31.5 C
Tirana
E martë, 17 Qershor, 2025

Vendosja e gabuar e tabelave të shpejtësisë, eksperti: Shkak për aksidente automobilistike

Vendosja e gabuar e sinjalistikave rrugore në vend ngre shqetësime për mbarëvajtjen e udhëtimit në rrugët e Shqipërisë, si dhe për mirëqënien e përdoruesve të rrugëve.

Eksperti rrugor, Islam Qibini, i ftuar në “Përballë Lajmit” në Klan News, shprehet se kjo vendosja e gabuar e tabelave të shpejtësisë është dhe burim aksidenti. Sipas tij, segmentet rrugore në vend, kryesisht ajo e “Elbasan-Rrogozhinë”, për të cilën u ngrit shqetësimi më herët, kanë tabela të mbingarkuara. Një faktor i tillë kontribuon në shtimin e aksidenteve, pasi është e pamundur që brenda disa metrash, drejtuesit e mjeteve të zbatojnë tabelën detyruese.

“Po qe një segment rrugor i cili ka patur problematika sa i përket sigurisë rrugore për aksidentet automobilistike, është një segment rrugor me tabela të mbingarkuara, e shpesh herë të panevojshme. Për arsye se, para se të vendosësh një tabelë sinjalistike vertikale ose horizontale, duhet bërë auditimi i këtij segmenti rrugor, me qëllim që ajo tabelë të vendoset të jetë e përshtatshme dhe efektive për parandalimin e aksidenteve automobilistike. Duke vendosur për shembull tabelën “Kujdes”, “Kthesë e dyfishtë”, ose “degëzim rruge”, duhet të vendoset dhe tabela “kufizim shpejtësie”, por jo një kufizim shpejtësie e cila është e bezdisshme. Jo vetëm për drejtuesit e mjetëve, por realisht nuk respektohet. Konkrete, nëse është rrugë interurbane dytësore, ku shpejtësia e lejuar është 10 km/h, por duke vendosur tabelën 20 km/h, ai nuk mund të reduktojë shpejtësinë në mënyrë të menjëhershme kur ndodhet para kësaj tabele detyruese. Në rast se kemi një drejtues që e respekton këtë tabelë, ai duhet të frenojë në mënyrë të tillë që bëhet pengesë, krijon fluks për qarkullimin rrugor ose bëhet shkak për aksident automobilistik”, tha ai.

Qibini bën thirrje që për mirëvendosjen e sinjalistikës rrugore, duhet të ketë më patjetër një bashkëpunim të ngushtë midis Policisë Rrugore dhe specialistëve të Sigurisë Rrugore në vend.

“Duhet bërë auditimi i segmentit rrugor nga specialistë të segmentit rrugor. Duhet të ketë patjetër një bashkëpunim midis Policisë Rrugore, së bashku dhe me specialistë të Sigurisë Rrugore, të cilët kanë njohuritë e domosdoshme për të vendosur tabelat”, u shpreh ai.

Eksperti rrugor sugjeron që në segmentin “Elbasan-Rrogozhinë”, të rivendosen tabelat vertikale e horizontale të përshtatshme, me qëllim shmangien e aksidentëve.

“Në këtë segment rrugor duhet ndërhyre për të rivendosur tabelat vertikale e horizontale të përshtatshme, me qëllim sigurimin rrugor. Shpesh herë në këtë segment rrugor kemi pasur aksidente me pasoja të rënda për jetën e shëndetin e qytetarëve”, tha Qibini.

Segmente problematike mbeten dhe “Elbasan-Prrenjas”, apo dhe në qarkun Durrës.

