30.5 C
Tirana
E martë, 24 Qershor, 2025

Investitorët strategjikë’, nga persona me të shkuar kriminale tek miqtë e Ramës

Kuvendi në vitin 2015 miratoi një ligj, gjoja se do sillte investime të huaja dhe do krijonte lehtësi për investitorë serioz të huaj, por përfundimi është që përfitues nga ligji janë miq dhe ortakët e përhershëm të Edi Ramës.

Për të bërë sa më të qartë artikullin si fillim dhe për të treguar se si Edi Rama ka favorizuar miqtë e tij po tregojmë se cilat janë përfitimet e investitorëve strategjikë.

Ti mund të quhesh investitor strategjik nëse premton se do të investosh 5 milionë euro dhe do të punësosh mbi 80 persona në fushën e turizmit.

Po përveç turizmit, sektorët ku mund të marrësh statusin e investitorit strategjik për të investuar janë energjia e sektori minerar, infrastruktura, bujqësia dhe zonat teknologjike e zhvillimit ekonomik.

Nëse merrni këtë status, shteti ju garanton një sërë përfitimesh nga dhënia e tokës, rrugët, kanalizimet, furnizimin me ujë dhe energjinë elektrke. Në raste të veçanta, shteti merr përsipër të shpronësojë pronat private për të mundësuar realizimin e projektit.

Këtyre investitorëve pas ndërtimit të komplekseve turistike u lejohet të përdorin brigjet e detit dhe plazhin deri në 30 vite.

Por që në bazë të të dhëna të deri tanishme shumica e investitorëve strategjikë e kanë përdorur këtë ligj për të ndërtuar vila , të cilat nuk i sjellin asnjë zhvillim turizimit dhe më e keqja ato shiten dhe të gjitha fitimet shkojnë tek kompanitë e tyre.

Po kush janë investitorët strategjik të dhënë nga qeveria Rama?

E nisim me Pëllumb Gjokën dhe ndihma që i dha Rama, ‘biznesmenit’ i cili ndodhet në burg për shkak SPAK ka provuar bashkëpunimin e tij me elementë kriminalë.

Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi statusin e investitorit për projektin “Silver Sand Resort”, me subjekt aplikues “Imperial Group”. Kompania përfituese zotërohej në 56 përqind nga Pëllumb Gjoka dhe pjesa tjetër nga familjarët e tij, Kolë dhe Alida Gjoka.

Vendimi u morë pas zgjedhjeve të përgjithshme kur socialistët fituan një mandat të tretë, ndërsa në Shkodër morën një rezultat të kënaqshëm në bashkëpunim me PSD e Tom Doshit.

Shpallja e investitorit strategjik ishte një shpërblim për Gjokën, që sot i duhet të përballet me të kaluarën e tij.

Kujtojmë që Pëllumb Gjoka është akuzuar dhe publikisht për vrasjen e një gruaje 90-vjeçare me qëllim marrjen e pronës së saj në Velipojë.

I dyti në radhë është biznesmeni Artan Gaçi, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka, të cilit një muaj më parë SPAK i sekuestroi 5.512 m2 truall në zonën e fshatit Gjilek në Dhërmi.

Sekuestro preventive u vendos pas dyshimeve të krijuara nga SPAK, për falsifikim të akteve të marrjes në pronësi të kësaj parcele toke.

Nga kjo pronë Artan Gaçi, kishte fituar edhe statusin si ‘investitor strategjik’.

Vijmë tek aktori i Portokallisë Gazmend Paja një mik i Erion Velisë dhe Edi Ramës.

Në vitin 2022 Gazmend Paja, aktori i njohur i humorit u shpall investitor strategjik në bregdetin e jugut. Kompani e tij ‘Ecotech Energy Services’ së bashku me kompaninë ‘Startek’ do të investonin në Dhërmi 13.8 milionë euro.

Paja përfitoi 133 mijë metra katrorë tokë për të ndërtuar “Dhërmi Restort” një kompleks luksoz që ka fokusin turizmin elitar, tregoi vendimi Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, në 2022.

Në këtë hapësirë do ndërtohen vila dhe një hotel me 5 yje. Hoteli do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë.

Pjesa tjetër prej 108 mijë metrash do përdorëj për të ndërtuar vilat të cilat do të shiten nga kompanitë dhe nuk sillnin asnjë zhvillim publik për turizmin.

Ndërtuesi i vilës në Surrel të Edi Ramës, Pandeli Carapul.

Biznesmeni i shumëpërfolur u pajis nga qeveria me këtë status më 3 prill 2019.

Pasi ndërtoi fshatin turistik mbi një truall të bllokuar nga gjykata, biznesmeni zaptoi edhe 1660 m2 për të siguruar daljen në det.

E gjithë kjo skemë përvetësimi pronash u bë me pretendimin se Carapuli kishte statusin e investitorit stategjik, por ky status i kishte skaduar në 3 prill 2020.

Ilir Trebicka

Komiteti i investimeve strategjike, me vendimin nr. 6, datë 19 Prill 2018, miratoi statusin e “investitorit” për kompaninë “Agro Iliria Group”, në pronësi të Ilir Trebickën e Shpëtim Osekut, për projektin “Ngritja e Plantacionit me shegë, goji berry dhe avokado” në Karavasta, Divjakë.

