18.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Shpiragu, qeveria dhe qatipët demode

Nga Klodian Tomorri

Qarkullon një anektodë, e cila ndonëse duket banale në pamje të parë, ka një fabul domethënëse. Fëmija pyet një ditë të atin; cili është ndryshimi mes teorisë dhe praktikës? Fillimisht babai nuk po dinte si t’ia shpjegonte djalit ndryshimin, por më pas i erdhi një ide.

“Shiko- i tha të birit- shko pyet një herë mamin dhe motrën nëse do të flinin me dikë për 1 milionë dollarë”. Pasi i pyeti, djali kthehet sërish. “I pyeta bab. Të dyja u përgjigjën po,” thotë djali.

“Ky është ndryshimi bir- ja kthen i ati-. Teorikisht kemi 2 milionë dollarë si familje, por praktikisht kemi dy …. në shtëpi”

Në përpjekje për të përgënjeshtruar lajmin se zbulimi i naftës në Shpirag dështoi, ministria e Energjisë u tregoi shqiptarëve këtë të hënë një anektodë të ngjashme. Në vija të përgjithshme deklarata e ministrisë ishte kjo; “Në Shpirag është zbuluar naftë. Por tani na duhet të zbulojmë teknologjinë për ta nxjerrë naftën.

Me pak fjalë, teorikisht Shqipëria ka zbuluar naftë. Praktikisht ka një kryeministër dhe një zv/kryeministre, të cilët tregojnë barsaleta me fonde sovrane dhe lumenj parash, që nuk i përballon dot buxheti i shtetit. Kjo ishte për pjesën e dezinformatorëve cinikë, të cilët sipas ministrisë së energjisë, përpiqen të bëjnë politikë partiake në këtë proces me interes kombëtar. Tani detajet.

Në deklaratë ministria thotë shprehimisht “Tanimë jemi në fazën kur është shkencërisht i provuar dhe i dokumentuar, zbulimi i një depozite të konsiderueshme prej 225 milionë barrelash rezervë nafte, si edhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut.”

E para, në industrinë e kërkimit nuk ekziston termi “depozitë”. Ka vendburim me rezerva, por jo depozitë me rezerva. Dhe ky nuk është një lapsus apo gabim nga padituria. Fjalia është shkuar qëllimisht ashtu për të përgënjeshtruar pa përgënjeshtruar.

Së dyti, togfjalëshi “225 milionë barela rezervë nafte” po ashtu nuk tregon asgjë. Pas fjalës rezervë duhet të ketë një tjetër përcaktor. Rezervë potenciale, rezervë e rekuperueshme, rezervë e provuar, rezervë e mundshme, rezervë gjeologjike etj. Të gjithë këta janë koncepte shumë të ndryshme nga njëri tjetri.

Për shembull, vendburimi i Patos-Marinzës ka rezervë gjeologjike gati 8 miliardë fuçi nafte, ose rreth 40 herë më shumë se zbulimi i “madh” i Shpiragut, i cili do të impaktonte Europën. Por nga kjo, rezerva e rekuperueshme është më pak se 200 milionë fuçi.

Së treti, qeveria dhe ministria e Energjisë e kanë shumë të lehtë të përgënjeshtrojnë dezinformatorët cinikë, pa patur nevojë të bëjnë deklarata me gafa amatorësh. Mjafton të na thonë sa para ka mbledhur deri më tani Fondi Sovran i Shpiragut dhe sa parashikohet të mbledhë vitin tjetër. Nga këto sa para do të jepen për rritjen e pensioneve dhe sa për të impaktuar arsimin, shëndetësinë, mirëqënien e fëmijëve e kështu me radhë, siç pati thënë kryeministri dhe ministrja e energjisë. Kaq e thjeshtë është.

Në fund, një fjali edhe për qatipët mediatikë në bukë të qeverisë. Të hash bukën e qeverisë është sakaq e sikletshme. Por të lëpish edhe gjëra të tjera përvec kores është torturë. Lëre më pastaj të përpiqesh të luash Moxartin, kur klarinetën e ke mësuar me vesh. “Well-write offs” nuk është punë qatipësh./Kapitali.al

Nga rikthimi i të përjashtuarve në PD te ‘pakti’ PS-Rithemelimi, Alibeaj: Sakrifikuan Zgjedhoren! Politika të mbajë duart larg drejtësisë

Sekretari i Përgjithshëm i PD Enkelejd Alibeaj i ftuar në “Studio Live” në Report Tv ka analizuar arsyet që sipas tij bashkuan PS-në dhe Rithemelimin drejt një dakordësie që riktheu në normalitet jetën parlamentare. Një prej tyre sipas Alibeajt ishte për të “sakrifikuar” Reformën Zgjedhore.

“Muaj më parë kemi bërë disa propozime jo se janë risi nga përmbajtja e tyre, por duke ndjekur vazhdimin e ndryshimeve kushtetuese ishte e kuptueshme që nevoja më e madhe që procesi zgjedhor për publikun janë pak gjëra lehtësisht të konceptueshme: Llogaridhënia para tyre. Kasta politike është jo llogaridhënëse para tyre. Deputeti të zgjidhet nga qytetari dhe t’ja ketë frikën qytetarit. Thënë ndryshe listat e hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore, votat e diasporës… e shndërron deputetin përfaqësuesin politik në rob të interesit të qytetarëve. Sa kohë i depozituam në parlament si propozime pati lëvizje si nga mazhoranca dhe nga opozita”, tha Alibeaj në një intervistë me Arbër Hitajn.

Rithemelimi dhe PS, shtoi Alibeaj zgjodhën të mbajnë paktin e 2008, pasi është në interesin e tyre për ttë ruajtur karrigen.

“Nëse ka një zgjidhje që akomodon interesin pragmatist të deputetëve janë listat e mbyllura. Mjafton të jesh një lëpirës, një servile i kryetarit të partisë dhe garanton karrigen tënde dhe për katër vite të tjera. Këtë bën ky sistem. Çështja e listave të hapura s’ka të bëjë fare me partitë e vogla. Ka të bëjë me atë që sistemi i jep shqiptarëve. Ata kanë mbajtur patin anti-demokratik të 2008. Shqipëria një zonë nuk është thjesht barazia e votës, por ka diçka tjetër akoma më të rëndësishme. Frika më e madhe i ka mbledhur këta njerëz pas karrigeve të errëta dhe fjalë tjetër përveç pazarit nuk meritojnë”.

Ndonëse nuk është kundër rikthimit të koalicioneve parazgjedhore, Alibeaj shton se janë në dëm të partive të vogla. Ai i mëshoi propozimeve të PD Shqipëria 1 zonë zgjedhore dhe lista të hapura, me argumentin që ti jepet qytetarit e drejta për të zgjedhur kandidatin.

“Për ne nëse rikthehen koalicionet parazgjedhore nuk kemi asnjë kundërshtim. Sugjerimi nga ana jonë i Shqipërisë një zonë synonte të eliminonte gjithçka që Ps fitoi në mënyrë parazitare me ndryshimet kushtetuese të 2008. Te kjo historia e koalicioneve parazgjedhore suksesi varej nga një fakt i thjeshtë sesa një parti arrinte të bënte koalicione me parti të tjera. Ndërkohë ajo që themi ne është se demokracia nuk duhet të jetë një çështje dëshirash shijesh apo lojërash. Pra midis një alternative që nuk dihet sa e suksesshme mund të jetë koalicionet parazgjedhore, dhe një alternative tjetër lista të hapura.

