16.5 C
Tirana
E mërkurë, 21 Maj, 2025

Josep Borrelli akuzon Izraelin për nxitjen e urisë në Gazë

Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, e akuzoi Izraelin për përdorimin e urisë si armë në Gazë.

Gjatë fjalimit në Forumin Humanitar Evropian në Bruksel, Borelli tha se Izraeli, me anë të parandalimit të hyrjes së ndihmës humanitare në Gazë, është duke e nxitur urinë.

Ai tha se uria, që ka prekur me mijëra civilë, është tërësisht e krijuar nga njeriu dhe i nxiti autoritetet izraelite dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu që të ndalojnë pengimin e hyrjes së ndihmës në Gazë.

Sipas tij, pengimi i hyrjes së qindra kamionëve me ndihma dhe përdorimi i urisë si armë përbëjnë veprime të papranueshme.

Alibeaj: Ja pse nuk shkova në komision dhe interesat e vërteta që ka Rithemelimi

Sekretari i përgjithshëm i PD dhe bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj tregoi se përse nuk ishte i pranishëm ditën e djeshme në mbledhjen për komisionet hetimore.

Ai theksoi se nuk u vu në diskutim reforma zgjedhore dhe sipas tij dhe Edi Rama por edhe pala e Rithemelimit kanë interesin e tyre.

“Nëse e keni vënë re, ne kemi qenë të vetmit që edhe gjatë kohës që e bëheshin online ne kemi qenë prezent. Pjesa e parlamentit që e ka dashur debatin dhe ka dashur të flasë me njerëzit nepërmjet debatit ka qenë pala jonë. Dy palët e tjera nuk e kanë dashur. E dimë se si kanë kaluar ligjet në Kuvend.

Kisha kërshëri për të parë, vutë re ndonjë diskutim lidhur me reformën zgjedhore apo çështje të tjera lidhur me interesat e publikut. PS do të bëjë sikur asgjë s’ka ndodhur. 7 miliardë të shqiptarëve nuk dimë se ku shkuan. Përkeqësuan rregulloren e Kuvendit. Çfarë ka humbur nga situata para dhe pas. Sakrifikimi i parë është komisioni për reformën zgjedhore”-tha ai për Euronews Albania.

Alibeaj shtoi se qëllimi i vërtetë i Rithemelimit nuk është të vijë në pushtet. Sipas tij, qëllimi i një pjese të Rithemelimit është të ruajnë pushtetin e tyre dhe të mbajnë në pushtet Edi Ramën.

“Ajo që duket që ka ndodhur ose do ndodhë së shpejti është të dështosh komisionin e reformës zgjedhore. Për sa kohë kishim një komisioni ku ishin 9 anëtarë të opozitës përfshirë të gjithë, të shkosh në një sistem tjetër me 2 ose 3 anëtarë, si mundet të jesh i kënaqur me një përfaqësim 3 me 3 kur ke pasur 9 kur ke qenë në kushte pariteti me mazhorancën, ke pasur edhe të drejtën e vetos.

Duket fare qartë që interesi i një pjese të rithemelimit nuk është për të ardhur në qeveri dhe për t’i shërbyer publikut që kërkon largimin e qeverisë aktuale, por kanë interesa të tjera për të ruajtur pushtetin e tyre dhe për t’i shërbyer Edi Ramës. Duke i krijuar komoditetin Edi Ramës që të mbajë listat e mbyllura, duke mos lejuar diasporën të votojë, i ke krijuar kushtet që ai të fitojë një mandat të katërt”, tha Alibeaj

Ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço paraqitet në SPAK

Ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, është paraqitur paraditen e kësaj të marte (19 mars) në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Ende nuk dihen arsyet pse Naço është thirrur në SPAK.

Kujtojmë se Naço ka qenë ministër Drejtësia nga 2013-2015. Në vitin 2015 ai dha dorëheqje.

Vijon…

Pampuri: Në zgjedhjet e radhës PD me figura të pastra. Do t’u japim shqiptarëve modelin e një brezi të ri politikanësh

Deputetja e Partisë Demokratike Orjola Pampuri tha në një intervistë për Euronews Albania se PD hyn në zgjedhjet e 2025 me kandidatë të tjerë, jo me këta deputetë, që janë që siç tha u futën në listë nga Basha dhe menduan për interesat e tyre personale.

Ajo u shpreh se nga mezi i marsit pritet të dalë lista e kandidatëve për deputetë të PD, që do të jenë politikanë të rinj dhe të vjetër.

“Po bëjmë një ristrukturim të partisë dhe jemi duke përfunduar. Nga mesi i marsit mund të kemi një listë të kandidatëve, që janë figura të pastra që nuk kanë korrupsion në kurriz. Shqiptarët kanë dy modele; modelin e atyre që i lanë në tranzicion për 34 vjet, dhe modelin e një brezi të ri profesionistësh të mirë, politikanësh të rinj, politikanësh të vjetër, nuk i ndajmë, edhe politikanët e vjetër ndoshta duhen sepse kanë eksperiencën e tyre. Shqiptarët kanë mundësi të zgjedhin me modelin që duan të përfaqësohen. Jemi për një aleancë të gjerë të forcave të djathta, kemi qenë në bisedime dhe gjatë ditëve në vazhdim do ketë më shumë informacione rreth forcave që do bashkohen”
, tha Pampuri.

Kryebashkiaku i Libohovës merret ‘i pandehur’ nga SPAK, anëtari i kryesisë së PD, Elezi: “Koha për Veting në politikë”

Pas marrjes së kryebashkiakut të Libohovës i pandehur nga SPAK, ka reaguar nëpërmjet një postimi në profilin e tij në rrjetin social facebook, anëtari i kryesisë së PD-së, Myzafer Elezi.

