18.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Çela liston problematikat në Prokurorinë e Përgjithshme gjatë 2023-shit: Infrastrukturë e pamjaftueshme, masat kërkojnë angazhim ndërinstitucional

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsjan Çela po raporton në KLP problematikat dhe arritjet për vitin 2023.

Çela: Viti 2023 ishte një vit sfidues për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të çështjeve administrative dhe procedurale që lidheshin me zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe vijimit të uljes së numrit të prokurorëve si pasojë e pezullimit apo shkarkimit gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet pavarësisht ngarkesës, dhe bashkëpunimi institucional dhe ndërinstitucional, dhanë rezultate në punën hetimore dhe zbatimin e rekomandimeve drejtuar prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, siç do të paraqitet në vijim.

Përgjatë vitit 2023 vlerësoj se janë arritur rezultate në një sërë objektivash në fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, kjo në sajë edhe të masave administrative dhe procedurale institucionale, siç janë miratimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të vijuar unifikimin e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre. Kujdes i veçantë i është kushtuar vijimit të zbatimit të akteve të përbashkëta me institucione e agjenci ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe miratimit të marrëveshjeve të reja për të rritur efektivitetin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Kështu, ndër këto masa veçojmë:

– masat për ndjekjen e rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet, detajimit në planin e veprimit të miratuar nga Prokurori i Përgjithshëm, të aktiviteteve të nevojshme për adresimin e çdo rekomandimi, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tij.

– masat për ndjekjen e rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave “Për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2023” nëpërmjet, miratimit dhe zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm nr. 2/2023 “Për rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2023 në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”, miratimit me urdhrin nr. 70/2023 të planit të veprimit me aktivitete të qarta për zbatimin e rekomandimeve prioritare. Në këto akte udhëzohen masa administrative dhe procedurale për drejtuesit e prokurorive, drejtuesit e seksioneve dhe prokurorët, për të rritur angazhimin proaktiv, koordinimin dhe bashkëpunimin brenda prokurorisë dhe me prokurori të tjera e me institucionet ligjzbatuese, konsolidimin e kapaciteteve dhe menaxhimin efektiv të punës duke prioritizuar veprat penale të rekomanduara për një sistem prokurorie efikas.

– Masat e marra për ndjekjen e objektivave prioritare institucionale në luftën kundër kriminalitetit, ku fokus të veçantë edhe në vitin 2023 kishte vepra penale e pastrimit të parave, vijimi i punës për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme, zbatimin e hartës gjyqësore, digjitalizimin, monitorimin e veprimtarisë së policisë gjyqësore, bashkërendimin me institucione të drejtësisë dhe ato ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, forcimi i kapaciteteve institucionale.

– Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar dhe ka kontribuar në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian, fokusuar në realizimin e masave ku veçojmë: raportimet periodike për progres raportin për kapitujt 23 e 24, planin e veprimit FATF/ICRG, raportimet për Nënkomitetin Drejtësia, Liria dhe Siguria, dhënien e kontributit në hartimin e Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës.

-Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjithshme është përfshirë dhe angazhuar në fazën e zbatimit të hartës së re gjyqësore në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Për të unifikuar veprimtarinë proceduralee dhe mirërregulluar aktivitetin administrativ institucional u synua ndërhyrja me akte nënligjore të Prokurorit të Përgjithshëm.

Gjatë vitit 2023, grupi i punës i ngritur me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, ka ndjekur mbarëvajtjen e procesit dhe ka propozuar marrjen e masave administrative të nevojshme në mënyrë që riorganizimi i prokurorive dhe mbarimi juridik/mbyllja e disave prej tyre, të bëhej në një kohë sa më të shpejtë e duke zgjidhur çdo problematikë të mundshme.

Në kuadër të zbatimit të udhëzimit nr. 1/2023 “Për masat administrative dhe procedurale për zbatimin e hartës së re gjyqësore në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe gjykatës së apelit të juridiksionit të përgjithshëm”, u identifikuan, administruan dhe inventarizuan aktet, dokumentet, regjistrat dhe arkivat për të mundësuar funksionimin sa më të shpejtë me qëllim garantimin e respektimit të të drejtave dhe lirive të personave nën hetim, të pandehurve e viktimave në procesin penal, ruajtjen e sekretit të hetimeve apo ndalimin e publikimit të akteve procedurale penale, sigurimin e vazhdimësisë së shërbimeve për publikun në prokurori, sipas afateve e kritereve ligjore të përcaktuara.

Pas studimit të strukturave organike, u planifikua shpërndarja e burimeve njerëzore për të siguruar numrin e nevojshëm të prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore dhe stafit mbështetës për garantimin e një ngarkese sa më proporcionale të punës.

U transferuan/bashkuan shërbimet e aseteve informatike për gjithë prokuroritë, duke garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e tyre nga humbja, aksesi i të tretëve, vijimin e shërbimeve, si dhe monitorimin e vazhdueshëm të aspekteve të sigurisë në prokuroritë e të gjitha niveleve.

Sa i përket kapaciteteve akomoduese, duke njohur problematikat lidhur me infrastrukturën e pamjaftueshme janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Këtu përmendim: në Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, kanë vijuar punimet në kuadër të investimit për shtimin e një kati ndërtese i cili do të krijojë hapësira të nevojshme për akomodimin e të gjithë stafit të kësaj prokurorie. Për

Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, i është kërkuar Bashkisë Fier marrja në administrim e një godine tjetër. Ka përfunduar detyra e projektimit nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara. Pas vënies në dispozicion nga Bashkia Tiranë të një sheshi ndërtimi do të vijohet me hartimin e projektit. Kemi kërkuar angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e marrëveshjes ndërmjet

Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë për vënien në dispozicion të ambienteve akomoduese shtesë/ndërtesa ekzistuese të cilat më pas do t’i nënshtrohen rikonstruksionit dhe përshtatjes, për prokuroritë dhe gjykatat në rrethet Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, pasi ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme ka realizuar detyrimet e saj sipas marrëveshjes, nga ana e palëve të tjera nuk janë respektuar detyrimet e ndërmarra.