Bledar Sinani, i njohur në rrethet e ngushta të Tiranës si Dari i Apexit, është një tjetër biznesmen që ka përfituar statusin e investitorit strategjik për një projekt mbi 1 mijë hektarësh në Kepin e Rodonit. Për këtë projekt qeveria mori përsipër të ndërtonte një rrugë me paratë e buxhetit nga Aeroporti i Rinasit deri në hyrjen e projektit, përveç favoreve të tjera fiskale dhe jo vetëm. Statusi është përfituar në Korrik të vitit 2021, por ende nuk ka ndonjë avancim konkret në terren.

Artan Dulaku, biznesmeni tjetër i fuqishëm në fushën e ndërtimit rezulton gjithashtu të ketë përfituar statusin dy herë, për projektin Gone Perivol në Dhërmi dhe atë San Pietro në Gjirin e Lalzit.

Florenc Gjikuria, edhe ky një tjetër biznesmen i madh në fushën e ndërtimit, po ashtu rezulton përfitues nga ligji i investimeve strategjike me dy projekte në zonën e Dhërmiut.

Albstar, kompania e biznesmenit Idajet Ismailaj rezulton përfituese e statusit për një projekt në parkun e Butrintit në ortakëri me të afërmit e ish ministrit të infrastrukturës, Damian Gjiknuri.

Manastiri Resort ka ngjallur debate të forta publike për shkak se qeveria hoqi nga zona e mbrojtur tokën ku do të realizohet projekti, ndërkohë që deputeti Vangjel Dule akuzoi publikisht në Parlament se përmes këtij projekti po grabiten pronat e Kishës.

Luan Muça i kompanisë Delta ka përfituar po ashtu statustin për një projekt me sipërfaqe rreth 190 mije mëtrash katrorë mes Dhërmiut dhe Palasës. Edhe ky ka përfituar tokë publike falas përmes statusit.

Dhe së fundmi babai i Dua Lipës, Dukagjin Lipa është shpallur investitor strategjik në Lushnjë.

Ai po ndërton në zonën e Fierit dhe Lushnjës parkun fotovoltaik me kapacitet prodhimi 100 Megavat/orë. Me çmimin 1 euro metri, investimi e tejkalon vlerën e pronës, kështu që siç e njeh ligji, ai bëhet automatikisht dhe pronar i tokës

Injorimi italian ndaj Sali Berishës

Dëshpërimi i Sali Berishës sa vjen e bëhet më i madh. I ndodhur në një izolim apsolut ndërkombëtar dhe nën hetim nga drejtësia, ai përpiqet të shesë si njohje e mbështetje nga Italia takimin me Alessandro Battilocchio, deputet i Forza Italia .

Ka tre momente që e bëjnë qesharak Berishën dhe tregojnë injorimin ndaj tij nga italiani deputet dhe mediat italiane.

Së pari, ajo që bie në sy është që vetë deputeti italian nuk e ka pasqyruar në asnjë media sociale të tijën takimin me Berishën. Përkundrazi ai poston në rrjetet e tij sociale foto nga Tirana e Kruja me simbole pozitive (shih fotot në fund)

Së dyti, mediat italiane (shin linqet në fund) pasqyrojnë aktivitetin dhe takimet e deputetit italian në Tiranë e Lezhë, por jo atë me Berishën. Sepse ndoshta vetë deputeti ka kërkuar ose ka dërguar komunikatën duke lënë jashtë takimeve të tij me rëndësi, atë me një ‘non grata’. Ose vetë mediat atje nuk i pasqyrojnë non gratat, por kjo nuk ndryshom asgjë. Berisha nuk llogaritet  as nga deputeti, as nga mediat italiane.

“...Deputetët e Forza Italia, Alessandro Battilocchio, kreu i Imigracionit të lëvizjes blu dhe Erika Mazzetti, udhëtuan drejt Shqipërisë të premten 1 dhe të shtunën 2 dhjetor. Gjatë qëndrimit të tyre u organizuan takime dypalëshe me deputetë dhe autoritete administrative vendore, ndërsa të premten në orën 17:00 në Ambasadën Italiane pati një takim me ambasadorin Fabrizio Bucci. Gjithashtu është planifikuar një vizitë në Shenjin dhe Gjader, ku do të ndërtohen qendrat e përfshira në protokollin dypalësh me Italinë.”, shkruajnë mediat italiane, duke mos e zënë në gojë në asnjë moment Sali Berishën.

Sikur të mos mjaftonte kjo vjen momenti i tretë ku deputeti italian ne Kuvendin e Berishës flet me fjalë të mira për Shqipërinë dhe Tiranën, ndryshe nga Berisha që e trajton si ferr e hedh baltë çdo ditë

Të trija këto fakte tregojnë dështimin e radhës nga ana e Berishës për të gënjyer shqiptarët se Italia e njeh atë.

Por vetes duket se  ja ka bërë qejfin duke e nxjerrë në Facebook dhe tek televizioni i fjalit, e  sëbashku me një grup besimtarësh që shkojnë pas tij po e shijojnë këtë fitore të madhe.

Fotot në rrjete sociale ku injoron komplet Berishën dhe nuk poston asgje nga takimi me të, por promovon Shqipërinë:

Linqet e lajmeve ku nuk përmendet askund Berisha:

https://tg24.sky.it/politica/2023/12/03/battilocchio-albania-incontra-ambasciatore-bucci

https://www.politicanews.it/politica-italiana/esteri-battilocchio-in-albania-incontra-ambasciatore-bucci-121406

Karriget bosh në Kuvendin e Berishës dhe “pesimizmi politik” i besnikëve të tij

Nga ENDRI FARKA*

Partia Demokratike mblodhi Kuvendin Kombëtar dhe pas marrjes në shqyrtim të situatës politike e ekonomike në vend zbardhi rezolutën për aksionin opozitar.

