31.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Ujërat e zeza mbulojnë mozaikun e Durrësit, institucionet bëjnë ping-pong

Mozaiku i zbuluar në kantierin e ndërtimit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti’’ në Durrës është mbuluar nga ujërat e zeza. Si pasojë e këtij zbulimi të rrallë arkeologjik në tetor të vitit 2023, u pezulluan punimet për rindërtimin e gjimnazit që po kryhej në kuadër të programit EU4Schools financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP.

Dyshohet se shkak për përmbytjen e mozaikut është bërë çarja e tubacioneve të ujrave të zeza. Ndonëse një pasuri e rrallë rrezikohen të dëmtohet seriozisht, institucionet ia pasojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit për gjendjen aktuale të mozaikut, duke e lënë fajin jetim.

“Është përgjegjësi e ujësjellësit, nuk varet nga Bashkia, pjesa tjetër i takon firmës që është kontraktuar dhe që ka lidhje direkt me Institutin Arkeologjik në Tiranë”- shprehen përfaqësues të Bashkisë Durrës.

Citizens kontaktoi Ujësjellës–Kanalizime në Durrës, të cilët ia kaluan përgjegjësinë kompanisë së ndërtimit Dion–Al, e cila është e kontraktuar për rindërtimin e shkollës.

“Firma e ka pranuar përgjegjësinë dhe është dakort të bëhet nga e para, por shërbimi arkeologjik nuk lejon të bëhen punimet” – tha për Citizens Aleks Kalemasi nga shërbimi i Ujësjellës – Kanalizime.

Ai shton se dje janë dërguar autobotet e ujësjellësit për të thithur ujërat e zeza që kanë rrjedhur, si një zgjidhje emergjente provizore.

Vetë firma e ndërtimit nuk dha një përgjigje të qartë nëse ishte apo jo përgjegjëse për dëmtimin e tubacionit, por tha se e kishte adresuar çështjen pranë autoriteteve.

“Ne e kemi pezulluar punën aty për shkak të gjetjes së Mozaikut dhe duke qenë se puna është pezulluar neve e drejtuam çështjen tek institucioni përkatës, UNDP“ – analizoi për Citizens një përfaqësues i firmës së ndërtimit Dion – Al.

Nga ana tjetër, më 23 shkurt 2024 Bashkia e Durrësit hapi tenderin për “Gërmime arkeologjike i mozaikut dhe rrënojave të tjera antike në shkollën e mesme Gjergj Kastrioti” me vlerë 13.8 milionë, i fituar nga operatori ekonomikë Luan Përzhita. Ky tender është shënuar me flamur të kuq nga Open Data, simbol i mungesës së konkurrencës.

Sipas urbanistit Artan Kacani problemi i ujërave të zeza dhe kanalizimeve në zonën Kodër – Vilë është më makro.

“Nëse do ti referohemi VKM – ve të ndryshme të shtetit, nga vitet 90 do kuptojmë që është një zonë e ndaluar për lejet ndërtimore, për vetë faktin se kemi tokë argjiloze. Tokë argjiloze që bashkohet me ujërat dhe në kohën e verës kjo do të kalojë në gjendje gangrene ose mpiksje tubacionesh dhe kjo gjë do të përkthehet për shëndetin publik të banorëve”- thekson ai.

Kacani analizon se nëse i referohemi dëmit territorial nga Kodra duke lëvizur deri në pjesën më të poshtme do të kuptojmë që kemi vatra të ndryshme të ndotjes së ujërave të zeza të cilat nuk janë të bashkuara me njëra – tjetrën, por përputhen më pas dhe japin një dëm të përgjithshëm.

“Nëse duam të flasim për një model evropian , si p.sh. modeli i financimit të një shkolle, si Gjergj Kastrioti, atëherë duhet të mendojmë për mënyra më efikase të infrastrukturës të kullimit të ujërave të zeza, gjë që mungon te zona e Kodër – Vilës”- përfundon ai.

Mozaiku i gjetur përpara pak muajsh është i përbërë nga gurë ngjyrë blu të errët dhe të bardhë ku paraqiten figura gjeometrike dhe floreale. I përket fundit të shekullit të I dhe fillimit të shekullit të II dhe është pjesë e një vile luksoze që ndodhej pranë amfiteatrit të Durrësit. Përveç mozaikut është zbuluar edhe një pjesë muri tre metër e lartë në anën lindore si dhe disa objekte të tjera./Citizens

“Nuk çon deputetët në komisione dhe pse u bë marrëveshja”- Analisti Baçi: Opozita duhet të gjejë zgjidhje për ta zvogëluar fuqinë e Ramës

Analisti Agim Baçi ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke thënë se opozita dhe mazhoranca bënë marrëveshje, por kjo e fundit nuk zbatohet nga Rama, për të cilin thotë se nuk çon deputetët në Komisionet Hetimore.

I ftuar në emisionin ‘Open’ në News24, ai tha se opozita duhet të gjejë zgjidhje për ta zvogëluar fuqinë e Ramës, ndërsa thekson se kryeministri nuk ndalet duke synuar të marrë çdo lloj domeni, të opozitës dhe shoqërisë civile.

