21.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Sot votimi historik për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të votojë për raportin për anëtarësimin apo jo të Kosovës në këtë organizatë sot gjatë një seance plenare në Strasburg.

Fjala është për miratimin e një mendimi pozitiv apo jo për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, një organizatë e cila kryesisht merret me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e demokracisë.

Raporti u përpilua nga deputetja greke, Dora Bakoyannis, dhe drafti i këtij raporti ishte miratuar në mars nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate.

Për t’u miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga deputetët të cilët vijnë nga parlamentet nacionale të vendeve anëtare.

Një ditë para votimit në Strasburg ka pasur konsultime të shumta për të parë se si është disponimi. Ka pasur takime mes delegacioneve të partive politike, ndërsa delegacionet nga Serbia dhe nga Kosova kanë bërë përpjekjet e fundit për t’i bindur deputetët që në numër sa më të madh të votojnë në favor të tyre. Në rastin e Kosovës të miratojnë opinionin pozitiv për anëtarësim, ndërsa në rastin e Serbisë të votojnë kundër.

Nga Kosova në selinë e Këshillit të Evropës ndodhet një delegacion i Kuvendit të Kosovës, ndërsa takime në nivele të ndryshme ka mbajtur edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Përshtypja e delegatëve të disa vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, është se do të mund të sigurohen votat e favorshme për Kosovën në këtë seancë.

Por, ata kanë vërejtur se në momentin e fundit ka pasur lëvizja nga disa vende anëtare të cilat e njohin Kosovën si shtet, por nuk janë të sigurta në mbështetjen e tyre për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në këtë moment.

Do të jetë sfidë edhe të sigurohet prania e numrit të mjaftueshëm të deputetëve për të siguruar kuorumin e nevojshëm. Për këtë duhet të jenë të pranishëm së paku një e treta e anëtarëve të përgjithshëm të Asamblesë. Ndërsa, nevojitet dy e tretat e votave të të pranishmëve që raporti për Kosovën të kalojë.

Përmendet edhe mundësia që një numër i caktuar i deputetëve të mos marrin pjesë fare në seancë, në mënyrë që të mos shihen duke votuar as në favor e as kundër.

Nëse Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës të martën, atëherë çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht për të pranuar apo jo Kosovën si anëtaren më të re të organizatës.

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.

Por, ka zëra në qarqet diplomatike që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.

Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sa i përket raportit, për të cilin do të votohet të martën, në të themelimi i Asociacionit përmendet si kusht pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Por, mësohet se delegacioni i Italisë ka propozuar një amendament në këtë raport, duke kërkuar që Kosova të themelojë Asociacionin para anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Deri në momentin e fundit do të jetë e paqartë se si do të shkojnë votat dhe në cilën formë do të miratohet teksti. Debati për Kosovën dhe votimi pritet të zhvillohet pasditen e së martës në Strasburg./ Radio Evropa e Lirë

SPAK, një realitet me të cilin politika duhet të bëjë llogaritë

Nga Ervis Iljazaj

Sulmi publik që Ilir Meta bëri ndaj drejtuesit të SPAK Altin Dumani, mund të jetë me tone të ashpra, me një gjuhë që nuk është normale, apo një ‘’kërcënim’’ politik, por në thelb nuk ndryshon nga sulmi që politika shqiptare në tërësi po i bën këtij institucioni.

Në opozitë apo në mazhorancë, lufta e politikës ndaj SPAK ka filluar tashmë dhe do të vashdojë gjatë. Jemi pothuajse në një luftë të ftohtë midis politikës dhe drejtësisë.
Dikush e sulmon hapur dhe publikisht, si në rastin e Metës, dikush në fshehtësi me marrëveshje politike duke përgatitur aprovimin e normave apo ndryshimin e ligjeve që kërkojnë të kufizojnë punën e SPAK. Dikush e quan organizatë kriminale, dikush tjetë republikë të prokurorëve, por thelbi i njëjtë mbetet. Politika pas 34 viteve ka filuar të ketë frikë nga drejtësia dhe ky është një lajm i mirë për shqiptarët.

