28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Sot 8 Dhjetori, ambasada e SHBA: Qëndrojmë me krenari krah Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE

Në ditën Kombëtare të Rinisë, ambasada e SHBA-së në Tiranë iu është bashkuar reagimeve me rastin e Ditës së Rinisë.

Ambasada deklaron se ashtu sikurse qëndruan 33 vite më parë krah të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë kur kërkonin një vend si gjithë Europa, SHBA qëndron edhe sot me krenari në rrugën e Shqipërisë drejt BE.

“Sot, ne kujtojmë rininë dhe studentët shqiptarë të cilët ishin nismëtarë të protestave që sollën rënien e regjimit komunist dhe lindjen e demokracisë më 8 dhjetor 1990.
Shtetet e Bashkuara qëndruan pranë të rinjve dhe qytetarëve të Shqipërisë teksa ata kërkuan një vend “si e gjithë Europa” dhe ne jemi me krenari krah jush sot, teksa Shqipëria bën hapin e saj të radhës drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian”, thotë Ambasada e SHBA në një postim në rrjetet sociale.

Shpenzimet për arsimin zbresin në 2,9% të PBB-së, niveli më i ulët të paktën që nga 2011

Teksa ekonomia e vendit u zgjerua dhe buxheti arkëtoi më shumë të ardhura, shpenzimet publike për sektorët prioritarë të vendit, arsimi dhe shëndetësia kanë shënuar ulje në vitin 2022 si në raport me PBB-në ashtu edhe me shpenzimet e përgjithshme buxhetore.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, në vitin 2022 shpenzimet publike në sektorin e arsimit ishin 62.9 miliardë lekë ose 2,9% e PBB-së. Krahasuar me vitin 2021, shpenzimet publike në arsim shprehur si përqindje ndaj PBB-së kanë shënuar ulje me 0,2 pikë përqindje, ndërkohë shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,1 pikë përqindje.

Gjithashtu shpenzimet publike për shëndetësinë ishin sa 2.98% e PBB-së më 2022 sipas INSTAT. Si përqindje ndaj PBB-së kanë shënuar rënie me 0,44 pikë përqindje në raport me 2021, ndërsa shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,90 pikë përqindje krahasuar me vitin 2021.

Dy shërbimet themelore publike arsimi dhe shëndetësia janë të nën-financuara në raport me vendet e tjera të Rajonit dhe Europës. Financimet në arsim kanë kthyeshmëri të lartë në krahasim me sektorët e tjerë, pasi rrisin kualitetin dhe aftësitë e kapitalit human. Një forcë pune e mirë-arsimuar është në gjendje të çojë përpara një model më të avancuar ekonomik.

Përgjatë gjithë tre dekadave të tranzicionit shpenzimet në kanë qëndruar në rreth 3 për qind të PBB-së.

Në mënyrë krahasimore, në lidhje me shpenzimet në arsim si përqindje e PPB-se, treguesi i Shqipërisë është poshtë vendeve të rajonit që financojnë 4-5% të PBB për arsimin dhe poshtë vendeve të OECD që financojnë 6-7% të PBB-së tyre për arsimin.

Sakaq sektori i arsimit po tkurret si rrjedhojë e rënies së lindjeve dhe emigracionit të lartë që ka çuar në uljen e nxënësve në klasa. Hapësirat financiare po zgjerohen dhe ekspertët e shohin si mundësi të artë për rritjen e financimeve sidomos për universitet dhe kërkimin shkencor.

Përgjatë tre dekadave të tranzicionit sektorit i arsimit në vend u tkurr me rreth 35%, nga rënia e numrit të nxënësve. Zhvillimet demografike lajmërojnë se gjatë dekadës në vijim do të kemi sërish rënie dhe do të ketë përgjysmim të studentëve.

Rënia e lindjeve emigracioni i përqendruar në moshat e reja pritet të çojë numrin total të studenteve që regjistrohen në vit të parë jo më shumë se 10 mijë në vitin 2032 dhe jo më shumë se 50-60 mijë studentë gjithsej në universitete nga rreth 120 mijë që ishin në vitin akademik 2022-2023./MONITOR

Tymueset dhe shpërthimet dje në Kuvend, policia referon materialet në SPAK për grupin e Rithemelimit

Policia e ka konsideruar vendngjarje sallën e Kuvendit pas incidenteve të shkaktuara nga deputetët e opozitës ditën e djeshme. Por, ndryshe nga data 4 dhjetor referimi i materialeve në SPAK nga komisariati nr.1 nuk është bërë me emra konkretë, por materiali është referuar për grupin parlamentar të opozitës. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetari Igli Çelmeta.

