32.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Festuan 111-vjetorin e Pavarësisë në rrugët e Londrës, policia arreston disa shqiptarë

Qindra emigrantë shqiptarë janë mbledhur mbrëmjen e djeshme në qendër të Londrës për të festuar 111-vjetorin e Pavarësisë.

“Dailymail” shkruan se rrugët rreth “Westminsterit” u bllokuan nga qindra shqiptarë që valëvitnin flamuj dhe ndiznin fishekzjarre. Shqiptarët nxorën nga garazhet makinat e tyre luksoze, teksa kanë “ngritur në këmbë” qytetin me zhurmën e burive.

Policia Metropolitane konfirmoi se janë arrestuar disa shqiptarë, të cilët kanë hedhur fishekzjarre si dhe kanë qëlluar me shishe drejt policëve.

Policia lëshoi një urdhër që shqiptarët të largoheshin nga rrugët e Londrës qendrore, por ata nuk i janë bindur urdhrit dhe kështu janë bërë disa arrestime për bllokimin e rrugëve dhe prishjen e qetësisë publike.

Nga Luan Myftiu/ “Nën terrorin komunist” (fragment)

“Të vdesësh s’është gjë, të mos rrosh është e tmerrshme”
V. Hygo

FANTAZMA

Fundi i vjeshtës së dytë, 1944. Fantazma komuniste ndehu pelerinën e kuqe mbi Shqipëri.
Tingulli i kambanës së kishës që na kish thënë se vdekja nuk ishte aspak fundi i jetës, tani do ta humbiste çdo ditë këtë ngushëllim të ëmbël. Njerëzve do t’u vritej besimi tek Zoti që të adhuronin një diktator.

Si të qe një mallkim i madh, komunizmi zbriti edhe në Shqipëri në formën e një paradoksi të madh që në emër të gëzimit mbolli vuajtje, në emër të dritës errësirë, në emër të një bashkimi të ri pabesi dhe vëllavrasje. Forca e tij shkatërruese u vadit me gjak të pafajshëm, klithma rënkuese e mashtrime të pashembullta.
Mbas brohoritjeve shurdhuese për fitoren, që ditët e para u ndje heshtja kërcënuese dhe netët u mbushën me frikë.
Filloi raprezalja.

Komunistët nuk u ngutën. Ndonëse të uritur, e pritën gjahun me durim dhe mësymjen e parë e bënë të befasishme.

Porta e shtëpisë trokiti një pasdite, e një person i parëndësishëm lajmëroi si me indiferencë se tim atë e kërkonin në një zyrë.
Mund të mendohej se si gjykatës që ish, ta thërrisnin për t’u ndihmuar në punë administrate, por ai shkoi e s’u kthye më, bile as kufomë.

Përballë një opinioni ende të pakorruptuar, që e mbronte tim atë si eksponent të Ballit Kombëtar, që s’i kish lyer duart me gjak, komunistëve u leverdiste ta vdisnin në birrucat e burgut të Burrelit.

E dënuan me burgim të përjetshëm, sepse dëshmitë e atyre që u kish shpëtuar jetën, provonin, sipas trupit gjykues, rrezikshmërinë e tij të lartë shoqërore, mbasi po të kish dashur, mund edhe t’i kish lënë t’i pushkatonin shokët e tij.

Ne ishim pesë fëmijë. Nëna jonë, një grua e thjeshtë me ndjenja të mira, po bëhej çdo ditë e më e heshtur. Ne çuditeshim tek e shihnim të rrinte pa ngrënë pa ndonjë shkak. Ishte koha kur buka qe bërë me triskë dhe s’gjendej fare në treg të lirë. Ajo e fshihte arsyen e grevës së saj, që të arrinte të mos na shihte ne të uritur. Ndërkohë vraponte me trasta në duar te porta e burgut ku, veç të shoqit, dergjej i dënuar me vdekje vëllai i saj i vetëm. Dhe duke qarë pa zë, gdhinte net të tëra pa gjumë.

I vëllai zemërartë kish qenë komandant i forcave të Ballit dhe komunistët, për ta poshtëruar dhe për të përligjur dënimin kapital, hodhën mbi të akuza të paqena, të përbindshme. Por ujqërit, që tani kishin nisur të mos flinin të qetë e të krijonin për vete rreziqe imagjinare, pushkatuan një ditë edhe të birin e tij engjëll, 18-vjeçar.

