28.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

“Amnistia Penale”, Alibeaj: Dje u amnistuan drejtorët, sot thirren protestuesit para Bashkisë. Tallje!

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj, në një konferencë për shtyp foli mes të tjerash në lidhje me “Amnistinë Penale” e cila u miratua ditën e djeshme në Kuvend.

Ai u shpreh se ajo u arrit vetëm falë një marrëveshjeje mes opozitës dhe mazhorancës, e cila sipas tij u bë larg syve të publikut.

Alibeaj tha se ndërkohë që ditën e djeshme u amnistuan drejtorët e bashkisë dhe u ndëshkuan protestuesit, sot thirren protestuesit para bashkisë. Ai e ka quajtur këtë hap tallje me protestuesit.

Parlamenti dje dha porcionin e tij në luftën kundër SPAK, duke dekurajuar hetuesit e BKLH, prokurorët dhe gjyqtarët në punën e tyre. Kjo është e vërteta e asaj që nisi natën e mbaroi natën larg syve të publikut në një marrëveshje ogurzezë.

U thanë të pavërteta mbi atë që protestuesit përfitojnë.
Dje u amnistuan drejtorët e bashkisë dhe u ndëshkuan protestuesit, sot thirren protestuesit para bashkisë. Kjo është tallja që bëhet me protestuesit”, tha ai.

“Me marrëveshjen e djeshme mes dy palëve për amnistinë penale uarritën disa qëllime. Së pari ishte qëllimi për të amnistuar drejtorët e korruptuar të qeverisë Rama dhe të bashkisë Veliaj apo të çdo lloj bashkie tjetër të partisë socialiste. Me ndërhyrje në amnisti, u krijuanhapësira që drejtorm struktura të larta të administratës së kësaj qeverie apo të bashkisë të mund të përfitojnë apo të dalin nga burgu.

Së dyti u lanë në mëshirë të fatit protestuesit, protestues që janë qytetarë të këtij vendi të thirrur nga Partia Demokratuike, të thirrur nga shoqëria civile të cilët kanë dalë në protesta sigurisht kundër kësaj pjese tjetër të korruptuar të qeverisë për të kërkuar të drejtat e tyre. Dje, me aktin e amnistisë nuk përfitojnë protestuesit. Ata vazhdojnë të enden prokurorive, gjykatavem vazhdojnë të jenë ende nën thundrën e represionit policer të kësaj qeverie.

Dhe i treti, ky ishte synimi më i mad hi marrëveshjes, ishte goditja e SPAK-ut. Atmosfera e cila ka bashkëjetuar gjatë kësaj kohje për sulme, herë sporadike, herë të sinkronizuara për të goditur BKH-n, siç kryeministri Rama ka bërë. Për të krijuar një komision të posaçëm për ta kontrolluar, për të krijuar komisione paralele në parlament. Dje arriti kulmin ku me një akt ligjor, produkti i SPAK-ut dhe i GJKKO-s, u godit në momentin më të vështirë të SPAK-ut. Po dje në raportimin që drejtuesi i SPAK-ut bëri, lëshoi sinjale të rëndësishme ndihme. Referoi që 40% ka rënë numri i referimeve, i kallëzimeve nga organet shtetërore drejt SPAK-ut.” – tha Alibeaj.

Onkologjiku nuk ka pajisjet, investigimi: QSUT uli shpenzimet për pacientët me tumor, ku shkojnë të sëmurët

ARMAND KULLAU/ Më 11 shkurt 2024, kati i nëndheshëm i Urgjencës së re në Qendrën Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, u mbulua nga flakët pas zjarrit që shpërtheu në godinë.

 

Shumica e pacientëve, që ndodheshin në spital u evakuuan për të shmangur asfiksimin. Një pjesë e tyre u dërguan me urgjencë në spitalin e Saukut dhe disa të tjerë u sistemuan në pavione të tjera të QSUT-së. Por, pas hirit që la pas zjarri i dy muajve më parë do të zbuloheshin fakte të forta lidhur me investimet që ishin kryer aty, duke nisur që nga krevatet e vjetra, edhe pse për ndërtimin e Urgjencës u shpenzuan 17 milionë euro për ta ndërtuar nga e para. Pak ditë pas shpërthimit të zjarrit në QSUT, kryetarja e Komisionit parlamentar për Shëndetësinë, deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, kërkoi zbardhjen e shkaqeve dhe përgjegjësve të zjarrit në QSUT. “Ajo çfarë ndodhi në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, është tregues i qartë ku ndodhet sot shëndetësia shqiptare. Qytetarët paguajnë për shëndetësinë më shumë se kushdo në Europë. Por, pavarësisht kësaj, ata nuk marrin shërbime. Miliardat qeveria i çon për biznesin e koncesioneve dhe në xhepat e oligarkëve”, – tha Gjergji në Kuvend.

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet mbi zjarrin e rënë në Urgjencën e Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’, ku pritet të zbardhen shkaqet dhe dëmet mbi ndërtesën e re, të inauguruar me bujë në prill 2023. Por marrja flakë e Urgjencës dhe dalja në pah e mungesave të pajisjeve veçse hapi edhe një herë çështjen e mungesës së barnave, sidomos në fushën më të ndjeshme dhe më të kushtueshme; atë të kimioterapisë. Vetë qytetarët kanë rrëfyer për “Vetting” kalvarin e vuajtjeve: “Më ka lënë vëllai. Ka bërë dy-tri seanca (Kimioterapi). Ai vinte nga fshatrat e thella të Korçës. Vinte i sëmurë, do rrinte dy javë në spital. Atë periudhë unë e kam ndjerë veten shumë keq, se mungesë ilaçesh dhe kushtesh. Vija dhe kërkoja ilaçet, do vinë ilaçet sot, do vinë ilaçet nesër…”, – shprehet Drita Hoxhallari, e cila përlotet ende teksa kujton humbjen e vëllait për shkak se ilaçi që u duhej, nuk u sigurua dot nga spitali! Por Drita Hoxhallari është vetëm një nga ato qindra qytetarë që është përballur me përditshmërinë e mungesave tek Onkologjiku, mungesa të cilat duhet t’i sigurojnë më pas në treg të zi me çmime të kripura.

Përveç barnave, mungesa tjetër është ajo e disa aparateve për trajtimin e disa lloje tumoresh. Mosfunksionimi prej muajsh apo vitesh e disa aparateve shton një tjetër alarm të ngritur nga pacientët, të cilët çdo ditë iu duhet të mendojnë se ku do iu duhet të gjejnë paratë për të përballuar sëmundjen që i gllabëron jo vetëm ditët por edhe çdo kursim. Vetë mjekët pranojnë se, mungesa e barnave të kimioterapisë është një problem i rëndë, që ka pasoja fatale, duke shkuar në kufijtë e krimit, për shkak të pasojave fatale. “Në rastin kur kemioterapia nuk jepet për shkakun se preparati nuk gjendet, mungon preparati i nevojshëm për të trajtuar atë formë kanceri, unë këtë e klasifikoj tek rrethanat dhe situatat kriminale sepse jeta e pacientit vendoset në rrezik serioz”, – shprehet eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho.

Situata bëhet akoma më e rëndë për shumë nga pacientët me tumore, pasi disa nga barnat kushtojnë 300-500 euro, duke i vendosur ata drejtpërdrejt në rrezik për jetën. “Kjo në njëfarë mënyre është vrasje e ngadaltë e qytetarëve, nga mungesa e shërbimit, nga mungesa e financimit dhe nga mungesa e trajtimit njerëzor të tyre”, shprehet Rigels Xhemollari, drejtues i Qendrës Qytetare!

KUSH PO I NDËSHKON PACIENTËT?

“Vetting” ka kryer një investigim për problemet e shumta që hasin qytetarët shqiptarë për tu përballur me sëmundjen e kancerit, ku zanafilla e problemit fillon me buxhetin për shëndetësinë.

Disa ditë para miratimit të buxhetit të vitit 2024, ministrja e sapoemëruar e Shëndetësisë, Albana Koçiu, deklaroi përpara deputetëve se buxheti për Shëndetësinë ishte më i madhi i miratuar nga qeveria shqiptare. Në nëntor, ku parlamenti ishte mes flakëve dhe tymit, buxheti kaloi për 4 minuta dhe askush nuk diskutoi konkretisht se si do të ndaheshin paratë. “Aktualisht në 2024-n llogaritet vetëm buxheti që shkon për Shëndetësinë, sepse Ministria në vetvete ka brenda edhe mirëqenien sociale dhe buxheti realisht shkon 90 e ca miliardë lekë ose 900 e ca milionë euro. Por Buxheti që shkon për shëndetësinë, atë që ne njohim si Shëndetësi në tërësi është vetëm 2.8 përqind e GDP-së.

