25.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Një anonim pa biznes dhe pa para merr central 82 mega nga qeveria

Engjëll Agalliu u lind në Terpan të Beratit 40 vjet më parë. Gjithë jetën e tij ai nuk është marrë kurrë me biznes. Deri një vit më parë.

Në shkurt të vitit të kaluar zoti Agalliu gjeti 100 mijë lekë dhe themeloi një kompani të quajtur Albania Solar Power. Dhe bum, pak më shumë se një vit më vonë, qeveria i dha leje për central diellor 82 mega me vendim të posaçëm.

Një ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet 82 megavat në fshatin Boçove të Fierit. Kompania përfituese e lejes ishte Albania Solar Poëer, e cila pas ndërtimit do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të parkut diellor për 49 vjet. Por ky është një vendim që ngre shumë pikëpyetje.

Ndërtimi i një centrali diellor me fuqi 82 mega, kërkon minimalisht 80 milionë euro. Por kompania Albania Solar Power ka vetëm 100 mijë lekë kapital, ndërkohë që aksioneri i saj i vetëm Engjëll Agalliu nuk disponon asnjë biznes apo aset tjetër.

Nuk dihet se si kompania ka arritur të sigurojë tokën në Fier. Një nga metodat kryesore është ajo e marrjes së saj me qira nga bashkia. Por dyshimet mbeten. Si mundet qeveria të japë një vepër kaq madhore tek një kompani pa kapital dhe me aksioner anonim?

është e sigurtë kompania Albania Solar Power nuk i ka paratë për të financuar një investim 80 milionë euro. Po ashtu nuk ka as asetet e nevojshme dhe të mjaftueshme për të siguruar financime në sektorin bankar. Asnjë bankë nuk do të jepte kredi për një kompani që nuk ka asete dhe një aksioner, i cili nuk ka asnjë biznes. Pra zoti Agalliu me shumë gjasë është një prestanome.

Kjo shtron dy mundësi. Ose pas tij qëndrojnë persoa të tjerë në prapaskenë, ose në Shqipëri ka nisur tregtimi i liçencave të centraleve diellorë. Të dyja mundësitë janë njëra më problematike se tjetër.

Nëse pas kompanisë Albana Solar Power qëndrojnë persona të tjerë, atëherë ekziston risku i madh i korrupsionit ose pastrimit të parave. Sepse pas një prestanome mund të qëndrojë kushdo, nga pushtetarët tek trafikantët dhe ndoshta edhe oligarkët që nuk duan të dalin sheshin.

Fjala vjen zoti Agalliu ka qenë punonjës i ndërmarrjes së betonit që zotërohet nga biznesmeni Pëllumb Salillari, një nga përfituesit më të mëdhenj të parave publike, por edhe lejeve dhe liçencave në Shqipëri. A është zoti Salillari pas lejes për centralin e madh diellor të Boçovës?

Apo e gjitha kjo është një skemë sekserësh, të cilët kanë hapur tashmë tregun e liçencave të centraleve diellore, njësoj si liçencat e hidrocentraleve gati dy dekada më parë./kapitali.al

Erion Alibej vijon dëshminë në GJKKO: “Kisha TIMS-in në dorë, po grumbulloja informacione për ekzekutorët e familjes time”

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vijon dëshmia rrëqethëse e të penduarit të drejtësisë, Erion Alibej, në kuadër të dosjes së bujshme “Plumbi i Artë”.

I njohur me nofkën “Krymi”, Alibej akuzohet për disa vrasje të urdhëruara në bashkëpunim me vrasësin me pagesë Nuredin Dumani. Në dëshminë e tij, Alibej përshkruan me hollësi ngjarje, emra e rrethana që ndriçojnë konfliktin e përgjakshëm me vëllezërit Çopja, të cilët ai i cilëson si kundërshtarë të përbetuar.