Kur ne fëmijët u kthyem një ditë nga shkolla, gjetëm në shtëpi një polic, që porsa kish lidhur me pranga nënën tonë. Ai na porositi me kërcënim të mos ia zgjidhnim duart dhe na mësoi si ta ushqenim, ashtu të lidhur, e si ta shpinim në banjë. Po ta zgjidhnim, do ta pësonte prej tyre më keq. E tronditur thellë, ajo kish guxuar t’u thosh komunistëve se e kishin filluar keq, ndërkaq natën fliste si në kllapi. Nuk vonoi dhe një ditë na e rrëmbyen nënën nga shtëpia dhe na urdhëruan t’i shpinim një dyshek në polici, ku mësuam se e kishin mbyllur në një nevojtore. Aty ajo kish tentuar të varte veten me një litar të thurur nga leshi i dyshekut, por, e diktuar, qe rrahur, derisa u mbyll prej tyre në psikiatri, ku edhe vdiq pas shumë vitesh me vetëdije të humbur.

Kështu ne mbetëm jetimë nga të dy prindërit dhe i shtynim ditët duke shitur sendet e shtëpisë. Për ne tani filloi të kujdesej një xhaxhesha jonë, e cila vetë kish pesë jetimë, mbasi të shoqin ia kishin arrestuar.

Ne, fëmijët, e shihnim shpesh xhaxhanë të lidhur me hekura duke vrapuar nëpër rrugën burg-hetuesi, i ndjekur nga dy policë që e goditnin vazhdimisht nga pas, te duart e lidhura. Dhe, kur ai mbërrinte te shkallët e hetuesisë dhe aty kish raste që rrëzohej, ne shihnim se si policët që e ngrinin, e hiqnin zvarrë, ndërsa një grup tjetër që ndodhej zakonisht në krye të shkallëve, gajasej së qeshuri.

Një natë të ftohtë dimri u dëgjua një breshëri e mbytur të shtënash pushke, që na ngriu zemrat, dhe të nesërmen mësuam se xhaxhai qe pushkatuar; qe vrarë mizorisht burri më i urtë i fisit, më i përmbajturi, më i qeti, më i dhembshuri dhe më i druajturi. Ne rriteshim duke u bindur se revolucioni kërkonte viktima dhe se ne ishim kurbanët e caktuar për të.
Goditjen kundër nesh komunistët e ngritën në sistem, e motivuan teorikisht në “luftën e klasave” dhe nuk e ndalën asnjë çast shkallëzimin e saj. Dhe ja një ditë na lajmëruan të largoheshim nga shtëpia jonë, pasi aty do të banonte Sekretari i Parë i Partisë me familjen e tij.

Filloi për ne jeta nëpër qilaret e shtëpive të botës, tani nën kujdesin e gruas së dajës, edhe ajo, çuditërisht, po me pesë jetimë.
I ati i këtij lideri komunist qe një prift i dhembshur, i cili fshehurazi të birit na sillte bukë. Madje, një ditë, kish kandisur të birin të më pranonte në një takim në zyrë për të më gjetur punë, por i ziu prift nuk e deshi veten, kur i thashë se i biri ma kish kushtëzuar këtë me pranimin prej meje të detyrës së spiunit, prandaj nuk më kish dhënë punë.

Kish filluar sulmi për degradimin tonë moral, krahas rrëzimit sistematik ekonomik. Dhe unë s’isha në atë kohë më tepër se 12 vjeç.
Teshat po mbaroheshin së shituri. Babai i mbushte letrat me klithma rrënqethëse urie. Motrën e madhe kishte rrezik ta kërcënonte poshtërimi në zyrat e Sigurimit të Shtetit.