Me një koalicion parazgjedhor partitë e vogla përthithen nga partitë e mëdha. Për ne është e rëndësishme Shqipëria një zonë dhe lista të hapura. Shqiptarët të votojnë individin. Këtu flas edhe për të djathtën. E djathta ka ardhur në qeverisje sa herë ka garuar me figura individuale. E majta, PS, një parti me një historik 100 vjeçar është parti e rreshtit. Një sistem që i vendos individët në përballje të drejtpërdrejtë kjo është garancia, arma plus që e djathta ka.”

Qetësimi i Rithemelimit pas dakordësisë me PS, me ngritjen e 2 komisioneve hetimore parlamentare nga 8 që kërkuan, për Alibeajn tregon se kriza gati 6 mujore ka qenë artificiale.

“Ishte një krizë artificiale. Kjo shihet nga kërkesat që pozohen dhe pastaj sa u qëndron kërkesave në një moment të dytë. Gjatë krizës artificiale rezultoi se mazhoranca e Ramës ka lojë sistematike. Sot që flasim për asnjë nga çështjet e rëndësishme, buxhetin, ligjin për komisionet hetimore dhe rregulloren. Së dyti u sakrifikua reforma zgjedhore”.

Krahas “sakrifikimit” të Reformës Zgjedhore, Alibeaj tha se pas marrëveshjes fshihet dhe frika që të dyja palët kanë ndaj SPAK. Për këtë arsye sekretari i PD shton se palët sipas tij po bëjnë një tjetër përpjekje për të “kapur SPAK”. Sinjal të parë ndaj prokurorisë së posaçme, Alibeaj interpreton votimin e amnistisë penale.

“Kushdo e mendon se cila është arsyeja që bën bashkë Berishën dhe Ramën. Njëri thoshte në një miting që bëri para dy vitesh të kam armik, e mbani mend ulërimën e Berishës. Edi Rama të kam armik. Ndërsa Rama i thoshte je kufomë, nuk merrem me ty. Sot bëjnë këtë marrëveshje. Teatër i hidhur në kurriz të shqiptarëve. Arsyeje tjetër është SPAK. Ramës ministra e drejtorë i shkojnë përditë në derë të SPAK. Me miratimin e amnistisë i çuan një sinjal SPAK. Krijuan atmosferën se spak nuk është i paprekshëm. Nuk është vetëm simbolikë ishte provë me ngarkesë që kalo tashmë dhe me sa duket plani do vazhdojë. Një përfaqësues i mazhorancës ka thënë se do krijojmë një komision në parlament për të kontrolluar shkeljen e të drejtave të njeriut nga SPAK. Politika të mbajë duart larg drejtësisë. Po marr dhe një shembull tjetër për atë se çfarë është arsye që i bën bashkë. Frika nga drejtësia i bën bashkë”.

Një koment pati edhe për tentativën e Gazment Bardhit, për të futur zyrtarisht në grupin parlamentar të PD Sali Berishën dhe deputetët e tjerë që janë përjashtuar.

“Të enjten e kaluar Lindita Nikolla jashtë funksionit të vetë e merr Berishën dhe e sjell brenda grupit parlamentar. Unë dëgjova atë që Nikolla tha: të gjithë deputetët e përjashtuar do rifuten në grupin parlamentar të PD. Pezullimi i Berishës nuk ishte vetëm një sherr i vogël brenda PD, nuk janë sherre të vogla, qëndrime zyrtare të PD, e cila e ka detyrim dhe për nevojë të saj, që të distancohet nga të gjitha praktikat individët dhe personazhët që mbartin ngarkesë politike dhe që nuk kanë çfarë të ofrojnë më në tregun politik.

Nuk duhet ta harrojmë 8 janarin Arbër. Ne reaguam. Nikolla, në fakt Rama, se Nikolla nuk ka autonominë e saj, në kundërshtim me vendimet autonome të PD, me qëndrimin zyrtar të saj dhe në kundërshtim me SHBA dhe raportin e Freedom house, e merr dhe ta sjell pilaf në shtëpi.

Ky është fundi i moralit politik të mazhorancës. Ajo që nuk ka kuptuar Rama është fakti se ajo çfarë i ndodhi PS që është detyruar të ndërmerrte këto akte është pikërisht që duhet të jetë një politikë kombëtare. Halli i bën bashkë.”

Shënim/ Meta-Kryemadhi si shembuj të degradimit të politikës

Ajo se çfarë ndodh në jetën private të njerëzve, qofshin këta edhe politikanë, është pa interes për publikun.

Në kohën tonë, këtë “kuriozitet”, e heqin emisione të llojit “Big brother”, të cilët mishërojnë më së miri nevojën që ka qenia boshe për të parë jetën e tjetrit nëpërmjet vrimës së çelësit.

Por ajo që po ndodh prej një periudhe të gjatë në familjen Meta-Kryemadhi, nuk mund të kalojë pa interesin e opinionit.

Jo për atë se çfarë ndodh në jetën e tyre intime, por për të kuptuar atë se çfarë ndodh në jetën e tyre publike.

Dhe nëse ka një përkufizim më të mirë për të përmbledhur atë se çfarë po ndodh në atë familje, është paniku i madh që i ka zënë nga SPAK-u.

Është e kuptueshme që në këtë panik pa fund dhe në këtë degradim emocional që shfaq herë pas here Ilir Meta, edhe SPAK ka “fajin” e tij, sepse, në vend që t’u japë fund hetimeve dhe të dalë në konkluzione, e zvarrit, me sa duket, qëllimisht hetimin e çështjes, si për t’u hakmarrë kështu jo për veten, por për dëmin që ka shkaktuar ai çift në jetën politike shqiptare.

Atë që nuk e bënë vitet e gjata dhe konsumi i kohës, po e bën paniku nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e cila, pavarësisht hakërrimeve dhe kërcënimeve, duket se nuk e ka bërë qejfin qeder dhe po i shkon çështjeve deri në fund me një qetësi kirurgjikale.

Ndryshmet që Ilir Meta synon t’i bëjë statusit të partisë së tij, por edhe prononcimet e tij të herëpashershme se nuk mban asnjë përgjegjësi për bashkëshorten e tij, i ngjajnë atyre ndarjeve të “detyruara” në komunizëm, ku një prej bashkëshortëve ishte i detyruar të ndahej prej tjetrit për arsye biografike dhe për shkak se u kishte ‘shkarë këmba’ në dërrasë të kalbur.

Veçse dallimi është i madh, për shkak se Meta-Kryemadhi gjithçka që e kanë realizuar, për mirë ose për keq, e kanë bërë së bashku, kështu që, pavarësisht se çfarë bëjnë në jetën e tyre familjare, përpara drejtësisë janë të destinuar të përballen bashkë, duke pasur të njëjtin fat./ Nga Namir Lapardhaja

Çfarë duhet të dini për pirjen e kafesë nëse vuani nga aciditeti në stomak? Ja koha më e mirë për ta pirë

Për shumë njerëz, pirja e kafesë në mëngjes është një nevojë dhe domosdoshmëri. Kafeja ofron energji, të hap sytë dhe në varësi të antioksidantëve mund të mbrojë edhe zemrën dhe trurin.

Kafeja Dhe Aciditeti Në Stomak

Ekspertët thonë se njerëzit që vuajnë nga refluksi i acidit dhe probleme të tjera me zorrët e stomakun duhet të jenë të kujdesshëm në konsumin e kafesë.

