31.5 C
Tirana
E diel, 22 Qershor, 2025

Gjermania kundër Greqisë: “Beleri” nuk mund të pengojë integrimin

Alfred Beleri nuk ka tensionuar vetëm marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë, por edhe ndërmjet qeverisë greke me atë gjermane. A2 CNN iu drejtua me një kërkesë qeverisë gjermane sa i përket qëndrimit të shtetit grek, i cili paralajmëronte bllokimin e procesit integrues të Shqipërisë në rast se Beleri nuk kryente betimin si kryebashkiak i Himarës.

Përgjigjja e Ministrisë së Jashtme të Berlinit shpreh qartë se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve nuk mund të bëhen kurrsesi bllokadë në hapjen e kapitujve të negocimit mes Tiranës dhe Brukselit.

“Aspekti përkatës për procesin e anëtarësimit dhe pranimit të Shqipërisë në BE është përmbushja e kritereve të anëtarësimit, duke përfshirë edhe miratimin e “acquis” të BE-së. Është e rëndësishme që ky të mbetet parimi udhëzues që zbatojnë të gjitha shtetet anëtare kur vendosin për hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit. Çështjet bilaterale ndërmjet dy vendeve janë të papranueshme në procesin e integrimit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për A2 CNN.

Muaji dhjetor është vendimtar sa i përket procesit integrues të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku vetë Komisioni ka shprehur vullnetin që brenda këtij vitit të hapen grup-kapitujt e parë, por ky vullnet mund të mbetet vetëm dëshirë nëse nuk ka unanimitet mes vendeve anëtare.

“Shpresojmë që brenda këtij viti të hapen grup-kapitujt e parë”, tha nga Brukseli Varhely. Historia e proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor ka treguar më shumë se sa një herë se rrugëtimi drejt Unionit mund të hasë pengesa të vështira. Maqedonia e Veriut u desh të ndryshonte emrin, që të pajtonte qëndrimet e Greqisë, e më pas të pranonte se do të ndryshonte Kushtetutën për të hequr veton Bullgare. Tanimë, me këto pengesa, po kërcënohet Shqipëria, edhe zyrtarisht, siç duket në përmbajtjen e letrës zyrtare që Athina i ka dorëzuar Brukselit, referuar pritshmërisë së vendit tonë për të hapur grup-kapitujt e parë të negociatave.

“Situata bie ndesh me vlerat tona të përbashkëta europiane, kriteret e anëtarësimit dhe “acquis” të BE-së, të cilat janë të panegociueshme. Greqia pret që Shqipëria të marrë masa konkrete dhe të menjëhershme për marrjen e detyrës së Beleris si dhe të respektojë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë dhe prezumimin e pafajësisë.

Përndryshe, Greqia nuk do të jetë në gjendje të pajtohet me fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit”, shkruhet në letrën zyrtare të Athinës që iu dorëzua Brukselit.

Tanimë, shpresat janë më shumë në dorë të diplomacisë europiane, e cila duhet të gjejë konsensusin për të cilën e shkuara ka treguar se ka qenë e vështirë. Mbi këtë situatë, A2CNN i është drejtuar Komisionit, si dhe Këshillit Europian, por ende nuk ka marrë një përgjigje./A2 CNN

Dëshmia e ish-ushtarakut për shpërthimin e Gërdecit: Zjarri nisi në një karrocë me barut, gjithçka ndodhi nga një gabim njerëzor

Në seancën e sotme në GJKKO pasi ish-ministrit, Fatmir Mediu janë marrë në pyetje edhe dy dëshmitarët Bardhyl Hoxha, ish-Drejtor Logjistike në Ministrinë e Mbrojtjes në 2008, dhe Sadik Sula, ish-ushtarak i cili ka punuar në këtë depo.

Sula ka deklaruar në Gjykatë, se ditën e tragjedisë ishin rreth 60 punonjës në fabrikë. Ai u shpreh se zjarri kishte nisur nga një karrocë e cila kishte dy ose tre thasë me barut, dhe më pas ishte dëgjuar shpërthimi. Sipas tij gjithçka ka ndodhur nga një gabim njerëzor.