“Siç po provohet, të përzgjedhurit e kësaj qeverie për poste zyrtare jo rastësisht janë persona me të shkuar ‘të errët’. Janë të shumtë ata që kanë probleme të pazgjidhura me drejtësinë dhe tashmë një nga një po shkojnë në SPAK të përballen me akuzat e ngritura ndaj tyre. Po të bësh një rezyme të listës së kryebashkiakëve të maxhorancës aktuale vërehen emra “të fortësh” që në CV-në e tyre kanë vendime dënimi në periudha kohore të ndryshme.” – shkruan Elezi në facebook.

Më tej ai thotë se ka ardhur koha për Veting në politikë për të shmangur kandidimin e personave me precedent penal, edhe pse, sipas tij, Rilindja nuk e pranon një gjë të tillë, sepse ajo tek bashkëpunimi me njerëz të tillë, e ka sekretin e fitores.

“Në situatën aktuale, miratimi i “Vettingut në Politikë” është domosdoshmëri e kohës për të shmangur çdo mundësi që personat me precedentë kriminal të zgjidhen në funksione publike. Por, “Rilindja” nuk e pranon vetting-un e politikanëve, madje shkon edhe më tej, të zbus dhe ligjin për dekriminalizimin, me qëllim amnistinë e personave me precedentë penalë dhe kandidimin e tyre që ligji aktual i pengon.” – vijon më tej ai.

Më poshtë postimi i plotë:

Kryebashkiaku i Libohovës merret ‘i pandehur’ nga SPAK për favorizim të kultivimit të kanabisit gjatë kohës që ishte në strukturat e Policisë së Shtetit.

Siç po provohet, të përzgjedhurit e kësaj qeverie për poste zyrtare jo rastësisht janë persona me të shkuar ‘të errët’.

Janë të shumtë ata që kanë probleme të pazgjidhura me drejtësinë dhe tashmë një nga një po shkojnë në SPAK të përballen me akuzat e ngritura ndaj tyre.

Po të bësh një rezyme të listës së kryebashkiakëve të maxhorancës aktuale vërehen emra “të fortësh” që në CV-në e tyre kanë vendime dënimi në periudha kohore të ndryshme.

Ata, ose kanë qenë të dënuar brenda apo jashtë vendit për vepra të ndryshme penale, ose “kanë ngrënë dardha” pas kurrizit të Kryetarit të tyre gjatë ushtrimit të funksionit publik.

Vetëm brenda një jave dy funksionar vendor merren nën hetim nga SPAK. Prefektja e Fierit u shkarkua nga detyra pasi “kishte ngrënë dardha pas shpinës së kryeministrit” gjatë periudhës që ishte në funksionin e kryetarit të bashkisë Patos.

Po kështu edhe kryetari në detyrë i bashkisë Libohovë.

Koha tregoi se draft-ligji ‘Vetting për Politikanët’ i propozuar nga Lulzim Basha dhe Partia Demokratike, në kuadër të reformës zgjedhore janë e vetmja zgjidhje për pastrimin e politikës nga të korruptuarit dhe personat me lidhje kriminale.

Në situatën aktuale, miratimi i “Vettingut në Politikë” është domosdoshmëri e kohës për të shmangur çdo mundësi që personat me precedentë kriminal të zgjidhen në funksione publike.

Por, “Rilindja” nuk e pranon vetting-un e politikanëve, madje shkon edhe më tej, të zbus dhe ligjin për dekriminalizimin, me qëllim amnistinë e personave me precedentë penalë dhe kandidimin e tyre që ligji aktual i pengon.

Kjo tregon se qeveria aktuale vetëm në aleancë me krimin e organizuar mund të shkaktojë ‘tërmet’. Ajo e ka të pamundur të fitojë pa angazhuar “çunat problematikë” dhe pa i përfshirë ata në lista.

Me shumë gjasa, nëse SPAK vazhdon punën me kurajë dhe guxim, mbështetur në prova dhe në ligj, pavarësisht presionit politik të ushtruar nga “hallexhinjtë” e politikës së vjetër, një grup parlamentar dhe një kolegj i kryetarëve të pushtetit lokal do të formohen te 313-ta.

Drama e eksporteve thellohet në 2024, rënie me 23% për janar-shkurt, tekstilet e këpucët nuk ngrenë kokë, thellohet ndjeshëm deficiti

2024-a ka nisur negative për pjesën më të madhe të eksportuesve shqiptarë, të cilët po ndikohen si nga konjuktura e pafavorshme e kërkesës ndërkombëtare e çmimeve në bursa, ashtu dhe nga zhvlerësimi i ndjeshëm i monedhës së përbashkët.

Tekstilet e këpucët po vijojnë me rënie për muaj radhazi dhe kanë filluar tashmë mbylljet e fabrikave. Përveç “ushqime, pije e duhan”, dhe “produkte kimike e plastike”, që shënuan një rritje modeste, edhe të gjitha grupet e tjera ishin me rënie.

INSTAT njoftoi se në Shkurt 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 32 mld lekë, duke u ulur me -16,1%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në janar eksportet kishin rënë me 29%.

Në shkurt, sipas INSTAT, Gjatë muajit Shkurt 2024, në uljen e eksporteve prej -16,1%, negativisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -7,7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,5 pikë përqindje, Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,3 pikë përqindje etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,4 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +0,1 pikë përqindje.

Në këtë dymujor eksportet e mallrave arritën vlerën 62 mld lekë, duke u ulur me -23,0%. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve për dy mujorin, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -13,9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -3,1 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,4 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +0,1 pikë përqindje.

Tekstilet dhe këpucët nuk ngrenë kokë, kanë filluar mbylljen e fabrikave

Në shkurt, eksportet e tekstile e këpucë, grupi më i madh eksportues në vend (me 30% të totalit), ranë me 15.7%. Për dy mujorin tkurrja është 17.6%.

Prej muajsh industria po kalon një periudhë të vështire e ndikuar nga shumë faktorë si rritja e kostove që ka bërë që partnerët të zhvendosen në Lindjen e Mesme duke ulur porositë dhe sidomos zhvlerësimi i euros, që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë. Aktualisht një euro këmbehet me më pak se 104 lekë, nga 116 lekë që ishte në shkurt 2023.