Ata sqarojnë se kujdesi është i nevojshëm sepse kafeina nxit simptomat e refluksit dhe i përkeqëson ato.

Njerëzit që vuajnë nga aciditeti i lartë në stomak duhet të pijnë kafe me qumësht bajamesh, arre kokosi, ose shtazësh pa yndyrë.

Rritja e sasisë së kalçiumit në filxhanin e kafesë ul nivelin e aciditetit të pijes dhe e bën më të butë për stomakun.

Kur Është Koha Më e Mirë Për Të Pirë Kafe?

Studimet e shumëta mbi rolin e kafesë kanë zbuluar se koha më e përshtatshme për të pirë kafenë dhe për të përfituar në maksimum vlerat e saj nuk është mëngjesi por paraditja, në mos fillimi i pasdites.

Kur kafeja pihet në mëngjes, njeriu bëhet më alert dhe më i vëmendshëm por këto të dyja zbehen shumë shpejt pas disa orësh.

Për këtë arsye ekspertët thonë se kafeja të pihet paradite, ose 3-4 orë pas zgjimit.

Në këtë pikë të ditës trupi ka më pak hormone stresi dhe ka nevojë për energji.

Bleu tokën e përfituar nëpërmjet falsifikimit të dokumentave nga ish-zyrtarët në Bërxullë, kompania në pronësi të nipit të ish-deputetit socialist Sadri Abazi

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrestimin e 3 ish-zyrtarëve të komunës Bërxullë, Ymer Marku, Kujtim Balliun, Agim Locin, si edhe shtetasin Kujtim Allmeta, të akuzuar për përfitimin e 7500 metra katrorë tokë nëpërmjet falsifikimit të dokumentave.

 

Kjo sipërfaqe toke, pasi është përfituar në mënyrë të paligjshme dhe nga Prokuroria e Tiranës është kërkuar sekuestrimit i saj, i është shitur  shoqërisë “Alko Impex Construsion” shpk në vlerën 10.000.000 lekë të reja.

Kjo kompani, rezulton të jetë nën pronësinë e nipit të ish deputetit socialist Sadri Abazi.

“Nga hetimi rezultoi se plani i rivelimit për pasurinë me sip 7.500 m2 shkoi në favor të shtetasit Kujtim Allmeta (nënshkruar/firmosur) nga Kryeplaku i Fshatit Bërxullë shtetasi Agim Loci dhe Kryetari i Komunës Ymer Marku, në një kohë kur tokat në kodër Bërxullë kanë qënë toka të Bashkisë Vorë dhe në vitin 1998 kanë kaluar në administrim të ish-Komunës Bërxull”, informon Prokuroria.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, Ymer Marku, i cili ka mbajtur postin e kryetarit të Komunës Bërxullë nga viti 2004 – Gusht deri në vitin 2015, në shkresën e datës 13 korrik 2005, ka dërguar për verifikim në Këshillin e Qarkut Tiranë, dokumentacionin për shtetasit A.A., P.A. dhe Sh.A.

Në cilësinë e Kryetarit të Komunës Bërxullë së bashku me kryeplakun e fshatit Agim Loci kanë nënshkruar në plan rilevimin për pasuritë e këtyre shtetasve.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria Tiranë kërkon ‘Arrest në burg’ për 3 ish-zyrtarë dhe shtetasin K.A si dhe sekuestrimin e 7500m2 tokë në Bërxullë të përfituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkoi caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për ish-zyrtarët Y.M., K.B., A.L., për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe shtetasin dhe K.A. për veprën penale “Falsifikimi dokumentave”, parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal dhe veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale” e parashikuar nga neni 287 i K.Penal.

Po kështu, kjo prokurori kërkoi sekuestrimin e pasurisë 7.500m2 tokë e llojit “Arrë” e dyshuar e përfituar në mënyrë të paligjshme dhe më pas e shitur shoqërisë “Alko Impex Construsion” shpk në vlerën 10.000.000 lekë të reja.

Më 16.09.2020, kjo prokurori ka regjistruar proçedimin penal nr.5783, për veprën penale “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 të K.Penal.

Nga hetimi rezultoi se plani i rivelimit për pasurinë me sip 7.500 m2 shkoi në favor të shtetasit K.A. (nënshkruar/firmosur) nga Kryeplaku i Fshatit Bërxullë shtetasi A.L. dhe Kryetari i Komunës Y. M, në një kohë kur tokat në kodër Bërxullë kanë qënë toka të Bashkisë Vorë dhe në vitin 1998 kanë kaluar në administrim të ish-Komunës Bërxull.

Personi nën hetim shtetasi Shtetasi Y.M nga viti viti 2004 – Gusht deri në vitin 2015, ka qënë me detyrë Kryetar i Komunës Bërxull, Tiranë. Me shkresën me nr.1021 prot, dt. 13.07.2005, ai ka dërguar për verifikim në Këshillin e Qarkut Tiranë, dokumentacionin për shtetasit A.A., P.A. dhe Sh.A. Në cilësinë e Kryetarit të Komunës Bërxullë së bashku me kryeplakun e fshatit shtetasin A.L. kanë nënshkruar në plan rilevimin për pasuritë e këtyre shtetasve.

Ndërsa me shkresën me nr.576 Prot, datë 12.05.2015 me lëndë “Dërgim dokumentacioni për rregjistrim” është formuluar/konceptuar nga specialisti i Z.M.M.T, shtetasi K. B. dhe konfirmuar (firmosur) nga kryetari i Komunës shtetasi Y.M. për të njëjtën pasuri në emër të shtetasit K.A. (ndryshe nga sa kishte vepruar një vit më parë për të njëjtën pasuri).

Personi nën hetim shtetasi K. B. i cili nga muaji Korrik 2011- Shtator të vitit 2015, ka qënë me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Komunës Bërxullë, Tiranë ka përpiluar shkresat për dërgimin për regjistrim bashkëlidhur dhe ka dërguar AMTP origjinale pa numër në emër të shtetasit K.A. për pasurinë me nr.1032 z.k.1167 me sipërfaqe 7.500 m2, pa kryer më parë verifikimin në dokumentacionin që dispozonon zyra e tij. Ndërkohë që shtetasi K.A., nuk mund të pajisej me AMTP pa numër datë 14.1.1996 (e falsifikuar sipas aktit të ekspertimit) pasi ishte pajisur me AMTP me nr.30 datë 06.01.1996, për pasurinë me nr.133/12, me sipërfaqe 5.100 m2 e llojit arë (sa ka qënë edhe norma për frymë).

Personi nën hetim shtetasi K.Arezulton se pasi ka përvetësuar pasurinë me dokumenta të falsifikuara në bashkëpunim me punonjësit e Komunës Bërxullë dhe Kryeplakun e fshatit, ka përfituar edhe të ardhura monetare në vlerën 10.000.000 lekë të rinj, duke konsumuar dhe veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale” e parashikuar nga neni 287 i K.Penal, duke tjetërsuar pasurinë me qëllim mbulimin e orgjinës së saj, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale të falsifikimit të dokumentave.

Në rastin konkret, gjatë ushtrimit të detyrës në Komunën Bërxullë, shtetasit K. B., A.L. dhe Y. M., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 të K.Penal, pasi ka dyshime të bazuara në prova se këta punonjës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë kryer veprime në kundërshtim me detyrën funksionale, duke cënuar interesat e ligjshëm të shtetit dhe personave të tjerë pretendues, për shkak të dëmit të konsiderueshëm ekonomik që u ka ardhur si pasojë e tjetërsimit jo të ligjshëm të pasurisë të pretenduar dhe gëzuar prej vitesh prej tyre.