Në mënyrë të përmbledhur aspektet e veprimtarisë së prokurorisë për vitin 2023, pasqyrohen më në detaje, sa më poshtë:

I. ORGANIZIMI I BRENDSHËM, GJENDJA, PROGRESI, PROBLEMATIKAT

Strukturat dhe burimet njerëzore

Në funksion të ruajtjes së nivelit të efektivitetit në veprimtarinë administrative e funksionale të prokurorive, garantimin e paanshmërisë, shpërndarjen e ekuilibruar të volumit të punës në zbatim edhe të hartës gjyqësore, me urdhrat nr. 1/2023, nr. 10/2023 dhe nr. 89/2023, të Prokurorit të Përgjithshëm, janë caktuar strukturat organike të prokurorive pranë gjykatave të shkallës të së parë të juridiksionit të përgjithshëm, apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Në vitit 2023 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 198 (përfshirë dhe emërimet në korrik të 26 magjistratëve të rinj). Ky tregues evidenton strukturën faktike me 62 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 38 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: – 177 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 101 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (64 % e strukturës organike); 10 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 16 prokuror më pak krahasur me numrin organik (38 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 6 prokurorë më pak se numri organik (65 % e strukturës organike).

Kuadri nënligjor 2023

Udhëzime të përgjithshme dhe akte normative me rëndësi në aspektin organizativ dhe funksional të miratuara në vitin 2023 mund të përmendim: udhëzimin e përgjithshëm, nr. 01, datë 26.01.2023 “Për masat administrative dhe proceduralee për zbatimin e hartës së re gjyqësore në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe gjykatës së apelit të juridiksionit të përgjithshëm”, udhëzimin e përgjithshëm nr. 02, datë 12.05.2023 “Për rekomandimet prioritare në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2023 në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”; urdhrat “Për caktimin e personelit në zbatim të udhëzimit të përgjithshëm nr. 3/2019, i ndryshuar, për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore 2023, “Për miratimin e planit të veprimit për zbatimin e rezolutës së Kuvendit datë 06.07.2023 “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2022”, “Për miratimin e planit të veprimit për zbatimin e ‘Rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2023’”; Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Brendshme dhe Bankës së Shqipërisë

“Për rritjen e eficencës në parandalimin dhe mbrojtjen e monedhave nga falsifikimi dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në këtë fushë” nr. 57 prot., i Prokurorisë së Përgjithshme, datë 17.01.2023; Marrëveshja e Bashkëpunimit

“Për funksionimin e mekanizmit kombëtar të referimit për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit të personave”, nr. 1311 prot., datë 14.08.2023 ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, dhe organizata me objekt veprimtarie këtë fushë.

Mbi dixhitalizimin

Prokuroria e Përgjithshme e ka konsideruar thelbësore për rritjen e eficiencës së punës, ngritjen dhe funksionimin e sistemit të menaxhimit të çështjes. Për këtë qëllim, me urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm nr. 04 datë 09.01.2023 u ngrit grupi i punës për përgatitjen e dokumentacionit përkatës për krijimin e sistemit të ri të menaxhimit të çështjes.

Në mbështetje të prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, Bashkimi Evropian është angazhuar për të mbështetur financiarisht ngritjen e Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve, dhe për këtë arsye, fondi i akorduar me buxhetin e vitit 2023 për fazën e parë të investimit nuk u përdor. Për sa më sipër, me urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm nr. 04, datë 04.01.2024 është ngritur grupi i ekspertëve mbështetës për sistemin e qendërzuar të çështjeve për të siguruar mbështetje dhe koordinim sa më efektiv të prokurorisë për realizimin e këtij projekti.

Ndërkohë është bashkërenduar puna me Qendrën e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë dhe është hartuar korniza e ndërveprimit të sistemeve të reja të sistemit të drejtësisë (ku përfshihet edhe sistemi CAMS) e cila përfshin ndër të tjera ndërlidhjen e sistemeve elektronike të tyre ndërmjet njëri-tjetrit, por edhe me bazat e të dhënave shtetërore me protokolle informatike, për një komunikim sa më eficient dhe të sigurtë.

Policia gjyqësore

Prokurori i Përgjithshëm mbi bazën e shkeljeve të evidentuara në vitin 2023, ka kërkuar fillimin e hetimeve për shkelje disiplinore për 2 oficerë të policisë gjyqësore.

Sektori i Monitorimit, në Prokurorinë e Përgjithshme, në zbatim të udhëzimit nr. 10/2021 “Për ushtrimin e funksionit të monitorimit në sistemin e prokurorisë dhe bashkëpunimin me institucionet kushtetuese dhe ligjore”, i ndryshuar, ka monitoruar, analizuar dhe vlerësuar të dhënat statistikore të nxjerra nga sistemi

Statistikat e veprimeve hetimore të oficerëve të policisë gjyqësore të seksionit të prokurorisë si dhe ka përgatitur informacione përmbledhëse periodike 3-mujore për Prokurorin e Përgjithshëm për gjetjet nga monitorimet duke propozuar zgjidhje konkrete.

Është urdhëruar 1 inspektim tematik për saktësinë në hedhjen e të dhënave në sistem në përfundim të të cilit u konstatuan shkelje nga 23 oficerë të policisë gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Prokurori i Përgjithshëm, pas njohjes me rezultatet e inspektimit, ka kërkuar zbatimin me korrektesë të udhëzimit nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore dhe marrjen e masave nga ana e drejtuesve për sigurimin e saktësisë së të dhënave të hedhura.

Marrëdhëniet me median

Një aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, në funksion të rritjes së transparencës dhe të besimit të publikut ka qenë pasqyrimi i gjerë dhe cilësor në media i punës së prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm në të gjitha nivelet. Në këtë kuadër, është shtuar ndjeshëm intensiteti dhe sasia e informacionit që i është komunikuar medias, përmes një angazhimi më të madh të prokurorive të shkallës së parë në përcjelljen e informacionit dhe publikimin e tij. Prokuroria e Përgjithshme përmes një qasje proaktive dhe dinamike, ka nxitur, mbështetur dhe koordinuar prokuroritë dhe prokurorët e mediave për të forcuar ndërveprimin e tyre me median dhe publikun, çka besojmë se ka rritur dukshëm vizibilitetin e punës së kryer përgjatë gjithë vitit.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar pasqyrimit të punës edhe në faqen zyrtare të institucionit si dhe në profilin zyrtar të tij rrjetin X, ku përveç njoftimeve zyrtare mbi hetimet, gjykimet apo veprimtari të ndryshme institucionale, vazhdimisht janë publikuar të dhëna specifike të nxjerra nga raportet vjetore mbi gjendjen e kriminalitetit, me qëllim përmirësimin e cilësisë së informacionit të transmetuar nisur nga një këndvështrim më analitik dhe përgjithësues i fenomeneve kriminale.