“Kemi gjithashtu dhe segmentin rrugor midis Elbasanit dhe Prrenjasit. Një segment rrugor ky i mbingarkuar të sinjalistikave jo të përshtatshme për sa i përket kufijve të lejuara të shpejtësisë. Gjithashtu edhe Durrësi. E aty, pa vajtur tek Shëmbi i Kavajës, në anë të një karburanti ka një tabelë për 30 km/h, gjë që ajo tabelë nuk respektohet, nuk ka se si të respektohet. Aty mund të vendosesh tabelë për shembull, kujdes se ka karburant, ose kur del nga karburanti duhet vendosur patjetër tabela “Stop””, sqaron ai.

Vrasja e Pjetër Kazës në Lezhë, gazetarët: Gjakmarrja nuk merret seriozisht nga shteti dhe shoqëria

Duke analizuar vrasjen e Pjetër Kazës dy ditë më parë në një fshat të Lezhës, Klodiana Lala u shpreh se fenomeni i gjakmarrjes, mbetet plagë e hapur në shoqërinë shqiptare, sidomos në veri të vendit.

Lala shtoi më tej se sa i takon hakmarrjes, pala kundërshtare u vranë 3 vite më vonë nga vëllai i Ndue Kazës dhe Pjetër Kazës.

“Ardjan Nikulaj dyshohet se u vra për gjakmarrje. Kemi patur një 17-vjeçar që i ishte vrarë babai kur ishte 2 vjeç dhe pastaj opinioni ja bënte me gisht pse nuk merr hak dhe vrau në një moshë shumë të papjekur. Rasti i Pjetër Kazës është tronditës, sepse ka nisur në ‘94. Vëllai i tij ishte shef i krimeve. Në Mirditë në një përplasje qëllohet për vdekje. Pala kundërshtare u vranë 3 vite më vonë nga vëllai i Ndue Kazës dhe Pjetër Kazës. Autori Martin Kaza u arrestua në Britani shumë vite më parë.

Ndërkohë që ekstradohet, në vitin 2024 vritet vëllai tjetër Augustini në Belgjikë. Dyshoj se e ka ngjitur fakti që gjykata, pas shumë makinacioneve, dënohet më pak se 14 vite burg për dy vrasje. Duket sikur ky dënim i lehtë ka nxitur përplasjet dhe problematikat mes familjeve. Dyshimet se u vra për motive gjakmarrje. U vra në oborrin e banesës. I shpallur në kërkim është vëllai i Dod dhe Augustin Gjinit. Nuk e di sa prova ka për ta lidhur me ngjarjen. Fenomeni i gjakmarrjes, mbetet plagë e hapur në shoqërinë shqiptare, sidomos në veri të vendit”, tha ajo në emisionin Të Paekspozuarit.

Biznesi po merr më pak kredi për investime, por huaja për prona vazhdon rritjen

Kredia e biznesit për investime ka pësuar rënie në muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-prill kredia e re për investime kishte vlerën e 24.3 miliardë lekëve, në rënie me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënia ka ardhur e gjitha nga kredia për investim në makineri dhe pajisje, ndërkohë që kredia me qëllim investimin në pasuri të paluajtshme ka vazhduar të rritet. Kredia për blerjen e makinerive dhe pajisjeve kishte vlerën e 7 miliardë lekëve, në rënie me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa kredia e re për pasuri të paluajtshme për bizneset në katër muajt e parë të vitit arriti në 17.2 miliardë lekë, në rritje vjetore me 19%. Në tërësi, kredia për biznesin në muajt e parë të këtij viti paraqitet në stanjacion, me një vlerë të përafërt me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pavarësisht rënies së flukseve të reja, kredia e biznesit me qëllim financimin e investimeve ngelet në rritje dyshifrore, e shprehur si tepricë portofoli. Në fund të prillit, portofoli i kredisë për investime arriti në 285.2 miliardë lekë, në rritje vjetore me 15.5%. Duke qenë se kredia për investime në përgjithësi ka afate më të gjata shlyerjeje dhe amortizimi, ngadalësimi i kredisë së re reflektohet më ngadalë në ritmet e rritjes së portofolit total. Kredia për investime përbën afërsisht 59% të vlerës totale të kredisë për bizneset, ndërsa kredia për pasuri të paluajtshme përbën rreth 40% të portofolit.