Në fjalimin e tij të gjatë Berisha nuk pati asgjë të re nga ligjërimet e ditëpërditshme ku mosbindjes civile kësaj here i shtoi edhe “zgjimin e luanit” që nënkuptonte bashkimin e demokratëve dhe shqiptarëve e që sipas tij kjo fuqi do t’i jepte fund “narkoktaturës së Edi Ramës”.

Disfata e hidhur në zgjedhjet e 14 Majit nuk shërbeu si mësim dhe Kuvendi votëbesoi sërish Sali Berishën si kryetar të Partisë Demokratike.

Ajo që ra në sy ishte pjesëmarrja për herë të parë e të bijës së Berishës, Argita Malltezi, e cila po ashtu mbajti fjalimin e saj të parë publik në Pallatin e Kongreseve. Megjithatë për futjen apo jo në politikë të saj, i ati dha një përgjigje jo shumë të qartë duke u shprehur se të paktën deri tani përfshirja e saj shkon deri në kufijtë e aktivistes. Por shpeshtësia e daljeve të saj në media kohët e fundit të lë në pritje për lëvizjen e radhës.

Çfarë tërhoqi vëmendjen në dallim nga një vit më parë ku demokratët, qoftë nga forumet e PD-së, qoftë fansa apo njerëz që nuk kishin lidhje me strukturat e PD, mbushën një pjesë të stadiumit Air Albania, Berisha këtë radhë nuk u kujdes shumë për dukjen.

Të mbledhur në Pallatin e Kongreseve, vend për të cilin Berisha u tall me Bashën 2 vite më parë, dukshëm kishte karrige bosh. Ishte aq e dukshme sa e pranuan dhe deputetët, mbështetës të Berishës.

Pohimi i Edi Palokës se “nuk janë ditët më të mira për ne” apo thirrja e Luciano Boçit “mos na numëroni sa jemi, por lexoni idalet që kemi” nuk e zbehën faktin që në Kuvend nuk kishte më shumë se 500 vetë.

Dy vite më parë, PD e Berishës në stadium numëronte 4920 delegatë, ndërsa sot zyrtarisht janë 1600. Edhe pse shifrat tregojnë të kundërtën, në këtë Kuvend duket se i vetmi optimist është po vetë Berisha, pasi në mesin e besnikëve të tij nuk duket ndonjë entuziasëm politik. Kjo pasi në hapjen e këtij eventi u tha se ishin 1500 delegatë, por dhe ato që ishin në shumicë braktisën karriget duke u larguar.

Të 17 deputetët e grupit të Gazment Bardhit nuk ishin të pranishëm, e po ashtu në mungesë në një status në Facebook reagoi edhe Ervin Salianji.

Ai shkruajti se jetike për opozitën tashmë jetik dhe i domosdoshëm është një ndryshim i thellë si në koncept dhe dimension. “Nevoja për t’i hapur rrugën me meritë më të mirëve, profesionistëve me integritet, diasporës, të rinjve, shoqërisë!” – ishte citimi me të cilin duket se shigjetoi Berishën.

Fotot e shkrepura brenda Pallatit të Kongreseve, të karrigeve bosh me lëmshin zhurmëmadh të kritikave të brendshme e pohimeve të vetëfajësimit, tregojnë qartë mungesën e një strategjie të përbashkët, e me sa duket “luani” për të cilin Berisha flet nuk do zgjohet akoma.

*Kryeredaktor Gazeta “Shqip”

Peshkatari i Perlave

Nga Edison Ypi

Fundi i oqeaneve të bibliotekave dhe arkivave është plot me perla.

