29.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Nis plazhi në Vlorë, operatorët turistikë ende s’janë gati: S’ka punëtorë në sektorin e hotelerisë! Mungesa edhe në Pogradec, shkak pagat e ulëta

Temperaturat e larta deri në 30 gradë kanë bërë që shumë qytetarë t’i drejtohen bregdetit të Vlorës këtë fundjavë.

“Unë erdha se sot është pushim, erdha të lahem. Kam takuar dhe të huaj. Deti më duket i pastër i ngrohtë”.

“Që tanmi ka turistë, unë sapo u ula, me turistë isha. Më tepër ka holandezë”.

Në këto ditë prilli, plazhi frekuentohet vetëm në fundjavë, ndërsa rezervimet për pushime nisin nga mesi i majit. Trendi është pozitiv dhe pritshmëritë të larta për këtë sezon, por operatorët turistik hasin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore.

Luixhino Isufaj dhe Besmir Lulaj thanë se veç tregut vendas po synojnë të marrin punëtorë nga vendet e treta, por as ata nuk preferojnë të punojnë për një kohë të gjatë në Shqipëri.

“Mendoj se shumica e tyre nuk vijnë në Shqipëri se e kanë zgjedhje Shqipërinë, vijnë më shumë për të ikur nga vendet nga ata janë. Vijnë këtu dhe shohin një realitet që nuk e presin. Sepse ne dështojmë në të gjitha këto fasilitete veç vendit të punës, në fasilitetet argëtuese, fasilitete integruese dhe faktikisht duhet edhe ta pranojmë se edhe sistemi i punësimit kushtet e jetesës nuk janë më të mira. Prandaj ata e shohin përsëri Shqipërinë si një vend tranzit”.

Edhe në qytetin liqenor të Pogradecit konstatohet e njëjta problematikë. Në nisje të sezonit turistik, hotelet baret e restorantet vuajnë mungesën e personelit. Shkaku kryesor janë pagat e ulëta dhe fakti se turizmi është një punë sezonale.

“Një pjesë e të rinjve shkojnë e punojnë dhe në Maqedoni e në zonën e jugut sepse pagesat janë më të larta dhe kushtet më të mira sesa këtu. Kjo vazhdon në rrethin tonë të Pogradecit, kemi gati 35% mungesë të fuqisë punëtore.”

Sipas Ministrisë së Turizmit, Shqipëria u vizitua në vitin 2023 nga 10 milionë turistë, numër ky që pritet të jetë më i lartë këtë vit. Këtij trendi në rritje duket se ende nuk i përgjigjen operatoët turistikë në mbarë vendin, sa i përket stafeve të kualifikuara dhe cilësisë së shërbimit. /Shqiptarja.com

Analiza e VOA: Pikëpyetje rreth referendumit për largimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës

Suksesi i referendumit për largimin e kryetarëve aktual të katër komunave në veri të Kosovës duket se është vënë në pikëpyetje që nga vendimi i subjektit politik serb, Lista Serbe, që ta bojkotojë atë.

Njohës të zhvillimeve politike në veri thonë se pjesëmarrja e nevojshme prej 50 për qind plus një nga votuesit e regjistruar, në këtë referendum, duket vështirë e arritshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdoi punën edhe të shtunën për organizimin e referendumit për largimin e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, që do t’u hapte rrugën zgjedhjeve të reja. Por suksesi e tij është vënë në pikëpyetje për shkak të vendimit të Listës Serbe të mbështetur nga Beogradi për ta bojkotuar atë.

Milica Andriç Rakiç, nga organizata “Nisma e Re Shoqërore”, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se referendumi duket se do të dështojë.

“Mbase do të mund të kishim një votim të suksesshëm në Zveçan dhe Leposaviç, por është shumë shumë e vështirë. Për Zubin Potokun jam e sigurt thuajse që nuk arrihet sepse shumica e banorëve që janë larguar nga veriu janë nga Zubin Potoku por menjëherë pas tij vjen Mitrovica e Veriut. Prandaj do të thosha që nëse ka sukses mund të ndodhë në Zveçan dhe Leposaviç por kjo do të ishte shumë optimiste, gjasat më të mëdha janë që të dështojë në të katër komunat”, thotë ajo.

