19.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Mjeku ligjor: Enver Hoxha u zhvarros në ‘92 për të përgënjeshtruar shpifjen se kufoma u godit në kokë dhe u dëmtua nga kavoja e vinçit që po e nxirrte

Bardhyl Çipi, një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, mësimdhënies së tyre dhe përgatitjes së ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë. Disa nga pacientët e tij, janë: viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, por i ndihmuar nga qeni i tij besnik, për zbulimin e kufomës së tij të fshehur, gruaja e internuar që vrau veten nga dëshpërimi, qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët, sepse kërkonin të jetonin të lirë, për të mos u poshtëruar dhe torturuar prej tyre, banorët që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri, profesori i universitetit të Tiranës i grabitur dhe i vrarë, etj.

 

Një libër mbi vdekjen dhe provat shkencore për zbulimin e llojeve të ndryshme të saj: vrasje, vetëvrasje, të stimuluara dhe të detyruara nga regjimi komunist, vrasje dhe gjenocide ndaj Shqiptarëve nga fqinjët e tyre, kufoma të freskëta apo të dekompozuara dhe të skeletizuara.

Dokumentet e vdekjeve të personave të shquar; Kenedit, Linkolnit, Napolonit, Leninit, Trockit, etj., dhe ngjarje të tjera të vdekjeve të njerëzve të zakonshëm. Njohuri mbi ndryshimet që ndodhin pas vdekjes dhe ekzaminimit të kufomave në botë dhe në vendin tonë, nga pikëpamja historike, etike, mjekoligjore, juridike. Disa nga librat e tij të fundit janë; “Manuali i Mjekësisë Ligjore” (2015), “Bioethics in Albania nowadays” (2016), “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore” (2018), “Mjekësia Ligjore Kriminalistika” (2020).

******

Sekreti mjekësor në përgjithësi dhe ai pas vdekjes së pacientit dhe i personave publikë

I njëjti arsyetim mund të bëhet edhe në rastin e Lordit Moran, i cili e botoi këtë libër pas vdekjes së pacientit, kryesisht për mjekimin e Çurҁillit, pa e diskredituar të ndjerin (Robitscher, 1968). Në literaturën mjekësore shembuj të tillë janë të panumërt (Robitscher 1968; Piédelièvre, 1966):

-Rasti Maratit, një nga udhëheqësit e revolucioni francez të viti 1789 që u vra duke bërë banjo, por që nga mjeku i tij rezultoi se ai vuante nga dermatiti (infeksion i lëkurës)  së skrotumit dhe perineumt. Banja e qetësonte atë nga sëmundja prej së cilës vuante.Kjo e bëri më të lehtë atentatin ndaj tij.

-Rasti i mjekut, që kishte përpiluar raportet mjekësore mbi përparimin e sëmundjes dhe sjelljen e Napoleonit para se të vdiste.

-Rastet e sëmundjeve dhe vdekjeve të shumë presidentëve të ShBA etj.

 Sekreti mjekësor në Shqipëri

 Çështja e sekretit mjekësor në vendin tonë, paraqitet në kodin e etikës dhe deontologjisë mjekësore, i cili përmban nenin 22 (ruajtja e sekretit mjekësor) dhe nenin 23 (zbulimi i sekretit mjekësor).

Pra, sipas këtyre neneve, sekreti mjekësor i mjekut, përbën një parim shumë të rëndësishëm, por jo me karakter absolut, sepse mund të zbulohet kur rrezikohet jeta e pacientit ose e kërkon ligji.

Kështu mos-ruajtja e sekretit mjekësor, nga kërkesa e ligjit, është dhe ai i parashikuar në kodin e procedurës penale të vendit tonë. Sipas nenit 282 (kallëzim nga personeli mjekësor), personeli mjekësor për një mjekim që ai kryen dhe dyshon se lidhet me një vepër kriminale, është i detyruar ta denoncojë atë në organet e prokurorisë (Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, 1995).

Para disa kohësh, në zbatim të këtij neni të procedurës penale, u arrestuan dy mjekë dhe një infermier në Fier me akuzat penale “moskallëzim i krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” (Top Channel, 2022).

Kjo për arsye, se ata kishin mjekuar një person që kërkohej nga drejtësia, pas përplasjes së tij me armë zjarri në një fshat të Elbasanit. Pra në këtë rast, ata nuk kishin zbatuar nenin 282 të kodit të procedurës penale, sipas të cilit ata ishin të detyruar të kallëzonin mjekimin që i kishin kryer këtij personi në organet e drejtësisë.

Sekreti mjekësor pas vdekjes i personave publikë

 Çështja e sekretit mjekësor pas vdekjes përmendet në kodin e etikës dhe deontologjisë mjekësore (viti 2012) të vendit tonë vetëm në paragrafin e dytë të nenit 22 (ruajtja e sekretit):

“……..Madje edhe pas vdekjes të të sëmurit, me përjashtim të rasteve kur ajo (e fshehta mjekësor) përbën rrezik për shëndetin dhe jetën e të tjerëve, mjeku duhet të mos zbulojë sekretin profesional”.

Siç shihet, kjo çështje trajtohet shumë pak në legjislacionin mjekësor Shqiptar. Prandaj për këto raste, sidomos për personat publikë, që kanë filluar të analizohen edhe te ne, duhen zbatuar rregullat e rekomanduara nga literatura e huaj, një pjesë e të cilave u paraqitën më parë në këtë studim.

Nga ana ime unë kam marrë pjesë në disa raste vdekjesh mjekoligjore, rezultatet e të cilave i kam shpallur dhe botuar në shtyp, duke mos ruajtur kështu sekretin mjekësor, por pa shkelur rregullat e veçorive të këtyre rasteve (B. Çipi, 2018).

-Kështu në disa botime për vdekjet e Mehmet Shehut, Nako Spirut, që përfshihen në grupin e vdekjeve kriminale dhe si të tilla ato do të konsiderohen si raste, kur sekreti pas vdekjes nuk ruhet. Sidoqoftë përpara botimit, unë kam marrë edhe lejen e familjarëve të tyre (Çipi B., Çipi S. 2015; Çipi, 2018, 2020;).

