16.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

“Zemër qeni”, rrëfimi i aventurave ironike dhe groteske të një kafshe që zbulon botën dhe ndjeshmërinë njerëzore

RUBRIKA DITORE E LIBRIT 

Titulli: Zemër qeni

Kategoria: Roman

Autori: Mihail Bulgakov

Përktheu: Robert Vullkani

Botues: Arka e Noes

Viti: 2024

Fq: 120

Mbi librin

“A është i mundshëm rinimi i organizmit?” – kjo është një prej pyetjeve që qëndron pezull në faqet e para të këtij romani. Rrumbullaku, një qen rrugësh, bëhet pjesë e një eksperimenti shkencor nën drejtimin e profesor Preobrazhenskit, i cili i heq hipofizën për t’ia ndërruar me hipofizë njeriu e mandej duke kryer transplante organesh të njerëzve që kanë vdekur te trupi i kafshës. Që prej çastit kur qeni buzëqesh e mandej të artikulojë fjalë të zakonshme si ‘pijetore’ ‘karrocier’ etj., nis të shtjellohet rrëfimi i aventurave ironike dhe groteske të një kafshe që zbulon botën dhe ndjeshmërinë njerëzore. Pavarësisht idesë së Preobrazhenskit se çdo kafshë mund të kthehet në një qenie njerëzore dhe suksesit që merr eksperimenti i tij, qeni, edhe pse nën formën njerëzore që merr, vazhdon të ruaj natyrën e tij kanile.
“Zemër qeni” u shkrua në vitin 1925 dhe mbeti i pabotuar për dekada pasi u sekuestrua nga policia secrete sovjetike dhe u gjet në arkivet e KGB-së pas ndarjes nga jeta të Bulgakovit.

Mbi autorin

MIHAIL BULGAKOV (1891-1940) është një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm rusë, i njohur për humorin dhe satirën kundrejt regjimit në veprat e tij, një pjesë të së cilave të ndaluara dhe të botuara pas vdekjes së shkrimtarit. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Mjeshtri dhe Margarita”, “Garda e bardhë”, “Zemër qeni”, “Vezët fatale”, “Ditari i një mjeku fshati”

Apeli i Bankës Botërore: Fokusi jo vetëm te turizmi dhe ndërtimi, propozim për skemë të re pensionesh

Edhe pse parashikon që rritja ekonomike të jetë 3.3% gjatë këtij viti, mbi mesataren e rajonit, sërish Banka Botërore i ka tërhequr vëmendjen politikbërësve që të diversifikojnë burimet e rritjes.

Sipas tyre që ekonomia shqiptare në afatgjatë të vijojë të prodhojë mirëqenie për qytetarët duhet që të investojë në sektorë të tjetër përveç turizmit dhe ndërtimit

“Ne mendojmë se ky është një moment i rëndësishëm për të rimenduar mbi burimet e rritjes ekonomike. Deri më tani rritja është bazuar te ndërtimi, konsumi apo turizmi po kjo nuk i bën këto burime të mjaftueshme për të pasur vende më të mira pune apo për të çliruar potencialin e Shqipërisë për të rritur ekonominë e vendit”, tha Emanuel Salinas, menaxher i zyrës së BB për Shqipërinë.

Banka Botërore u ndal dhe tek reforma e pagave në administratën publike duke i bërë thirrje qeverisë që të rrisë edhe produktivitetin e punonjësve.

“Në këndvështrimin tonë do të ishte mirë që drejtim të nxitjes së produktivitet, rritja e pagave të bazohej edhe mbi nivelet e produktivitet. Gjithsesi kjo është një sfidë që vendet tona janë përballur, pra për të mbajtur fuqinë punëtore të kualifikuar”, thotë Hilda Shijaku, ekonomiste BB.

Ndërkaq prej disa kohësh Banka Botërore është në bisedime me qeverinë shqiptare për të bërë një skemë të re për pensionistet, e cila pritet të fokusohet në katër shtylla kryesore

“Janë katër fusha kyçe në të cilat ne jemi mbështetur në rishikimin e skemës së pensioneve. Mbulimi, në drejtim të kontribuuesve dhe përfituese, mjaftueshmëria në raport me atë që duhet pagua. Gjithashtu ne duam që sistemi i pensioneve të jetë sa më i pavarur dhe i qëndrueshëm financiarisht”, sipas Natasha Rovo, ekonomiste e Bankës Botërore.