Rrëfimi i kthimit në Shqipëri dhe takimi me të dyshuarit

“Vendosa të mos rrija më në Roterdam. U ktheva në Shqipëri klandestin, nga Qafëbota. Isha në kërkim. Thirra Genc Tafilin, i cili erdhi me Dorian Dulin. Ata më thanë që Talo Çela kishte ardhur në takim me dy mirditorë,” – dëshmoi Alibej.

Ai tregon për një takim të kërkuar me Kamer Mehjen, përmes Suel Çelës. “Sueli më tha që Kameri nuk donte të vinte ngaqë ‘janë afër katundarët’, duke iu referuar Çopjave.”

Në lokal, Kamer Mehja dhe Mario Çela e presin Alibejnë. Ky i fundit e pyet pse ishin hedhur fishekzjarrë ditën e vrasjes së familjarëve të tij. “U sqaruam, por nuk më ngrohu. Informacionin ma sollën intrigantët Tafili e Duli.”

Si i identifikoi atentatorët

Një element kyç në dëshminë e Alibejt është identifikimi i emrave si Mikael Qosa, Talo Çela dhe Altin Ndoci si pjesë e atentatit ndaj tij. Një njohje në burg, Ervis Nano, i dha informacion përmes një tjetër kontakti në Fushë-Krujë: Flobenc Meçen, i njohur si “Çoli shkodrani”.

“Aty mora vesh se në takim kishin qenë Talo Çela, Kamami dhe Ndoci. Ishte diskutuar: ‘Sa lekë do që të vrasësh Erionin?’”

Informatori i brendshëm dhe kontrolli mbi sistemin TIMS

Alibej pretendon se ka pasur si informator Ardian Çollakun, tashmë i ndjerë. “E mbaja me lekë pasi doli nga burgu. E pajisa me EnchroChat. Ai më tregonte gjithçka që ndodhte mes kundërshtarëve të mi.”

“Me TIMS-in kontrolloja çdo emër që doja. I kisha me foto, i shikoja hyrje-daljet. Po i identifikoja të gjithë: Çopjat, Qosjat, Dumanin…”

Akuza për bashkëpunime institucionale dhe mungesë besimi

Në një moment të rëndë, Alibej akuzon strukturat shtetërore për bashkëpunim me kundërshtarët e tij.

“Mësova se Abedin Mama kishte bërë një takim në Elbasan me Ardi Veliun dhe Toni Vocajn. Kjo përputhej me ndërrimin e drejtorëve në polici. Humbja e besimit ndaj drejtësisë më shtyu të bëhem vetë hetuesi, prokurori e gjyqtari.”

Ai shton se pas vetëdorëzimit, personi i parë që ka informuar ishte Leonard Palushi. Në paraburgim ka rrëfyer gjithçka që dinte, përfshirë edhe për vrasjen e Xhoni Rustës dhe R. Sukës.

Përfundim

Dëshmia e Erion Alibejt ka tronditur sallën e GJKKO-së. Ai shfaqet si një person që, ndonëse pjesë e botës së krimit, kërkon të ofrojë drejtësisë gjithë informacionin që disponon mbi vrasjet, konfliktet dhe përfshirjen e figurave të njohura të botës së errët.

Hetimet për dosjen “Plumbi i Artë” vazhdojnë, ndërsa dëshmia e Alibejt pritet të luajë një rol kyç në zbardhjen e shumë ngjarjeve kriminale që kanë gjakosur Elbasanin dhe jo vetëm.

Kurban Bajrami/ Kreu i KMSH, Bujar Spahiu uron besimtarët: Të thellojmë lidhjen me Krijuesin dhe njëri-tjetrin! Zoti udhëzoftë njerëzimin drejt paqes dhe mëshirës

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, shpreh urimet më të përzemërta për të gjithë shqiptarët me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Në një mesazh paqeje, bashkimi dhe shprese në këto ditë të begata, ai ka bërë thirrje që të kthejmë sytë nga të varfit dhe ata që kanë më pak.

