30.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

“Meta ka informacione se SPAK mund ta godasë”/ Ish-zv.kryeprokurori: Sulmet e tij të ngjashme me ato të organizatave kriminale

Të papranueshme e konsideron ish-zv.kryeprokurori Shkëlqim Hajdari gjuhën e përdorur nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj kryeprokurorit Altin Dumani.

I ftuar në “Top Talk” me Juli Xhokaxhi, Hajdari u shpreh se Meta ka kryer veprën penale të fyerjes së gjyqtarit.
Kjo është gjuhë e papranueshme, nuk i bën nder as personit në fjalë, as Shqipërisë. Minimum, ka veprën penale të fyerjes së gjyqtarit. Do jetë gabim nëse Dumani inicion një kallëzim për këtë vepër.

Kjo është gjuhë që tregon se personi në fjalë ka informacione që SPAK-u mundet ta godasë, rruga që ka zgjedhur duke përzierë në një çorbë familjen, partinë e bashkëpunëtorët, nuk është situatë e mirë. Nga ana tjetër, duhet të themi se Dumani ka marrë mbështetje nga KLP, ambasada amerikane, britanike, BE. Publiku shqiptar e shoqëria civile mbështet SPAK-un”.
Sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion janë të ngjashme me ato të grupeve kriminale, tha ish-kryeprokurori.

“Kjo historia që sa herë goditen pjesë që nuk janë në mazhorancë, thuhet se SPAK po kontrollohet nga qeveria, nuk është e para. Po bëhet telenovelë. Nuk është kjo gjuha që ndihmon punën e SPAK-ut. Është e ngjashme me sulmet që kanë bërë grupet kriminale në Itali psh. Kjo duhet t’i stimulojë më shumë të ruajnë qetësinë”.

Duke inkurajuar prokurorët e posaçëm, Hajdari tha se “asnjë nuk duhet të frikësohet”.

“Dua të them që prokurorët ballafaqohen me njerëzit në hetim e kanë në sallën e gjyqit. Në sallë, ne kemi marrë edhe kërcënime live, për prokurorët nuk është kërcënim që i dëgjojmë për herë të parë, ndryshimi është që këto fyerje po i marrin nga televizioni. Prokurorët nuk duhet të frikësohen”.

Spartak Ngjela zbërthen skenarin e Metës dhe Kryemadhit pas sulmeve ndaj SPAK: Bashkëpunim kriminal!

Avokati dhe analisti Spartak Ngjela në një studio televizive dje ka folur lidhur me deklaratat e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndaj institucioni të lartë të drejtësisë SPAK-ut.

Avokati e konsideron si pjesë të një loje deklaratat ashpra dhe fyese të Ilir Metës ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit dhe Monika Kryemadhit.

Ngjela tashmë këtë nuk e konsideron si një raport bashkëshortor ku ndonëse ndodhen në fije të perit, por një raport i mirëfilltë midis dy hajdutësh, ku Meta mendon jo vetëm të mos bjerë nga pushteti por në bashkëpunimin e tyre kriminal për të fshehur pasurinë.

“Nuk është raport bashkëshortor ky, është raport midis dy hajdutësh. Hajduti A duke menduar se është më i fortë se sa hajduti B dhe duke menduar mos të bjerë nga pushteti ia hedh të gjithë hajdutit B, që hajduti B të dënohet të marrë të gjithë fajin përsipër dhe hajduti A meqë ka forcë do të shpëtojë edhe hajdutin B. Ta shpjegova psikikën e krimit, është bashkëpunim kriminal jo bashkëpunim erotik, ka lidhje me pasurinë, pasuri i akuzon për krim dhe ky thotë është e gruas, gruaja thotë po është e imja se është ajo që thashë unë. Ndihmomë i ka thënë gruas, po e bëjmë si përrallë.”, tha Ngjela.

Avokati Spartk Ngjela ka komentuar edhe gjuhën e përdorur të Ilir Metës ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit, ku e sheh se ndodhet në një gjendje të rëndë depresive dhe një frikë e madhe që e ka ‘përpirë’ nga arrestimi që e çon prapa hekurave të burgut.

Më tej ai shtoi se Meta nuk e mendoi mirë lëvizjen e tij dhe i shpalli luftë Amerikës më një fishek.

