24.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

PD është si një familje e fortë në një fashat të mbushur me kulakë!

Nga Alban Daci

Sot, ka dy linja mendimi me qasje ndaj PD:

Demokratët dhe të djathtët e vërtetë që janë koherentë me qëndrimet e tyre që nga 9 shtatori i famshëm e deri më sot duke kritikuar gjithë procesin brenda saj dhe shpesh duke e cilësuar më të drejtë si “demagogji”. Në këtë linjë mendimi bëjnë pjesë një grup i limituar intelektualësh, kryesisht me frymëzim, histori e formim të djathtë, të mbushur me idealizëm dhe me qëndrime koherente që nuk pranuan kompromise ose siç njihen rëndomtë tashmë në Shqipëri, pazare, që mbetën jashtë garës së zgjedhjeve, jashtë garës për karrierë në një PD që ka humbur prej kohësh busullën politike dhe historike. Kjo linjë mendimi më hapësira të limituara dhe duke u përballur me dhunë prej barbarësh është përpjekur duke paralajmëruar e argumentuar se rruga e re e PD ishte e humbur dhe humbja e saj ishte e paralajmëruar.

– Në linjën e dytë, bëjnë pjesë oportunistët që pranuan të luanin nën e mbi tavolinë, me zë të lartë zgjodhën forcën me shpresën se do i’a dilnin e në heshtje poshtë tavolinës kritikonin lidershipi. Këta menduan se “fshati le të digjet”, por ne do të kemi mundësi të bëjmë karrierë e të bëhemi deputet. Pasi i përdori lidershipi ashtu siç ishin paralajmëruar, krejt papritur u zgjuan dhe u kujtuar të bëjnë luftë frontale duke thënë se, kështu PD-ja s’ka të ardhme. Në fakt disa prej nesh i paralajmëruar për fundin e tyre nga 9 shtatori i “Non Gratës” e deri më sot.
Ajo që është për të ardhur keq është fakti se sot PD ngjan si një familje e fortë në një fshatë të tërë me kulakë. Pra, sot, kemi disa që brenda PD kanë privilegje e interesa edhe me pushtetin ndoshta, por kemi shumë demokratë që tashmë ndjehen të praktisur, të humbur dhe nën dhunën e vazhdueshme politike, verbale dhe jo vetëm nga Pushteti. Nëse PD ndjehet mirë kështu dhe po ashtu, nëse demokratët ndjehen mirë si kulakë të pushtetit, të humbur dhe të “dhunuar”, atëherë gjithçka duket në rregull dhe revolucioni të vazhdojë nga fitorja në fitore.

Protestë në Spaç: Kundërshtohet ndërhyrja pa kriter në ish-burgun komunist

Nga Elvis Hila

Për herë të fundit, në Spaç u protestua në vitin 1973 dhe regjimi i Enver Hoxhës u përgjigj me pushkatime dhe dënime të reja me punë të rëndë në minierat e bakrit.

Pesë dekada më vonë, nën diellin përvëlues të të enjtes së parë të qershorit, ish-të burgosur politikë dhe familjarët e tyre u ngjitën sërish në malet e Mirditës, aty ku qëndrojnë rrënojat e burgut famëkeq, për të ngritur zërin kundër një projekti restaurimi që, sipas tyre, po e zhvesh objektet nga historia e tyre.

Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe në funksion të një filmi artistik, disa objekte të Spaçi po suvatohen, duke rrezikuar, siç thonë protestuesit, të fshijnë shenjat e së shkuarës që nuk duhet harruar.

“Me këtë ndërhyrje po tjetërsohet identiteti i të vetmit burg antikomunist që ka ngelur ngelur në Shqipëri,” tha Ethem Fejzullahu, kryetar i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politik të Shqipërisë.

Në emër të të gjithë të ish-të burgosurve të regjimit, ai i bëri thirrje qeverisë të heqë dorë nga ky projekt, i cili sipas tij dëmton identitetin e këtij objekti, pjesë e trashëgimisë historike kolektive.

Fejzullahu shpjegoi se të përndjekurit nuk janë kundër ndërhyrjeve apriori, por theksoi se ata kërkojnë që ato të bëhen konform arkitekturës së këtij simboli të diktaturës komuniste.

“Reagimi dhe qëndresa jonë do të jetë e vazhdueshme, deri në ndalimin e këtyre punimeve” tha ai.

Burgu-kamp i Spaçit u ndërtua nga regjimi i Enver Hoxhës në vitin 1968 për të shfrytëzuar punën e krahut të mijëra të burgosurve politikë në nxjerrjen e bakrit dhe piritit në minierë.

Në të njëjtën linjë me Fejzullahun ishin dhe familjarë të ish-të përndjekurve tjerë politikë, të cilët e konsiderojnë absurditet punimet që po kryhen në këto godina, duke rindërtuar dhe suvatuar mure.

“Është absurditet ajo çfarë po ndodh në këtë simbol të diktaturës komuniste”, tha Kol Nikolli, i cili pranoi se godinat kanë nevojë për përforcim, por jo për mure të reja dhe suva që tjetërsojnë identitetin e tyre.

“Nuk do të ndalemi, derisa qeveria ti thotë ndal këtij projekti që e shkatërron burgun e Spaçit”, shtoi ai.

Ndërhyrjet në ish burgun e Spaçit po bëhen nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në kuadër të përgatitjes për një film artistik që do të xhirohet në ambientet e tij nga regjisori Namik Ajazi. Regjisori, më herët i tha BIRN, se ndërhyrjet po bëheshin me miratimin e kryeministrit Edi Rama, i cili i kishte dhënë një miratim verbal punimeve.

Në mbështetje të protestuesve ishte edhe kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, i cili u bëri thirrje autoriteteve qendrore për reflektim dhe transparencë lidhur me projektin.

“Ish-burgu është monument kulture dhe i tillë, i kemi kërkuar ministrisë transparencë në lidhje me këtë projekt që ka nisur që të zbatohet,” tha Mëlyshi, ndërsa shtoi se bashkia ishte në pritje të një përgjigje zyrtare nga institucionet qendrore në lidhje me këtë çështje.

“Në si pushtet vendor absolutisht nuk jemi dakord, që të dëmtohet identiteti i këtij simboli të rezistencës komuniste,” theksoi ai.

“Ne do jemi në mbështetje të çdo veprimi që do ndërmarrin ish të përndjekurit politik në lidhje më këtë çështje”, përfundoi Mëlyshi./ BIRN

“Kam marrë pjesë në tre zbarkime, shqiptarët na dhuruan kallashnikovë” – Rrëfimi i të penduarit italian: Si funksiononte trafiku i drogës me Shqipërinë

“Fillimisht bëja pjesë në grupin e Pernës. Me Raduanon kisha një telefon “pika-pika”. Ai filloi të më pyesë për zbarkimet dhe i tregova gjithçka”, kështu rrëfen Gianluigi Troiano, 34 vjeç, i njohur si “U’ Minorenne”, bashkëpunëtor i drejtësisë nga Vieste, i cili fillimisht ishte aleat i klanit Iannoli-Perna, të lidhur me malësorët Li Bergolis-Miucci-Lombardone, dhe më pas kaloi në organizatën rivale të Raduanos, edhe ky i penduar.

Troiano ka zbuluar trafikun e drogës “Coast to Coast” midis krimit të organizuar të Garganos dhe Shqipërisë, ku ka treguar mbi transportin e një ngarkese prej 1200 kilogramësh marijuanë qe u transportua në Torino përmes një furgoni.

“Kam marrë pjesë në tre zbarkime. Në njërin prej tyre, skafistët braktisën anijen në Pugnochiuso. Gjatë këtij zbarkimi, Trotta (Omar, i vrarë në 2017) ndodhej në Shqipëri si garanci. Unë kisha një shqiptar që jetonte prej kohësh në Itali. Kemi fjetur në një hotel në Ruggiano.

Kontaktet me shqiptarët i kishte Miucci përmes miqve të tij kalabreze. Miucci kishte organizuar tashmë disa zbarkime me shqiptarët. Ata kërkuan Trottën si garanci sepse më parë dy shqiptarë ishin arrestuar në Vieste me drogë dhe armë. Trotta shkoi në Shqipëri me avion. Kur u kthye, unë dhe Piergiorgio Quitadamo shkuam ta merrnim në aeroportin e Barit, ngarkesa e anijes ishte 1200 kilogramë.

Shqiptarët pastaj fjetën me ne. Ditën tjetër i shoqëruam në San Giovanni Rotondo, ku morën një autobus për të ikur. Pastaj e morëm marijuanën dhe e transportuam në Torino me furgonin e M.R. Atje ia jepnim shqiptarëve të tjerë që kishin një punëtori. Për këtë zbarkim morëm 100 kilogramë marijuanë si shpërblim. E ndamë mes nesh unë, Piergiorgio Quitadamo, Trotta, Claudio Iannoli, Roberto Prencipe, Libero Colangelo dhe Tommaso Tomaiuolo”, tregon ai.

Në një tjetër operacion, siç tregon ai, dy anije zbarkuan në Peschici me 4000 kilogramë drogë, ku 150 kilogramë marijuanë u morën si fitim dhe u ruajtën në një garazh privat deri në dërgimin përfundimtar.

“Më pas bëmë një tjetër zbarkim ku mbërritën dy anije. Një jaht i miqve të Miuccit dhe një gomone i miqve të Quitadamos. Në jaht kishte 3000 kilogramë, ndërsa në gomone 1000. Zbarkimi u bë në një zonë të Peschicit. Ne, unë dhe Piergiorgio, shkarkuam 1000 kilogramët dhe i transportuam me një furgon në një shtëpi fshati në Peschici.

Për 3000 kilogramët morëm si shpërblim 150 kilogramë. Për këtë zbarkim ishim të vetëdijshëm unë, Miucci, Quitadamo dhe Trotta. Pronarit të shtëpisë i lamë 10 kilogramë drogë. Edhe këtë herë e transportuam drogën në Torino.

Me ngarkesën e jahtit erdhën edhe dy Kalashnikovë, një për Miuccin dhe një e mbajti Piergiorgio. Shqiptarët na i dhuruan. Ishin të modifikuar për të qëlluar në breshëri. I provuam në Ruggiano”, thotë ai.

Troiano, duke u përgatitur të kalojë nga klani Iannoli-Perna te klani Raduano, i tregoi gjithçka Marco “Pallone” Raduanos: “I tregova ku ishin fshehur dhe ai ia mori. Në të njëjtën ditë të vjedhjes, Raduano shkoi tek R., telefonoi C.R. dhe i thirri vëllezërit. M. i vodhi një Audi A6 dhe një Rolex pas një sherri dhe i tha se nëse nuk do të kishte paratë, nuk ia kthente.

Kur mori 10 apo 20 mijë euro, plus një furgon, ia ktheu sendet. 150 kilogramët i ruajtëm për një kohë në një garazh në kështjellën që kishte Raduano në dispozicion, pastaj i dërgoi në Molinella ku u sekuestruan.”

Troiano tregon se brenda klanit kishte edhe vrasës profesionistë dhe persona përgjegjës për armët dhe trafikun e drogës, të cilët operonin me kujdes të madh, pa përdorur telefona apo makina, dhe që ruanin marijuanën përpara se ta transportonin më tej.

Ai përmend gjithashtu se një prej tyre ka qenë përgjegjës edhe për trafikun e kokainës në zonën e Manfredonisë.

“Tommaso Tomaiuolo ishte një nga vrasësit e grupit Miucci-Perna. Roberto Prencipe nga mali (i përmendur nga i penduari Pettinicchio si autor i masakrës në San Marco) ishte përgjegjësi i Miuccit për armët, drogën dhe vrasjet. Me të kam pasur kontakte të drejtpërdrejta.

Ai nuk përdorte telefona dhe nuk lëvizte me makinë. Ishte shumë i kujdesshëm. Shkonim direkt në shtëpinë e tij. Të gjithë marijuanën e zbarkimeve e linim tek ai, pastaj ai e transportonte te Miucci. Gjatë zbarkimit në Pugnochiuso, ai shërbeu si stafeta. Di që tregtonte kokainë për Manfredoninë“, ka treguar ai për mediat italiane.

Merz pas takimit me Trump: Jashtëzakonisht i kënaqur nga bisedimet! Gjeta te presidenti amerikan një bashkëbisedues shumë të mirë në nivelin personal

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka vlerësuar maksimalisht takimin me presidentin amerikan Donald Trump, i cili u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë, duke e cilësuar atë si “jashtëzakonisht të frytshëm”.

Në deklaratën për mediat pas takimit, Merz tha se bisedimet kishin qenë konstruktive dhe kishin vendosur themelet për një bashkëpunim të ngushtë në prag të samitit të G7 dhe atij të NATO-s.

“Po largohem me ndjesinë se gjeta te presidenti amerikan një bashkëbisedues me të cilin mund të komunikoj shumë mirë në nivel personal,” deklaroi ai, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë mes dy udhëheqësve.

Merz theksoi gjithashtu se, pavarësisht ndryshimeve në karrierat dhe rrugët politike, ai dhe Trump gjetën pika të përbashkëta që krijojnë, sipas tij, një lidhje të veçantë: “Kemi mjaft gjëra të përbashkëta, edhe pse karrierat tona janë të ndryshme. Kjo lind një mirëkuptim të ndërsjellë.”

Takimi mes dy liderëve vjen në një kohë sfidash të mëdha ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë dhe sfidat në politikën globale të sigurisë, ndërsa pritet që koordinimi SHBA-Gjermani të jetë kyç për qëndrueshmërinë në NATO dhe rendin ndërkombëtar.

Gazeta e njohur italiane zbulon planin e Asllanit: Kërkon një kampionat si protagonist, e synon një ekip me ambicie

Kristjan Asllani me sa duket po mendon seriozisht largimin nga Interi gjatë kësaj vere. Edhe pse rinovoi vetëm një vit më parë me zikaltrit, mesfushori shqiptar po merr në konsideratë idenë që të largohet nga skuadra me të cilën pak ditë më parë luajti në finalen e Ligës së Kampioneve.

Nuk është nga zhgënjimi i asaj finaleje të humbur, por nga fakti se Asllani tashmë mendon se ka ardhur koha që të luajë në një klub ku të ketë minutat e duhura dhe jo rolin e zëvendësuesit të emergjencës, siç është te Interi.

“Corriere Dello Sport” bën të ditur se Bolonja është klubi më i interesuar për futbollistin, pasi trajneri Italiano e sheh si një lojtar që mund të bëjë mirë në skemat e tij. Këtu hyn në skenë edhe vetë dëshira e lojtarit pasi sipas gazetës italiane “ka dëshirën të luajë në kampionat si protagonist dhe jo në rol dytësor”.

Pengesa për hapjen e negociatave me Interin për transferimin te Bolonja, është fakti se zikaltrit janë në kërkim të një trajneri të ri dhe për momentin kanë bllokuar të gjitha lëvizjet në dalje.

Lëng luleshtrydhesh kundër kolesterolit dhe pro zemrës, zbuloni funksionet e dobishme për trupin e njeriut

Lëngu i luleshtrydheve përmban një pasuri vlerash unike shëndetësore dhe mbart veti dhe funksione mjaft të dobishme për trupin e njeriut.

Akademikët dhe studiuesit kanë analizuar efektet e lëngut të luleshtrydheve në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe kanë dalë në disa përfundime shumë të rëndësishme.

Studimet e tyre provojnë shkencërisht se luleshtrydhet përmbajnë disa substanca natyrale të cilat luajnë rol shumë mirëbërës në organizëm.

Këto substanca me bazë proteinike sjellin një kombinim të fuqive antioksidante dhe çlirojnë një sërë reagimesh të vlefshme në organizëm sidomos për rritjen e imunitetit , uljen e numrit të lipideve dhe zvogëlimin e kolesterolit në gjakun që qarkullon në organizëm.

Konsumimi i luleshtrydheve dhe aq më tepër i lëngut të luleshtrydheve që ofron më shumë sasi të produktit të konsumuar redukton fuqishëm nivelet e larta të kolesterolit të keq.

Gjithashtu funksionet e lëngut të luleshtrydheve përfshijnë uljen e prekshmërisë nga sëmundja e diabetit të tipit 2 dhe një mbrojtje shumë herë më të madhe nga sëmundjet dhe problemet e zemrës.

Kjo pije e kuqe është një dashuri më vete, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për të moshuarit. Në përbërës i veçantë kimik i quajtur fisetin ndihmon të luftojë efektet e diabetit në fazat e para të tij, ul tensionin e gjakut dhe parandalon sëmundjen e Alzhaimerit tek të moshuarit.

Luleshtrydhja i bën mirë zemrës. Ajo përmban folat, vitaminë C dhe fibër. Ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit. Rrit nivelin e kaliumit në gjak e rrjedhimisht mban tensionin e gjakut nën kontroll.

Duke qenë se kjo periudhë është koha më e duhur e vitit për të përfituar nga luleshtrydhet e kultivuara në Shqipër, atëherë nuk duhet ta humbni këtë rast. Çmimet e luleshtrydheve në tregun vendas janë në nivelet më të ulëta, ndaj është momenti i mirë për lëngun e luleshtrydheve.

Në rast se doni të përgatisni vetë lëngun e luleshtrydheve, atëherë do t’ju duhen rreth 2 kilogram luleshtrydhe, 3 mollë dhe gjysëm litri ujë. Pastrojini luleshtrydhet, lajini dhe grijini në makinën grirëse. Më pas pastroni mollët dhe pritini në copa të cilat i grini së bashku edhe një herë me luleshtrydhet. shtoni ujin dhe grijeni të gjithë masën për 1 minutë. Shtoni lëngun e një gjysme limoni.

Lëngu juaj i luleshtrydheve do të jetë gati për t’u pirë pa u kulluar pasi edhe mushti i luleshtrydheve ka fibër të mirë. Ju do të merrni një shije magjike, ndërsa organizmi do të përfitojë vlera unike mirëbërëse./AgroWeb.org

Emigracioni po zbraz shkollat dhe universitetet shqiptare

Nga Arbjona Çibuku/ citizens.al

Mimoza Rexhvelaj, mësuese me mbi 20 vite përvojë, nuk ndan vetëm dije në klasën e saj kolektive në Malësinë e Madhe, por edhe shpresën për një të ardhme më të mirë në zonat malore të Shqipërisë. Prej vitit 2015, ajo jep mësim në shkollën 9-vjeçare “Linaj”, të cilën aktualisht e ndjekin vetëm 10 nxënës nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

“Kam 90 minuta për të shpjeguar tetë tema për katër klasa të ndryshme. Shpesh ndjej se nuk po i jap fëmijëve atë që meritojnë,” rrëfen ajo për Citizens.al.

Mimoza përballet me një realitet të ashpër: rrugët e paasfaltuara, mungesa e investimeve dhe braktisja graduale e komunitetit.

Ajo kujton se transferimi në këtë shkollë, në një zonë të izoluar, ndodhi për arsye politike. Për shtatë vite, e përshkonte çdo ditë në këmbë rrugën e gjatë, ndërsa sot, ndërron tre autobusë për të mbërritur në vendin e punës.

Shkollat po mbyllen, nxënësit po largohen

Vetëm në qarkun e Shkodrës, në pesë vitet e fundit janë mbyllur 10 shkolla. Emigrimi është ndër faktorët kryesorë, që nxitet prej mungesës së investimeve dhe pamundësisë për një jetë të denjë.

Rexhvelaj tregon se emigrimi ka prekur dhe familjen e saj ku vajza, pasi kreu studimet për mjekësi, është larguar nga vendi.

“Nëse as unë nuk mund t’i mbaj fëmijët e mi këtu, çfarë mund t’u them nxënësve?” ngre si pyetje retorike mësuesja e shkollës “Linaj”.

Shkolla 9-vjeçare në Linaj, Malësi e Madhe/Facebook.

Zyrtarisht në qarkun e Shkodrës 229 klasa janë kthyer në klasa kolektive. Në nivel kombëtar, për vitin shkollor 2024–2025, numërohen plot 18,641 nxënës në 2,320 klasa kolektive (link tabela e zonave) – një simptomë e qartë e emigrimit masiv dhe rënies së lindshmërisë.

Në Kukës, situata është edhe më dramatike. Mësuesi Besmir Muslia, nga shkolla “Hamdi Pelivani” në Orgjost, tregon se fshati po zbrazet. Emigracioni për shkak të kushteve të vështira, mungesa e martesave dhe rënia e lindjeve janë faktorët kryesorë që po e tkurrin sistemin arsimor lokal.

Zona është e banuar kryesisht nga pakica kombëtare bullgare, njohur zyrtarisht në vitin 2017.

“Shumë familje këtu aplikojnë për pasaporta bullgare për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe punësimit në BE,” thotë Muslia duke konfirmuar dëshpërimin për një jetë më të mirë.

Aktualisht në Kukës numërohen 214 klasa kolektive dhe dhjetëra shkolla të mbyllura. Zyrtarisht ministria e Arsimit thotë se në 10 vitet e fundit janë mbyllur 22% e shkollave 9-vjeçare.

Si mësues që po edukon një brez, i cili i ka sytë larg vendit, Muslia thotë se kjo e bën të ndihet i zhgënjyer.

“Përfaqësoj një brez që u rrit me shpresa pas diktaturës dhe si brez i ri besuam dhe menduam se ky vend do të bëhej,” shprehet ai.

Besmir Muslia, mësues biologjie në shkollën “Hamdi Pelivani”

Nga shkollat e zbrazura te universitetet në rënie

Problemi përhapet si zinxhir. Universitetet publike në rrethe po përballen me mungesë drastike të studentëve. Sipas një raporti të Qëndresës Qytetare, 49.22% e programeve të studimit rrezikojnë të mbyllen.

Universiteti i Gjirokastrës ndodhet në një situatë alarmante: 80.95% e programeve kanë më pak se 10 studentë të regjistruar dhe me këtë prirje, njohësit e sistemit arsimor paralajmërojnë se mungesa e vizionit dhe investimeve rrezikon ta shndërrojë arsimin e lartë në një strukturë të pashpresë.

Raporti tregon se në krahasim me një vit më parë, numri i programeve në rrezik është rritur me 23.16%. Me këtë prirje, deri në vitin 2028 universitetet në rrethe mund të mbyllen për mungesë studentësh.

Përballë kësaj situate si politikë arsimore që u mendua se do ta frenonte këtë prirje ishte aplikimi i bursave për programet prioritare. Mirëpo sipas raportit, kjo politikë ka dështuar, pasi aktualisht 87.5% e programeve prioritare mbeten në rrezik mbylljeje – nga 24.5% që ishte një vit më parë.

Të dhënat e Censit dhe Institutit të Statistikave nuk janë shpresëdhënëse. Vitin e shkuar, pati një rënie me 6.8% të numrit të studentëve (nga 38,618 në 36,151) ndërsa popullsia në tërësi rezulton të jetë tkurrur me rreth 400 mijë njerëz gjatë periudhës 2011-2023 duke shkuar në 2.4 milionë banorë.

Një e ardhme “pa arsim

Aleko Miho, pedagog në Universitetin e Tiranës që prej vitit 1985, e përshkruan situatën si rrënuese. Ai sjell një reflektim të thelluar për transformimin e arsimit të lartë dhe thekson se pas viteve ’90-të, liberalizimi pa planifikim afatgjatë, solli një orientim drejt disa degëve dhe braktisje të degëve të tjera.

Miho thotë se degë si biologjia, që dikur kanë qenë themeli i zhvillimit shkencor, aktualisht po braktisen. Në vitin 2024 pati vetëm 33 të regjistruar (2021, 90).

“Numri i studentëve në degët e shkencave natyrore është ulur tre herë krahasuar me pesë vite më parë. Po humbasim profesionistë në fusha kyçe ndërkohë që konkurrenca me arsimin privat thellon pabarazinë,” thekson ai.

Përballë kësaj situate Miho bën thirrje për rishikim dhe reformim të sistemit duke përfshirë kuotat e universiteteve. Ai sugjeron mbështetje më të madhe financiare dhe orientim më të qartë drejt nevojave për zhvillim kombëtar.

Për njohësin e politikave arsimore, Kolindo Vjerdha, njëherësh aktivist i “Qëndresës Qytetare” kjo është një krizë që kapërcen shifrat.

“Arsimi po prodhon diploma që nuk gjejnë vend në tregun vendas të punës. Kjo e bën gjithë sistemin jofunksional,” shprehet ai.

Sipas tij ministria e Arsimit ka mungesë vizioni dhe qasje të fragmentuar sa i përket shërbimit të një zgjidhje. Në këtë pikë ai tregon si shembull faktin se të rinjtë po orientohen drejt degëve që ofrojnë punë jashtë vendit.

“Nuk është vetëm dëshirë për profesion, por strategji emigrimi,” thekson Vjerdha.

Me një buxhet prej vetëm 2.54% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Shqipëria mbetet e fundit në rajon për investimet në arsim.

Ekspertët e çështjes së arsimiit vlerësojnë se rënia e ndjeshme e numrit të nxënësve dhe studentëve, është pasojë direkte e emigracionit masiv. Majlinda Keta, eksperte në fushën e arsimit shprehet se ky emigracion është një kërcënim ekzistencial për shqiptarët në tërësi.

“Shkaku i këtij emigracioni janë modelet jo efektive të zhvillimit të vendit dhe mungesa e një politike strategjike efektive dhe besimofruese për zhvillim e mirëqeverisje nga dy partitë e mëdha në vend për të rinjtë dhe familjet e reja”, u shpreh për Citizens Keta.

Sipas saj, shumë të rinj dhe familjet e tyre shfrytëzojnë dëshirën për të studiuar jashtë si një instrument për të siguruar një emigracion të ligjshëm. Keta thekson se, ndonëse jo të gjithë përfundojnë studimet universitare, ata përfitojnë nga mundësitë për qëndrim dhe punësim në vendet pritëse, ku më pas ndërtojnë edhe familjet e tyre të reja.

Në këtë dinamikë, vëmendje të veçantë merr fakti që elita e ardhshme shqiptare, nxënësit e shkëlqyer, tashmë përzgjidhen nga universitete të njohura ndërkombëtare dhe përfitojnë bursa mbështetëse për studime.

Në këtë kontekst, Majlinda Keta mbron idenë se nuk duhet fajsuar vetëm Ministria e Arsimit për këtë situatë, duke theksuar se “ajo është pjesë e zgjidhjes”. Për të ndaluar këtë trend negativ, ajo apelon për një politikë gjithëpërfshirëse në të gjitha fushat që prekin jetën e të rinjve: rinore, shëndetësore, sociale, arsimore, të sipërmarrjes dhe karrierës.

“Arsimi si një nga punëofruesit më të mëdhenj duhet të prodhojë jo thjesht arsim cilësor në shkolla dhe universitete, por edhe të jetë modeli ku karriera dhe protagonizmi në lidership të bazohet në meritë, drejtësi dhe vlerësim mbi standarde”, përfundon ajo.

Mërtiri: Rama rrëzohet vetëm nëse Berisha ikën nga PD-ja

Partia Demokratike dhe Sali Berisha po shtiren për farsën elektorale me qëllim që të tërheqin vëmendjen për të mos lëshuar opozitën dhe postin, pasi nuk kanë asnjë provë për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit.

Pa ikur Berisha nga PD-ja, Edi Rama nuk rrëzohet kurrë nga pushteti, pasi ata kanë marrëveshje dypalëshe, ku njëri qëndron në pushtet dhe tjetri kontrollon opozitën.

Kjo ishte prognoza politike që bëri gjatë analizës së tij në ‘Studio Live’ të Report Tv, me moderatorin Arbër Hitaj, analisti politik Ergys Mërtiri.

Ai i qëndroi tezës se PS dhe PD kanë marrëveshje mes tyre duke krijuar situata bipolarizimi politik artificiale, duke iu referuar edhe ngjarjeve në Kuvend ditën e sotme, gjatë seancës plenare (5 qershor). Berisha, sipas tij, nëpërmjet sulmeve për farsë elektorale, kërkon që të shtypë edhe zërat kundër që ka në parti.

“Duket si normale kjo situatë, opozita krijon stuhi në gotë bosh. Kërkon të krijojë tensione artificiale. Kërkon të krijojë atë që ta quajë polarizim të politikës. Në fakt është situatë ku dy palë janë bashkë në atë që krijojnë, ku konflikti manipulohet, kjo njihet në teorinë politike si ‘politikë e simuluar’. Ato janë në mbrojtje të statuq-quo-së, sepse duke ruajtur atë, mbrojnë edhe sistemin”, tha Mërtiri në nisje të analizës së tij për situatën politike në vend, referuar edhe zhvillimeve të ditës së sotme në Kuvend, përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës.

Ai i qëndroi argumentit se PS dhe PD kanë marrëveshje të përbashkëta dhe inskenojnë bipolarizimin e politikës në mënyrë të qëllimtë, për të kontrolluar elektoratin.

“Ekspertët e politikës thonë se duke shpikur një problem të paqenë, që nuk ekziston, faktorizohet politika, tërhiqet vëmendja dhe zhvendoset nga disa pika të tjera apo çështje të ditës dhe kështu zhvendoset elektorati. Ndaj bëhet, që të bipolarizohet situata. Berisha krijon farsë për këtë qëllim dhe në krahun tjetër Rama e faktorizon duke i thënë jo bufi, jo këneta. Madje kanë bërë konsensus të shpifur me kod elektoral, që të vrisnin partitë e vogla dhe të përqëndronin votat, ku njëri rri në opozitë dhe tjetri në pushtet. PS dhe PD bënë një kod elektoral kundër të vegjëlve”, vijoi analisti komentin e tij.

Madje ai vuri edhe një ‘bast’ publik politik, duke thënë se nëse Berisha nuk ikën, Rama nuk bie kurrë nga pushteti dhe anasjelltas, largimi i kreut të PD-së, do sillte edhe rrëzimin e shpejtë të kryeministrit.

Në gjyq për abuzim me tendera, deputeti socialist vë në shënjestër ILD-në

Nga Blerina Gjoka/ BIRN

Deputeti i Partisë Socialiste Plarent Ndreca, i cili është në gjykim nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit tër Organizuar – për abuzim me tenderat në kohën kur ishte Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, ka ndërmarrë të enjten një sulm publik ndaj Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) se ka refuzuar të nis hetim disiplinor ndaj prokurorëve të çështjes së tij.

“Pas një heshtjeje të gjatë dhe pas dy shkresave të mia dërguar edhe gjithë autoriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare që merren me drejtësinë, më në fund ka ardhur një përgjigje shkresore nga ILD, cila provon vetëm një fakt: dështimin e këtij institucioni dhe bashkë me të, dështimin e një instrumenti kushtetues për zbatimin e parimit “kontroll dhe balancë” midis pushteteve”, shkruan Ndreca në Facebook.

Sipas tij, ILD ka mbyllur sytë para shkeljeve kushtetuese të prokurorëve që kanë hetuar çështjen ku ai është në gjykim. Refuzimi i ILD-së për të marrë parasysh kërkesën e tij, sipas Ndrecës, “…nuk është thjesht diskreditim institucional i ILD-së, por një rrezik eminent për funksionimin e balancuar të superstrukturës shtetërore”

Ndreca ka publikuar më tej një ankesë publike dërguar ILD-së dhe institucioneve dhe organizatave kombëtare e ndërkombëtare, ku pretendon se të qënit deputet i jep atributin për të kërkuar angazhimin e ILD-së në kontrollin e prokurorëve konkretë.

ILD nuk i komentoi akuzat. “Çdo pretendimi të ngritur nga z. Ndreca i është kthyer përgjigje shteruese në letrën dërguar atij”, i tha BIRN-it zëdhënësja e këtij institucioni, Mimoza Koçiu.

Sulmi i Ndrecës ndaj ILD-së dhe prokurorëve të SPAK, sipas ekspertëve të së drejtës cenon balancat midis pushteteve. Ai gjithashtu bie ndesh me deklarimet e kryeministrit Edi Rama, i cili premtoi pas fitores së mandatit të katërt në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, se Partia Socialiste do ta mbronte pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.

“Ne kemi në dorë dy gjëra për fatin e drejtësisë në Shqipërinë 2030,” tha Rama, në një fjalim përpara deputetëve socialistë në Pallatin e Brigadave me 26 maj.

“E para duke udhëhequr me forcën e shembullit dhe e dyta të jemi mburojë e institucioneve të drejtësisë duke nisur nga SPAK që do të vijojmë ta mbështesim,” shtoi kryeministri.

“Përveç gjërave që nuk shkojnë, mësimi nga historia jonë është që pavarëisa e drejtësisë dhe mbrojtja e saj me çdo kosto është e vetmja rrugë”, theksoi ai.

Ndreca e mori mandatin e deputetit në fillim të 2024-ës pas heqjes së mandatit ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili është në arrati, i akuzuar nga SPAK për korrupsion në aferën e inceneratorëve.

Ndërkohë Ndreca po gjykohet për abuzimet me tenderat në Ministrinë e Brendshme ku ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm dhe sipas akuzës ka favorizuar në shkelje të ligjit arkitektin Gjon Radovani për të fituar tendera me vlerë 34 milionë lekë.

Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, bashkëpunuan në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, duke shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet publike.

Të pandehurit, të udhëhequr nga Ndreca, akuzohen se kanë kryer shkelje ligjore në fazat e tenderit për të shpallur fitues shtetasin Gjon Radovani, pavarësisht mospërmbushjes së kritereve ligjore nga ky i fundit.

Ministria e Brendshme në kontratën “Studimi dhe Projektimi i disa objekteve të Policisë së Shtetit” kishte caktuar një vlerë totale prej 54,2 milionë lekësh pa TVSH për katër objekte policore. Por kjo vlerë u ndryshua duke zvogëluar numrin e objekteve në 2 dhe reduktuar vlerën në 34,2 milionë lekë. Prokuroria vlerëson se kjo u bë për të favorizuar fituesin.

Për organizatat e të drejtave të njeriut që monitorojnë punën e Kuvendit dhe të funksionimit të Reformës në Drejtësi, sjellja e Ndrecës është një abuzim i hapur me funksionin e deputetit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, një prej organizatave që u drejtohet ankesa publike e Ndrecës ndaj ILD-së, e sheh sjelljen e Ndrecës në tejkalim të dispozitave ligjore dhe përdorimin e funksionit kushtetues të deputetit.

“Çdo shtetas i prekur nga veprimet/mosveprimet e magjistratit ka të drejtë të ankohet tek ILD”-thotë Erida Skëndaj, drejtoreshë e KSHH-së. Por, megjithatë, ajo shton se “duke marrë në konsideratë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pavarësinë e gjyqësorit dhe institucioneve qeverisëse të tij si dhe standartet për parandalimin e konfliktit të interesit në raport me detyrën publike, për zyrtarët e nivelit të lartë, përfshi këtu të zgjedhurit në Kuvend, kjo nuk duhet të realizohet duke përdorur njëkohësisht tagra të funksionit publik (qoftë deputet, ministër, etj).”

Më tej Skëndaj sugjeron se duke i qëndruar parimit ‘të gjithë janë të barabartë para ligjit, çdo funksionar publik ashtu si dhe qytetarët e thjeshtë mund të ankimojnë vendimet e ILD-së pranë këshillave drejtues të sistemit të drejtësisë.

“Në të kundërt, sipas parashikimeve të ligjit nr. 115/2016 i ndryshuar “Ndërhyrja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë (sikurse perceptohen qëndrime të tilla publike) në funksionet e Inspektorit për kryerjen e verifikimeve të ankesave, hetimeve dhe inspektimeve, ose në lidhje me ndonjë subjekt të caktuar shkakton përgjegjësi sipas ligjit”- thekson ajo.

Edhe Rigels Xhemollari, drejtor i “Qendresa Qytetare” e sheh sjelljen e Ndrecës si përdorim i mandatit të deputetit për të sulmuar organet e drejtësisë.

“Kërkon të shfrytëzojë edhe muajin e fundit si deputet për të goditur SPAKU-n, nëpërmjet një institucioni të tretë, ose për t’i bërë presion këtij të fundit që të vihet në shërbim të mbrojtjes së tij”, i tha BIRN-it Xhemollari.

Ai shtoi se , nuk e shikon sulmin e Ndrecës si një sulm të koordinuar të mazhorancës ndaj drejtësisë.

“E shoh si një grahmë të fundit të një individi që ka frikë të përballet me akuzën”, përfundoi Xhemollari.

Përmbytjet – na mori lumi tokë dhe para

Nga SEBI ALLA

“Sa herë vjen lumi, toka ime është pothuaj e para që përmbytet”-thotë Bardhi, një 40-vjeçar nga fshati Darragjat

Lumi Drin, në mesin e majit është i qetë dhe ngjan sikur nuk bën dëm, por mjaftojnë shirat e vjeshtës dhe dimrit, e sidomos nëse ndodh hapja e digës së Hidrocentralit të Vaut të Dejës, që thuajse e gjithë zona e Nënshkodrës të përmbytet, duke sjellë pas pasoja ekonomike dhe jo vetëm. “Çdo tokë e përmbytur nuk është më si më parë. Përmbytjet në disa raste e pasurojnë tokën me lym, por ka edhe fenomene të ledhizimit, gërryerjeve dhe inerteve të ngurta të cilat tokat bujqësore mund t’i degradojnë”-thotë për Faktoje.al eksperti i çështjeve mjedisore, Lavdosh Ferruni. Përveç panikut, dëmtimit të banesave, stallave, bagëtive dhe dhe bimëve bujqësore, fatura që vjen pas është e lartë. Një studim i Bankës Botërore i publikuar në vitin 2022 përllogariti një dëm prej 2.3 miliardë dollarë i shkaktuar në 33 vitet e fundit në Shqipëri. Përveç ndryshimeve klimaterike që ndikojnë në përmbytje, prerja e pyjeve dhe dëmtimet e shtrateve të lumenjve sollën pasoja të mëdha në vendin tonë.

Rreziku në prag

Foto Atdhe Mulla

Vendi ynë renditet me risk të lartë nga rreziku i përmbytjeve. Zonat më problematike janë ultësira përënëdimore, veçanërisht pjesa e Nënshkodrës, kryesisht nga vërshimi i lumenjve Drin dhe Bunë, por edhe Vjosa në jug të vendit.  “Në vitet 2010-2011 kemi pasur shumë dëme. Një pjesë e banorëve mori dëmshpërblim, nga 1-3 milionë lekë të vjetra”-thotë një banor i fshatit Dajç, ndërsa shton se u dhanë edhe ushqim për bagëtitë. Ai gjithashtu shton se edhe në vitet 2017-2018 patën dëme nga përmbytjet, por nuk kanë marrë ende dëmshpërblim, pavarësisht se ekipet e emergjencave civile dhe të pushtetit lokal plotësuan disa formularë mbi dëmen e konstatuara. Në të dyja anët e Lumit Drin, sidomos në afërsi të grykëderdhjes janë ngritur disa argjinatura, duke sjellë një lloj stabiliteti, i cili më shumë ka ardhur nga intesiteti i ulët i rreshjeve. “Ushtria ngriti disa argjinatura në vitet 2010-2011, ndërsa më pas ka pasur ndërhyrje në pastrimin e kanaleve”-thotë për Faktoje.al një tjetër banor i fshatit Darragjat.

Çfarë e “tërbon” Drinin?

Tre kaskada Hidrocentralesh mbi lumin Drin përveç prodhimit të anergjisë elektrike do të shërbenin edhe si tampon për të mos lejuar përmbytjet nga intesiteti i lartë i rreshjeve, por në disa raste keqmenaxhimi i digave solli përmbytje masive. “Prania e 3 digave të mëdha në një seri favorizon ruajtjen e vëllimeve të mëdha të ujit, megjithëse, në rast mosfunksionimi, ose vonesa në rregullimin e derdhjes mund të favorizojnë përmbytjet në drejtim të rrjedhës së poshtme, veçanërisht nëse ka një mbivendosje me valët e përmbytjeve që vijnë nga Mali i Zi (Liqeni i Shkodrës)”-thuhet në raportin e hartuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila i referohet lumit Drin dhe Bunë.

Ndërtime pranë zonës së rrezikut

Ndonëse shkakun kryesor të përmbytjeve ekspertët e lidhin më dëmtimin masiv të pyjeve dhe devijimin nga shfrytëzimi pa kriter i shtratit të lumenjve, një tjetër fenomen lidhet me ndërtimet.

“Prerjet e pyjeve janë shkaktari kryesor i përmbytjeve, pasi eleminimi i pemëve të larta bën që uji të vërshojë me intesitet të lartë në lumenj dhe tejmbushja e tyre shkakton përmbytje”-thotë eksperti i çështjeve mjedisore Lavdosh Ferruni, ndërsa sugjeron se përmbytja në të vërtete nis nga zonat malore për tu kthyer në mjaft problematike në ultësirën perëndimore, veçanërisht në afërsi të grykëderdhjes së lumenjve. Nga ana tjetër banesa të shumta dhe njësi shërbimi janë ndërtuar pas viteve 90’ në zona fushore dhe shumë pranë brigjeve të lumenjve. “Në dekadat e fundit, presioni antropogjen në fushën e përmbytjeve është rritur ndjeshëm, duke përfshirë zhvillimin e paplanifikuar, urbanizimin e shpejtë dhe ndërtimin e vendbanimeve të reja në zonat me risk të lartë përmbytjeje”-konstaton Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Përmbytjet në qytete

Në dy vitet e fundit po shihet një problematikë përmbytjesh edhe në zonat urbane, të cilat më parë nuk përfshiheshin në pjesën e rrezikut. Një prej tyre është edhe Vlora dhe sipas eskspertit të mjedisit Lavdosh Ferruni kjo situatë lidhet me intesitetin e ndërtimeve. “Ndërtimet me intesitete të lartë dhe betonizimi i pjesëve periferike ka bërë që të shtohen rastet e përmbytjeve edhe në zonat urbane, veçanërisht në Vlorë, por edhe qytetate të tjera”-thotë Ferruni. Sipas tij, në situatë të tillë për të ndaluar këtë fenomen nevojiten edhe ndërhyrje ligjore. “Nevojitet detyrim ligjor që një hapësirë e caktuar e territorit pranë zonave urbane të mos preket nga ndërtimet, por të lihet në mënyrë natyrale, sepse nëse preket ndikon drejtëpëdrejtë në prishjen e skosistemit dhe përmbytjet janë pasojë”-shprehet eksperti mjedisor Lavdosh Ferruni.

Foto Atdhe Mulla

Investimet e munguara

Pavarësisht shtimit të fondeve për ngritje argjinaturash dhe hapjes së kanaleve kulluese, për dy vitet e ardhshme parashikomet buxhetore për parandalimin e përmbytjeve janë më të ulëta dhe mund të sjellë rrezik përmbytjesh, e ndikuar edhe nga ndryshimet klimaterike. Në parashikimet e buxhetit fillestar 2025 dhe buxhetet paraprake për 2026 për programin e Ministrisë së Bujqësisë “Menaxhimi i infrastruktures se kullimit dhe ujitjes”, kemi një rritje të buxhetit të planifikuar, duke shkuar nga realizuar 2.15 miliard lekë në 2023, dhe planifikuar2.55 miliard lekë në 2024, duke shkuar përkatësisht 2.88 miliard lekë në 2025 dhe 2026. “Ajo çfarë vërëhet si problematike për buxhetin paraprak të vitit 2027 është një ulje e shpenzimeve kapitale, pra e investimeve, ndërkohë që shpenzimet korrente, ato administrative dhe paga janë planifikuar që të rriten”-thotë për Faktoje.al eksperti i ekonomisë Ilir Brasha, teksa shton se “buxheti 2027 parashikon më pak investime në përmirësimin e ujitjes dhe kullimit por edhe në parandalimin e përmbytjeve”.

12 projekte, më shumë se gjysma në pikëpyetje

Nga monitorimi i statusit të zbatimit të 12 masave për ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet rezistente ndaj klimes, 4 nuk kanë filluar, 1 është bërë plan

i për zbatim në afat të shkurtër, 5 janë në vazhdim, dhe 2 janë të pasigurtë. “Shumica e projekteve të ndërmarra për parandalimin e përmbytjeve nuk janë filluar akoma, gjë që tregon një realizim të ulët të masave që duhet të ndërmerren për të siguruar digat dhe mbrojtjen nga përmbytjet”-konstaton eksperti Brasha.

Përfundimi

Vendi ynë vijon të jetë i rrezikuar nga përmbytjet ku përveç ndikimit nga faktorë lokalë si prerja e pyjeve, dëmtimi i lumenjve dhe ndërtimet pa kriter shtohen edhe ndryshimet klimaterike që kanë ulur ditët me shi, por rritur rrezikun e përmbytjeve nga intesisiteti i lartë në periudha që nisin rreshjet. Investimet për ngritjen e argjinaturave dhe pastrimin e kanaleve kryesore kulluese nuk janë në nivelin e kërkuar, ndërsa plani kombëtar për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, përfshi edhe përmbytjet nuk shoqërohet me buxhetin e nevojshëm./ faktoje.al