Sipas BB, Plani i Rritjes nga Bashkimi Evropian do të jetë një shtysë e fortë për vendet e Ballkanit perëndimor në zhvillimin ekonomik të tyre duke i hapur mundësi të reja në tregjet e kontinentit evropian.

Ku po shkon ekonomia?! Si ngadalësimi i konsumit dhe aktivitetit të tregtisë nxori në pah përmasat reale të emigracionit

Ngadalësimi i konsumit dhe aktivitetit të tregtisë, pavarësisht prurjeve rekord të turizmit dhe rritjes së kënaqshme të ekonomisë, nxori në pah përmasat reale të emigracionit.

Ekonomia vlerësohet të jetë rritur me 3.44% në vitin 2023, sipas të dhënave paraprake të INSTAT. Pavarësisht ngadalësimit në raport me vitin e mëparshëm (4.85%), në një vështrim të parë, kjo ecuri është pozitive.

Pritshmëritë e institucioneve ndërkombëtare në fillim të 2023 ishin pesimiste. Inflacioni ende i lartë, lëvizjet e interesave, që reflektojnë shtrëngimin e politikës monetare, konsumi i dobët i ndikuar nga emigracioni dhe shtrenjtimi i çmimeve pritej të ushtronin presion për rritje të dobët ekonomike.

Këtyre u shtohej dhe mjedisi i pasigurt ndërkombëtar, frika për një recesion të mundshëm në një të tretën e globit, apo tërheqja e politikave mbështetëse nga qeveritë.

Rritja më e lartë sesa parashikimet nuk ishte surprizë gjithsesi. Përvoja e viteve të fundit ka treguar se realiteti ka rezultuar gjithnjë më optimist se parashikimet, teksa sipërmarrja vendase shfaq gjithmonë elasticitet të lartë për t’u rikuperuar ndaj të papriturave dhe vështirësive.

Vendi pësoi një rënie shumë më të ulët sesa pritej gjatë 2020-s, kur u godit si gjithë globi nga pandemia dhe e mori veten me shpejtësi në 2021-2022, duke përballuar edhe pasojat e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.

Elasticiteti i ekonomisë është vlerësuar dhe nga institucionet ndërkombëtare dhe së fundi, Standard & Poor’s përmirësoi, për herë të parë, vlerësimin për Shqipërinë në “BB-”. Prurjet e larta turistike të niveleve rekord ishin një faktor shtesë për të nxitur optimizmin.

Por, përtej këtyre shifrave, ka pak vend për optimizëm. Gati gjysma e rritjes erdhi nga sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, që mund të nxisin ekonominë në afatin e shkurtër, por nuk i japin vlerë të shtuar në afatin e gjatë.

Administrata publike luajti rol të rëndësishëm, sidomos në gjysmën e dytë të vitit, si nëpërmjet rritjes së pagave në sektorin publik, ashtu dhe në përqendrimin e shpenzimeve kapitale në muajt e fundit të vitit.

Dy sektorë mjaft të rëndësishëm të ekonomisë, bujqësia dhe ndërtimi, panë ecurinë më negative në më shumë sesa një dekadë, madje më keq sesa në periudhën e pandemisë. Të dy këta sektorë kontribuojnë në gati 30% të ekonomisë dhe kanë një peshë shumë më të lartë në punësim.

Industria po e humb avantazhin konkurrues të kostos së lirë të fuqisë punëtore, i cili mbajti në këmbë, për dekada të tëra, sektorë që kryenin vetëm disa procese përpunimi.

Ishte e pritshme që një ditë do të ndodhte, por nuk shohim zhvillime që industria të kalojë në një fazë më të lartë, që do të rriste produktivitetin dhe do të sillte një avantazh tjetër konkurrues përtej pagave të ulëta.

