15.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Degradimi i shkollave, Halilaj: Jemi në emergjencë kombëtare, duhet pakt kombëtar për situatën

Ditën e sotme, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, ishte Isa Halilaj, nga sindikata e pavarur e mësuesve, për të folur për nxënësit e klasave të 9-ta, të cilët do të zhvillojnë 3 provime në fund të muajit qershor gjithashtu edhe për testet provë që zhvillohen para sezonit.

“Ndoshta duhet të ishte bërë më parë, sepse nxënësit në fund të muajit qershor në provimet e lirimit, duhet të kenë ide se çfarë është një test. Normalisht që mësuesit punojnë sistematikisht, por një test paraprak do i ndihmojë. Ne e kemi përshëndetur. Përveç kësaj ne kemi kërkuar që gjithmonë nga marsi deri në qershor, mësuesit e këtyre lëndëve janë të mbingarkuar sepse zhvillojnë konsultime me këta nxënës. Kjo është një punë e papaguar. Ne kemi kërkuar që ose duhet të paguhen, ose të shikojmë normat mësimore të këtyre lëndëve. Ndoshta për ne do të ishte më konkrete që të gjitha lëndët që jepen në provim norma mësimore të jetë jo më tepër se 18 orë në javë. Në arsimin 9-vjeçar janë me 20 orë. Ndoshta kalimi i tyre me 18 orë do të mbyllte edhe këtë problemin e korrigjimeve, sepse është një ngarkesë e madhe. Jemi në emergjencë kombëtare, duhet pakt kombëtar për situatën”, tha Halilaj.

Fikja e inceneratorit rrit malin me plehra në Elbasan

Në prill të 2017-ës, kur nisi për herë të parë puna në inceneratorin e Elbasanit, qeveria mburrej se impianti do të shkulte ‘kancerin’ mjedisor duke prodhuar energji nga plehrat. Gjashtë vite më pas, Elbasani ndodhet në prag të një katastrofe mjedisore sepse inceneratori nuk punon, pavarësisht se harxhon miliona lekë. Edhe prodhimi i energjisë së gjelbër i ngjan një ëndërre të largët. Prej muajit dhjetor impianti i përpunimit të mbetjeve në Elbasan ka kaluar në remontin e rradhës. Mbetjet e bashkive të qarkut që po grumbullohen pranë landfillit po lartësojnë malin e plehrave të patrajtuara. Për ekspertët e mjedisit situata është alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Esmeralda Topi, Faktoje.al 

Në mars të vitit 2015, në anë të ish kombinatit metalurgjik në Elbasan nisi puna për ndërtimin e impiantit të parë të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë në Shqipëri.

Sipas qeverisë inceneratori do t’i jepte zgjidhje mbledhjes dhe grumbullimit të mbetjeve dhe do të prodhonte energji të gjelbër përmes trajtimit teknologjik të tyre.

“Është një impiant që vendoset për herë të parë në vendin tonë, por që me këtë vendosje përbën edhe themelin për të transformuar rrënjësisht të gjitha marrëdhëniet me mjedisin në hapin e tyre të parë, marrëdhënia me mbeturinat, me plehrat që 20 e kusur vite e mbyten Shqipërinë, dolën jashtë çdo kontrolli dhe që ne kemi vendosur t’i kthejmë nga një burim ndotjeje dhe kanceri në një burim energjie”, shprehej kryeministri Edi Rama, në nisje të punimeve për impiantin që parashikohej se do të prodhonte rreth 17 250 MËh energji në vit kur të vihej në punë.

Dy vite më vonë, kryeministri bashkë me disa zyrtarë të tjerë të lartë u rikthye në Elbasan për të përuruar fillimin e punës së impiantit.

Mesditën e 18 prillit 2017, kreu i qeverisë mes qindra pjesëmarrësve inaguroi inceneratorin e Elbasanit – të parën vepër të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë në Shqipëri.

“Nga fusha e plehrave që digjeshin në qiell të hapur e helmonin gjithë qytetin, në fushën sanitare të standardeve europiane ku mbetjet shfrytëzohen për prodhim energjie.”, theksonte kryeministri gjatë ceremonisë përuruese.

Gjashtë vite më vonë… 

Inceneratori i Elbasanit i kushtoi buxhetit të shtetit 26 milionë euro dhe është më i vogli mes tre impianteve të planifikuara. Aktualisht, ky impiant është i vetmi që ka përfunduar nga tre kontratat e kushtueshme të partneritetit publik privat të qeverisë shqiptare, që po hetohen për korrupsion dhe pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Pavarësisht propagandës për teknologjinë dhe zgjidhjen që do të ofronte në përpunimin e mbetjeve, në këto gjashtë vite impianti nuk ka dhënë rezultatet e premtuara.

Hyrja e inceneratorit të Elbasanit, mars 2024

Të dhënat e siguruara nga Faktoje tregojnë se inceneratori është ndezur me hope duke zhbërë premimin madhor për rilindjen mjedisore të Elbasanit që ka rritur malin me mbetje të patrajtuara.