Është pak a shumë një shifër relativisht e ngjashme, pak a shumë me atë të 10 viteve më parë. Praktikisht aspekti i parë është se jemi shumë larg premtimeve që ne do të bëjmë, dmth., buxheti i Shëndetësisë do të shkojë 5 për qind i GDP, do të shkojë njësoj si vendet e rajonit”, shprehet eksperti i ekonomisë, Klodian Muço! Ndërkohë, në fillim të vitit 2024, Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi të dhënat mbi shpenzimet e shëndetit në nivel global. Në këtë renditje, Shqipëria është e para në rajon për nivelin e lartë që qytetarët shpenzojnë nga xhepi i tyre për shëndetin. Pra, jo rrallë herë, nëse një qytetar shqiptar ka probleme shëndetësore, zgjidhja e vetme është xhepi i tij, ose shtimi i borxheve dhe i kredive, pasi qeveria shqiptare nuk investon sa duhet në këtë sektor. “Asnjë qytetar nuk ka marrë nga paratë publike për t’u kuruar, por ka pasur donacione, mbledhje të ndershme nga vetë qytetarët ose ka marrë kredi dhe këto format e tjera të ndihmës ekonomike”, – shprehet Rigels Xhemollari.

Edhe pse Ministria e Shëndetësisë trumbeton rritjen e buxhetit, situata është e përmbysur. Ky fakt konfirmohet edhe nga të dhënat e Spitalit Onkologjik, të cilat janë audituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Konstatohet se shpenzimet për trajtimin e sëmundjeve tumorale zënë një peshë të vogël në shpenzimet buxhetore që kryen QSUT, “Nënë Tereza”. Gjithashtu duhet vënë në dukje se, shpenzimet buxhetore nuk kanë ndjekur prirje të rritjes së tyre krahasuar me buxhetin e përgjithshëm të QSUT-së ndër vitet në auditim, por përkundrazi kemi një rënie të konsiderueshme nga 17,7 % në 7,9% në vitin 2022, ndërkohë që numri i pacientëve të diagnostikuar dhe trajtuar me sëmundje tumorale është në rritje”, shkruhet në raportin e KLSH-së për vitet 2020-2022.

Pra, nëse në Shqipëri vijon të rritet numri i personave me sëmundje tumorale, QSUT ka ulur shpenzimet për sigurimin e barnave dhe kimioterapive për pacientët që përballen me një nga sëmundjet më të rrezikshme të shekullit. “Ajo që është vënë re kohët e fundit, është parë që sëmundja tumorale është gjithmonë në rritje, përveçse është në rritje ka edhe një predominim të numrit të rasteve në moshat e reja, duke iu referuar faktorëve të sëmundjeve, të cilët ndahen në faktorë të jashtëm dhe të brendshëm”, – shprehet mjekja onkologë, Alketa Pera! Ndërkohë, raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën 2020-2022, në repartin Onkologjik, ka ngritur alarmin për fondet anemike në këtë sektor, të cilat janë të pamjaftueshme për luftën kundra kancerit.

HISTORIA E BARNAVE QË MUNGOJNË

Mungesën e barnave të kimioterapisë nuk e kanë denoncuar vetëm familjarët e pacientëve, por edhe mjekët që kanë qenë pjesë e sistemit shëndetësor. “Mungon në QSUT preparati Velcade (Bortezomib) i cili përdoret për trajtimin e shumë tumoreve, përfshi mielomën multiple. 600 euro i kushton një flakon qytetarit, ose 3,600 euro për cikël”, – do të shkruante eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho nga platforma e tij sociale. Denoncimi i mjekut ka ndodhur më 11 korrik të vitit të kaluar, duke sjellë dhe interesimin e “Vetting” pranë QSUT. Zyra e transparencës në QSUT deklaroi se në spital gjendej medikamenti për kimioterapinë dhe kontrata për furnizimin e radhës ishte firmosur në 20 korrik 2023, 9 ditë pas apelit nga mjeku i njohur. Për “Vetting”, QSUT sqaroi se pas nevojës së shtuar të këtij medikamenti, janë marrë masat për të garantuar furnizimin. Megjithatë për periudhën nga 11 korrik 2023 deri në firmosjen e kontratës, pacientët duhet të gjenin forma alternative për të siguruar barin. Edhe pse kontrata u firmos në 20 korrik, burime konfidenciale për gazetarët deklaruan se pas firmosjes së kontratës, pacientët duhet të prisnin furnizimin.

Historia me mungesën e barnës së kimioterapisë daton, në fakt, më herët, pasi shpeshherë, familjarë të pacientëve dhe organizatat jofitimprurëse kanë denoncuar mungesën e ilaçit “Velcade” (Bortezomib).

ÇFARË NDODH BRENDA QENDRËS SPITALORE UNIVERSITARE ME ILAÇET?

“Nga informacionet që unë kam, ka barna të cilat janë të shtrenjta, si rasti i barit Velcade, Cytoxan e me radhë, që i marrin të sëmurët me kimioterapi, të cilat u mohohen një pjese të pacientëve, për të cilat çdo ditë qytetarët bëjnë luftë për t`i marrë në doza të sakta, që në pas rezulton se qytetarët njëherë e marrin e njëherë s’e marrin”, – tregon Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare”.

POR CILAT JANË KOMPANITË QË DUHET TË SIGUROJNË MEDIKAMENTIN?

Në 27 qershor 2022, brenda 24 orëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të shpallte fituesit për disa tenderë, ku midis tyre edhe Marrëveshja Kuadër për barin Velcade (Bortezomib). Po në këtë datë, bashkimi i kompanive “DELTA PHARMA-AL”, “MEGAPHARMA” dhe “T R I M E D” shpk., do të ishin pjesë e garës për lotin 3, (Bortezimob) me fond limit rreth 1 milion euro. Në këtë tender merrnin pjesë vetëm këto kompani, të cilat u shpallën automatikisht fituese me ofertë 105 milionë lekë, sa 99,9% e fondit limit.

Në bazë të informacioneve nga Agjencia e Prokurimeve Publike, “Vetting” ka zbuluar parregullsi me këtë kontratë. Duke shfletuar më mijëra faqe nga buletinet e Agjencisë së Prokurimit Publik, “Vetting” nuk arriti të gjente publikimin e lidhjes së parë të kësaj kontrate. Nga kërkimet investigative rezultoi se tri kompanitë, që kanë fituar tenderin, kanë firmosur disa minikontrata.

Minikontrata e parë me nr. 1945/163 Prot., është firmosur në datë 13.09.2022. Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, për minikontratën e parë kërkohet publikimi i njoftimit për lidhjen e saj te Agjencia e Prokurimit Publik brenda muajit janar të vitit pasardhës, në rastin konkret në janar 2023. “Vetting” kontaktoi përsëri Agjencinë e Prokurimeve, pasi të dhënat për minikontratën e parë nuk gjendeshin te buletinet. Sipas Agjencisë, nga verifikimet e kryera në Sistemin e Prokurimit Elektronik, rezulton se Autoriteti Kontraktor (QSUT), nuk e ka ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik njoftimin për lidhjen e minikontratës së parë për rastin.

“Vetting”: Onkologjikut i mungojnë pajisjet, ku shkojnë pacientët?

Në gusht të vitit 2023, Kontrolli i Lartë i Shtetit doli me një audit për periudhën 2020- 2022 për trajtimin e sëmundjeve tumorale në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke evidentuar një listë të gjatë problemesh.

“Shqetësues është fakti që si QSUT Spitali Onkologjik dhe Spitalet e Rajonale, mbajnë buxhete ‘historike’, të cilat nuk ndryshojnë në vite. Në referim të të dhënave të siguruara pranë Spitalit Onkologjik në QSUT, numri i pacientëve në rang vendi nga viti në vit, është në rritje, fakt që tregon agresivitetin e sëmundjeve tumorale”, – thuhet në raportin e KLSH-së për repartin Onkologjik. Në këtë raport është evidentuar se numri i pacientëve që ekzaminohen me këto sëmundje është në rritje. Këto sëmundje shkaktojnë rreth 16% të vdekjeve çdo vit dhe buxheti për trajtimin e tyre zë një peshë të vogël në buxhetin e QSUT-së.

