23.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Ngritja e komisionit për dezinformimin, Flutura Açka akuza mazhorancës: Mos ky vit do të jetë një vit gjuetie për mediat

Duke komentuar nismën e Partisë Socialiste për ngritjen e një komisioni për dezinformimin, deputetja e Partisë Socialiste, Flutura Açka tha në studion e News 24, se nisma mund të përdoret për të rikthyer ligjin antishpifje.

“Ne kërkuar që të kishim mundësi të komunikonim me aktorët. Këto tre ditë, kam marrë nga disa organizata sinjale që të përfshihen sepse për ta ishte i dyshimtë dhe kanë frikë. Në nëntor 2022, e tërhoqëm pr/ligjin e shpifjes. Nga ana e mazhorancës është thënë edhe ky slogan se tani është në morg dhe tani nga e gjetën për ta kthyer në jetë?! Po ta shikosh në faqen e Parlamentit, pr/ligji është aty dhe kush nuk na siguron se nuk do ta kthejnë prapë në formë tjetër. Ky komision mund të na rekomandojë se për shkak të kësaj do të duhet të rikthehet ligji në emër të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. A do t’i kërcënojmë mediat vitin e ardhshëm? Ky është shqetësimi im. Mos ky vit do të jetë një vit gjuetie për mediat që ajo të mos sjellë vullnetin dhe fjalën e shqiptarëve të lirë”, tha midis të tjerash deputetja Açka.

Pa strehë dhe mbështetje: Shqipëria dështon të mbrojë viktimat e dhunës në familje

Anila Hoxha

 

Në fillim të shkurtit, Lindita* vjen vërdallë në dyert e Gjykatës Penale të Tiranës në kërkim të avokates për të nxjerrë të shoqin nga burgu, thuajse dy javë pasi e kishte denoncuar atë për dhunë në familje.

Gruaja është 35 vjeç, nënë e dy vajzave dhe në fytyrë mbart ende gjurmë të zbehura mavijosjeje. Megjithatë, ajo është e shqetësuar pse i shoqi vazhdon të mbahet në qeli edhe pas tërheqjes së saj nga urdhri i mbrojtjes.

“Im shoq punon dhe pavarësisht se më rreh, e ka këtë problem kur pi, nuk do më vuajnë fëmijët urie,” thotë ajo me dëshpërim.

Lindita e denoncoi të shoqin më 14 janar, mbrëmjen e ditëlindjes së saj, pasi u godit me grushta vetëm pse e pyeti se ‘ku kishte qenë’. Ky ishte vetëm një nga shumë episodet e dhunës – gruaja thotë se ishte rrahur që në fillimet e martesës së saj 14-vjeçare.

Por 35-vjeçarja i tha BIRN se pati mendime të përziera menjëherë pas denoncimit dhe u përball me frikën se mos fëmijët do t’i mbeteshin mes katër rrugëve. Në kushtet kur paga e saj me zor mjafton për të paguar qiranë e banesës në Tiranë, gruaja u vu në lëvizje për kthimin e dhunuesit në shtëpi.

Rreth e qark Shqipërisë ka me mijëra gra të tjera që kanë përjetuar dhe vazhdojnë të përjetojnë dhunë nga partnerët e tyre, por hezitojnë të denoncojnë ose rikthehen me dhunuesit për shkak të kushteve të vështira sociale dhe ekonomike.

Mbështetja nga shteti për viktimat e dhunës në familje është gjithashtu e papërfillshme.

Edhe pse legjislacioni shqiptar parashikon mekanizma mbrojtës dhe programe mbështetjeje për strehimin dhe punësimin e viktimave të dhunës në familje, vetëm 1/5 e tyre trajtohen me ndihmë ekonomike, ndërsa masat për riintegrimin afatgjatë të tyre në shoqëri janë pothuajse inekzistente.

Të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi nga 47 prej 61 bashkive të vendit tregojnë se vetëm 12 bashki kanë akses në strehëzat emergjente, ndërsa pjesa tjetër përballet me vështirësi për sistemimin e tyre pas episodeve të dhunës.

Ndërkohë, nga rreth 7 mijë raste të trajtuara në pesë vitet e fundit, vetëm 3.4% e grave të dhunuara përfituan bonus qiraje.

Dështimi i institucioneve shtetërore për të siguruar mbështetje për viktimat e dhunës në familje është sipas ekspertëve të ligjit, arsyeja kryesore që po mban gjallë kulturën e dhunës në shoqëri.

“Viktimat kthehen te dhunuesi vetëm e vetëm për faktin se nuk shikojnë rrugëdalje, nuk shikojnë mbështetje nga organizmat, qoftë nga organet shtetërore apo nga organizatat jo-fitimprurëse që e kanë për detyrë të realizojnë një gjë të tillë,” thotë Vjosa Zaimi, gjyqtare e seksionit familjar në Gjykatën e Tiranës.

Pa mbështetje

Dhuna brenda familjes prek në masën dërrmuese gratë dhe vajzat në Shqipëri dhe konsiderohet një shkelje e rëndë e së drejtës themelore për jetë, shëndet dhe siguri personale. Ky fenomen është gjithashtu një tregues i pabarazisë dhe cenon të drejtën e grave për pjesmarrje në shoqëri.

Policia e Shtetit regjistron çdo vit rreth 5 mijë raste të dhunës në familje në të gjithë vendin, ku rreth 75% e rasteve janë gra, bën me dije një raport auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Gjatë 15 viteve të fundit llogaritet se 33 828 persona u pajisën me urdhër mbrojtjeje për shkak të dhunës në familje të ushtruar nga njëri prej anëtarëve – shifër që tregon se minimalisht 5 për qind e familjeve shqiptare janë të prekura nga dhuna.

“Pjesën dërrmuese të këtyre urdhrave e morën gratë, fëmijët dhe vajzat. Më pas konstatohen edhe prindërit e moshuar, të cilët kërkuan një urdhër mbrojtjeje nga njëri prej fëmijëve,” thotë Gent Mullai, zëdhënës i Policisë së Shtetit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila është autoriteti kryesor përgjegjës për zbatimin e ligjit për masat e dhunës në marrëdhëniet familjare, i tha BIRN se qeveria kishte rritur dhe përmirësuar shërbimet në dobi të viktimave të dhunës.