Duke marrë parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, përhapjen e veprës penale, sanksionin, si dhe me qëllim kryerjen e një hetimi gjithë përfshirës, në kushtet kur ekzistojnë shkaqe të cilat vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës (kriteret e përcaktuara në nenin 228 të K.Penal), vlerësojmë se ndaj shtetasve K.A., K. B., A. L. dhe Y.M., duhet të caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale.

Analiza e REL: Ambiciet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, drejt finishit apo bllokimit?

Kosova mund të bëjë një hap më pranë anëtarësimit në Këshillin e Evropës më 16 prill, kur Asambleja e tij Parlamentare ta shqyrtojë një raport që rekomandon anëtarësimin e saj.

 

Në Strasburg do të mbahet votimi dhe nëse dy të tretat e parlamentarëve kombëtarë, që përfaqësojnë 46 shtetet anëtare të organizatës, japin dritën e gjelbër, çështja do të kalojë para ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, saktësisht një muaj më vonë, dhe ata do ta marrin vendimin përfundimtar.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës – një synim i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008 – do të nënkuptonte, mes tjerash, përfaqësimin e parlamentarëve të saj në Asamblenë Parlamentare të organizatës. Kosovarët, po ashtu, do të mund t’i paraqisnin rastet e tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Vendi do t’i bashkohej edhe Unionit të Transmetuesve Evropianë, duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së tij në garën vjetore të këngës, Eurovizion.

Gjasat janë që dy të tretat e votave të arrihen. Një raport për këtë çështje u miratua më 27 mars nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili deklaroi se “aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës duhet të marrin përgjigje pozitive”.

Tani, 12 nga 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës nuk e konsiderojnë Kosovën shtet të pavarur – më pak se pakica bllokuese.

Ato përfshijnë Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, pesë vendet e BE-së: Qipron, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën, si dhe Armeninë, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.

Ato nuk kanë ndonjë arsye të përbashkët, por shumica e këtyre vendeve janë kundër pavarësisë së Kosovës ose për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre të brendshme territoriale, ose për shkak të çështjeve të tyre me pakicat, që potencialisht mund të kërkojnë pavarësi.

Megjithatë, jo të gjithë përfaqësuesit e këtyre vendeve mund të votojnë sipas pikëpamjeve politike, të shprehura nga kryeqytetet e tyre për Kosovën.

Përfaqësuesit ukrainas, për shembull, do të kenë “një votë të lirë” dhe mund të ndodhë që vendet e tjera ta ndjekin shembullin.

Ka të ngjarë të ketë mjaft përfaqësues që do të zgjedhin të abstenojnë – gjë që do t’i hapte rrugë një drite jeshile për Prishtinën. Është gjithashtu domethënëse që autorja e raportit, Dora Bakoyannis, është ish-ministre e Jashtme e Greqisë dhe motra e kryeministrit aktual grek, Kyriakos Mitsotakis.

Rrjedhimisht, nuk mund të përjashtohet mundësia që delegacioni grek – pavarësisht qëndrimit formal të mosnjohjes së Kosovës – ta mbështesë anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.

Pra, do të ketë një lojë numrash në Strasburg.

Deputetët e partisë në pushtet të Hungarisë, Fidesz, ka të ngjarë të votojnë kundër Kosovës, pavarësisht njohjes së Kosovës nga Hungaria. Kjo reflekton lidhjet gjithnjë e më të ngushta të Budapestit me Serbinë.

Në këtë mes mund të ndihmojë edhe grupi i atyre që Këshilli i Evropës i quan “juristë të shquar”, të cilët e kanë studiuar çështjen e anëtarësimit eventual të Kosovës nga pikëpamja ligjore.

Ata kanë pohuar se vlerësimi për shtetësinë, në fund të fundit, është një vendim politik, dhe kanë theksuar se prania e Kosovës në organizatat ndërkombëtare nuk sjell ndonjë kompetencë ekzekutive, se autoritetet e Kosovës ushtrojnë juridiksion mbi territorin dhe popullsinë e Kosovës, se Kosova ka marrëdhënie ndërkombëtare dhe se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Pra, bazë ligjore për anëtarësim ka.

Por, pse po ndodh kjo tani?

Ka disa arsye për këtë. Fillimisht, Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës menjëherë pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022. Me Moskën jashtë organizatës, Serbia ka humbur një nga aleatët e saj më të mëdhenj në këtë luftë. Pastaj është edhe fakti se Kosova, tashmë, u është bashkuar disa organeve të lidhura me Këshillin e Evropës, si Komisioni i Venecias dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës.

I lidhur me këtë zhvillim është edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili vazhdon në nivele të ndryshme diplomatike që nga viti 2011.

Është e drejtë të thuhet se ky dialog gjendet tani në nivelin më të ulët ndonjëherë, për shkak të një numri incidentesh që kanë ndodhur vitin e kaluar, përfshirë këtu vendimin e Prishtinës për përdorimin e targave të Kosovës, dorëheqjen masive të serbëve të Kosovës nga policia dhe zyra të tjera publike, zgjedhjet lokale pa pjesëmarrjen e serbëve dhe sulmin – e lidhur me Beogradin – në Manastirin e Banjskës, i cili ka rezultuar me vrasjen e një zyrtari të Policisë së Kosovës.

Por, para kësaj, është dukur se është bërë një përparim i madh me Marrëveshjen e Ohrit, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur verbalisht në mars të vitit 2023.

Në njërën nga pikat e saj thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. Dy dispozita të tjera janë, gjithashtu, të rëndësishme në këtë kontekst: se Kosova “do të angazhohet të sigurojë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin etnik serb në Kosovë” dhe “do të garantojë sigurinë e pronave të Kishës Ortodokse Serbe brenda kufijve të saj”.

Në lidhje me këtë marrëveshje janë edhe dy gjëra që duhet të dihen. Së pari, ajo nuk është nënshkruar nga asnjëra palë, edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur së paku gatishmëri për ta bërë një gjë të tillë. Pra, ligjshmëria e marrëveshjes është e diskutueshme. Së dyti dhe më me rëndësi, nuk ka ndonjë pajtim se çfarë duhet zbatuar së pari.

Kosova, në njëfarë kuptimi, ka lëvizur e para. Kjo ka ndodhur kur Qeveria e saj ka vendosur në muajin mars që t’ia dorëzojë pronësinë e 24 hektarëve tokë Manastirit të Kishës Ortodokse Serbe në Deçan, në pjesën perëndimore të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në favor të manastirit qysh në vitin 2016, por qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës kanë refuzuar ta zbatojnë atë vendim.

Kjo kthesë e ka shtyrë Bakoyannisin që të rekomandojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Por, Kosova i ka edhe dy detyra të tjera për t’i kryer: themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe trajtimin e çështjes së shpronësimit të pronave në ato komuna. Sipas raportit të Bakoyannisit, të dyja këto çështje duhet të jenë një “angazhim pas anëtarësimit” i Prishtinës. Dhe, çështja është nëse bashkësia e gjerë ndërkombëtare pajtohet me këtë.