Madje, sa më shumë rriten sulmet e politikës ndaj drejtësisë, aq më shumë drejtësia fiton mbështetjen e qytetarëve. Jo më kot, SPAK është sot në të gjitha sondazhet institucioni që gëzon besueshmërinë më të lartë.

Do apo s’do politika shqiptare, tashmë SPAK është një realitet që nuk zhbëhet më. Të gjithë, pushtetarë apo ish-pushtetarë të nivelit të lartë duhet të bëjnë llogaritë me këtë realitet. Sot, më në fund ka një institucion që nuk ka frikë të hetojë korrupsionin në nivele të larta të pushtetit. Dhe me të gjitha gjasat, herët apo vonë do t’iu vijë radha të gjithë atyre që kanë patur pushtet në Shqipëri.

Janë të fajshëm ose jo, këtë do ta tregojë koha dhe hetimet. E rëndësishme është që raporti i drejtësisë me politikën sot ka ndryshuar rrënjësisht.
Për 34 vite me radhë ne kemi patur një realitet ku ka folur vetëm politika dhe drejtësia ka heshtur. Ndërsa sot është koha ku flet edhe drejtësia, dhe politika ‘’ulëret’’ kundër saj. Nuk ka dyshim se gjitha politika shqiptare, edhe pse e votoi me unanimitet Reformën në Drejtësi është kundër saj. Sepse është absurde të mendosh që një klasë politike që perceptohet e korruptuar të votojë një drejtësi që do të hetonte atë vetë. Nuk mund të kishin një sjellje kaq mazokiste. Por dihet nga të gjithë se votimi i drejtësisë së re ishte nje votim ku klasa politike u detyrua ta bënte.

E vetmja shpresë që kishin, ishte se rrugës, gjatë aplikimit të saj pushtetarët tanë do tja hidhnin dhe do të gjenin mënyra për ta penguar siç kanë bërë për 34 vite. Dhe në disa raste ja dolën. Pushteti arriti që nëpërmjet mekanizmave të saj të ndikojë dhe të shtrihet edhe në organet e reja të drejtësisë.

Por fatmirësisht duarve të pushtetit të kësaj qeverie i shpëtuan një pjesë e rëndësishme e SPAK. Të gjithë e mbajmë mend luftën që bëri ish Ambasadroja Kim me Edi Ramën për zgjedhjen e Dumanit në krye të SPAK. Sot ajo betejë po tregon se përse ndërhyrja e ish-ambasadores ishte kaq thelbësore për funksionim dhe pavarësinë e këtij insitucioni.

Me insistimin e aleatëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, sidomos amerikanëve, ne sot në SPAK kemi një pjesë të rëndësishme të tij të pavarur dhe me kurajo për të hetur korrupsionin në nivele të larta si asnjëherë në historinë e tranzicionit shqiptar. Jo më kot, sapo ky institucion u sulmua sot publikisht, të gjithë aleatët tanë perëndimorë i dolën në mbrojtje. Mbështetja e qytetarëve dhe e ndërkombëtarëve, me sa duket është forca e organit të ri të drejtësisë. Dhe për sa kohë i ka këto dy mbështetje, do të vazhdojë të jetë një realitet përpara të cilit shumëkush do të japë llogari./Liberale.al/

Korrupsioni me tenderat/ Rreziku që vjen nga inteligjenca artificiale

Nga Dorian Kodra

Studimi i një universiteti kinez përgjatë vitit 2022 pati jehonë në mediat ndërkombëtare, pasi provoi se ishte e mundur që njeriu të përjetojë plotësisht ndjenjën e dashurisë në marrëdhënien me një kompjuter të pajisur me inteligjencën artificiale  (AI). Për sa kohë kishte intimitet në komunikim, për sa kohë mund të kishte pasion dhe përkushtim, atëherë studiuesit u bindën se ndjenja e kultivuar tek një human ishte pikërisht ajo, dashuria.

