16.4 C
Tirana
E hënë, 19 Maj, 2025

Shqipëria, e 7-ta më e ndotura në Europë, normat trefish mbi kufirin e OBSH-së

Ndotja e ajrit është kërcënimi më i madh mjedisor për shëndetin e njeriut, duke shkaktuar një në çdo nëntë vdekje në mbarë botën.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndotja e ajrit është përgjegjëse për rreth 7 milionë vdekje të parakohshme në botë çdo vit.

Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit PM2.5 përkeqëson shumë kushte shëndetësore, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në astmën, kancerin, goditjen në tru dhe sëmundjet e mushkërive.

Për më tepër, ekspozimi ndaj niveleve të larta të grimcave të imëta mund të dëmtojë zhvillimin kognitiv te fëmijët, duke çuar në probleme të shëndetit mendor dhe komplikime të sëmundjeve ekzistuese, duke përfshirë diabetin, thuhet në raportin për Cilësinë e Ajrit për vitin 2023, të përpiluar nga IQAir, një organizatë zvicerane e cila përpunon të dhënat e grumbulluara nga 30 mijë stacione të monitorimit në 134 vende të botës.

Studimi shqyrtoi në mënyrë specifike grimcat e imta, ose PM2.5, që është ndotësi më i vogël, por edhe më i rrezikshmi.

Vetëm 9% e 7812 qyteteve të marra në studim plotësonin standardin e OBSH-së, i cili thotë se nivelet mesatare vjetore të PM2.5 nuk duhet të kalojnë 5 mikrogramë për metër kub. Këtu përfshihen Australia, Estonia, Finlanda, Grenada, Islanda, Mauritius dhe Zelanda e Re.

“Ne shohim se në çdo pjesë të jetës sonë ndotja e ajrit ka një ndikim,” tha CEO i IQAir Global, Frank Hammes.

Si pozicionohet Shqipëria?

Ajri që thithim çdo ditë po përkeqësohet nga viti në vit, sipas raportit.

Vendi ynë renditet i shtati në Europë për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit, ndërsa në botë renditet e 60-ta. Përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 është 16.7, duke tejkaluar trefishin e kufirit të vendosur nga OBSH.

Edhe vendet e rajonit nuk paraqiten më mirë, fatkeqësisht.

Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kryesojnë listën si vendet më të ndotura në Europë. Kosova renditet në vendin e 17-të.

Në renditjen e kryeqyteteve për nivelin e ndotjes së ajrit, Tirana është në vendin e 51 në botë, pas Shkupit dhe Podgoricës, përkatësisht në vendet e 30 dhe 36.

Në rajonin e Europës përfshihen 2006 qytete nga 43 vende. Pavarësisht nga një rritje e lehtë në nivelet mesatare vjetore të PM2.5, Islanda mbetet vendi më pak i ndotur me një përqendrim mesatar prej 4 µg/m3.

Bosnja Hercegovina pa një rënie prej 18% në nivelet e PM2.5 në 2023 krahasuar me 2022, por mbetet vendi më i ndotur në Europë, duke raportuar një përqendrim mesatar vjetor prej 27.5 µg/m3.

Në një tendencë të përsëritur nga viti 2022, Islanda, Estonia dhe Finlanda janë të vetmet vende në rajon që arrijnë nivelin e udhëzimeve vjetore të OBSH-së PM2.5. Kroacia tregoi përparimin më të madh në vitin 2023 në uljen e niveleve të PM2.5 me mesataren vjetore që ra më shumë se 40% krahasuar me vitin 2022.

Mali i Zi përjetoi rritjen më të madhe absolute të përqendrimeve të PM2.5 me nivele vjetore që u rritën me më shumë se 4 µg/m3 në vitin 2023 për një mesatare vjetore prej 20 µg/m3. Nivelet mesatare vjetore të PM2.5 ranë në vitin 2023 për 36 vende të rajonit, u rritën për gjashtë vende dhe mbetën konstante për një vend.

