26.5 C
Tirana
E diel, 22 Qershor, 2025

Berisha fillon të korrë atë që ka mbjellë/ Demokratët i ankohen se televizioni i familjes së tij fton vetëm sigurimsa të përmasave jashtëkombëtare

Berisha vijon t’i bëjë presion SPAK-ut dhe gjykatës duke bërë sikur takon qytetarë në Shqipëri.

Në vend që revolucioni dhe pakënaqësia të zienin dhe të përktheheshin në më shumë pjesëmarrës, po i ndodh pikërisht e kundërta: njerëzit po rrallohen, revolucioni nuk po ndez, entuziazmi nuk duket asgjëkundi.

Pavarësisht kësaj, Berisha është “i detyruar” t’i fshihet Prokurorëve të SPAK-ut.

Aq shpesh sa del në TV dhe në takime, fundja, ata nuk kanë ku e gjejnë.

Por çudia i ka ndodhur sot në Kamëz, kur një nga ata demokratët që shohin vetëm syri.tv dhe dëgjojnë vetëm se ç’thotë Berisha, iu ankua pikërisht për televizionin e familjes së tij, më konkretisht se pse ky tv merr në studio vetëm Baton Haxhiun…

“Sigurims, të përmasave jashtëkombëtare…” – e quajti demokrati që sheh vetëm syri.tv dhe dëgjon vetëm atë se çfarë Berisha e ka akuzuar Haxhiun.

“Nuk shofim dritë në fund të tunelit. Një stacion televiziv që është, syri.net, edhe ai merr Baton Haxhiun, merr ca sigurimsa të përmasave jashtëkombëtare, jo kombëtare…” – u shpreh demokrati i irrituar.

Mirëpo, zotëria nuk e di që Baton Haxhiu jo vetëm që ftohet te syri.tv, por edhe paguhet me honorare të mira tek televizioni i familjes së Sali Berishës.

Sepse demokrati nuk e di që Berisha vërtet e ka akuzuar Haxhiun se spiun dhe tradhëtar të Beogradit, por nuk e ka pasur seriozisht dhe me të vërtetë, ashtu siç nuk i ka shumicën e akuzave që bën për të tjerët.

Thjesht  i është dashur ta quajë ashtu, dhe ashtu ka bërë.

Por hajt ta dijë demokrati i ngratë se me çfarë humori ka qenë Doktori kur e ka thënë!

Ndalohet kryekomisari, Stilian Pasho, i përfshirë në trafik droge

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndalur kryekomisarin, Stilain Pasho me detyrë Shefi i Sektorit te Shërbimeve të Kufirit në Drejtorinë Vendore te Kufirit dhe Migracionit Korçë.

Pasho dyshohet se është përfshirë në “Trafikim të narkotikëve”.