Një lloj pëlqimi dhe simpatie ndjehet edhe në mënyrën se si flet kryeministri jonë për inteligjencën artificiale (AI). Pak kohë më parë, Rama i besoi inteligjencës artificiale një punë të vështirë siç ishte përshtatja e ligjeve me Bashkimin Europian, që do të na ndihmonte me hapjen e kapitujve për negociatat. Këtë të shtunë, iu rikthye idesë për ta shfrytëzuar inteligjencën artificiale (AI) në menaxhimin e tenderave publikë.

Korrupsionin me tenderat, Rama e quajti “burim qelbi” gjatë intervistës së përjavshme, që publikon në profilin e tij në rrjetet sociale.

“Prokurimet janë një problem nga ku buron edhe pjesa më e neveritshme e qelbit të korrupsionit. Me modelin e inteligjencës artificiale (AI) ne mund ta kapërcejmë komplet këtë gjë. Duke e kapërcyer komplet, s’kemi më nevojë për këtë konsum të madh energjish të bëjmë këto procese dhe nga ana tjetër neutralizojmë në një masë shumë të madhe atë burim qelbi. E kthejmë prokurimin e fondeve publike në një proces transparent dhe të thjeshtë dhe të lexueshëm”– tha Rama.

Sipas Ramës, nga inteligjenca artificiale (AI) përfitojmë edhe sepse ka më pak burokraci. “Sepse në fund të ditës të ditës te gjithë ato qindra mijëra ndërveprime që bëjnë njerëzit, shko merr ketë, bjer atë letër merr atë letër, të mungon kjo, kështu ashtu… ato o bën algoritmi, i bën modeli”– shpjegoi kreu i ekzekutivit.

Dallohet në fjalët e Ramës një besim i tepruar tek inteligjenca artificiale (AI). Ndjehet mes rreshtave një lloj idealizimi që i bën ai teknologjisë së avancuar, që sipas tij mund të zgjidhë përfundimisht korrupsionin me tenderat.

Për ta kuptuar nëse pëlqimi i Ramës është real apo nëse pas sjelljes së kryeministrit fshihen interesa të tjera, duhen parë rrethanat nga se lindi ideja.

Vjedhjet e mëdha të njerëzve të Rilindjes me tenderat

Propozimi i parë u bë në mbledhjen e asamblesë së Partisë Socialiste në shtator të vitit 2023. Rama i habiti të gjithë kur tha se zgjedhjen e fituesit të tenderit mund ta bëjë kompjuteri dhe jo njeriu.

“Përmes Inteligjencës Artificiale (AI) që i bën të panevojshme të gjithë komisionet e tenderave. Me këtë rast kemi edhe më pak kandidatë për t’u futur në komisione. Dhe më pak që shkojnë përfundojnë SPAK-ërave nga injoranca. Një pjesë e tyre nuk e dinë fare për çfarë kanë firmosur”, tha ai.

Ishte koha kur socialistëve iu kishin dalë të palarat me inceneratorët, për shkak të hetimeve të SPAK. Ndryshe nga sa thoshte kryeministri, ata e dinin shumë mirë se çfarë kishin firmosur.

U zbulua se se një anonim, i quajtur Klodian Zoto ishte në fakt një nga njerëzit më të rëndësishëm të shtetit shqiptar. Ndërsa punonte në prapaskenë, si një gjeni i “trukimit” të dokumentave shtetërore, Klodian Zoto vilte qindra miliona euro nga paratë e taksapaguesve me bekimin e shefave të tij politikë.

Klodian Zoto bënte propozimin e pakërkuar për inceneratorët, që vinte në lëvizje qeverinë. Klodian Zoto hartonte procedurat dhe kriteret e tenderit. Klodian Zoto fitonte tenderin. Klodian Zoto justifikonte shpenzimet. Klodian Zoto shpërndante paratë tek politikanët.

Organizata socialiste u lëkund. Deputetë, ministra dhe kryebashkiakë përfunduan në burgje. Zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe një nga bashkëpuntorët më të afërt të Edi Ramës u largua nga vendi.

