32.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

BIRN: Rusia dhe Kina përmes dezinformimit duan të pengojnë integrimet euro-atlantike të Kosovës

Një raport i hartuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese BIRN, tërheq vëmendjen se Rusia dhe Kina po shfrytëzojnë dezinformimin me qëllim që të nxisin konflikt ndëretnik në Kosovë, të ulin besimin e shoqërisë në procesin e integrimeve euroatlantike dhe të paraqesin Shtetet e Bashkuara në një pasqyrë të shtrembëruar.

Raporti me titullin “Vorbulla e rrenave”, që është hartuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, nënvizon brishtësinë e institucioneve dhe medieve për t’u përballur me këtë vorbull.

Kreshnik Gashi nga BIRN tha se rusët përmes dezinformatave synojnë të pengojnë integrimet euro-atlantike si dhe nxitjen e dhunës dhe urrejtjes në mes të komuniteteve në Kosovë.

“Ka një tentativë të vazhdueshme që NATO të kriminalizohet në Kosovë dhe me u pa si diçka që nuk është e mirë për vendin tonë. Narrativa e dytë që është identifikuar dhe e cila është po ashtu problematike është narrativa kundër integrimeve në Bashkimin Evropian dhe tentativa për ta portretizuar BE-në si diçka të keqe për Kosovën. Tutje influenca ruse synon me nxitë një luftë brenda Kosovës dhe këtë e kemi identifikuar me mesazhet që kanë ardhur në drejtim të Kosovës me atë që NATO-ja ka nisë të fajësohet si një mekanizëm që po i përkrahë vetëm shqiptarët dhe po synon me i ndihmu ata me pushtimin e veriut të Kosovës”, tha ai.

Sipas raportit, Kosova nuk ka kapacitete për t’u përballur me dezinformatat që vijnë nga Rusia dhe ndikimit që mund të vijë nga Kina.

“E dhëna kryesore është që influenca e tyre po mbërrin të ndikojë edhe qytetarin e Kosovës për shkak se matjet që janë bërë me qytetarët është konstatuar që dezinformata që vjen prej Rusisë perceptohet si diçka e vërtetë në vendin tonë”, tha zoti Gashi.

Në raport theksohet se dezinformatat ruse janë ritransmetuar në mediat e Kosovës të cilat po bien viktimë për shkak të mungesës së politikave editoriale për të identifikuar shpërndarjen e dezinformimit që vjen nga Rusia dhe Kina.

Sipas raportit dezinformatat që vijnë nga Kina megjithëse janë më të pakta në numër, përhapen në Kosovë me synimin për të goditur Shtetet e Bashkuara.

“Pika e parë është promovimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si diçka e keqe dhe si një vend i cili ka kriminalitet të lartë dhe ka probleme me sundimin e ligjit. Pika e dytë është për me promovu ose me trajtu informacione rreth shëndetësisë në Kinë dhe e treta është po ashtu me synu me tregu që Kina është një vend i zhvilluar dhe prodhimet kineze duhet me u ble sepse janë të kualitetit të lartë”, tha zoti Gashi.

Zoti Szunyog tha se një shqetësim i madh që ngritet në raport është përhapja e dezinformatave për një luftë të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat sipas tij, janë të rrezikshme dhe mund të nxisin më tej tensionet.

“Evropa sfidohet nga politikat e ekstremit të djathtë dhe nacionaliste. Si një shoqëri shumë etnike, Kosova nuk duhet të lejojë që të ndikohet nga dezinformatat nacionaliste që dëmtojnë tolerancën”, tha ai.

Në raport theksohet se një përqindje e mirë e popullsisë e ka të vështirë të bëjë dallimin mes informacionit të saktë dhe të rremë në mungesë të njohurive të nevojshme për ta identifikuar dezinformatën.

Raporti bën thirrje për zhvillimin dhe zbatimin e programeve të edukimit për median dhe mekanizmave të fortë të kontrollit të fakteve brenda organizatave mediale, si një mundësi për të luftuar dezinformatat që vijnë nga jashtë.

