30.5 C
Tirana
E diel, 22 Qershor, 2025

Masakër në dasmën e tij, dhëndri vret gruan, nënën dhe motrën e saj dhe më pas edhe veten

Mes viktimave ishin edhe nëna dhe motra e nuses dhe një nga të ftuarit në festë

Një ish-rojtar pylli vrau gruan me të cilën sapo ishte martuar dhe tre persona të tjerë gjatë dasmës së tij. Më pas burri vuri armën në kokë dhe i mori jetën vetes. Vrasjet dhe vetëvrasja, siç raportohet sot nga Bangkok Post, ka ndodhur në Tajlandë, në fshatin Wang Nam Khieo, në provincën rurale të Nakhon Ratchasima.

Dhëndri, Chaturong Suksuk, 29 vjeç, mungoi për pak kohë në dasmë. Ai u kthye i armatosur dhe hapi zjarr rreth orës 23:30 me orën lokale, duke vrarë gruan e tij Kanchana Pachunthuek (44 vjeçe), me të cilën kishte jetuar së bashku për tre vjet, nënën dhe motrën e saj dhe një burrë që ishte në mesin e të ftuarve. Një tjetër mysafir ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Nuk dihen arsyet e veprimit të tij. Dasma nisi me një rit budist në mëngjes dhe pjesa tjetër e ditës kaloi në një atmosferë festive. Burri kishte punuar më parë si rojtar pylli dhe ishte bërë invalid pasi kishte plagosur këmbën gjatë detyrës.

Infeksionet e veshit, faktet dhe zgjidhjet e mira natyrale

Infeksionet e veshit kanë tendencë të ndodhin më shumë në vjeshtë dhe në dimër sepse problemet shëndetit, si të ftohtit dhe gripit janë gjithashtu në rritje.

Një infeksion i veshëve, ose otitis media, është shkaku më i zakonshëm i problemeve me veshët.

Infeksioni në vesh sipas burimeve të AgroWeb.org shoqëron një të ftohur të zakonshëm, grip, ose lloje të tjera të infeksioneve të frymëmarrjes.

Kjo ndodh për shkak se veshi është i lidhur me rrugët e sipërme të frymëmarrjes me një kanal të vogël të njohur si kanali i Eustakut.

Mikrobet që zhvillohen në zgavrat e hundës ose të sinusit mund të ngjiten në kanalin e Eustakut dhe të arrijnë veshin.

Infeksionet e veshit janë një nga arsyet më të zakonshme për vizitat në qendrat e kujdesit shëndetësor.

Rreziqet nga problemet e veshit

Infeksionet e patrajtuara të veshit mund të çojnë në komplikime më serioze, duke përfshirë humbjen e dëgjimit, dëmtimin e daulles, meningjit dhe deri në paralizë nervore të fytyrës.
Cilat janë shenjat e infeksionit të veshit?

Një dhimbje e mprehtë, e papritur ose një dhimbje e shurdhër dhe e vazhdueshme
Një ndjenjë zhurme në vesh
Të përziera
Dëgjim i dobësuar
Rrjedhje lëngu nga veshët

Sa herë që dyshoni se jeni prekur nga një infeksion i veshit, AgroWeb.org ju këshillon të konsultoheni me mjekun.

Disa zgjidhje tradicionale për lehtësimin e problemeve të veshit
Kripa

Ngroheni një gotë kripë në një tigan mbi nxehtësi të ulët për disa minuta. Vendoseni kripën e nxehtë në një leckë dhe mbylleni si kompresë.

Kur është e nxehtë, vendosni kompresën me kripë në veshun e prekur për 5 deri në 10 minuta. AgroWeb.org ju tregon ta përsërisni këtë çdo ditë sa herë që është e nevojshme.

Ngrohja nga kompresa do të ndihmojë në nxjerrjen e lëngjeve nga veshi dhe lehtësimin e ënjtjes dhe dhimbjes. Si një alternativë, ju mund të përdorni një filxhan oriz në të njëjtën mënyrë të përshkruar më sipër.
Hudhra

Hudhra ka veti antimikrobike dhe është shumë e efektshme në trajtimin e infeksioneve të veshit. AgroWeb.org ju këshillon të valoni dy ose tre thelpinj hudhrash të freskëta në ujë për pesë minuta, pastaj shtypini ato dhe shtoni pak kripë.