Kanga Shkodrane

Nga Edison Ypi

Përmeti, Korça, Kuksi, Tropoja, Skrapari, Elbasani, Berati, Myzeqeja, bëjnë muzikë të hatashme, kanë vegla muzikore të mrekullueshme, thurin tekste inteligjente me ironira dhe autoironira fantastike, edhe me nënkuptime erotike.
Por jo si Kanga Shkodrane.
Kanga Shkodrane është Mbretëresha e Këngëve.
Kanga Shkodrane ka të shkrira brenda vetes gjithçka që ekziston, sende dhe shpirtra, të gjallë e të vdekur.
Drini, Liqeni, Buna, Kiri, përrenjtë, Deti, bora në male, gjithato ujra, vibracione, oshëtima, pëshpërima, psherëtima, janë pjesë përbërëse të Kangës Shkodrane. Janë ato që e bëjn Kangën Shkodrane më të bukurën në botë.
Nature Boy, Kiss of Fire, Dark Eyes, s’guxojnë të maten me Kangën Shkodrane, që është thurja më mahnitëse e tingullit me tekstin.
Ndërsa shkodranët i kanë dhënë Kangës Shkodrane Shpirtin, ujrat i kanë dhënë hapin, tempin, ritmin, tingujt, amëlsinë, Cukali Burrërinë, Malet Seriozitetin, Rrozafa Historinë.
Kanga Shkodrane asht një yllnajë me yj të zjarrtë që digjen e ndritin e ngrohin e kurrë nuk fiken.
Kanga Shkodrane asht nji Univers ku gjithçka asht serioze, gjithçka asht e përsosun, gjithçka asht e bukur.
Kanga Shkodrane asht nji ikje, një arratisje, një largim, evadim, çlirim, lehtësim, degdisje në qiej të largët ku s’ka gravitacion. Në skuta të fshehta ku nuk të gjen asnjë budall me të mërzit. Asnjë idiot me të çudit. Asnjë hajdut me të vjedh.
Duhet me ekzistu diku një tempull i muzikës.
Po. Ai tempull asht Shkodra. Altari i atij Tempulli asht Kanga Shkodrane.
Kanga Shkodrane asht e vetmja kang në botë që kurrë nuk gabon me ta çu gjakun në tru me përpikmëri në vendin e duhur dhe në sasinë e lypsur, për me të bo me ardh në vete, të ndjehesh normal, të ndjehesh i çlodhur.
Kanga Shkodrane nuk lejon me u ndigju në të njëjtin vend dhe në të njëjtin moment diçka tjetër veç Hirësisë së Saj.
Për shembull, po të thërret dikush në celular. Por zëri s’vjen. S’ka problem. Ai që po të thërret duhet me prit me fol derikur Kanga Shkodrane që dikush po e këndon, fërshëllen, ose dëgjon, të mbarojë.
Kanga Shkodrane nuk hesht vetëm celularin. Kudo ku dëgjohet, këndohet, mërmëritet, fëshfëritet, fërshëllehet, Kanga Shkodrane, hesht edhe bombën atomike nëse bën gabimin me shpërthy aty ku s’duhet, aty ku Kanga Shkodrane po këndohet.
Ndodh kjo, ngaqë, ku Kanga Shkodrane nigjohet, gjithçka hesht. Njëlloj si në pyll, ku, kur nis e këndon Bilbili, harabelat, gjinkallat, papagallat, qyqet, kukuvajkat, ndalin këngën, përrenjtë ndalin zhaurimën, gjethet fëshfërimën, ariu hungurrimën, qeni lehjen, ujku kafshimin, të gjithë heshtin, të gjithë ulin kokën me nderim.
Serenata nuk i këndohet Nuses. Nuses ja ke pi dhe ta ka pi sherbetin. Serenata i këndohet të dashurës.
E pra Kanga Shkodrane e bën edhe të pamundurën, i këndon serenatë Nuses më bukur se dashnores.
Kanga Shkodrane asht ngrohje, ndezje, rrjedhje, shpërthim, erruptim, derdhje, më magjike se çdo qef e kënaqsi e kësaj Bote.
Muzikat e vendeve të tjera janë edhe ato të bukura, janë edhe ato mbretëresha. Por janë mbretëresha pa kurorë. Janë guacka bosh. Pa perlë brënda.
Grisja pentagramin Kangës Shkodrane, shkatrroja veglën muzikore, bëje sa një kokrrizë rëre, po deshe edhe digje, ose zgjeroje sa të dush. S’ke bo asigjo. Je lodh kot. Kanga Shkodrane asht po ajo. Nuk ka ndryshu aspak.
Ose dërrmoje Cukalin. Rrafshoje Taraboshin. Pije Liqenin. Thaje Detin. Ndale Drinin. Pengoje Bunën. Prap s’ke bo gjo. Kanga Shkodrane s’don me dit për pirje e thithje, shkatërrime e rrafshime. Ajo do vazhdojë të jetë po Ajo që ka qenë dhe do jetë në shekuj.
Veç nji t’keqe Kanga Shkodrane e ka: Nuk munet me u nigju pa lot në sy.

Shekullori Henry Kissinger: Leksionet e mëdha që ka lënë si trashëgimi

Nga Ahmed Charai

Më 27 maj, Henry Kissinger festoi ditëlindjen e 100-të. Një jetë shumë e gjatë dhe me pasoja të jashtëzakonshme në dy botë shumë konkurruese të diplomacisë dhe ideve. Pasi u largua nga Gjermania naziste, Kissingeri mbërriti në Shtetet e Bashkuara në vitin 1938 si një adoleshent i pasionuar pas librit por pa ndonjë perspektivë të shpejtë në horizont.

Tridhjetë vjet më vonë, ai do të udhëhiqte politikën e jashtme të SHBA-së, fillimisht si këshilltar për sigurinë kombëtare, më pas si Sekretar Shtetit i 2 presidentëve, Richard M.Nixon dhe Gerald R. Ford.

Në vitin 1973, ai bashkë-fitoi Çmimin Nobel për Paqe. Në 4 vitet e tij si Sekretar i Shtetit, ai ndihmoi në dhënien fund të luftës më të diskutueshme të Amerikës, asaj të Vietnamit, e ndau Kinën nga Rusia dhe rishikoi kufijtë e disa shteteve-kombe. Librat e tij, të mbushur me kërkime të kujdesshme dhe argumente të përpunuara, vazhdojnë të jenë në krye të listës së më të shiturve dhe të tërheqin vëmendjen e liderëve dhe mendimtarëve anembanë botës. Edhe kur kanë kaluar disa dekada pas largimit nga detyra, ai vazhdon të konsultohet nga drejtorët ekzekutivë, kandidatët presidencialë apo analistët.

Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, e kryesuar nga një burrë tjetër i madh, një patriot dhe një nga njerëzit më të ndritur të establishmentit amerikan, John Hamre, organizoi një pritje për nder të Kissinger për të festuar arritjet e tij të jashtëzakonshme. Hamre e filloi fjalimin e tij duke analizuar historinë e dekadave të fundit dhe gjurmën që la Kissinger në të.

Së pari, ishte Lufta e Vietnamit, një konflikt që kishte hyrë në një ngërç. Viti nisi me ofensivën e madhe të Tet-it nga forcat e Vietnamit të Veriut, të cilën Shtetet e Bashkuara e mposhtën duke pësuar edhe vetë humbje serioze. Ne shtator të atij viti, Viet Kongu pushoi së ekzistuari si një forcë e veçantë luftarake, por kjo nuk do të thoshte asnjë fitore për Shtetet e Bashkuara.

Sepse ushtria e Vietnamit të Veriut po bëhej një forcë gjithnjë e më vdekjeprurëse, me divizionet e saj të tankeve që ishin në zgjerim e sipër dhe me avionët sovjetikë dhe raketa anti-ajrore që ishin gjithnjë e më efektive. Për sa kohë që BRSS dhe Kina e mbështetën Veriun, Shtetet e Bashkuara nuk mund ta mposhtnin kurrë atë.

Ai ngërç ishte i dukshëm dhe e përçau Amerikën. Protestat, si kundër luftës po ashtu edhe pro-luftës e ndanë kombin. Në televizor, amerikanët panë rrënojat e djegura në Saigon dhe djegien e kartave në Seattle. Publiku ishte i lodhur nga lufta. Dhe ishte Kissinger ai që udhëhoqi bisedimet e paqes. Është e vërtetë, që Vietnami i Jugut kapitulloi në vitin 1975. Por, 2 vjet më parë, ushtria amerikane ishte në gjendje të realizonte një tërheqje të sigurt dhe mbi të gjitha me dinjitet.

Ndërkohë ne i detyrohemi Kissinger për politikën e famshme të frenimit të Bashkimit Sovjetik. Për herë të parë, Shtetet e Bashkuara dhe BRSS ranë dakord të ngadalësojnë ndjeshëm garën e armëve bërthamore. Për pasojë, disa konflikte rajonale u de-përshkallëzuan. Lufta bërthamore u shmang dhe u kursyen miliona jetë njerëzish në Azinë Juglindore, Afrikën Jugore dhe midis ishujve të Paqësorit, pra në çdo vend ku guerilët komunistë luftuan me shtetet pasuese të fuqive koloniale.

Për të forcuar pozicionin e Amerikës në Azi, administrata Nixon arriti një afrim diplomatik me Kinën kontinentale, nga e cila Shtetet e Bashkuara ishin distancuar që nga viti 1949, kur komunistët morën pushtetin. Për të vulosur marrëdhënien e re, Nixon zhvilloi një udhëtim spektakolar në Kinë në shkurt 1972.

Pas 6 tetorit 1973, zyrtarët izraelitë i telefonuan Kissinger për t’i thënë se po përballeshin me një pushtim. Forcat egjiptiane po sulmonin në Gadishullin e Sinait, ndërsa ushtria siriane ishte në veri të Izraelit. Sapo kishte nisur e ashtuquajtura Lufta e Katërt Arabo-Izraelite. Nixon e dërgoi Kissinger për të negociuar me Izraelin, Egjiptin dhe Sirinë, dhe ndodhi ajo që hyri në histori si “diplomacia e anijes kozmike”. Në fund pati një paqe të re dhe këtë herë të qëndrueshme. Ajo i shërbeu disa interesave të rëndësishme amerikane: ndaloi ciklin e pushtimeve, ndaloi embargon nga shtetet arabe eksportuese të naftës dhe krijoi terrenin për një traktat historik paqeje midis Izraelit dhe Egjiptit (Marrëveshja e Camp David e presidencës Carter).

Kissinger mund të jetë i vetmi fitues i çmimit Nobel për Paqe, që ka siguruar më shumë paqe pas fitimit të çmimit se sa më herët. Këto suksese e bëjnë atë një diplomat me një staturë historike. Intensiteti dhe shtrirja e këtyre nismave diplomatike dhe suksesi i tyre – në kuptimin që të gjitha prodhuan marrëveshje – nuk kanë asnjë paralele në historinë amerikane dhe ndoshta as në historinë e Izraelit.