5% e grave në Shqipëri të dhunuara, 159 gra e vajza u vranë në 13 vjet nga të afërm

Dhuna ndaj grave dhe vajzave vijon të jetë një fenomen shqetësues në Shqipëri.

Raporti i publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë e rendit vendin tonë të dytin pas Rumanisë sa i takon fenomenit të dhunës ndaj grave në Europën Qendrore,

Referuar shifrave rezulton se 5% e grave në vendin tonë dhunohen. Edhe pse jo të gjitha rastet denoncohen, në 5 vitet e fundit, 33.628 gra dhe vajza kanë kërkuar urdhër mbrojtje.

Vetëm në 10 muajt e parë të 2023 janë arrestuar për dhunë në familje 611 persona.

Sipas të dhënave zyrtare shifrat vazhdojnë të jenë në të njëjtin nivel në vitet e fundit, me thuajse 4 mijë denoncime çdo vit. Qyteti me denoncimet më të mëdha të dhunës është Tirana.

Por problem nuk mbetet vetëm dhuna por edhe krime më të rënda ndaj grave. Nga vitit 2010 në Shqipëri janë vrarë 159 gra dhe vajza, ndërsa në 10 muaj të 2023 janë vrarë 10 vajza dhe gra.

Në kuadër të 14 ditëve kundër dhunës, vijon të apelohet për ta denoncuar çdo rast dhe për të mos heshtur.

Sa I takon shifrave në nivel global, vlerësohet se rreth 736 milionë gra pothuajse një në tre i janë nënshtruar dhunës fizike dhe ose seksuale nga partneri.

”Zihen në parlament dhe flasin me mesazhe”, Kadilli: Shqiptarët e rrëzuan njëherë Berishën, duan dikë tjetër

Ish-deputeti, Fatbardh Kadilli akuzoi klasën politike se pas debateve në parlament, flasin me mesazhe dhe janë në një komunikim krejt normal me njëri-tjetrin, pavarësisht se në sy të njerëzve ndajnë mendime të ndryshme.

“Ne u rrëzuam me një milion vota duke qenë në pushtet. Pse? Për korrupsion, konsum dhe dështime. Tani, po i njëjti njeri i thotë shqiptarëve ‘më votoni mua se unë nuk jam aq i keq sa Edi Rama’.

Po je i keq mor zotëri! Shqiptarët të rrëzuan njëherë, shqiptarët duan diçka tjetër. Prandaj Edi Rama lufton që të jetë Sali Berisha atje, sepse është një betejë që e ka fituar me të, sepse nuk vjen si opozitë e pastër dhe e re, vjen si opozitë e vjetër, e diskretituar, e mundur radhazi nëpër gara.

Mjafton të shohësh sapo bie perdja e parlamentit si ndryshon toni i komunikimit midis deputetes dhe ministrit, mjafton të shohësh se si kur ka mbaruar biseda takohen e qeshin nëpër stadiume apo në Bllok, apo Lalëz. Pra, janë në të njëjtën varkë. Ajo varkë po fut ujë nga sistemi i drejtësisë,” – u shpreh Kadilli në një intervistë për Euronews Albania.

Prag festash/ Rama tallet me Ismail Qemalin, e quan…

Edi Rama njihet për shpotitë e tij, por edhe ato e kanë një limit, sidomos kur bëhet fjalë për figura të rëndësishme të kombit.

Gjatë bashkëbisedimit në Këshillin Atlantik, Rama ka shfrytëzuar momentet e fundit të intervistës për të bërë atë që di të bëjë më mirë, një batutë.

Teksa gjatë gjithë kohës prapa tij ndodhej portreti i Ismail Qemalit, Rama është pyetur nga gazetari se kush është personi prapa tij.