Kryetari i kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, i tha Zërit të Amerikës se thirrja e Listës Serbe për bojkotimin e këtij procesi është dëshmi e trsynisë që Beogradi vazhdon të ushtrojë ndaj serbëve të Kosovës.

“Po shihet qartë që ndikimi i Republikës së Serbisë është i madh në pjesën veriore, sidomos nga subjekti politik Lista Serbe. Bojkotimi do të realizohet dhe për shkarkimin e kryetarit nuk do të deklarohen qytetarët nga shumica serbe. Por procesi i KQZ-së nuk do të ndalet por do të kryhet sipas mënyrës demokratike”, tha zoti Uglanin.

Për të qenë i suksesshëm referendumi kërkon pjesëmarrjen e 50 për qind plus një të votuesve më të drejtë vote. Përfaqësuesit politik të serbëve këtu por edhe autoritetet në Beograd, thonë se është e vështirë të përmbushet ky kriter për shkak “të fryrjes së listave të votuesve”, por pa dhënë asnjë provë për këtë pretendim. Ndërkaq autoritetet në Kosovë, akuzojnë Beogradin se po ushtron trysni ndaj serbëve të Kosovës për të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit, i cili në rast të dështimit nuk do të mund të organizohet sërish pa kaluar 12 muaj.

“Edhe para se të nënshkruhej peticioni kishim probleme me numrin e fryrë të votuesve të regjistruar meqë në dhjetor 2023, pra vetëm më pak se pesë muaj më parë kishim 45 mijë votues dhe tani kemi 46 mijë votues të regjistruar. Kështu që edhe në atë kohë ishte e qartë se këta numra nuk janë vërtetë të saktë”, thotë zonja Rakiç.

“Sigurisht nuk ka fryrje të listave sepse siç e dini moshat 18 vjeçare po lajmërohen këtu për letërnjoftime në evidencën e administratës dhe kjo është arsyeja që vjen deri te fryrja e listës sepse ata kanë të drejtë te votës dhe kjo nuk është fryrje e listës që pretendon një subjekt politik nga shumica serbe. Por në të katër komunat vijnë e lajmërohen ata qytetarë që kanë të drejtë edhe sidomos edhe këta të zhvendosur që janë nga territori i Kosovës po vijnë për letërnjoftime”, thotë zoti Uglanin.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, i kërkuan të mërkurën Listës Serbe të rishqyrtojë vendimin për bojkotimin e votimeve në veri.

Aktualisht, komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviçit dhe Zveçanit udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.

Qeveria e Kosovës, e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, u pajtua të organizojë zgjedhje të reja si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës me Serbinë./ VOA

VIDEO/ Një raketë iraniane kapet jashtë atmosferës së Tokës

Sistemi i tipit Arrow 3 thuhet se goditi një raketë iraniane në një lartësi shumë të madhe. Mbrojtja ajrore izraelite është aktivizuar plotësisht për të kundërshtuar sulmin masiv me dron dhe raketa iraniane kundër Izraelit.

Videoja tregon një përgjim ekstra-atmosferik, që do të thotë jashtë atmosferës së Tokës, të një rakete balistike iraniane mbi Izrael.

Përgjimi duket se është kryer nga sistemi izraelit Arrow 3 ose ndoshta nga një anije e marinës amerikane duke përdorur raketa anti-balistike SM-3. Autoritetet izraelite kanë raportuar se pothuajse të gjithë dronët iranianë të nisur kundër Izraelit janë rrëzuar.

Alergjitë e pranverës, ja ushqimet që duhet të konsumoni për t’i trajtuar ato

Pluhuri i verdhë ka filluar të përhapet kudo, duke sjellë me vete teshtitje të përsëritura, kollë të thatë dhe kruajtje teksa depërton në zgavrën e hundës dhe fillon reaksione inflamatore.