‘Menjëherë pas konstatimit të dhunës, bashkitë ofrojnë shërbime emergjente dhe afatgjata që lidhen me mbrojtjen, rikuperimin nga dhuna, fuqizimin dhe riintegrimin e viktimave të formave të ndryshme të dhunës në shoqëri,” tha Ministria, duke iu referuar funksionimit të Mekanizmit të Referimit të Dhunës pranë pushtetit vendor.

Por ndryshe nga ç’pretendon qeveria, një audit performance i vitit 2023 i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se kapacitetet kombëtare shtetërore për strehimin e grave – viktima të dhunës në familje janë shumë të limituara.

Sipas raportit, shteti ka vendosur në dispozicion në viktimave të dhunës vetëm 30 shtretër në nivel kombëtar për strehimin emergjent dhe 32 shtretër të tjerë për akomodim afatgjatë nga mijëra gra që denoncojnë dhunën çdo vit.

Rekordet për programet e tjera të strehimit pranë bashkive janë edhe më të ulëta – KLSH vlerëson se gratë e dhunuara përfitojnë bonus të qirasë në raste jashtëzakonisht të rralla.

Problemet e shumta në trajtimin e viktimave të dhunës i pranojnë edhe bashkitë, të cilat u justifikuan me buxhetet e vogla, kapacitetet e limituara dhe mungesën e strehëzave apo të shtëpive me qira në favor të kësaj kategorie.

Mentaliteti është një tjetër faktor pengues në riintegrimin e viktimave të dhunës, i cili sipas disa prej bashkive ndikon që grave të dhunuara dhe në konflikt me bashkëshortët të mos u jepet shtëpi me qira apo punë.

Bashkia e Tiranës, më e madhja e vendit, i tha BIRN se kishte trajtuar 3388 viktima të dhunës në familje gjatë viteve 2020-2023; por vetëm 25 prej tyre kishin përfituar bonus qiraje dhe 5 të tjerë nga programi i subvencionimit të kredisë.

Në bashkinë e Durrësit, mbështetja afatgjatë për viktimat e dhunës në familje është në shifra më të ulëta; nga 518 familje të trajtuara me bonus strehimi vetëm 9 janë kryefamiljare të divorcuara dhe me urdhër mbrojtjeje në të njëjtën periudhë.

Bashkia e Kurbinit thotë se problematika më e madhe është strehimi i viktimave të dhunës, pasi edhe nëse sigurohen fondet, qiradhënësit nuk preferojnë që t’u japin shtëpinë me qira.

“Gratë e dhunuara pas denoncimit të parë në komisariat tërhiqen dhe rikthehen në situatën e dhunës për shkak të mentalitetit,“ thotë bashkia në një përgjigje me shkrim.

Bashkitë e Memaliajt në jug dhe Malësisë së Madhe në veri kanë të dyja mungesë fondesh për këtë kategori sociale, por thonë se i kanë trajtuar viktimat e dhunës në familje falë ndihmës së PNUD.

Bashkia e Skraparit ka pasur gjithashtu zero lekë të parashikuara për viktimat e dhunës në familje gjatë katër viteve të fundit, ndonëse ishin referuar 21 persona me urdhër mbrojtjeje.

Edhe Bashkia e Dibrës në verilindje të vendit i ka duart e lidhura për të mundësuar strehimin dhe punësimin e grave – viktima të dhunës në familje.

“Pavarësisht dëshirës, bashkia nuk ka kapacitete të mjaftueshme për strehimin e tyre. Ndërsa për çështjen e punësimit, pronarët e biznesve nuk duan të krijojnë problematika dhe kjo vjen si pasojë e mentalitetit,” tha bashkia e Dibrës në një përgjigje me shkrim.

‘Të qëndrosh te burri’

Instalacioni “Këpucët e Kuqe” kundër dhunës ndaj grave. Foto: BIRN.

Gjyqtarja Vjosa Zaimi e Gjykatës së Tiranës ka trajtuar mjaft raste të dhunës në familje gjatë punës së saj dhe thotë se kishte hasur raste kur gratë e dhunuara shkojnë deri në derën e gjykatës, por nuk futen në sallë, për shkak se ndjehen të kërcënuara nga familjarët e bashkëshortit. Sipas saj, numri i grave që tërhiqen nga paditë nuk është i vogël, edhe pse vazhdojnë të pranojnë se janë dhunuar.

“Thonë kemi arsye social-ekonomike. Ndonjëherë [tërhiqen] nga ndërhyrjet e familjarëve të bashkëshortit për të mos përhapur konfliktin, ose nga ndikimi i familjes së origjinës, që i bëjnë presion dhe i thonë ‘duhet të qëndrosh te burri,” shpjegon Zaimi.

Zaimi thotë se tregohet e kujdesshme për të mos i mbyllur padi të tilla, pasi kostot që paguajnë viktimat e dhunës në familje pasi heqin dorë nga urdhri i mbrojtjes janë të larta.

“Ngërçi që pason nga heqja dorë prej urdhrit të mbrojtjes është mosofrimi i mbështetjes ekonomike dhe mosdalja nga dhuna,” theksoi Zaimi.

“Unë e shikoj në praktikë tonë… se mund ta kem gjykuar një person qoftë dy, tre, katër herë dhe në raste të tilla ndodh që edhe herën e dytë të kërkojë të tërhiqet,” shtoi ajo.

Gjatë vitit 2023, Shërbimi Përmbarimor në Shqipëri mori për ekzekutim 1039 urdhra mbrojtjeje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje, por 194 çështje ose 18% e rasteve u pushuan për shkak të tërheqjes së viktimave. Për urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes, niveli i çështjeve të pushuara shkon mbi 26% të rasteve.

Hezitimin e grave për të denoncuar apo për t’u qëndruar deri në fund denoncimeve të tyre e konstatojnë edhe koordinatorët e bashkive.

Arjola Gjuta, koordinatore e dhunës në familje në bashkinë e Kamzës në periferi të Tiranës thotë se çdo javë merr mesatarisht 3-4 telefonata nga policia për të asistuar në rastet e dhunës, por një pjesë e konsiderueshme zgjedhin që të pajtohen me dhunuesin pas momentit të parë të konfliktit.