U detyruam të shesim shtëpitë për një copë bukë që të ndihmonim babanë të mos vdiste, të paktën urie. Braktisëm shkollën dhe u futëm në punë për një pagë qesharake nëpër sipërmarrës të pamëshirshëm. Martuam motrën e madhe. Kërkonim triskë buke, por s’na jepnin, sepse duhej të kishim kryefamiljarin në punë. (E ku ta gjenim ne kryefamiljarin?!) Lutjes sonë që ta shihnin edhe një herë kërkesën, i përgjigjeshin me heshtje. Dhe, kur na gjenin nëpër restorante duke blerë bukë që klientët nuk i donin, por detyroheshin t’i paguanin, na merrnin në polici, ku edhe na rrihnin, sepse ne këtë e bëkëshim me qëllim që të diskreditonim Pushtetin Popullor!

Madje, edhe racionin mujor të qymyrit për t’u ngrohur nuk na e shisnin pa u shpurë më parë një vërtetim nga Këshilli
Popullor i lagjes, në të cilin të pohohej se ne nuk kishim asnjë marrëdhënie me babanë tonë, “armikun e popullit”, që po jepte shpirt në birucat e ngrira të Burrelit. Kështu filloi lufta e diferencimit të madh edhe brenda familjes.

Edhe sot në këtë moshë të shtyrë nuk e gjej dot se cila qe ajo forcë që na bëri të mbijetojmë: instinkti i dashurisë për jetën?… Apo tek njeriu fshihen forca të panjohura që padrejtësia i detyron të dalin në sipërfaqe?…
Mbaj mend se kur na kontrollonin si nxënës në radiografi dhe dilnim “negativ”, ose vetëm me ndonjë hije infiltrative, na vinte keq që s’ishim të prekur në mushkëri aq sa të na shtronin në sanatorium, ku thuhej se jepnin ushqim të bollshëm. Uria kronike është shumë e rëndë dhe ëndrra për një copë bukë është nga më të fuqishmet.

Duke i hedhur një sy kuptimit të jetës sonë nën diktaturën e proletariatit, arrijmë në përfundimin se ajo ka qenë vetëm një luftë e ashpër për të hedhur poshtë tezën çnjerëzore të komunistëve se ne ishim pinjollët e një klase të degraduar, të cilën me të drejtë revolucioni e paskësh larguar me dhunë nga skena e historisë, duke e flakur në koshin e plehrave dhe se e vetmja vlerë, që do ta justifikonte ekzistencën tonë në një shoqëri të lumtur siç ishte, sipas tyre, ajo e socializmit, qe vetëm aftësia jonë si kafshë pune për të prodhuar të mira materiale nën një mbikëqyrje të rreptë.

Sikur të mund të regjistroheshin në atë kohë ato mijëra sakrifica e privacione të përballuara me aq durim e optimizëm, do të dilnin sot para nesh figura njerëzish, sidomos vajzash e grash, para të cilëve heronjtë e librave do të zbrisnin kokulur nga piedestali i fantazisë. Dhe të mendosh se nuk kishin pranë asnjë njeri t’i këshillonte, sepse të gjithë vraponin si nëpër terr, të tronditur nga terrori i sotëm dhe pasiguria për të nesërmen.

Ishte vërtet diçka e rrallë që fëmijë jetimë, pa bukë, pa zjarr, pa libra e të përbuzur të merrnin edhe atë pak arsim të cunguar e të politizuar që jepej në shkollë. Herë natën, herë ditën arritëm të merrnin një arsim të mesëm pedagogjik. Mësonim mes zhurmës, pasi banonim nëntë vetë në një dhomë të vogël. Në shumicën e rasteve niseshim për në shkollë pa bukë. Por ishim të lumtur, kur meritonim lavdërimin e ndonjë mësuesi pa paragjykime klasore, i cili, si një protestë ndaj realitetit, merrte kurajon dhe vinte në dukje i
kënaqur përparimin tonë në mësime.

Qe si një mrekulli nga qielli për të gjithë ne thirrja e Nikita Hrushovit që të mos shihej biografia, por puna dhe qëndrimi i personit. Për shkak të pozitës shoqërore dhe të pasurisë, komunistët na trajtuan gjithë kohën si klasë e lartë, si shfrytëzues dhe si reaksionarë. Në periudha të caktuara njerëzit kanë pasur frikë të kthenin edhe kokën nga ajo portë e madhe e shtëpisë sonë, dikur për njerëzit azil ngushëllimi, tani një fole gjarpërinjsh, që kërcënonte “lumturinë” e një populli të “rilindur”.