Meqenëse nuk ka një kurë përfundimtare për alergjitë, qëllimi ynë kryesor është të lehtësojmë simptomat shqetësuese.

Filloni luftën kundër alergjive nga kuzhina duke shtuar ushqimet e mëposhtme në programin tuaj ditor.

Molla
Molla përmban kuercetinë (balanoketone), një flavonoid që mbron nga alergjitë dhe astma, pasi ka efekte anti-inflamatore dhe antihistaminike. Polifenolet e mollës janë veçanërisht efektive në trajtimin e simptomave të rinitit alergjik.

Brokoli
Përveç kuercetinës, brokoli përmban edhe sulforafan, një përbërës me efekt të fortë anti-inflamator. Sulforafani është një antioksidant dhe në këtë mënyrë lufton inflamacionin në traktin respirator, i cili është përgjegjës për shfaqjen e astmës, alergjive dhe sëmundjeve kronike obstruktive pulmonare.

Salmoni
Peshqit e yndyrshëm si salmoni janë të pasur me acide yndyrore omega-3, të cilat luftojnë inflamacionin. Në veçanti, ato neutralizojnë efektin e acideve yndyrore Ω-6, të cilat luajnë një rol në shfaqjen e inflamacionit.

Hudhra
Hudhra përmban kuercetinë dhe në të njëjtën kohë forcon sistemin imunitar në mënyrë që trupi t’i rezistojë më fort alergjenëve.

Arrat
Lëndët ushqyese në arra, kryesisht yndyrnat e dobishme që na ofrojnë, shtypin inflamacionin në indet e zgavrës së hundës dhe të fytit.

Kosi
Probiotikët në kos mund të kufizojnë reaksionin alergjik ndaj polenit. Këto baktere të dobishme forcojnë funksionin gastrointestinal dhe imunitar dhe në të njëjtën kohë shtypin reagimin e trupit ndaj alergeneve.

Fernando Santos largohet nga Besiktas, Muçi dhe Rashica me trajner të ri

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1) në shtëpi ndaj Samsunsporit, rezultat ky që e rriti në pesë numrin e ndeshjeve të njëpasnjëshme pa fitore në Superligën turke. Më parë, Beshiktashi kishte barazuar me Basaksehirin dhe kishte humbur nga skuadra të tilla si Antalyaspor, Gaziantep dhe Galatasaray.

Fernando Santos mbërriti te Beshiktasi në fillim të janarit dhe largohet nga “Shqiponjat e Zeza” pas 16 ndeshjesh, në të cilat shënoi 7 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje. Ish-trajneri i Portugalisë dhe Polonisë e lë ekipin në vendin e 4-t në kampionat, në një kohë kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje. Serdar Topraktepe do të jetë trajneri i përkohshëm i Beshiktas deri në fund të sezonit. Kujtojmë që në skuadrën turke luajne Ernest Muçi dhe Milot Rashica, që u aktivizuan titullar edhe në ndeshjen e fundit, por pa mundur të realizojnë.

Mandati i Xhaçkës, jo në Kushtetuese/ Jupi: Tregon luftë të hapur ndaj çdo rrugëtimi që ka marrë Reforma në Drejtësi

Anëtarja e kryesisë së PD-së zyrtare, Taulanda Jupi në një intervistë në Ora News u shpreh se mosdërgimi i mandatit të Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese tregon qartë se është një luftë e hapur ndaj çdo rrugëtimi që ka marrë Reforma në Drejtësi.

Jupi: Do të veçoja disa ngjarje të cilat u zhvilluan gjatë ditës së enjte në parlament, siç ishte ai refuzim për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese sërish mandatin e Olta Xhaçkës e cila tregon qartë se është një luftë e hapur ndaj çdo rrugëtimi që ka marrë Reforma në Drejtësi.

