22.5 C
Tirana
E mërkurë, 21 Maj, 2025

Abuzimet ndër vite me Ujësjellësin, inxhinieri Duleviç: Situata me ujin e njëjtë, por çmimi është rritur me 33 përqind

Inxhinieri Azmer Duleviç, në një lidhje me Skype në rubrikën Çështja e ditës nga Klevin Muka në News24, foli për abuzimet ndër vite tek Ujësjellësi.

Duleviç theksoi se tek Ujësjellësi ka pasur gjithmonë abuzime, pasi ka qenë një sektor, ku janë punësuar militantët dhe për rrjedhojë puna nuk ka qenë efikase. Inxhinieri shtoi se edhe pse situata me ujin në Shqipëri është e njëjtë, çmimi është rritur me 33 përqind.

“Ndërmarrjet e Ujësjellës Kanalizimeve kanë pasur keqmenaxhime, kjo vjen edhe nga investimet e gabuara. Kemi edhe shpërdorime. Ujësjellësit kanë shërbyer për të punësuar militantët, ku numri i punonjësve është i fryrë dhe për pasojë më shumë harxhohet për paga sesa për investime në infrastrukturë.

Edhe pse shoqëritë janë reduktuar, sërish situata mbetet e njëjtë. Shërbimi është njësoj, por uji është rritur 33 përqind”, u shpreh Duleviç.

“Reforma zgjedhore mbetet prioritet i Partisë Demokratike”/ Mirela Karabina: Pazari PS-Rithemelim, tregues i shkëputjes së politikës nga qytetarët

Zëdhënësja për shtyp e PD, Mirela Karabina, ishte e ftuar në “Euronews Albania” me gazetarin Thimi Samarxhi, ku foli mbi zhvillimet politike dhe Partinë Demokratike.

“Marrëveshja Partia Socialiste-Rithemelim është pazar në kurriz të qytetarëve.”
– u shpreh Karabina.

Përsa i përket përshëndetjes nga ndërkombëtarët, ajo tha se ata përshëndetën kthimin në normalitet të institucionit, pasi janë institucionalë.

“Pazari PS-Rithemelim është tregues i shkëputjes së politikës nga qytetarët dhe veprime të kushtëzuara nga hetimet në SPAK, gjithashtu është përpjekje me çdo çmim për të ruajtur status quo-në.”
– vijoi më tej zëdhënësja e PD.

“Reforma zgjedhore mbetet prioritet i Partisë Demokratike.
Ndërsa pazari PS dhe Rithemelim kërkojnë pengimin e realizimit të propozimeve të PD, të cilat kanë gjetur mbështetje dhe nga aktorë të tjerë politikë dhe jo vetëm, pasi PS-Rithemelim janë: jo për lista të hapura, jo për barazi vote në një zonë zgjedhore, jo për votë të diasporës dhe jo për votim elektronik. Partia Demokratike është e qartë dhe e vendosur me agjendën e saj në shërbim të qytetarëve.
Me ekipin e saj të pastër dhe me reputacion të mirë, me program ambicioz dhe sy më sy te qytetarët dhe për qytetarët, ajo do të jetë alternativa më e mirë që do iu ofrohet shumë shpejt shqiptarëve.”
– u shpreh Mirela Karabina.

Kalemaj: PS e mblodhi Rithemelimin me një fishkëllimë, i dha 2 komisionet më pak të rëndësishme

Politologu Ilir Kalemaj tha në studion e MCN Live se PS-ja i mblodhi deputetët e Rithemelimit me një fishkëllimë dhe i dha 2 komisionet më pak të rëndësishme.

Më tej, Kalemaj tha se Rithemelimi nuk ka bërë asnjë propozim për sistemin zgjedhor.

“Mazhoranca ka bërë çfarë ka dashur, në fund të 5 muajve i mbledh këta me një fishkëllimë. I jep dy nga komisionet me irelenvante. Se e para është çështje në SPAK, janë mbyllur hetimet, edhe ajo e TIMS është teknike dhe është më pak e rëndësishmja nga komisionet e tjera. Se çfarë do bëjnë këta për 3-4 muaj? Për mua nuk ka asnjë vlerë. Këtu fiton personalisht Gaz Bardhi, pasi ai nuk qe pjesë e këtyre 507 mijë votave, nuk bëri fushatë.