“Meta ka kaluar në depresion, di që e ka marrë në dorë Ëashingtoni, edhe Blinken e njoftoi që ‘SPAK-un e drejtojmë ne’. Atje janë edhe ekspertët, me ekspertë ndërkombëtarë është SPAK-u. Është në depresion psikik, sepse ka frikë. Ka presionin e brendshëm. Janë jashtë logjikës ato që flet. Duke bërtitur mendon se shpëton dhe ai flet pa sens fare. I ka shpallur luftë Amerikës me një fishek. Gjithë institucionet që godet, duke ditur që institucionet e drejtësisë i drejton Amerika, ku e gjen fuqinë”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër analisti thotë se mbrojtja e Metës është e dobët, duke shtuar se SPAK po heton korrupsionin e bërë prej tij dhe lidhjet me Moskën dhe Beogradin.

“Dumanin e sulmoi se ka frikë mos e arrestojnë. Që ti dalë para opinionit publik dhe t’u thotë ‘unë ju thashë’. E do për mbrojtje, por është mbrojtje e nivelit të dobët. Nuk e di se çfarë provash ka SPAK, por ky është i trembur. Meta e ka bërë korrupsionin sikur ka qenë në shtëpi të vetë, natyrisht që ka lënë shenja. Ç’do bëjë SPAK nuk e di. SPAK-u bën hetime të specializuara dhe hetimet e specializuara, nuk e kanë shumë mendimin te subjekti. Fakti që vonohen do të thotë që kanë dyshime dhe kërkojnë të investigojnë lidhjet e tij ndërkombëtare, i ka në Moskë, në Beograd. I gjithë korrupsioni shqiptar është i drejtuar te Moska. Provat janë prova, këtë e lënë të livadhisë që të gjejnë provat”, u shpreh ai.

Vettingu shkarkon Agron Zhukrin, gjyqtarin që njohu Berishën si kryetar të PD-së

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra gjyqtarin e Tiranës, Agron Zhukri.

Vendimi i mor nga trupi gjykues. Olsi Komici, Xhensila Pine dhe Firdes Shuli.

Zhukri iu nënshtrua procesit të vetingut për tre kriteret, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, gjyqtari Zhukri u shkarkua për mos justifikim të pasurisë.

Në seancën e dëgjimore që u mbjat më 17 prill Zhukri u ballafaqua me gjetjet për balanca negative në vlera të mëdha. Komisioni konstatoi pamundësi financiare të familjes së gjyqtarit të Tiranës, Agron Zhukri për krijimin e pasurive në masën e 93 milionë lekëve.

Seanca dëgjimore zgjati rreth 5 orë e gjysmë. Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar një pamundësi në shumën 21 milionë lekë për periudhën para vitit 2003 dhe 72 milionë lekë për vitet në vijim.

Asgjë e re nga fronti i Perëndimit për të korruptuarit dhe “non gratat”

Nga Namir Lapardhaja

Një ditë pasi Gazment Bardhi foli për rikthimin e Berishës në PD, duke qenë se ai është kryetar i asaj partie, ka bërë që vija e kuqe të shkelet, durimi i ndërkombëtarëve të sosi dhe ka sjell reagimin e të ngarkuarit me punë të SHBA-së në Tiranë, David Wisner, i cili rikonfirmoi qëndrimin e pandryshuar në raport me personat e shpallur “non grata”, pavarësisht se çfarë thonë disa njerëz për këtë gjë.

Ky qëndrim i përsëritur i diplomatit amerikan, vjen në një kohë kur ka pasur shumë spekulime lidhur me lëvizjet dhe qëndrimet e fundit të një grupi deputetësh të PD-së, të cilët, të udhëhequr nga Bardhi, iu bashkuan Berishës, me premtimin se amerikanët, nëse do të arrinin të bëheshin shumicë, do ishin të detyruar t’i njihnin dhe do të bashkëpunonin.