II. VEPRIMTARIA E PROKURORIVE, PROBLEMATIKAT DHE ÇËSHTJET QË KËRKOJNË VËMENDJE

1. Veprimtaria e prokurorive të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm

Raporti mbi gjendjen e kriminalitetit, ku përfshihet dhe raporti mbi ngarkesën e punës së prokurorive për vitin 2023 që i janë vënë në dispozicion këtij Këshilli, paraqesin të dhëna të hollësishme për treguesit e punës dhe ecurinë e veprimtarisë për të gjithë prokuroritë.

Në këtë raportim, vlerësojmë të ndalemi në disa tregues të performancës së prokurorive, problematikat dhe disa çështje që kërkojnë vëmendjen tuaj.

Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar 55253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, që përbëjnë një ulje prej 5,2 % në krahasim me vitin 2022, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 6,2 % në krahasim me vitin 2022 dhe 201 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 70 % në krahasim me vitin 2022. Janë mbartur 21011 procedime penale me një ulje prej 3,9 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2022. Është vendosur mosfillimi për 9946 referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një ulje prej 22,2 % në krahasim me vitin 2022.

Gjatë vitit 2023 janë përfunduar 23419 çështje që përbën ulje prej 9,41 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2022, prej të cilave: 41,21 % janë dërguar për gjykim, 25,76 % janë pushuar, 30,04 % janë pezulluar dhe 2,99 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.
Janë dërguar në gjykatë 9652 çështje me akuzë ndaj 11401 të pandehurve.

Krahasimisht me vitin 2022 rezulton një ulje prej 12,13 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 11,87 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Raporti ndërmjet çështjeve dërguar në gjykatë dhe çështjeve të pushuara është 61,54 % me 38,46 %.

Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2023 janë dënuar 7254 të pandehur që krahasuar me vitin 2022 përbën ulje 31,22 % të numrit të pandehurve të dënuar, dhe për 199 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose për 2,67 %.

Siç u paraqit më lart, evidentohet se përgjithësisht ka tendencë në ulje të numrit të procedimeve të regjistruara. Vlerësojmë se në këtë ulje ka patur ndikim edhe Memorandumi i Bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe udhëzimi mbi zbatimin e nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale dhe trajtimin e referimeve të tjera që dukshëm nuk përmbajnë elementë të ndonjë vepre penale, në bazë të të cilave për vitin 2023 rezultojnë 4588 materiale.

Këto akte nënligjore, ashtu si dhe institutet e reja procedurale, urdhri penal dhe marrëveshja e fajësisë, synojnë të vijnë në ndihmë të prokurorëve për të ulur ngarkesën e panevojshme dhe për të mundësuar zgjidhje të shpejtë ligjore për çështje të një rrezikshmërie më të ulët. Megjithatë, këto institute siç vërehet nga shifrat më sipër, nuk rezultojnë të japin impaktin e duhur.

Ngadhnjim i shqiptarëve në Strasburg!

Nga Azgan Haklaj

Dje nga salla e Asamblesë së KIE lideri demokrat Lulzim Basha dha lajmin e madh për kombin tonë të pranimit nga ky institucion i Kosovës si anëtare e saj.
Një lajm tjetër po ashtu i rendësishëm dhe me efekte globale ishte dhe pranimi nga kjo asamble në menyrë unanime i rezolutës së Lulzim Bashës për bllokimin e aseteve, mbi 300 miliardë euro të konfiskuara ruse dhe vënia e tyre në dispozicion të Ukrainës së shkatërruar nga lufta.
Jo vetëm logjika e deduksioni politik por edhe realiteti i pranuar publikisht nga Lulzim Basha si reporter i KIE të çojnë në konkluzionin se ky hap i guximshëm politiko diplomatik nuk është thjesht një veprim i limituar në 46 vende që përbljnë KiE në
Strasburg.
Ai është një veprim i mirëkordinuar me aleatin tonë stretegjik SHBA-të të që shumë shpejt do ta diskutojnë në Kongresin Amerikan dhe do e aprovojnë esencën e kësaj rezolute.
Ndërkohë që në sytë dhe qënjen e Lulzim Bashës dhe të shqiptarëve kudo janë ndihet gezimi dhe entuziasmi Trekëndëshi i Bermudës po përjeton momente dezekuilibri dhe skizofrenie.
Ilir Meta i hakërrehet me fjalor kriminal drejtesisë.
isoja e përnatshme si këngë korbi e Sali Berishës nga çatia.
Transferimi i qeverisë dhe administratës së Edi Ramës dhe Erjon Velisë në qelitë e burgut flasin për një alarm e pështjellim në shpellën e çakejve të korrupsionit.
Jam i sigurt së falë mbështeties masive popullore, suportit të SHBA-ve dhe aleatëve euratlantikë ndaj SPAK nuk do jetë e largët dita e çlirimit real të Shqipërisë nga kjo bandë kriminale e kusarisë.
Si unë ç’do demokrat duhet të ndihet krenar për mbeshtetjen sistematike dhe pa ekuivok që PD-ja dhe lideri i saj Lulzim Basha po i japin institucioneve të drejtesisë së re.
Është vërtet një betejë
e gjatë dhe me pasoja por demokratët shqiptarë do të dalin më të
motivuar e më të fortë për të ardhmen pasi që misioni ynë është liria dhe demokracia funksionale, shteti i së drejtës, euroatlantizmi dhe prosperiteti.

Sulmet e Metës ndaj Altin Dumanit, reagon Ambasada e SHBA: Jemi në krah të atyre që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me deklaratën e djeshme të KLP ku ka dënuar sulmet ndaj SPAK. dhe kreut të saj Altin Dumani.

Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada shkruan se përshëndet dënimin që KLP i bëri këtyre sulmeve, ndërsa shtoi se SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

“Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”, shkruan ambasada.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagoi pas deklaratave të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar se deklarata të tilla janë përcjellë me shqetësim. Duke ofruar mbështetje të plotë për SPAK, KLP bën thirrje të mos cenohet puna e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

Reagimi:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë si organ qeverisës e kushtetues i sistemit të akuzës, ndjek me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe në veçanti të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta.

Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush.

Basha poston foto me deputetin shqiptar të Suedisë: Shembull që kur shqiptarët bëhen bashkë, fitojnë çdo betejë

Kreu i PD, Lulzim Basha, ka postuar një foto në facebook me deputetin Adnan Dibrani, i cili është përfaqësues i Suedisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

“Dje ishte një tjetër shembull se si kur shqiptarët bëhen bashkë fitojnë çdo betejë.” – shkruan Basha.

Më poshtë reagimi i plotë:

Me Adnan Dibrani – Socialdemokraterna, deputetin shqiptar të Parlamentit të Suedisë që ndihmoi fort në triumfin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Dje ishte një tjetër shembull se si kur shqiptarët bëhen bashkë fitojnë çdo betejë!

Me mbështetjen dhe votat e shqiptarëve të Suedisë, Adnani do të jetë një zë i fuqishëm për shqiptarët në Parlamentin Europian!

Fitorja e Bashës në Këshillin e Europës, fitorja e modelit që i duhet Shqipërisë

Nga Gentian Gaba

Po, miratimi i rezolutës së propozuar nga kreu i PD Lulzim Basha në mbështetje të Ukrainës, ishte një fitore e tij. Po, ajo ishte fitorja e një modeli politik krejt ndryshe nga ato me të cilat mbushen ekranet e vogla dhe të mëdha të mediave shqiptare, pasi as nuk mori e as nuk dha gjë, por bëri atë që di të bëj më mirë në këtë nivel të lartë të politikës europiane e botërore, duke çuar përpara me përkushtim detyrën që i’u besua nga Këshilli i Europës.

Nuk dha tokë shqiptare, nuk dha det, nuk dha ajër, duke ngrënë qofte, siç deklaron zv. kryeministri i Ramës për të nga arratia; nuk mori ujgurë, as iranianë, as afganë, as afrikanë, por çoi përpara emrin e mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, që u përfaqësuan denjësisht të martën në Asamblenë Parlamentare të KiE, ku, veç blusë e të verdhës së Ukrainës, ngadhënjyen edhe ngjyrat e flamurit të Kosovës, të cilat janë vetëm një hap larg anëtarësimit në këtë organizatë nëdërkombëtare. Sihariq i madh!

Por kthehemi te Basha, që dje pati dy gëzime në një ditë, si raporter për rezolutën e Ukrainës dhe si një nip Kosove, me zë të fortë dhe elegant për votën PRO për shtetin më të ri të Europës në KiE.

Duhet të kthehmi te Basha, sepse ai me shumë lehtësi do përpiqet të mos komentoj shumë gjatë punën e tij në KiE e as të marr mbi vete dafina e vëmendje mediatike, siç bëjnë ata që mbjellin “miliona” pemë në Tiranë apo ngjiten nëpër shtylla për të trembur drejtësinë dhe për t’i hequr frikën vetes. Nuk e bën sepse ata që e njohin e dinë që Basha vepron sipas parimit të Mit’hat Frashërit: “Në punë kije për lavdi të jesh shërbestar. Ji i lumtur kur bën një send të dobishëm, pa le të mos e dijë bota.”

Por kjo parabola e Bashës duhet rrëfyer sepse, teksa pati një përbetim për ta vrarë politikisht, ku u zbulua se rivali i tij në garën për kryeministër korruptoi agjentin e kundërzbulimit të FBI-së, McGonigal, për të stisur ndaj tij dosjen ruse. E më vonë këtij skenari i’u bashkuan edhe miqtë e dikurshëm me audite për të gjetur rublat e shpikura nga Rama, dalja ngadhënjyes, me vota unanime përmes një rezolute që shenjestron edhe sekuestimin e aseteve ruse, tejkalon fantazinë e shkrimtarit të spiunazhit John le Carré.

Marsin e shkuar Basha prezantoi në KiE projekt-rezolutën, në mbështetje të rindërtimit të Ukraniës. Në shtator, Komiteti për Çështje Politike e Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës votoi me unanimitet për të emëruar kryetarin e PD, raporter për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.

Pas një pune të gjatë në Kontinentin e Vjetër, rakordimeve me aktorët politik përtej Atlantikut (siç u evidentua nga editoriali i përbashkët i përgatitur nga Basha dhe kongresmeni amerikan French Hill në prestgjozen Wall Street Journal), takimeve dhe diskutimeve në Kombet e Bashkuara, qindra orë negociatash, puna e Bashës mori mbështetjen unanime të Asamblesë, ashtu sikurse caktimi i tij si raporter mori mbështetjen unanime në nisje të kësaj sipërmarrje. Pra mbyllja e një rrethi virtuoz që, përtej retorikës, përcakton hapa konkrete, masa ligjore dhe financiare për të garantuar përgjegjësinë e Federatës Ruse, për të mbështetur procesin e rindërtimit të Ukrainës, dhe me shumë rëndësi për të ardhmen, për parandalimin e agresioneve të mundshme që mund të jenë frymëzuar nga guximi revanshist i Putinit, e që mund të dekurajohen nga vendosmëria e treguar në këtë rast nga komuniteti ndërkombëtar.

Një histori suksesi, që vendos standarte për të sotmen dhe të ardhmen, një kontribut edhe në emër të Shqipërisë, që është veshur me një pëlhur të qendisur me durimin e një politikani që nuk punon me mëditje, që nuk vrapon pas politikës së ditës dhe gërnjës artificiale që kërkon të mbaj status quo-në, por ka qartësinë për të parë përtej baltës, interesit vetiak, spektaklit, telenovelës trushplarëse që u ofrohet shqiptarëve për t’i larguar ata nga vendimmarrjet që prekin jetët e tyre, për t’i bërë indiferent nga gjëja publike, duke u thënë se kjo është politika.

Prandaj, kjo fitore e Bashës është fitore e një modeli që i duhet Shqipërisë për t’u shkëputur nga stili i deritanishëm i politikës. Ku Basha vendos asetet e tij e në shërbim të Shqipërisë (kontakte, kapaciteti intelektual dhe diplomatik), ndërsa Rama përdor Shqipërinë si asetin e tij.

Diferenca mes këtyre dy modeleve është shumë e qartë dhe e madhe. Një revolucion Kopernikan, që hedh poshtë rendin e vjetër në drejtimin e punëve, ku i pari vjen interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, e jo ai i pushtetarëve.

Sigurisht, për Bashën kjo fitore nuk përfaqëson xhevahirin e kurorës së tij politike, deri tani ka lënë gjurmë të pashlyeshme në shumë procese historike të vendit, sido që ta mendojnë armiqtë e tij të vjetër e të rinj.

Por, pas kësaj sprove fisnike, ajo që nxit kuriozitetin e atyre që kërkojnë një alternativë, një ndryshim real nga ofertat ekzistuese në tregun politik (natyrisht ato që do të mund të mbeten pas uraganit të SPAK), është vetëdija e një potenciali të lartë përfaqësues, fare pranë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Një potencial që të bën të imagjinosh se çfarë mund të bëjë Basha me përvojën e tij nga pozitat e kryeministrit të Shqipërisë…

“Meta po flet përçart, kërkon ta transferojë çështjen penale te gruaja e tij”, Ngjela: Cila është marrëveshja e ish-Presidentit me Monikën?

Nga Spartak Ngjela

Goditja antikorrupsion për të korrupuarit e mëdhenj është tragjedia e tyre sot në Shqipëri.

Por, më i akuzuari, Ilir Meta, po paraqet një sjellje që duket se po i vjen nga çrregullimt e psikikës.

Ai po flet përçart, dhe, duke qenë nën një presion të brendshëm, që ia përcjell psikikës së tij akuza penale, ai po sulmon pa sens logjik të gjithë, që nga SPAK e deri te kryeministri dhe qeveria aktuale.

Jo, arsyeja nuk është këtu: intelekti i ulët i të korruptuarëve nën akuzë, disa prej tyre, i ka bërë qesharakë.

Dhe, në funksion të kësaj, po kuptohet se Ilir Meta po kërkon ta transferojë çështjen penale te gruaja e tij. Dhe gruaja e pranon. Po cila mund të jetë marrëveshja Monika- Meta? Në të vërtetë asgjë juridike nuk ka në brendinë e saj.

Prandaj, ajo që kuptohet, është kjo:

I.

“Të shpëtojmë paratë”, thotë Meta, “se pastaj të gjitha zgjidhen”.

Por paratë Meta nuk i shpëton dot, se SPAK ka prova për korrupsionin e tij, dhe SPAK sot është superfuqi për Shqipërinë. Dhe SPAK drejtohet nga Uashingtoni.

Prandaj gjithçka do të shkojë deri në fund. Dhe janë shumë të korruptuar në Shqipëri, që kuptohet se do të goditen.

Kurse kryeministri Rama nuk po ndihet i sigurt. (!)

Koha ka ndryshuar, por të korrupuarit e Shqipërisë kurrë nuk e kanë kuptuar kohën e tyre, sepse, duke pasur pushtet joligjor, i kanë thënë vetes: “koha e sotme jam unë e vetëm unë”.

Dhe prandaj tani kuptohet se janë të gjthë në hall. Disa bërtasin kundër Uashingtonit, disa të tjerë kundër SPAK- ut, dhe të gjithë po presin se ndoshta vjen një konflikt ndërkombëtar: dhe shpresën e kanë tek Rusia.

Pranda, korrupsioni i lartë shtetëror në Shqipëri tani po kuptohet se është me Rusinë. Po Rusia, a mund t’i shpëtojë këta të korruptuar të lartë? Asgjë. Meta pret, por koha është e përcaktuar se ku ajo po shkon: koha e sotme në Shqipëri, po ecën në procesin antikorrupsion.

Kur koha përcaktohet, gjithçka e gjen vendin e vet sipas kohës. Koha antikorrupsion, duke qenë se tani është e përcaktuar edhe ndërkombëtarisht, ajo ka hyrë, si proces, në një fenomen shqiptar të pakthyeshëm.

Prandaj…

II.

Dënimi i korrupsionit është tani në Shqipëri një vendim absolut. Kurse të korruptuarit e lartë nuk po lënë gur pa lvizur; por, po lodhen kot.

Se ky është vetëm fillimi i fillimit, sepse arrestimi dhe dënimi i korrupsionit të lartë shtetëror, lidhet me krijimin e pasurive të paligjshme, të qeverive dhe bashkive të korruptuara. Prandaj, pa u konfiskuar pronat dhe paratë e të korruptuarëve të lartë, gjithçka do të mbetej një veprim i kotë.

Dhe këtu fillon e vëteteta e antikrimit shtetëror në Shqipëri. Dhe kjo kohë po ecën, se sot janë të arrestuarit e mëdhenj që na i vërtetojnë këtë.

Dhe, pikërisht për këtë, na duhet të pyesim: Po pse po lëviz si i çmendur Meta.

Kuptohet se është i trembur.

Pse të trembet një njeri i pafajshëm?! Ja, kjo është pyetja më thelbësore.

Por, tjetra është kjo: Sa prona ke pasur kur ti je bërë kryeministër?

Dhe këtu këtu fillon çështja penale.

Por gjithashtu…

Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar: po nuk ke prona apo para të paligjshme, asgjë nuk do të të ndodhë.

Por, nëse ke miliona dollarë dhe prona, dhe ke qenë një individ i varfër kur je bërë kryeministër, të gjitha do të të merren.

Dhe…

Çfarë ka këtu për t’u shqetësuar?

III.

Por këtu na duhet ta ritheksojmë se SPAK nuk drejtohet nga politika shqiptare dhe as nga shqiptarët. Dhe të gjithë duhet ta kuptojmë se, për faktin që kjo çështje po hetohet nga ekspertiza ndërkombëtare, prova është provë. Prandaj; nëse mendon se nuk ka prova kundër teje, pse trembesh?

Asgjë.

Duhet të shkosh para një gjykate që të gjykpjë akuzën për korrupsion, dhe aty, ti t’u thuash shqiptarëve se ke jetuar verëm me rrogën tënde.

Shumë mirë, po e ke këtë si fakt të provuar, je i sigurt, dhe nuk të hyn një gjemb në këmbë. Po nuk e ke, sigurisht që do dënohesh për korrupsion.

Por…

Po ti ke ardhur si kryeministër me një kostum turk të qarqeve të varfra, dhe po të gjejnë miliona, prandaj duhet t’i provosh që ato i ke para ose prona të ligjshme.

Kaq ka. Asgjë më shumë nuk duhet.

Aaa, po nuk i justifikon dot paratë dhe pronat e tua, që i ke vënë si kryeministër i Shqipërisë, duhet të akuzohesh për korrupsion.

Ja kaq ka.

Por, çfarë po bën korrupsioni i lartë ndërkohë?

IV.

Kjo është koha e sotme, dhe sigurisht që kjo kohë antikorrupsion do ta ndryshojë në ngritje dinjitetin dhe mirëqenien e shqiptarëve. Por, a e pranon Rama këtë fakt.

Jo, Rama nuk e pranon, por kush e pyet Ramën në Uashington për një shtet ku do të ngrihen tri baza ushtarake të NATO – s !

Ja, pikërisht kjo është rënduese për çiftin Meta dhe për të gjithë të korruptuarit..

Po ku e kupton dot Meta se çfatë është një hetim i specialitetit të lartë të FBI – së, për një çështje të rëndësisë së veçantë politike, që ka të bëjë edhe me konfliktin Amerikë – Rusi?!

Prandaj…

Prandaj pikërisht këtu jemi tani, tek ky raport: FBI v Meta.

Dhe kjo çështje, profesionalisht, mua më duket e mbyllur. Se çifti Meta është përballë FBI -së. Dhe hetimi po shkon shumë larg, e shumë thellë. Kurse çifti Meta kuptohet që është në tension nervor, se Metën po e shohim majë hekurave, por nuk kemi dëgjuar asnjë frazë të mençur prej tij, ndonëse ai është nën akuzë. Kurse ndërkohë, Meta prishi edhe koalicionin me Berishën.

Pse kaq vonë, dhe pse, kaq i shqetësuar të jetë Meta me faktin Berisha?!!

Kuptohet edhe pseja. Sepse Berisha është nongrata në Amerikë, dhe bashkëpunimi i Metës me Saliun që është nongrata, i ka dhënë Metës mendimin me shqetësim se mos politika amerikane e nxjerr nongrata edhe Ilir Metën.

Atëherë…

Ky proces antikorrupsion me një ish kryeministër të arrestuar, dhe po ashtu, edhe me tre ministra dhe një zv.kryeministër të arrestuar për korrupsion, me kryetarë dhe ish kryetarë bashkish të arrestuar, me drejtorë qëndrorë e me sekuestrime të shumta parash, po vijon…

Atëherë, rruga është ajo e duhura…

Prisni dhe shikoni!

Rënia e bujqësisë dhe industrisë rrezikon 54% të të punësuarve në vend në sektorin privat

Industria dhe bujqësia janë dy sektorët që kanë shënuar ecurinë më negative gjatë vitit që sapo lamë pas. INSTAT raporti në të dhënat e Prodhimit të Brendshëm Bruto se industria në total ra me 0.69% në vitin 2023, në raport me 2022, ndërsa vetëm industria përpunuese u tkurr me 6.12%, më e forta që nga 2012-a.

Sektori i industrisë, që po lulëzonte deri në mes të vitit 2022, përmbysi arritjet e një dekade nga zhvlerësimi i euros dhe rënia e kërkesës nga jashtë pas luftës në Ukrainë.

Në territor negativ, për herë të parë që nga viti 1997, ishte dhe bujqësia, që u tkurr me 0.68%. Në 10 vitet e fundit, bujqësia është rritur mesatarisht 1%, teksa rezultati është dobësuar tre vitet e fundit për t’u kthyer negativ më 2023.

Të dy këta sektorë janë të rëndësishëm në ekonomi, me bujqësinë që kontribuon në gati 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe industrinë në 10%.

Akoma më e rëndësishme është pesha e tyre në punësim. Sipas të dhënave të INSTAT, në sektorin bujqësor sigurojnë të ardhurat rreth 420 mijë persona. INSTAT i konsideron automatikisht si të vetëpunësuar ata që jetojnë në zonat rurale.

Ndërsa industria përpunuese punëson rreth 105 mijë persona. Të dhënat i përkasin vitit 2022.

Teksa në total në sektorin privat (pa përfshirë administratën shtetërore) janë të punësuar gati 970 mijë persona, rreth 524 mijë, ose 54% e tyre sigurojnë të ardhurat nga puna në bujqësi (43%) dhe në industrinë përpunuese (11%). Rënia e këtyre dy sektorëve është një sinjal negativ për perspektivën e tyre të punësimit.

Bujqësia ka hyrë në cikël rënës, e ndikuar nga pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm, në njërën anë, dhe mungesa e subvencioneve shtetërore, në tjetrën, që e kanë përkeqësuar klimën në sektor, sidomos në blegtori. Në vitin 2022 numri i krerëve në blegtori shënoi rënie vjetore me rreth 13%, ndërsa gjatë dekadës krerët u përgjysmuan. Ndonëse jemi vendi më bujqësor në Europë, shumë produkte ushqimore po i marrim nga importi.

Në industrinë përpunuese peshën kryesore në punësim e mbajnë industria e tekstile e këpucëve, që në fund të vitit 2022 kishin gati 50 mijë të punësuar, ose rreth gjysmën e totalit në këtë sektor. Industria e tekstile këpucëve punon me material porositësi dhe për shumë vite me radhë ka pasur si avantazh kryesor konkurrues koston e lirë të fuqisë punëtore. Rritja e pagës minimale vitet e fundit që arriti në 40 mijë lekë dhe tkurrja e fortë e euros, që këmbehet me 104 lekë, nga rreth 120 lekë dy vjet më parë ka bërë që si përpunuesit e këpucës ashtu dhe të veshjeve të shohin një rënie të fortë të eksporteve. Në 2023-n, ky sektor realizoi shitje prej 126 miliardë lekësh, me rënie prej 6.6% me bazë vjetore. Tendenca rënëse vijoi dhe në dhjetor, me -15.4%.

Kjo situatë ka detyruar shumë prej tyre të shkurtojnë punonjësit, ndërsa fabrikat e vogla po falimentojnë. Shoqata e Eksportuesve njofton përditë mbylljen e kompanive dhe shkurtimin e punonjësve, teksa shumë partnerë po i zhvendosin porositë në vende me kosto më të lira prodhimi, si Tunizi, Marok e Egjipt.

Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, që kanë udhëhequr rritjen ekonomike vitet e fundit kanë një peshë të ulët në punësim, me përkatësisht 56 mijë dhe 3.4 mijë të punësuar.

Akomodimi dhe shërbimi ushqimor, që po shohin rritje për shkak të turizmit, kishin gjithsej rreth 54 mijë të punësuar në fund të 2022-t, megjithëse në këtë sektor informaliteti është i lartë.

Krahas industrisë dhe bujqësisë, dy punëdhënësit e tjerë të mëdhenj në vend janë tregtia me 136 mijë të punësuar (14% e totalit) dhe shërbimet (12% e totalit), por dhe këtu pjesa më e madhe janë të vetëpunësuar, me aktivitetin e tyre që është i varur ndjeshëm nga ecuria e konsumit. Emigracioni i lartë i viteve të fundit po shkakton rënie të konsumit, duke shtuar vështirësitë për mikrobizneset.

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT

Projektligji për Ballkanin Perëndimor sërish para Senatit amerikan, kërkohet angazhim i shtuar i Shteteve të Bashkuara

Një projektligj ndërpartiak që synon angazhim më të shtuar të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor u miratua të martën nga Komisioni për Çështje të Jashtme të Senatit amerikan dhe iu dërgua Senatit për shqyrtim.

Ky projektligj vjen në një kohë të tensioneve të shtuara në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Sot Komisioni për Çështje të Jashtme i Senatit amerikan u dërgoi shteteve të Ballkanit Perëndimor mesazh për një angazhim të ripërtërirë duke bërë përpara me këtë projektligj ndërpartiak. E kam shkruar këtë projektligj duke u përqëndruar tek mundësia për të thelluar përkushtimin tonë dhe investimin në rajon përmes forcimit të marrëdhënieve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik si dhe për të vënë në pah mjetet që kanë Shtetet e Bashkuara për t’iu dhënë përgjigje ndikimit keqdashës, korrupsionit dhe përpjekjeve të tjera që synojnë të minojnë aspiratat demokratike të rajonit”, tha për Zërin e Amerikës Senatorja Jeanne Shaheen.

“Është me rëndësi të theksohet se nëse miratohet në ligj, ai do t’i shndërrojë në ligj urdhrat ekzekutivë ndaj akteve korruptive dhe që bien ndesh me marrëveshjen e Dejtonit në Ballkanin Perëndimor, duke e bërë të qartë që Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë përpjekjet për të minuar paqen dhe stabilitetin në rajon”, shtoi senatorja Shaheen.

Javën e kaluar, në një dëshmi para Komisionit për Forcat e Armatosura të Senatit, Komandanti i Komandës amerikane në Evropë, Gjenerali Christopher Cavoli tha se NATO-ja është në proces të shtimit të forcave dhe armatimeve të rënda në misionin paqëruajtës në Kosovë. Ai fajësoi Rusinë se po nxit “tensionet ndëretnike” dhe tha se Serbia dyshohet të jetë përfshirë në këto operacioni ndikimi në rajon.

Ky projektligj, propozim i përbashkët i Senatores demokrate Jeanne Shaheen dhe Senatorit republikan Roger Wicker, që mban titullin “Akti mbi Demokracinë dhe Përparimin në Ballkanin Perëndimor, zëvendëson një projektligj të ngjashëm që i është propozuar Kongresit amerikan në gusht të vitit 2022.

Projektligji i ri nxit Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të forcojnë marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë si dhe “të forcojnë dhe zgjerojnë integrimin ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor” edhe si kundërpërgjigje ndaj ndikimit rus në rajon, në veçanti varësisë ndaj gasit rus.

“Shtetet e Ballkanit Perëndimor krijojnë një rajon pluralist, shumëetnik në zemër të Evropës, që është i rëndësisë kritike për paqen, stabilitetin dhe përparimin e kontinentit,” thuhet në projektligj. “Paqja e vazhdueshme, stabiliteti dhe përparimi në Ballkanin Perëndimor është drejtpërdrejt i lidhur me mundësitë për avancim demokratik dhe ekonomi për qytetarët dhe banorët e këtyre shtatë shteteve.”

Sipas projektligjit, “është në interesin e ndërsjellë të Shteteve të Bashkuara dhe shtatë vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbështesin një zhvillim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm ekonomik në rajon”.

Në projektligj i kushtohet rëndësi edhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar “një hap pozitiv në avancimin e normalizimit ndërmjet dy vendeve”.

Aty thuhet se të dyja vendet duhet të synojnë që menjëherë të zbatojnë detyrimet nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

“Kur të jetë shënuar përparim i mjaftueshëm në zbatimin e Aneksit, Shtetet e Bashkuara duhet të mendojnë për nxitjen e nismave për të përforcuar marrëdhëniet dypalëshe me të dyja vendet”, thuhet në projektligj. Këta hapa të propozuar përfshijnë fillimin e dialogut dypalësh strategjik me Kosovën dhe Serbinë dhe mbështetjen e nismave konkrete në fushën e tregtisë dhe investimeve.

“Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare të përgjithshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bazuar në njohjen e ndërsjellë”, sipas projektligjit.

Projektligji veçon zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor të vitit 2023 dhe ngjarjet që pasuan, duke vlerësuar se ato “shkaktojnë një shqetësim të thellë për gjendjen e demokracisë në Serbi”. Projektligji radhit shkeljet e procesit zgjedhor të dokumentuara nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që i vëzhgoi këto zgjedhje, për të cilat deklaroi se u zhvilluan në “kushte të padrejta”.

Sipas projektligjit, akuzat e zyrtarëve serbë ndaj protestuesve paqësorë, partive opozitare dhe shoqërisë civile se bëjnë përpjekje për të destabilizuar qeverinë, “janë një akuzë shqetësuese që kërcënon sigurinë e elementëve të rëndësishëm të shoqërisë serbe”.

“Shtetet demokratike vlerat e të cilave përputhen me Shtetet e Bashkuara janë më të denja për një partneritet më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm”.

Ky projektligj po ashtu nxit qeverinë amerikane të përkrahë “anëtarësimin e përshpejtuar të atyre vendeve të Ballkanit Perëndimor që ende nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe që e dëshirojnë dhe janë të përshtatshme për anëtarësimin” në këto organizata.

“Reformat dhe integrimi në Bashkimin Evropian që e synojnë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ndihmuar drejt përparimit të dukshëm demokratik dhe ekonomik në rajon”, thuhet në projektligj.

Por ai tërheq vëmendjen se shkalla e varfërisë dhe papunësisë në rajon po ndikon në emigrimin e të rinjve, duke çuar në rënie të popullatës në të shtatë vendet.

Projektligji thotë se korrupsioni, përfshirë udhëheqësit politikë që përfitojnë nga ai, vazhdon të “paraqesë një prej pengesave më të mëdha ndaj zhvillimit të mëtejshëm ekonomik dhe politik të rajonit” dhe nxit Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë për përmirësimin e funksionimit të shtetit ligjor dhe reformat demokratike.

Ndërkohë, projektligji ka vënë në dukje edhe fushatat dezinformuese që “kanë për qëllim të dëmtojnë institucionet demokratike, përfshirë integritetin e zgjedhjeve”.

Krahas paralajmërimeve për ndikimin rus në Ballkan, projektligji tërheq vëmendjen edhe për “ndikimin në rritje të Kinës” në rajon, duke thënë se ai mund të ketë “ndikim të dëmshëm në konkurrencën strategjike, demokracinë dhe integrimin ekonomik me Evropën”. Për t’u shndërruar në ligj, ky projektligj duhet paraprakisht të miratohet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve para se të nënshkruhet nga Presidenti Joe Biden. /Voa/

VIDEO/ PSG ëndërron Champions, eliminon Barçën me përmbysje, në gjysmëfinale “fluturon” edhe Dortmund

PSG vazhdon të ëndrrojë se një ditë do të mund të fitojë Champions League, teksa sonte eliminoi Barcelonën në fazën çerekfinale. Mbappe me shokë triumfuan 1-4 në Estadi Olímpic Lluís Companys (Barcelona), duke përmbysur kështu gjithçka, pas humbjes 3-2 në ndeshjen e parë.

Katalanasit realizuan të parët me Raphinhan, ndërsa dalja me karton të kuq e Araujos komplikoi llogaritë e skuadrës së Xavit. Dembele vendosi ekuilibrat në fundin e fraksionit, duke bërë që skuadrat të shkojnë në barazim në dhomat e zhveshjes.

Kampionët e Francës morën zemër dhe përmbysën ndeshjen me Vitinhan. Të besuarit e Luis Enriques festuan sërish në të 61-tën minutën, me yllin Kylian Mbappe që përktheu në gol një penallti. PSG siguroi kualifikimin në gjysmëfinale me golin e Mbappe në të 89-tën.

Në gjysmëfinale “fluturon” edhe Dortmund, pas suksesit 4-2 ndaj Aleticos. Verdhezinjtë përmbysin kështu Los Colchoneros, pas disfatës 2-1 në aktin e parë. Për ekipin e Terzic golat u realizuan nga Brandt, Maatsen, Fullkrug dhe Sabitzer ndërsa në krahun tjetër Correa “tundi rrjetën”, sakaq për t’u përmendur edhe autogoli i Hummels.

 

 

REZULTATET:

Barcelona 1-4 PSG

(VIDEO)

(VIDEO)

Dortmund 4-2 Atletico Madrid

Zbuloni vitaminat dhe mineralet më të rëndësishme për trupin që do ju shërbejnë gjatë plakjes

Me kalimin e moshës, ju mund të humbisni më shumë vitamina dhe minerale nga sa merrni me anë të ushqimit.

Më poshtë keni të llastuara vitaminat dhe mineralet me të rëndësishme, për të cilat turpi ka më shumë nevojë ndërsa plakeni dhe burimet më të mira.

Kalciumi

Ju e merrni pjesën më të madhe të kalciumit nga kockat, të cilat e marrin atë nga ushqimi. Ai ndihmon muskujt, nervat, qelizat dhe enët e gjakut të punojnë siç duhet.

Gratë mbi 50 vjeç dhe burrat mbi 70 vjeç duhet të marrin rreth 20% më shumë se të rriturit e tjerë. Qumështi, kosi dhe djathi janë burimet më  të mira.

Vitamina B12

Kjo vitaminë ndihmon në prodhimin e gjakut dhe qelizave nervore, por ndërsa plakeni trupi mund ta ketë të vështirë ta përthithë atë.

Vitamina B12 merret natyrshëm nga ushqimet shtazore si mishi, peshku, vezët dhe bulmeti, por edhe nga suplementet dhe drithërat e mëngjesit.

Vitamina D

Vitamina D ndihmon muskujt, sistemin imunitar dhe atë nervor të funksionojnë siç duhet. Me kalimin e moshës, trupi e ka më të vështirë t’i konvertojë rrezet e diellit në vitaminë D. Burimet të mira ushqimore të saj janë salmoni dhe sardelet.

Vitamina B6

Trupi juaj e përdor atë për të luftuar mikrobet dhe për të prodhuar energji. Qiqrat janë një burim i lehtë dhe i lirë i tyre. Po kështu janë mëlçitë, peshku dhe drithërat e mëngjesit.

Magnezi

Ndihmon trupin të prodhojë proteina, forcon kockat dhe mban sheqerin në gjak të qëndrueshëm. Mund ta merrni nga arrorët, farat dhe zarzavatet me gjethe jeshile, por edhe suplementet.

Probiotikët

Këto baktere të mira merren zakonisht nga ushqimet e fermentuara si kosi ose lakra turshi. Ato mund të ndihmojnë me problemet e tretjes, madje mund të mbrojnë edhe kundër alergjive.

Omega-3

Këto acide yndyrore quhen “thelbësore” sepse trupi juaj nuk mund t’i prodhojë. Ato janë të rëndësishme për sytë, trurin dhe mund t’ju ndihmojë në mbrojtjen kundër sëmundjeve të lidhura me moshën si Alzheimer, Artriti etj. Burime të mira janë ushqimet si peshku, arrorët ose farat e linit.

Zinku

Ndihmon dhe lufton infeksionet dhe inflamacionet, gjithashtu mund të mbrojë shikimin tuaj. Gocat e detit janë burimi më i mirë, por mund ta merrni nga viçi, gaforrja dhe drithërat e mëngjesit.

Seleni

Mbron qelizat nga dëmtimet dhe infeksionet dhe ndihmon me funksionimin e tiroides. Mjaftojnë vetëm një ose dy arra braziliane në ditë për të korrur përfitimet prej tij.

Kaliumi

Kaliumi luan rol pothuajse në gjithçka brenda trupit tuaj, duke përfshirë zemrën, veshkat, muskujt dhe nervat. Kajsitë e thata, bananet, spinaqi, qumështi dhe kosi janë burime të mira.

Folati

Kjo formë natyrale e vitaminës B9 gjendet tek zarzavatet me gjethe jeshile, arrorët dhe fasulet. Folati ndihmon në rritjen e qelizave dhe mund të mbrojë kundër goditjes në tru dhe kancerit.

Fibrat

Fibrat ndihmojnë në mbrojtjen kundër goditjeve në tru, me punën e sistemit tretës, ulin kolesterolin dhe sheqerin në gjak. Ato mund t’i gjeni tek drithërat e plota dhe tek perimet. /Agroweb