Nëse çështja kalon në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, politikë e vërtetë, pastaj, do të bëhet rreth vendimit të Komitetit të Ministrave, muajin e ardhshëm. Ashtu sikurse në Asamblenë Parlamentare, vendimi mund të merret me një shumicë prej dy të tretash, por do të ishte i paprecedentë – ministrat, deri më tani, kanë arritur gjithmonë konsensus për pranimin e anëtarëve të rinj.

Serbia tashmë ka lënë të kuptohet se do të bëjë gjithçka të mundur për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës dhe ajo mund të ketë sukses.

Një skenar mund të jetë që në maj të mos merret fare vendimi përfundimtar.

I ashtuquajturi QUINT, i përbërë nga Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, do që të shohë një projektligj të mirëfilltë, të paraqitur nga Kosova, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, para se të bjerë dakord që çështja të dalë në rend dite në takimin ministror.

Ata e shohin këtë si shansin e fundit për t’i bërë presion Kurtit që ta pajtohet për këtë çështje, pasi anëtarësimi në Këshillin e Evropës është karota e fundit perëndimore që i ofrohet atij. Anëtarësimi në BE është ende një ëndërr.

Për themelimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia janë pajtuar në vitin 2013, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e marrëveshjes, si për kompetencat ekzekutive që do t’i gëzonte Asociacioni, ashtu edhe për përbërjen e tij etnike, pasi duket se nuk mund të ketë joserbë të punësuar atje – gjë që, siç argumentohet, do të ishte antikushtetuese.

Pra, Kosovës mund t’i jepet një shtysë këtë javë gjatë votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por vendimi përfundimtar i 46 ministrave të Jashtëm mund të shtyhet për së paku një vit, nëse nuk arrihet më shumë përparim në javët në vazhdim./rel

Doni ta nisni ditën me energji? Ja 5 gjëra që duhet të bëni sapo të zgjoheni në mëngjes

Jeni nga ata njerëz që e urrejnë zgjimin në mëngjes, ndihen të plogësht dhe luftojnë të ngrihen nga shtrati? Nëse po, vendosni këto zakone në rutinën tuaj të mëngjesit dhe do ta ndjeni ndryshimin që nga dita e parë!

 

Zgjohuni me qetësi

Në vend që të ngriheni nga shtrati sapo të bie alarmi, merrni disa minuta për të lënë trupin dhe mendjen tuaj të rikuperohen nga gjumi. Bëni disa ushtrime të frymëmarrjes për t’ju ndihmuar.

Uji i ftohtë është jeta

Pasi të ngriheni nga shtrati dhe të vizitoni tualetin, lani fytyrën me ujë të ftohtë, edhe në dimër. Kjo ndjesi freskuese fjalë për fjalë zgjon trurin.

Bëni shtriqje

Muskujt e lënduar dhe të shtrënguar, veçanërisht në shpatulla, shpinë dhe legen, do t’ju bëjnë të ndiheni të lodhur edhe pa filluar dita. Bëni disa shtrirje të lehta përpara se të bëni ndonjë gjë tjetër. 5 minuta janë të mjaftueshme.

Hani mëngjes

Ju ndoshta e dini tashmë këtë, por ne nuk humbasim asgjë duke ju kujtuar. Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës, ndaj duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë për t’i siguruar trupit tuaj energjinë që i nevojitet. Drithërat integrale, ushqimet që përmbajnë proteina pa yndyrë dhe yndyrna të mira janë të domosdoshme çdo mëngjes.

Pini shumë ujë

Gjatë ditës, është e rëndësishme të mbani trupin tuaj të hidratuar. Kur ndiheni të lodhur ose nuk mund të mendoni qartë, dehidrimi mund të jetë pas kësaj ndjenje. Më pas, nëse punoni nga shtëpia apo zyra, do të ishte mirë që ta keni gjithmonë me vete shishen plot me ujë dhe të pini edhe nëse nuk keni etje.

Rindërtim i ekonomisë së Ukrainës, pavarësisht bombave! Kostot kapin shifrën e 400 miliardë dollarëve

Qeveria gjermane do të kryejë investime në Ukrainë megjithëse ende vendi bombardohet nga Rusia. Berlini do të organizojë për këtë konferencën e tretë të rindërtimit për Ukrainën.

Qeveria gjermane do të shtyjë përpara rindërtimin e Ukrainës. Për këtë është përgatitur një plan 15 pikësh. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Zhvillimit, “bëhet fjalë për mobilizimin e sektorit privat për rindërtimin e Ukrainës”. Në Berlin dhe kryeqytetin ukrainas, Kiev ka javë që janë duke u zhvilluar bisedime për një konferencë të ardhshme të rindërtimit të planifikuar më 11 dhe 12 qershor.  Edhe në Londër dhe Lugano ka pasur konferenca të tilla, por nga qarqet qeveritare gjermane thuhet, se në këto konferenca është bërë fjalë vetëm për ndihmat për ekonominë ukrainase, ndërsa në Berlin do të bëhet fjalë për “katër dimensione të rindërtimit”. Krahas ekonomisë në punimet e konferencës do të luajnë rol edhe diskutimet për fuqinë punëtore të kualifikuar dhe shkollimin  e saj, procesin e anëtarësimit në BE dhe forcimin e komunave dhe bashkive në Ukrainë.

Nevoja e rindërtimit të Ukrainës kap shifrën 400 miliardë dollarëve

Ministria gjermane e Zhvillimit që pas revolucionit në Majdan e ka forcuar ndihmën në nivelin komunal për Ukrainën. “Ne duam të forcojmë atë që ekziston” tha zëdhënësja e ministrisë për DW. Kjo synohet në një kohë, kur Rusia ende godet infrastrukturën ukrainase me raketa dhe sulme me dronë në frontin e lindjes. Fondi Monetar Ndërkombëtar i vlerëson me rreth 400 miliardë dollarë kostot e rindërtimit të Ukrainës.

Me qëllim që kompanitë private të investojnë në Ukrainë, më ato pjesë të vendit, që kërcënohen më pak nga Rusia, ekziston mundësia që kompanitë të aplikojnë për garanci shtetërore. Këtë e mundëson programi i “garantimit të investimeve” i Ministrisë së Zhvillimit, që funksionon si sigurimet. Për Ukrainën ky instrument për sigurimin e investimeve gjermane jashtë vlen edhe për rastin e luftës. Që do të thotë: nëse ndodh që një bombë ruse shkatërron një fabrikë apo investim të ri të caktuar, Gjermania del garant për pjesën më të madhe të infrastrukturës së shkatërruar, nëse investimi është kategorizuar si i mbrojtur.

Ombrellë mbrojtëse për më shumë se 22 projekte investimi

Ministria e Ekonomisë në Berlin ka miratuar në kuadër të projektit të garantimit të investimeve 53 kërkesa për mbrojtje të investimit. Shumica ishin investime në Ukrainë, 22 investime në vlerë 54,8 milionë euro, thuhet në raportin e agjencisë “investitionsgarantien.de, me porosi të ministrisë. Ndër investimet që marrin mbrojtjen gjermane në Ukrainë është edhe zgjerimi i mëtejshëm i fabrikës së re për materialet e ndërtimit nga kompania gjermane, Fixit  në afërsi të qytetit Lviv. Së bashku me filialin bijë “Kreisel”, prodhuesi i materialeve të ndërtimit ka shumë vite që prodhon në Europën lindore. Që para sulmit të Rusisë në vitin 2022, kjo kompani kishte filluar me prodhimin me ndërtimin e një fabrike të re në afërsi të Lvivit. Kur Rusia pushtoi Ukrainën ndërtimi i ndërpre. Miratimi i sigurimit të investimit bëri që punimet të vazhdonin sërish. “Ne kemi besim, se mund të fillojmë këtë vit me punën si provë”, thotë drejtori ekzekutiv i kompanisë për rajonin lindor, “Region Ost”, Michael Kraus. “Ne duhet të rindërtojmë Ukrainën. Është një vend i bukur me njerëz shumë miqësorë.”

