26.5 C
Tirana
E diel, 22 Qershor, 2025

Hurmat e Freskëta të Arabisë – 4 Arsye Pse Duhet t’i Konsumoni Patjetër

Hurmat e Arabisë janë tejet të shëndetshme për organizmin.

Ato janë një burim i pasur fibrash të shëndetshme, minerale dhe vitaminash. Në variantin e tyre të freskët, këto hurma janë thesar vlerash.

Fibra
Një racion prej 100 gramë hurmash të freskëta ofron 6.7 gramë fibër.

Kjo përbën 25 përqind të sasisë së këshilluar ditore të fibrës e cila është e domosdoshme për një sërë funksionesh në organizëm.

Fibra që është thelbësore për një sistem të mirë tretës sepse arrin të orientojë ujin aty ku trupi ka më shumë nevojë: aparatin tretës. Kjo taktikë, ndihmon organizmin të shmangë konstipacionin.

Mineralet

Hurmat e freskëta përmbajnë shumë minerale thelbësore.

Ato plotësojnë nga 14 deri në 20 përqind të dozës së këshilluar ditore të bakrit, manganit, magnezit dhe kaliumit.

Kaliumi që gjendet tek hurmat ul rrezikun e goditjeve në tru.

Për më tepër, nëse përfshini hurmat në dietën tuaj do të ulni nivelin e kolesterolit të keq.

Kolesteroli i keq akumulohet në muret e enëve të gjakut duke i bllokuar ato dhe duke rrezikuar ndjeshëm zemrën.

Hurmat e freskëta të Arabisë këshillohen të konsumohen veçanërisht në ditët e nxehta të verës kur organizmi humbet shumë lëngje.

Hidratimi
Hurmat e freskëta janë shumë hidratuese, ndryshe nga varianti i thatë.

Nëse keni etje apo vëreni shenja të pashpjegueshme të dehidratimit, atëherë ekspertët këshillojnë rritjen e sasisë së ushqimeve të pasura me ujë të cilat ofrojnë të paktën 20 përqind të hidratimit.

Më Pak Sheqer
Hurmat e freskëta kanë një nivel më të ulët glicemie në krahasim me hurmat e thata.

Diabetikët ose njerëzit që kanë ndjeshmëri të lartë ndaj të ëmblave mund të konsumojnë hurma të freskëta.

Ushqimet me nivel të ulët glicemie ofrojnë jo vetëm më pak sheqer por edhe më shumë energji. Për më tepër ato ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të nepsit.

Hurmat e freskëta të Arabisë mund të përfshihen mjaft mirë në shumë receta gatimi.

Ato mund t’i prini në copa të vogla dhe t’i përfshini në sallata, lëngje frutash dhe perime ose t’i mbushni me krem djathi, djathë dhie apo gjalpë arrorësh./AgroWeb.org

Si të Humbisni Peshë Deri në 4 Kilogramë Duke Mos Ngrënë Kripë për 6 Ditë

Individët që konsumojnë më shumë kripë janë më të uritur dhe tentojnë ta teprojnë me ushqimin, duke shtuar në peshë.

Në varësi të kripës së konsumuar, trupi mund të akumulojë nga 3 deri në 5 litra ujë.

Nëse dëshironi të humbisni kilogramët e tepërt si pasojë e akumulimit të lëngjeve duhet të mos konsumoni kripë për 6 ditë.

Çdo ushqim që duhet të hani duhet të jetë pa kripë.

Gjatë këtyre ditëve nuk duhet të hani ushqime të përpunuara, të shpejta e të paketuara.

Hani sa më shumë perime, fruta dhe mish pule të cilin mund ta gatuani me erëza.

Në këtë periudhë duhet të ushqeheni pesë herë në ditë.

Ushqimet duhet të jenë të ziera ose të gatuara në avull.

Çdo racion nuk duhet të tejkalojë 300 gramë, ndërkohë që vakti i fundit duhet të jetë në orën 19:00.

Për 6 ditë duhet të pini sa më shumë lëngje ose deri në 2.5 litra ujë në ditë, mundësisht të shoqëruar me limon ose mjaltë.

Ky regjim nuk duhet ndjekur nga njerëzit që kanë probleme me zemrën, diabetin apo stomakun.

Mënyrat Më Të Thjeshta Si Të Konsumoni Më Pak Kripë

Hani në shtëpi dhe fokusohuni tek perimet dhe frutat.

Mos përdorni salca shtesë të cilat janë të mbushura me kripë.

Përpiquni të konsumoni gjithnjë e më pak kripë por këtë bëjeni në mënyrë graduale aq sa të mësohen shqisat e shijes.

Përdorni erëza të thata si hudhër, spec djegës e piper të zi, të cilat zbehin nevojën për kriposje.

Provojeni ushqimin përpara se të shtoni kripën.

Mos konsumoni ushqime të përpunuara, ushqime të shpejta e të paketuara.

Në studim i publikuar këtë vit arriti në konkluzionin se njerëzit që hanë më shumë ushqime të kripura, çuditërisht pijnë më pak ujë.

