37.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

‘Amnistia’/ Alibeaj: Ja ku qëndron djalli, përfitojnë drejtorët e dënuar nga GJKKO

Deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka prezantuar amendamentin për amnistinë penale dhe ka kritikuar amendamentin e
Sipas Alibeajt, do të përfitojnë drejtorë të dënuar nga GJKKO.

“Neni pesë thotë, përfitojnë 1.5 vite burra, 2 vite gra. Të dënuar nga Gjykata për krime kundër korrupsionit bazuar në nenin 75 a. Ky nen parashikon të gjithë veprat penale që fillojnë me K, korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, i gjyqtarëve , i drejtorëve i funksionarëve të lartë, e pra ky është djalli që qëndron tek dispozita që nuk është përfshirë te marrëveshja mes jush. 1.5 për burra, 2 për gra të dënuar nga Gjykata kundër korrupsionit”-tha ai.

“Po luhet një pazar i ndyrë”, Basha: Zyrtarët e korruptuar do përfitojnë nga amnistia, nuk do përfitojnë protestuesit kundër korrupsionit

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, në fjalën e tij në parlament, deklaroi se amnistia penale është një pazar i ndyrë mes qeverisë dhe Rithemelimit.

Basha theksoi se po luhet një pazar i ndyrë me amnistinë. Ai shtoi se zyrtarët e korruptuar do përfitojnë nga amnistia dhe kjo është e tmerrshme. Sipas Bashës, nuk përfitojnë as protestuesit, që mbrojtën shtëpitë e tyre nga shembjet dhe që përndiqen me veprën penale “Kundërshtimi i policisë, në bashkëpunim”.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, në fjalën e tij në parlament, deklaroi se amnistia penale është një pazar i ndyrë mes qeverisë dhe Rithemelimit.

Basha theksoi se po luhet një pazar i ndyrë me amnistinë. Ai shtoi se zyrtarët e korruptuar do përfitojnë nga amnistia dhe kjo është e tmerrshme. Sipas Bashës, nuk përfitojnë as protestuesit, që mbrojtën shtëpitë e tyre nga shembjet dhe që përndiqen me veprën penale “Kundërshtimi i policisë, në bashkëpunim”.

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË KUVEND

Të dashur qytetarë prej tre muajsh, amnistia nga e cila do të përfitojnë një numër jo i vogël qytetarësh të dënuar për vepra që nuk kanë lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, u mbajt peng. U mbajt peng, ndonëse Partia Demokratike e bëri të qartë prej fillimit që kishte vetëm dy qëndrime dhe do ta votonte këtë amnisti.

Qëndrimii parë, mos të përfitonte asnjë i korruptuar, as në hetim, as i dënaur në shkallë të parë, as i dënuar me vendim të prerë, as në vuajtje të dënimit. Dhe dy, të përfitojnë të gjithë protestuesit pa dallim dhe pa kufizi, asnjë kusht tjetër. Dhe normalisht, në qoftë se ky propozim do të vinte sot në këtë seancë do të kishte votat e Partisë Demokratike. Por ky nuk është propozimi që vjen sot para qytetarëve. Është qesharak në dhimbje përpjekja për të keqpërdorur festat e shenjta fetarederi në mallëngjim të fejesave dhe dashnive të reja të atyre që deri para dy javësh shaheshin me libër shpie. Por jo vetëm festat fetare në çdo ditë të vitit, pengesa kryesore që çdokush në këtë sallë duhet t’i njohë vetes është: po nuk mashtroi. Ndaj sot është fare e qartë për këdo që merr mundimin të shoh se çfarë po i vihet përpara të kuptojë dy fakte të thjeshta.

Fakti i parë, në këtë propozim ka një sërë veprash penale që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve, që kanë të bëjnë me korrupsionin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, kanë të bëjnë me korrupsionin në tendera, kanë të bëjnë me korrupsionin zgjedhor të cilët nuk përjashtohen nga përfitimet e kësaj amnistie qofshin këto ulje dënimi, apo ndalje dhe zerim i ndjekjes penale. Këto nuk janë imagjinatë, këto janë fakte të publikuara nga Partia Demokratike dhe të raportuara nga media jashtë kontrollit të qeverisë apo manipulimit të pazarxhinjve afër qeverisë. Këto vepra penale nuk mund të përfitojnë amnisti. Nuk mund t’i bashkëngjitet hallit të njerëzve, burrave dhe grave që me të vërtetë kanë nevojë për një gjest nga Parlamenti zyrtarë të korruptuar.

Gënjeshtra e dytë ka të bëjë me protestuesit. Është fakt i njiohur nga Partia Demokratike dhe avokatat e Partisë Demokratike në gjyqe dhe jo nga përfituesit e tyre në sofrën bujare të qeverisë të ulur këmbëkry, se shumica e protestuesve ndiqen për kundërshtim të forcave të policisë në bashkëpunim. Një vepër penale e cila parashikon dënime mbi 2 vite. Dhe siç u tha pak më parë këtu, janë jashtë parashikimit të kësaj amnistie.

Këto janë faktet. Mbi këto fakte është e qartë se çfarë loje po luhet. Është e qartë se çfarë pazari i ndyrë po propozohet. Njëra palë ka hallin t’i njihet etiketa fallco, pala tjetër e kishte mundësinë për një amnisti të ndershme, ka hallin e numrit gjithmonë e në rritje zyrtarëve të korruptuar që po bien në burg apo po hetohen dhe po dënohen nga GJKKO. Po çka të bëjë kjo kur kemi vendosur një kufij. Fare e qartë: mesayhi që i çohet SPAK-ut është, ju i dënoni ne i lirojmë. Ne i lirojmë sepse kështu duam, sepse kështu përpiqemi të shpëtojmë edhe peshqit e mëdhenj. Si drejtorrët dhe zyrtarët e korruptuar, të dënuar për korrupsion, që përfitojnë në kushtet aktuale. Kjo është e vërteta, këto janë faktet dhe këto fakte janë të pakontestuara nga çdokush me dy sy në ballë, qofshin këta parlamentar, jurist, gazetarë, apo qytetarë. Të mohosh këtë, do të thotë të mashtrosh veten, sepse qytetarët nuk i mashtron dot.

Atëherë le të vijmë tek ana praktike e këtij propozimi. Do të falen e nuk do të ndiqen penalisht ata që janë dënuar, ata që po hetohen apo ata që do të hetohen për aferën e Astirit. Fallsifikimin e firmës të sekretarit të shtetit DeLauer, por nuk falin nga ndjekja penale protestuesit që mbronin shtëpitë e tyre dhe që përndiqen nën nenin përkatës për kundërshtim të policisë në bashkëpunim. Këto janë faktet.

