20.4 C
Tirana
E hënë, 19 Maj, 2025

“Komisioni u përfundua pa një reformë zgjedhore”- Basha: Listat e hapura eliminojnë sekserin kryetar partie! Na duhet votimi dhe numërimi elektronik

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se vetëm listat e hapura, votimi dhe numërimi elektronik mundësojnë votimin e diasporës, sipas tij, “pa mundësi manipulimi”.

 

Basha theksoi se listat e hapura eliminojnë sekserin kryetar partie dhe mekanizmin e ndërtimit të privilegjeve.

“Nuk është interes partiak, por shërbim ndaj shqiptarëve. Na duhet votimi elektronik dhe numërimi elektronik”, theksoi ai.

Ndërsa shtoi se Komisioni do të përfundojë mandatin pa një Rerformë Zgjedhore dhe me një Kod Zgjedhor të cunguar.

“Jemi një vit para zgjedhjeve parlamentare nëse mbahet në bazë të afatit të caktuar në Kodin Zgjedhor. Shkojmë atje një ditë përpara përfundimit të mandatit të Komisionit të Reformës zgjedhore, pa një reformë zgjedhor dhe me një Kod Zgjedhor të cunguar dhe të goditur nga Gjykata Kushtetuese.

Ne si PD kemi kërkuar një proporcional kombëtar me lista të hapura, me votim elektronik dhe numërim elektronik, bën të mundur votimin e diasporës, masivisht pa mundësi manipulimi.

Listat e hapura nuk i kërkojmë për veten tonë. Janë një farë mase kompensimi për mungesën e një mazhoritari të pastër, sepse mundëson që shqiptarët të dërgojnë në Parlament ata që mendojnë se e meritojnë, duke eliminuar sekserin kryetar partie, me gjithë mekanizimin e ndërtimit të favoreve privilegjeve që mundësojnë ndërtimin e klienteles politike post 2008.

Nuk është interes partiak, por shërbim ndaj shqiptarëve. Na duhet votimi elektronik dhe numërimi elektronik, që është provuar i suksesshëm në 4 palë zgjedhje dhe kundërshtohet pa asnjë argument”, u shpreh Basha në tryezën e dialogut me temë “Harku Opozitar Euro-Atlantik”.

Basha në tryezën e dialogut opozitar: Takimi i sotëm këmbanë alarmi për interesat e shqiptarëve!

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një në tryezën “Harku Opozitar Euro-Atlantik” ku ka mbledhur figura të njohura të opozitës, të cilët momentalisht nuk janë pjesë e politikës.

Në fjalën e tij në hapje të tryezës, Basha u shpreh se nesër është afati i fundit i komisionit të reformës zgjedhore, ndërkohë që takimin e sotëm e quajti një kambanë alarmi për interesat e shqiptarëve.

Kryedemokrati tha se interesat e shqiptarëve edhe një herë rrezikojnë t’i nënshtrohen interesave të ngushta personale të atyre që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 përmbysën balancën institucionale, përqendruan pushtetin dhe në këtë mënyrë dëmtuan jo pak funksionimin e demokracisë, llogaridhënien politike, rolin e parlamentit dhe vet përfaqësimin e interesave të qytetarëve.

“Sot ndodhemi më pak se një vit nga data fillestare e caktimit të zgjedhjeve, sipas kodit zgjedhor dhe në një moment tërësisht të parapërgatitur nga një pjesë tjetër e politikës, për t’i mohuar shqiptarëve, përfitimet e një reforme të vërtet zgjedhore. Nesër është afati i fundit i komisionit të reformës zgjedhore dhe nuk është e rastësishme që kjo tryezë dialogu me gjithë faktorët politik, partitë politike opozitare mbahet sot pikërisht si një këmbanë jo për interesat e partive politike që përfaqësoni, por për interesat e shqiptarëve që edhe një herë rrezikojnë t’i nënshtrohen interesave të ngushta personale të atyre që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 përmbysën balancën institucionale, përqendruan pushtetin dhe në këtë mënyrë dëmtuan jo pak funksionimin e demokracisë, llogaridhënien politike, rolin e parlamentit dhe vet përfaqësimin e interesave të qytetarëve”, tha ai.

Loja e paktit Rama-Berisha, BIRN: Dy nga katër koncesionet në Shëndetësi, i shpëtojnë hetimit parlamentarë!

