15.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Analiza e “The Telegraph”: Tensionet rriten, ja se si policia e Kosovës mbron kufirin me Serbinë

Siguria u rrit ndërsa frika rritet se presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç po planifikon një pushtim të ndihmuar nga aleati i tij Vladimir Putin.

Përpara se policia kosovare të fillojë patrullimin e saj në kufirin me Serbinë, ata e ngarkojnë makinën me armatim: AK-47 janë të ngjitura në pjesët e pasme të ulëseve të veturës, pistoletat i hedhin në pjesën e përparme të ulëseve, te këmbët e tyre, dhe dronët dhe jelekët antiplumb i vendosin në bagazhin e Land Rover-it.

Ky është tani protokoll standard në një nga kufijtë më të paqëndrueshëm në kontinentin evropian, raporton media prestigjioze britanike “The Telegraph”.

Kur njerëzit e pyesin Venton Elshanin, zëvendëskomandantin e policisë në veri të Kosovës, se si është situata, ai thjesht u tregon përgatitjet që bën për patrullë. “I shihni armët?”, tha ai, para se ta dërgonte ekipin e “Telegraph”-it në kufi, “këto janë për t’i mbajtur policët. Situata nuk është e mirë”.

Që kur Kosova fitoi pavarësinë nga Jugosllavia në një luftë që përfundoi në vitin 1999, në pjesën veriore të vendit, që është rajon kufitar, ka mbetur një komunitet i vogël serbësh etnikë. Tensionet me shumicën etnike shqiptare janë rritur së fundmi. Alleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, ka lënë të kuptohet për një pushtim – nacionalistët i kërkojnë atij që të veprojë për të “mbrojtur” serbët e detyruar të jetojnë nën sundimin kosovar.

Frika e një lufte të re u rrit në vitin 2023 kur një grup i armatosur serbë sulmuan përtej kufirit në fshatin verior të Banjskës dhe u barrikaduan në manastirin e tij. Tre nga 30 militantë të dyshuar u vranë në një shkëmbim zjarri. Një nga njerëzit e komandant Elshanit humbi jetën nga shkëmbimi i zjarrit.

Që nga ajo ditë, oficeri dhe ekipi i tij kanë kryer patrulla ditore në rajonin kufitar të dominuar nga serbët, duke kërkuar rrugë të paligjshme për në Serbi të llojit të përdorur nga personat e armatosur në sulmin e tyre.

“Ne i njohim këto rrugë më mirë se kushdo”, tha komandant Elshani për “The Telegraph” ndërsa patrulla përshkoi rrugën e saj nëpër male.

“Serbët nuk mund të bëjnë një rrugë që ne nuk do ta gjejmë”.

Në numërimin e fundit, policia identifikoi 65 rrugë të paligjshme, të cilat të gjitha janë bllokuar.

Edhe 10 rrugë të tjera mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm, kryesisht nëpërmjet dronëve.

Prezenca e vazhdueshme në rajonin me shumicë serbe i dërgon një mesazh Beogradit se Kosova po i mbron kufijtë e saj, tha komandanti Elshani.

“Banjska ndryshoi lojën, e vendosi lojën në një nivel tjetër për shkak të vdekjeve”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.

“Kur gjaku derdhet, atëherë është problem”.

Analistët paralajmërojnë se propaganda e Kremlinit po nxit trazira në veri në një vend ku 93 për qind janë shqiptarë dhe 4 për qind serbë. Shumica e serbëve në Kosovë ende e konsiderojnë Beogradin, i cili kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, si qeverinë e tyre.

Pas rrethimit, autoritetet zbuluan një depo të madhe armësh që sulmuesit kishin fshehur në ndërtesat e papërdorura përreth fshatrave veriore. Vetëm pak javë më parë ata zbuluan pesë raketahedhës të tjerë, një shenjë e shkallës së sulmit të planifikuar.