Me mrekullitë e tij në fushën e diplomacisë, Kissinger la gjurmë në shekullin XX-të. Ndërsa e pranon se profetët kanë “vizionin më të pasionuar”, Kissinger thotë se preferon më shumë shtetarët, pasi ata i njohin realitetet në terren dhe mund të shohin vlerë në përfitimet në rritje.

Mjerisht, klima politike aktuale nuk inkurajon shfaqjen e liderëve si Kissinger. Libri i tij kushtuar “udhëheqjes”, tregon rëndësinë që ka ndërtimi i konsensusit për çështjet kryesore. Një udhëheqës politik nuk mund të zhvillojë një vizion që i jep statusin e një burri shteti, duke postuar në Twitter apo Facebook.

Përkundrazi, siç shkruan Kissinger, udhëheqësit lindin nga studimi i kujdesshëm i historisë. Të gjitha demokracitë vuajnë nga e njëjta sëmundje: Një klasë politike e varfër intelektualisht, e cila është më e fiksuar pas sondazheve dhe rrjeteve sociale sesa nga një vizion për shoqëritë e tyre.

Por ky është një problem, të cilin duhet ta marrin në konsideratë edhe mendimtarët që mendojnë sot për nesër: Si mund të vazhdojë Amerika ta udhëheqë botën pa liderë që mund të kombinojnë teorinë e lartë dhe pragmatizmin e bazuar, siç bënte Kissinger?

“Lulëzojnë” postat private në Korçë, në 24 orë shpërndahen 1500 porosi

Së fundmi, blerjet online janë kthyer në modë. Gjatë një dite vetëm në njërën nga postat private në qytetin e Korçës shpërndahen mbi 200 pako, duke bërë kështu që edhe biznesi privat postar të lulëzojë.

Çdo ditë në këtë sportel paraqiten me qindra persona për të tërhequr porositë e tyre, të bëra online.

Por pse është mënjanuar blerja tradicionale nëpër dyqane duke u zëvendësuar me atë online?

“Për arsyen sepse njerëzit kanë gjithmonë e më pak kohë për të dalë nëpër dyqane për të parë, janë të angazhuar në punë dhe e dinë si mënyrën më të thjeshtë për të bërë blerjet. Është thjesht një klik. Shikon në Instagram çdo produkt i mundshëm, nga veshjet, produktet shtëpiake, ato të makinave, çdo gjë. Edhe unë e përdor atë, ngaqë jemi në punë gjithë kohën e nuk kemi kohë të shikojmë, pyesim dyqanet online që dhe ato janë shtuar dhe vjen në adresë”, thotë Meduljana Spahiu, menaxhere postare.

Për shkak të këtij trendi, janë shtuar në numër dhe postat private, ku të paktën janë 8 që operojnë brenda rregullave.

“Them se është parë si biznes i ri, me i fuqishëm kjo e postave. Ngaqë shihet se njerëzit sa vjen dhe nuk kanë kohë për të bere blerjet e tyre të zakonshme, dhe preferojnë blerjen online, dhe shumica e kanë pare, e kanë vene re, dhe është biznes goxha fitimprurës. Si posta që kanë pikë në Korçë, me zyrat e tyre janë diku rreth 8. Por ka e nga ato posta që nuk kanë zyrë, por funksionojnë me korrier, vjen ai, parkon makinë diku dhe thërret klientët”, tregon ajo.

Me një përllogaritje mesatare, vetëm në qytetin e Korçës shpërndahen rreth 1500 porosi të kryera online brenda një dite.

Kushtetuta 25 vjeç, ka 15 vite që ‘’ecën e vdekur’’

Nga Ervis Iljazaj

Megjithëse Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë bën 25 vite nga miratimi me referendum i saj, në nëntor të vitit 1998, është e qartë se nga struktura politiko-institucionale ka mbetur pak ose aspak. Në thelb, që nga ndryshimet kushtuese të 2008-s me marrëveshjen Rama-Berisha, mund të thuhet se ajo kushtetutë nuk ekziston më, ose është një Kushtetutë që ‘’ecën e vdekur’’.

Ndryshimet e 2008-së, si pasojë e një marrëveshje politike bazuar në interesin e liderve të asaj kohe dhe jo në interesin publik, ndër të tjera të hartuara brenda natës, rrëzuan themelet e ekuilibrave kushtetues që ishin vlera kryesore e saj, të paktën në tre drejtime.

E para, krijoi partitë politike të kryetarit. Me ndryshimin e sistemit zgjedhor, vitet që pasuan treguan se kaluam në një kryetaro-kracia apo në një personalizim të jetës politike. Ky ndryshim rezultoi i dëmshëm për demokracinë e re përfaqësuese të Shqipërisë. Kushtetuta e 1998 i jep një rol të rëndësishëm partive politike brenda rendit kushtetues. Mirëpo, këtë rol ja ka dhënë duke patur parasysh organizmin demokratik të tyre, ashtu sikurse përcakton vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Kjo garanci e funksionimit demokratik të partive, me ndryshimin e 2008-s ka rënë, dhe si pasojë, ka rënë themeli i kryesor i demokracisë përfaqësuese dhe rolit shumë të rëndësishëm që partitë politike kanë. Në këtë mënyrë partitw politike nga institucione garantuese, tashmë janë kthyer në institucione uzurpuese të rendit kushtetues. Ndryshimet kushtetuese të 2008-s, praktikisht kanë ndërtuar një regjim partitokratik, ndër të tjera një partio-kraci pa parti, duke qenë se ato nuk ekzistojnë më si institucione demokratike por si institucione private të një njeriu.

E dyta, ndryshimet kushtetuese të 2008-së që ndryshuan mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga mazhorancë e kualifikuar më mazhorancë absolute, ulën ndjeshëm rolin e institucionit të Presidentit si garant i unitetit popullor dhe si garant i ekuilibrave institucional, i cili është aty pikërisht për të garantuar rendin kushtetues në emër të unitetit të Republikës dhe parimeve të saj. Presidenti i Republikës në republikat parlamentare, ashtu sikurse është Shqipëria, nuk ka kompetencë në asnjë nga pushtetet legjislativ, ekzekutiv apo gjyqësor. Por Kushtetuta i jep mundësi që nëpërmjet dekreteve të marrë pjesë në ushtrimin e të trejave këtyre pushteteve. Kjo pikërisht për të ruajtur ekuilibrat midis pushteteve. Mirëpo, që nga 2008, kur Presidenti është shprehje e vullnetit të mazhorancës, ose ka krijuar presidentë tërësisht të varur nga mazhoranca, ose në rastin tjetër tërësisht konfliktual me mazhorancën. Në të dyja rastet, ka krijuar presidentë që nuk mund ta ushtrojnë rolin dhe misionin që Kushtetuta u ngarkon.

E treta, ndryshimet kushtetuese të 2008-së dhe zhvillimet politike që e pasuan sollën zgjerimin e pushtetit të ekzekutivit në raport me parlamentin dhe institucionet e tjera. Aq më tepër kjo është problem, kur në Shqipëri nuk votojmë për pushtetin ekzekutiv, por vetëm për legjislativin. Në thelb parlamenti sot është kthyer në një organ ratifikues të qeverisë dhe kryeministrit, duke prishur kështu të gjithë filozofinë e formës së qeverisje parlamentare.

Të tre këto elementë dhe deformime nga Kushtetuta origjinale e 1998, praktikisht kanë prishur themelet e një demokracie kushtetuese përfaqësuese. Në bazë të demokracive  kushtetuese janë organizmi demokratik i partive politike, ndarja e pushteteve dhe ekuilibri kushtetues midis tyre, kufizimi i pushtetit të qeverisë dhe shmangja e tiranive të mazhorancës. Pa këto tre elementë sot demokracia shqiptare ngjan më shumë si demokracitë e shekullit të kaluar, ku ekziston parimi i qeverisjes së mazhorancës dhe procedurat formale të saj, por mungonin të gjitha garancitë e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut si liritë politike, sociale, ekonomike apo personale si dhe garancia e ndarjeve të pushteteve. Mungonte pra, ajo që sot quhet demokracia kushtetuese. Mungesë e cila solli instalimin e shumicës së regjimeve totalitare të shekullit të kaluar, të cilat erdhën në pushtet në shumicën e rasteve nëpërmjet votës popullore. Në këtë kuptim, është urgjente domosdoshmëria që në Shqipëri të fillojë debati për  konceptimim e një kushtetutë të re, e cila të ketë parasysh rikuperimin e parimeve të demokracive kushtetuese europiane, sa nuk është ende vonë.

/Liberale.al/

Çaji që djeg dhjamin edhe kur jeni ulur, mjaftojnë dy filxhanë në ditë!

Problemi i dhjamit të tepruar, bëhet një probleme emergjent sidomos kur vjen stina e verës, ku të gjithë ekspozojmë trupat tanë në plazh. Por çfarë duhet të bëjmë kur ende s’ia kemi dalë në krye me përpjekjet tona?

Në të vërtetë, ushtrimet fizike janë të vlefshme për shëndetin e trupit të njeriut në shumë mënyra dhe nuk ka dyshim se duhet ta përfshini atë në jetën tuaj nëse nuk e keni bërë tashmë. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se është e keqe të kërkoni mënyra shtesë për të humbur yndyrën. Një studim i ri pohon se një nga këto mënyra mund të jetë konsumimi i një lloji të caktuar çaji, i cili duket se “fsheh” përfitime të shumta dhe të mrekullueshme për organizmin. Në veçanti, studiuesit nga Universiteti i Tsukuba në Japoni pohojnë se çaji oolong (çaj kiznez që mban këtë emër) rrit ndarjen e yndyrës, një efekt që vazhdon të funksionojë edhe kur flini.

