16.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Sondazhi: Ekonomia, çështja kryesore për votuesit amerikanë

Votuesit amerikanë thonë se ekonomia është një nga shqetësimet e tyre më të mëdha në zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns njofton për qasjen e dy kandidatëve kryesorë për president për ekonominë në një kohë kur Departamenti amerikan i Punës thotë se ekonomisë amerikane i janë shtuar më shumë vende të reja pune dhe janë rritur pagat përtej parashikimeve.

Votuesja e shtetit Uiskonsin, Theresa Laabs është e shqetësuar për ekonominë dhe përballimin e kostos së jetesës nga familja e saj.

“Është e vështirë për një familje si kjo e jona të blejë ushqime dhe të mos shpenzojë 100 deri në 150 dollarë çdo fundjavë ndërsa përpiqemi të vendosim: ‘Çfarë më duhet patjetër sot dhe çfarë mund ta lë për javën tjetër?’ Çmimet e benzinës po rriten dhe nuk e kuptoj pse”, thotë zonja Laabs.

Ajo thotë se do të votojë për demokratin Joe Biden me shpresën se, siç thotë ajo, “do të vazhdojë të punojë edhe më shumë në katër vitet e ardhshme” për t’ia lehtësuar jetën klasës së mesme.

Ky ankth ekonomik po nxit gjithashtu mbështetjen për ish Presidentin Donald Trump. Votuesja nga Xhorxhia, Faye Bowling thotë se kjo është ekonomia më e keqe që ajo ka përjetuar ndonjëherë.

“Unë jam gjyshe 73-vjeçare dhe kurrë në jetën time nuk kam parë një ekonomi kaq të keqe sa tani. Unë jam pro Donald Trumpit. Unë dua që të gjithë të dalin për të votuar masivisht për republikanët në nëntor, sepse ne duhet të fitojmë Kongresin dhe Presidencën dhe ta bëjmë këtë vend të mrekullueshëm”, tha zonja Bowling.

Sondazhi i muajit të kaluar i organizatës Harvard CAPS/Harris tregon se shumica e të anketuarve thonë se inflacioni është çështja kryesore që ndikon tek ata personalisht.

Departamenti i Punës raportoi të dhëna më të mira se sa ishin parashikimet për tre mujorin e parë të këtij viti. Sipas raportit, sektorët e qeverisë, shëndetësisë dhe ndërtimtarisë kanë regjistruar shtimin më të madh të numrit të vendeve të punës, ndërsa papunësia ka rënë nën 4% dhe pagat kanë vazhduar të rriten.

Ish Presidenti Trump thotë se ekonomia amerikane “po shembet”. Duke iu drejtuar një tubimi për mbledhje fondesh në Florida, ai tha se është ai është njeriu i duhur për të përmirësuar ekonominë.

“Njerëzit duan ndryshimin, përfshirë njerëzit e pasur dhe të varfër. Vendi po ecën me të vërtetë keq. E gjithë bota po tallet me ne. Ne do ta sjellim ndryshimin shumë shpejt”, tha zoti Trump.

Presidenti Biden, në një tubim në Nevada, tha se ai po përmirëson ekonominë e dëmtuar nga koronavirusi dhe nga shkurtimet e taksave për të pasurit gjatë administratës së Presidentit Trump.

“Gjërat po lëvizin në drejtim të duhur. Papunësia është ulur në mënyrë dramatike. Në Nevada, numri i atyre që kanë një vend pune sot është më i lartë se ndonjëherë më parë. Mijëra qytete amerikane po shohin këtë ndryshim historik”, tha Presidenti Biden.

Ai thotë se ekonomia do të përmirësohet gjithashtu edhe falë planit të tij për të falur disa kredi studentore.

“Unë nuk do të ndalem kurrë për të ofruar lehtësim të borxhit të studentëve. Kjo shkon vetëm në interesin e Amerikës dhe është për të mirën e ekonomisë tonë. Ajo po bëhet gjithnjë e më e fortë”, tha Presidenti Biden.

Sondazhi i Harvard CAPS tregon se gati dy të tretat e demokratëve thonë se ekonomia është në rrugën e duhur, por vetëm 12 për qind e republikanëve kanë qëndrim të njejtë.

Raport i CIA-s për Kosovën në vitet ‘90: Luftë direkte Shqipëri-Serbi, Turqia pro shqiptarëve

“Serbia e Madhe: ngatërrestarja e Ballkanit”. Kështu titullohet dokumenti sekret i përpiluar nga agjentët e inteligjencës amerikane gjatë viteve ’90, në të cilin detajohen qartë synimet e regjimit të Millosheviçit për të bërë spastrim etnik në rajonin tonë, kryesisht në Kosovë dhe Bosnje, por edhe në Kroaci.