-Çështja e viktimave të bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë në vitin 1951, përbën edhe ajo një rast kriminal, ku nuk ka qenë nevoja e ruajtjes së sekretit mjekësor; edhe për këtë çështje është marrë prej meje leja e familjarëve të viktimave, të cilët kanë ndihmuar edhe në zbulimin dhe ekzaminimin e tyre.

-Në rastin e zhvarrimit të Enver Hoxhës në vitin 1992, të drejtuar prej meje, botimi i tij në vitet 2000, u bë për të përgënjeshtruar shpifjen e publikuar në atë kohë, sipas të cilës gjatë ekzumimit (nxjerrjes nga varri), kufoma u godit në kokë dhe u dëmtua nga kavoja e vinçit që po e nxirrte. Për këtë botim, unë pata mbështetjen edhe nga një prej njerëzve të rrethit familjar të Enver Hoxhës.

Në lidhje me të dhënat e ndjekjes mjekësore së Enver Hoxhës, mund të përmenden këto publikime:

-Shënimet mbi ndjekjen mjekësore të Enver Hoxhës, të lëna nga   Prof. Dr. Fejzi Hoxha (të botuara pas vdekjes së tij nga Prof. Dr. Lluka Heqimi, në vitin 2003): bashkëmoshatar, nga Gjirokastra dhe ai, që e kishte njohur Enver Hoxhën që në fëmijëri dhe e kishte kuruar, pavarësisht nga vështirësitë e këtij mjekimi, për një kohë shumë të gjatë (Heqimi, 2003).

Botimi i këtyre shënimeve, pas vdekjes së autorit të tyre, përbën një nga ato raste kur sekreti mjekësor mund të mos ruhet për personat publikë shumë të njohur. Përveҁ tij, për mjekimin e Enver Hoxhës është shprehur edhe mjeku tjetër i tij, Prof.Dr. Sabit Brokaj, një nga mjekët e ekipit që ndiqte 24 orë shëndetin e Enver Hoxhës.

Sipas tij, Hoxha vuante nga një patologji e hershme e diabetit dhe ai kishte të gjitha faktorët rrezikues, që mund t’i merrnin jetën herët apo vonë.

“Diabeti ishte i njohur që nga viti 1948 dhe ndaj ishte eprori profesor Fejzi Hoxha, mjeku më i mirë endokrinolog që kishim, sepse pacienti ishte i sëmurë diabetik dhe Enver Hoxha mjekohej për diabetin. Ecuria e diabetit me ndërlikimet shoqëruese bëri rrugën e vet natyrale.

Duhet të kemi parasysh që ai ishte një pacient me një diabet të vështirë për ta ekuilibruar, obez, duhanpirës, me stres permanent. Pra, në konceptin e kardiologjisë, këta faktorë  prej më shumë se 10 vitesh janë faktorët rrezikues dhe vetiu në një pacient të tillë, janë të pritshme ndërlikimet në sistemin arterial, në zemër apo dhe në tru”.

Sipas Prof. Sabit Brokaj, që kishte qenë pjesë e ekipit të mjekëve, por dhe për përvojën për këta të sëmurë, “Enver Hoxha ka qenë i sëmurë i mirë-kontrolluar, në aktivitet të plotë derisa vdiq në atë moshë, pasi me këta faktorë, pacientët janë të rrezikuar dhe në moshë shumë më të re.

Enver Hoxha pati ndërlikimet e tij diabetike. Vdekja e Enver Hoxhës ishte rrjedhojë e një patologjie të hershme të diabetit, që në vitin 1948, duke krijuar komplikacione, që agravoheshin vit pas viti dhe në organet të tjera të trupit. Kujdesi ndaj tij ishte maksimal, ndërsa Enver Hoxha deri pak para vdekjes, ka qenë aktiv në detyrat politike dhe shtetërore”.

Në të vërtetë, në 10 vitet e fundit të jetës së tij, Enver Hoxha ka qenë nën kujdesin shëndetësor të një ekipi mjekësor të përzgjedhur, në të cilin bënin pjesë edhe Prof. Dr. Isuf Kalo dhe Prof. Dr. Ahmet Kamberi.

-Vitet e fundit janë botuar dy libra me detaje të hollësishme nga ana e këtyre dy mjekëve që e kanë kuruar Enver Hoxhën:

“Blloku” i Prof. Dr. Isuf Kalo, viti 2019 (Kalo, 2019).

“Pacienti ynë i veçantë” i Prof.Dr. Ahmet Kamberi, viti 2020 (Kamberi, 2020).

Të dy librat në lidhje me ruajtjen ose jo të sekretit mjekësor pas vdekjes, janë të justifikuara, sepse kanë të bëjnë me udhëheqësin kryesor të diktaturës komuniste 40 – vjeçare; prandaj problemet mjekësore të tij, do të ishin të nevojshme të njiheshin në radhë të parë nga publiku i gjerë i vendit tonë. Nga ana tjetër është marrë dhe leja e të vesë së Enver Hoxhës, për botimin e librit “Pacienti ynë i veçantë” të Prof. Dr. Ahmet Kamberi.

Në këto libra janë ruajtur dhe respektuar në përgjithësi interesat e pacientit.

Kështu në librin “Blloku”, Prof. Dr. Isuf Kalo shkruan midis të tjerave: “Kam mendimin se nëse Enver Hoxha nuk do të jetonte në atë kohë, nuk do të ishte bërë diktator, por do të ishte bërë një mësues shumë sharmant, sepse ishte shumë simpatik si njeri; në një farë mënyre, pozita e mori në qafë atë…! U bë një pacient bashkëpunues që ia lehtëson punën mjekut.…! Ai nuk ka dashur që ne ta diktojmë as sëmundja ta diktojë, por ka pasur inteligjencën edhe mundësinë që të bashkëpunonte në lidhje me mjekimi e tij”.

Ndërsa në librin “Pacienti ynë i veçantë”, Prof. Dr. Ahmet Kamberi, duke u mbështetur kryesisht në marrëdhënien mjek-pacient, thekson se: “Në marrëdhëniet me mjekët, Pacienti ishte i përzemërt. Nuk ka ndodhur kurrë që ai të shprehte pakënaqësi me fjalë, ndaj ndonjërit prej nesh, madje edhe atëherë kur ai nuk ishte i kënaqur me këshillat tona. Pakënaqësinë ai e shprehte thjesht, me ngrysjen e fytyrës, me mungesën dëshirës për ta zgjatur diskutimin dhe me mosbindje….”!