Sipas kreut të hulumtimit, profesor Kumpei Tokuyama, pirja e vetëm dy filxhanëve çaj oolong në ditë stimulon ndjeshëm proceset e djegies së yndyrës në trup. “Ashtu si të gjitha llojet e çajit, edhe oolong përmban kafeinë, e cila ndikon në metabolizmin e energjisë, duke rritur rrahjet e zemrës. Megjithatë, studimet tregojnë se pirja e çajit mund të rrisë ndarjen e yndyrës, pavarësisht nga efektet e kafeinës”, shpjegon eksperti. “Prandaj ne kemi dashur të hetojmë efektet e konsumit të oolong në energjinë dhe metabolizmin e yndyrës në një grup vullnetarësh të shëndetshëm.”

Për të arritur në përfundime, studiuesit i ndanë vullnetarët në tre grupe: disa konsumuan çaj oolong çdo ditë, të tjerë kafeinë të pastër, ndërsa të tjerëve iu dha një placebo, si pjesë e një prove që zgjati gjithsej dy javë.  Rezultatet zbuluan se pjesëmarrësit që pinin çaj oolong ose kafeinë e rritën ndarjen e tyre të yndyrës me 20% krahasuar me grupin tjetër, duke vënë në dukje veçanërisht se efekti i pirjes së çajit oolong vazhdoi edhe pasi pjesëmarrësit kishin fjetur.

Çuditërisht, as çaji dhe as kafeina nuk u gjetën të shkaktojnë një rritje të shpenzimit të energjisë, gjë që studiuesit thonë se zbulon se pjesëmarrësit zhvilluan një tolerancë ndaj kafeinës që përmbahej në të dy pijet, gjatë dy javëve.

Bima e çajit Oolong

Kërkuesit gjithashtu donin të vlerësonin cilësinë e gjumit dhe në çfarë mase ai ndikohet nga konsumimi i pijeve me kafeinë. Pavarësisht nga fakti se kafeina është e njohur për aftësinë e saj për t’i mbajtur njerëzit vigjilent, kërkuesit nuk vunë re ndonjë ndryshim në modelet e gjumit të grupeve që konsumuan pijet me kafeinë dhe grupin placebo. Për këtë arsye, ekipi hulumtues beson se pirja e çajit oolong nuk do t’ju mbajë zgjuar gjatë gjithë natës dhe mund të ndihmojë në djegien e yndyrës edhe kur flini.

“Efekti i çajit oolong në ndarjen e yndyrës gjatë gjumit mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm për kontrollin e peshës. Megjithatë, nevojiten studime të mëtejshme për të parë nëse rezultatet që kemi vërejtur në studimin 2-javor përkthehen në humbje reale të yndyrës trupore për një periudhë të zgjatur. Përveç kësaj, ne duam të testojmë efektet e një shumëllojshmërie çaji oolong pa kafeinë për të dalluar më mirë efektet e kafeinës nga përbërësit e tjerë të çajit, gjë që do të na ndihmojë të kuptojmë saktësisht se si oolong ndihmon në shpërbërjen e yndyrës”, përfundon profesori Tokuyama.

Çfarë e bën çajin oolong të ndryshëm?

Megjithëse të gjitha llojet e çajit vijnë nga e njëjta bimë, shkalla e tyre e oksidimit është ajo që i jep çdo varieteti karakteristikat e veta të veçanta. Shkalla e oksidimit, që varion nga 8% në 85%, përcakton ngjyrën dhe shijen e çdo varieteti çaji. Çaji Oolong rezulton nga një proces unik, i cili përfshin fazën e tharjes nën diellin e fortë dhe oksidimin.

Ekspertët e konsiderojnë çajin si jashtëzakonisht të shëndetshëm, që përmban disa vitamina, minerale dhe antioksidantë të dobishëm. Një filxhan çaj i zier gjithashtu përmban kafeinë, rreth një e treta e sasisë që përmban një filxhan kafeje. Së fundi, ekspertët theksojnë se përveç efekteve të tij në djegien e yndyrës, çaji oolong jep prova të mira se mund të përfitojë ndjeshëm shëndeti i zemrës, trurit, kockave dhe dhëmbëve./ygeiamou.gr

Dëshmitë në gjyqin për “Gërdecin”, kush e la shënimin për djalin e ish-kryeministrit

Viktor Përshqeta, dëshmitar në procesin ndaj Mediut, tha se ka qenë Oficer Armatimi (Municioni) aktiv për 27 vjet (specialist municionesh).