Por lufta e vendosi edhe menaxherin gjerman para sfidës së madhe. Prodhuesit gjermanë të makinerive nuk i dërguan montuesit e tyre në Ukrainën e sulmuar nga Rusia. Dhe të punësuarit e vet ukrainas, menaxheri Kraus nuk mund t’i dërgonte kaq shpejt tek prodhuesit. Burrat në moshë të re nuk lejoheshin të dilnin nga Ukraina, sepse mund të thirreshin në luftë. Në fund tre nga punonjësit e tij mundën të specializoheshin në Poloni dhe Gjermani, me qëllim që të vinin në punë makineritë në fabrikën e re. Në fabrikën e dytë të kompanisë, Fixit në Ukrainë priten të punësohen 60 vetë. Për shkollimin e tyre, Fixit planifikon të ngrejë një akademi kualifikimi me filialin bijë “Kreisel ” në Ukrainë. Edhe ky projekt do të mbështetet nga qeveria gjermane me një kredi të butë të Bankës Gjermane për Rindërtimin, KfW./DW

“Polici i ‘Burgut 313’ tha se kishin sjellë trupin e Fiqrete Shehut”- Varrosja në fshehtësi e gruas së Mehmet Shehut që vdiq në qeli, dëshmia e ish-rojtarit: Varreza u mbyll për 3 ditë! Qëllimi, asgjësimi i eshtrave të saj

Rrëfimi i rrallë i Gjet Tarazhit: “Çfarë me tregonte Dashnor Mamaqi në burg dhe biseda me të birin e Mehmet Shehut, kur erdhi për të kërkuar eshtrat e të ëmës, Fiqretes”?

 

Zejmeni, është një fshat afërsisht 10 km., larg qendrës së qytetit të Lezhës dhe, për të mbërritur deri aty, nukse ishte një rrugëtim i lehtë. Jo vetëm çështje e infrastrukturës, sa pozicionimit të varrezave të zonës, në thellësi të komunës së Shënkollit, ku po të mos ishte për orientimin e banorëve autoktonë, mbërritja në destinacion, mund të kish dalë një përpjekje e dështuar. Dikur, ato varreza kanë qenë banesa e fundit e disa prej personaliteteve më në zë të kohës, deri edhe bashkëshortes së ish-kryeministrit Mehmet Shehu, Fiqretes. Por, këtë të vërtetë, pakkush e dinte, përveç rojtarit të varrezave, Ndue Tarazhi.

Ai ka qenë person i parë të cilit në fshehtësi i është rrëfyer ky fakt, nga një punonjës policie, gjatë shkëmbimit të duhanit, siç e lyp zakoni, nga ato zona…! Ky polic, shoqëronte trupin e Fiqrete Shehut, bashkë me tri makina të tjera, ditën që atë e sollën në Zejmen të Lezhës.

Sot është i biri, Gjeta, i cili na e rrëfen ngjarjen, e cila natyrshëm ishte diskutuar atë mbrëmje në familjen Tarazhi, pa dalë jashtë mureve të shtëpisë. Sepse e gjithë ceremonia formale, duhej të kryhej në fshehtësi të plotë, ndërsa varreza, u mbyll për tri ditë.

Ajo shërbente si banesë e fundit, për individët që vuanin dënimin në burgun aty pranë, të cilët ishin të gjithë meshkuj dhe ky është informacion që vjen nga protagonistët e bashkëvuajtësit e kohës.

Një prej tyre, i biri i rojtarit të varrezave, dhe ish-i dënuar në një qeli me Dashnor Mamaqin, Gjetë Tarazhi, dikur kapiten anijeje në profesion, na tregon për kujtimet nga ditët në qeli me Mamaqin dhe brengat e tij për të bijat, sikundër edhe për ceremoninë e “groposjes”, me një gur mbi varr dhe një shishe me numër në të, të Fiqrete Shehut.

Ndërsa Pjetër Zefi, banori më i moshuar i fshatit, tregon për takimin e befasishëm me Skënder Shehun, kurse historiani Pal Trashaj, flet nga këndvështrimi i studiuesit, mbi këtë ngjarje të ndodhur në vitin 1988, ku në fshehtësi të plotë, u realizua ceremonia formale, me pikësynimin e vetëm, fshehjen e eshtrave të Fiqrete Shehut.

Zoti Gjet, ju jeni banor i Zejmenit, por fatkeqësisht keni provuar edhe burgun famëkeq të tij, cila është historia juaj?

Unë quhem Gjet Ndue Tarazhi. Jam lindur e rritur këtu në Zejmen të Lezhës. Kam pasur një jetë të vështirë, sidomos pasi u dënova nga regjimi komunist, me akuzën e tentativës së arratisjes. Unë drejtoja anijen “10 korriku”, kështu quhej. Patrullimin e kishim vetëm në ujërat e Adriatikut.

Siç funksiononte sistemi atëherë, në momentin që pikasej një devijim nga kufiri i ujërave detare shqiptare, edhe pse çdo koordinatë ishte e studiuar, sepse asnjë lëvizje nuk bëhej pa leje dhe urdhër të posaçëm, mjaftonte një kleçkë, që ata ta konsideronin historinë, si tentativë arratisjeje.

U dënova në vitin 1976. Për vitet e burgut, kam folur gjithmonë me nostalgji, sepse e quaj veten me fat, që kam mundur të jem në një qeli me Dashnor Mamaqin, për plot pesë vite, kemi fjetur në një dyshek. Më pas, aty në burg, kam njohur edhe Todi Lubonjën, Kasem Trebeshinën, etj., që ishin figura të njohura për kohën.

Çfarë kujtimesh ruani nga Dashnor Mamaqi?

Në burgun e Ballshit, qelia jonë quhej; “qelia revizioniste”, domethënë ishim grupi më i rrezikshëm, dhe ndaj kishim një vend më të spostuar se të tjerët. Unë isha më i riu në moshë, bashkë me Alajdin Kapon, nipin e Hysni Kapos.

Për Dashnor Mamaqin, ruaj kujtimet dhe respektin më të madh, pasi ai ishte njeri i veçantë, mbi të gjitha, shumë i zgjuar. Më fliste hapur për shqetësimet e tij, më shumë për brengën që mbante për të bijat. Në një farë mënyre, dukej sikur ndihej fajtor, për pasojat që ato patën…!

Kozetën e kishte pikë të dobët, sidomos edhe për faktin që atë e kishte ndarë i shoqi, për çështje biografie, pra për burgosjen e Dashnorit. Ajo ishte në Vlorë e internuar, ndërsa vajza tjetër, ishte operatore dhe punonte në Tepelenë.

Dashnori, ishte natyrë e mbyllur, pasi i qante hallet, kryesisht për familjen, të bijat. Gjithashtu, ai ishte ndër njerëzit më të informuar aty në burg, lexonte gjithë kohës. Në burg diskutohej edhe nga intelektualë të tjerë, fakti që Dashnori pretendohej të kish qenë një nga njerëzit më të përgatitur, në qeverinë e Enver Hoxhës dhe gjithë udhëheqjen e lartë të asaj kohe.