“Të nderuar motra e vëllezër me rastin e festës së Kurban Bajramit, ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për shëndet, paqe dhe mëshirë në familjet tuaja. Kurbani nuk është thjesht një akt simbolik, por një shprehje e përkushtimit dhe bindjes së njerëzve ndaj Krijuesit të Gjithësisë. Ai lidhet drejtpërdrejtë me një prej tregimeve më madhështore të Shpalljes Hyjnore në Kuranin Famëlartë, historinë e Pejgamberit Ibrahim alehi Selam dhe sakrificës së tij sublime për të çuar në vend premtimin e dhënë.

Kurani na mëson se te Zoti nuk arrin as mishi as gjaku, pra nuk është ky qëllimi i Kurbanit, por devotshmëria dhe qëllimi i pastër i zemrës. Le të jetë kjo festë një mundësi, për të thelluar lidhjen tonë me krijuesin, për të forcuar lidhjet me njeri tjetrin dhe për të ndarë me ata që kanë më pak.

Le të mos harrojmë të varfrit, fqinjët dhe të afërmit siç na mëson tradita profetike, sepse vetëm përmes ndarjes dhe solidaritetit shfaqim vlerat më të larta të fesë sonë.

Në emrin tim dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ju uroj nga zemra Gëzuar Kurban Bajramin. Zoti e begatoftë popullin tonë dhe udhëzoftë njerëzimin drejt paqes dhe mëshirës”, shprehet ai.

Të drejtat e punëtorëve në rënie, Shqipëria mes vendeve që kufizojnë të drejtën për grevë! Ja si renditet vendi ynë

Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave (ITUC) konstatoi një “përkeqësim të thellë” të të drejtave të punëtorëve në indeksin e saj vjetor të të drejtave, bazuar në 97 tregues të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara dhe traktatet ndërkombëtare.

Të drejtat e punëtorëve, të cilat raporti i mat në 151 vende, ranë ndjeshëm veçanërisht në Europë dhe në Amerikë – me rezultatet më të këqija për këto dy rajone që nga fillimi i indeksit në vitin 2014.

Shqipëria renditet mes vendeve që kufizojnë të drejtën për grevë, duke u vlerësuar me 3 nga ITUC. Ky klasifikim u referohet vendeve ku të drejtat e punëtorëve shkelën në mënyrë të vazhdueshme, megjithëse mund të ekzistojë një kornizë ligjore që i njeh ato.

“Në vitin 2025, një sërë zhvillimesh shqetësuese në Europë dhe më gjerë dëshmojnë një klimë gjithnjë e më armiqësore ndaj sindikatave dhe lëvizjeve punëtore.

Në Belgjikë, Finlandë dhe Francë, autoritetet kanë vazhduar me shtypjen e grevistëve, duke përdorur masa ndëshkuese dhe ndalime për të frenuar protestat.

Ndërkohë, qeveritë në Shqipëri, Hungari, Moldavi, Mal të Zi dhe Mbretërinë e Bashkuar janë kritikuar për abuzime me ligjin, duke zgjeruar në mënyrë të tepruar përkufizimin e “shërbimeve thelbësore” – një manovër ligjore që kufizon ndjeshëm të drejtën për grevë.

Në Greqi, Hungari, Serbi, Zvicër dhe Turqi, kompanitë kanë ndërhyrë drejtpërdrejt për të penguar aktivitetin sindikal, duke dëmtuar mbrojtjen e punonjësve dhe duke nënminuar organizimin kolektiv.

Një tjetër fenomen shqetësues është shfaqja e të ashtuquajturave “sindikata të verdha” – struktura të kontrolluara nga punëdhënësit – të cilat janë vërejtur në Armeni, Greqi, Holandë, Moldavi dhe Maqedoninë e Veriut. Këto pseudo-sindikata përdoren për të zëvendësuar përfaqësimin e vërtetë të punëtorëve dhe për të dobësuar zërin e tyre në vendimmarrje”, thuhet në raport.

Në total, 87 për qind e vendeve shkelën të drejtën për grevë dhe 80 për qind shkelën të drejtën për negocim kolektiv, tha ITUC.

“E drejta për negocim kolektiv u kufizua në 80 për qind të vendeve (121),” theksoi raporti.