Do të përfitojnë zyrtarët e korruptuar të bashkisë së Tiranës që shkatërruan banesat në fundin e bulevardit të ri, por nuk do të përfitojnë nënat, baballarët që kundërshtuan aksionin në 5 të mëngjesit me gaz lotsjellës, që i bënë t’i nxjerrin fëmijët në 5 të mëngjesit nga shtëpitë e tyre, të cilët përndiqen me nenet përkatëse të kundërshtimit ë punonjësve të policisë në bashkëpunim. E njëjta gjë me banorët e Shkozës, e njëjta gjë me protestuesit e shembjes së Tëatrit Kombëtar. Do të përfitojnë drejtorë, zyrtarë, drejtorë të përgjithshëm deri në specialist të cilët kanë bërë të mundur që vullneti i korrupsionit kryetarit të bashkisë dhe kryeministrit të sheshonte një monument kulture, por nuk do të përfitojnë anëtarët e shoqërisë civile, anëtarët e Partisë Demokratike të cilët protestuan dhe po përndiqen me nenin përkatës të kundërshtimit të forcave të rendit në bashkëpunim. Këto janë faktet, ky është pazari i ndyrë. I ndyrë, me yndyrën e babëzisë nga një anë dhe pafytyrsisë kronike nga ana tjetër.

Tani t’i drejtohem kolegëve në atë anë ku duhet të ulet opozita. Shikoni njëri-tjetrin në fytyrë dhe mendoni si do t’i përgjigjeni demokratëve, opozitarëve, protestuesve, mbi 700 prej tyre që përndiqen sot me një nen i cili nuk i përfiton benefitet e kësaj amnistie. Ndërkohë që po çlironi nga akuza zyrtarët e korruptuar që u bënë sebep për protestat e tyre. Nuk mbyllet sot kjo. Kjo nuk është nga ato çështjet që i vihet kapak dhe nuk harrohet as për tre ditë, as për tre javë, as për tre muaj. Kjo është një votë në ndërgjegje, një çështje më shumë se pragmatizmi politik, karakteri njerëzor. E keni fare të thjesht koleg të opozitës, nëse doni të provoni që s’keni Pazar me Edi Ramën, votoni amendamentin e Partisë Demokratike. Përjashtohen të gjithë kategoritë e të korruptuarve, përfitojnë të gjithë protestuesit, kaq e thjesht është. Nëse nuk doni që zyrtarët e korruptuar të përfitojnë, votoni amendamentin e Partisë Demokratike. Nëse doni me të vërtetë që të gjithë protestuesit të përfitojnë, votoni amendamentin e Partisë demokratike. Në fakt është një vendim shumë i thjesht, shumë i qartë në sytë e opinionit publik, në sytë e medias, vendimi po kështu do të jetë i qartë dhe transparent. Gjithësecili prej jush në pak minuta ka mundësinë të përjashtojë nga amnistia të gjithë aktet e korrupsionit që çuan në protesta dhe të bëjë të përfitojnë të gjithë protestuesit që u ngritën kundër akteve të korrupsionit dhe në këtë mënyrë të provojë që nuk është në pazar, ose përndryshe veprat flasin vet dhe pazari është në sytë e të gjithë shqiptarëve.

‘Manja duartroket Bardhin, ky harroi vilat e Nokës’, Haklaj: Nga amnistia përfitojnë zyrtarët e PS!

Anëtari i kryesisë së PD, Azgan Haklaj nga “Studio Live” në Report Tv ka argumentuar qëndrimin e PD zyrtare kundër amnistisë penale. Në intervistën me Arbër Hitajn ai tha se nga amnistia përfitojnë zyrtarë të PS.

“Amnistia është anti SPAK. Përfitojnë zyrtarët e PS se ata janë në burg. Pd kërkon që të mos amnistohen veprat penale që janë duke u hetuar nga SPAK. Të gjithë këta që kanë bërë korrupsion u ulet dënimi kurse ata që kanë protestuar kundër korrupsionit nuk përfitojnë. Është e turpshme. Mazhoranca ka falur njerëzit e saj nga amnistia. Marrëveshje mazhorancë-Rithemelimi. Nuk amnistohet qytetarët që kanë protestuar kundër tyre”.

Ndërsa e cilësoi amnistinë marrëveshje të PS dhe Rithemelimit, nuk i kurseu ironitë për Gaz Bardhin tashmë palë me Rithemelimin, pavarësisht se dikur nuk i ka kursyerakuzat duke nisur nga Sali Berisha e te Flamur Noka.

“Duartroket Manja Gaz Bardhin, ky i fundit ka harruar vilat e Nokës”, shtoi ai.

“Nëse drejtorët e Bashkisë Tiranë do ishin dënuar me vendim të formës së prerë, sot do përfitonin nga amnistia”/ Ironia e gazetarit të njohur: Bravo, Gaz Bardhi!

Gazetari i njohur, Reldar Dedaj, në një postim në profilin e tij në rrjetin social facebook, ironizon veprimet e fundit të deputetëve të Rithemelimit dhe të Gazment Bardhit.

Njëkohësisht, ai u jep një përgjigje mjaft të qartë atyre që mohojnë pazarin mes Rithemelimit dhe PS, duke thënë se askush prej të hetuarve dhe të dënuarve për korrupsion, nuk do të përfitojë nga amnistia.

Dedaj shkruan se “nëse Taulant Tusha, Qato dhe të tjerët drejtor të Bashkisë së Tiranës do të ishin dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata, sot do përfitonin nga amnistia”.

“S’ka problem përfitojne vitin tjeter, me amnistinë e radhës. Bravo Gaz Bardhi!” – përfundon postimin e tij drejtori i gazetës “Liberale.al”, gazetari Reldar Dedaj.

“PS dhe Rithemelimi aleancë anti-SPAK”, Alibeaj: Parlamenti po nxjerr nga burgu hajdutët, po tentojnë të izolojnë Strukturën e Posaçme

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Enkelejd Alibeaj, në një lidhje me Skype në rubrikën Opinion në News 24 të moderatores Nisida Tufa, ka komentuar amnistinë penale. Alibeaj theksoi se PS dhe Rithemelimi, me anë të amnistisë penale, kanë bërë aleancë antiSPAK. Ai tha se parlamenti, me ligj, po nxjerr hajdutët nga burgu.