Ai garantoi njohjen e tij si kryetar i grupit parlamentar të PD-së, emërimin si nënkryetar i partisë bashkë me Gjekmarkajn. Nga PD, Rithemelimi nuk kemi dëgjuar një propozim të saj siç kanë propozuar partitë e vogla që thonë jemi për këtë sistem. Këta çfarë mendimi kanë?

Grupi Bardhit nuk ka propozuar asgjë, vetëm të kenë bashkëkryetarin. Tani bien dakord të mos kenë bashkëkryetarin.”

Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar/ Zyrtari i lartë amerikan vizitë në Tiranë dhe Prishtinë! Zbardhet agjenda

Ndihmës Sekretari për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) Todd D. Robinson do të vizitojë Shqipërinë.

Zyrtari i lartë amerikan pritet të vijë në Tiranë nga data 18-20 mars, ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe partnerët e INL që po mbështesin punën e Shqipërisë për forcimin sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ndërtimi i institucioneve të forta.

Robinson pritet të vizitojë dhe Kosovën. Ai do të jetë në Prishtinë nga data 20-22 mars, ku do të takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe me partnerët e INL në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë.

Posht Ballkonit

Nga Edison Ypi

S’ka më të pabesë dhe më të rrezikshëm, s’ka dërrasë më të kalbur se një grusht fanatikësh të pa përmbajtur si ata poshtë Ballkonit të Doktorit.
Kurrë nuk ka ndodhur, dhe kurrë s’ka për të ndodhur, në asnjë vend, në asnjë kohë, dhe në asnjë rrethanë, që bashkëpunimi me një çetë proletarësh të revoltuar të ketë pasur ndonjë rezultat pozitiv, aq më pak të jetë arritur ndonjë qëllim.
Posht Ballkonit të Doktorit po ndodh qoka politiko-propagandistike më e shëmtuar, më e pavlerë, më e dëmshëm dhe më e pakuptimtë.
Nën atë Ballkon llumi i Kombit, gjysma çuna oficerash nga ata që na kan burgos dhe na kan vra, po dërdëllit përçartje propagandistike kundraproduktive që s’i peshon asnjë kandar, që s’i duhen as dreqit, që e dëmtojnë kauzën tonë, por më tepër Doktorin.
Mbyllja e detyruar e Doktorit, një nga njerëzit më të kultivuar të vendit, nuk është asgjë para dënimit më të tmerrshëm, të bashkëjetuarit pranë e pranë si pasqyrë dhe si vetrinë, i squti me budallain, i sofistikuari me injorantët e dehur nga era e gjakut të mishit të pushtetit.
Asnjë fakt i kësaj natyre nuk ka qënë më i pamend dhe më i pavend se kjo çetë mercenarësh me lugë në brez në pritje për të përmbysur, zbrazur, lëpirë, tasa dhe kazana.
Fjalori i varfër, klishetë narrative, tematikat e dala boje, papërgjegjësia e skajshme, janë tiparet e turpshme të kësaj çudie që po kompromenton dita ditës opozitën e tashme, dhe po fëlliq gjithë të tjerët.
Çfarë po bëjnë Doktori majë penxheresë dhe çeta që e ndjek poshtë në rrugicë, është bashkëveprimi më jo-produktiv prej sa mbahet ment. Për një mijë arësye tepër evidente. E kotë t’i numurosh.
Pse duhet të vazhdojë kjo komedi me proletarë komunista kinse demokrata të egërsuar, injorantë të revoltuar, analfabetë funksionues, kur tashmë është më se e qartë se predikimet e vazdueshme denoncuese të Doktorit nuk i kanë paksuar aspak hajdutlliqet dhe krimet – një Zot e di.
Ndoshta është e vërtetë se ca të tërbuar me përçartjet e tyre në pritje të kockës ndezin çetën. Halli se dekurajojnë gjithë të tjerët.
Ku ma gjen kafenenë e lagjes. Ku flitet në mënyrë të kulturuar, serioze, të përgjegjëshme, me zemër, me shpirt. S’ka të krahasuar me karagjozllëkun me militantë të rrejshëm, estradën gratis, ku mungon vetëm Skënder Sallaku.
Duhet të bëhet i gjallë dikush të ndreqë diçka. Për shembull, të vërë një rregull të flasë çdo natë vetëm 1 orator. Jo çdo palaço që bën si besnik, si qëndrestar. Dikush për së mbari, dikush me cipë, dikush që nuk e bën baltë, që di të lidhë fjalët, që thotë diçka, që është i aftë ta përcjelli një ide. Në mos, t’i thotë çetës qesharake të iki në shtëpi, dhe të mos duket më.
Dihet se në Shqipëri çka ndodh në rrugë është më dramatike se çka ndodh në skenë. Madje çfarë ndodh poshtë jastëkut, poshtë dyshekut, posht çadrës, poshtë urës, është pakrahasimisht më e rëndësishme dhe më interesante se çfarë ndodh poshtë Ballkonit.
Për të dhënë një shembull. Noli gjenial, duke qënë prift, nuk mund të mos ishte pak komunist. Një mbrëmje, posht ballkonit, një buçko i qeshur, me gabime analfabeti dhe pathos kooperativisti, lexoi vargjet më komuniste të gjeniut Nol. Buçkoja as titullin nuk ja tha korrekt kryeveprës komuniste të priftit kolonjar. Vjershën që në diktaturë ua mësonin kalamajve të kopështit dhe quhet “Anës Lumenjve” proletari i poshtë ballkonit pa ju dridhur qerpiku e quajti “Anës Lumit”. Mir’ që s’e quajti “Anës Lanës”.
S’do ment se Doktori mezi pret të lirohet nga zgjedha e budallallëkut të posht ballkonit. Me siguri i dhem zemra nga çdo fjalë idiote që nxjerrin nga goja lumpenët e tërbuar. Po s’ka çfarë të bëjë. S’di nga t’ja mbajë.
Po unë, pse e shoh vallë çdo natë atë spektakël makabër ? Faleminderit për pyetjen dinake shoku spiun. Nuk e shoh se më pëlqen. E shoh sepse zbatoj parimin e pavdekshëm Lagushian; Llaftari tmerrisht e bukur.
Hej Zot ç’na ka gjet; Pse ësht Doktor, dun patjetër me e rrethu me spital.
I quajn “kamikaze” llapaqenat që ta lejn pushkën në faqe dhe e kthejn pllakën brenda minutit. Zot sa ke mos na i rrëfe.
Nuk ma kishte marrë kurrë mendja se Doktori që di përmendësh “Letrën e Tatjanës Onieginit”, vargje, poezi, prozë, nga autorët më të shquar të botës, njohësi në majë të gishtave i letërsisë klasike dhe moderne, ai që me fjalën e zjarrtë, mendimin e ngjeshur, dhe shpirtin plot, ai që në tërë këto vite ka ngritur peshë malet, kuçin e maçin, të madh e të vogël, edhe ngordhalaqët, edhe budallenjtë, edhe gurët e rrugës, ky Doktor të detyrohet të qëndrojë kaq pranë një çete komuniste në delir. Dënim më të tmerrshëm dhe më të pameritur s’ka.
A ka faj Doktori. Po ka. Për një gjë. Që nuk del në Ballkon tu thotë mysafirëve të çartallosur të rrugicës:
Zotërinj klientelista, mercenarista, regjionalista, ju solla deri këtu. Më tej bëni si dini. Faleminderit për ndihmesën që i dhatë revolucionit. Që sot, që tani, që këtë çast, ikni, dhe kurrë mos u ktheni. Qafën thefshi.

Vizita në Kosovë/ Gabriel Escobar takon familjen e Afrim Bunjakut, policit që u vra në sulmin e Banjskës

Policia ka njoftuar se gjatë vizitës në Kosovoë, emisari amerikan Gabriel Escobar, ka takuar edhe familjen e policit Afrim Bunjaku, që u vra në sulmin në Banjskë.

 

Sipas autoriteteve Escobar shprehu ngushëllime për humbjen e rreshterit Bunjaku.

