25.5 C
Tirana
E martë, 24 Qershor, 2025

Gati 25 vjet pas zbarkimit, NATO-ja shqyrton përforcime të përhershme në Kosovë

Nga Valbona Tela REL

Në vitin 1999 ka ndërhyrë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Për 78 ditë me radhë, NATO-ja ka bombarduar caqet e ushtrisë së atëhershme serbe. Pas tërheqjes së saj nga Kosova, në qershor të ’99-ës, NATO-ja ka zbarkuar me misionin e saj paqeruajtës KFOR, të përbërë prej më shumë se 50.000 ushtarësh.

“Ne do të krijojmë një prani ushtarake, e cila do të garantojë mjedis të sigurt për kthimin e të gjithë refugjatëve dhe për të gjithë ata që janë të pastrehë brenda vetë Kosovës… Ne do të merremi direkt dhe me vendosmëri me secilin që përpiqet të na pengojë në arritjen e kësaj”, ka thënë atëkohë komandanti i NATO-s për Kosovën, Michael Jackson.

Që atëherë, KFOR-i është zvogëluar në pak më shumë se 3.700 ushtarë vitin e kaluar. Sot numëron mbi 4.600. Trupat janë shtuar këtë vit, për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Aleanca ka dërguar qindra forca shtesë pas trazirave që ka shkaktuar instalimi i kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri – me ç’rast janë plagosur edhe dhjetëra ushtarë të KFOR-it – si dhe pas incidentit në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.

Ngjarja e 24 shtatorit në Banjskë është cilësuar si më e rënda që nga koha kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe ka nxitur shqetësim ndërkombëtar për qëndrueshmërinë në vend. Kosova ka fajësuar aparatin shtetëror të Serbisë për sulmin, ndërsa Serbia serbët në Kosovë. Millan Radoiçiq që e ka marrë përgjegjësinë, vazhdon të jetë i lirë në Beograd.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar fillimisht në Prishtinë, gjatë një vizite më 20 nëntor, se NATO-ja do të shqyrtojë shtimin e përhershëm të forcave në Kosovë, për ta mbajtur situatën nën kontroll.

Këtë javë, në margjina të një takimi të NATO-s në Bruksel, Stoltenberg ka përsëritur se aleanca do të bëjë çdo gjë që nevojitet për ta ruajtur qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe se për këtë arsye do të diskutojë për shtimin e përhershëm të pranisë ushtarake në rajon.

“Tani po shqyrtojmë nëse kjo rritje [e trupave] duhet të jetë më afatgjate, nëse ka nevojë për kapacitete të reja, por deri më tani kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm, duke shtuar numrin e trupave tona”, ka thënë Stoltenberg.

Këtyre shqetësimeve u kanë bërë jehonë po këtë javë edhe Shtetet e Bashkuara.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, ka paralajmëruar si Kosovën, ashtu edhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës, do të nënkuptonte përballje me NATO-n.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se SHBA-ja nuk do rikthim të konflikteve në Ballkan.

“NATO-ja është përgjigjur me vendosmëri ndaj aktorëve që synojnë ta destabilizojnë veriun e Kosovës. Ne kemi dislokuar trupa shtesë në KFOR. Po ashtu, kemi thelluar bashkëpunimin me forcën e udhëhequr nga Bashkimi Evropian në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë Blinken.

Në dritën e këtyre zhvillimeve, diplomacia perëndimore është duke u bërë trysni Kosovës dhe Serbisë për ta përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Nga Prishtina kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Beogradi njohjen de facto të Kosovës.

Në këtë frymë e komenton edhe Charles Kupchan, nga Këshilli amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, paralajmërimin e NATO-s për shtim të përhershëm të forcave në Kosovë.

“Unë nuk mendoj se kjo ‘e përhershme’ nënkupton disa qindra vite. Ideja është të blihet kohë për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë përparim drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, drejt marrëveshjes që BE-ja ka vënë në tavolinë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Unë mendoj se NATO-ja do të qëndrojë për aq kohë sa i nevojitet. Ajo do ta ofrojë ndjenjën e sigurisë mes shqiptarëve dhe serbëve, se ajo do të ndihmojë në ruajtjen e paqes, derisa diplomatët bëjnë punën e vështirë”, thotë Kupchan për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Jasmin Mujanoviq, ekspert i politikave në Evropën Juglindore, thotë për Exposenë se shtimi i përhershëm i forcave të NATO-s në Kosovë, do të ndihmonte në stabilizimin e rajonit në mënyrë të konsiderueshme dhe do të dërgonte sinjal se NATO-ja i merr seriozisht kërcënimet e dukshme në Ballkanin Perëndimor.

