mes të Golfstrimit. Është peshku që ai gjithnjë e ka ditur se ku është- peshku Marlin. Është peshku që ai e ka kapur lehtësisht në rini. Por gjërat nuk janë më si më parë për Santiagon, pasi as mosha e as mjetet që ka në dorë nuk janë në favorin e tij. Në tri ditë beteje ai flet me triumfin e tij, e vlerëson që ka qenë një peshk i fortë, por që tashmë atij do t’i duhet ta çojë në breg, pasi nuk vlen vetëm fakti që e ka në rrjetën e tij. Por nuk është e thjeshtë. Më së pari duhet të luftojë me peshkaqenin e madh Mako, të cilën Santiago, pas një beteje rraskapitëse e vret me fuzhnjën e tij.

Por kjo fitore me peshkaqenin Mako është edhe nisja e humbjes së gjithçkaje që ka kapur, pasi gjurmët e gjakut që ka lënë në betejën me Marlinin bëjnë që peshkaqenë të tjerë t’i afrohen dhe të gllabërojnë pothuajse tërë trupin e pajetë të Marlinit. Në fund Marlini përfundon thjesht në një skelet i përbërë kryesisht nga shtylla kurrizore, bishti dhe koka e tij. Kur Santiago e nxjerr në breg ai peshk i përket historisë, kuriozitetit, betejës, por jo vetë atij, e aq më pak Manolinit, për të cilin Santiago u nis t’i tregonte se ishte i zoti, se nuk ishte dorëzuar.
I trishtuar nga ky fund me peshkun që e kish kërkuar me aq ngulm, Santiago kthehet në shtëpi, shtrihet mbi shtratin e tij dhe bie në një gjumë të thellë.

Janë të shumtë ata që e lexojnë trishtimin e Santiagos si pasojë e një beteje të gabuar me krenarinë, e një beteje të nisur në kohën e gabuar, pa mjetet e duhura dhe i vetëm. Dhe beteja e tij për të shkuar në thellësi, i vetëm, i braktisur nga të gjithë, duke besuar se dikur kishte qenë i zoti në këtë betejë, është lexuar si një rrëfim për hapat që ne shpesh nisim atëherë kur nuk mundemi, kur koha mund të na nxjerrë në breg me një skelet, që i ka shërbyer vetëm peshkaqenëve, por jo atij që nisi betejën.

Edhe pse gjithçka nis si një betejë për dinjitetin e Santiagos, duket se humbja vjen nga ajo që ai nuk ka llogaritur- nuk është më i fuqishëm për një peshk të tillë, nuk fiton dot me varkën që ka, dhe për më tepër, është i braktisur në këtë betejë.

Çmimi “Nobel” për këtë vepër është ndoshta pikërisht për t’i kujtuar kujtdo prej nesh se disa beteja kanë kohën e vet. Askujt prej nesh nuk i duhet skeleti i një peshku që ka ushqyer vetëm peshkaqenët. Dhe i gjithë rrëfimi, që bart kujtime e dilema shpirtërore, duke sikur na fton të mendojmë dhe besojmë se për udhëtimet që duhet të bëjmë në jetët tona, për betejat tona, do na duhet të kuptojmë kohën tonë.

Në betejat tona, pa dyshim që Krenaria është e rëndësishme, por ajo nuk vlen kur përdoret për të na çuar me këmbëngulje drejt humbjes. Aq më pak na duhet që krenaria dhe dinjiteti ynë të kthehet në pengesë edhe për jetët e të tjerëve.

Kjo betejë kthehet në një trishtim më të madh sidomos kur përdoret në politikë, pasi ata që i hyjnë këtij “peshkimi” rrezikojmë që dëshirën e madhe për fitore ta kthejmë në një skelet që nuk i duhet askujt, përveç peshkaqenëve…!

Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë si dhe nocioni “No Taxtion without Rapresentation”

Nga Alban Daci

Historia e SHBA si shtet i pavarur fillon pikërisht me rebelimin e trembëdhjetë kolonive të reja që ishin krijuar në Kontinentin e Amerikës së Veriut duke kundërshtuar autoritetin e koronës britanike me motivimin se nuk i paguajmë taksat pa qenë të përfaqësuar! Pra, SHBA u krijuan si shtet i pavarur që në gjenezë me argumentin më të fortë demokratik, se nuk mund të paguhen taksat pa pasur përfaqësim.

Në fakt historia e sufragjit universal, pra që të gjithë qytetarët të kishin të drejtë të votonin, pa dallime apo diskriminime është një histori e mbushur me plotë sakrifica e ngjarje. Megjithatë, tashmë shumica e vendeve në Botë e kanë tejkaluar këtë sfidë duke aplikuar zgjedhje të lira, demokratike e periodike.
Shoqëritë kanë evoluar shumë falë rrethanave, zhvillimit të teknologjik dhe mundësive të reja të komunikimit apo edhe intensitetit të lartë të informimit që ka minimizuar kohët dhe po ashtu ka shpërfillur distancat.

Po ashtu dhe si pasojë e realiteteve të reja demografike dhe spostimeve të mëdha të popullsive botërore për shkak të nevoja të reja apo edhe për shkak të sfidave të reja ka bërë që shumica e shoqërive të bumbin konceptin e pastër të etnisë duke krijuar me shumicë e forcuar më shumë identifikimin me etni. Shumë pak shtete sot kemi një etnik, shumica janë multietnik ose më shumë se kaq, se kanë edhe komunitete të reja si pasojë emigrimit që nuk gëzojnë shtetësi, por janë pjesë reale dhe fizike si komunitete në shoqëritë ku kanë zgjedhur të jetojnë e të punojnë.

Tashmë vende si Franca, Gjermania, Belgjika, Holanda, Italia, Spanja dhe Greqia kanë shumë komunitete të huajsh me leje qëndrimi që jetojnë, studiojnë e punojnë e paguajnë rregullisht taksat. Në këtë realitet të ri, këto vende, por vetë institucionet BE po shkojnë të zgjerojnë konceptin e të drejtës të votës duke e tejkaluar lidhjen e kësaj të drejtë me posedimin e shtetësisë të paktën për zgjedhjet lokale apo administrative.

Shqipëria, nëse shikojmë statistikat e fundit është vendi që më shumë se gjysmën e popullsisë së saj e ka jashtë, por përsëri kjo është demokracia e fundit e një republike parlamentare në Europë që u ka mohuar të drejtën që të votojnë. Në fakt kjo është një drejtë kushtetuese, sepse sipas kësaj të fundit, çdo shtetas shqiptar që mbush 18 vjeç edhe në ditën e zgjedhjeve ka të drejtë të votojë dhe të votohet. Tashmë kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese që i kërkon parlamentit të ndërmarr nisma ligjore për të aplikuar votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë.