Emisioni “Vetting” solli zëra të vetë qytetarëve që prisnin në dyert e repartit Onkologjik, të cilët konfirmonin se prisnin prej katër ditësh për shkak se nuk punonin aparaturat. Edhe pse Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar disa probleme për shërbimin onkologjik, që lidhen me mosfunksionimin e disa pajisjeve bazë, përsëri situata nuk ka ndryshuar. Këto pajisje përdoren për trajtimin e sëmundjeve tumorale, duke lënë qindra pacientë pa këtë shërbim jetik. “Konstatohet se numri i rasteve të trajtuara pranë shërbimit të radioterapisë, mbështetet në 4 pajisje kryesore, nga të cilat Brakiterapia nuk është funksionale përgjatë gjithë periudhës së auditimit, ndërsa Ortovoltazhi nuk funksionon që prej datës 02.11.2022”, thuhet në raportin e KLSH.

MUNGESA TË TJERA SIPAS KLSH

Sipas audituesve të KLSHsë, mungesa e Brakiterapisë ka sjellë mostrajtimin e 200 pacientëve në vit. Pra, për tri vite radhazi 600 gra paciente nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre. Pajisja mjekësore tjetër që nuk është funksionale prej nëntorit 2022, sipas audituesve, është Ortovoltazhi. Për shkak të një defekti, nuk janë trajtuar pacientët që vuajnë nga tumoret e lëkurës dhe tumoret e gjëndrave të djersës. Mungesa e aparatit të Ortovoltazhit ka sjellë mostrajtimin e 200 pacientëve.

Ata nuk kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë rrezik për shëndetin e tyre. Në mënyrë të vazhdueshme është bërë evident shqetësimi pranë Drejtorisë së QSUT, që pajisja e Ortovoltazhit është amortizuar prej vitit 2020. Kjo pasi aparati i Ortovoltazhit është i instaluar në vitin 2002. Pas disa kërkesave, drejtoria e QSUT-së ka dërguar një aparat të ri donacion nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike në janar të këtij viti, por raporti vlerëson se aparati nuk është instaluar ende dhe pengohet nga procedurat burokratike të institucionit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar gjithashtu se mungojnë dhe pajisje të tjera me rëndësi në trajtimin e sëmundjeve tumoriale si, tubusat e aparatit të shiringës elektrike, pompa, maskat termoplastike individuale.

“Në këto, kushte unë e gjykoj si mjek, si specialist i shëndetit publik dhe si person që e ka ndjekur me shumë vëmendje dhe i ndjek me shumë vëmendje ato që ndodhin në sistemin shëndetësor shqiptar dhe stadi ku ndodhet sot shëndetësia shqiptare nuk është i përputhshëm me mungesën e kemiopreparatave bazë”, – shprehet eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho.

QSUT-KLSH, LOJË ME SHIFRAT

“Vetting” bëri disa kërkime për numrin e pacientëve që kanë marrë trajtim në QSUT, por zbuloi mospërputhje midis shifrave të cituara nga vet spitali dhe të atyre që ka deklaruar Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas QSUT, në vitin 2020 janë trajtuar 2185 pacientë ciklikë, në vitin 2021 janë trajtuar 2287 pacientë dhe 2481 në vitin 2022.

Pra, kemi rritje të këtyre pacientëve, por mungesë kimiopreparatesh dhe ulje të fondeve për Onkologjikun nga QSUT. Ndërkohë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shifra që nuk korrespondojnë me të dhënat e QSUT. Konkretisht në vitin 2020 janë trajtuar 1202, në vitin 2021 janë trajtuar 1314 dhe në 2022 janë trajtuar 1361 pacientë. Shifrat që deklaron QSUT janë dy herë më të larta se ato që ka kontrolluar KLSH-ja.

Raporti i SPAK: Korrupsion i sofistikuar dhe pastrim parash me PPP-të! Si copëzohen investimet në disa nënkontraktorë, pjesë e të njëjtës skeme

Hetimi i zyrtarëve të lartë i ka dhënë SPAK një perspektivë të privilegjuar mbi korrupsionin dhe mënyrat e përdorura për të tjetërsuar paranë publike në vend. Në raportin vjetor të paraqitur të enjten para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organi i specializuar i akuzës shkruan se ka vërejtur sofistikim të metodave korruptive dhe të pastrimit të parave të korrupsionit.

“Vihet re, një sofistikim i kësaj vepre penale kryesisht kur kemi të bëjmë më projekte të rëndësishme publike, të kontraktuara sipas modelit konçensionar/partneritet publik privat”, shkruhet në raport.

SPAK ka në hetim kontratat e partneritetit publik privat në shëndetësi dhe ato të lidhura me menaxhimin e mbetjeve. Në raport prokuroria shkruan se hetimet e këtyre rasteve kanë zbuluar skema të komplikuara të transferimit të parave publike në duart e zyrtarëve të lartë të korruptuar.

“Këto veprime financiare copëzohen në dhjetëra transaksione në formë kryerjesh pagesash tek kompanitë, të cilat nënkontraktohen për të kryer punime të ndryshme sipas specialitetit të tyre,” shkruan SPAK.

“Në fakt, në disa raste, kompanitë e nënkontraktuara janë pjesë e të njëjtës skeme dhe kontrollohen nga të njëjtët individë që e kanë organizuar këtë skemë korruptive”, shton raporti.

Në të njëjtin raport Prokuroria e Posaçme vë në dukje përfshirjen e Policisë së Shtetit dhe oficerëve drejtues të saj në krimin e organizuar, që shpesh herë bën të pamundur bashkëpunimin mes dy institucioneve.

“Vërehet gjithashtu një bashkëpunim i grupeve kriminale edhe me oficerët e policisë së shtetit të rangjeve të ndryshme në territorin shqiptar, si dhe funksionarë të organeve të drejtësisë”, shruhet në raport, ku theksohet ndër të tjera se grupet kriminale shqiptare kanë blerë mbrojtje dhe kanë korruptuar edhe zyrtarë të lartë në vendet e Amerikës së Jugut.

Skema e ryshfetit dhe korrupsioni

Raporti vjetor i SPAK përmban një tablo të detajuar të veprimeve korruptive të zyrtarëve të lartë, që nga abuzimi me tenderat deri te marrja e ryshfetit përmes një skeme, që sipas hetimeve përfshin zakonisht tre persona, dy prej të cilëve janë zyrtarë publikë.

Sipas skemës që kanë vënë re hetuesit ryshfeti i paguhet ndërmjetësit, që kryesisht rezulton të jetë po funksionar publik dhe që më pas i transferohet përfituesit fundor.

SPAK vë në dukje se janë titullarët e institucioneve ata që kanë në dorë dhe kontrollojnë aferat korruptive, kryesisht përmes personave të besuar.

Hetimet e SPAK kanë gjetur se në rastet e tenderave publikë, zyrtarët e lartë i japin urdhërat përmes këtyre personave të besuar dhe paratë më pas qarkullojnë në disa duar deri sa transferohen në llogari bankare brenda dhe jashtë vendit.

Në raport vihet në dukje se hetimet kishin gjetur tendera me dokumentacion tërësisht të falsifikuar dhe sipas prokurorisë shpesh korruptimi fillonte që me idenë për një tender.

“Veprimet korruptive mund të nisin që në fazën fillestare, pra të çeljes së fondit nga autoritetet kontraktore për projektin në fjalë, dhe për të vijuar më pas me akte dhe vendime, të cilat ndiqen nga titullari i autoritetit kontraktor”, shkruan SPAK.

Por sipas raportit aferat korruptive me të ashtuquajturit partneritete publike e private janë ato më të sofistikuarat.

“Veprimet karakterizohen nga shkelje të rënda ligjore të detyrimeve, që organet shtetërore kanë”, shkruhet në raport, duke vënë në dukje se shkeljet fillojnë që me përgatitjen e koncesionit.

Sipas raportit zyrtarët shtetërorë nuk bëjnë studime të plota të fizibilitetit, nuk llogarisin vlerën e kontratës dhe shkelin një sërë procedurash të tjera.

SPAK thekson se në hetimet e kryera kanë gjetur përfshirje të drejtpërdrejte të funksionarëve të lartë publikë në këto afera, të cilat fillojnë pa pasur ende procedura të shpallura duke i bërë fituesit të paracaktuar.