Konkluzioni u arrit në bazë të analizave të një grupi shumë interesant pjesëmarrësish.

Bëhet fjalë për 10 astronautë rusë të cilët ishin në fazë përgatitore për një udhëtim në Mars.

Në fillim të studimit, astronautët konsumuan 12 gramë kripë në ditë.

Në vazhdën e ditëve kjo sasi u ul në 9 gramë në ditë.

Në fund të studimit, astronautët konsumuan 6 gramë kripë në ditë.

Ajo që ndodhi ishte befasuese: Sa më pak kripë të konsumonin austronautët, aq më shumë ujë pinin ata.

Sidomos kur niveli i konsumit kripës ishte më i lartë, astronautët ndiheshin më të uritur.

Studime të tjera të tre viteve më parë, kanë konfirmuar se nëse fëmijët konsumojnë një gramë më shumë kripë se rregullorja, ata janë 28 % më të rrezikuar nga mbipesha.

Të rriturit janë 26 % më shumë të rrezikuar nga mbipesha për çdo gramë kripë mbi normën.

Sasitë E Rekomanduara Të Kripës Për Njeriun

Sasia e shëndetshme e kripës duhet të jetë treçerek luge çaji në ditë, ose maksimumi 1 lugë çaji në ditë. E shprehur në gramë njeriu duhet të konsumojë 3-6 gramë kripë në ditë.

Kësaj sasie njeriu mund t’i përmbahet shumë lehtë nëse nuk do të konsumonte ushqime të përpunuara.

Këto të fundit plotësojnë 77% të kripës që njeriu merr në ditë nga ushqimet.

Njeriu i ditëve të sotme konsumon mbi 3-4 lugë çaji me kripë në ditë, një sasi që krijon probleme në organizëm./AgroWeb.org

PD, Mirela Karabina: Turi i Berishës nuk është për demokratët, por kundër drejtësisë. Me shpifje e mashtrime zgjat vetëm ankthin e vet

Ndërkohë që Sali Berisha ka nisur turin e dytë nëpër Shqipëri, njerëzit që e ndjekin kanë nisur t’i rrallohen përditë dhe më shumë.

Demokratët e kanë të qartë, tashmë, se këto takime nuk bëhen për ta, por kundër SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme.

Në një prononcim për mediat, zëdhënësja e PD-së, Mirela Karabina, thekson se arsyeja se pse vijon të shpifë Sali Berisha, është frika e tij.

“Sot ai e di që nuk e shpëton dot as Edi Rama, pasi është i izoluar nga ndërkombëtarët dhe i kërkuar nga drejtësia.’ -shprehet Karabina në reagimin e saj.

“Me shpifje e mashtrine Sali Berisha vetëm zgjat ankthin e tij por hallin nuk e zgjidh dot!” – përfundon reagimin e saj zëdhënësja për shtyp e PD-së.

REAGIM I ZËDHËNËSES SË PARTISË DEMOKRATIKE, MIRELA KARABINA

Berisha ka frikë!

Në turin e tij kundër drejtësisë Sali Berisha ka vijuar edhe sot me shpifjet dhe mashtrimet.

Arsyeja pse Sali Berisha vazhdon me akuzat ordinere është frika e tij.

Sot ai e di që nuk e shpëton dot as Edi Rama, pasi është i izoluar nga ndërkombëtarët dhe i kërkuar nga drejtësia.

Por, Sali Berisha bën mirë t’u tregojë demokratëve që i ka shndërruar
në mburojë të halleve të tij:

– Pse e mohoi Erzen Breçanin?
– A e ka urdhëruar Erzen Breçanin të pergatisë logjistikën për të sulmuar PD- në më 8 janar?
– Pse i fshihet drejtësisë?
– A i ka kërcënuar prokurët e SPAK-ut dhe Gjyqtarët?

Me shpifje e mashtrine Sali Berisha vetëm zgjat ankthin e tij por hallin nuk e zgjidh dot!

PD, denoncimi i Gjunkshit: Dibra në errësirë, e izoluar nga bora dhe e braktisur nga shteti

Anëtari i kryesisë së PD, Xhemal Gjunkshi, ka denoncuar gjendjen energjitike në Dibër, duke shtuar se ajo aktualisht është e braktisur nga shteti dhe e izoluar nga bora.

“Gjendje e rënduar në Dibër, ku si pasojë e rreshjeve të dendura, rrjeti energjitik pësoi defekt dhe energjia u ndërpre pothuajse gjithë ditën.”– shkruan Gjunkshi në profilin e tij në rrjetin social facebook.

Më tej ai thotë se në shumicën e njësive administrative zotëron errësira, ndërsa rrugët janë të pakalueshme nga ngrica.