Edhe më zhgënjyese ishte shifra e konsumit final të popullatës, që u rrit me vetëm 2.96%, nga 7.37% vitin e mëparshëm, duke shënuar nivelin më të ulët që nga pandemia. Në tremujorin e tretë dhe të katërt, ky tregues zbriti në 2.21 dhe 1.55%.

Konsumi nuk arriti të nxitej as nga viti më i mirë historik i Shqipërisë për turizmin, me hyrje të më shumë se 10 milionë shtetasve. Turizmi nuk “shpëtoi” dot as bujqësinë, pasi kjo e fundit u konkurrua ndjeshëm nga importi, teksa po bëhet gjithnjë e më jo konkurruese dhe fshati po braktiset.

Turizmi nuk arriti të nxisë as aktivitetin e “Tregtisë me shumicë dhe me pakicë; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, që u rrit me vetëm 1.7% në 2023, nga gati 10% vitin e mëparshëm.

Ngadalësimi i konsumit dhe aktivitetit të tregtisë, pavarësisht prurjeve rekord të turizmit dhe rritjes së kënaqshme të ekonomisë, nxori në pah përmasat reale të emigracionit. Prej disa vitesh, bizneset po ankohen për mungesën e fuqisë punëtore, që ndikoi negativisht në planet e tyre për zgjerim dhe për të investuar.

Shumë tentuan të gjejnë zgjidhje te punësimi i të huajve, që në pjesën më të madhe nuk po funksionon. Ndonëse me ritme më të ngadalta, siç tregohet nga shifrat e kërkesave për azil, emigracioni nuk po ndalet.

Të gjithë përfaqësuesit e biznesit, të kontaktuar nga “Monitor”, ia vënë fajin për rënien e konsumit pikërisht emigracionit, sidomos të të rinjve. E ardhmja nuk duket shumë optimiste, me shifrat që treguan se lindjet në 2023 ishin në të ulëta se në 1934-n, kur filloi regjistrimi i të dhënave zyrtare.

Pa një ekonomi, që përtej shifrave, nuk arrin të prodhojë mirëqenie reale për qytetarët e saj, nuk mund të presim që këto probleme të zgjidhen. Është koha të mendohet seriozisht se çfarë mund të bëjmë për të rikthyer shpresën e një brezi, i cili po zgjedh që të ardhmen e tij ta shohë larg Shqipërisë!/Monitor

Kina e gatshme t’i sigurojë Rusisë dhe Ukrainës kushtet e nevojshme për bisedime

Chinese Foreign Ministry spokesman Geng Shuang listens a question from a reporter during a daily briefing at the Ministry of Foreign Affairs office in Beijing, Wednesday, March 18, 2020. At least 13 American journalists stand to be expelled from China in retaliation for a new limit imposed by the Trump administration on visas for Chinese state-owned media operating in the U.S. (AP Photo/Andy Wong)

Kina është e gatshme t’i sigurojë Rusisë dhe Ukrainës kushtet e nevojshme për negociata, tha zëvendësambasadori i Kinës në OKB.

“Kina mbron thirrjen në kohë të një konference ndërkombëtare të njohur si nga Rusia ashtu edhe nga Ukraina, me pjesëmarrje të barabartë të të gjitha palëve për të diskutuar të gjitha opsionet e paqes mbi baza të drejta. Ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë Rusisë dhe Ukrainës kushtet e nevojshme për negociata dhe do bëni përpjekje të pandërprera për hir të një zgjidhjeje të hershme politike të krizës”, tha Geng Shuang në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Sipas Geng, “furnizimi i mëtejshëm i armëve në fushën e betejës vetëm rrit rrezikun e përkeqësimit të krizës dhe në asnjë mënyrë nuk promovon de-përshkallëzimin”.

“Është më mirë t’i jepet fund luftës përmes negociatave sesa të vazhdohet me konfliktin. Kina u bën thirrje edhe një herë të gjitha palëve të interesuara të shtojnë përpjekjet diplomatike për një armëpushim dhe t’i japin fund armiqësive, në mënyrë që të promovohet një zgjidhje e hershme politike e kriza dhe ardhja e paqes”, theksoi Geng.

Diplomati kinez vuri në dukje se “kriza në Ukrainë ka arsye komplekse historike dhe praktike”.