“Vihen re, ndërhyrje të drejtpërdrejta të funksionarëve të lartë publik, të cilët negociojnë paraprakisht, qoftë pa u shpallur procedura e tenderit/konçesionit me subjektin juridik, i cili më pas do të shpallet fitues”, shkruhet në raport.

Sipas raportit ndërhyrjet vijojnë gjatë gjithë kohës dhe përfshijnë edhe ndikimin në institucione të treta, duke krijuar gara fiktive që në fakt drejtohen “në hije” nga shoqëritë konçesionare.

Raporti vë në dukje se në këto skema zyrtarët e lartë përfshijnë më pas kompani që kontrollohen prej tyre, për të kryer punime dhe “mbuluar natyrën e vërtetë të skemës korruptive”.

SPAK vë në dukje se kjo është edhe forma e përdorur për t’i pastruar këto para. Hetimet, vihet në dukje në raport, kanë gjetur se kompanitë e e kontrolluara nga zyrtarë publikë përfshihen në transaksione me kompanitë përfituese të parave publike dhe më pas kryejnë transaksione për t’i transferuar paratë te zyrtari i përfshirë në korrupsion.

“Ajo që vihet re është se skema e pastrimit të parave është mjaft komplekse, pasi, në rastin e shkeljes së barazisë së tenderëve publik, ka si qëllim, jo vetëm të krijojë një skemë fiktive midis funksionarëve të lartë publik për fshehjen e akteve korruptive, por, mbi të gjitha, ajo shërben edhe si një skemë pastrimi e produkteve të veprave penale”, shkruhet në raport.

Krimi i organizuar me rrënjë globale

Në raport SPAK vë në dukje rritjen e numrit të hetimeve, sidomos atyre të nisura kryesisht prej vetë prokurorisë, po ashtu në raport theksohet edhe rritje e numrit të çështjeve të përfunduara dhe një përmirësim sa i përket çështjeve të fituara nga prokuroria në gjykatë.

Raporti vë në dukje edhe rritjen e numrit të bashkëpunimeve më partnerë ndërkombëtar, ndërsa thekson se ky bashkëpunim e ka ndihmuar Shqipërinë të përmirësojë pozicionin e saj sa i përket transparencës dhe luftës ndaj pastrimit të parave.

“Kjo qasje ka dhënë rezultate mjaft pozitive në të cilat, vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara së bashku, nga vlerësimi i kryer për vitin 2023 përllogaritet në vlerën prej 41 milion Euro, nga të cilat, 54% e zënë pasuritë e konfiskuara në vlerën 22.5 milion Euro dhe 46% e zënë pasuritë e sekuestruara në vlerën 1.9 miliardë lekë (19 milion euro)”, thuhet në raport.

Megjithatë SPAK ngre shqetësimin për lidhjet e grupeve kriminale me Policinë e Shtetit dhe strukturat vendore, që prej kryepleqve e deri në nivele të larta.

Raporti i SPAK ka gjetur se strukturat kriminale veprojnë kryesisht në qytetet e mëdha të vendit: Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan. Por edhe në qyteza si Kurbin dhe Fushë-Kruja. Raporti thekson se Tirana dhe disa qytete bregdetare janë kthyer në qendra për pastrimin e parave.

“Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave”, thuhet në raport.

Raporti, për herë të parë, përfshinë një analizë të qartë të grupeve kriminale në vend dhe po ashtu edhe të aktiviteteve të tyre. Sipas hetimeve grupet janë kryesisht prej 10-15 personash, me lidhje gjaku dhe me një farë autonomie të brendshme. Këto grupe angazhohen kryesisht në trafik narkotikësh. Grupe më të vogla me 5-7 persona janë të përfshirë në vrasje me pagesë apo grabitje me armë dhe eksplozivë.

Hetimet kanë nxjerrë edhe sofistikim të këtyre grupeve kriminale në përdorimin e teknologjisë.

“Nga ana tjetër, edhe grupe të tjera kriminale të cilat nuk përfshihen në trafikun e narkotikeve, siç është rasti i “call center” apo i trafikimit të mallrave të kontrabanduara, rezultojnë të jenë shumë të sofistikuar, madje, shumë më të avancuar në teknikat e fshehjes së aktivitetit të tyre kriminal, kjo për vetë natyrën e aktivitetit të tyre, i cili mbështetet në përdorimin e gjerë të teknologjisë”, shkruhet në raport.

Ajo që vë në dukje SPAK janë lidhjet e gjëra të grupeve kriminale shqiptarë në Europën Perëndimore, Amerikën e Jugut apo edhe Lindjen e Mesme. Hetimet kanë nxjerrë përdorimin e porteve të mëdha në BE si ai i Frankfurtit, Pireut apo Roterdamit për të futur në BE kokainën.

“Këto grupe janë poli-kriminale dhe kanë shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale, kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe,” shkruan SPAK.

“Prezenca e tyre në Shqipëri, dhe ndikimi në zonat ku ato veprojnë në komunitet vijon të mbetet i konsiderueshëm”, përfundon raporti./BIRN

Pas arrestimit të Jorgo Goros, SPAK sekuestron pjesën e dytë të sipërfaqes së investimit strategjik të bashkëshortit të Olta Xhaçkës

Prokuroria e Posaçme, pas arrestimit të ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro, ka sekuestruar pjesën e dytë të sipërfaqes së investimit strategjik të bashkëshortit të Olta Xhaçkës.

SPAK njofton se është vendosur masa e sekuestros preventive për një sipërfaqe toke prej 5080 m2 në Himarë.

Nga hetimet ka rezultuar se Jorgo Goro në bashkëpunim me persona të tjerë, përmes falsifikimit të dokumenteve, kanë realizuar zhvendosjen faktike në terren të kësaj sipërfaqe toke duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.

“Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren”, raporton SPAK.

Prokuroria e Posaçme informon se planvendosja ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5.512 m2 të sekuestruar më parë nga SPAK.

E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10.592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal Nr. 189, të vitit 2023, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25, të Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2, i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 176, datë 28.03.2024, ka vendosur:

1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me nr. 176 regjistri themeltar, datë regjistrimi 19.03.2024, me palët dhe objektin e përcaktuar në pjesën hyrëse të vendimit;

2. Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme të identifikuar si “Pasuria numër 36/341, sipas AMTP nr. 9715 datë 07.02.1994, aktualisht e identifikuar në vërtetimet hipotekorë me nr. 112, datë 16.04.2020, dhe nr. 1116, datë 24.12.2013, e cila është konturuar nga Bashkia Himarë në zonën me nr. Pasurie 36/35 me sipërfaqe 5080 m2;

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit, kanë marrë masat për ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Posaçme datë 28.03.2024, nxjerrë mbi bazën e vendimit penal të mësipërm të marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në vijimësi edhe të njoftimeve të mëparshme të bëra nga Prokuroria e Posaçme, (sipas linkut: https://spak.gov.al/njoftim-per-shtyp-date-23-03-2024-2/ ) nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, persona të cilët tashmë kanë pozitën procedurale të shtetasve nën hetim, kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.

Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren.

Kjo planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme.

E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.

Arrestimi i Jorgo Goros dhe investimi strategjik

Jorgo Goro u arrestua më 23 mars nën akuzën për shpërdorim detyre në lidhje me pronën ku Artan Gaçi, ish-deputeti socialist dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, po ndërton një investim strategjik në miliona euro.

SPAK e akuzon Goron se ka shpërdoruar detyrën në dy episode, në të parin duke shmangur Këshillin e Qarkut për sipërfaqen prej 5512 metra katrorë tokë dhe mbi bazën e dokumentit të tij, toka u regjistrua në Kadastër në kundërshtim me ligjin dhe më pas iu shit nga Stavri Mëhilli ish-deputetit Gaci, me një vlerë relativisht të ulët krahasimisht me tregun.

Stavri Mëhilli e kishte siguruar pronën përmes dokumenteve false e për këtë, ai është shpallur në kërkim, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Kryebashhkiaku në detyrë i Himarës akuzohet edhe për sipërfaqen prej 5080 metra katrorë, që po ashtu në finale ka kaluar në duart e bashkëshortit të Olta Xhaçkës. Në lidhje me këtë sipërfaqe, ai e ka kaluar përgjegjësinë tek Drejtoria e Menaxhimit në tokës.