Perlat presin peshkatarët të mbajnë frymën, të zhyten, ta gjejnë e ta rrëmbejë guackën me perlë brenda.
Perla ka. Po a ka Peshkatarë të zhyten në fund të oqeanit për t’i peshkuar Perlat ?
Perfeksionist, erudit, poliglot, murg, prift, Ilir Ikonomi është Peshkatar Perlash më tepër se gjithçka tjetër.
Peshkatari i Perlave niset që pagdhirë. Kandil në dorë, kapuç në kokë, zbret nëpër shkallaren spirale prej druri plot merimanga që kërcet nga hapat. Duhet me arrit në një botë tjetër. Në një botë të vdekur, të zezë, më interesante dhe më e bukur se bota e gjallë. Ku ësht gjithmonë terr, gjithmonë natë, gjithmonë ftohtë, ora gjithmonë 3, në terrin e ferrit të fundit të oqeaneve të arkivave për të nxjerrë prej andej perlat e harruara për librin e rradhës: për Ismail Qemalin, Faik Konicën, Fan Nolin etj.
Kushedi sa herë kujdestarët e bibliotekave dhe arkivave e kan harruar Peshkatarin e Perlave gjithë natën brenda ngaqë kur kyçën portën nga jashtë, Peshkatari kishte mbajtur frymën, sapo kishte zbuluar një perlë.
Oqeani metropolitan është i madh, ka zhvillime të gjithllojshme. Por nuk ka thellësitë, sidomos kripërat e duhura, për të prodhuar perla.
Ka ndërlikime urbane me miliona. Por sjanë perla të thella, janë dromca, grimca, të cekta.
Prift dhe peshkatar perlash ! Çfarë kombinacioni i hatashëm. Asnjë Univesitet, asnjë Akademi, nuk mund ta arrijë.
Dy perla në një guackë ? S’bëhet fjalë. Guacka e perlës s’është veza e pulës me dy të verdha.
Për ta gjetur cila nga guackat është me perlë brenda, Peshkatarit të Perlave i duhet me hap mijra guacka. Dhe puna sapo ka filluar. Se perla duhet pastruar nga baltat e kohës. Duhet gdhendur. Duhet vënë në gjerdanin e duhur.
Të zbulosh perla, ja vlen të zhytesh.
Por duhet të plotsosh dhe të tjera kushte.
Për shembull, duhet të dish gjuhë të huaja. Vetëm Lapçe dhe Tropojançe nuk mjaftojnë.
Peshkatari i Perlave Ilir Ikonomi i disa gjuhëve, prej të cilave ka studiuar me vite gjuhën Kineze në Kinë, aq gjatë sa sytë i janë mimetizuar i janë bërë si sy kinezi, ëndërrat i sheh në nja pesë a gjashtë syresh.
Në 1915 Noli i propozoi ambasadorit italian në Uashington eliminimin e Esat pashës, që ishte kreu i qeverisë në Durrës.
Si mundet një prift të rekomandojë vrasjen e dikujt ?
Perla që e ndriçon këtë enigmë ekziston. E ka peshkuar Peshkatari i Perlave. Natyrisht jo në cektinat ku ndodhen fjalimet, qëndrimet, deklaratat, që dihen e stërnjihen prej kohësh, por shumë më thellë, n’ato katakombat e errëta.
Noli kurrë nuk ka folur për vizitën e tij në Moskë në vitin 1927 me rastin e 10-vjetorit të revolucionit të tetorit.
Në vitin 1920, një personalitet i Vatrës i konfidoi me krenari Faik Konicës në Romë, se vrasja ishte urdhëruar nga Vatra. Faiku u tmerrua.
Falë Peshkatarit të palodhur të Perlave, Ilir Ikonomit, bashkë me plot të tjera, edhe këto fakte tronditëse që prej dhjetra vitesh kanë vrarë gjumin e shqiptarëve nuk janë më mister. I spjegon perla e rradhës e Ilir Ikonomit.
Halli me perlat nuk është vetëm se ato është vështirë t’i peshkosh. Por te vënia e tyre në kontekst brenda mendjes së lexuesve përmbytur nga klishetë, lidhja e tyre në një histori të vetme, në mënyrë të atillë, që e gjitha të mos dali një përrallë optimiste frymëzuar nga ndonjë kongres partie stërngopur nga inflacion i neveritshëm fjalësh që bëhet krejt i padurueshëm kur nuk ka fakte, dhe del nevoja ta mbushësh librin me fjalë të përgjithshme, me llogje, ç’ka është tmerri dhe fakkeqësia më e madhe për gjithë të interesuarit e Historiografisë.
Me përralla optimiste, inflacion fjalësh, fakte të sajuara, merren Peshkatarët e rraqeve.
Peshkatari i Perlave Ilir Ikonomi vepron ndryshe.
Peshkatari i Perlave ka ndërtuar tashmë një gardh, mur, digë, për të penguar përdorimin e çfardo mjeti a mënyre për të bërë libra historikë të sajuar.
Falë këtij standadi të ri aplikuar me sukses në librat e tij, zor sot e tutje do ketë faqezinj të guxojnë të shkrujnë libra me përmbajtje historike plot me arna, mballoma, thashetheme, klishera, dëshira, lakmira, synime afatshkurtëra të pushteteve kalimtare.
Tash e tutje jo më thasë me rraqe historiografike të zhgarravitura nga autorë mediokër që duan ta fusin veten me zor në Histori, që edhe mund të ndodhi dikush librin e tyre e lexon, dhe menjeherë e harron, si harrohet rrena që dikush sapo ta tha në kafene.
Tash e tutje vetëm si Peshkatari i Perlave Ilir Ikonomi.
Vetëm libër thurur me shumë mundim, pasion, vullnet, sakrificë.
Vetëm gjerdan me perla.
Vetëm kryevepra.

PD, Orjola Pampuri: Buxheti i vitit 2024 nuk jep asnjë ndihmesë për personat me aftësi ndryshe

Tre Dhjetori ishte Dita Ndërkombëtare për Personat me Aftësi Ndryshe.

Në një reagim në profilin e saj në rrjetin social facebook, nënkryetarja e PD-së, Orjola Pampuri shprehet se “më shumë se 160 mijë qytetarë, të cilët trajtohen me statusin e veçantë nga legjislacioni kombëtar, përballen sot me një neglizhencë të qeverisë për të siguruar një jetesë dinjitoze, shërbime publike afër nevojave të tyre dhe programe reale për integrimin ekonomik dhe social”.

Sipas Pampurit, në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm 2024, qeveria nuk do të parashikojë asnjë formë mbështetje, me shume nga sa ka dhënë për këtë vit.

“Nuk do të ketë asnjë rritje apo indeksim të masës së trajtimit financiar të tyre. Ndërkohë pagesa mesatare mujore e aftësisë ndryshe mbetet nën pragun e minimumit jetik të vlerësuar nga institucioni i Avokatit të Popullit prej 185 euro për frymë në vitin 2019, që dukshëm sot e tejkalon vlerën e 200 euro nëse do të reflektojmë vlerën mesatare të inflacionit për vitet 2020-2023.” – shprehet ajo.