Ndonëse faktori ndërkombëtar kishte përshëndetur në parim rikthimin e normalitetit në Parlament, gjë krej normale kjo, edhe pse nuk kishte thënë asnjë fjalë për partitë politike apo për liderët e tyre, intervista e të ngarkuarit me punë të SHBA-ve në “Zërin e Amerikës” i dha fund çdo aluzioni, duke mbyllur gojët e shthurura të atyre që kishin mbushur me gënjeshtra të gjithë dynjanë, duke e interpretuar rikthimin e normalitetit si një mbështetje ndaj lëvizjes së Bardhit në drejtim të Berishës.

Pavarësisht akrobacive dhe ambicieve individuale për t’u futur në rrugë qorre që nuk të nxjerrin asgjëkundi, është e qartë se për SHBA-të asnjë gjë nuk ka ndryshuar, sepse as Amerika as BE-ja nuk do t’ia dijë për trafikimin e deputetëve pa të shkuar dhe të ardhme politike, por atyre u interesojnë parimet te të cilat besojnë dhe mbi të cilat veprojnë, ndaj edhe kur u pyet për grupin e deputetëve, Wisner u shpreh se presin zgjedhjet e nuk presin asnjë zgjidhje nga ata “që punojnë për interesat e tyre personale”, duke ndjekur “non gratat” dhe të korruptuarit.

Në këtë kuptim, meqenëse për SHBA-të asnjë gjë nuk ka ndryshuar, ajo që ngelet për të ndryshuar është Partia Demokratike, e cila duhet të dalë nga kompleksi i idesë penguese se pse nuk flasin ndërkombëtarët për çfarë po ndodh, të ecë përpara duke u forcuar, duke krijuar frymën e grupit dhe të partisë së madhe, duke prezantuar programin për ta bërë atë një platformë të besueshme për të gjithë shqiptarët, në mënyrë që amerikanët dhe britanikët të shohin te PD-ja një partner ambicioz, me të cilin mund të bashkëpunojnë dhe ta shohin si një faktor të rëndësishëm të jetës politike në vend, duke pritur me padurim festimin e fitores së saj, ashtu siç dikur u shpreh ambasadorja Yuri Kim në shkallët e selisë së PD-së.

Ligji i ri për Prefektin si vazhdimësi e përqendrimit të pushtetit

Nga Ervis Iljazaj 

Ligji i ri për Prefektin që po diskutohet në parlament nuk sjell asnjë risi në kuadër të bashkëpunimit efikas të nivele të ndryshme të qeverisjes, siç është ajo qendrore dhe lokale. Gjithashtu nuk është se i jep një rol domethënës Prefektit në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Në thelb, ky ligj nuk është gjë tjetër veçse vazhdimësi e përqendrimit të pushtetit në dorë të qeverisë qendrore.

Një nga propozimet kryesore është ai se me ligjin e ri Prefekti propozon shkarkimin e kryetarit të bashkisë. Një propozim absurd dhe i panevojshëm. E para, sepse kryetari i bashkisë shkarkohet në ato raste që është e përcaktuar qartësisht në ligjin organik të pushtetit lokal dhe nga Kushtetuta e Shqipërisë. Në këtë kuptim kemi një mbivendosje të ligjeve. E dyta, sepse kryetari i bashkisë, është një institucion i zgjedhur direkt nga vota e qytetarëve dhe nuk mund të shkarkohet si pasojë e propozimit nga një institucion i emëruar. Aq me tepër kur aktualisht në Shqipëri me ligjet zgjedhore në fuqi, kryetari i bashkisë është i vetmi pushtet që zgjidhet drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Me pak fjalë, ajo që kërkohet nëpërmjet ligjit të ri të Prefektit nuk është gjë tjetër veçse shtrirja e duarve të pushtetit qendror drejt pushtetit lokal. Në fakt, një nga tiparet kryesore të kësaj qeverie është përqendrimi i pushtetit rreth një godine, asaj të kryeministrisë.

Kjo gjë ka ndodhur në tërësi edhe me Reformën Administrative Territoriale. Një dështim në aspektin e decentralizimit të pushtetit. Gjithmonë e më shumë nëpërmjet ligjeve sektorialë apo ligjeve të ndryshme qeveria qendrore i ka marrë kompetenca pushtetit lokal duke shkuar shpesh herë në kundërshti me ligjin e pushtetit lokal dhe me parimet e decentralizimit të pushteteve, apo me kartën europiane të vetëqeverisjes vendore.