Propozimet apo diskutimet politike që bëhen në Shqipëri kanë një gabim që në terminologji duke e quajtur “Vota e Diasporës”. Në fakt me “Diasporë” kuptojmë ata shqiptarë që pas disa brezash jetojnë e punojnë në një vend të huaj e të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë. Duke e lidhur të drejtën e votës ekskluzivisht me këtë term, duket sikur duan ta largojnë në kohë dhe në hapësirë.

Zakonisht Diasporat kudo ku janë, pas disa brezave kanë pak interes që të votojnë në vendet e origjinës, sepse fillojnë ta konsiderojnë vend të origjinës! Shumica e Shqiptarëve që janë larguar janë ata të fillimit të viteve ’90 e deri në ditët e sotme. Këta nuk janë “Diasporë”, por janë shtetas shqiptar që kanë lidhje të forta me Atdheun, e frekuentojnë shpesh dhe po ashtu kanë interes konkret për të votuar e pse jo edhe për tu bërë pjesë e përfaqësuese në institucionet shqiptare në nivel shtetëror, por edhe të jenë pjesë e subjekteve politike për të marrë pjesë pse jo edhe në jetën aktive politike.

Gjithashtu, konceptet e votës kanë ndryshuar. E drejta për votë nuk duhet të jetë një pengesë për angazhimin profesional, punësimin apo edhe për mundësitë madhore si familjare e shëndetësore. Prandaj, akti i votimit duhet të konsiderohet një plotësim i rëndësishëm i aktiviteteve dhe nevoja personale apo familjare dhe jo si një pengesë për këto të fundit.

Askush nuk duhet të anulojë një udhëtim për një kurim apo për një ndërhyrje të rëndësishme shëndetësore, sepse mund të koencidoj me ditën e votimit. Asnjë shqiptar, pavarësisht nevojave parësore familjare, shëndetësore apo profesionale nuk duhet të privohet nga e drejta për të votuar.

Gjithashtu, falë lëvizjes së lirë që gëzojnë shqiptarët në zonën Shengen, tashmë kanë rritur kontaktet dhe intensitetin me familjarët e tyre në vendet e ndryshme europiane duke udhëtuar më shpesh. Në këtë realitet të gjitha këta, pavarësisht ku ndodhen dhe arsyen pse ndodhen duhet të kenë të gjitha lehtësirat dhe mundësitë që votojnë. Për këtë arsye unë jam për të përdorur termin “implementimi I votës për shqiptarët që jetojnë jashtë”, qoftë edhe përkohësisht.

Gjithashtu, nëse çështjen e votës së shqiptarëve e trajtojmë vetëm në këndvështrimin e të drejtës së votës e kemi lënë përgjysmë atë duke e cunguar. Ne duhet të flasim edhe për një të drejtë tjetër themelore që është e drejta për tu votuar e për tu përfaqësuar. Për këtë arsye unë mendoj se çështja e implementimit të drejtës të votës për shqiptarët që jetojnë jashtë është më shumë çështje e vullnetit politik, sesa vetëm një çështje juridike. Pse e mendoj kështu? Sepse, duket qartë se ka një mungesë të vullnetit politik nga partitë politike! Në fakt partitë politike para se të kalojnë në teknicitetet juridike për implementim duhet të fillojnë të caktojnë kuota për shqiptarët që jetojnë jashtë në listat e tyre që prezantojnë për deputet apo edhe në listat e tyre që prezantojnë për këshilla komunal në zgjedhje lokale.

Implementimi i votës të shqiptarëve që jetojnë jashtë është edhe një çështje e mirëfilltë kushtetuese dhe po ashtu është edhe çështje modeli që mund të zgjidhet ose të aplikohet. Vetëm në Itali kemi rreth më se 600 mijë shqiptarë e në Greqi rreth më shumë se 800 mijë, sa kuota përfaqësimi duhet të kenë në Parlament? Me çfarë kriteri e modeli do të caktohet këto kuota? Për shembull Italia ka një numër të kuotave në Parlament për italianët që jetojnë jashtë!
Po ashtu edhe vetë implementimi i të drejtës të votë për shqiptarët që jetojnë jashtë është edhe çështje modeli sesi mund të aplikohet! Disa vendet e kanë me postë, disa të tjerë e kanë me votim në selitë diplomatike e disa të tjerë e kanë duke hapur qendra votimi në vendet ku jetojnë përmes votimit elektronik. Modelet e mundësitë janë të shumë për ta implementuar, por mbetet gjithmonë çështje konsensusi dhe vullneti politik.

Kohët e fundit ka edhe opinionet kundra të drejtës së votës të shqiptarëve që jetojnë jashtë me argumentin se nuk paguajnë taksa. Në fakt pikërisht për këtë dua të flas. Remitancat e emigrantëve kanë qenë thelbësore për ekonominë shqiptare në këto vite të vështira tranzicioni. Të ardhurat e emigrantëve kanë edhe vetë fondin e akorduar nga Qeveria për emergjencë. Gjithashtu, nuk është e vërtetë se shqiptarët që jetojnë jashtë nuk paguajnë taksa. Shqiptarët që jetojnë jashtë kanë paguar e vazhdojnë të paguajnë kuotat e legalizimeve të banesave të tyre që kanë ndërtuar në këto 30 vite. Paguajnë mbeturinat, derdhin kontribute vullnetare si fond pensioni për vetë dhe familjarët e tyre që jetojnë në Shqipëri.

Gjithashtu, të mos harrojmë se shumë shqiptar që jetojnë jashtë kanë hapur aktivitete ekonomike shqiptare ku shumicë e rasteve janë vetë pronar e në shumë raste të tjera janë ortak. Nëse nuk do të kishin qenë të ardhurat e emigrantëve në këto 30 vite nuk e di sesi do të kishte qenë situate ekonomike e familjeve shqiptare dhe po ashtu nuk e di nëse do të kishim këtë turizëm që kemi sot. Nuk ka taksa pa të drejtë vote! Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë duhet të implementohet para zgjedhjeve të 2025.