“Gjyshi im, nuk e shikoni ngjashmërinë”, u shpreh Rama me tone shpotitëse, duke treguar edhe tiparet fizike të ngjashme me Ismail Qemalin.

Pyetja që shtrohet është: A mundet një Kryeministër të bëjë humor me “babain e kombit” pikërisht në prag të 28 Nëntorit?

“Manipulon videot dhe zërin me saktësi”, BIRN: Revolucioni i AI ngre shqetësime për sigurinë e informacionit në Shqipëri

Studentë, gazetarë dhe profesionistë të tjerë në Shqipëri po e përdorin inteligjencën artificiale si një mjet ndihmës në punën e tyre të përditshme, por bashkë me avantazhet teknologjike lindin edhe shqetësime të reja për keqpërdorimin.

Në fillim të tetorit, një video me përmbajtje erotike qarkulloi masivisht në telefonat celularë të shqiptarëve dhe përmes publikimit në mediat tabloide. Videoja u bë virale për shkak të ngjashmërisë së vajzës që shfaqej në të me njërën nga personazhet më të njohura të showbizz-it në Shqipëri, Luana Vjollca.

Përmes disa postimeve në rrjetet sociale, Vjollca e denoncoi videon si baltosje dhe mohoi që të ishte ajo protagonistja. Por spekulimi mori fund vetëm pasi ekspertë të teknologjisë e analizuan videon dhe vlerësuan se ajo ishte manipuluar përmes teknologjisë deepfake të prodhuar përmes inteligjencës artificiale.

“Kjo teknologji jo vetëm që mund të krijojë video të manipuluara, por edhe të klonojë zërin e një personi me një saktësi të jashtëzakonshme,” sqaroi përmes një postimi në Facebook Blerim Gjeladini, përfaqësues i kompanisë së teknologjisë “Terra”.

Inteligjenca artificiale ka nisur si disiplinë akademike në mesin e shekullit të kaluar, por fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm vjeshtën e vitit 2022, kur kompania OpenAI lançoi ChatGPT [Chat Generative Pre-trained Transformer]. Prej asaj kohe, ChatGPT numëron mbi 180 milionë përdorues në të gjithë botën.

Shqipëria nuk bën përjashtim, ku studentë, gazetarë dhe profesionistë të tjerë po e përdorin inteligjencën artificiale si një mjet ndihmës në punën e tyre të përditshme. Megjithatë, episodi me videon e fillimit të tetorit ka krijuar shqetësime mbi efektet e teknologjisë në manipulimin e informacionit.

Blerjana Bino, drejtore ekzekutive e Qendrës “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim”, SCiDEV, vlerëson avantazhet e përdorimit të inteligjencës artificiale nga shumë profesione, por thekson gjithashtu se ky mjet ka rrezik të përdoret edhe nga aktorët që kanë për qëllim dezinformimin e publikut.

“Mendoj se kanë një instrument të ri shumë të fuqishëm në dispoziocion kur vjen puna te dezinformimi, manipulimi i informacionit apo të lajmeve të fabrikuara,” tha Bino.

Avantazhet dhe rreziqet

Jesmina Sengla, studente në prag diplomimi për Shkenca Politike, e përdori fillimisht ChatGPT-në për temën e saj të diplomës. Ajo interesohej të dinte se si ky model i inteligjencës artificiale mund ta ndihmonte në rishikimin e literaturës.

Sengla e testoi fillimisht ChatGPT dhe zbuloi se ishte shumë i saktë për organizimin e materialit dhe nëndarjen e tematikave. Por gjeti gjithashtu arsye për t’u shqetësuar.

“Doli që një referencë praktikisht e kishte fabrikuar nga hiçi,” tha ajo.

Edhe gazetari, Isa Myzyraj thotë se e përdori për herë të parë ChatGPT për të strukturuar një kronikë televizive dhe mbeti i kënaqur nga rezultati.

“Unë i dhashë disa të dhëna dhe ChatGPT më këshilloi se si duhet të veproja për ta ndërtuar një kronikë. Por mënyra se si të këshillonte ka qenë mjaft specifike,” kujton ai.