Në një intervistë për “The Telegraph”, Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, paralajmëroi se presidenti i Serbisë, Alleksander Vuçiq, kishte në plan invadimin pushtonte. Ai tha se Serbia kishte ndërtuar baza operative përpara rreth kufirit në një “formë patkoi” për të “mbrojtur Beogradin dhe sulmuar Kosovën”.

Shpërqendrimi nga lufta në Ukrainë

Bazuar në fjalët e vetë presidentit Vuçiq, Kurti beson se presidenti serb po kërkon kohën e tij për një mundësi për të invaduar.

Miqësia e presidentit Vuçiq me Vlladimir Putinin është e njohur dhe Kurti beson se është në interesin e liderit rus që Serbia të invadojë Kosovën, pasi kjo do të largonte vëmendjen nga lufta e tij në Ukrainë.

Me t’u kthyer nga mali, te Ura e Mitrovicës, e cila përshkon lumin Ibër, flamuri i Serbisë me ngjyrë të kuqe, të bardhë dhe blu valëvitet gjithandej. Dikur kjo urë ishte një “pikë e nxehtë” – një ndarje joformale midis rajonit kufitar verior të Kosovës dhe jugut etnik shqiptar. Gjërat duken paqësore ndërsa këmbësorët ecin lirshëm midis dy anëve.

Por ka një rrymë nën tension. Disa banorë etnikë serbë nga veriu e shohin këdo që kalon në jug si një tradhtar që tradhton plagët e pashëruara nga gjakderdhja e viteve 1990.

Makinat ende nuk lejohen të kalojnë mbi urë, të penguara nga një bllokadë dhe nga prania 24/7 e dy Land Rover-ëve policorë, njëri i parkuar me pamje nga jugu dhe tjetri nga veriu.

Policia tha se këto masa paraprake ishin thelbësore për të ruajtur stabilitetin në zonë.

Thashethemet qarkullojnë se Putini ka rekrutuar serbë për të luftuar në ushtrinë e tij kundër Ukrainës dhe ndërsa “The Telegraph” udhëtonte në veri, solidariteti me Rusinë ishte i gjithëpranishëm.

Shkronja “Z” ishte grafituar në anët e dyqaneve, kafeneve dhe shtëpive lokale.

Kryeministri Kurti tha: “Kjo është pishina nga ku ata [Rusia] do të rekrutojnë paraushtarakë të ardhshëm të Wagner-it për Ukrainën dhe Ballkanin”.

Në një tabelë rrugore, dikush kishte shkruar fjalët “F— You Nato”, një paralajmërim për praninë paqeruajtëse të bllokut të KFOR-it, i cili është stacionuar në Kosovë që nga viti 1999.

Ashtu si policia, ata kryejnë patrulla, duke mbajtur një sy në atë që ata i quajnë si vija kufitare administrative, një shtrirje prej 237 miljesh e tokës që ndan Kosovën dhe Serbinë.

Togeri i parë Caldwell i Gardës Kombëtare të Xhorxhias, i cili përbën kontributin e Amerikës në KFOR, tha se detyra e tyre ishte të zbulonin këdo që synonte të ndiqte veprimtari armiqësore.

Ai theksoi rëndësinë e “prerjes” së rrugëve ilegale për të ndaluar kalimin e kontrabandistëve në Kosovë. Ai tha se edhe shumë të tjera po ndërtoheshin sa herë që ishte e mundur. Për Elshanin, njerëzit e tij janë në stërvitje për sulm.

“Nuk është surprizë që Vuçiqi dëshiron të invadojë”, tha ai. “Ata mund të na qëllojnë, por nuk mund të na trembin”./The Telegraph

Zgjerimi i listës së futbollistëve në “Euro2024”, ja kur do ta marrë vendimin UEFA

UEFA zhvilloi të hënën një seminar me trajnerët e ekipeve kombëtare duke diskutuar për numrin e lojtarëve në Europian. Në faqen e saj zyrtare UEFA shkruan.