Me idenë se pushteti lokal nuk është i aftë që kryejë mirë detyrat e tij, qeveria qendrore po merr kompetenca gjithmonë e më shumë dhe po centralizon pushtetin. Prandaj, Reforma  Administrative Territoriale e vitit 2015 mund të konsiderohet si reforma e centralizimit dhe jo e decentralizimit.

Është e natyrshme që do të ndodhte kështu, pasi edhe në ato raste kur kjo reformë në shumë sektorë i ka kaluar kompetencat pushteti lokal nuk ka bërë atë që quhet transferimi i autonomisë financiare. Dhe dihet fare mirë që pa mjete financiare autonome, pushteti lokal do të jetë gjithmonë në varësi të pushtetit qendror, ashtu sikurse ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht. Dihet që kompetencat janë të atij institucioni që ka paratë. Dhe paratë i ka qeveria qendrore.

Ky fenomen ka bërë që gjithmonë e më shumë qeveria qendrore të centralizojë pushtetin në shumë sektorë. Prandaj ligji i ri i Prefektit është vazhdimësi i këtij fenomeni. Qeveria qendrore kërkon gjithmonë e më shumë të kontrollojë pushtetin lokal. Këtë  e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë me mekanizma ligjorë, që s’kanë lidhje me decentralizmin dhe demokratizimin e vendim-marrjes. Dhe në ato vende ku nuk ka një pushtet lokal autonom dhe të pavarur, nuk mund të ketë demokraci. Jo më kot vendet që konsiderohen më demokratike në botë, në ditët e sotshme kanë një formë qeverisjeje federaliste apo me autonomi lokale të fortë. Madje, ka disa autorë dhe studiues që pretendojnë se realizimi i demokracisë sipas etimologjisë së fjalës , pra pushteti i popullit, mund të realizohet vetëm në nivel lokal.

Prandaj më shumë se sa një ligj të ri për Prefektin, Shqipëria ka nevojë urgjente për një reformë të re, për funksionimin dhe organizmin e pushtetit lokal. Sepse ajo e vitit 2015, në pjesën më të madhe të saj ka dështuar.

Ndryshime në provimet e maturës/ Teste të kopjuara dhe stres, specialistët e arsimit propozojnë mënyra të tjera

Matura shtetërore ka nevojë për reformim të menjëhershëm.

Ky është mendimi i Fiqiri Çifliku me përvojë gati 30 vjeçare në arsim teksa rendit kritikat për modelin aktual të provimeve, mesatarja e të cilave është vendimtare për pranimin në universitet.

Është shoqëruar me shumë problematika, qoftë në menaxhim, ka pasur një stres të jashtëzakonshëm nga maturantët por edhe mësuesit mbikëqyrës që dalin nga roli i mësimdhënësit. Kur flasim për telefonin, teknologjia ka avancuar aq shumë saqë nxënësit fusin pajisje të tjera shumë të vogla si smartwatch që mësuesi nuk arrin t’I kap. Presioni është i madh, I kemi parë dhe në media daljet e testeve, akuzat për kopje apo teza të testeve jo të standardeve të pranueshme”.- shpreh Fiqiri Çifliku, specialist arsimor.

Specialisti arsimor propozon ndryshime në zhvillimin e provimeve të maturës, të ndarë në dy faza. Së pari Çifliku vlerëson që certifikimi bazë me teste të detyruara të kryhet brenda shkollës, ku ngrihet një komision shtetëror i përbërë nga stafi i brendshëm dhe përfaqësues nga zyra vendore arsimore.

Mund të shtohet për të vlerësuar edhe anën e formimit të nxënësve edhe një testim me gojë për të mbrojtur një tezë të caktuar të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe vlerësohen përpara komisionit shkollor”.

Për nxënësit që duan të vazhdojnë arsimin e lartë, Çifliku propozon hallkën e dytë, një test të informatizuar të hartuar nga institucionet në varësi të Ministrisë së arsimit.

“Mendoj që mund të përdoret si instrument test aftësie, ku disa lëndë jepen në një provim të vetëm në mënyrë elektronike që ju shërbejnë disa universiteteve, në varësi të kritereve që vendosen nga universitetet”.