Kjo situatë po detyron shumë fabrika të mbyllen, sipas njoftimeve nga Shoqata e Eksportuesve. Falimentet më të mëdha kanë ndodhur në rrethe dhe në fabrika që kishin të punësuar nën 120 punonjës, që punonin kryesisht me nënkontraktim, të cilat kishin norma më të ulëta fitimi dhe nuk ishin në gjendje të përballonin krizën.

Materiale ndërtimi dhe metale vijojnë tkurrjen

“Materialet e ndërtimit dhe metalet” kaluan në grupin e dytë më të madh në vend për dy mujorin, me 19.4% të totalit. Ky grup ndikohet nga ecuria e Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend. Në shkurt ky grup ra me 11.8%, ndërsa për 2 mujorin tkurrja është 17.1%. Sektori po vuan nga kërkesa e dobët rajonale dhe tkurrja e çmimeve.

Minerale, lëndë djegëse, energji me rënie të fortë

“Minerale, lëndë djegëse, energji” kaloi në grupin e tretë më të madh në vend, me 18.8% të totalit, si rrjedhojë e tkurrjes së fortë në muajt e parë të vitit. Në shkurt grupi i reduktoi shitjet me 33%, ndërsa për 2 mujorin rënia është 49%, e ndikuar nga ecuria negative në janar. Ecuria e këtij grupi është e varur nga shitjet e Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend dhe nga tregtimi i energjisë elektrike, që lidhet me motin.

Ushqime pije e duhan, me zor mbahet

“Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit po shënon një rritje modeste. Në shkurt, eksportet e tij u rritën me vetëm 1.5%, ndërsa për 2 mujorin zgjerimi ishte 1.35%. Pavarësisht potencialeve, sektori po ndikohet nga rritja e kostove, që po e bëjnë atë më pak konkurrues në rajon si dhe nga ecuria e motit.

Makineri, pajisje, pjesë këmbimi dëmtohen nga euro

“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishin grupi tjetër që shfaqi ecuri të mirë vitet e fundit, si rrjedhojë e hyrjes së fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive. Por edhe ky grup po vuan nga zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore. Në shkurt eksportet ranë me 11.9%, ndërsa për 2 mujorin tkurrja është 10.1%.

Thellohet ndjeshëm deficiti tregtar

Ndërsa eksportet po vijojnë të bien, importet i janë rikthyer rritjes, duke thelluar ndjeshëm deficitin tregtar. Sipas INSTAT, në këtë dymujor eksportet e mallrave arritën vlerën 62 mld lekë, duke u ulur me -23,0%, ndërkohë importet e  mallrave arritën vlerën 134 mld lekë, duke u rritur me 5,0%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 72 mld lekë, duke u rritur me 52,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Rriten eksportet me Kosovën, bien me Italinë, Turqinë e Kinën

Në muajin Shkurt 2024, vendi me të cilin Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shkurt 2023 është: Kosova (21,2%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-16,2%), Greqia (-41.6%) dhe Gjermania (-5.1%).

Gjatë këtij dymujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (-12,1%), Turqia (-9,3%) dhe Kina (-29,2%).

Në muajin Shkurt 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Turqia (61,4%), Gjermania (12,5%) dhe Greqia (29,6%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-8,9%), Kina (-27,9%) dhe Maqedonia (-16,6%).

Gjatë këtij dymujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Turqia (30,4%), Greqia (32,%) dhe Gjermania (12,6%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-4,1%), Kina (-15,3%) dhe Maqedonia (-11,8%).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 57,7%, të gjithë tregtisë. Në Shkurt 2024, eksportet drejt vendeve të  BE-së zënë 74,0 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 50,7% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (28,1%), Turqia (12,0%), Gjermania (7,3%)  dhe Greqia (7,2%).

Shkëmbimet tregtare, për dymujorin e parë 2024, me vendet e BE-së zënë 58,1 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Shkurt 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,8%  të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 49,9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (28,8 %), Turqia (10,0%), Greqia (7,4%) dhe Gjermania (7,2%).

 

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT

Revista “Monitor”

Hitleri kërkoi dorëzimin e 300 hebrenjve, si ish-kryeministri i pajisi me pasaporta shqiptare me emra të rremë/ Marsi i përhershëm i burrit me mbiemrin Kruja!

Nga Visar Zhiti

SHQIPTARËT JANË MË SHUMË SE SHQIPËRIA

Shqiptarët e fortë, ata të mirët, bujarët, me një madhështi të brendshme, por që u shfaqet, mjafton një dramë, një pabesi e tjetrit, një mort, një dasmë, sidomos një valëvitje flamuri mbi një pirg a llogore, janë më të fortë se Shqipëria vetë dhe atë mirësi prej tyre e ka vendi, bujarinë proverbiale dhe atë madhështi tradicionale, e adhuruar nga të huajt, udhëtarë, pelegrinë, pushtues, poetë… Bajroni tha se shqiptarët kanë virtyte, por ah, t’i kishin më të arrira.

Shqiptarët janë më shumë se Shqipëria dhe duket se u ka munguar vetëm arritja…, kam menduar shpesh, natyrisht që kemi Shqipëri, aq sa është, gjysmë, kemi dhe Republikë të pavarur të Kosovës, por më trishton pa masë bjerrja, ajo shprishje që i erdhi racës shqiptare nga vetvetja ose pothuajse…

Dekadat e diktaturës komuniste dhe për pasojë dhe postdiktatura sollën më dëm në prishjen e racës se shekujt e pushtimit, e kam fjalën për virtytet njerëzore, aq sa më duket se pushtet ka patur më shumë e keqja.

QË MENDOVA ASHTU?

…shkak ishte dhe Mustafa Merlika – Kruja, ka datëndjen me 15 mars, në mes të marsit të trimërisë siç e quan kënga e popullit, teksa prilli i dashurisë duket se veç vonon.

