22.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Ironia e gazetarit: Me kaq shumë lapidarë dhe heronj, jemi mall kështu si jemi…

Nga Namir Lapardhaja

Me aq shumë lapidarë në fshatrat më të thella, në malet më të lartë, në kodrat më të gjera, ku asnjëherë nuk shkeli këmba e shqiptarit, e jo më e italianit dhe gjermanit; me aq shumë heronj e buste, në qendrat e fshatrave, në qoshet e qyteteve, në mesin e shesheve; me aq shumë dëshmorë, çdo dëshmor për metër katror dhe çdo një në tre shtëpi me nga një dëshmorë për derë; me aq shumë dekorata, çdo shtëpi dëshmori me nga tre dekorata për kokë, sidomos në periudha zgjedhore dhe fushata elektorale; me aq shumë ngjarje të pangjara, luftra të pandodhura, heroizma të pa qena, beteja të pabëra, fitore të pakorrura, përplasje të paparë dhe dëgjuar; me aq shumë parada e festime, përkujtime dhe parakalime; me aq shumë kinematografi, filma, kinostudio, libra, letërsi, romane, novela, poema dhe poezi; me aq shumë ndotje ideologjike, doktrinare dhe politike; me aq shumë robërim të mendjes, shpirtit dhe zemrës; me aq baltë e llumë kundër një shtrese të tërë pasanikësh dhe bejlerësh; me aq shumë urrejtje dhe neveri ndaj tjetrit, mikut, të afërmit, komshiut, jo të ngjashmit; me aq shumë përdorje nga politika dhe ideologjia; me aq shumë mungesa shpirtërore dhe të besimit; me aq shumë dhunë dhe përbaltje, ku çdo një në tre ishte spiun dhe vigjilent për të parë nga vrima e çelësit se çpo mendonte tjetri dhe se si mendimet e kokës ishin rrezik për ekzistencën e regjimit…, jemi mirë dhe kaq, jemi mall dhe kështu si dhe sa jemi, jemi të lumtur, sepse mund të ishim edhe më keq, edhe më rëndë, mund të shkonim edhe më lart, edhe më larg, edhe më thellë; …sot do flisnim ndonjë gjuhë aziatike apo afrikane, ose mund të mos ekzistonim fare.

PROFIL/ Gruaja e Sunak më e pasur se familja mbretërore britanike, pse babai i saj pranoi martesën me djalin brilant dhe të sinqertë

Pasuria e çiftit Sunak arrin në 850 milionë euro, dyfishi i mbretit Charles. Pjesa më e madhe i përket gruas së tij, Akshata Murty.

Akshata Murty, 43, zotëron aksione me vlerë 1 miliard dollarë në Infosys, gjiganti indian i teknologjisë i bashkëthemeluar nga babai i saj N.R. Narayana Murthy në vitin 1981 dhe sot vlerësohet të jetë 100 miliardë dollarë. Kjo pasuri është më e madhe se ajo e mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II, e cila arriti në rreth 350 milionë paund (420 milionë euro), sipas gazetës britanike “The Sunday Times”.

Akshata u rrit në qytetin e Bangalore me babanë e saj dhe nën edukimin e rreptë të nënës së saj Sudha Murty, gruaja e parë që u emërua si inxhiniere në grupin e automobilave Tata Motors. Akshata dhe vëllai i saj Rohan ishin ndaluar të shikonin TV në shtëpi dhe duhej të shkonin në këmbë në shkollë, ndryshe nga fëmijët e tjerë me të njëjtin prejardhje ekonomike që shkonin me karrocën e njohur indiane me dy ose tre rrota, e njohur gjithashtu si rickshaw.

Akshata ka lindur më 25 prill 1980. Ajo i kaloi vitet e para duke jetuar me gjyshërit e saj, pasi prindërit e saj, N.R. Narayana Murthy dhe Sudha Murty, e kuptuan shpejt se kujdesi për një foshnjë nuk mund të kombinohej me karrierën e tyre. Revista People përcjell edhe deklaratën e babait të saj që justifikon këtë zgjedhje. “Dy muaj pasi keni lindur në Hubli, ju sollëm në Mumbai, por shumë shpejt zbuluam se ishte një detyrë e vështirë të rrisje një fëmijë dhe të menaxhoje karrierën në të njëjtën kohë. Kështu, ne vendosëm që ju t’i kalonit vitet e para të jetës me gjyshërit tuaj në Hubli,” i shkroi Murthy vajzës së tij.

Sot, 73 vjeçare, Sudha Murty, e cila nga disa konsiderohet si “gjyshja e preferuar e Indisë” dhe është gjithashtu një autore pjellore, ka kontribuar në krijimin e 60,000 bibliotekave në vend.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, Akshata ndoqi studimet e larta në SHBA. Fillimisht ajo studioi ekonomi dhe frëngjisht në Kolegjin Claremont McKenna në Claremont, Kaliforni. Në vitin 2002, ajo shkoi në Universitetin e Stanfordit për të fituar një M.B.A. dhe u diplomua nga programi në vitin 2006. Më vonë studioi në Institutin e Modës së Dizajnit & Merchandising në Los Angeles, ku mori një diplomë Bachelor në Menaxhimin e Industrisë së Veshmbathjes në 2013. Sipas revistës “Tatler”, Akshata – një adhuruese e luksit të qetë – fitoi titullin e gruas së veshur më mirë në Britani për vitin 2023.

Takimi me Sunak

Akshata Murty dhe Rishi Sunak u takuan në Universitetin prestigjioz Stanford në Kaliforni, ku të dy po studionin për Master në Administrim Biznesi. Ai, me prejardhje “të përulur”, studioi me bursë. Në një shoqëri me pabarazi të thella, si ajo e Indisë, babai i Akshata ishte i magjepsur nga personaliteti i të riut, djalit të një mjeku nga Southampton, Anglia Jugore. Kështu ai e miratoi martesën me këtë “djalosh brilant, të pashëm dhe mbi të gjitha të sinqertë”. Një dasmë që mblodhi një mijë të ftuar nga bota e biznesit, politikës, medias, sportit etj.

