29.5 C
Tirana
E martë, 17 Qershor, 2025

SOT, ORA 20:45/ Dilema në mbrojte dhe sulm, ja si pritet të luajë Shqipëria. Stojkoviç mund t’i besojë formacionit fitues

Një ditë para për balljes së shumëpritur kundër Serbisë, Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar dje seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Air Albania”. Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, skuadra ka qenë në formacion të plotë, pa asnjë mungesë apo shqetësim fizik, çka ka sjellë qetësi dhe siguri në kampin kuqezi. Stërvitja ka nisur me një mbledhje të shkurtër në mesfushë, ku trajneri brazilian ka folur me ton të qetë me lojtarët, duke dhënë udhëzimet përfundimtare.

Në një moment të veçantë, Silvinjo është parë teksa “ngacmonte” me humor Jasir Asanin, duke shtuar pozitivitetin në grup. Pjesa tjetër e seancës ka vijuar normalisht, me intensitet të moderuar dhe fokus te skemat taktike. Atmosfera në kampin kuqezi ka qenë shumë pozitive. Lojtarët janë shfaqur të përqendruar, por gjithashtu të relaksuar, duke treguar se janë të gatshëm për një përballje që ka peshë të madhe si sportive, ashtu edhe emocionale.

Ndërkohë, para Shqipërisë, në të njëjtin stadium, por në anën e majtë të fushës, edhe kombëtarja e Serbisë ka kryer stërvitjen e saj përmbyllëse. Edhe serbët janë përgatitur në qetësi, duke shmangur çdo kontakt apo ndërveprim me palën shqiptare, në një atmosferë profesionale dhe të kontrolluar. Ndeshja do të luhet sot në mbrëmje në “Air Albania” dhe pritet me interes të jashtëzakonshëm nga tifozët.

FORMACIONI- Pjesa më delikate e gjithë përgatitjeve për sfidën ndaj Serbisë mbetet zgjedhja e formacionit titullar. Cilët do të jenë 11 “luftëtarët” që do të zbresin në fushën e “Air Albania”-s mbrëmjen e sotme? Një pyetje që ende nuk ka përgjigje përfundimtare, pasi ndonëse Silvinjo ka testuar disa skema gjatë stërvitjes, gjithçka mund të ndryshojë në momentin e fundit. Ajo që duket e sigurt është prania e Thomas Strakoshës mes shtyllave.

Në mbrojtje, Gjimshiti, Mitaj dhe Balliu pritet të jenë emrat që e nisin nga minuta e parë, ndërsa një balotazh interesant zhvillohet për vendin e fundit mes Ismajlit, Ajetit dhe Kumbullës. Mesfusha mbetet një tjetër repart me dilema. Nedim Bajrami është duke u parë si një alternativë serioze për të nisur nga minuta e parë në rolin e mesfushorit ofensiv, në vend të Qazim Laçit. Ndërkohë, Asllani dhe Ramadani janë në avantazh krahasuar me emra si Shehu, Pajaziti apo Berisha.

Nëse trajneri vendos të spostojë Bajramin në qendër, atëherë në krahët e mesfushës do të shihen Hoxha dhe Asani, me këtë të fundit që pritet të rikthehet në 11- shen bazë. Sa i takon sulmit, për shkak se Rei Manaj nuk ka qenë në formën optimale gjatë përgatitjeve, Armando Broja është më pranë për ta nisur si titullar në majën e repartit ofensiv. Gjithsesi, vendimet finale do të merren vetëm pak orë para ndeshjes. Deri atëherë, çdo skemë mbetet e hapur, ndërsa sytë janë nga Silvinjo për të vendosur 11- shen që do të kërkojë të shkruajë histori.

Screenshot 2025-06-07 081109-logo

SERBIA- Ndërkohë nga ana tjetër, Serbia pritet ta nisë në portë me Petroviç, në mungesë të portierit të parë Rajkoviç. Ndërsa treshja e mbrojtjes mund të jetë Erakoviç, Milenkoviç dhe Pavloviç. Sa i përket mesfushës, Zivkoviç, Gudejl, Maksimoviç dhe Tërviç. Në ofensivë, Stojkoviç mund ta nisë me Samarxhiç, Lukiç dhe një sulmues mes Mitroviç ose Vlahoviç. Pa harruar edhe Luka Joviç, i cili është një kandidat i fortë për nga minuta e parë.

Screenshot 2025-06-07 081119-logo

Përse duhet të hani qershi para gjumit? Zbuloni ndikimin që kanë në organizëm

Nuk ka njeri që të mos jetë i marrosur pas qershive. Është e pamundur të mos hutohesh nga larmia e nuancave të të kuqes në treg.

Vlerat dhe vetitë e qershive

Vlerat shëndetësore që merr nga konsumimi i ushqimeve të pasura me vitamin A dhe vitaminë C përfshijnë: një sistem imunitar të përmirësuar, veti superiore të shërimit të plagëve dhe shikueshmëri më të qartë veçanërisht në kushte kur drita është e kufizuar. Konsumimi i ushqimeve të pasura me kalium ndihmon në uljen e tensionit të gjakut dhe zvogëlimin e rrezikut të formimit të gurëve në veshka.

Qershitë janë një burim i pasur i antioksidantëve të fuqishëm që kryesisht gjenden në frutat dhe perimet që kanë ngjyrë të kuqe, vjollcë apo të errët.

Një ushqim i pasur me antioksidantë ul rreziqet e sëmundjeve kardiovaskulare. Konsumimi i qershive ka gjetur jehonë për shkak edhe të çlirimit të dhimbjeve nga sëmundje si artriti. Kohët e fundit, është zbuluar që qershitë luftojnë pagjumësinë dhe dhimbjet muskulare.

Kjo falë natyrës anti-inflamacion të vitaminës C dhe antioksidantëve.

Lexoni më poshtë arsyet kryesore përse nuk duhet t’i ndaheni këtyre frutave të shijshme.

-Ndihmojnë me gjumin

Sipas studimeve, vlerat anti-inflamatore të qershive ju ndihmojnë të flini më mirë.

-Në ditët e ngrohta qershitë janë një zgjidhje jashtëzakonisht e shijshme dhe freskuese.

Zëvëndësoni ushqimin e darkës me këto fruta që bëjnë një ndryshim thelbësor në shëndetin tuaj.

-Shuajnë dhimbjet fizike

Qershitë janë natyralisht të pasura me kalium që përçon impulset elektrike në të gjithë trupin.

-Ky mineral ndihmon në ruajtjen e tensionit të gjakut, me hidratimin, rimëkëmbjen e muskujve, impulse nervore, tretjen, rrahet e zemrës dhe ekuilibrin e pehashit.

Në një gotë me qershi gjeni 330 miligramë kalium që përbën 10% të dozës së rekomanduar ditore të kaliumit.

-Luftojnë inflamacionin

Studimet kanë treguar që antioksidantët te qershitë mund të pakësojnë dhimbjet dhe zvogëlojnë inflamacionin e shkaktuar nga osteoartriti.

-Forcojnë imunitetin

Si të gjitha frutat dhe perimet, qershitë janë të pasura me doza të mëdha antioksidantësh dhe përbërësish që luftojnë virozat.

Flavonoidët, antioksidantë që gjenden tek qershitë, luftojnë infeksionet në shumë nivele. Studimet kanë treguar që këto elemente kanë një ndikim domethënës në funksionet e sistemit tonë imunitar./Agroweb

150 arkitektë në Tiranë? Asgjë më shumë se spektakli i radhës pa publik

Nga Doriana Musai

150 arkitektë në Tiranë? E kujt i plasi.

Sot Tirana u gdhi me një lajm triumfues: kanë ardhur 150 arkitektë “më të famshëm të botës”. Të ftuar, të pritur, të mbledhur si prova që jemi bërë kryeqytet vizionesh.

Po 150 janë. Sa një klasë arkitekture. As më shumë, as më pak.

Të ishin 1500, apo 15 mijë, do thoshim se më në fund edhe Shqipëria ka hyrë në hartën globale të ideve. Të ishin 150 mijë, do na duhej të hapnim kufijtë me charter për të pritur arkitektët që rreshtohen për të parë mrekullinë e shekullit XXI – një Babiloni mesdhetare, ku dielli reflekton mbi fasadat me xham dhe betonin e lyer me storytelling.

Do kishim bërë bluza:

“Welcome to Albania – where 150,000 architects witnessed the Miracle of Urban Chaos turned Art.”

Do kishim ndërtuar muze për këtë ditë.

Do kishim branduar çdo pllakë trotuari.

Por jo. Janë vetëm 150. Një numër që nuk bën histori, as s’mjafton për të tundur një qytet që po ndërtohet mbi harresën.

Asnjë turist s’do blejë biletë për këtë lajm.

Asnjë shqiptar s’do ndjejë krenari të shtuar.

Sepse në këtë vend, spektakli është për të huajt, ndërsa pastrimi i skenës mbetet gjithmonë për vendasit.

Dhe sapo të mbarojë eventi, sapo të largohen të ftuarit me fotot e fasadave që u treguan, rikthehet “arkitekti ynë”: ai që suvaton kujtesën e një kampi torture për hir të një filmi. Ai që shet korrupsionin si teknologji, dhe propagandën si frymëzim.

Në mëngjes bën konferencë me 150 arkitektë për “të ardhmen e qyteteve”. Pasdite hedh firmën për të shembur një lagje tjetër, e për t’i treguar publikut që arkitektura, në këtë vend, është ekskluzivisht e atyre që nuk jetojnë këtu.

Sepse për këta të fundit – për banorët, qytetarët, skeptikët, ata që guxojnë të bëjnë pyetje – nuk ka vend në këtë skenografi.

Jo se mungon vendi. Por sepse është zënë nga dritat, dekoratat… dhe duartrokitjet që gjithmonë vijnë nga jashtë.

Elon Musk dhe Lacivita për foltoren Amerikane!

Nga Ermal Peçi

Pasi Trump e përzuri nga oborri i lirisë së fjalës, Elon Musk, me zemër të thyer dhe ambicie galaktike, paska vendosur të pushtojë territorin më të çuditshëm të komunikimit politik: Foltoren shqiptare.

Jo, s’bëhet fjalë për ndonjë platformë teknologjike. Bëhet fjalë për atë tribunën prej druri ku dikur bërtiste Enveri, tani bërtasin ata që s’kanë më ku të shkojnë.

Musk ka angazhuar LaCivitën – një miks midis Steve Bannon dhe një këshilltari të PD-së që ka ngecur në vitin 1996 – për të lobuar tek aleatët “vitalë” shqiptarë: Berisha (non grata por gjithmonë në zë), Mediu (akoma me helmeta në sirtar), dhe Meta (tani në burg, por më aktiv se kurrë në rrjet).

Në këtë farsë, Ambasada Shqiptare në Uashington ndërhyri me finesën e një skene nga “Lufta e Yjeve të Fshatit”: një letër për Kongresin Amerikan që thotë, pa asnjë dorashkë diplomatike:
“Nëse mbështesni Elon Musk, do hani bar.”
Ky është paralajmërimi më bujqësor i dekadës.

Edi Rama? I zënë në dilemë kozmike. Nga njëra anë, Trump-i – armiku i Sorosit, shoku i vjetër. Nga ana tjetër, Musk – lojtari i ri i Giorgia Melonit. Rama s’e di nëse duhet të pikturojë një mural për lirinë apo të çojë një dron tek Teslat.

Në fund, kjo është Shqipëria: vendi ku foltorja është start-up-i më i suksesshëm dhe ku diplomacia ka kaluar nga “nota verbale” në “fabula thashethemesh”.
Dhe Elon Musk? Mirë se erdhe në një univers ku edhe satelitët bien… nga llafet.

Spiuni

Nga Edison Ypi

Diktatori ishte larg, Diktatori ishte i paarritshëm, i padukshëm. Ai që të kallte tmerrin ishte fantazma e Diktatorit, hija e tij që të ndiqte këmbakëmbës, ishte ai që e kishe natë e ditë pranë – spiuni.
Shqiptarëve u iku jeta duke duatrokitur Diktatorin dhe duke u tmerruar nga spiuni.
Në familjen time, kurrë, asnjë fjalë, asnjëherë të vetme, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arësye, nuk u fol për spiuna dhe spiunllëqe. Mysafirët tanë, farefisi ynë, shoqëria jonë, edhe ata, kurrë nuk përdorën fjalë të pahijshme hajdutllëku dhe spiunllëku.
Jashtë shtëpisë flitej gjërësisht për spiuna dhe spiunllëk.
Gjatë shkollës fillore vinin në rresht “Çetën e Shkollës” për të pështyrë në fytyrë një moshatar për sjellje të kundërta me moralin e partisë, ideologjinë marksiste-leniniste, diktaturën e proletariatit. S’do mend se pionierin mëkatar ideologjik larë fytyrën me pështymën e shokëve, e kishte spiunuar një moshatar, që edhe ai do pështyhej një ditë.
Meqënse s’mund të fshihej sepse duhej pështyrë, emri i viktimës së spiunimit, shpallej.
Që nxënësit të ndjeheshin të gjithë fajtorë dhe të gjithë spiunë, emri i spiunit fshihej.
Spiunat ishin të shumllojshëm: spiuni i shkallës, spiuni i pallatit, spiuni i ndërmarrjes, spiuni i librave, spiuni i filmave etj.
Spiunin e parë dhe të fundit të gjallë prej mishi dhe kocke, pata fatin ta shoh në shkollën e mesme, në Politeknikum. Na sollën në shkollë një çun nja 13 ose 14 vjeç nga një fshat kufitar verior për të cilin u tha se “kishte kapur 2 diversanta”. Pra shkurt dhe Shqip dhe troç, pionieri me shall të kuq në qafë kishte spiunuar 2 diversanta.
Pionieri Spiun vinte në shkollë çdo ditë veshur ushtarak si skënderbegas. Spiunin e vogël me një të qeshur teatrale që të kallte krrupën, e kishin sjellë në Politeknikum për ta bërë fillimisht zanatçi, pastaj ushtarak. Ky pionier spiun vinte në shkollë bashkë me një moshatar, edhe ai veshur ushtarak, ndoshta bashkëpuntor në spiunimin e divesantave, apo diçka e tillë, historinë e të cilit nuk e mësova, dhe as nuk u interesova.
Spiunllëku i ushtrisë bëhej sheshit pa asnjë drojë. Ishte më i vrazhdi, më i fëlliqti dhe më i rrezikshmi i të gjitha spiunllëqeve. Ushtari-ushtarin e spiunonte edhe kot, për qef, edhe për një garuzhde groshë për të cilën i biri i kulakut tha se ishte pak, nuk e ngopte, nuk i mjaftonte. Edhe për një gotë çaji për të cilën nipi i armikut pretendoi se ka brenda Klor.
Kur i kujtoj këto tmerre, më vjen të qaj.
Pas ushtrie, meqënse nuk e kontrolloja sa duhej të folurën, më kapte frika mos më spiunonin për ndonjë fjalë që më kishte shpëtuar.
Me të kuptuar se s’ma kishin ngenë të më spiunonin pjesërisht por vetëm totalisht, zura ment, e qepa përgjithmonë.
Spiuni banal, ai që përpos spiunllëkut s’kishte asgjë, asnjë shkollë, asnjë edukatë, nuk bëhej merak që e dinin se ishte spiun. Madje mburrej se duke qënë spiun, e kishin frikë.
Spiuni i zyrave s’bënte asnjë punë. Sillej kot. Askush s’guxonte t’ja vinte në dukje rendimentin zero në punë, se e gjente belaja nga kundërsulmi i spiunit që me anë të disa trukeve verbale, brenda pak minutave e transferonte parazitizmin nga vetja te llërëpërveshuri që i thirri belasë të vinte, dhe belaja erdhi.
Dy miq të vjetër ikën në 90-ën dhe më s’u dukën. S’lanë as telefon, as adresë, asgjë, as mua as ndonjë tjetri. Do ken’ qënë spiuna. S’ka spjegim tjetër. Sa bukur ishin maskuar qerratenjtë.
Kisha një mik. Nga një ndërmarrje në tjetrën me vite të tëra, nuk bëri asnjë punë. Por, meqënse ishte tepër agresiv ndaj refuzimit të Diktaturës, nuk dyshova kurrë. Tani pas kaq vitesh, duke sjellë në mendje disa momente të paspjegueshme, kam nisur të dyshoj, po e ndjej si bombë me sahat.
Me kalimin e kohës, instinkti i mbijetesës, më ndihmoi të kem një përfytyrim më të plotë për spiunin.
Spiuni ishte një zevzek me sy të lëvizshëm. Fliste ose shumë shpejt ose tepër ngadalë. Qeshte ose mrrylej befas, pa arsye. Kthente kokën majtas e djathtas pa shkak. Bënte gjoja sikur dinte ti binte kitarrës, sikur dinte këngë italiane ose greke, sikur mund të shkonte larg me not. Ndodhte që spiuni mbahej dhe për lexues i librave dhe filmave të ndaluar.
Spiunat, të gjithë, pa përjashtim tallnin dhe kërcënonin, Kadarenë si borgjez, si i largët me hallet e popullit, dhe ngrinin në qiell Agollin si miku që gjithmonë i gjindej në hall bujkut, puntorit, proletarit. Spiuna që të mos kërcënonin Kadarenë dhe të mos krenoheshin me Agollin, nuk kanë ekzistuar.
O sa kam qesh’ pas 90-ës kur mora vesh se spiunat kishin pseudonime. Thoshin se zgjedhjen e pseudonimit të spiunit nuk e bënin pa miratimin e vetë spiunit nga frika se po të mos i pëlqente, çmendej.
Kur po udhëtoja një herë nga Librazhdi në Bulqizë ndala diku afër fshatit Ostren i Vogël. Pyeta një kalimtar:
Ç’bëhet spiuni që i premtoi ta ndihmojë të arratiset nga ky katund vëllanë tim që e dënuan me 20 vjet burg politik ?
E kemi Kryetar të Partisë Demokratike – më tha me plot gojën gollobordasi anës udhës.
Bota mu terr. Qielli mu çjerr. Fryma mu ndal. Por ku ka spiuna ka shpresë. Ndoshta më gënjeu. Duhet verifikuar. Pak më tutje pyeta një tjetër prej të cilit mora të njëjtën përgjigje.
Të gjithë të ashtuquajturit “Heronj të Heshtur” ishin spiuna.
Spiuna edhe më të qelbët edhe më kriminalë se spiunat e “heshtur” ishin lukunia e zhurmëshme e shkrimtarëve, poetëve, regjizorëve, ata që spiunave u bënin fresk, u ngrinin këngë, u thurnin vargje, u bënin filma.
Të gjithë shefat e kuadrit ishin spiuna.
Të gjithë familjarët dhe farefisi i spiunave ishin spiuna.
Kishte dhe një hartë apo një gjeografi të dendësisë së spiunave në çdo krahinë të Shqipërisë.
Një gjë është e sigurtë: Si për çdo talent: Spiun nuk bëhesh. Spiun lind.
Pa spiunuar dhe pa u spiunuar shqiptari nuk merr dot frymë, veshi nuk i dëgjon, syri nuk i sheh, zemra nuk i rreh.
Isha betuar të mos e ndyj penën me ata muta. Por rreziku i harresës, sidomos prezenca e tepruar e spiunave të djeshëm në tollovinë e sotme, u bë sebep.

Lufta, si hoqi dorë Roma nga sovraniteti i Vlorës. Çfarë parashikonte protokolli shqiptaro-italian më 2 gusht 1920

NGA AGIM JAZAJ

Në kujtesën e kombit, me kujtesë, dhe në faqet e historisë, mbeten të gdhendur edhe 400 luftëtar që ranë për çlirimin e Vlorës, të vitin 1920, mbetur të përjetshëm, për aktin atdhetar, ëndërrimin e tyre; shenjtërimin dhe jo shëmtimin e atdheut; atdheun e shenjtë dhe të shtrenjtë. *atdhetari, mëndje ndrituri, dhe pendëarti; Mid’had Frashëri: shënon fort në historinë e Shqipërisë dje, dhe për të nesërmen: “Vlorë, një emër paskëtaj, me historinë e Shqipërisë; me lidhje të zgjidhshme.

Dy data: 1912 dhe 1920, dy ngjarje, dy flakë. E dyta plotësoi të parën, e mbaroi, e forcoi, i dha shkëlqim, e bëri të vërtetë, reale, e shpëtoi prej mjegullës dhe dyshimit. E para i hapi udhë të dytës, po e dyta i dha trup së parës, e bëri më të pashme, të gjallë, me shpirt, me frymë”. 105 vite më parë, më 5 qershor të vitit 1920, nisi lufta e Vlorës e vitit 1920, përballë ushtrisë së organizuar italiane, e cila kishte të vendosur në Shqipëri dy divizione. Përballë asaj ushtrie, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare, duke përmendur edhe numrin e tyre, me rreth 4 mijë luftëtar. Dhe aksioni i nisur për çlirimin e Vlorës. Më 5-6 qershor u sulmuan njëherazi, të gjitha garnizonet italiane, të përqendruara, që nga Tepelena e deri në Drashovicë. Dhe në vijim të operacioneve, sulmeve më; 11 qershor të vitit 1920, nisi sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe të rrethinave.

KUVENDI I BARÇALLASË

Në këto rrethana përfaqësuesit më të mirë, trimat dhe atdhetarët e popullit të Vlorës, Tepelenës e Mallakastrës, duke pasur edhe përkrahjen e gjithë popullit shqiptar, u mblodhën në Barçalla- Dukat, më 3 qershor të vitit 1920, nga ku u morën vendime të rëndësishme, përballë gjeneralëve me spaleta, u ngritën gjeneralët, atdhetarë nga e gjithë treva e Labërisë, Vlorës dhe jo vetëm, me “diplomën” e atdhedashurisë dhe të së vërtetës, për të mbrojtur nderin, dinjitetin, truallin amtar. Në atë kuvend burrash, atdhetarësh, u zgjodh një këshill prej 35 anëtar, nga i cili u zgjodh dhe komandant i Luftës: Ahmet Lepenica, i cili pas 6 ditësh dha dorëheqjen dhe vendin e tij e zuri Qazim Koculi. Shtabi, gjithashtu, zgjodhi edhe komandantët e luftës, i përbërë prej 12 anëtarësh:

1-Osman Haxhiu, Vlorë
2-Qazim Kokoshi, Vlorë
3-Azbi Cano, Mavrovë
4-Alem Mehmeti, Tragjas
5-Hamit Selmani, Dukat
6-Beqir Agalliu, Vlorë
7-Duro Shaska , Kocul
8-Murat Miftari, Tërbaç
9-Ali Beqiri, Velçë
10-Hysni Shehu, Sevaster
11-Myqerem Hamzaraj, Kaninë
12-Sali Bedini, Armen

Vendimi për nisjen e Luftës së Vlorës, u mor në; “Kuvendin e Barçallasë”- Dukat, i mbajtur më 29 maj 1920. Kuvend, i cili zgjodhi për drejtimin dhe vazhdimin e luftës; “Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare”, me kryetarin e tij; Osman Haxhiu.

KUVENDI I BEUNIT

*Lufta e Vlorës, e vitit 1920 kulmon në historinë e popullit shqiptar, e organizuar dhe të bashkuar nga patriotët më në zë të kohës, njerëzit e dijes, të pushkës dhe të haberit, të cilët u mblodhën dhe vendosën pas Barçallasë në; Beun të Vajzës në; “Kuvendin e Beunit”:

“Në Beun kur u mlodh,
Dymbëdhjetë komision…

Dhe “Kuvendi i Beunit” i mbledhur nën kreshtat e malit “Tartar” mbi kurorën e fshatit Vajzë, më 2 qershor të vitit 1920, nga paria e Labërisë, Vlorës dhe me gjerë, nën kryesimin e patriotit të shquar Osman Haxhiu, vendosën njëzëri për t’u ngritur në luftë i gjithë populli, për të hedhur në det okupatorin, për të çliruar Vlorën.

Në të dy këto Kuvende, u përcaktuan detyrat për ç’do fshat e krahinë. Aty u zgjodhën dhe drejtuesit kryesor, komandantët që do të organizonin e drejtonin veprimet luftarake, në ç’do zonë, në luftën çlirimtare, të pabarabartë.

Në këto kushte, më 20 maj të vitit 1920, u krijua “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”. Dhe më 3 qershor 1920, ky komitet lajmëroi dhe zhvilloi mbledhjen e “Beunit”, e shënuar në histori si; “Kuvendi i Beunit”. Kuvendi vendosi të merrnin pjesë në luftën për çlirimin e Vlorës nga një person për çdo familje. Aty ku dhe u morën vendime të rëndësishme për të çliruar vatanin, nga pushtuesit fashist. Komiteti Kombëtar nën drejtimin e patriotit të shquar, Kryetarit të këtij Kuvendi; Osmën Haxhiu, dhe nën komandën e komandantit të Luftës; Ahmet Cane Lepenica, dhe Komiteti Kombëtar i përbërë nga trimat, luftëtarët dhe dijetarët, nga gjithë treva e Labërisë, Vlorës dhe jo vetëm, por dhe nga Tepelena, po vendosnin fatet e vendit. kudo, bijtë e shquar që nga; Rrapo Çelo, e Kanan Maze, Sado Koshena e Hysni Shehu, Sali Murati e Zigur Lelo, Selam Musai etj, vendosën dhe u hodhën në Luftën e Vlorës, në vitin 1920. Dhe në vijim; “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”, i dërgoi ultimatumin komandantit të forcave pushtuese italiane: Setemio Piaçentinit:

“Ultimatum te Piaçentini,
E çoi Mehmet Selimi”…
Mehmet Selimi- ish bir i Mallkeqit

Në ultimatumin formulohej: “Sot populli shqiptar, i bashkuar më shumë se kurrë, duke mos mundur të durojë të shitet si bagëti, nëpër pazaret e Evropës, si shpërblim i ItaloGrekëve-Serbëve”. Dhe vendosi të marë armët. Ultimatumi kërkonte përgjigjen, brenda datës 4 qershor të vitit 1920. Në mbarim të kohës së Ultimatumit, më 3 qershor 1920, trupat vullnetare u ndan sipas planit të “Komisionit të Luftës”. Duke u gdhirë e diel, 5 qershor i vitit 1920, nisi lufta e popullit, e vegjëlisë, lufta e shënjtë patriotike, kundër qendrave ushtarake të vendosura në Kotë, Gjorm, Drashovicë, Llogora, Jonufër.

RANË KOMITA NË KOTË…

Në krye të krahinës së Kudhësit, si udhëheqës e komandant, u caktua Rrapo Çelua. Thirrjes patriotike të Rrapo Çelos, për t’u ngritur në luftë kundër pushtuesit iu përgjigjën, i pari: Kanan Maze me burrat e djemtë e fshatit Shkozë, Mehmet Fegë Xheliliaj me ata të Dushkarakut, Rexhep Sulejmëni, me ata të Vajzës, si dhe gjithë çetat e fshatrave: Sevaster, Mazhar, Golimbas e me radhë, nga gjithë krahina e Kudhës Grehotit. Më 2 qershor të vitit 1920, batalioni i Kudhësit, nën komandën e Rrapo Çelos, u nis për në Beun. Në këtë mbledhje historike, ku foli kryetari i Mbrojtjes, Osmën Haxhiu, i cili iu drejtua vlonjave dhe jo vetëm me thirrjen: “Duke filluar nga ky moment, ne i shpallim Luftë pushtuesit italian, që na ka zaptuar me forcë Vlorën, Sazanin, trojet tjera nga: Tepelena, Kota, e Himara”. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë kuvend u betuan: “Të vdesim për dhenë e shtrenjtë, të vdesim për Mëmëdhen”! Si rezultat i këtyre betejave, repartet xheniere dhe postat e karabinierisë, u spastruan, ku ishin të instaluara në fshatrat; Sevaster, Dushkarak, Vajzë, etj.

Beteja për shparatallimin e garnizonit të Kotës nga dhe nisi, e skalitur në vargje:

Ranë komita në Kotë,
Komita në Kotë ra,
Si në Kotë edhe më poshtë,
Majë vreshtave të mëdha,
Çeta Kudhës po luftonte,
Me drejtim për në Kala,
Vallë kush i komandonte,
Rrapo Çelua nëpër ta…
Përpara portës me bojë,
Vritet Zigur Leloja
Bravo djemtë e smokthinjote,
U vranë u bënë lakëra,
Bolenës hallall i qoftë,
Pë ata trima që dha!

Vargjet na çojnë larg dhe na sjellin të afërt figurat e patriotëve, të atyre burrave që e donin vatanin, shitën pasurinë për të bërë Shqipërinë, antitezë e këtyre që: Grabitën Shqipërinë, për të vënë pasurinë…

“Vlorë copëza stërralli,
Të ndrin shtati, të qesh balli”…

Vargjet e poetit Ali Asllani, më thotë miku im i pendës Kristo Mërtiri, u tromaksin gjumin mëkatarëve sot, i ndjekin pas, edhe në botën tjetër, do mbeten pa varr…

Koha dridhet e përdridhet,
Prej gradimit katër shkallë,
Nuk do mbetet gjë në dorë,
Vëçse vulë’ e zezë në ballë…

Një ndër Patriotët, udhëheqësit dhe luftëtarët e kësaj lufte: Rrapo Çelo- Kudhësioti, me çetën e tij të krahinës së Kudhësit, në këtë epope, la pas për brezat, epopenë e tij….

Jeta e tij, nëpërmjet veprës, i kapërceu kufijtë e fshatit, krahinës duke u bërë një figurë e madhe e kazasë, krahinës së “Kudhës Grehotit”, të Labërisë, Vlorës, dhe të vendit, duke i rezistuar dhe apeluar kohës…

Në moshën 24 vjeçare, në momentet më të vështira të atdheut, kur plaku i mençur, diplomati i Vlorës, Ismail Qemali, luftonte nëpër Europë, për të ngritur shtetin shqiptar, për të njohur kufijtë e Shqipërisë, Rrapo Çelua ndiqte me shumë vëmendje, gjithë evenimentet historike, reagimin e shteteve të mëdhenj dhe përkrahjen që i jepnin prijësit e Pavarësisë Kombëtare. Rrapo Çelua sqaronte: “Së shpejti do të vijë dita të njihen kufijtë e vendit tonë. Edhe ne do të kemi shtetin tonë, Flamurin Kombëtar, që mbajti Skënderbeu lart për 25 vjet luftë”.

Në ditët e para të nëntorit të vitit 1912, me 300 djem e burra të krahinës së Kudhësit, të organizuar në repartin luftarak, nën komandën e tij, mbërrijnë në Vlorë, për t’i dalë përpara ç’do të pa priture, në mbrojtje të Qeverisë të sa po krijuar të Ismail Qemalit.

Bashkë me popullin e Vlorës, dhe të krahinave të tjera të vendit, pritën me gëzim e krenari ardhjen e Ismail Qemalit, nga Durrësi.

Me shpalljen e pavarësisë, ngritjen e flamurit në Vlorë dhe krijimin e qeverisë provizore, Rrapo Çelo dhe trimat e tij, kudhësiot u vunë në mbrojtje të kësaj qeverie të brishtë, qëndronin në gatishmëri për të bërë ç’do sakrificë. Rrapo Çelua dhe shumë burra të tjerë të krahinës, u ngritën më këmbë, rrëmbyen dyfekët, kur forcat greke zaptuan pabesisht Korçën dhe Gjirokastrën dhe mbërritën në Tepelenë e Kurveleshin e Poshtëm. Komiteti i Mbrojtjes në Beun, të Vajzës dha objektivat dhe objektet e sulmit për ç’do çetë, fshat e krahinë.

SHPARTALLIMI I PARË, I GARNIZONIT TË KOTËS

Për Çetën e Kudhësit u caktuan si objekt (nisja e betejës) shpartallimi i Garnizonit të Kotës, si një rajon i rëndësishëm që lidhte, Vlorën me Tepelenën dhe grykën e Mesaplikut, i cili mbrohej me një regjiment fanterie, nga 150-200 trupa. Komanda e garnizonit armik të Kotës, pas ultimatumit, dorëzuar nga Mehmet Selimi, e përfshirë në panik, i përgjigjet dhe kënga e gdhendur:

“Telatë po ven e vinë,
Punon Kota me Kaninë,
Gjenerali me Zabinë,
Se shqiptarët errinë…

Më 4 qershor të vitit 1920, pas organizimit të forcave të krahinës së Kudhësit, ku u përfshinë djemtë trima të; Sevasterit, Shkozës, Golimbasit, Dushkarakut, Mazharit, Ploçës e Amonicës, u grumbulluan në qafën e Ploçës dhe nisën marshimin nëpërmjet Dorbërit, Harvalasë, Brusnje e BelikHysoverdhit, në bashkëveprim me çetat e Smokthinës, Mavrovës, për të sulmuar e shpartalluar garnizonin e Kotës. Në orën 03 të natës, luftëtarët trima të Kudhësit, nën drejtimin e Rrapo Çelos dhe heroit Kanan Maze, u hodhën në sulëm. Në këtë përleshje, për mungesë të armëve dhe municioneve, u përdorën edhe sëpata, hanxharë, kosa, madje edhe sfurqet… Për të përmendur është rasti i luftëtarit; Zyber Bejto Kudhësiotit, nga Dushkaraku, i cili me një sfurk në dorë, me zvarritje, i shkoi ushtarit italian në llogore, i vuri sfurkun në fyt…

Dhe kënga legjendë i thuret legjendarit:
Luftoi Zyber Bejtua,
Me shkopin në dorë,
I shtriu të vdekur,
Pushtuesit, një taborr…

Më 5 qershor, të vitit 1920, forcat e krahinës së Kudhësit, Mesaplikut dhe të fshatrave për rreth, shpartalluan plotësisht garnizonin e Kotës. Në këtë betejë, u plagos edhe Kanan Maze, nga Shkoza, Hero i Popullit. Pas marrjes së garnizonit të Kotës, forcat e Kudhësit, nën komandën e Rrapo Çelos, në bashkëpunim me forcat e Mesaplikut, të komanduara nga Sali Murati dhe ato të Selam Musait, ndoqën këmba-këmbës, deri në qafën e Sherishtës, në Kalanë e Kaninës, në qafën e Koçiut, deri sa hodhën në det zaptuesit italian. Aksionet për marrjen e qendrave të fortifikuara dhe beteja për çlirimin e Vlorës, u realizua me një përleshje të përgjakshme. Jehona e kësaj lufte, u dëgjua dhe u përhap si rrufe, jo vetëm brenda Shqipërisë, fqinjëve, por edhe në kancelaritë europiane. Populli i vogël shqiptar, pa përkrahjen e askujt, u ndesh me një armik të pabarabartë, si në numër, ashtu dhe në armatim.

Kemi derdhur gjak më okë, ndaj “lulëzon” kjo tokë…

Në këtë luftë frontale, që zgjati gati tre muaj, u derdh gjak me okë, për të lulëzuar kjo tokë… Vlora u çlirua, zaptuesit u hodhën në det. Këtë betejë e gjejmë të gdhendur në vargjet e rapsodit, në këngë e përjetësuar, skalitur në mendjen dhe shpirtin e popullit: Lufta e Vlorës zgjati për 3 muaj luftime të ashpra, dhe shënohet në gjerdanin e artë të historisë si: Ndër epopetë më të lavdishme, pjesëza të asaj lufte i këndohet dhe sot pas 105 viteve: Kanë kaluar 105 vite dhe vargjet e këngës, kanë skalitur fortë: ngjarje dhe data, akte dhe heronj kumbojnë në vite, vijnë me klithmat e ditës, edhe në ditët e sotme, duke na kujtuar Luftën e Vlorës, të 1920-s, dhe kënga më vargjet këndohet edhe sot: Vargjet e këngës me krisma lufte- gjëmonin në shpirtin e patriotëve, luftëtarëve: Këngët derdhen nëpër vite, këndohen në brezat, ruhen në sepetet e moçme, hapen në përvjetorët dhe shpërndahen dhe në gjithë krahinat e Vlorës- Legjendare, në gjithë vendin, dhe për gjithë kombin.

Lufta e Vlorës e Vitit 1920!
“Qaf’e Koçiut moj grykë,
Ç’hata bëre atë ditë,
Me topa me alitrik,
Katërqindë e ca shehit…
Katërqindë e ca të vrarë,
Vallë qysh e dhanë xhanë?
Pa bukë e pa njeri pranë…

Dhe… 400 luftëtarët që ranë për çlirimin e Vlorës, në Luftën e 1920-s, mbeten të shënuar në memorjen e kombit, me kujtesë, në altarin e përjetësisë…/Gazeta Panorama 

Sulm masiv rus me 400 dronë dhe 40 raketa në Ukrainë! Zelensky bën thirrje për ndihmë

Rusia nisi një sulm të rëndë me raketa balistike dhe dronë në kryeqytetin ukrainas gjatë natës, duke vrarë të paktën katër persona, sipas zyrtarëve ukrainas, dhe duke plagosur të paktën 20 të tjerë.

Edhe pse Ukraina është goditur çdo natë nga dronë dhe raketa ruse që nga fillimi i pushtimit rus, vendi është në gatishmëri pasi Vladimir Putin paralajmëroi se Rusia do t’u përgjigjej sulmeve ukrainase në bazat ruse më 1 qershor.

Megjithatë, nuk është qartë nëse sulmi i sotëm pritej apo nëse Rusia do të kundërpërgjigjej në ditët në vijim.

Në një postim, udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelensky tha se sulmet ruse ndodhën pothuajse në të gjithë Ukrainën.

Në Volyn, Lviv, Ternopil, Kiev, Sumy, Poltava, Khmelnytskyi, Cherkasy, Chernihiv, duke vënë në dukje se disa nga raketat dhe dronët u rrëzuan.

Sipas Zelensky-t, në total, në sulmin e sotëm u përdorën mbi 400 dronë dhe më shumë se 40 raketa, përfshirë raketa balistike.

Forcat kundërajrore të Ukrainës rrëzuan 406 nga 452 raketa dhe dronë që Rusia lëshoi kundër territorit ukrainas gjatë natës, njoftoi gjithashtu ushtria ukrainase.

Doriana Musai: Nga Spaçi në Cinecittà – Kujtesa me suva

Nga Doriana Musai

Është absurde, cinike dhe thellësisht fyese që sot, në vitin 2025, të detyrohemi të mbrojmë Spaçin nga një film. Jo nga harresa, jo nga erozioni natyror, por nga artwashing-u institucional që e përdor artin si mbulesë për të shkelur çdo parim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Të ndërhysh mbi muret e një kampi torture për hir të një filmi, është njësoj si të suvatosh Koloseumin për “Gladiatorin” apo të lysh celulat e Auschwitzit për të bërë një dramë “më realiste”.

Që të jemi të qartë, kjo nuk është “ndërhyrje konservuese” siç pretendohet nga qeveria. Është një formë dhune e re mbi kujtesën, që tenton ta zëvendësojë autenticitetin me estetikë. Këtë e bëjnë ata që nuk kanë as guxim, dhe qartësiht nuk duan, të përballen me të kaluarën. Sidomos, kur në pushtet ndodhet e njëjta parti që mban përgjegjësinë historike për ato krime, trashëgimtare direkte e Partisë së Punës, skenari që po luhet është qartësisht shpëlarje e krimeve të padënuara.

Spaçi nuk ka nevojë për efekte speciale, por për respekt. Muret e tij janë të shenjta, të mbuluara me vuajtje dhe rezistencë. Të lyhesh e të rikrijosh “atmosferën” me skenografi është të bësh skenë një vend krimi, të fshish pluhurin e së vërtetës për t’i bërë vend iluzionit. Të mbulosh Spaçin me suva është si të mbulosh një plagë për ta bërë më fotozhenike. Kujtesa nuk rilyhet. Kujtesa ruhet. Dhe më e pakta që i detyrohemi atyre që vuajtën atje, është të mos i përdorim si dekor.

Në këtë kontekst, reagimi zyrtar i MEKI-it, është më shumë se i cekët – është përçmues. Hedh poshtë çdo kritikë si “aludim” apo “keqdashësi”, ndërkohë që vetë ndërhyrja kryhet pa transparencë, pa proces të hapur, pa respekt për rregullat minimale të restaurimit.
Ky reagim e përbuz dhimbjen e njerëzve që kanë kaluar nëpër ferr, dhe tenton të neutralizojë politikisht një ngjarje që është thellësisht morale dhe historike. Është i përshkuar nga një logjikë mosndëshkimi, ku edhe e kaluara manipulohet për të mbajtur të paprekur pushtetin e sotëm.

Spaçi nuk është kartolinë. Nuk është sfond për art me buxhet shtetëror. Është një vend ku njerëzit kanë humbur jetën, dinjitetin, lirinë. Të gjithë ata që nuk kanë pasur zë, kanë lënë gjurmë. T’i mbulosh me suva, për të bërë një film, nuk është nderim – është fshirje e asaj që nuk u dënua kurrë.

Dhe për këtë arsye, çdo ndërhyrje e tillë është një vazhdimësi e heshtur e dhunës – jo në trup, por në kujtesë. Dhe kjo është edhe më e rrezikshme.

Nuk bëhet film mbi krimin, duke mbuluar gjurmët e krimit.

Roberto Saviano: Shteti është i dobët përballë mafies, por pa të penduar nuk ka fitore

Nga Roberto Saviano

Lirimi i Giovanni Brusca-s nuk përfaqëson një dështim të drejtësisë, një gabim burokratik apo një defekt në sistem. Përkundrazi, ai është i lirë sipas ligjit. Kjo është e dhimbshme, por duhet të kuptojmë se shteti dhe shtetet në përgjithësi, jo vetëm Italia, janë jashtëzakonisht të brishtë përballë krimit të organizuar. Pa bashkëpunëtorë të drejtësisë, nuk do të arrihej asnjë rezultat.

Mund të shtohet se, pa bashkëpunëtorë, kostot për luftën kundër mafies do të ishin katër ose pesë herë më të larta, sepse do të kërkoheshin shumë më tepër hetues, përgjime dhe një punë shumë më e madhe. Bashkëpunëtori i drejtësisë, kur është efikas, lejon të amortizohen kostot dhe të kufizohen angazhimet.

Pseudonimet e Brusca-s si “vrasësi i të krishterëve” ose “derri”, përshkruajnë figurën e tij. Pavarësisht përgjegjësive të tij të mëdha, Riina kishte mosbesim ndaj Brusca’s, duke e konsideruar të dobët, të brishtë dhe më të prirur ndaj jetës mondane sesa ndaj pushtetit, që ishte qëllimi i vërtetë i “njeriut të nderit”. Kur babai i tij, Bernardo Brusca, pushoi së qeni kreu i zonës së San Giuseppe Jato, nuk ishte Giovanni Brusca ai që e pasoi në atë rol (për shkak edhe të internimit të tij), por Balduccio Di Maggio, i zgjedhur nga Toto Riina.

Bashkëpunimi i Giovanni Brusca-s me drejtësinë ka zbuluar qartë evolucionin e brendshëm të Cosa Nostra-s. Edhe pse është e kuptueshme se asnjë bashkëpunëtor nuk zbulon kurrë gjithçka që di, duke mbajtur gjithmonë një pjesë të informacionit për vete (veçanërisht për kapitalet), kontributi i Brusca-s ka qenë thelbësor. Bashkëpunimi i tij ka çuar në një kuptim shumë më të qartë të dinamikave të Cosa Nostra-s. Tripartitja e organizatës është një interpretim që del qartë nga deklaratat e tij.

Cosa Nostra e Riina-s vendosi të shpallte luftë ndaj asaj pjese të shtetit që e kundërshtonte dhe ndaj asaj që nuk e kishte mbrojtur: strategjia ishte të vriteshin magjistratët dhe të eliminoheshin aleatët politikë të konsideruar tradhtarë. Pasuan bombat në Milano dhe Firence.

Qëllimi i Riina-s ishte të ruante udhëheqësinë e tij në një moment vendimtar, pra në Maxiprocesin, demonstrimi i parë botëror i ekzistencës së strukturuar dhe praktikave të Cosa Nostra-s. Megjithatë, vendimi përfundimtar minoi besueshmërinë e Riina-s si një udhëheqës i besueshëm, sepse nuk arriti ta ndalonte atë.

Para kësaj, proceset e mëdha përfundonin me dënime individuale, jo kolektive, dhe ekzistenca e Cosa Nostra-s nuk ishte provuar kurrë. Në atë pikë, Riina u përball me dy alternativa: të zëvendësohej ose të vazhdonte luftën. Cosa Nostra u nda kështu në tre rryma të mëdha: rryma e masakrave e udhëhequr nga Riina, rryma paqësore e Bernardo Provenzano-s dhe rryma pritëse e Matteo Messina Denaro-s.

Brusca ka lejuar interpretimet, edhe pse jo drejtpërdrejt përmes zbulimeve të plota. Liria e tij konsiderohet një turp moral në një vend ku shumë të pafajshëm mbeten në burg për mungesë të mjeteve të duhura të mbrojtjes. Ngadalësia e drejtësisë italiane është, në fakt, ndër më të këqijat në botën perëndimore.

Në një kontekst të tillë, liria e Brusca-s rezulton e neveritshme, veçanërisht sepse logjika e shpërblimit ka tendencë të favorizojë krerët e mëdhenj kriminalë. Kjo logjikë nuk shpërblen anëtarin e rangut të ulët. Ai që kryen krime pa kërcënuar gjendjen e gjërave do të vuajë të gjithë dënimin, në maksimum duke marrë një marrëveshje për disa krime. Përkundrazi, ai që kryen krime shumë të rënda mund të ulet në tryezën e negociatave.

Nuk është e mundur të dihet nëse Brusca është penduar ndonjëherë moralisht për atë që ka bërë, sepse nuk mund të hyhet në shpirtin e një personi. Megjithatë, nga sjelljet, del se ai që lind “njeri i nderit” vdes i tillë. Brusca u bë bashkëpunëtor i drejtësisë nga frika e vdekjes. Pas pendesës së Balduccio Di Maggio-s, ai u bë kreu i zonës së San Giuseppe Jato, por zgjedhja për masakra e grupit nuk do të kishte lejuar që Brusca të mbijetonte në sytë e Riina-s, që e konsideronte “të dobët”; do të kishte qenë më mirë ta mendonte të varrosur.

Brusca nuk do të kishte bërë burgun e nderit, pra të disiplinuar dhe në heshtje. Duke e ditur këtë, ai zgjodhi bashkëpunimin (nuk ishte arsyeja e vetme, sigurisht) dhe është menaxhuar nga prokurorët me mençuri gjatë këtyre viteve për të marrë elemente të njohurive që ndryshe do të ishin të paarritshme. Liria e tij është e dhimbshme, por tregon gjithashtu se është çmimi që duhet paguar për të marrë të vërtetën dhe, nëse e konsiderojmë këtë perspektivë, liria e Brusca-s është prova se mafiet nuk janë të pathyeshme dhe se rruga është ende e gjatë, shumë e gjatë.

Xhamia e Vjetër, historia që u dogj dhe u zhduk me urdhër të regjimit — Autoriteti i Dosjeve kujton institucionin e kultit në Ditën e Kurban Bajramit

Në Ditën e Kurban Bajramit, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka kujtuar një nga simbolet historike të Tiranës — Xhaminë e Vjetër, e ndërtuar në vitin 1614 nga themeluesi i qytetit, Sulejman Pashë Bargjini.

Në një mesazh përkujtimor, Autoriteti thekson se Xhamia e Vjetër nuk ishte thjesht një vend faljeje, por një pikë referimi për shpirtin qytetar të Tiranës. E shkatërruar nga flakët në nëntor të vitit 1944, ajo mbeti një plagë e hapur për qytetarët, të cilët, pavarësisht vështirësive, mblodhën mijëra franga ari për ta rindërtuar.

Megjithatë, Xhamia u rrënua përfundimisht dhe në vend të saj u ndërtua Monumenti i Partizanit të Panjohur.

Sipas dokumenteve arkivore, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë bënë përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur besimin dhe kujtesën historike në një kohë kur regjimi i ri ndërmori një fushatë të gjerë represive kundër institucioneve fetare.

“Shkatërrimi i Xhamisë së Vjetër ishte vetëm fillimi. Më pas, represioni goditi mësuesit, teologët dhe vetë besimin, i cili u ndalua me terror,” thuhet në deklaratën e Autoritetit.

Në përfundim të mesazhit, Autoriteti i Dosjeve bën thirrje për reflektim:

“Në këtë ditë të bekuar, le të ndalemi për të kujtuar jo vetëm atë që kemi humbur, por edhe detyrimin për të mbrojtur kujtesën, shpirtin, dinjitetin dhe njerëzinë.”