Por në librin e parë “Blloku” të Isuf Kalos, jepen disa të dhëna dhe mendime mbi jetën intime, që unë kam mendimin që Pacienti vetë dhe bashkëshortja e tij, nuk do të ishin dakord që ato të shpalleshin pas vdekjes së Pacientit. Po kështu në librin “Blloku”, jepen mendime dhe argumente kryesisht të karakterit psikologjik nga ana e autorit të librit, për ngjarje të ndryshme të asaj kohe, mendime këto të cilat nuk i ka shprehur Pacienti dhe me të cilat vetë Pacienti, kur ishte gjallë, besoj se nuk do të ishte dakord.

Këto mund të kenë qenë disa nga arsyet që për botimin e librit: “Blloku”, nuk është marrë miratimi familjes së Enver Hoxhës. Në lidhje me këto botime, unë kam këto vërejtje dhe sugjerime:

-Botimi i këtyre librave, të dy mjekëve të njohur: Prof. Dr. Isuf Kalo dhe Prof. Dr. Ahmet Kamberi, po kështu edhe botimet e mjekëve të tjerë që kanë mjekuar Enver Hoxhën, do të ishte mirë që të shoqëroheshin edhe me publikimin e plotë të raportit të autopsisë, sikurse është vepruar me udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik, Leninit dhe Stalinit. Kjo më shumë për të vërtetuar ose hedhur poshtë hipotezën, që ai mund të jetë eliminuar. Kjo akuzë e shpallur në shtyp, është ngritur nga njëra prej nuseve dhe njërit prej djemve të Enver Hoxhës, sipas të cilës, ai është helmuar.

-Do të ishte më e përshtatshme që libra të tillë, të botoheshin në një kohë më të vonë, sikurse rekomandohet nga literatura përkatëse, sipas të cilës kujtesa e njerëzve që e kanë njohur të vdekurin, është shumë më e rëndësishme se ajo që ka mbetur në gjeneratat e më pasme, prandaj mbrojtja e konfidencialitetit mjekësor pas vdekjes, do të pakësohet me kalimin e kohës, deri në zhdukjen e plotë të tij.

Kjo, për arsye se botimi i këtyre dy librave, sidomos i librit “Blloku” u shoqërua, përveç lavdërimeve të shumta, edhe me një reagim të rreptë kundërshtues ndaj paraqitjes simpatike të Enver Hoxhës, në marrëdhëniet me mjekët që e kuronin atë, ndërkohë që në mendjet e njerëzve, si atyre të moshuar por edhe atyre më të rinj, janë ende të freskëta dëshmitë shumë negative të jetës së Enver Hoxhës, një pjesë nga ato të publikuara nga ata që e kanë njohur që në rininë e tij, si dhe ato të krimeve monstruoze të urdhëruara prej tij, shumë prej tyre ende të pazbuluara.

P.sh., shkrimtari dhe studiuesi Vedat Kokona (Kokona 2020), që e ka njohur që në rini Enver Hoxhën, në kujtimet e tij, midis të tjerave shkruan se; “Ai ka qenë  një sfinks ndanë piramidës të ndërtuar me eshtrat e atyre që vrau…..e mbylli këtë vend në një bodrum të fëlliqur, në një kënetë të ndotur, ku krokasin natë e ditë bretkosa të mjera…! Afro gjysmë shekulli në errësirë, në këllirë, me mashtrime, gjurmime, pushkatime, internime, spiunime, kur bije në shtrat me frikë dhe ngriheshe me frikë…….kur duhej të flisje dhe të thoshe ato që s’doje t’i thoshe….etj”!

Një vlerësim tjetër negativ për Enver Hoxhën, nga një person anonim: “Njeri i lig dhe i djallëzuar shumë. Vuajti shumë ky popull. Nuk ja kishte borxh….! Ç’faj patën gjyshërit tanë që ishin me dhën, e me dhi, me shtëpi e katandi? Ç’faj patën ata që mësuan në shkollë dhe u diplomuan në Perëndim? Pse Enveri ishte tapë topi dhe aventuerier….! Hajt të bëjë terror gjithë të diplomuarit, gjithë pasanikët, gjithë të kamurit etj.

Në përfundim duhet theksuar se:

-Parimi i rëndësishëm i konfidencialitetit mjekësor, i cili nga një detyrim moral është kthyer në një detyrim ligjor dhe në fund si një nga të drejtat fondamentale të njeriut, përmban edhe të fshehtën mjekësore pas vdekjes, të njohur jo aq sa duhet.

-Kjo e fundit përmban aspekte të ndryshme që i përkasin argumenteve kryesisht filozofike, interesave të personit të vdekur, rrethanave kur kjo e fshehtë nuk ruhet, kohës që ka kaluar nga vdekja, personave që kanë detyrimin për ruajtjen ose jo të saj, rasteve të ruajtjes ose jo të saj për personat e njohur etj.

-Kjo lloj e fshehte mjekësore, sidomos ajo e një personi publik për vendin tonë, përbën një çështje shumë delikate që kërkon një kujdes shumë të madh në rastet e shpalljes së saj. Bardhyl Çipi Memorie.al

Rajonet e varfëra do të preken më tepër, ndryshimet e klimës pritet të ulin ndjeshëm të ardhurat botërore

Një studim i Institutit të Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit të Klimës (PIK) i publikuar në revistën shkencore “Nature” thotë se ndryshimi i klimës mund të shkaktojë deri në vitin 2050 një rënie prej rreth 20% të prodhimit të përgjithshëm bruto (PPB). Shkencëtarët thanë se kjo shifër do të përkeqësohet nëse vendet nuk arrijnë të përmbushin objektivat për uljen e emetimeve.

 

Studiuesit e IPK-së thanë se llogaritjet e tyre bazoheshin në perspektivën e vendeve si Gjermania për të arritur qëllimet e tyre për uljen e emetimeve. Aktualisht shumica e vendeve duket se nuk ka gjasa t’i arrijnë këto objektiva, që do të thotë se ndikimi financiar mund të jetë akoma më i madh se dëmi drastik i parashikuar.

Sipas llogaritjeve të studimit barra ekonomike e ndryshimeve klimatike mund të arrijë në 35.6 trilion euro në vit, një shumë gjashtë herë më e lartë se kostoja e vlerësuar për kufizimin e temperaturave globale në 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.