Akshata Murty krijoi kompaninë e saj të modës në vitin 2010, Akshata Designs, përpara se të bëhej drejtoreshë e firmës së investimeve Catamaran Ventures, të cilën e themeloi me bashkëshortin e saj, në vitin 2013. Ndërkohë, gruaja e kryeministrit të Britanisë së Madhe shprehet se mbetet e përkushtuar për kontributin social përmes punës bamirëse dhe donacioneve bujare për të mbështetur sipërmarrësit e rinj. Në prill 2022, pas një zhurme për evazionin e saj fiskal në Mbretërinë e Bashkuar, ajo zgjodhi të paguante tatimin mbi të ardhurat e saj në mbarë botën.

“Është bërë e qartë se shumë nuk e konsiderojnë qëndrimin jo të përhershëm, në përputhje me rolin e bashkëshortit tim si kryeministër. Unë e kuptoj dhe vlerësoj ndjenjën britanike të drejtësisë dhe nuk dëshiroj që statusi im tatimor të prekë familjen time”, shkroi Murty në një deklaratë në Twitter.

Ajo vazhdoi: “Vendimi im për të paguar tatimin në Mbretërinë e Bashkuar mbi të ardhurat e mia mbarëbotërore nuk do të ndryshojë faktin që India mbetet vendi im i lindjes, shtetësisë, vendbanimit të prindërve të mi dhe vendbanimit tim. Por unë gjithashtu e dua Britaninë e Madhe. Gjatë kohës sime këtu kam investuar në bizneset britanike dhe kam mbështetur kauzat britanike. Vajzat e mia janë britanike. Jam shumë krenar që jam këtu”.
Çifti ka dy vajza, Anushka dhe Krishna, ndërsa vendbanimi i tyre i përhershëm është në Kensington, Londër.

Paloka sulmon Bashën që në pikë të mëngjesit, Gentian Gaba i nxjerr foton me Agaçin: Revolucioni marshon me “engjëjt” e Ramës

Anëtari i kryesisë së PD, Gentian Gaba, ka reaguar pas sulmeve të Edi Palokës ndaj ish-shefit të tij Lulzim Basha, (Për takimet e tij me qytetarët në Vlorë, duke e akuzuar si bashkëpunëtorë të Ramës), këtë mëngjes.

Gaba nëpërmjet një shënimi në FB shkruan se Revolucioni do ushqim edhe bajat për të mbajtur edhe ata pak ndjekës që i kanë mbetur në betejën me SPAK.

Reagimi i plotë:

29 nëntor, mëngjes, ish-nënkryetari i Lulzim Bashës, pës 8 vite, Edi Paloka, gdhihet i frymëzuar për të sulmuar ish-shefin e tij, që për vite e mbante në piedestal, duke ndejtur me thupër në dorë ndaj kujtdo që e sulmonte.

Por tani, kohët janë të liga, revolucioni kundër ShBA-së dhe SPAK-ut, ka nevojë për benzinë, duke kultivuar urrejtje dhe armiq. Duhet luftë permanente. Ushqehet me gjuhën e urrejtjes, me gjysmë të vërteta, me hipokrizi dhe mohim të realitetit.

Por, të përdorësh epitetet e Palokës e të bësh politikë me stilin e tij është shumë e thjeshtë, mjafton të gërthasësh ndaj kujtdo e çfarëdo, sipas interesit të momentit, pa u nxirë, me sa është thënë e bërë më parë. Të bësh politikë si Paloka është të kapësh një foto të tij me Ëngjëll Agaçin (Don Agaçio sipas Berishës, me konotacion mafioz) të shkrepur kushedi se kur e ku, e të thuash me lehtësi fëminore siç bëjnë ata, “ja i shitur tek Edvin Kristaq Rama”. Por kjo nuk është politikë, prandaj dhe Paloka me shokë, janë mbledhur si elefantë në banesën e tyre të fundit, në pritje të këngës së mjelmës së revolucionit të riciklimit.

Nëse Paloka do të ishte ende në politikë, do të përpiqej t’u fliste qytetarëve, për alternativën, për kundër modelin, për mbështetjen e drejtësisë dhe forcimin e marrëdhenieve me SHBA, si partnerë për të fuqizuar kërkesat e opozitës. Por Paloka nuk e bën dot këtë, sepse shefi i Palokës nuk kërkon fitore të opozitës, por mbijetesë dhe monopol në opozitë. Ndaj sulmet, edhe kur nuk i sulmon njeri, i kanë ndaj Bashës, sepse me Ramën dhe “engjëjt” e tij ndajnë shfaqjen e përditshme në mbrojtje të status quo-së…

Halli personal i Berishës me drejtësinë dhe dhuna në Kuvend

Nga Blendi Kajsiu

Është shumë e lehtë sot të injorohet dhunimi i opozitës në parlamentin shqiptar. Halli personal që Berisha ka me drejtësinë bashkë me flakët që ndez berishizmi në kuvend e kanë eklipsuar thelbin e dramës që po ndodh sot në parlamentin shqiptar; mohimi anti-kushtetues dhe anti-demokratik që shumica socialiste po i bën ngritjes së komisioneve hetimore të opozitës.

Kjo shkelje flagrante e demokracisë nga shumica socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama injorohet rëndom në mediat tona që merren thjesht me hallin e Berishës apo me përçarjen e opozitës. Janë të shumtë analistët që e shohin me skepticizëm zhurmën opozitare në parlament thjesht si një përpjekje e Berishës për të destabilizuar politikën shqiptare, për ti bërë presion SPAK-ut dhe komunitetit ndërkombëtar.

Por interesat apo hipokrizia e Berishës nuk mund dhe nuk duhet të përdoren si pretekst për të justifikuar dhunimin e demokracisë nga Rama. E drejta kushtetuese e opozitës për të ngritur komisione hetimore nuk kufizohet as nga qëllimet dhe as nga biografia e eksponentëve të saj. Sado hipokrite qofshin qëllimet e Berishës apo të berishizmit, e drejta e tyre për të ngritur komisione hetimore nuk mund të dhunohet pa dhunuar vetë demokracinë.

Ndaj është shqetësuese vëmendja që mediat tona i kushtojnë cirkut Berisha, teksa injorojnë argumentat sa anti-kushtetuese, aq edhe absurde të kryeministrit Rama kundër ngritjes së komisioneve hetimore nga opozita.