Mora vesh përmes 3 miqve të mi, kontaktova me Petrit Bekoharin. Pas një jave më kthehet përgjigje dhe vazhdova punë. Detyra ime ishte të hiqja degaret nga predhat, kisha punë të veçuar. Ditën e ngjarjes ishim rreth 60 punonjës në fabrikë. Dëgjoj një punëtor duke bërtitur “baruti u ndez”. Dola pashë një djalë të ri pranë karrocës që na kishin thënë se sapo ishte salduar, me sa duket pasi hodhi dy tre thasë, ajo filloi ndezjen. Pastaj u dëgjua një shpërthim. Pranë ishin rreth 50m 4 kontenier me barut. Edhe në shesh kishte sasi të madhe baruti të hedhur. Dy javë punova aty, pasi pash situatën kisha vendosur që 1 muaj të punoja aty. Nuk ikja dot direkt pasi e kisha kërkuar vetë punën. Fëmijët i kisha në shkollë, vetë e gruan pa punë, 150 mijë lekë të vjetra merrja pension. Kur pash zjarrin, tek karroca e salduar, ishte një djalë që ndoshta ka qenë bërë gati për ta shtyrë, ai vdiq, u shtrimë në tokë. Jemi djegur nga pas duke qenë se flakët vinin pas nesh. Pashë me sy flakët dy metër mbi karrocë. Për një kovë uji ndodhi ajo që ndodhi po të ishte kapur menjëherë. Flaka sipas meje nisi për një gabim njerëzor, ai ishte aktivitet privat, nuk kam parë zyrtar shtetërorë. Unë isha i punësuar në privat në atë fabrikë”.- tha ai.

FIFA publikon renditjen e re, Kombëtarja “zbret” në tabelë, “Dardanët” ngjiten me 4 vende

Pas diçka më shumë se 1 jave, që prej përfundimit të përballjeve të Kombëtareve, që ishin programuar për t’u luajtur në mujani nëntor, organi më i lartë i futbollit, në botë, FIFA ka publikuar listën e përditësuar, pas marrjes së pikëve të radhës, me Kombëtaren e Uruguajit, e cila ka bërë më mirë se gjithkush tjetër.

Përfaqësuesja “Celeste” arriti të fitojë të dyja sfidat e këtij muaji teksa fllimsiht mposhtën, skuadrën e Argjentinës, me rezultaitn e pastër 0 me 2 e më pas Bolivinë me rezultatin e thellë, 3 me 0, për t’u ngjitur nga vendi i 15-t, në të 11-tin.

Përsa i përket “Legjionarëve” tanë, dy barazimet ndaj Moldavisë e Ishujve Faroe na kanë kushtuar shumë, duke u pozicionuar tashmë në vendin 62-të të renditjes ose e thënë ndryshme kemi humbur 3 pozicione në tabelë, që nga përditësimi i fundit.

Në krahun tjetër, Kosova arriti të marrë 1 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, në 3 përballjet e nëntorit, respektivisht ndaj Izraelit, Zvicrës dhe Bjellorusisë, mirëpo humbja nuk është se ndikoi shumë, me “Dardanët” që janë ngjitur me plot 4 vende në renditjen e Kombëtareve.

A do zbardhë “nata” e Preç Zogajt? Shënime mbi romanin e fundit të shkrimtarit, botim i UET Press

Nga Namir Lapardhaja

Përpjekja e individit për të mbijetuar, e familjes për të mbajtur frymën gjallë, e periferisë për të shkuar drejt qendrës, pa e humbur identitetin, janë sfida të vazhdueshme të qenies me të cilat përballet çdo ditë.

Dallimi mes asaj që duhet dhe asaj që është, kuptohet kur e bukura nuk merr vlerë dhe rëndësi për atë që përfaqëson, por për atë që të tjerët duan të “përfaqësojë”, duke abuzuar dhe nëpërkëmbur, pa e vlerësuar si duhet.

E megjithatë, a ekziston një forcë brenda njeriut për t’i kapërcyer vështirësitë? A duhet të jetojë ai me pengjet e së shkuarës dhe a duhet ta formësojë identitetin duke u zvargur mes tymnajës së trillit dhe të thashethemit?

Mbi ç’parime dhe vlera duhet ndërtuar jeta? A shërben e bukura, e mira, e madhërishmja, për të shpëtuar shpirtërisht, apo thjesht do shërbejë për të ngopur epshet shtazarake të dikujt që është gjithmonë “aty” për të abuzuar?