“Jam emëruar 8 muaj përpara tragjedisë së Gërdecit. Me urdhër të eprorëve kam shoqëruar një grup zyrtarësh të kompanisë Cubic, amerikanë, të cilët do të bënin një invetanrizim të pronave të ushtrisë nga veriu në jug. Më ka thirrur në lidhje me urdhrin 20-44, ma ka lexuar urdhrin Ilmi Laçaj, i cili e kishte përpiluar, pasi ishte praktikë pune. Ka patur debate mes Hilmi Laçaj dhe Dashnor Çaushaj, eprori i tij për pikën 6 te urdhërit, që kishte të bënte me kostot e transportit. U tha, urdhrin e kërkon shefi, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.“-deklaroi Viktor Përshqeta.

I pyetur nga avokati i Mediut, pse i referoheni ish ministrit si shefi, dëshmitari tha se në zhargonin e zyrës me ‘shef ose shef i madh’ nënkuptonim Ministrin e Mbrojtjes, sepse shefit të shtabit i drejtoheshim me ‘Gjeneral’. Në po të njëjtin proces, dëshmoi edhe Anila Gjergji me detyrë inxhinierie sofware-i.

“Ne kishim disa fax-e, por numrat nuk më kujtohen. Kam bërë shënimin, kam vendosur numrin e protokollit, datën dhe firmën time. Fax-i nr. 622, datë 13/03/2007 dërguar nga ministria e drejtëësisë për ministrinë e mbrojtjes. Shënimin me stilolaps për Shkëlzenin nuk e kam bërë unë, ashtu erdhi. Mendoj që ka ardhur me fax-in, por nuk më kujtohet.”

I pandehuri, Fatmir Mediu, ndërhyri me pyetjen:

“A ju ka thënë ministri që ju do prisni fax-in *për Shkëlzenin, Sali Berishën etj. Ju ka marrë ministri në telefon, e keni takuar ministrin?”

Dëshmitarja përgjigjet me “Jo”.

Publikohet studimi i Oksford: A shkakton dëm në shëndetin mendor përdorimi i internetit?

Raporti bie në kontrast me një grup kërkimesh në rritje vitet e fundit që kanë lidhur fillimin e epokës së smartfonëve me ritmet në rritje të ankthit dhe depresionit, veçanërisht në mesin e vajzave adoleshente.

Një studim i përdorimit të internetit nga më shumë se 2 milion njerëz nuk gjeti asnjë “armë” për dëmtim të gjerë të shëndetit mendor nga aktivitetet në internet si shfletimi i mediave sociale dhe lojërat, pavarësisht shqetësimeve të pretenduara gjerësisht se aplikacionet në celular mund të shkaktojnë depresion dhe ankth.

Studiuesit në Institutin e Internetit të Oksfordit, sipas të cilëve studimi i tyre ishte më i madhi i këtij lloji, thanë se nuk gjetën prova për të mbështetur “idetë popullore se grupe të caktuara janë më të rrezikuara” nga teknologjia.

Megjithatë, Andrew Przybylski, profesor në institut – pjesë e Universitetit të Oksfordit – tha se të dhënat e nevojshme për të krijuar një lidhje shkakësore “mungonin”. Nëse aplikacionet dëmtojnë shëndetin mendor , vetëm kompanitë që i ndërtojnë ato kanë të dhënat e përdoruesit që mund ta vërtetojnë këtë, tha ai.

“Të dhënat më të mira që kemi në dispozicion sugjerojnë se nuk ka një lidhje globale midis këtyre faktorëve,” u shpreh Przybylski, i cili kreu studimin me Matti Vuorre, një profesor në Universitetin e Tilburgut. Për shkak se “aksionet janë kaq të larta” nëse aktiviteti në internet vërtet çoi në probleme të shëndetit mendor, çdo rregullore që synon ta trajtojë atë duhet të bazohet në prova shumë më “përfundimtare”, shtoi ai.

“Mirëqenia globale dhe shëndeti mendor në epokën e internetit” u botua të martën në revistën Clinical Psychological Science.

Në punimin e tyre, Przybylski dhe Vuorre studiuan të dhënat mbi mirëqenien psikologjike nga 2.4 milion njerëz të moshës 15 deri në 89 vjeç, studim që u krye në 168 vende midis 2005 dhe 2022, të cilat ata i kundërshtuan me të dhënat e industrisë në lidhje me rritjen e abonimeve në internet gjatë asaj kohe, si dhe gjurmimin e shoqatave që merret me shëndetin mendor, si dhe adoptimi i internetit në 202 vende nga 2000-19.