Ndër këshillat që jepte CIA, se si duhej vepruar për të ndaluar atë që konsiderohej një e keqe e madhe dhe e vazhdueshme për Ballkanin dhe Europën, thuhet: “Beogradi nuk do të ndalojë në ofrimin e mbështetjes aktive për krijimin e një Serbie të madhe, etnikisht të pastër, përmes forcës, deri sa komuniteti ndërkombëtar të fuqizojë sanksionet strikte të tregtisë, të armatosë Bosnjen dhe Kroacinë, të kryejë sulme ajrore kundër shënjestrave ushtarake serbe në Bosnje, si dhe të fuqizojë një zonë të ndalim-fluturimit në Ish Republikën Jugosllave dhe të kërcënojë me sulme ndaj zonave ushtarake në Serbi.”

CIA vlerësonte në atë kohë se “Serbia e Madhe” do të krijonte trazira dhe shkatërrim mes fqinjëve, duke nisur me spastrimin etnik në Kosovë dhe blerë armë të shkatërrimit në masë si ato kimike. Inteligjenca amerikane thekson në raportet e saj se Kosova në vitet ’90 ka një popullatë mbi 90 për qind shqiptare, ndërsa vetëm një zonë në veri kishte popullatë serbe. CIA pasqyronte një panoramë që ngjason dhe me realitetin e tanishëm, ku edhe në vitet ’90, perëndimi përdorte metodën e karotës dhe shkopit për të qetësuar Beogradin, por që rezultati ishte bombardimi i Serbisë për të shmangur një luftë edhe më të madhe. Ndër skenarët që shqyrtohen, është dhe ai i përplasjes direkte mes Shqipërisë dhe Serbisë. “Forcat e armatosura të Shqipërisë kanë rreth 65 mijë trupa dhe planet e Ministrisë së Mbrojtjes përcaktojnë mundësinë e mobilizimit të mbi 400 mijë burrave në një krizë.”

Por vlerësohet se ushtria e Shqipërisë do ta kishte vështirë që t’i bënte ballë forcave serbe me armë të sofistikuara. Në këtë skenar parashikohej një përfshirje e Turqisë në mbështetje të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa Greqia nga ana tjetër do të ishte kundër, raporton A2 CNN.

Në një tjetër dokument sekret të vitit ‘93, CIA mbështet qëndrimin e ish presidentit Bush, se në rast konflikti të shkaktuar nga veprimet e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të përgatitur për të angazhuar fuqi ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe madje në Serbi.

Barça feston në Paris, triumfon ndaj PSG-së, ia del edhe Atletico në Champions

Barcelona triumfoi 2-3 në Paris ndaj PSG-së, në ndeshjen e  parë të vlefshme për ccerekfinalet e Champions League. Të besuarit e Lusi Enriques zhvilluan një lojë mjaft të mirë në 45 minutat e para, por nuk u treguan të saktë para porte. Kylian Mbappe ishte një rrezik konstant për katalanasit, por këta të fundit ishin kujdesur në maksimum për të mos i lejuar hapësira yllit francez.

Një dalje e gabuar e portierit Gigio Donnarumma i kushtoi shumë PSG-së, me Raphinhas që nuk fali, duke zhbllokuar llogaritë në Paris. Kampionët e Francës përmbysën llogaritë ndaj Barcelonës me golat e Dembele dhe Vitinhga në minutat e para të pjesës së dytë, ndërsa pak më pas, Raphinha vendosi ekuilibrat.Djemtë e Xavit “tundën rrjetën” në të 77-tën, me anë të danezit Christensen.  Me rezultatin e sotëm gjithçka mbetet e hapur, në takimin e kthimit do të vendoset skuadra e kualifikuar.

Atletico Madrid fitoi 2-1 ndaj Dortmund në “Wanda Metropolitano”.  Los Colchoneros treguan forcën që në pjesën e parë. De Paul ndëshkoi portierin Kobel në minutën e katërt, ndërsa Lino dyfishoi shifrat për vendasit nga Spanja.

Në fraksionin e dytë, ekipi i Terzic shtoi presionin dhe u fut në lojë me golin e Haller. Në minutat e fundit, mysafirët iu afruan shumë barazimit, por vetëm kaq, pasi Atletico ia doli të mbrojë me fanatizëm rezultatin deri në fund.

 

 

Rezultatet:

Atletico Madrid 2-1 Dortmund

(VIDEO)

PSG 2-3 Barcelona

(VIDEO)

(VIDEO)

(VIDEO)

Gatimet më të Preferuara dhe të Njohura të Botës: Një Udhëtim Gastronomik

Në vitin 2023, kulinaria ka dëshmuar një rritje të jashtëzakonshme të interesit në kuzhinat e ndryshme ndërkombëtare. Ky vit ka sjellë një valë të re të eksplorimit të shijeve dhe kombinimeve të guximshme, duke e bërë këtë periudhë të veçantë për gatim dhe shijim. Sipas trendeve të restoranteve, shitjeve, por edhe rrjete sociale ne do t’ju prezantojmë gatimet më të njohura në botë. Ky artikull do të përqendrohet tek recetat më të gatuara në botë gjatë, duke ofruar jo vetëm një listë, por edhe një kalim në historinë dhe faktet interesante që i bëjnë këto gatime aq të veçanta.

