16.5 C
Tirana
E hënë, 23 Qershor, 2025

Propagandizmi që shkel mbi plagë

Nga Preç Zogaj

Më qëlloi të lexoja javët e fundit librin “Kohët e betejave”, të ish Presidentit të Francës, Nikolas Sarkozi, në të cilin autori tregon ngjarje dhe episode nga pesëvjeçari i tij në pushtet (2007-2012).

Më la përshtypje të thellë një ngjarje shumë e bukur ku politikja me njerëzoren, detyra me  shpirtëroren bëhen një: Sarkozi informohet nga deputetë të Normandisë për arrestimin dhe burgosjen, sipas tyre shumë të dyshimtë, në Meksikë të Florenc Casses, një vajzë franceze, që akuzohej si pjesë e një organizate trafikantësh të lëndëve narkotike dhe rrezikonte një dënim shumë të rëndë. Presidenti pret në pallatin “Elisse” prindërit e Florens, merr informata më të thelluara nga ambasada e Francës në Meksiko dhe nga  burime të tjera, krijon një bindje të veten se vajza se kishte renë në kurth apo e kishte kapur lapsi nuk e meritonte një trajtim kaq të sertë si ai që po i rezervohej nga drejtësia meksikane. Dhe çfarë bën? Duke shfrytëzuar marrëdhëniet në dukje shumë të mira me homologun e tij meksikan, vendos të impenjohet familjarisht për t’i ardhur në ndihmë, natyrisht në respekt të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Dërgon gruan e tij, Carla Brunin në Meksikë, i shkruan Presidentit meksikan të kohës, Garsia Luna, dhe e shtron çështjen e Florenc në një bisedë informale më të gjatë një vizite në Meksiko. Papritur konstaton se demarshi i tij po ndesh në një varg peripecish e ndërlikimesh të pakuptueshme, të dyshimta. Pabesueshëm, pozita e të burgosurës rëndohet me keq.  Sarkozi e sheh veten të sfiduar nga fuqi të padukshme, ndihet i fyer nga homologu i tij meksikan që pasi ia ka bërë mbarë, nguroset  dhe s’do të dëgjojë të flitet për francezen e burgosur.

Sarkozi nuk heq dorë, madje e merr me një inat me të madh, kërkon ndihmën e Papës Razinger, i kërkon Shenjtërisë së tij të konsultojë dhe verë në lëvizje klerin meksikan. Kisha meksikane përfshihet në përpjekjen për rishikimin e rastit “Florens Casses”, por mali i shurdhërisë dhe cinizmit qëndron i patundur. Florenc vazhdon të vuajë dënimin e rëndë në burg. Gjatë kësaj kohe Presidenti i Francës e merr herë-pas-herë në telefon nga zyra e tij, i jep kurajo, e mban me shpresë. Duke e ditur se biseda përgjohet, ai kërkon t’u bëjë me dije autoriteteve të Meksikës se ai dhe Franca nuk e kanë braktisur bashkë-atdhetaren dhe shtetasen e tyre.

Për të mos e zgjatur, fundi i historisë është ky: në vitin 2013 Gjykata e Lartë e Meksikës shpall të pafajshme Florens Casses, Ministri i Brendshëm i Meksikës, që kishte luajtur fijet e intrigës, dënohet  me burg për lidhjet e tij me banda të narkotrafikut. Presidenti, një marionetë e Ministrit, zhvendoset në Spanjë ku jeton sot e kësaj dite, i akuzuar por i pagjykuar.

Fraza që sintetizon këtë histori është ajo që shkruan vetë Sarkozi: “Përse na shërben ky pushtet kaq i madh që na është besuar nëse nuk e përdorim gjithashtu për të lehtësuar padrejtësi individuale”.

Ky episod kaq kuptimplotë dhe prekës nga një libër voluminoz sikur më kërkoi me zë të lartë ta ndaja me lexuesit e mi, teksa më qëlloi të dëgjoja bisedën e kryeministrit Edi Rama me të ftuarën e radhës, këngëtaren Elsa Lila, në podcastin e tij. Thënë ndryshe, në studion e tij, në kryeministri.

Elsa Lila më pëlqen si këngëtare, me pëlqen kur flet për muzikën, për jetën e saj, për jetën në përgjithësi, për kompozitorë të muzikës baroke, sidomos për Antonio Vivaldin.

Pak ditë më parë e kisha  dëgjuar në një intervistë shteruese me Blendi Fevziun, në emisionin “Opinion”.  U bëra kureshtar të mësoja ç’të reja mund të kishte për të  thënë në studion e kryeministrit.

“Të  rejat” nuk i gjeta në rrëfim, që ishte një riprodhim i zbehtë i bisedës së mëparshme në “Opinion”.  Por  mund të gjendeshin në të çarat, të pathënat dhe retiçesat e saj.

“Kur u arrestove, përse u arrestove, sa kohë ndenje në qeli, a e kishe sensin e kohës, si mbaroi ai makth”? – ishin disa nga pyetjet e kryeministrit.

Janë çarë mediat këndej dhe andej Adriatikut për arrestimin dhe kalvarin e dhimbshëm të artistes  shqiptare në Itali vitin e shkuar. Kush nuk e mori vesh!

Kurse Rama, sipas asaj që linin për të kuptuar pyetjet e tij, nuk dinte asgjë. Ndoshta bënte të paditurin për t’i dhënë mundësi të ftuarës të shpjegohej, pra, për hir të audiencës. Mund të ishte kështu, por kryeministri nuk është gazetar, nuk ishte i pari që po e intervistonte Elsën. Ky lloj  “rregulli” për t’ja nisur nga e para nuk ka kuptim për kryeministrin e vendit. Elsa kishte arsye të ndihej  e çuditur, për të mos thënë e fyer që ai nuk dinte gjë.