“Është tallje dhe unë Ramës nuk i besoj fare! Nuk e ka shpikur Rama, është një shkollë e përhershme. Autokracia që ka ndërtuar Rama janë pushtete të tilla që duan zgjerim të përhershëm sepse nuk ndihen të sigurt në asgjë. Janë si diktaturat që ndjekin narrativen e grupit armiqësor. E ka bërë edhe Berisha kur ka qenë në pushtet, të zvogëlojë kundërshtarin dhe ta përçajë, Rama e ka këtë.

Unë jam kundër kësaj politike sepse ne nuk i zgjedhim për të përça kundërshtarin, por për të ndërtuar këtë vend. Opozita duhet të gjejë zgjidhje për ta zvogëluar këtë fuqi të Ramës dhe gjërat që na bashkojnë janë shumë më të mëdha. Ajo që mua më trishtoi është se u ule të bësh një marrëveshje dhe pas dy javësh të mos çosh deputetët. I dha komisione, e shkele në mënyrë të hapur Kushtetutën. Të gjitha raportet ndërkombëtare thonë se Parlamenti e ka humbur funksionin pasi nuk e kontrollon kryeministrin.

Mendon që çdo njeri është jashtë ti si në diktaturë kur Enveri thoshte e ka bërë Mehmeti në kokën e vet dhe nuk mbaj përgjegjësi politike. Ai nuk ndalet sepse synon të marrë çdo lloj domeni, atë të opozitës, të shoqërisë civile. A keni parë shoqëri civile sot? Në kohën e Berishës protestonte edhe për gardhin e hekurit atje. Tani nuk ka sepse lloji i pushtetit të Ramës nuk lejon asgjë tjetër. Pas arritjes së marrëveshjes, për mua është qetësi e gënjeshtër. Ishte më reale protesta duke u përballur”, tha Baçi

Eksportoi bazën e të dhënave të TIMS, arrestohet drejtori i IT në Policinë e Shtetit

Prokuroria e Tiranës ka vënë zyrtarisht nën akuzë, Ervin Muçën, Drejtuesi i Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit.

Ndaj tij, prokuroria e kryeqytetit ka kërkuar masën e sigurisë së “arrestit në shtëpi” dhe pezullim nga detyra, për ndërhyrje të paligjshme në sistem, duke kopjuar bazën e të dhënave në mënyrë të paautorizuar. Muça ka ndërhyrë në sistem më 2 gusht të vitit 2023, në orët e natës, duke hyrë në sistem me të dhënat e një tjetër punonjësi.

Ndërhyrja në sitëm solli një reagim të fortë të ambasadës amerikane në Tiranë dhe më pas detyroi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke bërë një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës për ndërhyrjen në sistemin TIMS, për “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërhyrje e pa autorizuar”.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237, 242 të Kodit të Procedurës Penale për shtetasin Ervin Muça, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

Drejtoria e Pergjithshme e Policisë së Shtetit ka referuar materialin procedural regjistruar me nr. 9866, datë 01.09.2023 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, si dhe

“Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 192/b të Kodit Penal. Po kështu, me shkresën nr. 2482 prot, datë 08.08.2023 Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka përcjellë material hetimor, protokolluar me nr. 10898, datë 08.08.2023, për vlerësim dhe është regjistruar procedimi penal nr. 5404, datë 01.09.2023.
Në vijueshmëri të hetimit, shtetasi E. M. është marrë person nën hetim, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike”, parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal.

Në mënyrë të përmbledhur nga hetimi i procedimit penal rezulton se, në datën 02.08.2023 në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, E.M. Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin.

Hetimi i këtij procedimi penal është shtrirë në pyetjen e tërë personazheve të përfshirë në ditën e ngjarjes, por njëkohësisht edhe në kryerjen e ekspertimeve përkatëse. Në vijim të procesit hetimor, janë kryer verifikime mbi vërtetimin e besueshmerisë së personit nën hetim E. M., në raport me pozicionin e tij Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin.

Personi nën hetim, sipas shkresës nr. 3041/1 prot, datë 08.01.2024 të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, rezulton se në datë 23.10.2007 në Itali është raportuar si përgjegjes për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë. Në datë 09.09.2008 shtetasit E. M. i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari.

Nga hetimi procedimit penal ndërmjet të tjerash, rezulton se personi nën hetim është këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e shtetit. Ligji për policinë e shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies. Personi nën hetim E. M. nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin e DTI në policinë e shtetit.

Beogradi duhet të zgjedhë mes Perëndimit dhe Rusisë

Paul Williams, profesor i Universitetit Amerikan në Uashington dhe ekspert i së drejtës ndërkombëtare, beson se vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar votimet për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës, bie ndesh me interesat e qytetarëve serbë në Kosovë. Prof. Williams vlerëson se procesi i normalizimit ka ngecur sepse Serbia refuzon faktin që Kosova është e pavarur dhe shkakton provokime dhe pengesa, përfshirë së fundmi përpjekjet për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Prof. Williams, thotë se amerikanët dhe evropianët duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë se duhet të zgjedhë mes Perëndimit dhe Rusisë. 25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s prof. Williams, i cili ishte këshilltar për delegacionin e Kosovës në Rambuje, në bisedën me kolegen Keida Kostreci, e cilëson Kosovën një histori të madhe suksesi, pasi me atë ndërhyrje u ndërprenë mizoritë dhe u shpëtua e ardhmja e saj, por edhe sepse SHBA mësoi vlerën e ndërhyrjes humanitare dhe mbrojtjes së aleatëve dhe miqve të saj.

Zëri i Amerikës: Profesor Williams, Lista Serbe vendosi të mos marrë pjesë në votimet për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kritikuan këtë vendim. Cili është mendimi juaj për këtë qëndrim nga ana e subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës?

Paul Williams: Është një zhgënjim i vërtetë që Lista Serbe ka vendosur sërish të bojkotojë votimet. Ka kaluar një çerek shekulli tashmë që Kosova ka qenë e pavarur dhe në rrugëtimin drejt demokracisë, funksionimit të shtetit ligjor. Dhe kjo taktikë e bojkotimit të votimeve demokratike nuk është një mënyrë serioze për të mbrojtur interesat e shtetasve serbë të Kosovës. Kosova ka demonstruar aftësitë e saj për t’iu përmbajtur shtetit ligjor, për të patur zgjedhje demokratike. Sinqerisht ka ardhur koha që drejtuesit e serbëve në Kosovë ta përqafojnë plotësisht demokracinë, ashtu siç angazhohen të gjithë të tjerët në

Zëri i Amerikës: Ky është vetëm ndërlikimi i fundit që nuk është i lidhur vetëm me veriun, por në përgjithësi me procesin e ngecur të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Në fakt, i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, duke komentuar mbi këtë proces tha se palët nuk janë të gatshme për normalizim. Çfarë faktorësh ndikojnë sipas jush tek kjo mungesë vullneti për të respektuar marrëveshjet e vitit të kaluar dhe për të ecur përpara me normalizimin?

Paul Williams: Mendoj se është e rëndësishme të mos ndiqet versioni i Bashkimit Evropian apo i Serbisë, sipas të cilit të dyja palët janë përgjegjëse, se është një ngurrim i dyanshëm. Sinqerisht, sa herë bëhet përparim drejt normalizimit, Serbia do ta ngacmojë Kosovën, ose do të krijojë një provokim në mënyrë që të mund të thotë ‘shikoni, qeveria kosovare nuk është dhe aq e interesuar për këtë normalizim siç jemi ne’. Mendoj se Serbia nuk ka arritur ta kuptojë se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë, se është një vend i pavarur dhe në rrugëtimin drejt Evropës. Serbia nuk ka vendosur ende nëse po shkon drejt Evropës apo drejt Rusisë dhe mendoj se vazhdon të mbahet pas Kosovës si diçka që mund ta përdorë për të tërhequr vëmendjen nga pozicioni i saj në Evropë. Kosova ka bërë gjithçka që i është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, për t’u demokratizuar, për t’u reformuar ekonomikisht, për të qenë një aleate e mirë e Perëndimit. Ka ardhur koha për amerikanët dhe evropianët që ta mbështesin plotësisht iniciativën politike të Kosovës dhe t’ia bëjnë të ditur Serbisë se tani është koha për të vendosur: Perëndimin apo Lindjen? Nëse Serbia shkon drejt Lindjes, s’ka problem. E shohim se çfarë u ka ndodhur atyre që e kanë ia kanë bashkangjitur të ardhmen e tyre Rusisë. Nuk u ka dalë dhe aq mirë.

Zëri i Amerikës: Nga ana tjetër, disa nga veprimet e qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti janë kritikuar si jokonstruktive, si çështja e dinarit apo më herët ajo e targave, dhe kanë bërë që zyrtarët e lartë amerikanë të shprehin zhgënjim. Mendoni se kritikat dhe paralajmërimet e tyre se me këto veprime rrezikohet partneriteti, janë të justifikuara?

Paul Williams: Unë e shoh nga perspektiva e ligjit ndërkombëtar. Janë 216 vende në mbarë globin. Kosova është një ndër to. Cilat janë të drejtat, privilegjet dhe detyrimet e tyre? Janë sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësia politike. Nga pikëpamja ligjore, qeveria e Kosovës ka të drejtën e plotë të vendosë se cilat monedha janë të pranueshme, brenda juridiksionit të saj. Sigurisht që mundet ta bëjë këtë në një mënyrë të rafinuar, por është krejtësisht e arsyeshme t’u kërkosh shtetasve në territorin tënd që të përdorin targat e tua, të përdorin monedhën tënde dhe të zbatojnë ligjet e vendit tënd. Dhe nuk është krejtësisht e përshtatshme për evropianët dhe amerikanët që të mpakin disi sovranitetin e Kosovës, duke thënë se ‘në 90% të territorit tënd, për 95% të popullsisë tënde, rregullat vlejnë, por ka një përjashtim për këtë territorin tjetër’. E kemi parë se çfarë ka ndodhur në Bosnjë, me Republikën Srpska. Çfarëdolloj pranimi i interesave të Republikës Srpska sjell më shumë ndasi dhe përçarje brenda Bosnjës. Mendoj se Kosova është shumë e mençur që mendon se ‘nuk na duhet një Republikë Srpska në Kosovë, na duhet një vend i plotë’. Duhet ta keni parasysh se unë nuk do t’i thoja këto nëse Kosova nuk do të kishte bërë përparimin që ka bërë për shtetin ligjor, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracinë. Nëse do të kishte një tjetër lloj regjimi, atëherë mund të kishte ndonjë pikëpyetje për këtë, por në 25 vite Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm, sipas standardeve që ne në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore përdorim për të vlerësuar vendet.

Zëri i Amerikës: Argumentet e tyre janë se ka disa veprime që mund të shmangen për të mos përkeqësuar një proces që ata mendojnë se mund të arrijë rezultat. Si do t’u përgjigjeshit këtyre argumentave?