Në fakt shikojmë që janë bërë bashkë PS dhe segmente të caktuara të opozitës në një luftë të paprecedentë për të krijuar mekanizma kontrolli dhe mekanizma bllokimi ndaj të gjithë asaj që sot po shohim të gjithë.

Gjatë viteve të fundit kemi parë që Reforma në Drejtësi ka filluar të japë frytet e para, por ajo që po shikojmë të ndodhë me një shpejtësi të jashtëzakoshme është mobilizimi i të gjitha forcave të errëta politike duke nxjerrë mekanizma apo duke përdorur mjetet që pushteti i jep për t’iu kundërvënë vendimeve të SPAK apo për t’iu kundërvënë çdo përparimi të punës ndaj pandëshkueshmërisë që po bën drejtësia e re, qoftë BKH qoftë SPAK.

Nebil Çika: Unë “bir i armikut” të regjimit komunist

(Nga parathenia e librit “Bir i armikut”, botim i ISKK, 2023)

Ky libër, në kujtim të tim eti, Sorkadh Çika, nisi nga një dëshirë e obligimi im i hershëm për të treguar e dëshmuar në vetë të parë, përjetimet e mia si biri i një të burgosuri dhe nipi i një të pushkatuari politik, pjesëtar i një familje që i kaloi të gjithë format e persekutimit komunist nga të pushkatuar deri tek kulakë në diktaturën komuniste. Vendimi im për të lënë këtë dëshmi ka shumë motive por më kryesorja është që t’iu dëshmoj brezave, fëmijëve që nuk kanë lindur e jetuar në diktaturë, se si ishte jeta në një e një fëmije, e një familje ”armike” të diktaturës komuniste. Cilat ishin privimet, ndjesitë, reagimet ndaj një lufte klasash kriminale, që nuk përjashtonte asnjë përfshirë edhe fëmijët, të cilët ishin përcaktuar si»armiq” përpara se të lindnin?! Sot e kemi të vështire t’iu shpengojmë edhe fëmijëve tanë atë që ka ndodhur, me gjithë përmasën apokaliptike të asaj që ngjau në 45 vjet diktaturë komuniste ne Shqipëri. Ajo kohë nuk shpjegohet e sidomos nuk kuptohet dot, e plotë dhe e saktë, në kushtet e sotme politike, ekonomike e shoqërore. Të rinjtë, fëmijët tanë, e kanë sot të vështirë, së pari ta kuptojnë e me tej ta besojnë e ta pranojnë atë që ka ndodhur në Shqipërinë komuniste. Dhe kanë të drejtë shumë se ato që kanë ngjarë në atë kohë errësire e kalojnë logjiken e fantazinë e një njeriu normal që nuk i ka jetuar vetë ato. Por jo vetëm ata që nuk kanë lindur e nuk kanë jetuar në diktaturë nuk i dinë e nuk i besojnë dot ato që kanë ndodhur e kemi përjetuar ne, bijtë e armiqve. Jam përballur shumë here me moshatare të mi, por edhe me më të rritur që befasohen kur ne flasim për krimet e komunizmit dhe me sinqeritet thonë se nuk kanë ditur gjë, se nuk u ka thënë gjë njeri për ato që kanë ndodhur edhe pse shumë krime, ngjarje apo personazhe, viktima e xhelatë, kanë ndodhur e kanë jetuar shumë pranë tyre. Një miku im, inxhinier minierash, më ka thënë se: “Unë e mora vesh që Shqipëria komuniste kishte ‘armiq’”, burgje dhe të burgosur politikë kur më emëruan në Spaç, pas mbarimit të shkollës. Atje pashë për herë të parë realitetin e përgjakshëm të Shqipërisë komuniste. Ishte një kontrast i madh me atë që mësonin e dinim jashtë atyre telave me gjemba në ato vende të harruara nga Zoti dhe kjo përballje e parë me të vërtetën ishte një shok, një përmbysje e gjithçkaje që kishe mësuar e dije deri në atë moment. Vetëm pak ditë mu deshën atje për tu bërë një kundërshtar i regjimit. Fillova ti shoh e ti mendoj gjërat krejt ndryshe”. Por shumë të tjerë nuk e patën atë mundësi për të parë me sy krimet komuniste që mund të dinin çfarë ndodhte e ndoshta edhe të reflektonin. Atyre nuk u tregoi kush për to, as në familje as në shkollë e as në shoqëri, se ishte e ndalur e ndëshkoheshin po të flisnin për to edhe ata që i dinin. Frika se mund të ishte ti viktima e radhës solli heshtjen e atyre që i dinin, për pasojë fshehjen e krimeve komuniste për njerëzit e thjeshtë, fshehje qe vazhdon ende sot. Të vërtetën e dinim tamam vetëm ne,”bijtë e armiqve”, viktima të atyre krimeve të rënda të klasifikuar si krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Ne i dinim ato, i përjetonim ato, i dëgjonim që fëmijë ato nga njerëzit tanë të dashur që i kishin hequr mbi shpinë. Personalisht vlerësoj se pikërisht kjo situate e imja si “bir armiku” i pushtetit komunist më shpëtoi nga rreziku i të bërit “njeri i ri i komunizmit”, një qenie që nuk kishte asnjë lidhje me qeniet njerëzore. Ai sistem prodhonte dhe edukonte antinjerëz robotë në shërbim të pushtetit. Pa besim tek Zoti, liria, familja, atdheu, prona, dinjiteti e të tjera vlera njerëzore. Krimi, ligësia, spiunllëku, servilizmi, gënjeshtra, imoraliteti etj, ishin vlerat që predikonte në shkollë e shoqëri etj, ai system politik kriminal. Kam këmbëngulur e këmbëngul që krimi më i madh i komunizmit në Shqipëri është fabrikimi i njeriut të ri komunist, pasojat e të cilit i vuajmë edhe sot. Dhe kjo u arrit duke luftuar e zhdukur çdo vlerë njerëzore, duke vrarë burgosur, persekutuar e izoluar çdo njeri e familje që i mbarte këto vlera. Përtej sakrificës, mendoj se jam me fat qe kisha një baba»armik”, një familje»armike” të atij sistemi kriminal, falë të cilëve i shpëtova”virusit” të njeriut të ri komunist. Edukimi familjar ishte mënyra e mjeti i vetëm për ti shpëtuar atij. Ishte vaksina, antidoti që merrej çdo ditë nga bombardimi psikologjik në shkollë e kudo, jashtë shtëpisë nga sulmi i vazhdueshëm në të gjitha format dhe mënyrat virusit të së keqes, të anti-njeriut. Gjithnjë, që fëmijë jam ndjerë ndryshe, kam kuptuar, kam menduar e kam vepruar ndryshe nga shumica e moshatarëve të mi, në të gjitha fushat e jetës dhe kjo më ka mbajtur me këmbë në tokë, atëherë në diktaturë e sidomos sot, pas rënies “de jure” të saj. E gjithë kjo, meritë e edukimit ndryshe prej tim eti dhe familjes. Ishte shumë e thjeshte por shumë thelbësore. Më mësuan të kuptoj e të ndaj të mirën nga e liga, të vërteten nga gënjeshtra, dritën nga errësira, më edukuan të zgjedh të mirën, gjë të cilën shumë njerëz nuk e bëjnë dot as sot. Jo se ata jetonin shumë ndryshe nga, edhe ata nuk kishin liri, ishin të varfër e u mungonin shumë gjera por ndryshe nga unë ata nuk e dinin që nuk i kishin këto, apo që bota