“Në vitin 2023 ndezja e Impiantit është realizuar në muajin Prill dhe proçesi i fikjes është realizuar në Dhjetor të vitit 2023. Aktualisht Impianti është në remont.”, i tha Faktoje kompania publike Eco-Elb që administron inceneratorin prej dhjetorit të vitit 2021 (përmes një kontrate qiraje me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK.)

Inceneratori i Elbasanit, mars 2024

Prej 21 dhjetorit të vitit të kaluar inceneratori i Elbasanit fiku turbinat dhe kaloi përsëri në remont, por kompania EcoElb nuk na dha asnjë shpjegim se çfarë e shkaktoi defektin dhe sa kushton riparimi i tij. Po ashtu, pa përgjigje mbetën edhe pyetjet se kur do të vihej në punë inceneratori dhe çfarë do të bëhet me malin e mbetjeve të patrajtuara në landfill kur të rindizen turbinat.

Mal me mbetje buzë Shkumbinit 

Elbasan, mars 2024

Prej katër muajsh të gjitha mbetjet e bashkive të qarkut Elbasan që po depozitohen në landfill nuk po trajtohen, duke krijuar një mal me plehra që po rrezikojnë një krize të re mjedisi në Elbasan.

Sot për sot, atje ndotja hidhet në lumin Shkumbin dhe shkon deri në detin Adriatik sepse gjithë mbetjet, rrjedhjet, shkojnë në lum sepse s’kanë asnjë mbrojtje. Pa asnjë lloj trajtimi paraprak, gropat janë mbushur dhe janë kthyer në male.”, argumenton për Faktoje Ahmet Mehmeti, ekspert i ccështjeve mjedisore.

Elbasan, mars 2024

“Një gropë e zezë financiare që u kthye në një mal të zi që është vetëm burim të këqijash.”, vijon më tej ai, duke shtuar se malet me plehra janë rrezik potencial për shpërthime zjarresh, me apo pa dashje.

Për biologun Olsi Nika situata e krijuar me mbetjet në Elbasan është një “Emergjencë ekologjike”.

“Do bëhën male të tëra me mbetje, nuk do të digjen për 1001 arsye (jo nën hetim, jo korrupsioni, jo defekt, jo avari). Nuk do digjen sepse aty nuk është menduar kurrë për një proces incenerimi, aty është menduar për skemën që ka dalë nëpër media. Dhe atëherë do të bëhet emergjencë e vërtetë ekologjike.”, paralajmëron Nika nga Eco Albania.

Vitin e kaluar, impianti i Elbasanit ka pranuar nga Bashkitë e Qarkut një sasi mesatare mujore mbetjesh prej 3 936 ton në muaj, apo 47 mijë ton me mbetje.

“Sasia mesatare ditore e mbetjeve që mbërrin në Impiant është 140 ton në ditë dhe kur Impianti është në funksion incenerohet një sasi mesatare ditore e mbetjeve prej 90 ton në ditë.”, bën të ditur kompania Eco-Elb që administron inceneratorin.

Energjia e gjelbër, një ëndërr në sirtar

Qeveria premtonte se kur inceneratori i Elbasanit të vihej në punë, nga përpunimi i mbetjeve do të prodhohej rreth 17 250 MWh energji në vit. Por të dhënat e siguruara nga Faktoje tregojnë se sasia e energjisë së prodhuar nga inceneratori i Elbasanit në këto vite rezulton larg premtimit publik.

“Zëvendësuan riciklimin me gënjeshtrën e prodhimit të energjisë. Pra merren fondet, por puna s’bëhet duke shkaktuar dëm shumëfish, si financiar si mjedisor.”, thotë eksperti i mjedisit Ahmet Mehmeti.

Enti Rregullator i Energjisë bën të ditur për Faktoje se vitin e kaluar centrali prodhues i përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan nuk ka prodhuar energji elektrike.

“Nga raportimet e OSSH sha dhe FTL sha/ OSHEE Group sha deri më tani në ERE, rezulton se Centrali prodhues i përpunimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan i shoqërisë “ECO – ELB” sh.a për vitin 2023 rezulton se nuk ka lëvruar energji elektrike në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.”, pohon ERE.

Ndërsa gjatë vitit 2022, inceneratori ka lëvruar 6,792 MWh energji elektrike, sasi kjo që nuk përputhet me atë që deklaron kompania Eco-Elb që administron inceneratorin.

Sasia e energjisë së prodhuar përgjatë vitit 2022, është 75,9 MWh.”, i tha Eco-Elb Faktojes.

Bashkëjetesë me inceneratorin …

Pranë impiantit të përpunimit të mbetjeve në Elbasan jetojnë dhjetra familje. Biseda me disa prej tyre është e vështirë. Janë të shqetësuar por njëkohësisht të frikësuar për t’i ndarë hallet e përditshme me median.