Më poshtë postimi i plotë:

Gjendje e rënduar në Dibër, ku si pasojë e rreshjeve të dendura, rrjeti energjitik pësoi defekt dhe energjia u ndërpre pothuajse gjithë ditën. Ndërkohë në shumicën e njësive administrative zotëron errësira dhe ndërhyrja për riparimin e rrjetit, është e pamundur nga bllokimi i dëborës. Rrugët në pjesën më të madhe janë të pakalueshme nga ngricat dhe për pasojë qarkullimi i automjeteve është i pamundur në akset si: rruga Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë, Bulqizë-Ura e Vashës-Qafë Murrizë; Peshkopi-Kuben-Sllovë, Kukës etj. Edhe pse lajmet e propagandës thonë se, punonjësit dhe firmat e bashkisë po pastrojnë gjithë kohës rrugët, shumë banorë më thonë se, gjendja mbetet ende rënduar. Në kushtet kur rreshjet vazhdojnë me intensitet, i bëj thirrje ministres së energjetikës deputetes Belinda Balluku dhe bashkisë të shtojnë makinerit e borëpastrimit dhe ekipet e ndërhyrjes së emergjencave. Mos harrojmë se emergjencat shëndetësore janë të pashmangshme në periudhën e dimrit dhe një bllokim i rrugëve mund të sjellë pasoja fatale për të moshuarit dhe fëmijët e sëmurë.

Rruga e Arbrit në degradim të vazhdueshëm ende pa përfunduar. Uji në njërin nga tunelet parandalohet me jorgan

Reshjet e shirave të rëna gjatë muajit nëntor kanë nxjerrë në pah shumë probleme të Rrugës së Arbrit. Problematikat nisin që në bypassin e Murrizit e deri tek Ura e Vashës. Shembja e karrexhatës në disa pika të bypassit dhe gropat e thella e bëjnë qarkullimin e automjeteve tepër të vështirë.

Shqetësuese situata mbetet edhe në segmentin e Xibrit. Deformimet e rrugës në shumë pjesë e kanë bërë kalimin e automjeteve të rrezikshëm. Siç duket nga pamjet, rruga ka pësuar ulje në anën e poshtme, duke krijuar vështirësi për drejtuesit e mjeteve. Qytetarët shprehen se e gjithë rruga është e pasigurt dhe burim i shumë aksidenteve të ndodhura më parë. 

Ndërkohë, për të shmangur hyrjen e ujit në tunelin numër 2 në fshatin Shkallë të Xibrit, firma është kujdesur që të vendosë jorgan e veshje të tjera. Ndërsa në dalje të tunelit numër 4, rruga ka pësuar çarje, ndërsa firma kontraktore ka vendosur sinjalistikë për të paralajmëruar drejtuesit e automjeteve.

Rruga e Arbrit që lidh Tiranën me Dibrën ishte planifikuar që të përfundonte në prill 2022, por ministria e zgjati fillimisht me 17 muaj afatin për kompaninë koncesionare “Gjoka 87” për përfundimin e punimeve.

Pas skadimit të afatit të ri, tuneli i Murrizit është ende larg së përfunduari. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, shtyrja u përllogarit nga një inxhinier i pavarur dhe “nuk do të ketë implikime financiare për Autoritetin Kontraktor”.

Ndërtimi i rrugës prej 54 kilometrash që lidh Tiranën me Dibrën filloi në vitin 2018, pasi kompania “Gjoka Konstruksion” fitoi koncesionin me ofertën prej 33.6 miliardë lekësh. Deri në qershor të këtij viti, kompania mori pagesa me vlerë 13.4 miliardë lekë.

Projekti parashikon ndërtimin e një rruge me dy korsi, e cila kalon në një seri me gjashtë tunele dhe dy ura të larta. Por vepra kryesore e projektit, tuneli i Qafës së Murrizit, 3.8 kilometra i gjatë është zëvendësuar nga një rrugë e ngushtë malore 8.8 kilometra.

Problemet e hasura me hapjen e këtij tuneli janë përdorur si justifikim i ministrisë për zgjatjen e kësaj kontrate 2 herë me 37 muaj në total.

Dita Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave/ PD, Pampuri: Projekt-buxheti 2024 nuk parashikon asnjë program të orientuar ndaj parandalimit të dhunës ndaj grave

25 Nëntori shënon ditën Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Në një reagim në profilin e saj facebook, nënkryetarja e PD-së, Orjola Pampuri, shprehet se në projekt-buxhetin e qeverisë për vitin 2024 nuk parashikohet asnjë program i orientuar për parandalimin e dhunës ndaj grave.

“Në Shqipëri dhuna ndaj grave, së paku në dhjetëvjeçarin e fundit, ka patur një trajektore të dhimbshme, me dhjetra ngjarje makabre në humbje jete, të cilat kanë shokuar të gjithë opinionin publik. Përtej shifrave statistikore të cilat kanë një rëndësi, ajo që ne si shoqëri dhe mbi të gjitha shteti kanë përgjegjësi është parandalimi, buxhetimi i duhur dhe efikasiteti i legjislacionit ndaj eliminimit të dhunës ndaj grave e vajzave.” – shkruan Pampuri.

Më poshtë reagimi i plotë:

Dhuna me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga plagët më të rënda të shoqërisë dhe ndër shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut në botë.

1 në 3 gra në të gjithë botën përballen me një formë të dhunës fizike, verbale apo seksuale nga bashkëshorti apo partneri së paku një herë në jetë. Në fakt dhuna ndaj grave, vajzave dhe nënave, fatkeqësisht nuk është e kufizuar vetëm në ambjentin familjar por shtrihet në mjedise të tjera si në punë, në shkollë, apo mjedise publike.

Është burracakëri çdo lloji forme dhune e ushtruar ndaj zonjave dhe vajzave, një plagë jo vetëm e shoqërisë por dhe detyrë e shtetit për të bërë më shumë si në legjislacion por dhe buxhetim.

Në Shqipëri dhuna ndaj grave, së paku në dhjetëvjeçarin e fundit, ka patur një trajektore të dhimbshme, me dhjetra ngjarje makabre në humbje jete, të cilat kanë shokuar të gjithë opinionin publik. Përtej shifrave statistikore të cilat kanë një rëndësi, ajo që ne si shoqëri dhe mbi të gjitha shteti kanë përgjegjësi është parandalimi, buxhetimi i duhur dhe efikasiteti i legjislacionit ndaj eliminimit të dhunës ndaj grave e vajzave.

Projekbuxheti 2024 nuk parashikon asnjë program të orientuar ndaj parandalimit të dhunës ndaj grave.

Kuadri ligjor ndaj strehimit social, nxitjes së punësimit dhe politikave për aftësim profesional nuk parashikon përparësinë e duhur për gratë e dhunuara apo ato që janë në rrezik të vazhdueshëm të dhunës nga bashkëjetuesit.

Ndaj nevojitet me përparësi rishikimi i kodit penal për ashpërsimin e mëtejshëm ndaj dhunuesve dhe veprave penale të dhunës verbale e fizike me bazë gjinore në familje dhe punë.

Po ashtu efikasiteti i mekanizmit kombëtar të mbrotjes së viktimave të dhunës, kufizimi i procedurave burokratike dhe krijimi i në baze të dhënash të dhunuesve, përfshirë të rasteve kur denoncuesi mund të tërhiqet për shkaqe intimiduese, sociale, apo ekonomike, duhet të adresohen me përparësi.

Mbështetje më të madhe ndaj strehëzave të përkohshme për viktimat e dhunës dhe përparësi për integrimin e pavarur të tyre duke nxitur më tej aftësimin profesional, ofrimin e granteve sociale dhe strehimin social me përparësi.

Në 110 vjetorin e lindjes: Viti i Petro Markos me Petro Markon e harruar

Nga Luan Rama

Që prej këtij fillimviti, më saktë më 22 shkurt, pra nëntë muaj më parë, në kuadër të 110-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Petro Marko (ai u lind më 25 nëntor 1913), Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e shpallën vitin 2023 si “Vitin e Petro Markos”. U premtua se përmes veprimtarive të ndryshme, si: lexime, konferenca, ekspozita, botime etj., përgjatë gjithë këtij viti do të nderohej kontributi dhe vepra e figura e Petro Markos në letrat shqipe.

Shpresova e besova në fakt se më në fund 110 vjetori i lindjes dhe nisma e fisme e Bibliotekës Kombëtare dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, por edhe Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës e institucione të tjerë do ta risillnin Petro Markon me jetën dhe veprën e tij në qendër të vëmendjes së opinionit në tërësi e atij kulturdashës në veçanti.

Shpresova e besova se më në fund emrit dhe veprës prej patrioti dhe shkrimtari të madh të Petro Markos do t’i bëheshin nderime shtetërore të merituara, përpos veprimtarive të ndryshme siç rëndom bëhen në raste të ngjashme për emra të tjerë me më pak kontribute e me më pak vlera.

Për shembull sot pashë që në Ministrinë e Kulturës ishin mbledhur bashkë me zonjën ministre disa shkrimtarë, përkthyes, botues dhe punonjës të ministrisë e po diskutonin për ndryshimet në Ligjin për Librin, një nismë e vlefshme dhe që duhet përshëndetur padyshim.

Por, ky takim mund të bëhej edhe në një ditë tjetër e dita e sotme mund t’i kushtohej Petro Markos sepse është data e tij e lindjes. Është 110 vjetori i lindjes, prej nga ku u inicua edhe nisma për ta shpallur këtë vit vitin e Petro Markos.

Sot fare mirë edhe në hollin e ekspozitave në Kryeministri ku rëndom zhvillohen veprimtari të ndryshme e ku ekspozohen edhe vlera mediokre në jo pak raste, mund të hapej një ekspozitë me dorëshkrime e relikte, me libra dhe fotografi të Petro Markos. Por asgjë!

Asgjë e asnjë dedikim qoftë edhe nga ato formalet që bëhen në fb apo në instagram.

Për Petro Markon sot në 110 vjetorin e lindjes së tij nuk është kujtuar askush.

Por, nëse harresa në këtë rast na vjen si shenjë e injorancës dhe hipokrizisë, emri dhe vepra e Petro Markos na vjen si dëshmi e lartësive të vlerave dhe kontributeve ku injorantët dhe hipokritët nuk mund të fshihen as pas posteve, as pas titujve e as pas doktoraturave të vjedhura e që i përdorin për t’u vetëshpallur intelektualë.

Petro Marko erdhi në letërsinë shqipe në kohën e Migjenit, por bashkë me Nonda Bulkën dhe Dhimitër Shuteriqin, qenë të vetmit që patën talent të mos humbisnin pas emrit të Migjenit.

Ai erdhi për t’u bërë më pas me jetën dhe veprën e tij njeriu ku gjendeshin bashkë edhe idealisti ëndërrimtar, por edhe revolucionari kokëkrisur; edhe romantiku me ndjeshmërinë e brishtë që mund të ta mëkojë vetëm një bukuri si ajo e Dhermiut shqiptar ku u lind, por edhe rebeli që nuk diti asnjëherë t’i bishtnojë fatit, edhe kur ai u tregua i padrejtë dhe i pamëshirshëm shpeshherë me të në të gjitha kohët dhe në të gjithë regjimet; edhe atdhetari dhe patrioti i madh që thoshte “E dua Kosovën gjer në dhimbje se është Shqipëri”, por edhe antifashisti dhe internacionalisti që do të rendëte përkrah luftëtarëve të “Brigadave të Kuqe” në Spanjën monarkofashiste.

Jeta e Petro Markos është e shenjuar sa përmes rrathëve të persekutimit e martirizimit, po aq edhe nëpër gjurmët e ringjalljes e ringritjes së mundimshme. Gjithmonë sfidues dhe kontestator, dhe po aq rebel në jetë e letërsi (“Qyteti i fundit”, “Një emër në katër rrugë”, “Katër Gjikët e mirë”), ai qe revolucionar deri në kufijtë e anarkizmit.

Nëse do të më duhej të gjeja dikë me të cilin mund ta krahasoja Petro Markon, nuk do të hezitoja ta quaja Che Guevara ynë.

Ndërsa vepra e shkrimtarit Petro Marko në gjithanshmërinë dhe shumëllojshmërinë e vet qe dhe mbetet vepra e një shkrimtari që do t’i bënte nder çdo letërsie.

Ashtu sikundër njihen e pranohen prej shumëkujt ndër studiuesit, kritikët, shkrimtarët, por edhe lexuesit si pararendës të medernitetit të poezisë shqipe në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi dhe Dhori Qirjazi, unë mendoj se edhe Petro Marko me veprën e vet është pararendës i modernitetit në prozën shqipe të së njejtës kohë.

Sepse Petro Marko i dha prozës e në veçanti romanit në shqip, cilësinë e artit të të shkruarit përmes një gjuhe dhe figuracioni artistik krejt të ndryshëm në cilësi dhe në formë, në dallim nga shumë prej pararendësve të tij, që dominoheshin nga klishe patetike dhe përshkrime lineare përgjithësisht naive e pa ndonjë vlerë të qenësishme artistike, veprat e të cilëve edhe sot përmenden më shumë për arsye dokumentare e historike.

Heroi i Petro Markos është njerëzor, është tokësor, është i vërtetë dhe i besueshëm, edhe kur bën personazh veten e tij si Gori tek “Hasta la Vista” ( Gori është Guri, në greqisht Petro).

Petro Marko ka edhe një meritë tjetër, për mendimin tim më e madhja meritë e tij, sepse ai qe pari që i dha prozës në shqip universalitetin e munguar, duke e bërë letërsinë tonë të denjë dhe dhënëse në mozaikun e letërsisë europiane, njësoj siç kishte bërë më parë De Rada.

“Hasta la Vista”, “Nata e Ustikës” etj. janë shembujt më domethënës jo vetëm pse ngjarjet nuk zhvillohen në Shqipëri, por më shumë prej faktit se shkrimtari na jep aty universalitetin e fateve njerëzorë, të luftës për drejtësi shoqërore, por edhe të vetë dashurisë, pa të cilën ç’vlerë do të kishte vetë njeriu, kulti i të cilit është motivi qendror i veprës së Petro Markos.

Si e tillë, vepra e Petro Markos nuk ka nevojë për shpjegime apo për adresë. Ajo është si vepra e Heminguejit apo e Pablo Nerudës, lexohet dhe shijohet gjithkund.

Por ndërkaq, karakteri apo përmasa universale e veprës së Petro Markos merr vlerë të veçantë, sepse në të gjendet Shqipëria e shpirtit të shkrimtarit dhe i gjithë universi i saj që përcakton kësisoj raportin e ndesjelltë të shkrimtarit me vendin e tij, por edhe të shkrimtarit me botën ku gjendet njësoj si të gjithë shkrimtarët e tjerë.

Një veçori që sjell si kontribut Petro Marko me veprën e vet ështē edhe dimensioni qytetar i saj. Ai e shkëputi romanin nga keneta apo nga balta dhe solli në të qytetin si psikologji, si mentalitet, si kulturë, si vizion, si e nesërme.

Pa dashur dhe pa pretenduar të bëj analizën e plotë të veprës së Petro Markos, u ndala vetëm në disa nga ato që unë i mendoj si kontribute të qenësishme të tij ndër shumë të tilla, duke e përkujtuar shkrimtarin tonë të madh në Vitin e Petro Markos, i shpallur si i tillë prej faktit se ai ka lindur 110 vjet më parë, më 25 nëntor të vitit 1913.

Jeta dhe vepra e Petro Markos meriton kujtesë dhe nderim të përditshëm dhe të gjithëkohëshëm, popullor, shtetëror dhe kombëtar.

Sepse ai as si njeri dhe as si shkrimtar nuk qe ndër të zakonëshmit.

Ndaj, kur më herët u shpall se ky vit do të ishte Viti i Petro Markos, mendova dhe besova se më në fund, në mënyrë të organizuar dhe shtetërore do të nderohet ashtu si e meriton ky shqiptar dhe shkrimtar i madh, i cili na dha aq shumë, duke sakrifikuar e duke vuajtur shumë më shumë, si një qëndrestar dhe patriot i madh.

Mirëpo shpallja e Vitit të Petro Markos mbeti vetëm një metaforë patetike e vullnetit të mirë, pasi ky vit nuk u bë dot viti i tij e as nuk u shenjua si i tillë prej veprimtarish e nderimesh meritore për emrin dhe veprën e Petro Markos.

Ndaj Petro Markos jemi borxhlinj. Përballë emrit dhe veprës së tij duhet të ndjehemi të turpëruar e të qëndrojmë kokulur, sepse nuk i kemi dhënë vendin që meriton.

Që prej kur Petro Marko nuk është më fizikisht ndër ne, pakkush (për të mos thënë askush), e ka ndjerë apo e ka kuptuar realisht peshën e madhe të humbjes që pësoi e që vazhdon ta vuajë letërsia shqipe me ikjen e tij. Përndryshe, nuk do të kishim rendur të kapeshim e të mbaheshim pas gjithëfarë emrash, të shumtët pa asnjë kontribut e meritë, duke mbushur me ta sheshe e rrugë, shkolla e dosje me pafundësi dekoratash e duke lënë në harresën e ikjes një mendimtar libertin dhe shkrimtar të madh si Petro Marko.

Ikja e çdo shkrimtari është humbje për letërsinë, anipse mbetet e jeton vepra e tij. Por ikja e Petro Markos nuk qe si çdo ikje. Prandaj, edhe humbja që shkaktoi ikja e tij, sot e gjithë kohën do të mbetet e madhe, e dhimbshme përgjithmonë.

Ndërsa emri dhe vepra prej shqiptari e shkrimtari patriot e Petro Markos, do të mbeten përjetësish të diellta në panteonin e kujtesës dhe të nderimit popullor dhe kombëtar të shqiptarëve.

11 ministra dhe ish-ministra përballë SPAK, në sitë ish-zëvendëskryeministri dhe ish-Presidenti

Nga ish-Presidenti dhe kryeministri Berisha, tek ish-Presidenti Meta, 11 ministra e ish-ministra e 4 deputetë përballen me SPAK si persona të dyshuar për shkelje ligji. Mes tyre ka në qeli ndërsa hetimet për afera si pronat e ushtrisë, dosja Cez DIA, klubi Partizani dhe koncesionet në shëndetësi konsiderohen nga SPAK si abuzim me pushtetin dhe përfitime të paligjshme financiare nga jakat e Bardha.

Në puntatën e shkuar emisioni “FactCheck” trajtoi nëpërmjet një kronologjie duke nisur nga krijimi i SPAK se cilët ishin 23 drejtuesit dhe ish-drejtuesit e pushtetit lokal të vendosur përballë SPAK.

Me akuza nga blerja e votës, korrupsioni zgjedhor, vjedhja dhe shpërdorimi i parasë publike e deri tek abuzimi me pushtetin ata një e nga një kanë ngjitur shkallët e Prokurorisë së Posaçme duke përfunduar ose në burg, ose në hetim, e veç një prej tyre me pafajësi.

Këtë puntatën do të ndalemi tek ish-ministra dhe ministra që përballen dhe janë me dosje në Prokurorinë e Posaçme.

Në krye të listës qëndron ish-numri dy i qeverisë Arben Ahmetaj i cili ka vendosur që përballjen me SPAK ta ketë prej së largu edhe pse deklaroi të kundërtën.

Hera e fundit që Ahmetaj shkeli në SPAK ishte data 22 qershor 2023. Aty ai qëndroi për herë të parë dhe të fundit për 6 orë ku u pyet për aferën e inceneratorit dhe privatizimit të shoqërisë Buka sha. Nga ai moment Ahmetaj humbi gjurmët duke marrë statusin e personit të arratisur dhe në kërkim.

Një tjetër zyrtar po aq i rëndësishëm që ka mbajtur poste ministrore, është Ilir Beqaj. Për dy herë me radhë Beqaj si deklarues e person në hetim është paraqitur në Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme.

Ndaj Beqajt hetimet janë për aferën e koncesioneve në shëndetësi, përkatësisht “Sterilizimin” ndërsa mbeten të hapura hetimet për koncesionin e “Check-Up”.