Disa muaj më pas, nisi puna për Qendrën Kompjuterike me Performancë të Lartë. Ekspertë të AKSHI do të bashkëpunojnë me ekspertë të CHATGPT për të dalë me një produkt. Gjithsesi muajt e fundit, futja e inteligjencës artificiale (AI) tek tenderat sikur u harrua.

Por disa ditë më parë, shpërtheu skandali i kompanisë së drejtorëve të bashkisë së Tiranës “5D konstruktion”. Plaçkitja e taksave nga njerëzit e afërt të Erjon Veliajt ishte po aq brutale sa me inceneratorët. Vendin e Klodian Zotos e kishte zënë Nestor Muhametllari, administrator i kompanisë private të drejtorëve të bashkisë së Tiranës.

Nestori organizonte tenderin e bashkisë nga zyrat e kompanisë private. Nestori kontrollonte ofertat e kompanive të tjera private. Nestori ndryshonte kriteret e garës për të eleminuar konkurentët. Nestori kontrollonte edhe drejtorët e tjerë të bashkisë, që i bindeshin, me gjithë frikën se do të përfundonin burgjeve.

Të arrestuarit ishin disa nga financuesit kryesorë të fushatës së Veliajt në Tiranë. Zgjedhjet ndërkohë po afrojnë.

Pafuqia e SPAK përballë inteligjencës artificiale

Në thelb, kalimi i tenderave në përgjegjësi të një programi kompjuterik, është dorëzim përballë aspiratës dhe premtimeve për të ndërtuar një administratë me njerëz të ndershëm dhe të pakorruptuar. Transferimi i punës për të ndarë paratë publike nëpërmjet tenderave nga njerëzit tek kompjuterat, do të thotë të pranosh se pushteti është në duar të pista. T’ia heqësh njerëzve të drejtën e administrimit të parave publike do të thotë se në pushtet janë njerëz që nuk e meritojnë besimin e qytetarëve, meqënëse janë katandisur në një çetë hajdutësh dhe hileqarësh që e kanë mendjen të vjedhin.

Është pikërisht kjo logjikë që e zhvesh administratën nga morali, që vë në dyshim efiçencën e inteligjencës artificiale në duart e po të njëjtës administratë. Nëse njerëzit e pushtetit janë të aftë të trukojnë tendera, të gënjejnë dhe të grabisin taksat tona, kush garanton se programet e inteligjencës artificiale nuk do të manipulohen nga këta mjeshtra të vjedhjes dhe mashtrimit?

Këtu fshihet edhe e vërteta për “dashurinë” që ka kapur Ramën për inteligjencën artificiale (AI).

Kompjuteri që do të mbajë përgjegjësi për shpërndarjen e parave të taksave, ka një karakteristikë që i mungon Lefter Kokës, Arben Ahmetajt, Vangjush Dakos, Taulant Tushës, Redi Mollës apo Mariglen Qatos; kompjuteri jo vetëm është i zhveshur nga përgjegjësia morale, por është imun edhe nga përgjegjësia penale.

Edhe sikur një ditë hetimet e prokurorisë të zbulojnë se një tender ka qenë i padrejtë dhe ka favorizuar një kompani të caktuar nëpërmjet procedurave të parregullta, prokurorët i kanë duart e lidhura. Si mund të ngrihet akuzë ndaj një programi kompjuterik?

Prokurorët nuk mund të marrin dot në pyetje një software për të kuptuar se përse PPP e sterilizimit iu dha një muratori pa eksperiencë në këtë fushë. Prokurorët nuk mund të mbajnë në arrest me burg një shpikje teknologjike, bie fjala për inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston megjithëse paratë janë shpenzuar. Kundër vjedhjes me inteligjencë artificiale nuk mund të organizosh as protesta dhe as të kërkosh dorëheqje nga posti.

Teknologjia e përdorur në këtë mënyrë diabolike zhvlerëson çdo lloj kontrolli, që u mendua se do të forcohej nëpërmjet reformës në drejtësi, pikërisht për të luftuar korrupsionin.