  1. Pizza Napoletane: Në Itali, pizza është jo vetëm një ushqim, por një pjesë e trashëgimisë kulturore. Pizza Napoletane, e njohur për brumin e saj të hollë dhe koren e trashë, vazhdon të jetë një nga recetat më të dashura në botë. Ajo është e thjeshtë në përbërësit e saj – miell, ujë, kripë, maja, domate dhe mozzarella – por e pasur në shije.
  2. Curry Indian: Një tjetër recetë që ka pushtuar zemrat dhe stomakët e njerëzve anembanë botës është curry Indian. Përdorimi i një game të gjerë të erëzave si xhenxhefil, kurkuma, koriander dhe kumin, bën që çdo gatim të jetë një përvojë unike. Historikisht, curry ka qenë një pjesë e pandarë e kuzhinës Indiane.
  3. Sushi Japonez: Sushi, një simbol i kuzhinës Japoneze, ka arritur famë ndërkombëtare. Me origjinën e saj në konservimin e peshkut me oriz fermentuar, sushi sot është një art në vetvete. Përgatitja e sushi-t kërkon aftësi dhe përkushtim, me lloje të ndryshme si nigiri, maki dhe sashimi.
  4. Taco Meksikan: Taco, me origjinën e saj në Meksikë, është tashmë një ndër ushqimet më popullore në botë. Përbëhet nga një petë tortilje e mbushur me mish, perime, djathë dhe salse. Taco është simbol i kulturës Meksikane dhe një dëshmi e qartë e ndikimit të saj kulinar në botë.

Këto receta, dhe shumë të tjera që janë bërë popullore në 2023, janë më shumë se thjesht ushqime; ato janë dritare në kulturat dhe historitë e popujve që i kanë krijuar. Ato tregojnë një histori të pasur dhe të larmishme, duke reflektuar traditat, inovacionet dhe pasionin për gatim që karakterizojnë secilën kulturë./Agroweb.org

Ku shkuan të dhënat e TIMS? Zbardhet dosja hetimore: Ervin Muça erdhi me dy miq nga një kompani private IT-je dhe…

Emisioni “Në Shënjestër” nga gazetarja Klodiana Lala ka trajtuar mbrëmjen e sotme ndërhyrjes në sistemin TIMS që shkaktoi reagime të shumta përfshirë edhe atë të ambasadës amerikane në Tiranë, duke zbardhur me detaje atë çfarë ka ndodhur.

Pjesë nga dokumentari:

Në lidhje me ngjarjen e paprecedentë, ku një drejtor tenton të pushtojë bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, kur detyra e tij në raport me ligjin ishte e kundërt me këtë veprim, grupi hetues ndërmori një sërë veprimesh që lidheshin më zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ku bazë për nisjen e hetimit fillimisht u mor denoncimi i ardhur me email, në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nga vetë specialistët e zyrës në Departamentin e Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit. Por çfarë është ky database që donte të rrëmbente drejtori Ervin Muça dhe për çfarë shërben ky server? Për të kuptuar më mirë rëndësinë e këtij serveri dhe po kështu edhe vlerën e çmuar që ka për ata që duan ta shtien në duar, mjafton të shikojmë emalin denoncues të specialistëve të këtij departamenti që u vendosën në një presion serioz nga drejtori i tyre, për të shkelur ligjin dhe për ta hedhur në një usb xhepi që ky i fundit kishte me vete.

Në këtë database që drejtori Ervin Muça, donte ta fuste në një usb xhepi, përfshihen hyrje-daljet e personave, dokumentet biometrike, gjeneralitetet, ngjarjet kriminale dhe jo kriminale, aksionet e policisë, dosjet hetimore, lista e terroristëve, gjobat e makinave, si dhe informacion territorial sekret etj”, thuhet në dosje.

Por specialistët e zyrës së IT-së në Policinë e Shtetit, nuk e lanë këtu denoncimin e tyre. Duke parë absurditetin e kërkesës së ardhur nga eprori i tyre madhor, pasi informuan shefin e tyre të sektorit, ky i fundit vuri në dijeni mbi skandalin edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku si edhe Drejtorin e Krimeve, Z.Neritan Nallbati.

Ai u kërkuar këtyre të fundit të mos përfshihen në këtë proces të jashtëligjshëm, që kishte të bënte me vjedhjen dhe eksportimin e të dhënave në disqe të jashtme, që nuk dihet se ku do të shkonin.  Por siç e thamë kjo nuk ishte hera e parë që Ervin Muça, përfshihej në një aktivitet të tillë të paligjshëm. Të njëjtën gjë mësohet se ai e kishte bërë edhe gjatë kohës kur punonte në Drejtorinë e Tatimeve, ku ishte akuzuar për vjedhje të të dhënave.