Në daljen e tij të fundit përballë mediave kryeministri argumentoi se komisionet hetimore nuk mund të ngrihen në mënyrë automatike nga 25% e deputetëve, sikurse e përcakton qartë Kushtetuta. Ai u ankua se Shqipëria ka pasur tepër komisione hetimore dhe se ato nuk kanë qenë të suksesshme. Dhe së fundi, “argumentoi” se komisioni hetimor nuk mund të ngrihet mbi thashetheme që i ke prodhuar ti vetë (shiko https://www.kryeministria.al/newsroom/konference-per-shtyp-e-kryeministrit-edi-rama-2/ ).

Le të lëmë mënjanë për momentin paradoksin e vlerësimit të legjislativit nga kreu i ekzekutivit kur detyra e legjislativit është kontrolli i ekzekutivit. A priori duhet të jemi skeptik kur ekzekutivi fillon dhe ankohet se legjislativi nuk po e kontrollon atë siç duhet. Por le të merremi me argumentet e zotit Rama kundër ngritjes së komisioneve hetimore nga opozita.

Argumenti se komisionet hetimore nuk ngrihen “sepse një numër i caktuar firmëtarësh iu teket të ngrenë komision hetimor” është qartësisht i pavërtetë, sepse Kushtetuta në nenin 77 e përcaktion qartë se kjo është një e drejtë automatike e 25% të antarëve të Parlamentit. Natyrisht që firmëtarët duhet të respektojnë procedurën për mbledhjen e firmave, duhet të kenë një objekt të qartë hetimi dhe komisioni duhet të respektojë Kushtetutën.

Pa dyshim që është e mundur të ngrihen komisione hetimore që me, apo pa, qëllim dhunojnë dispozitat kushtetuese. Për shembull një komsion hetimor që shkarkon kreun e shtetit apo të gjygjësorit. Pra ekziston mundësia që të ngrihen edhe komisione hetimore anti-kushtetuese, sikurse argumenton kryeministri Rama, sidomos nga mazhoranca.

Ama tagrin për të vendosur nëse komsioni është anti-kushtetues apo jo nuk e ka shumica parlamentare dhe aq më pak kryeministri. Në shumicën dërrmiese të rasteve është Gjykata Kushtetuese ajo që vendos nëse një komision hetimor është kushtetues apo jo. Detyra e Parlamentit është të ngrejë komsionin hetimor jo të gjykojë mbi kushtetueshmërinë e tij.

Nëse shumica apo ekzekutivi mendon se një komision hetimor është ani-kushtetues nuk mund të bllokojë ngritjen e tij por të ankohet në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm kjo e fundit vendos mbi kushtetueshmërinë ose jo të një komisioni hetimor. Përndryshe shumica mund të bllokojë çdo komision hetimor me justifikimin se është anti-kushtetues, sidomos kur këtë përcaktim e bën me votë shumica parlamentare dhe kryetari i saj në ekzekutiv.

Për këtë arësye argumenti i kryeministrit Rama se nuk pranojmë ngritjen e komisioneve hetimore sepse mund të bien ndesh me Kushtetutën është pa themel. Ky merak i kryeministrit për kushtetueshmërinë e komisioneve hetimore në fakt reflekton tendencën autoritare të qeverisjes ku ekzekutivi kryen edhe rolin e legjislativit edhe rolin e drejtësisë më shumë se një problem të demokracisë shqiptare.

Nga moria e komisioneve hetimore të ngritura në tre dekadad e demokracisë shqiptare është vështirë të gjesh ndonjë që ka rezultuar anti-kushtetues, sidomos të ngritur nga opozita. Pra nuk kemi të bëjmë me një problem akut që kërkon zgjidhje, por me një zgjidhje kryeministrore që kërkon problemin. Zgjidhja që ofron kryeministri Rama për të përmirësuar kushtetueshmërinë e komisioneve hetimore të ngrituar nga opozita ofrohet për një problem që nuk ekziston: anti-kushtetueshmëria e komisioneve hetimore opozitare.

Kjo është mëse e qartë në rastin konkret të kërkesave të opozitës për komisione hetimore. Është shumë e vështirë të argumentohet se janë anti-kushtetuese kërkesat e opozitës për një komision hetimor mbi çështjen e Portit të Durrësit, mbi skandalin e sterilizimeve, apo mbi zbatimin e ligjit të investitorëve strategjik. Nëse parlamenti nuk mund të hetojë dhe kontrollojë tjetërsimin e pronës publike nga ana e Ekzekutivit, atëherë për çfarë shërben opozita në Parlament?

Përveç merakut të kushtetueshmërisë së komisioneve hetimore kryministri Rama shprehu edhe një tjetër merak. “Nuk mund të ngresh komisione hetimore bazuar në thashetheme që i ke përhapur vetë” – u shpreh ai përpara gazetarëve. Është shumë ta quash një deklaratë të tillë argument. Fatkeqësisht ky është niveli i argumentimit të kryeministrit tonë edhe pse kurrë nuk është shquar për mungesë inteligjence.

Pa i hyrë debatit se çfarë është dhe si përkufizohet një thashethem, asnjë nga kërkesat e opozitës për komisione hetimore, të pranuara dhe refuzuara nga shumica socialiste, nuk kanë të bëjnë me thashetheme. As komisioni hetimor mbi inceneratorët, as kërkesa për komision hetimor për Portin e Durrësit, as kërkesa për komision hetimor mbi investitorët strategjik dhe as kërkesa për komision hetimor për çështjen McGonigal nuk bazohen mbi thashetheme.

Përkundrazi hetimi i çështjes së investimit tek porti i Durrësit është i domosdoshëm nga ana e opozitës po të kemi parasysh që bëhet fjalë për asetin më stretgjik të vendit që jepet në një nga kontratat më sekrete dhe më pak transparente të bëra nga ekzekutivi. Po kështu edhe çështja e investitorëve strategjik nuk është thashethem por një shqetësim real i mediave dhe opinionit publik, sidomos kur investitorët strategjik janë familjarë të ministrave apo parlamentarëve të shumicës.

