15.5 C
Tirana
E hënë, 23 Qershor, 2025

Andoni: Drafti i PS për komisionet hetimore ia bën problematike jetën opozitës. S’besoj se Greqia do shkojë deri te vetoja për Shqipërinë

Analisti Ben Andoni komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV draftin e prezantuar nga PS për rregullimin e ligjeve për komisionet parlamentare, ku do të ndryshojë praktika e thirrjes së dëshmitarëve. Për Andonin mazhoranca kërkon të fitojë kohë për t’ia bërë sa më problematike jetën opozitës. Ai thekson se ajo që e prish Parlamentin tonë është qasja e dy palëve ndaj Kuvendit.

Nëse do kishte një lloj serioziteti do merreshin që kur znj.Tabaku e ka përgatitur si draft. Duket se është më shumë nga mazhoranca për të fituar kohë dhe për t’ia bërë problematike jetën opozitën. Në thelb kur e shikon ka një lloj drejtësie, apo qartësie, në sensin që objektivi të jetë më i qartë, koha e të tjerat. Por s’është kjo që po e prish Parlamentin tonë. Parlamentin tonë po e prish qasja e dy palëve kryesore ndaj respektit të Parlamentit. Duket që realisht kjo legjislaturë do që t’ia bëjë jetën sa më të vështirë opozitës, do të mbyllë këtë katrahure legjislative dhe mbi të gjitha një status quo që i shërben më shumë Berishës dhe Ramës për retorikat e tyre respektive. Parlamenti duhet të tregonte në malin me probleme që ka Shqipëria që do vendoste një rregull, jo vetëm që s’e tregon, por me këto gjëra duke bërë make up siç është ky draft i ri, fiton kohë për të shtuar amullinë. Nëse do kishte seriozitet do merrej parasysh drafti i znj.Tabaku, dhe e gjithë problematika për komisionet hetimore do zgjidhej më para, me mirëbesim mes palëve”.

Duke folur mbi pritshmëritë e Kuvendit të PD-së së Rithemelimit që pritet të mbahet nesër, Andoni tha:

S’e kemi të zbardhur axhendën e ditës. Nëse do ketë një lloj rezolute sa i përket qëndrimit me drejtësinë, atëherë shikoj që problemi që lidhet me z.Berisha prevalon mbi çështjet e tjera. Nëse do merret me çështjet statuore, është e drejtë e grupit të Rithemelimit. Por ende s’ka zgjidhur problemet me ligjin që të jetë një parti legale dhe të funksionojë si parti legale. Më duket që nesër është një Kuvend për Kuvend, pasi janë gjasat më të mëdha që të rikonfirmohet z.Berisha. Z.Berisha dhe z.Basha, në të dyja statutet respektive, prapë kërkohet votëbesim, ndërkohë që kur humb zgjedhjet duhet të japësh dorëheqjen automatikisht. E njëjta gjë ndodh në PS. Nuk e di ku shkojnë këto parti?! Demokracia jonë në vend të tregonte caqe të reja, më shumë po bën hapa pas. Duket që do kërkohet një lloj besimi sa i përket aksionit, qoftë edhe mosbindjes civile. Por për këtë të duhet më parë aprovimi i seksioneve në bazë, sa do jenë të përgatitura, apo thjesht do jetë tezë e hedhur atje që ku formacion është i gjallë. Ngërçi i grupit të Rithemelimit e para është legalizimi ligjor. Nuk mund të funksionojë PD nën ombrellën e Partisë e Lirisë. Po minimizohet koha për zgjedhje, na ndan vetëm 1 vit e gjysmë. Po sikur mazhoranca të bëjë zgjedhje të parakohshme, si do veprojë ky grupim?! Nëse s’je parti legale s’mund të bëhesh alternativë për njerëzit”.

Lidhur me çështjen “Beleri”, Andoni beson se Greqia “do detyrohet nga vende të tjera që të jetë më largpamëse”, dhe beson që Athina nuk do shkojë deri te vetoja për Shqipërinë.