Ai është personalitet me rëndësi i librit shqip, është historian, kur s’kishte dhe aq të tillë, gjuhëtar në nivel shkencëtari, kur s’kishte dhe aq të tillë, përkthyes, të mbijetesës, mjeshtëror në të shkruar, pra dhe stilist, zgjodhi emrin letrar Shpend Bardhi, i qartë në mendime, i guximshëm, di të shquajë vlerat e kundërshtarit dhe meritat e armikut.

Po ai dinte historinë e kombit të tij ashtu si të familjes së tij, bëri Shqipëri bashkë me ata që e bënë, është një nga burrat e Pavarësisë së nëntorit 1912, ndërsa kur bëhej “Pavarësia e dytë, Kongresi i Lushnjës në janar të 1920, nuk ishte në sallën historike, por maleve, organizonte qendresën antiserbe në Dibër dhe Lumë, do të ishte për një “Shqipëri romane”, nëse mund ta themi kështu gjatë Luftës II Botërore dhe në vitin 1941, nën pushtimin fashist, në sopatat e Liktorit, ai do të ishte kryeministër – kolaboracionist si arritje e nacionalizmit, sa ç’mund të arrihej në pushtim.

Dhe pikërisht për këtë fitimtarët pas Luftës II Botërore, adhurues më shumë të prangave se të librit, do ta përndiqnin, duke dashur vrasjen e tij, duke e mbuluar me harrim emrin dhe veprën madhore.

Po ai tashmë është vetë pjesë e historisë.

* * *

Dua ta kujtoj sërish. Në librin tim, “Kartela të Realizmit të dënuar”, është dhe

KARTELA Mustafa Merlika-Kruja, (1887 – 1958)

…Do të ikte.

Kryeministër i Shqipërisë, i diplomuar për shkencat politike jashtë vendit, bashkëpunëtor i Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në Shpalljen e Pavarësisë, që përveç punëve si patriot dhe historian, shquhet dhe si gjuhëtar i klasit të parë dhe la në dorëshkrim një fjalor prej 2.400 faqesh, me 30.000 fjalë shqip.

Kjo lëndë madhore mbeti në kthetrat e fitimtarëve dhe ata e dinë ç’bënë me të, si e shqyen, e përvetësuan, e dogjën.

Libra të tjerë të Mustafa Merlika-Krujës janë: “Anthologji Historike”, “Letërkëmbim 1947-1958”, “Kujtime vogjlije e rinije”, “Aleksandr’ i Madh” dhe “Vëzhgime Iliro-shqiptare”, punime shkencore origjinale, si dhe përkthime prej tij të veprave themelore që lidhen me ilirët dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët, një ndihmesë e vyer dhe me rëndësi.

PO Ç’KA THËNË BABAI I GAZETARISË MODERNE ITALIANE,

Idro Montaneli

Gazetari i famshëm italian, Indro Montaneli, autori i një libri trallisës për Shqipërinë, ja ç’do të shkruante për qeverinë e Mustafa Krujës në “Corriere della sera”: “Ministrat shqiptarë… të gjithë vishen thjesht, janë pak të ashpër, por të përgatitur mirë teorikisht. E kaluara e tyre është njëlloj: kanë vuajtur për vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: njësía territoriale e Shqipërisë, autonomia e brendshme, mbrojtja e racës dhe e pasurisë kulturore, bashkëpunimi me Italinë mbi bazën e të drejtave dhe të detyrimeve të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë”.

Dhe për vetë kryeministrin: “Suksesi e nderimet nuk kanë mundur ta shndërrojnë natyrën dhe sjelljen e jashtme të këtij burri… (që) nuk i jep rëndësi vetes me poza e me fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë me maturi e… thotë të vërtetën… Jeta e tij ngjan me atë të Mazzini-t e programi i tij është ky: dua një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë”.

Kryeministri Kruja dhe qeveria e tij do të ishin dhe mbrojtës të pashoq të hebrenjve, që përndiqeshin kudo. Jo vetëm që nuk do t’i dorëzonin te pushtuesi nazi-fashist, por do të vinin të tjerë nga të mundnin dhe Shqipëria do të ishte vendi që do të kishte hebrenj më shumë pasi mbaroi lufta, sesa kur nisi.

Dhe pikërisht do të iknin si çifuti në shkretëtirë, personalitete të tjera të vendit, intelektualë…

VAZHDIM I DËNIMIT, KARTELË TJETËR

Eugjen Merlika

…që ka gjysh Mustafa Merlika – Krujën, e rëndë kjo për në burg, kryeministrin e dënuar, kaq duhej, se nuk i kujtonin më që ai ishte patrioti, albanalogu dhe gjuhëtari i shkëlqyer, i ikur nga regjimi, patjetër që familja e mbetur “në mëshirë të të pamëshirshmëve”, do të përfundonte internimeve e do të kërcënoheshin me burg.

Eugjenin e kisha parë kur vinte me biçikletë nga balta e internimeve në Lushnjë, isha gjimnazist, por do të na bashkonte burgu i Spaçi. Pastaj dhe Italia, ku ai mërgoi dhe unë punoja në ambasadë në Romë. Në burg i kërkoja fjalë italisht, tani shkëmbenim nga librat tanë.

Pasi botoi përmbledhjen me poezi “Muzg”, Eugjeni do të botonte memuaristikë dhe artikuj të shumtë në gazeta, vëzhgime politike, kritika letrare, ese, që do t’i përmblidhte në libra të ndryshëm, ndër më të fundit “Elegji për brezin tim” dhe pastaj do t’i hynte një pune të madhe, akademike, që duhej ta bënin akademitë, përgatiti gjithë veprën e Mustafa Krujës, studime, histori, gjuhësi, polemika, letërkëmbim, etj., e cila, duke dalë në këto vite, plotësoi një vend bosh në studimet shqiptare, me një vlerë të rëndësishme kombëtare.

Kur i bënë atentat Luigj Gurakuqit në Bari në rrugën që mban emrin e tij, bashkë me të ra dhe një kukull, e kishte marrë t’ia çonte një vogëlusheje… që do të bëhej nëna e Eugjenit.