Aq më pak ishte thashethem çështja e inceneratorëve që sikurse e provoi edhe SPAK ishte një rast ekzemplar i korrupsionit në qeverisjen Rama. Komisioni i inceneratorëve jo vetëm nuk u ngrit mbi një thashethem, por ndihmoi në zbardhjen e çështjes së inceneratorëve dhe në informimin e opinionit publik. Prodhoi edhe rekomandime për të evituar përsëritjen e episodeve të tilla korruptive.

Ndaj është i pasaktë vlerësimi i kryeminsitrit Rama se “është koha të rishikojmë ligjin për komisionet hetimore… duke marrë parasysh edhe dështimet e panumërta të komisioneve hetimore në gjithë këto vite.” Komisioni hetimor për inceneratorët ishte një sukses për demokracinë shqiptare, të paktën nga pikpamja e zërave opozitarë. Nuk është rastësi fakti që pikërisht pas këtij komisioni shumica socialiste ka bllokuar çdo përpjekje të opozitës për ngritjen e komisioneve të tjera hetimore.

Natyrisht që kryeministri nuk ka përse të jetë dakord me vlerësim e mësipërm. Ai mund të argumentojë se nga pikëpamja e tij komisionet hetimore kanë dështuar. Problemi është se opinioni i kreut të ekzekutivit është standarti më subjektiv dhe më i pabesueshëm në vlerësimin e komisioneve hetimore të opozitës. Nuk ka pikë llogjike që vlerësimi i komisioneve hetimore të opozitës të bëhet nga kryetari i ekzekutivit veprimatria e të cilit është në fokusin e këtyre komisioneve.

Kreu i ekzekutivit nuk ka asnjë interes politik që komisionet hetimore të opozitës të kenë sukses. Nëse dështon një komision hetimor kosto politike është e opozitës dhe jo e pushtetit. Ndaj tingëllojnë sa absurde aq edhe të pasinqerta shqetësimet e kryeministrit Rama se komisionet hetimore të opozitës nuk paskërkan pasur sukses apo se Shqipëria paskërka ngritur më shumë komisione hetimore se fqinjët.

Sa është numri perfekt i komisioneve hetimore që duhet të ketë demokracia shqiptare? Një, dy apo tre komisione hetimore në vit? Përgjigja ndaj kësaj pyetje është po aq absurde sa edhe vetë pyetja, pasi ky numër nuk ekziston. Është akoma më qesharake kur pëgjigjen kësaj pyetje ia jep kryeministri qeveria e të cilit hetohet nga komisionet hetimore të opozitës.

Po të gjykojmë nga bllokimi që shumica socialiste i ka bërë komisioneve parlamentare vitin e fundit i bie që numri ideal i komisioneve hetimore në vit është zero. Në vitin 2023 janë ngritur zero komisione hetimore nga opozita. Kryeministri Rama është në të drejtën e tij të mendojë se parlamenti shqiptar ngre më shumë komisione hetimore secç duhet. Ama është absurde të argumentosh se numri i komisioneve hetimore në vit duhet reduktuar në zero, sikurse tregon praktika e shumicës socialiste sot.

Aq më tepër kur refuzimi i komisioneve hetimore të opozitës justifikohet me argumentin e lodhur të shumicës socialiste se nuk do ngrenë komisione hetimore deri sa të kenë ligjin e ri dhe rregulloren e re. Imagjinoni për një moment që ju merrni në telefon policinë, sepse jeni dëshmitar i një vjedhje, dhe nga ana tjetër e telefonit ju përgjigjen se nuk mund të ndërhyjnë për momentin sepse po presim ligjin e ri për policinë.

Nuk është e nevojëshme të jesh jurist apo me shumë tru për të kuptuar se derisa nuk është aprovuar ligji i ri operohet me ligjin e vjetër. Ndaj argumenti i shumicës socialiste se po presim daljen e ligjit të ri nuk ka sens. Aq më tepër kur prodhimi i këtij super ligji është marrë përsipër nga kreu i ekzekutivit që ankohet para gazetarëve se në Shqipëri komisionet hetimore të opozitës kanë dështuar.

Pa dyshim që shqetësimin kryeministrit me dështimin e opoztës nuk është pa bazë. Opozita berishiste është tërësisht e pabesueshmë ndërsa opozita bashiste fle gjumë. Është e vërtetë gjithashtu se qeveria aktuale e zotit Rama është llërë-përveshur dhe bën çdo punë që i del përpara. Ama kur shumica merr përsipër punën e opozitës, duke përcaktuar si, sa dhe kur, duhet hetuar ekzekutivi, demokracia është në rrezik.

Ilir Meta “braktis” Berishën dhe “ndjek” Ramën/ Ish-presidenti homazhe në Varrezat e Dëshmorëve

Ndryshe nga aleati i tij politik, Sali Berisha që Ditën e Çlirimit e feston më 28 nëntor, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka zgjedhur që sot të kryejë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.

Ish-presidenti, ishoqëruar me anëtarë të tjerë të Partisë së Lirisë, ka vendosur kurora me lule në monumentin “Nëna Shqipëri”.

Ditën e sotme politika e feston të ndarë, pasi debati mbi largimin e ‘Gjermanit të fundit’ nga Shqipëria e vitit 1994 është ende i hapur, duke ndarë të dyja palët në festimin e Ditës së Çlirimit të vendit. E djathta feston 28 nëntorin si ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit, ndërsa 29 nëntori është festë vetëm për të majtën.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë. Prej 7 prillit të vitit 1939 Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.

Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë

Si u shkëput ekonomikisht Shqipëria nga Perandoria Osmane, aktet pak të njohura të Ismail Qemalit

Ngritja e flamurit me 28 nëntor 1912 ishte akti kryesor simbolik i ndarjes së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Por ky akt, do të shoqërohej nga një serë masash të tjera, të ndërmarrë herë në koordinim ndërkombëtar e herë në mënyrë të njëanshme, për të krijuar shkëputjen e vendit të pavarur, nga Perandoria në të cilën kishte bërë pjesë për 5 shekuj.

Si u shkëput ekonomikisht Shqipëria nga Perandoria Osmane, aktet pak

Ndarja e ushtarëve shqiptarë nga ata osmanë

Pas zgjedhjes së kabinetit qeveritar, një nga hapat më të parë do të ishte krijimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë së pavarur. Në fund të vitit 1912, në Shqipëri ndodheshin garnizone të shumta të ushtrisë osmane. Menjeherë pas shpalljes së Pavarësisë, ushtarët shqiptarë të këtyre garnizonëve braktisën uniformën e tyre osmane dhe iu drejtuan Vlorës për t’u vënë në shërbim të qeverisë së re.