Në Francë, për shembull, “pothuajse katër nga dhjetë marrëveshje kolektive u imponuan në mënyrë të njëanshme nga punëdhënësit, pa përfaqësim sindikal”.

Raporti gjithashtu theksoi “përndjekjen” ndaj drejtuesve sindikalë.

“Në Francë, më shumë se 1,000 drejtues dhe anëtarë të sindikatës Confédération générale du travail (CGT) po përballen me akuza penale dhe masa disiplinore për rolin e tyre në protestat masive kundër reformave të pensioneve,” thuhet në raport.

Europa përjeton rënien më të theksuar
ITUC i jep çdo vendi një vlerësim nga një (maksimumi) deri në pesë (minimumi), bazuar në respektimin e të drejtave të punëtorëve, si e drejta për grevë, protestë dhe pjesëmarrje në negocime.

Vetëm shtatë vende – përfshirë Gjermaninë, Suedinë dhe Norvegjinë – morën vlerësimin maksimal, krahasuar me 18 vende dhjetë vite më parë. Italia dhe Argjentina panë një rënie të vlerësimit të tyre në vitin 2025.

“Nëse kjo rënie vazhdon me këtë ritëm, pas dhjetë vitesh nuk do të mbetet asnjë vend në botë me vlerësimin më të lartë për respektimin e të drejtave të punëtorëve,” tha në një deklaratë drejtuesi i ITUC, Luc Triangle.

Në vitin 2025, Europa përjetoi rënien më të theksuar nga të gjitha rajonet e botës në dhjetë vitet e fundit.

ITUC gjithashtu bëri të ditur se sindikalistë ose punëtorë u vranë në pesë vende gjatë vitit 2025: në Afrikën e Jugut, Kamerun, Kolumbi, Guatemalë dhe Peru.

Ndërkohë, Nigeria u rendit për herë të parë në listën e dhjetë vendeve më të këqija për të drejtat e punëtorëve.

Vetëm një numër i vogël vendesh panë përmirësime në këtë drejtim.

Reformat forcuan të drejtat sindikale në Australi, ndërsa në Meksikë, ndryshimet në legjislacionin e punës përmirësuan aksesin në drejtësi për punëtorët./monitor

Screenshot_5

 

Lufta në Ukrainë, Gjermania kërkon më shumë sanksione ndaj Rusisë

Gjermania ka kërkuar sanksione të reja ndaj Rusisë, duke theksuar se masat duhet të koordinohen me qeverinë e Trump.

Ministri i jashtëm gjerman Johann Wadephul tha se bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës në Turqi ishin shqetësuese dhe sugjeroi se Vladimir Putin do të pranonte paqe që është tërësisht në favor të tij.

“Ajo që përjetuam në bisedimet e fundit në Stamboll është tronditëse”, tha Wadephul në një konferencë.

Ai shtoi: “Pala ruse nuk paraqiti asgjë më shumë sesa kërkesat maksimale të njohura. Një gatishmëri për t’u angazhuar në dialog duket ndryshe. Ne po shtyjmë përpara një paketë me 18-të sanksionesh sa më shpejt të jetë e mundur.”

Më tej nënvizoi se kancelari gjerman Friedrich Merz do t’i çojë Trumpit një mesazh se Evropa është e vendosur në anën e Ukrainës dhe se asnjë shans për paqe nuk duhet të humbasë.

“Evropa pret që ne, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, ta sjellim Rusinë në tryezën e negociatave. Kjo mundësi për paqe nuk duhet humbur. Dhe kjo luftë duhet të marrë një fund të drejtë”, tha ai.

Kthyen banesën në plantacion marijuane, arrestohet çifti shqiptar në Spanjë (video)

Oficerët e Policisë Kombëtare në Stacionin e Policisë së Gandias kanë shkatërruar një plantacion marijuane në Ador dhe kanë arrestuar një grua dhe një burrë, përkatësisht 22 dhe 27 vjeç, me origjinë shqiptare, për një krim kundër shëndetit publik dhe një tjetër për mashtrim me energjinë elektrike. Ata sekuestruan 809 bimë marijuane me peshë mbi 177 kilogramë.

Hetimi, i kryer nga oficerë të Brigadës së Policisë Gjyqësore Vendore të Stacionit Kombëtar të Policisë së Gandias, filloi pasi u mësua në fillim të muajit të kaluar se marihuana mund të kultivohej në një shtëpi në qytetin e Adorit.

Policia vendosi mbikëqyrje në afërsi të pronës, duke zbuluar një erë të fortë karakteristike të kësaj substance që vinte prej saj. Ata gjithashtu vunë re tregues të tjerë objektivë se marihuana po mbillej brenda shtëpisë. Oficerët identifikuan gjithashtu një çift si banorët e zakonshëm të shtëpisë.

Operacioni kulmoi me hyrjen dhe kontrollin e pronës nën hetim, e cila ishte pothuajse tërësisht e dedikuar për kultivimin e bimëve të marijuanës. Brenda, ata gjetën tre plantacione në një fazë të avancuar të kultivimit, si dhe instalime elektrike dhe hidraulike që i shërbenin atyre.

Për të gjitha këto arsye, oficerët arrestuan çiftin për një krim kundër shëndetit publik dhe mashtrim me energjinë elektrike. Personat e arrestuar, pa të dhëna të mëparshme policore, janë sjellë para gjykatës dhe u është urdhëruar burgosja.

Bujar Vreto: Tradhtarë me kostum opozitari!

Nga Bujar Vreto

Sot nuk është më koha për të heshtur. Nga viti 2017 deri në 2025, Partia Demokratike dhe opozita reale janë goditur jo vetëm nga kundërshtari natyral (PS-Qeveria) por edhe nga intrigantë të brendshëm që punuan natë e ditë për t’i sjellë humbje. Jo se bënë gabim, por me qëllim, me skenar.

Ata miratuan ligje zgjedhore që i shërbenin vetëm Edi Ramës dhe Sali Berishës (kujto kushtetutën 2008 dhe ligjin zgjedhor 2024). Njëri për të vazhduar pushtetin, tjetri për të mbyllur opozitën në grushtin e tij. Janë të njëjtët që krijuan parti në 2019 e 2021, jo për ideal, por për ndarje votash dhe për të dobësuar zërin opozitar. Dhe sot i gjejmë sërish në listat e mbyllura, të mbrojtur, duke bërë marrëveshje me qeverinë e më pas duke luajtur rolin e viktimës.

Po, këta individë janë promovuar, janë pasuruar, dhe sot na thonë pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, se e dinim që do humbnim pupu. Kjo situatë nuk është reflektim por babëzi e kthyer në sistem. Është interes personal i paketuar si “vendimmarrje politike”, është shpërdorim i besimit të qytetarëve.

Ironia më e madhe? Ata që sot shajnë Ilir Rusmajlin për kërkesën për hapjen e kutive, janë të njëjtët që dje e kishin hero. E kishin bërë zëvendëskryeministër, sepse kështu funksionon ky sistem: sot armik, nesër mik. Sot zgjidhje, nesër pengesë. Vetëm që të ruajnë interesat e tyre.

Por koha e pazarit mbaroi. Shqipëria nuk është pronë e askujt. Ky popull ka sakrifikuar shumë për të parë një politikë të pastër, të ndershme dhe të drejtë. Dhe sot, ai është zgjuar.

Nuk do ketë më kompromis me ata që 34 vjet kanë rrjepur vendin dhe kanë ndarë pushtetin me të njëjtën tryezë, ndërsa qytetarëve u kanë ofruar vetëm fjalë boshe. Ne nuk do të heshtim më.

Shqipëria po ngrihet.