E lindur në Romë, Elena Gjika kreu studimet për letërsi me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Napolit dhe mes zgjedhjes për të mbetur pedagoge në Itali apo të shkonte në Shqipëri, parapëlqeu këtë të dytën, shkoi pas të shoqit, inxhinier Petritit, diplomuar në Francë, i biri i Mustafa Krujës.

Elena, e talentuar në gjuhësi, do të bashkëpunonte me vjehrrin për Fjalorin e madh të Shqipes. I shoqi merrej me ndërtimet në Shqipëri, por atë e arrestojnë dy vjet pas mbarimit të Luftës, se bënte pjesë në ata që donin të krijonin një parti liberale opozitare. E dënojnë me 15 vjet burg.

Eugjenin 6-vjeçar me nënën dhe gjyshen i dërgojnë në kampin-aushvic të Tepelenës. Që fëmijë provoi qelitë. Pasi mbyllet, i çojnë në internim në Lushnjë, fshatrave. Po prisnin që Eugjeni të mbushte moshën për burg. Dhe e arrestojnë në vitin 1980, e dënojnë pa bërë gjë fare me 8 vjet burg…

Kështu deri sa bie Muri…

Nga Zonja Elena kanë mbetur dy sprova, një e shkruar për studentët në Itali, për personalitetin e të riut, dhe tjetra për dhunën në internim në Tepelenë, ku nëpërkëmbej edhe jetesa si qenie, por ja, që çuditërisht, një herë u arrit të kremtohej një Krishtlindje, megjithëse të ndaluara, me një prift të internuar dhe korin ilegal të të internuarave. Ishte liturgjia e ëndrrës.

Vuajtjet dhe dënimet bënë që të humbte vepra e saj, të mos shkruhej dot. U rikthye atje ku kishte lindur, në Itali, ku dhe mbylli sytë afër Romës në vitin e dytë të mijëvjeçarit të ri, por kërkoi të prehej në vendin, ku u lodh aq shumë, në Shqipëri. Emri i saj ndrit përzishëm në varrezën familjare në Krujë, ku ka dhe një shesh tani me emrin “Mustafa Kruja”.

Vepra “Merlika-Kruja” përmbledh kohë të tre brezave, kohë të përjetësisë së Shqipërisë.

DY LIBRAT E DIJETARIT:

I kam ndër duar dy librat më të fundit të tij si festë e datëlindjes. Vepra të kujtesës kolektive dhe të mbijetesës, “Lashtësi shqiptare” – 2021 dhe “Historij’ e vonë” – 2023, botimet “Berk”, emërtimi i së cilës më emocionon: “një formë gjuhësore arkaike e shqipes, që shenjon librin, gjurmët tashmë të humbura…” në mesjetën shqiptare dhe të rishfaqura po në atë mesjetë, më saktë me rilindjen e vonuar. I shkon shumë dhe misionit të Mustafa Merlika – Krujës.

“Lashtësi shqiptare” përmbledh shkrime historike dhe përkthime të tij, të përgatitura nga nipi, Eugjeni, me një parathënie nga arkivisti Sokol Çunga, studiues dhe kritik letrar, përkthyes dhe ai, ku thotë se “ky është një tekst i historisë së Shqipërisë… por në të njëjtën kohë është dhe histori e vetë autorit të tij”.

Tematikë enciklopedike, që nga parahistoria, legjendat, pellazgët, epoka ilirjane, helenët, thrakët, maqedonët, Aleksandri i Madh, Pirro, Roma, kryqtarët, Bullgaria e Dytë, Beteja e Fushë Kosovës, Arbëreshët, Histori e Skënderbeut, etj.

Libri tjetër, “Historij’ e vonë”, me “Kapituj të randsishëm të historisë së shtetit shqiptar”, ka po atë enciklopedizëm, por kombëtar, nis me Gjomarkajt, Ali Tepelena, Lidhja e Prizrenit, revolucioni Xhon-Turk, kryengritjet, 1912, Kosova dhe Vlora, Toptani, Bajram Curri, Kongresi i Durrësit, Konferenca e Parisit, Fan S. Noli, Luigj Gurakuqi, etj., Balli Kombëtar, Konferenca e Mukjes… Konferenca e Parisit… çfarë i duhet shkollës shqipe dhe deri “Pse Enver Hoxha asht në krye”… “në skenën tragjike të revolucionit komunist shqiptar”.

Botimi është përgatitur nga Anna Shkreli, me parathënie nga Eugjen Merlika, të cilën e titullon “Rilindasi i brezit të fundit”.

Barra i ka rënë atij, prurësit dhe përkujdesësit të gjithë veprës së Mustafa Merlika – Krujës, një ish-i burgosur politik, ai i bën të gjitha, madje me paratë e tij nga dëmshpërblimi i mangët i burgut. Si bashkëvuajtës me mua, më dërgoi dhe dy botimet e fundit këtu, jo shumë larg nga vendi, ku gjyshi i tij si i mërguar politik mbylli sytë përgjithmonë, në Niagara Falls, në një dimër në SHBA.

Bashkohemi me atë që shkruan shkrimtari themeltar Ernest Koliqi: “Veprat e Mustafa Krujës mbesin dëshmimi i shkëlqyeshëm i kontributit që ai i solli naltësimit moral e kulturor të botës shqiptare.”

Botimi i tyre duhej të ishte detyre dhe punë e akademive dhe katedrave të historisë, gjuhësisë dhe albanologjisë, e Lidhjes së Shkrimtarëve si për një akademik dhe historian të shquar, gjuhëtar, albanalog dhe stilist të shqipes, e Ministrive të Kulturës për një autoritet të kulturës, e Kryeministrisë për një kryeministër.

Mustafa Merlika – Kruja tashmë është një institucion. Nëse Shqipëria nuk do të dijë që përvojën dhe arritjet e tij ashtu si dhe humbjet t’i bëjë pjesë të përvojës, arritjeve dhe humbjeve të saj, do të dëmtojë kështu historinë dhe kujtesën e popullit, por dhe kritikën e ardhmërisë.