A është njeriu i aftë për ta përballur vështirësinë e jetës, me të mirat dhe të këqiat e tij, apo ai është një qenie e dobët, shpeshherë viktimë e vetes, realitetit dhe rrethanave, dhe e ka të humbur që në nisje davanë për të ngadhënjyer mbi fatalitetin?

A është familja baza e ekzistencës shoqërore dhe, në momentin që ajo vihet në rrezik, a ngelet diçka tjetër ku njeriu të “nderë” arsyet e ekzistencës?

Mbi këto pyetje, sendërtohet materia përmbajtësore e romanit “Nata”.

Nëse do ta interpretojmë subjektin thjesht si një histori rozë apo një kronikë të zezë të një familje nga provinca, do ta ngushtonim shumë rëndësinë e asaj për të cilën Zogaj ka marrë përsipër të rrëfejë.

Ajo është më shumë se një kronikë, është më tepër se një histori, është më e rëndësishme për pyetjet që ngre dhe për dilemat që shtron, është tekst i ngritur mbi një shumësi leximesh dhe interpretimesh, dilemash të pazgjidhshme të brishtësisë, viktimizimit, pamundësisë për të kuptuar jetën, realitetin dhe të tjerët, të familjes së trancizionit të vështirë shqiptar.

Simbolika e natës që del në titull, na fton për të lexuar tekstin në thellësinë e tij dhe jo në sipërfaqe.

Është nata ajo që mbizotëron të tërë jetën e familjes së protagonistit të romanit, Afrim Malajt, të vajzave të tij, madje edhe të bashkëshortes, e cila, si për ironi të fatit, emrin e ka Lumturi, ndonëse nuk ka asnjë grimcë lumturie në jetën e saj.

Është natë kur Afrimi shkon në punë, duke e ndryshuar turnin vetëm për të shmangur përballjen gjatë qëndrimit në shtëpi ditën me të bijat.

Është natë kur ai vret vjazën e tij, Marjanën, njëzetvjeçare, ashtu sikurse është natë fundi i romanit, kur babai-vrasës jepet duke kryer dënimin në burgun e Peqinit dhe i shqetësuar përherë nga një ëndërr që e ndjek dhe nuk e lë të qetë.

Si një autor i sprovuar me të fshehtat dhe mjeshtëritë e rrëfimit, Preç Zogaj është treguar i matur, për ta dhënë gjithçka me masë, edhe kur përshkruan, edhe kur rrëfen, edhe kur i duhet të gatuajë trillin me realitetin e ashpër.

Personazhet e romanit “Nata” në tërësinë e tyre shfaqin një mori kompleksitetesh. Ata janë edhe protagonist edhe viktima, njëkohësisht, ashtu sikurse është dhe babai që kryen aktin e rëndë të bijëvrasjes.

Ndonëse që në prologun e faqes së parë na jepet me detaje ajo për të cilën do flitet në roman: “Javën e dytë të shtatorit të vitit dy mijë e tetëmbëdhjetë, rreth gjashtë muaj përpara se të vritej nga i ati, njëzetvjeçarja Marjana Malaj nisi punë për herë të parë në një zyrë kontakti në Kapraj…”, më pas nëpërmjet retrospektivës, kthimit prapa në kohë, një metodë e njohur kjo që në zanafillën e letërsisë së përbotshme, faqe pas faqeje, kapitull pas kapitulli, pjesë pas pjese, na jepet pazëlli i plotë i rrëfimit, si një mozaik i shpërndarë, por duke ruajtur boshtin dhe kohezionin e brendshëm strukturor dhe stilistik.

Romani “Nata” është në vazhdën e paraardhësit, “Anjeza nuk u zgjua”, sepse në të dy këto vepra të Preç Zogajt mbizotëron ideja se si mjedisi ushtron dhunë të gjithanshme mbi të bukurën, të hijshmen, të brishtën, femëroren.

Nëse te “Anjeza” ky mjedis dhe këto personazhe portretizohen me realizëm në diktaturë dhe në pamundësitë e saj, te “Nata” është “demokracia”, tranzicioni i tejzgjatur, ai që dhunon individualen, tashmë në mënyra të tjera, duke e tkurur dhe duke bërë të humbasë identitetin në turmën e mjegullt.