“Kjo nuk është e mjaftueshme. Mendoj se NATO-ja, përfundimisht, duhet të punojë drejt zgjerimit të mëtejshëm në Ballkanin Perëndimor, duke i konsideruar Bosnjën dhe Kosovën si prioritete më urgjente. Por, për momentin, ky është një hap i mirë i ndërmjetëm”, thotë Mujanoviq.

Ai shton se dy figurat që përfitojnë nga këto tensione janë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ende ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, si dhe presidenti i Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili ka tendenca secesioniste. Për situatën e krijuar edhe disa dekada pas përfundimit të luftërave në Ballkan, Mujanoviq, një pjesë të fajit e hedh mbi vetë bashkësinë ndërkombëtare.

“Qeveritë perëndimore kanë ndaluar t’i kushtojnë vëmendje Ballkanit dhe kanë besuar se procesi i rindërtimit dhe demokratizimit pas luftës mund të arrihet me kontribut minimal dhe me përfshirje minimale nga ana e tyre. Kështu nuk ka qenë më herët. Kur mendojmë për rindërtimin e pasluftës në Gjermani dhe në Japoni, përfshirja e aleatëve ka qenë në një shkallë shumë, shumë më të madhe”, thotë ai.

Mujanoviq shton se “qasja e butë” e Perëndimit ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka rrezikuar Kosovën, por edhe Bosnjën dhe Malin e Zi, ku militantizmi nacionalist serb, sipas tij, është kërcënim kryesor për sigurinë e brendshme.

Ai nuk beson se në Ballkan mund të ketë sërish konflikte të ngjashme me ato të viteve ’90, por thotë se dhuna me një intensitet të ulët është e mundshme.

Ngjashëm shprehet edhe Kupchan. Ai thotë se sulmi në Banjskë ka qenë një “ngjarje alarmuese”, ashtu si edhe mobilizimi i atëhershëm i ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën. Kërcënimi për dhunë nuk është i menjëhershëm, por nuk mund të përjashtohet, thotë Kupchan.

“Gjëja e fundit që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duan tani, është një tjetër vatër e nxehtë. Kemi një luftë të madhe në Ukrainë dhe një luftë të ndezur në Lindjen e Mesme. Unë mendoj se qëllimi [i bashkësisë ndërkombëtare] është ta mbajë Ballkanin Perëndimor stabil dhe ta shtyjë drejt paqes së qëndrueshme”, thotë Kupchan.

Por, a e rrezikon paqen në Ballkan edhe ndikimi rus? Diskutimi për këtë është intensifikuar kah mesi i muajit të kaluar, kur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia “do të sigurohet që një vend ballkanik të hyjë në luftë me një tjetër”.

Pretendimet e tij janë mbështetur edhe nga shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një vizite në Sarajevë më 20 nëntor.

“Jemi të shqetësuar nga retorika secesioniste dhe përçarëse [në Bosnje] si dhe nga ndërhyrjet e huaja malinje, duke përfshirë edhe Rusinë”, ka thënë Stoltenberg.

Autoritetet e Kosovës përsërisin vazhdimisht se Rusia, përmes aleates së saj, Serbisë, përpiqet ta destabilizojë Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në një postim në Facebook më 19 nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar, mes tjerash, se “kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve”.

Kupchan thotë se nuk ka asnjë dyshim se Rusia bën përpjekje t’i shfrytëzojë ndarjet e brendshme në rajon, për të rritur ndikimin e saj, por, sipas tij, roli i saj po venitet.

“A është e interesuar [Rusia] të nxisë tensione midis Serbisë dhe Kosovës dhe pastaj t’i shfrytëzojë ato tensione? Sigurisht që po. Por, unë mendoj se një tablo më e gjerë këtu, është ajo në të cilën Rusia gradualisht po e humb terrenin e saj në rajon. Qofshi serbë, kosovarë apo malazezë, ju shikoni pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe thoni se ky nuk është vend që e duam si partner. Unë mendoj se kjo është ndoshta një nga arsyet përse SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja po e përmirësojnë lojën e tyre”, thotë Kupchan.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta komentojë paralajmërimin e NATO-s për rritje të përhershme të pranisë ushtarake në Kosovë, por nuk ka marrë përgjigje.

Vijon takimet me gratë dhe vajzat demokrate, Jupi: Forumi i Gruas, përfaqësuese e vlerave më të mira të PD-së dhe shoqërisë shqiptare

Anëtarja e kryesisë së PD-së, Taulanda Jupi, së bashku me nënkryetaren e PD-së, Flutura Açka, deputeten Merita Bakiu dhe anëtaren e kryesisë, Alfrida Marku Dedgjonaj, kanë zhvilluar një takim me gratë dhe vajzat demokrate në qytetin e Lezhës.