Rajonet më të varfra do të preken më tepër

Studimi thekson se pavarësisht dëmeve që prekin rajone të ndryshme në nivele të ndryshme, rajonet më të varfra dhe ato që kontribuojnë më pak në ngrohjen globale do të goditen më rëndë.

“Vendet më pak përgjegjëse për ndryshimet klimatike parashikohet të pësojnë një humbje të të ardhurave që është 60% më e madhe se vendet me të ardhura më të larta dhe 40% më e madhe se vendet me emetim më të lartë,” tha Anders Levermann, studiues pranë IPK-së.

Studiuesit parashikuan, për shembull, se ekonomitë e vendeve të industrializuara si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tkurren me afërsisht 11% deri në mesin e këtij shekulli, kurse Franca 13%, edhe nëse do të ndërmerren veprime të sukseshme për mbrojtjen e klimës.

Shkencëtarët e IPK-së analizuan  për studimin e tyre të dhëna klimatike të mbledhura 40 vitet e fundit në më shumë se 1,600 rajone. Në analizën e tyre ata e përjashtuan koston e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore si stuhitë dhe zjarret, të cilat gjithashtu janë intensifikuar prej ndryshimeve klimatike dhe të cilat do të rrisin ndjeshëm dëmet./DW

Partia konservatore në pushtet fiton bindshëm zgjedhjet parlamentare, por s’mund të qeverisë e vetme

Partia konservatore në pushtet e Kroacisë, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) e udhëhequr nga kryeministri Andrej Plenkoviç fitoi bindshëm në zgjedhjet parlamentare të së mërkurës.

 

Bashkimi Demokratik Kroat mbështet kursin pro-perëndimor, por atij do t’i duhet mbështetja e grupeve të ekstremit të djathtë për të ruajtur pushtetin, në bazë të përllogaritjeve zyrtare të votave.

Zgjedhjet pasuan një fushatë të ashpër midis presidentit dhe kryeministrit të vendit, e cila krijoi një krizë politike në vendin ballkanik prej 3.9 milionë banorësh, i cili është anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Bashkimi Demokratik Kroat, i kryesuar nga Andrej Plenkoviç ishte në garë me një aleancë të partive të qendrës dhe të krahut të majtë, të kryesuar nga presidenti populist Zoran Milanoviç dhe Partia e tij Social Demokratike, ose SDP.

Me mbi 90% të votave të numëruara, komisioni shtetëror zgjedhor tha se HDZ fitoi 60 vende në parlamentin me 151 vende. SDP siguroi 42 vende.

Partia e së djathtës së skajshme, Lëvizja për Shtetësinë u radhit e treta, me 14 vende, gjë që i jep asaj një rol vendimtar në negociatat për qeverinë e ardhshme.

“Nga nesër në mëngjes, ne do të fillojmë të formojmë një shumicë të re parlamentare për të krijuar qeverinë tonë të tretë,” tha zoti Plenkoviç në fjalimin e tij të fitores.

Votuesit nuk prisin që gjërat të ndryshojnë shumë pas zgjedhjeve.

“Unë nuk mendoj se do të ndryshojë gjë. Fushata nuk ishte shumë e mirë, kishte shumë fyerje nga të gjitha anët. Sidomos për ne pensionistët, gjërat do të mbeten ashtu siç janë”, thotë Ljerka Majcen, pensioniste nga Zagrebi.

Partia në pushtet bëri fushatë duke iu kujtuar votuesve rritjen ekonomike të kohëve të fundit, të nxitur nga anëtarësimi i vendit në zonën ‘Schengen’ dhe në eurozonë.

Social Demokratët theksuan luftën kundër korrupsionit, pasi partia e Kryeministrit Plenkoviç është dëmtuar nga një mori skandalesh korrupsioni dhe hetimesh kundër zyrtarëve të lartë të partisë, përgjatë viteve të fundit.

“Pritja ime është që qeveria të ndryshojë pasi kemi duruar ata që janë në pushtet prej tetë vjetësh. Mendoj se është koha që njerëzit të zgjedhin dikë tjetër që ndoshta mund të jetë një zgjedhje më e mirë, të paktën shpresojmë se mund të jetë”, thotë pensionisti tjetër nga Zagrebi, Bozhidar Zupan.

Presidenti ka një rol kryesisht ceremonial në Kroaci, ndërsa kryeministri ushtron pjesën më të madhe të pushtetit politik.

Zoti Milanoviç, i cili si president cakton datën e zgjedhjeve, në mënyrë të pazakontë njoftoi muajin e kaluar se do të kandidonte në zgjedhje duke qenë ende në detyrë.

Gjykata e lartë e vendit vendosi se kjo ishte jokushtetuese dhe e ndaloi atë të bënte fushatë. Atij gjithashtu iu ndalua të paraqitej zyrtarisht në listat e kandidatëve dhe SDP-së iu ndalua që të bënte fushatë për të si kandidat për kryeministër.

“Unë dua që votuesit të zgjedhin një Kroaci ku respektohet kushtetuta. Dua që kroatët të votojnë për të qëndruar brenda familjes transatlantike dhe evropiane, ku ne jemi përpjekur të jemi gjatë tre dekadave të fundit”, tha kryeministri Plenkoviç, pasi votoi në Zagreb.

Pas vendimit të Gjykatës kundër kandidimit të tij, Presidenti vazhdoi të sulmonte gjykatën dhe partinë në pushtet nëpërmjet mediave sociale dhe paraqitjeve publike, përfshirë edhe ditën e votimit.

“Fatkeqësisht, kryeministri edhe sot, gjatë heshtjes zgjedhore, foli ashpër dhe tha idiotësira rreth shkeljes së Kushtetutës dhe respektimit të ligjit, megjithëse ai nuk e bën vetë këtë kur është fjala për kodin penal dhe atë të taksave”, tha Presidenti Milanoviç pasi hodhi votën e tij në Zagreb./VOA

Lulzim Basha starton me vetingun politik!