E rëndësishme për t’u rishikuar sipas specialistëve është edhe pesha e vlerësimeve për secilën fazë, si ndarje e drejtë për kriteret e pranimit në universitet.

Kush fshihet pas turqve që fituan tenderin për Tunelin e Llogarasë?! Vetting: Balluku shpalli fituese firmën që ofroi 12 milionë euro më shumë!

Disa muaj pas anulimit të tenderit për tunelin e Llogarasë, Ministria e Infrastrukturës do të rishpallte përsëri tenderin me fond limit 18.9 miliardë lekë. Në garë kësaj radhe do të merrnin pjesë 4 grupe kompanish. Pas studimit të dokumenteve të tenderit, Open Data Albania e shënoi me flamur të kuq. Kjo pasi më 8 tetor 2021, Ministria e Infrastrukturës do të skualifikonte të gjithë pjesëmarrësit, me përjashtim të konsorciumit të kompanive turke “INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK INSAAT” dhe “ASL INSAAT TAAHHUT”, të cilët u shpallën automatikisht fituese me ofertë 17 miliardë lekë ose 200 milionë euro me TVSH.

Sipas Open Data, ky tender paraqet rrezik të mundshëm për korrupsion, për shkak të skualifikimit të paqartë të konkurrentëve. Bie në sy fakti se, grupi i kompanive shqiptare dhe të huaj, “JV CONCORD ENGINEERING AND CONTRACTING”, “ALB BUILDING” shpk dhe “ALB STAR”, kishin ofertë më të ulët se kompanitë turke me vlerë 15.8 miliardë lekë. Pra, të skualiufikuarit kishin një ofertë gati 12 milionë euro më pak se oferta fituese.

Sipas Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ky grup kompanish u skualifikuan sepse nuk kishin asnjë projekt të ngjashëm për ndërtimin e një ure me gjatësi 120 m.

Nga hulumtimi i dokumenteve zbulohet një detaj i vogël, që mund të vendosi në pikëpyetje ligjore garën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Kjo për faktin se, te specifikimet teknike, në faqen 24, deklarohet se kompania e huaj duhet të bëjë ekuivalentimin e licencave profesionale të lëshuara nga vendi i origjinës, për kategoritë e punimeve në Ministrinë e Infrastrukturës.

Madje, në rast të mosdorëzimit të këtyre dokumenteve, kompania do të skualifikohet.

Por, a është plotësuar ky kriter?

Nga momenti i hapjes së garës për tenderin e Tunelit të Llogarasë e deri në ditën e fundit, kur dorëzohen dokumentet, kompanitë turke kanë patur kohë maksimale 35 ditë.

Në portalin qeveritar e-Albania ilustrohet se si mund të kryhet regjistrimi dhe të dorëzohet elektronikisht kërkesa për ekuivalentimin e këtyre licencave.

Njehsimi i licencave profesionale merr më shumë kohë, ku sipas e-Albania duhen, të paktën, 38 ditë për realizimin e këtij shërbimi.

Këtu kemi të bëjmë me dyshime favorizimi, pasi edhe sikur kompanitë turke të kishin aplikuar në ditën e parë të shpalljes së tenderit, ato përsëri nuk do të arrinin të realizonin ekuivalentimin e licencave brenda afateve. Ndërkohë, dega në Shqipëri e kompanisë së përzgjedhur është hapur një muaj pasi kanë fituar tenderin nga Ministria e Infrastrukturës.

Në këtë rast, ekspertët ngrenë pyetjen: Si kanë arritur kompanitë turke të kualifikohen kur ekuivalentimi kërkon më shumë kohë se afati i fundit i dokumenteve?

Ministria e Infrastrukturës, në fazën e “arnimit” të dokumenteve, ka zbutur edhe kriteret për projekte të ngjashme, ku përfshihej ndërtimi i 4 urave me gjatësi 120 m, duke vendosur si kriter vetëm: “punë të ngjashme për ndërtimin e vetëm një ure të tillë”.

Por dokumentet e tenderit kanë edhe ndryshime të tjera, të cilat lidhen me kompaninë nën-kontraktore. Në tenderin e anulluar, përqindja e punimeve që mund të realizoheshin nga nën-kontraktori nuk ishin të specifikuara, ndërkohë që në tenderin e rishpallur lejohet nen-kontraktimi jo më shumë se 50% e vlerës së kontratës.