Me romanin “Nata” shkrimtari Preç Zogaj na tregoi edhe një herë se, përveçse një poet dhe lirik i mrekullueshme, që e kërkon, e mbron dhe e promovon të bukurën, të mirën, të magjishmen dhe sublimen, me të gjitha mënyrat, madje duke i kërkuar njerëzve të mos shkelin fort në tokën e shkurtit, ai është i aftë të na mbajë mbërthyer edhe pas një vepre voluminoze, nga faqja e parë deri në rreshtin e fundit, ku mbizotërojnë një shumësi përshkrimesh të hollësishme dhe detajesh të panumërta, me kureshtjen dhe me ndjenjën e katharsisit ndezur, ngjashëm si në tragjeditë antike, se drama që po ndodh përpara syve tanë, fatmirësisht, është larg nesh, ndaj duhet ta përfundojmë rreshtin e fundit për të shpëtuar dhe për t’u çliruar shpirtërisht./Liberale.al

Zjarri pranë azilit në Fier, të moshuarit rrëfejnë momentet e panikut: U asfiksova nga tymi, rashë në korridor

Pas zjarrit që përfshiu shtëpinë e të moshuarve në Fier, 50 të moshuar që jetojnë në këtë institucion, janë strehuar në spitalin rajonal të Fierit.

Ata vlerësojnë njëzëri përkujdesjen e stafit përgjatë gjithë natës teksa presin rikthimin në strehën e tyre.

Ndërkohë sipas shefit te pranim-urgjencës, doktor Blendi Dhespollari fillimisht në spital janë sjellë 16 banorë të shtëpisë së moshuarve, të cilët janë paraqitur me parametra jetike normale, pa probleme djegie, pa gjendje lipotimie, koshientë, por vetëm të frikësuar.

2 prej tyre janë futur në terapi si rrjedhojë e diagnozave kronike nga të cilat vuanin, astma bronkiale dhe krizë hipertensive.

Aktualisht janë të stabilizuara dhe të 50 banorët janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore, duke pritur rikthimin në godinën e tyre. Një e moshuar, tregoi momentet e panikut kur ra zjarri.

“U tremba. Kishte shumë tym, s’do dilja dot. Dua që të ikim nga këtu, të na rregullohet shtëpia jonë”, tha një e moshuar.

Ndërkohë, një tjetër i moshuar, nga shtrati i spitalit tregoi se kishte humbur ndjenjat në korridorin e azilit pasi ishte asfiksuar nga tymi.

“Gërdeci”/ Merren në pyetje dy dëshmitarët, ish drejtori i Logjistikës: Bërzhita e papërshtatshme për demontim

Lidhur me tragjedinë e Gërdecit, janë marrë në pyetje sot në procesin gjyqësor në GJKKO edhe dy dëshmitarë, Bardhyl Hoxha, ish-Drejtor Logjistike në Ministrinë e Mbrojtjes në 2008, dhe Sadik Sula, ish-ushtarak i cili ka punuar në këtë depo.

Në fillim nga prokurorët e çështjes u njoh nga një memo të përpiluar prej tij në dhjetor të 2006, ku i ishte kthyer një përgjigje nga drejtoria e logjistikës një fax-i të ardhur nga kompania amerikane, SAC. Ajo propozonte që demontimi i municioneve të bëhej në Bërzhitë.

Ndërkohë përgjigjia sipas drejtorisë logjistike i ishte kthyer në harkun kohor të 24-48 orëve, shkak sipas Hoxhës ishte që Bërzhita nuk ishte vend i përshtatshëm pasi ishte pranë banesave dhe rrugës kryesore si dhe depot nuk ishin të licensuara për te kryer këtë proces.

Në dëshmi Hoxha deklaroi se licencimi nuk ishte ndonjë akt u veçantë por merrej parasysh gjendja e depos, rrethimi me tela me gjemba dhe izolimi. Në këto kushte, Bërzhita i plotësonte këto kushte.

Të pranishëm kanë qenë Sokrat Papadhima, specialist, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai dhe një jurist. Nuk e di çfarë është bërë me Gërdecin sepse në atë periudhë u largova nga detyra, duke marrë një post tjetër. Kthimi i përgjigjes për 48 orë u bë pasi çështja e demontimit ishte me shumë rëndësi dhe i jepnim vëmendje çdo projekti dhe sugjerimi të mundshëm. Kishim 109 tonë municion që duhej asgjësuar.”