Po për t’u kthyer edhe njëherë te rasti më i fundit, ai i tentimit nga ana e tij të vjedhjes së të dhënave të Policisë së Shtetit, denoncuesit, në emailin e tyre drejtuar krerëve më të lartë të Policisë së Shtetit, shkruajnë se Ervin Muça e kreu këtë operacion bashkë edhe me dy miq të tjerë të tij të cilët punonin në një kompani private.

“Për të kryer këtë operacion, drejtori Ervin Muca, mori edhe disa miq të njohur, nga një kompani private. Punonjës IT të Ermal Beqirit nga Soft & Solution, të cilët kanë ardhur gjatë orarit të pasdites pranë laboratorit të Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit në rrugën ‘Mine Peza’, dhe kanë kryer eksportin e të dhënave. Gjatë pritjes së përfundimit të procesit të eksportit, këta persona janë shprehur se janë njëri punonjës IT i QKB dhe dy të tjerë nga kompania ‘Horizont’, por që mbeten për t’u verifikuar. Nëse janë nga ‘Horizont’ atëherë të dhënat kanë vajtur direkt në Qipro”, thuhet në denoncim.

Në bankën e akuzës së denoncuesve është edhe Besjon Tanuzi, edhe ky sipas tyre pa certifikatë sigurie, që kishte vetëm pak kohë që ishte emëruar në Departamentin e Teknologjisë dhe Informacionit.

“Procesi i eksportit u bë në prani të Besjon Tanuzit që ka një javë që ka ardhur drejtor me mision këtë vjedhje, edhe ky i emëruar në këtë departament pa certifikatë sigurie dhe mbi të gjitha me diplomë Ekonomiku. Ervin Muça, pasi mori vesh që Ardit Muço është vënë në dijeni të këtij procesi banditesk, urdhëroi punonjësit që Arditit t’i mbyllen të gjitha akseset në email apo çdo kompjuter që është pjesë e Policisë së Shtetit”, thuhet në denoncim.

Mësuesi që u bë Myfti i Beratit! Qeramudin Durdia tregon udhëtimin e vështirë: Si rindërtuam xhamitë pas viteve ’90 mes fanatikëve komunistë

Ish- Myftiu i Beratit, Qeramudin Durdia është kthyer në vendlindje për muajin e Shenjtë të Ramazanit. Ai prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por kur vjen e gjen gjithnjë hapur derën e xhamisë së Plumbit në Berat, jo vetëm për lutje, por për të mbajtur liturgjinë.

“Kam ardhur në fillim të muajit të Ramazanit, më zuri agjërimi këtu. Sa hyra këtu më thanë do na bësh ligjëratën. Kam nxjerrë për botim nja 2-3 libra fillimisht të hapësirës së kulturave islame, një grup përmbledhjesh të ilaive të lavdërimeve të Allahut e Profetit Muhamed”, tha imami.

Qeramudin Durdia sot 77-vjeç rrëfen për jetën e tij, kur nisi rrugëtimin e fesë islame në moshë të vogël. Zgjodhi të ecë në gjurmët e të parëve, duke mesuar për teologji, pasi i ati, gjyshi e deri në brezin e pestë ishin myslimane te devotshem.

“Në vitin 1950 pasi mbarova shkollën fillore, më doli e drejta e studimit në medresenë e Tiranës. Atje mbarova 7-vjeçaren, edhe të mesmen. Më pas m’u akordua e drejta e studimit në Institutin “Aleksandër Xhuvani”.

Edhe pse kreu shkollën e Medresë ne vitet ‘50, ai nuk mundi ta ndjekë ëndrrën e tij gjatë viteve të komunizmit, pasi feja ishte e ndaluar. Ndaj ndoqi studimet e larta për mësuesi dhe e ushtroi këtë profesion për 32 vite.

“Punova 32-vjet mësues, nga cikli i ulët në të mesëm, dhe e mbylla në shkollën më të madhe në teknikumin e madh për Shqipërin e Jugut në teknikumi bujqësore ‘Kristo Isak”. Atje jepja biologjinë e praktikën bujqësore, ndërtova edhe një kopësht botanik, etj”.

Pas viteve ’90 kur ra regjimi komunist u bë Myftiu i Beratit dhe kontributoi në hapjen e disa xhamive. Ndërsa pas vitit 2007 është vendosur ne ShBA ku dhe atje edhe jep kontributin e tij për komunitetin mysliman.

“Punova si myfti rreth 15 vite. Pastaj u lirova nga detyra, dhe sot jam në SHBA në shtetin e New Jersit, kemi 5 xhami atje që i kanë ndërtuar shqiptarët”, shprehet imami për Report TV.