“Si i ndezur, si i fikur për ne situata është si mos më keq. Në verë i mbyllim dritaret sepse era e plehrave bëhet e padurueshme.”, shprehet një banore e zonës, teksa drejton me gisht malin me plehra që e ka përballe me shtëpinë.

I vetmi që pranoi të fliste ishte kryeplaku i zonës. Jashar Muçin e takuam teksa punonte tokën përpara shtëpisë. Pensionisti na tregon se bashkëjetesa me inceneratorin bëhet e vështirë kur impianti është jashtë funksionit.

“Kur impianti është i ndezur nuk kemi ndonjë problem, është pastër. Por tani është jashtë funksioni dhe shihe vet.”, thotë ai teksa biseda na ndërpritet nga një makinë me mbetje që po shkonte drejt landfillit.

“E shikon këtë makinë që po kalon?! Këtu nuk pushojnë makinat e plehrave, ditë e natë. Vijnë nga i gjithë qarku.”, vijon më tej Muçi.

Jashari i mban mend mirë premtimet e qeverisë kur nisi puna për impiantin.

“Do rritej punësimi në zonë, do shpëtonim nga plehrat, do prodhohej energji nga e cila do ngroheshim ne dhe do bënim sera… eh sa gjera do bëheshin po s’i shohim…”, shpotit ai në fund të bisedës.

Fitër Bajrami/ Përdorej si galeri arti, hapet pas 102 vitesh për besimtarët Xhamia e Re në Selanik

Pas 102 vitesh në Selanik është hapur sot për herë të parë Xhamia e Re për kremtimin e Fitër Bajramit nga myslimanët e këtij qyteti. Monumenti historik, i cili përdoret si hapësirë ekspozite e Galerisë së Arteve Komunale, u është dhënë për herë të parë që nga viti 1922 myslimanëve për faljen e namazit, pas agjërimit të Ramazanit. Vendimi është marrë nga Sekretariati i Përgjithshëm i Feve dhe sipas ligjit, imami që kryen namazin është zgjedhur nga shteti grek. Namazi i parë në Xhaminë e re ka nisur herët në mëngjes në orën 7.30.

Prej orëve të para të mëngjesit ka pasur një prezencë të forcave policore dhe masa të rrepta sigurie, mes të cilave kontrolli në të gjithë zonën dhe brenda xhamisë para se të hapej.

Kujtojmë se pas një sërë pengesash burokratike, xhamia e parë në Athinë ku jetojnë mbi 300 mijë myslimanë, kryesisht emigrantë nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme, është hapur në vitin 2021.

Sipas të dhënave të Sekretariatit të Përgjithshëm të Feve, në Atikë, përveç xhamisë islame të Athinës, funksionojnë 15 xhami të licencuara, ndërsa ato jozyrtare llogariten nga 55 deri në 60. Në Thrakë ka rreth 300 xhami dhe një në Kos, Rodos, Thebë dhe Selanik.

Qytetarët myslimanë grekë janë afërsisht 125,000 dhe jetojnë kryesisht në Traki. Në Atikë, refugjatët dhe emigrantët myslimanë vlerësohen në 250,000 kryesuar nga pakistanezët.

Rusia ka pësuar humbje të mëdha në luftë/ Putin kërkon të forcojë mbrojtjen, synon rekrutimin e 400 mijë ushtarëve të rinj

Rusia synon të kontraktojë 400.000 ushtarë të rinj këtë vit, për t’i forcuar forcat e saj që kanë pësuar humbje të mëdha në luftën në Ukrainë, tha Ministria e Mbrojtjes e Britanisë në një raport të përditësuar të inteligjencës.

 

Trupat ruse në Ukrainë përbëhen nga ushtarë me kontratë dhe disa rezervistë, të cilët janë mobilizuar në fund të vitit 2022, sipas inteligjencës britanike.

Ushtarëve të rekrutuar, të cilët nuk janë të përfshirë ligjërisht në luftë, u bëhet presion që të regjistrohen si ushtarë me kontratë dhe në këtë mënyrë të mund të dërgohen në vijën e parë të frontit.

“Rreth 150.000 ushtarë nga mosha 18 deri në 30 vjeç janë planifikuar të rekrutohen këtë pranverë. Ata do të shërbejnë për 12 muaj në të gjitha llojet e forcave të armatosura të Rusisë”, tha inteligjenca britanike.

Më 3 prill, zëdhënësi i Kremlinit, Dmytry Peskov, i mohoi zërat për planifikim të mobilizimeve shtesë në Rusi.

Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Sipas disa dokumenteve që kanë rrjedhur nga inteligjenca amerikane në dhjetor të vitit të kaluar, në Ukrainë janë vrarë ose plagosur 315.000 trupa ruse që nga fillimi i luftës.

Rusia besohet të ketë humbur edhe mijëra tanke dhe automjete luftarake të këmbësorisë.