Një muaj pasi fituan tenderin, në nëntor 2021, konsorciumi turk i kompanive themeluan në Shqipëri degën e tyre “INTEKAR – ASL”. Kompania “INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK INSAAT” zotëron 30% të aksioneve me përfaqësues Serkan Çam dhe kompania tjetër  “ASL INSAAT TAAHHUT” zotëron 70% të “INTEKAR ASL” me përfaqësues Abdulkadir Kart.

Konsorciumi turk ka marrë si nënkontraktor për këtë projekt kompaninë “Gjoka Konstruksion”, me pronar Rrok Gjoken, i njohur edhe si fitues në disa nga  projektet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri.

Burime të rezervuara brenda komisionit kanë konfirmuar për “Vetting” se, në tenderin e parë të anulluar, “Gjoka Konstruksion” kishte ofertën më të mirë ekonomike bashkë me një kompani tjetër turke.

Aktualisht, personi që kryen veprime të ndryshme financiare për konsorciumin turk në Shqipëri “INTEKAR ASL” është Rovena Dorezi, juriste e kompanisë “Gjoka Konstruksion”.

E Albania Ekuivalentimi
50% Tenderi 2 Llogara (1)

 

Balkanweb.com

Gjyqi penal ndaj Trump, hiqen dy prej anëtarëve të jurisë së përzgjedhur

Procesi për përzgjedhjen e jurisë për gjyqin penal ndaj ish-presidentit Donald Trump, për pagesat e bëra për të fituar heshtjen e dy grave që thonë se kanë patur marrëdhënie seksuale me të, hasi në vështirësi të mëtejshme të enjten. Një anëtare e përzgjedhur për jurinë gjyqësore u tërhoq pasi ngriti dyshime nëse do të ishte në gjendje të vepronte me paanshmëri dhe drejtësi. I dyti u hoq pasi nuk u paraqit në gjykatë për të qartësuar disa nga përgjigjet e dhëna gjatë pyetjeve të drejtuara më herët.

Të martën kishin bërë betimin shtatë anëtarë të jurisë. Por, me heqjen tashmë të dy anëtarëve, ekipet ligjore të dy palëve duhet të përzgjedhin 13 persona të tjerë për jurinë, që do të japë vendimin për çështjen e parë penale ndaj një ish-presidenti amerikan.

Prokurorët i kërkuan të enjten gjykatësit Juan M. Merchan të marrë masa ndaj zotit Trump për shkak të shtatë postimeve të reja në mediat sociale, që prokurorët thonë se shkelin urdhrat e mëparshëm që i ndalonin atij të sulmonte dëshmitarët. Prokurorët kishin kërkuar të hënën që zoti Trump të gjendej fajtor për shpërfillje të urdhrit të gjykatës dhe të gjobitej për tre postime të tjera.

Një grup i dytë prej 96 kandidatësh për anëtarë jurie shkuan të enjten paradite në gjykatë ku rifilloi faza e marrjes në pyetje për përzgjedhjen e tyre.

Ish-presidenti Trump ka thënë se është i pafajshëm për 34 akuzat e ngritura për falsifikim të të dhënave të biznesit në përpjekje për të fshehur historitë që mund të dëmtonin fushatën e tij elektorale në vitin 2016.

Akuzat kanë të bëjnë me pagesat për dy gra, aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels dhe modelen e revistës “Playboy”, Karen McDougal, të cilat kanë thënë se kanë patur marrëdhënie seksuale me zotin Trump vite më parë. Akuzat kanë të bëjnë edhe me rastin e një roje tek hyrja e kullës Trump, i cili ka pretenduar se ka patur njohuri për një fëmijë që zoti Trump ka patur nga një lidhje jashtëmartesore. Ish-presidenti ka mohuar të ketë ndodhur ndonjë nga këto lidhje seksuale.

Kjo është çështja e parë penale ndaj zotit Trump që shkon në gjyq.

SI U TËRHOQ ANËTARJA E PARË E JURISË

Një anëtare e përzgjedhur e jurisë u tërhoq pasi i tha gjykatës se ndjehej e shqetësuar për aftësinë e saj që të tregohej e paanshme.