Deri më sot, një skemë si kjo, që nxjerr jashtë loje gjykata, prokurori, BKH, KLSH, audit të brendshëm dhe çdo lloj forme të mbajtjes së përgjegjësisë, nuk rezulton të jetë aplikuar në asnjë vend të botës.

Është kjo arsyeja që inteligjenca artificiale tingëllon kaq e dashur në fjalët e Ramës. Jo se ai është aq naiv dhe po na dashurohet me një kompjuter, por sepse tek teknologjia e avancuar ka gjetur bashkëpuntorin e radhës. Pasi të joshë me prezantimin e tij dhe ta vërë në punë, mund të vijnë edhe problemet. Por ateherë vjedhja nuk do të ndëshkohet më si krim, sepse do të quhet thjesht një gabim./Lapsi.al

Ujërat e zeza vërshojnë përpara Spitalit të Dibrës, qytetarët: Jemi ankuar prej muajsh, por …

Ujërat e zeza të dala në sipërfaqe në rrugën kryesore pranë Spitalit Rajonal të Dibrës dhe Drejtorisë së Higjienës përbëjnë shqetësim për qytetarët dibranë.

Të shqetësuar ata shprehen se me rritjen e temperaturave rreziku për përhapjen e infeksioneve të ndryshme është tejet i lartë, duke theksuar se prej muajsh nuk është marrë asnjë masë nga institucionet përgjegjëse në Peshkopi edhe pse shqetësimi i tyre u është përcjellë disa herë.

Shkak për vërshimin e ujërave të zeza në rrugët e Peshkopisë është bërë dëmtimi i rrjetit të kanalizimeve nga firma ndërtuese, e cila po merret me punimet për rehabilitimin e rrugës.

Qytetarët i drejtojnë apel institucioneve vendore të marrin masa të menjëhershme për zgjidhjen e kësaj problematike, që dita ditës rëndohet. /News 24

VOA: Bie 64% migrimi i parregullt në Ballkanin Perëndimor, por në Shqipëri rritet kontrabandimi migrantëve

Kalimi i migrantëve të parregullt në rrugën e Ballkanit Perëndimor shënoi një rënie të ndjeshme tre muajt e parë të këtij viti thuhet në raportin më të fundit të Organizatës policore europiane të Ruajtjes së Kufijve, FRONTEX.

Sipas raportit gjatë periudhës janar-mars, autoritetet raportuan rreth 5500 kalime të parregullta kufitare në rrugën e Ballkanit Perëndimor , 64% më pak se një vit më parë.

Sipas FRONTEX, migrantët më të shumtë në numër ishin nga Siria, Turqia dhe Afganistani.

“Kalimet detare mbeten jashtëzakonisht të rrezikshme për njerëzit që ndërmarrin migrime të parregullta, thotë FRONTEX.

Në raport referohen të dhëna nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) sipas të cilave 476 persona janë raportuar të zhdukur në Mesdhe në tre muajt e parë të këtij viti.

Shumica dërrmuese e tyre, sipas të dhënave të IOM po lundronin në rrugën e rrezikshme të Mesdheut Qendror.

Bien prurjet e migrantëve të parregullt edhe në Shqipëri, por rritet kontrabandimi

Të dhënat e policisë kufitare shqiptare flasin se tre muajt e parë të këtij viti ra ndjeshëm prurja e migrantëve të parregullt edhe në Shqipëri.

Në dy rajonet më të mëdha kufitare me Greqinë atë të Korçës dhe Gjirokastërs u evdientuan në këtë periudhë rreth 270 migrantë të parregullt.

Policia në të dy rajonet ka goditur rreth 10 raste të kontrabandimit të migrantëve të cilat kanë dëshmuar një rritje të këtij aktiviteti.

Pak ditë më parë gjatë një aksidenti rrugor 7 migrantë nga Pakistani dhe shoferi shqiptar që i transportonte humbën jetën në segmentin e rrugës Këlcyrë Përmet, në jug të Shqipërisë.