Në mbyllje të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe faljes së Fitër Bajramit, ish-Myftiu i Beratit i drejtohet me këtë mesazh besimtarëve.

“Të bëhemi të devotshëm, ne agjërojmë që të kënaqet Zoti me qëndrimin, shembullin, sjelljen tonë”. /Shqiptarja.com

‘PS ka dy skuadra në burg, njëra e qeverisë tjetra e bashkiakëve’, Haklaj në ‘Studio Live’: Po Berisha nuk duhet dënuar për ndotje akustike?

Debati mbi mandatin e deputetes Olta Xhaçka vijon ende. Në ‘Studio Live’ në Report Tv, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Azgan Haklaj shprehet se mandati i saj është i papajtueshëm me kushtetutën, duke shtuar se mazhorancës po i shtohet skuadra në burg, sa nga qeveria sa nga bashkia.

‘Mandati i saj është i papajtueshëm. Ka marrë një status me dokumenta fallco. Është investitor strategjik. Në shkelje flagrante të ligjit. PS i bëri mbrojtje politike. Për të treguar se mazhoranca ka formë, për ta zvarritur që të shkojë deri në fund të mandatit. Kemi dy skuadra. Njëra skuadra e qeverisë, tjetra e bashkiakëve. Dy skuadra futbolli po shkojnë në burg. PS duket e tronditur rëndë. Është e pafalshme, ajo që ka ndodhur me bashkinë e Tiranës. Por më i rëndë është edhe teatri që bëhet nga ata që protestojnë tek bashkia Tiranë. Problemi që kanë këta e kanë me SPAK. Aq shumë po i tronditur SPAK sa bëjnë veprime të çoroditura. A e shihni zotin Meta? Kërkon një raport. Edhe fjalimi i zonjës Kryemadhi, kur tha se gratë bëhen mish për top për burrat.’, tha Haklaj.

Juristja Sonila Velo tha se zonja Xhaçka duhej të kishte iniciativën vetë për ta çuar çështjen e mandatit të saj në Gjykatën Kushtetuese.

‘Ajo tha që burri im nuk ka asnjë përfitim. Kemi vërtetë dy lloj investitorë. Edhe ai i asistuari është një lloj strategjiku. Një investitor i tillë përfiton terrene me pronësi shteti për t’i përdorur, për të ndërtua resortin e ëndrrave të tij. Zonja Xhaçka duhej të kishte iniciativë të lejonte Kuvendin të dërgonte mandatin e saj në Kushtetuese. Atje shkon nëse ankimohet’, tha juristja.

Ndërkohë analisti Ben Andoni komentoi në lidhje Skype edhe zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike duke shprehur keqardhje që Rithemelimi si individ më të spikatur ka Gazment Bardhin.

‘Nuk besoj se çfarë ka ti bëjë zotit Berisha. Bardhi do të jetë mëkëmbës tek PD dhe do të marri asete. Nuk arrin të kuptojë se lufta reale është ligjore ajo se ku do shkojë vula. Dhe kemi pjesën morale, që besoj se tek PD-ja që iu bashkua Bardhit mungon. Zoti Bardhi nuk mund të bënte strucin. Dhe me këtë pozicion që mban në parlament, në disa raste e vlerësoj. Por disa nisma duhet të kenë edhe moral. Pjesa që përfaqëson zotin Bardhi mungon. Më vjen keq që PD-ja e Rithemelimit, që individin më të spikatur që ka është zoti Bardhi’, tha Andoni.

Haklaj përsërit akuzat për ‘trekëndëshin e Bermudës’, Berisha-Rama-Meta se bashkëpunimi i tyre po i vjen fundi.

‘Dy vite e kusur na kanë sulmuar Lul Brava. Tani kanë përfunduar tek brava e Edi Ramës. Kthimi i Berishës është karshillëk ndaj SHBA, karshillëk ndaj SPAK. Kjo aleancë e çatisë e kullave është frymëmarrje provizore e autokracisë. Lufta imagjinare 6-mujore në parlament, lufta imagjinare në parlament ka mbaruar. Betejën kryesore e kanë për vulën. Vulën e ka PD-ja, kryetar është Lulzim Basha. Gjykata e Lartë e ka kthyer që Apeli të japë vendim. Kur të vijë ky moment do hapet ajo dosje dhe shikohet dokumentacioni me çfarë është firmosur’, u shpreh Haklaj.

Nga ana tjetër, ai shton se Berisha duhet akuzuar edhe për ndotje akustike për fjalimet tek ballkoni.

‘Për ndotje akustike Berisha mund të ketë akuzë tjetër? Sa kushton një ditë e zotit Berisha aty? Vëmendja mediatike. Është ballkoni i fundit anti-amerikan. Ka përpjekje për institucionalizimin e anti-amerikanizmit. Në vend që ti shprehim mirënjohje, i bëjmë karshillëk SHBA’, theksoi Haklaj.

Të dhënat: Numri i të rinjve u ul me shpejtësi nga 2019-2023, por ata në kërkim të punës u rritën

Nga viti 2019 deri në 2023, numri i të rinjve 15-29 vjeç ra me 94 mijë, ose me 13.7%, por nga ana tjetër, numri i të rinjve që kërkojnë punë është rritur. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në vitin 2019, kishte 681,552 persona të moshës 15-29 vjeç, teksa në zyrat e punës ishin të regjistruar si punëkërkues 15,372 persona. Në tremujorin e fundit të vitit 2023, popullsia e moshës 15-29 vjeç ishte 587,888 persona, ndërsa mbi 17,880 të rinj ishin të regjistruar në zyrat e punës si të papunë, ose 16% më shumë se në 2019.

Ndonëse tregu i punës vitet e fundit ka raportuar mungesa punonjësish në të gjithë aktivitetet, papunësia e të rinjve po vjen gjithnjë e në rritje. Madje vitet e fundit, edhe në sektorin publik që dikur ishte shumë i kërkuar, ka shumë vende të lira, sidomos në qarqe. Ekspertët e tregut të punës analizojnë se rritja e papunësisë te të rinjtë vjen si mospërputhje e ofertës për punë dhe kërkesës që kanë të rinjtë.

Viti pas viti, arsimi në vendin tonë ka humbur lidhjen me tregun e punës dhe modelin e zhvillimit. Të rinjtë e arsimuar kanë pak sektorë ku mund të angazhohen, teksa ekonomia është përqendruar në sektorë që kërkojnë krah pune, të tillë si punonjësit e shërbimeve, ndërtimit dhe fasonit. Pas pandemisë, prirja e papunësisë ka shënuar rritje te të rinjtë. Në tremujorin e fundit të vitit 2020, papunësia në grupmoshën 15-29 vjeç ishte 21,7%, ndërsa në tremujorin e fundit të vitit të kaluar arriti në 22%.

Krahasimet tregojnë se edhe në kulmin e pandemisë, kur papunësia e përgjithshme u rrit, papunësia e të rinjve është më e butë se aktualisht. Anketa të tjera që kanë matur emigracionin potencial, kanë treguar se vështirësitë në punësimin e të rinjve janë shkaktari kryesor për emigrimin e tyre. Gati 80% e personave që largohen nga vendi janë të rinj nën 30 vjeç dhe arsyet e largimit lidhen me përpjekjet për të përmirësuar gjendjen e tyre ekonomike.

Të dhënat tregojnë se të rinjtë kanë më shumë vështirësi për të gjetur punë në krahasim me grupmoshat e tjera në moshë pune. Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0% më 2023. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 0,6 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë 2023, ky tregues është ulur me 0,02 pikë përqindje. Për grupmoshën 30-64 vjeç, shkalla e papunësisë ishte 7,9% në tremujorin e fundit 2023. Në terma vjetorë, ky tregues është rritur me 0,3 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një rritje me 0,4 pikë përqindje./Monitor

U regjistruan si të vetëpunësuar, bie numri i të siguruarve në biznese

Skema e sigurimeve shoqërore është zgjeruar me kontribuues të rinj vitin e kaluar, kryesisht nga interesi më i madh i fermerëve për të marrë pjesë në skemë.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se në vitin e kaluar, kontribuuesit mesatarë arritën në 827 mijë persona, 25,6 mijë më shumë se në vitin 2022 ose me zgjerim 3.2%.

Shifrat më të detajuara tregojnë se rritja e numrit të kontribuuesve erdhi nga interesi më i lartë i fermerëve për të paguar sigurime.

Në vitin 2023, numri i fermerëve që paguan kontribute arriti në 75,4 mijë persona me rritje vjetore 21.6%. Më tej, kategoria me rritjen më të madhe të kontribuuesve në skemë ishin të vetëpunësuarit.

Në vitin 2023, mbi 140 mijë të vetëpunësuar paguan sigurime shoqërore nga 135,2 mijë që ishin në vitin 2022, me rritje 3.7%.

Sektori i biznesit ka numrin më të lartë të punonjësve me sigurime me rreth 394,7 mijë persona më 2023 me rritje 2,4% që nga viti 2022.

Në krahasim me para pandeminë ka rënie të të punësuarve me sigurime nga bizneset. Nga viti 2019 në 2023 ka 23,806 persona më pak të siguruar në bizneset, teksa ka rreth 56 mijë të vetëpunësuar më shumë në skemë, me rritje 67%.

Shumë punonjës me paga të larta në sektorin e biznesit kaluan si të vetëpunësuar vitet e fundit, për të shmangur tatimet mbi pagën.

Numri i të punësuarve që raporton INSTAT është shumë më i lartë se numri i kontribuuesve. Në vitin 2023, INSTAT raportoi se ishin të punësuar mesatarisht mbi 1,3 milionë persona, teksa sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore vetëm 62% e tyre paguan sigurime.