Në vitin 2023, 7% (135) e qyteteve në rajon arritën udhëzimin vjetor të OBSH-së për PM2.5 prej 5 µg/m3, duke përfshirë çdo qytet në Islandë.

Në rang global Begusarai, një qytet me gjysmë milion banorë në shtetin Bihar të Indisë veriore, ishte qyteti më i ndotur në botë vitin e kaluar me një përqendrim mesatar vjetor të PM2.5 prej 118.9 – 23 herë më shumë se udhëzimet e OBSH-së. Ajo u pasua në renditjen e IQAir nga qytetet indiane të Guwahati, Assam; Delhi; dhe Mullanpur, Punjab./E.Zito


/Revista Monitor

Takimi i ndihmës sekretarit amerikan në SPAK/ Zheji: Inkurajim për të hedhur një hap më të fortë, priten arrestime të tjera

Analisti Artur Zheji komentoi në emisionin “Real Story” takimin e Todd D. Robinson, ndihmës sekretarit amerikan për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit me prokurorët e SPAK. Në emisionin “Real Story” në ABC News, Zheji tha se me këtë vizitë, priten arrestime të tjera në vend.

“Mendoj se është më e thellë se kaq. Pas kthimit nga SHBA të Dumanit dhe grupit, Berisha kaloi në arrest shtëpie. Pas këtij takimi me katër sy, arrestime të tjera priten. Fakti që ndihmës sekretari ka takuar Dumanin, mendoj se është një prelutë për arrestime. Semafori jeshil dhe inkurajim për të hedhur një hap që do këmbë të fortë muskuloze“, tha Zheji.

Ndërkohë, analisti Skënder Minxhozi tha se Prokuroria e Posaçme ka kaluar nga mandati i parë, të cilin e cilësoi si ‘vegjetal, në të dytin ‘mishngrënës’.

Ne kujtojmë marrëveshje të vjetra, afrime, largime, sherre, vitet ’90 dhe vitet 2000, një gjë në këtë ekuacion historik nuk ndryshon dhe këto janë protagonistët e këtij ekuacioni. Në vend që politika të jetë një lloj zeje me term kohor që të jepet si atribut për ta shfrytëzuar në një kohë të caktuar, politika po rikthehet sërish në një profesion pa kohë, kur ti hyn dhe nuk del më kurrë, tjetërsohesh, rinovohesh, del në opozitë, kalon hetime, gjen dy miq në prokurori. Pra, kjo klasë politike nga kjo po nuk të hoqi vdekja nuk të heq asgjë. Jemi në mesin e dekadës së katërt, dhe protagonistët janë po ata. Kemi folur për një mandat të parë të SPAK shumë vegjetal, që nuk ndodhi asgjë. Ky është një mandat shumë mishngrënës.“, tha Minxhozi./abcnews.al

Projektligji për sigurinë kibernetike/ Ja çfarë paralajmëron eksperti i sigurisë

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa tha në një emision televiziv se projektligji për sigurinë ka nevojë për një konsultim të gjerë jo vetëm me grupet e interesit por edhe me profesionistë e ekspertë pasi ekziston gjithmonë mundësia që të kemi kontroll të tepruar të një institucioni ndaj institucioneve të tjera të pavarura.

Është një projektligj që do të kalojë edhe në Parlament se të gjitha projektligjet duhet të kalojnë për votim.

Nuk është forca e kartonit që duhet të vendosë, kur flitet për disa elementë strategjikë si arsimi, shëndetësia, mbrojtja, aq më tepër mbrojtja kibernetike duhet të ketë dakordësi nëpërmjet palëve, pak rëndësi ka numri pasi strategjia e sigurisë kombëtare është një çështje i takon të gjitha forcave politike.

Duhet të kemi dhe grupet e interesit, duke marrë një mendim më të gjithë të ekspertëve të të gjitha fushave për të ndërtuar një ligj që duhet të jetë funksional dhe afatgjatë dhe në vizion të problematikave që mund të ndeshemi, jo vetëm të atyre që kanë kaluar.