Në një postim, në profilin e saj në rrjetin social facebook, Jupi shkruan se “Forumi i Gruas në Partinë Demokratike duhet të fitojë aftësinë e ripërtëritjes, të krijojë një mjedis politik fertil ku realisht të përballen ide, platforma, apo vizione të reja, të vlerësohet puna, aftësitë, merita, kontributi, integriteti dhe koherenca, si të vetmet mjete që mund çlirojnë energjinë e duhur dhe t’i japin shansin kësaj organizate të jetë përfaqësuese e vlerave më të mira të Partisë Demokratike dhe shoqërisë shqiptare”.

“Në çdo fjalë, në çdo vështrim, në çdo shtrëngim duarsh marrim energjinë dhe besimin se rruga e nisur është e vështirë po kurrë e pamundur, sepse është rruga e vërtetë e parimësisë.” – përfundon postimin e saj drejtuesja e Forumit të Gruas, Taulanda Jupi

Ja kaluan edhe monoklaturës Komuniste!

Nga Alban Daci

Në vitet ’90 erdhën si pro-amerikan e sot un katandisen në armiq të amerikanëve e madje më të izoluar nga këto të fundit se Enver Hoxha e Ramiz Alia!

Erdhën në ’90 si mbështetësit më të mëdhenj të Perëndimit, i pritën nga Shtëpia e Bardhë e sot kishin të pranishëm një deputet të Forza Italia pa asnjë lloj peshë që nga fjalimi u pa se nuk ishte i informuar se ishte në një Kuvend/Kongres partiak, por sikur të ishtë ftuar nga Veliaj në një aktivitet bashkiak!

Erdhën me modelin kundër diktaturës e diktatorëve, por në fakt ua kaluan atyre. Ramiz Alia nuk nxorri fëmijët në Kongresin e Partisë, Enveri nuk u dha asnjë postë fëmijëve, nuk ju la trashëgimi pallate e pasuri.

Erdhën me idenë e rotacioneve dhe kundër modelit të unit, por për 30 vjet thanë vetëm Rroftë S… Madje edhe sot pas 30 vitesh përsëri duartrokitën të njëjtin person. As Putin, Erdogan e Lukashenko, të paktën publikisht nuk e kanë trashëguar familjarisht politikën e pushtetin.

Ramiz Alia e la pushtetin me zgjedhje të lira, këta po bëjnë foltore, rithemelime, revolucione imagjinare, kuvende vetëm që të mos largohen nga politika! Pra, Alia erdhi si diktator e u largua si demokrat e këta erdhën si demokratë e do të largohen vetëm si diktatorë!

Nga fitorja në fitorja edhe sot, por për fat të keq të atyre që besojnë akoma tek imagjinarja, nuk ka më asnjë fitore për ta! Kjo e fundit do të mbetet vetëm në imagjinatën e tyre si notalgji!

Shqipëria në finalet e “Gjermani 2024”, nis procesi i shitjes së biletave të ndeshjeve nga UEFA

UEFA njofton të gjithë tifozët e Kombëtares shqiptare në mbarë botën se ka nisur procesi i shitjes së biletave të ndeshjeve të Kampionatit Europian “Gjermani 2024”. Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të pajisen me bileta për ndeshjet e vitit të ardhshëm në Gjermani mund të hyjnë në faqen zyrtare të UEFA.com, përmes linkut bashkëngjitur: https://www.uefa.com/euro2024/ticketing/).

Biletat për ndeshjet e Kombëtares shqiptare dhe jo vetëm do të shiten vetëm në faqen zyrtare të UEFA-s në linkun e mësipërm. FSHF njofton opinionin publik se nuk shet asnjë biletë për tifozët e Kombëtares.

Tifozëve u kërkohet që të krijojnë një llogari në faqen zyrtare të UEFA-s dhe të aplikojnë për bileta për ndeshjet e preferuara të Kombëtares shqiptare. Regjistrimi ka nisur dhe do vazhdojë deri më 12 dhjetor 2023.

Shqipëria ka njohur kundërshtarët e grupit më 2 dhjetor, në shortin e hedhur në Hamburg të Gjermanisë. Kombëtarja është pjesë e Grupit B dhe do të ketë përballë Spanjën, Kroacinë dhe Italinë.

Letër e Kryeministrit Rama pas shortit të Europianit

Nga Lutfi Dervishi

Kujdes me Italinë, i kemi borxhe!

Edhe në ëndërrën më të çmendur nuk mendoja se do të përballemi me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë. Kampionë dhe nën kampionë të botës. Është nga ato raste ku edhe ateisti më i përbetuar fillon dhe mendon se atje lart ka një Zot, dhe besimtari më i devotshëm mendon se është koha që po pret profetin e radhës.