kishte gjëra të tjera më të mira se ato të Shqipërisë “fanar ndriçues” të propagandës komuniste, thjeshtë se nuk ua kishte thënë njeri në shtëpinë e tyre të vërtetën apo më keq, i gënjenin nga frika e ndëshkimit ose bindja komuniste e prindërve. Ne familjen tone këto dy gjëra nuk ekzistonin pasi e dinim që nuk i shpëtoje dot diktaturës në se do nuk do të mund të përshtateshe me ligësinë e saj tragjikomike. E kishim marrë që në 1944 ndëshkimin për këtë. Për ta konkretizuar këtë po sjell një ngjarje nga fëmijëria ime: Ishim në plazh, në verë, dikur nga fillimi i viteve 1980. Rastisi që nxori deti një bidon plot me Coca-Cola 1.5 litërshe, zakonisht i nxirrte bosh, por ky qëlloi plot. U mblodhëm të gjithë rreth tij dhe me gjithë dëshirën e madhe për ta provuar, se nuk ja denim as shijen, shumica nuk guxonin, sepse besonin atë që u thuhej në shkollë e familje:”Mund të ishte e helmuar qëllimisht nga armiqtë kapitalistë “. unë e mora dhe fillova ta pi, pa frikë. Kur shkova te gjysma, pasi u bind që mua nuk po më gjente gjë, ma mori nga goja një shok dhe e piu pjesën tjetër. Fëmijët e tjerë na ndiqnin me sy të tmerruar për shumë kohë, prisnin” kur do të vdisnim nga Coca-Cola e helmuar prej armiqve kapitalistë”. Për ata që nuk e dinë, në Shqipëri në atë kohë nuk kishte, nuk lejohej Coca-Cola e asnjë nga këto “pijet kapitaliste” që ka sot, shqiptarët nuk e dinin çfarë shije kishte ajo. Ky ishte ndryshimi : unë e piva pa asnjë ndrojtje se askush në shtëpi nuk më kishte thënë që»kapitalistët janë armiq të këqij e që të duan të na helmojnë”, përkundrazi. Pa e kuptuar pa e pasur qellim në vetvete bëja diferencën pothuaj në gjithçka dhe e ndjeja këtë. E solla këtë shembull për të kuptuar ndryshimin me të tjerët që bëhej edhe në detaje kaq të vogla e të thjeshta por që janë domethënëse për të kuptuar ndryshimin qe vjen prej edukimit dhe mendimit ndryshe. Ne jetonin në të njëjtin, vend shkonim në të njëjtën shkollë, luanim së bashku, vetëm familjen dhe raportin me diktaturën e kishim të secili më vete, gjë që mjaftonte të më bënte të ndryshëm nga të tjerët! Libri është i ndërtuar mbi përjetime të mija për fenomene ngjarje e personazhe, tregime e biseda të tim eti dhe të tjerëve, informacione e dokumente arkivore etj. Ka në qendër tim atë dhe familjen tonë por nuk është thjesht një histori familjare por mbi të gjitha është një perceptim, një këndvështrim imi në periudha të ndryshme të jetës, për ato që po ndodhnin në atë kohë. Një copë jete e historie që përafërsisht e kanë kaluar shumë te tjerë si unë. Jam përpjekur të përqendrohem, më shumë tek qëndresa se sa tek sakrifica, se këtë kam vlerësuar më shumë tek familja ime dhe të tjerë si në në diktaturë, që më ka dhënë force e krenari atëherë, dhe me jep te njëjtën ndjesi edhe sot. Shpresoj shumë që të lexohet e veçanërisht të kuptohet sidomos nga brezi i ri që e ka të vështirë ta kuptojë atë gjëmë që ka ndodhur në Shqipërinë komuniste e për më tepër ta pranojë si të vërtetë atë kohë kaq të ligë.