Kruja i pajisi hebrenjtë me pasaporta shqiptare me emra të rremë

Mustafa Kruja që i ri në shtypin stambolliot u pozicionua për çështjen kombëtare dhe lirinë e të shkruajturit shqipen me alfabet latin.

Pas dekretimit të kabinetit të tij, kërkoi heqjen e spatave liktoriane e nyjet savojane nga flamuri kombëtar, rikthimin e Statusit të 12 prillit 1939 që mëtonte thjesht bashkimin e dy kurorave dhe rivendosja e Ministrisë së Jashtme shqiptare, krijimi i Forcave të Armatosura dhe Milicisë shqiptare. Nga këto, vetëm heqja e simboleve nga flamuri u arrit. Nga historiografia zyrtare shqiptare dhe nga historianë si Fischer e Bartl, por edhe nga bashkëkohës si Abas Ermenji, qeverinë e tij e çmojnë “kolaboracioniste”. Rendi që mori pushtetin në Shqipëri më pas nuk e pranoi as fizikisht e as produktin e tij intelektual, duke e damkosur si tradhëtar të kombit.

Shqyrtime të reja e çmojnë këtë optikë të ngarkuar me subjektivizëm si dhe me fjalor politikisht të indoktrinuar. Qëndrimi i tij i bindur antikomunist bëri që të pajtohej me përfaqësuesin e Mbretit Zog që po vepronte në Shqipëri, Abaz Kupin, si dhe me faktorë të tjerë si Dine dhe Gjonmarkajt. Ndonëse u etiketua si kolaboracionist dhe tradhëtar e as produkti i tij intelektual nuk u pranua në periudhën e regjimit komunist, në studimet e tij mbi etimologjinë e fjalëve të shqipes, Eqrem Çabej i referohej në mënyrë të përsëritur autorit Shpend Bardhi.

Sipas librit memuaristik “La politica dell’Italia in Albania” të mëkëmbësit Jakomoni, pak kohë pas dekretimit të kabinetit, Merlika-Krujës i ishte paraqitur konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë për t’i paraqitur notën verbale me të cilën qeveria naziste kërkonte dorëzimin e treqind hebrenjve të emigruar nga ish-Jugosllavia. Pasi mori pëlqimin e mëkëmbësit, Kruja dha urdhëresat për tërheqjen e hebrenjve të vendosur në “Tokat e Lirueme” në Shqipërinë e brendshme. Hebrenjtë u pajisën me pasaporta shqiptare me emra të rremë, kësodore administrata shqiptare e kabinetit Kruja iu gjend edhe hebrenjve të tjerë jorezidentë (gjermanë, bohemë, polakë, hungarezë dhe rumunë) të pajiseshin me dokumenta shqiptare. Duke u krijuar mundësia kësodore që t’u shmangeshin përndjekjeve racore dhe duke gjetur strehë në Shqipëri. Kruja ngadalësoi procesin e fashistizimit dhe italianizimit të vendit, premtoi se do të viheshin në vend gabimet e qeverisë së mëparshme kolaboracioniste dhe la të kuptohej se pushtimi do të ishte i përkohshëm.

U përpoq të përçajë frontin e rezistencës antifashiste. Ndryshimet e vogla që siguroi nga Roma ishin vetëm kozmetikë e lehtë e regjimit të pushtimit dhe politika e tij paqësore dështoi. Shqiptarët e kishin kaluar dehjen e përkohshme nacionaliste që solli bashkimi i tokave shqiptare nën pushtimin italian dhe pakënaqësia e tyre ishte në rritje. Premtimet për mirëqenie nuk u realizuan dhe varfëria mbeti problem i madh. Partizanët dhe Myslym Peza hodhën poshtë ofertat e Krujës që t’i bashkohen atij hapur, dhe kështu vepruan edhe Abaz Kupi, Ali Këlcyra dhe Muharrem Bajraktari, prandaj Kruja ashtu siç kishte paralajmëruar zhveshi shpatën e qeverisë së tij kundër gjithë kundërshtarëve të regjimit fashist.

Partia komuniste organizoi njësitet e saj guerile dhe çetat partizane të cilat në pranverë 1942; më 5 maj 1942 u vra Qemal Stafa, ndërsa një muaj më vonë në Shkodër Perlat Rexhepi, Branko Kadia dhe Jordan Misja. Fryma e antifashizmit përfshiu një pjesë të mirë të qyteteve dhe u përhap shpejtë edhe në fshatra. Të rinjtë iu bashkuan çetave partizane ose atyre kaçake. Një numër çetash të reja u krijuan mbi baza familjare. Me vrasjen e Qazim Koculit dhe prefektit Lele Koçi në Vlorë, Merlika-Kruja i paraqiti dorëheqjen Jakomonit. Më 2 tetor 1943, i bëhet atentat nga partizanët. Pas sulmit partizan kundër zogistëve në Shupal më 5 korrik 1944, Merlika së bashku me Fiqri Dinen dhe Mark Gjonmarkajn u takuan më 11 korrik me Bazin e Canës.

Pas muajsh mosmarrëveshjeje, prania partizane i shtrëngoi drejt një ujdie në organizimin kundër Frontit Nacional-Çlirimtar, ku ndërhyrjet e Merlikës ndihmuan kalimin e njerëzve të Abazit nëpër Shqipërinë e Mesme e Tiranë. U thirr në Vjenë, ku shkoi më 1 shtator 1944 për t’i qëndruar pranë djalit të vogël të sëmurë rëndë, Besimit. I biri ndërroi jetë më 21 nëntor dhe Merlika nuk u kthye më në Shqipëri.

U vendos në Itali ku së bashku me Koliqin rithemeloi “Bllokun Kombëtar Indipendent”. Pasi Kupi merr vesh se nuk e përballonte jetesën, e thërret në Egjipt ku më 25 shkurt 1948, u pajtua për së afri me Mbretin Zog. Pak para rrëzimit të dinastisë me prejardhje shqiptare të Egjiptit, kaloi në Francë dhe më pas në ShBA ku dhe ndërroi jetë pas një operacioni, në Niagara Falls më 27 dhjetor 1958.