“Diskutimet pozitive theksuan këndvështrime të ndryshme midis trajnerëve, me disa që shprehën dëshirën për të rritur numrin e skuadrës, me më shumë zgjedhje në dispozicion për të trajtuar kërcënimin e dëmtimeve. Të tjerë deklaruan preferencën e tyre për të kufizuar numrin e skuadrës në 23, duke vënë në dukje vështirësinë në stërvitje dhe menaxhimin e grupit me lojtarë shtesë.

UEFA ka marrë parasysh opinionet dhe një vendim përfundimtar që do të merret në javët në vijim”, thuhet në komunikatën e institucionit të futbollit.

Asambleja e OKB-së projektrezolutë për gjenocidin në Srebrenicë, ja shtetet qe i janë bashkuar nismës

Disa vende po punojnë në një projektrezolutë për të shpallur 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, sipas një dokumenti që ka parë Zëri i Amerikës.

Ruanda dhe Gjermania po udhëheqin këtë përpjekje, por sipas informacioneve që ka siguruar Zëri i Amerikës, pjesë e kësaj nisme janë edhe Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Bosnja, Kili, Finlanda, Zelanda e Re, Turqia dhe vende të tjera.

Projektrezoluta bazohet pjesërsisht në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 2004, që shpalli 7 prillin Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit për Gjenocidin e vitit 1994 ndaj grupit Tutsi në Ruandë.

Projektrezoluta do të paraqitet në një takim më të gjerë me dyer të mbyllura të vendeve të OKB-së më 17 prill. Në këtë takim hartuesit e projektrezolutës mund të marrin parasysh propozimet e vendeve të tjera anëtare dhe të shohin se çfarë mbështetje mund të presin për nismën e tyre në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila përbëhet nga 193 vende anëtare.

Në tekstin e projektrezolutës, që ka parë Zëri i Amerikës, mes tjerash dënohet çdo përpjekje për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë dhe për të ngritur figurat e atyre, që janë dënuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Ajo gjithashtu thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të vikimave të mbetura të gjenocidit në Srebrenicë dhe vazhdimin e përpjekjeve për të nxjerrë para drejtësisë autorët e këtij krimi.

Projektrezoluta i bënë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres që të krijojë një program të quajtur “Gjenocidi i Srebrenicës dhe OKB-ja”, i cili do të merrej me përgatitjet për organizimin e aktiviteteve për shënimin e 30 vjetorit të Masakrës së Srebrenicës në 2025.

Sipas burimeve të Zërit të Amerikës, Serbia është duke lobuar fortë kundër projektrezolutës.

Më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë.

Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, u dënua më burgim të përjetshëm në vitin 2019 për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës, lidhur me rolin e tij udhëheqës në fushatën e terrorit ndaj popullsisë civile, përfshirë masakrën e Srebrenicës, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore./VOA

Studimi/ Në këtë shtet të Bashkimit Evropian popullsia po plaket me shpejtësi, deri në vitin 2040…

Një studim i fundit tregon se deri në vitin 2040 popullsia e Gjermanisë pritet të rritet me vetëm 0.6%. Njëkohësisht numri i njerëzve në moshë pune pritet të bjerë nën 50% .

Sipas një studimi të publikuar nga Fondacioni Bertelsmann Gjermania pritet të përjetojë deri në vitin 2040 një rritje të lehtë të popullsisë prej 0.6%.

Parashikimi bazohet në të dhënat për lindjet, vdekjet dhe migrimin të ofruara nga Zyra Federale e Statistikave.

Pabarazi gjeografike

Rritja më e madhe e popullsisë pritet në landin jugperëndimor Baden-Württemberg me një rritje prej 4.6%. Popullsia e Berlinit pritet të rritet me 5.8%, dhe Hamburgu, qyteti i dytë më i madh i Gjermanisë, parashikohet të ketë rritje prej 3.5%.

Kurse popullsia në landin lindor Saksoni-Anhalt pritet të ketë një rënie prej 12.3% të popullsisë.