Rama e dëgjonte rrëfimin e kalvarit të Elsës, në qeli me pozën prej të befasuari dhe të prekuri, duke mos u kujtuar se po demaskonte ashtu indiferencën e tij ndaj të ftuarës, kur ajo e kishte pësuar padrejtësinë. Dhe nuk kishte qenë një goditje ndaj një shtetase të thjeshtë, siç ishte francezja Florenc Casses për Nikola Sarkozi, – sado që, çdo shtetas që bie në telashe të ngjashme e meriton interesimin e institucioneve të vendit të vet, – por ndaj një artisteje të madhe me një jetë të trazuar.  Dhe vetë Elsa, për edukatë, për të lejuar rrjedhën e bisedës, apo ngaqë i është dukur normale të braktiset nga shteti i saj apo kushedi pse, nuk tha asnjë fjalë.

Rama nuk ishte bërë i gjallë në ditët e vështira të artistes. Por e deshi në podkastin e tij në ditë të mirë, teksa ajo kishte ardhur në Shqipëri si e pafajshme për recitalin e ringritjes nga hiri.

Ajo shkoi. Për respekt, patjetër. Kishte dëgjuar me siguri për podkastin, atë lloj skene apo “aeropagu” pa të dytë në kabinetet e kryeministrave të Perëndimit, që Rama e ka krijuar kryesisht  për të zbukuruar vitrinën e pushteti të tij me të ftuar të shquar nga fusha të ndryshme, mes të cilëve ka kurdoherë prej atyre që kanë kultin e pushtetit dhe besojnë se podkasti është “institucioni” shugurues i njohjes dhe nderimit më të lartë.

Si i tillë, këngëtares Elsa Lila nuk i vlente për asgjë. Biseda e saj në podcastin e Ramës do të kishte kaluar si plot të tjera, pa  ndonjë domethënie të veçantë. Por, pa e çuar nëpër mend, thjesht duke iu përgjigjur pyetjeve me sinqeritet, ajo  bëri të spikaste cinizmi i një propagandizmi të vetëkënaqur, që  nuk kujtohet se i ka munguar detyrës a humanizmit kur është dashur dhe as në çfarë pengjesh e  plagësh të të tjerëve shkel.

/Liberale.al/

 

Euro pikiatë/ Banka e Shqipërisë e pafuqishme përballë parasë kriminale

“Deri në 32 për qind e pronave rezidenciale dhe komerciale të shitura në gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 janë blerë nga jorezidentë; pastrimi i parave ndoshta ka qenë një faktor kontribuues i rritjes së çmimeve në Tiranë dhe në zonat bregdetare” thuhet në raportin e dedikuar për Shqipërinë.

Paratë e pista të krimit që pastrohen në ndërtime në Tiranë kanë qenë shpesh objekt i raporteve të huaja, por këtë vit ka ndodhur edhe një fenomen tjetër që i dedikohet kriminalizimit të ekonomisë: luhatja e shpejtë e vlerës së euros dhe lekut në kursin e këmbimit.

Gjatë muajve të verës, kur euro arriti një zhvlerësim të paprecedent, Banka e Shqipërisë u detyrua të forconte masas për të zbutur efektet negative në ekonomi. Nga 160-220 milionë euro që kishte planifikuar të blinte nga tregu i brendshëm, vendosi të shtonte edhe 80 milionë euro të tjera, duke e çuar kufirin në 300 milionë euro.

Vendimi u mor pasi euro shkoi thuajse 1 me 1 me lekun, duke shtuar humbjet tek kompanitë eksportuese, duke shtuar pagesat e kredive me lekë apo duke zhvlerësuar vlerën e parave të emigrantëve.

Në një shpjegim që bënte për këto luhatje, guvernatori Gent Sejko thoshte se zhvlerësimi i euros ishte pasojë e 1) fluksit të turistëve që u dyfishuan këtë vit, 2) si pasojë e parave që sillnin emigrantët dhe 3) si pasojë e investimeve të huaja.

“Kemi rritje të të ardhurave të hyra nga turizmi që thuajse është dyfishuar, nga investimeve direkte. Kemi blerje të pasurive të patundshme dhe rritje të remitancave. Këto 3 kanale kanë burime të mjaftueshme hyrjesh në valutë të huaj, kryesisht në euro” thoshte Sejko gjatë verës.

Shpjegimi i guvernatorit përputhet edhe me atë të qeverisë. Edhe ish-ministrja e financave, Delina Ibrahimaj rendiste të njëjtat arsye për zhvlerësimin e euros, duke e vënë theksin tek numri i lartë i turistëve që kishin ardhur në vendin tonë.

Por javët e fundit të nëntorit, euro pësoi një ulje të shpejtë që nxjerr bllof jo vetëm shpjegimet e burokratëve, por edhe masat që mori Banka e Shqipërisë. Këtë të premte euro u këmbye me 101 lekë, ndërsa dita-ditës vlera e saj po kap ato të korrikut dhe të gushtit.

Çështja është që tashmë sezoni turistik ka mbaruar. Justifikimi për numrin e lartë të turistëve nuk qëndron, ndërsa Banka e Shqipërisë po rezulton e pafuqishme të frenojë fenomenin. Kjo nuk është rastësi. Pastrimi i parave të pista është tabu për Sejkon, që nuk ka guxuar ndonjëherë të dalë jashtë vijave të kuqe që ia ka caktuar qeveria.