A është Asociacioni kusht për KiE dhe çfarë mund të kërkohet tjetër deri në maj? Çfarë thotë Gerald Knaus

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë për Radion Evropa e Lirë se kushtet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të lidhen vetëm me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me standardet e Këshillit të Evropës, “e jo me gjëra të tjera, si dialogu me Serbinë”.

Knaus – organizata e të cilit ka publikuar së voni një dokument për rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës – thotë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk mund të jetë kusht, sepse “nuk varet vetëm nga Kosova, varet edhe nga Serbia”.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë REL-it më 15 mars, sugjeroi se Asociacioni dhe çështja e disa shpronësimeve në veri të Kosovës mund të nxirren si kushte shtesë nga disa shtete evropiane.Radio Evropa e Lirë: Zoti Knaus, organizata juaj – Iniciativa Evropiane për Stabilitet – publikoi së voni një dokument për rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës. E dimë se çështja e tokës së Manastirit të Deçanit ishte kushti kryesor për Kosovën që të ecte përpara në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë. A ka kushte të tjera?

Gerald Knaus: T’iu hedhim një sy fazave të ndryshme – janë tri faza që Kosova duhet t’i kalojë. E para është rekomandimi i Komitetit për Çështje Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Mbledhja do të mbahet në fund të marsit. Për këtë, e dimë se janë përmbushur kushtet, sepse do të diskutohet raporti i raportueses [për Kosovën], Dora Bakoyannis. Edhe pse do të jetë një seancë e jashtëzakonshme, ajo do të zhvillohet në javën e festës [së Pashkëve] dhe sfidë do të jetë ardhja e njerëzve. Por, jam i bindur se – nëse ka mjaftueshëm njerëz – votimi do të jetë pozitiv.

Kjo, pastaj, do të kalojë në Asamblenë Parlamentare, në prill. Edhe atje, nëse Komiteti rekomandon se Kosova duhet të jetë anëtare – gjë që mendoj se do të ndodhë – atëherë edhe Asambleja Parlamentare do të rekomandojë që Kosova të jetë anëtare.

Vendimi [i Qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit] u hap derën hapave të ardhshëm dhe, pastaj, çdo gjë do të varet nga qeveritë, në maj. Për këtë, ne dhe Kosova duhet të kërkojmë mbështetje.

E dimë se ka skepticizëm, por me rekomandime të fuqishme dhe me deklarata të fuqishme nga Asambleja Parlamentare dhe nga politikanë në të gjithë Evropën, se kushtet duhet të jenë të lidhura vetëm me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me standardet e Këshillit të Evropës, e jo me gjëra të tjera, si për shembull dialogu me Serbinë, që nuk lidhet me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut… nëse kjo është linja që ndiqet nga shtetet anëtare, atëherë shpresoj të ketë edhe një votë pozitive në maj.

Nuk do të jetë e lehtë, do të duhet të ketë përpjekje për t’i bindur, por është një mundësi e madhe për Kosovën që t’iu shpjegojë qeverive në të gjithë Evropën se çfarë ka arritur kur bëhet fjalë për demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e pakicave, dhe çfarë planifikon të arrijë në javët dhe muajt e ardhshëm për të përmirësuar respektimin e të drejtave të njeriut.

Pra, mund të jetë një mundësi për një mesazh pozitiv dhe nëse funksionon dhe Kosova i bashkohet Këshillit të Evropës këtë vit, do të ishte një triumf për politikën e jashtme të Kosovës – ndoshta më i madhi që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Radio Evropa e Lirë: Por, në fundjavë ka pasur disa reagime – sidomos nga ligjvënës gjermanë – kundër deklaratave të të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se po sugjerohen edhe dy kushte të reja për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropë – Asociacioni dhe shpronësimet në veri…

Gerald Knaus: Është interesante, sepse nuk ishin vetëm gjermanët, reaguan edhe suedezët, austriakët e të tjerë. Por, në Gjermani ishin nga të gjitha partitë, nga Liberalët, të Gjelbrit, Demokristianët, Social-demokratët… Mesazhi nga të gjithë ata anëtarë ishte shumë i qartë: Kushtet nuk do të vendosen nga një vend që nuk është anëtar i Këshillit të Evropës. SHBA-ja nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe nuk mund të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, sepse ka dënimin me vdekje – nuk i plotëson kushtet.

Këshilli i Evropës është një institucion i pavarur, i ka tashmë 46 anëtarë, i ka standardet e qarta dhe parlamentarët nuk do të ndikohen nga kushtet që nuk janë të lidhura me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parlamentarët e kanë bërë shumë të qartë qëndrimin e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Pra, kushtet që i ka përmendur Escobar, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk janë në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën?

Gerald Knaus: Ne e kemi parë raportin dhe kushti i Asociacionit përshkruhet si diçka e dëshirueshme. Kosova e ka pranuar se është diçka për të cilën po negocion me mirëbesim. Por, nuk mund të jetë parakusht për pranim [në Këshill të Evropës], sepse nuk varet vetëm nga Kosova, varet edhe nga Serbia. Dhe, Serbia e ka bërë shumë të qartë se nuk do që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.

Të thuhet se ky është parakusht për Kosovën për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës – e ai varet nga marrëveshja me Serbinë, ndërsa Serbia do që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovën në Këshill të Evropës – i jep Serbisë veto. Kjo nuk funksionon kështu.

Të drejtat e pakicave janë kusht i Këshillit të Evropës, por mënyra se si garantohen të drejtat e pakicave, mekanizimi… dallon në të 46 shtetet anëtare. Nuk ka asnjë asociacion të ngjashëm si kërkesë në asnjë shtet tjetër anëtar. Pra, do të ishte e çuditshme, për të mos thënë e padrejtë, nëse ky vendoset si kusht. Nga bisedat e mia me shumë parlamentarë, kam përshtypjen se edhe ata e shohin kështu.