Megjithëse emrat e anëtarëve të jurisë nuk janë bërë publikë, gruaja me profesion infermiere tha se “pasi e kishte menduar gjatë natës, kishte patur shqetësime për aftësinë për t’u treguar e drejtë dhe e paanshme në këtë çështje gjyqësore”, tha gjykatësi Merchan përpara se ta thërriste në sallë për t’i drejtuar pyetje.

Ajo tha se anëtarët e familjes dhe miqtë kishin ngritur pikëpyetje rreth rolit të saj të ardhshëm si anëtare e jurisë.

Me largimin e dy anëtarëve të jurisë, numri i anëtarëve që mbeten zbret në pesë dhe ekipeve ligjore të dy palëve do t’u duhet tashmë të zgjedhin 13 persona të tjerë për të plotësuar jurinë.

Duke kritikuar mediat që publikuan detaje për anëtarët e jurisë, gjykatësi Merchan tha se: “Ka një arsye përse kjo është një juri anonime. I kundërvihet këtij qëllimi kur kaq shumë informacion bëhet publik, që mund ta bëjë shumë të lehtë për çdokënd që të identifikojë se kush janë anëtarët e jurisë”.

“Shtypi ka qartësisht të drejtën të shkruajë për çdo gjë që përfshihet në të dhënat zyrtare”, shtoi gjykatësi.

ÇFARË NDODHI ME ANËTARIN E DYTË TË LARGUAR NGA JURIA

Statusi i anëtarit të dytë të larguar nga juria të enjten u vu në dyshim pasi personi nuk ishte paraqitur në gjykatë për t’iu përgjigjur disa pyetjeve të mëtejshme. Prokurorët patën zbuluar një artikull të viteve 1990, për një person me të njëjtin emër që ishte arrestuar për grisje të reklamave politike në qarkun Westchester. Reklamat kishin qenë të krahut të djathtë të politikës, tha ndihmës prokurori Joshua Steinglass. Ai gjithashtu informoi se një i afërm i po këtij personi mund të ketë qenë pjesë e një marrëveshjeje për pushimin e një hetimi të prokurorisë së Manhatanit në vitin 1990, e cila është e njëjta zyrë hetimore për çështjen ndaj zotit Trump.

Gjykatësi Juan M. Merchan e pati udhëzuar personin të paraqitej në gjykatë në 9:15 të mëngjesit të së enjtes, për t’iu përgjigjur pyetjeve të mëtejshme rreth tij apo të afërmve të tij. Ai nuk u paraqit në gjykatë.

Gjykatësi përmendi “ngurrimin me sa duket për t’u paraqitur” dhe i pyeti palët nëse do të ishin dakord për heqjen e këtij personi nga juria, pa patur nevojë për pyetje të mëtejshme. Avokati i ish-presidentit Trump, Todd Blanche tha fillimisht se do të dëshironte të dëgjonte se çfarë përgjigjesh do të jepte anëtari i jurisë. Kur ishte pyetur më herët këtë javë, personi kishte thënë se nuk ishte dënuar ndonjëherë.

PROKURORËT KËRKOJNË MARRJEN E MASAVE NDAJ ISH-PRESIDENTIT TRUMP PËR POSTIMET E REJA NË MEDIAT SOCIALE

Prokurorët i thanë gjykatësit Merchan të enjten se dëshirojnë që ish-presidenti të gjendet fajtor dhe të ndëshkohet për shtatë postime të reja që ata thonë se shkelin urdhrat e dhënë më herët nga gjykata.

Postimet e reja të zotit Trump u bënë pasi prokurorët kishin kërkuar më herët të hënën vendosjen e një gjobe prej 3 mijë dollarësh për tre postime të tjera në rrjetin Truth Social.

Prokurori Christopher Conroy tha se disa nga postimet e reja kishin të bënin me një artikull ku përshkruhej ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, si “një mashtrues serial”. Në një tjetër postim të bërë të mërkurën përsëritet një pretendim i bërë fillimisht nga një drejtues emisioni në kanalin televiziv Fox News se aktivistët liberalë po gënjenin me qëllimin që të arrinin të bëheshin anëtarë të jurisë.