Gjallërimi i kredisë për biznesin, sidomos asaj për investime, i dha shtysën kryesore rritjes së kreditimit të ekonomisë vitin e kaluar. Shtysa kryesore edhe vitin e kaluar ishte kredia për pasuri të paluajtshme. Kjo ka rritur edhe ekspozimin e sektorit bankar kundrejt ecurisë së tregut të pasurive të paluajtshme. Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, në fund të 2024 46% e tepricës së kredisë për ekonominë ishte e siguruara me prona.

Banka e Shqipërisë reagoi duke aplikuar për herë të parë një shtesë kundërciklike të kapitalit për bankat tregtare, me qëllim kryesor ngadalësimin e rritjes së kredisë për prona.

Të dhënat paraprake të INSTAT treguan se vitin e kaluar ecuria e investimeve në ekonomi ishte pozitive. Formimi bruto i kapitalit fiks u rrit mesatarisht me 4.5% për katër tremujorit të vitit të kaluar, me ritme më të larta se mesatarja e rritjes ekonomike. Kredia bankare duket se ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zgjerimin e investimeve në ekonomi./ Monitor

Bashkëpunim i ngushtë Gjermani-SHBA, Merz për DW: Dëshirojmë të arrijmë një marrëveshje për tarifat e Trump brenda javëve të ardhshme!

Gjatë takimit të tij të parë me presidentin amerikan Donald Trump, Kancelari gjerman Friedrich Merz u mundua ta bindi Trumpin se ai ishte personi kyç për të përfunduar luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Merz u shpreh se me Trump biseduan disa tema nga tregtia, tarifat si dhe luftën në Ukrainë. Ai theksoi se u përpoq të bindë Trump se duhet të ushtrojnë më shumë presion ndaj Rusisë për të përfunduar këtë luftë.

Deutsche Welle: Kancelari gjerman Friedrich Merz është me ne tani. Po vini direkt nga takimi juaj i parë personal me Donald Trump. Duket se krijuat një marrëdhënie të mirë atje, por kishit gjithashtu një takim më të detajuar me të. A arritët ndonjë angazhim konkret për Ukrainën pas kujtimit tuaj se Shtetet e Bashkuara janë ato që bëjnë ndryshimin për këtë çështje?

Friedrich Merz: Në të vërtetë, ne folëm intensivisht për disa çështje. Një prej tyre ishte Ukraina dhe kjo luftë e tmerrshme nga Rusia kundër Ukrainës. Folëm për tregtinë, për tarifat. Nuk ishte pritshmëria ime që presidenti të merrte sot një vendim të ri. Por argumentova dhe përpiqem ta bind atë që tani kemi detyrimin të ushtrojmë më shumë presion ndaj Rusisë për të përfunduar këtë luftë. Por, nga ana tjetër, e di që kjo është një çështje shumë e komplikuar. Edhe këtu në SHBA, kemi këtë debat të fortë në Senat. Jam optimist, por nuk jam aq optimist sa të parashikoj që do të ndryshojë brenda natës diçka në territorin e Ukrainës.

Deutsche Welle: Donald Trump gjithashtu tha se mund të humbasë durimin me Rusinë dhe Ukrainën dhe se do të ishte i gatshëm të godiste ashpër të dyja. Sipas mendimit tuaj, sa afër është ai të humbasë durimin për Ukrainën?

Friedrich Merz: Ai po sheh që nismat e tij të javëve të fundit nuk patën sukses dhe se presidenti Putin duket se nuk është i gatshëm të ndalë këtë luftë. Kjo ndodh pavarësisht bisedës shumë të gjatë telefonike që kishin pasur dje. Pra, ne po flasim për instrumente, për atë që mund të bëjmë së bashku, Bashkimi Evropian me Gjermaninë dhe SHBA nga kjo anë e Atlantikut.

Nuk kam një përgjigje sot, por jam i sigurt që ai po mendon se çfarë mund të bëjë më shumë. Dhe ia kujtova se SHBA gjithmonë ka luajtur rolin global për të ushtruar presion ndaj atyre që janë në luftë. Dhe nesër është 6 qershori, i njohur si Dita D, kur amerikanët pushtuan Evropën në vitin 1944 për të ndaluar luftën në Evropë. Kjo mund të jetë një situatë historike e ngjashme, jo me veprime ushtarake, por me presion ndaj Rusisë për të ndaluar këtë luftë.

Deutsche Welle: Tregtia ishte një tjetër temë e rëndësishme. Ai vazhdoi të thotë se i pëlqejnë tarifat, edhe pse shumë pak të tjerë mendojnë kështu. Sa afër është ai që të ndiejë presionin se tarifat mund të dëmtojnë edhe Shtetet e Bashkuara?

Friedrich Merz: Po punojmë brenda një afati shumë të ngushtë kohor. Do të dëshironim të arrinim një marrëveshje brenda javëve të ardhshme. Akoma kemi pak kohë deri në fillim të korrikut, që është afati që ka vendosur qeveria amerikane. Është një çështje që nuk është vetëm në dorën e palës gjermane për t’u zgjidhur: ne duhet ta koordinojmë brenda Bashkimit Evropian.

Po e bëjmë këtë. Do të kthehem në Evropë dhe do të flas me kolegët e mi evropianë për këtë temë. Do të bëjmë propozime për të kaluar këtë situatë. Tarifat e larta nuk janë në interesin tonë. Dhe do të përpiqem të bind qeverinë amerikane, veçanërisht presidentin, që duhet të arrijmë një zgjidhje. Por do të marrë kohë.

Deutsche Welle: Si do ta matni nëse ky takim bëri një ndryshim të vërtetë?

Friedrich Merz: Do ta mat këtë me takime dhe telefonata të tjera të rregullta dhe me koncesione nga të dyja anët dhe gatishmërinë për të arritur një marrëveshje. Dhe kjo është ajo që mora nga dita e sotme: Ai është vërtet i gatshëm të arrijë një marrëveshje për tregtinë dhe nëse mund ta arrijmë atë brenda një periudhe të afërt, do të arrinim shumë më tepër se qeveritë e mëparshme nga të dyja anët e Atlantikut. Pra, kjo është një mundësi e madhe.

Deutsche Welle: Ju keni të njëjtin emër, Friedrich, si gjyshi i presidentit Trump, dhe i dhatë atij një kopje të certifikatës së lindjes së tij. Pra, a mund të thuhet se ky është fillimi i një miqësie të re?

Friedrich Merz: Jo, është një bashkëpunim shumë i ngushtë. Ne u takuam për herë të parë sot, në funksionet tona si liderë, dhe shpresoj që do të jemi në gjendje të bashkëpunojmë ngushtë, hapur dhe si kolegë të mirë nga të dyja anët e Atlantikut.

Rrjeti i errët, narkotikët dhe dorëheqja e një ministri, një skandal i paprecedentë trondit Çekinë

Në një vend ku besimi në institucione ndërtohet me vështirësi dhe shkatërrohet në një çast, zbulimi se një ish-trafik droge i dhuroi miliona euro ministrit të drejtësisë mund të jetë pika e kthesës që do të rrëzojë qeverinë e kryeministrit Petar Fiala. Për ta përkeqësuar situatën, incidenti shpërtheu vetëm katër muaj para zgjedhjeve parlamentare. Në mars të këtij viti, Ministria Çeke e Drejtësisë pranoi një donacion prej 468 bitcoin-esh, me vlerë rreth 40 milionë euro, ose pothuajse një miliard korona çeke, në kohën e transaksionit, nga Tomáš Jiřikovský, një trafikant droge i dënuar i cili dikur drejtonte një platformë të paligjshme online për shitjen e narkotikëve në rrjetin e errët.

Pasi vuajti një dënim, Jiřikovský rimori aksesin në pajisjet elektronike që ishin sekuestruar gjatë arrestimit të tij. Në këmbim të ndihmës së Ministrisë në hapjen e një portofoli dixhital, ai i ofroi shtetit 30 përqind të përmbajtjes, një “pendesë” pothuajse simbolike, siç e quajti ish-ministri i Drejtësisë Pavel Blažek. Pa informuar rregullatorët financiarë ose policinë, marrëveshja u arrit dhe u zbatua. Por faqja e internetit investigative Deník N zbuloi detaje të marrëveshjes. “Ishte aq ligjore sa nuk mund të kishte qenë më e ligjshme”, e mbrojti veten Blažek, duke mohuar çdo paligjshmëri në procedurat. Por dëmi ishte bërë tashmë.

Nën presionin në rritje nga opozita, publiku dhe madje edhe nga partia e tij, Blažek dha dorëheqjen. Karel Havlíček , nënkryetar i partisë populiste të krahut të djathtë ANO të Andrej Babiš , tha se partia do të nisë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë. “Kjo qeveri duhet të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë. Nuk ka mundësi tjetër”, tha Havlíček për televizionin kombëtar.

Analiza e “CNN” për sulmin vdekjeprurës në Gaza: Provat nuk gënjejnë, Izraeli është fajtor

Një hetim nga rrjeti televiziv amerikan “CNN” mbi sulmin e së dielës ndaj palestinezëve që po prisnin hapjen e një vendi për shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gazën jugore tregon se ushtarët izraelitë qëlluan. Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i cili mbështetet nga SHBA-të dhe Izraeli, më parë ka pohuar se ushtria izraelite ishte përgjegjëse për sulmin, i cili sipas burimeve palestineze vrau të paktën 31 palestinezë dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Ky është sulmi më vdekjeprurës i lidhur me shpërndarjen e ndihmës humanitare në Gaza në muajt e fundit.

Civilët kanë vdekur pas paralajmërimeve të OKB-së se një metodë e re e shpërndarjes së ndihmës në Gazën e rrethuar dhe të pushtuar është bërë një kurth vdekjeprurës për njerëzit e dëshpëruar që kërkojnë ushqim pas 11 javësh bllokadë totale izraelite të Gazës. Gazetarët e “CNN” folën me një duzinë dëshmitarësh okularë dhe analizuan disa video të sulmit pranë bazës ushtarake izraelite. Ekspertët e armëve thonë se, bazuar në shpejtësinë e zjarrit dhe imazhet e plumbave, ata arritën në përfundimin se ato ishin mitralozë të përdorur nga ushtria izraelite, të cilët mund të montohen në tanke.

Disa dëshmitarë okularë thonë se panë tanke izraelite duke hapur zjarr me mitralozë. Megjithatë, nuk ka asnjë nga videot e disponueshme që tregon se kush po qëllon mbi njerëzit që u mblodhën natën në një hapësirë ​​pranë bregdetit për të pritur që të fillonte shpërndarja e ndihmës humanitare. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) të dielën fillimisht pretenduan se forcat e tyre nuk qëlluan mbi civilët “ndërsa ata ishin afër ose brenda vendit të shpërndarjes së ndihmave”. Depoja e GHF dhe zona menjëherë përreth saj nuk u prekën.

Sot Kurban Bajrami, mijëra besimtarë falën namazin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, festën që simbolizon sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s.

Në të gjithë vendin, besimtarët myslimanë e kanë nisur kremtimin e kësaj feste të shenjtë që në orët e para të mëngjesit duke iu drejtuar xhamive për të falur Namazin.

Në Tiranë, qindra besimtarë myslimanë falën Namazin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por edhe në xhamitë e tjera të kryeqytetit.

Kurbani është një festë në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes.

Kjo festë është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufijshëm”.

Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.

Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojnë këtë festë islame.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të Madh konsiston në dy momente: e para, është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Mishi ndahet mes pjesëtarëve të familjes, mes miqve dhe i dhurohet të varfërve.

Kosova ndalon importin e deleve dhe dhive nga Shkodra dhe Kukësi

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka ndaluar importin e deleve dhe dhive nga Qarku i Shkodrës dhe Kukësit, për shkak të shpërthimit të sëmundjes se murtajës se bagëtive të imta PPR.

Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vendosë masë ndalese të pakohshme, për import të ruminantëve të vegjël Dele dhe Dhi nga regjioni i Shkodrës dhe Kukësit në Shqipëri. Pas lajmërimit për konfirmim të shpërthimit të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) tek kafshët e llojit të dhisë në Qarkun e Shkodrës në Republikën e Shqipërisë.

Autoritetet kufitare do të shtojnë masat e kontrollit në të gjitha pikat kufitare me Shqipërinë, me qëllim parandalimin e futjes së kësaj sëmundjeje në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

AUV sqaron se ‘Peste des petits ruminants”, e njohur zakonisht si murtaja e deleve infekton kryesisht dhitë dhe delet.

“Sëmundja transmetohet kryesisht nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë, burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet e kafshëve të sëmura. Shenjat klinike të sëmundjes janë: temperaturë e lartë, rrjedhje nazale, inflamacion i syve, ulje e oreksit, diarre apo ngordhje.

Murtaja e Ruminantëve të Vegjël nuk është sëmundje zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin publik. AUV në bashkëpunim me autoritetet tjera, do të ndjek situatës me seriozitet dhe përveç masave paraprake preventive do të informojë fermerët dhe publikun në mënyrë të vazhdueshme për çdo ndryshim të situatës”, thuhet në njoftim.

Piramida e Tiranës “simbol i përjashtimit” për personat me aftësi të kufizuara

Paraditen e së mërkurës, Suela Lala, aktiviste për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, qëndronte në pritje, krah babait të saj, pranë Piramidës së rikonstruktuar të Tiranës. Objekt i investuar me miliona euro, simbol i transformimit urban, por që për Suelën mbetet strukturë e pakonceptuar si duhet në funksion: një simbol përjashtimi.

Vapa e nisur rishtazi në Tiranë nuk e pengoi Suelën t’i qëndronte premtimit për të përshkuar së bashku me të atin godinën e Piramidës së Tiranës, e cila iu rikthye kryeqytetit dy vite më parë, pasi qëndroi e rrethuar për tre vite të tjera rresht nën një projekt rikonstruksioni.

Në ndryshim nga unë, për Suelën, një qytetare me aftësi të kufizuar në lëvizje, të shkosh te Piramida dhe ta vizitosh atë cep më cep, është një sfidë, e cila kryhet me vështirësi edhe nga shoqëruesi i saj: babai.

Barrierat u vunë re që në hyrjen ballore të saj, ku pritëse ishin shkallët. Asnjë sinjalistikë nuk është e dukshme që të tregojë se ku është infrastruktura që lejon hyrjen për personat me aftësi të kufizuara, ndaj për këtë arsye duhet që të ecësh rreth e qark për të venë re dy hyrje anësore ku relievi është i tillë që mundëson kalimin e karrocës.

“Nga mënyra se si është konceptuar është objekt ‘par exellence’ i përjashtimit të personave me aftësi të kufizuara. Ne arritëm të futemi deri këtu nëpërmjet një hyrjeje anësore, e cila nuk ishte shumë e thjeshtë. Shumë labirinth rampat, pa sinjalistikë të caktuar dhe kuptohet jo në çdo mjedis ti ke akses”, rrëfen Suela për Citizens.al

Për Suelën mungesa e aksesit në hyrjen kryesore të piramidës, por vetëm në ato anësore është një formë përjashtimi, veçimi dhe mënyrë për “të zvogëluar njerëzit”.

“Piramida është objekt simbol i përjashtimit, jo i gjithëpërfshirjes dhe i bashkimit. Do duhet të kishte sjellë këtë model në mënyrë që të thyente edhe idenë përse është ndërtuar, atë kultin e individit dhe mbivlerësimit të një njeriu përtej të gjithëve”, shprehet Suela.

Dy hyrjet anësore të krijuara për personat me aftësi të kufizuara nuk kanë mbajtëse anësore, duke e bërë lëvizjen e pavarur për personat me aftësi të kufizuar të pamundur.

“Edhe nëse kishte rampa nuk kishte parmakë për rampat në mënyrë që ti të lëvizësh në mënyrë të sigurt. Në hyrje për shembull, pjesa ku ti kaloje ishte e pjerrët dhe është e rrezikshme”, ndan Suela nga përvoja e saj.

Në brendësi të piramidës ka dy rampa, mirëpo të duhet të përshkosh në mënyrë gjarpëroshe rreth e përqark kubat e vendosur brenda, vështirësuar kjo edhe nga mungesa e sinjalistikës për personat me aftësi të kufizuara.

Godina ka edhe dy ashensorë, të cilët sikurse edhe tualetet funksionojnë me kartë dhe kod, ndaj për këtë duhet të vësh re punonjësit aty pranë.

Mirëpo, edhe nëse ngjitesh me ashensor në katin e fundit, një tjetër shkallë nuk të lejon të lëvrosh për të parë qytetin nga lart.

“Ne e pamë që për të vajtur në pikën e vështrimit, lart, mund të merrje ashensorin, ashensori ishte me cip, pra jo i hapur për të gjithë qytetarët dhe pastaj nuk mund të zbrisje, kishte shkallë për të arritur atë pikën e vrojtimit”, rrëfen Suela.

Suela shoqëruar nga i ati, gjatë vizitës në qendrën e Piramidës/Citizens.al

Kuadër ligjor në letra, por jo në praktikë

Shqipëria ka një kuadër ligjor që detyron ndërtuesit të ndërtojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke i bërë godinat të aksesueshme nga të gjithë, fëmijë, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuar.

Sipas ligjit për planifikimin e territorit, të gjitha ndërtesat, hapësirat publike duke përfshirë parqet, sheshet dhe rrugët duhet të jenë të përshtatura për personat me aftësi të kufizuar.

Ndërsa, mes të tjerash thuhet se për ndërtesat e reja apo ato në proces rikonstruksioni është kusht që për të marrë lejen e ndërtimit dhe certifikatën e përdorimit të përshtaten me infrastrukturë për personat me aftësi të kufizuar.

Situata në piramidë sipas Suelës është në shkelje të ligjit.

“Te ndërtesat edhe të reja ka shkelje të dy parashikimeve ligjore, një që kërkon kontrollin për aksesueshmërinë në momentin e marrjes së lejes së ndërtimit dhe pastaj në dhënien e certifikatës së përdorimit që duket që nuk janë respektuar”, argumenton Suela Lala.

Po ashtu, sipas vendimit të vitit 2015, nr.1074, ndalohet dhënia e financimeve nga ana e shtetit apo enteve publike dhe jopublike/donatorëve për ndërtimin e një vepre që ofron shërbim publik nëse nuk përmbush kërkesat sa i takon aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara.

“Nuk duhen shpenzuar para publike ose të donatorëve për objekte të cilat janë përjashtuese në thelb”, shton më tej Suela.

Shqipe Berisha, drejtuese e Qendrës së Piramidës që menaxhon godinën u shpreh për Citizens.al se Piramida ofron qasje për personat me aftësi të kufizuara.

“Për të hyrë në qendër ka [akses], janë dyert anësore që janë për personat me aftësi të kufizuar, që kanë atë si rrugë. Jo hyrje ballore, por hyrjet anësore. Për në majë të piramidës kemi ashensorë, por duhet të drejtohen me anë të rojës që është te dera, për t’ju shoqëruar me ashensor”, deklaroi Berisha.

Ndërsa për mungesën e sinjalistikës për personat që nuk shikojnë, ajo pranoi mungesën e sinjalistikës, por u shpreh se nuk është personi kompetent për t’u përgjigjur pasi janë arkitektët ata që kanë bërë planin e ndërtesës.

“Për atë po punojmë tani, po bëhet plani i sinjalistikës tani, sepse është bërë baza, tani po bëhen edhe gjërat që po mungojnë. Shpresoj ta mbyllim deri brenda verës planin e sinjalistikës totale”, deklaroi Shqipe Berisha.

Projektin për rijetësimin e Piramidës e ka realizuar studio holandeze MVDRV, e arkitektit Wini Maas, i përshkruar si arkitekt i afërt me qeverinë, i cili ka fituar një sërë projektesh publike dhe private në Tiranë, si kulla “DownTown One”, qendrën Toptani dhe kullën “Tirana Rock”.

Projekti për rijetësimin e Piramidës ka kushtuar 1.6 miliardë lekë, investim i kryer nga Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF)./citizens.al

Rriten rreziqet nga substancat narkotike të reja, paralajmëron agjencia e BE-së për barnat

Agjencia e Bashkimit Evropian për Barnat (EUDA) paralajmëron për rritjen shqetësuese të konsumit të substancave të reja sintetike psikoaktive, efektet afatgjata të të cilave janë ende të panjohura dhe mund të jenë shumë të rrezikshme për shëndetin publik.

Në Hungari, në qershor 2024, 30 persona u sëmurën rëndë pas konsumimit të derivateve gjysmë-sintetike të kanabisit, të cilat kishin formë pelteje. Ndërkohë, në Evropë po raportohen raste mbidozash me katinone dhe opioide sintetike, si dhe përhapje e gjerë e kokainës me pastërti të lartë, duke krijuar një peizazh të ndryshuar dhe të paparashikueshëm të tregut të drogës.

Sipas raportit të publikuar më 5 qershor nga EUDA, tregu i drogës në Evropë po përshtatet vazhdimisht me zhvillimet politike, ligjore dhe shkencore, ndërsa substancat e reja shpërndahen si zëvendësuese të drogërave tradicionale. Një shqetësim i veçantë lidhet me opioidet e fuqishme sintetike, si nitazenet, të cilat po qarkullojnë edhe në formën e barnave të falsifikuara.

Raporti thekson nevojën për forcimin e kapaciteteve evropiane në identifikimin dhe analizimin e këtyre substancave, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Një tjetër shqetësim janë katinonet sintetike, stimulues që tregtohen shpesh si ‘kripëra banjoje’, me sasi të sekuestruara që janë rritur ndjeshëm vitet e fundit.

Për më tepër, kanabisi, droga më e përdorur në Evropë me 24 milionë përdorues, po shfaqet në forma të përforcuara dhe më të rrezikshme, me përqindje më të lartë të substancës aktive THC. Ky fenomen vështirëson vlerësimin e rreziqeve shëndetësore, pasi në disa raste kanabisi modifikohet edhe me kanabinoide sintetike të reja pa dijeninë e konsumatorëve.

Ndërkohë, kokaina mbetet droga kryesore që shkakton probleme serioze shëndetësore në Evropë, me mbi 4.6 milionë përdorues dhe më shumë se 419 ton të sekuestruara në vitin 2023. Ajo përbën shkakun kryesor të shtrimeve në urgjencë për mbidozën nga droga, duke konfirmuar rëndësinë e vazhdueshme të masave parandaluese dhe ndërhyrjeve shëndetësore.

Në këtë kontekst, EUDA nxit autoritetet evropiane të intensifikojnë monitorimin, analizën dhe luftën kundër këtyre substancave të reja dhe shumë të rrezikshme, për të mbrojtur shëndetin publik dhe sigurinë e qytetarëve.