Gjatë vizitës në Kosovë, Escobar takoi familjen e Afrim Bunjakut

Gjatë vizitës së Zëvendës Ndihmës Sekretarit (ZNS) Gabriel Escobar në Kosovë, ai kërkoi dhe ju dha kohë për tu takuar me të venë dhe djemtë e rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, të cilët shoqëroheshin nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. ZNS Escobar, në prani të Ambasadorit të SHBA-së Jeffrey Hovenier, dhe Atasheut të DOJ-ICITAP-it Kimberly Riffe, shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta familjes për humbjen tragjike të babait/bashkëshortit të tyre. Ngjarja ishte shumë emocionuese dhe e përzemërt dhe personalitetet e larta i shprehën ngushëllimet e tyre familjes dhe Policisë së Kosovës,” thuhet në njoftimin e policisë

Po ashtu Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka informuar Escobarin për sulmin e 24 shtatorit dhe situatën aktuale të sigurisë në veri.

“Në një takim të veçantë, DP Hoxha informoi ZNS Escobarin dhe atasheun Riffe për sulmin ndaj policisë në Banjskë më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku, dhe situatën aktuale të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. ZNS Escobar vlerësoi mundësinë për të komunikuar drejtpërdrejt më kreun e Policisë së Kosovës. DP Hoxha përcolli mirënjohjen e tij të thellë për Shtetet e Bashkuara dhe stafin e shumtë të ambasadës që ndihmojnë policinë dhe janë të përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer,” bëhet me dijë më tej në njoftim.

Programi i rindërtimit/ Raporti I KLSH-së: Të hetohet ku ka shkuar lënda e parë e përjashtuar nga taksat

Programi i rindërtimit që nisi pas tërmetit shkatërrues të nëntorit 2019 u shoqërua me sërë masash shtesë të qeverisë që synonin përshpejtimin e tij dhe uljen e kostove. Të tilla ishin përjashtimi nga taksa e infrastrukturës apo TVSH-së për lëndët para.

 

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ngre si shqetësim mbikëqyrjen që i është bërë masës për lehtësimin nga taksat të lëndëve të para të përdorura nën këtë program dhe ato janë orientuar vërtet ku duhet. Raporti specifikisht ka nxjerrë këtë konstatim pas një auditimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave duke iu referuar si rast degës së Lezhës.

“Nga auditimi i praktikave te importit te hekurit për Degës Doganore Lezhë, lidhur me subjektet që kanë përfituar përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar në kuadër të rindërtimit, konstatojmë se SVQ(Sektori i Vlerës në Qendër) dhe SKAO (Sektori i Kontrollit Aposterior Operativ) nuk kanë vepruar sipas pikës II/3 të Udhëzimit nr.5, datë 26.01.2018 të DPD, duke mos i rikanalizuar këto praktika në kanale të tjera me nivel më të lartë risku pasi për specifikën e tyre kanë risk të lartë.

Në përpunimin e tyre marrin pjesë shumë struktura, ku SVQ dhe SKAO kanë kontrolluar vetëm një pjesë të praktikave dhe në përpunimin e tyre kanë marrë pjesë edhe Drejtoria e Tarifës dhe Origjinës, Sektori i Tarifës dhe strukturat e tjera të degës doganore Lezhë. Gjithashtu DTO nuk ka mbikëqyrur këto operacione, sipas pikës 4, neni 68, i Rregullores së DPD-së, ndër detyrat funksionale të Drejtorisë se Tarifës dhe Origjinës është administrimi operacioneve të privilegjuara dhe përjashtimet nga TVSH” thuhet në raport.

Në këtë kontekst audituesit sjellin në vëmendje se subjektet përfituese nuk janë mbikqyrur nga autoritetet doganore për përputhshmërinë e veprimtarisë me detyrimet që rrjedhin prej vendimit, pra mospërdorimin e hekurit për qëllime të tjera, duke mos vepruar sipas pikës 5 të nenit 28 të Kodit Doganor.

“Nga auditimi konstatohet se është vepruar në kundërshtim me Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet DPD-së me nr.14355 prot., datë 19.06.2018 dhe DPT –së me nr.12819 prot, date 19.06.2018, me synim forcimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit mbi veprimtarinë e tatimpaguesve/operatorëve ekonomikë konkretisht moslejimin e përdorimit për qëllime te tjera” thuhet në raport.

Duke pasur parasysh këtë panoramë KLSH ka kërkuar që nga ana e dy institucioneve siç janë Doganat dhe Tatimet të bëhen hetime për të verifikuar nëse përfituesit nga këto përjashtime e kanë orientuar atë tek programi i rindërtimit.