Myzyraj nuk e shikon inteligjencën artificiale si kërcënim ndaj gazetarisë profesionale, duke argumentuar se “ajo nuk mund të raportojë në terren”. Por ai i druhet përdorimit të këtij mekanizmi për fabrikimin e lajmeve.

“Personat që merren me fabrikimin dhe me prodhimin e lajmeve të rreme dhe me fushata ta ndyshme denigrimi, lehtësisht mund ta përdorin inteligjencën artificiale,” tha Myzyraj.

Etika profesionale vlerësohet një prioritet i ulët për mediat në Shqipëri – veçanërisht për ato digjitale – duke ngritur shqetësime për përhapjen e lajmeve të rreme, të nxitura nga interesat financiare, politike dhe kriminale, thuhet në raportin e vitit 2022 të Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut.

Duke qenë se lajmet e rreme krijohen për t’u shpërndarë në mënyrë virale në mediat sociale, kjo i bën ato tërheqëse për ripublikim në internet nga media që rendin pas titujve “karrem” dhe klikimeve kundrejt fakteve të verifikuara dhe informacionit të thelluar.

Në këto kushte, Bino nga SCiDEV thekson se edukimi mediatik duhet të marrë një rëndësi të dorës së parë në luftën kundër dezinformimit, tashmë edhe me ndihmën e ChatGPT.

“Lexuesit duhet të shohin sa burime ka përdorur apo i është referuar gazetari në materialin që po lexon… Dhe elementi tjetër është verifikimi, ta verifikosh dhe me burime të tjera, nëse ka pikëvështrime që e mbështesin apo e kundërshtojnë atë,” shtoi ajo.

Për Koloreto Cukalin, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias, problemi nuk është inteligjenca artificiale, por mënyra se si ajo do të përdoret.

“Edhe shkeljet etike që do të ndodhin, do të ndodhin nga futja e duarve të njeriut dhe jo nga teknologjia,” përfundoi ai. /BIRN

“Në të ardhmen, mbledhje mes dy qeverive”, Albin Kurti: Do të jem në Shqipëri për ditën e Pavarësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zbuluar për mediat kosovare se do të vizitojë Shqipërinë e më tej Vlorën në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ditën e nesërme.

Ai ka treguar se do të jetë në Vlorë, më 28 Nëntor në nderim të dëshmorëve e heronjve që sakrifikuan jetën e tyre për liri, për të kryere homazhe.

I pyetur për një mbledhje të mundshme mes dy qeverive shqiptare, Kurti është shprehur i sigurt që në të ardhmen do të ketë të tilla, por nuk ka përcaktuar asgjë.

Sigurisht se do të kemi edhe mbledhje të qeverive në të ardhmen. Ndërkaq, unë sonte do të jem në Tiranë, për shkak se teatrot tona do të japin një shfaqje përmbyllëse me regji të Ilir Bokshit dhe njëkohësisht do të japin edhe çmimet përkatese. Ndërkaq, nesër do të jem në Vlorë, ku do të bëjmë homazhe, nderim për panumër dëshmorë e heronj të cilët sakrifikuan që të jemi të lirë e të bashkuar. Deri më tani kemi 184 marrëveshje dhe nuk ka asnjë qeveri në Kosovën e pavarur e cila ka bërë më shumë marrëveshje dhe zbatim të tyre sesa kjo e jona për rreth 2/3 e mandatit”, tha ai

Gjirokastra dhe Korça në mesin e rajoneve me rënien më të madhe të shtesës natyrore të popullsisë në Europë

Emigracioni dhe plakja po e ulin me shpejtësi popullsinë e Shqipërisë.

Të dhënat krahasuese të Eurostat tregojnë se, Gjirokastra dhe Korça u renditen në Rajonet e Europës më rënien më të madhe të shtesës natyrore të popullsisë në vitin 2021.