Ndërsa juve që sot nisni rrugën e lavdishme të kualifikueseve evropiane, ndihem i detyruar t’iu shkruaj për një çështje me rëndësi kapitale, për ju, për ne, për të gjithë. E kam fjalën për ndeshjen e parë kundër Italisë.

Para se të luaja këtë sportin e rëndë të politikës, unë kam luajtur vetë me ekipin kombëtar të basketbollit dhe e kuptoj, po aq sa secili prej jush, emocionin e fitores dhe shijen e ëmbël të suksesit. Por kjo në asnjë mënyrë, për çfarëdo arsye dhe me çfarëdolloj çmimi, nuk duhet të ndodhë kundër Italisë.

Italisë i kemi shumë borxhe. Po të rreshtoja këtu listën e borxheve që i kemi fqinjit tonë perëndimor, do të na zinte Europiani pa bërë stërvitje.

Nuk po futem në histori, por po i referohem mikpritjes që tregoi Italia ndaj qindra e mijëra shqiptarëve në vitin 1990, kur qindra mijëra bashkëkombas të “skuqur si rus, të zverdhur si kinez dhe të nxirë si shqiptar”, morën anijet rrangalle që na kishte lënë qoftëlargu dhe i mësynë brigjeve italiane.

Sot që po flasim janë 600 mijë shqiptarë që e kanë ndërtuar jetën në Itali. Me Italinë tashmë jemi si një familje, që së bashku konsumojnë gjithnjë e më shumë makarona dhe gjithnjë e më pak dramë.

Të mos harrojmë edhe 1997, kur armët që kishim në depo për t’u mbrojtur ndaj Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, i përdorëm kundër njëri-tjetrit në një marrëzi që mori mijëra jetë shqiptarësh. Ishte Italia që drejtoi operacionin Alba, dhe jo vetëm na ushqeu, por edhe bëri të mundur që të ecim sërish në shinat drejt BE-së.

Mos të harrojmë avokatinë fisnike të Italisë për ëndrrën tonë evropiane. Italianët kanë valëvitur flamurin shqiptar në diskutimet e anëtarësimit në BE, duke ulëritur “Lërini të hyjnë!” Italia është kumbari ynë.

Por është dhe interesi ynë kombëtar që të humbim ndaj Italisë. Imagjino një moment që ne të fitojmë ndaj 3 herë kampionëve të botës. Si do të ndihej komuniteti arbëresh që jeton prej 600 vjetësh në Itali. Gjashtë shekuj nuk janë pak! Edhe statujat që kemi në Shqipëri nuk janë më të vjetra se një shekull. Ata kanë shekuj që përmallohen dhe vuajnë për Shqipërinë dhe është rasti t’ua kursejmë dhimbjen e humbjes.

Mendoni pak se çfarë do të ndodhte në Shqipëri ku gjysma e shqiptarëve qajnë kur humbet Italia. Çfarë do të ndodhte në Shkodrën tonë ku gjysma janë me Italinë dhe gjysma me Gjermaninë? Ne nuk kemi as luksin, as takatin të përballojmë një tjetër luftë civile në vend.
Një fitore e juaj do ta kishte shumëzuar me zero edhe perpjekjen që sapo bëmë për të mikpritur emigrantët që mësyjnë brigjet italiane.

Si mund të fitojmë ne ndaj Italisë, kur 7 prej jush luajnë në Itali. Shqiptari nuk e ka zakon që aty ku ha bukën të përmbysë kupën?! Tek e fundit, çfarë janë italinët – jane “shqiptarë të veshur me versaçe”. Si mund të fitojmë ne kundër vetes tonë.

Në ndeshjet në grup, ne mund të fitojmë lirisht ndaj Spanjës që është gati të njohë Palestinën, një vend pa kufij të qartë dhe që nuk dihet se kush e qeveris, dhe nuk njeh Kosovën. Me Spanjën është rasti të qërojmë llogaritë. Tre pikë me Spanjën dhe një barazim me Kroacinë, vendin që na mbështet më shumë në rajon. Katër pikë është objektivi ynë.

Pra, fort të nderuar lojëtarë që na keni bërë krenar, kur të lidhni këpucët dhe të përgatiteni për ndeshjen ndaj Italisë, mbani mend borxhet që i kemi. Dhe nëse ata kanë të njëjtën dëshirë, që ne të dalim me sukses, ju lutem u thoni që fitorja është një dhuratë që ne e refuzojmë me dashamirësi.

Mos harroni, në fund të fundit, nuk po flasim vetëm për një ndeshje, është fjala për një testament të marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Italisë.