Një shpjegim më real i këtyre luhatjeve të kursit të këmbimit duket ai që bëjnë tregtarët eskportues, të cilët e kanë ndjerë në xhepat e tyre humbjen e parave nga zhvlerësimi i euros. Sipas tyre, forcimi i lekut nuk kishte asnjë lidhje me zhvillimin ekonomik apo me investimet e huaja dhe prurjet e emigrantëve, por me paratë e krimit që hidhen në treg për t’u pastruar.

Në një letër që i dërguan Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe BERZH-it ata ankoheshin se “Luhatjet e mëdha dhe të përkohshme që dëmtojnë rëndë eksportuesit dhe turizmin duket se ndikohen edhe nga paratë informale apo kriminale në ekonominë shqiptare, kryesisht në pasurinë e paluajtshme dhe bizneset fitimprurëse”.

Qeveria Rama ndërmori hapa konkretë që t’i hapte rrugë fluksit të parave që shqiptarët mbajnë jashtë vendit nëpërmjet një projektligji për amnistinë fiskale. Por nisma, që do t’i lejonte çdo emigranti të sillte në Shqipëri deri në 2 milion euro, është kundërshtuar fort nga ambasadorët e huaj dhe për momentin po mbahet pezull.

Përveç eksportuesve, një shtresë tjetër që dëmtohet nga zhvlerësimi i euros janë edhe ato familje që ndihmohen nga emigrantët shqiptarë, pasi dërgesat e tyre humbin vlerë. Rreth 26% e familjeve shqiptare jetojnë plotësisht ose pjesërisht nga dërgesat e emigrantëve dhe janë prekur ndjeshëm nga forcimi i lekut./Lapsi.al

Drita jeshile për Shqipërinë/ Vendet e BE-së miratojnë letrën për shqyrtimin e grupkapitujve të parë

27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar letrën drejtuar autoriteteve shqiptare për rezultatin e shqyrtimit të grupkapitujve të parë lidhur me procesin e anëtarësimit në BE.

Lajmi është konfirmuar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Në përgjigje të interesimit të ATSH-së nëse Greqia i është bashkuar letrës së 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që do ta ftojnë Shqipërinë të hapë kapitujt e parë të bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një zyrtar i BE-së konfirmoi se “letra drejtuar autoriteteve shqiptare për rezultatin e shqyrtimit të grupkapitujve të parë është miratuar”.

“Mund të konfirmoj se letra drejtuar autoriteteve shqiptare për rezultatin e shqyrtimit të grupkapitujve të parë është miratuar”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të BE-së për ATSH.

Përpara disa ditësh Shqipëria përmbylli procesin e shqyrtimit të përputhshmërisë, i njohur si “screening”.

Lajmin e dha ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili theksoi se ky proces zgjati për 14 muaj, me 777 prezantime, me përfshirjen e mbi 1500 ekspertëve shqiptarë dhe 1000 ekspertëve të Komisionit Evropian. Që prej vitit 2022, u mbajtën 300 takime shpjeguese dhe dypalëshe për shqyrtimin e acquis.

Hapi i radhës, ka deklaruar kryediplomati Hasani, është hapja e grupkapitullit të parë për çështjet themelore.

Propozimi i Komisionit Europian për nisjen e bisedimeve për grupkapitujt e parë pritet të diskutohet në mbledhjen e muajit dhjetor të Këshillit Evropian, ku çdo vendim duhet të merret me miratimin e të gjitha vendeve anëtare.

‘Gërdeci’, më 7 dhjetor dëshmitarët e radhës! Faksi ‘për Shkëlzenin’, do pyetet sekretarja e Aldo Bumçit! Djali i Berishës në GJKKO më 14 dhjetor

Procesi për tragjedinë e Gërdecit ka hyrë në fazën e dëshmitarëve kryesorë pas përballjes së ish-ministrit Fatmir Mediu me disa prej tyre në gjykatën e Posaçme të enjten më 30 nëntor. Në këtë seancë, ish-punonjësja e ministrisë së mbrojtjes Anila Lala (Gjergji) pranoi se faksi i Aldo Bumçit në vitin 2007 me shënimin “për Shkelzen Berishën”, kishte mbërritur në atë formë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Dëshmitarët e radhës, që janë në listë për tu pyetur në seancën e 7 dhjetorit dhe një javë më pas, duket se kanë të bëjnë pikërisht me këtë dokument, të shkëmbyer mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2007 lidhur me projekt-vendimin e qeverisë për ngritjen e fabrikës së demontimit në Gërdec.

Plarent Ruka, Sokrat Papadhima, Liza Maksuti, Alma Zili e Anjola Agolli, janë dëshmitarët e radhës të thirrur në seancën e 7 dhjetorit. Anjola Agolli është ish-sekretarja e ministrit të Drejtësisë të kohës, Aldo Bumçi, e cila në hetimet paraprake, ka pranuar se për çështjen Gërdeci janë nisur fakse nga Ministria e Drejtësisë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe kjo ka ndodhur konkretisht nga Drejtoria e Kodifikimit. Pas Agollit, në listën e dëshmitarëve të prokurorisë renditen Aldo Bumçi me numër rendor 51 dhe Shkelzen Berisha me numër 52 të cilët sipas kalendarit të seancave, pritet të paraqiten në gjykatën e posaçme më 14 dhjetor.

Bumçi dhe Berisha janë pyetur edhe gjatë hetimeve paraprake në lidhje me faksin me shënimin “për Shkelzenin”, ndërkohë që SPAK, dyshon se djali i ish-kryeministrit ka pasur takime me ministrat para dhe telefonata menjëherë pas shpërthimit në Gërdec.