“Rezultatet tona nuk ofrojnë prova që mbështesin pikëpamjen se interneti dhe teknologjitë e mundësuara prej tij, të tilla si telefonat inteligjentë me akses në internet, po promovojnë ose dëmtojnë në mënyrë aktive mirëqenien ose shëndetin mendor global,” përfunduan ata. Ndërsa kishte “disa prova” të lidhjeve më të mëdha midis problemeve të shëndetit mendor dhe teknologjisë tek të rinjtë, këto “dukeshin të vogla në përmasa”, shtuan studiuesit.

Raporti është në kontrast me një grup kërkimesh në rritje vitet e fundit që kanë lidhur fillimin e epokës së smartfonëve, rreth vitit 2010, me ritmet në rritje të ankthit dhe depresionit, veçanërisht tek vajzat adoleshente. Studimet kanë sugjeruar se reduktimi i kohës në mediat sociale mund të përmirësojë shëndetin mendor, ndërsa ata që kalojnë më gjatë në internet janë në rrezik më të madh të dëmtimit.

Kompanitë e mëdha të teknologjisë janë nën presion në rritje nga ligjvënësit dhe rregullatorët për të trajtuar efektet e dukshme të produkteve të tyre. Dy vjet më parë, informatorja e Facebook , Frances Haugen zbuloi një hulumtim të brendshëm nga Instagram mbi përdorimin e aplikacionit të fotografive nga vajzat adoleshente, që sipas saj tregonte korrelacione negative në fusha të tilla si imazhi i trupit dhe vetëvlerësimi.

Marrë nga Fiancial Times: https://www.ft.com/content/e5dcdbf4-a914-4216-b212-ec1b362692e2?fbclid=IwAR3IZdmC9M9qdnVa3fYegFXE1T0pcZ1aYW6zkdd2BVCt6aZy-ZEK-xG0GUI

10 qytetet më të shtrenjta në botë, për vitin 2023

Rritja e kostove të jetesës ka bërë që shumë qytete në botë të cilësohen ndër më të shtrenjtat për të jetuar në botë. Sipas indeksit vjetor të kostos botërore të jetesës që është publikuar nga Economist Intelligence Uni t (EIU), kostoja mesatare e jetesës u rrit me 7.4% këtë vit.

CNN, referuar studimit, shkruan se qytet-shtet i Singapori dhe Zyrihu i Zvicrës janë cilësuar si dy nga qytetet më të shtrenjta në botë. Kalimi i këtij të fundit nga vendi i gjashtë në krye  të listës në 2023-shin, i atribuohet fuqisë së frangës zviceriane së bashku me çmimet e larta të ushqimeve, mallrave shtëpiake dhe atyre të argëtimit. Nga ana tjetër, Singapori dallohet për transportin dhe veshjet shumë të kushtueshme.

Edhe pse New Yorku u barazua me Singaporin për kostot e shtrenjta të jetesës vitin e kaluar, destinacioni amerikan ku çmimet janë rritur me 1.9% ka rënë në vendin e tretë, duke u barazuar kështu me Gjenevën e Zvicrës.

Hong Kongu, i vetmi destinacion aziatik në 10-shen e qyteteve më të shtenjta në botë renditet në vendin e pestë, Los Angelosi në vendin e gjashtë dhe Parisi në të shtatin.

Tel Avivi i Izraelit ndan vendin e tetë me Kopenhagen të Danimarkës. Megjithatë, vlen të përmendet se studimi është kryer para shpërthimit të konfliktit Izrael-Hamas në Tetor.

Listën e qyteteve më të shtrenjta në botë e mbyll San Francisko, i cili pozicionohet në vendin e dhjetë për vitin 2023.

Në studim thuhet se rimbëkëmbja e ngadaltë pas pandemisë dhe kërkesa e ulët e konsumatorit ishin ndër faktorët që çuan në zbritjen me disa vende të disa prej qyteteve që më përpara cilësoheshin si shumë të shtrenjta.

Damasku në Siri mbetet qyteti më i lirë në botë. Teherani, Irani dhe Tripoli, Libi, janë gjithashtu afër fundit, duke u renditur respektivisht në vendin e 172 dhe 171.

Shërbimet, ndihma shtëpiake dhe kostot e duhanit ishin më të lartat në qytetet amerikane, ndërsa ato të Evropës Perëndimore ishin disa nga më të shtrenjtat kur bëhej fjalë për transportin dhe mallrat shtëpiake. Sipas sondazhit, ushqimet dhe alkooli ishin më të kushtueshme në qytetet aziatike.

Kostoja Botërore e Jetesës 2023 anketoi 173 qytete të mëdha, duke krahasuar më shumë se 400 çmime individuale në 200 produkte dhe shërbime.