“Ne kemi pasur qëndrimin që njerëzit që ndiqen penalisht nga SPAK apo GJKKO të mos falen. Nëse do të miratohet në parlament amnistia penale, sinjali që jep Kuvendi është që SPAK punon, heton, GJKKO dënon hajdutët dhe të korruputuarit, e parlamenti po i nxjerr nga burgu. Ne kemi kërkuar që protestuesit që janë dënuar apo janë në gjykim të mund të përfitojnë. E kemi quajtur pazar amnistinë, sepse propozimi i PS ka qenë që të dënuarit nga SPAK të mund të përfitojnë. Dhe Themelimi e ka pranuar. Kjo është aleancë antiSPAK mes PS dhe Rithemelimit. Pra, që të përfitojnë hajdutët jo me poste tepër të larta, por që kanë mbajtur një post në administratë si drejtor etj. Marrëveshja mes PS dhe Rithemelimit gjithashtu bëri kurban Reformën Zgjedhore”, tha Alibeaj.

Më tej, Alibeaj nënvizoi se është një këmbanë alarmi që PS ka hedhur idenë që të ngrihet një Komision në Kuvend për ta kontrolluar SPAK-un. Sipas tij, parlamenti dhe administrata po përpiqen që ta izolojnë Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.

“Eduart Shalsi ka thënë muaj më parë se do përgatisim Komision, nën justifikimin e të drejtave të njeriut, e ka pranuar që të ketë Komision brenda parlamentit, që do të shqyrtojë në thonjëza ankesat ndaj SPAK. Kur këtë e thotë një zyrtar i lartë, është këmbanë alarmi. Edhe kryeministri e ka thënë se mund të ngrihet Komisioni, për përplasjen që ka pasur me përfaqësuesit e BKH-së. Administrata nuk jep asnjë informacion ndaj SPAK. Parlamenti dhe maxhoranca po përpiqen ta izolojnë SPAK-un. Nga amnistia përfitojnë disa persona, që akuzohen për korrupsion, iu ulet dënimi madje edhe atyre që janë dënuar. SPAK ka meritën se ka thyer tabunë e moshetimit, ka dënuar zv kryeministrin, ka çuar në burg drejtorë, është meritë e madhe që demokracia shqiptare nuk e ka njohur. Por, Struktura e Posaçme duhet të jetë më e shpejtë në veprime. Veprimet e SPAK i përshëndet 70 përqind e popullsisë”, deklaroi Alibeaj.

Marrëveshja politike që po amniston të gjithë korrupsionin shtetëror

Nga Ervis Iljazaj

Sa herë që politika shqiptare ulet të bëjë një marrëveshje jo transparente, ajo që vuan është demokracia dhe drejtësia e vendit tonë. Historikisht, palët politike në Shqipëri kanë bërë marrëveshje antidemokratike dhe vetëm në favor të pushtetit të tyre personal. Marrëveshja e 2008-s është më flagrantja ndër to. Një marrëveshje e cila ka shkatërruar totalisht mekanizmat kushtetues dhe demokratik të sistemit qeverisës në Shqipëri duke instaluar njëherë e përgjithmonë pushtetin e njëshit.

Edhe kësaj here, nuk mund të ndodhte ndryshe. Të gjithë u çuditën se përse kjo maxhorancë ndryshoi kursin politik dhe legjitimoi rithemelimin si opozitën me të cilën do të bashkëpunonte pas dy vitesh që e konsideronte si një forcë politike non-grata. Me sa duket, përfitimi dhe interesi i të dyja palëve paska qenë i madh. Politika shqiptare përpara interesit të saj të ngushtë është e gatshme të bëjë çdo gjë kundër drejtësisë, parimeve, vlerave dhe demokracisë në tërësi.

Përfitimi është i qartë. Rithemelimi u njoh si opozita legjitime nga pushteti, ndërsa ky i fundit përfitoi amnistinë e turpshme që do të votohet në parlament. Për ta bërë më të thjeshtë për lexuesin dhe publikun, nga amnistia e sotshme që pritet të votohet nga rithemelimi dhe PS do të përftojnë të gjithë ata që kanë kryer korrupsion shtetëror, pasiv apo aktiv. Nëse amnistia votohet gjatë ditës së sotshme ashtu sikurse është paraqitur në parlament, përfitojnë nga ajo të gjithë funksionarët e shtetit që akuzohen për korrupsion, nga sekretarët e përgjithshëm të ministrive e deri të specialisti më i thjeshtë.

Kjo është një goditje e fortë që klasa politike shqiptare i jep drejtësisë, shtetit të së drejtës dhe luftës ndaj korrupsionit, plagës më të madhe të shoqërisë shqiptare në 34 vite tranzicion. Është e qartë se politika tashmë është bashkuar në një luftë kundër organeve të reja të drejtësisë, sidomos SPAK.

Amnistia e sotme është një mënyrë djallëzore e politikës për të luftuar aktivitetin e SPAK dhe luftës ndaj korrupsionin që ky institucion ka ndërmarrë kohët e fundit. Të trembur deri në palcë nga korrupsioni galopant që kanë bërë, ashtu sikurse tregojë lajmet që publikohen nga mediat çdo ditë, kanë bashkuar forcat për ta ndaluar këtë aktivitet ose për të minimizuar rëndësinë e tij. Dhe amnistia e sotme është pikërisht një nga instrumentet që po përdorin. Dhe nuk është instrument i fundit. Sigurisht që kanë ndërmend të përdorin dhe mjete të tjera kundër drejtësisë së re. Koha do ta tregojë se çfarë .

Por një gjë është e sigurt, lufta e klasës politike ndaj SPAK sapo ka filluar dhe do të vazhdojë gjatë.

Është e turpshme se si një opozitë, e cila e quan vetën ‘’opozitë të vërtetë’’, flet gjithë ditën kundër korrupsionit ndërkohë që voton një ligj që amniston të gjithë të korruptuarit e administratës shtetërore. Është e turpshme dhe e pamoralshme të akuzosh çdo ditë pushtetin për tenderë të vjedhur dhe të votosh për të amnistuar ata që po vjedhin këto tendera.

Korrupsioni në Shqipëri është një nga problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare në 34 vite tranzicion. Korrupsioni i administratës shtetërore ka vjedhur paratë e shqiptarëve, ka bërë që shqiptarët të marrin malet dhe detet e të braktisin këtë vend që po tkurret gjithmonë e më shumë. Korrupsioni shtetëror ka bërë që të rinjtë shqiptarë të humbin shpresën se mund t’ja dalin në këtë vend dhe të jetojnë me dinjitet. Korrupsioni është një vepër penale që prek të gjithë shoqërinë. Dhe ta amnistosh në këtë mënyrë, patjetër që duhet të jesh i verbër nga interesat personale meskine të politikës. Të amnistosh një drejtor drejtorie në bashki që ka vjedhur miliona euro, të amnistosh një gjyqtar që ka marrë ryshfet për një çështje gjyqësori është të vrasësh të ardhmen e këtij vendi.

