21.5 C
Tirana
E hënë, 23 Qershor, 2025

Taulanda Jupi: Partia Demokratike e ka zgjedhur rrugën e saj!

Ditën e sotme anëtarja e kryesisë së PD-së, Taulanda Jupi, së bashku me deputeten Flutra Açka dhe zëdhënësen e PD-së, Mirela Karabina, kanë zhvilluar një takim me gra dhe vajza demokrate në qytetin e Elbasanit.

Në një postim në profilin e saj në rrjetin social facebook, zonja Jupi shkruan:

“Zonjat dhe vajzat demokrate të Elbasanit, kanë vullnetin dhe vetëdijen se ashtu si çdo strukturë tjetër e partisë duhet të rindërtojë marrēdhënien me qytetarët në një dialog të hapur dhe të sinqertë, ashtu edhe organizata e gruas duhet të shndërrohet në një forum të hapur e komunikues me gratë dhe vajzat, pjesën më vitale të shoqërisë sonë.” 

Më tej ajo thotë se ky projekt politik kërkon vullnet, mendje dhe zemër të hapur, ashtu sikurse kërkon gjithëpërfshirje, vizion, energji dhe integritet.

“Por si çdo punë e mirë nuk bëhet vetëm, ndaj mendojmë dhe shpresojmë se me mbështetjen e zonjave kurajoze demokrate do ta shndërrojmë këtë projekt në një realitet.” – përfundon ajo.

“The Financial Times”: 25 gratë më me ndikim në vitin 2023

Aktorja Margot Robbie, këngëtarja Beyoncé, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, futbollistja spanjolle Jenni Hermoso, aktivistja iraniane dhe fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi dhe Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska janë disa nga 25 gratë më me ndikim në botë në vitin 2023, sipas “The Financial Times”.

Gazeta ka bërë një ndarje në tri kategori. E para është kategoria e krijueseve, ku ndër të tjera përfshihen Margot Robbie në filmin “Barbie” dhe Beyoncé që magjepsi botën me turneun e saj.

Në kategorinë kryesore është Von der Leyen.

“Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bota janë me fat që kanë presidenten Von der Leyen si udhëheqëse”, shkruan sekretarja e Departamentit Amerikan të Thesarit, Janet Yellen.

 

 

Në kategorinë kryesore u përfshinë gjithashtu numri një i “General Motors”, Mary Barra, dhe shefja e teknologjisë e OpenAI, Mira Murati.

Në kategorinë e heroinave ishin aktivistja iraniane për të drejtat e njeriut dhe laureate e Nobelit, Narges Mohammadi, Zonja e Parë e Ukrainës Zelenska, ylli i tenisit Coco Gauff, dhe fituesja e çmimit Nobel Katalin Kariko.

Argita Malltezi ishte përgjigjja e Berishës ndaj deputetëve “neutral” të PD

Kryelajmi i kuvendit të Rithemelimit nuk ishte deputetit italian i Forza Italia, që erdhi si shpërblim ndaj heshtjes së Berishës për marrëveshjen Rama- Meloni.

Nuk ishte as rezoluta kundër SPAK, institucion që ai sulmon çdo ditë nga bunkeri i tij.

Nuk ishte as përsëritja e akuzave të vjetra e të lodhura ndaj Bashës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nuk ishte as braktisja e demokratëve, që e lanë sallën të zbrazur, si dëshmi e lodhjes dhe vetëdijsësimit mbi revolucionin e rremë, që ka për qëllim mbrojtjen e Berishës dhe familjarëve të tij nga SHBA dhe drejtësia.

Jo, lajmi nga kuvendi i Rithemelimit ishte zbritja në politikë e Argita Malltezi Berishës. Vjazës së ish-kryeministrit, po ashtu të shpallur non grata nga SHBA, e cila u fut zyrtarisht në linjën e trashëgimisë politike të të atit.