Uniforma e re e tyre u sigurua nga italianët ndërsa riorganizimi do të asistohej nga gjenerali holandez, De Veer. Po ashtu, pjesë e forcave të armatosura të qeverisë së re do të bëheshin edhe shqiptarët e ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Forcat e reja të armatosura do të merrnin nën kontroll armatimet që qeveria osmane kishte në Berat, duke iu shtuar atyre edhe disa armatime që erdhën nga Italia. Në këtë mënyrë, Shqipëria krijoi ushtrinë e parë të saj.

Si u shkëput ekonomikisht Shqipëria nga Perandoria Osmane, aktet pak

Gjuha shqipe, gjuhë zyrtare e administratës së shtetit

Pas formimit të Qeverisë dhe të drejtorive të rëndësishme, një akt tjetër i ndërmarrë nga Ismail Qemali ishte që gjuha shqipe të ishte gjuha zyrtare për çdo nëpunës, duke i dhënë fund përdorimit të osmanishtes në zyrat e shtetit. Çdo nëpunës i shtetit shqiptar duhej të zotëronte gjuhën shqipe, në shkrim dhe lexim në mënyrë që të vijonte punën.

Për këtë qëllim, të gjithë nëpunësit iu nënshtruan testit për njohuritë e tyre. Për ata që nuk kaluan testin, vendimi parashikonte një mundësi të dytë për të mësuar gjuhën shqipe në mënyrë që të vijonin me ushtrimin e detyrës

“Shtetëzimi” i pronave të Perandorisë Osmane në Shqipëri

Një nga hapat më dinamike të qeverisë së Vlorës do të ishte vendosja nën kontroll e pronave. Me shpalljen e Pavarësisë shteti i ri shqiptar nuk i preku çifligjet apo pronat e mëdha private dhe as vakëfet. Në vitin 1912 ato zinin një sipërfaqe prej 210 mijë hektarësh ose 55 % të tokës së punueshme të vendit.

Ato mbeten në duart e pronarëve të mëparshëm. Por një masë e rëndësishme ishte kalimi në duart e saj, i çifligjeve shtetërore që ishin pronë e Perandorisë Osmane. Çifligjet e Perandorisë Osmane që i kaluan shteti shqiptar zinin një sipërfaqe 56 mijë hektarë dhe shtriheshin përgjatë Ultësirës Perëndimore të vendit, kryesisht në Myzeqe, Elbasan, Kavajë etj.

Në këtë mënyrë, duke shtetëzuar tokat e Perandorisë, shteti shqiptar u bë zotëruesi më i madh i pronave. Nga ana tjetër, mes dy vendeve do të krijohej një ngërç sa i përket pronave të shqiptarëve në Turqi dhe pronave të shtetasve turq në Shqipëri. Gjatë periudhës së regjimit komunist, do të ngrihej një zyrë e posaçme që do të ndiqte trashëgimitë e shtetasve shqiptarë në Turqi.

Mbyllja e Bankës Agrare Osmane

Një ndër masat e menjëhershme të qeverisë së Ismail Qemalit për t’u shkëputur nga sistemi osman ishte likujdimi i Bankës Bujqësore Osmane që kishte degët e saj në Shqipëri. Perandoria Osmane ishte një perandori ku modeli ekonomik ishte i bazuar te bujqësia e blegtoria e ku shkëmbimet ende bëheshin me mallra e ku taksat paguheshin, po me mallra.

Në këtë kontekst ekonomik, roli i kësaj banke kishte marrë rol të madh në Shqipëri. Si rrjedhojë e vendimit të qeverisë së Ismail Qemalit u mbyllën degët e saj në Leskovik, Gjirokastër, Berat, Vlorë, Delvinë, Përmet e Tepelenë.

Kjo ishte një bankë që merrej kryesisht me kreditimin e bujqësisë, hua afatshkurtëra dhe shitblerje pronash. Me rastin e likujdimit, të gjithë punonjësit e kësaj banke në Shqipëri u urdhëruan që të deklaronin me saktësi dhe me detaje llogaritë e tyre dhe të bënin transferimet në strukturën e re që zotërohej nga shteti i ri shqiptar.

Me likujdimin e Bankës Bujqësore Osmane, të gjithë degët dhe arkat e saj kaluan në varësi të ministrisë së Bujqësisë që asokohe varej nga Pandeli Cale.

Ngritja e Bankës Kombëtare, akti i dytë pas ngritjes së Flamurit

Pas mbylljes së bankave osmane, u ndërmor hapi i ngritjes së bankës së parë shqiptare që u cilësua edhe si akti i dytë më i rëndësishëm i Pavarësisë, pas atij të ngritjes së flamurit. Akti i koncesionit u nënshkrua në tetorin e vitit 1913 nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e bankave italiane dhe austriake.

Firmëtarët ishin Baroni Karol Piter dhe Oskar Pollak, në emër të “Wienner Bank Verein” dhe Pietro Fenoglio e Guido Ansbacher, në emër të “Banka Commerciale Italiana”. Vendimi përcaktonte se Banka Kombëtare e Shqipërisë do të ishte do të ishte i vetmi agjent financiar i qeverisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, veprimtaria e bankës u kufizua vetëm në një transaksion bankar duke mos mundur të realizonte misionin e emetimit të kartëmonedhës apo të kreditimit të ekonomisë.

Si u shkëput ekonomikisht Shqipëria nga Perandoria Osmane, aktet pak

Bllokimi i detyrimeve ndaj “Dette Publique Ottomane”

Qeveria e Ismail Qemalit ndodhej, jo vetëm para një shtetit të ri që lindte i rrënuar ekonomikisht por edhe përballë disa nevojave emergjente siç ishte financimi i aktivitetit të saj por edhe sigurimi i ushqimit për qindra emigrantë që ishin instaluar në Vlorë. Në këto kushte, qeveria merr vendim që të vinte nën kontroll taksat dhe çdo të ardhur që deri në atë kohë shkonte në arkën e qeverisë së Perandorisë Osmane e të kreditorëve të saj.

E një prej këtyre vendimeve ishte që çdo e ardhur nga doganat dhe taksat të mos paguheshin më për llogari të Perandorisë Osmane por për llogari të qeverisë së Shqipërisë. Një akt jo pak delikat diplomatikisht ishte vendosja nën kontroll e të ardhurave që mblidheshin për të shlyer borxhin publik osman. Administrata e Borxhit Publik Osman ishte krijuar vite më parë për të shlyer borxhet që shteti osman u kishte bankave europiane.

Borxhet ishin marrë në kohën e sulltan Azisit për të realizuar disa projekte publike e mospagimi i tyre kishte sjellë krijimin e administratës ndërkombëtare që menaxhonte të ardhurat nga monopolet e kripës, duhanit e peshkut etj në të gjitha vendet që ishin pjesë e Perandorisë Osmane.

Në Shqipëri, të ardhurat kryesore për shlyerjen e këtij borxhi siguroheshin nga Administrata e Kripores së Vlorës.

Menjëherë qeveria e Ismail Qemalit ndryshoi drejtorin e Administratës dhe ndërpreu dërgimin e parave në buxhetin e qeverisë osmane, e cila më pas një pjesë e paguante si shlyerje detyrimi ndaj kreditorëve europiane. Ky hap i njëanshëm i Ismail Qemalit do të sillte reagim diplomatik nga ana e Italisë dhe Austro-Hungarisë por do të përbënte nga ana tjetër një të ardhur të konsiderueshme për të financuar aktivitetin e qeverisë dhe përballimin e emergjencave.

Në këtë rast, Ismail Qemali përdori të njëjti precedent që kishte përdorur Kreta me borxhin osman. 10 vite më vonë, në Konferencën e Lozanës, kur u diskutua borxhi publik osman, përfaqësuesit e Shqipërisë do të përdornin në mbrojtje, të njëjtin arsyetim që kishte përdorur Ismail Qemali.

Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore do të bënte që Shqipëria të kalonte në administrimin e ushtrive të huaja e si rrjedhojë deri në vitet ’20 nuk do të kishte më diskutime për çështje të borxhit osman, edhe pse gjatë kësaj periudhe sistemi i taksave dhe disa privilegje vijonin të ushtroheshin si në periudhën kur vendi ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Procesi i riorganizimit shtëtëror shqiptar pas Luftës së parë Botërore do të përkonte me shpërbërjen terësore të Perandorisë Osmane e me lindjen e shteteve të reja. E në këto kushte do të ridiskutohej borxhi që perandoria nuk kishte paguar ende ndaj kreditorëve europianë.

Diskutimet për këtë çështje do të nisnin në fundin e vitit 1922 në Lozanë të Zvicrës e do të zgjasnin deri në mesin e vitit 1923 kur do të arrihej marrëveshja.

Diskutimet fillestare ishte që borxhi të ndahej në proporcion mes shteteve të krijuara nga shpërbërja e Perandorisë.

Por pala shqiptare argumentoi se insvestimet që kishte bërë Perandoria Osmane në Shqipëri ishin në shproporcion me atë që kishte siguruar nga të ardhurat që kishte mbledhur.

Në këtë mënyrë, vendimi i Ismail Qemalit rezultoi i drejtë 10 vite më vonë. Si rrjedhojë, Shqipëria doli nga shpërbërja e Perandorisë Osmane pa pasur asnjë borxh të prapambetur.

Si u shkëput ekonomikisht Shqipëria nga Perandoria Osmane, aktet pak

Ndërprerja e taksave për buxhetin osman

Sa i përket sistemit fiskal, Ismail Qemali nuk do të ndërmerrte ndërhyrje thelbësore për ndryshimin e tyre. Përjashtim do të bënte një taksë lufte që ishte vendosur mbi kripën nga Perandoria Osmane, të cilët do të hiqte.

Po ashtu, një taksë tjetër që do të ndryshonte do të ishte ajo për duhanin e importit, të cilin e rriti me argumentin që të mbështeste prodhimin vendas të tij. Nga ana tjetër, qeveria e re vendosi nën kontroll të ardhurat që mblidheshin nga çdo taksë duke financuar në këtë mënyrë buxhetin e tij e duke ndërprerë derdhjen e tyre për llogari të qeverisë osmane.

Po ashtu, të njëjtin hap ndërmori edhe me të ardhurat nga doganat. Administrata doganore u riorganizua, edhe pse e kufizuar vetëm në doganën e Vlorës dhe të Durrësit. Edhe për doganat u vijua të zbatohej i njëjti legjislacion që përdorej gjatë Perëndorisë Osmane, por iu kushtua rëndësi mbledhjes së tyre dhe luftës kundër korrupsionit dhe abuzimeve që bënin funksionarët osmane. Brenda dy muajve, edhe falë drejtorit Spiro Koleka, administrata doganore e Vlorës arriti të siguronte 7400 lira, nga 4200 që kishte arritur administrata osmane që të siguronte për 1 vit. Të njëjtën praktikë të vendosjes së kontrollit, qeveria e aplikoi edhe të vakëfet nga të cilat siguroi të ardhura shtesë.

Refuzimi i koncesioneve osmane

Një hap tjetër i ndarjes administrative mes Shqipërisë dhe Perandorisë Osmane, ishte refuzimi i njohjes së koncesionit të fanarëve ndriçues të bregdetit, që qeveria osmane e kishte dhenë që prej vitit 1860 për një kompani franceze. Kompania kishte ndërtuar fanare dhe zyra nëpër të gjithë vijën bregdetare të vendeve që bënin pjesë në Perandorinë Osmane, përfshirë dhe Shqipërinë.

Anijet paguanin një tarifë, që mblidhej nga këto zyra e një pjesë të të ardhurave i merrte koncesionari dhe pjesën tjetër e merrte arka e Perandorisë. Në vitin 1913, qeveria osmane miratoi vendimin për zgjatjen e koncesionit por qeveria e Ismail Qemalit nuk e njohu këtë kontratë dhe as zgjatimet e saj.