“Ne nuk kemi furnizuar me armë ose pajisje vdekjeprurëse asnjërës palë të konfliktit. As nuk kemi bërë ose do të bëjmë ndonjë gjë për të përfituar nga kriza. Pozicioni për çështjen e Ukrainës ka qenë gjithmonë konsistent dhe i qartë. Kina ka insistuar gjithmonë në mbështetjen për paqen dhe promovimin e bisedimeve të paqes”, shpjegoi ai.

Presidenti rus Vladimir Putin tha në një intervistë në shkurt me gazetarin amerikan Tucker Carlson se Rusia nuk kishte hequr dorë kurrë nga një dialog për Ukrainën, por se nuk do të bënte hapin e parë pas ndërprerjes së bisedimeve në Stamboll në mars 2022.

VOA: Serbia në fushatë kundër Kosovës në KiE dhe kundër rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë

Zyrtarë të qeverisë serbe thanë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u ka nisur të premten letër presidentit francez Emanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Sholz dhe udhëheqësve të tjerë evropian për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithë thirrjet perëndimore për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e cila kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Po të premten, presidenti serb takoi ambasadorin kinez në Beograd, Li Ming, për t’i kërkuar mbështetjen e Kinës në përpjekjet e Serbisë kundër miratimit të mundshëm të një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi gjenocidin në Srebrenicë.

Presidenti Vuçiç, i ka cilësuar këto dy çështje si “sfida të rënda” para Serbisë. Javën e kaluar urdhëroi qeverinë e tij të themelojë një grup punues për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Asambleja Parlamentare e këtij mekanizmi pritet të votojë me 16 prill, dhe më pas çështja kalon në Këshillin e Ministrave.

Të enjten në mbrëmje presidenti serb i cili mblodhi në Beograd udhëheqësit e qeverisë së tij dhe ata të Republikës Serbe, sërish përvijoi mundësinë qe vendi i tij të tërhiqet nga Këshilli i Evropës nëse Kosova bëhet anëtare e tij, ndërsa kritikoi ashpër vendet kryesore perëndimore që kritikuan Listën Serbe në Kosovë për shkak të thirrjeve të saj për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës.

“Ata duhet të turpërohen”, tha ai, duke i akuzuar perëndimorët se duan ta bëjnë Kosovën pjesë të Këshillit të Evropës “pa plotësimin e kushteve”, duke vënë theksin te Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 27 mars Komiteti për Politikë dhe Demokraci i dha dritën jeshile kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Serbia votoi kundër.

Komiteti tha pas votimit se mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës ndërsa nënvizoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës.

Vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e shohin çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një levë për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, të hedhë hapa drejt themelimit të Asociacionit, që është edhe pika më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Presidenti serb Vuçiç, takoi të premten ambasadorin kinez në Beograd për t’i kërkuar mbështetjen e Kinës “në luftën për të vërtetën para Kombeve të Bashkuara”.

Me 17 prill në OKB pritet të prezantohet një projekt-rezolutë që shpall 11 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Ruanda dhe Gjermania po udhëheqin këtë përpjekje, por sipas informacioneve që ka siguruar Zëri i Amerikës, pjesë e kësaj nisme janë edhe Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Bosnja, Kili, Finlanda, Zelanda e Re, Turqia, Franca dhe vende të tjera.

Më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë. Megjithë vendimin e gjykatave ndërkombëtare se në Srebrencië është kryer gjenocid, Beogradi e mohon një gjë të tillë.

Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe ai ushtarak Ratko Mladiç, janë dënuar më burgim të përjetshëm nga Gjykata e OKB-së për krime lufte në ish Jugosllavi, për krime lufte dhe gjenocid në Srebrenicë.

Presidenti serb e cilësoi nismën për rezolutën në OKB, si “të pafytyrë” duke theksuar se Serbia “do t’u kundërvihet vendeve të NATO-s, nga Gjermania në Turqi”.

Presidenti pro rus i Republikës Serbe, Milorad Dodik, paralajmëroi se parlamenti i entitetit të tij do të ndërmarrë veprime për t’i braktisur institucionet vendimmarrëse në Bosnje, nëse kalon rezoluta, që sipas tij “synon t’i bëjë serbët kolektivisht fajtorë për gjenocid”, duke mohuar sërish që kjo të ketë ndodhur në Srebrenicë.