“DPD dhe DPT në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet tyre, me synim forcimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit mbi veprimtarinë e tatimpaguesve/operatorëve ekonomikë, të marrin masat për miratimin e programeve të përbashkëta, të realizojnë hetime dhe kontrolle të përbashkëta në lidhje me verifikimin e përdorimit të hekurit për ndërtim sipas destinacionit të përcaktuar për operatorët ekonomik të sipërcituar” thuhet në raport.

Rindërtimi nisi në vitin 2020 dhe akoma edhe sot vazhdon në Bashkinë e Tiranës dhe të Durrësit teksa në një pjesë të bashkive të tjera është finalizuar. Deri në fund të vitit të shkuar shpenzimet faktike për këtë program ishin 730 milionë euro./Monitor

Kate Middleton shfaqet në publik krah princit William, u jep fund spekulimeve dhe teorive konspirative për shëndetin e saj

Princesha Kate Middleton i është rikthyer jetës së përditshme pas ndërhyrjes kirurgjikale që kreu disa javë më parë. 42-vjeçarja u pa duke hyrë në një dyqan ferme së bashku me princin William, që ndodhet afër shtëpisë së tyre në Adelaide.

kate

Sipas njerëzve që e kishin parë, ajo dukej e lumtur, e relaksuar dhe e shëndetshme, teksa ecte krah bashkëshortit të saj.

kate and william

Sipas The Sun, ka qenë një fundjavë e ngarkuar për Princeshën, pas lajmeve për fotografinë  e edituar, që u publikua më 8 mars, në Ditën e Gruas.

kate

Edhe javët e fundit, memet dhe teoritë e konspiracionit kanë shkaktuar shqetësime dhe pyetje mbi gjendjen aktuale të Princeshës.

kate middletonn

Spekulimet u intensifikuan më tej pikërisht pasi Pallati Kensington publikoi foton e edituar, për të cilën vetë Kate kërkoi falje.

kate middleton

Vilson Blloshmi dhe poezia e tij brilante “Saharaja”*

Nga dr. Yzedin Hima

“Komunizmi është i vetmi eksperiment që nuk u testua më pare te kafshët”- Michael Coluche