“Vështirësia më e madhe është momenti që viktima nuk do të marrë asnjë lloj shërbimi, refuzon shërbimin,” tha Gjuta. “Mbasi është pajtuar me dhunuesin ose ka edhe presion nga ana e familjarëve të saj ose të dhunuesit,” shtoi ajo.

Tërheqja e viktimave nga denoncimi është vetëm një nga problemet e Bashkisë së Kamzës. Sipas Gjutës, edhe gratë që i qëndrojnë padive përballen me vështirësi për strehimin, pasi dalin nga strehëzat e emergjencës.

“Kjo nuk ndodh për shkak të mungesës së shërbimeve nga bashkia apo OJF me mbështetje të bonusit të qirase, por për shkak se zona nuk ka banesa qe jepen me qera në mënyrë të rregullt kundrejt një kontrate qiraje,” shtoi ajo.

Megjithatë, ka edhe gra që nuk tërhiqen dhe sakrifikojnë shumë për të gjetur drejtësi.

Dy vjet më parë, Bora* – nënë e një fëmije – denoncoi bashkëshortin për dhunë në polici, por kur u përball me gjykatën për urdhrin e mbrojtjes, thotë se gjyqtari e paragjykoi dhe i kërkoi vazhdimisht prova për dhunën.

“Gjyqtarit iu deshën më pak se 2 minuta konsultim për të më rrëzuar kërkesën për urdhër mbrojtjeje me argumentin se unë po keqpërdorja ligjin për të ndarë çështjen e pronës,” thotë ajo duke e mohuar këtë pretendim.

Pas rrëzimit të kërkesës së parë, gruaja vazhdoi të përballej me presionin e partnerit dhe e denoncoi sërish atë për dhunë. Pas peripecive 2-vjeçare me drejtësinë, Bora thotë se i shoqi do të përballet më në fund me gjykatën për akuzat e ngritura.

Të zhveshura nga prona  

Përveç dhunës nga partneri, gratë në Shqipëri përballen edhe me forma të tjera të presionit në familjet e tyre të origjinës, veçanërisht për çështje që lidhen me pronësinë. Mijëra prej tyre vazhdojnë t’i nënshtrohen një tradite partriarkale, që i përjashton ato nga trashëgimia e pasurisë.

Sipas Dhomës Kombëtare të Noterisë, 5853 gra hoqën dorë nga e drejta e pronësisë gjatë viteve 2020-2023 në Shqipëri dhe vendosën t’ua lënë pjesën e tyre takuese vëllezërve apo prindërve. Mes tyre, 795 gra ishin të divorcuara.

Edlira* është një nënë 46-vjeçare e divorcuar, e cila ndodhet prej një dekade nën presionin e vëllezërve për të hequr dorë nga pjesa takuese e shtëpisë së prindërve të saj të ndjerë në Tiranë.

Gruaja ka pasur një martesë të shkurtër të vështirë dhe punon në fasoneri për të rritur dy vajzat e saj. Ajo tregon se u kthye në shtëpinë e prindërve në vitin 2009, pas konflikteve të vazhdueshme me të shoqin që i zhyti në borxhe për shkak të varësisë së tij nga bixhozi.

“Babai kur u ktheva që mos të kisha konflikt me vëllezërit më ndërtoi një dhomë e një si banjë të veçuar. Por isha e qetë vetëm pak kohë, vëllai i vogël një e dy sulej e nxehej me mua, më godiste. Filloi më thoshte se duhej të kisha qëndruar tek burri,” shtoi ajo.

Me babanë gjallë, Edlira thotë se e përballoi presionin e vëllezërve, por pas vdekjes së tij gjendja u bë e padurueshme.

“Ku të veja, as shtëpi, me dy vajza të vogla me një burrë që nuk u përgjigj për fëmijët asnjëherë. Rroga ime nëpër fasoneri sa për të ngrënë bukë e sa për të rritur ato fëmijë, po çfarë të bëja,” shton ajo.

Privimi nga e drejta e pronësisë në familjen e origjinës konsiderohet një nga faktorët që i mban gratë në pozita diskriminuese dhe më të dobëta sesa burrat.

Sipas noteres Elona Saliaj, gratë përballen gjithashtu me dhunë psikologjike për të hequr dorë nga kjo e drejtë.

“Nëse ndodh e kundërta dhe vajzat kërkojnë çfarë u përket, gratë ndeshen në një bllokim, mohim, presion duke ju thënë ‘je e vetmja që po vepron kështu në fis’ apo ‘pas kësaj askush nuk do të flasë me gojë,” thotë Saliaj.

“Në këto raste, edhe nënat gjenden në një lloj presioni, pasi u kërkohet të mos komunikojnë me vajzën, mbajnë qëndrimin e meshkujve,” shtoi ajo.

Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterisë, Mimoza Sadushi i tha BIRN se pavarësisht se mohimi i pasurisë për vajzat vazhdon të mbetet një problem, situata po ndryshon me kalimin e kohës. Kjo për shkak të përmirësimit të Kodit të Familjes, por edhe të trajnimeve të vazhdueshme të noterëve për çështje të aspektit gjinor.

“Ende kemi raste të heqjes dorë nga trashëgimia, që e bëjnë vajzat në favor të vëllezërve për pasuritë e prindërve,” tha Sadushi, ndërsa shtoi: “megjithatë nuk paraqitet e njëjta situatë pronësore në Tiranë”./ reporter.al

*Emrat e grave të intervistuara janë ndryshuar për të ruajtur anonimatin.

Ekonomia ngadalësohet në 2023, u rrit me 3.44%, konsumi në nivelet më të ulëta që nga pandemia, nuk ndihmohet nga turizmi

Ekonomia shqiptare është rritur me ritme të ngadalta në 2023, pavarësisht përshpejtimit në gjysmën e dytë të vitit.

Me vlerësimin e tremujorit të katërt, INSTAT jep një vlerësim paraprak të PBB-së për vitin 2023, i cili mbështetur në vlerësimet tremujore, shënoi një rritje prej 3,44% krahasuar me vitin 2022.

Në krahasim me vitin 2022, kur PBB-ja u rrit me 4.85%, rritja është 1.42 pikë përqindje më e ulët.

Ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe administrata publike kanë qenë kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes në 2023, ndërsa industria dhe bujqësia shënuan tendencë negative. Ndërkohë, konsumi nuk u nxit nga viti më i mirë turistik historik, ku vendin e vizituan mbi 10 milionë shtetas të huaj.

Konsumi i popullatës u rrit me vetëm 2.96% në 2023, nga 7.37% vitin e mëparshëm, duke shënuar nivelet më të ulëta që nga koha e pandemisë. Madje në gjysmën e dytë të vitit, kur kulmon turizmi, konsumi u rrit me ritme shumë të ngadalta (2.21% në tremujorin e tretë dhe 1.55% në të katërtin).

 

Ekonomia përshpejtohet në tremujorin e katërt, nga ndërtimi dhe administrata publike, por konsumi në nivelin më të ulët nga pandemia

Ekonomia ka shfaqur shenja përshpejtimi në tremujorin e katërt të vitit duke u rritur me 3.8% me bazë vjetore, sipas të dhënave të INSTAT. Por, rritja ka ardhur nga sektori i ndërtimit dhe administrata publike, që në muajin e fundit të vitit alokoi rreth 40% të fondeve të shpenzimeve kapitale që kishte planifikuar për gjithë vitin.

Në kahun tjetër, konsumi, një element i rëndësishëm i ndikimit në ekonomi është ngadalësuar ndjeshëm në tremujorin e katërt, duke reflektuar efektet e emigracionit, si dhe shpërndarjen e pabarabartë të rritjes ekonomike. Konsumi u rrit me vetëm 1.55% në tremujorin e katërt, nga 2.22% në të tretin, duke qenë në nivelet më të ulëta që nga koha e pandemisë.

Ndërkohë, INSTAT ka rishikuar në rritje edhe  treguesin e rritjes ekonomike për tremujorin e tretë, nga 3.46 që ishte në publikimin e mëparshëm, në 3.83% në raportin e fundit. ndërsa tremujori i dytë është rishikuar në ulje, në 3.29, nga 3.38 në publikimin e mëparshëm.

Sipas INSTAT, në rritjen e tremujorit të katërt kanë ndikuar ndërtimi dhe administrata publike.

Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Ndërtimi me +1,28 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +1,01 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0.66 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,58 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me +0,46 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,28 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,15 pikë përqindje, Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +0,07 pikë përqindje.

Dy sektorët më të rëndësishëm për ekonominë, bujqësia dhe industria ishin me rënie.

Sipas INSTAT, Negativisht kontribuoi grupi: Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me -0,72 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me -0,23 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuuan pozitivisht me +0,27 pikë përqindje.

Sipas INSTAT, Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit shënoi rënie prej 3,07%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 2,03%. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 10,80%.

Pavarësisht se sezoni turistik është zgjatur, ndikimi i tij në tregti, transport e akomodim ka qenë minimal. INSTAT raportoi se grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 0,38%.

Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 8,81%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 7,50%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 10,33%. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me rritje prej 10,78%.

Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 8,82%. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati rritje me 21,42%.

 

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT


Revista Monitor

Amnistia, Agalliu: Kushti i PD-së ishte që të amnistoheshin të gjithë protestuesit, qeveria futi në draft edhe individë që hetohen nga SPAK

Deputeti i PD-së, Arbi Agalliu në një intervistë në Ora News u shpreh se lidhur me amnistinë penale, PD ka bërë kërkesë që ishte edhe kusht i domosdoshëm që të amnistoheshin të gjithë prostestuesit të cilido partie.

Agalliu: Nuk mund të na ndajë ose të na bashkojë me mazhorancën asnjë lloj pazari.

Ne na ndan në mënyrë thelbësore, perceptimi për qeverisjen e vendit.

Kemi një mazhorancë të korruptuar kokë e këmbë.

Një mazhorancë që në të gjitha nivelet e saj, nga nivelet më të lartat ministra, deputetët, kryetarët e bashkive, drejtorët sot janë në radhë për të shkuar dhe po shkojnë në SPAK ku dhe një pjesë e mirë po dënohen.

Nga ana tjetër kemi një grupim i cili fatkeqësisht, ende nuk e ka bërë të qartë e mbështet apo jo SPAK-un, e mbështet apo jo atë që ne e quajmë drejtësinë e re.

Jemi apo jo në koherencë më aleatët tanë strategjikë.

Në këtë kontekst lidhur me amnistinë penale, PD ka mbajtur një qëndrim dhe vetëm një.

Kemi kërkuar të vijë drafti i parë që qeveria propozoi, një draft i konsultuar me aktorët e interesit, me grupet e interesit dhe kemi bërë një kërkesë që ishte kusht i domosdoshëm për ne që të amnistoheshin të gjitha ata protestues të kujdo partie qofshin, shoqëri civile apo parti politike dhe të amnistojë.

Qeveria futi në këtë draft elementin e amnistisë për ata individë të cilët janë nën hetim nga SPAK apo janë dënuar nga GJKKO.

Kjo për ne është e pafalshme dhe e papranueshme.

PD, Açka për komisionin e Dezinformimit: Dyshime së bëhet për të kontrolluar mediat

U mbajt sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ku u diskutua në lidhje me krijimin e një komisioni të posaçëm për Dezinformimin.
Kërkesë kjo e ardhur nga PS dhe e miratuar me votat e mazhorancës.

Mbi këtë çështje ka reaguar edhe deputetja Flutura Açka, e cila u shpreh se krijimi i këtij komisioni është i parakohshëm dhe se nuk është argumentuar mjaftueshëm që të jetë bindës për të kaluar në Konferencën e Kryetarëve.

Açka shtoi se si kryetare e Komisionit të Medias, ka dyshime se ky hap po hidhet në përpjekje për të kontrolluar më shumë mediat dhe AMA-n.

PRONONCIMI PËR MEDIAN I NËNKRYETARES SË PD, KRYETARE E KOMISIONIT PARLAMENTAR TË EDUKIMIT DHE MJETEVE TË INFORMIMIT, FLUTURA AÇKA, PAS MBLEDHJES SË KONFERENCËS SË KRYETARËVE

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve u vendos sigurisht siç ishte dhe me nxitim. Jo pa arsye ishte i nxituar vendimi për kalimin e Komisionit të Posaçëm për dezinformimin. Në fakt unë ngrita parashtresat e mia që janë disa arsye se pse është i nxituar, jo se jam kundër këtij komisioni. Por më duket e shumë e parakohëshme dhe nuk është argumentuar mjaftueshëm që të jetë bindës për të kaluar në Konferencën e Kryetarëve. Kështu si kryetare e Komisionit të Medias, por edhe si deputete kam hijet e mia të dyshimit që do të jetë një arsye për të kontrolluar ndoshta më shumë median në Shqipëri, por edhe për të lënë pas dore punën e disa institucioneve të tjera të rëndësishme që i mbulojnë këto fusha. Por edhe për të kontrolluar ndoshta AMA-n, e cila e ka bërë në mënyrë të vazhdueshme këtë vetërregullim. Por edhe me ndryshimet e fundit që kemi bërë, që kemi sjell në nëntorin e vitit të kaluar, ne kemi sjell ndryshimet në ligjin e AMA-s që i rregullojnë këto çështje, të cilat ky komision do të mblidhet.

Një gjë tjetër që u kërkua me insistim ishte nëse do të ishte e mundur të kishte një bashkëkryetar të këtij komisioni në mënyrë që opozita të ketë mundësi që të ketë kontroll mbi veprimtarinë e këtij komisioni. Po them nga kërkesat e para që kam pasur nga aktorë të caktuar mediatik, është ngritur dyshimi që objekti i këtij komisioni do të jetë, ndoshta do të keqpërdoret dhe do të përdoret ndoshta për të kontrolluar. Meqenëse jemi në një vit zgjedhor, duam nuk duam ne dhe kohëgjatësia e këtij komisioni që është fiks një vit i plotë deri në zgjedhjet e ardhshme mund të na çojë ndoshta për shkak të objektit që ka nga një lloj mbikqyrje deri te ndryshimi i kuadrit ligjor, ndoshta mund të përdoret në një moment të caktuar për të ndryshuar edhe Kushtetutën në funksion të grabitjes së zgjedhjeve. E them me keqardhje këtë gjë. Sepse përderisa një komision i tillë ka në dorë, ne kemi një përvojë të hidhur nga ndryshimet Kushtetuese të vitit 2020, kush na garanton që nuk do të ketë një ndryshim tjetër Kushtetues në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.

“Hetuesi im fisnik më shpëtoi nga dënimi i rëndë në vitin 1980 dhe…”/ Dëshmia e rrallë e nipit të ish-kryeministrit për gjykatësin e diktaturës që u bë deputet pas ’91-it!

Plot dy vjet mё parё, një lajmërim vdekjeje në një derë pallati, në një rrugë të Tiranës së Re, më shkaktoi një drithërimë në zemër e më ringjalli kujtimin e një periudhe të veçantё të jetës sime. Emri dhe fotografia e lajmërimit mortor të Bashkim Cakës, më solli parasysh një ndodhi, tashmë të largët në kohë, 36 vjet të shkuara. Në një qendër të vogël bujqësore e blegtorale, rreth dy km. larg qytetit të Lushnjës, punonja si ndërtues në një objekt, që ngrihej çdo ditë. Ishte mëngjez dhe po fillonim punën e përditëshme. Papritmas dy makina “Gaz”- 51, të mbushura me oficerë dhe policë, i a behën mes nesh.

Shefi mustakoç i Sigurimit të rrethit i u printe dhe m’u drejtua me këto fjalë: “Ti je i nipi i Mustafa Krujës”?! Përgjigjes sime pohuese, ai i shtoi shprehjen, mjerisht tepër të njohur: “Në emër të popullit, je i arrestuar”! Mbas dy orësh isha në një qeli, së bashku me një njeri tjetër.

Ishte një praktikë e njohur dhe kjo, që shërbente për të nxjerrë ndonjë gjë nga i sapo arrestuari. Mbas disa orësh erdhi polici i shërbimit, më lidhi duart e më shoqëroi lart, në zyrën e hetuesit, që do të merrej me proçesin tim.

Ishte një djalë i ri në moshën 27 vjeçare. Nuk e kisha njohur më parë, e kisha parë atë mëngjes në grupin e njerëzve që kishin ardhur të më arrestonin. Takimi i parë me të qe befasues për mua. “Ti nuk më njeh, por un të njoh shumë mirë ty. Quhem Bashkim Caka, dëshira ime është të shkojmë mirë, pavarësisht roleve që kemi”!

Kjo qe njohja e drejtpërdrejtë dhe ato fjalë të pakta, shkaktuan një pështjellim mendimesh në trurin tim. Me ecjen e ngadalshme të proçesit, u binda se fjalët e takimit të parë, apo të njohjes vetjake, ishin të sinqerta.

Djaloshi hetues, nuk ngulmonte të nxirrte të dhëna të tjera, veç atyre që kolegët e tij të Sigurimit, i kishin sjellë, nëpërmjet një proçes – verbali të gjatë padije, të hartuar prej vetëm një njeriu. Bashkimi, vullnetarisht, e kufizonte punën e tij, në atë të një “noteri”, i cili duhej t’a kthente atë dokument padije në një tjetër ballafaqimi, me të cilin duhej të mbrohesha un vetë, nga akuzat e një paditësi të vetëm, për më tepër të një shoku tim.

Në Shqipërinë komuniste ishte zhdukur institucioni i avokatisë, nga i cili përfitojnë edhe kriminelët më të rrezikshëm në gjithë botën. Ai quhej i “kotë” dhe i “panevojshëm”, mbasi hetuesitë dhe gjykatat ishin “mbrojtësit” më të mirë të qytetarëve shqiptarë !!!

Hetuesia nuk ishte një bisedë vetëm dy palëshe, ndërmjet meje dhe atij djali. Në të ndërhynin edhe të tjerë personazhe t’asaj bote mizore, në të cilën zotëronte filozofia e dhunës, e shpalosur në format e veta, më të ndryshme.

Kështu, gjatë atyre tre muaj e gjysmë qëndrimi në qelitë e Degës së Punëve të Brendshme të Lushnjës, m’u desh të ballafaqohesha me mizorinë proverbiale të Kapllan Shehut, kryetar i saj, me dinakërinë e hetuesit të ministrisë, me trashësinë deri në naivitet të prokurorit për çështjet hetimore, me vendosmërinë e dëshmitarit paditës, për të vërtetuar akuzat. Bashkimi ishte gjithnjë i pranishëm, por fizionomia e tij ndryshonte si mbas çastit dhe njerëzve që vinin aty, për t’u ballafaquar me mua.

Thelbi i mesazhit që më përcolli n’ata muaj dramatikë për mua, që kisha lënë një familje me shumë probleme e, me një fëmijë një vjeçare të sëmurë, nëpërmjet bisedave kokë më kokë, ishte ai i ndërgjegjësimit të sinqertë të gjendjes sime të vërtetë juridike.

Me pak fjalë, herë mbas here, ai më pohoi se faji i vërtetë i imi, nuk qëndronte n’atë për të cilin paditesha, por në mbiemrin që mbaja. Nuk ishte diçka e re, madje përkonte me të vërtetën zyrtare, që “fajin” e njëshit, e inkuadronte në “gjynahet” e katër brezave të shkuar.

N’ato rrethana e n’ata çaste, shërbente për të larguar nga vetja kompleksin e “fajit”, pasojat e të cilit rëndonin mbi familjen e, si të tilla e shumëfishonin dhimbjen, por bënin të strehohesha në fatalitetin e pashmangshëm, që më jepte qetësinë e nevojshme për të shtyrë një nga një, ditët e netët e qelisë. E pohuar nga pёrfaqёsuesi zyrtar i ligjit, me tё cilin ballafaqohesha, ajo brengё e shpirtit tё vrarё, lehtёsohej me tё tepёr.

“Po të ishte një tjetër” – më thonte – “do të ishin mjaftuar me një demaskim publik, shumë shumë me ndonjë shpullë, e do t’a kishin çuar në shtëpi”! Aftësia e tij psikologjike, për të hyrë në thellësi të problemeve që mundonin trurin dhe ndërgjegjen e bashkëbiseduesit, i kalonte kufijtë e së zakonshmes.

Kur prokurori vinte të bisedonte me mua e, të bënte propagandën e tij të dalë boje, për të paditur ndonjë shok apo njeri tjetër, Bashkimi buzëqeshte dhe mbasi largohej ai, shtonte: “Mos i ven re se ç’thotë ai, se i them un që na ka dhënë diçka. Ti vazhdo punën tënde”.

Çdo bisedë me të n’ata muaj, më çonte në fjalët e para të njohjes. Ai e dinte mirë se çfarë ankthi e sfilitje shpirtërore, kisha kaluar në dy vitet e fundit para arrestimit, për të mos kryer atë që më kërkonte prokurori me fjalë të buta, por që të tjerët e mëtonin me trysninë më të papërfytyrueshme.

Thellë në vete, ai respektonte atë që kisha mundur të shpëtoja nga ajo luftë për dinjitetin, ndërgjegjen time, ndershmërinë. Duhej t’ishte vetë i ndershëm, të çmonte tek tjetri, për më shumë tek “armiku”, atë cilësi.

Ishte kjo nyja e padukshme që na lidhte, që nuk e dinte askush e që buronte nga vlerat morale të forta me të cilat ishte mbrujtur. Në bisedën e ngushëllimit me bashkëshorten, mësova një fakt shumë interesant. Ai ishte njohur e dashuruar me Naunkën, mbasi kishte qenë i pranishëm në dëshminë e saj, në mbrojtje të katër njerëzve, të cilët partia e fshatit, donte t’i bënte fajtorë pa faj.

Ajo kishte pohuar të vërtetën mbi pafajësinë e tyre e, si “shpërblim” nga partia, kishte marrë punën e krahut në fushë, edhe se ishte një agronome e lartë. Me këtë agronome të “deklasuar”, Bashkim Caka ishte dashuruar e kishte lidhur jetën. Ky fakt, i mësuar dy vjet më parë, më forcoi bindjen e krijuar 36 vjet të shkuara, mbi brumin me të cilin ishte formuar ai njeri.

“Do të mundohem të mos marrësh më shumë se shtatë vjet si dënim” më tha një ditë, kur hetuesia po mbyllej. Prokurori nuk ishte i atij mendimi, kërkoi edhe një vit më shumë e gjykatësi e miratoi atë kërkesë, që qe shpëtimtare, mbasi amnistia e 15 nëntorit 1982, më ktheu në familjen time, si i internuar në Grabian.

Për të plotësuar mirësinë e tij, Bashkimi më organizoi një takim me familjen, dhe ai shumë i dobishëm, mbasi veç të tjerëve, pashë për herën e fundit gjyshen time të shtrenjtë, që më mbante dorën mes duarve të saj…!

Gjithë kjo histori, e ngulitur thellë në trurin tim, u ringjall kur pashë atë lajmërim. I përjetova me dhimbje ata çaste, sepse figura e tij në përfytyresën time, me kalimin e kohës, rritej e plotësohej. E kam takuar në vitin 1995, në ndërtesën e Kuvendit, në veshjen e deputetit të Partisë Socialiste. Kishin kaluar 15 vjet, nga ndarja e jonë.

Jetët tona nuk ishin puqur më, por ajo nyja e padukshme, e krijuar në mjedisin e zymtë të qelisë dhe zyrës së tij, vazhdonte të jetonte. “Nuk kandidohem më” – më tha – “nuk është për mua kjo jetë”! E mbajti fjalën, sepse ishte njeri i fjalës. U kthye në profesionin e tij të gjykatësit e të mësuesit, duke arritur maja, si anëtar i Gjykatës së Lartë e si pedagog i Shkollës së Lartë të Magjistraturës, deri në frymën e fundit.

Një mikja ime, nëpunëse në Këshillin e Evropës në Strasburg, më thonte për të, se ishte ndër të paktit përfaqësues të respektuar të Shqipërisë atje, kur e sillte puna që të shkonte. Nëpërmjet një miku të përbashkët, më kërkoi që të takoheshim. Në gushtin e shkuar, kur isha në Shqipëri, nuk qe e mundur, mbasi ishte jashtë Tiranës me pushime. Shpresoja t’a shihja në atë muaj të prillit po, fatkeqësisht, gjeta lajmin e hidhur se ai ishte ndarë nga kjo botë.

Duke e kujtuar gjithmonë me mirënjohje e dashamirësi, për sjelljen e qëndrimin kundrejt meje, shpresoj e uroj që ai qëndrim të ketë qenë një konstante e vazhdueshme e jetës së tij, duke vërtetuar një fakt të rëndësishëm, se njeriu i shëndoshë moralisht, i pajisur me cilësi të çmuara njerëzore, edhe në kushtet më përshkallëzuese të së keqes, mund të japë ndihmesën e tij, për të kufizuar forcën e saj të verbër.

Mendoj se dukuri të tilla duhen mbajtur parasysh në shqyrtimin e bëmave të një epoke të gjatë e tepër të dhimbshme, për kombin tonë. Vlerësimi i shfaqjeve të së mirës njerëzore edhe në kuadrin e zi të së keqes zotëruese, do të ishte dëshmi e evolucionit tonë shpirtëror e mendor, e afrimit me respektin ndaj së vërtetës dhe arsyes së mirëfilltë.

“Vlerësimi vlen më shumë se sa nami, konsiderata më shumë se fama, nderi më shumë se lavdia”. Ky gjykim i një shkrimtari të shquar francez. të më shumë se dy shekujve të shkuar, Sebastien Chamfort, besoj se do t’i shkonte për shtat gjykatësit të ndershëm, Bashkim Caka, atij që unë njoha në një ditë të zezë prilli të vitit 1980, por që mbeti në kujtesën time, si një krijesë njerëzore, që lehtësoi ditët e netët e  periudhës më të vështirë të jetës sime.

Kaluan dy vjet nga 28 marsi i vitit 2016, kur ish hetuesi im fisnik, u largua papritmas nga kjo botё, duke lёnё nё dhimbjen mё tё thellё familjen, por edhe miqtё e shokёt.

E bashkёndava me ta nё heshtje atё dhimbje, mes kujtimeve tё njё tё shkuare cfilitёse, tё mbushur me tragjedi e drama tё pafundme. Qё nga ajo ditё, çdo datё 28, ndez njё qiri e them njё lutje pёr shpirtin e tij. I lutem Zotit tё Plotfuqishёm, t’i japё atij shpirti paqen e pёrjetёshme e dritёn e pasosur.

Ka diçka tё pazakontё n’ato lutje, por janё e vetmja mёnyrё pёr tё nderuar kujtimin e një njeriu qё, nё njё kohё tё ashpёr terrori, nё njё mjedis tё zakonshёm tё dhunёs, në pozitёn e njё ushtruesi tё saj, u bё pёr mua njё mik i vёrtetё, duke kryer detyrёn e tij nё njё mёnyrё tё pazakontё, pёr epokёn e zezё nё tё cilёn patёm fatin tё jetonim.

Nga Eugjen Merlika Memorie.al

Këshilltarja e PD në Bashkinë e Tiranës, Papa: Arrestimet dhe Hetimet e SPAK, konfirmuan korrupsionin galopant që kisha paralajmëruar

Këshilltarja e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës Enriketa Papa me anë të një reagimi në rrjetet sociale është shprehur se arrestimet dhe hetimet e SPAK kanë konfirmuar korrupsionin galopant që ajo kishte paralajmëruar në nëntor të vitit të kaluar.

Ajo uron që shpejt t’i vijë radha të gjithëve që të dalin para drejtësisë , për përfshirje në megaafera korruptive dhe mashtrime.

Postimi i plotë:

Me 15 Nentor 2023, para mbledhjes se Keshillit bashkiak, kam kerkuar ne komisione e keshillit, por dhe ne seancen e mbledhjes se Keshillit, se ku kane shkuar parate e taksapaguesve shqiptare?

Ne mbledhjen e nentorit dhe ne ate te shkurtit, i kam paralajmeruar dhe ju kam kerkuar keshilltareve te mazhorances, qe te mos vijonin arrogancen, duke ngritur kartonat, teksa SPAK po hetonte shperdorimin e parave te qytetareve e TIranes nepermjet skemave te korrupsionit te funksionareve te Bashkise Tirane, nga kreu i bashkise, deri tek specialistet e drejtorive.

Shume ceshtje te aferave korruptive jane ne SPAK dhe po hetohen, sic edhe ECO Tirana, me monopolin e shtrirjes se saj per 25 vjet ne te gjithe territorin e Bashkise Tirane, fale insistimit arrogant te kartonave dhe duartrokitjeve te keshilltareve socialiste.

Arrestimet dhe Hetimet e SPAK, konfimuan faktin e korrupsionit galopant. Uroj shpejt, t’u vije rradha te dalin para drejtesise, nga i pari i bashkise, deri tek me i fundit, per nga perfshirja ne keto megaafera korruptive dhe mashtrime.

“Votimi kundër anëtarësimit në KiE do të ishte i pamundur në mandatin tim”- Abazoviç: Mali i Zi nuk do ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, tha se votimi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte i pamundur nën mandatin e tij dhe se BE-ja duhet të jetë më konkrete në dialogun Kosovë-Serbi.

Abazoviç në një deklaratë për portalin Euractiv të Brukselit, tha se “megjithëse Mali i Zi shpalli pavarësinë nga bashkimi me Serbinë në vitin 2006, ai mban lidhje të forta me Beogradin.

“Nga ana tjetër, në Mal të Zi jetojnë më shumë se 30 mijë shqiptarë që mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe refuzojnë qëndrimin e Beogradit dhe aleatëve të tij”, tha ish kryeministri i Malit të Zi, transmeton Telegrafi.

I pyetur për veprimet e qeverisë së re, Abazoviç tha se e ka mbështetur plotësisht Kosovën gjatë mandatit të tij, por se tani ka një “realitet të ri”.

Kryeministri i ri, Milojko Spajiç, kishte më parë nënshtetësi serbe dhe dëshiron marrëdhënie më të ngushta midis dy vendeve – një çështje e ndjeshme që e ndan Malin e Zi në mes, midis “të pavarur” dhe atyre që e shohin veten si serbë.

Mirëpo, Abazoviç deklaroi se Mali i Zi nuk planifikon të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Votimi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte i pamundur në mandatin tim, ne ishim shumë të qartë në politikën tonë të jashtme. Politika jonë e jashtme ishte 100 për qind në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Sa i përket qasjes së BE-së ndaj dialogut të ngecur ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Abazoviç tha se Brukseli duhet të forcojë ‘lojën’ e tij.

“BE-ja duhet të jetë më konkrete. Nëse do ta kemi gjithmonë këtë politikë shumë të butë, do të flasim për të njëjtën gjë edhe pas 10 apo 20 vitesh. Kjo është një fatkeqësi sepse ne kemi humbur tashmë 20 vjet”, tha ai.

Ai shton se është e qartë se të dyja palët duan marrëveshje, por e kanë të vështirë të arrijnë marrëveshje.

“Kosova dhe Serbia duan të shohin një marrëveshje përfundimtare dhe të tregojnë se ne nuk jemi më rajon konflikti, por rajon mirëkuptimi, por nuk do të jetë e lehtë”, theksoi ish-kryeministri i Malit të Zi.

Ataku në zemër tek të rinjtë, çfarë shkakton dhe si ta parandaloni

Zemra megjithëse është një nga organet më të fuqishme e të rëndësishme të të gjithë organizmit, njëkohësisht është edhe shumë e ndjeshme ndaj problemeve.

Problemet me të nisin që nga shtrëngimet e lehta, e deri tek atakët kardiak të cilët mund të jenë një rrezik shumë shqetësues për jetën.

Pikërisht për atakun në zemër do të flasim në artikull. Kjo gjendje e trupit mund të prekë këdo e në çdo moshë nëse nuk tregohet kujdesi i duhur.

Sipas ekspertëve, ataku në zemër vepron ndryshe në organizmat më të rinj dhe ndryshe në ata më të moshuarit.

Si e ndikon trupin

Njihet si një ndër sëmundjet më të rrezikshme për jetën dhe zakonisht shfaqet tek të moshuarit.

Gjithsesi të dhënat tregojnë që as të rinjtë nuk janë imunë ndaj kësaj sëmundje apo gjendje që trupi kalon.

Këtë rrezik organizmi e përkthen ndryshe në trupa dhe mosha të ndryshme dhe kjo mund të jetë një pikë shumë e rëndësishme për të nisur me kujdesin.

Sipas një studimi të publikuar në Revistën Amerikane të Kardiologjisë trajtimi i atakëve ndryshon në varësi të moshës së pacientit.

Në këtë studim u përfshinë rreth 8,500 persona me histori të atakëve në zemër nga mosha 50 deri në 90 vjeç.

Mbi 20% e këtyre pjesëmarrësve ishin në moshën 56 dhe 64 vjeç, ndërsa 2/3 ishin në moshat 65 dhe 84 vjeç.

Pjesa tjetër e tyre rreth 6% ishin më të rinj se mosha 55 vjeçare ndërsa 5% ishin mbi moshën 85 vjeçare.

Nga të gjithë këta grupe personash u mblodhën të dhëna si për gjendjen shëndetësore ashtu edhe për jetën e tyre pas sëmundjes.

Diferenca mes moshave

Diferencat më të mëdha u panë midis pjesëmarrësve më të rinj poshtë 55 vjeç dhe atyre më të moshuarve mbi 85 vjeç.

Pacientët më të rinj ishin të gjinisë mashkullore, mbipeshë dhe me një jetë të përditshme shumë stresues.

Për shkak të sëmundjes shpesh pacientët në moshë të re megjithëse nuk kanë shumë rrezik të vdekjes nga kjo sëmundje, përjetojnë më shumë probleme me zemrën.

Ndërsa për më të moshuarit sipër moshës 85 vjeç, numri më i madh i të prekurve rezultoi të ishin të gjinisë femërore me probleme të tensionit të lartë apo veshkave.

Gjetjen e këtij studimi treguan se ataku në zemër nuk është një sëmundje që prek vetëm personat e moshuar, por edhe ata të rinj.

Duke krijuar kështu vështirësi afatgjata në jetesën e përditshme si dhe degradimin e sëmundjes gjatë viteve.

Si ta parandaloni

Për të rinjtë, parandalimi i sëmundjes është çelësi i një jetese të gjatë sipas ekspertëve.

Për ta bërë këtë mjafton të filloni me mbajtjen në formë të trupit tuaj.

Obeziteti renditet si një nga problemet më shqetësuese ndër moshat e reja dhe një rrezik potencial për prekjen nga taku në zemër.

Këshillohet rritja e cilësisë së jetës që përkthehet në aktivitet fizik të vazhdueshëm, një ushqyerje të shëndetshme dhe menaxhimin e stresit.

Aksidenti i frikshëm me 8 viktima, Eksperti: Nëse i ka ndjekur, policia ka gabuar shumë rëndë

Rrugët e Shqipërisë viojnë të marrin jetë njerëzish.

Vendi u trondit dje nga aksidenti i frikshëm me 8 viktima në aksin Përmet Gjirokastër, kun ë tentativë për t’iu larguar policisë, automjeti me 7 emigrantë të paligjshëm doli nga rruga dhe përfundoi në lumin Vjosë, duke mos lënë asnjë person të gjallë.

Lidhur me këtë ngjarje në studion e lajmeve në “Ora News”, eksperti i aksidenteve rrugore Gëzim Hoxha, se shkaku i aksidentit ka qenë paniku që përfshiu drejtuesin e mjetit.

“Aty ka nevojë që të analizohet fakti se përse ky drejtues mjeti u përfshi në panik, pra kjo kërkon analizën e një psikologu. Pasi një njeri që përfshihet në panik ka të bëjë me një frikë shumë të madhe të tij që ka këtë lloj pasoje.

Problemi qëndron në faktin se drejtuesi i mjetit ishte tashmë i përfshirë në një vepër penale, që është trafiku i paligjshëm i emigrantëve dhe ndaj ai është trembur, sepse ka pasur parasysh pasojat që i vinin mbrapa kësaj vepre penale.

Nëse policia po i ndiqte nga mbrapa, kjo është shumë e gabuar, sepse ata kanë mësuar dhe janë trajnuar që në një garë makinash nuk ke pse ta ndjekësh, pasi ka vend tjetër për t’i kapur.

Pra, kjo duhet parë në këndvështrimin human.

Pra, aksidenti në fjalë është i mbushur me shumë dilema, dhe ende nuk dihen shkaqet e vërteta se pse mjeti doli nga rruga”, u shpreh ndër të tjera eksperti i aksidenteve rrugore, Gëzim Hoxha.