Paul Williams: Mendoj se fatkeqësisht një ndër kapitujt kryesorë në librin e rregullave diplomatike është akomodimi i agresorit. Në këtë rast, Serbia ishte një agresore ushtarakisht një çerek shekulli më parë, por edhe agresore politike. Pa dashur t’i ngatërroj gjërat, por ne e pamë se çfarë ndodhi në vitin 2014 kur Perëndimi akomodoi aktivitetet dhe agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe solli luftën që kemi tani. Nuk jma dakord me nocionin që pala më e dobët, ose aleati apo miku ynë, të mos i përgjigjet provokimeve të shtetit agresor. Mendoj se kemi mësuar se kur një vend përpiqet të ngacmojë një vend tjetër, jo vetëm që ky i fundit duhet të mbrojë të drejtat dhe privilegjet e tij, por atë duhet ta mbështesin edhe aleatët, dhe jo të përpiqen të minimizojnë reagimin e tij. Mendoj se i kemi parë pasojat, kur nuk i kemi mbështetur aleatët kur i janë kundërvënë agresionit politik, apo edhe agresionit ushtarak. Dhe këto pasoja nuk janë të mira.

Zëri i Amerikës: Por ju keni ndërmjetësuar negociata mes palëve në vende të ndryshme për një kohë të gjatë. A nuk janë fleksibiliteti dhe lëshimet nga të dyja palët, një nga elementët për sukses?

Paul Williams: Nëse palët negociojnë me vullnet të mirë dhe përpiqen t’u përgjigjen interesave të njëri-tjetrit, atëherë po, njëra palë nga një pozicion, pala tjetër ka një pozicion të saj. Japin dhe marrin për të mësuar se si mund të plotësohen interesat e tyre. Por, kjo është një përqasje tradicionale për negocime tregtare, apo negociata ku miq dhe aleatë kanë një mosmarrëveshje. Në këtë situatë, Serbia nuk ka pranuar se si rezultat i krimeve të saj mizore, Kosova, tashmë e veçuar nga Serbia, u bë një vend i pavarur dhe që njihet nga Perëndimi. Dhe se ka një numër serbësh që jetojnë në Kosovë dhe që janë shtetas të Kosovës. Ata nuk janë shtetas të Republikës së Serbisë. Kosovës nuk i duhet bërë asnjë lloj presioni që të shkëpusë shtetasit serbë të Kosovës nga shteti i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Një nga çështjet më të mprehta, nëse jo më e mprehta është Asociacioni i Komunave Serbe, për të cilin Perëndimi, SHBA dhe BE thonë se Kosova nuk po tregon gatishmëri për ta zbatuar, megjithëse ka nënshkruar marrëveshje. Kosova druhet se zbatimi i saj do sillte përsëritjen e një skenari si ai i Bosnjës. Si e shihni ju këtë çështje?

Paul Williams: Mendoj se Kosova ka nxjerrë mësim nga historia. Kur ne punojmë me klientët tanë për negocimet, ne gjithmonë flasim për krahasime me praktike të ngjashme shtetërore, për çfarë u ka ndodhur vendeve të tjera. Kosovës i duhet t’i hedhë sytë vetëm 100 milje pranë për të parë se çfarë ka ndodhur me Marrëveshjet e Dejtonit. Në teori, marrëveshjet ishin ndërtuar për të bashkuar Bosnjën. Presidenti Milosheviç dhe të tjerë këmbëngulnin për një Republikë Srpska, dhe ishte një lloj përqasje e butë, në mënyrë që anëtarët serbë të Bosnjës të kishin komunitetin e tyre dhe një grupim. Ata e kanë përdorur këtë për të dëmtuar sovranitetin dhe sinqerisht integritetin territorial të Bosnjës për këto 25 vitet e fundit. Pra, Kosova i shikon këto dhe ka shumë dyshime për këtë asocacion, se mund të jetë një kalë troje. Në teori, tingëllon mirë, dhe nëse komuniteti ndërkombëtar do të kishte shprehur angazhimin për ta mbajtur si një asocacion, ku do të kishte koordinim për arsimin, kulturën, gjuhën, si një bashkëpunim financiar, atëherë do të ishte në rregull. Por shpesh shitet si një përqasje e butë, se është një koordinim, se është një asocacion. Dhe realisht shndërrohet në një entitet politik, që mund të përdoret për të dëmtuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Pra Kosova ka rënë dakord për asocacionin, por u nevojiten garanci të hekurta se nuk do të përdoret për të dëmtuar sovranitetin e saj. Mund të thoni që t’i besojmë fjalës së Serbisë, por kemi Bosnjën si një shembull të asaj që kanë bërë me këtë lloj asocacioni, apo identiteti politik.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Asociacioni nuk do të cenonte integritetin dhe autoritetin e Kosovës dhe do të ishte në përputhje me Kushtetutën e saj. Pse të mos pranohet një garanci e tillë?

Paul Williams: Në teori ndoshta nuk do ta cënonte, por në realitet, dhe bazuar në praktika të mëparshme shtetërore, mund të shfrytëzohej si një platformë, nëse nuk do të ishin këto garanci të hekurta. Unë isha me boshnjakët si këshilltar i tyre në Dejton dhe më pas me kosovarët si këshilltar i tyre në Rambuje dhe dëgjuam versionin se Republika Srpska, Federata do të funksiononin. Se ishin thjesht të përkohshme. Se na duhej ta rindërtonim dhe bashkonim Bosnjën. Por, e kemi parë se si ka dalë realisht në praktikë. Pra fjalët në letër mund të duken në rregull, por është e rëndësishme të jesh shumë skeptik. Sërish mund të shkohet përpara me asocacionin, por mund të ketë dokumente të tjera qartësimi ose deklarimi të synimeve. Nuk ka asnjë arsye përse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të thonë se, nëse kjo është e padëmshme, mund të bëjnë një marrëveshje dypalëshe me Kosovën, ku të artikulohet qartazi botëkuptimi i Shteteve të Bashkuara i kësaj marrëveshjeje për asocacionin, apo i evropianëve, dhe që i angazhon Shtetet e Bashkuara për ndërmarrjen e masave të caktuara, në rast se nuk do të zhvillohet ashtu siç është thënë.

Zëri i Amerikës: Nga ana tjetër, Presidenti Aleksandar Vuçiç nuk po i plotëson detyrimet e palës serbe. Treguesi më i fundit është përpjekja për të bërë gjithçka për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropian, megjithëse sipas marrëveshjeve të vitit të kaluar, të dyja palët nuk duhet të pengojnë integrimin e njëra-tjetrës. Si do t’i karakterizonit këto veprime?

Paul Williams: Mendoj se këto veprime heqin të gjitha dyshimet apo paqartësitë për përqasjen e Serbisë ndaj Kosovës. Këshilli i Evropës ofron mundësinë që popullsia e Kosovës, qofshin shqiptarë apo serbë, apo të tjerë, të mund të sjellin çështjet e tyre të të drejtave të njeriut tek Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Është një mënyrë për të qenë pjesë e komunitetit evropian të vendeve, pra vendeve të tjera që janë të përkushtuara ndaj demokracisë dhe shtetit ligjor. Pra lind pikëpyetja se përse Serbia kundërshton praninë e Kosovës në Këshillin e Evropës, që në fakt do të ndihmonte për të mbështetur dhe mbrojtur të drejtat e njeriut të popullsisë serbe në Kosovë. Serbia është thjesht e interesuar që t’i kundërvihet Kosovës dhe të gjejë mënyra për të dëmtuar pavarësinë e saj politike, dhe ka ardhur koha për evropianët dhe amerikanët ta kuptojnë bllofin e Serbisë dhe ta marrin seriozisht zgjidhjen e kësaj çështjeje mes Serbisë dhe Kosovës.

Zëri i Amerikës: Trysnia e shtuar për të zgjidhur këtë çështje, nuk mund të shihet jashtë kontekstit të luftës në Ukrainë dhe përpjekjeve që Serbia të mos rreshtohet krah Rusisë por të shikojë nga Perëndimi, apo jo?

Paul Williams: Perëndimi është përpjekur tashmë prej tre dekadash për ta tërhequr Serbinë brenda kampit perëndimor. Serbisë i duhet Perëndimi. Perëndimit nuk i duhet Serbia. Serbia e shikon të ardhmen e saj, dhe ka qenë gjithnjë e qartë për këtë, të lidhur me Rusinë. Dhe nëse e shikoni statusin e Rusisë, për momentin po humbasin ose janë në ngërç përballë një vendi që ka qenë ish-republikë e Bashkimit Sovjetik dhe është sa një çereku i përmasave të saj, ka një të katërtën e prodhimit të saj ekonomik. Rusia është realisht një tigër prej letre. E ardhmja e Evropës, lindje apo perëndim sido që të dëshironi ta përkufizoni, nuk gjendet në duart e Rusisë. Është në duart e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Nëse Amerika dëshiron të ngrejë shpatullat dhe ta lërë Serbinë të ndjekë fatin e saj, kjo është në rregull. Ajo çfarë kemi mësuar nga konflikti në Ukrainë është se duhet të investohemi edhe më shumë tek marrëdhënia me aleatët tanë, pasi kështu mund të kemi ndikim tek rendi global dhe ta mbajmë botën të sigurtë, jo duke akomoduar dhe kënaqur armiqtë, apo ata që janë të pavendosur, si Serbia.

Zëri i Amerikës: Presidenti Vladimir Putin ka paraqitur si precedent ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke vendosur një paralele mes tij dhe agresionit rus në Ukrainë. Si e shihni këtë retorikë?

Paul Williams: Putini ka një histori të gjatë të shtrembërimit të historisë, ligjit dhe precedentëve. Serbia kishte kryer krime mizore në Kroaci, kishte kryer krime mizore dhe gjenocid në Bosnje dhe po kryente krime mizore në Kosovë. Zgjidhja e Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës ishte pavarësia. Nëse je pjesë e një territori, një vendi që po përpiqet të vrasë njerëzit e vet, ke të drejtën të shkëputesh dhe të bëhesh i pavarur, për të mbrojtur popullin tuaj. Asnjë nga këto fakte nuk vlen për situatën e Ukrainës. Ukraina ishte demokratike, e bazuar në shtetin ligjor, me orientim evropian. Putini thjesht nuk donte që Ukraina të rreshtohej në krah të Perëndimin dhe kështu ai vendosi që fillimisht të të merrte një pjesë të territorit Krimenë dhe Donbasin. Perëndimi nuk bëri asgjë dhe ai vendosi të hyjë për të marrë gjithçka. Fatmirësisht, ukrainasit iu kundërvunë, në këtë rast të mbështetur nga amerikanët dhe evropianët, dhe ata kanë qenë në gjendje ta ndalin dhe në një farë mase ta frenojnë atë agresion, por nuk ka asnjë paralele mes asaj që bëri komuniteti ndërkombëtar për të mbrojtur popullin e Kosovës nga Serbia, që mund të thuash që ishte një regjim gjenocidal, bazuar tek ajo që kishin bërë në Bosnje. Nuk ka krahasim me atë që po bën Rusia. Përkundrazi, siç po e shohim me akt-padinë ndaj Putinit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, rusët kanë kryer krime, mizori kundër popullit të Ukrainës. Pra, ata janë më shumë në pozitën që ishte Serbia.

Zëri i Amerikës: Presidenti Vuçiç po përpiqet gjithashtu të ndalojë një rezolutë të OKB-së muajin e ardhshëm, që do ta quante gjenocid atë që bëri Serbia në Bosnjë. Si e shihni këtë përpjekje të tij për një dokument që nuk do të kishte fuqi detyruese?

Paul Williams: Sepse politikat që ndoqi Millosheviçi, dhe agresioni territorial në Kroaci, gjenocidi kundër Bosnjës dhe krimet mizore ndaj Kosovës, kanë ende gjurmë të thella në qeverinë e Vuçiçit. Nëse do të kishte pasur një tranzicion të vërtetë demokratik, po të kishte ndodhur një transformim i regjimit serb, pushtetit serb, atëherë nuk do t’i shqetësonte një nismë e tillë. Shumë vende që kanë qenë në situata ku udhëheqësit e mëparshëm kanë kryer krime mizore ose gjenocid janë të gatshëm ta pranojnë atë dhe të gatshëm të thonë po, kjo është e kaluara. Tani kemi kthyer një faqe dhe jemi një qeveri e re. Por Serbia ende nuk është shkëputur nga periudha e Millosheviçit. Dhe kjo është arsyeja pse janë shumë kundër njohjes së faktit që regjimi i Millosheviçit kreu gjenocid në Bosnje, dhe mendoj se është e rëndësishme që vendim-marrësit e sotëm të jenë të vetëdijshëm për këtë. Nëse ata ndjekin të njëjtin skenar të akomodimit si 30 vjet më parë dhe u bëjnë presion miqve dhe aleatëve tanë, do të kenë të njëjtat rezultate, do të kenë një proces të dështuar.

Zëri i Amerikës: Kanë kaluar 25 vjet nga ndërhyrja e udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë për shkak të kundërshtimit nga ana e Milosheviçit që të nënshkruante një marrëveshje që do t’i jepte autonomi Kosovës. Si dikush që ishte i përfshirë në negociatat e Rambujesë, si e shihni sot atë vendim dhe si e shihni situatën sot?

Paul Williams: Sot flasim për marrëveshjen për asocacionin, bojkotim zgjedhjesh dhe targat e makinave. Mendoj se nëse shkëputemi pak dhe shohim se ku ishte situata 25 vite më parë, ishte shumë e tmerrshme për popullin e Kosovës. Ishte shumë e tmerrshme për sigurinë në Evropë. Bashkimi Evropian mezi ia doli mbanë gjatë luftës në Bosnjë; OKB-ja u delegjitimua me dështimin e misionit UNPROFOR, forcat mbrojtëse të OKB-së në Bosnjë, dhe 2 milionë njerëzit e Kosovës shumë prej të cilëve ishin dëbuar, zhvendosur, rrezikonin vërtet të zhdukeshin si popull. NATO filloi një ndërhyrje humanitare, që ishte veprimi i duhur. Iu kundërvu regjimit të Milosheviçit, për t’i thënë në thelb ‘Jo. Do ta caktojmë më në fund vijën. Nuk mundesh t’i bësh këto mizori’. Dhe e vendosën Kosovën në rrugëtimin drejt pavarësisë dhe u njoh nga mbi 100 vende. Dhe ç’është më e rëndësishme, Kosova ka patur tranzicione paqësore demokratike, çdo herë që janë mbajtur zgjedhje. Është kaluar nga një parti tek tjetra dhe kështu me radhë. Tranzicionet drejt demokracisë janë të vështira, por Kosova e ka realizuar këtë tranzicion. Pra askush në Shtetet e Bashkuara nuk mundet të hedhë vështrimin pas dhe të thotë se ndoshta nuk duhej të ishim përfshirë politikisht, ndoshta nuk duhej ta kishim bërë ndërhyrjen humanitare. Pra sinqerisht, duke lënë mënjanë çështjet e përditshme, pamja e përgjithshme është se ky është një sukses i jashtëzakonshëm për të gjithë popullin e Kosovës të cilëve iu kursyen mizoritë dhe për të gjithë fëmijët e tyre dhe brezat e ardhshëm. Si dhe për Shtetet e Bashkuara që të kenë kuptuar vlerën e një mësimi të nxjerrë nga një ndërhyrje humanitare, dhe të mbështetjes për aleatët dhe miqtë. Do të përmendja edhe diçka tjetër, nëse na e lejon koha, se popullit të Kosovës i takon respekt i jashtëzakonshëm për atë çfarë kanë arritur. Nëse shikoni 20 vitet e fundit, ka patur disa vende të tjera, si Iraku dhe Afganistani, ose shikoni Libinë, ku komuniteti ndërkombëtar hyri dhe ofroi hapësirat që njerëzit të ndërmerrnin një transformim demokratik. Dhe ata e shpërdoruan këtë. Nuk kanë bërë çfarë nevojitet për të patur paqe, siguri, demokraci dhe shtet ligjor. Nuk është e lehtë. Pra pavarësisht nga shqetësimet e përditshme që mund të kenë ekzistuar në këto 25 vite, është një moment i mirë për të kuptuar se jo vetëm shpëtuam veten, jo vetëm që na ndihmuan amerikanët dhe evropianët që të shpëtonim, por kemi patur 25 vite demokraci dhe përparim dhe shtet ligjor. Pra vështirësi të vogla këtu dhe atje, por asgjë krahasuar me vendet e tjera. Vendet e tjera kanë shpërdoruar mundësitë. Kosova nuk e ka shpërdoruar mundësinë.

Paqe në Madrid, Reali dhe City dhurojnë show në Champions, Bayern “buzëqesh” në Londër

Emocione, gola dhe spektakël në dy ndeshjet e para çerekfinale të Champions League. Real Madrid barazoi 3-3 me Manchester Cityn në Estadio Santiago Bernabéu (Madrid), duke lënë gjithçka të hapur për aktin e kthimit. Takimi nisi me “marshin e pestë” për “Qytetarët”, të cilët realizuan që në minutën e dytë. Bernardo Silva ekzekutoi shpejt një goditje dënimi, duke shtangur kështu madrilenët. Los Blancos përmbysën llogaritë menjëherë, për të treguar kështu forcën në kompeticionin më të rëndësishëm për klube. Camavinga vendosi ekuilibrat, i ndihmuar nga një devijim i Ruben Dias. Përmbysja u kompletua nga Rodrygo, në të 13-tën minutë.

Kampionët e Europës, pas shumë tentativash, u futën në lojë sërish me golin e Foden (66’), përpara se Gvardiol të linte gjurmë në këtë takim, me golin e 2-3. Valverde nuk e kishte thënë ende fjalën e tij në këtë ndeshje, goli i tij “vulosi” rezultatin përfundimtar në 3-3.

Barazim 2-2 i Arsenalit me Bayernin në Londër. Saka ndezi festën në stadium në minutën e 12-të, me një goditje të bukur. Kampionët e Gjermanisë përfituan në maksimum nga një gabim i anglezëve në të 18-tën, duke barazuar shifrat me një ish si Gnabry. Të besuarit e Tuchel fituan penallti dhe kthyen gjithçka në favor pas golit të Kane nga pika e bardhë e 11-metërshit. Bayern në pjesën e dytë provoi të menaxhonte rezultatin, duke u përpjekur që të shfrytëzojë pakujdesinë e Gooners në prapavijë. Një top i Gabriel Jesus rezultoi si penallti në lëvizje për Trossard, i cili ia doli të dërgojë topin pas shpinës së Neuer në të 78-ten. Me këtë rezultat, kualifikimi mbetet i hapur për ndeshjen e kthimit.

Rezultatet:

 

 

Arsenal 2-2 Bayern

(VIDEO)

Real Madrid 3-3 Manchester City

(VIDEO)

(VIDEO)

(VIDEO)

Shfaqet “kolla e mirë”! Përveç fëmijëve infeksioni Pertus po prek edhe të rriturit e vaksinuar

Mes morisë së virozave të shumta dhe alergjive tek shumë fëmijë të vegjël është duke qarkulluar infeksioni Pertus apo siç njihet ndryshe kolla e mirë.

Edhe pse të vaksinuar ndaj këtij infeksioni fëmijët e vegjël kanë manifetsuar kollë të zgjatur në kohë madje tre javët e fundit janë paraqitur 28 raste në urgjencën e pediatrisë.

Infeksioni i ‘Pertus’ shfaq simptoma të rënda tek fëmijët e vegjël por mund të shkaktojë deri dhe humbje jete.

Vaksina ndaj infeksionit ‘Pertus’ bëhet tek fëmijë në moshën dy muaj , 4 muaj dhe 6 muaj e më pas bëhet doze përforcuese në moshën 4-5 vjeçare dhe një tjetër 16 vjeç . Por infeksioni ‘Pertus’ mund të prekë edhe të rriturit.

Infeksioni ‘Pertus’ ka qarkulluar por me raste sporadike ,ndryshe nga ky vit ku janë prekur shumë fëmijë të vaksinuar dhe kanë manifestuar formë të rëndë.

Vendimi i Gjykatës së Lartë për Berishën, Sefa: PS-Rithemelim luajtën teatër!

Duke komentuar vendimin e Gjykatës së Lartë që la në fuqi masat e sigurisë ndaj Sali Berishës, sekretari i Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhore në PD-në zyrtare, Indrit Sefa, tha se e gjitha është retorikë.

Pjesë nga debati:

Sefa: Këta pretendojnë se të gjitha gjykatat janë të kapura. Dhe janë të kapura nga Edi Rama apo jo që do t’i djegë edhe mandatin. Kjo është retorika. Ky Edi Rama që bën marrëveshje me Sali Berishën, i jep komisionet hetimore, me reformën zgjedhore. Është i njëjti që fut në burg Sali Berishën, i rrëzon kërkesat në gjykata, do t’i djegë mandatin dhe ndërkohë e ul te grupi i dialogut. Bëjnë aministinë bashkë. Kjo nuk shkon. Po luajnë teatër. Janë bashkë!

Gjokutaj: Se si mund të bëjë Sali Berisha teatër ndërkohë që ka katër muaj i arrestuar në Shqipëri, vetëm Sefa dhe Luli mund ta thonë.

Sefa: Teatër i neveritshëm!

Ambasadori i BE-së takon Altin Dumanin: SPAK, lojtar kyç në përparimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, është takuar me kreun e SPAK, Altin Dumanin.

Përmes një postimi në platformën ‘X’, Gonzato shprehet se SPAK është një lojtar kyç në përparimin të Shqipërisë drejt, duke hetuar dhe ngritur padi për korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar.

“Duke hetuar dhe ngritur padi për korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar në Shqipëri, SPAK është një lojtar kyç në përparimin të Shqipërisë drejt përmbushjes së standardeve europiane të zgjerimit të BE-së”, shkruan ai.

Flutura Açka: Bashkëpunimi me Berishën, i pamundur

Votimi i amnistisë penale duket se ka thelluar çarjen mes dy pjesëve të Partisë Demokratike; atë që drejtohet nga Lulzim Basha dhe atë që drejtohet nga Sali Berisha.

Nënkryetarja e PD Flutura Açka shpjegoi se procesi i amnistisë jo vetëm ishte jo transparent, por në thelb ligji duke falur personat e dënuar nga gjykata e posaçme ishte një puc ndaj parlamentit. Për këtë arsye kryesia e PD së drejtuar nga Lulzim Basha miratoi një rezolutë për të përsëritur mbështetjen ndaj SPAK-ut.

“Ishte mirëfilli një minim i asaj për të cilën ne kemi kaq kohë që flasim dhe kaq kohë që luftojmë. Të amnistosh, akoma pa dhënë rezultatet e para SPAK-u, të sjellësh amendamente që ndikojnë në punën e SPAK-ut, kjo jo vetëm për ne si deputetë në tërësi por sidomos për opozitën është minus i madh para shqiptarëve, unë kështu e kam parë”, tha ajo.

Rezoluta e miratuar nga demokratët e drejtuar nga Lulzim Basha përveç mbështetje për SPAK-un përfshiu edhe reformën zgjedhore dhe rëndësinë që kanë për PD listat e hapura, sistemi proporcional kombëtar e vota e diasporës. Por nënkryetarja Açka përsëriti se PD nuk behet pjese e grupit të punës që ka për detyrë realizimin e kësaj reforme.

“Mua më duket me këtë platformë është sikur ta kalosh parlamentin në një birë, në një skutë ku nuk është e hijshme për asnjërin prej nesh. Dhe pikërisht kjo tryezë me 6 vota të vendosë për fatet e reformës zgjedhore, për fatet e zgjedhjeve të ardhshme mua më duket se diçka është shembur në trupin e këtij që quhet parlamenti i Shqipërisë”, tha Açka.

Në këtë situatë për zonjën Açka një koalicion me demokratët e drejtuar nga Sali Berisha është pothuaj i pamundur.

“Ne i kemi bërë shumë të qarta vijat tona të kuqe, dhe janë bërë të qarta në 9 shtator 2021 dhe nuk mund të ndryshojmë dhe i jemi mbajtur parimisht kësaj gjëje. Çështja është çfarë do të bëjë pala tjetër e cila ka dy vite që vetëm sulmon këtë pjesë të PD që u ka bërë të qartë shqiptarëve që kompromise me çështjen e non gratës ne nuk mund të bëjmë dot”, shtoi Açka.

Nënkryetarja Flutura Açka shpjegoi se strategjia e elektorale e PD do të fokusohet tek të gjithë ata qytetarë që nuk votojnë që deri më tani e kanë refuzuar klasën politike duke u premtuar një qasje ndryshe me deputetët me integritet që politikanë që japin llogari para zgjedhësve.

Basha në Report Tv: PS dhe Rithemelimi aleancë kundër SPAK! Vula e PD? Zero shanse të shkojë te Berisha, gjykata të zbatojë ligjin si duhet

Në një intervistë për emisionin “Studio Live”, kreu demokrat Lulzim Basha akuzoi Rithemelimin si aneks të PS, ndërsa amnistinë penale e quajti një mekanizëm që fal të korruptuarit.

U shpreh i bindur se ka zero shanse që vula e PD-së të shkojë te Berisha dhe bëri thirrje që gjykata të zbatojë ligjin si duhet.

“Sa i takon realiteteve të tjera, gjithë ky obsesioni dhe beteja. PD zyrtare është PD zyrtare dhe do mbetet PD. Nuk ka asnjë shans, zero shanse që ky realitet të ndryshojë me ligjin dhe ligjet aktuale në fuqi. Prandaj mos ti mbajmë njerëzit me shoresa të rreme, gjithmonë e më pak njerëz po i përtypin këto gënjeshtra me të cilat mundohen të mbajnë njerëzit lidhur pas tyre. PD këtu është dhe këtu do të jetë. Gjykata ka për detyrë të zbatojë ligjin. Ligji është i qartë, nuk është një situatë më dritëhije, është bardhë e zi. PD në kuptimin ligjor të fjalës ndodhet në zonën e bardhë dhe cdo pretendim për t’iu mbivendosur ndodhet në zonën e zezë me zero shanse për të triumfuar në një proces të rregullt ligjor.”