Nga Azgan Haklaj

Sot kryetari i PD-së Lulzim Basha kallzoi publikisht në Prokurorinë e Posaçme Anti-korrupsion kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla.
Në pamje të parë mund të duket si një
mjet normal i luftës politike midis liderit të opozitës dhe krereve të mazhoranës qeverisëse por ky veprim ka konotacion e prapa veprim shumë më të gjerë.
Përveçse në shkelje të rëndë të vazhdueshme të kushtetutës dhe traditës së parlamentarizmit në një vend normal votimi hileqar i amnistisë penale dhe rasti Xhaçka përbëjnë një linçim me ujdi të organeve të drejtësisë së re duke amnistuar kastën politike të të korruptuarve që qëndrojnë pas hekurave.
Ndaj kallzimi për znj.Nikolla në thelb është startim e materializim i idese së përsëritur të lançuar nga Lulzim Basha për veting politik pa asnjë përjashtim si mënyra unike e pastrimit nga oligarkia politike që për tre dekada po mban peng vendin.
Rasti i ujdisë politike të Rilindjes me grupimin pseudo-opozitar të Foltores, ndonëse nën maskën e normalizimit të jetës parlamentare deshmoi se në thelb ishte një ujdi kriminale e mirëmenduar për të shantazhuar e limituar aktivitetin e SPAK-ut dhe GjKKO-së.
Kjo po duket dita ditës në prononcimet kriminale të Sali Berishës nga çatia antiamerikane dhe e Ilir Metës nga klinika neoropsikike e instaluar në strofkullën e PL-së të cilët kanë dalë haptazi, por në kordinim me intimidimin e përditshëm me forma nëntoksore të Edi Ramës.
Është koha e qëndresës parimore kundër kësaj bande kriminale politike në përkrahje ekzigjente të organeve të drejtësisë së re si e vetmja shpresë solide për shpëtimin nga tumori i krimit e korrupsionit.
Kjo nuk bëhet me përberime mediatike por hapur e pa kompromis me iniciativa konkrete parlamentare e juridike siç po e zhvillon PD-ja dhe Lulzim Basha.
E mbi ç’do gjë kjo luftë është padyshim dhe prova e qartë se cila organizatë politike e cili lider qëndron realisht në krah të aleatëve tanë euroatlantikë.

“Pse mbahet në sirtar amendamenti për Kosovën?”- Basha: Nën mjegullën e ish-revolucionit keni bllokuar dhjetëra iniciativa të PD

Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha në fjalë e tij në seancën plenare, është shprehur se qytetarët nuk e dinë se çfarë marrëveshjes janë bërë mes “Rithemelimit” dhe Qeverisë, por e dinë se prej 6 muajsh nën mjegullën e ish-revolucionit janë bllokuar dhjetëra iniciativa të PD.

Ai i kërkoi parlamentit, se pse mbahen në sirtar amendamenti për Kosovën dhe shumë iniciativa të tjera me debat, që kanë të bëjnë me vettingun e politikanëve apo imunitetin e deputetëve, ndër të tjera.

Basha: Pasi mbaruat këtë serinë e parë të teatrit kthehemi te faktet. Qytetarët nuk e dinë se cfarë marrëveshjes bëni ju. Por qytetarët e dinë, se ju prej 6 muajsh nën mjegullën e ish-revolucionit rrahmetpast keni bllokuar dhjetëra iniciativa të PD.

Ka katër muaj që mbani ne sirtar amendamentin për Kosovën, s’ka nevojë Kosovë për lëpirje.

Cfarë keni bërë me projektligjin për vettingun e politikanëve? Pse nuk e sillni në Kuvend? Ku e keni projekt vendimin pe heqjen e imunitetit të deputetëve? Keni këto akte dhe dhjetëra akte të tjera nga PD?

“Janë aneks i qeverisë” – Basha akuza ndaj “Rithemelimit”: Me vendimin për Xhaçkën jemi në krizë Kushtetuese, pse nuk e bllokojnë tani foltoren?

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është ndalur të flasë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, pak minuta para nisjes së seancës, duke akuzuar grupin e “Rithemelimit” se janë aneks i qeverisë.

Basha shprehet se ata për pesë muaj bënë betejë për interesat pernale, që janë kundër interesave të qytetarëve.

Kanë 5 muaj qe bllokojnë kuvendin, gjoja e bllokojnë, kalojnë vendimet te rëndësishme pa opozitë dhe pastaj behen bashke per nje amnisti që liron të korruptuarit dhe nuk liron protestuesit që u ngriten  kunder te korruptuarve.

PAKTI vazhdon. Duan t’i imponohen PD. PD ka marre vendime. Rama kërkon të përdore këto pazarxhinj për t’i për një nder atyre dhe merr nderin tjetër ne kthim që është qëndrimi gjoja i parakorduar i Olta Xhackes, është totalisht i rakorduar.

Do e cojnë papat në Kushtetuese, për cfarë kushtetuesja e dha vendimin. Parlament nuk e zbatoi, atëhere ngrihu dhe blloko foltoren” tha fillimisht Basha.

Në lidhje me vendimin e 4 deutetëve që mbështesin Bashën për të mos firmosur padinë për ridërgimin në Kushtetuese padinë për mandatin e Xhaçkës, Basha tha se Kushtetuesja e dha vendimin dhe tanimë me venndimin e Parlamentit jemi në krizë dhe rindërgimi nuk zgjdh gjë.

Bubat e Nikolles ju mashtrojnë ju dhe opinion publik j  cdo bub kur leh e ka me te keq do dhe te haje, lehjet e këtyre bubave e kanë pasur për te ngrëne.

Me vendimin e Kushtetuese për Xhacken ne jemi në krizë. Këta nuk bëjnë asgjë, sepse e kanë ngrënë lugën e corbës.

Këta janë ngritur për 5 muaj, për të mbrojtur interesat e veta kundër interesave të qytetarëve.

Janë kthyer në një aneks për PS. Përvec kallëzimit për Nikollën, jane bllokimet e iniciativave tona.

Ky parlament në sytë e shqiptarëve ka marrë fund, kështuqë vëmendja jonë është tek shqiptarët” shtoi Basha.