Kujtojmë se më datë 4 dhjetor, komisariati nr.1 krahas materialeve të tjera hetimore referoi në SPAK edhe emrin e deputetëve Flamur Noka dhe Albana Vokshi. Referimet në SPAK janë bërë që ditën e djeshme. Ndërsa për Nokën dhe Vokshin që më datë 4 dhjetor.

Kujtojmë se dje ende pa nisur seanca plenare, opozita vijoi me skenarin e saj, me tymuese, por hodhi edhe shashka, ndërkohë që zyrtarisht Kuvendi zgjati vetëm 8 minuta, sa u miratua buxheti i vitit 2024.

“Mbi 500 mijë të rinj janë larguar”, Jorida Tabaku reagon për Ditën e Rinisë: Duhet ndaluar hemorragjia që po plak Shqipërinë

Në Ditën e Rinisë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shkruan se pas 30 vitesh, rinia në Shqipëri vazhdon të largohet masivisht. Sipas saj, Nuk mund të flitet për të ardhmen, ndërkohë që në vend i këndohet ende kultit të individit.

Reagimi i plotë:

Tre dekada më parë studentët u ngritën për një Shqipëri të lirë nga kulti individit dhe diktatura trushplarëse e një elite të korruptuar dhe kriminale. U ngritën për tu larguar nga një qeverisje që kishte biografinë si diplomë dhe internonte njerëzit familjarisht nëse nuk i pushkatonte apo i dergjte burgjeve.

Përtej urim sot duhet të pyesim veten se përse mbi 500 000 të rinj janë larguar dhe çfarë mund të bëjmë për të ndaluar hemorragjinë që po plak Shqipërinë.

Nuk mund të ndërtojmë Shqipërinë Europiane nëse vazhdojmë të këmbëngulim në diktatin e një politike që ka ngecur në vendnumëro. Nuk mund të flasim për të ardhmen e të këndojmë ende himnin e kultit të individit.

Është koha të ndryshojmë për ti lënë fëmijëve tanë një Shqipëri që mund të jetojnë dhe mund ta ndryshojmë!

Dritan Goxhaj kallëzon në SPAK ministrin Ulsi Manja për shpërdorim detyre

Kallëzohet në SPAK, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja. Ky i fundit është kallëzuar për shpërdorim detyre nga Dritan Goxhaj, ish-anëtar i UÇK-së. Kallëzimi në fjalë është bërë lidhur me procedurat dhe pranimin e kërkesave të Gjykatës Speciales të Kosovës për ekstradimin e Goxhajt kur u arrestua.

KALLËZIMI I PLOTË:

“Në rastin konkret z.Ulsi Manja në detyrën e ministrit jo vetëm që pranon një letër porosi pa u përcjellë praktika e ardhur për ekstradim nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës me nënshkrimin përkatës të titullarit të saj, por pamvarësisht eksperiencës së tij të mëparshme ligjore si prokuror i Prokurorisë së Shtetit, pranon një kërkesë për ekstradim drejt Mbretërisë së Vendeve të Ulëta Hollandë, i vetëdijshëm që Shteti Shqiptar nuk ka asnjë marëveshje ekstradimi me shtetin e Hollandës.

Gjithashtu ministri dhe ministria që ai drejton duket qartësisht se ata i kanë studiuar të gjitha aktet e ardhura pranë kësaj ministrie nga ana eDhomave të Specializuara për rastin në fjalë. Këtë fakt e vërteton data që mban dokumenti i titulluar Notë Verbale Ref:NV2023/0026 i marrë në dorëzim nga ministria më datë 23.06.2023 dhe kjo ministri ka njoftuar dhe ja ka kaluar aktet Prokurorisë së Përgjithshme me datë 26.06.2023 me anë të shkresës Nr.830/1 Prot.

Gjatë kësaj kqyrje të akteve nga ana e tyre edhe pse e kanë vënë re që bëhet fjalë për një kërkesë qartësisht politike dhe të jashtëligjshme për ligjet e shtetit Shqiptar, pasi në atë këkrkesë në faqen 1 të saj në pikën A “Veprat Penale dhe paraqitje e shkurtër e fakteve “ shkruhet se “ me anë të një postimi të bërë më datë 1 janar 2023 në faqen e tijë të Facebook nëpërmjet një shkrimi që mban emrin e tijë”, fakt kjo që tregon qartësisht se kërkesa për arrestim dhe ekstradim bëhët për shkak se unë kamë shfrytëzuar të lirinë e shprehjes e garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe të Drejtat Themelore.