Nuk mund të vendosë veton për një vend që ka sakrifikuar aq shumë për integrimit, njerëzit, institucionet, por edhe zyrtarë të ndryshëm, që s’mund t’ua hash hakun. Greqia mund ta zgjidhë shumë mirë në pozicione të tjera këto kufizime ndaj vendit tonë. Por besoj që Greqia do detyrohet nga vende të tjera që të jetë më largpamëse. Duhet të ketë parasysh që nëse do veprojë kështu siç veproi me Maqedoninë e Veriut, do ketë dy vende që s’do ia falin kur të jenë në BE. Greqia gjithmonë ka bërë këtë qasje me vendin tonë. Unë besoj se Greqia s’do shkojë deri te vetoja për Shqipërinë”.

BE-ja kërkon kushtëzimin e integrimit të Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të propozojnë që urgjentisht në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në bllok të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe të gjitha obligimet nga marrëveshjet e kaluara në kuadër të dialogut.

Ky propozim pritet të bëhet në takimin e 12 dhjetorit në Bruksel të Këshillit për Çështje të Përgjithshme. Ky Këshill pritet të kërkojë nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) të propozojë urgjentisht futjen e zbatimit të obligimeve nga dialogu për normalizim të raporteve në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në bllok.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draftin e konkluza të përgatitura për këtë takim, ku nga Serbia kërkohet që të zbatojë pa parakushte të gjitha obligimet nga marrëveshjes në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

“Këshilli kërkon nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë [për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell] që urgjentisht të propozojnë para Këshillit, para fundit të janarit të vitit 2024, ndryshimin e kritereve në kapitullin 35 për anëtarësimin e Serbisë në BE”, thuhet në dokument.

Pikërisht, përfshirja e obligimit për normalizimin e raporteve me Kosovën në kornizën negociuese për anëtarësim në BE, është përmendur nga zyrtarët e lartë të bllokut si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars në Ohër, aneksi për zbatimin e saj, të bëhen “ligjërisht të obligueshme”.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut. Deri më tani, korniza e negociatave nuk është ndryshuar formalisht.

Ministrat e BE-së duhet të miratojnë konkluzat e takimit të 12 dhjetorit, ndërkaq të njëjtat më pas duhet të miratohen edhe nga liderët e BE-së në samitin e Këshillit Evropian që do të zhvillohet më 14 dhe 15 dhjetor.

Në draftin e konkluzave për Serbinë edhe një herë do t’i bëhet thirrje Beogradit që të bashkëpunojë plotësisht që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e sulmeve ndaj civilëve, ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë protestës së dhunshme të serbëve lokalë më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës.

Serbisë po ashtu i kërkohet që të sjellë para drejtësisë edhe sulmuesit e Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë.

Gjatë sulmit, që Kosova e cilëson terrorist dhe e fajëson Serbinë për të, u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve të armatosura gjatë 24 shtatorit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë. Beogradi, ndërkaq ka mohuar se ka gisht në këtë sulm.

“Këshilli përsërit se nuk ka justifikim për dhunën dhe dënon fuqishëm aktet e dhunës nga ana e protestuesve serbë kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, pjesëtarëve të rendit dhe mediave më 29 maj 2023, dhe sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës”, thuhet në dokument.

Në pjesën ku flitet për obligimet e Serbisë për të ndërmarrë masa për të sjellë para drejtësisë kryesit e krimeve, thuhet se Këshilli “shpreh keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm në këtë drejtim”.

Sipas draft-konkluzave, Këshilli kërkon nga Serbia që të angazhohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja “me vullnet të mirë dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese me Kosovën për normalizimin e raporteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet e BE-së, pa vonesa të tjera. Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet kyçe të hapura dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në stabilitetin e rajonit”, thuhet në dokument.

Po ashtu, në konkluza pritet që blloku të kërkojë nga Serbia që të inkurajojë serbët në Kosovë që të kthehen në institucionet e Kosovës prej të cilave janë larguar nëntorin e vitit të kaluar për shkak të pakënaqësive me një vendim të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me targat ilegale të makinave që lëshohen nga Serbia. /REL

Makina e transportit të parave përplas të miturin në Burrel, arrestohet shoferi i “Breçani Security”

Një aksident ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Burrelit, ku një i mitur është përplasur nga një mjet i ‘Breçani Security’.