Unaza e Madhe, me pellgje uji. Eksperti: Kthehen në burim aksidenti, duhen pastruar pusetat

Disa segmente të Unazës së Madhe në Tiranë mbushen me ujë sa herë bie shi. Ekspertët rrugorë thonë se këto pellgje janë kthyer në burime aksidentesh dhe bëjnë thirrje për pastrimin e pusetave. Të njejtën panoramë ofron edhe autostrada Tiranë-Durrës.

Tallja e qeverisë me pensionistët, nis pas dy ditësh shpërndarja e 5 mijë lekëshit

Pensionistët mund të tërheqin bonusin prej 5 mijë lekësh duke nisur që nga data 1 dhjetor. Në total parashikohet të përfitojnë 767 të moshuar që trajtohen me pension.

Në buxhetin e këtij viti janë programuar 3.5 miliardë lekë në total që do të shkojnë për bonusin e pensionistëve, por përfitues do të jenë edhe individët që përfitojnë pension invaliditeti, persona që trajtohen me pension familjar dhe pension social. Shpërndarja do të bëhet në të gjitha sportelet e postës shqiptare ku tërheqin pensionet ndërsa për ata që e marrin në bankë kalimi bëhet automatikisht.

Ky është bonusi i dytë që përfitojnë pensionistët me të njëjtën vlerë pas atij që u dha në prill si një masë për të lehtësuar shtrenjtimin e çmimeve. Ndërkohë në 1 tetor mbi 767 mijë individë të të gjitha kategorive të pensioneve kanë përfituar indeksimin në masën 8.6% të pensionit që marrin.

Në Buxhetin 2024, për indeksimin e pensioneve janë parashikuar 4.1 miliardë lekë dhe 3.6 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët.

Lavrov në Shkup, Ukraina dhe vendet baltike bojkotojnë takimin e OSBE

Ukraina, Letonia, Estonia dhe Lituania bënë të ditur se do të bojkotojnë takimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që mbahet në Maqedoninë e Veriut këtë javë, për shkak të pjesëmarrjes të Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Kjo do të ishte hera e parë që zoti Lavrov do të merrte pjesë në një takim të OSBE-së, që prej fillimit të sulmit rus në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës më 24 shkurt të 2022. Agresioni i Moskës u bë shkak sanksione gjithëpërfshirëse perëndimore.

Takimi i OSBE-së, një organizatë prej 57 anëtarësh, do të mbahet prej datës 30 nëntor deri më 1 dhjetor në Shkup.

Kievi ishte pari që bëri të ditur se nuk do të çonte përfaqësuesin e tij në Shkup.

“Delegacioni ukrainas nuk do të marrë pjesë në takimin e OSBE-së në nivel ministrash të punëve të jashtme”, shkruante në një deklaratë në Facebook Oleh Nikolenko, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës.

Zoti Nikolenko tha se Rusia kishte abuzuar me rregullat e konsensusit të organizatës, kishte përdorur “shantazhe dhe kërcënime të hapura” si dhe kishte mbajtur në burg për 500 ditë, tre përfaqësues ukrainas të OSBE-së.

“Në kushte të tilla, prania e një delegacioni rus, në nivel ministror për herë të parë që nga fillimi i sulmit rus në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, vetëm sa do të thellonte krizën në të cilën Rusia e ka futur OSBE-në”, tha ai.

Solidariteti i vendeve baltike

Në një gjest solidariteti me Kievin, ministrat e jashtëm të tre vendeve baltike lëshuan më vonë një deklaratë duke thënë se edhe ata nuk do të merrnin pjesë në takim nëse zoti Lavrov merrte pjesë.

Pjesëmarrja e tij “rrezikon të përligjë rolin e Rusisë, një vend agressor, brenda një komuniteti kombesh të lira, duke mos marrë parasysh krimet mizore që Rusia ka kryer”, thanë ata.

Në deklaratën e përbashkët, ministrat e jashtëm të tre vendeve baltike, akuzuan Rusinë për ndërmarrjen e veprimeve bllokuese brenda OSBE-së, sikurse është ndalimi i misionit vëzhgues të organizatës në Ukrainë, si dhe bllokimi i kërkesës së Estonisë për të kryesuar organizatën në vitin 2024.