Poezia“Saharaja”(1974) është poezia më e arrirë e Vilson Blloshmit. Ajo është një kryevepër e kohës kur u shkrua. “Saharaja” është një tekst i hapur poetik. Lexuesit e gjejnë këtë tekst si një krijim ambigue që lejon këndvështrime e interpretime të ndryshme dhe të shumta. Pikërisht kjo begati kuptueshmërie e tekstit poetik u shfrytëzua nga ekspertët letrarë të policisë së fshehtë, të cilët e ngurtësuan, e hermetizuan tekstin, zbuluan shenja e kode të cilat, jo se nuk ekzistonin në këtë tekst, por i veçuan mekanikisht ato për të bërë dekodifikimn e tekstit vetëm në një plan, në planin ideologjik, duke e varfëruar nga shenjat e kodet e begata të domethënieve filozofike e estetike dhe në analizë të fundit e fundosën autorin e poezisë. Poezia “Saharaja” është shkruar në njëmbëdhjetë rrokësh, varg i metrikës italiane, varg me të cilin Danteja shkroi “Ferrin”. Strofat janë katërshe me rimë të kryqëzuar (abab). Figurat kryesore janë simboli, metafora, aliteracioni, anafora, analogjia etj. Që në titull kemi një symbol – Saharaja, shkretëtirë që mund të zhvendoset në çdo cep të globit, shkretëtirë që sulmon, rrethon individin me shkretinë e saj, shkretëtirë që mbërthen shtetin, logjikën e tij, memorjen e tij, shkretëtirë që shkreton kujtesën e një kombi, e një populli, shkretëtirë që përfshin shpirtra njerëzorë duke i kthyer ato në shkëmb, rërë e gur. Simboli është një figurë letrare enigmatike dhe kurrë e deshifruar gjer në fund, ndaj mund të renditen edhe shumë e shumë kuptime të tjera.
Fjala Saharaja kthehet në shenjë në këtë tekst, për të shenjuar dukuri, objekte që kanë humbur identitetin dhe janë kthyer në shkreti, fenomene që i sulen gjithçkaje jetësore për ta shkretuar. Fjala Saharaja është shenjë që dehumanizon mjedisin, dehumanizon turmën dhe sulmon e përpiqet të ç’njerëzojë individin. Batica e saj është e pandalshme dhe e pashpirt. Metaforat: s’sheh ëndërra, s’sheh as drurë, Saharaja s’di të ëndërrojë, Ajo bluan gurë me mënd’ e saja, Saharaja s’ka këngë të këndojë, Saharaja s’ka as lotë të qajë japin dimesionin e dehumanizmit të saj.
Në pesë strofat e para të poezisë “Saharaja” autori bën portretin e shkretëtirës. Në katër strofat e tjera të tekstit Saharaja shfaqet në baticën e saj drejt hapësirave të tjera. Ne pesë strofat e para mungesa është shenjë që shenjon përmasat e shkretisë. Me pjesëzat s’ e nuk ndërtohen këto strofa: s’sheh ëndërra,s’sheh as drurë, s’di të ëndërrojë, s’ka këngë, s’ka as lotë, nuk ka miq, nuk ka shokë, nuk ka bijë, as bir, s’shkon mirë, s’i pëlqen, Fjalë e dashuri e njerëz s’ka, Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë. Edhe simbolet e tjera në këtë tekst si ëndrra (e ardhmja më e mirë, më dinjitoze, më njerëzore), drurë ( gjelbërim, jetë), këngë ( gëzim, hare), lot (ndjeshmëri, dhimbje, mëshirë), janë në funksionin e portretizimit të së keqes (Saharasë). Nata, si simbol i fshehjes , i qetësisë dhe i prehjes refuzon të mbulojë këtë shëmti e shkreti: Saharaja është një një copë tokë, / Thonë se dhe me natën s’shkon mirë. / Natës s’i pëlqen Saharaja, / S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë; / Fjalë e dashuri e njerëz s’ka; / Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë. / .