Kompania franceze kishte ndërtuar një linjë fanarësh ndriçues në vijën bregdetare të Shqipërisë, përkatësisht në Vlorë, Durrës, Shëngjin dhe në Velipojë e Bunë. Pavarësisht se Shqipëria shkëputi marrëdhëniet financiare dhe ligjore me Perandorinë Osmane, Administrata e Fareve dhe kompania franceze vijoi të ushtrojë veprimtarinë e saj në vijën bregdetare shqiptare, ku kisha zyrat e saj që vijonin të mblidhnin tarifat nga anijet që kalonin.

Këto të ardhura në fakt nuk arritën të arkëtoheshin nga qeveria e Vlorës.

“Ngërçi” i pensioneve 

Një nga pikat më delikate të shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria Osmane do të ishte edhe njohja e pensioneve. Perandoria Osmane e më vonë republika e dalë prej saj, Turqia do të kërkonte që Shqipëria të paguante pensionet e shtetasve osmane që kishin punuar e vijonin të punonin në Shqipëri.

Për këtë qëllim, u zhvilluan edhe diskutime ku Shqipëria pranoi që të paguante pensionet për ata shqiptarë që kishin ushtruar funksione në Perandorinë Osmane, por me kushtin e vetëm që të kishin lënë shërbimin e tyre në administratën osmane dhe të kishin kontribuar pas 1912 në shtetin shqiptar.

Lidhja e marrëdhënieve diplomatike me Turqinë

Në aspektin diplomatik, Konferenca e Ambasadorëve në Londër e vitit 1913 do të konfirmonte ndarjen politike dhe diplomatike të Shqipërisë nga Perandoria Osmane.

Lufta e Parë Botërore do të sillte jo vetëm një administrim ushtarak të Shqipërisë por edhe një shpërbërje të Perandorisë Osmane, lindjen e shteteve të reja të pavarura si dhe lindjen e Republikës së Turqisë.

Në vitin 1921, para themelimit të Republikës së Turqisë, në Stamboll u hap nga qeveria shqiptare një Zyrë e Pasaportave shqiptare.

Fokusi i kësaj zyre ishte kujdesi për shqiptarët që jetonin e punonin prej vitesh në Turqi dhe për pasuritë e tyre atje.

Pas themelimit të Republikës së Turqisë me kryeqendër Ankaranë, në vitin 1923, autoritetet turke nuk morën parasysh aktivitetin e Konsullatës shqiptare në Stamboll me argumentin se midis Shqipërisë dhe Republikës turke nuk ishin vendosur akoma marrëdhëniet diplomatike. Në këtë kontekst marrëdhëniet diplomatike u rivendosën, me 15 dhjetor 1923, ku u nënshkrua në Ankara Traktati i Miqësisë midis Shqipërisë dhe Turqisë, i cili shënon edhe aktin formal të vendosjes të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Letra e rrallë e Ismail Qemalit/ Porosia: “Të hapet dhe të lexohet pas 111 vjetësh…”

Shqiptarë të dashtun, uroj që kjo letër t’iu gjej shëndoshë e mirë kudo ku të gjindeni.

Po ju shkruaj me dorë në zemër në ditën e fundit të nëntorit të tretë të 1913-tës. Shqipëria sot ka telash të madh mungesën e qetësisë politike, korrupsionin dhe rolin e madh të fuqive të mëdha.

“Sot e një mot mot kur të huajt i shkelën të gjithë viset e Shqipnisë, po thuaj pa kurrëfarë kundërshtimi, neve të bijtë e këtyre trojeve, nuk na kishte mbetur veçse një detyrë: përpjekja për të formuar një qeveri duke mbajtur viset që nuk kishin rënë akoma në pushtimin e të huajve e të ngrinim zërin për shpëtimin e viseve të tjera dhe të drejtat e kombit shqiptar”.

Po sot një mot më pas jam i hidhëruar. Sapo më ka rënë në dorë një letër e një përfaqësonjësi të Fuqive të Mëdha. Kabllogrami i tij është mënxyrë: “ky vend nuk bëhet nëse nuk largohen këta të dy. (E ka llafin për mua dhe Esat Pashë Toptanin) Dhe këta duhen larguar të dy në të njëjtën kohë. Njëri ka bërë qeveri në Durrës dhe tjetri në Vlorë. Arsyeja? Kanë bërë qeveritë pranë doganave për t’i marrë më shpejt paratë”.

Po të kishim gjykatore, këtij zotnisë do t’i leja pikë pjekje atje. Por i kam lënë Zotin. Koha do të tregoj sa të drejtë ka patur përfaqësuesi i 6 fuqive të mëdha.

Kështu qenka e shkruar, fati i prijsve të vendeve të vogla kalon nga kabllogramet e ambasadorëve të fuqive të mëdha.

Uroj që pas 111 vjetësh më 2023, korrupsionin që sot na akuzojnë me të padrejtë ta keni dërrmuar.

Si sot e mot mot disa prej nesh nuk donin që të shpallnim mëvetësinë prej Perandorisë. Mjerisht nuk ishim të gjithë në një mendje. E shpallëm mëvetësinë duke u thënë që me Turkinë do të bëhemi prap bashkë. Koha do të japë të drejtë. Turkia do të jetë partneri strategjik i Shqipërisë.

Një ditë në trojet tona do të vijnë për të bujtur të huaj, mund të vijnë afganë dhe afrikanë, iranianë dhe siriane. I prisni siç e ka zakon shqiptari, por bëni çmos të mos ikin shqiptarët prej viseve tona.

Ne nuk mundëm t’i mbajmë dot të gjitha trojet tona. Austria nuk e largoi serbin nga gjithë viset shqiptare. Kosova është plaga e hapur. Ta doni Kosovën sa desha unë Is Boletinin.

Po e mbyll me dy lutje: I votoni politikanët, por edhe i qortoni, ndëshkoni dhe ndryshoni. Uji që fle qelbet. Filizi që nuk lëviz rritet, por populli që nuk lëviz politikanët vdes.

Lutja e dytë është që fjalët t’i përdorni me masë. Llafet e shumta janë fukarallëk. Fukarallëku është maskarallëk.
Më pak fjalë e më shumë punë. Kur e shpallëm Shqipërinë e mosvarme shkruam në kabllogram vetëm 35 fjalë, që më 2023 mund t’i postoni në një twitter.

“Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”

Përfund, uroj që pas 111 vjetësh kur të festoni ditën e Mëvetësisë, të mos ketë më shumë shqiptarë në vendet që na kanë pushtuar se në Shqipëri!

I juaji

Ismail Bej Vlora

Kujtimet e akademikut Bahri Beci/ 29 nëntori 1944 në Shkodër

Kujtimet e akademikut dhe gjuhëtarit Bahri Beci (1936-2023), botuar 10 vjet më parë nga Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, janë tejet interesante. Ndër të tjera autori ka sjellë me trishtim edhe çastin kur komunistët hynë në Shkodër. Në asnjë rresht të kujtimeve ai nuk përmend fjalën “çlirim” sepse diçka të tilla nuk ka pasur. Ushtria gjermane ka ikur pa luftë e pa pengesa dhe komunistët janë sjellur me popullin si pushtues./ Kastriot Dervishi

Pjesë nga kujtimet:

Duhet të ketë qenë data 28 nëntor atë natë kur gjermanët u larguan nga lagjja jonë, por edhe nga Shkodra dhe lanë peshqesh ato dy shpërthime që tronditën qytetin si të ishte tërmet shtatë a tetë ballësh…Pra 29 nëntori e gjeti Shkodrën pa këmbë gjermani. Partizanët ishin vendosur në lagjet periferike të qytetit dhe prisnin momentin të futeshin në qytet. Nuk di si dhe kur, por mbaj mend që një natë shtëpia u mbush me partizanë. Ishin veshur keq dhe në këmbë mbanin opinga. Më duket se babai pranoi që disa prej tyre të flinin atë natë aty te ne. Thoshin se kishin edhe morra e kjo ishte shqetësuese. E kam të vështirë t’ju them se sa ndenjën dhe kur ikën. Po ka mundësi të jenë larguar të nesërmen.
Ato ditë Shkodra u mbush me partizanë. Të krijonin përshtypjen e një batalioni të shpartalluar se sa të një ushtrie. Shumë shpejt filluan kontrollet nëpër shtëpia dhe operacionet ushtarake. Çdo ditë qarkullonin fjalë për vrasjen e këtij ose atij “armiku” a “tradhtari”.

(Bahri Beci, “Një libër që nuk do doja ta shkruaja”, botim i ISKK, Tiranë 2013, faqe 163)

Rishfaqet gripi i derrit, infektohet një person. Çfarë duhet të dimë për të

Mbretëria e Bashkuar ka zbuluar rastin e parë njerëzor të H1N2, një lloj gripi i derrit i ngjashëm me viruset që qarkullojnë te derrat. Kjo u njoftua nga Agjencia Britanike e Sigurisë Shëndetësore (UKHSA), duke specifikuar se është “një rast i vetëm i konfirmuar njerëzor i influencës A(H1N2)v, i cili është i pari i këtij lloji të gripit të zbuluar, në një njeri në Mbretërinë e Bashkuar”.

Infeksioni u identifikua gjatë një kontrolli rutinë mbarëkombëtar të kryer nga autoritetet shëndetësore. Që nga viti 2005, pesëdhjetë raste njerëzore të infeksionit H1N2 janë raportuar në mbarë botën, por virusi i zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar ishte i palidhur gjenetikisht në rastet e mëparshme. UKHSA e njoftoi zyrtarisht zbulimin tek Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Gripi i derrit tek njerëzit

Bazuar në informacionin fillestar, infeksioni i zbuluar në MB është i lidhur me një formë të veçantë të H1N2, të quajtur clade 1b.1.1, i ndryshëm nga rastet e fundit njerëzore të raportuara në pjesë të tjera të botës. Personi i infektuar, detajet e të cilit nuk u zbuluan, ishte vizituar nga një mjek i përgjithshëm në North Yorkshire më 9 nëntor pasi shfaqi simptoma respiratore. Virusi u identifikua më pas nëpërmjet testimit të reaksionit zinxhir polimerazë (PCR) dhe renditjes së gjenomit.

Si u infektua personi

Personi i infektuar kishte përjetuar një sëmundje të lehtë që nuk kërkonte shtrimin në spital. Aktualisht i rikuperuar, personi nuk duket se ka punuar në kontakt me derrat, ndaj mbetet për t’u hetuar se si e ka marrë infeksionin. Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) po gjurmon kontakte të ngushta për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Nuk dihet në këtë fazë se sa i transmetueshëm është lloji ose nëse mund të ketë raste të tjera në Mbretërinë e Bashkuar.

“UKHSA po monitoron nga afër situatën dhe po merr hapa për të rritur mbikëqyrjen sipas programeve ekzistuese që përfshijnë praktikat e mjekëve dhe spitalet në disa pjesë të North Yorkshire”.

“Njerëzit me simptoma të frymëmarrjes duhet të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet ekzistuese; shmangni kontaktin me njerëz të tjerë ndërsa simptomat vazhdojnë, veçanërisht nëse njerëzit me të cilët bien në kontakt janë të moshuar ose kanë para -patologjitë ekzistuese”, thuhet në një shënim të Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar.

Rrëzohet avioni i SHBA-ve në oqean, në bord ndodheshin 8 ushtarakë

Një avion ushtarak i SHBA-ve, me tetë persona në bord, u rrëzua në oqean afër ishullit japonez të Jakushimës. Kështu bënë të ditur rojet bregdetare të Japonisë më 29 Nëntor.

Sipas autoriteteve avioni i rrëzuar në perëndim të Japonisë ishte i llojit Osprey. Një zëdhënës i rojeve bregdetare tha se nuk ka detaje të tjera për incidentin, përfshirë edhe për njerëzit që ishin në bordin e këtij avioni.

Avioni u rrëzua rreth orës 02:47, sipas kohës lokale. Banorët lokalë kanë raportuar se motori i majtë i avionit ishte përfshirë nga zjarri teksa u rrëzua në oqean.

Ushtria amerikane ende nuk ka komentuar për këtë aksident, ndërsa nuk dihet ende fati i ushtarakëve në bord. Rrëzimi i avionit amerikan vjen pasi një avion i po të njëjtit lloj ishte rrëzuar në veri të Australisë në gusht, duke vrarë tre anëtarë të ekuipazhit nga 23 sa ishin në bord.