Pas Perdes së Amnistisë: Teatri Politik i Padrejtësisë

Nga Adri Nurellari

Genjeshtra se amnistia penale e sapomiratuar nuk do të shpëtonte të korruptuarit, u shkëput si maska nga fytyra e një aktori, duke lënë të zhveshur të vërtetën. Prokuroria e Posaçme demaskoi qeveritarët duke bërë me dije se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga ligji “Për amnistinë”, i miratuar me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës më 4 prill në Kuvend. Pavarësisht premtimit të shumëpërsëritur se asnjë i dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk do të përfitojë nga kjo amnisti, drita e së vërtetës shpërtheu mes errësirës së mashtrimit shtetëror, duke nxjerrë në sipërfaqe një realitet të hidhur dhe duke ngritur pikëpyetje dhe mesazhe të shumta.

Fakti që pretendimet e errëta mashtruese kishin gjithashtu zëdhënës Bardhin e opozitës, tregon se ashpërsia e molotovëve që hedh opozita është vetëm një vënie në skenë e një teatri politik të administruar nga e njëjta kastë e kalcifikuar politike. Lehtësia me të cilën bëhen bashkë në përhapjen e mashtrimit të njëjtë ndaj publikut të gjerë dhe bashkojnë votat kur kanë kërcënim nga ligji, të konfirmon këtë ndjesi të të qenurit spektator në një teatër ku opozita nuk do të ndryshojë skenarin e dramës politike të Shqipërisë, por thjesht të shkëmbejë rolet me qeveritarët. E gjitha kjo të kujton një ndjenjë të keqe deja vu me votimin e përbashkët PD-PS në vitin 2008 për kodin e ri zgjedhor që i mbronte nga konkurrenca e partive të tjera.

Amnistia e miratuar së fundmi shërben si një mesazh i qartë dhe i fuqishëm ndaj SPAK-ut se kur ndjenja e kërcënimit nga ligji bëhet e prekshme, barrierat politike dhe konkurrenca mes partive zbehen, duke u zëvendësuar nga një unitet i papritur. Amnistia, thënë ndryshe, ishte një përpjekje për të demoralizuar dhe penguar zbatimin e ligjit, duke sinjalizuar se përpjekjet e SPAK-ut për të luftuar korrupsionin në nivele të larta mund të minohen lehtësisht nga vendime politike.

Tek Ligji për Amnistinë mund të lexohet edhe një mesazh tjetër i rëndë, një thirrje për omertà, një kod i heshtjes mafioze, duke iu kërkuar të dënuarve dhe atyre nën hetim të mos bashkëpunojnë me drejtësinë dhe të mos rrëfejnë. Kjo amnisti ishte edhe një porosi se, pavarësisht presionit ligjor ose akuzave të SPAK-ut, mbrojtja politike është e sigurt. “Durojeni presionin e drejtësisë, mbajeni gojën kyçur,” thotë si nëntekst ky veprim, “sepse vetëm do bëni pak kohë në burg; me një amnisti tjetër do t’ju lirojmë nga qelia.”

Amnistia, e maskuar si një akt faljeje e mëshire, është në thelb një shfaqje e hipokrizisë që dërgon një mesazh të rëndë edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë. Si mund të pretendohet se po luftohet korrupsioni dhe ndërtohet një shoqëri më e drejtë, kur të njëjtët individë që kanë minuar këto vlera përfitojnë nga liria pa meritë? Ky veprim jo vetëm që kontradikon zotimet të trumpetuara për të përmbushur standardet evropiane të drejtësisë, por gjithashtu tregon një mungesë të theksuar të koherencës mes fjalëve dhe veprimeve të kastës politike shqiptare, duke lënë një përshtypje të zhgënjimit dhe dyshimit në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.

Padyshim mesazhi më i rëndë nga kjo amnisti shkon për viktimat dhe familjarët që kanë vuajtur prej kriminelëve të liruar. Si mundet që Kuvendi i Shqipërisë t’ia kthejë shpinën atyre që kanë kaluar netë pa gjumë, të mbushur me dhimbje dhe lot në kërkim të drejtësisë. Si mund të lejojë kjo elitë politike që zemrat e thyera të viktimave të marrin goditjen e re të papërgjegjshmërisë morale dhe padrejtësisë së një vendimi për amnisti?

Për vite me radhë, procesi i amnistisë është keqpërdorur si mjet korruptiv për të shpëtuar individë që kanë shkelur ligjin duke minuar sistemin e rendit dhe drejtësisë. Për vite me radhë mediat kanë qenë të mbushura me lajme për krime të kryera nga kriminelë recidivistë të cilët kanë qenë kapur e dënuar më përpara, por nuk e kanë shlyer dënimin e plotë të marrë. Së fundmi është raportuar se të dyshuar për bombën e vendosur ndaj gjykatësit të Shkodrës Tonin Sterkaj mund të jetë një ndër personat që ka përfituar nga amnistia dhe që janë liruar nga burgu i Reçit por që mund të jetë dënuar nga gjyqtari Sterkaj. Akoma më qesharak e flagrant ishte rasti i “skifterit” të Korçës i cili vodhi një makinë në Korçë sapo doli nga burguI Drenës falë amnestisë.

Kemi pafund raste ku siguria publike është cënuar nga ata protagonistë të shkeljës së ligjit, janë dënuar më përpara por nuk janë përballur me pasojat e plota të veprimeve të tyre. Nga ata që janë liruar para kohe nga ndëshkimi i ligjit pa iu dhënë mundësia e duhur për të reflektuar si dhe për t’u penduar e për t’u distancuar nga veprat e krimit apo korrupsionit që kanë kryer. Ne nuk mund të lejojmë që recidivizmi të kthehet në një cikël të pafund, ku të njëjtat duar që kemi liruar sot të na godasin prapë nesër. Sikurse ndodh në çdo vend të zhvilluar demokratik të dënuarit mund të lirohen vetëm pasi ta kene shlyer detyrimin ndaj shoqërisë apo pasi komisione të specializuara të drejtësisë të japin gjykimin rast pas rasti, se të burgosurit e shqyrtuar janë mjaftueshëm të ri-edukuar e të rehabilituar sa mos të përbëjnë më kërcënim për shoqërinë.

Çdo herë që një kriminel lirohet pa mbaruar dënimin e ti të merituar, një polic, një prokuror, një gjykatës, një gazetar denoncues ndjen se puna e tij është shkelur. Çdo herë që një amnisti jepet si një dhuratë pa meritë, forcat tona të rendit ndjejnë se përpjekjet e tyre kurajoze janë çuar dëm. Si mund të kërkojmë ne si shoqëri prej tyre, që të qëndrojnë në vijën e parë të luftës kundër krimit, kur parlamenti i Shqipërisë në rastin më të parë i tradhëton ata?

Së fundmi amnestia dërgoi një mesazh të rrezikshëm në mbarë shoqërinë: se ligjet mund të thyhen, dhe përgjegjësitë mund të shmangen. Ajo hodhi baltë mbi ndershmërinë e të gjithë atyre pak aktorëve që punojnë çdo ditë për të ndërtuar një vend më të mirë. Si mund të kërkojmë nga qytetarët të respektojnë ligjin kur ata shohin se ligji aplikohet në mënyrë selektive dhe se zyrtarët e korruptuar janë të pacënueshëm për shkak të veladonit mbrojtës të politikës? Kur shohin se me një ngritje kartoni çohen dëm muaj e vite punë hetimore e procesesh gjyqësore të tejzgjatura për të vënë drejtësi?

Duke patur parasysh situatën alarmante, nga Kuvendi i Shqipërisë pritej krejt e kundërta e kësaj amnistie, pritej që të sillej si gardiane e shoqërisë, duke u siguruar që ata që janë dënuar për veprimet e tyre të përballen me pasojat e plota të veprimeve të tyre. Nga parlamenti pritej që të tregohej i pakompromistë ndaj atyre që zgjedhin të futen në rrugën e krimit e korrupsionin, sepse çdo akt i tyre jo vetëm që dëmton individë specifik, por e minon të ardhmen e Shqipërisë duke zhytur shoqërinë në dëshpërim e largim.

Nga skena priten faktikisht nisma synojnë të shtojnë mbështetjen dhe përmirësojnë kushtet e punës për policët, prokurorët dhe gjykatësit tanë. Këta të fundit ballafaqohen çdo ditë me rreziqe dhe ne duhet të bëjmë çmos që ata të kenë gjithçka që u nevojitet për të qenë efikas në përmbushjen e detyrës së tyre fisnike! Po ashtu, do të ishte e udhës që të ndërmerreshin nisma për të zgjeruar dhe përmirësuar kapacitetet e Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për të përballur fluksin e madh të zyrtarëve të korruptuar që, për fat të keq, vazhdojnë të zbulohen masivisht në radhët e larta të kësaj qeverie. Madje akoma më mirë do të që të kishim nisma legjislative që synon të rreptësojë ligjet dhe të rëndojë dënimet, veçanërisht për ata që janë recidivistë.

Në këto kohë të vështira ne kemi nevojë urgjente për të forcuar rendin dhe ligjin e jo për ta rrënuar atë. Kemi nevojë për nisma parlamentare që kanë për qëllimin ndërtimin e një Shqipërie evropiane ku ligji mbizotëron, dhe ku çdo qytetar të ndihet mjaftueshëm i sigurtë, i barabartë dhe i mbrojtur sa mos ta këtë më nevojën për t’ë emigruar.

Si e dënoi regjimi komunist Vexhi Buharanë?!

Nga Namir Lapardhaja

Ishte vetëm 28 vjeç, i martuar, me një fëmijë. Zotëronte 7 gjuhë të huaja. Nuk kishte kryer asnjë veprimtari armiqësore. Kishte mbaruar Medresenë e Lartë të Tiranës, ishte fetar, biri i një hoxhe, familje me tradita qytetare. Poet, përkthyes, publicist, gjuhëtar, studiues… I paangazhuar politikisht. Siç janë zakonisht njerëzit e kulturuar të kategorisë së tij, aq më tepër në një kohë të turbullt dhe të vështirë, ku e tashmja është e pasigurt, e nesërmja e panjohur.

Vexhi Buharaja, një ndër intelektualët e rrallë të Beratit, arrestohet nga regjimi komunist më 7 shtator 1947. Akuzat janë absurde. Të pavërteta, të stisura. Merret në hetuesi, shtrëngohet, dhunohet nga injorantë që nuk dinë shkrim dhe këndim.

Xhahilë pa din dhe iman shkruajnë në procesverbal se “i pandehuri e heq veten si fetar dhe qan përpara prokurorit”. Në një fushatë të gjerë arrestimesh, pasi kishin përfunduar eleminimet e para me gjyqe të shpejta, është radha e tij.

Çfarë kishte bërë i riu Buharaja për t’u arrestuar dhe për t’u gjykuar? Sipas akuzës, “gjatë pushtimit i pandehuri Vexhi Buharaja ka qenë pjesë e organizatës tradhëtare Balli Kombëtar, ka shkruar artikuj propagandistik në mbështetje të kësaj organizate, ka pasur miqësi me Namik Mehqemenë dhe Resul Tozharin”.

Pas çlirimit ka pasur marrëdhënie miqësore me armiqtë Kostaq Stefa, Fatmir Shehu, Hekuran Zhiti etj.

Jo vetëm kaq, por, ashtu siç thuhet në akuzë, ka shkuar për ngushëllim në familjen e Namik Mehqemesë kur ky është pushkatuar nga komunistët. Vexhiu është i ri. I shkolluar, i kulturuar. Ai e di se me përbindshat që kishin ardhur në pushtet nuk mund të luhej. Pranon që nuk ka pasur simpati për komunistët, që ka folur individualisht kundër tyre, por pa qenë pjesë e asnjë grupimi apo organizate. Pranon miqësinë me Namik Mehqemenë, ku tregon se e ka njohur nëpërmjet arsmitarit Jani Dodi (të dy të pushkatuar nga regjimi).

“Me Namikun, – deklaron Vexhiu, – kisha lidhje kulturore. Ai ishte poet, shkruante vjersha, dhe m’i tregonte për t’i lexuar dhe korrigjuar. Edhe unë bëja të njëjtën gjë me të.”

Kaq mjafton për akuzën, mbyllin hetimet dhe, së bashku me shumë intelektualë të tjerë beratas, dënohet. 8 vjet burg, humbje e të drejtës politike për 3 vjet.

Vendimi jepet më 10 janar 1948. Në një farë kuptimi, Vexhiu brenda vetes me kaq është i kënaqur. Miqtë e tij u pushkatuan, disa u burgosën me dënime të rënda dhe të gjata. Të gjithë të pafajshëm, me akuza të fabrikuara. Regjimi po godiste thellë dhe rëndë pikërisht tek inteligjencia. Më pas do ta kishte më të lehtë të vijonte të sundonte. Nën dhunën dhe terrorin e viteve të para, do të marshonin të patrazuar, duke mbjell kulturën e dhunës dhe të frikës në popull.

Fati e donte që Vexhiu të mos e kryente të plotë dënimin. Ashtu si të tjerë, nëpërmjet një amnistie doli përpara se ta përfundonte atë. Mirëpo, e ardhmja e këtij njeriu u shënjua që në vitet e para të regjimit.

Koha e tregoi që, pavarësisht gjenialitetit të tij, do të jetonte i pavlerësuar dhe i shfrytëzuar maksimalisht, ndërsa nëpërmjet punës së tij do të përfitonin të tjerët, njerëzit e pushtetit dhe të partisë, kurse destini i tij e donte që ai të priste biletat në berberanën e qytetit.

Më poshtë, po botoj për herë të parë pjesë nga dosja hetimore e të pandehurit Vexhi Buharaja:

Analiza: Maqedonia e Veriut para zgjedhjeve të 8 majit

Në Maqedoninë e Veriut, partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE u bën thirrje shqiptarëve që të dalin në votimet e 8 majit, ndërsa akuzon BDI-në dhe social-demokratët për një skenar për bojkotin e balotazhit të zgjedhjeve presidenciale. Ndërkohë, partitë shqiptare nuk i bëjnë thirrje elektoratit të tyre për mbështetjen e njërit prej dy garuesve maqedonas. Më 8 maj votohet së bashku edhe për zgjedhjet parlamentare edhe për raundin e dytë të atyre presidenciale.

Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk kanë vendosur se cilin prej dy kandidatëve për president të vendit do ta mbështesnin dhe me gjasë do të lënë elektoratin e tyre të vendosë mbi bazë të vullnetit të tij. Ali Ahmeti i BDI-së ka biseduar me garuesin e Lidhjes Social Demokrate, Stevo Pendarovski, por publikisht nuk ka shpjeguar hollësi të bisedës.

Nga ana tjetër, kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska shikohet nga elektorati shqiptar si një politikane nacionaliste që synon rishikimin e Marrëveshjes së Ohrit, me çka u avancuan të drejtat e shqiptarëve dhe një kundërshtare e marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë që mundësuan integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe përshpejtuan proceset drejt BE-së.

Drejtuesit politikë gjatë fushatës presidenciale dhe parlamentare shpesh kanë përdorur një gjuhë dhe retorikë denigruese ndaj kundërshtarëve të tyre.

VMRO-ja akuzon BDI-në dhe LSDM-në për një skenar bojkoti të balotazhit për president më 8 maj, ndërsa Hristijan Mickovski u bën thirrje shqiptarëve që të dalin në votime:

“Bashkimi Demokratik për Integrim në vazhdimësi shpikë rregulla. Janë të frikësuar dhe të vetëdijshëm për kriminalitetin që e kanë bërë”, u shpreh drejtuesi opozitar në përgjigje të komenteve të zyrtarëve të BDI-së se qeveria e re duhet të zgjidhet me votim të dyfishtë duke respektuar parimin e njohur si të Badinterit, me anë të të cilit kërkohet shumica edhe e votave të përfaqësuesve të komuniteteve jomaqedonase në parlament.

Zoti Mickovski akuzon BDI-në se me ndihmën e zyrtarëve policorë po ushtron shantazh dhe trysni te banorë të zonave në lindje të vendit për të fituar vota. Ndërkaq, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti i hedh poshtë akuzat, teksa fton organet e hetuesisë që të merren me to. Ai, nga ana tjetër ngre shqetësime lidhur me ndikimin rus në fushatë:

“Pushka pas lufte dhe fjala pas kuvendit nuk kanë vlerë, prandaj le të mësojnë edhe ata kandidatë për presidentë edhe për kryeministër se sot ne kemi nevojë për stabilitet; kemi nevojë për paqe, për siguri. Rusia është duke investuar mjaftë që vendi ynë të mos ketë stabilitet. Rusia është mjaftë e interesuar që Ballkani Perëndimor të mos ketë stabilitet”, tha zoti Ahmeti në një takim me qytetarë në rrethinën e Tetovës.

Ndërkohë, koalicioni i partive opozitare shqiptare i njohur si VLEN thotë se nuk mund t’i orientojë votuesit se cilin kandidat presidencial ta mbëstesin në balotazh se “nuk i kanë votat e tyre në xhep”, siç shprehet Izet Mexhiti i këtij koalicioni.

Lidhja Social Demokrate (LSDM), e cila duket se ka një rënie të madhe të mbështetjes së elektoratit të saj, një pjesë të fajit për këtë e shikon tek partneri i saj i qeverisjes 7-vjeçare, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Dimitar Kovaçevski akuzon VMRO-në dhe BDI-në për nxitjen e mosdurimit ndëretnik dhe rrezikimin e karakterit shumëetnik të vendit.

“Edhe Hristijan Mickovski edhe Ali Ahmeti edhe Gordana Siljanovska Davkova sillen me papërgjegjësi ndaj shtetit dhe ndaj qytetarëve dhe nëse nuk bëjmë diçka për ta penguar këtë sjellje, një ditë të gjithë ne do ta paguajmë në një mënyrë a në një tjetër”, tha drejtuesi social-demokrat.

Sondazhet e nxjerrin VMRO-DPMNE-në si fituese të zgjedhjeve parlamementare, ndërkohë që të dy kalicionet shqiptare që tani ngulin këmbë se do të jenë pjesëmarrës në qeverinë e re. VMRO-ja shpehet kundër BDI-së, ndërsa parapëlqen koalicionin VLEN. Një parim i viteve më parë se fituesi i njërit bllok me fituesin e bllokut tjetër të elektoratit të ndarë në baza etinike, do të duhet ta formojnë qeverinë, është prishur pas zgedhjeve të vitit 2017 kur BDI-ja hyri në qeveri me LSDM-në, ndonëse VMRO-ja kishte fituar zgjedhjet.

Për formimi e kabinetit qeveritar nevojiten 61 vota nga 120 vendet në parlament. Zgjedhjet parlamentare dhe balotazhi për president mbahen më 8 maj. Pak mbi 1 milion e 800 mijë banorë kanë të drejtë vote./ VOA

Eksperti evropian: Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE me krijimin e Asociacionit pamundëson realizimin e të dyjave

Ditët e fundit, Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz i kanë kërkuar Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të marrë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë në kuadër të përpjekjeve për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Këto kërkesa bëhen vetëm disa javë para se Këshilli i Ministrave i kësaj organizate mund ta hedhë në votim anëtarësimin e Kosovës. Në një intervistë me kolegen Garentina Kraja, eksperti evropian që udhëheq Nismën Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus thotë se kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës me krijimin e Asociacionit, do të ishte gabim dhe do të bënte të pamundur realizimin e asnjërit prej tyre.

Knaus, ju jeni në Uashington për takime lidhur me perspektivën amerikane mbi çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. A mund ta ndani me ne këndvështrimin tuaj?

Gerald Knaus: Është një moment historik pasi sapo kishim një votim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionin kryesor të demokracive në Evropë, që tani ka 75 vjet ekzistencë, ku shumica dërmuese ishte pro anëtarësimit të Kosovës të bëhet pjesë e tij. Tetëdhjetë e dy përqind e anëtarëve të Asamblesë parlamentare, që vijnë nga të gjitha vendet e Evropës, nga 46 vende. Grekë, armenë, ukrainas, gjermanë, francezë, italianë votuan që Kosova të bëhet anëtare e këtij institucioni. Një raportuese greke, ish ministrja konservatore greke që tha se e ka analizuar Kosovën, ekspertët ligjorë e kanë shqyrtuar aplikimin e Kosovës, pastaj dy komisione të tjera të kësaj asambleje parlamentare gjithashtu. Të gjithë arritën në përfundim që Kosova ka përmbushur kushtet e Këshillit të Evropës. Njëra nga pikat në këtë debat ishte çështja e Asociacionit dhe nga këndvështrimi evropian, ka diçka të paqartë edhe për mua, rreth kësaj çështjeje. Çdo vend evropian ka një asociacion të komunave dhe e dimë se ato duken njësoj. Por kudo ato bazohen në lirinë e asociimit, që është vlerë themelore, që do të thotë se komunat i krijojnë vetë ato. Ato bëhen bashkë, shtetit nuk i lejohet t’i ndalojë dhe përderisa nuk e shkelin ligjin, ka një mirëkuptim se është një veprim që u lejohet komunave kudo. Tashmë ekziston një bashkësi e komunave në Kosovë. Ekziston një bashkësi e komunave në Serbi, në Bosnjë ekzistojnë dy të tilla, prandaj e kam të vështirë ta kuptoj se përse nuk themi “përse komunat nuk po e krijojnë këtë asociacion” të cilin ligjet e Kosovës ua lejojnë.

Por bëhet fjalë për një kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare nga dialogu Kosovë-Serbi që po kërkohet prej një kohe të gjatë, duke filluar me qeverinë amerikane, por edhe qeveritë në Evropë. A nuk është vendosur tashmë kjo çështje, tashmë është kërkesë publike dhe Kosova është pajtuar për krijimin e tij?

Gerald Knaus: Asociacioni duhet të themelohet, por çështja është a është asociacion në Evropë, si diçka që themelohet bazuar në të drejtën private nga qytetarët, apo nga entitete siç janë komunat? Ja edhe një pyetje që më habit në këtë debat. Do të duhej të themelohej për komunat me shumicë serbe, të cilave u jepet mbrojtje e fuqishme në Kushtetutën e Kosovës, me të drejtë. Nuk do të duhet të ndërmerren veprime që i cenon kompetencat dhe të drejtat e komunitetit serb dhe komunave serbe. Prandaj ata duhet të pajtohen me themelimin, formën e një asociacioni të tillë, por deri më sot, ne nuk kemi asnjë propozim të vetëm nga komunat, i cili do të na tregonte se si do të dukej ky asociacion. Vitin e kaluar është hartuar një propozim, i cili qartazi ishte një provokim, ngaqë nuk bëhej fjalë për asociacion, por për krijimin e një niveli të ri qeverisjeje, që nuk është diçka që evropianët, amerikanët apo Kushtetuta e Kosovës kanë kërkuar. Nëse i respektojmë me të vërtetë të drejtat e pakicave, duhet të presim propozim nga komunat serbe dhe në fakt atyre nuk u duhet miratimi i Qeverisë së Kosovës për ta krijuar. Mund të shkojnë pastaj në ministri përkatëse, ta regjistrojnë. E kam shqyrtuar ligjin, kam menduar vetë, me kolegë në Kosovë, të regjistroj një asociacion, sepse mund të bëhet. Ideja që Qeveria e Kosovës duhet të imponojë me dekret një asociacion të komunave serbe, të cilin ata nuk e kanë kërkuar kurrë konkretisht në një formë të caktuar, shkel të gjitha standardet evropiane.

Cili është reagimi në Uashington ndaj këtij qëndrimi tuaj?

Gerald Knaus: Për mua është e rëndësishme çfarë shkruajnë ekspertët kryesorë evropianë, përfshirë ata në Këshillin e Evropës, ekspertët e së drejtës kushtetuese që i trajtojnë këto çështje në të gjitha demokracitë evropiane. Dhe ata kanë shkruar shumë qartë që duhet themeluar një asociacion, është premtuar, por se gjithashtu ekziston e drejta për asociim dhe është diçka që mund të bëhet. Qeveria e Kosovës gjithsesi duhet ta nxisë, nuk mund ta ndalojë themelimin e tij, kjo nuk lejohet. Komunat kanë kompetenca të gjera, ato mund të bashkëpunojnë sipas ligjit. Të gjitha këto elemente tashmë janë në planin e Ahtisaarit të vitit 2007, që ishte baza e Kushtetutës me të cilën Kosova është njohur si shtet.

Nuk e di se si formohen asociacionet në Shtetet e Bashkuara, supozoj që edhe këtu themelohen përmes të drejtës private, nga qytetarët ose grupe. Por, në Evropë, asociacionet e komunave themelohen nga komunat. Dhe ideja që për shkak të kësaj Kosova duhet të bllokohet për t’iu bashkuar një institucioni që mbron të drejtat e njeriut, kur në atë institucion, të gjithë ata që e analizuan Kosovën thanë se i plotëson të gjitha kushtet, do të ishte një shkelje e rëndë i parimit të trajtimit të barabartë.

Por ne pamë qeverinë franceze, qeverinë në Berlin, të kërkojnë nga Kryeministri Kurti të ndërmarrë hapa konkretë rreth Asociacionit, para votimit të radhës në Këshillin e Evropës. Si e komentoni këtë zhvillim?

Gerald Knaus: Qeveria vetë ka premtuar në letrën dërguar Këshillit të Evropës se do të ndërmarrë hapa së shpejti, jo në të ardhmen e largët, por tani. Më bien në mend shumë gjëra që qeveria mund t’i bëjë dhe më duket se këtë javë ka filluar të takojë komunat, të ftojë kryebashkiakët, të ulet me ta dhe të bisedojë për atë që duan konkretisht. Problemi është në veri, siç e dini, në katër komunat për shkak të dorëheqjes së kryebashkiakëve serbë dhe bojkotuan zgjedhjet dhe tani votuesve iu bë thirrje që të bojkotojnë përpjekjet për zgjedhjet të reja, nuk kemi kryebashkiakë. Por megjithatë, mund të kërkosh nga zëvendës kryebashkiakët, për të propozuar bashkarisht diçka për çfarë komunat duan, e më pastaj qeveria duhet të bëjë çfarëdo që është në fuqinë e saj për t’u siguruar se funksionon.

Kemi shkruar së fundmi për këtë çështje. Mendoj se (asociacioni) është kurth i Presidentit serb Vuçiç dhe është një manovër efektive. Ai thotë, Kosova duhet ta themelojë asociacionin, që është e pazakontë, por çfarëdo që ata themelojnë, neve nuk do të na pëlqejë dhe do ta refuzojmë. Por po na pyetët ne çfarë duam, ne nuk hartojmë një propozim. Ajo që do Presidenti Vuçiç është një Republikë Serbe, në fakt ai do më shumë se një Republikë Serbe. Ai ka arritur të krijojë një situatë ku Qeveria e Kosovës do të bllokohet për diçka që ai, apo më me rëndësi komunat, nuk e kanë vënë mbi tryezë. Ky është një dështim i vërtetë i diplomacisë ndërkombëtare. Dhe po u lidhën këto dy çështje, Asociacioni me anëtarësimin në Këshill të Evropës, ju garantoj se asnjëra prej tyre nuk do të realizohet. Një rezultat i tillë do të ketë pasoja të rënda, shumë të dëmshme për pakicat, sepse Këshilli i Evropës ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të pakicave, qasjes në Gjyqin Evropian të të Drejtave të Njeriut.

 Jemi vetëm pak javë para këtij votimi. A mendoni se Kosova do të kushtëzohet?

Gerald Knaus: Ka diçka të çuditshme. Qeverisë i është kërkuar të dërgojë një projekt (draft) që është jozyrtar, për të cilin pala serbe nuk ka thënë që janë dakord, një projekt nga bashkësia ndërkombëtare, nga Bashkimi Evropian, por jozyrtarisht nga Bashkimi Evropian. Bëhet fjalë për një ‘non-paper’ (dokument jozyrtar), një projekt-statut dhe Kosovës i kërkohet ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Po të më pyesni mua, unë do ta bëja, sepse nuk shoh rrezik. Në fund të ditës, asociacioni do të funksionojë vetëm nëse serbëve u pëlqen, nëse ndërkohë Gjykata Kushtetuese e shqyrton dhe thotë është në përputhje apo nuk është në përputhje me Kushtetutën. Ka gjasa që Gjykata Kushtetuese të mos e shqyrtojë fare, sepse është një dokument jozyrtar. Në Gjermani, gjykata nuk do të merrte nën shqyrtim një dokument jozyrtar. Por, t’ia lëmë Gjykatës të marrë një vendim të tillë. Këshilla ime është, nëse kjo është e vetmja kërkesë, nuk e ndryshon realitetin që një asociacion të ekzistojë pas dy muajsh, pas tre muajsh, deri në fund të vitit, vitin e ardhshëm, duhet ketë pajtimin e atyre me të cilët bëhet, pra komunat serbe dhe nuk jam aktualisht i sigurt se ata janë me të vërtetë të gatshëm të bien dakord për një gjë të tillë. Nuk e kam të qartë cila është logjika, por nëse ky është kushti, unë do ta dërgoja.

A e keni parë draft-statutin e Asociacionit? Çfarë mendimi keni për të?

Gerald Knaus: Thotë qartë që është statut për një asociacion në Republikën e Kosovës, që integriteti territorial garantohet. E kam këtu, me vete. Thotë se territori i Kosovës garantohet, thotë se asociacioni themelohet në bazë të kompetencave ekzistuese në nivel komune, që nuk do të fitojë asnjë kompetencë ekzekutive. Para se ta diskutojmë këtë statut, dua ta di, a pajtohet komunat serbe me këto pika? Do të kishte kuptim, apo jo?

Ku qëndron rreziku?

Gerald Knaus: Nëse ato (komunat) pajtohen me integritetin territorial të Kosovës, do të ishte gjë e mirë. Në statut disa gjëra më duken të habitshme. Përse në një asociacion komunash do të ketë të pëfshirë një rol ndërmjetësimi ndërkombëtar? Por dërgoje në Gjykatë, le ta shqyrton Gjykata dhe pastaj negocio me komunat serbe.

Të kalojmë të situate në terren. Si e vlerësoni atë? Së fundi pamë përfshirjen e zotit Vulin në përbërjen e qeverisë së re të Serbisë, në rolin e zëvendëskryeministrit. Çfarë paralajmërimi është ky?

Gerald Knaus: Si një vëzhgues objektiv, ajo që kemi parë vitin e fundit është më shumë dhunë, më shumë kërcënime se kurdo herë tjetër në një periudhë të gjatë. Kemi parë përplasjet e dhunshme midis demonstruesve serbë dhe KFOR-it, shumë prej tyre me lëndime serioze. I kemi parë paramilitarët dhe një sasi të madhe armësh që u futën në pjesën veriore të Kosovës. Së fundmi pamë manovrat ushtarake. E kemi dëgjuar Presidentin e Serbisë kur thotë se si dëshiron ta ndërtojë ushtrinë më të fuqishme në rajon, që është krenar me armët e reja që dëshiron t’i prodhojë, një numër të madh dronësh vrastarë, dronë kamikaze, për blerjen e 12 aeroplanëve luftarakë nga Franca dhe që vet tha, pas udhëtimit në Paris, dhe pas kësaj kërkon nga Presidenti francez të shtyjë votimin në Këshillin e Evropës. Nuk ka lidhshmëri këtu, por po shohim militarizim të diskursit serb. Dhe pastaj kemi njerëz si zoti Vulin dhe të tjerë që thonë haptas që duan krijimin e një Serbie të madhe. Ai përdorë fjalë të tjera, thotë se të gjithë serbët duhet të jetojnë së bashku në një shtet dhe të vendosin së bashku. Kjo është e njejta gjë sikur Serbia e Madhe. Bëhet fjalë për një agjendë të vjetër, që mund të arrihet përmes dhunës, përmes luftës dhe kam frikë se kurrë nuk kemi qenë më afër përplasjeve të reja dhe valë të rë dhune në Ballkan në 20 vitet e fundit. Çfarë duhet të bëhet? Kjo do të ishte një katastrofë për të gjithë, përfshirë për të gjithë serbët në rajon. Por natyrisht për Kosovën, për fqinjtë e Serbisë, pas tërë asaj që ndodhi, shumë njerëz do të iknin, shumë shpejt. Na duhet të sigurohemi që ekziston një vizion alternativ, të cilin e shohin të gjithë. Ky vizion alternativ, ku të gjithë kufinjtë në rajon pas pesë vitesh duken si kufinjtë mes Gjermanisë dhe Polonisë, Gjermanisë dhe Francës, të padukshëm, ku të gjitha shtetet e rajonit janë të integruara në tregun e përbashkët evropian, ku i gëzon katër liritë, ku të gjitha njëkohësisht po lëvizin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ku të gjitha mund të jenë pjesë e sistemit Schengen me BE. Ky vizion është realist dhe është rrugë tjetër, që pesë vjet nga ky moment, dikush që jeton në Leposaviq apo Zveçan në pjesnë veriore të Kosovës, mund t’i ketë dy shtetësi, kufiri është i padukshëm, jeton në Kosovë, kufinjtë nuk ndryshohen, por mund të lëvizë lirshëm si pjesë e hapësirës më të madhe pa kufij në botë, përbrenda kësaj hapësire evropiane të lirisë. Këtë e arritëm në Irlandën e Veriut. Bëhet fjalë për dy shtete, ekziston një kufi, ai nuk ka ndryshuar, por është bërë i padukshëm. Kjo duhet të jetë rruga tjetër që duhet krijuar sa më parë që është e mundur, si alternativë ndaj agjendës nacionaliste, që ka për synim luftën për të ndryshuar kufijtë.

Si e shihni angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare me rajonin për këto çështje?

Gerald Knaus: Ka shumë vullnet të mirë, por nuk ka mjaft strategji. Mendoj se po nënçmohet kërcënimi. Së fundmi kemi dy udhëheqës, fillimisht Vladimir Putinin. Nëse dikush flet me vite për nevojën për të patur ushtri të fuqishme, për t’u riarmatosur, për të sfiduar sovranitetin e fqinjve, të ndërtojë klimën e luftës që po pritet, eventualisht do të ketë luftë. E kemi parë në vitin 2022 me sulmin për pushtimin e plotë të Ukrainës. E kemi parë në Kaukaz, me Aliyevin në Azerbaixhan, i cili me vite ka folur, ka ndërtuar ushtrinë, e kemi parë duke marr territor dhe tani duke kërcënuar territorin e Armenisë çdo javë. Duhet ta marrim seriozisht atë që e thonë udhëheqësit. Unë do ta merrja seriozisht atë që udhëheqësit në Serbi e thonë dhe ata vazhdimisht flasin se si Aliyev është frymëzim, që kufinjtë në Ballkan – ata sigurisht nuk e pranojnë kufirin me Kosovën – dhe se forca mund të jetë e domosdoshme. Këto deklarata po nënvlerësohen aktualisht në kryeqendrat dhe do të doja që njerëzit të zgjohen nga gjumi dhe që udhëheqësit nëpër rajon dhe në Evropë të kuptojnë që gjëja e vlefshme që kemi patur këto 20 vitet e fundit në Ballkanin Perëndimor, është paqja, mundësia për zhvillim, the të rinjtë që për herë të parë po rriten, gjenerata e parë e të rinjëve që nuk kanë përjetuar luftë dhe represion, dëbim e gjenocid, Srebrenica. Për herë të parë e kemi patur këtë mundësi dhe është shumë e vlefshme. Tani na duhet ta integrojmë tërë rajonin në zonën e paqes demokratike që e kemi patur në Evropën Perëndimore për 75 vitet e fundit.

Shumë vëzhgues në Kosovë dhe përtej saj e shohin tensionin ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë. Si mendoni që kjo qeveri e ka menaxhuar marrëdhënien me Uashingtonin dhe Brukselin dhe kryeqendrat tjera?

Gerald Knaus: Unë nuk jam në ato takime, unë shoh vetëm rezultatet. Dhe përshtypja ime është që dialogu po krijon tensione. Mënyra se si është i ideuar. E kemi thënë prej kohësh, dialogu është i destinuar të dështojë. Përse? Për arsye se në mënyrë që Serbia të bëjë ndonjë lëshim, de fakto apo de jure, të njohë Kosovën, duhet t’i ofrohet diçka e madhe nga Bashkimi Evropian, jo nga Kosova. Dhe që Kosova të ndërmarrë vendime të vështira, duhet t’i ofrohet diçka e madhe, jo nga Serbia, sepse nuk do ta bëjë, por nga Bashkimi Evropian. Në fakt kemi dy negociata. Kosova negocion me Bashkimin Evropian dhe Serbia negocion me Bashkimin Evropian. Kjo është aryseja pse kishim disa arritje në 2013. Në atë kohë Serbia mori fillimin e bisedimeve për anëtarësim, Kosova mori fillimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, të dyja palët kishin një ndjenjë se po lëvizni drejt një të ardhme më të mirë. Kjo na duhet sërish. Ta marrim shembullin e Gjibraltarit. Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar nuk pajtohen për sovranitetin. Nëse u thuhet duhet ta zgjidhni tani, nuk do të pajtohen. Nuk është konflikt, kanë arritur për ta ngrirë, por nuk do të pajtohen. Nuk mendoj që Serbia do të pajtohet ndonjëherë ta njohë kufirin, përveçse nëse është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, që është i qëndrueshëm.

Kjo na duhet për paqen. Që i tërë rajoni të shohë që ka një të ardhme më të mirë. Kjo është mënyra se si konflikti ndërmjet Francës dhe Gjermanisë është zgjidhur mbi sovranitetit e territorit, mbi Suddetenland, që është pjesë e Gjermanisë, që për shumë vite pas luftës është kontrolluar nga Franca. Kur krijuan institucione të përbashkëta, u integruan, në atë pikë Franca dhe Gjermania ishin në pozitë të thonë nuk ka rëndësi ku është Suddetenland, mund të kthehet në Gjermani.

 A është i gatshëm Bashkimi Evropian për një angazhim të tillë?

Gerald Knaus: Duhet të argumentojmë për këtë gjë, është çështje lufte ose paqeje. Nëse e sheh Evropën, nëse i shikon 50 shtetet që i kemi sot në Evropë, atëherë secili shtet që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian apo në NATO, ka patur konflikt në 30 vitet e fundit. Luftë, kolaps të shtetit si në rastin e Shqipërisë gjatë viteve të ’90, represion të shkallës së gjerë, si në Bjellorusi, ose luftë, luftë civile dhe pushtim. Secili shtet, përveç Mali të Zi, ka patur luftë në territorin e vet. Kemi një zonë lufte dhe një zonë paqe në Evropë në 30 vitet e fundit, në periudhën e pas Luftës së Ftoftë, dhe na duhet ta zgjerojmë zonën e paqes. Kosova dhe Ballkani duhet të bëhen pjesë e kësaj zone të paqes demokratike sa më parë dhe hapi i parë konkret për këtë, prandaj është me kaq rëndësi, është që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës./voa