Ai ndërroi jetë në burgun e Zejmenit, për t’u varrosur më pas në varrezat e fshatit, apo jo?

Dashnori ndërroi jetë në burgun e Zejmenit, që i përket komunës së Shënkollit. Im atë ka qenë në profesion, rojtar i varrezave dhe si varrmihës, sa herë që nevojitej. Pasi ngjarja u mbajt shënim në regjistrin e burgut, Dashnori nuk u varros, por u gropos të themi…! Sepse ai u hodh në një gropë, ku u vendos vetëm një pllakë mbi varr dhe një shishe me nr. 13, atë numër që ai kishte mbajtur si i burgosur, gjatë viteve të dënimit.

E mbaj mend shumë mirë, pasi kemi fjetur në një dyshek për pesë vite rresht. Ishte shumë e trishtë si ngjarje, sepse duke qenë e gjithë familja e shpërndarë në internime, nëpër rrethe të ndryshme të Shqipërisë, ai u gropos nga një punonjës i burgut, ndërsa im atë, ndihmoi gjatë procesit, prandaj dhe e kam të fiksuar, kur ma tregoi më pas, kur u kthye në shtëpi. Kjo ka ndodhur, pasi unë isha liruar nga burgu…!

Duke qenë djali i rojtarit të varrezave të Zejmenit, a ishit në dijeni të faktit, që po në atë vend u varros më pas Fiqrete Shehu?

Asnjeri nuk e ka ditur këtë fakt, përveç babait tim, pasi edhe atij ia tregoi në konfidencë, një nga punonjësit e burgut të Tiranës, që shoqëronte kufomën atë ditë…! Kush ka hyrë në këto varreza, për të kryer ceremonitë mortore ose, për të kujtuar të afërmit që kanë ndërruar jetë, nuk e kanë ditur që aty prehej e shoqja e Mehmet Shehut.

Ç’ju ka treguar babai, rreth kësaj ngjarjeje?

Zejmeni është thuajse fshat i vogël, me afërisht 700 banorë. Varreza e fshatit, ishte e projektuar për të burgosurit që ndërronin jetë në burgun e Zejmenit, i cili ka pasur vetëm burra. Dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë, pasi jo vetëm kam qenë një nga bashkëvuajtësit aty, por edhe banor i zonës.

Ky ishte një burg i vogël, i ndarë në tri godina, një për personalitetet, një për të burgosurit nga radhët e ushtrisë ose, Ministrisë së Mbrojtjes, dhe tjetri për njerëzit e thjeshtë, të dënuar për krime, nga më ordineret.

Pra, fakti që ka pasur vetëm burra, ndërsa varrezat e fshatit ishin më poshtë, domethënë për banorët e thjeshtë, e komplikon situatën…! Atë ditë erdhën tri makina me targa të Tiranës dhe ata ishin punonjës të burgut, si edhe disa njerëz të Sigurimit të Shtetit.

Im atë që ishte rojtar, u nxor menjëherë nga varrezat dhe vendi u rrethua i gjithi, ndërsa varreza u mbyll për tri ditë rresht. Gjithçka u krye në fshehtësi, ndërsa babai, duke qenë punonjës, i vëzhgonte nga aty afër.

Ju thoni që u mbyll varreza për tri ditë…?! Nuk ngjallte kjo dyshim, apo kuriozitet te banorët e fshatit?

Duke shërbyer si banesë e fundit për personat e dënuar, që ndërronin jetë në burg, nuk ndodhte që të kishte humbje jete përditë…! Ky burg ishte i vogël për nga madhësia e, numri i të dënuarve, ndaj dhe nuk ra në sy kjo situatë.

Po si u morr vesh që aty po varrosej Fiqirete Shehu?

E gjithë situata ishte e studiuar mirë dhe qëllimi ishte vetëm një: zhdukja e eshtrave të Fiqretes. Sepse, duke qenë varrezë për të dënuarit në burgun e Zejmenit, të cilët ishin vetëm burra, nuk mund të kuptohej, që aty prehej edhe një femër…! Babai ma ka shpjeguar çdo gjë me detaje e, disa ditë më vonë, unë kam shkuar vetë dhe e kam parë nga afër vendin.

Duke qenë se varreza u mbyll për tri ditë dhe procesi u krye në fshehtësi, madje sipas tim eti, ata nuk donin të merrej vesh, nëse procesi do kryhej natën apo ditën, babai e mësoi këtë fakt, që ditën e parë kur punonjësit e burgut erdhën aty e, njëri prej tyre, një polic, shkëmbeu një cigare me babanë, dhe në fshehtësi, me mirëbesim, i kish thënë që ka vdekur Fiqrete Shehu dhe donin ta groposnin këtu…! Nëse ai do të tregonte, pasojat diheshin, ndaj dhe lajmi, u izolua menjëherë nga familja jonë.

Cila ka qenë arsyeja që e shoqja e ish-kryeministrit të vendit, u varros në Zejmen të Lezhës, ndërkohë që ndërroi jetë, në burgun e Tiranës?!

Ata e sollën trupin e saj nga Tirana, menjëherë këtu në Zejmen, për të mos e ditur se ku preheshin eshtrat e saj…! Është e kuptueshme, kjo ishte varrezë vetëm për të dënuarit e burgut të Zejmenit, të cilët ishin burra të gjithë, dhe nuk mund t’i shkonte ndërmend njeriu, që aty kishte dhe një grua.

Njësoj si edhe në rastin e Dashnor Mamaqit, edhe Fiqretja, kishte një gurë mbi krye dhe një shishe me numër brenda, për të mundësuar identifikimin vite më pas, kur ndonjë nga familjarët, do ta kërkonte për ta zhvarrosur.

Pas Dashnor Mamaqit, Fiqrete Shehut, edhe një tjetër personazh i njohur, si kontesha daneze, Ollga Libohova, u preh për vite me radhë në të njëjtin vend, apo jo? A ishte kjo një rastësi?

Kemi dëgjuar shumë histori për Ollgën, jo vetëm se ajo ka qenë për vite me radhë banore e fshatit, si e internuar në kampin e Zejmenit të Lezhës, me vend-ndodhje më larg se burgu. Ajo jetoi shumë vite aty, deri ditën që vdiq. Ishte grua fisnike e, me kulturë të gjerë.

Këtë e thonë ende sot, banorët më të vjetër të Lezhës, pasi ajo ka lënë pas kujtime shumë të bukura. Ndryshe nga rasti i Fiqretes, ajo u preh në varrezat e Zejmenit, sepse ishin vendi më i afërt, me shtëpinë ku ajo kishte jetuar, ndërsa i shoqi, i kishte vdekur shumë vite më parë e, familja ishte e internuar, e shpërndarë.

Pjetër Zefi: “Si i gjeti eshtrat e së ëmës, Skënder Shehu”?

Duke qenë një fshat i vogël, me pak familje, nuk është e vështirë të gjesh pikë-lidhjen me atë që sot mund të jetë ndër personat më të moshuar të Zejmenit të Lezhës. Pjetër Zefi, është tek të 90-at, dhe një ndër pleqtë e zonës, me banim më afër varrezave të Zejmenit.

Historinë e groposjes së gruas së ish-kryeministrit Mehmet Shehu, ai e mësoi pas rënies së sistemit komunist, disa vite më vonë, pikërisht në ditën kur do të ishte rastësia që e takoi me djalin e dytë të Mehmet Shehut, Skënderin…

Pjetër, si u takuat me djalin e ish-kryeministrit Mehmet Shehu?

Ishte rastësi takimi me të…! I ngjante shumë të atit. Pasi m’u prezantua si djali i filanit, më tha: “Na ka vdekur nëna në burg, e kemi të dhëna, por jo të sigurta, se gjendet këtu në varrezat e Zejmenit”. Më pyeti nëse mund ta shoqëroja te shtëpia e rojtarit të varrezave, Ndues, babait të Gjetës dhe, duke qenë se me shtëpi ishim afër, e çova tek ai.

Dukej i shqetësuar?

Gjatë rrugës, bëmë një bisedë të shkurtër. Kishte kaluar vite të tëra në burg dhe nuk ishte një jetë e lehtë. Ai më tha se nuk ishte i sigurt, nëse ishte aty, sepse po të kishte qenë ndryshe, do e kishte marrë kazmën vetë dhe, bashkë me të vëllanë, Bashkimin, do i kishin zhvarrosur vetë, eshtrat e të ëmës.

Ndaj, pasi kishte pyetur në burgun e Tiranës, nëse ishte mbajtur ndonjë regjistër me të dhënat për vdekjen e Fiqretes, nuk kishte marrë informacion të saktë. Kishin pyetur në shumë të njohur, ish-të burgosur dhe, sipas fjalëve të tyre, u ishte thënë që Fiqretja, ishte groposur në Zejmen, në varrezën për të dënuarit, që ndërronin jetë në burg, të cilët ishin burra të gjithë.

Pra, Skënder Shehu nuk vinte direkt në Zejmen, për të marrë eshtrat e nënës së tij?

Kishin kërkuar edhe në qytete të tjera, në varreza që kishin qenë afër burgjeve, ose në ato vende ku ishin gjetur në vite eshtra të paidentifikuara. Familjarët e Fiqiretes nuk e dinin ku preheshin eshtrat e saj, ndaj dhe erdhën për të pyetur në fshat, pasi kishin marrë orientime. E çova në shtëpinë e rojtarit, dhe ai më pas i tregoi vendin e saktë.

Cili ishte përjetimi i tyre?

Pasi u saktësua për vendin, Skënderi erdhi më pas, bashkë me të vëllain, për të zhvarrosur eshtrat e Fiqiretes. Ishte një ceremoni e thjeshtë e prekëse, sepse djemtë, takoheshin jo më për së gjalli, me nënën e tyre.

Historiani Pal Trashaj: “Nuk e dinim që Fiqiretja prehej këtu”!

Prehja e eshtrave të Fiqirete Shehut, në Varrezat e Zejmenit të Lezhës, jo pse ai është ndër banorët e zonës, por e konsideruar edhe në aspektin studimor, për Pal Trashajn ka qenë ndër ngjarjet, që u mbajt e izoluar për vite më radhë.

U desh “ora” e rrëzimit të sistemit të diktaturës, që e vërteta e groposjes së eshtrave të bashkëshortes së ish kryeministrit Mehmet Shehu, pasi ajo ndërroi jetë në burgun e Tiranës, të dilte në dritë, e të bëhej e njohur, sidomos pasi në fshat u përhap lajmi se kishin ardhur djemtë e Mehmet Shehut për të zhvarrosur eshtrat e nënës së tyre.

Me aq sa e kam njohur si ngjarje, në këndvështrimin tim, të gjitha këto tentative, për të zhdukur eshtrat e personaliteteve të sërës së Fiqretes, kanë qenë “triblime” boshe të atij sistemi. Megjithatë, tentativa ka qenë e pastër, duhej që atyre të mos u mbetej nam e nishan…!

Prandaj edhe Fiqretja, është sjellë enkas në këtë varrezë, e cila ka shërbyer për të dënuarit që ndërronin jetë brenda në burgun e Zejmenit, i cili ka qenë vetëm për burra. Kujt mund t’i shkonte mendja, që në një varrezë të tillë, të groposej edhe një grua, si ajo e ish-kryeministrit Mehmet Shehu…?!

Ne, si banorë të zonës, nuk e kemi ditur asnjëherë, që aty prehej Fiqiretja, sepse kishte varreza të tjera më poshtë, për banorët e fshatit. Këto quhen varrezat Gajush, të Zejmenit të Lezhës, pra që ishin për të dënuarit në burg. Prandaj, që të mos merrej vesh vend-ndodhja, zgjidheshin vende humbëtira, për të zhdukur gjurmët.

Nëse djemtë e Mehmetit, do të kishin informacion të saktë, nuk do të kishin pyetur se ku mund të kërkonin për eshtrat e nënës së tyre. Ndërsa prehja e Dashnor Mamaqit dhe konteshës daneze, Ollga Libohova, janë pjesë e rastësisë, fakti që ato vinin pas dënimit në burg e, jetës në kamp internimi, ndaj dhe banesa e fundit u takonte aty”, përfundon rrëfimin e tij Trashaj.Nga Ermira Isufaj Memorie.al

Fier, kryetarja e PD, Eriselda Zotaj Celaj, denoncon shkarkimin e nënkryetarit të këshillit për shkak të oponencës kundër këshilltarëve të majtë

Në një deklaratë për mediat, kryetarja e degës së Partisë Demokratike në Fier, Eriselda Zotaj Celaj, ka denoncuar shkarkimin e nënkryetarit të Keshillit bashkiak Endri Jaupaj, për shkak të oponencës kundër vendimmarrjes së këshilltarëve të majtë në kurriz të qytetarëve si dhe mungesën e transparencës duke mos u lejuar prania e mediave. Në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak u miratua aktstatuti i themelimit të shoqërisë aksionere që bën pronare të inceneratorit gjashtë bashkitë e qarkut Fier.
Në këtë vendim konstatohet se bashkia Fier ka marrë me qera nga Agjensia e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara Tiranë vetëm pjesën e landfillit të depozitimit, peshimit dhe rrugës hyrëse të impiantit të mbetjeve urbane të qarkut Fier pa bërë transparente këtë kontratë qeraje.
Depozitimi i tonelatave të mbetjeve të 5 bashkive të qarkut në landfillin e Fierit nuk sjell gjë tjetër vecse një mal plehrash të patrajtuara në zonën e njësisë administrative Mbrostar Ura dhe një rrezik mjedisor ka pohuar Celaj teksa ka theksuar se Partia Demokratike do të vazhdojë të kërkojë transparencë të plotë për taksat e qytetarëve duke dënuar ashpër edhe paktin e heshtur PS-Rithemelim në mbledhjet e këshillit bashkiak.

DEKLARATA E KRYETARES SË PARTISË DEMOKRATIKE DEGA FIER, ERISELDA ZOTAJ ÇELAJ

Sot ka ndodhur skandali i radhës!
Arroganca e Rilindjes në Bashkinë Fier vijon të mari vendime arbitrare kundër interesit publik.

Nervozizmi i tyre i plas derën në fytyrë mediave për të mos bërë publik abuzimin e radhës.

Mbledhjet e Këshillit Bashkiak zhvillohen në mungesë totale transparence duke shkelur haptazi ligjin e të drejtën e qytetarit për informim.

Partia Demokratike do të kërkojë transparencë të plotë për zbardhjen e çështjes në fjalë.
Partia Demokratike është në krah të qytetarëve, në kurriz të të cilëve janë kryer e po kryhen përvetësime të fondeve publike.