Radio Evropa e Lirë: Por, a mund të dalin kushte të reja rrugës, deri në prill, deri në maj?

Gerald Knaus: E rëndësishme për Kosovën tani është që të tregojë se ajo është e vendosur që t’i përmirësojë edhe më të drejtat e njeriut. Këshilla ime për Qeverinë e Kosovës është që të mendojë se çfarë mund të bëjë kur bëhet fjalë për çështjet e mosdiskriminimit, barazisë gjinore, të drejtat e komunitetit LGBT, të drejtat e pakicave – qofshin romë apo serbë – sundimin e ligjit…

Për të gjitha këto, do të ishte mirë që Kosova ta bëjë të qartë se çfarë ka arritur deri më tash dhe çfarë synon të bëjë. Por, nuk duhet të ketë kushte të vendosura nga jashtë.

Sfidat me Finlandën & Zvicrën / Shqipëria U-21 zhvillon seancën e radhës stërvitore

Kombëtarja U-21 ka vijuar me përgatitjet në kuadër të dy sfidat kualifikuese të vlefshme për “Euro 2025”, ndaj Finlandës (22 mars, ora 17:00) dhe Zvicrës (26 mars, ora 17:00).

Skuadra është stërvitur në “Shtëpinë e Futbollit” nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi, që e ndau skuadrën në dy grupe. Lojtarët kanë marrë ngarkesën e plotë dhe gëzojnë formë të mirë. Me grupin është bashkuar edhe mesfushori i Skënderbeut, Dejvid Janaqi.

Përgatitjet intensive për sfidën e parë të muajit mars ndaj Finlandës U-21 do të vijojnë deri të enjten. Më pas, të premten më datë 22 mars, në ora 17:00, Shqipëria U-21 do të zhvillojë në stadiumin “Air Albania” sfidën ndaj Finlandës U-21. Ndërsa takimi i dytë ndaj Zvicrës U-21 po në “Air Albania” do të luhet më datë 26 mars, në ora 17:00.

Hyrja në stadiumin “Air Albania” për sfidat kualifikuese të Shqipërisë U-21 ndaj Finlandës dhe Zvicrës do të jetë falas. Të gjithë tifozët mund të vijnë të mbështesin Kombëtaren U-21 nga shkallët e stadiumin në dy takimet e rëndësishme në rrugëtimin drejt “Euro 2025”.

Njihet si organ multifuksional, por ja katër zakonet që e dëmtojnë mëlçinë

Illustration of liver on woman's body against gray background, Hepatitis, Concept with Healthcare And Medicine

Natyrisht, për sa kohë që mëlçia është e shëndetshme, ne nuk i kushtojmë shumë rëndësi. Megjithatë, mëlçia është një organ “multifunksional” dhe është i nevojshëm për shumë funksione në trup, si pastrimi i gjakut dhe shpërbërja e yndyrës nga ushqimi me ndihmën e tëmthit. Ajo gjithashtu ruan glukozën dhe siguron një nxitje të menjëhershme të energjisë kur nevojitet. Dhe, si gjithmonë, parandalimi është më i mirë se kurimi.

Pra, le të shohim se çfarë mund të dëmtojë mëlçinë dhe të përpiqemi t’i shmangim ose reduktojmë ato. Por në çdo rast, vetëm një mjek mund të na japë këshilla të sakta, personale .

Konsumimi i tepërt i sheqerit:
Sasia e madhe e sheqerit jo vetëm që është e keqe për dhëmbët, por dëmton edhe mëlçinë. Ky organ përdor fruktozën, një lloj sheqeri, për të bërë yndyrë. Një konsum i lartë i sheqerit të bardhë dhe shurupit të misrit mund të çojë në akumulimin e yndyrës dhe sëmundje të mëlçisë. Disa studime, duke përfshirë një të botuar në American Journal of Nutrition, kanë treguar se sheqeri është po aq i dëmshëm për mëlçinë sa alkooli, madje edhe te njerëzit me peshë normale. Është treguar se është po aq i dëmshëm për mëlçinë sa alkooli, madje edhe te njerëzit me peshë normale. Një arsye tjetër e mirë për të kufizuar ushqimet me sheqer të shtuar, të tilla si pijet joalkoolike dhe ëmbëlsirat.

Marrja e suplementeve ushqimore pa këshilla mjekësore:
Edhe suplementet e etiketuara “bimor” nuk do të thotë se mund të merren pa u konsultuar me një mjek. Për shembull, disa gra marrin suplemente bimore kava kava për menopauzë dhe relaksim. Megjithatë, studimet kanë treguar se mund të ketë probleme me funksionin e mëlçisë. Është e rëndësishme të theksohet se gjithmonë duhet të konsultoheni me një profesionist përpara se të merrni suplemente .

Sasi të mëdha të vitaminës A nga suplementet:
Trupi ynë ka nevojë për vitaminë A, e cila merret kryesisht nga frutat e kuqe, të verdha dhe portokalli. Siç tregon hulumtimi nga Instituti Kombëtar i Diabetit dhe Sëmundjeve Digjestive dhe Veshkave në SHBA, ai mund të jetë toksik për trupin dhe mëlçinë kur merret në formë suplementi.

Kujdes me konsumimin e barnave të caktuara:

Sipas një studimi të Institutit Kombëtar të Diabetit dhe Sëmundjeve Digjestive dhe Veshkave në SHBA, medikamentet e kolesterolit dhe qetësuesit e dhimbjeve si paracetamoli (ose acetaminofeni) gjithashtu mund të dëmtojnë mëlçinë kur merren në doza të mëdha. Paracetamoli, në veçanti, konsiderohet një ilaç “i sigurt”, kështu që është e lehtë të konsumohet më shumë se sa rekomandohet. E njëjta substancë mund të ketë edhe emra paksa të ndryshëm në formulime të ndryshme. Rekomandohet gjithmonë të kontrolloni përbërësit aktivë të formulimit që po merrni dhe të pyesni mjekun ose farmacistin tuaj nëse nuk jeni të sigurt.