Sipas tij, ai nuk është pyetur kurrë për Gërdecin gjatë kohës që ka ushtruar këtë detyrë. I pyetur nga njëri prej avokatëve të Mediut, për raportin me këtë të fundit, Hoxha tha: “E veçoj nga Minisitrat e tjerë për korrektësinë”.

Më herët në GJKKO është marrë në pyetje edhe ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu, ku para trupës gjykuese ka shpjeguar pozicionin e tij, duke deklaruar ndër të tjera se i vinte keq se dorëheqjen e tij si ministër dhe më pas sjelljen dhe qëndrimin në lidhje me tragjedinë, sipas tij grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si akt dhe sjellje dobësie dhe si reflektim të një individi me faj. Ai thotë se për familjarët që humbën të afërmit në tragjedinë e Gërdecit “nuk kam çfarë të them t’ju shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga ngjarja e 15 Marsit.”

Piktori pejan Xhevdet Spahija çel ekspozitat në Shqipëri: Pikturat janë si fëmijët, gjithmonë je më i lidhur me më të voglin

Nëntori i 2023 e solli në Korçë, në galerinë “Guri Madhi” të bibliotekës së qytetit. Një kthim në retrospektivë, me pikturat ndër vite të ripërpunuara e të sjella me motive e frymëzime të reja. Figurat e mbërthyera nga historia, si Skënderbeu, Ismail Qemali e Nënë  Tereza, deri te kostumet kombëtare e krahinore, me figura të femrash të njohura e panjohura, disa të dala nga mitologjia, apo kushedi çfarë auresh të historisë dhe njerëzimit, me ngjyra dhe lëvizje që skërmitnin fantazinë e gjithsecilit, u shpërfaqën të gjitha në një ekspozitë të veçantë për artdashësit korçarë.

Autori ekspresionist tregon se kishte 5-6 vite që po mendonte hapjen e një ekspozite personale në këtë qytet, por në mungesë të kontakteve personale, ngjarja ishte shtyrë deri në këtë moment. E ku më mirë se për Festat e Nëntorit, të cilat preferon t’i kalojë në Shqipëri.

I lindur në Pejë, në atë që e cilëson si lagjja e artistëve, me figura të tilla si Shemsedin Kasapolli, Ruzhdi Cakolli e Zyhdi Cakolli, Bahri Drancolli, Xhevdet Spahija nuk iu nda kurrë artit dhe pikturës. Që pas momentit kur motra e tij, Besnike Spahija Alickaj, mësuese e artit figurative, spikati talentin e tij për pikturë, ai vijoi në qytetin e lindjes shkollën e mesme e më pas në Prishtinë u zhvendos për të ndjekur Akademinë e Arteve.

Prej 44-vitesh ka punuar si mësues në gjimnazin e Gjakovës “Hajdar Dushi”. Edhe pse në pension, sërish qëndron aktiv, punon e pikturon, duke shpërfaqur gjithmonë kreativitetin e tij, të ngërthyer jo vetëm me atdhedashurinë, por edhe me natyrën, të bukurën, femrën.

Kjo nuk është ekspozita e parë që Spahija e sjell në Shqipëri. “Ekspozitë në Tiranë kam pasur në vitin 2013, në Vlorë 2017 dhe në Gjirokastër në 2021. Por Tiranën s’do ta anashkaloj dhe do të hapë ekspozitë edhe atje”, tregon piktori, i cili do ta mbyllë 2023 e me dy ekspozita të tjera, në Lezhë dhe Librazhd.

Ai nuk është vetëm piktor portretesh, telajoja e tij shkel edhe mbi natyrën, nudizmin, edhe mbi abstraksionizmin. Ardhjet e shpeshta nëpërmjet ekspozitave e kanë njohur me ambientin dhe artistët në Shqipëri.

“Piktorë në Shqipëri ka shumë dhe shumë të mirë kryesisht pejzazhistë, ndërsa piktor të artit abstrakt dhe ekspresionist modernist njoh dhe vlerësoj Helidon Halitin, e në veçanti Gazmend  Lekën”, shprehet ai.

Punët e tij kanë udhëtuar për rreth 50 vite nëpër qytetet e Kosovës, Pejë, Gjakovë, Prishtinë, nëpër eskpozita kolektive e personale, por edhe kanë tejkaluar kufijtë e kombëtares e kanë udhëtuar drejt Polonisë, e Suedisë. Më e fundit ishte ekspozita personale në Zagreb të Koracisë, në 2022-in.