Në pjesë e dytë, siç përmendëm edhe më lart, në tekst e takojmë shkretëtirën jo thjesht si portret, por si objekt (madje edhe si subjekt) në lëvizje, jo në zbaticë, por në baticë. Madje metaforat: e mban vesh e qesh ( Saharaja shënimi im , Y. H. ), fillon të gëzojë, në kundërshtim me dehumanizmin e Saharasë në pesë strofat e para, shprehin personifikimin e saj me njeriun, por me njeriun e çnjerëzuar, që thirret në ndihmë për të ndëshkuar: Prandaj kur urrejtja e fortë e nxehur / Mbi dikë mallon e shfryn e shan, / Që nga skuta del kujtimi i dehur / Dhe thërret menjëherë Saharanë.
Saharaja si shenjë shenjon në këtë pjesë të tekstit dhunën, represionin, instrumentat e tyre.Teksti është ndërtuar me mjete që takohen në stilistikën estetike të teksteve poetikë të simbolistëve si pyll simbolesh, alegori, analogji dhe muzikalitet të vargut dhe imazh që realizohen nga aliteracioni, rima, enumeracioni etj, Aliteracioni: Saharaja, larg është Saharaja, ku bashkëtingëllorja e shurdhër r përsëritet në çdo varg dhe të jep përshtypjen e ecjes në rërë. Në vargun: Shkretëtirës shket e shkrepëtit kemi bashkëtingëlloret t, r, sh dhe k, të cilat japin lëvizjen tinëzare të baticës së shkretëtirës. Vargu është marrë nga strofa e dytë e pjesë së dytë të tekstit poetik. Të njëjtin aliteracion e gjejmë edhe te vargu i strofës së fundit në pjesën e dytë të poezisë: Shkretëtirë e shkretë mbetet shkret, që mbyll poezinë, ku kemi bashtingëlloret sh, k, r, t të përsëritura respektivisht nga tre herë dhe bashkëtingëllorja t gjashtë herë, duke të lënë mbresën se batica vjen e vjen pa ndalim, madje është pranë subjektit mendues. Muzikaliteti i vargut përftohet edhe nga përdorimi i zanoreve si: Saharaja, larg është Saharaja, ku kemi nëntë zanore a (dukuri e rralle) dhe dy e. Vargu pa bashkëtigëlloret ka një grafemë të tillë: a a a a a e e a a a a . Jehona e zanoreve të jep imazhin e një hapësire shkretie pa anë e pa fund.
Bien në sy edhe përdorimi i figurave të ndërtimit( sintaksës poetike) si anafora: Saharaja nuk ka miq e shokë, / Saharaja nuk ka bijë , as bir. / Saharaja është një copë tokë, Thonë së dhe me natën s’shkon mirë./ Në fillim të çdo vargu përsëritet fjala Saharaja.
Si lindi poezia Saharaja? Nuk kemi shënime për këtë tekst nga vetë autori, të paktën nuk ka të botuara, ose nuk janë gjendur ende. Sidoqoftë në Veprën l të Vilson Blloshmit gjejmë edhe disa përgjigje të tij para hetuesit për të cilat kemi folur edhe më lart. Në një pjesë të përgjigjes së Vilson Blloshmit thuhet: “Në vitin 1973 kam bërë një poezi tjetër mbi veten time. Atëherë kam qënë në gjendje ankthi… Në atë kohë unë punoja druvar në Stravaj, isha i lodhur, i mërzitur, më dhimbte stomaku. Siç e kam thënë, unë kam qënë pesimist dhe e kam pasur në natyrë trishtimin.” Poezia është shkruar pikërisht në harkun kohor 25.10.1973 / 25.10. 1974, kohë për të cilën flet Vilson Blloshmi. Ai flet për një vend të quajtur Stravaj, ku rropatej si druvar. Gjendjen shpirtërore dhe fizike ai përshkruan si të rëndë. Stravaj, ky toponim ku qe dënuar të punonte poeti përbëhet nga dy silaba: stra dhe vaj. Rrokja e dytë vaj (kuje) përqaset me gjendjen e vajtueshme të poetit, i lënë mënjanë, i veçuar, i dënuar të punojë në punë të rënda, ndërsa rrokja e parë stra kur shqiptohet i përngjet çjerrjes së një korbi: stra-stra-stra! Mendoj se në bazë të asocacioneve poeti V. Blloshmi ka krijuar në mendje shkretëtirën: korbi (stra, stra, stra) + njeriu gjysëm i gjallë e gjysëm i vdekur (subjekti poetik) + kuja e vetmisë (vaj) = shkretëtira e Saharasë.
Jurij Lotman shkruan: “Vepra e artit është modeli i kufizuar i një bote të pakufizuar. Ajo është imazhi i një realiteti tek një tjetër.” Natyrisht kjo përpjekje për të zbuluar se si u krijua teksti “Saharaja” është thjesht një persiatje.