Ekspertët pohojnë se të punësuarit me sigurime po rriten në fshat për shkak të tranzicionit drejt konsolidimit që po kalon bujqësia. Teksa po falimentojnë fermat e vogla blegtorale dhe ngastrat nga pakësimi dhe plakja e popullsisë në zonat rurale, në anën tjetër po rriten të punësuarit në serra në fermat e mëdha blegtorale.

Në zonat fushore punonjësit e bujqësisë paguajnë 3,200 lekë kontribute në muaj, ndërsa në zonat malore 2,400 lekë në muaj.

Me gjithë rritjen e numrit të kontribuuesve, informaliteti në tregun e punës në vendin tonë vijon të jetë i lartë. Të dhënat e brendshme nga INSTAT tregojnë se në vitin 2022, përqindja e punësimit informal në sektorin jobujqësor është 28,2%, teksa Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) përllogariti se punësimi informal në disa sektor jobujqësor arrin deri në 60%./B.Hoxha

Burimi: ISSH

/Monitor

Vjedhja e sistemit TIMS/ Kujt i shërbeu Ervin Muça me krimin kibernetik?

Një denoncim i shpërndarë për mediat në fillim të gushtit të vitit të kaluar paralajmëroi një skandal thuajse të pabesueshëm, në lidhje me cënimin e të dhënave sekrete që zotëron policia nga vetë drejtuesit e saj.

Fakti që denoncimi u shpërnda përmes një e-maili anonim hidhte dyshime mbi vërtetësinë e tij, por informacione konkrete që përmbante dokumenti raportonin për një akt të pastër kriminal në zyrat e shtetit nga shefat e porsaemëruar të policisë. Sipas këtij e-maili të shkruar nga një dëshmitar okular i krimit në fjalë, Drejtori i Departmentit te Teknologjise se Informacionit ne Policine e Shtetit Ervin Muça kishte nxjerrë jashtë zyrave të policisë nëpërmjet një USB bazën e të dhënave të TIMS.

Tetë muaj më pas, prokuroria e Tiranës njoftoi arrestimin e Ervin Muçës, drejtori i IT në Ministrinë e Brendshme të drejtuar nga Taulant Balla. Sipas prokurorisë, Muça akuzohet se në 2 Gusht të vitit 2023 “në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, E.M. Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin”.

Pozitat e Ervin Muçës rëndohen edhe nga fakti se në vitin 2007,  në Itali është raportuar për falsifikim të dokumentave. Përveç kësaj, rezulton se Muça mbante edhe një punë tjetër si këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Presioni nga ambasada amerikane për Taulant Ballën

Siç dihet pjesë e TIMS janë hyrje-daljet e personave, dokumentat biometrike, gjeneralitetet, ngjarjet kriminale dhe jo kriminale, aksionet e policisë, dosjet hetimore, lista e terroristëve, gjobat e makinave, informacion territorial sekret etj.

Fillimisht, thuhej në e-mailin anonim vartësit e Ervin Muçës, drejtor i Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit, i sapoemëruar në detyrë nga ministri Taulant Balla refuzuan t’i binden urdhrave të tij të paligjshëm. Fill pas kësaj nxjerrja e të dhënave është kryer nga bashkëpuntorë të tij të jashtëm.

Denoncimi kaloi tangent në media, për shkak të pamundësisë për të konfirmuar vërtetësinë e lajmit. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk patën asnjë reagim.

Gjithçka do kalonte në heshtje sikur në zyrën e Ministrit të Brendshëm, Taulant Ballës të mos shfaqej i ngarkuari me punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell me një kërkesë konkrete. Shqetësimi i ambasadës amerikane ishte se ndërhyrjet e raportuar në sistemet TIMS mund të cënonte punën e agjentëve amerikanë që veprojnë dhe punojnë në vendin tonë.

Vjedhja e sistemit TIMS/ Kujt i shërbeu Ervin Muça me krimin

I dërguari me punë i ambasadës amerikane në takim me Taulant Ballën

McDowell kërkoi hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm për nxjerrjen e të dhënave të policisë dhe siguroi Taulant Ballën se për amerikanët mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive është shumë e rëndësishme. Takimi u pasua me lëvizjen e shpejtë të AMP, Agjencia e Mbikqyrjes Policore që njoftoi nisjen e hetimeve.

“Kallëzimi i AMP vjen pak ditë pasi ambasada e SHBA ngriti shqetësimin për rrjedhjen e të dhënave” pranoi AMP në një njoftim publik në muajin gusht të vitit të kaluar.

Mbrojtja e dyshimtë e Ervin Muçës nga Rama dhe Balla

Kjo nuk do të ishte hera e parë që Ervin Muça përfshihet në një skandal për vjedhjen e të dhënave sensitive. Në fillim të vitit 2022, emri i tij shfaqet në hetimet e rrjedhjes së listës së pagave në dosjen hetimore të prokurorisë së Tiranës.