Fushata e grupit të Rithemelimit në opozitë për hetimin e koncesioneve të dyshuara korruptive të qeverisë aktuale në sektorin e shëndetësisë duket se ka harruar dy nga katër koncesionet e këtij sektori, bëhet e ditur nga kërkesa e depozituar në kuvend nga grupi kryesor i opozitës parlamentare dhe i publikuar së fundmi në faqen e internetit të kuvendit.

Grupi parlamentar më i madh i opozitës, i cili drejtohet nga deputeti Gazmend Bardhi dhe që njihet gjerësisht si “Rithemelimi”, arriti një kompromis politik me maxhorancën e kryeministrit Edi Rama, në të cilën, sjellja e tyre trazuese në proceset parlamentare ndërpritej ndërsa socialistët pranonin ngritjen e dy komisioneve parlamentare, të cilat më herët ata ia kishin mohuar opozitës me mjete të dyshimta ligjore dhe në shkelje të të drejtave kushtetuese të opozitës

Ndërsa marrëveshja mes dy grupimeve kryesore politike në vend u përshëndet si një rikthim në normalitet në proceset parlamentare në Shqipëri, shumë vëzhgues ngritën pyetjen nëse, përveç kompromiseve të njohura, marrëveshja mbart edhe kompromise të fshehta. Në veçanti, pyetje u ngritën në lidhje me arsyen se pse opozita ka zgjedhur dy komisione hetimore, nga të teta të kërkuara prej saj, të cilat janë çështje kryesisht nën hetim nga SPAK dhe me potencial jo shumë të fortë politik. Por potenciali praktik i komisionit parlamentar për koncesionet në shëndetësi pritet të bjerret edhe më tutje, nëse shihet se dy nga katër të tilla, janë lënë jashtë objektit të hetimit.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama dha në fillesat e mandatit të saj të parë dhe të dytë katër koncesione në sektorin e shëndetësisë, të cilat, i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë mbi 50 milionë euro në vit. Që në kohën e procedurave të prokurimit, media dhe shqiptarët ngritën pikëpyetje, si sa i përket logjikës së dhënies së këtyre koncesioneve, ashtu edhe procedurës së përzgjedhur apo profilit të fituesve. Të katër koncesionet janë: Kontrolli bazë i popullsisë, njohur gjerësisht si Check Up, me kosto mbi tetë milionë euro në vit; ofrimi i setit të instrumenteve kirurgjikale, i njohur më së shumti si “sterilizimi”, i cili po kushton aktualisht rreth 17 milionë euro në vit; Koncesioni i shërbimit të dializës në pesë spitale, i cili po kushton aktualisht mbi 9 milionë euro në vit, dhe; shërbimet laboratorike spitalore, i cili po kushton mbi 18 milionë euro në vit.

Ndërkohë, kërkesa e grupit parlamentar të opozitës për komision hetimor parlamentar shkruan: “Në vijim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të datës 12.03.2024 dhe detyrave të lëna në atë mbledhje, lutemi gjeni bashkëlidhur projektvendimet e dakordësuara midis maxhorancës dhe opozitës, lidhur me:

Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shërbimin publik të Sterilizimit dhe shërbimin publik të Check-Up në shëndetësi.

Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit të Shqipërisë për Trajtimin e të Dënave në sitemin TIMS.”

Siç shikohet, kërkesa e opozitës nuk përfshin hetimin e koncesionit të shërbimit të dializës dhe as atë të shërbimeve laboratorike.

Dy koncesionet e përfshira janë sakaq nën hetim nga SPAK. I pari, ai i sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Të dy përfunduan në pranga për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe mashtrimit, ndërsa gjykata kërkoi hetim edhe për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.

Sipas prokurorisë, Rrjepaj manipuloi kostot e shërbimit ndërsa transferoi fitimet në formën e kontratave të konsulencës te një kompani e cila ishte gjithashtu nën pronësinë e tij dhe që kishte vetëm një klient të madh, pra kompaninë koncesionare. Pasi prokurorët nuk gjetën fillimisht vepër penale nga ana e ish-ministrit Ilir Beqaj, gjykata urdhëroi hetime të mëtejshme, të cilat sollën thirrjen e tij si të pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Rezultatet e hetimit për koncesionin e Check Up nuk janë ende të ditura.

Kërkesa e opozitës sot për të hetuar vetëm këto dy koncesione nga katër, është në fakt e ndryshme edhe nga kërkesa e saj e mëparshme e shtatorit 2023. Në atë kohë, Rithemelimi kërkoi në kuvend ngritjen e një komisioni për hetimin e që të katërtave koncesioneve [link kërkesa], ndryshe nga kërkesa e pas kompromisit, e cila heq dy nga katër koncesionet nga objekti i hetimit.