Milorad Dodiku është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkak të përpjekjeve për shkëputjen e entitetit të tij dhe bashkimin me Serbinë.

Qeveria e Republikës Serbe nisi në fund të marsit procesin e miratimit të ligjit të saj zgjedhor me të cilin synon të marrë kompetencat nga autoritetet qendrore të Bosnjës.

Të premten ambasada amerikane në Sarajevë tha se krijimi i një sistemi zgjedhor paralel nga qeveria e Republikës Serbe do të ishte antikushtetues dhe kundër marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë me 1995.

“Milorad Dodik gabon nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë mënjanë ndërsa ai ndjek agjendën e tij ndarëse dhe e shtyn Bosnjën drejt konfliktit”, thuhet në një postim të ambasadës amerikane të shpërndarë në rrjetin X, duke nënvizuar se “çdo përpjekje e një entiteti apo ndonjë njësie tjetër nënshtetërore për t’u shkëputur është një veprim kundër Dejtonit që nuk do të tolerohet”.

Perëndimi është i shqetësuar se Rusia mund të përpiqet të nxisë destabilitet në Bosnje për të shmangur një pjesë të vëmendjes nga lufta në Ukrainë. Bosnja mbetet etnikisht e tensionuar dhe politikisht e brishtë pas luftës së viteve 1992-1995 që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur./VOA

Shifra e majme/ Sa kushtonte Ferrari luksoz i djegur i Elseid Hysajt

Elseid Hysaj ishte protagonist i një ngjarje të sikletshme, teksa Ferrari 488 GTB që zotëronte futbollisti i Kombëtares shqiptare mori flakë teksa ai ndodhej bashkë me vjehrrin.

Aksidenti mund të kishte pasoja fatale sepse në momenti që automjeti u dogj, të dy mbetën brenda për shkak se sistemi i emergjencës i makinës iu mbylli dyert duke e bërë të pamundur për ata që të dilnin. Fatmirësisht ata arritën që të shpëtonin pa lëndime ndërkohë që makina u shua e tëra nga flakët.

Arsyeja e aksidentin mësohet të ketë qenë një difekt nga prodhuesi i saj, dhe për këtë mbrojtësi shkodran ka bërë një ankesë duke kërkuar dëmshpërblim. Për më tepër është shumë e pazakontë që një makinë që kushton kaq shumë të ketë probleme të tilla që mund të të marrin edhe jetën.

Makina ishte e veçantë në llojin e saj, dhe shuma e blerjes kapte shifrën e 230 mijë eurove. Ajo kapte 100 km/h për 3.0 sekonda me një shpejtësi maksimale prej 330 km/h, me të vërtetë një makinë mjaft e shpejt.

Performanca spektakolare ndaj Trabzonsporit, shikoni notën dhe statistikat e Rei Manajt

Tjetër paraqitje mbreslënëse për Rei Manajn në radhës e Sivasporit në Turqi. Sulmuesi shqiptar asistoi shokun e tij skuadrës, Mening, në transfertë me Trabzonsporin, në javën e 32-të të Superligës së Turqisë, ku skuadra e futbollistit lushnjar triumfoi me rezultatin 0-1.

Po luhej minuta e 53-të e takimit, kur sulmuesi i Kombëtares Shqiptare shërbeu me zgjuarsi dhe shumë klas për partnerin e sulmit, i cili nuk gaboi, duke e dërguar topin në rrjetë. Ky gol rezultoi vendimtar, pasi rezultati nuk ndryshoi më në minutat e mbetura. Ndeshja u luajt pa tifozë pasi skuadra vendase ishte dënuar për shkak të ngjarjeve në ndeshjen me Fenebahcen. Me këtë rezultat, Sivaspori katapultohet në vendin e shtatë me 44 pikë.

Për sa i përket notës dhe statistikave, Manaj u vlerësua nga “Sofa Score” me 8, duke rezultuar një nga lojtarët më të spikatur në fushë. Përveç asistit, sulmuesi shqiptar regjistroi edhe 2 shanse të mëdha shënimi, teksa fitoi 11 nga 17 duele si dhe arriti të kompletonte 17 nga 23 pasime të sakta.