Goro ka deklaruar para prokurorëve, se thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Kadastrës së Vlorës pas përpilimit të dokumentacionit nga drejtoria përkatëse. Por sipas SPAK, Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, në atë kohë drejtori i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, pa kryer verifikime kanë përcjellë dokumente të falsifikuara pranë organeve kompetente dhe mbi bazën e tyre, ka bërë të mundur regjistrimin e sipërfaqes prej 5512 m2 tokë bujqësore pronësi shtet në favor të subjektit “Pribta”.

Prokuroria thotë më tej së ka kryer veprime faktike në terren të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 5080 metra katrorë duke ia mbivendosur atë një pasurie toke shtet.

Jerasimo Bashi dhe Stavri Mëhilli nuk janë gjetur ende nga policia, ndaj masat e sigurisë për ta nuk janë ekzekutuar.

Berisha bashkoi votat me Ramën për Amnistinë, Kulluri: Këta të ‘Rrugicës’ janë jo vaj medet, por…

Sekretari për marrëdhëniet me publikun në PD, Edvin Kulluri, ka reaguar pas votimit të Amnistisë Penale në Kuvend nga mazhoranca dhe Rithemelimi.

Në rrjetet sociale Kulluri ironizon lëvizjen e partisë së Berishës.

“Askush nuk e ka kuptuar vertete voten e Foltores pro amnistise se Rames!

Ishte nje levizje per te nxjerre zbuluar Rilindjen si kundershtare e SPAK!!!

Keta te Rrugices jane jo #vajmedet po #olioconmare”, – shkruan Kulluri.

“Një amnisti të bërë natën”/ Poli Hoxha: Përfshin 15 vepra të korrupsionit

Këtë të enjte u miratua në Kuvendin e Shqipërisë projektligji për Amnistinë Penale nga i cili përfitojnë 1100 të dënuar dhe të paraburgosur.

“Një amnisti të bërë natën”, e konsideroi gazetari Poli Hoxha për të cilën ngriti pikëpyetje.

“U duk shumë qartë se çfarë ndodhi. Sot rrodhën dy deputetë të Bashës. Për amnistinë penale në parim asnjë deputet nuk kam dëgjuar të shprehet kundër. Fakt është që kjo amnisti u bë natën. Tre muaj u mbajt peng, bënë paktin këta krijuan një nënkomision. Edhe grupi i Bashës nuk dinte gjë. Edhe nënkryetari i Rithemelimit Boçi thoshte se nuk ka marrëveshje para ca ditësh. Gazi e ka mbajtur të fshehtë. Marrëveshja duhet të kalonte në komisionin e ligjeve se s’bën.

Mua sa më ra në dorë gjënë e parë që bëra u konsultova me juristë. Këta amnistojnë nga korrupsioni njerëz e pastaj bëjnë një listë. Në të gjithë këtë kanë lënë një vorbull që duhet ta caktojë gjyqtari”, deklaroi Hoxha.

Ai shtoi më tej se kjo amnisti përfshin 15 vepra të korrupsionit.

“Po më shkruan një avokat. 15 vepra të korrupsionit përfshin kjo amnisti”.

“Rilindja” e Piktorit, shkollë për trajnimin e hajdutëve!

Nga Kim Mehmeti

Në Shqipëri thuajse nuk kalon java e ndonjë funksionar i saj të mos akuzohet për hajdutëri. Kështu që ke përshtypjen se ‘Rilindja’ e Piktorit është shkollë për trajnim të hajdutëve.

Së fundmi, mediat lajmëruan për arrestimin dhe ngritjen e akuzave për hajni kundër dhjetëra drejtorëve të Bashkisë së Tiranës. Me ç’ka të duket se Lali Eri ka vendosur t’i largojë nga kursi i hajdutërisë të gjithë të paaftit dhe ata t’i zëvendësoj me hajna më të shkathtë.

Si do qoftë Shqipëria vazhdon të mbetet shembull shkollaresk se asnjë popull dhe asnjë shtet nuk është aq i varfër sa burrështetasit e tij hajdut të mos kenë çka të vjedhin e nga çka të pasurohen.

Pastaj Shqipëria vazhdon të jetë pasqyrë ku shpërfaqet e vërteta se një shet e një popull nuk e dëmtojnë gjithaq burrështetasit e tij hajdut, sa mediat dhe elitat tjera që ushqehen nga hajdutëria dhe e mbulojnë hajninë.

Shqipëria është shtet ku hajdutëria është biznesi më fitimprurës, andaj shumëkush e vlerëson se më mirë të bie të shkosh disa vjet në burg si hajdut i pasur i ‘Rilindjes’, se sa në kurbet ku do kalbesh duke punuar e do të djegë malli për të afërmit.

Po pra, në Shqipëri nuk kalon java pa u përhapur lajmi për zbulimin e ndonjë funksionari hajdut të ‘Rilindjes’. Me çka s’ke si mos mendosh se mëmëdheun e kanë në duar ata që i përmbahen mendësisë komuniste se kapitalizmi qëndron mbi shtyllat e zhvatjes së popullit dhe vendit që drejton.

Dhe mbase andaj, tani për tani, Shqipëria ka vetëm një elitë të konsoliduar e të fuqishme – atë të hajdutëve. E cila elitë i mirëmban, i ushqen dhe i kontrollon gjitha të tjerat, të cilat janë poaq mëkatare dhe të dëmshme për popullin sa edhe ajo hajdutokrate.

Shifra rekord të investimeve të huaja, por efekti nuk reflektohet në ekonominë reale

Entuziazmi i shifrave rekord tek IHD është i madh, por përfitimet e tyre duhet të reflektohen realisht në ekonomi dhe në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që të punohet në drejtim të përmirësimit të faktorëve që kushtëzojnë ndikimin e IHD mbi rritjen ekonomike.

Nga Klea Duçka, ekonomiste*

Para disa ditësh, Milken Institute, një “think tank” i pavarur ekonomik në SHBA dhe me zyra në qendrat më të rëndësishme financiare të botës publikoi raportin vjetor të Indeksit të Mundësive Globale (Global Opportunity Index), që bën vlerësimin e klimës së investimeve (kryesisht të shkallës së tërheqjes për investimet e huaja direkte, IHD) në vendet e botës në zhvillim.

Ndër 10 vendet evropiane në këtë klasifikim, midis tyre edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet e fundit, pas Moldavisë, në dy nga pesë treguesit e marrë në studim: shërbimet financiare dhe kuadri institucional, duke shënuar 93 dhe 84 pikë respektivisht.

Studiuesit theksojnë se si në Moldavi, ashtu edhe në Shqipëri, kornizat institucionale janë veçanërisht të dëmtuara nga performanca e tyre e dobët në qeverisjen publike, nënkategoria e cila bie dy devijime standarde nën mesataren e përcaktuar për vendet e Evropës në zhvillim.

Të dhënat e këtij studimi vijnë pothuajse në të njëjtën kohë me të dhënat e publikuara së fundmi nga INSTAT, të cilat flasin për një krizë të sektorit të prodhimit dhe rritje të importeve, duke dalë në përfundimin se ekonomia shqiptare po mbijeton vetëm falë këtyre të fundit, konstatim ky që nuk mbështet korrelacionin konvencional pozitiv të ndikimi që IHD supozohet të kenë mbi nivelet e përgjithshme të produktivitetit dhe në përgjithësi, të rritjes ekonomike të një vendi relativisht tërheqës për investitorët e huaj.

Sipas INSTAT, rënia e importeve në zërin “makineri-paisje” me 9.5%, më e thella që prej periudhës së pandemisë, ndërkohë që importet nga kategoritë e tjera (komoditetet dhe turizmi), shënuan një rritje prej 20% më të lartë në dymujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithëse bujqësia është një nga sektorët me peshën më të madhe në PBB, në raport me madhësinë e ekonomisë, importet e frutave u rritën me 63% në periudhën janar-shkurt 2024, ndërkohë që 80% e produkteve bujqësore që shiten në tregjet tona dhe pasojnë shokun e çmimeve nga tregjet e jashtme kanë origjinë importi. Pra, po importojmë në një sektor, në të cilin do të duhej të ishim eksportuesit më të mëdhenj në rajon, dhe që sipas vlerësimeve të fundit, pësoi një rënie vjetore në prodhim, prej 0,68% gjatë vitit të kaluar.