PRONONCIMI PËR MEDIAT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË OBORRIN E KUVENDIT

Shikoni çfarë bëjnë, kanë 5 muaj që bllokojnë Kuvendin, gjoja bllokojnë Kuvendin, kalon buxheti në 3 minuta, kalojnë vendime të rëndësishme pa diskutim, pa opozitë dhe pastaj bëhen bashkë për një amnisti që liron të korruptuarit, amniston të korruptuarit, por nuk amniston protestuesit që u ngritën kundër të korruptuarve. Dhe pakti vazhdon ku nga njëra anë duan t’i imponohen Partisë Demokratike. Partia Demokratike ka marrë vendime. Vendime të cilat qëndrojnë në themel të identitetit tonë politik, partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të përkushtimit tonë në raport me drejtësinë. Sigurisht që Edi Ramës i leverdis ta bëj pis Partinë Demokratike dhe të përdor këta pazarxhinj për t’u bërë një nder atyre dhe merr një nder tjetër në kthim që është qëndrimi gjoja i parakorduar gjoja të Olta Xhaçkësh. Është totalisht i rakorduar. Domëthënë ajo që ndodhi me Olta Xhaçkën është totalisht i rakorduar. Dhe tani thonë do ta çojmë prap në Kushtetuese. Si do ta çosh prap në Kushtetuese? Po Kushtetuesja u shpreh. Në moment kur shprehet Kushtetuesja, Parlamenti duhet të votojë. Nuk votoi Parlamenti, ngrihu blloko foltoren. Për këto bllokohet foltorja. Ta bllokojnë këta pra, revolucionarët, pazarxhinjtë.

Pyetje: Pse nuk i lejoni 4 deputetë të firmosin sërish kërkesën për në Gjykatë Kushtetuese?

Lulzim Basha: Sepse bubat e Lindita Nikollës ju mashtrojnë ju dhe mashtrojnë opinionin publik. Jo çdo bub kur leh e ka me të keq, do dhe të hajë. Lehjet e këtyre bubave kanë qenë për të ngrënë, jo për të kërcënuar dhe kjo kuptohet tani, të çohen të bllokojnë foltoren tani. Sepse me vendimin për Olta Xhaçkën, ne jemi në krizë Kushtetuese. Kushtetuta thotë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i padiskutueshëm. Çohet partia socialiste e hedh poshtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, këta bëjnë sikur s’ka ndodhur asgjë. Pse? Sepse e kanë ngrënë lugën e çorbës së prishur apo jo, me siguri të prishur. Pra, këta janë ngritur 5 muaj me radhë, meqë më pyete. Janë ngritur duke pretenduar se po mbronin interesat e shqiptarëve, por provohen se po mbronin interesat e tyre kundër interesave të shqiptarëve. Liruan të korruptuarit, nuk liruan protestuesit dhe tani bëjnë si i bukuri shejtan. Të çohen të bllokojnë foltoren. Edhe për Komisionet Hetimore që po ua dështojnë, të çohen të bllokojnë foltoren. Po nuk e bëjnë këtë, pse? Sepse të akaparuar, janë të kapur, janë në një pazar dhe të kthyer në një aneks të partisë socialiste. Ndërsa përveç kallëzimit për Lindita Nikollën që është diçka e paralajmëruar, kryesorja është bllokimi i iniciativave tona. Ligji për vettingun e politikanëve. Projektvendimin për heqjen e imunitetit të parlamentarëve. Projektligje të tjera që kanë të bëjnë me përmirësimin e pozitës të profesioneve të lira në raport me tatimtaksat. Paketa jonë për Kodin Zgjedhor. Dy interpelanca me Edi Ramën, e shumë e shumë akte të tjera, mbahen të bllokuara. Pazari është i qartë. Sigurisht unë e kam thënë ky parlament në sy të shqiptarëve ka marrë fund. Jo më kot edhe pritshmëritë nga ky parlamenti sot nga shqiptarët janë zero. Kështu që vëmendja jonë realisht është tek shqiptarët. Është tek ndërtimi i një alternative, që do të thotë një programi dhe një ekipi, që do të thotë parlamenti i ardhëm mos t’i ngjajë në asnjë aspekt këti parlamenti.

Pyetje: Meqenëse kolegëve tuaj të opozitës juve i sygjeruat disa aksione opozitare, pra që të ndërmarrin aksione në parlament. Juve përmendët disa aksione tuajat, nisma në parlament që nuk janë respektuar, janë hedhur poshtë nga mazhoranca. Ju do të bëni ndonjë gjë në parlament që të kërkoni të merren parasysh këto.

Lulzim Basha: Padiskutim, do të flas këtu dhe do të flas në Parlament. Do t’u bëj të ditur, pavarësisht përpjekjes për ta zhvendosur vëmendjen nga çështjet e vërteta, do t’ua bëj të ditur në mënyrë të palodhur opinionit publik, ku qëndron Partia Demokratike, ku qëndrojmë ne. Po këto janë fakte. Të gjitha këto ligje janë të depozituara, amendamenti për Kosovën është i depozituar. I mbajnë aty në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ndërkohë që revolucionarët nuk ngrihen për një krizë kushtetuese. Nuk është thjesht mandati i Olta Xhaçkës, është krizë kushtetuese mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kaq e thjesht është.

Pyetje: Pse nuk ngriheni ju që ta bllokoni të parët foltoren e Kuvendit dhe ndoshta do t’u bashkohen dhe të tjerët?

Lulzim Basha: Shiko, se ku qëndrojnë ata është bërë e qartë. Ne jemi ngritur dhe u tham mos votoni amnistinë, e votuan. Pse? Bëja pyetjen vetes pse dhe çdo qytetar e kupton se pse. Sepse janë bashkë. Amnistuan të korruptuarit dhe nuk amnistuan protestuesit kundër korrupsionit. Janë bashkë për interesat e tyre dhe kundër interesave të shqiptarëve. Kush ka pritshmëri nga partia socialiste dhe aneksi i partisë socialiste e ka gabim. Kështu që thirrja ime ndaj atyre deputetëve në grupin e deputetëve të opozitës dhe të Partisë Demokratike që po fillojnë ta kuptojnë se çfarë lojërash luhen, është të distancohen me shpejtësi dhe natyrisht t’i bashkohen betejës së Partisë Demokratike zyrtare që është e vetmja forcë politike, i vetmi faktor politik sot që mbron interesat e shqiptarëve, që qëndron për reformën në drejtësisë, për mbështetjen pa kushte për SPAK-un dhe për vlerat Euro-Atlantike.

Tallja Nikolla-Bardhi si provë e durimit të ndërkombëtarëve!

Nga Namir Lapardhaja

Nëpërmjet një shkrese të bërë publike dy ditë më parë, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka bërë kujdes të sqarojë se Sali Berisha nuk është pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, për arsye se kërkesa e Gazment Bardhit nuk e përfshinte atë te deputetët e përjashtuar nga ky grup gjatë kësaj legjislature.