Ekspertët amerikanë kanë vlerësuar në gusht të vitit të kaluar se 75.000 ushtarë ukrainas janë vrarë, nga 200.000 sa ka qenë forca fillestare luftarake.

Ukraina është krejtësisht e varur nga furnizimet me armë nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë perëndimorë, për të vazhduar luftën kundër Rusisë./REL

Liga e Europës për para dhe prestigj, 3 arsye përse i duhet Milanit

NAPLES, ITALY - APRIL 18: Players of AC Milan celebrate victory in front of their fans after defeating SSC Napoli during the UEFA Champions League Quarterfinal Second Leg match between SSC Napoli and AC Milan at Stadio Diego Armando Maradona on April 18, 2023 in Naples, Italy. (Photo by Francesco Pecoraro/Getty Images)

Të enjten, më 11 prill, në orën 21:00, Milani i Stefano Piolit do të luajë ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Ligës së Europës 2023-2024 kundër Romës. Kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e pestë në turne pasi eliminuan Slavian Pragën dhe më përpara akoma skuadrën franceze Ren në ndeshjen e dyfishtë play-off. “La Gazzetta dello Sport” ka bërë një pasqyrë të arsyeve pse “Djalli” mund dhe duhet të synojë trofeun, kupa e vetme ndërkombëtare që ende mungon në vitrinën e klubit.

 

PËR PARA – Fitimi i Ligës së Europës do ta bënte Milanin më të pasur. Në vitrinën e trofeve (do të ishte trofeu i 190- të ndërkombëtar, i vetmi i pafituar ndonjëherë në historinë e klubit) dhe në buxhet. Mund të mos jenë 130 milionë eurot e Champions-it 2022-2023, por janë të paktën 40. Një bazë e shkëlqyer për të financuar blerjen e sulmuesit të ri për verën e ardhshme. Milani do të arrinte atje me çmimet e UEFA-s (1.7 milionë euro për “play off” dhe kalimin në fazën e 1/8-ave, 1.8 të tjera për kualifikimin në çerekfinale, 2.8 për gjysmëfinalet, 4.6 për finalen, 4 të tjera në rast të fitores së kupës). Gjithsej 14.9 milionë euro, ku duhet shtuar të drejtat e imazhit (5-10 milionë euro) dhe pjesëmarrja në Superkupën e Europës (3.5). Për më tepër, arkëtimet: duke mbledhur të gjithë aspektet, pra, do të arrinim në rreth 40 milionë. Dhe fitimet sezonale nga kupat europiane do të kalonin 100 milionë eurot. Jo keq.

PANKINA – Më pas, Pioli duhet të fitojë Ligën e Europës me Milanin për të mbajtur pankinën kuqezi. Një vit më parë, kundër Totenhemit në Ligën e Kampionëve, “Djalli”, i cili sapo kishte dalë nga një periudhë e tmerrshme, arriti të gjente qëndrueshmëri në mbrojtje dhe kaloi në gjysmëfinale kundër Interit. Të enjten, Leao me shokë do të përballen me Romën që nuk është rivali më i mirë që mund të kishin peshkuar në shortë. Është mënyra më e mirë për të hyrë në “zonën e Pioli”, atë të finaleve të sezonit të rritje. Trajneri ka arritur të qëndrojë nja dy herë në detyrë pikërisht me një fundsezoni të mirë prandaj nuk përjashtohet që me fitoren në Europë të mund të përfundojë edhe këtë mision tjetër në dukje të pamundur.

DIKUSH DI SI FITOHET – Milani mund të fitojë Ligën e Europës, sepse në ekip ka nga ata që e kanë bërë më parë. Ata janë Ruben Loftus-Çiek dhe Olivie Zhiru, protagonistë në fitoren e Çelsit në 2019. Sulmuesi francez, në atë edicion të turneut, shënoi 11 gola në 14 ndeshje. Mesfushori ishte një faktor gjatë gjithë sezonit, por humbi finalen në Baku për shkak të një dëmtimi të rëndë. Të dy u tregojnë kuqezinjve rrugën drejt një trofeu kontinental, duke qenë se të gjithë bashkëlojtarët e tyre kanë pak përvojë. Përveç Kristian Pulisiçit, Teo Hernandezit, Luka Joviçit dhe Samuel Çukvueze të tjerët kanë njohuri të pakta që në këto nivel mund të rezultojnë vendimtare.

Ana e panjohur/ SPAK po vazhdon të gërmojë në bashkinë e Tiranës

Tre drejtorët e arrestuar të Bashkisë së Tiranës me sa duket nuk i kanë mbyllur llogaritë e SPAK me këtë institucion. Hetimet në kalënë e Lali Erit vazhdojnë dhe pritet që gjatë ditëve të ardhshme të ketë zhvillime të reja. Midis njerëzve të rëndësishëm të këtij institucioni, përpos të arrestuarve janë edhe tre persona të tjerë të cilëve prokuroria u ka marrë pasaportat në mënyrë që mos lëvizin jashtë vendit.