“European Youth Week”/ Deputetja e PD, Andia Ulliri, merr pjesë si e ftuar në Parlamentin Europian

Në kuadër të javës europiane të rinisë, deputetja e PD, Andia Ulliri, ka marrë pjesë si e ftuar në një vizitë dy ditore në Parlamentin Europian.

“Shqipëria si vend kandidat duhet të ketë prioritet të saj të rinjtë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.” – shkruan Ulliri në një postim të saj në facebook.

Më poshtë i plotë:

Kënaqësi e veçantë të isha në e ftuar në një vizitë dy ditore në Parlamentin Europian në kuadër të “European Youth Week” e organizuar nga Komisioni Europian, si deputete e re e Parlamentit Shqiptar.

E ftuar si folëse në panel diskutimet u fokusuan në procesin e zgjerimit si dhe çfarë roli dhe rëndësie ka ky proces për të rinjtë.

Bashkëpunimi rajonal dhe nismat e përbashkëta mbeten me vlerë në politikat e vendeve tona.

Shqipëria si vend kandidat duhet të ketë prioritet të saj të rinjtë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

“Do bëhen lepuj, sa t’u bjerë telefoni nga…”, Bejko komenton lëvizjet e Bardhit: Djallëzore dhe imorale

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko komentoi lëvizjet e fundit politike në vend, kryesisht ato në kampin opozitar.

Bejko e quajti kërkesën e Bardhit në Kuvend për të futur në grupin e PD Sali Berishën e përjashtuar tashmë, si një lëvizje djallëzore dhe imorale.

Ai theksoi se Bardhi me këtë veprim i vjen në interes klasës së vjetër politike duke zvogëluar fuqinë e SHBA-ve në Shqipëri.

Por nënkryetari tha se të gjithë ata që mbështesin këtë qasje do të ndryshojnë qëndrim kur ambasada t’i marrë në telefon dhe t’u kërkojë llogari.

“Lëvizja e Bardhit është lëvizje imorale pasi ka kapërcyer mbi vetveten. Por nga ana tjetër është lëvizje djallëzore pasi përmes këtij veprimi duan të zvogëlojnë fuqinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Kjo u leverdis të gjithë klasës së vjetër politike, si Sali Berishës dhe Edi Ramës si dhe të gjithë atyre që mbështesin këta të dy.

Sepse duan t’u thonë shqiptarëve që “ne nuk pyesim shumë për këto fuqi madhore, gardiane të demokracisë Perëndimore dhe botërore, por ne vendosim vetë këtu dhe nuk pyesim askënd”.

Por e kanë gabim dhe do ta shikojnë siç e kemi parë dhe në të shkuarën se sa t’u bie një telefonatë nga “Rruga e Elbasanit” do bëhen si lepuj dhe do t’ia hedhin fajin njëri tjetrit, jo e kisha unë fajin, jo e kishe ti fajin”, tha Bardhi në Euronews Albania.

Gazetarët e RAI në revoltë: Nuk jemi megafon i qeverisë

Gazetarët e televizionit shtetëror italian RAI, janë rebeluar ndaj një vendimi sipas të cilit përfaqësuesit e qeverisë mund të flasin në emisione pa kufizime kohe dhe pa pyetje të kryqëzuara nga gazetarët.

Në fund të edicioneve informative të Rai – Tg1, Tg2 dhe Tg3 – gazetarët lexuan drejtpërdrejt deklaratën e Sindikatës së gazetarëve të televizionit shtetëror kundër dritës jeshile që Komisioni Mbikëqyrës i hapi këtij rregulli të ri. Në deklaratë denoncohet tentativa për ta kthyer televizionin publik në megafon të qeverisë.

“Shumica e qeverisë ka vendosur të transformojë RAI-n në megafonin e vet. Këtë e bëri përmes Komisionit Mbikëqyrës i cili miratoi një rregull që lejon përfaqësuesit e qeverisë të flasin në emisione pa kufizime kohore dhe pa pyetje të kryqëzuara. Jo vetëm kaq, Rainews24 do të duhet të transmetojë tubimet politike në tërësi, pa asnjë ndërmjetësim gazetaresk, të paraprirë vetëm nga një akronim. Kjo nuk është ideja jonë për një shërbim publik, ku në qendër të jetë puna e gazetarëve të cilët pyetjet, edhe të pakëndshme, verifikojnë atë që thuhet, apo vënë në dukje mospërputhjet. Për këtë arsye të nderuar shikues, ju njoftojmë se jemi të gatshëm të mobilizojmë për t’ju garantuar informacion të pavarur, të balancuar dhe plural.”, thuhet ne deklaraten e sindikates se gazetareve.