Jo vetëm grupet e interesit, por ka njerëz të aftë që mund të kontribuojnë me sugjerimet, referencat e tyre dhe politika mund të jetë më e konsultuar për të marrë një vendim.

Tendencat për të bërë kontrollin e të gjitha institucioneve ka qenë gjithmonë një lloj rreziku dhe shqetësimi që opozitat në tërësi kanë paraqitur për çdo ligj.

Rreziku apo mundësia që mund të kemi kontroll të tepruar apo kontroll të tejkaluar të një institucioni të vetëm ndaj të gjitha institucioneve të tjera të pavarura, fusim SPAK, shik etj. Kjo konsultë duhet të jetë për ta bërë më të plotë që deri ku do të shkojmë me këtë agjenci kombëtare të kontrollit për sigurinë kibernetike.
Më tej Softa tha se ka ardhur koha të ngrihet nëj agjenci për sigurinë kombëtare.

Ndoshta ka ardhur koha të ngrihet një agjenci për sigurinë kombëtare , ku të jenë ndërvepruese të gjitha institucionet që janë ngarkuar me ligj sa i përket elementëve të sigurisë kombëtare.

Këtu mund të bashkohet dhe kjo që themi mbrojtja kibernetike, për të krijuar një guaske mbrojtje në hapësirën kibernetike.

Nuk mund të kërkojmë një centralizim.

Preç Zogaj: Dy fuqi të mëdha politike nuk e duan suksesin e SPAK

Presidenti i Institutit Liberal “Pashko”, Preç Zogaj, në emisionin ‘3D nga Alban Dudushi’, deklaroi se vizita e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson ishte e tëra në mbështetje të SPAK, pasi janë 2 fuqi politike në realitetin shqiptar që nuk e duan suksesin e SPAK.

Sipas tij, vizita nuk më duket rutinë dhe se është vizita e parë që ka në fokus SPAK.

“Natyrisht që ka edhe takime të tjera, por thelbësisht është SPAK. Kjo u pa që në takimet e para, të cilat filluan me kreun e SPAK, pasi është fëmija e tyre. Reforma është bërë me bekimin e SHBA-së.

Ka shumë domethënie kjo vizitë. Qëllimi duket qartë se është të inkurajojë SPAK. Pas SPAK-ut janë amerikanët dhe ky është një mesazh edhe për politikën e qarqet e tjera që duan dobësimin e SPAK-ut. SHBA-ja ka vënë një bast të madh dhe i ka premtuar popullit që ligji do shkojë e të prek edhe sferat e larta. Do prek dhe do i japë fund pandëshkueshmërisë.

Mbështet SPAK në mënyrë të vazhdueshme. Kjo vizitë ka rëndësi edhe për të shuar kundërvëniet ndaj SPAK-ut. Ata i japin mesazh SPAK se ne jemi këtu. Amerikanët qartë thonë se SPAK nuk duhet të ketë frikë dhe ne jemi këtu. Ka kundër-zhvillime si reaksion i 2 fuqive të mëdha politike që nuk e duan suksesin e SPAK”, tha Zogaj.

Procesi gjyqësor i pafund dhe i turpshëm për logon e PD-së

Nga Ervis Iljazaj

Më në fund Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin për procesin gjyqësor të logos të Partisë Demokratike, i cili i hap rrugë tashmë gjykimit në Apel. Shpresa është që Gjykata e Apelit të dalë me një vendim sa më shpejt të jetë e mundur për ti dhënë fund një procesi të pafund dhe komik që ka shoqëruar këtë proces. Gjykatat shqiptare e kanë trajtuar çëshjten e Partisë Demokratike sikur të ishte një çështje për një gardh në një fshat të humbur të Shqipërisë dhe jo si një gjyq që ka të bëjë me Partinë më të madhe opozitare të saj. Në këtë kuptim, vonesat absurde që ka marrë kjo çështje nuk kanë dëmtuar vetëm opozitën por demokracinë shqiptare në tërësi.