Në të kaluarën Rusia ka akuzuar Perëndimin për minimin e OSBE -përmes “zgjerimit të pamatur” të NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore./ VOA

Gjirokastra dhe Korça, në mesin e rajoneve me rënien më të madhe të shtesës natyrore të popullsisë në Europë

Emigracioni dhe plakja po e ulin me shpejtësi popullsinë e Shqipërisë.

Të dhënat krahasuese të Eurostat tregojnë se, Gjirokastra dhe Korça u renditen në Rajonet e Europës më rënien më të madhe të shtesës natyrore të popullsisë në vitin 2021.

Shtesa natyrore e popullsisë së Gjirokastrës ra nga janari i vitit 2021 në janarin e vitit 2022 ra me 7 për qind, ndërsa në qarkun e Korçës me 4.3 %. Në hartën e mëposhtme rajonet me ngjyrë e artë më të erret përfaqësojnë rënien më të madhe të shtesës natyrore të popullsisë mbi 7 për qind dhe ato me të çelët janë rajonet më rritjen më të madhe shtesës natyrore. Gjithashtu qarqet e Dibrës, Kukësit dhe Tiranës renditen ndër rajonet me shtesën më të lartë natyrore. Në Shqipëri veç faktorëve të tjerë, shtesa natyrore popullsisë u ndikua negativisht nga mortaliteti i lartë që shkaktoi pandemia Covid- 19, ku vdekjet shtesë u rriten rreth 30%.

Ndërmjet 1 janarit 2021 dhe 1 janarit 2022, gjatë pandemisë COVID-19, popullsia e BE-se u ul me 265,257 persona. Ky reduktim i atribuohet ndryshimeve natyrore të popullsisë (më shumë vdekje sesa lindje), pasi migrimi neto mbeti pozitiv (më shumë njerëz hynë në BE sesa u larguan). Për më tepër, pandemia luajti një rol. Në të njëjtën periudhë popullsia e Shqipërisë u ul me 36 mijë persona me një rënie 1.2%, ndërsa shtesa natyre ishte negative me rreth 3300 persona pasi pandemia i çoi vdekjet në nivele më të larta se lindjet.

Nga 3, 980 rajone të Europës në 1 164, për të cilat disponohen të dhëna, kishin një normë negative të shtesës natyrore të popullsisë (e përfaqësuar nga tonet e forta të ngjyrës së arit në hartë), 173 rajone regjistruan një normë pozitive dhe 11 rajone nuk panë asnjë ndryshim (i njëjti numër lindjesh me vdekjet), të dyja të paraqitura në tonet jeshile-blu në hartë.

Në vitin 2021, të gjitha rajonet e Bullgarisë, Estonisë, Kroacisë, Letonisë, Lituanisë, Hungarisë, Portugalisë dhe Rumanisë regjistruan norma negative të ndryshimit natyror të popullsisë. Në rastet e Çekisë, Italisë, Polonisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë, pothuajse çdo rajon regjistroi ë normë negative me nga një përjashtim secili.

Më të prekura nga humbja e popullsisë ishin të gjitha rajonet e Bullgarisë. Në të kundërt, çdo rajon në Irlande kishte norma pozitive të ndryshimit natyror të popullsisë në vitin 2021, ndërsa një numër relativisht i lartë rajonesh në Belgjikë, Francë, Holandë, Austri dhe Suedi gjithashtu regjistruan norma pozitive. Kështu ndodhi edhe në Luksemburg dhe Qipro.

Sipas të dhënave nga INSTAT, në Shqipëri gjatë vitit 2021 lindën 27.284 foshnja, duke shënuar një rënie me 2,8 %, krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit 2021 humbën jetën 30.580 persona, duke shënuar një rritje me 10,8 %, krahasuar me 2020.

Gjatë vitit 2021, katër qarqe të vendit shënuan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në tetë qarqet e tjera shtesa natyrore e popullsisë ishte negative./B.Hoxha

Revista “Monitor”

Manaj sinjale Sylvinhos/ Sulmuesi i Kombëtares shqiptare një tjetër dygolësh në kampionatin turk

Rei Manaj është rikthyer në formën e tij më të mirë. Sulmuesi shqiptar po shkëlqen në Turqi, ku sot ka shtuar edhe dy gola të tjerë në statistikat e tij.