Nga ana tjetër, vetë Bardhi është treguar thellësisht ambig dhe i paqartë në deklaratat e tij në raport me rikthimin e Berishës “Non grata” në grupin e PD-së.

Është e qartë se përgjigjja e Nikollës dhe kërkesa e Bardhit janë në koordinim të plotë me njëra-tjetrën dhe sigurisht që janë bërë në dijeninë e plotë të Ramës dhe të Berishës, për arsye se kjo është një lojë që shkon tej mundësive të dyshes Nikolla-Bardhi.

Në një kohë që Lindita Nikolla nuk i kthen përgjigje shkresave zyrtare të PD lidhur me përfaqësimin dhe drejtimin e grupit parlamentar, ajo tregohet e kujdesshme të “shfajqësojë” Bardhin që nuk e ka kërkuar nëpërmjet shkresës së tij, ndofta si pasojë e ndonjë lapsusi, por edhe veten, duke u treguar “e ashpër” për të mos pranuar Berishën në Grupin Parlamentar të PD.

Në fakt, është e qartë që të dyja palët luajnë dhe tallen.

Pikë së pari, tallen me qytetarët, qofshin demokratë apo socialistë, duke i trajtuar si fëmijë të paditur, që nuk kuptojnë, me të cilët mund të bësh lojëra të tilla, të qepura trashë, dhe ata të mos kuptojnë.

Së dyti, tallen me ndërkombëtarët, të cilëve u thonë që ne nuk kemi punë me “Non gratën”, mirëpo, nga një anë, Bardhi e njeh si kryetar dhe është bërë nënkryetar i tij, ndërsa, nga ana tjetër, Nikollës i intereson kjo situatë, sepse për sa kohë që Berisha të jetë pjesë e lojës politike dhe opozita të jetë në këtë gjendjeje, PS vijon e pashqetësuar pushtetin.

Edhe pse deri më sot ndërkombëtarët nuk janë shprehur për këtë çështje, duke e ndjekur në heshtje dhe duke mbajtur shënim, për shkak të pritjes me durim të përfundimit të çështjes së PD-së në dyert e gjykatës së Apelit, raporti i fundit i “Freedom House” tregoi se amerikanët janë të qartë jo vetëm për atë që po ndodh, por, mbi të gjitha, ata nuk kanë luajtur asnjë milimetër nga qëndrmi fillestar për Sali Berishën dhe atyre që iu bashkëngjitën atij.

Sigurisht që talljes së Nikollës dhe Bardhit shumë shpejt do t’i vijë fundi, por atëherë dëmet do të jenë të parikuperueshme për opozitën, sepse pushteti në rregull është, atij i intereson thjesht vazhdimësia.

Kjo që po ndodh është një kambanë alarmi për opozitën dhe për popullin e pakënaqur, i cili nuk duhet të jetë thjesht spektator në këtë mizanskenë, por duhet të bëhet protagonist, duke e kuptuar se çfarë po luhet në sytë e tij dhe, më pas, duke u bërë pjesë e ndryshimit të nevojshëm dhe të kërkuar.

Revokimi i vendimit për deputetët e përjashtuar nga grupi/ PD kallëzon në SPAK Lindita Nikollën: Ka shpërdoruar detyrën

Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht në SPAK, kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Në shkresë thuhet se Nikolla ka shpërdoruar detyrën e kryetares së Parlamentit.

Kallëzimi në fjalë bëhet pas revokimit të vendimit të Bashës nga ana e Bardhit, që rikthehu në grupin e PD-së deputetët e përjashtuar.

“Dosja ndaj Metës në përfundim, gati të merret i pandehur”, Kthupi: Ish-Presidenti i shqetësuar për…

Avokati Rezart Kthupi dhe njëherazi anëtar i kryesisë së PD-së, i ftuar në studion e emisionit “Open” ka komentuar deklaratat e fundit të Ilir Metës ndaj SPAK dhe kryeprokurorit Altin Dumani.

Ai u shpreh se për disa muaj Meta ishte i qetë në daljet e tij dhe se sulmi i fundit ndaj SPAK tregon se diçka ka ecur përpara në dosjen ndaj tij.

Sipas tij fakti që Meta përmend konkretisht emrin e Kastriot Ismailajt tregon se ka një shqetësim lidhur me këtë të fundit ose një dëshmi që ai mund të ketë dhënë për SPAK.

Kthupi u shpreh se sipas informacioneve që ka, dosja ndaj Metës është në përfundim dhe prokuroria është gati për ta marrë si të pandehur.

“Meta ishte shumë i qetë për një periudhë kohore dhe rikthehet këto ditë me një sulm frontal ndaj SPAK. Diçka ka ecur përpara në dosje, logjika të bën ta mendosh këtë. Fakti që Meta përmend emra konkretë tregon se ka një shqetësim me këtë emër, më konkretisht Kastriot Ismailaj. Nëse ai ka diçka për ta thënë është detyra e prokurorit të shkojë në burg ta pyesë. Meta ose ka frikë nga diçka që mund të thotë Ismailaj ose prokurori nuk do të shkonte. Sipas informacioneve që kam dosja është në përfundim dhe prokuroria do të shkojë ose ka shkuar në gjykatë me kërkesën për masën e sigurimit ose për kërkesën për gjyq. Jemi në kushtet kur do të dalë një vendim gjykate me të cilin Meta shkon drejt masës së sigurimit, ose hetohet në gjendje të lirë. Prokuroria është gati për ta marrë si të pandehur”, u shpreh Kthupi.

Fundi i mediave të mëdha…

Nga Albi Xhunga

Beteja e pamundur

Ideja e një reforme në drejtësi, e cila do të bënte të mundur purifikimin e klasës politike shqiptare, dukej haluçinante dekadën e shkuar. Të mendoje maxhoranca e korrupsionit të sotëm dhe opozita e korrupsionit të djeshëm do të votonin një reformë që do ta drejtonte çekanin e drunjtë mbi kokën e tyre, ishte të ëndërroje ca si shumë. Mirëpo në këtë reformë me pretendime të larta e me gjasa të vogla, vuri fytyrën dhe besueshmërinë e saj fuqia më e madhe e globit.