Ndërkaq, sipas Bankës se Shqipërisë, përgjatë vitit që lamë pas, investimet e huaja direkte kapën shifrën rekord prej 1.5 miliardë eurosh, duke shënuar kështu një rritje prej 8.7% në krahasim me vitin 2022. Sektorët, të cilët përthithin pjesën më të madhe të flukseve hyrëse të IHD, vazhdojnë të jenë gjithnjë të njëjtët: industria nxjerrëse, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme.

Këto të fundit kanë peshën kryesore me rreth 26% të këtyre flukseve. Fitimet e riinvestuara, duket se kanë luajtur një rol më të madh në rritjen e shifrave të investimeve, (226 milionë euro), në raport me hyrjen e kapitalit të ri (191 milionë euro). Një nga arsyet kryesore që qëndron pas kësaj, është edhe forcimi i lekut përkundrejt valutës euro në kursin e këmbimit, pasi fitimet e riinvestuara raportohen në lekë dhe më pas konvertohen në euro.

Narrativa e Bankës së Shqipërisë dhe e Ministrisë së Financave është se këto nivele rekord të investimeve të huaja, shpjegohen me një përmirësim të ndjeshëm të treguesve makroekonomikë, të shoqëruar me një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe specifikisht me një performancë shumë të mirë në sektorin e turizmit, që deri tani është raportuar edhe si një prej arsyeve më të rëndësishme, bashkë me rritjen e IHD, për të shpjeguar luhatjet e pazakonta të kursit të këmbimit.Vlerësimi i fundit i “Standard & Poors” për Shqipërinë, mbështet këtë narrativë, duke e rritur me një kategori vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran dhe duke konstatuar se qëndrueshmëria ekonomike e vendit, i atribuohet pjesërisht po ashtu rritjes së turizmit, që sipas agjencisë bëri që Shqipëria të rrisë eksportet e shërbimeve me afro 15% të PBB në periudhën 2019-2023, duke forcuar ndjeshëm pozicionin e saj të jashtëm.

Rezultatet e raportit të Milken Institute nga njëra anë, që konstatojnë probleme me përshtatshmërinë e terrenit për thithjen e IHD dhe të dhënat e BSH, apo konstatimet e S&P nga ana tjetër kundërshtojnë njëra-tjetrën. Nëse Shqipëria nuk ofron kuadrin e përshtatshëm institucional apo standardin e duhur te shërbimeve financiare, por arrin të thithë një shifër rekord investimesh të huaja direkte, atëherë çfarë e bën një vend si i joni tërheqës për investitorët ndërkombëtare? A është realisht ndikimi i këtyre investimeve mbi nivelin e PBB mjaftueshëm i madh, sa që të justifikojë luhatjet e kursit të këmbimit e stimulojë rritjen ekonomike dhe a reflektohet konkretisht produktiviteti i tyre në treguesit e mirëqenies?

Ndonëse ekziston tradicionalisht një korrelacion pozitiv midis investimeve të huaja direkte dhe rritjes ekonomike, ky raport, në të vërtetë, kushtëzohet nga shumë faktorë: struktura e këtyre investimeve, stabiliteti politik, funksionimi i kornizave institucionale, shërbimet financiare, stabiliteti i çmimeve, zinxhirët e vlerës globale (Global Value Chains), perceptimi i bizneseve, standardet ndërkombëtare, politikat ekonomike, sistemi arsimor dhe niveli i kapitalit human, etj.

Sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, që kanë arritur të thithin pjesën më të madhe të flukseve hyrëse te IHD, për nga natyra nuk kontribuojnë në mënyrë direkte në rritjen e performancës së eksporteve dhe nuk e bëjnë ekonominë më konkurruese. Në këtë mënyrë, efekti stimulues dhe përfitimet që ato pritet të sjellin në rritjen e PBB, që duket e qëndrueshme, afërsisht në 3,5% (tremujori i tretë 2023) dhe 3,44% (tremujori i katërt) “paradoksalisht” nuk reflektohet në treguesit e mirëqenies, sic është p.sh.: fuqia blerëse.

Sipas Eurostat, fuqia blerëse e pagës minimale në Shqipëri është 4 herë më e ulët, krahasuar me vendet e Evropës Perëndimore. Gjithashtu, vendet e tjera të Ballkanit rezultojnë të kenë një kosto më të lirë jetese se sa Shqipëria. Konkretisht, Maqedonia e Veriut, me fuqi blerëse te pagës minimale sa dyfishi i vendit tonë, ka koston më të lirë të jetesës në rajon.

Të dhënat e shpenzimeve familjare që shkojnë për konsumin e ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike flasin po ashtu për një nivel të lartë varfërie. Përqindja e këtyre shpenzimeve për familjet shqiptare llogaritet në 41% të totalit të shpenzimeve dhe është më e larta në Evropë, gjë që do të thotë se vendi ynë është më i varfri në kontinent, bashkë me Kosovën.

Rritja e investimeve të huaja në pasuritë e paluajtshme, së bashku me flukset në rritje të turistëve te huaj kanë ndikuar pjesërisht në forcimin relativ te lekut në kursin e këmbimit, por shpejtësia me të cilën është zhvlerësuar euro, me mbi 12%, brenda një harku kohor prej një viti, nuk justifikohet nga fondamentet ekonomike dhe jo detyrimisht është lajm i mirë për ekonominë, përveçse për 3 nga agjentët e saj: qeverinë (për shkak të reduktimit të borxhit publik të jashtëm me 12%), importuesit (sepse i faturojnë konsumatorëve çmimet finale të mallrave dhe shërbimeve me një kurs disa herë më të lartë se sa ai aktual) dhe huamarrësit (për huatë e marra në euro).

Duke pasur parasysh që bilanci tregtar i Shqipërisë vazhdon të mbetet negativ dhe deficiti është rritur për të kapur shifrën e 42 miliardë lekëve në shkurt të këtij viti, nga 31 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, arsyet e vërteta të luhatjes së kursit, duhen kërkuar përtej fazave të ciklit të biznesit dhe lidhen kryesisht jo vetëm me një shkallë të lartë informaliteti në ekonomi, të llogaritur në 32.5% të PBB, sipas World Economics, por edhe me mundësinë e hyrjes së parave nga aktivitete të jashtëligjshme jashtë kufijve, të cilat pastrohen pikërisht në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme. Kjo tezë mbështetet nga disa fakte lehtësisht të verifikueshme: Së pari, rritja jashtë çdo logjike e çmimit të pasurive të paluajtshme dhe e lejeve te ndërtimit, edhe pse oferta nuk justifikohet nga kërkesa e brendshme, pjesërisht për shkak të shpopullimit.

Konkretisht, vetëm në kryeqytet, çmimet e apartamenteve janë rritur nga 1000 euro /m2 në 2017, deri në 4000 euro /m2 ne 2024 (zona e ish-Bllokut), ndërkohë që nga 8000 apartamente bosh në 2017, aktualisht numri i tyre ka shkuar në 40.000.

Së dyti, sipas disa investigimeve të flukseve hyrëse valutore nga IHD në ndërtim, midis tyre edhe ai i prestigjozes britanike “The times”, rezulton se në Shqipëri investohen realisht rreth 3.7 miliardë euro në vit në këtë sektor (ekuivalente e 15% të PBB), nga të cilat në sistemin bankar figurojnë vetëm 847 milionë euro, ndërkohë që sipas observimeve të ekspertëve, rreth 2.85 miliardë burojnë nga aktivitete të dyshimta dhe nga këto, rreth 1.3 miliardë, dyshohet se janë të gjeneruara ekskluzivisht nga trafiku i lëndëve narkotike. Ky konstatim është tregues edhe i mosfunksionimit te kuadrit ligjor e institucional, sidomos në luftën ndaj krimit të organizuar.

Luhatjet e pazakonta të kursit, përveç efektit shkatërrues mbi eksportet, kanë një ndikim negativ mbi aktivitetin privat vendas, sidomos biznesin e vogël dhe fasoneritë qe kërcënohen nga falimentimi dhe janë drejt mbylljes. Për shkak të potencialit që këto të fundit ofrojnë në tregun e punës, kontributit në eksporte, rritjes së produktivitetit, të ardhurave dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë, efekti që ato kanë në kushte ideale mbi mirëqenien dhe rritjen ekonomike, në rastin e vendit tonë është disa herë më i madh se sa ai i IHD, prandaj tkurrja e aktivitetit të tyre është sinjal shqetësues. Studime më të hershme, kanë treguar se investimet nga kapitali vendas nga 1996 deri në 2013 kanë pasur një peshë 5-11.5 herë më të madhe se sa IHD në PBB.