Futbollisti i Sivasporit gjeti fillimisht rrugën e rrjetës në minutën e 20 të takimit, kur me kokë arriti ta dërgonte topin pas shpinës së portierit.

Ndërkohë në pjesën e dytë të ndeshjes, kur kronometri po maste minutën e 67, Rei Manaj shënon një gol spektakolar. Lojtari shqiptar provon të djathtën e tij nga distanca me një goditje mjaft të fuqishme. Topi shkon në cepin e sipërm të portës, duke mos i lënë asnjë shans portierit të Trabzonsporit.

Ndeshja përfundoi më pas me shifrat 3-3 pasi Trezege barazoi në minutën e 76-të.

Pandemia e vetmisë prek Shqipërinë!

Rrethohemi nga shumë njerëz, por sa shpesh ndihemi të vetmuar. Vetmia është cilësuar së fundi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si pandemi globale.

OBSH e konsideron vetminë si një kërcënim serioz për shëndetin, ndërsa një studim e krahason efektin e vetmisë në vdekshmëri me konsumin e 15 cigareve në ditë.

“Fakti që një në tre amerikanë, sot nuk dinë emrin e fqinjit që kanë përballë ose pranë. Kjo po shfaqet edhe në vendin tonë si dikuri. Nëse pak kohë më parë ne kishim stresin si problemin më të madh, tani stresi është një faktor që stimulon situata të tilla problematike si vetmia”.

Kështu shprehet sociologu Edmond Dragoti, që e konsideron vetminë një problem të kohës, që po vjen duke u shtuar.

“Është një brez që është formuar si pasojë e ndikimit të faktorëve bashkohorë, sikurse janë rrjetet sociale, teknologjia e informacionit, nevojat e kulturës individualiste që po zhvillohet me shpejtësi edhe në vendin tonë”.

Vetmia sociale është nevoja për t’u distancuar nga problemet e kohës, sipas ekspertit, që na tregon shkaqet e këtij problemi social.

“Faktorët kryesorë janë ata që lidhen me çrregullimet mendore, sikurse janë stresi, ankthi, që shpesh i kap njerëzit”.

Ndjenja e vetmisë ul vetëvlerësimin dhe izolon të rinjtë nga shoqëria.

“Të rinjtë sot nuk protestojnë, edhe për shkak të vetmimit. Kanë mungesë interesi për problemet që i takojnë komunitetit. Këto vijnë për shkak të pranisë së vetmisë gjithnjë e më shumë, si pasojë e faktit se në kulturën e sotme, individualizmi është tendenca bazë, që përqafohet nga brezi i ri”.

Por, si të dalim nga skutat e vetmisë?

“Pjesëmarrja në mjedise ose në grupe shoqërore. Është socializimi i individit, të bëhesh pjesë e interesave të grupit, të ndash me ta, të kontribuosh në statusin e një grupi të caktuar. Vetëizolimi shmanget edhe me lidhjen e njeriut me natyrën, si ecjet apo shëtitjet në natyrë”.

Elementë të kulturës sonë si shtrëngimi apo përqafimi duket se janë zbehur, por teksa festat e fundvitit janë afër, bashkë me atmosferën e ngrohtë që sjellin. Ndaj, mos nguroni të përqafoni njerëzit tuaj të dashur e të kaloni më shumë kohë pranë miqve dhe familjes.

Sara Hila/ TCH

Financimet për kontratat koncesionare në shëndetësi u rritën me 127 për qind, në spitale të mbyllet dera, ku shkojnë paratë e shqiptarëve

Aranit Muraçi

Shëndetësia në Shqipëri vazhdon të mbetet e fundit në rajon sa i përket shpenzimeve publike në raport me shpenzimet e përgjithshme publike. Ndërkohë, politikat shëndetësore dhe ato të mbrojtjes sociale mbeten të nën-financuara, duke bërë që shpenzimet publike të sektorit të realizohen të paprioritarizuara, pa vëmendjen e nevojshme të qeverisë në llogaridhënie, duke riskuar kështu edhe keqpërdorimin e fondeve buxhetore.