Vendosni përzierjen në një leckë të pastër dhe vendoseni atë si kompresë jashtë veshit të prekur. Konsumimi i i përditshëm dy – tre thelpinjve të hudhrave gjithashtu ndihmon në përshpejtimin e procesit të shërimit.
Borziloku

Lëngu i Borzilokut arrin të lehtësojë dhimbjen e veshëve, si dhe zvogëlon infeksionin. Shtrydhni disa gjethe të freskëta borziloku dhe me një pambuk të njomur me këtë lëng dhe lagni nga jashtë sipërfaqen rreth veshit të infektuar.

Shmangni marrjen e lëngut në kanalin e veshit. AgroWeb.org ju tregon se duhet ta përdorni vetëm në zgavrën e veshit, rreth pjesës së jashtme dhe pas veshit. Përsëriteni procesin dy herë në ditë.
Uthulla e Mollës

Për të eliminuar mikrobet që shkaktojnë infeksionin e veshit, uthulla e mollës është një zgjidhje e mirë.

Bashkoni një sasi prej 20 ml uthull molle me një sasi të barabartë me ujë. Njomni pak pambuk, vendoseni në veshin tuaj si fitil dhe lëreni për rreth pesë minuta.

Hiqeni pambukun dhe përdorni një tharëse flokësh për të tharë veshin sa më shumë që të jetë e mundur.
Vaj Ulliri

Një nga shkaqet kryesore të një infeksioni të veshit është dylli i infektuar nga mikrobet. Ju mund ta pastroni lehtësisht veshin me ndihmën e vajit të ullirit.

Ngroheni fare pak vajin e ulliri. Vendosni 2-3 pika të vajit të ngrohtë në veshin e infektuar. AgroWeb.org ju informon se vaji do të shkaktojë zbutjen e dyllit.

Hiqni dyllin e infektuar me tamponë me pambuk. Kini kujdes të mos e vendosni thellë në vesh pasi mund ta dëmtoni daullen.
Kompresa me ujë të ngrohtë

Sa më shpejt që të jetë e mundur, aplikoni disa kompresa të nxehta në veshin e infektuar. Kjo do të lehtësojë disa nga dhimbjet dhe gjithashtu do të parandalojë rritjen e infeksionit.

Njomni një copë të pastër në ujë të ngrohtë dhe pastaj vendosni kompresën në veshin e infektuar. Mbajeni pesë minuta, por jo më gjatë dhe pastaj përsëritni procesin sipas nevojës në intervale kohore 1-2 orëshe.

“Ecja e fundit bashkë”, Jul Deda ndan foton me të atin: Bab direkt më mori malli! Nder të jem yt bir

Pas humbjes së babait të tij, figurës së mirënjohur të humorit shqiptar Zef Deda, Juli i ka kushtuar këtij të fundit një dedikim të ndjerë, ku dhe ka ndarë foton nga ecja e fundit që kishin realizuar së bashku.

Ai shkruan se për të është nder i madh të jetë djali i Zef Dedës, ndërsa shprehet se i mungojnë batutat, veprimet, shikimi e përqafimi i të atit.

Postimi i plotë i Dedës:

Ecja e fundit bashke…!

Bab, direkt me mori malli.

Me mori malli per zerin tend, per batutat e tua, per veprimet e tua, per shikimin tend, per keshillat e tua, per energjine tende, per pozitivitetin tend, per perqafimin tend, me mori malli per ty.

Ahh, çfare Babai, çfare figure, çfare talenti, çfare personaliteti, çfare njeriu. Nuk e kam vene asnjehere ne dyshim madheshtine e ketij njeriu, por dje dhe sot, vertetova se Zef Deda perfundimisht nuk ishte vetem i familjes tone, por ishte pjese e cdo familje shqiptare.

Nuk gjej dot fjalet per te shprehur mirenjohjen ndaj secilit prej jush. Jam i emocionuar per respektin qe ju treguat per Zefin si njeri dhe si artist. Faleminderit ju, publik i dashur, per çdo fjale te mire, çdo status ne rrjete sociale, per çdo foto te shperndare, çdo sms te derguar, çdo lot, çdo shtrengim duarsh dhe çdo perqafim, duke shprehur me te gjitha menyrat respektin per figuren e tij dhe dhimbjen per largimin nga kjo bote. Faleminderit te gjitha televizioneve dhe mediave, per çdo lajm dhe kronike ku vleresohet kontributi i tij artistik dhe jo vetem, faleminderit personaliteteve politike, sportive, fetare dhe intelektualeve te ketij vendi, qe e vleresuan Zef Deden ne gjithe dimensionin e tij, faleminderit shqiptareve qe moren rrugen nga çdo cep i vendit dhe jashte tij per te ardhur ne Shkoder e per te na lehtesuar dhimbjen. Mirenjohje!