Pas rihapjes së procesit për tragjedinë e marsit të vitit 2008, me 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur, në gjykatë kanë dëshmuar deri tani rreth 40 dëshmitarë. Të enjten Fatmir Mediu pranoi përgjegjësinë morale por përjashtoi veten nga përgjegjësia ligjore lidhur me ngjarjen.

 

Kuvendi i Berishës, Karabina: Bëhet për të kundërshtuar drejtësinë, jo në interes të demokratëve

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina thotë se Kuvendi i 2 Dhjetorit që do të mbahet nga ish kryeministri Sali Berisha, bëhet për të penguar drejtësinë dhe nuk është në interes të demokratëve.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Karabina u shpreh se Berisha është në hall, për shkak të hetimeve të SPAK ndaj tij.

“Në fakt, Partia Demokratike ka bërë Kuvendin e 2 shtatorit, ku ka analizuar gjithçka. Ka një rezolutë mbi bazën e së cilës funksionon Partia Demokratike, ka një qasje euroatlantike, që ecën përkrah aleatëve. Kuvendi nesër, është kuvend jo në interes të demokratëve, në kundërshtim me drejtësinë, një përpjekje për t’i treguar mesazhe, drejtësisë, SHBA. Besoj se demokratët janë të zhgënjyer. Çdo gjë që është thënë këto dy vite nuk është mbajtur”, theksoi ajo.

Në lidhje me mos prezencën e deputetëve të Partisë Demokratike në seancën për votimin e buxhetit, Karabina deklaroi se në sallë nuk u zhvillua seancë, por kishte zjarr e flakë, të shkaktuar nga Rithemelimi.

Sipas saj, buxheti 2024 është oligarkik dhe jo për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Fatkeqësisht në periudhën që ishte kalimi i buxhetit, kemi minim të këtyre seancave të grupit të Rithemelimit dhe një grupi deputetësh. Munguam sepse në sallë nuk kishte normalitet, ishte zjarr e flakë. Qeverisja e kaloi shumë lehtë, pa dhënë llogaridhënie. Buxheti nuk është i vogël, është 7 miliardë euro. Nuk do të shkojë në përmirësim të jetës së qytetarëve. Do të kemi ekonomi oligarkike. Patjetër që do të ketë jetë parlamentare. Foltorja nuk ka për qëllim të pengojë mazhorancën, janë bashkë. Në hall të madh, të frikësuar nga hetimet. Vetëm kur të fillojë ndëshkimi i politikanëve të lartë, kushdo, jo vetëm zoti Berisha, kushdo që ka abuzuar. Për herë të parë, drejtësia është e shkëputur nga politika, prandaj kanë frikë politikanët shqiptarë”, tha Karabina.

Spahiu: Greqia nuk e gjunjëzon dot Shqipërinë si në ‘97. Uashingtoni, Berlini e Parisi, në krah të Tiranës

Juristi Kreshnik Spahiu ka komentuar tre kushtet që i ka vendosur Greqia Shqipërisë në mënyrë që të mos pengojë anëtarësimin e vendit tonë në BE.

Në një intervistë për Euronews Albania, ai theksoi se Greqia i ka vendosur Shqipëri veto dhe në vitin 1997, pasi autoritetet shqiptare arrestuan tre bashkëpunëtorë të Fredi Belerit.

Megjithatë ai theksoi se kanë ndryshuar politikat në krahasim me vitit ’97 pasi asokohe ndërkombëtarët ishin krah Greqisë ndërsa tani është e kundërta.

“Greqia edhe herë tjera e ka vendosur veton kundër Shqipërisë. Për të njëjtat arsye, 1995, 1996, 1997, Greqia ka mbajtur të njëjtin qëndrim ndaj bashkëpunëtorëve të Fredi Belerit që ishin arrestuar nga drejtësia shqiptare. Në kërkim të lirimit të tyre të këtyre eksponentëve të organizatës Omonia.

Në vitin 1995, 1996, 1997 Greqia ka bllokuar Shqipërinë në çdo proces të stabilizim asociocmit në këtë periudhë dhe nga ana tjetër, loboi dhe ndërkombëtarisht duke vendosur ndërkombëtaarët kundër qeverisë shqiptare, të cilat në vitin 1997 nuk njohën rizgjedhjen e Berishës president në atë periudhë. Por rrethanat kanë ndryshuar. Le të themi që aktualisht Uashingtoni, Berlini e Parisi janë rreshtuar në krahun e Shqipërisë dhe jo të Athinës.
Ka një strategji për të anëtarësuar Ballkanin Perëndimor  në BE dhe një veto e Greqisë do të bllokonte gjeopolitikën në rajon. Për momentin nuk mendoj se Greqia ka fuqinë ta pengojë por ka potencialin dhe të drejtën e votës proceduriale për ta vonuar këtë proces.

Ata të cilët nuk e marrin seriozisht konfliktin diplomatik me Greqinë e kanë shumë gabim. Sot BE po shpenzon shumë energji financa diplomaci, kohë me konfliktin etnik në Veri të Kosovës që kërkojnë autonomi të komunave serbe. Perëndimi dhe SHBA nuk duan të ketë një gjë të tillë në jug të Shqipërisë. Prandaj mendoj se Perëndimi nuk do të tolerojë dhe nuk do të pranojë betimin e Fredi Belerit”,-theksoi Spahiu.