Më poshtë reagimi i deputetes Pampuri:

Qytetarët me aftësi ndryshe, së bashku me pensionistët përbëjnë më shumë se ¾ e popullsisë që gjenden sot nën varfëri e cila sipas Bankës Botërore prek gati 40% të popullisë kombëtare. Një shifër kjo rreth dy herë më e lartë se sa mesatarja e vendeve të rajonit dhe gati 7 herë më e lartë se ajo e vendeve të BE.

Shërbimet bazë si ai transportit, mobilitetit dhe infrastrukturës pedonale, aksesi në institucione publike, arsimore, të kulturës etj., në shumicën prej 61 bashkitë e vendit është thuajse inekzistent. Për më tepër dhe në ato raste ku kjo infrastrukturë në dukje është prezente, në fakt është ose e amortizuar ose jashtë kushteve tekniko-infrastrukturore për ta bërë të akseueshme për këta persona.

Nga ana tjetër personat me AN janë plotësisht të paintegruar në punesim dhe ne mundësimin e një arsimi cilësor. Përtej propagandës së qeverisë, numri i personave me AN të puënsuar nga viti në viti nëpërmjet programeve të nxitjes së tyre është në vlera dramatikisht të papërfillshme.

Prej 2019 Shqipëria ka një legjislacion, në dukje mjaft favorizues për puënsimin e AN. Megjithatë pavarësisht ndryshimeve të ndodhura këtë vit, nëpërmjet të cilave do të kushtëzohej punësimi i rreth 8 mijë personave me AN në sipërmarrje private dhe institucione publike për shkak të kuotave “1 për cdo 25 punonjës” dhe në rast të mospunësimit, subjektet do të duhej të kontribuonin në buxhet vlerën e pagës minimale për cdo muaj mos punësimi të tyre, në fakt për këtë vit të ri buxhetor, qeveria ka parashikuar realizim prej 0 lekë për këtë zë të ri të ardhurash që mund të gjenerohen nga kjo politikë. Pra edhe pse në dukje miraton ligje për promovimin dhe nxitjen e integrimit në tregun e punës së personave me AN, në të vërtetë kjo mbetet thjeshtë për efekt të fasadës dhe propagandës, pasi qeveria nuk ka vullnet të përmbushë qoftë dhe angazhimet e veta publike.

Kjo është një neglizhëncë e qartë dhe mjaft e dëmshme ndaj qindra e mijëra familjeve shqiptare, të cilat po i privon në praktikë nga ushtrimi  i të drejtave themelore të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta.

Po ashtu, mos-integrimi ekonomiko-social i personave me AN ka një efekt negativ, pasi pengohet një kontribut domethënës që këta qytetarë potencialisht mund të ofrojnë në ekonominë e vendit, si vlerë kostoje oportune e cila mund të vlerësohet në disa dhjetra miliona euro çdo vit.

Së fundmi Partia Demokratike e Shqipërisë ka depozituar pranë Kuvendit një paketë amendamentesh të projekt-buxhetit 2024, ku përfshihet dhe rritja e pagesave të trajtimit financiar të kësaj kategorie sociale ne veshtiresi në masën e një vlere reale nga ndikimi i inflacionit të cmimeve të produkteve të shportës.

Kjo rritje është plotësisht e realizueshme, nëse do të ketë vullnet të qartë politik duke pakësuar shpenzimet operative të qeverisë të cilat shkojnë vetëm për lluks qeveritar dhe të ndalohen sa më parë kontratat korruptive të sektorit të Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale sic është ai i sterilizimit – aktualisht nën hetim nga SPAK, në mënyrë që të paktën tu sigurohet 160 mijë qytetarë dhe familjeve të tyre një trajtim dinjitoz financiar.

 

Ngadalësimi i blerjeve të banesave/ Ekspertët: Një ndër arsyet edhe operacionet e SPAK

Banka e Shqipërisë sinjalizoi se në tremujorin e dytë të këtij viti çmimet e pasurive të paluajtshme patën një ngadalësim, ndërsa rritja e tyre i është rikthyer mesatares normale prej 11.6% nga 30% në 2022-in.

Gjithashtu në tetor ndërtuesit mbi treguesin e ndjesisë ekonomike u shprehën se presin ulje për shitjet dhe çmimet që do të kenë. Agjentët e tregut shprehen se për këtë kanë ndikuar një sërë faktorësh

“Këto kriza kanë qenë në dy lloje, kanë qenë në ulje çmimi si në 2008-ën dhe ka qenë edhe kriza e vitit 2022 me rritje të çmimit. Duke qenë se historikisht ka edhe luhatje të tregut të pasurive të paluajtshme pikërisht për shkak të efektit të krizave mendoj edhe unë se së shpejti do të ketë një flluskë. Në vitin 2024 nisem nga fakti që ka shumë leje ndërtimi, shumë pallate të reja po fillojnë, mungesa e specialistëve vihet re në mënyrë të ndjeshme, të ardhurat e shqiptarëve nuk është se po rriten dhe mendoj se çmimet nuk do të rriten më në 2024, por do të ketë edhe një frenim të transaksioneve”, tha agjenti imobiliar, Lefter Sila.

Në vrojtimin e saj, BSH tha se gjashtë muajt e parë të këtij viti 60% e transaksioneve për blerje pasurie u bënë me para fizike, ndërsa 40% me kredi. Ngadalësimi i blerjeve po vjen pikërisht nga tregu informal sipas ekspertëve ndikuar edhe nga operacionet e SPAK për sekuestrot e pasurive të paligjshme

 “Mbingopja është arsyeja e parë sepse sado qoftë ofrohet një sasi apartamentesh më e lartë se sa ka kërkesë. Gjithashtu pastrimi i parave në vetvete mund të ketë një moment stepje, sepse po bëhet presion shumë dhe gjithë procesi që po ndodh me pastërtinë fiskale me shumicën e bizneseve po qoftë dhe individëve I stopon në njëfarë mënyrë ato nisma që tentojnë dhe mund të ketë edhe një devijim sa I përket për pastrimit të parave jo më në Shqipëri, por edhe në vendet përreth”, tha Eduart Gjokutaj, ekspert ekonomie.

Në vrojtimin e bërë me agjentët imobiliarë BSH shprehet se çmimet u rritën në zonat qendrore të kryeqytetit, ndërsa në zonat e tjera të Tiranës pësuan rënie të lehtë. Në bregdet ndërkohë u shfaqën të pandryshuara. Gjatë këtij viti qeveria rriti edhe çmimet e referencës për zonën e kryeqytetit gjë që ndikoi direkt në çmim.

“Alban Skënderaj, një nga këngëtarët me tekstet më të bukura”, gjuhëtari i bën thirrje pjesëmarrësve në Festivalin e RTSH-së

Gjuhëtari i njohur, Gjovalin Shkurtaj, u ndal dhe te libri i tij më i fundit “Kënga si mjet për ruajtjen e shqipes në shekuj”.

Gjatë intervistës në emisionin “Pas Mesnate”, ai veçoi këngëtarin Alban Skënderaj, duke thënë se shkruan dhe këndon shumë bukur.

“Alban Skënderajn e kam përmendur në libër, pasi është një djalë që shkruan bukur, është një djalë i bukur, këndon bukur, i ka hije Shqiptaria dhe këngët i ka me tekste të bukura. Për shembull, ajo ‘Mirëmëngjes’ që e kam komentuar atje, kuptohet dhe është një fjalë e bukur. Pra, këngët me fjalë të bukura janë ato që pëlqehen. Sigurisht që rinia kërkon dhe ritëm, por ritmi është një gjë dhe kënga, fjala mbetet”, u shpreh Shkurtaj.

Më tej, ai veçoi dhe disa emra të tekstshkruesve, të cilët kanë shkruar disa nga këngët më të njohura shqipe. Sakaq, bëri dhe një thirrje për të gjithë pjesëmarrësit e Festivalit në RTSH, që të kenë tekste sa më kuptimplota.

“Janë disa poetë si Agim Doçi dhe të tjerë, të cilët kanë bërë këngë shumë të bukura dhe jetëgjatësia e këngëve ka qene pikërisht nga bukuria.  hevahir Spahiu, Dritëro Agolli, një nga këngët e bukura, është me tekstin e Kadaresë, kompozitorët e mirë zgjedhin këngët e bukura. Vargjet të japin mundësi për të bërë muzikë të mirë. Nga kjo pikëpamje, unë do të dëshiroja që këto ditë ata që shkruajnë këngët e Festivalit të jenë duke më dëgjuar dhe të reflektojnë”, shtoi Shkurtaj.

Punime për mirëmbajtjen e rrjetit, ja disa zona pa energji elektrike në Tiranë

Disa zona në Tiranë do të kenë shkëputje të energjisë elektrike ditën e hënë, më 4 dhjetor, për shkak të punimeve për mirëmbajtjen e rrjetit.

Pa energji do të mbeten këto zona në Tiranë:

09:00-13:00
Pjesërisht: Bulevardi “Zogu I”, rruga “Luigj Gurakuqi”, zona pranë sheshit “Avni Rustemi”, rruga “Fadil Rada”, rruga “Beqir Luga”, rruga “Tefta Tashko”.

10:00-12:00
Pjesërisht: “Rruga e Elbasanit”, Gjokaj, Vorë, Valias.

12:00-14:00
Pjesërisht: “Rruga e Elbasanit”.

Simptomat e diabetit, si t’i dalloni dhe disa këshilla parandaluese

Urinim i shpeshtë
Njerëzit e prekur nga diabeti kanë një organizëm që nuk është shumë efikas në shpërbërjen e ushqimit në sheqer.

Kjo do të thonë se në gjak ka shumë sheqer të cilin trupi përpiqet ta nxjerrë nëpërmjet urinës.

Jini të vëmendshëm ndaj urinimit gjatë natës. 1-2 herë është mëse normale por më shpesh se kaq konsiderohet si një shenjë paralajmëruese.

Etja e pashuar
Njerëzit e prekur nga diabeti përdorin pije të gazuara ose lëngje të ndryshme për të shuar etjen.

Sheqeri më pas përthithet nga gjaku dhe kemi kështu krijohet një rreth vicioz.

Rënia nga pesha
Njerëzit e prekur nga diabeti mund të vërejnë një rënie të lehtë nga pesha.

Kjo ndodh si pasojë e humbjes së lëngjeve dhe kalorive nëpërmjet urinës.

Uria
Kur trupi i njeriut ka nivele të larta të sheqerit në gjak, atëherë ai ka probleme në rregullimin e niveleve të glukozës.

Këto probleme shkaktojnë të dridhura dhe një nevojë të madhe për karbohidrate dhe sheqerna.

Plogështia
Njerëzit e prekur nga diabeti vuajnë nga një plogështi e vazhdueshme.

Kjo ndodh sepse ushqimi që konsumohet nuk shpërbëhet në energji dhe nuk arrin në qeliza.

Deputetët e PD-së, do zgjedhin të jenë vasalë të Berishëve apo partnerë të Bashës?

Nga Bato Kosova

Kuvendi i thirrur nga Berisha më dy dhjetor mund të përmblidhet shumë thjesht me titullin: Kuvendi i Argitës.
Asgjë nuk prodhoi mbledhja e delegatëve të Rithemelimit përveç ngritjes në skenë, të bijës së ish-kryeministrit, si trashëgimtarja e votave dhe influencës të akumuluar ndër vite nga Sali Berisha, njeriu më i pushtetshëm i tranzicionit.

Një zgjedhje politike e respektueshme, përmes të cilës Berisha heq dorë nga shumë hipokrizi proceduriale, pas të cilave shfaqet nevoja për të çuar përpara përmes njeriut të gjakut, betejën e tij personale në politikë.

Problematikat e kësaj lëvizje janë të shumta, ku mund të veçohen si kryesore, dy.
E para, është papajtueshmëria me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Non grata familjare e Berishëve, shënjestron edhe Argita Malltezin. Kjo ka një peshë të posaçme për politikën shqiptare. E dyta është pesha e drejtësisë në hapat e mëtejshëm të Berishës dhe familjes së tij.

Përballja me SHBA-të dhe me SPAK-un e kornizojnë qysh në lindje këtë kalim të mundshëm pushteti, si një vijim përmes trashëgimisë familjare të betejës mbrojtëse. Një betejë që mund të çohet përpara vetëm nga një person absolutisht i besuar, siç është e bija, e cila mund të tërheqë pas vetes, sigurisht me dirigjimin e të atit dhe pushtetin financiar dhe mediatik që nuk mungon, mbështetësit personal të Berishës. Duke vijuar kështu narrativën e vetëprodhuar këto dy vite të viktimizimit, si njerëz të vendosur në shënjestër nga Rama dhe Sorosi. Teza që besohen vetëm nga ithtarët e Doktorit, sikurse sugjerojnë dhe rezultatet zgjedhore neto.

Një parti e tillë, nën markën e Berishëve, nuk do të jetë kurrë një parti me vokacion mazhoritar, gjithsesi mund të sigurojë një bërthamë pushteti politik të mjaftueshëm për të mbrojtur kuotat e tyre shoqërore, politike dhe ekonomike. Ndoshta, në idenë e farkëtuesit të kësaj lëvizje, në një masë të mjaftueshme për të vazhduar për një afat të gjatë përballjen me SHBA dhe SPAK. Pra, jo vetëm përmes avokatëve në sallat e gjyqit, por edhe përmes mikrofonave, logove politike dhe militantëve të mbledhur në salla e në rrugë.

Partia familjare e zyrtarizuar ditën e shtunë, e dyta pas asaj të Ilir Metës, e cila rrokadën në krye e ka mes burrit dhe gruas, nuk përbën një tabu politike. Sidomos pasi u shpall zyrtarisht. Për këtë ka mjaftueshëm shembuj në botë, por, siç u tha më parë, edhe te ne, siç dëshmon LSI, tani, PL.

Përkundrazi, zyrtarizimi i partisë familjare të Berishës qartëson mënyrën sesi do të veprojë në të ardhmen grupimi i drejtuar nga ish-kryeministri. Një parti me qëllime të qarta. Një parti me kundërshtarë të qartë. Një parti me lidership të qartë.

Dhe lidershipi është edhe themeli i këtij momenti politik.

Nëse partitë politike shqiptare kanë në qeverisjen e tyre të brendshme mjaftueshëm probleme në lidhje me demokracinë, në një parti familjare ky diskutim filozofik bie. Në to nuk mund të flitet për garë, meritokraci, kontroll dhe balanca pushtetesh, por vetëm për vasalitet.
Një parti familjare funksionon si një monarki. Drejtuesi apo drejtuesja e saj nuk kanë partnerë e bashkëpuntorë, por vetëm subjekte të vullnetit të tyre.
Ndaj, me qartësimin e qëllimeve politike nga ana e Berishëve, topi kaloi te deputetët e dalë nga listat e Partisë Demokratike dhe gjithë mbështetësit e ish-kryeministrit, që dolën komit kundër SHBA dhe SPAK, nën thirrjen e ndërtimit të një partie ndryshe nga ajo e “liga” në të cilën militoni të gjithë bashkë deri më 9 shtator 2021. Paradoksalisht, ata që e nisën “luftën” për demokraci të brendshme, për një parti më të hapur, më të bashkuar e më të fortë, e bitisën si vasalët e një monarkie familjare.

Një fatkeqësi politike që kërkon një korrigjim të menjëhershëm, sidomos duke patur parasysh se zgjedhjet e vitit 2025 po trokasin, e në ndërkohë SHBA dhe SPAK po bëjnë të tyre ndaj të gjithë atyre që janë në borxh moral, ligjor dhe ekonomik me shqiptarët.

Për t’iu kundërvënë këtij vasaliteti feudal që promovuan verbërisht edhe me përpjekjen e tyre, disa për ambicie të mëdha (që ngrinë të shtunën, bashkë me buzëqeshjen e atyre që e ndiqnin nga salla apo nga ekranet pasi egoja e tyre ishte përkëdhelur me shpërblime të imagjnuare, që të tilla do mbeten), disa për naivitet, e disa për ta parë veten sërisht në një listë të sigurtë. Kanë vetëm dy rrugë të tjera, përpos kësaj të mbajtjes së jastëkut mbi të cilën ndodhet kurora, për t’ia zgjatur trashëgimtares kur do të lipset nevoja.

Njëra prej tyre është strehimi nëpër lista të tjera, apo hapja e një partie të re. Një model i vjetër ky, në gjurmët e Patozit, Topallit dhe Murrizit, të cilët morën një përgjigje aspak shpërblyese nga elektorati në zgjedhjet e vitit 2021. Sigurisht nëse për qëllim kishin të ishin përfaqësues, e jo t’i hiqnin vota të djathtës. Por, siç sugjerojnë emrat, përvoja dhe pesha e dikurshme brenda PD-së të dy të parëve, kjo është një rrugë jo fortë e këshilluar.

Rruga e tretë është ajo e kthimit në shtëpinë e tyre politike dhe rimarrja e aksionit kundër Ramës me gjithë potencialin e PD-së, të lënë në mes nga revanshi i Berishës i nisur më 9 shtator. Të gjithë bashkë, të qartë për vlerat dhe parimet, për aleancat dhe strategjinë, për t’u përballur me qeverinë më të korruptuar në Europë, duke ndërtuar një model politik krejt ndryshe.

Për ata, PD-ja është një shtëpi e vjetër por njëkohësisht e re. Është një shtëpi e gjymtuar nga lufta e ashpër vëllavrasëse, por që arriti të qëndrojë në këmbë, duke e ndarë fatin e saj nga fati personal i Berishës. Duke mbrojtur partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke mbrojtur investimin politik tek drejtësia, për të cilën kjo parti nuk ka çeduar të aspekti më kritik i saj, këmbëngulja për ngritjen e SPAK-ut.

Disa nga depuetetët dhe njerëzit që u larguan prej saj mund të kenë vizione të kundërta me drejtuesin e PD. Kjo është diçka e domosdoshme për nxitjen e një dialektike të brendshme virtuoze. Sidoqoftë, të gjithë e dinë shumë mirë se, ndryshe nga sa hidhërimi i përballjes nga prodhuar në artikulimin publik, te Basha kanë një partnerë, i cili nuk i ka trajtuar kurrë si vasalë.

Rikthimi i tij, pasi siguroi vazhdimësinë e PD-së, duke e shpëtuar nga izolimi ndërkombëtar që i kanosej prej Berishës; nga hapi pas, i kërkuar nga grupi parlamentar, paçka se i nxitur nga një puç të orkestruar nga Berisha, Rama dhe Meta (kujtoni vetëm Shkodrën, me tre kandidatë në 6 mars 2022 Berisha “fiton”, me dy kandidatë në 14 maj 2023 Berisha humb), është vendosja në vend e një padrejtësie të bërë ndaj Bashës, i cili vijon të mbetet kandidati më i mirë i opozitës për të sfiduar Edi Ramën.

Koha i dha të drejtë Bashës, sigurisht edhe atyre që luftuan për të mbrojtur investimin e shqiptarëve dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të një alternativë qeverisëse ndaj Ramës, që të ishte e reformuar dhe e ndarë nga e shkuara problematike.
Koha i dha të drejtë Bashës sepse “revolucioni” i Berishës rezultoi një lëvizje e diktuar eskluzivisht nga interesa personale, për të cilat ai ishte dhe është gati të asgjesojë çdo gjë dhe çdo forcë politike që nuk pajtohet me mbrojtjen vetëmohuese të tyre.
Ndryshe nga Berisha, Basha sakrifikoi interesat e tij, imazhin (u bë shënjestër e një operacioni monsturoz baltëhedhës që ende vijon, të paguar shtrenjtë nga kundërshtarët e tij), pozicionin e çdo gjë, për të mbrojtur PD. Një akt që vijon të rezultoi ende jo i lehtë, nisur nga frika dhe pafuqia e shumë politikanëve për të mbajtur një qëndrim konsekuent përballë Berishës sot e kësaj dite.

Kjo është edhe përballja mes dy modeleve mbi të cilat do të konkurojë e djathta shqiptare në zgjedhjet e ardhshme. Dy forma lidershipi krejtësisht të ndryshme, por të pashmangshme. Berishët, me feudalizimin e tyre të përligjur nga karakteri personal i mbështetjes që ata kanë ngjizur dhe inkurajuar te një segment i militantëve.
Dhe Basha si drejtuesi i Partisë Demokratike, si model i politikanit kooperativ dhe perëndimor, që arriti të qëndrojë përballë njëriut më të pushtetshëm të tranzicionit, të mbajë gjallë potencialin e kësaj force politike, e në ndërveprim me shqiptarët dhe ndërkombëtarët (të cilët, të na pëlqejë apo jo, janë ende DESU EX MACHINA) ka të gjitha mundësitë për ta kthyer me alternativë qeverisëse, në një kontekst konkurues që po ndryshon dita ditës.

Përballë këtyre dy botëkuptimeve, të çliruar nga frika, hatri, dyshimi, e për të përligjur ambiciet e tyre, deputetët dhe njerëzit me ambicie politike do të duhet të bëjnë një zgjedhje maturie, e cila do të vëzhgohet me imtësi nga votuesit qysh këto ditë dhjetori, e me shumë gjasë do të përcakojnë trajektoren e tyre politike: Do zgjedhin të jenë vasalë Berishëve, duke i dhënë frymëmarrje një partie familjare që kultivon mitin e themeluesit e cila nuk synon pushtetin por mbijetesën? Apo partnerë të Bashës, brenda një partie të çliruar nga hipokiriza edhe barra e rëndë e atit-padron, që për dekada e atrofizoi PD, me objektivin hileqar për ta mbajtur nën kontroll, e që tani është gati të nis rrugëtimin post-berishist?