Por më e keqja në të gjithë këtë histori, është mesazhi që pushteti do të japë te e gjithë administrata publike. Mesazhi është i qartë, firmosni, mund edhe të bëni korrupsion, ne do t’ju lirojmë me amnistinë e radhës. Nga frika e luftës kundër korrupsionit që po bënë SPAK shumë funksionar publik janë të trembur dhe nuk po zbatojnë porositë e shefave. Dhe mesazhi që shefat duan të japin me amnistinë është pikërisht kurajimi që ata të vazhdojnë aktivitetin e tyre korruptiv. Dhe të gjithë këtë, pushteti po e bënë me ndihmën e ‘’opozitës të vërtetë’’.

/Liberale.al/

“Institucionet publike, nuk denoncojnë korrupsionin”- Altin Dumani ngre shqetësimet në KLP: Vetëm 12 raste në 2023! Rënie shqetësuese me 40%

Altin Dumani, kreu i Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka ngritur shqetësimet gjatë analizës vjetore në Këshillin e Lartë të Prokurorisë teksa vuri në dukje mungesën e bashkëpunimit me institucionet publike në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar,

 

“Është shqetësuese”, u shpreh Altin Dumani, teksa theksoi se numri i denoncimeve nga institucionet publike është mjaft i ulët. Kreu i Prokurorisë së Posaçme nënvizoi se ka një rënie me 40% në vitin 2023, ku zbuloi se janë referuar vetëm 12 raste.

“Duhet nënvizuar se bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar është shqetësues. Nisur nga numri i referimit të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar policinë e shtetit ky numër është mjaft i ulët për vitin 2023 me vetëm 12 raste të referuara. Referimi nga këto institucione ka një tendecë të fortë rënie, që shkon deri në 40% krahasuar me vitin 2022. SPAK ka mbajtur të njëjtën qasje në 3 vitet e fundit”, u shpreh kreu i SPAK.

Altin Dumani theksoi se SPAKnuk mund të përballojë  i vetëm luftën kundër korrupsionit apo vepra të tjera penale që kryhen nga subjekte që mbajnë një funksion shtetëror.

Ai shtoi se e nevojshme dhe domosdoshme forcimi i bashkëpunimit, si edhe rritja e numrit të referimeve nga institucionet e tjera.

“Përjashtuar policinë e shtetit, institucione të tjera që edhe ata pjesë të detyrave e kompetencave të tyre kanë dhe luftën kundër korrupsionit, qoftë të nivelit qendror apo lokal nuk referojnë në SPAK veprat penale në natyrë korruptive apo vepra të tjera penale. Ky është shqetësim për SPAK. Pasi SPAK i vetëm nuk mund të adresojë dhe përballojë luftën kundër korrupsionit apo vepra të tjera penale që kryhen nga subjekte që mbajnë një funksion shtetëror. Është e nevojshme dhe domosdoshme forcimi i bashkëpunimit dhe rritja e numrit të referimeve nga institucionet e tjera. Ne si strukturë, BKH apo SPAK jemi shumë të hapur e shumë bashkëpunues me të. Cilido institucion e ka konstatuar këtë. Në çështje të natyrës sensitive ne vëmë në dispozicion të gjithë mjetet teknike të rastit, por secili institucion duhet të bëjë detyrën e vet. Institucionet që kanë për detyrë  edhe dhe luftën kundër korrupsionit duhet të jenë të vëmendshëm dhe të rrisin referimet për veprat penale si korrupsion, shkelje të barazisë në tendera”, tha Dumani.

NATO feston përvjetorin e 75-të, por e ndien peshën e “moshës”! Kush do të zëvendësojë Jens Stoltenberg në krye të aleancës dhe sfidat me të cilat përballet

Të enjten, më 4 prill, NATO-ja e feston 75-vjetorin. Kjo ngjarje do të shënohet me ceremoni të ndryshe në selinë qendrore të aleancës në Bruksel, si dhe në vende të tjera në kryeqytetin belg, përfshirë duke ia veshur një kostum të NATO-s Manneken Pis, statujës ikonë të qytetit të një djaloshi të vogël duke urinuar.

 

Dhe a ka më gallatë se kjo për organizatën ushtarake që po moshohet. Ministrat e Jashtëm të 32 aleatëve të NATO-s do të mblidhen gjithashtu për dy ditë dhe, megjithëse do të ketë shumë bisedime festive dhe optimiste për shëndetin e fortë të aleancës dhe për faktin se ky takim ministrash do të jetë i pari me Suedinë si anëtare me të drejta të plota, ka shenja për telashe të mundshme.

Ky takim dyditor vjen gati saktësisht tre muaj para një samiti vendimtar të NATO-s në Uashington D.C. në korrik.

Në samit, ministrat e Jashtëm do të merren me çështjet e njëjta sikur liderët – luftën në Ukrainë dhe si ta rrisë NATO-ja mbështetjen për Ukrainën, të ardhmen e Ukrainës pas anëtarësimit të Suedisë në NATO dhe si mund të duket rruga e saj drejt këtij synimi dhe, në fund, kush duhet ta zëvendësojë sekretarin e Përgjithshëm Jens Stoltenberg, i cili do të largohet në fund të këtij viti pas një dekade në krye të aleancës.

Ministrat e Jashtëm nuk do ta marrin asnjë vendim këtë javë për zgjidhjen e ndonjë prej këtyre sfidave, por disa gjëra duhet të zgjidhen deri në takimin e shefave të tyre në kryeqytetin amerikan nga 9 deri më 11 korrik.

Çështja më e rëndësishme është mbështetja ushtarake për Ukrainën. Meqë mbështetja amerikane për Ukrainën, në vlerë gati 60 miliardë dollarë, ka ngecur në Kongres, miqtë evropianë të Kievit janë duke bërë përpjekje këmbëngulëse për t’i dhënë çfarëdo ndihme që kanë mundësi partnerëve të vet të mangët në armatim, sepse ende ka druajtje për një ofensivë ruse në muajt e ardhshëm, e cila mund t’i thyejë vijat mbrojtëse të Ukrainës.