Studiuesit i lidhin këto rezultate me sektorët ku janë të përqendruara investimet e huaja në Shqipëri, si dhe me faktin që shumë prej tyre janë përthithur si rezultat i privatizimeve dhe kontratave koncesionare, duke mos pasur efekte të mëdha stimuluese në ekonomi. Në këtë mënyrë, lind nevoja e krijimit të një mekanizmi për rishikimin e IHD, si dhe hartimin e një kuadri ligjor nga ana e qeverisë për të orientuar trendet e tyre drejt sektorëve me potencialin për të zhvilluar dhe rritur nivelin e eksporteve: bujqësia, agrobiznesi, minierat, etj.

Dy faktorë të tjerë të rëndësishëm, prania e të cilëve është pozitivisht e lidhur me IHD, janë edhe niveli i arsimit dhe ai i kapitalit human. Vitet e fundit, Shqipëria po çalon ndjeshëm edhe në këta dy komponentë jetikë për ekonominë. Indeksi i Progresit Social tregon se Shqipëria është përkeqësuar me 10 pozicione në kategorinë e arsimit bazë dhe atij të lartë.

Ky pozicionim mbështetet edhe nga rezultatet e fundit të testit të PISA-s, në të cilin vendi ynë kishte humbur 47 vende në lexim, 41 në shkencë dhe 69 në matematikë. Këto shifra flasin për mungesë investimesh në arsim dhe një nivel tejet të ulët të mësimdhënies në institucionet e arsimit, që reflekton koston oportune në terma afatshkurtër, por me efekt afatgjatë, të një ekonomie që është e orientuar drejt konsumit. Në terma afatgjatë, mungesa e investimeve në kërkim shkencor, arsim dhe dije pengon konvergjencën drejt niveleve më të larta të të ardhurave dhe produktivitetit.

Kjo për arsye se në dallim nga kapitali fizik, dija nuk ka veti rivalizuese, pra nuk i nënshtrohet fitimeve margjinale zbritëse (diminishing marginal returns to capital). Gjithashtu, duke marrë parasysh se arsimi në vendin tonë nuk i plotëson aktualisht nevojat e tregut të punës, është e nevojshme të punohet në këtë drejtim, me politika reformuese për institucionet arsimore.

Ndërkohë, problemi dhe plaga më e madhe sociale në Shqipëri e kohëve të fundit është rreziku i shterimit të kapitalit human, si pasojë e rënies së popullsisë nga zvogëlimi i numrit të lindjeve dhe emigracionit, kryesisht të të rinjve, shumica në moshë pune. Sipas Eurostat, në vitin 2023, në krahasim me vitin 1990, popullsia në Shqipëri është reduktuar me 15.1%, duke zbritur ne 2,761,785 banorë, nga 3,254,541 që ishte përpara se të fillonte cikli i emigracionit dhe plakja graduale e popullsisë. Kapitali human është në çdo ekonomi, faktori më i rëndësishëm i prodhimit.

Ai luan gjithashtu një rol vital në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë mes ofertës dhe kërkesës agregate. Në kontekstin e investimeve nga kapitali vendas dhe i huaj, të larguarit janë forcë pune e humbur. Edhe këtu nënvizohet rëndësia e orientimit të trendeve të IHD drejt sektorëve me potencial më të madh punësimi, me qëllim që të ofrojnë një perspektivë shpresëdhënëse për të rinjtë dhe ekonominë, por edhe për të rritur peshën e sektorit privat, për të rrëzuar “kultin” e shtetit si punëdhënësi kryesor dhe më i preferuari.

Në kushtet kur fuqia blerëse është e ulët, kuadri institucional dhe ligjor nuk funksionojnë siç duhet, mungojnë investimet në arsim, popullsia është në rënie dhe kapitali human i limituar, faktorët e vetëm që logjikisht mund të shpjegojnë tundimin e të huajve për të investuar në Shqipëri, janë kostoja e ulët e punës dhe me shumë mundësi, edhe popullariteti. Në varësi të llojit të investitorit, disa prej tyre mund të kenë edhe interesa të lidhura me politikën, përveç se me rritjen e shpejtë të fitimit, apo lehtësimeve fiskale. Në rastin e atyre që investojnë para me origjinë të dyshimtë në pasuritë e paluajtshme p.sh., vendi ynë mund të jetë një miniparajsë (mini-Dubai) i pastrimit të parave që burojnë nga aktivitete kriminale.

Entuziazmi i shifrave rekord te IHD është i madh, por përfitimet e tyre duhet të reflektohen realisht në ekonomi dhe në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që të punohet në drejtim të përmirësimit të faktorëve që kushtëzojnë ndikimin e IHD mbi rritjen ekonomike.

Është e nevojshme të bëhet një punë më e madhe nga ana e qeverisë dhe institucioneve për të rritur konkurrencën, forcuar tregjet dhe aktivitetin e brendshëm privat, për të ngritur mekanizma të rishikimit të investimeve të huaja, me qëllim riorientimin e flukseve të tyre në sektorët me potencial më të madh eksportues dhe punësimi, për të investuar në arsim, kërkim shkencor dhe zhvillimin e kapitalit human, hartuar politika sociale që nxisin shtimin e lindjeve dhe parandalojnë plakjen e popullsisë, si dhe përmirësuar kuadrin ligjor e institucional dhe shërbimet financiare.

Nëse ka një vullnet politik për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, ky duhet manifestuar konkretisht edhe në parandalimin e hyrjes së parave të pista në tregun e brendshëm, që destabilizojnë çmimet dhe dëmtojnë eksportet, pagat dhe remitancat, ashtu sikurse edhe në rritjen e transparencës dhe parandalimit të praktikave korruptive, sidomos me kontratat PPP.

*Revista “Monitor”

“Triumfi i dritave”, arkiva e AIDSSH-së për mjeshtrin Ali Oseku

Piktori i shquar, modernist e antikonformist, ish- i burgosuri politik nga diktatura komuniste, pedagogu Ali Oseku ndërroi jetë në moshën 80- vjeçare. Ali Oseku nuk u përshtat me metodat krijuese të Realizmit Socialist dhe në vitet ’70, cilësohej se eksperimentonte një art të ndryshëm nga ai. Sipas të dhënave të gjetura edhe në dokumentet e Arkivës së AIDSSH-së, ai është një nga artistët e dënuar me burg në vitin 1975.

“Triumfi i dritave” ishte piktura qe u përdor si prove materiale në gjyqin e tij, ku fatkeqësisht policia sekrete përdorën si dëshmitar krijues të kohës, të cilët analizuan veprën e tij.

Dokumente që gjenden në arkivën e AIDSSH-së për piktorin, Ali Oseku, ndodhen në Fondin 1, Dosja Hetimore- Gjyqësore, Dosje me nr.10616, prej 15 faqesh ku është depozituar vendimi gjyqësor që mban datën 15.8.1975, i cili e dënon atë me 4 vjet burg.

Po në arkivën e AIDSSH-së gjejmë dokumente nga Dega IV, Fondi rezerve, Dosje pa numër për shtetasin Ali Oseku, prej 9 faqesh që mban disa dëshmi të rrethit të kolegëve të tij të cilat kryqëzohen me mendimet e ish-Ministrit të Kulturës dhe Artit, Fadil Paçramit, i cili sipas dëshmitarëve e vlerësonte lart artin e Ali Osekut.

Po në arkivën e AIDSSH, për Ali Osekun, gjenden edhe disa fletë nga Dosja, Problemi centralizuar- KUBISTET, me nr. 1079,(457 fletë, çelur në 4.10. 1973), në të cilën fillon survejimi dhe përndjekja e “ lidhjeve të elementëve anti- parti Fadil Paçrami e Todi Lubonja me : Skënder, Enver Paçrami, Fatos e Zana Lubonja, Llazar Lubonja, Afërdita Guri (Paçrami) Azmi Hoxha, Maksin Velo, Kudret Velça, Bujar Kapexhiu e Robert Shvarc si edhe një sërë lidhjesh të tjera që aktualisht janë në studim. Për të gjitha këto përpunime dhe lidhje të tyre u përpiluar planet e masave agjenturalo-operative të përbashkëta me qëllim zbulimin, në kohë të veprimtarinë e tyre armiqësore në drejtim të vijës politike të Partisë dhe masave të nxjerra nga Plenumit i IV-të Komitet Qendror” . Rrugës gjatë zhvillimit u fut në ndjekje edhe piktori Ali Oseku, vepra e të cilët u konsiderua kubiste.

Zhvillimet historike ku u ndërmorën masat për burgosjen e Ali Osekut dhe artistëve të tjerë ndodhen kur ngjarjet artistike që kritikuan në Plenumin IV të PPSH, ku fjalimin kryesor e mbajti Enver Hoxha, më 15 dhe 16 mars të vitit 1973 .

Ali Oseku u arrestua në datën 18.4.1975 me akuzën se ka zhvilluar “agjitacion dhe propagandë për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor duke kryer krimin e parashikuara nga neni 73/1 K.P.”
Në një analizë biografike të gjatë të krijuar për Ali Osekun lexon se: “Ali Oseku është bërë bartës dhe interpret i diversionit ideologjik imperialisto- revizionist në fushën e artit, të mënyrën të jetesës dhe të estetikës në veshje. “

Sipas analizës ai “përdor literaturën borgjeze që reklamonte të gjitha rrymat e ndikimet dekadente në art duke krijuar një veneracion të jashtëzakonshme për përfaqësuesit më të përmendur të modernizmit në pikturë dhe duke i propaganduar haptazi forcën artistike, koloritin dhe forcën e veprave të autorëve perëndimor.” Kështu Sigurimi merr në analizë vepra të realizuar prej tij, në 1971-1972, kur punonte ai skenograf pranë Teatrit të Operas dhe Baletit si dhe raporton mendimet, në të cilat “idealizonte lirinë që borgjezia ia njeh individit për t’u veshur sipas gustos dhe shijeve personale, për të pikturuar ashtu siç e ndjen vetë artisti dhe jo sipas parimeve të realizmit socialist që e kufizon dhe e ndrydh artistin, shkollë kjo, që sipas tij është vjetruar, që nuk e justifikoj koha dhe që do t’ia lërë vendin modernizmit.”

Në analizë thuhet se: “Pikëpamjet e tij ai i ka shprehur në veprat e tij, në dekoret dhe kostumet përgatitura prej tij për operat “Traviata”, “Cuca e Maleve”, për dramën “Orfeu zbret në ferr”, në tablonë “Triumfi i dritave”, në portrete e skica të ndryshme ku ai ka gërshetuar realizmin socialist, nga njëra anë, na rryma të ndryshme dekadente, nga ana tjetër, siç janë simbolizmi, realizmi, obstruksionizmi manjerismi. “
“Triumfi i dritave” është edhe tabloja që është paraqitur në gjyq si provë materiale, për të “provuar dekadencën” e artistit. Në gjyq Ali Oseku u akuza se është bërë “ekzekutor i ideve armiqësore të grupit të Fadil Paçranit, Todi Lubonjës, Mihallaq Luarasit e të tjerëve.”

Disa dëshmi të përdorura në gjyq thonë se :”Fadili mori në mbrojtje krijimtarinë dekadente të Ali Osekut” në rastin e tablosë “Elektrifikimi” një tabllo tipike formaliste ku tema shartohej në mënyrë më bajate me teknikën e pikturimit të kubizmit, një nga rrymat me reaksionare të artit të sotëm dekadent, perëndimor.”
Në gjyq u përdor edhe një relacionin i Teatrit Popullor ku thuhet. “…. Shfaqje të huaja pati në skemat dhe kostumet sidomos të shfaqjet “Viti 1961” dhe “Orfeu zbret në ferr”. Këto shfaqje u cilësuan “ekstravagante, me lojë snobiste në format gjeometrike, ngarkesa dhe pjerrësia e podiumeve, efekte të huaja me lojën e dritave etj. si kopje të shëmtuara të festivalit si ai i San Remos”.

Ali Oseku është një emër i rëndësishëm i asaj kohe, “armik i popullit” po aq sa Velo, Gjergo, Pervizi, Jani, Tushi, Tuçi, Puka, Paço, Tasi, Shima, Hila, Basha e artistëve të tjerë që vuajtën në kurriz të jetës dhe veprës së tyre, talentin dhe lirinë e tyre artistike. Pas daljes nga burgu (1979), punoi si punëtor krahu pa të drejtë të ekspozimit deri në vitin ’91, kur iu kthye krijimtarisë duke qenë kurator në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe më pas pedagog e shef katedre në Akademinë e Arteve të Bukura. Nga viti 1998 deri në vitin 2014, u bë Profesor i Asociuar dhe Përgjegjës i Departamentit të Grafikës në “Akademia e Arteve të Bukura”, Tiranë. Në vitin 2014 e në vazhdim, piktor në krijimtarinë e lirë. Ekspozita e tij e fundit, ne 2023 titullohej: “E gjithë drita që nuk mund të shohim.”
̈ ̈!

Punoi: Migena Demirxhi

:
Arkiva e AIDSSH, Fondi 1, Dosja Hetimore- Gjyqësore, Dosje me nr.10616; Arkiva e AIDSSH, Dega IV, Fondi rezerve, Dosje pa numër për shtetasin Ali Oseku; Arkiva e AIDSSH, Dosja, Problemi centralizuar- KUBISTET, me nr. 1079

“Nga “Berishizmi” te “Ramizmi””, Basha paralajmëron zhvillime: Lajm i mirë është që…

Kreu i PD Lulzim Basha ka paralajmëruar zhvillime të reja. Basha shprehet se qeveria po bën gjithçka për të penguar SPAK dhe lajmi i mirë në këtë mes është se qeveria ndodhet nën panik.

“Ju e dini fare mirë që ka kohë që kryeministri nuk firmos aktet e qeverisë. Shenjë paniku është kjo. Ne themi “Berishizmi”, por “Ramizmi” në këtë kuptim është përqendrimi total i pushtetit. Dhe padiskutim në një rast të tillë, është bindja ime, përtej kostos politike që ku ishe ti kur hanin këta kumbulla dhe dardha, çfarë bëje ti? –i vizatoje këta? Sigurisht që jo, se nuk mund të sillesh si një turist. Se edhe një ambasador e kuptojn që kur ke gjithë këta bashkëpunëtorë problematik, ka dy mundësi, ose ti je out fare s’bën për këtë punë, ose ti je pjesë e kësaj”, u shpreh Basha.

Pjesë nga fjala e kreut demokrat Lulzim Basha:

Qeveria po bën gjithçka për të penguar SPAK-un dhe lajmi i mirë këtu është që qeveria është në panik, kryeministri është në panik pavarësisht të kryemnistrit aktual. Ky është një lajm që duhet të na gëzojë si qytetarë që aspirojmë një vend me ndarje pushtetesh, një vend ku nuk ka më të plotfuqishëm që janë përtej ligjit. Mund të jetë ky kryeministër sot, mund të jem unë nesër, e rëndësishme është kryemnistrat duhet ta kenë frikë ligjin, Dhe kjo është diçka që nuk ka ndodhur këto 34 vite.

Ju e dini fare mirë që ka kohë që kryeministri nuk firmos aktet e qeverisë. Shenjë paniku është kjo. Ka dy dimensione paniku, paniku nga drejtësia, paniku nga verdikti politik. Është e pamundur që një qeveri të cilës i kanë plasur kaq shumë skandale, që ka kaq shumë nga zëvendëskryeministri në arrati, në kërkim ndërkombëtar, tek ministra nën hetim dhe një pjesë e madhe kanë shanse për t’u dënuar, një pjesë të dënuar tashmë dhe figura kryesore të mazhorancës. Është e pamundur që e gjitha kjo të jetë një ngjarje rastësore, rrethanore, ku kryeministri është diku në udhëtim në një ekspozitë dhe e shikon këtë nga jashtë.

Kjo është përshtypja që do të lërë kryeministri. Fakti është që kryeministri është kokë e këmbë brenda. Fakti është që kryeministri është më i personaliziar më shumë se kurrë në këto 34 vite, ka tejkaluar gjithçka. Ne themi “Berishizmi”, por “Ramizmi” në këtë kuptim është përqendrimi total i pushtetit. Dhe padiskutim në një rast të tillë, është bindja ime, përtej kostos politike që ku ishe ti kur hanin këta kumbulla dhe dardha, çfarë bëje ti? –i vizatoje këta? Sigurisht që jo, se nuk mund të sillesh si një turist. Se edhe një ambasador e kuptojn që kur ke gjithë këta bashkëpunëtorë problematik, ka dy mundësi, ose ti je out fare s’bën për këtë punë, ose ti je pjesë e kësaj.