Noterët të përfshirë në procesin e pastrimit të parave

Deklaratat noteriale për njohjen e borxhit/detyrimeve janë forma e fundit për pastrimin e parave. Në Shqipëri noterët hartojnë rreth 10 mijë deklarata të tilla në një vit kalendarik dhe ekspertët vlerësojnë se me këtë teknikë pastrohen miliona euro. Ndërkohë, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave refuzon që të informohet në kohë reale nga noterët. Kjo sjellje e Agjencisë së Inteligjencës Financiare përballë gatishmërisë së noterëve prej tre vitesh merr formën e një skandali, që kërkon hetim nga autoritetet. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave refuzon raportimin e noterëve në kohë reale

Autor: Zylyftar Bregu

Plot 225 mijë euro ka “legalizuar” noterja Shpresa Gjoçi nëpërmjet një deklarate për njohje detyrimi, me numër 234/185. Paratë ishin dhënë vite më parë dhe deklarata noteriale është hartuar vetëm mbi bazën e vullnetit të palëve.

Kolegu i saj, noteri Ermal Hamzaj, në një tjetër rast, me deklaratën për njohje detyrimi më datë 3 shtator 2021, ka “certifikuar” 100 mijë euro të tjera.

Rastet e mësipërme janë dy nga rreth 50 deklaratat noteriale për njohje detyrimi, që kam mbledhur tashmë, me shuma që variojnë nga 50 mijë deri në 225 mijë euro.

Pesë vite më parë në Gjykatën Civile të Tiranës palët (njëra prej të cilave Lefter Sulkaj, ish-administratori i Spitalit Gjerman, i arrestuar për mashtrim), me deklaratën noteriale për njohje detyrimi në shumën 1.5 milionë dollarë (1 miliard e 500 milionë lekë të vjetra) i kërkonin gjykatësit të lëshonte urdhër ekzekutimi.

Asnjëri prej këtyre akteve noteriale nuk është referuar nga noterët përkatës në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP) në Ministrinë e Financave, institucioni që përgjigjet për këtë fenomen, edhe pse shumat janë të tilla, që i detyrojnë noterët ta bëjnë këtë veprim. “Kjo është një marrëdhënie konfidenciale. Nuk dua të flas”, – përgjigjet shkurt Gjoçi në zyrën e saj, pas interesimit të INA-s.

Deklarata noteriale për njohje detyrimi shërben për dy qëllime. “Është një dokument, që vërteton, njeh veprimin, që dy njerëz kanë bërë në ilegalitet, jashtë sistemit bankar. Me këtë deklaratë pala debitore, ajo që ka dhënë paratë, dëshiron ta njohë borxhin dhe më pas i kërkon gjykatës të nxjerrë një urdhër ekzekutimi”, – shpjegon nënkryetari i Dhomës Kombëtare të Noterëve, Fatmir Laçej.

Pavarësisht se deklarata noteriale për njohje borxhi “konvertohet” në urdhër ekzekutimi nga një gjykatës civil, ky i fundit nuk ka asnjë mundësi apo të drejtë të gjykojë mbi përmbajtjen e saj. Gjykatësi gjykon vetëm mbi aktet (dokumentet) dhe nuk ka kontakt fare me palët.

Mënyra e dytë se si përdoret deklarata noteriale për njohjen e detyrimit është ajo kur palët bien dakord, që të shlyejnë borxhin pa shkuar në gjykatë. Në këtë rast deklarata noteriale për njohje detyrimi shërben vetëm si “burim” justifikues në bankë për shuma mbi dhjetë mijë euro. Nga hetuesit e Policisë së Shtetit kjo shihet si një formë për pastrimin e parave.

INA ka arritur që të sigurojë numrin e përgjithshëm të deklaratave noteriale për njohje borxhi/detyrimi në dy vitet e fundit. Shifrat janë domethënëse.

Gjatë vitit 2022 në zyrat noteriale janë hartuar 9626 deklarata për njohje të borxhit, ndërsa vetëm për 9 muajt e parë të vitit 2023 (nga data 1 janar-deri më 30 shtator) janë hartuar 7504 deklarata të tilla. Në këtë shifër nuk përfshihen kontratat e huas, të cilat janë me kamatë (interes).

Eksponentë të krimit të organizuar po hartojnë në noterë të ndryshëm, madje edhe në rrethe të ndryshme, kontrata noteriale për njohje detyrimi, “borxhet” fiktive për të pastruar paratë e siguruara nga veprimtaria kriminale, madje SPAK është duke hetuar punonjës shtetërorë, gjykatës, prokurorë e punonjës policie, që duan të “certifikojnë” pastërtinë e figurës nëpërmjet deklaratave të tilla.

Shifrat e vendosura në këto deklarata janë të konsiderueshme.

“Ka edhe shifra me 100 mijë lekë ose 1 milion lekë të vjetra, por ka deklarata noteriale për njohje detyrimi, që shkojnë deri në 100 mijë euro. Unë kam bërë të tilla. Janë njerëz që i njoh”, – thotë noteri Fatmir Laçej.

Një analizë e INA-s nxjerr se pjesën më të madhe të akteve të tilla noteriale e ka bërë rreth një e pesta e noterëve. Ky përqendrim i kryerjes së këtyre akteve tregon “gatishmërinë” që ka kjo bashkësi noterësh për të kryer veprime të dyshimta, ligjore. Në rastet e hartimit të një deklarate noteriale për njohje detyrimi kuptohet që veprimi është kryer jashtë zyrës së noterit dhe jo në momentin aktual, por kohë më parë. Në këto rrethana noterit i lind detyrimi që të kryejë atë që quhet vigjilencë e zgjeruar për burimet e financimit të atij që ka dhënë borxhin, motivet përse ia ka dhënë, sepse borxhi (ose huaja) nuk duhet të ketë kushte kamate, si dhe arsyen, për të cilën janë përdorur nga marrësi.