I pandalur në pasionin e tij, por jo aq i pandashëm për pikturat që krijon. “Pikturat janë si fëmijët, gjithmonë je më i lidhur me më të voglin fëmijë, pra me pikturat e krijuara më vonë”, shprehet ai.

BE cakton ambasadorin e saj të ri në Shqipëri, kush është diplomati me karrierë të spikatur

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell, njoftoi sot emrin e ambasadorit të ri të BE-së në Shqipëri. Ai është Silvio Gonzato, një emër i spikatur në diplomacinë europiane.

Ai ka shërbyer më parë si Zëvendës Ambasador i Delegacionit të BE-së në Kombet e Bashkuara në New York.

Gonzato ka shërbyer edhe si Drejtor për marrëdhëniet ndërinstitucionale, koordinimin e politikave dhe diplomacinë publike.

Siç konfirmohet nga BE-ja, ambasadori i ri në Shqipëri do të emërohet zyrtarisht më 1 dhjetor 2023.

Sociologu Ergys Mërtiri: Kisha Katolike ka të drejtë të dënojë mbrojtjen e krimeve të komunizmit, debati intelektual i sipërfaqshëm

Komenti i plotë i sociologut Ergys Mërtiri:

Pata nje perplasje surprizuese dje me Prof. Pellumb Xhufin mbi iluminizmin. Ne fakt, tema ishte per nje propozim te Kishes Katolike per nje ligj per denimin e apologjetikes mbi komunizmin, por nje pjese te mire te perballjes e mori iluminizmi, i cili u be objekt debati ne menyren me te papershtatshme per njerez qe merren me studime.

Me vjen keq te konstatoj se Prof. Xhufi, ashtu si pjesa derrmuese e intelektualeve te brezit qe ai perfaqeson, flet mbi keto tema ne menyre shume siperfaqesore, mbeshtetur ne klishe moderniste pa asnje vlere akademike. Ai e solli iluminizmin si gjykates, per te rrezuar argumentin tim se Kisha ka te drejte te ngreje shqetesime mbi shoqerine, dhe te beje propozime ndaj parlamentit per te rregulluar fenomene qe ajo i shikon si problematike. Sipas tij, kjo eshte e gabuar, pasi me kete Kisha shkel laicitetin e shtetit shqiptar, dhe argument shterrues per kete ishte se, laiciteti na vjen nga iluminizmi, i cili, sipas profesorit, nuk mund te kundershtohet.

Prof. Xhufi ne kete rast ngaterron konceptet si mbi laicitetin, si mbi Kishen dhe rolin e saj ne shoqeri, ashtu edhe mbi iluminizmin dhe pasojat e tij ne histori. Sipas tij, te jesh kunder iluminizmit do te thote te duash te rikthesh sistemin politik te mbreterise, dhe te mohosh parlamentarizmin si vlere qe pason prej ketyre pikepamjeve! Me nje fjale, te jesh kunder iluminizmit do te thote te jesh kunder demokracise, te drejtave te njeriut, njerezimit vete!

Sic edhe sqarova ne studio, mua nuk me impresionon fare iluminizmi sepse ajo eshte nje pikepamje filozofike si gjithe te tjerat qe eshte e kritikueshme, dhe nuk eshte Bibla apo Kurani, qe ta marrim apriori si reference vertetueshmerie. Ajo qe me surprizoi vertete ishte mungesa e thelle e predispozites se profesorit per te pranuar se iluminizmi eshte nje teori e kritikueshme. Ai nuk pranon faktin e thjeshte se kjo teori eshte kritikuar fort dhe seriozisht nga nje mase e madhe studiuesish, filozofesh, mendimtaresh, qe kur lindi e deri me sot, perfshi ketu edhe mendimtare te rendesishem te se majtes. Profesori reagoi sikur u prek Olipi.