*Fragment i shkëputur nga libri “Letërsia e penguar dhe mitet e saj”

 

Shpërdorim detyre e falsifikim dokumentash, SPAK nis hetimet për Ceno Klosin

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimet ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Ceno Klosi.

Zyrtari i lartë, një prej njerëzve më të afërt të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku po hetohet për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve.

Prokuroria e Posaçme konfirmoi përmes një shkrese zyrtare se hetimet ndaj kryetatimorit Klosi u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike.

“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi””, njoftoi prokuroria.

Sikurse rezulton nga të dhënat zyrtare të institucionit të akuzës, 6 muaj para kallëzimit të parë, opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Klosi. “Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”. SPAK ka vendosur bashkimin e dy procedimeve në një të vetëm.

Klosi, i cili në krye të tatimeve, iu bindet me shumë urdhrave politikë, sesa ligjit, duke ndëshkuar padrejtësisht bizneset, ka punuar për 13 vite si specialist dhe drejtues sektorësh në banka të nivelit të dytë dhe më pas gjatë periudhës 2015-2021 ka mbajtur pozicionin si Drejtor i Departamentit Ekonomik në OSHEE. Në qershor të 2021 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës- Kanalizime dhe Mbetjeve të ngurta, ndërsa me VKM 625, datë 22/10/2021 u emëruar drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve. Emisioni Vetting ka denoncuar se Ceno Klosi për 13 vite punë në sektorin privat arriti të blejë vetëm një apartament 6.8 milionë lekësh, ndërsa gjatë 6 viteve në detyra shtetërore vuri një pasuri prej gati 900 mijë euro, fakte të cilat duhet të hetohen nga SPA