Në zgjedhjet lokale të 14 majit gjykata dha një vendim shumë afër garës politike, dhe me shumë mundësi vendimi përfundimatar nga apeli ka të njëjtin rrezik. Duke parë kohët që ka marrë kjo çështje, ka shumë gjasa që vendimi për PD-në të jetë pranë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Për të evituar të njëjtin skenar, gjykata duhet ta vendosë si prioritet të saj çështjen e Partisë Demokratike.

Shtyrja e këtij procesi ligjor nuk mund të vazhdojë pafund, për arsye se kemi të bëjmë me partinë më të madhe opozitare dhe një parti me histori të rëndësishme për Shqipërinë. Është absurde të mendosh që gjykatat shqiptare e trajtojnë këtë çështje si çdo çështje tjetër të “zakonshme”. Përkatësia e logos, e një prej dy partive më të rëndësishme të politikës shqiptare, duhet të jetë prioritare për çdo gjykatë, për hir të garantimit të garës politike dhe lirive politike që janë thelbësore për një demokraci.

Në të kundërtën opozita futet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ashtu sikurse ndodhi edhe në ato lokale, me një disavantazh të madh politik në raport me pozitën, gjë e cila deformon totalisht garën politike. Është e paqartë dhe e vështirë të gjesh justifikime për shtyrjen e një procesi gjyqësor për një çështje të tillë, që përbën një interes publik kaq të rëndësishëm.

Në këtë pikë ku ka arritur kjo çështje, mund të thuhet që është kthyer në një komedi të cilës gjykata duhet t’i japë fund, duke qenë se palët brenda të djathtës që e pretendojnë atë nuk arritën dot, për pothuajse dy vite t’i japin një zgjidhje politike.

Nuk ka rëndësi se çfarë vendimi jep gjykata, rëndësi ka që të dalë me një të tillë sa më parë për të krijuar kushtet e nevojshme politike dhe shoqërore për zgjedhje të ndershme dhe të barabarta.

Është e qartë se fraktura politike që u krijua me përjashtimin e Sali Berishës nga Lulzim Basha është një ndarje që nuk mund të ngjitet më. Tashmë brenda votuesve të djathtë ekzistojnë dy palë. Një berishiste dhe një jo-berishiste, pa hyrë në debatin se kush ka mazhorancën, pasi për drejtësinë shpesh herë kanë rëndësi e drejta dhe jo shumica. Gjykatat nuk numërojnë njerëz, ato vendosin për zbatimin e ligjeve dhe procedurave.

Megjithë përpjekjet për bashkimin e demokratëve, përpjekje, e cila duket se është e pasinqertë dhe e pamundur, tashmë mund të thuhet që ekzistojnë jo vetëm një e djathtë, por disa të tilla. Ndoshta është më mirë kështu. Nuk ka asnjë gjë të çuditshme që një spektër politik të përfaqësohet nga disa rryma të ndryshme, qoftë edhe parti të ndryshme. Beteja dhe mania për të pasur logon e një partie është një betejë e cila nuk sjellë as vota më shumë, as vota më pak.

Sigurisht logoja ka rëndësinë e saj, por nuk të bën as fitues e as të fuqishëm politikisht. Ka mjaft forca politike jashtë Shqipërisë që e kanë ndryshuar emrin e partisë, logon apo edhe vizionin shpesh herë dhe kanë ditur të mbledhin konsensus popullor.

Gjithsecili, nga dy pjesët e Partisë Demokratike, ka të drejtën themelore për të ditur se me çfarë logoje zyrtare do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Kjo gjë duhet të ndodh sa më shpejt për të krijuar qartësi politike në një garë demokratike. Këtë të drejtë duhet ta garantojnë gjykatat shqiptare.

Gjyqi për çështjen e logos së Partisë Demokratike, nëse shtyhet pa kuptim më tej, padyshim që mund të krijojë tensione politike dhe shkon në favor vetëm të shumicës në pushtet në mënyrë pothuajse arbitrare dhe nuk i shërben një klime të qetë politike. Nuk mund të mbahet peng përkatësia e logos së Partisë më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar. Ajo përfaqëson sensibilitete, histori dhe grupe shoqërore të cilat kanë nevojë për një shpjegim dhe vendim sa më shpejt dhe sa më të drejtë. Çdo vonesë, është padyshim një turp i drejtësisë shqiptare./ Liberale.al

DASH thirrje Kosovës: Diskutimet për dinarin duhet të vazhdojnë me urgjencë

Diskutimet për dinarin duhet të vazhdojnë me urgjencë, ka thënë të martën zëvendëszëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Vedant Patel.

Ai e ka bërë këtë deklaratë kur është pyetur në një konferencë për media lidhur me deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të bërë një ditë më parë, se është arritur një pjesë e pajtueshmërisë për propozimin amerikan për punën e dinarit.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendimin e autoriteteve të Kosovës që të zbatojnë prej 1 shkurtit rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila përcakton euron si valutën e vetme për pagesa me para të gatshme.

Kështu, serbëve të Kosovës u është pamundësuar përdorimi i dinarit serb.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për komunitetin serb në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Osmani ka thënë se edhe komuniteti ndërkombëtar pajtohet që ndihma e Serbisë duhet të arrijë në Kosovë në euro dhe jo në dinarë, ndërsa tani autoritetet e Kosovës janë duke shqyrtuar mënyra për të garantuar që ndihma që niset prej Serbisë për komunitetin serb në Kosovë të mos keqpërdoret.

Zyrtari amerikan Patel, e ka përsëritur sërish shqetësimin amerikan për situatën e krijuar dhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulin tensionet.

Sipas tij, dialogu Kosovë – Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel është kanali për zgjidhje të çështjeve sikurse dinari.

“Bisedimet [në Bruksel] i mirëpresim. Janë zhvilluar në kuadër të dialogut të lehtësuar prej BE-së, sot, dhe aty përfshihet diskutimi për rregulloren e re të BQK-së për valutën, dhe ne besojmë që këto bisedime duhet të zhvillohen me urgjencë”, ka thënë Patel.

Kryenegociatorët e dy vendeve, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryetari i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kanë diskutuar të martën në Bruksel për këtë çështje dhe është arritur pajtueshmëri që deri më 22 mars palët t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve.

Komuniteti ndërkombëtar e ka përsëritur disa herë që nuk e kundërshton legjitimitetin e vendimit, mirëpo nuk është dakord me shpejtësinë e zbatimit të vendimit, pa ofruar alternativa për serbët në Kosovë.

Po të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së./REL

Efekti i përformancave pozitive, rritet vlera e Edon Zhegrovës

Edon Zhegrova në modë. Sulmuesi i Kosovës po zhvillon një sezon pozitiv te Lille, çka ka bërë që vlera e tij të rritet. Nga 10 milionë euro, tashmë sipas transfermarkt, Zhegrova vlen 15 milionë euro. 24-vjeçari ka luajtur 25 ndeshje këtë edicion, ku ka realizuar 3 gola dhe ka dhuruar 5 asiste.

Futbollisti synon që të transferohet në një top-klub europian, ku do të mund të luftojë për tituj dhe objektiva të mëdha. Nëse ai vazhdon me përformanca të tilla, nuk do ishte çudi nëse do e shikonim në një skuadër pretendente.

Edon Zhegrova mban veshur prej 3 vitesh fanellën e Lille, sakaq më përpara është aktivizuar në Belgjikë, në radhët e Genk.

Studim: Dieta popullore që përdoret nga të famshmit, lidhet me 91% rritje të rrezikut të vdekjes kardiovaskulare

Sipas një studimi të ri, njerëzit që ndjekin një dietë popullore agjërimi me ndërprerje gati dyfishojnë rrezikun e tyre për të vdekur nga sëmundjet kardiovaskulare .

Një studim paraprak nga Shoqata Amerikane e Zemrës zbuloi se ata që kufizojnë ngrënien e tyre në më pak se 8 orë në ditë kishin më shumë gjasa të vdisnin nga sëmundjet kardiovaskulare sesa ata që hanin 12-16 orë në ditë. Ushqimi me kohë të kufizuar është një lloj agjërimi me ndërprerje, ku njerëzit që kufizojnë kohën e ushqimit në një numër specifik orësh në ditë, i cili mund të variojë nga një dritare prej katër deri në 12 orë në 24 orë.

Një dietë e zakonshme është orari 16:8, ku hani për tetë orë dhe ‘agjëroni’ për 16, dhe është përdorur nga të famshëm si Jennifer Aniston, Heidi Klum dhe Jennifer Lopez. Kjo mënyrë e të ushqyerit është e popullarizuar në mesin e atyre që përpiqen të humbin peshë dhe studimet kanë sugjeruar më parë se në një kohë afatshkurtër, mund të përmirësojë presionin e gjakut, glukozën në gjak dhe nivelet e kolesterolit.

Megjithatë, hulumtimi mbi efektet afatgjata është i kufizuar. Për të adresuar këtë, studiuesit shqyrtuan 20,000 të rritur amerikanë me një moshë mesatare 49 vjeç për të hetuar ndikimin afatgjatë në shëndet të ushqimit të kufizuar në një orar tetë orësh.

Ata zbuluan se ata që hanë të gjithë ushqimin e tyre për më pak se tetë orë në ditë kishin një rrezik 91% më të lartë të vdekjes për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare. Për ata me një sëmundje ekzistuese kardiovaskulare, ngrënia e më shumë se tetë por më pak se 10 orë në ditë u shoqërua me një rrezik 66% më të lartë të vdekjes nga sëmundjet e zemrës ose goditjet në tru. Autori i vjetër Dr Victor Wenze Zhong tha: Ne u befasuam kur zbuluam se njerëzit që ndiqnin një orar të ngrënies tetë-orëshe, me kohë të kufizuar, kishin më shumë gjasa të vdisnin nga sëmundjet kardiovaskulare.

“Edhe pse kjo lloj diete ka qenë e popullarizuar për shkak të përfitimeve të saj të mundshme afatshkurtra, hulumtimi ynë tregon qartë se, krahasuar me një interval kohor tipik të ngrënies prej 12-16 orë në ditë, një kohëzgjatje më e shkurtër e të ngrënit nuk shoqërohej me jetë më të gjatë”, tha ai.

Ushqimi i kufizuar në kohë nuk ul rrezikun e vdekjes nga ndonjë shkak.

Dr Zhong tha: Është thelbësore që pacientët, veçanërisht ata me sëmundje ekzistuese të zemrës ose kancer, të jenë të vetëdijshëm për lidhjen midis një dritareje ushqimi 8-orësh dhe rritjes së rrezikut të vdekjes kardiovaskulare.

“Gjetjet e studimit tonë inkurajojnë një qasje më të kujdesshme dhe të personalizuar ndaj rekomandimeve dietike, duke siguruar që ato të jenë në përputhje me gjendjen shëndetësore të një individi dhe provat më të fundit shkencore.

PD, Alfrida Marku: Procesi i rindërtimit do vërtetohet si një ndër skandalet e radhës së korrupsionit të kësaj qeverisje

Në një reagim në profilin e saj në facebook, kryetarja e PD-së Lezhë, njëkohësisht anëtarja e kryesisë së PDSH-së, Alfrida Marku, denoncon edhe një here abuzimet me fondet e tërmetit nga ana e Bashkisë Lezhë.

Sipas Markut, një zvarritje e tillë e fondeve nga viti në vit, bëhet për të krijuar mundësinë e abuzimit me to.

Më poshtë reagimi i plotë i Alfrida Markut:

Mbi 20 miliard lekë që do paguhen nga shqiptarët, lezhjanët, si taksapagues apo kredimarrës, është shuma e tenderuar deri sot vetëm nga Institucioni i Bashkisë Lezhë për projekte me objekt rehabilitimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

POR, procesi po zvarritet duke “shpikur” punë të pa planifikuara, duke shpenzuar (shpërdoruar) miliarda lek me projektime e fasadat e pallateve.

2 miliard lekë të tjera të dedikuara rehabilitimit të pasojavë të tërmetit, nuk janë përdorur në 2023 nga institucioni i Bashkisë, pa asnjë shkak dhe arsye, ndërkohë që ky institucion ende nuk ka zgjidhje për rindërtimin e banesave të 53 familjeve, banesat e të cilave duhej të ishin rindërtuar prej kohësh.

Zvarritja e procesit të rindërtimit, i hap rrugë miliardave të reja dhe abuzimeve të reja.

Në mbledhjen e kaluar të Këshillit të Bashkisë Lezhë, i kam kërkuar sqarim Kryetarit të Bashkisë Lezhë nësë shuma 2 miliardë lekë e papërdorur në 2023 e që do kalonte në Buxhetin e vitit 2024 do ti jepte zgjidhje përfundimtare procesit të rindërtimit ? Ndër të tjera, nëse do ti hapte rrugë rindërtimit të banesave të 53 familjeve, ndër të cilat 12 familje të pallatit në qendër të qytetit dhe 41 në njesitë e tjera administrative?

Përgjigjia ishte JO .

Nga njëra anë kemi problemin e pazgjidhur të strehimit të 53 familjeve dhe një proces të tërë që nuk përmbyllet duke gjetur punë të paplanifikuara, nga ana tjetër kemi Bashkinë të cilës i janë alokuar fondet për rindërtimin, shpenzon miliarda nga taksat tona në emër të rindërtimit por nuk i adreson për zgjidhjen e pasojave të tërmetit.

E sikur të mos mjaftonte kjo, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar së fundmi parregullsi në Dogana duke ngritur dyshime nëse lënda e parë e përjashtuar nga detyrimet doganore është përdorur për procesin e rindërtimit në Lezhë apo ka përfunduar në treg për të favorizuar subjekte afër pushtetit.

Përsa më lart,i bëj thirrje Bashkisë Lezhë të marrë masa urgjente për përfundimin e procesit të rindërtimit, si dhe inkurajoj autoritetet kompetente, institucionet e Drejtësisë për hetimin e plotë e të gjithanshëm të procesit abuziv të Rindërtimit.

PD, Jupi: Dhuna dhe gjuha kërcënuese me të cilën Edi Rama ju drejtohet gazetarëve, është e papranueshme

“Dhuna dhe gjuha kërcënuese me të cilën Edi Rama ju drejtohet gazetarëve është e papranueshme, e dënueshme dhe mbi të gjitha e patolerueshme për një kryeministër, i cili e ka detyrim të përgjigjet mbi çështjet për të cilat publiku kërkon përgjigje.” – kështu shkruan në një reagim në profilin e saj në facebook Sekretarja për Gruan në PD, Taulanda Jupi.

REAGIMI I SEKRETARES PËR GRUAN NË PD, TAULANDA JUPI

Dhuna dhe gjuha kërcënuese me të cilën Edi Rama ju drejtohet gazetarëve është e papranueshme, e dënueshme dhe mbi të gjitha e patolerueshme për një kryeministër, i cili e ka detyrim të përgjigjet mbi çështjet për të cilat publiku kërkon përgjigje.

Me gjuhën e ngjyer në llumin e vulgaritetit Edi Rama vazhdon me të njëjtën retorikë agresive dhe kërcënuese pavarësisht kritikave apo thirrjeve të vazhdueshme për të ndryshuar këtë mënyrë komunikimi me gazetarët, qoftë nga organizatat dhe forumet kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, qoftë nga organizmat ndërkombëtarë.

Do të duhej të bëheshin bashkë gazetarë e gazetare dhe ta bojkotonin të paktën për disa ditë Edi Ramën. Nesër mund të jetë radha e secilit prej tyre të bullizohen, dhunohen apo kërcënohen për shkak të detyrës.

Çdo gazetar/e duhet të ndihet i lirë, duhet mbështetur të kryejë me kurajë, guxim dhe integritet e standart profesional misionin e tij të informimit të publikut, raportimit të lajmit, denoncimin e aferave korruptive dhe kriminale.