Avokati i zotit Trump, Emil Bove tha se zoti Cohen “e ka sulmuar presidentin Trump në deklarata publike” dhe se zoti Trump vetëm po i përgjigjej.

Gjykatësi Merchan ka caktuar një seancë për javën e ardhshme me kërkesë të prokurorisë për të shqyrtuar mundësinë e ndëshkimit për postimet e zotit Trump.

GJYKATËSI URDHËRON GAZETARËT TË MOS RAPORTOJNË SE CILËT JANË PUNËDHËNËSIT E ANËTARËVE TË JURISË

Gjykatësi Juan M. Merchan kritikoi mediat që patën raportuar detaje për anëtarët e jurisë, të cilat mund të përdoren për t’i identifikuar ata. Gjykatësi urdhëroi të mos raportohen përgjigjet e dhëna nga kandidatët për anëtarë të jurisë, në lidhje me punëdhënësit e tyre në të kaluarën, apo të tanishëm.

“Siç është provuar nga çfarë ka ndodhur deri më tani, ky është një problem”, tha gjykatësi të enjten.

Ai gjithashtu i udhëzoi gazetarët “t’i përmbahen logjikës” dhe të shmangin raportimin për karakteristikat fizike të anëtarëve të jurisë.

“Sapo humbëm dikë që mund të kishte qenë një anëtare shumë e mirë e jurisë”, vazhdoi gjykatësi. “Ajo tha se ndjehej e frikësuar nga shtypi, nga i gjithë shtypi”./ VOA

“Edi Rama e ka problemin me Lulzim Bashën”, kreu i PD: Berishën e mund sa herë t’i dojë qejfi, i fut serumin dhe…

Ish Kryeministri, Sali Berisha dhe Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke diskutuar para selise se Partise Demokratike, pas nje seance te tensionuar parlamentare, ku opozita ka protestuar kunder rikthimit ne Kuvend te deputetit te PS, Armando Prenga. /r/n/r/nLeader of the Democratic Party Lulzim Basha and Former Prime Minister Sali Berisha, discussing after a parliamentary session.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, i ftuar në studion e “Open” në News24, është shprehur se “problemi i Edi Ramës” është me të dhe jo me ish-kryeministrin Berisha.

Ai u shpreh se Rama e di që “Berishën e mund sa herë t’i dojë qejfi dhe pasi e mund, e ngre, i fut serumin dhe e mban në këmbë”.

Sipas tij kreu i qeverisë “e ndjen peshën elektorale” të Bashës, ndërsa theksoi se Berisha nuk ka më çfarë t’i japë PD-së dh vetëm mundet ta pengojë.

“Ramën nuk e kam lënë të vijë në pushtet në 2009-ën. Ai e di që Berishën e mund sa herë t’i dojë qejfi. Prandaj pasi e mund e ngre, i fut serumin dhe e mban në këmbë. Problemin Rama e ka me Lulzim Bashën, pikë. Ai e ndjen peshën time elektorale. Unë nuk jam i ngjitur pas karriges, e bëj sepse besoj se mund të ndryshojë Shqipëria. Nuk e kam lidhur ekzistencën time fizike, financiare me politikën. Unë jam i vetmi që u dal jashtë hesapit. Berisha ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta, por nuk ka më cfarë t’i japë PD-së. Vetëm mund ta pengojë”, u shpreh ai.

Mori dy kartonë të verdhë, por nuk doli me të kuq, rregulli i rrallë që la në fushë portierin Emiliano Martinez

Aston Villa u kualifikua në gjysmëfinalen e Conference League, pasi eliminoi Lille. Ajo që bëri përshtypje te tifozët, përtej faktit që anglezët kaluan me penallti (të dyja-ja ndeshjet 2-1), ishte një rast i rrallë.

Portieri i skuadrës nga Birmingham, Emiliano Martinez u ndëshkua dy herë me karton të verdhë, por nuk u largua nga fusha e lojës. Në fakt, Martinez “u zverdh” në të 39-tën, ndërsa mori një tjetër karton të verdhë gjatë festës provokuese ndaj tifozëve, gjatë ekzekutimit të penalltive.

Rregullorja është e qartë, Martinez nuk doli me karton të kuq pasi gjatë penalltive, lojtarëve u pastrohet “libri i kartonëve”.