Numri i deklaratave noteriale për njohje detyrimi ka pësuar një rritje eksponenciale pas vitit 2016. Kjo shpjegohet me disa rrethana: së pari, nisi procesi i vetingut për gjykatësit dhe prokurorët; së dyti, u forcuan rregullat e bankave për deklarimin e burimit të të ardhurave; së treti, “me kanabizimin e vendit”, – shpjegon në kushte anonimati një noter në kryeqytet.

Në një studim të kryer nga BIRN-i, vetëm gjyqtarët e gjykatave administrative në Shqipëri gjatë procesit të vetingut rreth 83 milionë lekë i kanë justifikuar me deklarata të tilla huaje ndaj personave të tretë ose deklarata për njohje detyrimi. Këtë praktikë në shumicën e vendimeve për prokurorë dhe gjykatës, që i kanë paraqitur deklaratat noteriale, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka quajtur fiktive. Sipas atij studimi, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, detyrimet e larta jashtë sistemit bankar konsiderohen si tregues transaksionesh të dyshimta.

Të dhënat e publikuara raportojnë për një rritje të sasisë së parasë që qarkullon jashtë sistemit bankar. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit korrik të vitit 2023, jashtë bankave qarkullonin mbi 3.8 miliardë euro, nga 3.6 miliardë euro që ishin vitin e kaluar. Në të njëjtën linjë me këtë shqetësim është edhe Shoqata e Ndërtueseve, e cila para disa ditësh publikoi konstatimin e saj se, pjesën e parë të vitit 2023 shitja e pronave të paluajtshme është bërë duke anashkaluar sistemin bankar, pra, me pará fizike (cash). Aktualisht, Shqipëria nuk ka kufizime në vlerën e pagesave që mund të kryhen me pará fizike për blerjen e mallrave apo shërbimeve.

Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave huamarrjen e ka renditur në vendin e gjashtë të tipologjive të raporteve për aktivitet të dyshimtë, që kjo agjenci inteligjence merr nga aktorë të ndryshëm, përfshirë edhe noterët. Për herë të parë këtë tipologji Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave e ka evidentuar në vitin 2013. Në atë vit Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka marrë 18 raportime për dyshime për pastrim parash nëpërmjet sponsorizimeve, dhurimeve apo dhënieve hua për të tretët.

Numri i raportimeve që noterët kanë bërë në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave për dyshime si përpjekje për pastrim parash, në zërin që lidhet me sponsorizime/dhurime/dhënie huaje nga/për të tretë, për vitet 2013-2017 (pas këtij viti nuk ka më statistika për këtë aspekt.)

Një pjesë e deklaratave noteriale për njohje detyrimi, ato që kapërcejnë shumën 100 mijë euro, ku përfshihen edhe deklaratat e noterëve Gjoçi dhe Hamzaj, janë duke u hetuar nga ekspertët e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave ose nga Agjencia e Inteligjencës Financiare. Ato janë pikasur gjatë inspektimeve në zyrat e noterëve nga punonjësit e kësaj strukture, sepse vetë noterët nuk e kanë njoftuar Drejtorinë e Agjencisë së Inteligjencës Financiare, siç kërkon ligji. Por, duket se rastet e evidentuara nuk e luftojnë apo parandalojnë fenomenin.

Gjatë 16 viteve të fundit, që nga viti 2007, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka inspektuar në mjediset e tyre (në zyrë) më pak se gjysmën e noterëve. Por, duke marrë në konsideratë se një numër të konsiderueshëm të noterëve në Tiranë e kanë inspektuar më shumë se një herë, ka ende një kontingjent noterësh, që nuk është inspektuar asnjëherë nga punonjësit e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Numri i inspektimeve në terren dhe në distancë, që punonjësit e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave kanë bërë te noterët sipas viteve

Aktualisht, sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave, noterët kanë detyrim që t`i raportojnë transaksionet e dyshimta, fizike brenda 24 orëve nga momenti që janë kryer.

Agjencia e Inteligjencës Financiare ka rezerva për noterët, të cilët, sipas saj, nuk raportojnë në kohë ose fshehin një pjesë të akteve noteriale, që bëjnë.

Ndërkohë që kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushi, duke folur në emër të noterëve, ka një tjetër qëndrim. “Gjithmonë kemi synuar të jemi shumë transparentë ndaj kësaj drejtorie, – thotë Sadushi. – Nga ana tjetër kemi synuar që ta “shkarkojmë” noterin nga procedurat e shumta dhe burokratike, që duhet të kryejë në përditshmërinë e tij”.

Për këtë arsye Dhoma Kombëtare e Noterëve ka propozuar që raportimi në Njësinë e Inteligjencës Financiare për të gjitha aktet noteriale të kryhet në kohë reale, në momentin që kryhet nga noteri. Teknologjia digjitale e bën këtë të mundur.

“Ne e kemi bërë propozimin, e kemi bërë punën tonë, por, me sa di, për mungesë fondesh drejtoria nuk është e gatshme që ta presë këtë informacion në kohë reale”, – thotë znj. Sadushi.

Që prej vitit 2020 Dhoma e Noterëve me financimin e saj (kontribut i të gjithë noterëve) ka ngritur sistemin digjital, NISA. Ky sistem mundëson digjitalizimin e të gjithë procesit dhe praktikave noteriale. Sistemi, i njohur nga qeveria shqiptare si një bazë të dhënash shtetërore, gjeneron një numër shumë të madh të dhënash mbi veprimtarinë e rreth 430 noterëve në të gjithë Shqipërinë.

Bazuar në këtë mundësi, që ofron programi NISA, Dhoma Kombëtare e Noterëve i ka propozuar Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dërgimin automatik dhe në kohë reale të raportimeve të transaksioneve me pará fizike (cash). Kjo praktikë i mundëson Agjencisë së Inteligjencës Financiare të njihet me të gjitha transaksionet që ndodhin në Shqipëri, duke vendosur më pas se cilin prej tyre të investigojë më tej.

Kjo sjellje e Agjencisë së Inteligjencës Financiare bie ndesh me propagandën e qeverisjes aktuale për kalimin e shërbimeve online. Digjitalizimi i shërbimeve dhe i komunikimit me institucionet publike është propaganduar si një nga format për të shmangur dhunën institucionale ndaj qytetarit dhe për të reduktuar aktet e korrupsionit.

INA zotëron korrespondencën midis Dhomës së Noterëve në Shqipëri dhe Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave për të mundësuar raportimin në kohë reale nëpërmjet teknologjisë digjitale të të gjitha transaksioneve, që kryhen me pará fizike në Shqipëri.

Propozimi i Dhomës së Noterëve së pari realizon raportimin në kohë reale dhe shmang sjelljet e vullnetshme ose të paqëllimshme të noterëve për të mos i raportuar rastet e dyshimta. Në këtë rast është sistemi që e gjeneron informacionin dhe e kryen veprimin. Së dyti, kursen kohën e noterit për të plotësuar formularin e raportimit, për të hyrë në sistemin digjital të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, për një proces që aktualisht gjenerohet nga sistemi NISA.

Dhoma e Noterëve i ka nisur propozimet që në shkurt të vitit 2021, duke i shoqëruar me tre variante raportimi: “Varianti i parë është mundësia e raportimit direkt nga noteri në sistemin NISA dhe hapja e një llogarie për të raportuar në grup, gjithë raportimet ditore të noterëve. Për ta realizuar këtë variant kërkohen vetëm disa përmirësime të programit”, – shkruajnë ekspertët e Dhomës së Noterëve.

Varianti i dytë mundëson raportimin direkt nga noteri nëpërmjet sistemit NISA dhe marrjen e konfirmimit të pranimit të raportimit nga sistemi i raportimit të DPPPP-së (në kohë reale). Mirëpo ky variant kërkon një modul të posaçëm (program) për administrimin e raportimeve të sistemit NISA dhe një ndërveprim midis sistemit NISAdhe Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave me një lidhje të sigurt në kohë reale.

“Varianti i tretë ofron mundësinë e marrjes së raportimeve, duke përdorur platformën qeveritare të ndërveprimit GG (Government Gateway), për realizimin e të cilit kërkohet angazhim burimesh njerëzore për të ndryshuar bazën ligjore, si dhe një buxhet i konsiderueshëm”, – shkruhet në email-in e datës 10 shkurt 2021, që Dhoma e Noterëve i përcjell Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave fillimisht kanë shprehur gatishmërinë dhe optimizmin për ta realizuar këtë mënyrë funksionimi. Por, dy muaj më pas, më 20 prill të vitit 2021, kanë kthyer përgjigje zyrtare se “aktualisht DPPPP-ja nuk është ende e gatshme të bëjë testime për procesin e raportimit të formularëve RTPF nga NISA”.

Për Dhomën e Noterëve Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave  nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arsyet e refuzimit të kësaj skeme.

Dhoma e Noterëve në Tiranë pohon se përfaqësuesit ose drejtuesit e Agjencisë së Inteligjencës Financiare kanë që nga viti 2021, që deklarojnë se do e konsiderojnë kërkesën për informatizim. Por, duket se kjo kërkesë ka dalë nga agjenda e takimeve dhe përparësitë e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.

INA, duke shfrytëzuar Ligjin për të Drejtën e Informimit, e pyeti Agjencinë e Inteligjencës Financiare (AIF), për arsyet e refuzimit të propozimit të Dhomës së Noterëve për raportimin online dhe për koston financiare të realizimit të këtij raportimi.

Përgjigjja zyrtare ishte një shmangie ndaj pyetjeve të INA-s: “Që prej vitit 2021 Dhoma Kombëtare e Noterisë ka bërë funksional sistemin NISA, që mundëson regjistrimin e të gjitha akteve noteriale në vend, në të cilin Agjencia e Inteligjencës Financiare ka akses të plotë”.

Më pas përgjigjja kishte një citim nga legjislacioni për mënyrën e raportimit dhe në fund përgjigjja mbyllej në këtë mënyrë: “Mes Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe Dhomës Kombëtare të Noterëve ka një proces të vazhdueshëm takimesh, komunikimi dhe bashkëpunimi të ngushtë për përmirësimin e vazhdueshëm të funksionimit të sistemeve të aksesit në informacion, si dhe raportimit në përputhje me legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

“Ne e kemi shtruar rrugën. Ata duhet të këmbëngulin për ta realizuar këtë proces”, – thotë Fatmir Laçej, nënkryetari i Dhomës Kombëtare të Noterëve. Laçej vlerëson drejtuesit e kësaj strukture, por nuk i duket bindës argumenti i mungesës së fondeve. Ai tregon se është në bisedime me administratorët e kompanisë, që kanë realizuar programin NISA, për të realizuar programin edhe nga ana e Agjensisë së Inteligjencës Financiare. “Nëse duam ta formalizojmë ekonominë, noteri ka një rol kyç, –  thotë ai. – Ky komunikim, që ne propozojmë, forcon rolin e noterit dhe e çliron atë nga ngarkesat e tepërta.”

Një noter i ndëshkuar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave në Tiranë pikërisht për mungesë raportimi pohoi për INA-n se arsyet e vërteta të refuzimit të aplikimit të raportimit online në kohë reale janë disa. Së pari, se duke raportuar në kohë reale, inspektorët e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave nuk kanë më arsye për të kryer kontrolle fizike në zyrat noteriale. Forma e inspektimeve fizike, jo vetëm që është një mjet presioni i pushtetit ndaj noterëve, por edhe një mundësi korrupsioni. Arsyeja e dytë, sipas noterit, është “toleranca” e nënkuptuar për të vijuar me pastrimin e parave në Shqipëri.

“Është amnistia fiskale, e kryer nga aktorët e drejtësisë”, – shprehet një tjetër noter në Tiranë.

Si rezultat i inspektimeve, që punonjësit e Agjensisë së Inteligjencës Financiare kanë realizuar në zyrat noteriale, janë aplikuar edhe masat administrative, kryesisht gjoba.

Vetëm në vitin 2014 janë vendosur 29 gjoba.

Numri dhe shuma totale e gjobave që punonjësit e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave  iu kanë vënë noterëve në vitet 2012-2022

Një formë ndëshkimi, e njohur me ligj, është publikimi i gjobave. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave  nuk e ka aplikuar këtë formë dënimi në asnjë rast për noterët. Vetëm në dy raste Agjencia e Inteligjencës Financiare i ka propozuar Ministrisë së Drejtësisë heqjen e licencës së noterëve. Në të dyja këto raste kërkesa është refuzuar nga Ministria e Drejtësisë.

Ky artikull u botua pranë “Investigative Network Albania” 

Koncesioni i sterilizimit/ “Gjyqtari kërkon një masë të ashpër”, Ilir Beqaj del nga SPAK, ‘mbyll gojën’ para gazetarëve

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka dalë nga ambientet e SPAK. Ai u paraqit pak minuta më parë për të firmosur para oficerit të BKH-së në lidhje me koncesionin e sterilizimit.

Ndaj tij janë caktuar masat e sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”.

SPAK e akuzon atë për shpërdorim detyre për koncesionin e sterilizimit, ndaj Prokuroria e Posaçme zyrtarizoi hetimin për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, lidhur me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, kontrata koncesionare 10-vjeçare afro 100 milionë dollarëshe, e cila u firmos në dhjetor 2015 dhe ende vijon.

Prokuroria e Posaçme bëri me dije se ish-ministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro. Kështu, sipas hetimeve të zhvilluara deri në këtë fazë, ish-ministri akuzohet për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike.

Doktor, Bardhi po ta bën me hile!

Nga Ermal Peçi

Këto ishin fjalët e një demokrati gjatë ditës së djeshme, kur Sali Berisha kishte takimin e radhës me mbështetësit e tij. Doktor, grupi i Bardhit po ta bënë me hile, pse mos të jenë prezent në Kuvendin e 2 dhjetorit. Një pyetje naive i një njeriu i cili i beson Berishës, rrëzon gjithë propagandën mediatike e politike, e bashkimit të grupimit politik edhe aksionit opozitar. Në fakt është krijuar një terr i aksionit opozitar i cili ka prodhuar shumë pikëpyetje mbi bashkimin politik të dyshes Bardhi-Berisha.

Kukësi ishte një tregues në fakt se si ky bashkim prodhoj vetëm 3000 mijë vota. Kur vetë Partia Demokratike në vitin 2015 kishte frymën kundër, kishte edhe Metën kundër që në atë kohë ishte LSI dhe jo Parti e Lirisë, e morri 14.000 mijë vota.

Prandaj lajmi ditës është braktisja e Berishës nga grupi i Bardhit të cilët po e lenë në një ditë të vështirë atë anije, e cila kërkon të lundroj në oqeanin e madh por që nuk ka leje të hyjë në ato ujëra. Mesa duket mesazhet e ndërkombëtarëve nuk paskan qenë për zotin Berisha edhe pse u marketua si një fitore e Berishës për të sjellë jetën parlamentare në qetësi, por për grupin e Bardhit. E mesa duket Bardhi po kërkon të përfitoj nga kjo situatë në të cilën po gjen momentin e duhur që atë që nuk e bëri dot me Bashën ta bëj me Berishën. Për t’i futur thikën pas shpine edhe për t’i marr atë pjesë të elektoratit që i ka mbetur. Prandaj sot qytetarët janë të përhumbur nga ky aksion politik i cili mbi të gjitha nuk po përçon mesazhet e duhura sepse aty ku ata duhet të ishin bashkë për të votëbesuar Berishën nuk janë sepse ndryshe nga deputetët e Rithemelimit që e njohin Bardhin për kryetar të Grupit Parlamentar, grupi i Bardhit nuk do ta njohë Berishën. Prandaj fjalët e atij banori në Kamëz kanë kuptim edhe përçojnë mesazh. Doktor Bardhi po ta bënë me hile./dritare.net

Nën akuzë për shpërdorim detyre/ Paraqitet në SPAK ish-ministri Ilir Beqaj

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja është paraqitu në Gjykatën e Posaçme Anti Kurrupsion, pak minuta më parë.

Me vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme, Beqaj do duhet të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15:30. Ndaj tij janë caktuar masat e sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”.

SPAK e akuzon Baqajn për shpërdorim detyre për koncesionin e sterilizimit, ndaj Prokuroria e Posaçme zyrtarizoi hetimin për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, lidhur me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, kontrata koncesionare 10-vjeçare afro 100 milionë dollarëshe, e cila u firmos në dhjetor 2015 dhe ende vijon.

Prokuroria e Posaçme bëri me dije se ishministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro. Kështu, sipas hetimeve të zhvilluara deri në këtë fazë, ish-ministri akuzohet për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike.