31.5 C
Tirana
E diel, 22 Qershor, 2025

SHËNIM/ Çfarë tregon lëshimi në sulm i Tritanit nga Berisha për grupin e Gaz Bardhit?

Ndonëse në dukje gjithçka rrjedh normalisht në grupin e deputetëve të “Rithemelimit”, është e qartë se ajo qetësi është e rreme.

Gjithsekush aty pret t’i ngul thikën atij që ka përballë ‘për dy aspra’ akses politik më shumë.

Kjo është kultura politike që ka mbjellë Berisha në 32 vite.

Ajo me të cilën ai ka sunduar në Partinë Demokratike, shpeshherë pa rival përballë.

Duke mos lejuar asnjë pemë të rritet në oborrin e tij, asnjë lule të lulëzojë në kopshtin e tij.

Vetëm ai të mbretërojë si lis i gjatë.

Berisha i kurorëzuar në “Fronin” e Asgjësë dhe të gjithë poshtë tij në betejë të përgjakshme të Hiçit.

Po ashtu, tashmë është e qartë se kush i nxirrte bisedat e mbledhjeve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në media, duke dashur që nëpërmjet tyre të promovonin ambiciet e sëmura.

Nëse e kanë bërë historikisht me Bashën një gjë të tillë, Berisha nuk mund t’ua tolerojë më dhe po u tregon vendin dhe atë se çfarë janë në të vërtetë.

Lëshimi në sulm i besnikut historik të tij, Tritan Shehut, nuk ishte rrufe në qiell të hapur.

Dihet që Tritani ka folur gjithmonë me fjalët dhe gojën e Berishës, ka dëgjuar përherë ato që Saliu ka dashur të dëgjojë dhe ka sulmuar gjithmonë ata që Doktori ka dashur të sulmohen.

Ka një detaj të hershëm të mjekut të mirënjohur Shahin Kadare në këtë drejtim, por këtu nuk është as vendi as momenti.

Por si i etiketoi Berisha nëpërmjet gojës së Tritanit deputetët Bardhi, Salianji, Gjekmarkaj etj.?

“Skutha…ndyrësi…primitivë…burracak…brumbuj frikacakë…që janë mësuar vetëm të zvarriten…nga balta ku janë zhytur kërkojnë të pickojnë më lart..”

Ky nuk është thjesht përfytyrimi i Tritanit për ta, por i Berishës për grupin e tyre.

Pavarësisht lojës së deputetëve të Gaz Bardhit, Sali Berisha di të përçojë mesazhe në shumë mënyra.

Paralajmërimi i fundit për ta ishte ky nëpërmjet deputetit të moçëm Tritan Shehu.

2 dhjetori po afron, ndaj grupi i Bardhit, Salianjit dhe të tjerëve duhet të zgjedhin: të bashkohen me Berishën, duke u asimiluar përfundimisht apo të vijojnë me lojën e derisotme dhe pas kësaj date të bëhen objekt i “qenëve të sulmit” të Doktorit.

Duket si një lëvizje e detyrueshme:

Berisha pranon tezën e artikuluar nga Basha për herë të parë, që të çojë në Kushtetuese marrëveshjen Rama-Meloni, duke plotësuar kështu edhe dëshirën e grupit të deputetëve të Bardhit, njëkohësisht u jep atyre edhe një shans për t’iu bashkuar mbledhjes së Këshillit Kombëtar të thirrur prej tij në 2 dhjetor.

Të shkojnë, mbarojnë politikisht, sepse Berisha ka mundur t’i thithë plotësisht në gjanën e tij të pashpresë politike.

Të mos shkojnë, marrëdhënia e tyre me grupin e Berishës merr fund, çka i bën ata të ngjashëm me Kujtim Gjuzin dhe Selami Jeniçerin e sesionit të mëparshëm parlamentar.

Nga 2 dhjetori na ndajnë shumë pak ditë.

Gjithsekush do të korr, atë që vetë ka mbjell…

Sa para qarkullon tregu i librit në Shqipëri?

Në emisionin “Money” në Euronews Albania, u analizua këtë të shtunë fusha e botimeve të librit, sa lexojnë shqiptarët dhe sa ata shpenzojnë në këtë fushë.

Tregu i librit qakullon sot rreth 18 milionë euro. Shtëpia botuese me të ardhurat më të mëdha referon xhiro 3 mln euro, ose 17% të qarkullimit të përgjithshëm. Ndërkohë, në listën e gjatë të shtëpive botuese, vetëm 4 të parat, marrin gjysmën e të ardhurave që grumbullon ky treg dhe të dhënat sugjerojnë se xhiron më të lartë e kanë ato biznese të cilat botojnë kryesisht libra dhe materiale shkollore. Ndërkohë, tregu i librit duket të jetë më i disiplinuar me bilancet që deklarohen dhe më i lehtësuar nga politika e taksave.

Kryetar i shoqatës së botuesve, Petrit Ymeri, deklaroi për Money: “Unë mund t’ju them situatën që është tani, sepse në këto periudha ka pasur ndryshime të gjithë sistemit fiskal, jo vetëm të librit. Tani kemi një sistem fiskal qëmund ta quaj të pranueshëm, me një TVSH normale, 6% për shitjet, 20% mbiprodhimin e librit që printojmë, kemi tatim-fitimin 15%, tatimin mbi të ardhurat. Kemi një situate normale, në mendimin tim”.

Shkrimtarja Flutura Açka apeloi që të hiqet çdo barrierë doganore, Shqipëri-Kosovë, pasi ku qarkullon libri, qarkullon gjuha.

“Mos harroni sa përpjekje u bënë për të hequr doganën e librave për të bërë një rregullim mes Kosovës. Aty ku është vula mbi librin duhet të hiqet sepse qarkullon kultura dhe gjuha. Të hiqen kufizimet. Mos harrojmë një moment u vendos TVSH, e pastaj u hoq. Këto janë lëvizje të pamendura. Nuk ka nevojë libri për eksperimente”, tha Açka.

TVSH e shitjes së librit është reduktuar nga 20 në 6% nga viti 2019, por shumica dërrmuese e kostos së tij përbëhen nga shërbime që nuk i nënshtrohen tatimit mbi vlerën e shtuar, të tilla si komisioni i librarit, zakonisht 25-30% e çmimit të shitjes, kostoja e përkthimit apo e të drejtës së autorit, e redaktimit apo korrektimit, 30-40% të tjera dhe në fund, kostoja e shtypshkrimit, e cila varion në 20-30% të çmimit të shitjes.

Ndërkohë botuesja Vasilika Tafa i bëri apel qeverisë që të ketë një vëmendje të shtuar ndaj letërsisë shqipe.

“A ka mundësi që qeveria të japë fonde? Po. Unë do të citoja të fondet që jep Ministria e Kulturës dhe do përmend fondet për mbështetjen e letërsisë shqipe. Unë si biznes do shes ato libra që shiten. Kur flitet për qeverinë, ka dy raste, dhe jo çdo botues mund të meritojë financa publike, por vëmendje të shtuar duhet të ketë letërsia shqipe”, tha ajo.

Analisti i njohur, Andoni: Trimërinë e bëri Basha që përjashtoi Berishën, jo këta që prishin karriget bosh të Parlamentit

I ftuar në “Shqip” nga Dritan Hila në “Dritare TV”, gazetari dhe analisti Ben Andoni ka komentuar edhe zhvillimet e fundit të deputetëve të grupimit të Sali Berishës.

Andoni tha se prishja e Parlamentit nuk është trimëri.

“Unë nuk quaj trimëri që po prishin Parlamentin.” – u shpreh ai.

I pyetur për Lulzim Bashën, gazetari i njohur tha se vendimi i tij për largimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së, është akti më i madh i opozitës shqiptare në vitet e fundit.

“Veprimi i Bashës, – tha Andoni, – ishte një akt i jashtëzakonshëm.”

“Me ç’duket dhe me çfarë po bëhet, Basha paska bërë aktin më të madh në opozitën shqiptare në vitet e fundit që hoqi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar. Ky paska qenë akt i jashtëzakonshëm.”

“PS nuk e do reformën zgjedhore” / Kthupi: Vota e diasporës është detyrim kushtetues

Sekretari i PD-së Rezart Kthupi, është shprehur se PS nuk e do Reformën Zgjedhore.

Në një intervistë për Euronews Albania, ai theksoi se mazhoranca nuk ka asnjë interes që Reforma Zgjedhore të bëhet.

Mes tjerash ai theksoi se nëse Kuvendi shqiptar deri në janar të vitit 2024  e ka plotësuar kuadrin ligjor në lidhje me votën e diasporës, po shkel një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Rama është në të drejtën e tij të mos e dojë Reformën Zgjedhore. Ai nuk ka asnjë interes që Reforma Zgjedhore të bëhet. Është një gjë që e dinim që në dhjetor të vitit që kaloi. PS nuk ka asnjë interes që të bëjë ndryshime në kodin zgjedhor. Sot kemi të paktën dy vendime në Gjykatën Kushtetuese. Nëse Kuvendi shqiptar deri më datë 9/ 01/ 2024 nuk e ka plotësuar kuadrin ligjor në lidhje me votën e diasporës, po shkel një vendim të Gjykatës Kueshtuese. Nëse kjo nuk ndodh do të ngelemi në këtë kuadër. Çdo subjekt që ka interes të shpallë pavlefshëmërinë e zgjedhjeve, Gjykata do të zbatojë  vendimin e vet”
-tha ai.

Përfundojnë hetimet, SPAK çon në Gjykatë Safet Gjicin dhe Alma Kaçi

Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit ka kryer hetime në kuadrin e proçedimit penal nr. 145, viti 2023, për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i K. Penal.

Në përfundim të hetimeve paraprake Prokuroria e Posaçme,  ka vendosur t’i drejtohet  me kërkesë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për dërgimin e çështjes në gjyq, në ngarkim të të pandehurve:

  1. Safet Gjici, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Kryetar i Bashkisë Kukës, i akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga neni 260 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).
  2. Alma Kaçi, e akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).

Në përfundim të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar/dhënë përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj përfitimin e parregullt, në formën e favorit seksual, ka premtuar/pranuar ta ndihmojë me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.

Reuters: Britanikët patrullojnë kufirin Kosovë-Serbi në veri

Ushtarët britanik në kuadër të Misioni të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, kanë nisur patrullimet në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas sulmit terrorist në Manastirin e Banjës në Zveçan, sulm ky i cili, sipas agjencisë së lajmeve britanike Reuters, po forcon mundësitë që palët t’i kthehen një konflikti të hapur.

Ushtarët britanikë të KFOR-it, sipas Reuters, janë duke punuar me orar të zgjatur deri në 18 orë për t’u siguruar që asnjë armë ose grup të armatosur të mos të hyjë në Kosovë.

“Aktualisht ne jemi këtu në një patrullë rutinë, e cila konsiston me marrjen e inteligjencës për çdo aktivitet të paligjshëm ose të dyshimtë që më pas kthehet në KFOR dhe më lart”; ka thënë Lejtnant Joss Gaddie nga Ushtria Britanike për Reuters.

NATO dërgoi qindra forca shtesë në Kosovë nga Britania dhe Rumania pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Deri më tani KFOR-i numëron 1 mijë trupa shtesë, pas sulmit terrorist në Veri të Kosovës.

Kreu i ri i AMP-së si mbyllje rrethimi për informacionet sekrete që i shërbejnë SPAK-ut

Nga Ferdinand Dervishi

Prej një muaji i emëruar jo zyrtarisht në krye të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore (AMP) me ndihmën edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rumbullaku, i cili u qëndroi gjysmë ore te koka anëtarëve të komisionit të vlerësimit, më në fund Florian Sulejmani e kapi postin. Vetë ministri 4 mujor, Taulant Balla, e gradoi në krye të AMP-së.

Një pjesë e mediave dhe e gazetarëve e bënë në kohë reagimin e tyre kundërshtues për këtë kandidaturë. Dikush shkroi se është i papërshtatshëm për shkak se ka pasur të shkuar të errët, dikush, me të drejtë, argumentoi se nuk ka nevojë të bëhen konkurse farsë, kur kreu i AMP-së është paraemëruar.
Po përse në media depërtoi informacion kundërshtues? Sigurisht që depërtoi sepse një informacion i tillë ekzistonte.

Shumë njerëz, të cilët ishin në dijeni të këtij informacioni nuk mund të duronin dhe të heshtnin. Për ata Florian Sulejmani nuk ishte njeriu i përshtatshëm për kreun e AMP-së, aq më keq që kësaj strukture i është besuar pesha e “vetëpastrimit të Policisë” si nismë e tejpropaganduar e Ministrit të ri të Brendshëm, Taulant Balla.

Ja dhe provat. Florian Sulejmani ka pasur dhe e ka në arkivën e SHKB-së (sot AMP) një dosje fort inkriminuese. Ajo, sa duket, është formësuar gjatë periudhës së vetingut të dështuar në Polici. Në faqet e kësaj dosjeje Sulejmani shfaqet si zyrtari i lartë i SHKB-së që persekuton punonjës policie të cilët nuk ndërhyjnë në sistemin TIMS për ti bërë atij favore kriminale.

Një ndër provat më domethënese është dëshmia (zbardhur e plotë më poshtë) e një kolegeje të tij të Komisariatit të Policisë së Rinasit. Sipas dëshmisë, Florian Sulejmani, në një rast, i ka ndërhyrë asaj të kalojë, pa e çekuar në sistemin TIMS, një mikun e tij të përfshirë në konfliktet e përgjakshme të minierave të Bulqizës.

Kolegia, vetëm pasi e ka kaluar, ka vënë re se i sygjeruari nga Sulejmani ishte “me probleme kriminale”. Pas një muaji kolegia nuk ka pranuar të bëjë, për Florian Sulejmanin, një tjetër favor inkriminues duke argumentuar: “…nuk e kam shkelur kurrë ligjin dhe me këtë rrogë mbaj familjen…”
Në vend që të vlerësonte vendimin e koleges, Drejtori i Drejtorisë së Inspektimit në SHKB, Florian Sulejmani, nis hakmarrjen.

Ai arrin ta heqë nga detyra në Rinas dhe ta “internojë” në Shkodër kolegen përmes mikut të tij Drejtor të Drejtorisë së Kufirit (sipas dëshmueses). Pas një muaji, dëshmuesja, me ndihmën e disa drejtuesve të tjerë të Policisë, është kthyer sërish në detyrën e kontrollores në Komisariatin e Rinasit. Por Florian Sulejmanit, sa duket, nuk i kishte dalë e keqja. 7-8 muaj më pas, miku i tij Drejtor Kufiri, i bën dëshmueses vlerësim pune dhe sërish e degdis në Shkodër.

Në finish të veprës së tij, Florian Sulejmani, kreu i ri i AMP-së, i sapoemëruar me tam-tame nga Ministri Balla, shfaq të vërtetën e gjithë brendësinë së shpirtit. Ai nuk kënaqet vetëm me degdisjen e koleges që zbatoi ligjin, por shkon deri në perversitet, duke ja komunikuar asaj gjëmën personalisht. Një monstër njerëzore në këtë rast.

Mengjithë dosjen e mbushur me dëshmi e prova të ngjashme, Florian Sulejmani, miku i shpallur i Drejtorit Muhamet Rrumbullaku, e kaloi vetingun në Polici. Ndërsa kolegu i tij në SHKB, Arben Fashëri, nuk e kaloi dot. Atë e gjetën fajtor për ca të holla të fituara si emigrant në vitet 1992-1994 që nuk kishin kaluar përmes sistemit bankar, atë e hodhën edhe pse kishte gjithsej një shtëpi 1 plus 1 në Tiranë, atë e masakruan në fund të karrierës, ndërkohë që në burgje ende vijon të përdoret batuta: “Edhe ty Arben Frashëri të ka futur brenda!”.

Sigurisht që Florian Sulejmani është emëruar në krye të AMP-së si personazh që përmbush mendësinë dhe qëllimet e njerëzve që e piketuan për të pasur nën kontroll Policinë e Shtetit.

Por përzgjedhja e një njeriu me të shkuar të errët mund të jetë pjesë e një plani më të madh dhe më djallëzor. Emërimi i Florian Sulejmanit në krye të AMP-së – një agjenci që posedeon dhe përpunon informacione sekrete – e mbyll përfundimisht atë gardhin rrethues imagjinar të informacioneve të Policisë që kanë dhe do të kenë lidhje me hetimet e SPAK-ut.

Në mënyrë të ngjashme dhe ugjente, 2-3 muajt e fundit, janë uzurpuar edhe të gjitha Departamentet dhe Drejtoritë në Policinë e Shtetit që kanë lidhje pikërisht me posedimin dhe kontrollin e informaconeve sekrete. Njerëz me të shkuar të errët janë emëruar, me procedura të paligjshme, në krye të Departamentit të IT dhe në krye të Drejtorisë së Antikrimit Kibernetik. Emërimi i kreut të AMP-së, si huri i fundit i gardhit rrethues të SPAK, thjesht është më i guximshmi.
Gjithsesi qëllofshin! Pushka top!

Teksti i faksimiles

VLERËSIM PASURIE: Të dhëna të tjera. Kontakte të papërshtatshme të përfshirë në krimin e organizuar, pranim/shkëmbim dhuratash, favoresh apo parash nga persona të përfshirë në krimin e organizuar.

AFTËSI PROFESIONALE (emër file)
Unë që po ju shkruaj kërë denoncim quhem L.T, dhe jam punonjëse ne Policinë e Shtetit rreth një periudhe 6 vjeçare. Po kryej këtë denoncim pasi besoj tek një veting real dhe të paanshëm dhe mbi të gjitha besoj ende tek ndershmëria si virtyt. Gjatë kohës që kam qenë në detyrë si kontrollore në pikën e kalimit të kufirit Rinas, një koleg i imi që aktualisht ështe në masë sigurimi “arrest në burg” më ka prezantuar ne Drejtorin e Inspektimit të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Florjan Ramazan Sulejmani. Florjani më ka telefonuar dhe më ka kërkuar që ta ndihmoj një shtetas që të kalonte pa rradhë i cili quhej A. L, ku dhe te bëj ndonjëherë regjistrime fiktive. Pasi e ndihmova që të kalonte, u informova që ky shtetas ishte me probleme kriminale. Pas një periudhe 1-mujore, Florjani më shkruan në aplikacionin “ëhatsupp” dhe më kërkon që të bëja regjistrime fiktive të një shtetasi tjetër ku nuk kam pranuar, duke iu shpjeguar se nuk e kam shkelur kurrë ligjin dhe me këtë rrogë mbaj familjen. Këtë bisedë jam e gatshme t’ju a vë në dispozicion në çdo moment. Pas këtij refuzimi mua më fillon kalvari i presioneve dhe transferimeve në detyrë. Më datën 04.02.2019 unë jam larguar nga detyra që mbaja si (ndihmës specialiste kontrollore) detyrë të cilën e mbaja për rreth 8 muajsh. Urdhrin e largimit tim e jep Drejtori i Departamentit të Kufirit me një telefonatë me justifikimin thjesht “dua ta heq atë”. Dr. E.M, ështe miku i Florjan Sulejmanit. Pas ndërhyrjes dhe këmbënguljes së Drejtoreshës Rajonale të Kufirit Tiranë E.S, dhe Shefit të komisariatit P.D, unë u riktheva në vendin tim me datën 12.03.2019. Sërisht brenda 6-7 muajsh, më datë 08.11.2019, nga Drejtori i Përgjithshëm i Kufirit E.M, (lidhje shoqërore e Florjan Sulejmanit) ishte kërkuar një vlerësim pune i veçantë për transferimin tim. Pas vlerësimit me 28 pikë, njoftohem nga Drejtoria e Policisë Shkodër që jam transferuar me detyrë në Drejtorinë vendore të Policosë Shkodër. Edhe pse pata dyshimet e mia që ky kalvar vuajtjesh më vinte për këtë shkak, nuk kam reaguar tek askush, por për realizimin e qëllimit dhe dhënien e sinjalit jam telefonuar nga Florjan Sulejmani disa ditë më pas. Ju shkruajta gjithë këtë histori për të treguar lidhjet shoqërore mes subjektit tuaj të vetingut Florjan Sulejmani me persona me të shkuar kriminale si dhe keqpërdorimi që ai i bën atributeve që ka për shkak të detyrës, duke dhënë urdhra të paligjshëm apo duke kërkuar favore në kundërshtim me ligjin. Duke ju uruar suksese në punën tuaj jam e gatshme të kontribuoj për dokumentimin e këtij denoncimi. Me respekt L.T.

Foto 1: Faksimile e një flete të dosjes së Florian Sulejmanit e përgatitur për vetingun në Polici.

Foto 2: Screenshot i bisedës në whatsapp mes punonjëses së Komisariatit të Rinasit dhe Florian Sulejmanit

 

“E ktheu përmbys kontratën e sterilizimit, dëm ekonomik dhe favore”, BIRN: Arsyet pse gjykata vlerëson se Beqaj duhej të ishte në qeli

Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Erion Bani, i cili drejtoi seancat e caktimit të masës së sigurisë dhe marrjes në pyetje të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj lidhur me kontratën e partneritetit publik privat të sterilizimit, evidenton probleme të patrajtuara nga prokurorët e SPAK, duke vlerësuar se ndaj ish-ministrit duhej të ishte ngritur një akuzë shtesë, e shoqëruar me masën e sigurimit “arrest me burg”.

Në vendimin prej 303 faqesh për seancën e marrjes në pyetje të Beqajt më 20 nëntor, konstatohet se kontrata koncesionare nuk është lidhur bazuar në procedurat ligjore dhe arsyetohet se ish-ministri Beqaj ka shkelur ligjin gjatë procesit të negociimit të kontratës, duke shtuar dëmet për shtetin dhe favoret për kompanitë private.

Përplasja mes gjyqtarit Bani dhe prokurorëve të SPAK për rolin e ish-ministrit Beqja në koncesionin problematik të sterilizimit nuk ndodh për herë të parë. Në gusht të këtij viti, emri i Beqajt mungoi në kërkesat për masë sigurie të prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, ndërsa Bani vlerësoi se kishte prova të mjaftueshme për të ngitur akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj tij.

Në seancën e marrjes në pyetje të 20 nëntorit 2023, Beqaj u rezervua të japë shpjegime, por përmes një statusi të publikuar në Facebook, ai i ka quajtur akuzat të pabazuara dhe shprehu besimin se emri i tij do “të pastrohet përfundimisht nga akuzat”.

 

 

Sipas gjykatës, pas hetimeve shtesë të bëra nga prokuroria duke administruar aktet e ekspertimit të telefonave të personave në hetim, krijohet bindja se Beqaj ka qenë në dijeni të të gjitha procedurave dhe dokumentacionit që ka administruar Komisioni i Dhënies me Konçesion. Bani shkon më tej në arsyetimin e tij, duke vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Beqaj ka cilësinë e organizatorit në këtë veprimtari kriminale të dyshuar për dhënien e koncesionit të sterilizimit fituesit të paracaktuar.

Bazuar në këto rrethana, gjykata çmon se Beqaj duhet të procedohet jo vetëm për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim, por edhe për veprën penale “falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, parashikuar nga neni 190, paragrafi i tretë, i Kodit Penal, që parashikon dënimin me burgim nga tre deri në 7 vjet.

Kjo akuzë buron nga ndryshimi që pësoi kontrata e partneritetit publik privat gjatë fazës së negociimit, ku sipas gjyqtarit Bani u hoq vlera maksimale e mbështetjes buxhetore si dhe u ngarkua sektori publik me kostot e energjisë elektrike dhe ato të ujit në favor të kompanive private. Sipas tij, procedura e përzgjedhur nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, e hapur me negocim kontrate, si dhe negocimi i kontratës me operatorin ekonomik fitues të kryesuar nga Servizi Italia s.p.a, është bërë në kundërshtim të “hapur dhe flagrant” me aktet ligjore dhe nënligjore.

Ai argumenton se nuk duhej të kishte negocim lidhur me kushtet e kontratës, por fituesi duhet të lidhte kontratën menjëherë pas publikimit të njoftimit të fituesit, pasi kriteret e paraqitura në ofertë përbëjnë kushte të panegociueshme dhe nuk mund të ndryshohen në asnjë rast.

Në vijim, gjykata vëren se gjatë negociatave është hequr vlera maksimale e mbështetjes financiare në shumën 9 miliardë e 657 milionë lekë pa TVSH, e llogaritur si pagesë e 10 viteve së bashku, duke ndryshuar një nga kushtet thelbësore të kontratës, nga çmim i përcaktuar në të papërcaktuar.

Në vendim thuhet se për të bërë një gjë të tillë duhej kërkuar miratim paraprak nga Ministria e Financave. “Ndryshimet e kushteve thelbësore të kontratës, që nuk parashikohen në dokumentacionin e tenderit kërkojnë zbatimin e një procedure të re të dhënies së kontratës së koncesionit. Po ashtu, negocimi i kontratës në favor të konҫesionarit ka sjellë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit,” citohet në vendim.

Komisioni i Dhënies së Koncensionit akuzohet në vendim se e ka negociuar kontratën në favor të koncensionarit dhe në dëm të buxhetit të shtetit, për vlerën 505 milionë lekë. Evidentohet se gjatë negocimit të kontratës, shoqërisë konҫesionare fituese i është ulur kjo vlerë nga sa kishte ofruar gjatë konkurrimit dhe se oferta e saj paraprake është bërë vetëm për të marrë pikët maksimale në konkurrim. “Pra, në rastin konkret jo vetëm që nuk duhet të zhvilloheshin fare negociata, por edhe nëse do të lejohej ato nuk mund të bëhen në kundërshtim me ofertën e dhënë nga vetë fituesi”, shprehet Bani.

Në plan-biznesin e dorëzuar nga fituesi me dokumentet që janë përdorur në garën fillestare nga koncesionari, janë parashikuar shpenzime të energjisë eletrike dhe asaj termike, të ujit, si dhe shpenzime të tjera që do të ofroheshin nga fituesi. Por, në kontratën koncesionare është parashikuar se “në qendrat Back-up, përveç qendrës Back-up tek QSUT, Autoriteti i siguron Konçensionarit energji elektrike, uji, avull, vepra civile, impiante etj., me shpenzime në ngarkim të Autoritetit”.

Ky parashikim vlerësohet se është bërë në kundërshtim me të gjithë dokumentet e procedurës, pasi ishin përcaktuar të ofroheshin prej koncesionarit. Sipas gjykatës, Ministria e Shëndetësisë ka negociuar kontratën në favor të koncesionarit dhe në dëm të buxhetit të shtetit në një vlerë prej 58.8 milionë lekësh.

Po ashtu, nga kontrata rezulton të jenë hequr asete që parashikoheshin në dokumentacionin e operatorit fitues, me vlerë totale 89.4 milionë lekë, shumë me të cilën dhe në këtë rast është favorizuar konsecionari e dëmtuar buxheti shtetit.

Konstatimet e gjykatës shkojnë më tej, duke evidentuar se kontrata ka disa ndryshime nga ato ҫfarë janë parashikuar në Dokumentet Standarde të Konҫesionit dhe ofertën fituese, edhe pas negocimit, duke sjellë kundërshti mes ndryshimeve që janë bërë gjatë negocimit me vetë kontratën e negociuar.

Ndërkohë, kontrata e koncesionit rezulton të jetë nënshkruar vetëm nga Beqaj në cilësinë e titullarit të institucionit dhe shoqëria Saniservice sh.p.k., ndërkohë që duhej të ishte firmosur nga të gjithë anëtarët e bashkimit të operatorëve ekonomikë që kanë garuar e janë shpallur fitues.

Në vijim, Bani arsyeton se nga analiza e kuadrit ligjor, arrihet në përfundimin se koncesionari duhet të kryejë investimet dhe si rezultat i tyre të përfitojë të ardhura nga vënia në përdorim e produktit të krijuar. Sipas tij, një nga elementët thelbësor të kontratave koncesionare është transferimi i riskut tek koncesionari dhe jo tek autoriteti publik – ndërsa në rastet e partneritetit publik provat ndahet midis koncesionarit dhe autoritetit publik.

Për rrjedhojë, gjykata çmon se në kontratën e konciesionit të sterilizimit, mungon një nga elementët thelbësor të kontratave konçesionare, që është transferimi i riskut tek koncesionari.

Nga aktet e hetimit ka rezultuar se është Ministria e Shëndetësisë që i ka vënë në dispozicion koncesionarit ambjentet e spitaleve, ujin, dritat dhe në QSUT një qendër moderne sterilizimi me pajisje të pavendosura në punë.

“Pra, në rastin konkret, koncesionari ka marrë pagesa të rregullta nga spitalet publike për sete kirurgjikale, duke i garantuar kështu një fitim të sigurt këtij të fundit (koncesionarit) nëpërmjet blerjes së seteve kirurgjikale të sterilizuara,” thuhet në vendimin për masën e sigurisë.

Gjyqtari Bani çmon kjo kontratë koncesionare nuk është gjë tjetër veçse një mbulim i një kontrate prokurimi me afat të gjatë për të monpolizuar shërbimin për dhjetë vitet e ardhshme.

“Gjykata krijon bindjen se në rastin konkret është përzgjedhur për një procedurë prokurimi publik të zakonshme (de facto), një procedurë koncesionare (de jure), për t’i mundësuar fituesit të paracaktuar një kontratë me afat të gjatë dhe me një vlerë të konsiderueshme, duke monopolizuar kështu shitjen e mallrave dhe shërbimeve vetëm nga një operator ekonomik, për një kohë të gjatë konkretisht nga miqtë dhe shokët e personave në hetim I.B.(ilir Beqaj) dhe K. R.(ish-zv.ministri Klodian Rrjepaj), të cilët kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e dokumentacionit që në vitin 2013 deri në shpalljen fitues të tyre”, citohet ndër të tjera në vendim.

Bazuar në këtë arsyetim, gjykata vlerëson se Beqaj ka konsumuar edhe elementët e veprës “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, përveç “shpërdorimit të detyrës”.

Nisur nga fakti se për këto vepra penale parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim, vlerësohet se masa e përshtatshme do të duhej të kishte qenë “arresti me burg” dhe jo ato të detyrimit për paraqitje dhe ndalimit të daljes jashtë territorit të vendit.

Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se me dashje ish-ministri Ilir Beqaj i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën prej rreth 8.6 miliardë lekësh. “Kjo është pasoja duke prezumuar që vlera e kontratës do të ishte aq sa është njoftuar fillimisht në fillim të procedurës, pasi gjatë zhvillimit të procedurës vlera e kontratës ndryshoi nga vlera totale në shumën 9, 657, 000, 000 (pa TVSH) në një vlerë indikative, ku nuk dihet se sa do të jetë kosto e koncesionit në përfundim të afatit 10 vjeçar,” argumenton gjyqtari, ndërsa shton se pasojat nuk janë vetëm ekonomike, por lidhen edhe me cilësinë e shërbimit jetik sikurse është sterilizimi i sallave operatore që lidhet drejtëpërdrejtë me shëndetin e pacientëve.

Bani thekson se cilësimi juridik i faktit penal i bërë nga prokurori dhe i sjellë për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak, është i gabuar. Ndërkohë, ai sqaron se në kushtet kur legjislacioni nuk e lejon gjyqtarin të caktojë një masë sigurimi personal më të rëndë nga sa kërkon prokurori, është i detyruar të miratojë masat e kërkuara nga prokuroria.

Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.

/BIRN

Blinken do të marrë pjesë në samitin e OSBE-së në Shkup

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të marrë pjesë në një darkë joformale në Këshillin Ministror të shteteve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që mbahet në Shkup më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, tha të shtunën ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Më herët është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e një delegacioni rus, ku do të duhet të jetë edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov. Por, për ardhjen e tij të mundshme ende nuk ka konfirmim zyrtar.

Më 24 nëntor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim për ta hequr ndalesën e fluturimeve të avionëve rusë vetëm për fluturimin e delegacionit rus.

“Sigurisht që nuk duhet të presim që të gjithë të qëndrojnë për tri ditë. Këta janë njerëz të rëndësishëm që do të vijnë në një pjesë të ngjarjes dhe do të largohen. Se a do të përkojnë datat e qëndrimit të tyre, nuk mund të them, sepse ende jemi duke i përcaktuar ato”, tha Osmani në konferencën për media.

Osmani ka thënë më herët se Lavrovi ia kishte dërguar një letër në fillim të nëntorit në të cilën, “ka treguar interes dhe kërkesë për të siguruar praninë e tij në Shkup”.
Para disa ditësh, Osmani tha se kërkesat për viza të delegacionit rus janë duke u proceduar dhe sapo të ketë informacione, opinioni do të informohet.

“Vendimi për sanksionet e Bashkimit Evropian nuk vlen për ngjarjet e natyrës shumëpalëshe siç është OSBE-ja, prandaj është vendim i qeverive që duhet ta sjellin, por ka një bazë ligjore në BE. Tani, ne dhe të paktën një nga vendet tona fqinje duhet të marrim një vendim të tillë. Bullgaria apo Greqia për të mundësuar një fluturim të tillë”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, më 15 nëntor.

Kanceri: Gjashtë shenja të dyshimta që paralajmërojnë sëmundjen. Çfarë duhet të bëni

Zbulimi i hershëm i një tumori malinj është thelbësor për menaxhimin e sëmundjes. Njohja e simptomave më “të pafajshme” dhe madje zbatimi i menjëhershëm i kontrolleve të nevojshme ka qenë gjithmonë i rëndësishëm, aq më tepër pas gjetjeve shkencore të një rritje globale prej 79% e rasteve të reja të kancerit te njerëzit nën 50 vjeç në tre dekadat e fundit.

Mund të jetë një gungë, një nishan i çuditshëm, gjakderdhje jonormale ose humbje e papritur e peshës. Ka më shumë se 200 lloje kanceri me simptoma të ndryshme, thonë studiuesit në Qendrën për kërkimin e kancerit, e cila përpiloi dhe publikoi një listë me gjashtë shenja të dyshimta:

1. Lodhje
Ka shumë arsye pse mund të ndiheni më të lodhur se zakonisht, veçanërisht në kohë stresi të lartë ose nëse keni probleme me gjumin. Por nëse ndjeni një lodhje të vazhdueshme ose pa ndonjë arsye, mund të jetë një tregues se duhet të shkoni te mjeku.

2. Djersitje të rënda gjatë natës ose temperaturë
Djersitjet ose ethet gjatë natës mund të jenë për shkak të infeksioneve ose reaksioneve të padëshiruara të drogës, dhe po ashtu janë të zakonshme gjatë menopauzës. Megjithatë, djersitja është gjithashtu një simptomë e kancereve si leucemia dhe i mëlçisë. Në rast djersitjesh shumë të rënda gjatë natës ose ethe të pashpjegueshme, kërkoni këshilla mjekësore.

3. Gjakderdhje ose mavijosje e pashpjegueshme
Nëse njëra ose të dyja nga sa më sipër nuk janë për shkak të një dëmtimi, ato duhet të kontrollohen nga një mjek. Gjakderdhja mund të gjendet në feces, urinë, mukozën e kollës prodhuese, etj. Tek gratë, gjakderdhja vaginale e pashpjegueshme mund të ndodhë midis periodave, pas seksit ose pas menopauzës. Pavarësisht nga sasia e gjakut ose ngjyra e tij (e kuqe në kafe dhe pothuajse e zezë), bisedoni me mjekun tuaj.

4. Dhimbje ose shqetësim i pashpjegueshëm
Dhimbja dhe shqetësimi janë mënyra e trupit tonë për të na treguar se diçka nuk është në rregull. Dhimbjet e ndryshme janë më të zakonshme ndërsa rritemi, por kur ato janë të pashpjegueshme ose të vazhdueshme në ndonjë pjesë të trupit, mund të jetë shenjë e diçkaje më serioze.

5. Humbje peshe e pashpjegueshme
Ndryshimet e vogla në peshë me kalimin e kohës janë krejtësisht normale, por humbja e disa kilogramëve pa ushtruar përpjekje relative është një arsye për të informuar mjekun tuaj. Mund të jetë një shenjë e problemeve shëndetësore përveç kancerit.

6. Enjtje e pazakontë 
Një gungë ose enjtje që është shfaqur papritur kudo në trupin tuaj dhe vazhdon të zmadhohet, duhet të merret seriozisht. Ato mund të vendosen në qafë, sqetull, stomak, ijë, gjoks ose testikuj ndër të tjera./Liberale.al