Me burrin në arrest shtëpie, me të atin në hetim nga drejtësia dhe në mos të madhe, me të vëllanë në aromë SPAK-u, me gjasë ajo dhe i ati e shohin si të vetmen në gjendje të çojë përpara betejën e Sali Berishës. Në mbrojtje të asaj që mund të mbrohet nga trashëgimia politike dhe materiale e familjes më të pushtetshme të Shqipërisë.

Zbritja e saj në fushë, ditën kur munguan deputetët “neutral” të PD-së, që presin lodhjen, arrestimin apo largimin nga kjo botë e Berishës për të marrë rol aktiv në punët e opozitës, ishte mesazhi me të cilin u mbush nje vakuum që nuk ka ekzistur kurrë në kokën e Berishëve.

Familja para së gjithash. Mbrojtja e saj para PD. Mbrojtja e saj para Shqipërisë.

Për ta nuk ka rëndësi shkatërrimi i opozitës; Fitorja e Ramës; Humbja e PD-së. Të gjitha këto janë detaje të pa rëndësi, karshi halleve të tyre të mëdha.

Prandaj, kushdo që i ka dhënë imazhin apo fjalën e tij Berishës këto muaj agonie, duhet ta ketë të qartë se po lodhet kot. Trashëgimia e tij, ajo copë e Rithemelimit me aksione përherë e në rënie, do t’i kalojnë të bijës, jo ndonjë deputeti që ka vendosur shishen e qumështit në radhë.

Kushdo që me vetëdije apo pa vetëdije është bërë mburojë për Berishën para SPAK dhe SHBA, duke ngritur tymnajën e karrigeve parlamentare, e duke devijuar vëmendjen e opinionit publik, po i jep alibinë e “viktimës politike” Berishës dhe fronin e Rithemelimit të bijës. Ndërsa për vete po fiton epitafin me të cilin Berisha nisi një epokë që po mbyllet me të, atë të bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës.

Këto janë profesionet më të mërzitshme në botë

“Krimi i dytë më i keq në botë është mërzitja. E para është të jesh i mërzitshëm”, tha Cecil Beaton në një nga fjalimet e tij.

Dhe duke qenë se gjithçka fillon me profesionin dhe karrierën që zgjidhni, shanset janë që nëse bëni një punë të mërzitshme , me shumë mundësi do të jetoni një jetë të mërzitshme. Ti je thjesht i mërzitshëm. Dhe kush dëshiron të shoqërohet me njerëz të mërzitshëm?

Sipas hulumtimit “Njerëz të mërzitshëm: Karakteristikat e stereotipeve, atributet ndërpersonale dhe reagimet sociale”, profesionet më të mërzitshme janë:

Kontabilistë

Bankierë

Nëpunës

Matematikanë

Kujdestarët

Bibliotekarë

Punonjës të fabrikës

Postierë

Në të kundërt, profesionet me më shumë interes dhe më pak mërzi janë:

Artistët

Shkencëtarët

Gazetarët

Mjekët

Mësuesit

Juristë

Inxhinierë

Shkrimtarë.

352 miliardë euro shpenzimet e vitit 2022 për kërkim-zhvillim në BE, Shqipëria nuk e lëshon ‘fundin e Europës’

Aranit Muraçi

Investimi në arsim qëndron i lidhur ngushtë me zhvillimin e një vendi. Të dhënat tregojnë se vendet e zhvilluara janë ato që investojnë më tepër në arsim, në kërkim zhvillim dhe studime, duke e parë këtë investim si mundësinë më të mirë që politik-bërësit të marrin vendimet e duhura për të ardhmen e vendit. Në vendet e prapambetura paratë që duhet të shkojnë për arsim, dhe kërkim-zhvillimi me sa kuptohet ose përfundojnë në destinacione të gabuara, ose qeveritë nuk janë të interesuara që shoqëria dhe opinioni publik të njihet me faktet dhe të vërtetën e saj.