Koncesionet e të dyja qeverive, asaj të Partisë Demokratike, 2005-2013, por në veçanti, asaj të Partisë Socialiste pas vitit 2013 kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime, nga shqiptarët apo nga institucionet ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike ndërsa ka paralajmëruar për rrezikun për stabilitetin financiar të vendit./BIRN

“Një pozitë që ekziston për të mos ardhur në pushtet, është denatyralizim”, Preç Zogaj: Rama-Berisha përpjekje për të ripropozuar dy partitizmin

Analisti Preç Zogaj, i ftuar në tryezën “Harku Opozitar Euro-Atlantik” e organizuar nga Partia Demokratike, tha se opozita sot ka një sfidë kryesore, që është dërgimi i qytetarëve opozitarë në kutitë e votimit.

Kjo sipas tij është mënyra se si pakica, siç e quajti ai 38 përqind të votuesve që votojnë pro kësaj qeverie, të mos bëhet mazhorancë.

“Opozita në Shqipëri ka një sfidë të madhe për të përmbushur. Në Shqipëri ka një shumicë kundër qeverisë Rama.
Në sondazhe pohohet kjo e vërtetë por 37 përqind e zgjedhjeve mbështesin qeverinë. Dallimi është se 37-38 përqind e zgjedhësve me punën e patronazhistëve dhe bonuset, shitblerjen e votës, shkon pa firo në kuti shndërrohet në votë.
Ndërkohë 60 e ca përqind e elektoratit opozitar nuk shkon në kuti,. Kjo bën që 38 përqindëshi bëhet shumicë. Sfida është që opozita të çojë në kutitë e votimit votuesit”, u shpreh ai.

Zogaj foli edhe në lidhje me marrëveshjen opozitë-mazhorancë.

“Rama -Berisha kanë ndërmarrë një përpjekje për të ripropozuar dy partitizmin e vjetër të 2008 me gjithë pasoja që do të kishte nëse do ketë sukses në përqafimin e saj. Opozita është pluralë. Askush nuk e ka monopolin e saj. Interesat e vogla të politikanëve si individë nuk e ndihmojnë opozitën. Duhet të shohim përtej saj. Do propozoja kësaj tryeze dhe zotit Basha që kjo tryezë të lancojë synimin për rrotacionin e pushtetit. Një opozitë që ekziston për të mos ardhur në pushtet është denatyralizim”, tha ai.

“S’jam pjesë e partive politike, por…”/ Ish-presidenti Topi në krah të Bashës: Marrëveshja e 2008, “shpërthimi” i themeleve të shtetit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, organizoi sot tryezën e dialogut, “Harku Opozitar Euro-Atlantik”. Ku i ftuar ishte dhe ish-presidenti Bamir Topi.

Krah Bashës, Topi tha se nuk është pjesë e asnjë partie politike, por është dëshmitar se si u rrënuan themelet e shtetit kur ai ishte president në 2008.

“E pranova me kënaqësi ftesën e Bashës. Dua të sqaroj statutin tim në këtë tryeze, nuk jam pjesë e partive politike. Por për këtë çështje kam pasur rastin të njoh aktorët, protagonistët, e rrënimit të themeleve të shtetit nga pozicioni i kreut të shtetit në 2008. Është detyrim qytetar, intelektual, pasi zgjedhjet vërtetë realizohen si konkurrencë mes partive politike, por ata që janë burim i demokracisë janë njerëzit. Një zë i lirë individual është i rëndësishëm. Prilli i 2008 erdhi shumë shpejt, pas një ngjarje tragjike, e kam fjalën për shpërthimin e Gërdecit. Kujtoj mirë një kryeministër në hall, një mazhorancë në hall, për përgjegjësinë dhe uljen e kredibilitetit si në mjedisin politik edhe në atë ndërkombëtar. Papritur vijën komunikime të nëndheshme të një marrëveshjeje të errët dhe okulte që paralajmëronte një shpërthim tjetër, atë të themeleve të shtetit, që parashikohej në Kushtetutë. Pa komunikimeve pashë që ishte një mur i lartë i ndërtuar nga njeriu në hall dhe nga tjetri që aspironte të ndërtonte pushtetin e tij të ardhshëm mbi dramën që po konsumohej. Paralajmërimin e parë e bëra më 15 prill 2008 duke thënë çdo të ndodhte pas atij ndryshimi. Ftoj të gjithë politikanët t’i rikthehen marrëveshjes, e cila është komplekse dhe shumëdimensionale. Dobësoi rolin e presidentit dhe prishi balancat institucionale.

Sot kemi partitë politike të protagonistëve që sot konsiderohen si kazerma. Listat e deputetëve vijnë me firmën e kryetarit, kuvendi uli ndjeshëm cilësinë e tij në përfaqësim dhe rolin e tij. Ka rënë në thundrën e kryeministrit.”, tha ai.

Dënimi i Alda Klosit/ Batuta e ish-prokurores Imeraj: Njëherë tregoi Rozeta dhe i hëngri 4 vite burg, nuk e përsërit me gabimin

Ish-prokurorja Elisabeta Imeraj komentoi rastin e dënimit të ish zyrtares së shtetit, Alda Klosi duke thënë se interesant është fakti se pse Prokuroria nuk ka zbuluar burimin e pasurisë së saj.

 

Ndërkohë sa i takon dënimit të pastrueses, e cila kishte fshehur paratë, Imeraj mes batutave tha “njëherë tregoi Rozeta dhe i hëngri 4 vite burg.

Deklaratat u bënë gjatë diskutimeve në emisionin “Open” në News24.

Pjese nga diskutimi

Elisabeta Imeraj: Kjo lidhet me akuzat, ndërsa për Klosin kam për shtypjen se është dënuar për fshehjen e pasurisë. Është interesante të kuptosh se përveç fshehjes së pasurisë si është justifikuar burimi i të ardhurave të të dënuarës në fjalë dhe si Prokuroria ka dalë në konkluzionin se jemi përballë vetëm kësaj vepre penale. Për pjesën pse pastruesja është dënuar më shumë, besoj se lidhet me veprat penale për të cilën akuzohet.

Glidon Daci: Rozeta fajëson vetëm Aldën, por nuk tregon ku ka pastruar ne persona të tjerë

Elisabeta Imeraj: Njëherë tregoi Rozeta dhe hëngri 4 vjet burg, kështu që nuk do ta përsërisë më gabimin

Roland Bejko: Amerikanët e nxorën Berishën nga dera, Bardhi e futi nga dritarja

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko ironizoi mbi marrëveshjen mes Partisë Socialiste dhe Rithemelimit.

“Amerikanët e nxorën Sali Berishën nga dera, ndërsa Gaz Bardhi ua futi nga dritarja e pasme. Një ditë para se SPAK-u t’i drejtohej Berishës, këta menjëherë u kujtuan për komisionet hetimore, ndërkohë që çështja e komisioneve hetimore aty kishte qenë edhe më parë.

Vetë Tritan Shehu e ka thënë që qëllimi nuk ishte marrja e disa komisioneve, por krijimi i një aksioni opozitar për të nxjerrë kryetarin e partisë sonë (Sali Berishën). Këtë kemi thënë dhe ne gjatë qëndrimit tonë kur Parlamentin e nxori jashtë funksionit Rithemelimi”, tha Bejko në studion e “Ditarit” në A2 CNN.

Ai shtoi se në një vit elektoral, “komisioni i Reformës Zgjedhore është prioritet”, dhe Rithemelimi dëmtoi Parlamentin me veprimet e tij.

“E dyta, e ndihmuan Edi Ramën që të kalonte buxhetin për 4 minuta”, theksoi Bejko.

Afera CEZ-DIA, gazetari: Ka 4 dëshmi të forta që fundosin Ilir Metën

Gazetari Adriatik Doçi thotë se ka 4 dëshmi të forta që implikojnë drejtëpërdrejt Ilir Metën në aferën CEZ-DIA. I ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, gazetari tha se gjithë historia e CEZ-DIA është shpikur që të fitojë Ilir Meta.

Sipas tij 4 dëshmitë e forta që fundosin Metën, janë ajo e Elvis Mataj, një person i besueshëm i Metës, Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, dëshmia e tretë është e Vojsava Ismaliajt, si dhe e vetë Kastriot Ismailit. Këtij të fundit sipas gazetarit kreu i SPAK i ka marrë një dëshmi në burg për këtë aferë korruptive

“Ka të bëjë për mënyrën procedurale. Jemi drejt fundit. Për shkak të përfundimit të aftave SPAK-u do të dalë më një vendimmarrje për këtë dosje. Nëse do të ngjarë akuzë apo pushojë. Ka 4 dëshmi të forta që implikojnë drejtpërdrejt Ilir Metën. Afera CEZ-DIA është një miniaferë, në gjithë aferën e madhe të CEZ. Nga auditi i bërë nga ministria e Ekonomisë me në krye Gjikunuri shkon në 450 mln euro dëmi. SPAK po hetim vetëm një episod korruptiv brenda megaferës, që është CEZ-DIA.