Ervin Muça ishte shefi i dy specialistëve të IT në tatime, që u dënuan për shitjen e listës së pagave. Ai u përfshi në hetimet e prokurorisë, por siç duket doli pa u lagur dhe u rikthye si Drejtor i Departmentit të Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit, menjëherë sapo ministër u emërua Taulant Balla.

Pas denoncimit në media të vjedhjes së të dhënave të TIMS, Muça mohoi ndërhyrjet duke i quajtur “gomerë” ata që e akuzonin. Sipas tij, vjedhja e të dhënave nga TIMS me një USB ishte e pamundur dhe se ndërhyrja që ai kishte kryer ishte thjesht një “back-up” që sistemi të mos binte si në rastin e sulmit nga iranianët.

Vjedhja e sistemit TIMS/ Kujt i shërbeu Ervin Muça me krimin

“Puna ime, nuk ka kaluar kurrë asnjë milimetër përtej përgjegjësive që më ngarkon detyra, e jo më të bëhem aktor filmash 007 me “vjedhje” materialesh mijëra TB në USB xhepi. Duhet të jesh shumë injorant ta shkruash këtë, dhe kush e di sa injorant të ndërtosh skenarë të tillë” shkruante Muça.

Hamendësimet e para ishin se qëllimi i vjedhjes së të dhënave nga drejtori për teknologjinë në Ministrinë e Brendshme ishte shitja e këtyre të dhënave tek bandat kriminale. Por kur atë e morën në mbrojtje Taulant Balla dhe Edi Rama, çështja mori nuanca politike dhe u pa si një “punë e brendshme” e qeverisë.

Vjedhja e sistemit TIMS/ Kujt i shërbeu Ervin Muça me krimin

“Dua të garantoj se të dhënat e çdo qytetari në sistemin TIMS janë 100% të mbrojtura. Nuk ka asnjë të dhënë që të ketë rrjedhur nga ky sistem. I fortifikuar dhe falë mbështetjes së partnerëve” shprehej Balla në tetor të vitit të kaluar gjatë një mbledhjeje të Komisionit të Çështjeve Europiane.

Garancia që jepte Taulant Balla bëhej pas kërkesës së ambasadës amerikane për të hetuar dhe pasi Agjencia e Mbrojtjes Policore çoi materialet në prokurorinë e Tiranës për hetime. Balla ndërkohë i dilte për zot kësaj çështjeje, duke u bërë mburojë e Ervin Muçës.

“Në aspektin tim si ministër i Brendshëm nxis që të hetohen çdo rast nga prokuroria. Rezulton se nuk ka pasur asnjë kopjim apo rrjedhje. Kur kthehet balta në piedestal, flitet për përdorim të të dhënave. Kjo është e pamundur!” shprehej ministri në po të njëjtin komision.

Vjedhja e sistemit TIMS/ Kujt i shërbeu Ervin Muça me krimin

Pas Ballës, avokat i Ervin Muçës u bë edhe kryeministri Edi Rama.

“Është e gjitha një histori e nxjerr dhe e manipuluar nga njerëz që kanë humbur praktikisht pushtetin mbi ato të dhëna në Policinë e Shtetit. Hetimi i brendshëm është kryer I plotë dhe ska asnjë shqetësim. Nuk jam në dijeni të ndonjë deklarate të ndonjë ambasadori i SHBA, sepse s’kemi ambasador amerikanë për momentin në vendin tonë, por nuk jam në dijeni të kësaj dhe nuk e kuptoj pse i dërguari me punë nga SHBA duhet të bëjë një deklaratë të tillë. Me ta kemi komunikim të vazhdueshëm dhe kemi dhënë të gjitha sqarimet dhe ska asgjë. Ajo ngjarja e rëndë ska ndodhur se ska patur as mundësi të ndodhi, në përpjekje për të bërë backup, ka dalë që ska fare back up. Është problem teknik i brendshëm. Ata janë monitoruar hetimi është bërë dhe nuk ekziston”, theksoi Rama gjatë një konference në kryeministri.

Avokatia që i bënë publikisht Ervin Muçës, ngre disa pikëpyetje. A ishte vjedhja e të dhënave të sistemit TIMS një operacion i krimit me pushtet? Pse duhej të përfshihej kryeministri në mbrojtjen e një drejtori që po hetohej nga policia dhe që kishte një precedent në rrjedhjen e të dhënave personale? Cili ishte qëllimi i eksportimit të të dhënave të sistemit TIMS? Hetimi tani është zgjeruar, pasi opozita ka ngritur një komision hetimor për skandalin që përfshiu Ministrinë e Brendshme dhe ku opozita kërkon dëshmi si nga Taulant Balla, ashtu edhe nga Edi Rama./Lapsi.al