Babush, une besoj se ti ke pare gjithçka qe ndodhi dje dhe sot, e pe respektin e nje populli te tere per ty, jam i bindur se ishe aty, ta di tipin, nuk iken kollaj ti, madje nuk iken kurre.

Ti, z. Unik, je i perjetshem, sepse njerezit vdesin kur harrohen dhe ti s’ke per tu harruar ne jete te jeteve.

Zemra ime, nuk e ke idene sa te dua. Por pa merak, do flasim çdo nate, do me pyesesh per tekstin e javes dhe une do raportoj si studenti yt i perjetshem, pastaj do dalim dhe do ecim, krah per krah, si gjithmone..!

Nder i madh te jem yt bir…! ❤️

Temperaturat zbresin nën zero, trashësia e borës deri 50 centimetra, cilat janë akset më problematike

Dëbora mbuloi në 24 orët e fundit zona të verilindjes deri në juglundje duke shkaktuar probleme me qarkullimin rrugor në qarqet Kukësit, Dibrës, Malësisë së Madhe të Shkodrës si dhe Korçës.

Trashësia arriti deri 50 centimetra në zonat e thella të Dibrës, ndërsa në qytetin e Peshkopisë shkoi edhe mbi 20 centimetra.

Si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës disa akse rrugore janë bërë të pakalueshme.

Mësohet se pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës rreth orës 23:30 të mbrëmjes së kaluar, autoritetet kanë ndërhyrë me mjete borëpastruese dhe kanë kriposur të gjitha akset kryesore rrugore. Temperaturat në Peshkopi kanë zbritur disa gradë nën zero.

Personat që u bllokuan në by pass-in e Qafë Murrizës u ndihmuan nga policia dhe u larguan nga aty. Bëhet me dije se një pjesë e atyre që kanë lënë mjetet aty ku u bllokuan kanë shkuar tek të afërmit e tyre në ato zona ku kishin mbetur.

Aksi Peshkopi-Maqellarë-Bulqizë-Tiranë është i kalueshëm, por duhet të përdoren gomat dimërore.

Aksi Peshkopi-Koben-Vasie-Kukës është i kalueshëm, por duhet të përdoren gomat dimërore dhe zinxhirët në rast vështirësish.

Aksi Peshkopi-Muhurr-Draj-Reç është i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë.

Situata problematike vijon në Dibër ku disa njësi administrative si Lura, Selishta, Zall Reçi, Kalaja e Dodës dhe Luznia mbeten të bllokuara. Sot pritet që të ndërhyhet në rrugët e fshatrave. Dëbora e madhe ka thyer disa pemë si pasojë e peshës. Po ashtu janë thyer disa shtylla elektrike duke lënë pa energji disa njësi administrative. Kjo avari u rregullua nga OSHEE po brenda mbrëmjes së kaluar.

Problematika paraqiten edhe në Bulqizë, Klos e Mat. Policia apelon drejtuesit e makinave të shmangin lëvizjet e panevojshme, të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirët si dhe të tregojnë kujdes pasi ka ngrica në të gjitha akset rrugore.

Në orët e mbrëmjes së djeshme edhe në juglindje nisën reshjet e borës, veçanërisht në zonat pranë Pogradecit e fshatin turistik të Dardhës. Në Qafë Thanë, bora ka rënë me intensitet më të lartë, por pa sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve. Edhe qyteti i Korçës u përfshi nga reshjet e borës.

Sa i përket reshjeve të shiut që kanë përfshirë pjesën tjetër të territorit, pavarësisht sasisë së madhe autoritetet lokale nuk raportojnë problematika me përmbytjet, ndërkohë që për shkak të erërave të forta disa lundrime në Durrës dhe Vlorë janë pezulluar.

96 të vdekur deri tani nga përmbytjet, në Somali

Është rritur në 96 numri i njerëzve të vdekur nga përmbytjet si pasojë e shirave të mëdha në Somali, njoftoi të shtunën agjencia shtetërore e lajmeve, SONNA.

“Numri i të vdekurve nga vërshimet ne Somali ka shkuar në 96”, shkroi SONNA në rrjetin social X, duke shtuar se kjo shifër është konfirmuar nga Mahamuud Moallin, kryetari i Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive në Somali.

Njëlloj sikurse pjesa tjetër lindore dhe Briri i Afrikës, Somalia është goditur nga shira të pandërprerë që nisën në tetor. Ato u shkaktuan nga El Ninjo dhe një fenomen tjetër klimatik i Oqeanit Indian.

Të dyja janë këto fenomene klimatike ndikojnë në temperaturat e sipërfaqes së oqeanit dhe shkaktojnë reshje shiu mbi mesatare.