Hetimet paraprake treguans e migrantët ishin marrë në Pikën e Tri Urave në kufirin me Greqinë dhe po transportoheshin për në Shkodër për të kaluar drejt Malit të Zi me destinacion final vendet europiane.

Krahas organizimit të kontrabandimit të migrantëve të parregullt nga pikat kufitare me Greqinë një tjetër formë konrabandimi është shfaqur me futjen në Shqipëri të migrantëve nga Bangladeshi me viza për “arsye punësimi” dhe më pas për organizimin e daljes së tyre nga Shqipëria kundrejt përfitimit të shumave të mëdha financiare.

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) dhe Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës kanë vënë nën hetime në Shqipëri, 26 persona, nga të cilët javëne shkuar 21 persona janë lënë në arrest me burg, tre në arrest shtëpie dhe dy me masën e detyrimit për paraqitje para Policisë Gjyqësore.

Mes personave rezultojnë 11 sipërmarrës në fushën e fasonerisë, agjencive të ndërmjetësimit dhe punësimit, dhe 4 punonjës policie.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqipatre Mehmet Rrumbullaku tha se “hetimet kishin nisur pasi gjatë vitit 2023, nga struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit, ishte konstatuar rritja e numrit të të huajve, të pajisur me leje qendrimi dhe leje pune, të kapur në tentativë për t’u larguar drejt vendeve të tjera”.

Sipas hetimeve skema e ngritur dyshohet se përdorte si mbulesë disa agjenci ndërmjetësimi e agjensi punësimi si dhe sipërmarrje tregtare, të cilat i tërhiqnin të huajt me leje të rregullta qëndrimi dhe pune në Shqipëri.

Nga hetimi ka rezultuar më pas se këto praktika janë kryer në mënyrë fiktive, pasi qëllimi nuk ka qenë punësimi i migrantëve, por pajisja me vizë, në mënyrë që ata të mund të hynin lirshëm në territorin shqiptar, për t’u larguar më pas në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Të dhënat paraprake të hetimeve flasin se gjatë aplikimeve për punësim dhe për vizë, janë paraqitur kontrata qiraje fiktive banimi, certifikata profesionale dhe njohjes të gjuhëve të huaja të falsifikuara, etj./VOA

Mesfushori i Arsenalit: Bëjmë maksimumin për titullin, Premier League mund të ketë surpriza

Mesfushori i Arsenalit, Declan Rice u shpreh se skuadra është tërësisht në garë për titullin, pavarësisht humbjen 0-2 ndaj Aston Villas.

“Asgjë nuk ka përfunduar. Jemi ende në pozita të jashtëzakonshme. Jemi gati për të luftuar dhe plotësisht të përqendruar në atë që duam të bëjmë dhe arrijmë. Do të ketë të tjera befasi dhe rezultate të papritura në Premier League, mund të ndodhë gjithçka deri në fund të kampionatit”, tha Rice. 25-vjeçari ka luajtur 32 ndeshje këtë sezon, ku ka realizuar 6 gola.

Lekë Tasi sot 95 vjeç, Autoriteti i Dosjeve propozon titull nderi për rezistencën dhe dinjitetin njerëzor

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka vendosur t’i propozojë Bashkisë së Lushnjës, dhënien  e titullit të nderit, Lekë Tasit, për rezistencën dhe dinjitetin njerëzor të treguar gjatë përndjekjes politike dhe aktivitetit të tij në dokumentimin e së shkuarës.