Shtesa natyrore e popullsisë së Gjirokastrës ra nga janari i vitit 2021 në janarin e vitit 2022 ra me 7 për qind, ndërsa në qarkun e Korçës me 4.3 %. Në hartën e mëposhtme rajonet me ngjyrë e artë më të erret përfaqësojnë rënien më të madhe të shtesës natyrore të popullsisë mbi 7 për qind dhe ato me të çelët janë rajonet më rritjen më të madhe shtesës natyrore. Gjithashtu qarqet e Dibrës, Kukësit dhe Tiranës renditen ndër rajonet me shtesën më të lartë natyrore. Në Shqipëri veç faktorëve të tjerë, shtesa natyrore popullsisë u ndikua negativisht nga mortaliteti i lartë që shkaktoi pandemia Covid- 19, ku vdekjet shtesë u rriten rreth 30%.

Ndërmjet 1 janarit 2021 dhe 1 janarit 2022, gjatë pandemisë COVID-19, popullsia e BE-se u ul me 265,257 persona. Ky reduktim i atribuohet ndryshimeve natyrore të popullsisë (më shumë vdekje sesa lindje), pasi migrimi neto mbeti pozitiv (më shumë njerëz hynë në BE sesa u larguan). Për më tepër, pandemia luajti një rol. Në të njëjtën periudhë popullsia e Shqipërisë u ul me 36 mijë persona me një rënie 1.2%, ndërsa shtesa natyre ishte negative me rreth 3300 persona pasi pandemia i çoi vdekjet në nivele më të larta se lindjet.

Nga 3, 980 rajone të Europës në 1 164, për të cilat disponohen të dhëna, kishin një normë negative të shtesës natyrore të popullsisë (e përfaqësuar nga tonet e forta të ngjyrës së arit në hartë), 173 rajone regjistruan një normë pozitive dhe 11 rajone nuk panë asnjë ndryshim (i njëjti numër lindjesh me vdekjet), të dyja të paraqitura në tonet jeshile-blu në hartë.

Në vitin 2021, të gjitha rajonet e Bullgarisë, Estonisë, Kroacisë, Letonisë, Lituanisë, Hungarisë, Portugalisë dhe Rumanisë regjistruan norma negative të ndryshimit natyror të popullsisë. Në rastet e Çekisë, Italisë, Polonisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë, pothuajse çdo rajon regjistroi ë normë negative me nga një përjashtim secili.

Më të prekura nga humbja e popullsisë ishin të gjitha rajonet e Bullgarisë. Në të kundërt, çdo rajon në Irlande kishte norma pozitive të ndryshimit natyror të popullsisë në vitin 2021, ndërsa një numër relativisht i lartë rajonesh në Belgjikë, Francë, Holandë, Austri dhe Suedi gjithashtu regjistruan norma pozitive. Kështu ndodhi edhe në Luksemburg dhe Qipro.

Sipas të dhënave nga INSTAT, në Shqipëri gjatë vitit 2021 lindën 27.284 foshnja, duke shënuar një rënie me 2,8 %, krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit 2021 humbën jetën 30.580 persona, duke shënuar një rritje me 10,8 %, krahasuar me 2020.

Gjatë vitit 2021, katër qarqe të vendit shënuan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në tetë qarqet e tjera shtesa natyrore e popullsisë ishte negative./Monitor

“Më thanë që është vrarë”/ Flet vëllai i shqiptaro-palestinezit që humbi jetën në Gaza: Fola para 3 javësh

Një shqiptaro-palestinez, me emrin Ibrahim Jaber ka humbur jetën në Gaza për shkak të luftës. Ende nuk dihet se si ka ndodhur ngjarja dhe sa ditë ka që ka humbur jetën.