Vërshimet janë cilësuar si më të rëndat në dekadat e fundit dhe i kanë shtyrë rreth 700.000 njerëz të zhvendosen, sipas Kombeve të Bashkuara.

Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar vërshime të mëdha nëpër vend, duke nxitur zhvendosjen e njerëzve dhe përkeqësimin e një krize humanitare të shkaktuar nga kryengritjet e vazhdueshme.

Ndërkohë, në shtetin fqinj, Kenia, 76 njerëz vdiqën si pasojë e vërshimeve, sipas Kryqit të Kuq të Kenisë. Vërshimet kanë shkaktuar zhvendosjen e njerëzve, kanë shkatërruar rrugë dhe ura, si dhe i kanë lënë shumë njerëz pa strehë, ujë të pijshëm dhe ushqim. /REL

Debati për simbolet komuniste, ish-të përndjekurit: Politika duket se përpiqet t’i fshehë vuajtjet

Në prag të festave të nëntorit në Shqipëri, Kisha Katolike u ka kërkuar presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, hartimin dhe miratimin e një ligji që do ta ndalonte përdorimin e simboleve komuniste.

arkiva

Ky ligj parasheh edhe dënim për atë që përshkruhet si “krim i apologjisë”, që do të thotë ndalim me ligj i “glorifikimit” të diktatorit Enver Hoxha dhe komunizmit.

Kisha Katolike në Shqipëri kërkon që të ndiqet shembulli i Italisë dhe Gjermanisë, të cilat kanë ligje për ndëshkimin e fashizmit dhe nazizmit.

Kjo kërkesë është bërë në prag të festave të nëntorit – Ditës së Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë. Ky debat është nxitur në këtë periudhë kohore edhe gjatë viteve paraprake, pasi që në përvjetorë të tillë shfaqen shpeshherë simbole komuniste, si portretet e diktatorit Enver Hoxha apo përshëndetja me grusht.

Kisha Katolike, gjithashtu, kërkon që kampet apo burgjet e komunizmit të kthehen në muze, të rishkruhen tekstet shkollore të historisë dhe të kufizohen filmat shqiptarë të prodhuar gjatë diktaturës komuniste që promovonin atë periudhë.

Kisha nuk kërkon ndalimin e tyre, por kërkon të ketë një parashkrim apo sqarim për publikun për kohën e prodhimit të filmit dhe faktin që ka përmbajtje propagandistike komuniste.

Një ndër kërkesat e Kishës Katolike është edhe që “të persekutuarit politikë dhe të mbijetuarit nga burgjet të kenë shpërblimin e përshtatshëm” dhe të përcaktohen qartësisht rregullat për dekoratat, titujt e nderit dhe medaljet në mënyrë që të shmanget vlerësimi dhe lartësimi i funksionarëve të organeve të diktaturës komuniste.

Ky diskutim ishte nxitur qysh në vitin 2015, kur drejtues të lartë të diktaturës komuniste – personazhe që kishin torturuar figura të njohura si At Zef Pëllumbin – përfituan nga dekoratat që u shpërndanë për 70-vjetorin e çlirimit të vendit.

Atëkohë, Qeveria e Shqipërisë i kishte tërhequr dekoratat dhe vetë kryeministri propozoi një ndryshim ligjor që këto ngjarje të mos përsëriteshin. Megjithatë, ky ndryshim ligjor u harrua dhe nuk kaloi kurrë për miratim në Kuvend.

Ish-të përndjekurit: Politika duket se përpiqet t’i fshehë vuajtjet në komunizëm

Kryetari i Unionit Mbarëkombëtar për Integrimin e ish-të Burgosurve Politikë, Besim Ndregjoni, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo kërkesë e Kishës Katolike pasoi një takim që përfaqësues të ish-të përndjekurve patën në Vatikan me Papa Françeskun.

“Bashkë me një grup pjesëtarësh të revoltës së ish-burgut komunist të Spaçit, të cilët janë ende në jetë, i dëshmuam Papës mbi kalvarin e vuajtjeve të tyre në kohën e diktaturës komuniste. I dorëzuam dokumente të përndjekjes komuniste dhe dëshmi për vuajtjet në burgjet komuniste”, thotë Ndregjoni.

Ai shton se Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist që nuk ka një ditë përkujtimi për viktimat e atij sistemi. Për këtë, ai fajëson politikanët.

“Klasa politike në Shqipëri, pa dallim, ka bërë shumë pak për ish-të përndjekurit politik. [Politikanët] nuk kanë bërë përpjekje për t’i dënuar krimet e komunizmit, në institucionet tona ka ende bashkëpunëtorë të ish-sigurimit të shtetit”, thekson Ndregjoni.

“Duket sikur ka përpjekje që të ketë një heshtje ndaj sakrificave të antikomunistëve shqiptarë, të vuajtjeve të mijëra njerëzve. Është koha që shteti shqiptar ta ndërtojë Murin e Kujtesës për gjashtë mijë të zhdukurit në komunizëm”, shton ai.

Historianët mbështesin kërkesën e Kishës Katolike

Në mesin e kërkesave të Kishës Katolike është që librat shkollor të lëndës së Historisë të rishkruhen për ta “dokumentuar të vërtetën e komunizmit në Shqipëri”.

Në vitin 2015, Shqipëria kishte bërë një reformë të teksteve shkollore. Megjithatë, historianët mendojnë se ka ende vend për përmirësim. Historiani Beqir Meta thotë për Radio Evropa e Lirë se i sheh të drejta të gjitha shqetësimet që ngre Kisha Katolike.

“Shteti shqiptar ndër vite nuk ka pasur dëshirë për të inkurajuar studimet për komunizmin. Ka problematika që lidhen me rishikimin e historisë, ka disa emërtime rrugësh, sheshesh, shkollash, që janë reminishenca të komunizmit dhe duhen ndryshuar”, thotë ai.

Sipas tij, reforma e mëparshme e teksteve shkollore “nuk e ka arritur qëllimin”. Ai përkrah edhe kërkesën e Kishës për filmat e prodhuar gjatë regjimit komunist.

“Sigurisht që duhet të ketë një rishikim, një seleksionim të filmave, pjesa më e madhe e të cilëve bartin propagandën komuniste. Ata filma janë pasuri për arkivat, por nuk mund të ketë një kanal të dedikuar për ta, siç e ka televizioni publik shqiptar. Duhen shoqëruar me logo, me kritikë”, thotë Meta.

Si autor dhe redaktor përgjegjës i botimit special të Institutit të Historisë me pesë vëllime “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”, Meta thekson se vitet 1920-1924 janë më të prekurat nga ideologjia komuniste.

Për filmat e prodhuar në kohën e komunizmit, ka pasur edhe më herët propozime nga parti të opozitës dhe Instituti për Krimet e Komunizmit që kërkojnë ndalimin e tyre. Komuniteti i artistëve ka kundërshtuar këto propozime duke argumentuar se, si prodhime kinematografike, këta filma bartin vlera për arritjet e aktorëve, dhe si të tilla nuk duhen ndaluar, pasi kjo do të ishte censurë ndaj artit.

Qytetarët shprehen pro rishkrimit të historisë, të ndarë për ndalimin e filmave

Edhe qytetarët duan që historia që u mësohet brezave të rinj të rishkruhet, ndërsa për ndalimin apo jo të filmave të prodhuar në atë kohë, janë të ndarë.

“Unë e kam jetuar atë kohë. Edhe pa folur asgjë, të spiunonin. Historia duhet të rishkruhet se nuk thotë të drejtën. Edhe filmat të ndalohen, pse duhen dhënë? Propagandë kanë qenë të gjithë filmat”, thotë Gëzim Sallaku, pensionist.

Ndërkohë, një tjetër qytetar, Osman Murrja, mendon se filmat nuk duhen ndaluar sepse thotë se duhet që artistët e asaj kohe të vlerësohen.

“Filmat e kanë treguar realitetin si për Enverin, si për Kishën… nuk kanë pse të hiqen”, thotë Murrja.

Për një ish të përndjekur politik, Agron Talo, është e rëndësishme që vuajtjet e tij si dhe ato të tjerëve gjatë kohës së komunizmit, të mos harrohen.

“Politika duhet të ishte pastruar nga mbetjet e komunizmit që në vitin 1991. Duhet të ketë masa për ata që na dalin në festën e çlirimit me portretin e diktatorit. Kam vuajtur dhjetë vjet në burgjet e Spacit dhe të Qafë-Barit. Dhe, dua që këto vuajtje t’i mësojnë brezat që do të vijnë përmes ndryshimeve në tekstet e Historisë”, thotë Talo.

Deputetja Pampuri: Politika u ka borxh të përndjekurve politikë

Që nga viti 2017, Partia Demokratike (PD) ka folur për nevojën e një ligji që i dënon ata që përdorin simbole të komunizmit. Vitin e kaluar, kjo parti e prezantoi një ligj të tillë në Parlament, por kjo nismë nuk u realizua asnjëherë.

Deputetja demokrate, Orjola Pampuri, thotë për Radion Evropa e Lirë se politika ua ka borxh ish-të përndjekurve këtë ligj.

“Me ligjin për dekomunistizimin u japim fund përpjekjeve politike për ta falsifikuar historinë e regjimit komunist. Politika nuk ia ka dalë të ndërtojë një raport të drejtë me historinë tonë 45-vjeçare. Është për të ardhur keq që në këto ceremoni zyrtare shihen individë që në prani të zyrtarëve të lartë shfaqin simbole të komunizmit”.

“Ky projektligj synon ndalimin e simboleve të komunizmit dhe të përfshirjes në institucione dhe në politikë të personave të lidhur me ish-sigurimin e shtetit. Ky është një borxh që politika, dhe në veçanti PD-ja, ua ka ish-të përndjekurve”, thekson Pampuri.

Më 21 tetor të një viti më parë, Kuvendi i Shqipërisë i ka hapur rrugë riverifikimit të të gjithë personave të dyshuar si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit. Ligji parasheh hapjen e dosjeve, deklasifikimin e të gjitha dokumenteve nga 29 nëntori 1944 deri më 2 korrik 1991, që gjenden në Arkivin e Shtetit./rel

Si dështoi komploti i organizuar nga Ismail Qemali për të rrëzuar sulltan Abdylhamidin II

Nga dr. Hasan Bello

Në janar të vitit 1901 kundërshtarët politikë të Abdylhamidit II, duke përfshirë dhëndërrin dhe dy nipat e tij, Princ Sabahedinin dhe Lutfullahun filluan përpjekjet për organizimin e një kongresi, i cili kishte si qëllim bashkimin e të gjith lëvizjes xhonturke. Ftesën për të marë pjesë në këtë kongres, Ismail Qemali e kushtëzoi me të drejtën e përfaqësimit të të gjitha kombësive dhe që të mereshin në konsideratë kërkesat e tyre.

Kongresi xhonturk u hap në Paris më 4 shkurt 1902, ku merrnin pjesë përfaqësues të të gjithë popujve të perandorisë. Ndërsa nga pala shqiptare përveç I.Qemalit, ishte edhe Ibrahim Temo, Dervish Hima, Hamdi Ohri, Jashar Erebara etj. Kongresi i mbylli punimet më 9 shkurt pa arritur të unifikonte të gjithat rrymat dhe kundërshtarët e Abdylhamidit II.

Pas këtij kongresi I.Qemali vijoi të bashkëpunonte me Princ Sabahedinin. Kjo rrymë brenda lëvizjes xhonturke dallohej nga pjestarët e tjerë për dy qëndrime:
1) Ajo ishte e gatshme që për arritjen e objektivave të saj, të përdorte çdo instrument, duke nënkuptuar përdorimin e forcës dhe bashkëpunimin me shtetet e huaja. Kjo e fundit do të bëhet shkak që ky grupim të përçahet me emrat dhe intelektualët më të njohur të lëvizjes xhonturke.
2) Pjestarët e këtij grupimi konsideroheshin nga pjesa tjetër e xhonturqve si filobritanikë.

Gjatë dhe pas kongresit të Parisit, në takimet që I.Qemali pati me emra të njohur të lëvizjes xhonturke, theksoi nevojën e organizimit të një grushti shteti, si rruga më e shkurtër për rrëzimin e sulltanit. Për realizimin e këtij qëllimi, ai së bashku me Princ Sabahedinin përpiluan një plan, i cili parashikonte përdorimin e ushtrisë. Kjo do të bëhej e mundur duke shfrytëzuar influencën dhe reputacionin e komandantit të ushtrisë osmane në vilajetin e Tripolit, shqiptarit Rexhep Pashë Mati. Ky i fundit njihej si personalitet në radhët e ushtrisë dhe si funksionarë i cili i kishte trajtuar me dashamirësi shumë xhonturq që sulltani herë pas here i internonte në këtë vilajet.

Në një takim që këta tre personalitete patën në ishullin e Maltës ranë dakord, që Princ Sabahedini dhe I.Qemali të merreshin me aspektet politike dhe financiare, ndërsa Rexhep Pashë Mati me aspektin ushtarak. Sipas planit, forcat osmane që ishin nën komandën e Rexhep Pashës në Tripoli do të niseshin drejt Selanikut gjoja për të zhvilluar një stërvitje ushtarake dhe prej aty në Dardanele ku do merrnin nën kontroll Çanakalanë për t`i diktuar më pas Abdylhamidit II kushtet e dorëheqjes.