Si deklarues dyert e SPAK i ka kaluar edhe ish-ministri i Financave në qeverinë Rama, Shkëlqim Cani, por pasi u pyet për aferën e “Sterizilimit” dhe privatizimit të “Buka sha| ai mohoi t’i njihte përfituesit duke aluduar se njohja me ta do të thoshte marrje parash.

I vetmi ish-ministër që sot qëndron në qeli nga qeveria Rama dhe dikur koalicioni Rama-Meta është Lefter Koka.

Ndaj Kokës ka dy dënime të dhëna ajo për inceneratorin e Elbasanit dhe dënimi për inceneratorin e Fierit.

Edhe pse për SPAK konsiderohet fajtor dhe pjesë e një grupi kriminal të kultivimit dhe trafikut të drogës, ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri vazhdon betejën ligjore në Gjykatën e Lartë.

Pasi shleu burgimin e vendosur nga Gjykata e Apelit, Tahiri sot është në liri, por beteja me drejtësinë vazhdon.

Sonila Qato, ish-ministre e Shtetit është e pandehur në Gjykatën e Posaçme dhe gjykimi ndaj saj ende s’ka përfunduar. Qato u hetua nga SPAK për abuzim me postin në lidhje me tenderin e aksit Kardhiq-Delvinë, kohë kur ajo drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Dyert e SPAK i ka kaluar edhe ish-ministrja e Mbrojtjes dhe ish-ministrja e Jashtme në qeverinë socialiste Olta Xhaçka, për të po kryhen hetime lidhur me dhënien e pronave të ushtrisë për zhvillim privatit si në rastin e Portit të Limionit në Sarandë vendosur nën sekuestro nga SPAK.

Një tjetër ish-ministre në postin e Financave e cila sot është ministre e Bujqësisë ka kaluar dyert e Prokurorisë së Posaçme. Ajo është Anila Denaj e cila më 4 gusht 2023 u paraqit në SPAK për kohën kur ajo ka qenë pjesë e fondit të kujdesit shëndetësor dhe prania e saj lidhej me aferën e “Sterilizimit”.

Ish-ministra nuk kanë munguar edhe nga qeverisja e Partisë Demokratike. Genc Ruli, ish-ministri Ekonomisë është paraqitur në SPAK dhe ka dhënë deklarime.

Aldo Bumçi po ashtu ka dhënë deklarime dhe para mediave ka kërkuar të hetohet se firma që qëndron mbi një letër zyrtare kur ai ka drejtuar Ministrinë e Drejtësisë sipas Brumçit është e falsifikuar.

Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes në qeverinë Berisha sot është i vetmi nga ajo kohë që përballet me drejtësinë si i pandehur.

Ai është i akuzuar nga SPAK për tragjedinë e Gërdecit të 15 mars 2008 ku mbetën të vdekur 26 persona dhe qindra të plagosur.

Në SPAK pas hekurave qëndron ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrepaj i cili sipas prokurorisë ka shkelur ligjin për koncesionin e “Sterilizimit”.

Qelinë e kanë provuar edhe deputetë. Si Alqi Bllako i cili sapo la mandatin u arratis për pak orë e më pas u dënua për aferën e inceneratorëve.

Një tjetër ish-deputet dhe po ashtu bashkëshort i ish-ministres Xhaçka, Artan Gaçi më 6 tetor 2023 u pyet nga SPAK për një aferë me pronat në bregdet. Atij i janë sekuestruar 5000 m2 truall në rezortin turistik që po ndërton ndërsa hetimet janë të hapura.

Deputeti aktual i Partisë Socialiste Bardhyl Kollçaku dikur ish-gjeneral i ushtrisë shqiptare po ashtu është paraqitur në SPAK. Kollçaku është pyetur për aferat me pronat e ushtrisë.

Deputeti aktual socialist Agron Çela është prej atyre që ka ngjitur shkallët e Prokurorisë së Posaçme.

Çela është pyetur për aferën “Cez-Dia” për të cilën SPAK heton ish-shefin e Çelës, Ilir Meta.

Ish-Presidenti Meta për herë të fundit ka shkelur në SPAK më datë 8 nëntor 2023 ku është marrë në pyetje dhe e ka cilësuar procesin ndaj tij si të manipuluar dhe nxitur nga Kryeministri Edi Rama.

“Temperatura deri -5 gradë C”, e diela do të jetë tipike dimri, sinoptikania: Një masë siberiane vjen natën sot në vendin tonë

Dita e shtunë ka nisur me reshje shiu në të gjithë territorin, ndërsa qarku i Kukësit është mbuluar nga dëbora.

Sipas sinoptikanes, Lajda Porja të njëjtat kushte atmosferike do të vazhdojnë edhe ditën e diel, ku reshjet e dëborës do të shtrihen në qarkun e Korçës, ku temperaturat do të shkojnë deri në -5 gradë Celcius

“Do të ketë reshje dëborë. Këtë mbrëmje do të ketë reshje dëbore të shtuara në qarkun e Korçës. Parashikohet që deri në mesnatë dëbora të jetë e konsiderueshme. Nesër pritet që të ketë temperatura të ulëta, deri në -5 në zonat malore. E diela do të jetë ditë tipike dimri. Do të ketë reshje të izoluara në jug, më pak në juglindje. Problematike mbetet situata e ngricave në zonat malore. Një masë siberiane vjen natën sot në vendin tonë”, tha ajo.

Po heton Ilir Metën/ Kush dhe pse po gërmon duke mbledhur informacion, për prokurorin e SPAK Sotir Kllapi?!

Së fundmi, KLGJ dhe KLP, certifikuan edhe zyrtarisht nëpërmjet njoftimeve publike, se ndaj gjyqtarëve të GJKKO dhe prokurorëve të SPAK po ushtrohen presione dhe shantazhe edhe nga persona publikë, (Politikanë), si dhe segmente të medies për dosjet e nxehta që po hetojnë.

“Po nuk u blenë, ti shantazhojmë”

Po heton Ilir Metën/ Kush dhe pse po gërmon duke mbledhur informacion,
Publiku nuk di gjithçka që ndodh prapa skene me drejtësinë e re dhe veçanërisht, me prokurorët e SPAK dhe Gjyqtarët e GJKKO. Personat që ata po hetojnë si pjesë e krimit të organizuar dhe eksponentë nga politika e lartë e tranzicionit korruptiv, për mbi 30 vite e kanë pasur në xhep drejtësinë. Sot që rrezikojnë jo vetëm burgun, por edhe sekuestrimin e pasurisë marramendëse që kanë vënë duke grabitur shqiptarët nëpërmjet pushtetit që ata u dhanë me bujari, po tentojnë me të gjitha mënyrat për të shpëtuar veten, familjarët, bashkëpunëtorët dhe plaçkën e vjedhur këto 3 dekada, e cila shkon disa dhjetra miliard euro. Alarmi i fundit që ngriti KLGJ dhe KLP, u ndërlidh më së shumti me fushatën e paprecedentë të kohëve të fundit të Sali Berishës, (Pas masave të sigurisë), kundër SPAK dhe gjyqtarëve që kanë në dorë çështjen e tij dhe të dhëndrit Jamarbër Malltezi, por kreu i Rithemelimit nuk është i vetmi “peshk i madh” që ka llogari të hapura me drejtësinë e re.

Edhe pse bën publikisht sikur nuk ndërhyn, Edi Rama, nga ana tjetër bën nën rogoz të njëjtën gjë. Kujtojmë veç të tjerave përplasjen e dëshpëruar të tij me SHBA, (Ambasadoren Yuri Kim), për të marrë nën kontroll drejtimin e SPAK, duke synuar të vendos drejtues prokurorin e Ilir Beqajt dhe sabotuar zgjedhjen e Altin Dumanit.

Gjithashtu edhe ish-kryeministri dhe ish- presidenti, Ilir Meta, po hetohet për dy çështje të nxehta, (CEZ-DIA dhe lobimi me para të dyshimta), dhe pavarësisht se është paraqitur në SPAK sa herë që është thirrur, në mënyrën më “mafioze” u ka dërguar “porosi” prokurorëve që po hetojnë. Në dalje të ndryshme televizive apo me shënime në FB, Meta, pas hapjeve të hetimeve ndaj tij, ka siluruar kreun e SPAK Altin Dumani dhe i ka quajtur prokurorët “krijesa të partisë në pushtet” dhe Prokurorinë e Posaçme, biznesin më të madh të qeverisë”.

Por më 31 Tetor të këtij viti pasi mësoj se hetimet ndaj tij janë drejt përfundimit, Ilir Meta shkoj edhe më tej. Në një dalje për mediet, ai ju dërgoj një mesazh të koduar të stilit “mafioz” prokurorëve të SPAK:

Prokurorët kanë problemet e tyre, kanë familje, bashkëshortë, të afërm…

Çfarë ka dashur që të thotë me këto fjalë Ilir Meta: Që kushdo, edhe prokurorët e SPAK kanë pikat e tyre të dobëta?!

Pak ditë më parë drejtuesja e “Open Data Albania” dhe administratore e Webit, aplikacionit “#AksesDretësi”, Aranita Brahaj ka konstatuar një fakt teje interesant për prokurorin që po heton Ilir Metën, Sotir Kllapi. Ajo shkruan se në aplikacionin ku gjenden të gjitha të dhënat e hollësishme për njerëzit e drejtësisë, emri më i klikuar dhe i “investiguar” javën e fundit është pikërisht ai i prokurorit Kllapi.

“Javën e fundit prokurori Sotir Kllapi i njohur si Prokurori i SPAK për çështjen ndaj ish Kryeministrit dhe ish Presidentit Ilir Meta, ka qenë emri më i kërkuar dhe klikuar në web databazen Akses Drejtësi Regjistri i magjistrateve.

Në këtë databaze është krijuar pasaporta e Magjistratit me të dhëna dhe dokumente për Karrierën, Profilin, Nivelin e Arsimimit, integritetin, Kualifikimet, Interesat Pasurorë”, konstaton gazetarja Aranita Brahaj.

Kush po gërmon dhe po mbledh këto kohë, informacion të hollësishëm për çdo aspekt të jetës dhe profesionit të prokurorit Sotir Kllapi?!