Tkurrje e popullsisë parashikohet edhe në landet lindore të Tyringjisë me 10.9% dhe Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore me 7.3%.

Gjermania po plaket

Ralph Heck, kryetar i Fondacionit Bertelsmann, tha se rritja e numrit të të moshuarve në shoqërinë gjermane është e dukshme pothuajse në të gjitha landet federale.

Sipas studimit përqindja e banorëve të moshës 65 vjeç e lart do të rritet në Gjermani nga 22% në vitin 2020 në 28% në vitin 2040.

Në të njëjtin hark kohor përqindja e njerëzve në moshë pune do të bjerë nga 54 në 48%, ndërkohë që përqindja e grupmoshave më të reja në numrin e përgjithshëm të popullsinë do të mbetet pothuajse e pandryshuar.

“Tani nevojiten strategji të dedikuara për të zhvilluar një infrastrukturë të përshtatshme për brezat e vjetër dhe për të kapërcyer sfidat ekonomike që do të shfaqen”, tha Heck. /DW

Ndikojnë në humorin tuaj gjatë ditës, ja 5 gjëra që nuk duhet t’i bëni kurrë sapo të zgjoheni

Mënyra se si zgjohemi ka një ndikim të rëndësishëm në humorin e gjithë ditës. Nëse zgjohemi keq, humori do të jetë i keq në vazhdim të ditës.

Për rrjedhojë, ndjekja e strategjive të duhura dhe krijimi i një rutine pozitive të zgjimit, ka një ndikim të fortë në rritjen e produktivitetit, uljen e stresit dhe për shëndetin.

Në këtë artikull, do të mësoni për pesë gjërat që nuk duhet të bëni menjëherë pas zgjimit, në mënyrë që dita juaj të jetë sa më e shëndetshme dhe pozitive.

Fikni alarmin

E dimë që disa minuta shtesë në shtrat ngjajnë me parajsën, ose me idenë tonë për të, megjithatë, edhe ai copë gjumë që mund të bëni në pak minuta do ju bëjë më të plogësht e plot nerva.

Vendosni një alarm në një orë që për ju është e pranueshme për tu zgjuar dhe sapo të hapni sytë, çohuni nga krevati.

Nuk shtriqeni

Nëse ju futeni në kategorinë e njerëzve që flenë të mbledhur grusht, atëherë sigurohuni që sapo të zgjoheni të shtriqeni.

Studimet kanë treguar se njerëzit që flenë në këtë pozicion, që njihet si ai i bebes, kanë më pak vetëbesim. Sapo të hapni sytë, çohuni nga krevati dhe shtriquni për një fillim të mbarë të ditës.

Kontrolloni postën elektronike

Në pikëpamjen tuaj, kontrolli i postës elektronike në mëngjes është një mënyrë për të nisur punën.

Megjithatë, hapja e telefonit në mëngjes është shkatërrimtare për lumturinë dhe mund të rrisë nivelet e stresit. Jepini vetes kohë përpara hapjes së telefonit.

Pini kafe

Kafeina ndërhyn në prodhimin e kortizolit në organizën. Ky hormon çlirohet në trup si një reagim kundër stresit apo kur nivelet e sheqerit në gjak rriten. Trupi i njeriut përjeton tre skaje të luhatjes së kortizolit në ditë.

Pirja e kafesë përpara orës 10, mund ta bëjë kafeinën jo efikase për zgjim dhe të ndërhyjë në prodhimin e kortizolit. Është e udhës të prisni për kafen e parë deri paradite.

Rrini gjatë në shtrat

Shtrati është i shtrenjtë, por vetëm për gjumin. Sapo të zgjoheni duhet të çoheni menjëherë nga shtrati.