I.Qemali i cili mendonte se ky plan mund të realizohej vetëm nëse sigurohej përkrahja britanike, i premtoi ambasadorit britanik në Paris, se qeveria që do të vinte pas grushtit të shtetit do të forconte marrëdhëniet dhe pozitat politike dhe ekonomike të Anglisë në Perandorinë Osmane. Për këtë qëllim, në korrik 1902 ai zhvilloi një tur takimesh në Londër ku me ndihmën e Kontrollorit të Përgjithshëm të Egjiptit, Lord Croner kërkoi mbështetje në Forin Ofis. Nga britanikët ai kërkoi gjithashtu të ndihmonin njërin nga djemtë e tij, që në këtë periudhë ishte i internuar në Bitlis.

I.Qemali kërkoi mbështetje edhe nga Khedivi i Egjiptit, Abasi II, i cili për të mbështetur këtë komplot derdhi në llogarinë e një banke angleze 4000 stërlina. Pas dështimit të këtij plani, kjo do të bëhet shkak që Abasi II ta akuzojë për shumë kohë I.Qemalin për përvetësimin e kësaj shume.

Lidhur me shkaqet se përse dështoi ky grusht shteti ka disa hipoteza. Por më kryesoret prej tyre janë:

1-Pasi mori një letër nga Princ Sabahedini, I.Qemali u nis drejt Athinës për të nënshkruar një marrëveshje me tre pronarët e anijeve greke, që ishin marrë me qira për tu përdorur për transportimin e forcave ushtarake osmane nën komandën e Rexhep Pashë Matit. Por kur mbërriti atje, nuk gjeti asnjë anije dhe koha në dispozicion për Rexhep Pashën kaloi. Kjo u bë shkak që një nga anëtarët e Komitet Qendror Xhonturk, Reshid Sadi të vinte në Athinë për të hetuar dhe ndrequr situatën. Ai konstatoi se I.Qemali ishte vendosur në shtëpinë e njërit prej ndihmësve të mbretit të Greqisë. Pas disa bisedimesh u vendos që I.Qemali të nisej drejt Napolit për të siguruar anijet e nevojshme në Itali. Vonesa në fjalë ngjalli skepticizëm si te Rexhep Pasha ashtu dhe te shumë pjesmarrës në këtë komplot.

2-Në kujtimet e disa prej aktorëve dhe dëshmitarëve të këtij komploti thuhet se, Greqia e informuar nga I.Qemali nuk ishte e përgatitur për të nxjerrë maksimumin e përfitimeve politike nga këto zhvillime. Prandaj, ajo vendosi të ndiqte një politikë servile duke informuar Abdylhamidin II mbi këtë komplot.

Kjo do të bëhet shkak që pas Revolucionit Xhonturk kur Rexhep Pashë Mati emërohet ministër i Luftës dhe vdes brenda një kohe të shkurtër, xhonturqit ta akuzojnë Abdylhamidin II si shkaktar të vrasjes së tij. Por një komision i përbërë nga mjekët e ambasadave europiane që morën pjesë në autopsinë e kufomës së Rexhep Pashës konstatuan se ajo ishte një vdekje natyrale si pasojë e një ataku kardiak.

Komploti i vitit 1903 dështoi. Por ai pati si protagonist kryesorë dy shqiptarë të njohur, Ismail Qemalin dhe Rexhep Pashë Matin.

Në foto İsmail Qemali në vitin 1890 dhe Rexhep Pashë Mati (1842-1908).

Beleri akuza nga burgu: Rama me ndërhyrjet e tij politike dirigjon drejtësinë

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë, Fredi Beleri ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se, me ndërhyrjet e tij politike dirigjon drejtësinë shqiptare.

Përmes një postimi në rrjetin social fb, Beleri shkruan se Rama po imponon gjykatën që ta ndalojë të kryejë betimin. Ai shton see ndërhyrja e Ramës është shkelje e prezumimit të pafajësisë.

“Ndërhyrja e z. Rama është shkelje e prezumimit të pafajësisë, siç qartësisht përcaktohet në nenin 6 par.2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Le ta kuptojë që derisa të provohet nëse jam ose jo fajtor, prezumohem i pafajshëm”,- shkruan Beleri ndër të tjera.

Reagimi i plotë:

Kryeministri shqiptar Edi Rama, për të disatën herë në shtatë muajt e fundit, me ndërhyrjet e tij politike dirigjon drejtësinë shqiptare.

Në mënyrë të pavërtetë, deklaron se jam arrestuar në flagrancë për shitblerje votash. Gjykata ende nuk ka vendosur për rrethanat reale të arrestimit tim, ndërsa unë vetë kam paraqitur ankesë në gjykatë lidhur me arrestin në flagrancë, ankesë e cila ende nuk është shqyrtuar nga gjykata kompetente. Nga ana tjetër, z. Rama udhëzon gjyqtarët dhe deklaron se ka qenë në kushtet e flagrancës!

Pyes veten nëse e ka parë ose jo videon e arrestimit tim, e kapur rastësisht nga kamera e një restoranti në shëtitoren e Himarës? A e pa që unë po bisedoja me avokatin dhe kushëririn tim?

Ndërhyrja e z. Rama është shkelje e prezumimit të pafajësisë, siç qartësisht përcaktohet në nenin 6 par.2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Le ta kuptojë që derisa të provohet nëse jam ose jo fajtor, prezumohem i pafajshëm.

Këtë herë, Edi Rama nuk nguron të ndërhyjë edhe në çështjen e betimit tim, çështje e cila pritet të shqyrtohet. Deklaron fjalë për fjalë, duke iu referuar personit tim: “Ai nuk mund të betohet, pasi ligji ynë është shumë i qartë për kushtet në të cilat kryhet betimi”.

Deri më tani na trumbetonte se është drejtësia ajo që do të vendosë dhe se ai vetë nuk dëshiron të ndikojë në vendimin e gjykatës. Duke qenë se tani e sheh që seanca lidhur me shqyrtimin e kërkesës sime për kryerjen e betimit do të zhvillohet më 4 dhjetor 2023, po ndryshon taktikë. Ai i urdhëron gjyqtarët të shqyrtojnë kushtet në të cilat kryhet betimi dhe paragjykon vendimmarrjen e tyre. Në këtë mënyrë, imponon gjykatën që të më ndalojë të betohem.

Le të tregojë vetëpërmbajtje, siç i takon për postin që mban. Në fund të fundit është kryeministër! Le të sillet si i tillë!

PD, Çollaku: Rruga e Arbërit, rruga që nuk mbaron kurrë

“Rruga e Arbërit, rrugë që nuk mbaron kurrë.” – shkruan në facebook nënkryetari i PD-së, njëkohësisht deputeti i qarkut Dibër, Kreshnik Çollaku.

Çollaku shkruan se sot 300 qytetarë janë rrezikuar seriozisht në rrugën që nuk mbaron.

Më poshtë postimi i plotë i deputetit Çollaku:

Një përzierje, neglizhence, korrupsioni,, cinizmi njerëzor.
Rruga e Arbrit një tallje me dibranët, matjanët, bulqizakët.
Rruga e Arbrit, një abuzim me besimin dhe taksat e qytetarëve.
Sonte 300 qytetarë janë rrezikuar seriozisht në Rrugën qe nuk mbaron.
Çdo ditë, çdo muaj, dhjetëra qytetarë humbasin jetën në rrugën që nuk mbaron, jashtë çdo cilesie e garancie.
Zyrat e propagandës së qeverisë nuk e fshehin dot skandalin, shpejt dikush do të përgjigjet për këtë situatë, para drejtësisë.

Berisha ka mbetur në vitin ’90, Rama imiton, Mediu nxorri nga sirtari…

Nga Sebastian Zonja

Të thuash të njëjtën gjë me fjalë të ndryshme nuk është ide e re. Thuajse një dekadë më parë, kreu i republikanëve Fatmir Mediu propozoi konfederatën e djathtë si bashkim të partive të vogla përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Sot, sërish, bashkë me disa kolegë të partive të vogla, ka të njëjtin propozim për koalicion opozitar të të vegjëlve.

Së pari, kjo logjikë ngjan si ajo e Sali Berishës që për çdo gjë thotë protesta të pandalshme që të rrëzojmë Ramën siç rrëzuam Ramiz Alinë. Berisha ka mbetur në vitin ’90. Këta në vitin 2000 kur morën kryesinë e Partive.

Së dyti, është e çuditshme se si kanë nga 30 vjet kryetar partish dhe kërkojnë sërish votën e lirë dhe demokraci kur s’e zbatojnë në partitë e tyre.

Së treti, çdo palë zgjedhje, kryeministri Edi Rama ndryshon strategji zgjedhore. Diku imiton, diku gjen diçka origjinale. Riciklimi i lëvizjeve të konsumuara politike nga opozita jo që s’e mund maxhorancën, por nuk krijon dot as frymë opozitare. Kur ndërmerr gjithnjë të njëjtën lëvizje dhe pret rezultate të ndryshme nuk ngjan politikan i zgjuar.