Pra, përveçse Mariglen Qatos, Taulant Tushës edhe Redi Mollës, të tre tashmë në burg, si për dosjen e skandalit 5D po ashtu edhe për atë të inceneratorëve, rrethi pritet të zgjerohet. Emrat e rinj mësohet se kanë të bëjnë me një kontratë të lidhur për depozitimin e dherave tek landfilli i Tiranës.

Madje ka zëra që thonë se në shënjestër është edhe vetë Erion Veliaj. Burime nga SPAK bëjnë me dije se ai figuron në bisedat dhe dokumentat që janë sekuestruar nga kontrolli i të hetuarve. Të hënën në emisionin “Të Paekspozuarit”, gazetarja e kronikës Klodiana Lala, foli për disa indicie se Veliaj së bashku me Mariglen Qaton, Taulant Tushën edhe Redi Mollën i shpenzonin paratë së bashku me udhëtime.

“SPAK duhet të na sqarojë se ku kanë shkuar paratë e marra nga tenderat e kompanisë “5D”. A kanë udhëtuar drejtorët Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha me Erion Veliajn dhe persona të tjerë jashtë vendit, pushime të shtrenjta? Nuk bëhet fjalë vetëm për udhëtime pune, por udhëtime që janë lehtësisht të aksesueshme në sistemin TIMS, janë lehtësisht të aksesueshme në shpenzimet që kanë bërë në vende të ndryshme. P.sh. rezulton një udhëtim në Finlandë se çfarë shpenzimesh kanë bërë atje, cilat janë transfertat, cilat janë kontaktet”-tha Lala.

Vetë Veliaj gjatë një intervistë në Top Channel mbrëmjen e së hënës, ndonëse përkundër asaj që thuhet, e mohoi se është thirrur nga SPAK, por deklaroi se është i gatshëm të shkojë nëse e thërasin për ta marrë në pyetje.

“Kurdo që më thërrasin, jam i gatshëm. Askush nuk më pyeti. SPAK është organizatë shtetërore, patjetër do shkoj. Nuk më kanë thërritur, nëse më thërrasin patjetër që do shkoja se është i shtetit tim’-tha Veliaj në Top Story.

Me 28 mars, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se kishte lëshuar urdhër-arreste për një sërë drejtorët të lartë të Bashkisë së Tiranës, përfshirë Redi Mollën, ish-drejtor i Operatorit të Ujësjellësit Tiranë UKT dhe Mariglen Qaton, ish-drejtor i Inspektoratit për Mbrojtjen e Territorit (IMT). Të dy akuzohen për korrupsion dhe mosdeklarim të interesave private si funksionarë publikë, pasi u denoncuan vitin e shkuar nga ish deputeti i opozitës, Belind Këlliçi.

Sipas akuzave, Molla dhe Qato ishin pronarë de facto të një kompanie private pjesëmarrëse në tenderët e lëshuar nga një numër institucionesh publike, përfshirë vetë UKT-në dhe Bashkinë e Tiranës./ Lapsi.al

“Partia e listave të hapura dhe ajo e urrejtjes ndaj votës”, Kulluri ironizon grupin e Bardhit dhe të Berishës: Qylaxhinjtë e listave të mbyllura, ha Muço, pi Muço

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Edvin Kulluri, ka qenë i ashpër me ata që bërtasin sipas tij për demokraci, duke shigjetuar kështu grupin e Gazment Bardhit dhe ata të Berishës.

Në linjën e ironisë, Kulluri shton; “Ky grup i madh ndërpartiak, majtas e djathtas është vete-emërtuar grupi parlamentar “ha Muço, pi Muço””. Mes të tjerash ai shton se do të vijojë beteja për hapjen e listave.

REAGIMI I KULLURIT

Sot ne Shqipëri ka dy “parti politike” përtej gjithë partive të regjistruara ne gjykate: Partia e Listave te Hapura dhe Partia e Urrejtjes Ndaj Votes! Anëtarët e partisë se dyte jane shtrire ne te gjita partite politike. Jane produkt i sistemit te mbyllur te 2008 e qe s’kanë zhvilluar asnjë gare e as debat brenda dhe jashte partive, pra ne zgjedhje.
Bërtasin tërë ditën për “demokraci, vote, zhvillim” e nderkohe e urrejne votën dhe konkurrencën si “djalli temjanin”! Jane te lumtur me emerimin ne parlament nga kryetari ne 12 pa 5 te nates kushdo qofte ai apo sigla! Hane qyl rrogen e emerimit, krekosen me salla bosh e kuti ku vota nuk numerohet por thjesht u lexohet emri “deputet” nga KQZ!
Jane ata qe jane dakord me kryetarin ende pa filluar kryetari fjalën ne konferenca degësh apo mbledhje kryesie, asambleje apo këshillash kombëtar! Ky grup i madh ndërpartiak, majtas e djathtas eshte vete-emertuar grupi parlamentar “ha Muco, pi Muco”!
Partia e pare e Listave te Hapura po ashtu ka anetare ne te gjitha partite politike! Jane njerez qe kane kaluar heresin ose kane qene shume prane kalimit por jane perplasur me “listen e gatshme” qe eshte gatuar ne 2008. Ose jane politikane qe duan sfiden, garen e debatin. E shohin politiken si perfaqesim, vote e legjitimitet. Nuk “perloten me shami ne dore” nga fjalimet e shefave por respektojne institucionet e partive dhe kryetaret si te tille. Nuk kapin per xhakete shoferet dhe familjaret e kryetareve apo biznesemenet afer tyre. Thjesht duan ate per te cilen shumica e shqiptareve dolen ne sheshe ne dhjetor te 1990: lirine per te zgjedhur qeverisjen e tyre! Kaq! Kerkojne te jene njerez te lire.
Deri tani partia e dyte eshte shumice por nuk ka te drejte. Ndersa partia e pare jane me te pakte neper zyrat e parlamentit por perfaqesojne shumicen e shqiptareve qe u ka ardhur ne maje te hundes me “qylaxhinjte” e listave te mbyllura!
Kjo beteje e heshtur brenda partive dhe e hapur mes partive, eshte nje beteje qe ka nje rezultat te deritanishem! Kushtetuten dhe vendimin e Gjykates Kushtetuese per te HAPUR LISTAT! Beteja vazhdon….

Vjedhja e sistemit TIMS/ Kujt i shërbeu Ervin Muça me krimin kibernetik?

Një denoncim i shpërndarë për mediat në fillim të gushtit të vitit të kaluar paralajmëroi një skandal thuajse të pabesueshëm, në lidhje me cënimin e të dhënave sekrete që zotëron policia nga vetë drejtuesit e saj. Fakti që denoncimi u shpërnda përmes një e-maili anonim hidhte dyshime mbi vërtetësinë e tij, por informacione konkrete që përmbante dokumenti raportonin për një akt të pastër kriminal në zyrat e shtetit nga shefat e porsaemëruar të policisë. Sipas këtij e-maili të shkruar nga një dëshmitar okular i krimit në fjalë, Drejtori i Departmentit te Teknologjise se Informacionit ne Policine e Shtetit Ervin Muça kishte nxjerrë jashtë zyrave të policisë nëpërmjet një USB bazën e të dhënave të TIMS.

Tetë muaj më pas, prokuroria e Tiranës njoftoi arrestimin e Ervin Muçës, drejtori i IT në Ministrinë e Brendshme të drejtuar nga Taulant Balla. Sipas prokurorisë, Muça akuzohet se në 2 Gusht të vitit 2023 “në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, E.M. Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin”.

Pozitat e Ervin Muçës rëndohen edhe nga fakti se në vitin 2007,  në Itali është raportuar për falsifikim të dokumentave. Përveç kësaj, rezulton se Muça mbante edhe një punë tjetër si këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Presioni nga ambasada amerikane për Taulant Ballën

Siç dihet pjesë e TIMS janë hyrje-daljet e personave, dokumentat biometrike, gjeneralitetet, ngjarjet kriminale dhe jo kriminale, aksionet e policisë, dosjet hetimore, lista e terroristëve, gjobat e makinave, informacion territorial sekret etj.

Fillimisht, thuhej në e-mailin anonim vartësit e Ervin Muçës, drejtor i Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit, i sapoemëruar në detyrë nga ministri Taulant Balla refuzuan t’i binden urdhrave të tij të paligjshëm. Fill pas kësaj nxjerrja e të dhënave është kryer nga bashkëpuntorë të tij të jashtëm.

Denoncimi kaloi tangent në media, për shkak të pamundësisë për të konfirmuar vërtetësinë e lajmit. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk patën asnjë reagim.

Gjithçka do kalonte në heshtje sikur në zyrën e Ministrit të Brendshëm, Taulant Ballës të mos shfaqej i ngarkuari me punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell me një kërkesë konkrete. Shqetësimi i ambasadës amerikane ishte se ndërhyrjet e raportuar në sistemet TIMS mund të cënonte punën e agjentëve amerikanë që veprojnë dhe punojnë në vendin tonë.

I dërguari me punë i ambasadës amerikane në takim me Taulant Ballën
I dërguari me punë i ambasadës amerikane në takim me Taulant Ballën

McDowell kërkoi hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm për nxjerrjen e të dhënave të policisë dhe siguroi Taulant Ballën se për amerikanët mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive është shumë e rëndësishme. Takimi u pasua me lëvizjen e shpejtë të AMP, Agjencia e Mbikqyrjes Policore që njoftoi nisjen e hetimeve.

“Kallëzimi i AMP vjen pak ditë pasi ambasada e SHBA ngriti shqetësimin për rrjedhjen e të dhënave” pranoi AMP në një njoftim publik në muajin gusht të vitit të kaluar.

Mbrojtja e dyshimtë e Ervin Muçës nga Rama dhe Balla

Kjo nuk do të ishte hera e parë që Ervin Muça përfshihet në një skandal për vjedhjen e të dhënave sensitive. Në fillim të vitit 2022, emri i tij shfaqet në hetimet e rrjedhjes së listës së pagave në dosjen hetimore të prokurorisë së Tiranës.

Ervin Muça ishte shefi i dy specialistëve të IT në tatime, që u dënuan për shitjen e listës së pagave. Ai u përfshi në hetimet e prokurorisë, por siç duket doli pa u lagur dhe u rikthye si Drejtor i Departmentit të Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit, menjëherë sapo ministër u emërua Taulant Balla.

Pas denoncimit në media të vjedhjes së të dhënave të TIMS, Muça mohoi ndërhyrjet duke i quajtur “gomerë” ata që e akuzonin. Sipas tij, vjedhja e të dhënave nga TIMS me një USB ishte e pamundur dhe se ndërhyrja që ai kishte kryer ishte thjesht një “back-up” që sistemi të mos binte si në rastin e sulmit nga iranianët.

“Puna ime, nuk ka kaluar kurrë asnjë milimetër përtej përgjegjësive që më ngarkon detyra, e jo më të bëhem aktor filmash 007 me “vjedhje” materialesh mijëra TB në USB xhepi. Duhet të jesh shumë injorant ta shkruash këtë, dhe kush e di sa injorant të ndërtosh skenarë të tillë” shkruante Muça.

Hamendësimet e para ishin se qëllimi i vjedhjes së të dhënave nga drejtori për teknologjinë në Ministrinë e Brendshme ishte shitja e këtyre të dhënave tek bandat kriminale. Por kur atë e morën në mbrojtje Taulant Balla dhe Edi Rama, çështja mori nuanca politike dhe u pa si një “punë e brendshme” e qeverisë.

“Dua të garantoj se të dhënat e çdo qytetari në sistemin TIMS janë 100% të mbrojtura. Nuk ka asnjë të dhënë që të ketë rrjedhur nga ky sistem. I fortifikuar dhe falë mbështetjes së partnerëve” shprehej Balla në tetor të vitit të kaluar gjatë një mbledhjeje të Komisionit të Çështjeve Europiane.

Garancia që jepte Taulant Balla bëhej pas kërkesës së ambasadës amerikane për të hetuar dhe pasi Agjencia e Mbrojtjes Policore çoi materialet në prokurorinë e Tiranës për hetime. Balla ndërkohë i dilte për zot kësaj çështjeje, duke u bërë mburojë e Ervin Muçës.

“Në aspektin tim si ministër i Brendshëm nxis që të hetohen çdo rast nga prokuroria. Rezulton se nuk ka pasur asnjë kopjim apo rrjedhje. Kur kthehet balta në piedestal, flitet për përdorim të të dhënave. Kjo është e pamundur!” shprehej ministri në po të njëjtin komision.

Pas Ballës, avokat i Ervin Muçës u bë edhe kryeministri Edi Rama.

 “Është e gjitha një histori e nxjerr dhe e manipuluar nga njerëz që kanë humbur praktikisht pushtetin mbi ato të dhëna në Policinë e Shtetit. Hetimi i brendshëm është kryer I plotë dhe ska asnjë shqetësim. Nuk jam në dijeni të ndonjë deklarate të ndonjë ambasadori i SHBA, sepse s’kemi ambasador amerikanë për momentin në vendin tonë, por nuk jam në dijeni të kësaj dhe nuk e kuptoj pse i dërguari me punë nga SHBA duhet të bëjë një deklaratë të tillë. Me ta kemi komunikim të vazhdueshëm dhe kemi dhënë të gjitha sqarimet dhe ska asgjë. Ajo ngjarja e rëndë ska ndodhur se ska patur as mundësi të ndodhi, në përpjekje për të bërë backup, ka dalë që ska fare back up. Është problem teknik i brendshëm. Ata janë monitoruar hetimi është bërë dhe nuk ekziston”, theksoi Rama gjatë një konference në kryeministri.

Avokatia që i bënë publikisht Ervin Muçës, ngre disa pikëpyetje. A ishte vjedhja e të dhënave të sistemit TIMS një operacion i krimit me pushtet? Pse duhej të përfshihej kryeministri në mbrojtjen e një drejtori që po hetohej nga policia dhe që kishte një precedent në rrjedhjen e të dhënave personale? Cili ishte qëllimi i eksportimit të të dhënave të sistemit TIMS? Hetimi tani është zgjeruar, pasi opozita ka ngritur një komision hetimor për skandalin që përfshiu Ministrinë e Brendshme dhe ku opozita kërkon dëshmi si nga Taulant Balla, ashtu edhe nga Edi Rama./Lapsi.al

“Kokaina bën bashkë shqiptarët dhe arabët në Itali”, gazetarja zbulon detaje nga operacioni kundër grupit kriminal: Ja roli i 3 të arrestuarve në Vlorë

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha dha detaje për operacionin e zhvilluar ditën e djeshme në Shqipëri dhe Itali ku u arrestuan 13 persona, anëtarë të një grupi të trafikut të drogës.

Hoxha u shpreh se pjesë e grupit kriminal, ishin shqiptarë, italianë dhe arabë të cilët merreshin me trafikun e kokainës dhe kanabisit.

“Bëhet fjalë për grup të miksuar jo vetëm me shqiptarë, por edhe italianë dhe arabë të cilët kishin formuar një vatër të shpërndarjes së kokainës dhe kanabisit me qendër në Bologna të Italisë.

Deri tani janë arrestuar 11 persona. Hetimi është kryer nga drejtësia italiane, deri tani janë arrestuar 11 persona.

Aksioni këtu në Shqipëri është organizuar nga policia e shtetit dhe forcat operacionale ndërkohë që në Itali po ekzekutoheshin urdhrat e tjerë të masave të sigurimit “arrest me burg”, – tha Hoxha për emisionin “Breaking” me gazetaren Fiori Dardha në Top News.

Ndër të tjera gazetarja zbuloi se 3 të arrestuarit nga policia shqiptare në Vlorë, Floriant Muho, Ledjon Muho dhe Landi Kalemaj, shërbenin si korrierë të lëndës narkotike që trafikohej nga Italia në vende të tjera të Europës.

“Në Shqipëri kërkohej arrestimi i tre personave që konsiderohen si korrierë të grupit kriminal në fushën e narko-trafikut. Në Itali është sekuestruar 20 kg kokainë”– shtoi gazetarja.

Ndaj tre shqiptarëve të arrestuar në Vlorë, gjykata e Bolognias në Itali kishte caktuar “arrest me burg” nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

Auditimi në institucione/ Raporti i KLSH: 72.3 miliardë lekë dëm! 10 kallëzime në SPAK për shpërdorim detyre dhe shkeljen e barazisë në tendera

KLSH në auditimin e 195 institucioneve shtetërore gjatë 2023-it ka gjetur 72.3 miliardë lekë dëm ekonomik dhe përdorim të fondeve pa efektivitet. Shuma është dyfish më e ulët se një vit më parë, por kjo sipas KLSH, varet nga institucionet që kontrollohen.

Shkeljet që KLSH gjen në institucione ndahen në tri zëra, efektet negative në buxhet ku ky zë është në shumën e 64.9 miliardë lekëve me ulje 30%, nga një vit më parë. Të ardhura të munguara në buxhet për shkak të neglizhencës së tatimeve dhe doganave në vlerën e 2.3 miliardë lekëve, ku ky zë është ulur me gati 10 herë në krahasim me një vit më parë. Dhe zëri më i rëndësishëm është ai i dëmit ekonomik, për të cilin shumë zyrtarë mbajnë edhe përgjegjësi penale. Janë gjetur 5.1 miliardë lekë dëm në buxhet gati pesëfish më shumë se një vit më parë.

Këtë rritje në vlerën e dëmit ekonomik e ka sjellë auditi në shoqërinë “AlbPetrol”, ku 90% e dëmit ekonomik në total është shkaktuar nga kjo kompani publike. Përveç auditeve, KLSH shprehet se ka kallëzuar në SPAK 10 zyrtarë për shpërdorim detyre dhe shkeljen e barazisë në tendera.

Gjithashtu, 24 materiale auditimi janë adresuar Prokurorive pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm për çështje të ndryshme hetimore. Gjatë këtij viti KLSH është ndalur dhe te auditimi i kontratave koncesionare në shëndetësi, ku në atë të hemodializës ka zbuluar se janë kryer rreth 1 milion euro pagesa për shërbime të pakryera, ndërsa te laboratorët ka zbuluar se tavani i vendosur nga koncesionari për kryerjen e analizave ka rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe i ka detyruar të shpenzojnë para te privatët. Dy koncesionet e lidhura me Klodian Allajbeun e Spitalit Amerikan janë lënë jashtë komisionit hetimor në Kuvend.

Nga auditimet e kryera në 49 njësi të vetëqeverisjes vendore ka rezultuar se në vështirësi financiare janë 7 bashki: Dimal, Rrogozhinë, Peqin, Belsh, Vorë, Dibër dhe Kavajë ku ka stok të madh detyrimesh të prapambetura. Ndërkohë, ndalur dhe te skema e pensioneve, institucioni kontrollues më i lartë i shtetit evidentoi se raporti kontribuues/përfitues u përkeqësua vitin e kaluar me 1.7%, pasi pensionistët u rritën me ritme më të shpejta se punonjësit.