“Kjo në respekt të një bashkësie që kërkon paqësisht të përballet me të kaluarën dhe si përgjegjësi e shoqërisë së sotme për nderimin e personaliteteve njerëzore, në kuadër të rezolutës nr. 11 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, miratuar nga Kuvendi më 30.10.2006, dhe rezolutave të miratuara nga Këshilli i Evropës e Komisioni Europian. Askush nuk mund të kthehet pas në kohë, për të vënë në vend padrejtësitë e atij sistemi, por ne kemi një mision shumë të rëndësishëm: t’i analizojmë me objektivitet dhe paanshmëri dëshmitë dhe faktet e së shkuarës, në mënyrë që të mos e lejojmë veten dhe shoqërinë që të bëjë sërish të njëjtat gabime. Ruajtja e kujtesës, nëpërmjet dekorimit sa janë ende gjallë, të personave të cilët pavarësisht vuajtjeve, kanë dhënë një kontribut të pashembullt, është në përputhje të plotë me qëllimin e këtij misioni”, thuhet në njoftim.

Lekë Tasi u lind më 15 prill 1929. Punoi violonçelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës ku u pushua për motive politike në vitin 1967.  I ati Koço Tasi, avokat me profesion, i njohur në vitet ’20, kishte qenë Anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës. Pas Revolucionit të qershorit, emigroi për 17 vjet në Greqi. Arrestohet dhe dënohet në  gjyqin  special në vitin 1945. Xhaxhai Akile Tasi, me karrierë të ngjeshur politike në kohën e luftës, me profesion gazetar, vdiq në burgjet e diktaturës.

Leka u dërgua me punë të detyruar, pak më vonë u internua familjarisht në Grabjan të Lushnjes, 1975-1990. Jetën e kësaj periudhe e ka rrëfyer në librin autobiografik “Grabjani rrëzë kodrave”, Tiranë, 2009, një burim parësor informacioni për brezat e ardhshëm mbi jetën e të internuarve.

Aktiviteti i tij kryesor është piktura. Megjithëse autodidakt, ka punuar seriozisht qysh herët duke kopjuar sipas natyrës dhe duke mësuar nga mjeshtrit e mëdhenj. Pas internimit, në Tiranë më 1990, ai rifillon të pikturojë dhe ka ekspozuar në vitet 1992, 2003, 2007, në Galerinë Kombëtare të Arteve etj.

Vijon edhe sot veprimtarinë aktive për dokumentimin e krimeve dhe pasojave të diktaturës si dhe punon për integrimin shoqëror të njerëzve të goditur në mënyra të ndryshme nga sistemi diktatorial.

436401769 749541750623610 7082090395297661188 N

Studimi i ri/ Në cilën orë duhet të hani darkë për të shmangur dhjamosjen dhe rritjen e sheqerit në gjak

Sa ndikon ngrënia vonë natën në peshë dhe metabolizëm dhe cilat janë pasojat shëndetësore të këtij zakoni?

Ngrënia e vakteve të natës vonë mund të kontribuojë në shtimin e peshës dhe sheqerit në gjak, sipas një studimi të vogël të botuar në Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism të Shoqatës Endokrine.

Mbi 2.1 miliardë vlerësohet të jetë numri i të rriturve mbipeshë ose obezë në mbarë botën, duke i bërë më të mundshme problemet shëndetësore si diabeti dhe presioni i lartë i gjakut. Disa studime tregojnë se ngrënia e kalorive vonë gjatë ditës lidhet me obezitetin dhe sindromën metabolike.

“Ky studim shton një pasqyrë të re se si ngrënia e vakteve të vona përkeqëson tolerancën e glukozës dhe redukton sasinë e yndyrës së djegur. Efektet e vakteve të mbrëmjes ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme midis njerëzve dhe varen nga koha e zakonshme e gjumit, duke sugjeruar që disa njerëz mund të jenë më të prekshëm se të tjerët. Nëse efektet metabolike që kemi vërejtur me një vakt bëhen kronike, vaktet e mbrëmjes mund të çojnë në pasoja të tilla si diabeti ose obeziteti,” shpjegon autori i studimit Dr. Jonathan C. Jun i Shkollës së Mjekësisë të Universitetit Johns Hopkins.

Studiuesit studiuan 20 vullnetarë të shëndetshëm (10 burra dhe 10 gra) për të përcaktuar se si metabolizuan darkën e ngrënë pas orës 22:00 në krahasim me atë të orës 18:00. Të gjithë vullnetarët shkuan në shtrat në orën 23:00.