Ne fakt i gjithe debati ishte pa sens dhe kjo edhe per faj te moderatoreve. Megjithese isha ne skype dhe kjo me vendoste automatikisht ne kushte te pafavorshme per te komunikuar me studion, megjithese isha ne minorance, duke qene i vetem perballe dy historianeve qe mbanin qendrime te njejta, fola vetem 6 minuta nga 35, te cilat edhe ato u detyrova ti kaloj duke u marre me nderprerjet e shumta dhe devijimet nga tema. Realisht nuk fola dot as 2 minuta. Sigurisht, jam mesuar me debate te pabalancuara, pasi kjo ndodh cdo dite, ne menyren me vulgare dhe te pacipe ne mediat shqiptare ku nuk diskutohet asgje seriozisht dhe normalisht. Por te pakten ne nje debat me pretendime te tjera intelektuale, kjo nuk duhet te ndodhte.

“Ju rikërkoj ndjesë të madhe”/ Dëshmia e Fatmir Mediut në gjyqin për “Gërdecin”: Më rëndon pesha e dhimbjes…

Është zbardhur dëshmia e ish-ministrit Fatmir Mediu në senacën e sotme gjyqësore për tragjedinë e Gërdecit.

Mediu u ka kërkuar falje familjarëve të viktimave, por nga ana tjetër ka mohuar përgjegjësinë për shpërthimi nqë u mori jetën 26 personave.

Ai është shprehur se tragjedia nuk u shkaktua nga veprimet apo mosveprimet e tij, por megjithatë, sipas tij ajo ngjarje i ka ndryshuar jetën pasi prej asaj dite, i rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së familjarëve.

“Që prej 15 Marsit të vitit 2008, jeta e disa prej njerëzve që janë sot në këtë sallë, ka ndryshuar rrënjësisht. Pas shpërthimit në Gërdec, shumë prej tyre përjetuan ngjarje të rënda, deri në humbjen tragjike të njerëzve të tyre të dashur. Kjo ngjarje tragjike ndryshoi gjithashtu jo pak jetën time dhe të familjes sime. Që prej asaj dite në mendjen dhe në shpirtin tim rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilëve përulësisht ju rikërkoj një ndjesë të madhe për çfarë ndodhi dhe ju shpreh gjithë keqardhjen time të thellë njerëzore.

Edhe pse, as me dashje dhe as nga pakujdesia, nuk janë veprimet, apo mosveprimet e mia, apo dhe interesi im personal, ato që shkaktuan, apo ndikuan në shpërthimin në Gërdec, përsëri si ministër i mbrojtjes, unë kam njohur dhe kam pranuar dje dhe pranoj sot përgjegjësinë time të plotë morale për çfarë ndodhi.Në reflektim të kësaj përgjegjësie, si dhe prej dhimbjes së madhe për jetët e humbura, unë dhashë dorëheqjen nga detyra e ministrit të mbrojtjes.

Jam i keqardhur që aktin e dorëheqjes time si ministër dhe më pas sjelljen dhe qëndrimin tim të përulur në lidhje me tragjedinë, grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si akt dhe sjellje dobësie dhe si reflektim të një individi me faj. Kam zgjedhur të jem i kursyer në shpjegimet e mia publike dhe të shmangë sa të mundem të flas për ngjarjen.

Me bindjen se shpjegimet dhe të vërtetat e mia rreth ngjarjes, për familjen Durdaj dhe të tjerët, jo vetëm nuk do të ishin një lehtësim i dhimbjes së tyre, por përkundrazi.

Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre. E për ta, shteti në këtë rast është Ministri.

Ndaj, kundrejt tyre unë nuk kam çfarë të them. Do desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, veçse t’ju shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit.

Veç familjarëve, kushdo tjetër ka detyrim moral, por kur është rasti edhe detyrim institucional, që vlerësimin dhe gjykimin për atë ngjarje ta bëjë bazuar vetëm në fakte. Mbi të gjitha ky detyrim është për prokurorinë dhe gjykatën, si dy institucione kompetente që vlerësojnë ligjërisht përgjegjësitë penale të individit.

Është plotësisht e qartë që rihapja e çështjes penale në ngarkimin tim dhe më shumë akoma vazhdimi i këtij gjykimi, është haptazi në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut.

Dua të besoj se nxitja për ta rihapur këtë çështje dhe për ta vazhduar gjykimin, nuk është politike dhe se ju nuk keni apo mbështesni interesa politike në këtë proces. Si prokuror dhe gjyqtar, është e qartë që juve nuk ju mungon aftësia profesionale dhe dija për ligjin penal e më gjerë. Ndaj mbetet të keni kurajo të respektoni strikt ligjin dhe vetëm ligjin”, ka deklaruar Mediu në sallën e gjyqit.