Në vitin 2022, shpenzimet e BE-së për kërkimin dhe zhvillimin në raport me PBB-në qëndruan në 2,22 %, një përqindje pak më e ulët se një vit më parë kur ajo shënonte 2,27 %.

Në vitin 2022, BE-ja shpenzoi 352 miliardë euro për kërkimin dhe zhvillimin; Shpenzimet për “K&Zh” si përqindje e PBB-së qëndruan në 2.22% në 2022, krahasuar me 2.08% në 2012.

Ndërmjet viteve 2012 dhe 2022, pjesa më e madhe e shpenzimeve që shkuan për kërkim dhe zhvillim i përkiste sektorit të sipërmarrjeve të biznesit, duke u rritur nga 1.32% e PBB-së në 2012 në 1.47% deri në vitin 2022, një rritje e përgjithshme prej 11.36%.

Në vitin 2022, BE-ja shpenzoi 352 miliardë euro për kërkime dhe zhvillim (K&ZH), 6.34% më shumë se shpenzimet e vitit të  kaluar (331 miliardë euro) dhe 48.52% më shumë se në në vitin 2012 (237 miliardë euro).

Kur analizohet intensiteti i Kërkim-Zhvillimit, d.m.th i shpenzimeve si përqindje e PBB-së, të dhënat tregojnë një rënie të lehtë nga 2.27% në 2021 në 2.22% në 2022. Ndër vendet anëtare të BE-së, 4 prej tyre regjistruan intensitetin e Kërkim-Zhvillimit mbi 3% në 2022. Intensiteti më i lartë i K&ZH u regjistrua në Belgjikë (3.44%), e ndjekur nga Suedia (3.40%), Austria (3.20%) dhe Gjermania (3.13%).

Në të kundërt, 8 vende të BE-së raportuan intensitet të Kërkim-Zhvillimit nën 1%: Rumania (0.46%), Malta (0.65%), Letonia (0.75%), Qiproja dhe Bullgaria (të dyja me nga 0.77%) shënuan përqindjet më të ulëta, ndjekur nga Irlanda, Sllovakia dhe Luksemburgu me aksione afër 1%.

Midis 2012 dhe 2022, investimet për Kërkim dhe Zhvillim në BE u rrit me 0,14 pikë përqindje (pp). Rritjet më të mëdha u regjistruan në Belgjikë (1.16 pp), Greqi (0.77 pp) dhe Kroaci (0.69 pp).  Në të kundërt, intensiteti i R&D u ul në 8 vende. Irlanda pësoi një rënie prej -0,6 pp, e ndjekur nga Finlanda (-0,45 pp), Estonia (-0,35 pp), Sllovenia (-0,30 pp), Luksemburgu (-0,23 pp), Danimarka (-0,22 pp), Malta (-0,15). pp), dhe Franca (-0,13 pp).

Sektori i sipërmarrjeve të biznesit zë peshën më të madhe të shpenzimeve për Kërkim dhe Zhvillim. Në vitin 2022 ky sektor përfaqësonte 66% të shpenzimeve të BE-së për Kërkim dhe Zhvillim, në total 233 miliardë euro. Sektori privat pasohej nga sektori i arsimit të lartë (22%; 76 miliardë euro), sektori qeveritar (11%, 37 miliardë euro) dhe sektori privat, i shoqatave jofitimprurëse (1%; 5 miliardë euro).

Në raport me PBB, Koreja e Jugut (4.93), SHBA (3.46), Japonia (3.34) dhe Kina (2.41) regjistruan shpenzimet më të larta në botë për kërkim dhe zhvillim.  Fondet që shpenzohen për nxitjen e inovacionit dhe kërkim-zhvillim në Shqipëri mbeten më të ulëtat në Europë, në raport me shpenzimet totale, sipas të dhënave të Eurostat. Sipas Komisionit Europian, në vitin 2021, mes vendeve kandidate fondet për kërkim zhvillim ishte vetëm sa 0.05% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), shumë larg mesatares europiane prej 2.22%. Kjo shifër ndonëse nga Eurostat për vitin 2022 nuk është e disponueshme, besohet se nuk ka ndryshuar.

Në rajonin tonë, mes vendeve kandidate shpenzimet për kërkim dhe zhvillim i kishte më të larta Turqia (1.4), më pas vinin Serbia (0.97% të PBB-së), Mali i Zi (0.5), Bosnja (0.19) dhe Maqedonia e Veriut (0.37%) të PBB-së. Mungonin të dhënat për Kosovën.

Sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për zgjerim në kapitullin “Shkenca dhe kërkimi”, Shqipëria rriti fondet për kërkimin shkencor në 0.08% të PBB-së në 2023, nga 0.05% në 2022 dhe 0.04% në 2021, megjithatë ato mbeten ende shumë larg nga objektivi 1% i PBB-së deri në vitin 2030, dhe akoma më larg mesatares së vendeve të Bashkimit Europian, ku duam të shkojmë.

Në vend që të nxiste sektorin privat të rriste prodhimin, Shqipëria importon nga vendet e BE-së dhe rajoni edhe produktet që mund t’i prodhonte tregu i saj fare mirë, që nga mishi, qumështi dhe nënproduktet e tij dhe deri te fruta-perimet. Nga shifrat zyrtare, mbi 70 për qind e nevojave për konsum importohet aktualisht nga jashtë. E njëjta gjë duket se vlen edhe për arsimin dhe kërkim-zhvillimin.

/Liberale.al/

Shfaqja e Argitës në Kuvendin e babit, reagon gazetarja: Edhe ti je Non Grata!

Shfaqja e Argita Berishës në Kuvendin e Foltores ka pasur mjaft reaksione, pasi përbën daljen e parë të fëmijëve të doktorit në një podium politik. Desada Metaj, gazetare dhe mbështetëse e opozitës për vite, ka bërë një postim mjaft kritik.

“Një nga shëmtitë e politikës shqiptare është përdorja që i bëhet familjarëve me akuza personale për fëmijët dhe bashkëshortët. Por më e shëmtuar qënka kur dëgjon fëmijët e politikanëve kur të shiten si përfaqësues të brezit.

Ah jo, nuk na përfaqësoni ju që keni përfituar nga priviligjet e baballarëve. Ju bëni mirë të shijoni çkeni përfituar në heshtje. Përndryshe, kur dilni dhe u kërkoni 50-60 vjeçarëve të ndryshojnë Shqipërinë që fëmijët tuaj të jetojnë të lumtur, dukeni që keni dhe probleme në formim.

Sepse nuk ka ndodhur kurrë në historinë e njerëzimit që ndryshimi të vijë nga të moshuarit. Ndryshimin e sjell rinia, studentët. Ndaj mblidhni mendjen dhe pajtohuni me fatin. Nuk jeni brezi i djegur, jeni fëmijët e baballarëve që mbajnë përgjegjësi për djegien e shpresës për ne… e fatkeqësisht me gjasë dhe për fëmijët tanë! #jenongrata”, shkruan Desada Metaj ne rrjetet sociale.

101 shqiptarë në burg në tre muajit e fundit në Britani/ “The Telegraph”: Epidemia e fermave të kanabisit

Një “epidemi” e fermave të kanabisit ka çuar në një rritje të numrit të shqiptarëve të burgosur.

Më shumë se 100 emigrantë të paligjshëm shqiptarë janë dënuar me më shumë se 300 vjet burg në vetëm tre muaj pasi u rekrutuan nga bandat e krimit të organizuar për t’i shërbyer numrit në rritje të shpejtë të fermave të kanabisit, thotë The Telegraph.

Shumë nga emigrantët e paligjshëm u rekrutuan nga bandat pasi një goditje e qeverisë ndaj punës së ekonomisë së zezë e bëri të vështirë për ta gjetjen e punës.

Ministrat kanë trefishuar gjobat për bosët që punësojnë emigrantë të paligjshëm deri në 60,000 £ për punëtor.

Një operacion policor që synonte fermat e kanabisit këtë verë përfshiu gjithashtu oficerë që kapën deri në 130 milionë paund bimë kanabisi dhe arrestuan pothuajse 1000 persona. Më shumë se 180,000 bimë janë zbuluar në bastisjet në Angli dhe Uells.

Në pesë vitet e fundit, bandat shqiptare kanë marrë drejtimin e kultivimit të kanabisit, duke uzurpuar vietnamezët duke importuar ekspertizën e tyre hidroponike në rritjen e bimëve në Shqipëri në MB dhe duke përdorur emigrantët e paligjshëm si “kopshtarë”.

Numri i shqiptarëve që kaluan Kanalin në vitin 2022 me varka të vogla u rrit në 12301 nga 800 në 2021, më shumë se një e katërta e 45755 mbërritjeve totale.

Mes të burgosurve këtë verë ishte Nard Nidri, 34 vjeç, i cili hyri ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar verën e kaluar dhe jetoi në Birmingham dhe më pas u transferua në Swansea ku punoi në një lavazh makinash përpara se të rekrutohej për një fermë kanabisi.

Ai ishte një nga katër “kopshtarët” e burgosur për një total prej gjashtë vjetësh në gusht, pasi policia i arrestoi ata në një pronë në Neath, në Uellsin jugor, ku dy dhoma dhe papafingo ishin përshtatur dhe izoluar për të rritur bimë me vlerë rrugore prej 85,000 £.

Duke i dënuar ata, gjykatësi Geraint Walters tha se fermat e kanabisit që drejtoheshin nga bandat kriminale shqiptare kishin arritur “nivele epidemike” dhe sipas gjykimit të tij, “ishin kthyer në një industri”.

Ai sugjeroi që autoritetet duhet të shikojnë sektorin e banesave me qira, duke vënë në dukje se ndërsa të ashtuquajturit “fermerë” të kanabisit shpesh paraqiteshin në gjykatë, pronarët dhe të tjerët që merrnin para nga qiraja e pronave që përdoreshin për operacionet në rritje, rrallë e bënin këtë.

Shqiptarë të tjerë kanë punuar për bandat për të shlyer borxhet. Artenis Shehu, 20 vjeç, u burgos për një vit pasi punoi në një fermë kanabisi në Norfolk Broads për të pastruar atë që ai pretendonte se ishte një borxh prej 2500 £ që kishte me një bandë krimi të organizuar për të paguar një operacion mjekësor për babain e tij.

Gjykatësi Andrew Shaw i tha Shehut se operacioni i kanabisit prej 225,000 £ ishte një “organizim i sofistikuar” i cili kishte “të gjitha shenjat” e “krim të organizuar serioz”.

Bandat shqiptare u zhvendosën në kanabis sepse ishte “me rrezik shumë, shumë të ulët”, rezultuan një fitim i mirë për shkak të kërkesës së lartë – britanikët konsumuan 240 ton drogë me vlerë 2.4 miliardë paund në 2021 – dhe nuk kërkon transport të rrezikshëm ndërkufitar sepse ajo është rritur në shtëpi, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA).

Këtë javë, James Cleverly, Sekretari i Brendshëm, nënshkroi një marrëveshje të re me Shqipërinë për të mbështetur marrëveshjen e shpejtë të dëbimit dhe kundër imigracionit.

PD, Mirela Karabina: Mashtrimet e Berishës, fshehin pazarin e tij me Edi Ramën

Në një prononcim për media, zëdhënsja për shtyp e PD-së, Mirela Karabina, është shprehur se “mashtrimet e dala boje të Berishës kërkojnë të fshehin pazarin e tij me Edi Ramën, që kurorëzohet me kullën më të lartë të Ballkanit në Tiranë”.

Për zonjën Karabina, sot është e qartë arsyeja e shpalljes së Berishës “Non Grata” dhe e gjithë përpjekja e tij bëhet për t’iu shmangur drejtësisë.

Më poshtë reagimi i plotë:

Sali Berisha vazhdon me mashtrimet ordinere për hallet e tij dhe për t’i ikur llogaridhënies për humbjen e thellë të zgjedhjeve të 14 majit, për të cilën nuk thotë asnjë fjalë, edhe pse u kishte premtuar demokratëve që për 6 muaj rrëzon Edi Ramën.

Mashtrimet e dala boje të Berishës kërkojnë të fshehin pazarin e tij me Edi Ramën, që kurorëzohet me kullën më të lartë të Ballkanit në Tiranë.

Sa për arsyet pse Sali Berisha u shpall non grata, sot nuk ka shqiptarë që nuk e kupton!

Argumenti i DASH për shpalljen non grata:

“Në cilësinë e tij si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes së tij, si dhe në shpenzimin e besimit të publikut shqiptar ndaj institucioneve të tyre qeveritare dhe zyrtarëve të lartë publikë”

Arsyet pse Britania e Madhe shpalli Sali Berishën non grata :
“ Në lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, si edhe për korrupsion”.

Këto janë arsyet që Sali Berisha është shpallur i padëshirueshëm nga SHBA-të dhe Britania e Madhe, të tjerat janë përralla dëshpërimi

Sot Sali Berisha duhet t’u tregonte demokratëve që po i përdor si mburojë të halleve të tij:

-Pse nuk shkon para drejtësisë të sqarojë akuzat ndaj tij për korrupsion, por fshihet pas demokratëve?

-Pse nuk tha asnjë fjale për zgjedhjet e 14 majit?
Shënoi humbjen më të thellë në zgjedhje, ndëkohë që i mashtroi demokratët se me të do të largohej Rama për 6 muaj.

Sali Berisha nuk do të mund të mbrohet në përballje me SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe Drejtësinë duke përçarë demokratët për interesat personale të tij!

“Mitsotakis i duhet Beleri në burg”, Kulla: Deri në qershor kur të jenë zgjedhjet europiane në Greqi

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla ka deklaruar në emisionin “Zonë e Lirë” se kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis se Fredi Beleri i duhet në burg. Ai ka theksuar se do që çështja ‘Beleri’ të vazhdojë deri në qershor kur të jenë zgjedhjet europiane në Greqi.

Sipas Kullës, grekët duan ta ndërkombëtarizojë sa më shumë dhe ta çojë në gjykatën e Strasburgut, si çështje të të drejtave të njeriut dhe si çështje politike të Greqisë.

“Tashmë jemi te pika që kjo po kthehet në një luftë polititike. Unë të kam thënë që Athina po mundohet që çështjen ‘Beleri’ ta ndërkombëtarizojë dhe Athinës tani Beleri i duhet në burg. Mundësisht të betohet, por i duhet në burg, se i duhet martir politikë. Deri në qershor kur të jenë zgjedhjet europiane në Greqi, Mitsotakisiti duhet Beleri në burg. Edhe i duhet çështja e Himarës që të mos ketë çështje të tjera të merret dhe mundësisht ta ndërkombëtarizojë sa më shumë, ta çojë dhe në gjykatën e Strasburgut, si çështje të të drejtave të njeriut dhe si çështje politike të Greqisë’, tha ai.

Falimentimi i fjalës

Nga Lutfi Dervishi

Fjala dhe lajmtari kanë një mbrojtje të fortë në Kanun. “Fjala nuk bën mort”. “Lajmësi nuk ka faj”.

Në të njëjtën kohë, Kanuni është i ashpër me thashethemexhinjtë dhe dallkaukët.
“Ai që mbjell e hap fjalë të këqija e gërgasa herë për njanin e herë për tjetrin, me gojë të kanunit thirret ‘Argat i së keqes’ – as e thërret kush në punë, as i nep kush rrogë.” (Fjala; nyja e 86)

Por mjerisht, fjalët, dikur shtylla komunikimi, po shkërmoqen nga mbipesha e gënjeshtrave, sajesave, thashethemeve, dhe po zhvlerësohen përballë propagandës, premtimeve të rreme e teorive konspirative. Harrohet se “Burri kapet prej fjalet” dhe “Fjala asht s’asht e asht thyen”.

Fuqia e fjalës është minuar nga akuzat ndaj gazetarëve, integriteti i të cilëve është lëkundur sa nga akuzat për korrupsion e shantazh, aq edhe nga uria për vëmendje dhe dica klikime më shumë.
Në vorbullën e keqinformimit, propagandës dhe mashtrimit, po lulëzojnë sharlatanet, megallomanët, mitomanët e baba Vangat shqiptarë.

Metamorfoza e fjalëve, nga mjete komunikimi, te municion për betejat politike, është e qartë si kristali në Parlament, në 15 kanalet televizive me 24 orë “lajme”, në 56 televizionet e tjera gjeneraliste, në 800 portalet e dedikuar për lajme dhe, pa diskutim, në shkurret e pafundme të rrjeteve sociale.

Rrjetet sociale dhe portalet, fushë beteja e epokës tonë digjitale, përmes përronjve të urrejtjes dhe të ndihmuar nga anonimati, kujdesen që kaosi të mos mungojë asnjë edhe një minutë.

Televizionet me oreks elfanti për “debate” po e shndërrojnë informacionin në kakofoni. Cdo shpresë për pak qartesi e kuptim zhytet në oqeanin e fjalëve qesim.
Debatet e përnatshme i ngjajnë dramave shekspiriane, ku protagonistët nuk janë mbreter e mbretëresha, por Koka të mëdha që parashikojnë kobe, mënxyra, gjakderdhje, thika pas shpine, arrestime, investime, gjëmime e tërbime.

Në këtë cirk të papëlqyeshëm, të perditshem e të përnatshem, futen edhe zyrtaret/qeveritarët të cilët kanë marrë detyrën e pa kërkuar të rrefyesve duke raportuar për veten se sa mirë po punojnë përkëtë vend të bekuar dhe sa shumë po treten për të realizuar ëndrrën shekullore të popullit për anëtarësim në BE

Thënia në fillim e fjalës së fundit, është kthyer në moto të diskursit publik.

Mjerisht, vendi e gjen veten jo në një shoqëri informacioni, por në një shoqëri thashethemi, ku vija mes faktit dhe trillimit mjegullohet nga perdja e tymit, e propagandës dhe e disinformimit, duke e bëre gjithnjë e me sfidues, deri në fshirje, dallimin e realitetit nga iluzioni.

Fjalët hidhen në eter, jo me qëllimin për të kuptuar, por thjesht për të bërë zhurmë. Dialogu është shndërruar në një monolog kaotik, ku të “ftuarit” rreken të dominojnë skenën, duke raportuar jo atë që ngjet në realitet, por atë që duan ata te shesin se ngjet në rradakën e tyre. Dialogu nuk nënkupton më shkëmbim idesh, por një garë se kush prodhon decibelët më të lartë. Akuzat dhe kundërakuzat nuk bëjnë më asnjë përshtypje.

Viktima e parë e kësaj rrumpalle komunikimi është e vërteta. Demokracia, e brishtë sic është, kthehet në kakofoni. Fjalët humbasin fuqinë dhe rëndësinë e tyre dhe asgjë nuk bën më përshtypje. Thuaj çfarë të duash, trego sa të duash, ekspozo skandalin me të madh.. asgjë nuk ndodh!

Në një garë per t’ia kaluar artit, gjendja e sotme e komunikimit të kujton John Snow
te Game of Thrones, një nga personazhet me të dashur edhe për faktin se përpiqej t’i shpallte të vërtetën kundershtarit dhe që thotë: “kur ka njerëz që bëjnë premtime të rreme, fjalët nuk kanë më kuptim. Nuk ka më pyetje, veç gënjeshtra gjithnjë e më të bukura”.