Nëse mbrojmë me votë të fortin, të paaftin, dallaverexhiun, jemi një prej tyre

Nga Agim Baçi

Në zgjedhjet e Prillit të vitit 2021 ishte hera e parë që ndeshesha me kërkimin e votës personale. Drejt këtij vendimit shkoja duke besuar një kauzë, që vijoj ta besoj, për një shtet të së drejtës, për një shoqëri që mbështetet në besim, në respektin e pronës dhe që merr përgjegjësi për vendimet e veta.
Shumë njerëz në rrugë apo kafene, mes përqafimesh, përgëzonin këtë hap dhe premtonin mbështetje. I dëgjoja në atë prakticitetin e kërkesave dhe e vetmja gjë që më dukej e drejtë t’u thoja, ishte fakti se do i dëgjoja gjithmonë pa u varur nga rezultati! Basti i vetëm që kam vënë është të qenuri po agim baçi, pa u ndikuar nga asgjë.
Në fund të votimeve m’u desh të rivendosja gjithë premtimet e atyre personave që kishin ardhur e folur me mua përballë me votat reale. Nuk kishte të bënte aspak me fitoren apo humbjen time. Thjesht duhej të kisha brenda vetes një përgjigje për atë hendek me të cilin po ndeshesha, kur në fakt nuk kisha detyruar askënd as të më premtonte diçka të pamundur.
Nën atë reflektim, apo “leksion realiteti” më vinin para syve, në vitet e përvojës sime, në punët e mia, fytyra të njohura që jo pak herë i dëgjoja të revoltoheshin ndaj një të keqeje, ndaj një padrejtësie, dhe sërish, në kutitë e votimit hidhnin votën pikërisht për atë ndaj të cilit kishin shprehur mllefin për paaftësi, për korrupsion, për dallaveraxhi.
Në fakt, kam njohur jo pak nga ata që bëjnë furtunë morale në fb, instagram apo çfarëdo media sociale e tradicionale, por më pas, i sheh duke thënë justifikime pa fund se përse i kanë mbështetur sërish ata të cilët i quanin si të paaftë apo pazarxhinj apo të korruptuar, edhe kur në shkrime apo fjalime publike i kishin kundërshtuar apo kritikuar rëndë!
Padyshim që do ishte gabim dhe hipokrizi për secilin nga me nëse të mirët apo të këqijtë do t’i përcaktonim nga fakti se sa janë të mirë apo jo të mirë me ne. Gjithnjë mendoj se Zoti ka planet e veta dhe ne duhet veç të lexojmë shenjat e asaj që na vjen.
Por, a duhet të heshtim përballë atyre që ankohen, kritikojnë, por më pas janë votuesit apo mbështetësit e parë të atyre të cilët i shohin si një e keqe për vendin, qytetin, apo institucionin ku punojnë? Jo, sepse të tillët, që ankohen dhe votojnë ata për të cilët ankohen, që mbështesin ata që i komentojnë si të paaftë, nuk janë veçse ajo telajo e fortë ku e keqja rri varur në një ekspozim verbues. Jo, nuk duhet të heshtim por t’u themi në sy se, ata janë personat që krijojnë dhe mbajnë gjallë gënjeshtrën rreth nesh. Sepse, në fund të fundit, ne nuk jemi asgjë tjetër, veçse ajo që mbrojmë. Dhe kush mbron të keqen, të paaftin, dallaverexhiun, nuk ka asnjë justifikim, pasi në thelb ai është gjeneruese i tyre dhe se revolta e të tillëve është hipokrizi.
Pra, thënë hapur, nëse ne mbrojmë me vendime apo votë të fortin, të paaftin, dallaverexhiun, ne jemi një prej tyre. Ndaj, me këdo që u flet të tjerëve për ndershmërinë, por më pas bashkëndan udhët me të, mos u besoni nëse do t’iu llomotisë për rëndësinë e së drejtës dhe të vërtetës, pasi ata janë pikërisht mbajtësit në këmbë të ligësisë, paaftësisë, autokracisë dhe gjithçkaje tjetër që është kundër të duhurës.
E nëse njerëzit që kanë më shumë përgjegjësi publike për të reaguar, për të ndryshuar realitetin rreth tyre, nuk reagojnë, mos të fajësojmë ata të cilët presin të sigurojnë jetesën nga dallaveraxhinjtë që votojmë apo mbështesi aty ku mundemi.

Mandati i 4-t nis vrullshëm/ Qeveria i hap rrugën plaçkitjes së pronave të ushtrisë tek klientët e saj strategjikë

Qeveria ka miratuar një projektligjtë propozuar nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i cili i hap rrugën rrëmbimit të pronave të ushtrisë nga investitorët strategjikë, edhe kur ato janë në Planin e Përhapjes. Drafti, e shndërron Planin e Përhapjes në një dokument, që mund të preket në çdo kohë, sa herë që një ministër propozon një investim.

“Plani i vendosjes dhe përhapjes i Forcave të Armatosura rishikohet periodikisht çdo 5 vjet dhe në çdo kohë, në rastet e investimeve me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit apo ndërtimeve, përmirësimeve të infrastrukturës publike, që prekin pjesërisht apo plotësisht një pronë brenda planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura, kur vlerësohet se ky ndryshimin nuk cenon operacionalitetin e Forcave të Armatosura. Institucioni përgjegjës për investimet e rëndësisë së veçantë kërkon rishikimin e planit të vendosjes dhe përhapjes, pasi vlerëson natyrën dhe rëndësinë e investimit,” thuhet në projektligj.

Plani i Përhapjes është dokumenti, që përmban të gjithë pronat strategjike të ushtrisë, të cilat janë kritike për kapacitetin e mbrojtjes së vendit dhe operacionalitetin e Forcave të Armatosura.

Por projektligji i miratuar nga qeveria këtë të mërkurë, praktikisht i nxjerr pronat e ushtrisë në “rrugë të madhe”, pasi i jep të drejtë çdo anëtari të kabinetit qeveritar të kërkojë nxjerrjen e pronave të ushtrisë nga Plani i Përhapjes me qëllim privatizimin e tyre me argumentin e investimeve të rëndësishme për ekonominë.

Fjala vjen nëse një biznesmen që merret me peshk i kërkon ministres së Bujqësisë një bazë ushtarake në bregdet për të zgjeruar biznesin e tij, përmes këtij ligji, qeveria nis procesin e privatizimit të pronës.

Tjetërsimi i pronave strategjike të ushtrisë tek privatët, nën argumentin e investimeve me rendësi për ekonominë, ka qenë një synim i hershëm i qeverisë. Në rastin e bazës detare të Sarandës, prona u tentua të privatizohej pa u nxjerr fare nga Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura, pasi në atë kohë Edi Rama pengohej nga Ilir Meta, i cili mbante firmën e fundit për heqjen e pronave nga Plani i Përhapjes.

Më vonë, afera e bazës së Sarandës përfundoi në SPAK e kallëzuar nga ish zv/komandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari. Gjykata e Posaçme vendosi sekuestrimin e pronës, që i ishte dhënë për zhvillim privatit, me argumentin se privatizimi i saj cënonte sigurinë kombëtare dhe kapacitetin mbrojtës të vendit. Por pavarësisht sekuestrimit, deri më tani për këtë çështje nuk ka asnjë të ndaluar./Kapitali.al

Antibiotikët po humbasin fuqinë, shkak përdorimi pa kriter

Shqiptarët vazhdojnë të vetëmjekohen, ndonjëherë edhe me antibiotikë. Mjekët e familjes thonë se mungesa e informacionit bën që shpesh pacientët të mos zbatojnë as skemën e mjekimit duke krijuar më shumë probleme.

Por përdorimi pa kriter i antibiotikëve sipas mjekes po bën që disa sëmundje të trajtohen me vështirësi pasi fuqia e medikamenteve ka rënë ndërsa bakteret janë fuqizuar duke krijuar antibiotiko-rezistencë, raporton “EuronewsAlbania”.

Ndonjëherë janë edhe vetë mjekët ata që japin antibiotik në rastet kur nuk është e nevojshme. OBSH prej vitesh e ka konsideruar antibiotiko-rezistencën një problem madhor të shëndetit publik, pasi disa antibiotikë e kanë humbur fuqinë e tyre.