Shumë fat ndaj Spanjës!
I juaji,
Edi Rama

Deputetja e PD-së, Eralda Bano përkujton 3 Dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar

Në një postim në profilin e saj në rrjetin social facebook, deputetja e PD-së, Eralda Bano, shprehet se kjo ditë duhet sjell në vëmendje për shkak të rëndësisë që ka përkujdesja dhe plotësimi i të gjitha kushteve për mundësi të barabarta dhe barazi për këtë grup njerëzish.

Më poshtë postimi i plotë:

Data 3 Dhjetor është vendosur si Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar nga OKB.

Në këtë ditë, dua që të sjell në vëmendje rëndësinë që ka përkujdesja dhe plotësimi i të gjitha kushteve për mundësi të barabarta dhe barazi për këtë grup njerëzish.

Fatkeqësisht kjo qeveri që ne kemi nuk ndihet kështu. Nuk mendon se të rinjtë që studiojnë nëpër shkollat tona duhet të kenë mundësi për tu mbështetur nga një numër më i madh mësuesish. Nuk mendon se mundësitë e barabarta duhet të jenë kryefjala kur vjen puna në terma mbështetës dhe nuk mendon se ky target grup meriton që të jetë i barabartë me nxënësit e tjerë. Kjo u vu re në Amendamentin e propozuar nga unë për të rritur numrin e mësuesve ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuara, i cili u kundërshtua dhe nuk u votua nga deputetët e mazhorancës.

Mahatma Gandhi ka thënë se një shoqëri matet sa madhështore është nga mënyra sesi trajton grupet më vulnerabël që ka!

 

Shtetet e Bashkuara duhet të largojnë Edi Ramën

Nga Erl Kodra

Askush nga ne nuk mund ta largojë nga pushteti një hajdut si ai, përveç SHBA-ve

Tashmë është fakt se Partia Demokratike nuk do të ekzistojë më, ashtu siç e kemi njohur. Mund të ndodhë që ajo të reformohet, por kurrë nuk do të jetë më një formacion politik që do të funksionojë ashtu siç ishim mësuar këto 32 vite të ekzistencës së saj. Dhe kjo është gjëja e duhur që duhet të ndodhte vite më parë, që t’u përgjigjet sfidave të zhvillimeve të vendit. Atë që nuk mundi ta bënte për 32 vite, Partia Demokratike nuk mund ta bëjë kurrë, ndaj ndryshimi i saj ishte një domosdoshmëri absolute. Struktura ekonomike, demografike, sociale dhe politike e Shqipërisë ka pësuar ndryshime të thella, prandaj është miopi politike të vazhdohet me të njëjtin model dhe me të njëjtët politikanë të viteve 90. Përgjithësisht shqiptarët e kanë kuptuar këtë realitet, por akoma jo edhe Tritan Shehu dhe Edmond Spaho me shokë. Tek e fundit, tashmë ky është problemi i tyre dhe jo i shqiptarëve.

Por ajo që e bën shqetësuese gjendjen e vendit është se i njëjti proces akoma nuk ka filluar edhe në Partinë Socialiste. Për më tepër, fakti se Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama qëndrojnë në pushtet pa patur përballë një opozitë reale, sjell si domosdoshmëri ndryshimin e paradigmës politike – përndryshe – vendi rrezikon seriozisht të rrëshqasë përfundimisht në një butafori autokratike, ku për gjithçka vendos Edi Rama.

Kur Shtetet e Bashkuara projektuan Reformën në Drejtësi, sigurisht që kanë patur një plan për Shqipërinë. Ata imponuan një ndër reformat më radikale në botë, reformë e cila vetëm vitin e fundit ka filluar të japë rezultate. Por ka diçka që nuk shkon – jo në reformë – por në planin amerikan për Shqipërinë. Le të shohim në thellësi se ndikimin e reformës në klasën politike të vendit, dhe pse gjendemi para rrezikut që pasojat e saj të jenë shkatërruese vetëm për opozitën politike, dhe jo për pushtetin.

Thelbi i Reformës në Drejtësi ishte krijimi i SPAK dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (të zyrëtarëve të lartë) – dy struktura të ngritura eskluzivisht për të luftuar korrupsionin e politikanëve. Rrjedhimisht, kjo “strukturë e posaçme” është kthyer në rruspën që po merr përpara të korruptuarit; të korruptuarit e qeverisë dhe të opozitës. Për fat të keq, deri tani nuk kemi parë ndonjë goditje vendimtare, të tilla sa të bëjnë politikisht të pamundur mbijetesën e të korruptuarve, në opozitë apo në qeveri qofshin. Më e keqja, rrethanat dhe mjedisi në të cilin po zbatohet Reforma në Drejtësi, si dhe ndryshimi i qasjes së politikës amerikane ndaj klasës tonë politike, po prodhon pasoja serioze për qytetarët shqiptar, së pari pasoja për opozitën shqiptare.

Opozita e një vendi është aseti më i vyer politik; është mjeti i vetëm që populli ka në dorë për të larguar një qeveri të korruptuar, mbi të gjitha, për të larguar një autokrat nga pushteti. Opozitën e një vendi nuk mund ta zëvëndësojë asnjë organ i drejtësisë – sado i fortë dhe i paanshëm qoftë – për më tepër opozita të zëvëndësohet nga një organizatë ligjzbatuese si SPAK. Prokurorët e SPAK nuk janë politikanë, gjyqatarët e Gjykatës së Posaçme nuk janë kryetarë partishë, ndaj ata nuk mund të prodhojnë politikë sociale, as politikë ekonomike, as të miratojnë ligje, as të qeverisin vendin. Prandaj plani amerikan për të goditur politikanët e korruptuar, por pa goditur qeverisjen e Edi Ramës dhe mazhorancën e Partisë Socialiste, në thelb do të ishte një dështim spektakolar, që do të çimentoste përfundimisht pushtetin e një ndër politikanët më të korruptuar në historinë politike të vendit.

Është e vërtetë se SPAK ka kohë që po godet mazhorancën e Edi Ramës, por gjithashtu është e vërtetë se përgjatë kësaj kohë, nuk ka asnjë shenjë se pushteti i tij është dobësuar. Sigurisht që kjo ka shkaqet e veta, ku më kryesori është fakti se që prej vitit 2021 opozita gjendet në një luftë të vazhdueshme civile, ku Sali Berisha ka rrëmbyer Partinë Demokratike për ta përdorur si mburojë në luftën e tij për të mbrojtur veten. Kështu, deri tani rezultati i reformave dhe politikës amerikane ndaj vendit tonë ka pasoja të tmerrshme për opozitën shqiptare, por jo edhe për qeverinë shqiptare, pavarësisht se SPAK ka goditur fort edhe element të pushtetit të Edi Ramës. Në këto rrethana, duket qartë se kjo nuk është e mjaftueshme, se Edi Rama nuk bie nga pushteti, as nuk jep dorëheqjen, as nuk rrëzohet pse Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, as pse arrestohet Vangjush Dako dhe Lefter Koka, as pse shpallet non-grata Tom Doshi; ai nuk bie nga pushteti edhe pse korrupton Charles McGonigal, edhe pse vjedh para direkt nga Buxheti i Shtetit, edhe pse për një tekë të vogël humbet në arbitrazhin ndërkombëtar mbi 130 milion euro; edhe pse e kthen vendin në një plantacion droge. Shkurt, Edi Rama nuk rrëzohet nga pushteti, sepse,
a) Opozita është një organizëm politik i kontrolluar nga Sali Berisha,
b) Vet Edi Ramës i intereson kjo gjendje, pra që në krye të PD të jetë një person nën hetim, me shumë çështje të hapura me drejtësinë, non-grata në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe,
c) të dy gjenden në një aleancë të heshtur, të interesuarit më të mëdhenjë që të ruhet status quo-ja aktuale,

Nëse gjendja aktuale nuk ndryshon, domethënë, nëse në zgjedhjet e vitit 2025 shkohet me Sali Berishën në krye të opozitës, dhe me Edi Ramën kryeministër, ato zgjedhje do të ishin vetëm një farsë e turpshme elektorale. Kjo do të ishte vërtet një goditje e rëndë për vet pluralizmin politik në vend.

Mund të duket e pamundur që Shtetet e Bashkuara nuk e dinë rezultatin e ri të politikës së tyre, nuk po i shohin rezultatet, ose nuk i kuptojnë pasojat që pati politika e tyre dhe Reforma në Drejtësi. Sigurisht që është e pabesueshme se Shtetet e Bashkuar kishin për qëllim vetëm shkatërrimin e Partisë Demokratike, sepse faktet tregojnë të kundërtën. Por me sa duket kaq është e pamjaftueshme që politikat dhe reformat që Shtetet e Bashkuara kanë impunuar në Shqipëri janë të pamjaftueshme.

Prandaj është kohë që Edi Rama të rrëzohet nga pushteti. Përndryshe, nëse shkohet me Edi Ramën kryeministër në zgjedhjet e vitit 2025, mund të themi me plot gojën se politikat dhe reformat që imponuan Shtetet e Bashkuara dështuan.

Ne nuk jemi në gjendje të largojmë një hajdut dhe kriminel si Edi Rama nga pushteti. Askush nga opozita shqiptare nuk është në gjendje ta bëjë këtë. E vetmja forcë madhore që ka mjetet dhe fuqinë për ta bërë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Koha është tani, maksimumi deri në pranëverën e vitit të ardhshëm.

Refluksi gastroezofageal/ Zbuloni tre lëvizje qetësuese që duhet të bëni për të qetësuar stomakun

Sëmundja e refluksit gastroezofageal është një çrregullim i tretjes që prekë shumë veta, sidomos afër Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri për shkak të ushqimeve të shumta në tryezë.

Shoqata Amerikane e Ushqyerjes dhe Dietetikës ofron këshilla për trajtimin e sëmundjes së refluksit gastroezofageal. Sëmundja e refluksit gastroezofageal është një problem i zakonshëm që lidhet me stilin e jetesës dhe dietën moderne. Urthi dhe ndjesia e pakëndshme e refluksit të acidit në ezofag janë ankesat më tipike të njerëzve me GERD.

“Ushqyerja luan një rol kyç në menaxhimin e GERD. Disa ushqime dhe zakone të të ngrënit mund t’i përkeqësojnë simptomat, ndërsa të tjerat mund të ofrojnë lehtësim dhe të përmirësojnë cilësinë e përgjithshme të jetës”, tha zëdhënësja e shoqatës Julie Stefanski, një dietologe e regjistruar në Baltimore.

Refluksi ndodh kur acidi i stomakut kthehet në ezofag, duke shkaktuar simptoma të tilla si urth, dhimbje gjoksi, nauze ose të vjella.

Për të përballuar shqetësimin, administrohen medikamente që reduktojnë sekretimin e acideve gastrike. Sipas dietologes Julie Stefanski, këshillat më praktike për ata që duan të shmangin GERD janë:

-Shmangni ushqimet që shkaktojnë ose përkeqësojnë simptomat si mente, çokollatë, alkool, kafeinë, ushqime acidike dhe pikante.

-Hani vakte të vogla dhe të shpeshta gjatë ditës për të ulur presionin në stomak dhe ezofag.

-Kufizoni ushqimet me yndyrë dhe yndyrat e shtuara duke zgjedhur proteinat nga mishi pa dhjamë, shpendët, peshku, tofu dhe fasulet, si dhe zierja në avull.

“Duke bërë zgjedhje të informuara dietike dhe duke punuar me dietologun e tyre, të sëmurët mund të fitojnë kontroll më të mirë të simptomave të tyre të GERD dhe të shijojnë një jetë më të rehatshme dhe më të kënaqshme”, përfundoi Julie Stefanski.

Parashikimi javor i motit, ja çfarë na pret 5 ditët e ardhshme

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU) ka dhënë parashikimin e motit për javën që presim përpara.

Statusi i SHMU-së:

Për javën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte relativisht të qëndrueshme atmosferike edhe pse me masa ajrore të ftohta.

Për ditën e Mërkurë dhe atë të Enjte mbi vendin tonë pritet depërtimi i masave ajrore të lagështa me origjinë veriperëndimore. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në formën e shtrëngatave. Në relievet malore në lindje në lartësitë mbi 1200 metër reshje dëbore.

Zgjedhjet në SHBA/ Fitorja e mundshme e Trump shqetëson elitën europiane

Europa beson që Donald Trump mund të fitojë përsëri Shtëpinë e Bardhë. Dhe përgatitja për një tjetër presidencë të mundshme të Trump tani ka shqetësuar elitën europiane.

Frika më e madhe e Europës është se republikanët mund të shkurtojnë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën. Republikanët në Kongres tashmë po bllokojnë 24 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, dhe që nga masakra e Hamasit më 7 tetor, shumë në SHBA argumentojnë se dërgimi i municioneve në Kiev mund të minojë përpjekjet e Izraelit për luftë.

Në të njëjtën kohë, liderët e Europës nuk kanë asnjë iluzion: në afat të shkurtër, Europa nuk mund të zëvendësojë armët, inteligjencën dhe mbështetjen diplomatike që Kievi po merr nga SHBA.

Ajo që Europa ka, megjithatë, janë paratë, të cilat mund të jenë thjesht çelësi për të bindur republikanët që të qëndrojnë pranë Ukrainës.

Trump është, nganjëherë, çuditërisht i sinqertë. Në një intervistë këtë pranverë, gjatë së cilës ai pretendoi se do t’i jepte fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës brenda 24 orëve, ish-presidenti refuzoi të përgjigjej nëse shpresonte se do të fitonte Kievi apo Moska. Në vend të kësaj ai u përgjigj: “E dini çfarë do të them? Unë do të them këtë. Unë dua që Europa të grumbullojë më shumë para. Ata mendojnë se ne jemi një bandë budallenjsh.

Dhe ashtu si parimet e Feng Shui, Trump nuk kujdeset as për rendin e sigurisë së Europës. Megjithatë, ai mund të tundohej nëse do ishte fitimprurëse, raporton abcnews.al.

Si president, Trump fillimisht ishte skeptik për dërgimin e armëve në Ukrainë derisa punonjësit e tij e bindën atë se eksportet e armëve do të ishin fitimprurëse për industrinë amerikane dhe se Kievi do të paguante.

E njëjta logjikë e motivoi atë edhe për tubacionin e gazit natyror Nord Stream 2. Ndërsa shumica e liderëve amerikanë e kundërshtuan sepse do të minonte sigurinë e Ukrainës, kundërshtimi i Trump ishte kryesisht i motivuar nga dëshira që Europa të blinte LNG-në e SHBA-së në vend që të financonte Moskën.

Kështu, Europa duhet të përfitojë para për të siguruar ndihmën për Ukrainën dhe të shpallë një marrëveshje shumëvjeçare të armëve të prodhuara nga SHBA për Kievin. Kjo do të ndihmonte Ukrainën, do të ndihmonte Europën dhe gjithashtu do të ndihmonte Trump të kuptonte se edhe ai rrezikon.

Do t’i kushtonte Europës afërsisht 45 miliardë euro në vit për të mbuluar faturën për mbështetjen e Amerikës për Ukrainën.

Kjo është 0.3 përqind e PBB-së së Bashkimit Eiropian, ose afërsisht diferenca midis objektivit prej 2 përqind të NATO-s dhe asaj që Gjermania në fakt ka shpenzuar për mbrojtjen në dy vitet e fundit.

Dhe një paketë blerjesh afatgjata armësh do t’i detyronte republikanët të mbështesin Ukrainën. As Trump dhe as skeptikët ndaj Ukrainës në Kongres nuk do të kenë të ngjarë të anulojnë kontratat e financuara nga Europa që mbështesin industrinë amerikane.

Ndërkohë, Ukraina do të merrte një garanci shumëvjeçare për armët që i nevojiten. Natyrisht, diplomacia transatlantike e çeqeve mund të duket e kotë, por nuk është asgjë e re, raporton abcnews.al.

Për shembull, gjatë Luftës së Gjirit të vitit 1991, Gjermania refuzoi të dërgonte trupa për t’iu bashkuar koalicionit, duke vendosur në vend të kësaj të kontribuonte me 17 miliardë marka gjermane.

Gjithashtu, nëse Trump fiton në nëntor të vitit të ardhshëm, Brukseli natyrshëm do të përqendrohet në çështjen e parave. Dhe do të ishte më mirë ta bënim këtë në mënyrë parandaluese për disa arsye thelbësore.

Së pari, do t’i sinjalizonte presidentit rus Vladimir Putin se mbështetja perëndimore për Ukrainën nuk do të bjerë. Sa më herët që Kremlini ta dijë se nuk mund të fitojë duke pritur, aq më mirë.

Për më tepër, edhe nëse Biden zgjidhet sërish president, republikanët ndoshta do të përfundojnë duke kontrolluar të paktën një dhomë legjislative të SHBA-së.

Pra, Europa do të ketë nevojë për mbështetjen e republikanëve edhe pa Trump.

Dhe së fundi, Europa po lufton me lodhjen nga lufta. Sondazhet tregojnë se mbështetja për Ukrainën po bie, që do të thotë se liderët europianë duhet të veprojnë tani, ndërkohë që kanë forcën politike dhe mbështetjen publike për ta bërë këtë.

Në një natë vere të fundit në një tarracë kafeneje në Paris, dëgjova një turist amerikan të pyeste duhanpirësit në një tavolinë tjetër se sa do të duhej të paguante që ata të mos pinin më cigaret. Njëri prej tyre u përgjigj: “Kjo është Europa! Jo gjithçka mund të blihet këtu!”

Megjithatë, që Europa të bashkojë SHBA-në me Ukrainën, “sa?” është me të vërtetë pyetja e duhur.

Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale të 2024-ës, Europa do të këshillohej mirë të mos i vendosë të gjitha vezët e saj në shportën e SHBA-së dhe të përpiqet të forcojë aftësitë dhe industrinë e saj mbrojtëse.

Por nevojat e Ukrainës janë afatshkurtra. Një paketë e madhe shumëvjeçare për të blerë armë të prodhuara nga SHBA për Ukrainën do të ishte kështu një investim i madh në sigurinë europiane.

Do të ishte një ofertë poshtëruese, me siguri. Por do të ishte një marrëveshje që Trump nuk mund ta refuzonte./Joseph De Weck, Politico