Paraprakisht mësohet se shoferi 46-vjeçar ka qenë duke drejtuar një mjet tip “Fiat”, që merret me transportimin e parave, ka humbur kontrollin e makinës dhe për pasojë automjeti ka aksidentuar një fëmijë të mitur.

Ky i fundit është dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariat.

Mat/informacion paraprak:

Me datë 01.12.2023, në qytetin e Burrelit, shtetasi H.H., 46 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Fiat”, (i një shoqërie private që meret me transportimin e vlerave monetare) dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka aksidentuar një fëmijë të mitur.

I mituri po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Burrelit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariat. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po kryen hetimet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Trafiku i drogës, ish-oficeri Dritan Zagani: Lidhjet mes politikanëve dhe trafikantëve, kanë lehtësuar kalimin e ngarkesave

Ish-shefi i antidrogës në Shqipëri, Dritan Zagani, nëpërmjet një videomesazhi në një emision të huaj mbi ‘Krimin e organizuar – Biznes Global’, ka folur mbi trafikun e drogës në vendin tonë, dhe lidhjet e fshehta mes politikanëve shqipatrë dhe trafikantëve.

Marrëveshjet e fshehta mes politikanëve dhe krimit të organizuar

E para sipas Zaganit, është droga që kultivohet në vend, që është kryesisht e llojit marjuhanë, e cila transportohet jashtë kufijve nëpërmjet tokës apo detit, ku drejt Italisë, ai e quajti një rrugë të shpejtë për ta nxjerrë jashtë, me mjete ujore, si motoskafë, që mund të mbajnë disa tonë drogë. Që andej thotë Zagani, kjo ngarkesë është më e lehtë të shpërndahet në vendet e tjera të europës.

Së dyti, Zagani shprehet se Shqipëria tashmë është kthyer në një pikë kyçe edhe për trafikimin e drograve të forta, si heroina apo kokaina. Ai thotë se tashmë trafikantët shqiptarë, jo vetëm kontrollojnë rrugët e trafikut të drogës, por kanë edhe mbështetje nga institucionet shtetërore.

‘Heroina vjen kryesisht nga lindja, nga vendet si Afganistani apo Turqia, që hyn në Europë nëpërmjet vendit tonë. Kjo vjen gjithmonë nga toka, nëpërmjet kamjonëve, siç e diin. Por problemi më i madh është kokaina që vjen nga Amerika e Jugut, e cila është kthyer në një nga burimet e të ardhurave kryesore të trafikantëve shqiptarë. Sot ka trafikantë shqiptarë prezentë në të gjithë europën dhe Amerikën e Jugut, që direkt dhe indirekt, kontrollojnë rrugët e trafikut të drogës, duke përgatitur ngarkesa nëpërmjet anijeve tregëtare, që nisen prej andej për në Europë. Këtë e bëjnë duke i’u dhënë ryshfet njrëzve në europë, por edhe në vendin tonë, që e kanë më të lehtë. Duke pasur parasysh mbështetjen që trafikantët kanë nga institucionet tona shtetëtore, e kanë më të lehtë për të sjellë ngarkesat e drogës, t’i magazinojnë ato në Shqipëri, përpara se ti nisin drejt kontinentit të vjetër. Këta trafikantë jo vetëm që marrin mbështetje, por nuk bien as në konflikt me ligjin shqiptar për këtë veprimtari, sepse korrupsioni nuk egziston më. Ata kanë gjithçka nën kontroll. Ata vendosin se kush do jetë personi përgjegjës për kontrollin e ngarkesës së drogës. Në fund të fundit, është atdheu i tyre, e mund të bëjnë ç’të duan. Ata mund të sjellin ngarkesat pa problem.” shprehet Zagani.

Si ka ndryshuar trafiku i drogës dhe policimi në Shqipëri?

Ish shefi i antidrogës, Dritan Zagani më tej shprehet se krimi i organizuar ka egzistuar gjithmonë në Shqipëri, por më parë thotë ai ka qënë ndryshe, pasi shteti luftonte grupet kriminale, krimin e organizuar dhe trafikantët e drogës, por u jepnin ryshfet njerëzve kur kjo u shërbente qëllimit të tyre, për përkujdesje ndaj aktivitetit të tyre kriminal.

Gjithçka ndryshoi pas vitit 2013 sipas tij, pasi trafikantët filluan të kishin kontroll mbi qeverinë dhe kështu nuk kanë nevojë më për ryshfete, sepse kanë vendosur njerzit e tyre në pikat kyçe.

Ai thotë se pos disa sukseseve ndaj luftës së narkotikëve, bosët apo anëtarët e rëndësishëm asnjëherë nuk përfundojnë të kapur.

“Kështu gjithçka ishte pak më e mbuluar, më e vështirë, dhe forcat e rendit ishin gjithmonë në luftë ndaj trafikantëve të drogës. Kështu ka qenë gjithmonë. Në vend të kësaj, pas vitit 2013 gjërat ndryshuan shumë, sepse trafikantët e drogës tani kishin kontroll mbi qeverinë e vendit tim, ku gjithçka varet nga politika. Prandaj për veprimtarinë e tyre kriminale, trafikantët nuk kanë më nevojë për t’iu drejtuar ryshfetit. Ata vendosin njerzit e tyre në pikat kryesore, në institucionet shtetërore, kështu ata do të mund të kishin liri të bënin si të donin. Kjo është ajo që ka ndryshuar.

Nga ajo që arrita të dalloja, dhe nga informacionet që kam marrë prej punës sime, tani probelmi nuk është më sesi të futet droga në Shqipëri, por sesi ajo të transportohet në Europë. Megjithatë ka një prpagandë të fortë që përcillet nga politikanët shqiptarë, për mënyrën sesi po luftojnë në luftën ndaj drogës. Është e vërtetë që po kryhen një sërë operacionesh dhe një numur i madh rastesh është pasqyruar nga mediat. Megjitahtë në të gjitha këto raste, ose ka një luftë në vazhdim midis trafikantëve të drogës, për të pasur kontroll në një treg sa më të gjerë, ose janë operacione ku asistojnë edhe partnerët tanë evropianë, që vijnë në Shqipëri me dosje të gatshme dhe kryejnë kapjet e tyre. Kështu policia shqiptare nuk ka rrugëzgjidhje. Edhe në këto raste, partnerët europisnë jsnë zhgënjyer për shkak të informacionit, sepse tashmë ai ka shkuar në veshin e trafikantëve. Kështu gjithmonë, pothuaj gjithmonë, bosët e trafikut të drogës dhe anëtarët më të rëndësishëm, i shmangen kapjes.” thotë Zagani.

Sidoqoftë sikur e dini në shtetin tim politika dhe trafikimi i drogës tani janë një. Ata janë në fuqi dhe për mua procesi gjyqësor ka kaluar një sërë pengesash. Sa për tani, jam treguar i bindur deri në dëgjimin nga gjykata e lartë por nuk më kanë dhënë një përgjigje përfundimtare sesi duhet të vazhdoj për më tej me gjykatën europiane për të drejtat e njeriut.Nuk mund të vazhdojë përpara për arsye ekonomike gjithashtu, sepse duhet një gjykatës i mirë, një përfaqësues ligjor i mirë që të mund të udhëheqë gjyqin dhe nuk jam ne gjendje të gjej një të tillë prandaj jam i detyruar që të jetoj i izoluar nga shteti im, unë nuk mund të kthehem në shtëpinë time.

Çfarë është e çuditshme në gjithë këtë është se për çdo gjë që denoncova dhe bëra në punën time, ministri ka shkruar në burg, edhe pse do jetë në arrest shtëpie pas një viti, se ju e dini që kështu funksionon drejtësia për politikanët në shtetin tim.

Çfarë mund të bëj komuniteti internacional për të ndihmuar?

Komuniteti mund të ndihmojë Shqipërinë duke nxjerrë në pah të vërtetën sa më shumë të jetë e mundur. Gjë që është e thjeshtë për t’u bëre kur ke prova, mund të ekspozohet propaganda dhe të largohen këta trafikantë droge që po kontrollojnë shtetin tim sot.” përfundon Zagani./ Hashtag.al

”Berisha do ketë një fund të trishtë politik nëse nuk tërhiqet”, Spahiu: Ata që thonë opozitën ta drejtojë ish kryeministri, i zgjasin jetën Ramës

Juristi Kreshnik Spahiu tha se ata që thonë se opozitën duhet ta drejtojë Berisha, i zgjasin jetën kryeministrit Rama, pasi ish-kryeministri Berisha ka dy vite që nuk mbledh dot njerëz për protestë.

I ftuar këtë të premte në një intervistë për Euronews Albania, Spahiu komentoi lidhur me Kuvendin e “Rithemelimit” të drejtuar nga Sali Berisha.

“Berisha është vetmitarë, ka dy vite që nuk realizon dot një protestë. Dolën më shumë njerëz në protestë për Palestinën, se sa për Berishën. Berisha fatkeqësisht do ketë një fund të trisht politik nëse nuk tërhiqet. Fundi i tij nuk do jetë vetëm personal. Fundi i tij personal është bërë jo vetëm tragjik, por edhe komik.

Problemi është të shpëtohen interesat e elektoratit që besojnë te Berishizmi. Kanë besuar me ndershmëri dhe ende besojnë, por fatkeqësisht për sa kohë ata mbështesin idenë e Berishizmit, të bësh aleancë sot me Berishën, do të thotë të mos i hapësh luftë politikës shqiptarë, por t’i shpallësh luftë shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë.

Çdo përpjekje për të zgjidhur opozitarizmin nëpërmjet Berishës do të thotë t’i zgjasësh jetën Edi Ramës dhe të marrësh në qafë qindra mijëra votues që besojnë te këto forca politike”,-tha Spahiu.

“Vlera e dëmit, 1.2 milionë dollarë”- VOA: Zjarret dogjën mbi 365 hektarë me pisha në zonën e mbrojtur të Pishë-Poro, s’mund të gjenerohet më në rrugë natyrore

Zjarri i shtatorit të këtij viti në zonën e mbrojtur natyrore të Pishë Porosë, në Fier, ka djegur plotësisht një sipërfaqe pyjore me pisha prej 365, 78 hektarë e cila nuk mund të gjenerohet më në rrugë natyrore.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrotjrua në përgjigje të një kërkese për informim të Zërit të Amerikës tha se vlera e dëmit të përllogaritur, sipas akteve ligjore, kap shifrën e 1,2 milionë dollarëve. Sipas Agjencisë zjarri që nisi më 23 shtator dhe vijoi disa ditë përshkoi një sipërfaqe të përgjithshme prej 818.5 hektarë.

Të dhënat për dëmtimet nga zjarri masiv u mblodhën në terren nga një grup përfaqësuesish, jo vetëm të institucioneve, por edhe Fakultetit të Shkencave Pyjore dhe organizatave të shoqërisë civile. Një raport i hartuar prej tyre jep më shumë të dhëna për zonat pyjore të djegura plotësisht, që nuk mund të rigjenerohen dhe duhen të priten dhe zonat ku duhen kryer pastrime të parcelave pyjore.

Pasojat e djegies së masiveve të mëdha pyjore në zonën e mbrojtur natyrore “Pishë Poro –Nartë”, sipas specialistëve pritet të jenë të mëdha për sa i përket erozionit dhe depërtimit të detit në tokë.

Brezi i pishave të buta halore, mbjellë rreth shtatëdhjetë vite më parë, shërbente si mbrojtje dhe dëmet nga zjarri herë pas herë po e degarojnë këtë masë mbrojtëse në pjesën më të madhe të kësaj zone bregdetare. Pamjet me dron të këtyre ditëve në bregdetin e Semanit flasin për sipërfaqet e mëdha pyjore që janë djegur plotësisht dhe nuk kanë më rol mbrojtës si dhe të ujrave të detit që depërtojnë në thellësi të tokës.

Zjarri i shtatorit të këtij viti ishte me pasojat më të mëdha të këtyre viteve të fundit dhe autoritetet prej 10 ditësh nuk arritën të vinin kontroll për shkak të erërave të forta dhe pamundësisë për të depërtuar në brendësi të vatrave të zjarrit

Ministria e Mbrotjes në përgjigje të një kërkese për informim i tha Zërit të Amerikës se 910 forca operacionale dhe 106 mjete u angazhuan në operacion dhe në mbështetje të tyre në terren, operuan nga ajri 2 avionë CANADAIR, të ofruar nga shteti grek në kuadër të aktivizimit të Mekanizmi Europian të Mbrojtjes Civile duke duke kryer 24 hedhje me ujë nga ajri.

Specialistët e mjedisit vlerësojnë se Shqipëria duhet të përmirësojë kapacitetet për menaxhimin e zjarreve pasi bashkitë kanë pak mjete, shumica e tyre të vjetëruara, ndërsa këtë vit emergjencat civile shqiptare nuk kishin asnjë mjet efektiv për ndërhyrjet nga ajri për shuarjen e zjarreve. /VOA

1.2 mln € dëm shteti me dëmshpërblimin për një pronë, SPAK çon për gjykim dosjen për zyrtarët e Financave

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën Prokurorisë për kalimin në gjyq ndaj tre të akuzuarve lidhur me veprimet e paligjshme duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 1.2 milion eurosh.

Gjykata pranoi kërkesën e ish-sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së Financave Arlind Gjokutajt për ndarjen e çështjes për gjykim të zakonshëm, ndërsa dy të tjerët, përkatësisht përmbaruesi Alban Ruli dhe përfituesin e pronës Ilir Thana kërkuan gjykim të shkurtuar kërkesë e cila u pranua.

Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë dhe vetë të pandehurit drejtorit juridik të Ministrisë së Financave Fatmir Hoxha për pushimin e çështjes. Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj është arrestuar me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa iu zëvendësua dy herë masa e sigurisë nga arrest në burg në arrest shtëpie dhe më pas më detyrim paraqitje.

Arrestimet erdhën pas hetimeve ndaj shtetasit Ilir Thana i cili akuzohet për mashtrim, ndërsa për zyrtarët e ministrisë u hetua lidhur veprimet e bëra në kundërshtim me ligjin duke i shkaktuar një dëm ndaj buxhetit të shtetit në shifrën e 1.2 milionë eurove.

U vra me skaf nga polici në Potam/ Gjykata ndan çështjen e Joana Avdisë, Arjan Tase do gjykohet i veçuar

Gjykata e Vlorës ka vendosur ditën e sotme ndarjen e çështjes për ngjarjen tragjike të ndodhur në gusht të vitit 2022, ku mbeti e vrarë vogëlushja Joana Avdia nga polici Arjan Tase. Sipas vendimit të gjykatës Arjan Tase shkaktari i tragjedisë do të gjykohet i veçuar nga 8 punonjësit e policisë të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm dhe gjyshi i të i ndjerë, Ismet Avdia i cili ka bërë thirrje për që drejtësia të jap dënimin e meritur për autorin.

“Unë jam Ismet Aviaj, gjyshi i Jonadës. Është hera e shtatë, pas këtij kalvarit gjatë arritëm të zhvillonim një seancë gjyqësore. Ndarja kërkohet për të lehtësuar sa më shumë palët të cilët në një koordinim së bashku, se asgjë nuk ka ndodhur rastësisht… ata që akuzohen janë punonjës shteti. Natyrisht që avokatët e tyre kërkojnë masa lehtësuese, e shkon aty ku këta njerëz të shtetit që merrnin rrogë për të siguruar jetën e qytetarëve. Të gjithë ata që ndodhen përreth tij janë përgjegjës ligjor. Unë kërkoj mbështetjen e mediave, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për mbesën time Jonadën, që ngjarje të tilla të mos ndodhen më”, u shpreh gjyshi i vogëlushes që humbi jetën nga ngjarja tragjike.

E mitura Jonada Avdia u përplas për vdekje me skaf nga ish polici Arjan Tase një vit më parë, ndërsa po pushonte me familjen në Potam të Himarës. E mitura u përplas në pjesën ballore të gomones dhe ka ndërruar jetë si pasojë e goditjes nga helikat. Vogëlushja ishte me pushime e shoqëruar nga prindërit e saj të cilët jetonin në Angli prej 20 vitesh.

Bardhi me shokë e lanë në baltë, reagon Berisha: Dëshira është që të jenë në Kuvend, por…

Ish-kryeministri, Sali Berisha është shprehur se nuk do të ketë hatërmbetje mes tij dhe Gazment Bardhin, nëse ky i fundit nuk merr pjesë në Kuvendin Kombëtar të 2 Dhjetorit ku ai do të votëbesohet pasi humbi zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023.

Berisha theksoi se grupi parlamentar është i bashkuar dhe se procesi i votëbesimit është statutor, duke shtuar se “ka qëllim të përcaktojë për çdo demokrat projektin tonë”.

“Grupi Parlamentar është i bashkuar, do e kuptojmë këtë si një proces. Është apo jo i bashkuar po e dëshmon beteja që po bëjnë në Parlament, e fshinë Parlamentin monist, e mbushën me bodyguard, e futën në zoom etj. Ishim bashkë aty kur Rama erdhi me autokolonë makinash sikur të ishte Kim Jong Un, jo si kryeministri i një vendi anëtar i NATO.

Grupi është simbol i qëndresës së PD, probleme të cilat nuk i injoroj janë në zgjidhje e sipër. Ky është një proces statutor, i nesërmi. Ka qëllim të përcaktojë për çdo demokrat projektin tonë, kjo është”, u shpreh ish-kryeministri.

I pyetur a do të ketë hatërmbetje me Gazment Bardhin dhe deputetët që e mbështesin nëse nuk marrin pjesë në Kuvendin Kombëtar, Berisha u përgjigj se: “Dëshira është që të jenë, por absolutisht bashkëpunimi do të vazhdojë sikur ka qenë në sallë.”

Gazment Bardhi si pacient i Karl Jungut, përpara 2 Dhjetorit

Nga Sidi Hasanaj

Karl Jungu si një mendjet e ndritura të psiko-analizës, aplikonte te pacientët e tij gjatë psiko-analizës, identifikimin e Libidos.

Jung e përkufizonte Libidon si një forcë e përgjithësuar jetësore, si energjia psikike e Individit e cila furnizon me karburant qëllimet tona shpirtërore, intelektuale dhe krijuese.
Pra, Libido sipas Jungut përmbledh tërësinë e energjisë së jetës, duke përfshirë të gjitha shtytjet dhe motivimet tona.

Të shkëputemi një past nga Jung, dhe të kthehemi ta Kuvendi i Sali Berishës më 2Dhjetor dhe qendrimi i Gazment Bardhit.

Nëse për Berishën e kemi relativisht të lehtë, për të kuptuar energjinë psikike që thirri Kuvendin e 2 Dhjetorit, për Bardhin mbase duhet të ndalemi paksa më shumë.

Berisha gjithë energjinë e tij psikike dhe shpirtërore e ka fokusuar në rezistencën e tij ndaj përballjes që po ndërmerr me Nongratën e SHBA-ve, Britanisë dhe ndaj llogaridhënies para drejtësisë.

Për të bërë këtë rezistencë, atij i duhet pjesa e tretë e Libidos (sipas Jungut, jo Frojdit) që është Kreativiteti. Atijbi duhet të jetë i pushtetshëm, i fortë, faktor (de)stabiliteti, vektori kryesor i opozitës etj. Ndaj po përdor gjithë fuqinë kreative për të thithur sa më shumë pushtet.
Nga foltorja, te kuvendi ilegjitim i 8Dhjetorit 2021, te krijimi i lëvizjes Politike “Komisioni i Rithemelimit, te krijimi i grupit parlamentar paralelisht me atë të partisë demokratike e deri te beteja ligjore për vulën e PD janë përpjekje të Berishës me vetëm një qëllim:
Të përqëndrojë sa më shumë pushtet për të bërë sa më shumë rezistencë ndaj Llogaridhënies para drejtësisë dhe betejës me SHBA.

Berisha absolutisht që e ka pasur të qartë që në minutën e parë të rezistencës së tij, se Edi Ramën dhe PS-në nuk e mundte dot.
Ishte koshient se i mungonte çdo nuancë morale, çdo legjitimetet , çdo ndihmë nga faktorët ndërkombëtarë dhe se përkrahjen popullore e kishte humbur një dekadë më parë në 2013.

Por ama, Berisha e dinte që për ti bërë rezistencë Drejtësisë dhe SHBA, nuk i duhej të rrëzonte Ramën… por të bëhej garanti i tij për të qëndruar në pushtet, e si shkëmbim Rama do bëhej garanti i imunitetit të Berishës nga Drejtësia.

Kjo shpjegon se si Berisha tallet dhe përbuzë OPGJ-të duke refuzuar të marrë fletëthirrjet e gjykatave, sesi kërcënon dhe shantazhon gjykatëset e GjKKO dhe prokurorët e SPAK.

A ka një shqipëtarë tjetër që do kishte kaq shumë imunitet dhe fuqi? Askush tjetër, kushdo do ishte marrë prej rreckash dhe do ishte mbyllur në qeli, e do përballej me drejtësinë.

Humbjet spektakolare të Berishës ndaj PS, përtej çdo justifikimi, tregojnë qartazi që Berisha nuk arrin dot të marrë as gjysmën e elektoratit të PS… as gjysmën, e jo më ta mundë atë.

Por politikani Gazment Bardhi do ishte pacienti interesant për Karl Jungun dhe mënyrën e tij të psiko-analizuarit!

Kush është libido e Bardhit? Kush është tërësia e energjisë jetësore e psikike e politikanit Bardhi e cila stimulon energjinë intelektuale dhe kreative të tij?

Libido është një pjesë e rëndësishme e Individualizmit, që është procesi i integrimit të vetëdijes me të pavetëdijshmen, duke ruajtur ende individualitetin e dikujt.

Në këtë aspekt, mbase na vjen në ndihmë për pyetjet më sipër, një tjetër personalitet i politikës si Sajmir Korreshi. Kjo pasi një politikanë të madhë si Bardhi, mundet ta lexosh vetëm përmes “pavetëdijes” së dalë nga goja e një tjetër politikani të madh si Korreshi.

Mbrëmë Korreshi , si deputet i rajonit Myzeqar, u shpreh se grupi i deputetëve të Bardhit nuk do merrte pjesë te Kuvendi i 2Dhjetorit pasi struktura dhe njerëz që kanë përkrahur këta deputetë në zgjedhjet e 2021, nuk kanë marrë përfaqësi (pra pushtet) në pozicionet e Rithemelimit.

Pra Bardhi dhe deputetët e tij kërkojnë Pushtet dhe pozicione në strehën e Rithemelimit.

Kjo në fakt shpjegon edhe akrobacitë morale e politike të Bardhit sa nga kahu i PD dhe Bashës, e aa nga kahuni Rithemelimit dhe Berishës.

Mirëpo këtu fillon fundi për akrobacitë e Bardhit.
Berisha pushtetin ka Libidon e tij, ka fokusin e vetëm, për të egziston vetëm ekuacioni:
Mblidh sa më shumë pushtet, për të qënë opozita e Ramës, opozitë që nuk e rrezikon pushtetin e Ramës dhe si shpërblim do të marrësh imunitet nga Rama përballë drejtësisë.

Nga ky moment politik, Bardhi kthehet në problem dhe faktor destruktiv për Berishën, sesa faktor ndihmues. Ai më shumë i kushton pushtet Berishës, se sa i jep pushtet atij. Bardhi po identifikohet si një vrimë tjetër, e re hemoragjie pushteti për Berishën sesa gjak i ri në trupin e rithemelimit. E Berisha për “vrimat” ka treguar që gjykon si Presidenti Ruzvelt dikur:

“Kur ke një vrimë në oborrin tënd, mos e gërmo më, por fokusohu ti mbyllësh të gjitha”

Dheu e balta që Berisha do hedhë mbi Bardhin, do e mbulojë përfundimisht atë apo do jetë hemoragji fatale për Rithemelimin?