Është vetë vëllai i tij, që ka raportuar këtë ngjarje, ndërsa tregon gjithashtu se prej 9 ditësh nuk po arrin me dot të kontaktojë me familjen. Ahmed Jaber ka folur për “Shqipëria LIVE”, ku ka treguar se si e ka marrë vesh lajmin, ndërsa shton se ishte shumë i lidhur me të vëllain

“Unë kam prej 3 javësh që nuk flas me vëllain. Ai jetonte në qytetin e Gazas. Shokë që kam atje më kanë thënë që është vrarë. As me familjarët e mi nuk kam kontakte, shpresoj që dhe ata të jenë mirë. Atje ëhstë shumë rrëmujë, nuk futen të gjithë viktimat në listë. Për herë të fundit me vëllain kam folur para 3-4 javësh. Ai më thoshte që e kishte marrë malli. Ishim shumë të lidhur bashkë. Ai ishte gjysma ime. U ndamë kur unë erdha këtej, para se të niste lufta. Ne donim që ata të vinin këtej, por babi nuk pranoi sepse ai kishte motrën e tij andej, familjen e saj dhe nuk donte t’i linte vetëm. Nuk duroj dot më, doja të ikja unë jo vëllai im. Më ndihmonte për çdo problem, i zgjidhnim bashkë të jgitha gjërat. Unë tani nuk kam më vlerë fare. Do ishte gjëja më e bukur nëse do ishte gjallë, nëse e gjtiha kjo do ishte thjesht një ëndërr e keq. Nëse unë do çmendem… nuk kam më fuqi. Kam shuëm dëshirë ta përqafoj vëllain para se të varroset, t’i them mirupafshim.”- tha Ahmedi.

SHËNIM/ Pse disa duan ta thithin Lulzim Bashën në llumin e politikës së konfliktit?!

I fundit që pyeti se ku është Lulzim Basha, sepse nuk ka asnjë informacion për të, ishte Edi Rama.

Paradoksi nuk qëndronte te pyetja, por tek pjesëmarrësit, të cilët vetëm pak minuta më parë ishin ndarë nga tryeza e propozimeve të Lulzim Bashës për Reformën Zgjedhore, Vetingun në Politikë dhe Votën e Emigrantëve.

Përveç Ramës, përditë Lulzim Basha “provokohet” me një mal akuzash të paqena, shpifjesh, trillimesh, sajesash, gënjeshtrash, një mijë të zezash…, nga Sali Berisha dhe çirakët e tij politik dhe mediatik.

Duan ta fusin te “kurthi” i tyre, për të mos bërë asnjë diferencë, duke mos pasur asnjë ndryshim.

Të mbahet ndezur teatri i akuzave dhe i konfliktit.

Madje, ndonjëherë i kërkohet me forcë edhe nga “të tijët” të dalë, të reagojë, të sulmojë, të bëhet pjesë e “betejës” politike dhe mediatike, sepse vetëm kështu mund të sigurojë ekzistencën e tij.

Por, pavarësisht të gjithave, Basha ka preferuar t’i lërë vetëm në aktin e fundit teatral dhe të merret me njerëzit dhe ndërtimin e alternativës

Ka zgjedhur këtë mënyrë, jo sepse është duke fjetur gjumë, siç kanë qejf ta akuzojnë.

Ka zgjedhur një rrugë tjetër, ndofta më të vështirë, më të gjatë, por më të sigurt.

Nëpërmjet turit të tij në të gjithë Shqipërinë, përmes ristrukturimit të strukturave të PD-së, pas luftës vëllavrasëse dhe konfliktit të egër në bazë, Basha po fiton kohë.

Dhe koha në politikë është aleati më i madh, më i fortë, më i sigurt.

Ndërkohë që Berishës dhe Metës i ka mbaruar koha, për shkak të akuzave dhe përballjes së tyre të pashpresë me SPAK-un, Ramës i ka mbaruar vaji i kandilit, për shkak të konsumit dhe të korrupsionit galopant të gjithë strukturave kapilare të qeverisë, Basha kohën e ka të vetmin aleat të sigurt.

Ai nuk ngutet, sepse më mirë se kushdo tjetër Lulzim Basha e di që Trekëndëshi i Bermudës është i destinuar të shpërbëhet, gradualisht, por përfundimisht.

Prokuroria dhe Gjykata e posaçme janë mekanizma hiper politik, të cilët do të bëjnë punën e tyre, duke e thërmuar sistemin me të gjithë mbetjet e tij të politikës së vjetër 30-vjeçare.

Ndaj Basha nuk ka zgjedhur të bëhet pjesë e kësaj shfaqjeje që është e destinuar të përfundojë në shkërmoqjen e gurëve të mokrrës, por të ndërtojë një alternativë tjetër, të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Sigurisht, që kjo rrugë e zgjedhur ka limitet e saj, mirëpo ka ende dhe pak kohë…

Dimri i politikës do bëjë të tijën, SPAK-u do t’i thërrmojë, pa kthim, pa dallim, pa kompromis.

Është e vetmja rrugë, s’ka tjetër….

Nga Namir Lapardhaja/ Iliaz Vrioni – Firmëtari i Pavarësisë që u flak në Osum

Mëngjesi i 27 nëntorit 1912 duhet ta ketë gjetur Beratin me një të ftohtë të ëmbël.
Dielli ka nisur rrezëllitjen mbi Tomor dhe dukshëm i ka shpërhapur njëtrajtshëm ndanë qytetit.

Atë ditë, Iljaz Vrioni ka marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Lushnje.

Pas ceremonisë zyrtare dhe fjalëve të rastit, Beu është nisur, hipur në pajtonin e tij luksoz, drejt Vlorës.

Ndalesën e parë e ka bërë në sarajet e vrionasve në Fier, për të mbërritur të nesërmen në qytetin bregdetar, ku së bashku me përfaqësuesit e tjerë të Prefekturës, Hajredin Be Cakranin, Xhelal Be Skraparin, Dudë Karbunarën, Taq Tutulanin, Sami Be Vrionin, ka hedhur firmën mbi Aktin e Pavarësisë.

Për nga rëndësia, pasardhësi i derës së madhe, në mbledhjen e pestë të Kuvendit të Vlorës, është votuar, thuajse, në mënyrë unanime, për të qenë anëtar i Pleqësisë, kurse me pëlqimin e vetë Ismail Qemalit u emërua këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ndonëse shumë i ri, Iliaz Vrioni ka mbajtur gjatë asaj kohe postin e kryetarit të bashkisë, për t’i hapur më pas rrugë zgjedhjeve vendore, për shkak të angazhimeve të reja shtetërore.

Ngjarjet që ndodhën në Shqipëri midis viteve 1912-1920 janë shtatzënë me zhvillime.
Ato janë vite të mishërimit të absurditetit, të pakuptimësisë dhe të përçartjes.
Herë të stisura së brendshmi, herë të mbarsura nga jashtë, ato rrodhën natyrshëm për nëpunësin e ri të shtetit shqiptar, i cili është gjithmonë në anën e kombëtaristëve, si shërbëtor i paepur i çështjes kombëtare, në vazhdën e traditës familjare.

Dhe dielli lind përsëri. Këtë radhë në Lushnje, ku më 21 janar 1920, ora 10 e paradites, çel punimet Kongresi më i rëndësishëm i shtetformimit shqiptar. Iliaz Beu është një ndër delegatët kryesorë. Ai propozohet për të qenë pjesë e kabinetit të Sulejman Delvinës, por “Ilias Bej Vrioni për shkaqe të veçanta nuk e pranoj”. Pa mbushur një vit, qeveria jep dorëheqjen. Një kabinet i ri, me figura të pranuara, të dalluara për urtësi dhe profil qytetar, ishte domosdoshmëri. Ai që kishte refuzuar pjesëmarrjen, do të pranojë këtë radhë të formojë qeverinë. Është 38 vjeç. Në kulmin e pjekurisë politike. Urtësia e beratasit dhe shkollimi në zemrën e Perandorisë Osmane po e ndihmonin për konsolidimin e pozitës politike. Sfida e parë me të cilën përballet është ruajtja e pavarësisë dhe forcimi i shtetit të brishtë shqiptar. Veç postit të Kryeministrit, mban edhe atë Ministrit të Punëve të Jashtme. Diplomati i ri do të përfaqësonte vendin në Lidhjen e Kombeve.

Vitet ’20-’24 rrjedhin shumë shpejt. Përplasje politike për pushtet. Kulmi arrihet në ’24, ku qeveria legjitime, e dalë nga zgjedhjet, rrëzohet me anë të një grushti shteti që zgjat pak kohë. Pas triumfit të legalitetit, për shkak të një simpatie personale që gëzonte tek Ahmet Zogu, e cila shoqërohej ndonjëherë nga një xhelozi e pajustifikuar, Iliaz Vrioni është sërish në qendër të zhvillimeve. Atë do ta shohim si kryeministër, ministër të Jashtëm, përfaqësues të Shqipërisë në Francë dhe vende të tjera.

Ashtu siç do të shprehej vite më vonë Jusuf Vrioni, babai kishte ditur gjithmonë të tregohej i urtë, i matur dhe i arsyeshëm, duke e trajtuar mjaft njerëzisht dhe ndihmuar me mënyra të ndryshme opozitën antizogiste të mërgimit, prej një pjese të së cilës ishte dënuar dikur me vdekje. Ishte kjo një traditë e vjetër familjare, dera e së cilës kishte qenë përherë e hapur për vizitorët dhe udhëtarët. Miq të ftuar dhe të paftuar bujtnin në selamllëkun e Beut, ku u rezervohej pritje e veçantë, karakterizuar nga nderimet e rastit.

Më 17 mars 1932, ndërsa shërbente në Paris si ministër Fuqiplotë, zemra e Iliaz Vrionit pushoi së rrahuri nga infarkti i miokardit.

Ambasadori i shtetit shqiptar do të mbyllte sytë përgjithmonë në moshën 50-vjeçare. Shteti francez i kreu të gjithë nderimet e rastit. Xhenazeja e tij u fal në xhaminë e madhe të Parisit, arkivoli u mbulua me flamurin shqiptar, ndërsa kortezhi mortor e shoqëroi trupin e pajetë në shtratin e topit. Ai u përcoll me të gjithë nderimet për në qytetin e tij të lindjes, ku populli beratas doli dhe e priti me mirënjohje të veçantë. Flamujt në institucionet lokale u ulën në gjysmështizë, imamët e xhamive kënduan salla për hir të shpirtit të tij, ndërsa kambanat e kishave gjëmuan në shenjë respekti.

Në qendër të qytetit, në pjesën veriore të Xhamisë së Plumbit, u ndërtua Mauzoleu ku do të prehej trupi i Iliaz Beut.

Ndonëse Beu i madh u përcoll për në udhëtimin e amshuar, në këtejbotë jeta vijoi rrjedhën.

Derisa në vitin 1946, vetëm pak kohë pasi komunistët kishin ardhur në pushtet, një turmë e vuvët e harlisur, e ushqyer me urrejtjen klasore dhe e mbrujtur me filozofinë djallëzore, iu turr ndërtesës-varr të Iliaz Vrionit, shpërtheu sarkofagun, mori trupin e pajetë të të ndjerit dhe e hodhën në Osum.

Shqipëria po futej në një qorrsokak të mynxyrshëm, në një ëndërr të keqe, ku nata do të hidhte pelerinën e zezë për 45 vjet dhe ku Zoti do të zëvendësohej nga një besim i ri, pjesëtarëve të të cilit, kur u kërkohej, nuk kursenin as eshtrat e të vdekurve.

Qoftë edhe kur bëhej fjalë për Iliaz Vrionin, vdekur katërmbëdhjetë vjet më parë.