Deri tani prokuroria ka konstatuar 5 mln euro vjedhje, por dyshohet se kostoja është shumë më shumë. U privatizua CEZ, pastaj CEZ kontrakton kompaninë DIA të mbledhë borxhin e keq. DIA thjeshtë dorëzonte dokumente fiktive dhe CEZ-i i kalonte paratë. CEZ-i plotësonte fatura dhe ja kalonte shtetit shqiptarë.

Kemi një fakt penal që nuk është hetuar nga prokuroria. Sekseri kryesor midis çekëve dhe qeverisë shqiptarë. Këtu nis historia korruptive. Nis sapo Meta bashkohet me Berishën. Historia e CEZ-DIA është shpikur që të fitojë Ilir Meta. SPAK ka 4 dëshmi që fundosin Ilir Metën në këtë histori. Elvis Mataj ka qenë një person i besueshëm i Ilir Metës, dhe ka qenë drejtori ekskluziv i kompanisë DIA me pronar Kastriot Ismaliajn. Elvis Mataj ka rrëfyer për rolin e Ilir Metës në këtë histori.

Ilir Meta e ka konsideruar si një personazh mashtrues duke i dhënë një mesazh. Dëshmia e dytë është e Jozef Heickut. Ai ka folur dhe ka thënë që Kastriot Isamilajn na e solli Ilir Meta. Dëshmia e tretë është e Vojsava Ismailajt. Për favoret që i kërkonte Ilir Meta Kastriot Ismailajt. Dëshmia e fundit është e vet Katsriot Ismailajt. Vetë kreu i SPAK thuhet se ka shkuar dhe i ka marrë  një dëshmi në burg për rolin e Ilir Metës në këtë aferë korruptive”- tha Doçi.

Shqipëria, e 7-ta më e ndotura në Europë, normat trefish mbi kufirin e OBSH-së

Ndotja e ajrit është kërcënimi më i madh mjedisor për shëndetin e njeriut, duke shkaktuar një në çdo nëntë vdekje në mbarë botën.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndotja e ajrit është përgjegjëse për rreth 7 milionë vdekje të parakohshme në botë çdo vit.

Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit PM2.5 përkeqëson shumë kushte shëndetësore, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në astmën, kancerin, goditjen në tru dhe sëmundjet e mushkërive.

Për më tepër, ekspozimi ndaj niveleve të larta të grimcave të imëta mund të dëmtojë zhvillimin kognitiv te fëmijët, duke çuar në probleme të shëndetit mendor dhe komplikime të sëmundjeve ekzistuese, duke përfshirë diabetin, thuhet në raportin për Cilësinë e Ajrit për vitin 2023, të përpiluar nga IQAir, një organizatë zvicerane e cila përpunon të dhënat e grumbulluara nga 30 mijë stacione të monitorimit në 134 vende të botës.

Studimi shqyrtoi në mënyrë specifike grimcat e imta, ose PM2.5, që është ndotësi më i vogël, por edhe më i rrezikshmi.

Vetëm 9% e 7812 qyteteve të marra në studim plotësonin standardin e OBSH-së, i cili thotë se nivelet mesatare vjetore të PM2.5 nuk duhet të kalojnë 5 mikrogramë për metër kub. Këtu përfshihen Australia, Estonia, Finlanda, Grenada, Islanda, Mauritius dhe Zelanda e Re.

“Ne shohim se në çdo pjesë të jetës sonë ndotja e ajrit ka një ndikim,” tha CEO i IQAir Global, Frank Hammes.

Si pozicionohet Shqipëria?

Ajri që thithim çdo ditë po përkeqësohet nga viti në vit, sipas raportit.

Vendi ynë renditet i shtati në Europë për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit, ndërsa në botë renditet e 60-ta. Përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 është 16.7, duke tejkaluar trefishin e kufirit të vendosur nga OBSH.

Edhe vendet e rajonit nuk paraqiten më mirë, fatkeqësisht.

Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kryesojnë listën si vendet më të ndotura në Europë. Kosova renditet në vendin e 17-të.

Në renditjen e kryeqyteteve për nivelin e ndotjes së ajrit, Tirana është në vendin e 51 në botë, pas Shkupit dhe Podgoricës, përkatësisht në vendet e 30 dhe 36.

Në rajonin e Europës përfshihen 2006 qytete nga 43 vende. Pavarësisht nga një rritje e lehtë në nivelet mesatare vjetore të PM2.5, Islanda mbetet vendi më pak i ndotur me një përqendrim mesatar prej 4 µg/m3.

Bosnja Hercegovina pa një rënie prej 18% në nivelet e PM2.5 në 2023 krahasuar me 2022, por mbetet vendi më i ndotur në Europë, duke raportuar një përqendrim mesatar vjetor prej 27.5 µg/m3.

Në një tendencë të përsëritur nga viti 2022, Islanda, Estonia dhe Finlanda janë të vetmet vende në rajon që arrijnë nivelin e udhëzimeve vjetore të OBSH-së PM2.5. Kroacia tregoi përparimin më të madh në vitin 2023 në uljen e niveleve të PM2.5 me mesataren vjetore që ra më shumë se 40% krahasuar me vitin 2022.

Mali i Zi përjetoi rritjen më të madhe absolute të përqendrimeve të PM2.5 me nivele vjetore që u rritën me më shumë se 4 µg/m3 në vitin 2023 për një mesatare vjetore prej 20 µg/m3. Nivelet mesatare vjetore të PM2.5 ranë në vitin 2023 për 36 vende të rajonit, u rritën për gjashtë vende dhe mbetën konstante për një vend.

Në vitin 2023, 7% (135) e qyteteve në rajon arritën udhëzimin vjetor të OBSH-së për PM2.5 prej 5 µg/m3, duke përfshirë çdo qytet në Islandë.

Në rang global Begusarai, një qytet me gjysmë milion banorë në shtetin Bihar të Indisë veriore, ishte qyteti më i ndotur në botë vitin e kaluar me një përqendrim mesatar vjetor të PM2.5 prej 118.9 – 23 herë më shumë se udhëzimet e OBSH-së. Ajo u pasua në renditjen e IQAir nga qytetet indiane të Guwahati, Assam; Delhi; dhe Mullanpur, Punjab./E.Zito


/Revista Monitor

Takimi i ndihmës sekretarit amerikan në SPAK/ Zheji: Inkurajim për të hedhur një hap më të fortë, priten arrestime të tjera

Analisti Artur Zheji komentoi në emisionin “Real Story” takimin e Todd D. Robinson, ndihmës sekretarit amerikan për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit me prokurorët e SPAK. Në emisionin “Real Story” në ABC News, Zheji tha se me këtë vizitë, priten arrestime të tjera në vend.

“Mendoj se është më e thellë se kaq. Pas kthimit nga SHBA të Dumanit dhe grupit, Berisha kaloi në arrest shtëpie. Pas këtij takimi me katër sy, arrestime të tjera priten. Fakti që ndihmës sekretari ka takuar Dumanin, mendoj se është një prelutë për arrestime. Semafori jeshil dhe inkurajim për të hedhur një hap që do këmbë të fortë muskuloze“, tha Zheji.

Ndërkohë, analisti Skënder Minxhozi tha se Prokuroria e Posaçme ka kaluar nga mandati i parë, të cilin e cilësoi si ‘vegjetal, në të dytin ‘mishngrënës’.

Ne kujtojmë marrëveshje të vjetra, afrime, largime, sherre, vitet ’90 dhe vitet 2000, një gjë në këtë ekuacion historik nuk ndryshon dhe këto janë protagonistët e këtij ekuacioni. Në vend që politika të jetë një lloj zeje me term kohor që të jepet si atribut për ta shfrytëzuar në një kohë të caktuar, politika po rikthehet sërish në një profesion pa kohë, kur ti hyn dhe nuk del më kurrë, tjetërsohesh, rinovohesh, del në opozitë, kalon hetime, gjen dy miq në prokurori. Pra, kjo klasë politike nga kjo po nuk të hoqi vdekja nuk të heq asgjë. Jemi në mesin e dekadës së katërt, dhe protagonistët janë po ata. Kemi folur për një mandat të parë të SPAK shumë vegjetal, që nuk ndodhi asgjë. Ky është një mandat shumë mishngrënës.“, tha Minxhozi./abcnews.al