Financimet buxhetore për kontratat koncesionare në shëndetësi nga viti 2020 në programin e 2024 u rritën me 127%, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave.

Në vitin 2024 janë programuar 5,4 miliardë lekë financime për të katër kontratat, kontrollin bazë, sterilizimin, laboratorin dhe dializën. Kostot e financimit për këto PPP dolën jashtë kontrollit vit pas viti, në një kohë që po rrezikohen edhe shërbimet spitalore për të cilat janë dhënë.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Databaza e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, krahasuar me Rajonin, shpenzimet në sektorin e shëndetësisë për Shqipërinë në raport me shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë më të ulëtat, me mesatarisht 9.8% përgjatë periudhës 2015-2020, ndërkohë që kryeson listën e vendeve të rajonit me shpenzimet më të larta për shëndetësinë Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.

Buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në përqindje ndaj PBB rezulton në rënie në vitin 2022 krahasuar me dy vite më parë, rënie kjo pjesërisht e shpjegueshme prej faktit që në vitet 2020-2021 buxheti për sektorin e shëndetësisë pësoi rritje më të madhe se normalisht për të financuar shpenzimet e lidhura me menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga virusi i SARS COV-2 (COVID-19). Sa i përket buxhetit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në raport me shpenzimet e përgjithshme publike, ruhet një nivel mesatar prej 12.5%. Ajo që bie në sy është fakti që në vitin 2022 shpenzimet faktike të MSHMS shkojnë në nivelin 12%, në të njëjtin nivel si në vitin 2017, pavarësisht rritjes në vlerë nominale të trendit të shpenzimeve.

Europa, si shpenzohen paratë për shëndetësinë

Në vitin 2022, shpenzimet për sëmundjet e mbrojtjes sociale dhe për kujdesin shëndetësor, të matura si përqindje e PBB-së, ishin në nivelin mesatar 8.1% në BE, duke reflektuar rënie me 0.4 pikë përqindje (pp) krahasuar me vitin 2021 (8.5%).

Midis 24 vendeve të BE-së për të cilat Eurostat kishte të dhëna në publikimin e sotëm (28 nëntor 2023) dhe vlerësime të vitit 2022, shpenzimet për sëmundjet e mbrojtjes sociale dhe kujdesin shëndetësor ishin më të lartat në Francë (10.0% e PBB-së), Gjermani (9.7%), Slloveni (8.6%), Austri (8.5%) dhe Belgjikë (7.3 %), ndërsa më e ulëta ishte në Bullgari (4.2%), Irlandë (4.6%), Hungari, Lituani (të dyja 4.7%) dhe Estoni (4.8%).

Pothuajse të gjitha vendet e BE-së regjistruan një rënie në shpenzimet e sëmundjeve për mbrojtjen sociale dhe kujdesin shëndetësor midis 2021 dhe 2022. Rënia më e madhe në shpenzimet për sëmundjet dhe kujdesin shëndetësor u regjistrua në Bullgari (-1,1 pp), e ndjekur nga Hungaria (-0,9 pp), Lituania dhe Irlanda ( të dyja -0,8 pp). Vendet e vetme të BE-së që raportuan një rritje ishin Luksemburgu (+0,3 pp) dhe Sllovenia (+0,1 pp), kurse Qiproja i mbajti shpenzimet e saj në nivelin e vitit 2021.

Në spital të mbyllet dera, ku shkojnë paratë në Shqipëri

Referuar klasifikimit ekonomik të shpenzimeve, sipas natyres së transaksionit, vërehet se shpenzimet korrente dominojnë shpenzimet e shëndetësisë, përkatësisht rreth 95.6 përqind kundrejt vetëm 4.4% Investime. Shpenzimet korrente shkojnë për: paga, shperblime dhe te tjera shpenzime personeli; kontribute per sigurime shoqerore dhe shendetesore; mallra dhe sherbime te tjera; subvencionet; transferimet korrente te brendeshme; transferimet korrente jashte; transferta per buxhetet familiare dhe individet; fondi i veçante dhe rezervat. Nga ana tjetër shpenzimet kapitale apo investime janë thuajse të papërfillshme në shëndetësi 4.4% ose 2.9 miliardë lekë.