Nëse ju qëndroni zgjuar në krevat, trupi humbet mesazhin dhe më pas eventualisht do të keni probleme me fjetjen. Ndiqini këto udhëzime për një zgjim të mençur dhe energjik./AgroWeb.org

“Mes vështirësive e sfidave, fuqia e besimit në Zot na mbush me shpresë”/ Kreu i PD-së, Lulzim Basha, uron Fitër Bajramin

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka uruar festën e Fitër Bajramin.

“Mes vështirësive e sfidave, mes sakrificave dhe vuajtjeve, fuqia e besimit në Zot na mbush me shpresë, na jep siguri se e keqja do të mundet, se e nesërmja do të jetë më e mirë.” – shkruan Basha.

Më poshtë urimi i plotë:

Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin, festën e madhe të shpresës dhe besimit!

Mes vështirësive e sfidave, mes sakrificave dhe vuajtjeve, fuqia e besimit në Zot na mbush me shpresë, na jep siguri se e keqja do të mundet, se e nesërmja do të jetë më e mirë.

Zoti ua pranoftë agjërimin e adhurimet e muajit të bekuar të Ramazanit! Gëzuar Fitër Bajramin!

Sot Fitër Bajrami, besimtarët myslimanë falin namazin në Sheshin Skënderbej

Sot është Fitër Bajrami. Besimtarët myslimanë shqiptarë ashtu si në gjithë botën falën Namazin.

Fitër Bajrami është festë e shënuar në kalendarin islam, pasi celebrojnë një muaj pas agjërimit dhe faljes së namazit të teravitëve, traditë e këtij Muaji të Shenjtë. Pas faljes së mëngjesit, rituali vazhdon me prerjen e kurbanit duke vijuar me urimet. Besimtarët myslimanë në kryeqytet falën namazin para Sheshit Skëndërbej në orën 06:55, siç edhe është bërë zakonisht.

Ceremonia, ashtu si çdo vit, u zhvillua me ilahi dhe fjalën e imamëve të pranishëm e më pas, besimtarët drejtohen për në shtëpitë e tyre, ku vijohet me pjesën tjetër të festimeve, ndër to, edhe vizitat në shtëpitë e të afërmve dhe njerëzve të dashur.

Pse festohet Fitër Bajrami

Fiter Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga fakti se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, dhe kështu në këtë mënyrë festojnë së bashku këtë festë. Zoti ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fitër Bajramit, gëzim për myslimanët, ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.

Namazi i Bajramit është obligim i domosdoshëm për çdo mysliman. Muhammedi i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz. Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit. Namazi i Bajramit ka dy rekate dhe dallon prej namazeve tjera për nga mënyra e faljes. Në rekatin e parë pas tekbirit fillestar merren shtatë tekbire, mandej lexohet sureja Fatiha dhe ndonjë sure tjetër. Pas plotësimit të rukusë dhe sexhdesë së rekatit të parë, ngritet për në rekatin e dytë dhe menjëherë merren pesë tekbire pas të cilëve lexohet Fatiha dhe ndonjë sure, më pas shkohet në ruku dhe sexhde e kështu përfundon namazi.

*Gazeta “Rilindja Demokratike” uron të gjithë besimtarët myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin!

Vendimi me detyrim-përcaktim i Gjykatës së Lartë për Berishën

Nga Ervis Iljazaj

Gjykata e Lartë ka dhënë vendimin për Sali Berishën duke lënë në fuqi masën e arrestit në shtëpi. Sali Berisha duhet të gjykohej në gjendje të lirë. Jo vetëm se është një nga politikanët më të rëndësishëm, në mos më i rëndësishmi i tranzicionit shqiptar, jo vetëm se ka qenë ish kryeministër dhe ish president, por edhe si standard drejtësie. Arresti është një masë ekstreme dhe duhet të përdoret vetëm në rastet e duhura. Arresti duhet të jetë një politikë penale sa më e rrallë të jetë e mundur, vetëm në ato raste kur nuk ka rrugezgjidhje tjetër. Por, vendimi i Gjykatës së Lartë sot është një vendim me detyrim-përcaktim.

Në fakt, masa për Berishën ishte detyrim paraqitje. Por refuzimi që i bëri Berisha kësaj mase duke sfiduar hapur organet e drejtësisë, çoi në përkeqësimin e masës. Ajo që bëri Berisha duke mos njohur vendimet e organet e drejtësisë dhe duke refuzuar vendimet e tyre, ishte padyshim një precedent i rrezikshëm. Në këtë kuptim, Gjykata e Lartë nuk mund të legjitimonte një sjellje të tillë, në raport me drejtësinë. Do të ishte një absurditet dhe do të binte i gjithë shteti ligjor dhe kultura juridike e shtet-formimit. Nëse Gjykata e Lartë do të ndryshonte masën nga arrest shtëpie, në gjykim në gjendje të lirë, do të ndërtonte një precedent ku organet e drejtësisë dhe vendimet e saj nepërkëmben dhe nuk zbatohen.

Në thelb, Gjykta e Lartë me këtë vendim ka dhënë një vendim që përcakton qartë se çfarë sjellje duhet të ketë një person, cilido qoftë, me organet e drejtësisë dhe vendimet e saj. Dhe në këtë drejtim, nuk kishte se si të vendoste ndryshe. Ky vendim nuk do të thotë aspak nëse Berisha është i pafajshëm ose i fajshëm. Më së shumti është një vendim që kërkon të vendosë dhe të mbajë reputacionin e drejtësisë në Shqipëri.

Nuk dihet nëse mos zbatimi i masës nga ana e Berishës së detyrimit të paraqitjes ishte një strategji politike, apo këshillë e avokatëve, por koha tregoi se ishte një lëvizje e gabuar. Nëse Sali Berisha do të zbatonte vendimet e drejtësisë sot do të ishte një politikan jo në arrest dhe do të vazhdonte aktivitetin e tij politik normalisht deri në përfundimin e procesit. Por ambicia për të fituar çdo gjë, me sa duket do të bëjë që të humbasë dhe aktivitetin politik dhe betejën juridike.

Që momentin e parë qasja që Berisha kishte ndaj SPAK dhe procesit ndaj tij ishte refuzuese dhe sfiduese. Me idenë e forcës politike se mund të sfidonte organet e reja të drejtësisë, Berisha me të gjitha gjasat mendoi se mund të fitonte gjithçka dhe të dilte triumfues. Por kohët kanë ndryshuar, organet e reja të drejtësisë kanë ndryshuar gjithashtu. Sot fuqia politike nuk e mposht dot drejtësinë ashtu siç jemi mësuar në këto 34 vite tranzicion. Këtë gjë e demostrojnë hetimet për korrupsion që po zhvillohen ndaj njerëzve me pushtet në Shqipëri. Duan apo s’duan, kushdo qoftë nga politika shqiptare nëse thirret nga organet e drejtësisë do të duhet të paraqitet përpara tyre. Në të kundërt, veçse e rëndojnë pozitën e tyre juridike./ Liberale.al

Nga mandati i Olta Xhaçkës te influenca ruse, zbardhet rendi i seancës plenare për të enjten

Debate të forta priten këtë të enjte në seancën plenarë të Kuvendit të Shqipërisë teksa në rendin e ditës që vendosur projekt-vendimi për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka me propozim të Rithemelimit.

Me parlament shkon raporti i opozitës dhe mazhorancës, shumicës dhe pakicës.

Në seancën e 11 prillit shkon për votim edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm për influencën ruse, ndryshe komisioni “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.

Komisioni ka objekt të veprimtarisë së tij të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike përmes një sërë formash, duke përfshirë mediet dhe rrjetet sociale, mbështetjen financiare të aktorëve publikë dhe të shoqërisë civile.

Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, që përfaqësojnë të gjitha grupet parlamentare dhe drejtohet nga përfaqësuesi i shumicës parlamentare.

Nevoja urgjente për të mbrojtur qytetarët nga shitja e hiçit

Nga Klodian Tomorri

Një njeri me NIPT hap fjalë se po merr leje për një projekt ndërtimi. Mjafton vetëm kaq dhe fillon të arkëtojë para nga qytetarë, të cilët nxitojnë të prenotojnë banesa për të përfituar çmime okazion.

Shitja e banesave pa filluan ende puna në kantier është një fenomen, që po përhapet me ritme të frikshme së fundmi. Nëse kësaj i shton dhe zgjerimin e pandalshëm të sektorit të ndërtimit, përfundimi është i qartë. Qytetarët shqiptarë po ekspozohen masivisht para riskut të mashtrimit.

Në të gjithë këtë marrëzi, ka një pyetje që lind natyrshëm. Çfarë ndodh me qytetarët nëse dikush që ka arkëtuar paratë e tyre duke u shitur ajrin, zhduket? Ose e lë në mes pallatin? Ligjërisht asgjë. Sot Shqipëria nuk ka asnjë ligj, që të mbrojë qytetarin nga mashtrimi. Ndaj kjo ndërhyrje është bërë e domosdoshme dhe urgjente.

Shqipëria nuk ka nevojë të shpikë apo të bëjë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Mjafton të kopjojë modelet e vendeve të tjera. Disa prej tyre kanë të sanksionuar me ligj se ndërtuesi nuk mund të përdorë asnjë qindarkë nga paratë e arkëtuara për një projekt banimi në aktivitete të tjera, pa mbyllur më parë detyrimet kontraktuale për përfundimin e objektit.

Të tjerë, si Maqedonia e Veriut i detyrojnë kompanitë e ndërtimit që të ngrijnë në një llogari të posaçme escroë, të paktën 20 për qind të arkëtimeve nga prenotimet e apartamenteve.

Masat që mbrojnë qytetarët nga mashtrimi i shitjes së hiçit nuk kanë dalë nga hiçi. Por kanë ardhur pas eksperiencave të dhimbshme. Sot Shqipëria rrezikon shumë të përballet me të tilla eksperienca.

Zgjerimi i pandalshëm i ndërtimit dhe shitjet e ajrit nuk janë faktorët e vetëm të riskut. Ka dhe një faktor tjetër, por aq shqetësues. Ky është ai që ka të bëjë me stofin e investitorëve në ndërtim.

Nëse deri pak vite më parë, kompanitë e ndërtimit në Shqipëri numëroheshin me gishtat e dorës dhe ishin aktorë të besuar në treg, tani në këtë sektor mund të gjesh çfarëdo. Banditë, trafikantë, mashtrues dhe kontigjente të tjera nga bota e krimit. Mjafton vetëm një NIPT.

Përtej kësaj, janë dhe investitorët nga jashtë. Supozoni vetëm një moment skenarin e një investitori të huaj që shet ajër në Shqipëri dhe pasi ka transferuar paratë jashtë vendos të largohet edhe vet. Çfarë e pengon për shembull Mohammed Alabbarin ta bëjë këtë? Pra, që pasi ka shitur ajër pa leje ndërtimi në Durrës, të largohet së bashku me paratë e qytetarëve.

Dikush dhe qeveria mund të thonë se zoti Alabbar është një nga investitorët më seriozë në botë në këtë sektor. Kjo mund të jetë e vërtetë. Por shteti nuk i mbron qytetarët me emrin e mirë. Sepse po të ishte ashtu, ndërtuesi më i madh sot në botë duhet të ishte Papa i Romës.

Qeveritë i mbrojnë qytetarët e tyre me ligje. Nëse ato rrinë duarkryq kur risqet formësohen, atëherë fatura që vjen pas është e rëndë. Dhe sot në sektorin e ndërtimit risqet po ndërtohen me shpejtësi. Shitje në ajër, investitorë të huaj, banditë dhe të fortë me leje ndërtimi. Ky është terreni pjellor i hatasë./ Kapitali.al