Gjithashtu po në këto akte të disponuara nga ministri dhe ministria, shkruhet e zeza në të bardhë në dokumentin me titull “Fletëarrestim për Z.Dritan Goxhaj” ku në pikën B të saj me titull “Domosdoshmëria e Arrestimit” në faqen numër 3 të këtij fletëarresti në pikën 3/iii shkruan

“U ka bërë thirrje të tjerëve për të mbrojtur UÇK-në”.

Kjo përcakton qartësisht se qëllimi i kësaj kërkese për ekstradim është tërësisht politik.

Ulsi Manja i vetëdijshëm totalisht se kjo kërkesë e ardhur tek ai direkt është në shkelje të ligjeve të Shtetit Shqiptar dhe Konventës Europiane Për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, sërish i ka dhënë zor duke u nxituar për të realizuar këtë ekstradim edhe pse ka pasur të gjitha mundësitë kohore dhe ligjore që të mos rrëshkiste drejt kryerjes së veprës penale Shpërdorim Detyre me anë të praninit të kësaj kërkese dhe dhënies rrugë të ndihmës juridike”.

“Saliu i ka marrë prokurorët me libër shtëpie!”/ Artan Hoxha: Ka hetime të reja për Gërdecin, do t’ja dëgjojmë krismën!

Artan Hoxha ka folur në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, për sfidën që Sali Berisha po u bën prokurorëve dhe gjykatës, duke mos njohur vendimin për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore.

“Ndodhemi në një gjiriz, ose do ta thajmë, ose duhet të derdhim ujë tjetër që të pastrohet.

Ne çfarë thamë pak më parë? Nuk akuzuam opozitën, që ka lënë krimin e organizuar të kontrollojë paratë e kumarit në Shqipëri, ia faturuam kryeministrit.

Po opozita? Janë me flakadanë. Rama e bën qëllimisht, e ka lënë opozitën të përplaset me Gardën e Republikës dhe Rama qesh, mban kartonin ngritur. Gjithë energjia e opozitës, kanalizohet te ato karriget atje.

Berisha është marrë nën hetim, ka një masë sigurie dhe nuk e ka respektuar vendimin e Gjykatës. Ligjërisht ka dërguar avokatët që po ndjekin procesin.

Në këtë moment, SPAK-u a duhet ti drejtohet Kuvendit, për të ashpërsuar masën e sigurisë? Patjetër. Pse nuk i drejtohet? Unë dyshoj që, që në fillim SPAK ka marrë masë sigurie pa e dërguar në Kuvend. Berisha po kërkon ta zhvendosë betejën në Kuvend dhe SPAK nuk po ia jep këtë mundësi.

Berisha çdo ditë i merr prokurorët me libër shtëpie, merret çdo ditë me ta. Berisha kërkon që ata ta çojnë çështjen në Kuvend dhe ata nuk ia japin këtë mundësi. Ata bëjnë sikur nuk e shohin që po shkel ligjin.

Ndodhemi para faktit, ose duhet të ketë proces tjetër dhe unë di që ka edhe hetime të tjera. Por, sërish masë më të ashpër nuk mund të ketë për Berishën, së pari për moshën që ai ka.

Sot e pashë si lajm që thirret si dëshmitar Aldo Bumçi dhe Shkëlzen Berisha për Gërdecin, kjo është gjëja më normale. Kjo është shumë pak, thirrja në cilësinë e dëshmitarit. Për Gërdecin ka proces tjetër dhe do t’ja dëgjosh krismën”, tha Hoxha.

Eksperti i energjitikës: Ngrohëset harxhojnë 40% më shumë se kondicioneri

Eksperti i energjetikës, Azmer Duleviç tha në “Good Mornig Albanians” se ngrohëset e vogla elektrike, konsumojnë më shumë energji se sa kondicioneri.

Kjo sipas tij, vjen pasi kondicioneri pasi arrin temperaturën e caktuar të dhomës fillon të ulë xhirot, gjë që nuk ndodh me ngrohëset e vogla, të cilat vazhdojnë të punojnë me të njëjtën fuqi.

“Ngrohësja e vogël rri me të njëjtën temperaturë gjatë gjithë kohës, ndërsa kondicioneri nuk është gjatë gjithë kohës në maksimum, sepse është inverte.

Në momentin që arrin temperaturën e dhomës, ai ul xhirot. Punon me xhiro të avashta dhe si rrjedhojë konsumi i energjisë është më i ulët, mund të jetë 40% më pak se një ngrohës apo reflektor elektrik që e përdorin qytetarët”,-tha Duleviç.

8 dhjetori, nevoja për një sistem të ri

Nga Namir Lapardhaja

Demokracia në Shqipëri lindi e vdekur.
Studentët, të cilët duhet të ishin në pararojë jo vetëm të ndryshimeve, por edhe të mbizotërimit të jetës politike në vend, u përdorën nga elita politike e kohës si një garniturë e shkëlqyer.

Më pas perdja ra dhe askush nuk u mundua ta fsheh më se gjithçka ishte e kurdisur sipas një plani të mirorganizuar.

Edhe nëse nuk kishte një regji qendrore, ishin vetë aktorët që u kujdesën që gjithçka të ishte nën kontrollin e tyre.

I yti mishin ta ha, por kockat t’i ruan.
Dhe kështu u bë.

Mjafton të shohësh sot elitën politike, mediatike dhe të biznesit për të vërtetuar se gjithçka ka funksionuar perfekt.

Lulzim Basha, i vetmi politikan jashtë kësaj skeme, u largua prej saj “me pekule” dhe sulmohet përditë egërsisht prej politikës, medias dhe oligarkisë.
Përtej kusureve që mban mbi shpinë, është i vetmi që nuk ka dalë nga paradhoma e Ramiz Alisë dhe, si i tillë, shkatërron skemën.

Edi Rama, kryetar i PS-së dhe Kryeministër i Shqipërisë, është mjaftueshmërisht i vjetër në politikë, për të qenë një rrobë e tripsur dhe kundërmuese, për shkak të konsumit të madh dhe trashëgimisë politike.

Sali Berisha, kryetari i parë i PD-së, është rikthyer dhe vijon të jetë garanti më i madh i skemës së demokracisë së kontrolluar në vend, duke e udhëhequr këtë grupim sipas metodës së karrotës për miqtë dhe kërbaçit me armiqtë.

Ilir Meta i ftuar në takimin e Ramzis Alisë me studentët e Universitetit të Tiranës, është rikthyer në krye të partisë që vetë themeloi në vitin 2004, tashmë me emër tjetër, dhe, pas daljes së dosjes si bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit, kristalizohet ideja se asgjë nuk ka qenë rastësore për djalin e një familjeje të thjeshtë nga Çepani i Skraparit.

Pjesa tjetër e politikanëve janë thjesht zare në duart e tyre.

Kjo treshe deri më sot ka dhënë mundësinë për të bërë karrierë dhe për ta shkatërruar atë, ndërkohë që gjasat janë që edhe këta vetë të jenë pjesë e një skeme dhe mekanizmi më të madh, që garanton vazhdimësinë dhe paprekshmërinë e tyre.

I vetmi garant i shkërmoqjes dhe shpërbërjes së kësaj skeme mbetet SPAK dhe mbështetja amerikane e tij.

Përveç elitës politike, e njëjta situatë është në atë mediatike dhe ekonomike.

Media kujdeset të mbrojë këtë klasë politike, për shkak të përfitimeve të mëdha ekonomike, ndërsa pjesa më e madhe e të ashtuquajturve oligarkë janë ish-oficerë të regjimit të vjetër, rrjedhimisht pjesa më e indoktrinuar ideologjikisht, gjë që tregon se edhe ata nuk janë rastësisht në ato kuota ekonomike. Sigurisht jo të gjithë.

Shoqëria civile është inekzistente në rastin më të mirë, ndërsa e blerë në rastin më të keq.

Për të mos folur për intelektualët, që në shumicën e rasteve, pjesa më e madhe e tyre janë trashëgimtar të mendësisë dhe filozofisë komuniste, kurse pjesa tjetër, e trembur dhe anemike.

Nuk shërbejnë për asgjë.

Demokracia në Shqipëri është shndërruar në një lojë bajate.

Qytetarët nuk besojnë më tek ndryshimi që mund të vijë prej zgjedhjeve dhe, në vend të reagimit, kanë zgjedhur të ikin, të emigrojnë.

Ata nuk e duan qeverisjen, por nuk besojnë tek opozita, gjë që e mban situatën të bllokuar, të pandryshuar.

Nëse do të parafrazonim profesorin e shkencave politike, Ivan Krastev-in, demokracia në vend ka humbur mundësinë e saj për t’u vetëkorrigjuar dhe është kujdesur më shumë për të mbajtur të paprekur fasadën demokratike. Qeveritë në vend janë ndryshuar, por nuk është arritur të korrigjohen politikat e tyre, sepse në këtë lloj demokracie njerëzit e kanë humbur shpresën që zëri i tyre mund të sjell ndryshim.

E gjithë lufta sot bëhet për të ruajtur fasadën dhe status quo-n e mosndryshimit të gjendjes.

Ndaj duhet një sistem tjetër me aktor të rinj, që prishin skemën e paradhomës së Ramiz Alisë.

Sot, Dita e Rinisë, por ku janë të rinjtë?! 570 mijë më pak në dy dekada

8 Dhjetori, Dita e Rinisë në Shqipëri, kujtohet si një moment historik, kur një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës, në vitin 1990, u bënë protagonistë të kthesës së madhe historike, për ndryshimin e regjimit diktatorial.

Ishin kohë ëndrrash dhe shpresash të mëdha. Në fakt, shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Vendi, shumë më i lirë se më parë, ka ecur përpara, është hapur me botën, ekonomia është rritur e diversifikuar. Të rinjtë e sotëm janë shumë më ndryshe se në atë kohë, kanë pa fund mundësi e zgjedhje se më se 30 vite më parë. Ambiciet e tyre janë shtuar, por edhe pritshmëritë për të ardhmen gjithashtu. Dhe aspiratat e të rinjve janë thelbësore për investimet e tyre në kapitalin njerëzor, zgjedhjet arsimore dhe rezultatet e tregut të punës.

Por, në këto tri dekada, realiteti nuk duket t’i jetë afruar ambicies së të rinjve. Ata, me shumicë, po rezultojnë se kanë zgjedhur t’i përmbushin ato diku tjetër. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2022, grupmosha 0-24 vjeç përbënte vetëm 30% të popullsisë, nga gati 50% që ishte në 2011 (e dhëna më e hershme që është e disponueshme nga INSTAT). Në shifra janë rreth 570 mijë të rinj e fëmijë më pak se dy dekada më parë (nga 1.42 milionë në 2001 në 827 mijë në 2022- shiko grafikun).

Arsyet janë të shumta. Një prej tyre është plakja graduale e popullsisë, një tendencë deri diku normale që ka ardhur me zhvillimin e vendit dhe ndryshimin e stilit të jetesës. Efektin më të lartë po e jep emigracioni, i cili, jo vetëm që nuk është ndalur, por pas vitit 2016 është përshpejtuar, me mbi 70% të të ikurve që janë të moshës nën 24 vjeç, siç ka rezultuar nga të dhënat e azilkërkuesve që raporton Eurostat. Largohen familjet me fëmijë e krahas tyre, edhe të rinjtë që përndryshe do të kishin krijuar familje në vend. Një studim i fundit tregoi se janë rreth 17 mijë studentë që studiojnë jashtë dhe nuk kanë ndër mend të kthehen.

Shkaqet duhet të shihen të ndërlidhura zinxhir. Ato fillojnë që me sistemin e edukimit. Të dhënat e fundit të “PISA 2022”, një studim ndërkombëtar që u fillua nga OECD në 1997, gjeti se Shqipëria pozicionohet e parafundit në rajon për aftësitë e nxënësve për lëndën e matematikës, leximit dhe shkencës, të cilat janë përkeqësuar, duke lënë pas vetëm Kosovën, që është një shtet i ri dhe pa shumë traditë për vetë të kaluarën e tij historike.

Pandemia është vetëm një justifikim, pasi nga vlerësimi i ecurisë së nxënësve në matematikë krahasuar me programin PISA 2018, Shqipëria ka një rënie prej 69 pikësh, më e larta ndër 80 shtetet e testuara. Shumë familje të shtresës së mesme po largohen, duke zgjedhur të sakrifikojnë për të arsimuar fëmijët e tyre jashtë vendit. Edhe financimet e qeverisë për arsimin, duket se paraprijnë rënien e cilësisë së shkollimit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se shpenzimet për këtë sektor, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), ranë me 0.2 pikë përqindje në 2022 me bazë vjetore, duke zbritur në 2.9% të PBB, nga rreth 5% që është mesatarja e Bashkimit Europian.

Fondet për kërkim e zhvillim, një instrument që krijon mundësi për të rinjtë, janë më të ulëtat në Europë në raport me madhësinë e ekonomisë. Mungesa e investimeve në kapitalin human është një nga arsyet kryesore, që jo vetëm po demotivon të rinjtë, por dhe po ndikon negativisht në produktivitetin e ekonomisë.

Kjo na çon te faktori tjetër, ai i tregut të punës. Shqipëria vijon të ketë pagën mesatare më të ulët në Europë, që është një reflektim i modelit ekonomik të deritanishëm, ku avantazhi kryesor ka qenë krahu i lirë i fuqisë punëtore.

Vendet e reja të punës vijojnë të jenë më së shumti në sektorë të pakualifikuar, që po refuzohen nga të rinjtë e sotëm ambiciozë. Punonjësit e kualifikuar, sipas agjencive të rekrutimit dhe ekspertëve të tregut të punës, po largohen në emigracion.

Politika, e vjetër apo e re, është zhgënjimi i radhës i të rinjve. Klasa politike, e mbërthyer në skandal pas skandali, nuk po ngjall më shpresë.

Është e vërtetë që Shqipëria e sotme është më mirë se Shqipëria e fillim viteve 1990. Por, po kaq e vërtetë është që Shqipëria e sotme është shumë larg asaj që priste një student i vitit 1990.

Ndryshe nga energjia e viteve ’90, reagimi i heshtur që ata po zgjedhin është emigracioni. Justifikimi që kjo ndodh në të gjithë vendet e Europës Lindore dhe se nuk mund të konkurrojmë me pagat e Gjermanisë zbehet në momentin që krahason shifrat e ikjes në raport me popullsinë, ku Shqipëria renditet me vendet që sot janë në luftë!

Të rinjtë janë burimi i parë i shpresës për një të ardhme më të mirë, janë shtylla kurrizore e çdo shoqërie, përfaqësojnë më të mirën e së tashmes dhe të asaj që do të vijë.

Atyre duhet t’u ofrohet perspektivë, duke përfshirë punë cilësore dhe mundësi arsimimi dhe trajnimi për Shqipërinë e së ardhmes dhe të mbështetet pjesëmarrja e të rinjve në shoqëri, si forma më e mirë për të ndalur hemorragjinë që ka përfshirë sot vendin./MONITOR

 

Çollaku: Rithemelimi të formojë një grup në Kuvend, s’jemi kundër, por duan t’i imponohen PD-së

Në “Drejt” nga Luan Rama, deputeti demokrat Kreshnik Çollaku u shpreh se Rithemelimi të regjistrojë një grup parlamentar në kuvend.

Çollaku: Rithemelimi të regjistrojë një grup parlamentar në kuvend dhe me shumë gjasa sikurse janë sot meqë kanë më shumë deputetë, kanë të drejtën të marrin privilegjet që u ofron grupi më i madh parlament në kuvend dhe ne nuk kemi kundërshtim.

Nuk e bëjnë këtë sepse kërkojnë që të imponojnë përfaqësimin e PD-së gjë të cilën nuk e pranojmë, sepse nuk mund të pranojmë që të përfaqësohemi nga dikush që nuk është anëtar i PD-së dhe t’i bëjmë Ramës dhe Nikollës presin se kush është kryetar grupi dhe kryetar i PD-së.

Gjithashtu, deputeti demokrat u shpreh se nuk dorëzohet përballë situatës në kuvend dhe theksoi se ka shpresë.

Çollaku: Nuk hyj te pesimistët e dorëzuar. Mendoj se ka dalje dhe nuk janë të lehtë. Kanë ndodhur ngjarje më të rëndë në vendin tonë dhe këto skena në parlament nuk janë parë, është vrarë një deputet dhe është protestuar, ka pasur 97 dhe nuk është vepruar kështu.

Unë e ndjej se kjo nuk përkthehet në një tension në shoqëri. Është e pamundur që të replikohet kauza dhe veprimi i Vetëvendosjes në Kosovë, ata kishin një histori dhe një rezistencë. Ne kemi një mospërputhje shumë të madhe në vendin tonë. Ka një ftohje mes asaj që ndodh në kuvend dhe asaj që ndodh ne shoqëri.