Parë nga Tirana, basti dukej i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Të fuqishmit nuk do të vetëpërdhunoheshin haptas, duke firmosur me dorën e tyre, jo vetëm fundin politik, po me shumë gjasa edhe burgosjen. Mirëpo parë nga Uashingtoni, panorama është krejt tjetër. Shqipëria është një pikë e vogël në hartën e botës. Është e varfër, e prapambetur, e pafuqishme. Bejlerët lokalë që parë nga topet e kalit të Skënderbeut duken si zotër të mëdhenj, parë nga Uashingtoni duken si ca parazitë të bezdisshëm që duhen shtypur me këmbë.

Kuvendi votoi me 140 vota. Të fuqishmit i ulën brekët deri në fund të këmbëve, duke mbetur të pambrojtur nga çfarë do të vinte më pas. Dikush ngushëllohej duke menduar se do të amnistohej si nxënës i bindur, dikush duke menduar se gjithsesi edhe kjo reformë do të përfundonte si të tjerat, ndërsa dikush tjetër duke menduar se mund të shpëtonte duke bërë si gjithmonë në kohë të vështira, t’i vinte zjarrin Shqipërisë. Tani po ua ndjen prapanica lagështirën, po është pak si vonë.

Ngjarja ishte votimi me 140 vota. Të tjerat janë pasoja. Ikën me qindra magjistratë nga sistemi. Po burgosen politikanë, drejtorë, shefa, etj. Tsunami ka filluar dhe nuk dihet se sa të tjerë do të marrë me vete. Jemi në show time.

Beteja e munguar

Për marrëveshje fjale, me media duhet të kuptojmë perandoritë mediatike. Pak a shumë ato për të cilat fliste raporti i Freedom House e që zotërojnë shumicën dërrmuese të audiencës. Mediat e vogla dhe portalet nuk hyjnë në këtë analizë, sepse pesha e tyre në tregun mediatik është modeste. Madje portalet kanë kontribuar fort në diskreditimin e mediave të mëdha, por kjo është një analizë tjetër.

Mediat në Shqipëri janë gratis. Publikut i ofrohet produkti mediatik falas. Këtu lind pyetja; Ku i nxjerrin fitimet e tyre këto media që na e ofrojnë produktin e tyre totalisht gratis?

Në perëndim ka tre modele kryesore. Njëri është modeli klasik ku media e shet produktin e saj me para. Tjetri është modeli i një media totalisht gratis, e cila e nxjerr fitimin e saj përmes të ardhurave nga reklamat. Janë edhe mediat shtetërore, të cilat financohen nga taksat. Në Shqipëri nuk ka asnjë media të madhe që ta ketë pozitiv bilancin e shpenzimeve me të ardhurat nga reklamat. Këto media kanë nevojë të vazhdueshme për financim, pasi janë biznese me bilanc negativ. Thënë më troç, janë biznese që dalin me humbje. Atëherë lind pyetja; Nga vijnë këto para që u injektohen mediave? Përgjigje e thjeshtë, nga korrupsioni. Media në çdo rast ia shet produktin e saj konsumatorit. Vetëm se kjo nuk ndodh direkt, pra me abonim. Kjo nuk ndodh as indirekt, duke i nxjerrë fitimet nga reklamat. Këtu kemi të bëjmë me një skemë korruptive e cila e vë median (pseudo-pushtetin e katërt) në shërbim të politikës dhe si shërbim merr koncensione, leje ndërtimi, status investitori strategjik, etj.

Në kapitalizëm nuk ka asgjë gratis. Çdo gjë ka një kosto e për rrjedhojë edhe një çmim. Si rregull, ajo që duket se ofrohet gratis kushton më shtrenjtë se sa do të kushtonte nëse do të paguhej direkt, sepse kjo është faturë e kamufluar. Pra shqiptarët shikojnë tv gratis dhe këtë, përveçse e paguajnë me trushpëlarje masive, e paguajnë sa frëngu pulën edhe me koncensione korruptive, leje ndërtimi abuzive e përfitime nga më të ndryshmet.

Ajo betejë që duhet të ishte bërë nga mediat, mungon. Mediat nuk e luajtën rolin e tyre për t’u dhënë zë atyre që nuk kanë, për të denoncuar skandalet, etj, etj. Përkundrazi, ato u bënë vegla propagande e censure.

Beteja e panevojshme

Si rregull logjik, do të duhej të goditeshin të gjitha kolonat e sistemit. Mirëpo nëse i hedhim një sy asaj që ka ndodhur dhe asaj që po ndodh, vëmë re se ka goditje ndaj pushtetit legjislativ, ka goditje ndaj pushtetit ekzekutiv, ka goditje ndaj pushtetit gjyqësor, por mungon goditja ndaj pushtetit të katërt.

Pse vallë? Pse po kursehet kjo kolonë e sistemit? Përgjigjen e kësaj pyetje na e jep vetë natyra e medias. Nuk ka goditje më të sikletshme se sa goditja ndaj medias, sado e korruptuar të jetë ajo. Zhurma që do të bëhej do të ishte e paimagjinueshme. Do të denoncohej goditja e atyre mediave që kanë qenë kritike me drejtësinë e re dhe kjo e fundit po hakmerrej. Do të ngriheshin në këmbë organizatat ndërkombëtare, se po goditet fjala e lirë, do të miratoheshin rezoluta, etj, etj.

Por kjo nuk do të thotë aspak se media do të shpëtojë. Duke qenë produkt i sistemit, media do të mbijetojë për aq kohë sa të mbijetojë dhe sistemi. Nëse sistemi bie, media falimenton. Nuk mund të mbijetojë në treg të lirë një media që është mësuar të financohet nga paratë e korrupsionit. Pra nëse drejtësia e re arrin të zhdukë praktikat korruptive, medias i thahen burimet. Kjo e bën të panevojshme goditjen ndaj medias së korruptuar që bën propagandë në shërbim të politikës së korruptuar dhe censuron lajme. Si afera e inceneratorëve iu censurua publikut për vite me radhë. Apo si afera 5D, për të cilën disa televizione u bënë aq qesharake, sa transmetonin reagimet e Lalit edhe pse e kishin censuruar totalisht lajmin.

Pra goditja ndaj medias është thjesht e panevojshme. Mjafton të goditet burimi dhe 4/5 televizionet më të fuqishëm në Shqipëri mbyllin qepenin.