Për vitin 2022 u dhanë rreth 65 miliardë lekë nga buxheti për ofrimin dhe garantimin publik të funksionit shëndetësor nga 638 miliardë lekë që është planifikuar totali i shpenzimeve buxhetore, ose sa 10.2% e totalit shpenzime buxhetore të vitit. Kjo vlerë parashikonte rritje nominale të mbështetjes buxhetore për shëndetsinë me rreth 7.5 miliardë lekë më shumë së plani i vitit 2021. Vlera e shpenzimeve në shendetësi është rritur në vitin 2023 dhe pritet të rritet edhe më tej, kryesisht për rritje pagash, por nuk pritet të ketë ndryshim në raport me shpenzimet totale.

Shpenzimet Shëndetësi zënë 3.5% të Produktit të Brendshëm Bruto. Nga analiza kosto-përfitime konstatohet se detyrimet e një individi me pagë mesatare apo pagë mbi atë mesataren, janë shumë më të larta se mbulimi shëndetësor që përfitojnë publikisht nga shteti. Madje një individ me pagë minimale paguan më shumë detyrime direkte dhe indirekte për mbulim shëndetësor krahasuar më nivelin mesatar të përfitimit. Sa më e lartë është paga që përfiton një i punësuar aq më i lartë dhe kontributi shëndetësor që paguan, kështu hendeku detyrim-përfitime sa vjen e thellohet.

Defekti dhe Deficiti në Skemat dhe Fondin Publik të Detyrueshëm për efekt Sigurime Shoqërore dhe Shëndetësore, vjen gjithnjë e në thellim. Kjo e ndikuar edhe nga politika fiskale që aplikon shteti ku vetëm të punësuarit tatohen në mënyrë progresive, ndërkohë që rreth 48% të të punësuarve në vend të deklaruar si të punësuar me pagë minimale ose të vetëpunësuar.

HIV/AIDS, 1 në 10 persona në BE është pozitiv dhe nuk e di

Një në 10 qytetarë europianë është HIV pozitiv dhe nuk e di dhe kjo çon në përhapjen e vazhdueshme të HIV/AIDS.

Ky është alarmi i ngritur nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) duke komentuar të dhënat e raportit të publikuar së bashku me OBSH-në Evropë në kuadër të Ditës Botërore të SIDA-s, më 1 dhjetor.

“Më shumë se një në 10 persona që jetojnë me HIV në Bashkimin Evropian/Zonën Ekonomike Evropiane janë ende të pavetëdijshëm për statusin e tyre, gjë që kontribuon në diagnozat e vona që po shohim, rezultate më të dobëta në trajtim dhe përhapje të vazhdueshme të HIV-it”, shprehet drejtori i ECDC Andrea Ammon.

Rritja e diagnozave të HIV e regjistruar vitin e kaluar, e barabartë me +4.2% në rajonin evropian, është provë se po shkojmë në drejtimin e duhur, thekson Ammon.

Në vitin 2022, 110.486 diagnoza HIV u regjistruan në rajonin evropian të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga të cilat 22.995 në Bashkimin Evropian/Zonën Ekonomike Evropiane, gjë që e çoi numrin total të njerëzve që dihet se ishin pozitivë për virusin HIV në mbi 2.4 milionë.

Përmirësimi i aksesit në testim ka rezultuar në një rritje të diagnozave të HIV-it prej +4.2%, ku 37 nga 49 vende raportojnë numra në rritje dhe disa vende raportojnë shifrat më të larta të regjistruara ndonjëherë në një vit të vetëm, del nga raporti i publikuar nga OBSH Europe dhe ECDC.

Ndër faktorët që kontribuan në rritjen e diagnozave të HIV-it në vitin 2022, OBSH Europe dhe ECDC përmendin rifillimin e aktiviteteve normale të testimit pas pandemisë Covid-19, shërbimet e zgjeruara dhe të synuara të testimit dhe zbatimin e strategjive të reja të testeve.

Megjithatë, ndonëse është bërë progres në luftën kundër HIV në rajonin europian, për autoritetet shëndetësore, sfida të rëndësishme mbeten në identifikimin dhe trajtimin e rasteve, si dhe në parandalimin e infeksionit në radhë të parë.