20.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Inteligjencës Artificiale në prokurimet publike/ Ekspertët për BIRN: Përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për korrupsionin e qeverisë në tendera!

Për ekspertët propozimi i kryeministrit Edi Rama për përfshirjen e Inteligjencës Artificiale në prokurimet publike është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për korrupsionin e qeverisë së tij.

Kryeministri Edi Rama iu rikthye së fundmi një premtimi të vitit të kaluar për të përfshirë Inteligjencën Artificiale në procesin e prokurimeve publike. Në një prej daljeve publike, të cilën Rama e ka pagëzuar si ‘podcast’, ai këmbënguli se përfshirja e Inteligjencës Artificiale (AI), do të çonte afër zeros korrupsionin në tendera.

“Dhe nga ana tjetër neutralizojmë, s’po them zero, neutralizojmë në një masë shumë të madhe atë burim qelbi”, tha Rama ndërsa prezantonte idenë e tij dy të ftuarve.

Kryeministri ia vuri fajin për korrupsionin masës së madhe të njerëzve me mungesë kompetencash që përfshiheshin në tenderat publikë ndërsa tha se prokurimet ishin “pjesa më e neveritshme e qelbit të korrupsionit”.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI prokuroi në korrik të vitit që shkoi rreth 17 milionë lekë për “Digjitalizimi i proceseve të punës për Komisionin e Prokurimit Publik”.

Por ekspertë dhe njohës të politikës janë skeptikë dhe e shohin këtë ide më shumë si një alibi se sa një përpjekje e qeverisë për të korrigjuar problemet.

“Domethënë po synohet që pakënaqësinë e bizneseve dhe të qytetarëve në marrjen e këtij shërbimi publik ta kanalizojë si “punë makinerie (AI)”, por jo “vepër” e administratës së vet, domethënë të “sistemit” të krijuar prej tij”, tha Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

Të njëjtin mendim ndan edhe Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike.

Ai thekson se me përdorimin e Inteligjencës Artificiale në procesin e prokurimit publik po tentohet të krijohet një “alibi e re për zyrtarët e korruptuar”.

Peshku qelbet që në propozim

Sipas organizatës Transparency International (TI) niveli i perceptimit të korrupsionit në Shqipëri mbetet i lartë. Sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të publikuar nga TI, Shqipëria renditet e 98 nga 180 vende në vitin 2023.

Në analizën vjetore të prezantuar së fundmi, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) bëri me dije se hetimet kishin zbuluar skema korrupsioni që në gjenezën e një tenderi publik.

“Veprimet korruptive mund të nisin që në fazën fillestare, pra të çeljes së fondit nga autoritetet kontraktore për projektin në fjalë, dhe për të vijuar më pas me akte dhe vendime, të cilat ndiqen nga titullari i autoritetit kontraktor”, shkruan SPAK.

Në raport SPAK bën me dije se hetimet e kryera kanë gjetur përfshirje të drejtpërdrejte të funksionarëve të lartë publikë në këto afera, të cilat fillojnë pa pasur ende procedura të shpallura duke i bërë fituesit të paracaktuar.

“Vihen re, ndërhyrje të drejtpërdrejta të funksionarëve të lartë publik, të cilët negociojnë paraprakisht, qoftë pa u shpallur procedura e tenderit/konçesionit me subjektin juridik, i cili më pas do të shpallet fitues”, shkruhet në raport.

Për ekspertët që i njohin zhvillimet në vend, ky mekanizëm nuk është i ri dhe ai nuk mund të korrigjohet me digjitalizim apo me përdorimin e Inteligjencës Artificiale.

“Një nga dështimet kryesore ka qenë hartimi i ligjeve dhe vendimeve specifike për oligarkë dhe klientë të politikës, shumica e atyre që quhen projekte të mëdha zhvillimi janë dhënë paraprakisht për firma dhe kompani – siç ka rezultuar në skandalet e kohëve të fundit, të krijuara posaçërisht për të fituar tendera të tillë dhe prokurime të tilla”, tha Afrim Krasniqi.

Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i organizatës Qëndresa Qytetare, po ashtu beson se mekanizmat nuk janë domethënës sa kohë që njerëzit pas tyre mund t’i përdorin ato.

“Mendoj që qeveria e ka kapur mbrapsht këtë çështje,” tha ai. “Këtu problemi nuk është procesi, por parandalimi i vjedhjes së fondeve nga tenderat publikë,” shtoi Xhemollari.

Për Zef Preçin, përdorimi i Inteligjencës Artificiale edhe në prokurime është një mundësi e të ardhmes, por ai gjithashtu beson se problemi qëndron te njerëzit pas sistemit.

“Por në çdo rast, mbas makinës edhe më të sofistikuar, duke përfshirë sistemet që mundësojnë dërgimin e anijeve kozmike në kozmos, qëndron dija dhe truri njerëzor, d.m.th termi “artificiale” është gjithnjë në rol ndihmës”, tha ai, duke lënë të kuptohet se përgjegjësia për të parandaluar korrupsionin i mbetet përfaqësuesve të qeverisë.

Inteligjenca Artificiale si alibi

Edhe për përfaqësues të opozitës propozimi është më shumë një përpjekje propagandistike e qeverisë, pasi korrupsioni në vend nuk është i atillë që mund të rregullohet me mekanizma kompjuterik.

“Ajo që po lexojmë sot, në të gjitha rastet e hetimeve të SPAK nga ministrat, zv.kryeministrat, sekretarët e përgjithshëm dhe deputetë është niveli i korrupsionit të kapjes së shtetit”, tha Jorida Tabaku, deputet e Partisë Demokratike.

Tabaku theksoi se qeveria i ka tashmë mjetet dhe informacionin inteligjent që tregon problemet në tenderat publikë. Duke iu referuar platformës online ‘Open Data Albania’, ajo tha se 40 për qind e tenderave aty shënohen me ‘flamuj të kuq’, që sinjalizojnë probleme të konkurrencës apo të ngjashme, megjithatë për këtë nuk merren masa.

Duke iu referuar arrestimeve të zyrtarëve të lartë me akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit, deputetja demokrate ironizon se qeveria as e merr mundimin të auditojë veten, siç do të bënte një kompani e thjeshtë, por shpik propagandë për të shmangur përgjegjësitë.

“Deri më sot SPAK ka arrestuar një seri zyrtarësh shumë të lartë dhe deputetë, zv.kryeministri është në kërkim ndërkombëtar dhe drejtorë të fuqishëm në bashkinë e Tiranës janë arrestuar, por edhe tek ARRSH,” tha ajo.

“Pyetja që ngrihet është se nëse kjo qeveri ka nisur një hetim të thellë brenda vetes së saj për të kuptuar se përse ka plasur kaq keq uji i pisët i korrupsionit,” shtoi Tabaku.

Si alibi e shikon propozimin edhe Zef Preçi. Ai thotë se pas lëvizjes dhe propozimit është një përpjekje për të fshehur aktorët e vërtetë të korrupsionit.

“Në vlerësimin tim, mbas kësaj lëvizjeje fshihet një përpjekje për të të thënë se edhe qeveria, që në fakt është shkaku i vërtetë i korrupsionit dhe keq-përdorimit të fondeve publike, është e shqetësuar dhe se po tenton të gjejë një zgjidhje”, tha Preçi.

Ai thotë se ajo që do të rezultojë është zhvendosja e fajit nga abuzuesit – “pjesëtarë të elitës qeverisëse edhe zotit Rama me mollët e dardhat që marrin prapa shpinës së tij” tek e ashtuquajtura Inteligjencë Artificiale.

Afrim Krasniqi i tha BIRN se përveç se si alibi ndryshimi i sistemi pa analizuar dështimin e atij të mëparshëm nuk jep asnjë garanci se do të funksionojë.

“Oferta e re është gjithashtu e pamjaftueshme dhe pa asnjë garanci se do të ketë më shumë sukses se sa mënyra tradicionale e kryerjes së prokurimeve publike”, tha Krasniqi.

Duke iu referuar sistemit aktual të prokurimeve, ai theksoi se para se të flitet për sistem të ri, dikush duhet të mbajë përgjegjësi institucionale, publike dhe politike për sistemin aktual që po cilësohet si një lloj eksperimenti i dështuar./BIRN

Ervis Iljazaj për akuzat e Ilir Metës ndaj SPAK: Strategji politike, kërkon të shpëtojë çfarë është e mundur

Drejtori i Institutit Liberal “Pashko”, Ervis Iljazaj deklaron se akuzat e Ilir Metës ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani janë një strategji politike, për të minimizuar humbjet dhe për të shpëtuar çdo gjë që është e mundur.

Sipas Iljazajt, Meta ka një rënie të votuesve dhe të deputetëve, në të gjitha sondazhet del me humbje, është akoma në aleanca të paqarta politike.

“Ilir Meta ka qene një kafshë politike, nuk e di nëse është apo i kanë humbur ato instiktet e tija, por dëshira e madhe që ka për t’u përballur me Dumanin më jep një si kështu… se di, pse do që të përballet në televizor.

E dallojmë nga fjalimet e Metës, ai thotë gjithmonë që nuk do ta sekuestroni Partinë e Lirisë. Është e qartë dhe ai vetë e thotë. Unë mendoj që me hetimet që thotë zoti Meta, që ata kanë hyrë aty, SPAK-u do të sekuestrojë partinë etj, me radhë. Kam përshtypjen që zoti Meta, do të shpëtojë çfarë është e mundur.

Për mendimin tim, Meta nuk e bën për vëmendje, por është një strategji politike për të minimizuar humbjet dhe për të shpëtuar çdo gjë që është e mundur nga SPAK dhe nga kriza politike, pasi ka një rënie të votuesve, ka një rënie të deputetëve, në të gjitha sondazhet del me humbje, është akoma në aleanca të paqarta politike. Nuk di se çfarë aleancash do bëj me PD-në, një pjesë e Rithemelimit nuk e do, në këtë kuptim duket si një njëri i vetmuar politikisht. Por që për mendimin tim është strategji”, u shpreh Iliazaj në emisionin “Zonë e Lirë”.

Rilindja e zhbëu atdhenë…

Rilindja e zhbëu atdhenë

E la veç në ëndrra…

Në fillim larguan njerëzit, jo një e nga një…

Pastaj shkaterruan shtetin…

Plaçkitën koncensionet, vodhën zgjedhjet, grabitën Kushtetutën, kriminalizuan pushtetin, mbollën gjithë Republikën me kanabis…

Si për t’u mos mjaftuar me kaq… Një natë iu futën shqiptarëve në ëndrra. I vodhën gjumin dhe i lanë djerë…pa ëndrra.

Na ishte një herë atdheu… veç në ëndrra…

PD nuk duhet të ketë në koalicion të madh PL

Për të kuptuar se çfarë mendojnë qytetarët për organizimin e opozitës përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 2025, Barometri në Euronews Albania ju ka drejtuar një tjetër pyetje për koalicionin e madh kundër qeverisë që qytetarët konfirmojnë si një lëvizje të duhur të opozites.

“Nëse bashkohet PD a duhet të bëhet pjesë e këtij bashkimi edhe Partia e Lirisë në një koalicion të madh kundër qeverisë“

Shumica e qytetarëve nuk duan që Partia e Lirisë të jetë pjesë e këtij bashkimi.

Janë 56,6 % që janë përgjigjur jo kësaj pyetje duke shprehur kundërshti me bashkimin e partise së lirisë me Partinë Demokratike në një front opozitar, dhe 32,2 % që janë dakord me idenë e bashkimit të Partisë së Lirisë me PD në një front opozitar. 11.3 % janë përgjiggjur nuk e di në këtë pyetje.

Procedura me “flamuj të kuq” për drejtorët e Bashkisë së Tiranës, “5D” në pronësi të Mariglen Qatos e Redi Mollës

Kompania “5D”, e njohur edhe si “5 drejtorët e Erion Veliajt” ka përfituar më së paku 3.5 milionë euro pa garë në tre tendera të zhvilluar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, gjatë periudhës 2020-2021. Kompania ‘5D”, e cila në atë kohë njihej me emrin “VAS Konstruksion” ka qenë konkurente e vetme në njërën prej këtyre procedurave, ndërsa në dy të tjerat janë skualifikuar të gjithë konkurentët, para se kontrata t’i dorëzohej shoqërisë që fshihet interesat e drejtorëve të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës.

Në Tetor të vitit 2020, kompania “VAS Konstruksion” është pjesë e bashkimit të operatorëve që u shpallën fitues të tenderit të zhvilluar nga OSSH me objekt “Ndërtimi i kabinave të reja dhe rikonstruksion rrjeti i Tensionit të Ulët, në Lushnje”, me fond limit 134.786.902 lekë të reja.Në këtë procedurë mori pjesë edhe një kompani tjetër, me ofertë më të ulët, por ajo u skualifikua nga gara.

Ndërsa një operator i tretë nuk paraqiti ofertë ekonomike.Dy muaj më pas, në Dhjetor 2020, “VAS Konstruksion” është fitues në tenderin “Rikonstruksion rrjeti dhe kabinash elektrike në Rrogozhinë”, me ofertë rreth 55 milionë lekë të reja.

Në vijim, në Prill 2021, “VAS Konstruksion” u shpall fitues në tenderin e zhvilluar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes për “Rikonstruksion kabllash e kabinash në Elbasan”, me fond limit 179.626.163 lekë të reja.

Në këtë procedurë, “Vas Konstruksion” ose siç njihet tashmë, “5D” ishte konkurente e vetme, pa asnjë pjesëmarrësh tjetër.

Në listën e tenderave me “flamuj të kuq” të fituar nga “5D” jashtë Bashkisë së Tiranës, gjendet edhe një procedurë me fond 15 milionë lekë të reja, të zhvilluar nga Ujësjellësi i Durrësit, për “Rehabilitimin e linjës në Maminas”, Shijak.

Në këtë tender morën pjesë 6 kompani, por tre prej tyre u skualifikuan, për t’i lënë vendin e fituesit shoqërisë së Mariglen Qatos e Redi Mollës. /OraNEws

“Gaz Bardhi nuk përfaqëson as Pashkon e as Imamin”/ Plas debati në studio mes Kullurit dhe Lelës

Gjetjet e “Barometrit” për situatën politike në vendin tonë u komentuan këtë të premte në një emision televiziv.

Analisti Ervin Kulluri tha se Gazment Bardhi nuk përfaqëson në PD atë që përfaqësonin Ben Imami apo Pashko, të cilët u përjashtuan kohë më parë nga partia.

“Ndodhën tre gjëra, u rilegjetemua lidershipi i partisë për shkak se korrigjoi gabimet e veta. Përjashtimin e Imamit, Pashkos, Rrulit të gjithë grupeve që ishin goditur në parti, u dha mesazhi i kundërt, u reflektua nga Berisha dhe lidershipi i partisë. Ky ishte bashkimi, nuk ishte bashkimi Gaz Bardhi sepse ai nuk përfaqëson as Imamin as Pashkon”-tha ai.

Fitim Zekthi: Meta dhe Foltorja janë njësoj të dobët dhe me probleme me drejtësinë

Analisti politik, Fitim Zekthi në një emision televiziv deklaroi se kryetari i PL-së, Ilir Meta është në pikën më të dobët të jetës së tij politike, pa mbështetje dhe tërësisht i mbërthyer nga shqetësimet që ai ka në raport me drejtësinë.

Sipas tij, Meta dhe Foltorja janë njësoj të dobët politikisht dhe me probleme me drejtësinë, mbështetjen dhe natyrisht që përfaqësojnë një opozitë që shqiptarët nuk e mbështesin.

Zekthi nënvizoi se janë absurde dhe deklaratat e Metës kur përpiqet ta krahasojë veten me Çërçillin.

“Pas humbjes të rëndë në zgjedhje e gjithë opozita e Metës dhe e Berishës ra në kllapi. Ajo nuk është opozitë përfaqësuese e shqiptarëve. Meta ra në heshtje për një periudhë kohe. Ai bën politikë me gjeste dhe është tregues i një dobësie politike. Gjestet që ai bën janë nga më të habitshmet. Dëshmon për dobësi të mbështetjes popullore. Ai flet për komplot ndaj tij, dëshmon politikën e gjesteve sepse e ndjen që s’ka mbështetje. Kur je keq aludon se ka komplot duke filluar nga Rusia, Kina, SHBA. E njëjta gjë ndodh edhe me foltoren. Janë e njëjta gjë në thelb, Meta dhe Foltorja. Teorikisht është e mundur, por praktikisht e ka të pamundur. Ka pak shtetarë në botë që kanë kaluar në poste të larta kaq gjatë sa Meta. I gjen në vetëm në vendet afrikane shembuj të tillë si Meta. Të lidhësh Metën me Çërçillin është absurde. Sepse mbi Metën rëndojnë akuza të rënda me korrupsionin dhe gjithçka. Nuk e paragjykoj, por mbi të ka akuza të rënda. Ka 32 vite në politik e pushtet dhe s’ka shans të ndërtojë ndonjë gjë. Meta nuk pranon të hetohet dhe sulmon drejtësinë dhe gjithë bota është kundër tij.”,
tha Zekthi.

Anketa, 65% e mësuesve në arsimin 9-vjeçar nuk përdorin TIK në procesin mësimor

Një anketë në 43 shkolla të arsimit fillor dhe bazë, që bëjnë pjesë në Programin “EU4Schools”, financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga PNUD në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë tregoi se ka mangësi të fortë në procesin e mësimdhënies për lëndët që kanë të bëjnë me teknologjinë.

Numri i përgjithshëm i mësuesve të përfshirë në këtë studim është 785 dhe nga këto vetëm 20% nuk kanë përdorur asnjë teknologjinë digjitale, ndërsa 44% e tyre pohuan të jenë anëtarë të rrjeteve sociale dhe ky fakt mund të përdoret për të promovuar mësimdhënien digjitale dhe të mësuarit.

Në të njëjtin nivel përqindje janë edhe mësuesit që përdorin internetin gjerësisht dhe me kompetencë dhe akoma më e lartë është përqindja e mësuesve (57%) që janë të gatshëm të provojnë aplikacione, programe dhe burime të reja. Por 65% e kampionit pranuan se nuk përdorin teknologjinë edhe pse kurrikula mësimore lejon integrimin e teknologjisë në procesin mësimor.

Rezultatet e anketës tregojnë se ka një nevojë të domosdoshme dhe evidente nevojën për trajnime që kanë lidhje me kompetencat digjitale të mësuesve dhe t’i zhvillojë ato më tej në ato shkolla.

Mësuesit kane dhënë përgjigje kontradiktore në anketë dhe ky është tregues se ata duhet të kuptojnë më mirë konceptet dhe përdorimin e teknologjitë për qëllime mësimore.

PNUD rekomandon se referuar grup-moshës së mësuesve, mësuesit e rinj duhet të trajnohen për të ofruar ndihmë për mësuesit që nuk kanë përvoja në programe digjitale.

Mungesa e përvojës përbën një sfidë kur adresimi i nevojave të mësuesve drejt edukimit digjital. Ekspertet vërejnë se duhet të merret në konsideratë mësimi i realizuar ose në distancë ose në mënyrë digjitale. Modulet e trajnimit duhet të fokusohen edhe tek mësuesit e shkollave fillore.

Fusha e mësimdhënies dhe mësim-nxënies do të jetë më sfiduese për trajnimin që të inicioje një ndryshim kulturor edhe në lidhje me metodat hibride të mësimdhënies dhe të nxënit.

PNUD referon se modulet e trajnimit duhet ta bëjnë të qartë se shikimi i videos nuk është një kompetencë digjitale, por krijimi i një videoje për ilustrim, duke përfshirë telefonat celularë, dhe postimin e tyre në internet

Gjithashtu, trajnimi në fushën e teknologjisë është i nevojshëm për nxënësit pasi ato do të nxisin mësimin e pavarur dhe do të transferojnë njohuritë teknologjike./ Monitor.al

“Serbia subvencionon 800 euro për kokë lopë në vit”, fermeri: Si mund të jemi konkurrues, kur shteti nuk paguan asgjë

Fermeri dhe aktivisti, Alban Çakalli i ftuar në emisionin “Sintezë” në News 24, tha se fermeri shqiptar nuk mund të jetë konkurrues me vendet e rajonit duke u krahasuar veçanërisht me Serbinë.

“Meqë thoni rajoni na konkurron. Serbia subvencionimet që i ka për një kokë lopë i ka mbi 800 euro. Fillon subvencionimi që te jonxha, misri, për ushqimin dhe pastaj për krerë lope mbi 150 euro.

Në qoftë se një fermer ka 100 krerë lopë merr 80 mijë euro nga shteti i tij. Po ta krahasojmë një fermer shqiptar. Çfarë merr? Nuk merr subvencion për misrin, foraxheren. Shumë pak merr vetëm për krerë lopë.

Nëse do merrte 80 mijë euro, vetëm këto para i mjaftonin për të qenë konkurrues. Në Greqi nëse një fermer i ri deri në 30 vjeç, shteti grek i jep mundësi të marrë 50 krerë lopë, stallën ia jep shteti me kredi pa interes. Kjo ndikon për mirë! Duhet të adaptojmë metodat më të mira”, u shpreh ai.

Frikë për përshkallëzim të tensioneve në Ballkan, komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Komandanti suprem i Forcave të NATO-s për Evropën dhe komandanti i Komandës Evropiane të Ushtrisë Amerikane, Christopher Cavoli, tha se NATO ka marrë vendim për shtimin e forcave rezervë në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe EUFOR-Altea në Bosnje dhe Hercegovinë, raporton Kosova Press.

Në një seancë dëgjimore para Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit të SHBA më 11 prill, ai tha se së paku dy misione të fokusuara janë nisur me qëllim të mbledhjes së më shumë informacioneve dhe kuptimit më të mirë të ngjarjeve në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.

“Pasi kemi bërë auditimin e plotë të KFOR-it, kemi arritur në përfundimin se na duhen jo vetëm më shumë forca, por edhe forca më të forta. Ky proces është në vazhdim. Ne do të sjellim më shumë pajisje të rënda në terren, si dhe më shumë njerëz”, tha ai.

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai vuri në dukje se aktivitetet e Rusisë për të nxitur tensionet mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve etnikë kanë për qëllim dobësimin e vendit dhe parandalimin e thellimit të lidhjeve me BE-në dhe NATO-n.

“Politika etno-nacionaliste e pengon Bosnjën dhe Hercegovinën të miratojë reformat e nevojshme politike, ligjore dhe ekonomike që do të çonin përpara integrimin e saj euroatlantik,” vuri në dukje gjenerali amerikan.

Ai shtoi se Republika Serbe po përpiqet të dobësojë fuqinë shtetërore dhe marrëdhëniet e BeH me BE dhe NATO, duke mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë.