17.5 C
Tirana
E hënë, 23 Qershor, 2025

Preç Zogaj: Saliu kërkon të motivojë disa njerëz, drejtuesit e opozitës kanë interesa ndryshe nga qytetarët

Analisti Preç Zogaj, duke komentuar gjendjen e opozitës në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se drejtuesit e saj nuk kanë agjendën e interesave të qytetarëve, por kanë agjendën e problemeve personale, pasurisë dhe karrierës së tyre. Sipas tij, ky popull, me një opozitë të re, të organizuar dhe me njerëz të rinj do ta bëjnë rotacionin politik.

“Shoqëria reagon, por kush e kapitalizon reagimin, ky është problemi. Këtu ka thirrje gjithmonë dhe akuzohet populli, sepse ai nuk i ndjek këto liderë tani. Populli ka parë se këta liderë kanë agjendë tjetër, nuk kanë agjendën e interesave të qytetarëve, por të problemeve personale, pasurisë së tyre, karrierës së tyre.

Opozita në Shqipëri, për mendimin tim, e ka konsumuar ndër vite, radikalizmin dhe obstruktionizmin, që janë mjete legjitime në luftën politike, por ti nëse e kompromenton nga shpërdorimi, radikalizmi nuk shërben më. Ne kemi shembuj pa fund në 20 e ca vite të PD-së që këtë retorikë ka patur, nuk motivon kënd. Nuk ka as plan, është vetëm retorikë, që shumë njerëz nuk i kuptojnë.

Këtu po kërkojnë të ndërtojnë një kauzë njerëz që e kanë krijuar këtë problematikë të opozitës. Unë i njoh shumë mirë, e njoh edhe Sali Berishën, e di se ç’po ndodh. Ai është evaziv, edhe kur thotë që të ikë Rama. Gjithë operandi i Saliut është që motivojë disa njerëz që do t’i shkojnë pas. Këtu nuk po dalin disa njerëz të rinj, ose këta të vjetrit, po këta të vjetrit konceptojnë një të ardhme të opozitës, duke bërë një hap mbrapa vetë. Dhe po ta them me bindje se ky popull që themi se ka ulur kokën, me një opozitë të re, të organizuar, të rinj që nuk e kanë konsumuar veten e tyre, që kanë një projekt që dinë të bëjnë politikë, që kanë një ligjërim të ri, shkaktojnë rotacionin”-tha Preç Zogaj.

Kreu i PD Basha me studentët e drejtësisë dhe shkencave politike: Futja e Shqipërisë në BE, interesi më i lartë kombëtarë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një bashkëbisedim me studente dhe studentë të Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Politike, ku iu parashtroi atyre projektin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në bashkëpunim me aleatët strategjikë, për të ndërtuar të ardhmen që të rinjtë meritojnë, këtu në vendin e tyre.

“Ne jemi një parti që e konsiderojmë futjen në BE si interesin më të lartë kombëtar, për Shqipërinë dhe për Kosovën. Zgjidhja përfundimtare e të gjithë problemeve 100 vjeçare të Kombit shqiptar, në vizionin tonë, është futja e të gjithë vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian. Dhe në kuadër të kësaj kemi edhe këto propozime. Në fund të fundit, çfarë janë? Plotësimi i kritereve të Bashkimt Europian për kapitujt e rendit dhe sigurisë dhe të drejtësisë, të konkurrencës, të drejtave politike, luftës kundër korrupsionit. Si mund të na ndihmoni? Me angazhim politik.”, – u shpreh Basha gjatë bisedësme studentët.

Kosova mbushet me Euro false!

Trendi i parave të falsifikuara vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals hidhen përditë në qarkullim në treg.

Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedha që po ‘tmerron’ të gjithë është ajo 2 euroshe. Një qytetar është denoncuat se ka paguar borxhin e energjisë elektrike për dy Euro.

Një rast i tillë është raportuar gjatë ditës së djeshme nga një zyrtar i bankës ‘TEB’ në Prishtinë, i cili ka njoftuar se janë detektuar disa mijëra euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Burime për mediat në Kosovë brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për një shumë rreth 12 mijë euro, ku shumica prej tyre janë në monedhën metalike 2 euroshe.

Paratë që dyshohet se janë të falsifikuara janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale dhe me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.

Kujtojmë se të mërkurën janë arrestuar gjashtë persona, tre kosovarë dhe tre shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët dyshohet se merreshin me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.

Gjatë arrestimit në veturën e tyre janë gjetur dhe sekuestruar para me thasë, ku pas verifikimit ka rezultuar se shuma e tyre është mbi 85 mijë euro – të gjitha në monedhën 2 euro.

Ndaj të dyshuarve, Gjykata Themelore ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Si masa preventive për ‘shpëtimin’ nga 2 eurot false, shumë biznese në Kosovë kanë filluar të mos pranojnë pagesa me këto monedha.

Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Emigrimi i studentëve bëhet kronik, 100% e të ikurve shumë të kënaqur

Një studim i fundit i ekspertëve Ilir Gëdeshi dhe Russell King, “Studentët shqiptarë jashtë, një potencial për emigrimin e trurit”, vë në dukje se, mbi 600 të rinj shqiptarë të anketuar që studiojnë jashtë vendit janë shumë të kënaqur me zgjedhjen që kanë bërë.

Studimi vë në dukje se studentët janë trashëgimtarë të profesionistëve dhe po shërbejnë si një indikator për emigrimin kronik të të rinjve për studime, në një kohë që cilësia e universiteteve shqiptare nuk po përmirësohet.

Të dhënat që i takojnë vitit 2017 tregojnë se stoku i studentëve jashtë vendit është 17,488 prej të cilëve 59,4% janë në Itali, 6.9% në Greqi dhe 5.7% në Turqi, dhe pjesa e tjetër në vendet e tjera të BE-së.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se studentët jashtë vendit janë kryesisht pasardhës të profesionistëve (mjekë, avokatë, arkitektë, profesorë universiteti, ekspertë IT, gazetarë etj.) dhe të personave të biznesit (pronarë, drejtorë, menaxherët, partnerët etj.). Baballarët e studentëve jashtë vendit, gati 53.5% në këto dy sektorë orë (biznes dhe profesione).

Informacionet më të detajuara kanë treguar se brenda familjeve shqiptare dhe nga një brez në tjetrin është vërejtur gjerësisht një prirje për të emigruar me qëllim studimet.

Autorët evidentojnë se familjet më të pasura dhe më të fuqishme politikisht i dërgojnë fëmijët e tyre në universitete të rangut të lartë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në një masë më të vogël në Zvicër, Holandë dhe Francë. Kjo kërkon investime të mëdha jo vetëm në tarifat e shkollimit dhe akomodimin. Të dhënat e anketës tregojnë se 62 për qind e prindërve të studentëve që studiojnë në Britaninë e Madhe janë persona në biznes, profesionistë apo zyrtarë të lartë shtetërorë.

Të intervistuarit kanë pohuar se studimi me bursë jashtë vendit është selektiv dhe kryesisht fitohet nga familjarëve drejtues. Megjithatë ata që largohen për të studiuar jashtë kanë më shumë gjasa të kenë prindër të diplomuar.

Studimi tregon se synimet e të rinjve për t’u larguar dhe arsimuar jashtë vendit duket të jenë më të larta se kurrë më parë.

Për të frenuar këtë hemorragji të trurit, politikat e brendshme duhet të sigurojnë perspektiva më të mira për të rinjtë shqiptarë për të qëndruar në Shqipëri, sugjerojnë autorët.

Kjo sipas tyre do të kërkonte disa gjëra: përmirësimin e standardit të universiteteve shqiptare dhe lidhjen e tyre në mënyrë më efektive në rrjetet akademike ndërkombëtare, duke përfshirë shkëmbimet afatshkurtra të studentëve në mënyrë që studentët nuk ‘humben’ por sigurohen që të kthehen. Gjithashtu duhen krijuar perspektiva më të mira pune për të diplomuarit, me të ardhura më të larta dhe struktura më të qarta të karrierës./Monitor

Era e fortë në bregdet, pezullohet lundrimi për tragetet e linjës Durrës-Bari

Moti i keq dhe deti me dallgë të forta, ka bërë që të pezullohet lundrimi i trageteve të linjës Durrës-Bari dhe anasjelltass për këtë të premte.

Pezullimi i lundrimit u njoftua nga ana e kapitenerisë së Portit të Durrësit, duke referuar situatës së kushteve të përkeqësura të motit.

Përveç trageteve është ndaluar edhe lundrimi i anijeve tregtare, si dhe flota e peshkimit që operon përgjatë bregdetit shqiptar deri në një urdhër të dytë të kapitenerisë.

Gjithashtu ekuipazhi i mjeteve lundruese është njoftuar që të marin masa për sigurimin e tyre me qëllim shmangien e situatave dhe incidenteve detare përgjatë 48 orëve të fundit.

Zgjedhja e prokurorëve të SPAK, ja kur do të intervistohen kandidatët nga KLP dhe OPDAT

Në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë njofton se më 7 dhjetor, në orën 09:00 do të zhvillohen intervistat me kandidatët.

Intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video si dhe do të zgjasin jo më shumë se 30 minuta për secilin kandidat (nga të cilat 10 minuta për prezantimin individual të kandidatëve dhe 20 minuta për pyetjet/përgjigjet nga anëtarët e Këshillit dhe përfaqësuesit e misionit ndërkombëtar të OPDAT).

Për herë të parë në historinë e saj, Gjermania lejon pa kushtëzime shtetësinë e dyfishtë! 8 risitë kryesore të projektligjit

Gjermania është në prag të një hapi të madh: Për herë të parë në historinë e saj, lejon pa kushtëzime shtetësinë e dyfishtë.

Parlamenti Gjerman në Berlin ka filluar konsultimet për reformimin e ligjit të ri të shtetësisë gjermane. 8 risitë kryesore.

1. Lejohet shtetësia e shumëfishtë

Ligji aktual e lejon shtetësinë e dyfishtë për shtetasit e BE-së, Zvicrës si edhe për fëmijët e lindur dhe rritur në Gjermani deri në moshën 22-vjeçare. Më pas ata duhet të vendosnin se cilën shtetësi duhet të mbajnë. Kusht për dhënien e shtetësisë gjermane, sipas ligjit aktual, është heqje e shtetësisë së mëparshme. Ky kusht, anashkalohej vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur shteti i origjinës nuk pranonte t’ia hiqte shtetësinë qytetarit të vet. Raste të tilla kanë qenë për shembull, për shtetasit nga Irani, ose edhe nga Kosova, para shpalljes së pavarësisë. Me ligjin e ri, bie kushti i heqjes së shtetësisë tjetër, për të marrë shtetësinë gjermane.

2. Shkurtohen afatet e fitimit të shtetësisë

Ndërsa sipas ligjit ekzistues duheshin tetë vjet qëndrim në Gjermani për të marrë shtetësinë gjermane, ligji i ri lejon marrjen e shtetësisë edhe pas pesë vjetësh qendrimi në Gjermani, madje edhe pas tre vjetësh, nëse dëshmon aftësi të veçanta integruese.

3. Shkurtohet afati i qëndrimit të prindit për fitimin e shtetësisë së fëmijëve

Periudha e nevojshme e qëndrimit të prindit në Republikën Federale për marrjen automatike të shtetësisë gjermane nga ana e fëmijëve të lindur në vend do të shkurtohet nga tetë në pesë vjet. HIqet rregulli i përzgjedhjes së një shtetësie, në moshën 22-vjeçare.

4. Njohja e rendit kushtetues të lirë demokratik

Si parakusht për fitimin e shtetësisë gjermane bie kushti për t’iu nënshtruar jetesës gjermane, dhe vihet kushti i njohjes së rendit kushtetues të lirë dhe demokratik.

5. Shtetësia gjermane nuk u jepet antisemitëve dhe racistëve

Sipas projektligjit dhe propozimeve përkatëse të shtuara nga qeveria, në përgjigje të rritjes së urrejtjes ndaj hebrenjve në Gjermani. Ligji parashikon që shtetësia gjermane të mos u jepet personave që bëjnë propagandë antisemite, ku hyn edhe mohimi i të drejtës ekzistenciale të Izraelitsi edhe djegia e flamurit izraelit.

6. Shtetësia nuk u jepet homofobëve dhe burrave të martuar me shumë gra, ose që përçmojnë gratë

Ky propozim i është shtuar projektligjit me kërkesë të Këshillit Federal, Bundesrat, që është organ i dytë ligjvënës në Gjermani, krahas parlamentit në shkallë federale, Bundestag. Këshilli Federal ka kërkuar që të mos u jepet shtetësia gjermane personave që me sjelljen e tyre e kanë dëshmuar se nuk i respektojnë të drejtat e barabarta mes burrave dhe grave ose kryejnë vepra përçmuese ndaj një gjinie të caktuara ose ndaj një orientimi seksual të caktuar”.

7. Informacione në prokurori

Autoritetet përkatëse kanë të drejtë të informohen për kandidatin në zyrat përkatëse të prokurorisë publik për vepra penale të bazuara në motive antisemite, raciste ose të tjera përmuese ndaj njerëzve.

8. Lëshime dhe përjashtime për migrantët e orëve të para

Projektligji bën përjashtime për disa grupe të caktuara migrantësh, që jetojnë në Gjermani prej shumë vitesh, e që janë mbi 65-vjeçarë. Ata kanë të drejtë ta marrin shtetësinë pa kaluar në provim gjuhe, dhe pa qenë nevoja të dëshmojnë se nuk marrin ndihma sociale. Bëhet fjalë sidomos për fuqinë punëtore të rekrutuar nga Gjermania në vitet 50-të deri në fund të viteve 70-të të shekullit të kaluar, e që në Gjermaninë Federale, pra Perëndim, quheshin Gastarbeiter (punëtorë të ftuar), kryesisht nga Turqia dhe ish-Jugosllavia, si edhe punëtorët e rekrutuar nga Gjermania Lindore (Vertragsarbeieter) shumica e të cilëve vijnë nga Vietnami. Gjermania me këtë hap kompenson kështu gabimet e së shkuarës. /DW

“Shkodra është koka e…”- Kujtimet e ish-të dënuarit politik: Kur i tregova shokut tim të liceut, që tashmë ishte partizan me pozitë, për ngjarjet në qytet, ai nuk u çudit aspak dhe më tha…

Nga SAMI REPISHTI

Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –

‘Nën hijen e Rozafës’

Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluam, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuam, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.

Gjatë kësaj vale terrori, takova njenin nga shokët e grupeve antifashiste të ditëve të liceut, nji vlonjat. Ishte përgjegjës i rinisë së batalionit. U gëzova që e pashë. Ishte i lodhun nga marshet e vazhdueshme, por i kënaqun e entuziast. U përqafuem. E mora në shtëpi për darkë, që të kishte mundësi me u pastrue e, me pushue nji natë si duhet. Ai pranoi. Mbas darkës, vetëm në dhomën time të vogël, filluam bisedimin që u shndrrue në nji debat të nxehtë e megjithatë, të njerëzishëm. I tregova për ngjarjet në qytet. Nuk u çudit aspak. Më tha se; “kemi probleme me veriun” dhe se; “Shkodra është koka e reaksionit”.

Kur pyeta, si mendojshin me e mbajtë pushtetin kështu, me forcë e gjak dhe, si mendonte ai se; “bota do t’i duroje të gjitha këto”, ai më përgjigje: “Kemi nevojë vetëm për dy muaj, me dorë të lirë në pushtet…! Kemi nevojë për dy muaj, të ekzekutojmë planet që kemi përgatitë…! Ti fole për “botën”…! Në qoftë se anglo-amerikanët, nuk zbarkojnë sot në bregdetin shqiptar, me qëllim që “të ndjekin gjermanët” nga jugu, atëherë, të siguroj unë, se fitorja është e jona, definitivisht”!

E, tue vazhdue me këmbëngulje para shprehjes së çuditjes sime, ai shtoi: “Nuk flas në erë, me beso! Gjatë këtyne ditëve, kemi përpunuar plane konkrete, që do t’i zbatojmë që në minutën e parë. Masat e para drastike: arrestim, ekzekutim, çarmatim, mobilizim e organizim i vendit, si mbas modelit të ‘zonave të çliruara’, janë të gjitha pjesë të pandara të planit tonë strategjik. Ne, nuk do të devijojmë…edhe në qoftë se gabojmë”! Tue parashikue nji kundërshtim të mundshëm, ai vazhdoi: “Kemi edhe lista, listat e atyne që do të likuidohen, por…nuk është nevoja të them më shumë…! Këtë bisedim, e bëj vetëm me ty…”!

Buzëqeshi lehtë, sikur shijonte kënaqësinë e konfidencës që tregonte, me nji shok të vjetër. Mandej, ndezi ni cigare, e thithi me fuqi me shije të plotë, e tue nxjerrë tymin si shtëllunga nga goja e hunda njëkohësisht, ai shtoi: “Përgatitu për ditët vendimtare, të historisë së Shqipërisë. Ne kemi nji mision për të plotësuar: t’i japim historisë së popullit tonë, atë që ai kërkon…! Sot për sot, është pastrimi i terrenit nga pengesat aktive…”, e, tue më shikue drejt e në sy, shqiptoi, tue nda në rrokje të theksueme mirë, fjalën e fundit: “e-të-ardh-shme…”! – Si për shembull, – unë dhe shokët e mi, – plotësova unë me nji gjysëm zani.

Atij i ndryshoi fytyra: – Nuk besoj! – më tha. – Le të ndryshojmë bisedën…! E pyeta për jetën në mal, e vështirësitë e kalueme. Ai e priti me kënaqësi kureshtjen time, e filloi nji monolog që, herë mbas here, bahej dramatik, me elementë të pamohueshëm ekzagjerimi. Por unë, nuk ia shihja të teprueme. Ishte i ri, entuziast, idealist dhe qartësisht, i indoktrinuem. Ai kishte gjetë guximin e duhun, me rrokë pushkën e, me shërbye idealin që e frymëzonte. Kjo ishte thelbësore. Të tjerat?! Nuk ngrejshin peshë, mendojsha, aq ma shumë edhe për faktin se ai, shoku im i shkollës, kishte qenë gjithherë nji tip i shoqnueshëm me të tjerët.

Indoktrinimi, kishte deformue logjikën e tij. Prirja që e bante me përsëritë, si me urdhën, fjalë e frazeologji të marruna në mbledhjet e agjit-propit, e bajshin shpeshherë tregimin të gjatë, pothuajse të padurueshëm. Kur foli për gjendjen ndërkombëtare, ai iu referue koalicionit anglo-sovjeto-amerikan, si, nji “aleancë oportuniste” që në fillim, që i mungonte “sinqeriteti” dhe që eventualisht, do të përfundonte me nji konfrontim, “sidomos me Anglinë”. – Atëherë, ti pret nji luftë të tretë botnore? – i thashë. – Po! – përgjegji me bindje. “Por do ta provokojmë ne, kur të jemi gati…! Tani për tani, vazhdon aleanca…”! Ashtu më kishte thanë edhe kushërini, nji vjet ma parë! E ndigjojsha me vëmendje. Për mue, këto ishin ide të reja, që nuk isha ekspozue ma parë.

E pyeta si kishte ardhë në këtë përfundim sot, kur lufta akoma nuk kishte mbarue e, aleanca vazhdonte me funksionue me sukses. Ai më tha se, “I gjithë faji, bie mbi kurrizin e Çurçillit”! Nuk i besova veshëve të mi. – Si mund të flasësh në këtë mënyrë! – e ndërpreva unë. – Gjatë gjithë këtyne vjetëve, të gjithë kemi adhurue Çurçillin, sidomos mbas qëndresës heroike të Anglisë, në vjetin 1940…! Të kujtohet Londra, Coventry? – “Çurçilli është fashist”! – më tha në mënyrë të preme. – “Ai është pengesa kryesore e fitores, së proletariatit ndërkombëtar. Ai është i njohur për qëndrimin e tij antikomunist, që në vitet e Revolucionit të madh të Tetorit të 1917-ës…”!

Nuk i dijsha këto të dhana. Por, i fyem nga termi “fashist”, pyeta pse e akuzonte Çurçillin si të këtillë! – Çdonjeni që bëhet pengesë në luftën tonë, për fitoren finale të komunizmit në botë, për ne, është nji fashist. Dialogu u kthye në ballafaqim. Unë mbrojsha me gjaknxehtësi kontributin anglo-amerikan, në luftën kundër Gjermanisë e Japonisë, i shtymë ma shumë nga revoltimi, që sollën përcaktimet e tij. Ai pranonte rolin e Amerikës dhe kishte nji farë respekti për figurën e presidentit Ruzvelt, por, kishte formue nji urrejtje patologjike për Çurçill-in dhe “politikën djallëzore të Britanisë së Madhe”.

“Janë anglezët ata që insistojnë të zbarkojnë në Shqipëri”, – më tha, “ashtu siç kanë bërë në Greqi…! Por këtu tek ne, i pret pushka partizane…”! Nuk kishte mbetë vend, për diskutime të tjera. Ishte e qartë se, edhe unë, ndoshta gjysëm koshient, gjendesha në kampin e “kundërshtarëve” të regjimit të ri, që po i imponohej vendit tonë. Në kundërshtim me shokun tim, suaza e mendimeve të mia, e formueme jashtë propagandës këmbëngulëse të komunistëve, për afër dy vjet me radhë, që nga dita e ndamjes, kishte fitue nji dimension të ri, të pavarun, sigurisht të paplotësuem, por megjithatë, të aftë me më dhanë nji kënaqësi të brendshme, si dhe forcën logjike me mbrojt pikëpamjet e mia, para “botës së jashtme” e sidomos, para bashkëfolësve kundërshtare.

Hap mbas hapi, po ndërtojsha botën time ku, ngjarjet e ditës, vendëse e ndërkombëtare, shiheshin nga nji optikë e përcaktueme dhe e mbështetun në parime, që unë vetë kisha pranue lirisht, si bazë e strukturës sime mendore e intelektuale. Hap mbas hapi, po kalojsha periudhën e entuziazmit djaloshar e, hyjsha në botën e matun të pjekunisë.

Atë mbramje, e kuptova mirë! Historia e ditëve të mia, paraqitej si nji proces dekompozimi i shpresës së ngjallun gjatë “Luftes Nacional-Çlirimtare”, i mohimit të rolit demokratik të autoritetit të zgjedhun nga populli, ashtu si u premtue gjatë luftës dhe zëvendësohej me nji strukturë të re, ma të përqendrueme, ma të pashpirt, e ma të padrejtë se çdo tjetër formë shtetnore të njohun në vendin tim, deri atë ditë. Historia e ditëve te mia, paraqitej tashti, si historia e pandershmërisë “zyrtare”, e dëshpërimit të përgjithshëm dhe e frikës, mbretneshës absolute, mbi të gjithë, tue përfshi edhe sundimtarët.

***

Pushteti i ri, më “mobilizoi” si nëpunës në Seksionin e Rindërtimit. Fillova punën rutinore të zyrtarit, pa entuziazëm. Megjithatë, brenda pak ditësh, kuptova rëndësinë e funksionit që më ishte caktue. Me ardhjen e ndihmave të para “aleate” (UNRRA), punimet e rindërtimit të vendit të shkatërruem, morën vrull. Në këtë veprimtari të pandërpreme, u gjeta papritmas i angazhuem plotësisht, me dëshirën e madhe të kontributit vullnetar. Isha në zyrë që në orët e para të mëngjesit, e delsha në orët e para të natës. Nuk më imponohej. Ishte dëshira ime, me qenë sa ma shumë brenda “kantierit” të punës rindërtuese. Ekipi i zyrës sonë, përbëhej nga elementë “indiferentë” në politikë, por “zyrtare” të rregullt.

Fryti i punës sonë dukej qartë. Pothuajse çdo javë rindërtohej nji urë e vogël, shtrohej nji rrugë e damtueme, ose përmirësohej nji ndërtesë qeveritare. Entuziazmi i punës rreth meje, më rrëmbeu. Isha pjesë e ndërmarrjes së përgjithshme, për rimëkambjen e vendit tim të shkatërruem. Frika e parë me zanë punë e, me fillue jetën si nji “i pjekun”, me përballue me forcat e mia, me ndërveprue me njerëz të rij e të panjohun, kaloi shpejt. Nuk ishte ma jeta e shkollës, me shokë e me shoqe, plot andrra, aspirata e dëshira me jetue gjithnji i ri. Por nuk u dëshprova! Këtu, u ndjeva se isha dikush, isha diçka. Nga mesi i prillit, 1945, nji demonstratë e madhe e popullit të organizuem, u zhvillue para ndërtesës së prefekturës, ku gjindej edhe zyra ime.

Pankarta me emnat e udhëheqësve jugosllave, sovjetike e shqiptare, mbushën sheshin. Shkrime të çuditshme që kërkojshin anëtarësinë e Shqipnisë në Organizatën e Kombeve të Bashkueme, dhe aneksimin e Triestes nga “Jugosllavia e Titos”, lexoheshin në shirita të gjatë pëlhure, që mbajshin nalt demonstruesit! Askush nuk merrte vesh qëllimin e kësaj demonstratë, me përjashtim të organizatorëve, që shiheshin në mes të turmës, tue dhanë instruksionet e duhuna. Masa e bindun shperthente me “Rroftë”, ose “Poshtë”, si mbas sinjalit të dhanun. Mbas dy orësh demonstrimi, gjatë të cilit folësit nga balkoni premtuen, se do të njoftojshin qeverinë qendrore dhe “autoritetet jugosllave”, mbi ndjenjat patriotike dhe indinjatën e madhe të popullsisë së qytetit të Shkodrës, demonstruesit u shpërndanë, përsëri me urdhën.

Pamja e mijëra qytetarëve të mbledhun me urdhën, që manifestojshin me urdhën e shpërndaheshin me urdhën, më bani nji përshtypje të thellë e të keqe, sa që fillova të shikoj me përçmim, ata që tërhiqeshin të fundit nga sheshi kryesor. Shfrytëzimi i fjalës “popull”, i vullnetit, dëshirës dhe aspiratave të tij, në nji mënyrë kaq banale, lëkundi besimi e ushqyem në aksiomën e mendimit tim se, duhet mendue, folë e veprue, “në emën të popullit”, nëqoftëse kërkohet justifikimi moral e ligjor, i veprimtarisë sonë politike e qytetare. Atë ditë, me trajtimin e popullit si kafshë pune e, manipulimin e tij të paturp. Unë pashë nën dritën e diellit, fytyrën groteske e të zbulueme të diktaturës së kuqe, që na imponohej dhe e urrejta me fuqi.

Pak kohë ma parë, vargje të gjata kosovarësh, të mobilizuem nga “Jugosllavia e Titos”, kishin kalue nëpër rrugët e qytetit tonë. I pashë në kolona pambarim, të lodhun e të këputun, nën mbikëqyrjen e armatosun jugosllave….në tokën shqiptare! Vetëm tri ditë ma vonë, ata që shpëtuen nga “ndëshkimi”, hynë në Shkodër tinëzisht e treguen masakrën e Tivarit. Ndërkaq, populli i Shkodrës, që për shekuj ka qenë i lidhun me luftën e Kosovës, kundër ekspansionizmit serb e malazez, detyrohej tani me demonstrue publikisht, me kërkesën që Trieste, t’i kalonte Jugosllavisë! Po Kosova, kujt i mbetej? Askush nuk përgjigjej! Kosovarët e masakruem u kthyen në “derrat kosovarë”! Çdo ditë e ma shumë, “pushteti i popullit”, forconte themelet e mbështetjen e vet, mbi nji organizim racional të aparatit tij shtypës dhe mbi nji politikë pa kompromis, të eliminimit fizik të kundërshtarëve, tashma të cilësuem si “armiq të popullit”!

Ekzekutimet në masë, me gjyq e pa gjyq, sidomos në zonat malore të veriut të vendit, u banë skena të përditshme. Çdo veprim zyrtar ishte nji sinjal ma shumë se, drejtimi i marrun nga “shteti” i ri, shpinte në diktaturë. Shtypi i vendit ishte qeveritar, kundërshtimi nuk lejohej, debati ishte i rrezikshëm e dialogu po çudiste, i zëvendsuem, dalëngadalë, nga fjalimet e gjata e monologët monotonë. Sa larg ishte atë ditë, atmosfera e nji gjallnie antidespotike që, lindi në shpirtët e rij, të ushqyeme me andrra mbinjerëzore, e gatishmëni me u hedhë në të pakufishmen, si maniakët e vrapit të vetë shkatërrimit!

Sa larg ishim ato ditë, nga ajo gjallni që sillte ideali i ndërtimit të nji vepre të re, te nji bote të re e të lirë, e që ikte nga dora çdo ditë e ma shumë! Në shoqninë e re që po lindte, sillej pa drejtim nji popull, pa puls jete, pa gatishmëni me u hedhë hovshëm, në nji bote të ndryshme nga ajo e përditshmja banale, që nuk premtonte, as andje, as dëshira…!

Shpresa, zoti i vetëm që ende mban miqësinë me njeriun, që çan errësirën e lejon lundrimin në detet pa brigje, ishte në pragun e vdekjes! Propaganda “komuniste” në Shqipni, gjatë luftës, kishte diçka nga imagjinata e poetit, si; “thirrje për udhëtim”, drejt nji bote ma të mirë e premtuese. “Bukë e paqe, edhe liri”! Cili nga ne nuk lëkundet, nga nji thirrje e këtillë? S’ka ma të vorfën! S’ka ma të shtypun! Jemi të gjithë të lirë! Talljet e cinikëve të pjekun, nga mosha e përvoja e vështirë, nuk ngrejshin peshë. Ata ishin grahmat e fundit, të nji shoqnie në shtratin e vdekjes. E reja po lindte e ndritshme, plot jetë, plot premtime dhe do të ishte e jona, krejtësisht e jona! Kjo mjaftonte!

Por sot, nuk ishte e jona! Këtu ishte vështirsia, me binde masat e hutueme nga grushti i hekurt mbi kokë, se vlera dhe dobishmënia e asaj që po jetohej ato ditë, e përditshmja banale, ishte mbytëse dhe e pashpresë. Marrëzina kolektive, monstruozitete individuale, histeri qeveritare; nji shoqni në transformim të plotë, delte me skenë e nji rendi shoqnuer, të ri e të papranueshëm. Ne me të Silës, që jepte shpirt dhe Karibdës, që kërcënonte me vdekje, nji popullsi e hedhun nga ngjarjet, sa këndej, aq andej, lundronte pa busull, ecte pa drejtim të caktuem, e hynte pa kuptue në tunelin e errët, ku nuk shihej drita e daljes. Stuhia që mbuloi vendin, nuk premtonte veçse shkatërrim.

***

Nji pasion për kundërshtim e veprimtari kundër “pushtetit”, rritej çdo ditë me nji shpejtësi, që nuk isha në gjendje me ndalue. Më dukej sikur koha më ndrydhte, sikur “nuk kishte kohë” me pritë. Mosha e re ngjallte ndjenjën e urgjencës, për përpjekje me ba të pamundunën, e ishte ba zot i mendjes sime, nji sundues absolut mbi çdo dëshirë tjetër, që forconte vullnetin për veprim.

Në ato ditë revoltimi, ideali zbulonte për mue nji fushe të pamatur veprimi, nji hapësine të pafund, të pakufij, tue mos lejue jetën e përditshme, me marrë formën e nji njisie të kufizueme, të vogël, pjesore. Revoltimi ngjallte të pafrenueme dëshirën me u zgjanue, me u shtri, me pushtue me krahë e me mendje pambarimin, tue i dhanë kështu jetës, përpjestime shumëfishe, e ndjenjën e pakrahasueshme të gëzimit, kënaqësisë, frymëzimit të lindun nga ajri i lehtë i idealit, që ngren nalt, e përherë ma nalt.

Para meje ngrihej çdo ditë ma e madhe, ma e naltë, ma kërcënuese, “ndërtesa” që më zente pamjen, më pengonte hapin, e përgatiste për mue murimin e përjetshëm, qelinë time fatale, si varri i Rozafës viktimë! Në brendinë time, ndijsha gjithashtu, nji rritje të pandalshme frymëzimi për përpjekje, ballafaqim e liri. Thirrja për aksion të rrezikshëm, më çlironte njikohësisht, edhe nga prangat që më coptojshin…! Njizet vjeçari që isha unë ato ditë, bante thirrje të ngrihesha në kambë, e në vend të vapës mbytëse që kishte sjellë rendi i ri i porsavendosun, të kërkojsha stuhinë, po të ishte nevoja, në turrin rrëmbyes të saj, të freskojsha gjoksin tim që digjej, e të vdissha i kënaqun, në vorbullën e ajrit të trazuem nga forca e epshit tim kërkues. O magjia e së pakufishmes! Vetëm nji puthje nga ti mbi ballin tim, arsyeton nji jetë të tanë, e veshë me rroba lavdie, vdekjen e paevitueshme që siguron fluturimi yt i guximshëm! Sepse, i ambël asht edhe vetë shkatërrimi i trupit që prek qiellin…!

Ky turr rrëmbyes bante shumë të vështirë ballafaqimin me njerëz të thjeshtë, fytyrat e të cilëve, akoma tregojshin shpresë për nji jetë të re, fjala e tyne shprehte këtë gjë, e gjesti i tyne ishte pamja konkrete, e nji besimi në premtime. Ata nuk shihshin rreth e rrotull detin e krimit, të shtypjes, të padrejtësisë, të urrejtjes ku ishte kredhë vendi. Nuk kisha guxim me i përballue haptas e sinqerisht, me folë ashtu si flet vllau me vlla, me ju tregue me gisht kobet e përditshme e, kokët që rrokulliseshin me shpejtësi, me i zgjue nga gjumi, me i lëkundë për krahu me fuqi, me bërtitë se; “çlirimi” i njenit vlla, nuk mund të bahej me gjakun e vllaut tjetër të pafajshëm, se ligjet e reja e, fjalët që tingëllojshin si kumbonë lirie, nuk do të sillshin lirinë e premtueme, nëqoftëse ndryshimi nuk do të bahej edhe në ndërgjegjen e “fitimtarit”.

Ky ndryshim nuk ishte ba, as që premtonte nji kthesë të këtillë për të ardhmen; kjo ishte edhe tragjedia e vendit tim. Kur dëshprimi e frika me shtrëngojshin me u strukë në dhomën time të vogël, i paaftë me folë, e me dëshirën e humbun për lexim, për orë të tana përpiqesha me kuptue domethënien e këtij procesi historik, që zhvillohej nën sytë e mi, si lumi që rrjedh pa pra.

Më kujtoheshin ditët e shkollës, ushqimi i së cilës më lejonte me shtri krahët në qiellin e fluturimit mendor: periudha e antikitetit grek e roman, Rilindja europiane, zgjimi mendor i kontinentit e fenomenët e tij, iluminizmi, idetë shoqnore të shekullit të kaluem, më sillshin në mendje diçka ma themelore se emnat e mbretënve sundimtare, diçka ma pak të zhurmshme, ma pak të këndueme në kangë e të brohoritun në publik. Më vinte në mend diçka ma vetjake, ma e thellë e, që buronte si zgjimi i ndërgjegjes tek çdo njeri, si liria që del nga brenda, si ndjenja e fuqishme e nevojës së secilit me qenë nji qenie e lirë, nji njeri! Memorie.al

Vetëm spektakle për diasporën!

Nga Zef Ndreka

Edhe për një vit, u lanë duart me atë të ashtuquajturën diaspora. Samitet e përvitshme tashmë janë kthyer në tubime e spektakle vetëm për qëllime politike. Këtë e tregoi edhe Samiti i fundit pak ditë më parë, organizuar në Pallatin e Kongreseve dy ditë më rradhë.
Ndonëse në realitet mungoi realisht diaspora, mjetet e komunikimit e amplifikuan si një Samit madhështor. Më shumë kishte deputetë, qeveritarë, administratë të futur në rrjesht per spektaklin e radhës.
Si shkoi dhe çfarë u diskutua në atë Samit u pa e u dëgjua live. Por çfarë arriti si finale?!
Nuk mund të themi asgjë! Sepse, për shqiptarët e coptuar dhe të vuajtur, më mirë kjo se asgjëja.
Sidoqoftë, qeveria dhe Edi Rama vazhduan të bëjnë vetëm politikë, bashkë me Abazoviçin e anës tjetër të shqiptarisë.
Diskutimi kryesor, duhej të ishte ndihma reale e strukturave të qeverive për integrimin e emigrantëve që e kanë lënë vendin por që nuk e kanë braktisur atë. Por si në shenjë “hakmarrje” ndaj tyre, i është hequr e drejta themelore kushtetuese siç është e drejta për të votuar kudo që të jetë, kudo që jeton.
Kur hiqen ose nuk krijohen mundësitë për këtë, që është alfa e çdo detyrimi dhe e drejte, për çfarë tjetër mund të presin emigrantet nga shteti i tyre, në rastin konkret Shqipëria?!
Ndryshe ndodh me shtetin e Kosovës. Edhe pse shtet i ri dhe me potenciale me të vogla se Shqipëria mëmë, shqiptarët e Kosovës votojnë kudo ndodhën, në Zvicër, në Gjermani etj.
Nuk është harresë, por është përzgjedhje e linjes së përbashkët politike në 32-vite të klasës politike të Shqipërisë.
Emigrantet, prej tre dekadash janë lënë në mëshiren e fatit. Fillimet për çdo pjestar të diaspores janë tejet të vështira dhe përbëjnë një histori me vete. Integrimi kalon përmes vështirësive e përpjekjeve për mbijetesë. Por edhe mundësitë që ofrohet më pas janë më të mëdha se ne atdhe.
Duke mos ditur saktësisht numrin e emigranteve të shpërndarë anembanë botës, sigurisht që ndihma e shtetit mëmë shqiptar për emigrantët ka qënë si e njerkës. Ose nga mos dija, ose më keq nga mos dëshira!
Diasporen bëjnë sikur e duan. Në fakt ajo nuk është e përfshirë aspak deri më sot me atdheun. Madje është e përjashtuar si pjesëmarrëse e jetës politike e publike, megjithëse në total janë shumicë absolute në vota.
Nga të rregjistruarit, vetëm në Europë e Amerikë janë mbi 1.5 milionë votues, dhe e konvertuar në frymë, janë më shumë se 50% e popullatës së rregjistruar.
Çdo të thotë kjo?
Mbetët një pyetje retorike për të gjithë, veçanërisht për përsonat që pretendojnë të merren me politikë. Por që deri më sot, nuk kanë artikuluar asnjë ide apo imazh të qartë për politikën e ardhshme për këtë problem.
Politika e derisotme dhe politikëbërësit kanë harruar apo nuk e dijne se diaspora është atdheu i shqiptarëve jashtë kufijve real të Shqipërisë. Ndaj i ka penguar i pengon të integrohen në Shqipëri dhe në kufijt e saj etnik.
Ndryshe nga politika, diaspora vuan për atdheun, vuan nga dëshira për integrimit e saj në çdo fushë të tij.
Ndarja si më thikë e trajtimit të diaspores si miq të dashur “që kanë vetëm mall” për Shqipërinë, është dashakeqëse dhe thjeshtë një spektakël pa bereqet.
Diaspora, i ka zgjidhur dhe do i zgjidhë edhe vetëm “hallet” e saj. Psh, në Gjermani vetë emigrantet kanë ngritur Shoqata të ndryshme të mbështetur vullnetarisht nga bisnesmenët dhe kanë ndërtuar qëndra kulturore e historike, shkolla shqipe, etj.
Kanë blerë librat e gjuhës, historisë, kanë marrë me qera mjediset dhe i kanë konstruktuar për klasa, kanë siguruar fonde për shkollën, për mesuesit, për aktivitete kulturore, për veshjet me kostumet kombëtare etj. Pra, nevoja dhe dashuria për të ruajtur e kultivuar ndër breza gjuhën, kulturën, zakonet, traditat etj larg atdheut i vuri në lëvizje dhe emigrantet e arritën.
Kështu kanë vepruar në shumë qytete te tjera të Gjermanisë ku ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh. Po ashtu në Itali dhe në Greqi.
Në fakt, këto duhen mbuluar me fonde nga shtetet mëmë, si nga Kosova dhe Shqipëria. Ku edhe në këtë drejtim, qeveria e Kosovës është shumë hapa para asaj të Tiranës, e cila nuk i ndahet spektakleve pa fund edhe me mergimtarët…

“Po më shkelet e drejta njerëzore”, shqiptari hedh në gjyq qeverinë britanike

Një i ri shqiptar ka hapur një çështje gjyqësore kundër qeverisë britanike.

Sipas “Independent”, shqiptari thotë se atij iu mohua e drejta për të qëndruar në Britani për më shumë se një vit si rezultat i “politikës së fshehtë dhe të paligjshme”.

pretendon se mohimi i së drejtës për të qëndruar në Britaninë e Madhe shkeli të drejtat e tij njerëzore dhe ai kërkon dëmshpërblim. Një avokat që drejton ekipin ligjor të Home Office i tha gjyqtarit se çështja ishte “vonesa” dhe jo politika “sekrete”.

“Ky rast ka të bëjë me vonesë. Nuk bëhet fjalë për politika sekrete apo të pa publikuara”, – tha ai. Avokatët që përfaqësojnë azilkërkuesin shqiptar, i cili po mbështetet nga organizata “Asylum Aid”, i kanë thënë gjyqtarit se ka një “keqpërdorim serioz të pushtetit” në Britani.

“Ky pretendim ekspozon një keqpërdorim serioz të pushtetit”, i thanë avokatët Chris Buttler KC dhe Zoe Mçallum gjykatësit.