Nga vezët te domatet, zbuloni ‘superushqimet’ për një mëngjes të shijshëm dhe të shëndetshëm

Dita nis herët, me nxitim. Nën këtë presion kohor, mëngjesi shpesh trajtohet si një luks dhe anashkalohet. E megjithatë, ky është një nga gabimet më të rëndësishme që bëjmë në jetën tonë të përditshme, pasi një mëngjes i pasur me lëndë ushqyese në thelb vendos tonin e ditës, duke ushqyer trupin dhe mendjen.

Nëse mendoni se një mëngjes me vlera ushqyese është i komplikuar, dijeni vetëm se mund të përgatisni lehtësisht dhe shpejt pjata shumë të shëndetshme me produkte që janë tashmë në kuzhinën tuaj, duke shtuar përbërës të veçantë sa herë që mundeni.

Duhet të dini se zgjedhja e përbërësve të mëngjesit që mbajnë energjinë dhe përmirësojnë funksionin e trurit kontribuon në mirëqenien tuaj afatgjatë. Shumëllojshmëria në vakte është thelbësore, veçanërisht për shëndetin e zorrëve.

Vezët

Ka një arsye pse vezët janë një element kryesor në shumë rekomandime për mëngjes të shëndetshëm. Mund t’i konsumoni sipas dëshirës tuaj – të fërguara, të ziera apo të skuqura – duke përfituar nga përfitimet e tyre të çmuara për shëndetin e organizmit.

Sipas një studimi, ata që përfshinin vezë si pjesë e bukës së mëngjesit përjetuan dukshëm më pak uri gjatë ditës në krahasim me të tjerët që konsumonin drithëra me krunde. Kjo është për shkak të përmbajtjes së tyre natyrale më të lartë të proteinave, e cila nxit një ndjenjë të ngopjes.

Kos grek

Kosi grek është një ushqim i shkëlqyeshëm për të nisur ditën, dhe jo vetëm sepse është i gjithanshëm dhe mund të kombinohet me gjithçka, nga frutat tek drithërat. Është natyralisht i lartë në proteina, kështu që është në gjendje të mbajë nivelet e energjisë tuaj lart, të paktën deri në drekë.

Përveç kësaj, ai promovon shëndetin e zorrëve, pasi është një nga ushqimet më miqësore për zorrët. Shumë studime nxjerrin në pah praninë e probiotikëve në kos, siç janë bakteret “e mira” Bifidobacteria, të cilat kontribuojnë në tretje.

Farat Chia

Ato i japin mëngjesit tuaj një ndjesi krokante të shumëpritur, veçanërisht kur i spërkatni me kos ose qull, por ky nuk është avantazhi i tyre i vetëm. Farat Chia janë një ushqim që ndryshon tërësisht fushën e marrjes së fibrave dietike.

Sipas hulumtimit, ky makronutrient thelbësor kontribuon në arritjen e ngopjes, eliminimin e dëshirave, ndërsa në të njëjtën kohë normalizon lëvizjet e zorrëve, duke kontribuar në mënyra të ndryshme në shëndetin dhe funksionimin normal të trupit.

Arra

Arrat janë një nga artikujt më të dobishëm në dollapin tuaj të kuzhinës. Bajamet dhe shqemet mund të shtohen si një pjatë anësore në mëngjesin tuaj ose edhe të hahen si një meze të lehtë të pavarur nëse jeni në nxitim për të dalë nga dera.

Ato përmbajnë lëndë ushqyese të vlefshme, si proteina, yndyrna “të mira” dhe fibra, të cilat ndihmojnë në rritjen e ndjenjës së ngopjes. Ngrënia e një grushti arra në ditë me një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare.

Avokado

Nuk ka shumë kohë që ka filluar të fitojë famë dhe njohje si një nga mënyrat më të shëndetshme për të nisur ditën tuaj. Përveçse janë natyralisht të shijshme, avokadot kontribuojnë ndjeshëm në ndjenjën e ngopjes gjatë gjithë ditës falë përmbajtjes së lartë të fibrave dhe niveleve të yndyrave “të mira”.

Për më tepër, konsumimi i tyre lidhet gjithashtu me një rrezik të reduktuar të sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe diabetit.

Mjalti

Për ata që preferojnë një mëngjes të ëmbël, nuk ka alternativë më të mirë sesa të hedhin pak mjaltë mbi petulla, qull ose kos. Ka të dhëna se ky produkt është i pasur me polifenole, të njohura për vetitë e tyre anti-inflamatore, ndërsa mund të ulin edhe ashpërsinë e sëmundjeve kronike inflamatore, si disa forma të kancerit dhe sëmundjeve autoimune.

Djath

Pavarësisht nëse e spërkatni mbi tost ose e shtoni në një sallatë, djathi mund t’i shtojë shije vaktit tuaj të mëngjesit. Djathi i kripur është plot kalcium, fosfor dhe proteina, të gjithë elementë të rëndësishëm për shëndetin e kockave dhe veçanërisht për gratë që kalojnë në menopauzë.

Asparagus

Sa prej jush kanë menduar për asparagun kur bëhet fjalë për mëngjesin? Kjo perime e përulur jeshile është një “hero i pakënduar”, i pasur me antioksidantë – si vitaminat C dhe E – flavonoide dhe polifenole.

Përveç kësaj, studimet pohojnë se procesi i gatimit duket se rrit aktivitetin antioksidues me 16%, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për efektin anti-inflamator të ushqimit.

Domate

Ky produkt është gjithsesi i përfshirë në shumë vakte të jetës sonë të përditshme, ndaj pse jo edhe në mëngjes? Në fund të fundit, përveç shijes së saj të mrekullueshme, domatja ofron edhe një sërë përfitimesh të rëndësishme shëndetësore – duke përfshirë një nivel të lartë të karotenoideve, të cilat, sipas studimeve, mund të zvogëlojnë rrezikun e kancerit të gjirit tek gratë.

Jo vetëm portokalli, ja frutat e tjera që kanë përmbajtje të lartë të vitaminës C

Kur dëgjojmë “vitaminë C”, mendja na shkon menjëherë te portokalli, por ky nuk është i vetmi frut me një sasi të konsiderueshme të vitaminës. Fruta të tjera të shijshme ofrojnë më shumë vitaminë C në të njëjtën sasi.

Edhe pse një portokall mesatar ofron mjaftueshëm vitaminë C, rreth 70 mg, shikoni se cilat fruta të tjera mund të zgjidhni për të siguruar parandalimin e duhur.

– Luleshtrydhet : Një filxhan luleshtrydhe siguron 85 mg vitaminë C, si dhe mangan, i cili kontribuon në kontrollin më efektiv të sheqerit.

– Ananasi: Një filxhan me fruta tropikale siguron 79 mg vitaminë C. Bromelaina në ananas gjithashtu lehtëson tretjen e proteinave.

– Mango : Një mango e plotë siguron 122 mg vitaminë C. Zeaksantina e frutave është veçanërisht e dobishme për sytë.

– Aktinid: Një kivi siguron rreth 64 mg vitaminë C.

– Papaja: Një frut i vogël siguron një sasi mbresëlënëse prej 95 mg vitaminë C.

Marrja e rekomanduar ditore e vitaminës C është 60 mg.

Pasqyra jonë përballë “mbretit lakuriq”

Nga Agim Baçi

Është mëse e zakonshme që çdo brez është disi skeptik lidhur me fuqinë që kanë të rinjtë. U ka ndodhur edhe gjyshërve me prindërit tanë. U ka ndodhur prindërve tanë me ne. Do t’u ndodhë edhe brezave që do të vijnë. E megjithatë, kohët e ndryshme kanë patjetër sfida të ndryshme.

Në botën e sotme, ku ndryshimi ka një shpejtësi shumë më të madhe se sa ajo që kanë patur breza më parë, pikëpyetjet dhe sfidat janë edhe më të mëdha për këdo. Kjo edhe për faktin se prej kohësh kanë ndryshuar edhe marrëdhëniet në familje, në shoqëri, në prodhim, e sidomos, janë vënë në diskutim kuptimet e fjalëve ” e mirë”, “e keqe”, ” e turpshme”, çka dhe krijon vështirësi e sfida mes brezave për kuptimin e këtyre nocioneve.

Duhet ta pranojmë se, teknologjia e sotme e ka zvogëluar botën. Të rinjtë e sotëm komunikojnë lirisht me bashkëmoshatarët e tyre në mbarë botën, flasin disa gjuhë të huaja, kanë shëtitur për të parë mjaftueshëm se si rrojnë të tjerët. Por a janë mjaftueshmetë gjithë këto lehtësira dhe avantazhe që kanë të rinjtë për të besuar se brezi i ri do të mund t’i përballojë sfidat?

Bota e sotme –një botë e nënshtruar ndaj konsumizmit- është e rrezikuar nga manipulimi dhe spektakli.Të rinjtë, në shumicën e rasteve, janë të joshur nga fama, për të cilën nuk kursejnë asgjë që t’ia arrijnë. Ndaj, me një të shkuar të dhunshme të gjyshërve e prindërve nën diktaturë dhe me një të tashme të manipuluar, të rinjtë kanë të drejtë të pyesin, se cilës anë duhet t’i përkasin: të jenë fëmija që thërret “Mbreti lakuriq”, si në përrallën e Andersenit apo të duartrokasin atë që u sugjerohet si më e mira për ta, nëse pranojnë heshtjen, nëse i fshihen të vërtetës?

Kjo pyetje vjen dhe më e mprehtë në këtë kohë kur gënjeshtra ka marrë fytyrën e së vërtetës, kur kemi të bëjmë me “një shoqëri të lëngët”, siç thotë sociologu Zygmunt Bauman, pra që merr vetëm formën që i japin.

Vështirësitë e përgjigjeve shtohen edhe ngase duartrokitësit që nuk e shohin “mbretin lakuriq” i fshehin dështimet pas slloganeve se “gjithçka është vendosur më parë”, se “është e kotë të luftosh sepse të këqinjtë janë bashkë”, se “e drejta dhe morali të lënë vetëm dhe mund të bëhen shkak për humbje”.

Të gjitha këto justifikime që prej kohësh thuhen kaq hapur krijojnë rreziqe të mëdha për prindërit e sotëm, të cilët kanë gjithnjë e më shumë vështirësi që të komunikojë me të rinjtë përmes së vërtetës.

Në fakt kjo është sfida, dhe këtu duhet të ndalim. Sepse sfida e parë për t’i besuar fëmijëve tanë është që ne të pranojmë se çfarë nuk mundëm të bënim si duhet, se çfarë bëmë keq dhe çfarë nuk guxuam ta thonim me zë të lartë, që të paktën ata të ruajnë dashurinë për ne dhe të na falin që nuk ishim aq të guximshëm për të ndaluar të keqen, që nuk mundëm t’i thonim disa të vërteta në kohën dhe vendin e duhur e që lamë gënjeshtarët dhe “të fortët” të merrnin në dorë fatin tonë.

Filozofi Izajah Berlin shprehej se “frika ndaj lirisë nuk është gjë tjetër veçse frika ndaj zbrastësisë sonë!” Por liri nuk do të thotë të mos pyesësh askënd apo që të bësh ç’të duash. Përkundrazi, liri do të thotë të luftosh që të fitosh edhe kur e sheh malin e mundimshëm përpara teje. Liri do të thotë të marrësh parasysh se çmund të ndodhë kur thua të vërtetën, ndërkohë që të tjerët duartrokasin rrobat e mbretit që nuk i ka. Liri do të thotë të mbrosh mendimet e tua pa menduar se shkuara është e kotë.

Për këtë betejë secili ka pjesën e vet. Dhe pa u parë në këtë pasqyrë, pa pranuar se cilit krah i përkasim kur jemi përballë “mbretit lakuriq”, nuk mund të kemi asnjë shans që të fajësojmë të tjerët. Aq më pak fëmijët tanë, te të cilët në një mënyrë a në një tjetër jemi gjithnjë pasqyrë për atë që bëmë apo që nuk bëmë.