Pra, studiuesit zbuluan se nivelet e sheqerit në gjak ishin më të larta dhe sasia e yndyrës së djegur ishte më e vogël në vaktin e mbrëmjes, edhe kur nw të dyja vaktet konsumoheshin të njëjtat ushqime.

“Mesatarisht, niveli i sipërm i glukozës pas vaktit të mbrëmjes ishte pothuajse 18% më i lartë dhe sasia e yndyrës së djegur gjatë natës u reduktua me 10% në krahasim me ngrënien e një vakti të fundit në orwn 18:00. Efektet që kemi vërejtur te vullnetarët e shëndetshëm mund të jenë më domethënëse te njerëzit që vuajnë nga obeziteti ose diabeti, të cilët tashmë kanë një metabolizëm të dëmtuar”, shpjegon autori i parë i studimit, Dr. Chenjuan Gu.

Ky nuk është studimi i parë që tregon efektet e të ngrënit vonë natën, por është një nga më të detajuarit.

“Ne duhet të bëjmë më shumë eksperimente për të përcaktuar nëse këto efekte vazhdojnë me kalimin e kohës dhe nëse ato shkaktohen më shumë nga sjellja (si gjumi menjëherë pas ngrënies së një vakti) apo nga ritmi cirkadian i trupit,” përfundon Dr. Jun.

Megjithatë, ajo që është e sigurt, sipas studiuesve, është se sa më herët të hamë darkën dhe sa më larg gjumit, aq më pak rrezikohemi nga një rritje e yndyrës në trup, si dhe e sheqerit në gjak.

Akuza e fortë e Alibeajt: Rithemelimi pazar me oligarkët për komisionin hetimor për koncesionet në Shëndetësi

Dakordësia e Rithemelimit me PS për komision hetimor për vetëm dy nga katër koncesione në Shëndetësi, për Enkelejd Alibeajn është një Pazar për që ka influencë oligarkësh. Në “Studio Live” në Report Tv Alibeaj hodhi akuza për seleksionimin që është bërë.

Pyetje: Çfarë fshihet te kjo marrëveshje, amnistia apo ka dhe diçka tjetër? Keni përmendur sulmet ndaj SPAK…

Alibeaj: Të kesh garanci për reformën zgjedhore ti heqësh, të kesh garanci për komisionet hetimore, shkon dhe merr vetëm dy. Njërin prej tyre gjysmën po hetojnë. Koncesioni i dializës dhe laboratorëve nuk janë duke u hetuar dhe kjo ka një arsye, ca të nënës e ca të njerkës vetëm një pazarxhi mund ti bëjë. Këto dy koncesione e vlerësokan qeveria se i paska bërë në mënyrë të shembullt. Duket që është një selektivitet. Me shumë gjasë ka influencë oligarkësh. Mjafton të shikoni se kush është pas tyre. Kur janë dhënë dhe do kuptoni çfarë ndodh me këtë Pazar të komisioneve hetimore.

Kosova drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës/ Basha: Duhet vullnet politik, mungon bashkëpunimi mes Tiranës dhe Prishtinës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dhënë një intervistë drejtpërdrejt nga Strasburgu për Kanalin 10 të Kosovës me gazetarin Naim Sadiku.

Gjatë intervistës së tij, kreu demokrat u shpreh se Vuçiç dhe delegacioni serb po bëjnë gjithçka për ta penguar një gjë të tillë, ndërkohë që kujtoi se sulmi në Bajnskë tregoi orientimin e Beogradit drejt Moskës, duke u treguar me gisht nga i gjithë komuniteti ndërkombëtarë.

Njëkohësisht, Basha shpreh rezerva për mungesën e bashkëpunimit mes Tiranës zyrtare me Prishtinën dhe Shkupin, duke u shprehur se “bashkëpunimi duhet të faktohet me vepra, sepse vullneti politik demostrohet me vepra”.

Më poshtë intervista e plotë: