19.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Arsenal “zhduk” 17 futbollistë në një ditë të vetme: mes tyre Jorginho dhe Sterling

Është kohë bilancesh, programimesh dhe manovrash të mëdha për klubet. Një shembull? Arsenal ka njoftuar “largimin” e plot 17 futbollistëve, duke publikuar në faqen zyrtare listën e atyre që do të largohen nga “Emirates Stadium”. Një listë shumë e gjatë që përfshin lojtarë të skuadrës së parë, të ekipit të të rinjve dhe futbollistë të huazuar që janë gati të rikthehen në bazë. Një “restyling” i vërtetë, që përfshin edhe emra të rëndësishëm si Jorginho, Kieran Tierney dhe Sterling, të destinuar për t’u larguar.

Lista është shumë e gjatë: mes tyre edhe Jorginho

Në të vërtetë, një praktikë kaq drastike nuk është e pazakontë në Angli, ku në fund të sezonit klubet bëjnë publike emrat e lojtarëve që do të largohen. Kështu ka bërë edhe Arsenal, duke zyrtarizuar ndarjen e afërt me 17 futbollistë. Mes tyre spikasin Jorginho dhe Kieran Tierney, të dy me kontrata në përfundim. Mesfushori i përfaqësueses italiane, kampion Europe në vitin 2021, është pranë Flamengos si lojtar i lirë, ndërsa mbrojtësi skocez mund të rikthehet te Celtic.

Sa i përket rikthimeve nga huazimet, Neto dhe Raheem Sterling do të kthehen në klubet respektive. Ky i fundit, në veçanti, ka ende dy vite kontratë me Chelsean, por e ardhmja e tij mbetet e pasigurt.

Duke përjashtuar këta katër emra (Jorginho, Neto, Sterling dhe Tierney), pjesa tjetër e listës i përket të rinjve të akademisë që janë gati të largohen: Nathan Butler-Oyedeji, Reece Clairmont, Khayon Edwards, Jakai Fisher, Romari Forde, Jimi Gower, Jack Henry-Francis, Max Kuczynski, Salah-Eddine Oulad M’Hand, Ismail M’Hand, Brian Okonkwo, Elian Quesada-Thorn dhe Zacariah Shuaib.

 

Kush mund të rinovojë me Arsenal

Kësaj liste të gjatë i shtohen edhe tri futbolliste të ekipit të femrave dhe disa lojtarë që janë në negociata për rinovim. Një situatë ende pezull që mund të përfundojë me ndarje. Mes tyre është edhe Thomas Partey, në qendër të zërave të merkatos që e lidhin me Barcelonën, Atlético Madrid dhe Juventus. Me pak fjalë, ai i Arsenal është një rinovim i thellë dhe ambicioz.

Plazhet i kanë marrë privatët; Blendi Gonxhja bën tender 1.2 milionë Euro për pastrimin e tyre

Heqjen e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara nga Ministria e Brendshme dhe kalimin e saj në vartësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Edi Rama e paraqiti si një akt për të shmangur korrupsionin masiv që shoqëronte këtë agjenci.

Por në realitet, ai thjesht ia hoqi atë “çakajeve” të Ministrisë së Brendshme dhe, prej datës 1 mars 2024, tenderët e posaçëm që kryhen në emër të Kryeministrisë, ministrive dhe shumë institucioneve të tjera ia kaloi ministrit të tij të preferuar, Blendi Gonxhja, duke i dhënë dorë të lirë mbi një burim të ri për vjeljen e fondeve publike. Një nga këto tenderë është ai për pastrimin e plazheve në territorin e gjashtë bashkive, ndarë në dy lote dhe zhvilluar me dy procedura të ndara.

Loti i parë ka një vlerë prej 260 mijë euro me TVSH dhe ka si objekt pastrimin e plazheve në territorin e Bashkisë së Shkodrës, dhënë kompanisë “Alko Impex Construction”. Loti i dytë është në vlerën 1 milion e 40 mijë euro me TVSH dhe përfshin pastrimin e plazheve në Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë dhe Fier, dhe është dhënë kompanisë “Fusha sh.p.k.”.

Plazhet i kanë marrë privatët; Blendi Gonxhja bën tender 1.2

Në aspektin formal, sipas ligjit për prokurimet publike, të dy kompanitë kanë aplikuar dhe kanë fituar tenderët përkatësisht me ofertat e tyre. Por ministri Blendi Gonxhja, nën maskën e agjencisë në vartësi të tij, ka zhvilluar një proces tërësisht jashtë kompetencave të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Së pari, sepse të gjitha bashkitë përkatëse kanë ndërmarrje pastrimi dhe është detyrë e tyre ligjore të pastrojnë plazhet me fondet e veta ose nëpërmjet grandëve të akorduara nga qeveria.

Së dyti, sepse një pjesë e madhe e vijës bregdetare u është dhënë me kontrata përdorimi hoteleve, resorteve dhe operatorëve të lidhur me pushtetin, të cilët, sipas kontratave të lidhura me Ministrinë e Mjedisit dhe bashkitë, janë të detyruar t’i pastrojnë vetë këto hapësira. Pra, kemi një shërbim që ose është i kryer, ose duhet të kryhet nga dikush tjetër, dhe jo nga buxheti i shtetit.

Me këtë manovër, Blendi Gonxhja, i njohur si mjeshtër i pazareve me letra dhe procedura fiktive, ka ndërtuar një skemë të qartë për përfitime dhe shpërblime politike nëpërmjet tenderëve të fryrë e të panevojshëm. Fakti që kjo bëhet për shërbime që janë tashmë të kontraktuara ose të detyrueshme nga përdoruesit privatë të bregdetit, e bën këtë tender një akt të pastër abuzimi me fondet publike. Dhe kur fondet bien në dorë të Gonxhes, historiku ka treguar se ai i trajton si asete private, të kalueshme nëpër kanale të mirënjohura “të larjes” me dokumente të firmosura me emra publikë. /Pamfleti

Të ardhurat e kompanive celulare rriten, ndërsa numri i klientëve tkurret

Nga Gjergj Erebara

Pas disa vitesh situate stanjative të shkaktuara kryesisht nga rënia e popullsisë dhe, rrjedhimisht, rënia e numrit të përdoruesve të telefonisë celulare, kompanitë që operojnë në këtë treg siguruan të ardhura më të larta gjatë vitit 2024, një situatë që sugjeron se kompanitë mund të kenë qenë në gjendje të shesin me çmime më të larta te një numër më i vogël klientësh. Gjithsesi, ky inflacion, i cili u vu re edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, institucion që njoftoi hapjen e hetimeve ndaj kompanive për shkak të dyshimeve se i kanë rritur çmimet në mënyrë të koordinuar, nuk është vënë re nga Instituti i Statistikave, i cili ka vlerësuar se çmimet në grupin “Komunikimi” nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim dramatik, jo vetëm gjatë vitit 2024 por edhe përgjatë të pesë viteve të fundit.

Të dhënat mbi volumin e komunikimit, të ardhurat e kompanive dhe numrin e përdoruesve aktivë u publikuan së fundmi nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare në raportin vjetor të këtij institucioni të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë. Të dhënat e përdoruesve të kartave SIM, të cilat janë unike për çdo pajisje që lidhet në rrjetin e telefonisë celulare, duket se tregojnë edhe rënien e popullsisë prezente në Shqipëri, ku një rënie e konsiderueshme vërehet në vitet 2023 e 2024.

Më pak klientë, më shumë të ardhura

Dy kompanitë e shërbimeve të telefonisë së lëvizshme që veprojnë aktualisht në Shqipëri, Vodafone Albania dhe One patën të ardhura në masën 28 miliardë lekë gjatë vitit 2024, thuhet në raportin e AKEP për parlamentin. Në krahasim me vitin 2023, të ardhurat janë rritur me 10% ose 4 miliardë lekë. Të ardhurat e operatorëve të tregut nuk u rritën në vitin 2023 në krahasim me vitin 2022 dhe patën shënuar një rritje minimale prej 2.7% në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021.

Ndryshe nga të ardhurat, numri i klientëve që kompanitë u kanë shërbyer ka ardhur në rënie. Në vitin 2023, kartat aktive ranë me 6% ndërsa në vitin 2024 ranë edhe me 4.8% të tjera.

Në vitin 2024, në Shqipëri pati afërsisht 2.49 milionë karta SIM aktive. Kompanitë klasifikojnë si “aktive” kartat që kryejnë së paku një lidhje në rrjet përgjatë një periudhe të caktuar.

Në krahasim me vitin 2023, numri i kartave aktive ka rënë me 126 mijë ose 4.8% ndërsa në krahasim me vitin 2023, rënia ka qenë 294 mijë karta sim ose 10%. Rënia e numrit të përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare mund të shërbejë si tregues indirekt i popullsisë prezente në vend por duke marrë parasysh se shumë qytetarë mbajnë në përdorim më shumë se sa një telefon celular, të dhënat nuk japin një tablo shumë koncize.

Kompanitë celulare gjithsesi ia kanë dalë që, gjatë viteve të mëparshme të shmangin rënien e të ardhurave përmes rritjes së arkëtimeve nga një numër më i vogël klientësh ndërsa gjatë vitit të kaluar, ia kanë dalë të rrisin të ardhurat pavarësisht rënies. Kështu, të ardhurat e dy operatorëve të pjesëtuar për numrin e kartave SIM aktive tregojnë se të ardhurat mesatare për përdorues u rritën me 15.6% gjatë vitit të kaluar dhe 6.4% në vitin 2023. Në total, secili prej përdoruesve aktivë në vitin 2024 pagoi pak më shumë se 11 mijë lekë (rreth 110 euro) për shërbimet e telefonisë celulare ndërsa në vitin 2023 pati paguar 9700 lekë ose rreth 97 euro.

AKEP thotë në raportin e vet vjetor se ulja e numrit të operatorëve nga 3 në 2 pas bashkimit të Albtelecom me One, “kanë sjellë efekte edhe në aspektin e tarifimit të shërbimeve me pakicë”, por nuk jep të dhëna mbi rritjen e perceptuar të çmimeve pas bashkimit.

“AKEP e ka monitoruar në vijimësi njoftimin e ndryshimeve të planeve tarifore të sipërmarrësve mobile dhe, në kuadër të bashkëpunimit dhe kërkesave të Autoritetit të Konkurrencës, ka përcjellë pranë këtij të fundit njoftimet dhe përmbledhjen e planeve tarifore të njoftuara pranë AKEP,” thuhet në raport.

“Në ndryshim nga periudhat pararendëse vërehet se pas bashkimit me përthithje të One Telecommunications me Albtelecom, përgjatë periudhës 2023 – 2024 ka pasur një reduktim të konsiderueshëm të numrit të paketave ekzistuese të këtyre sipërmarrësve, sjellje kjo e vërejtur edhe tek sipërmarrësi Vodafone Albania. Ndryshimet në planet tarifore të ofruara për pajtimtarët fundorë janë reflektuar në uljen e numrit të planeve tarifore dhe larmishmërisë së tyre, veçanërisht tek pajtimtarët me parapagesë,” thuhet në raport.

Në total, kostoja e shërbimeve të komunikimit, ku përfshihen celularët, telefonia fikse dhe interneti, ishte 39.3 miliardë lekë për vitin 2024, me një rritje prej 5.3% kundrejt vitit paraardhës.

Në shkurt, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se ka vendosur në “hetim paraprak” kompanitë Vodafone dhe One për tregun me pakicë “nisur nga disa ankesa […] mbi rritjen e çmimit të paketave me parapagesë”. Hetimi do të shqyrtojë sjelljen e kompanive për periudhën 1 janar 2022, 31 dhjetor 2024. Në rast se gjenden fajtore, Autoriteti ka të drejtë të gjobisë kompanitë me 2 deri në 10% të xhiros vjetore. Kompanitë në fjalë janë vënë shpesh nën hetime në të shkuarën. Në vitin 2017, tre kompani të pranishme në treg vendosën brenda një jave paketa thuajse identike në çmime dhe në sasi. AMC dhe Vodafone kanë qenë kompanitë e para të gjobitura për abuzime me pozicionin dominues nga Autoriteti i Konkurrencës dy dekada më parë. Në atë kohë, dy kompanitë, Vodafone dhe AMC, arrinin të siguronin gati gjysmë miliardi euro të ardhura në vit, të vjela nga një ekonomi që ishte disa herë më e vogël se sa sot. Në atë kohë,  Vodafone e AMC realizonin norma fitim neto kundrejt të ardhurave 50 apo 60%.

Disa masa rregullatore pas vitit 2009 si dhe hapja e konkurrencës me hyrjen në treg të kompanisë Plus solli dobësimin e aftësisë së këtyre kompanive për të dominuar tregun. Shërbimet celulare aktualisht i kushtojnë shqiptarëve 28 miliardë lekë, pothuajse sa gjysma e asaj që kushtonte në vitin 2008.

Kompanitë fantazmë dhe miqtë në pushtet

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka finalizuar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj ish-drejtorit të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe më pas të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, së bashku me 21 zyrtarë të tjerë dhe dy kompani private: “DAAM” sh.p.k dhe “Net Group” sh.p.k.

Sipas SPAK, të pandehurit kanë ngritur dhe zbatuar një skemë të mirëorganizuar korruptive për përfitimin e parregullt të fondeve publike përmes manipulimit të procedurave të prokurimit, përdorimit të dokumenteve të falsifikuara dhe krijimit të favoreve të paligjshme për kompani të lidhura me ta.

Prokuroria ka ngritur akuzën për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve publikë”, “shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Sipas SPAK, Evis Berberi, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka favorizuar kompanitë e lidhura me 6 tendera me vlerë totale rreth 239 milionë lekë pa TVSH, ose afërsisht 2.3 milionë euro. Këto fonde janë kaluar më pas në shoqërinë “DAAM” sh.p.k., e kontrolluar në mënyrë indirekte nga Berberi, duke siguruar përfitime të paligjshme që arrijnë në rreth 2.2 milionë euro. Kjo skemë përfshinte përdorimin e faturave fiktive dhe manipulimin e dokumenteve për të fshehur origjinën e fondeve dhe për të justifikuar transaksionet.

Berberit, nëpërmjet avokatit të tij ka kundërshtuar akuzat duke pretenduar se nuk ka pasur kontroll mbi kompaninë që ai e zotëronte deri në vitin 2019.

Drejtori në qendër të skemës

Zv kryeministrja e Belinda Balluku dhe ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Evis Berberi
Credits: LSA – Zv kryeministrja e Belinda Balluku dhe ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Evis Berberi

Në vitin 2019, ndërsa Evis Berberi drejtonte me dorë të hekurt Agjencinë për Efiçencën e Energjisë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar, një kompani e quajtur “Net Group” sh.p.k e lidhur ngushtë me të, filloi të luante një rol kyç në tenderat publikë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), kompania, në pronësi të Valter Begaj ka fituar 6 tendera publikë në mënyrë të favorizuar dhe të paligjshme.

Pas përfitimit të këtyre tenderave, me një vlerë të përgjithshme rreth 2.7 milionë euro, shoqëria “Net Group” ka kryer një seri transfertash në llogaritë bankare të “DAAM” sh.p.k., në vlerën totale 2.2 milionë euro.

Nga hetimet rezultoi se Berberi ishte pronar “de facto” i kompanisë “DAAM” sh.p.k. Për të fshehur këtë pronësi, në vitin 2019 ai e kaloi atë fiktivisht në emër të Brunilda Bulit, Valter Begajt dhe Ervis Lamit.

“Evis Berberi menaxhonte dhe përdorte të ardhurat e shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k për shpenzime private dhe ruante kontrollin e plotë mbi llogaritë bankare të saj, duke bërë tërheqje cash.” – thuhet në njoftim e prokurorisë së Posaçme.

Sipas prokurorisë, në gjashtë raste, Berberi favorizoi kompaninë “Net Group”, duke krijuar kushte të jashtëzakonshme për fitim, në dëm të konkurrencës së ndershme.

Në këmbim, Begaj dhe bashkëpunëtorët e tij paguan shumën prej rreth 77 milionë lekë përfitime të paligjshme.

Për të justifikuar transferimet e parave dhe për të fshehur origjinën e paligjshme të tyre, u ngrit një mekanizëm i faturave fiktive midis “Net Group” dhe “DAAM”. Kjo skemë lejonte që shumave të mëdha korrupsioni t’u jepeshin shpjegime të rreme në dokumentacion.

“Në gjashtë prej këtyre procedurave të prokurimit, i pandehuri Evis Berberi ka kërkuar dhe marrë nga të pandehurit,Valter Bergaj, Evis Lami dhe Brunilda Buli, përfitimin e parregullt në vlerën e shtatëdhjetë e shtatë milionë  lekëve dhe për transferimin e këtyre vlerave të korrupsionit është ngritur mekanizmi i veprimit përmes faturave fiktive, mes shoqërisë “Net Group” sh.p.k dhe “DAAM” sh.p.k, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, që përbëjnë “përfitim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit” – saktëson prokuroria.

Hetimi ka përfshirë edhe anëtarët e ndryshëm të komisioneve të prokurimit që kanë luajtur rol në falsifikimin e dokumenteve dhe shkeljen e rregullave të tenderëve.

Tenderi i parë që hapi rrugën për skemën korruptive ishte “Menaxhimi dhe koordinimi i projektit GOAL”, me një vlerë prej 29,800 eurosh. Sipas dokumenteve, kjo procedurë u menaxhua nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë, nën drejtimin e Evis Berberit.

Hetimi zbuloi se procedura u zhvillua në mënyrë të parapërgatitur, ku “DAAM” sh.p.k. u përfshi si ofrues kryesor i shërbimeve, përmes një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetin kontraktor.

Por tenderi më voluminoz ishte ai për “Studimin e fizibilitetit për kulla karikimi për makina elektrike”, me një fond prej 68.75 milionë lekësh. Ky projekt ishte pjesë e një iniciative për zhvillimin e infrastrukturës së automjeteve elektrike në Shqipëri.

“Përfitimet financiare të ‘DAAM’ nga ky tender nuk kanë pasur përputhje me vlerën reale të punimeve, duke reflektuar një mospërputhje mes shërbimeve të ofruara dhe shumës së paguar.” – thuhet në njoftim ndërkohë që projekti i detajuar për kulla karikimi solli një tjetër tender të rëndësishëm, me vlerë mbi 62 milionë lekë.

Hetimet vërtetuan se dokumentacioni teknik u falsifikua në mënyrë që të përmbushte kriteret e tenderit, ndërkohë që Berberi dhe komisioni favorizuan kompaninë fituese në mënyrë të hapur.

Projekti i njohur si “Rruga Smart City” ishte një nga më të mëdhenjtë në listë me një vlerë prej 82,499,604.17 lekësh.

Edhe në këtë rast hetimi zbuloi se edhe në këtë tender u përdorën dokumente të falsifikuara dhe u krijuan kushte për favorizimin e kompanive të lidhura me Berberin dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në këtë procedurë, u shpall fituese ‘Net Group’, pavarësisht se nuk i plotësonte kriteret, duke shkelur në mënyrë flagrante rregullat e barazisë së pjesëmarrësve.

“Nga hetimi është evidentuar fakti se shoqëria, “Net Group” sh.p.k, gjatë zbatimit të kontratave të fituara në këto procedura prokurimi, ka përfituar në sajë të paraqitjes së dokumentacionit fiktiv tek autoriteti kontraktor, si raporte, situacione, etj, të cilat rezultojnë se përmbajnë të dhëna të rreme në përmbajtje të tyre, përsa i përket realizimit të shërbimit, i cili nuk është realizuar, në vlerën 80,010,058 (tetëdhjetë milion e dhjetë mijë e pesëdhjetë e tetë) lekë”-saktëson prokuroria.

Tenderi për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë ishte një nga më të shtrenjtët, me vlerë afro 196 milionë lekë, të cilën Prokuroria e Posaçme e ka renditur ndër rastet ku procedurat  e tenderimit janë kryer në kundërshtim me ligjin.

Tenderi i zhvilluar nga Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për mbikëqyrjen e punimeve për tunelin e Llogarasë është fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë, “Hill Internacional N.V” dhe kompania “Net Group”. Sipas prokurorisë, Valter Begajt nëpërmjet kompanisë së tij kishte 30% pjesë të aksioneve të kontratës që do të bënte supervizimin e tunelit të Llogarasë.

Akuzat e Prokurorisë e Posaçme janë cilësuar si të pabaza dhe të nxitura nga një interpretim i shtrembëruar juridik nga avokati i Evis Berberit, sipas të cilit  SPAK ka “kthyer një proces juridiko-civil dhe tregtar në një çështje penale”, duke e interpretuar në mënyrë të padrejtë zotërimin e mëparshëm të kompanisë “DAAM” sh.p.k.

Avokati këmbënguli se Berberi nuk ka më lidhje me këtë kompani, pasi, sipas tij, e ka shitur që prej vitit 2019 dhe nuk ka përfituar asnjëherë tenderë në mënyrë të padrejtë.

“Nuk ka përfituar në mënyrë të padrejtë asnjë tender persona të tjerë. Zotërues të kompanisë janë të tjerë, Berberi e ka shitur kompaninë. Nuk është më pronari i saj, siç pretendohet nga SPAK,” u shpreh Romano para mediave.

Si pasojë e hetimeve, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sekuestrimin e pasurive të “DAAM” sh.p.k., që përfshijnë kuotat e kompanisë, disa pasuri të paluajtshme, automjete dhe mjete të tjera.

Gjithashtu në banesën e Berberit u gjetën dhe u sekuestruan para në valutë të huaj dhe lekë në shumën e mbi 15,000 eurove, 3,000 paund dhe mbi 1.4 milionë lekë./shteg.org

Bloomberg: Donald Trump u kërkon vendeve të Ballkanit Perëndimor të pranojnë emigrantët e dëbuar nga SHBA

“Administrata e Presidentit Donald Trump i ka kërkuar Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që të pranojnë emigrantë të deportuar nga SHBA-të”, raporton media prestigjioze amerikane Bloomberg.

Sipas, Bloomberg, kërkesat drejtuar vendeve në rajon tonë janë të vazhdueshme dhe pjesë e një strategjie më të gjerë për të gjetur qeveri të huaja të gatshme të pranojnë migrantë të dëbuar nga Amerika.

“Nuk është e qartë nëse u arrit ndonjë marrëveshje si rezultat i bisedimeve. Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit nuk komentoi”, shkruan media amerikane.

Në maj, Gjykata e Lartë i lejoi administratës Trump t’u heqë statusin e përkohshëm ligjor deri në gjysmë milioni njerëzve nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela.

Administrata ka kërkuar destinacione të mundshme për emigrantët nga këto vende që mund të deportohen.

Wall Street Journal raportoi në muajin prill se SHBA-të kishin shqyrtuar mundësinë për të dërguar të dëbuarit diku tjetër në Ballkan, përfshirë Moldavinë dhe Kosovën, si dhe vende të tjera anembanë botës.

Por Serbia, nuk ishte raportuar më parë si një destinacion i mundshëm për të dëbuarit nga SHBA-të.

“Marrëveshjet për të pranuar emigrantët e deportuar nuk janë të paprecedentë në rajon. Një marrëveshje e ngjashme u arrit midis Italisë dhe Shqipërisë pasi Kryeministrja Giorgia Meloni e bindi kombin ballkanik të hapte qendra për emigrantët e ndaluar teksa përpiqeshin të kalonin nga Afrika në Evropë nëpërmjet detit. Italia paguan për koston e qendrave”, shkruan Bloomberg.

Burgosja në diktaturë, gratë e shpallura “Armike të popullit”! Me mijëra u dënuan me internim dhe shumë me ekzekutim

Gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri u krijua një sistem sundues diktatorial, i cili u mundua të siguronte mbijetesën e tij nëpërmjet metodave të ndryshme frikësuese dhe sanksionuese të njerëzve.

Shumë persona janë hetuar, akuzuar, dënuar, persekutuar dhe ekzekutuar në emër të popullit për shkak të kundërshtimit të regjimit. Eliminimet fizike, burgosjet, likuidimi i klasave dhe grupeve kundërshtare të komunistëve, u paralajmëruan që pa mbaruar lufta. Në vitet 1944 – 1947, tetë burgje ekzistuese në Shqipëri iu rezervuan të burgosurve politikë, të cilët përcaktoheshin si “armiq të popullit”, shtatë të burgosurve normal të përcaktuar si “ordinerë” dhe tre burgje ishin të përziera.

Me kalimin e viteve regjimi hapi burgje të reja në të gjitha qendrat kryesore, duke i specifikuar ato për të burgosurit politikë dhe burgjet e destinuara për të burgosurit ordinerë. Zakonisht në burgje dërgoheshin për të vuajtur dënimin personat e dënuar, të cilët, për shkak të gjendjes së tyre fizike, nuk kanë pasur mundësi të kryenin ndonjë punë në kampet e punës (repartet e riedukimit), si dhe ata të cilët gjatë kohës së mbajtjes së dënimit në kampet e punës kanë shkelur rëndë dhe në mënyrë sistematike rregullat e brendshme, ose në ndonjë mënyrë tjetër mbajtja e tyre në kampet e punës ose repartet e riedukimit ka paraqitur rrezikshmëri. Po ashtu burgjet dalloheshin nga kampet e punës edhe për nga regjimi i mbajtjes së dënimit. Në burgje regjimi i mbajtjes së dënimit ishte më i rëndë në krahasim me kampet e punës ose repartet e riedukimit nëpërmjet punës.

Të dënuarit gjatë mbajtjes së dënimit në burgje kishin të drejta më të kufizuara sesa në kampet e punës. Çdo 3 ditë, një qytetari do t’i bëhej gjyq politik ose ekzekutohej me ose pa vendim gjykate dhe eshtrat e tyre nuk dihen ende se ku janë. Vetëm në qytetin e Shkodrës janë 400 familje të cilat nuk i kanë gjetur eshtrat e të pushkatuarve dhe qindra të tjerë në Shqipëri presin një varr për t’u prehur. Çdo 2 muaj, i burgosuri politik pësonte gjymtime mendore e politike për shkak të keqtrajtimit në hetuesi dhe çdo 2 javë, një i burgosur politik vdiste në burg. Çdo 2 javë, burgosej një qytetar. Çdo 2 muaj, internoheshin 3 persona. Ndër burgjet e destinuara për “armiqtë e popullit” më famëkeqi ishte ai i Burrelit, konsiderohej si një super burg nga i cili ishte e pamundur të arratiseshe dhe në të cilin të burgosurit politikë jetonin në kushte çnjerëzore.

Të shumta janë dëshmitë që tregojnë për të burgosur politikë që vdiqën në burgje apo në kampet e punës, kryesisht prej torturave apo shkaqeve të tjera, si vetëvrasja. Edhe në këto raste, trupi i viktimës nuk i kthehej familjes, sepse në regjimin komunist trupi i të dënuarit mbetej në dispozicion të shtetit përgjatë dënimit, madje edhe pas vdekjes. Si mjete dhe forma të torturave që përdoreshin në burgjet dhe kampet e punës gjatë sistemit komunist në Shqipëri ishin ndër të tjera: jeleku i torturës (torturë e tmerrshme), dëmtimi i organeve gjenitale, lënia pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe në këmbë për ditë të tëra, elektroshoku, futja kripë në gojë me mbushje të plotë të gojës, dërgimi gjoja për pushkatim, futja me kokë poshtë në fuçi me ujë, djegia e mishit me cigare, hedhja e alkoolit në duar apo në flokë dhe ndezja e flakës, thyerja e kockave dhe shkulja e mishit me darë, futja në ujë dhe lënia të lagur në dimër, përdorimi i zgjonjve me bletë ndaj të burgosurve të zhveshur etj.

“ARMIKET E POPULLIT”

Mbi 7 mijë gra që u shpallën “armike të popullit” gjatë diktaturës dhe vuajtën burgjet. Mijëra të tjera u dënuan me internim dhe shumë me ekzekutim. Gjatë diktaturës komuniste, ka një numër të madh të grave që u shpallën “armike të popullit dhe u dënuan me burg”, shumica e tyre e kanë kryer dënimin në tri burgje të diktaturës të njohura si burgje të grave.

Nëpër kalvarin e burgjeve komuniste kaluan më shumë se 7367 gra e vajza, ndër të cilat kujtojmë: Musine Kokalari, Neva Frashëri, Olimbi Gavoçi, Frida Sadedini, Lavdie Petrela, Marie Ranxi, Marta Doda, Dylbere Pazari, Hazize Ferhati, Qefsere Bega, Liri Prifti, Shega Këlcyra, Semiramis Vërlaci, Erifili Bezhani, Rita Koka, Merushe Topulli, Elza Koh, Fatime Hoxha, Luçie Kola, Elsa Çika, Asamble Hatibi, Sanie Kosova, Gabriela Radiba, Fatbardha Qorri, Ana Daja, Terezina Pali, Adile Boletini, Vera Dema, Nexhibe Taraku, Agime Pipa, Drita Kosturi, Dhora Leka, Lefteri Dvorani, Ganimet Toptani, Ganimet Cuka, Mereme Gjuta, Pranvera Keqi, Qerime Bone, Viola Beqiri, Bianka Balliçi, Sanie Kollçinaku, Xhovana Qatja, Nurie Koculi, Hanza Borshi, Mih Riko, Samo Doko, Dodona Dako, Marika Dhima, Ana Dhamo, Zhaneta Ogranaja, Simona Koldai, Dragica Mosko, Alije Sula, Fiqiret Prishtina, Gjylso Kalo, Elena Preza, Delfiniz Prenushi, Merita Sokoli, Derka Panizeniç, Mine Shima, Afërdita Hajrullai, Fatime Demçe, Nadire Shima, Hilmie Lakasi, Lumturi Bakiri, Liri Mitrovica, Lindita Beka, Marie Levendi, Suzana Topçiu, Pranvera Lamaj, Behije Kalaja etj. Gratë e burgosura në vitet e para mbaheshin në burgjet e burrave, në qytete të ndryshme, si Korçë, Tiranë, Shkodër etj., por në dhoma të veçanta. Më 1957-n gratë u grumbulluan në Burgun e Artizanatit, në Tiranë, ku bënin punë të ndryshme si rrobaqepësi, hekurosje, kopshtari, pastrime të ndryshme etj. Burrat e këtij burgu ishin të ndarë e nuk komunikonin me to.

Më 1961-shin u krijua një kamp i punës së detyruar për gratë afër qytetit të Kuçovës, ku shfrytëzoheshin në punë të rënda bujqësore. Më 1970-n u vendosën në fshatin Kosovë të Dumresë, 50 km larg Elbasanit. Disa gra janë vetëvrarë gjatë hetuesisë dhe të tjera janë çmendur. Drejtësia komuniste nuk shqetësohej fare kur arrestonte nënat me fëmijë, duke shkatërruar kështu familjen. Ndoshta ky ishte dhe qëllimi i fshehtë i saj. Për Sigurimin e Shtetit, çdo grua e huaj e martuar me një shqiptar ishte një “agjente e huaj” që duhej survejuar gjithmonë dhe në rastin më të parë të arrestohej, të dënohej dhe të asgjësohej, ose të largohej nga Shqipëria.

GRATË E DËNUARA

Në kujtimet e shkruara nga Agim Musta, autor i shumë librave me kujtimet rrëqethëse nga burgjet e tmerrshme të kohës së komunizmit, vjen e përshkruar vuajtja e grave të dënuara. Terrori komunist në Shqipëri nuk kurseu as gratë shqiptare, të cilat u dënuan me internime, burgje dhe deri te dënimet kapitale.

Referuar kujtimeve qysh në kohën e luftës, u pushkatua në Ramicë të Vlorës më 1944, Ramize Gjebrea, një nga luftëtaret e para antifashiste, që shquhej për zgjuarsi dhe guxim. Mbas vendosjes së diktaturës komuniste u arrestuan shumë gra, që regjimi i Enver Hoxhës i kishte vënë në shënjestër, si Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës, Musine Kokalari, Qefsere Begeja, Hava Golemi, Dhora Leka, Marije Medicina e shumë të tjera, që u dënuan me burgime të rënda. Me mijëra gra të tjera vuajtën në kampet shfarosëse të internimit, si në Tepelenë, Levan, Seman, Gradisht, Plug… Në shtator të vitit 1951 u pushkatua anëtarja e Institutit të Shkencave të Shqipërisë, Sabahete Kasimati, nga Libohova, e diplomuar në Francë për shkencat biologjike, e akuzuar për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike. Më 1956 u pushkatua Liri Gega, ish-anëtare e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare gjatë kohës së luftës, megjithëse ishte shtatzënë. Gratë e burgosura mbaheshin në kushte çnjerëzore, nëpër qeli e burgjeve, duke mos përjashtuar as burgun shfarosës të Burrelit. Më 1957 ato u grumbulluan në burgun e artizanatit, në periferi të Tiranës.

Më 1961 për herë të parë u krijua në afërsi të Kuçovës kampi me punë të detyruar për gratë. Në një barakë shumë të keqe dhe mjaft të ngushtë, vendosen 60 gra të dënuara politike. Ato punonin në bujqësi e shpyllëzim. Për thyerjen më të vogël të rregullores ose mosplotësimin e normës së punës, ato lidheshin me hekura dhe torturoheshin nga gardianët. Më 1970 kampi u shpërngul në katundin Kosovë të Dumresë, 50 km në jugperëndim të Elbasanit. Kampi ishte vendosur në një gropë që i ngjante kraterit të vullkanit, ku në verë temperaturat mbërrinin gjer në 45 gradë C. Përveç grave shqiptare, në këto kampe kishte edhe shumë gra të huaja, të martuara me burra shqiptarë, si italiane, jugosllave, ruse, hungareze, polake, gjermane, franceze, të ngarkuara me dënime të rënda. Në kampin e Kosovës mbi 110 të dënuara detyroheshin të punonin në bujqësi dhe grumbullim gurësh./Gazeta Panorama

Farat e linit, efektet pozitive dhe negative nga konsumi i tyre

Ato mund të jenë të vogla, por këto fara kanë një ndikim të fuqishëm në shëndetin tuaj.

AgroWeb.org ju njeh me mënyrat e shumta që shtimi i farave të linit në recetat tuaja, mund të sjellë përfitime për shëndetin, si edhe disa këshilla që duhen marrë parasysh para se t’i përdorni.

Të pasura me fibra

Një lugë gjelle me fara lini kanë pothuajse 3 gram fibra, shifër e barabartë me 11% të vlerës së rekomanduar ditore.

Sipas ekpertëve të shëndetit, ju duhet të merrni mesatarisht 25 deri në 30 gram fibra në ditë.

Një regjim i ulët në fibra jo vetëm që ndikon në përpjekjet tuaja për reduktuar peshën trupore, por mund të shkaktojë probleme me tretjen e madje të rrisë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kronike.

Shtimi i farave në vaktin e mëngjesit është mënyra më e mirë për të filluar përfshirjen e tyre në regjimin tuaj ushqimor.

Janë një burim i pasur i acideve yndyrore omega-3.

Konkretisht, farat e linit janë të pasura me acid alfa-linolenik (ALA), një lloj acidi yndyror esencial që trupi juaj nuk mund ta prodhojë. Mënyra e vetme për ta marrë atë është nëpërmjet ushqimit dhe farat e linit janë perfekte.

Në përgjithësi, konsumimi i acideve yndyrore omega-3 është vërtetuar se zvogëlon inflamacionin në trup, gjë që mund të ndihmojë në parandalimin e zhvillimit të sëmundjeve kronike.

Mund të përmirësojnë shëndetin e zemrës

Këto fara të pasura me acide yndyrore omega-3 dhe me veti anti-inflamatore mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës.

Gjithashtu mund të ulin në mënyrë efektive presionin e gjakut, i cili është i rëndësishëm për parandalimin e sulmit në zemër dhe goditjes në tru.

Mund të ndihmojnë me tretjen

Farat e lirit njihen gjerësisht si një laksativ natyral, i cili mund të ndihmojë në procesin e tretjes dhe kapsllëkut.

Plus, konsumimi i farave të lirit është treguar gjithashtu se ndryshon pozitivisht mikrobiomën e zorrëve gjatë tretjes duke rritur florën bakteriale në zorrën tuaj.

Gjithashtu redukton praninë e Proteobaktereve dhe Porphyromonadaceae, të cilat janë lidhur me sëmundjen alkoolike të mëlçisë.

Farat e lirit mund të ndihmojnë në menaxhimin e peshës

Përfshirja e tyre në regjimin ushqimor mund të jetë një mënyrë shumë e mirë për të ruajtur apo reduktuar peshën. Kjo sepse fibrat në to, mund t’ju bëjnë të ndiheni të ngopur për më gjatë.

Mund të zvogëlojnë përthithjen e disa mineraleve

Ky nuk është një efekt anësor i ngrënies së farave të lirit për të cilin do të duhet të shqetësoheni shumë, por është diçka që duhet mbajtur parasysh nëse vuani nga mungesa e hekurit ose zinkut.

Farat e lirit përmbajnë acid fitik, një lloj antinutrienti që mund të zvogëlojë përthithjen e mineraleve si kalciumi, zinku, magnezi, bakri dhe hekuri.

Farat e lirit mund të shkaktojnë probleme me tretjen.

Ndodh që konsumi i tepërt i fibrave mund të shkaktojë fryrje, gazra, dhimbje stomaku dhe ndonjëherë edhe të përziera.

Nëse po kërkoni të shtoni më shumë fibra në regjimin tuaj, sigurohuni që ta shtoni sasinë e tyre me kujdes në mënyrë që të shmangni çdo shqetësim./AgroWeb.org/

Trafik emigrantësh drejt SHBA-së, Kanadasë e Anglisë, SPAK çon për gjykim 37 persona

SPAK ka çuar për gjykim 37 persona, të dyshuar si anëtarë të dy grupeve të strukturuara kriminale, të cilët gjatë viteve 2022-2024 kanë ndihmuar shtetas shqiptarë të udhëtojnë ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara.

Sipas SPAK, të pandehurit kanë bashkëpunuar për të prodhuar dokumente të falsifikuara – pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi të vendeve të Bashkimit Europian duke ndihmuar më tej në organizimin e udhëtimeve, transportin e personave, akomodimin e tyre, si dhe udhëzimin për të kaluar kontrollet kufitare apo për të aplikuar për viza në mënyrë të paligjshme.

Në këtë aktivitet janë përfshirë edhe agjenci udhëtimi të cilat SPAK thotë se bashkëpunonin ngushtësisht për realizimin e itinerareve dhe veprimtarisë së kundërligjshme.

Mes të pandehurve që janë dërguar për gjykim janë Bashkim Sulaj, Njazi Ademaj, Fitim Rama, Xhelal Krasniqi, Rrezart Domi, Ylli Brahimaj, Osman Luca, Artur Mici, Emiljan Marashi, Adrian Mema, Jugert Gashi dhe Maksim Domi. Po ashtu, akuzohen edhe Arsen Caka, Gridi Elezi, Behar Rexha, Deila Qama, Arnold Shahu, Fatmir Stankova, Arben Rushiti, Ylli Çaushaj, Eriola Spaho, Murat Gjuniku, Bajram Xhaja, Bardhyl Imeri, Roland Islamaj, Amarildo Luca, Robert Gjika, Artid Shtylla, Leonard Lama, Xhelil Alla, Besnik Lumaj, Dritan Cena, Altin Neli, Redi Salaj, Behar Nuhiallari, Azem Canaj dhe Perlat Canaj.

Mësohet se “baza” e veprimit të tyre ishte në një ambient në Tiranë, ku prodhonin dokumenta të tëra identifikimi si pasaporta të vendeve të Bashkimit Evropian. Policia ka gjetur një sërë dokumentash false si dhe 37 vula të ndryshme, kryesisht të institucioneve shtetërore dhe private, shumat e parave 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende me vlerë, kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta të monedhave virtuale.

SPAK thotë se të pandehurit, e njohin njëri-tjetrin dhe kanë qenë në dijeni për rolin e secilit.

Në kuadër të këtij procedimi penal është krijuar Skuadër e Përbashkët hetimore me autoritetet gjyqësore të Tarragonës, Spanjë, është bashkëpunuar me Agjensinë Federale Amerikane DSS/OCIU, Njësinë e Hetimeve Kriminale, me prezencë në Ambasadën e SHBA-së Tiranë;  dhe me agjensi të ndryshme të huaja ligjzbatuese.

Gjergji Nika: Turizmi i qëndrueshëm nuk ndërtohet me taksim selektiv

Turizmi i qëndrueshëm dhe zhvillimi ekonomik afatgjatë nuk mund të ndërtohen mbi baza të padrejta fiskale dhe sociale. Kështu shprehet anëtari i Këshillit Bashkiak të Vlorës, Gjergji Nika, duke reaguar ndaj praktikave që, sipas tij, favorizojnë të pasurit dhe miliarderët, ndërkohë që shtresat e zakonshme të popullsisë përballen me barrën më të rëndë të taksave dhe vështirësive të jetesës.

“Turizmi i qëndrueshëm, dhe aq më pak ai ‘elitar’, nuk ndërtohet duke përjashtuar nga taksat miliarderët, ndërsa njerëzit e zakonshëm paguajnë çdo detyrim deri në çdo qindarkë dhe luftojnë për të mbijetuar,” – shprehet Nika.

Sipas tij, është i domosdoshëm një orientim i ri në politikat publike, ku në thelb të jetë “shpërndarja më e drejtë e burimeve”, “ndjeshmëria njerëzore” dhe “mbështetja konkrete për shtresat në nevojë”. Pa këto elementë, çdo strategji zhvillimi është jo vetëm e papranueshme moralisht, por edhe e paqëndrueshme ekonomikisht.

“Ajo që na nevojitet është shpërndarje më e drejtë e burimeve, ndjeshmëri njerëzore dhe mbështetje konkrete për të varfërit dhe plane sociale të mirëfillta. Kjo duhet të jetë në zemër të çdo politike publike dhe çdo angazhimi timin personal në Këshillin e Bashkisë Vlorë,” – shton Nika.

Ai nënvizon se vetëm përmes “solidaritetit dhe kohezionit social” mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë dhe një ekonomi më rezistente ndaj krizave.

Qendra e Tiranës – sa e shëmtuar

Nga Sadik Bejko

Dje shkrova një status për arratinë time në periferi të Tiranës.
Nga kodrat e Liqenit.
Aty në qendër, ku ngrihet kjo ndërtesa kaladibrançe, me blloqet shtrembër sipër njëri-tjetrit… më kap një ndjenjë që ma shpif.
Dikur aty, nëse e mbaj mend mirë, ka qenë kafe “Kursal”, kafe luksi e viteve ’30, me orkestra, balerina, goca të ëmbla… favoret e të cilave, – thonë, thonë(?) – u gëzoheshin parelinjtë, zotërinjtë e mëdhenj të kohës, dhe profesorët… dhe Lasgushi(thonë?).
Në vitet ’60, në katandinë kur unë e kam parë, ishte perëndimi i Kursalit.
Më pas e fshinë nga faqja e dheut.
Komunistët ishin më moral të lartë partizan…me demek, kundër moralit borgjez që e shfrytëzon njeriun, femrën.
Femra revolucionare e bënte atë punën në kanale, në shkurre, nën portokallin, e bënte çadrave në hekurudha, në kantiere, hidrocentrale, nën ura, në aksion, në poligon…
Tani mbi këto kujtimet e vjetra Kursali… shihni këtë të renë made in Edi Rama…
… shihni këtë kullë shtremba- shtremba si çunat në shpinat e njëri-tjetrit kur dikur luanin kaladibrançe