Prapëseprapë, humori është më pak i zymtë sesa në fillim të këtij viti. “Ka një zymtësi tani për tani, por s’është katastrofike: Rusia po çan përpara paksa, por ngadalë”, tha një diplomat i NATO-s.

Asokohe, çështja ishte furnizimi i Ukrainës me predha, e cila nuk është aspak afër të zgjidhet, por anëtarët e aleancës ushtarake kanë filluar të paktën të prodhojnë vetë shumë të tilla dhe t’i prokurojnë ato në vendet e treta nëpër botë. Sipas të gjitha vlerësimeve, kjo nuk është aspak e mjaftueshme, por parashikimi të paktën duket më i mirë.

Por, tani çështjet kryesore janë kundërajrorët dhe posaçërisht raketat për t’i mbrojtur qytetet dhe infrastrukturën ukrainase.

Një burim tha për Radion Evropa e Lirë se “kjo nuk mjafton as për Ukrainën, e as për aleancën dhe tani, ne nuk i kemi punët mirë me këtë”.

Për dallim nga predhat, raketat nuk mund të sigurohen jashtë aleancës, apo të prodhohen shpejt, sepse kjo është gjë më e ndërlikuar teknikisht.

Një mënyrë për ta zgjidhur këtë çështje u paraqit nga vetë Stoltenberg para takimit të ministrave, sipas të cilës, NATO si organizatë do t’ia ofronte Ukrainës një pako pesëvjeçare me ndihmë ushtarake në vlerë deri në 100 miliardë dollarë.

Paratë do të siguroheshin nga të gjitha vendet anëtare duke e përdorur zbërthimin e njëjtë, në përputhje me të Hyrat e Brendshme Bruto (HBB), me të cilat financohet buxheti i përbashkët i NATO-s. Por, çështja është se a do të pajtohen të gjitha vendet e NATO-s me këtë deri në kohën e samitit.

Në thelb, kjo është përpjekje e NATO-s për “të marrë përsipër” nisma të ndryshme ad hoc për ta ndihmuar Ukrainën. Kujtojeni Grupin Kontaktues të Mbrojtjes Ukrainase, tani i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe i cili bashkon 50 vende, të cilat takohen gati çdo muaj në mënyrë që ta furnizojnë Ukrainën me armë.

Apo koalicionin F-16, një grup i rreth dhjetëra aleatëve të NATO-s që po i stërvitin pilotët ukrainas se si t’i përdorin avionët luftarakë.

NATO-ja është duke e shqyrtuar njëfarë misioni trajnues për Ukrainën për t’i marrë përsipër përpjekjet e ndryshme të udhëhequra nga disa shteteve anëtare individuale, por ajo është përballur me pengesa tashmë.

Disa burime kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se Hungaria është kundër “NATO-nalizmit” tani për tani. Kishte synime brenda organizatës për ta finalizuar një draft-mandat për një mision për Ukrainën në takimin e ministrave, por kjo nuk do të ndodhë, sepse nevojiten më shumë bisedime.

Çfarë po ndodh me afrimin e Ukrainës me NATO-n?

Në samitin e NATO-s në Vilnius vitin e kaluar, u arrit marrëveshje për heqjen e Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP) për Ukrainën, një hap i nevojshëm për reforma të ndryshme politike dhe ushtarake që duhet të përmbushën para anëtarësimit. Por, gjërat nuk kanë lëvizur shumë prej atëherë.

Asnjë rrugë drejt anëtarësimit, e asnjë datë po ashtu, vetëm një fjali që thotë se “ne do të jemi në pozitë për t’i dërguar Ukrainës ftesë për t’iu bashkuar aleancës sapo të pajtohen aleatët dhe të plotësohen kushtet”.

Prej Vilniusit, NATO-ja nuk ka bërë ndonjë hap të madh në këtë drejtim. Disa, posaçërisht në krahun lindor duan të bëjnë më shumë se thjesht “gjuha e Vilniusit”, por jo edhe të tjerët. Duket se çështja kryesore është lufta. E vërteta është se shumica e anëtarëve të aleancës nuk duan konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, prandaj nuk do të ketë anëtarësim për Ukrainën përderisa vazhdojnë luftimet.

Pyetja është se, nëse ka diçka për të ofruar në Uashington, çfarë është ajo? Njëfarë anëtarësimi i pjesshëm i cili mbulon vetëm territoret që Kievi i ka nën kontroll politikisht? A mundet, apo madje a duhet Kievi ta pranojë një marrëveshje të tillë, e cila do ta ndante de fakto vendin? Dhe, a do të pajtohen të gjitha 32 vendet anëtare për një gjë të tillë?

E tëra që e dëgjojmë tani është “periudha deri në mbajtjen e samitit në Uashington do të jetë më e vështirë sesa ajo e Vilniusit, pasi qëndrimet po bëhen të ashpra”. Zgjedhjet e këtij viti në vendet e rëndësishme anëtare të aleancës si, Shtetet e Bashkuara, dhe rënia e mbështetjes në përgjithësi për Ukrainën rreth luftës, duket se janë faktorët kryesorë për këtë ngecje.

Dhe në fund, e kemi zëvendësimin e Stoltenbergut. Kjo çështje duhej të zgjidhej në prill, me katërshen e madhe, Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara që zyrtarisht e kanë mbështetur kryeministrin në largim të Holandës, Mark Rutte.

Shumica e vendeve të tjera anëtare e mbështesin kandidaturën e tij po ashtu, përfshirë disa vende nga krahu lindor si, Estonia dhe Polonia. Por, nuk ka shenja ende se Romania, presidenti i së cilës Klaus Iohannis është kandidat rival, do të dorëzohet, veçanërisht jo derisa Hungaria duket të jetë goxha kundër Ruttes.

Turqia gjithashtu po e vonon vendimin për këtë çështje tani për tani. Kjo çështje nuk është zyrtarisht në agjendë në Bruksel këtë javë, por disa ministra pritet ta ngrenë atë dhe ta mbështesin holandezin. Pritet goxha pazarllëk në margjinat e takimit po ashtu.

Nuk duhet të jetë befasi nëse kjo çështje zvarritet deri në verë, e mbase deri në samit madje.

NATO-ja po plaket, dhe do të vazhdojnë pyetjet se a është ajo mjaft e shkathët për t’i tejkaluar të gjitha pengesat me të cilat përballet./REL

“I betohen për besnikëri diktatorit bukurosh dhe mizor…”/ Historia e arratisjes së ministrit pa portofol në ’57-ën! Biseda mes Enver Hoxhës dhe Hrushovit: Po të na e sillni në Shqipëri, do ta varim në mes të Tiranës

“Ashtu si ferri i Dantes, komunizmi ka nivele të ndryshme të tmerrit dhe mizerjes. Javën e kaluar, një ministër kabineti i qeverisë thellësisht staliniste shqiptare, gjeneral-major Panajot Plaku, u arratis nga atdheu i tij, duke rendur në mes të natës nëpër shtigjet që pat mësuar së pari si partizan në Luftën e Dytë Botërore, për të kaluar në Jugosllavi. Plaku është komunisti i rangut më të rëndësishëm mes 5-6 mijë shqiptarëve, që i janë larguar errësirës së atdheut të tyre, që nga koha e luftës…”! Kjo hyrje është pjesë e një shkrimi jo të gjatë të edicionit të datës 3 qershor 1957, të revistës amerikane ‘Time Magazine’.

 

Arratisja e madhe kishte ndodhur në mesnatën e 15-16 majit 1957, pra rreth dy javë më parë; lajmi ishte shokues dhe efekti zgjati disa vjet, sepse megjithëse brenda një vendi të izoluar ilaçi gjendet shumë shpejt, duke e etiketuar ushtarakun e njohur si; “tradhtar, armik, agjent”, etj., etj., buja do të vazhdonte jashtë Shqipërisë, në Lindje dhe në Perëndim.

Aq sa çështja Panajot Plaku do të kthehej edhe në objekt bisede mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut. nga njëra anë, dhe Nikita Sergejeviç Hrushovit. nga ana tjetër. “Pse nuk e rishikoni qëndrimin tuaj ndaj Panajot Plakut, dhe ai të kthehet në atdhe”? sugjeroi lideri sovjetik, gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1959. Përgjigja nuk linte vend për ekuivoke: “Panajotin nuk kemi ndër mend ta falim. Bile po të na e sillni në Shqipëri, do ta varim në mes të Tiranës”!

Në bazë të studimit të disa dokumenteve interesante të historianit Albert Kotini, ne jemi përpjekur në këtë shkrim të rindërtojmë historinë tashmë prej kohësh të harruar të Panajot Plakut. Arratisja e ministrit shqiptar, nuk ishte e rastësishme. Nuk ishte as makinacion agjenturash, nga ato që diktatura komuniste nuk e kishte të vështirë t’i artikulonte: “Dali Ndreu e Liri Gega u kapën pa mundur të arratiseshin, ndërsa Panajot Plaku, ia doli me ndihmën e Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut”, siç do të thuhej shumë vite më pas.

Historia duket të jetë mjaft më e thjeshtë se kaq, atij po i rrezikohej jeta personalisht, pasi pothuajse të gjithë njerëzit e spikatur të familjes dhe farefisit, po ia eliminonin një nga një. Dhe në vendin që sipas Time-s; “një milion e 250 mijë banorë, sundohen nga 48 mijë komunistë të cilët, i betohen për besnikëri diktatorit bukurosh dhe mizor Enver Hoxha”, këto fenomene nuk ishin të pazakonta. Megjithatë, e pazakontë dhe e rëndë akoma dhe për një diktaturë, ishte sjellja e regjimit ndaj Panajot Plakut dhe familjes së tij.

Në kartelën e tij personale me numër 21, jepen këto të dhëna: “Është arratisur në Jugosllavi më 15 maj 1957. Ka lindur në Hoçisht të Korçës, më 17 mars 1919. Flet dhe shkruan gjuhët rusisht, italisht dhe më pak anglisht e frëngjisht. Josif Plaku, është arrestuar, si babai i Panajotit, në vitin 1940 nga regjimi në fuqi. Ka dy vëllezër dhe dy motra, të quajtur Kalo, Koço, Theodora e Meri Plaku. Ka patur si pronë 18 ha. tokë, 2 shtëpi, 7 lopë dhe tre kuaj, të cilat ia dorëzoi të gjithë Reformës Agrare, me përjashtim të një dynymi.

Ka mbaruar shkollën fillore 1926-1931, në Hoçisht, shkollën e mesme Teknike, shkollën Unike 1934-1936, në Korçë dhe atë ‘Normale’, 1936-1941 në Elbasan. Anëtar i Partisë Komuniste që nga 21 korriku 1942, me numër tesere 012334, lëshuar nga Komiteti i Partisë së Tiranës. I pa përjashtuar nga partia. Është arrestuar më 12 prill 1942 nga fashistët italianë, për pjesëmarrje në demonstratë dhe është mbajtur në burg 3 muaj. Pas lufte, ka qenë me delegacione në Itali dhe në Bashkimin Sovjetik. Të gjithë pjesëtarët e familjes dhe gruaja, Vjollca, kanë qenë pjesëmarrës të Luftës Antifashiste. Në 28 nëntor 1944 gradohet nën/kolonel”.

Në karakteristikën e punës, firmosur nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, renditen të gjitha të dhënat e tjera, që nga gradimi i parë pas lufte, si kolonel, më 1 korrik 1951, detyrat në luftë si partizan i thjeshtë në çetën e Devollit, deri në zv/komisar i Brigadës së Parë. Nuk harrohet të përmendet fakti që Panajoti, kishte një xhaxha në Amerikë, Vangjelin, një intelektual me dy doktoratura. Kthehet pas studimeve 1948-‘50 në Akademinë Ushtarake sovjetike “Voroshillov”, si komandant divizioni.

Ajo çka binte në sy tek Panajot Plaku, përveç talentit dhe inteligjencës që shquante tek gjithë fisi e tij, ishte shpirti i lirë, thënia e mendimit troç edhe kur binte ndesh me eprorët, çka në zhargonin zyrtar, do të përkthehej: “Nuk është i disiplinuar në shkallën që duhet të jetë një komandant divizioni, dhe me shumë zor i zbaton urdhrat, e çmon shumë veten. Do kontroll të fortë dhe seriozitet nga lart”.

Dhe ai që nuk kishte bërë asnjë autokritikë deri në vitin 1950, detyrohet ta bëjë këtë pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, “para shokëve gjeneralë; Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Bedri Spahiu dhe Teodor Heba”. Por çfarë ndodhi në jetën e Panajot Plakut, derisa ai vendosi “të tradhtojë”?

Vëllai i Panajotit, Jorgo Plaku, ishte shpallur dëshmor, pasi u vra më 7 janar 1944, sipas deklaratave zyrtare, “në përpjekje me armiqtë”, por në fakt u qëllua nga pas, ndërsa ishte duke ecur në kolonë me shokët pranë Voskopojës, dhe kur “armiq” nuk kishte asgjëkund. Megjithëse dëshmitarët kishin heshtur që prej asaj kohe, familjarët patën gjithmonë dyshime. Radha do t’i vinte më pas vëllait tjetër të Panajotit, Kalo Plaku, dy vjet më i ri.
Komisar batalioni në kohën e luftës, Kalo emërohet në vitin 1945 në Berat, si oficer i Ministrisë së Brendshme.

Duke parë torturat dhe bastisjet që u bëheshin familjeve të tëra nga regjimi i sapo-instaluar, ai neveritet dhe kërkon të lirohet nga uniforma. Kalon në bujqësi dhe në vitin 1952 emërohet drejtor i fermës së Sukthit. Menjëherë pas tij, emërohen në poste drejtuese të fermës edhe dy ish punonjës të Sigurimit, të cilët do t’i viheshin pas për katër vjet me radhë.

Në 12 qershor 1956, Kalo Plaku niset herët në mëngjes për punë, sepse fillonte fushata e korrjeve. Në mbrëmje, shoferi i tij i ri (i ardhur një vit më parë, dhe më pas me karrierë shoferistike në Komitetin Qendror të PPSh-së dhe nëpër ambasada), e lajmëron se makina ishte prishur. Kalo fle ku e zë nata dhe të nesërmen në mëngjes, pi një gotë dhallë që do të ishte e fundit. Nxjerr shkumë nga goja dhe vdes në moshën 35 vjeçare, “sepse iu zmadhua zemra”!

Sapo trupi i të vëllait mbërrin në shtëpi, Panajoti i nxjerr të gjithë përjashta, merr kufomën dhe e çon në Tiranë, për autopsi. I kërkon Llambi Ziçishtit, ministrit të Shëndetësisë, t’i bënte autopsinë, dhe përgjigja ishte; “Zmadhimi i zemrës shkaktoi vdekjen”. Por në autopsi, mori pjesë edhe një mjeke sovjetike. Konstatimi i saj? Ndryshonte rendi i lidhjes shkak-pasojë: “Ishte vdekja ajo që solli zmadhimin e zemrës”. Panajoti kërkoi përgjigje të tjera nga Hungaria, por ato nuk erdhën kurrë.

Në shtëpinë e ministrit pa portofol, vijnë për ngushëllim gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me Enverin në krye. Kur Panajoti ia përsërit udhëheqësit konkluzionin e mjekes sovjetike, duke i kërkuar në sy një analizë tjetër për të vëllanë, ky nxihet dhe hesht. Aq më tepër që pak kohë më parë, (siç ka deklaruar pas viteve ‘90-të, ish titullari i lartë i viteve të para pas çlirimit, Nexhmi Ballka), kishte patur një debat me Panajotin, pasi ky i fundit nuk ishte aspak dakord, që Rita Marko të hynte në Byronë Politike.

Panajot Plaku po vërente se po ia vrisnin, degradonin apo përjashtonin nga partia, për një arsye apo një tjetër, gjithë familjarët dhe fisin që kishte nxjerrë vetëm partizanë dhe më vonë plot 28 komunistë idealistë dhe individë të talentuar. Në të njëjtën kohë, atë e kishin promovuar në ministër, çka mendja e tij e stërvitur, e përktheu menjëherë si rrahje e shpatullave, para prerjes së kokës. Ndaj konkludoi se kishte ardhur radha e tij. Vendosi të arratisej. Urdhëron shoferin të bëjë gati makinën, se do të shkojnë në Pogradec, për punë. Në Qafë Thanë, zbret pak për “t’u çmpirë”, merr një monopat dhe nuk kthehet më.

“Ika nga Shqipëria se Enver Hoxha më helmoi vëllanë”. Lajmi i dhënë nga agjencia jugosllave e lajmeve TANJUG, mori dhenë. Pas tronditjes fillestare, Tirana merr menjëherë kundërmasat dhe në shtypin zyrtar, botohet një artikull ku nëna e “tradhtarit”, Kostandina Plaku, mallkon qumështin që i ka dhënë të birit. Por ç’kishte ndodhur në të vërtetë?

Sipas rrëfimeve në vitet e para ‘90-të të Pandora Plakut, gruas së Kalos së helmuar, vëllai i vogël i Panajotit dhe gjeologu i talentuar Koço Plaku, mori një ftesë të çuditshme: “Frrok Pjetër Gega, i sapozgjedhur në Komitetin Qëndror të PPSH-së dhe komshiu përballë shtëpisë sonë, kishte thirrur Koçon në shtëpinë e tij dhe pas 3-4 orë bisedimesh midis tyre, Koço vjen me tekstin e artikullit në dorë.

I bërë meit në fytyrë, me zë të dredhur, ia jep të ëmës letrën në dorë dhe i thotë: “Firmose, po na deshe edhe neve të tjerëve”. Kuptohet që tekstin Frrokut, ia kishin dhënë gati, sepse niveli i tij prej punëtori, nuk e bënte dot edhe pse më vonë u bë Zv/ministri i Punëve të Brendshme. Kostandina Plaku firmosi tekstin e gatshëm, ku mallkonte të birin; “Harram qumështin e nënës”.

Dhe ‘mjeshtëria’ e Sigurimit, nuk kishte fund. Për të neutralizuar çdo deklaratë të Panajotit të arratisur, Pandora vijon të figurojë komuniste, për të ruajtur versionin zyrtar, se i shoqi “vdiq në krye të detyrës”. Fëmijëve të Kalos, u jepet shkolla e lartë, paçka se natën.

Panajot Plaku ndihet gjysmë i burgosur në Jugosllavi. Ai flet kundër regjimit, në të cilin më parë ishte hierark i lartë, në intervista të ndryshme, ndërkohë që i dërgoi Hrushovit një letër të gjatë, ku rendit të gjitha stalinizmat e liderit shqiptar, Enver Hoxha. Kërkon të shkojë në Bashkimin Sovjetik, por Tito nuk e lë të ikë. Gjatë kësaj kohe, nuk kishte rast më të mirë për Tiranën zyrtare, për ta përfshirë Panajot Plakun, në grupin agjenturor dhe regjim-përmbysës të radhës, e në këtë mënyrë ta pajisnin edhe atë me një dosje, për t’u pasur zili: Ishte “zbuluar” banda e Teme Sejkos, me kompani!

Gazeta “Bashkimi”, e numrave të majit 1961, është e mbushur me deklaratat në gjyq të “komplotistëve”, që kishin synuar përmbysjen e diktaturës me ndihmën e të gjithëve: Rusë, grekë, jugosllavë, amerikanë e anglezë. Kolektivat punonjës dërgojnë letra falënderimi për Partinë, që zbuloi këtë grup të rrezikshëm: nga Uzina “Enver”, nga kooperativa “Stalin” e Krutjes, nga ajo “Mao Ce Dun” e Divjakës, e deri nga kooperativa e Konispolit, për të dhënë përshtypjen se; çamët e dënojnë tradhtinë e Teme Sejkos dhe se ai meriton plumbin ballit.

Po Panajot Plaku? Ai kishte qenë ndër organizatorët kryesorë të kryengritjes, për të cilën paskëshin financuar mbi 20 organizata ndërkombëtare spiunazhi, dhe nëse në përfundim të farsës gjyqësore, Aranit Çela kërkoi dënim me vdekje për Teme Sejkon, Tahir Demin, Avdul Resulin, Hajri Manen, etj. Panajot Plaku, me këto akuza që u dhanë në pretencën e prokurorit, do të mund “të varej prej gjuhe”. Sigurisht, asnjë krim, asnjë spiunazh nuk u faktua, përveç deklaratave të dëshmitarëve të rremë dhe rrëfimeve të nxjerra prej të pandehurve të shqepur në dru.

Në korrik 1966, Panajot Plaku vdes papritur në Beograd, në moshën 47 vjeçare, nga zemra. Sërish “zemra”, në fisin Plaku. Shumë interesante kjo copëz e artikullit të “Zërit të Popullit”, të datës 19 korrik 1966: “Do të vijë me siguri dita, kur edhe gjithë armiqtë e popullit shqiptar, që janë grumbulluar në Jugosllavi, të japin llogari për veprën e tyre tradhtare. Fati i tyre, nuk do të jetë më i mirë nga ai i tradhtarit Panajot Plaku, i cili vdiq (ose u vra nga padronët e tij, si limon i shtrydhur), si spiun, si provokator…”!

Pse do ta vrisnin jugosllavët Plakun, tashmë profesor në universitetin e Beogradit?! Cilin profesionist në “zmadhimet e zemrës”, ngarkoi me këtë detyrë Sigurimi Shqiptar?! Kjo ndoshta pak rëndësi ka sot. Ajo që vlen më tepër, është të theksojmë se çuditërisht, pas kaq dekadash, mbi këto “grupime armiqësore” dhe “tradhtar”, si Panajot Plaku, ende rëndon damka e vjetër për të cilën shumë pak përpjekje janë bërë për ta hequr. Të gjithë shokët e shkollës dhe të luftës të Panajot Plakut, si; Rrahman Parllaku, Skënder Malindi, Myfit Guxholli, pas viteve ‘90-të, kanë folur me respekt për kapacitetin e tij, si më i shkolluari, më cilësori, kurajozi dhe njeri me karakter…!

Sa për sagën e familjes Plaku, e ëma e Panajot Plakut, Kostandina, për fatin e saj, vdiq në vitin 1970, duke mos mbetur gjallë për të parë fundin e “të fundmëve të familjes Plaku”. Dhe ishte radha e shkencëtarit të gjeologjisë, kryeinxhinierit Koço Plaku, i cili kishte mbetur gjallë deri atëherë, vetëm për hir të gjenisë së tij profesionale. E radhisin në “grupin e sabotatorëve të naftës”; kishin filluar spastrimet e 1974-ës.

Ndër krimet e tij më të rënda, seria e plotë e veprave të Dostojevskit, çka mjaftonte për ta pushkatuar. Lipe Nashi, që i shpëtoi pushkatimit, ka treguar më pas se; “Në gjyq, vetëm Koço Plaku, nuk ka treguar falje, ndërsa ne të tjerët po”. Koço e kish të qartë: “Enver Hoxha më ka vrarë vëllezërit. Nuk do të kërkoj falje dhe këtë e di ai, siç di që do të më vrasë edhe mua”.

Hyn edhe një herë në lojë makiavelizmi i Sigurimit të Shtetit me tredhjen shpirtërore të njerëzve: Koço ka shkuar me të shumtët, por vëllai i gruas së tij, mbetet anëtar partie. Nga ana tjetër, i biri i të helmuarit Kalo Plaku, Jorgo, sapo mori diplomën e inxhinierit, caktohet të punojë në veprën gjigante të Fierzës, ku shkëlqen.

Në 9 dhjetor 1980, familja e tij njoftohet për rrëzimin e një mikrobusi në lumin Drin, ku gjeti vdekjen dhe inxhinieri Jorgo Plaku, me diagnozën zyrtare; “Asfiksi nga mbytja”. Familjarët kërkuan hapjen e arkivolit ato dhjetë minuta që i lanë ta qanin viktimën në shtëpi. Dhe panë se pjesa e pasme e kokës së viktimës, ishte e çarë. Me goditje. Nga Alqi Koçiko Memorie.al

Kreu i SPAK: S’bashkëpunojmë dot me policinë për krimin e organizuar! Ka efektivë të përfshirë në nivele te larta

Kreu i SPAK, Altin Dumani deklaron se Prokuroria e Posaçme nuk bashkëpunon dot me Policinë e Shtetit për krimin e organizuar.

Sipas Dumanit, mungesa e bashkëpunimit në këtë fushë vjen për shkak të rezultojnë policë të përfshirë në nivele të larta.

“Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta”, tha Dumani.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion gjatë analizës vjetore në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, tha se vlera e pasurive konfiskuara e sekuestruara të mbërrin një vlerë në total prej 41 mln euro, nga të cilat 54 % të sekuestruara, pjesa tjetër të konfiskuara.

Sipas Dumanit, gjatë vitit të shkuar, janë regjistruar 221 procedime penale për korrupsion. Sipas tij, 67 procedime janë nisur kryesisht nga SPAK, 139% më shumë se viti paraardhës.

Kreu i SPAK theksoi se janë regjistruar 8 procedime penale me 18 të pandehur për zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë ish-ministra, ish-kryeministra, ish-kryebashkiakë, apo ish-sekretarë të përgjithshëm.

Dumani thekson se ka një rritje me 95% të kërkesave për ndihmë juridike nga vendet e huaja. “Gjatë vitit 2023, janë ngritur 10 skuadra të reja të përbashkëta, ndërsa hetimet vijojnë me 25 skuadra të përbashkëta hetimore. Ka një rritje me 95% të kërkesave për ndihmë juridike me jashtë shtetit, kryesisht me Italinë, Franca, vendet nordike si dhe me vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut apo Kosova”, theksoi ai.