15.5 C
Tirana
E hënë, 23 Qershor, 2025

“Rama me intrasigjencë ushqen radikalizmin e Berishës”, Zogaj: SHBA e BE kërkojnë dialog për ngërçin në Parlament, qeveria të hedhë hapin e parë

Presidenti i institutit Pashko, Preç Zogaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe kaosin e krijuar në Kuvend.

Në lidhje me deklaratën e Ramës, i cili tha se “Nuk negocioj me non gratat”, Zogaj theksoi se nuk bëhet fjalë për negociatë as me non grata, as me jo non grata, por për gjetjen e një zgjidhjeje. Nuk mund të vazhdohet pa fund me këtë ngërç. Komisionet hetimore janë e drejtë kushtetuese e një të katërtës së deputetëve. Hetimi parlamentar është instrumenti i opozitës për të përmbushur kontrollin e qeverisë. As kushtetuta, as ligji nuk venë ndonjë kusht se “ kush” mund ta ushtrojë e kush jo këtë të drejtë. Deputetët- ky është kushti i vetëm. Rama ngatërron të drejtat kushtetuese me sanksionimin dhe spekulon me ketë. Le të mos negociojë me Berishën, por nuk mund t’i trajtojë gjithë deputetët e Rithemelimit si të sanksionuar. Kam folur më shumë se Rama për “ non gratën”, u shpreh Zogaj, duke shtuar se edhe në këtë pikë kryeministri është i pasinqertë. Ai e ka normalizuar bashkëpunimin me non gratat e tij. Është në koalicion me PSD që drejtohet nga Doshi. Ka larguar Rakipin dhe ka marrë të birin. E njëjta gjë deri ditën e arrestimit edhe me Dakon. Ky lloj “normalizimi” ka ndikuar që disa deputetë të distancuar nga Berisha kur ky shpall non grata të afrohen me të me kalimin e kohës. Është një zhvillim që thërret në kauzë për tu rishprehur përfaqësuesit e qeverisë amerikane në Shqipëri, në fakt”.

Zogaj u ndal ndërkohë te qëndrimet e ndërkombëtarëve, si SHBA, BE dhe Britania, ku tha se nuk sheh ndonjë reflektim nga kryeministri Edi Rama.

“Në deklaratat e sotme të Ramës nuk shihet të ketë ndonjë reflektim në lidhje me qëndrimet që kanë mbajtur SHBA, BE dhe Britania e Madhe për ngërçin parlamentar, ku kërkojnë dialog dhe kthim në normalitet. I takon qeverisë të hedhë hapin e parë. Ti hapë rrugë kërkesës së pare të opozitës, pastaj se dytës, e kështu me radhë. Sepse nuk mund të jenë të gjitha kërkesat me bisht, me shkelje. Komisioni për konçensionet në shëndetësi, për shembull, duket ashiqare se nuk ka shkelje të Kushtetutës. Edhe SPAK është shprehur se nuk ka asnjë probleme me paralelizmin në hetim, pasi janë hetime të ndryshme. Konteksti politik i brendshëm dhe ai ndërkombëtar diktojnë fleksibilitet, shmangie të tensioneve të kërkuara. Qeveria duket të jetë më e interesuara për këtë”.

 

 

Sa i takon efektit të rrugës që po ndjekin deputetët e Rithemelimit në Kuvend duke e bllokuar atë, Zogaj u shpreh skeptik. E para, sepse kjo opozitë e ka kompromentuar ndër vite radikalizmin duke e shpërdoruar. Të njëjtat metoda, e njëjta retorikë. E dyta sepse sado të përpiqen, nuk rindajnë dot protestat për komisionet nga beteja e egër që Berisha iu ka shpallur SPAK-ut dhe drejtësisë pas ngritjes se akuzave kundër tij për aferën e ish klubit “Partizani”. Edhe në planin praktik nuk kanë arritur gjë sepse shumica i ka miratuar ligjet e veta. Madje pa kritikë, pa opozitë-Rithemelimi ka penguare edhe PD-në zyrtare dhe deputetët të tjerë opozitarë ti bëjnë kriticizmin buxhetit, fjala vjen. Shoh se janë të kënaqur me jehonën në shtypin botëror. Tymi, zjarri, protestat, ekseset në parlamente janë kudo gjahu i preferuar i shtypit. Si e themi ne në gazetari: lajm është kur qeni ha njeriun dhe jo anasjelltas. Dua të them se në lidhje me komisionet, opozita duket te gjejë rrugën të zhbllokojë së paku dy tre të parët. Duken shteruar rrugët ligjore gjithashtu. Përndryshe i bie të ngopësh me lugë bosh.

Zogaj komentoi edhe deklaratën e Ramës se nuk pranon komisione hetimore mbi thashetheme. “Këto janë batuta, retorikë, vlerësime subjektive”, tha ai. “Rama duhet ti tregoje publikut ku është konkretisht shkelja e kushtetutës, ku janë bishtat antikushtetues të kërkesave. Në të kundërtën, duke e mbajtur ketë debat në nivel retorik, do të duhet të mendojnë se kryeministri pëlqen ta ushqejë radikalizmin e Rithemelimit me intrasgjencën e tij dhe të gjithë janë në rregull, pse jo të kënaqur: edhe ata që protestojnë që të dëgjojë SPAK-u, edhe ata që miratojnë ligje pa asnjë lloj oponence”, tha Zogaj

MONITOR/ Turizmi, Shqipëria interesante edhe jashtë sezonit, të huajt rritje 89.4%

Turizmi ka vijuar të ruajë tendencën e rritjes të këtij viti dhe shifrat zyrtare të lëvizjes së shtetasve tregojnë se objektivi 10 milionë vizitorë është shumë afër realizimit.

Sipas Institutit të Statistikave, deri në tetor, numri total i të huajve që kanë hyrë në Shqipëri ishte 8.98 milionë.

Vetëm në tetor, numri i të huajve ishte mbi 691 mijë apo 89.4% më shumë.

“Në tetor 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 564.874. Ky numër është rritur me 45,2%, krahasuar me tetor 2022. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 691.680.

Ky numër është rritur me 89,4%, krahasuar me tetor 2023. Gjatë dhjetëmujorit 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 8.986.280. Ky numër është rritur me 32,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022” thuhet në përmbledhjen e INSTAT.

Sipas publikimit hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Tetor 2023, janë 1.256.554. Ky tregues rezulton me një rritje 66,6%, krahasuar me Tetor 2022. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Tetor 2023, janë 1.201.897, duke shënuar një rritje me 60,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në Tetor 2023 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Europës me 660.057 shtetas pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me
16.495 dhe 8.355 shtetas

Sipas INSTAT në Tetor 2023, krahasuar me Tetor 2022, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë: rritje, për qëllime personale me 91,3%; rritje, për qëllime pushime, vizitë tek të afërm etj. me 93,4%; rënie, për biznes dhe qëllime profesionale me 10,3.

Daljet e shtetasve

Në tetor nuk kanë qenë vetëm të huajt që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë. Duket se dhe shtetasit shqiptarë që kanë dalë jashtë territorit kanë qenë në rritje të ndjeshme prej 41.7%.

“Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Tetor 2023 janë 557.152. Krahasuar me Tetor 2022, ky tregues është rritur me 41,7%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Tetor 2023, janë 644.745. Krahasuar me Tetor 2022, ky tregues është rritur me 81,1%.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë dhjetëmujorit 2023, është 5.748.99, duke u rritur me 20,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, thuhet në publikimin e INSTAT.

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT

Sulmet e Berishës ndaj SPAK/ Hoxha: Rrezikon akuza të reja, ‘pengim i drejtësisë’ dhe ‘shantazh për shkak të detyrës’

Ish-kryeministri Sali Berisha refuzon të përballet me drejtësinë për aferën Partizani, ndërsa Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën ‘arrest shtëpie’ ndaj tij. Berisha ka nisur sulme të njëpasnjëshme ndaj drejtësisë, si edhe prokrurorit Arben Kraja e gjyqtares Irena Gjoka. Por gazetari i Poli Hoxha tha në Report Tv se këto sulme mund ta përballin Berishën me dy akuza të reja ‘pengim i drejtësisë’ dhe ‘kërcënim dhe shantazh për shkak të detyrës’!

“Presionin e pamë e dëgjuam, shantazhin, organizatë kriminale, u more me emra. Alarmi arriti deri në atë pikë sa ju shtuan shoqëruesit, i çuan në 6. Dje mbajti qëndrim KLGJ dhe KLP. Presioni shantazhi kërcënimi u institucionalizua edhe në organet më të larta të drejtësisë. Kjo e çon zotin Berisha drejt një akuze të re, pengim i drejtësisë dhe kërcënim dhe shantazh. E ka kryer.”, tha Hoxha.

Hetimet e SPAK “godasin” edhe konsumin; Shoqata e Bareve-Restoranteve: Nga frika nuk dalin të shpenzojnë informalët

Hetimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për ish zyrtarë të lartë, por edhe eksponentë të botës së krimit, po ndikojnë edhe te rënia e konsumit të restoranteve.

Tashmë prej disa muajsh intensifikimi i hetimeve për një sërë dosjesh të krimit të organizuar, dhe korrupsionet të shoqëruara me prangosjen e shumë individëve ka stepur si të pasurit, por edhe pastruesit e parave për frekuentim në restorante dhe bare.

Për përfaqësuesin e Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj me përfundimin e valës së ardhjes së turistëve, konsumi në restorante dhe bare i është rikthyer tendencës rënëse.

Një sërë faktorësh sipas tij po ndikojnë te ulja e shpenzimeve për restorante, duke nisur që nga pasiguria për shpenzime te konsumatori familjar për shkak të vështirësive ekonomike dhe tendenca për kursime në prag festash, si dhe duke përfshirë “frikën” për t’u ekspozuar në restorante te individëve që zotërojnë para të pista, për shkak të hetimeve nga SPAK.

“Konsumi në bare dhe restorante është në rënie krahasuar me vjet.

Së pari, jemi përballë një krizë që konsumatorët ndihen të pasigurt për shpenzime.

Së dytë janë ditën e gjatë të pushimeve për festat kombëtare. Së treti, jemi edhe në prag të festave të fund vitit dhe konsumatori ka tendencën të kursejë për shpenzimet në bare dhe restorante.

Së katërti, ata që kanë para, si dhe ata që kanë para të pista nëpër duar, nuk dalin të shpenzojnë më, pasi nuk duan të vihen në evidencë. Konsumojnë larg vëmendjes së njerëzve, konsumojnë në shtëpi. Pra tashmë është fakt që të dyja krahët nuk po dalin më për dreka dhe darka në restorant, ose dalin pa rënë në sy të njerëzve. Të gjithë i ka kapur frika”, thotë Jahja.

Ai shton se tërheqja e kësaj kategorie po jep ndikim, për faktin se vlerësohet se ata zënë 10-15% të konsumit total në bare e restorante. “Kjo kategori shpenzon deri në 15 mijë lekë për person në restorante”.

Nga Shoqata e Bareve e Restoranteve shqetësimi për rënien e konsumit u ngrit edhe në fillim të këtij viti për shkak të pasigurisë së konsumatorit nga rritja e çmimeve për produktet e shportës ushqimore nga konflikti Rusi-Ukrainë. Sipas përfaqësuesve të shoqatës konsumi pati përmirësim në zgjedhjet vendore të 14 Majit dhe vijoi me rritje përgjatë muajve të verës nga turistët.

Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%. referuar të dhënave të INSTAT deri në 2019 në këtë sektor ishin të punësuar 45,000 persona. Numri i të punësuarve konsiderohet më i lartë, për shkak të informalitetit.

Sakaq hetimet e nisura nga SPAK nuk po trembin vetëm frekuentuesit e lokaleve dhe bareve, por edhe blerësit e apartamenteve në Tiranë.

Më herët edhe agjentët mobilierë të tregut të pasurive të paluajtshme pohuan për Monitor së hetimet po ndikojnë te rënia e kërkesës për blerje apartamentesh.

Përdorimi i skemave të pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme është hasur edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Gjatë 2022, ky institucion në raportin vjetor publikoi 8 tipologji skemash që janë dyshuar si forma të pastrimit të parave në vend. Shumica e tipologjive kishin në thelb investimet në pasuri të paluajtshme, ku nuk mungonin as dyshimet për përdorim të fondeve publike, transferta të dyshimta të lidhura edhe me grupe kriminale.

Edhe nga ekspertët e tregut shpeshherë është ngritur shqetësimi se çmimet e apartamenteve veçanërisht për objekte të veçanta si kullat që arrijnë deri në 5,000 euro për metër katror, janë shumë herë më të larta se të ardhurat e familjeve shqiptare.

Për 6 mujorin e parë të 2022 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë çmimet e apartamenteve u rritën 40% më shumë krahasuar me 2021. Rritja e lartë sipas ekspertëve të tregut u ndikua edhe nga pritshmëritë e shumë ndërtuesve për miratimin e amnistisë fiskale, një draft që është publikuar disa herë nga qeveria, por miratimi është kundërshtuar nga institucionet ndërkombëtare. /D.Azo

Revista “Monitor”

Pakti mes politikës dhe drejtësisë është prishur!

Nga Blendi Kajsiu

Është hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që nuk ekziston një pakt mes sistemit të drejtësisë dhe politikës shqiptare. Sistemi i drejtësisë sot, që nga SPAK deri tek Gjykatat, mund të kritikohet për standarte të dyfishta, për inkoherenca apo subjektivitet. Ama është e vështirë të argumentosh sot se drejtësia shqiptare është një zgjatim i ekzekutivit apo që operon nën shantazhin e opozitës.

Aq më pak mund të argumentohet se drejtësia shqiptare ka vendosur ta lërë të qetë politikën, sikurse ka ndodhur që nga viti 1997. Kalimi në arrest shtëpie i dhëndrrit më të famshëm shqiptar si dhe vendosja e masës së sigurisë për ish ministrin e shëndetësisë Ilir Beqja janë thjesht dy fakte më shumë që tregojnë se sistemi i drejtësisë nuk është as zgjatim i Ramës dhe as një konspiracion kundër Berishës.

Që nga nga krijimi i shtetit shqiptar deri në vitin 1997 sistemi i drejtësisë shqiptare ka qenë një zgjatim i politikës në përgjithësi dhe i ekzekutivit në veçanti. Në komunizëm pavarësia mes politkës dhe sistemit të drejtësisë nuk ekzistonte as në koncept as në realitet. Vendimet e gjygjësorit ishin thjesht formalizime të vendimeve që kish marrë byroja politike.

I njëjti fenomen, edhe pse në mënyrë më të zbutur, vazhdoi në fazën e parë të tranzicionit shqiptar, 1991-1997. Qeveria Berisha në këtë periudhë e trajtonte sistemin e drejtësisë si një zgjatim të pushtetit të saj politik. Për këtë arësye gjygjësori u mbush me militantë politik dhe në nivelet e tij më të larta, si Gjykata Kushtetuese, funksiononte nën urdhërat direkte të presidentit Berisha.

Arresitmi dhe dënimi në shkallë të parë dhe në apel i gazetarëve të Koha Jonë, Martin Leka dhe Aleksandër Frangaj bashkë me arrestimin dhe dënimin e liderit të opozitës Fatos Nano në vitin 1995 ishin vendime tërësisht politike. Një fakt ky i stërvërtetuar nga një sërë organizmash të pavarur ndërkombëtar që i cilësuan këto arrestime si politike.

Në këtë periudhë çdo rezistencë që shfaqëj në sistemin e drejtësisë kundër hyqmit të ekzekutivit dënohej ashpër, me polici, me SHIK dhe me të fortë. Rasti i juristit kurajoz dhe profesionist Zef Brozi (pothuajse i injoruar më mediat tona) është shembulli më i qartë i këtij fenomeni. Brozi u shkarkua si kryetar i Gjykatës së Kasacionit nga ekzekutivi berishist sepse refuzoi të merrte vendime politike në shkelje të ligjit. Jo vetëm u shkarkua por edhe u kërcënua nga SHIK-u, nga policia, dhe të fortët qafë-lesh dhe xhup-zinj që përdorte pushteti i kohës. Aq sa u detyrua të marrë azil politik në SHBA.

Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste në vitin 1997 marrëdhënia mes ekzekutivit dhe politikës në përgjithësi ndryshoi në mënyrë rrënjësore.  Nën parrullën e pavarësisë, të mos-hakmarrjes dhe të mos-përdorimit politik të drejtësisë politika shqiptare, nën udhëheqjen e qeverive socialiste, ndërtoi një pakt të heshtur me sistemin e drejtësisë, sipas llogjikës “më lër rehat, të lë rehat”.

Në këtë moment sistemi i drejtësisë fiton pavarësinë të bëjë ç´të dojë për sa kohë nuk futet në hullitë e politikës. Natyrisht që ndikimi politik tek gjygjësori vazhdoi nëpërmjet organeve si KLD (Këshilli i Lartë i Drejtësisë), por tashmë drejtësia nuk ishte një zgjatim i ekzekutivit dhe as nuk përdorej politikisht për të persekutuar opozitën. Në këtë aspekt fillon një armëpushim mes politikës shqiptare në përgjithësi dhe sistemit të drejtësisë që fillon të vetë-organizohet.

Produkti i këtij armëpushimi, apo pakti të heshtur, ishte korruptimi galopant i politikës nga njëra anë dhe i drejtësisë nga ana tjetër. Politika nuk ndërhyn për të ndalur apo denoncuar korrupsionin e sistemit të drejtësisë. Ndërsa kjo e fundit injoron tërësisht korrupsionin galopant të pushtetit socialist, që shpesh denoncohej hapur nga vetë krerët e këtij pushteti.

Shembulli më i qartë i këtij paktit politikë-drejtësi ishte Lëvizja për Katharsis e inciuar nga Fatos Nano në vitin 2001 që prodhoi një sërë akuzash publike për korrupsion ndaj qeverisë socialiste të Ilir Metës dhe ministrave kryesor të saj. Akuzat e kryetarit të Partisë Socialiste, ishin publike dhe detajonin aferat korruptive të Ilir Metës dhe ministrave të tij.

E megjithatë në gjithë këtë lëvizje politike sistemi i drejtësisë ishte thjesht spekatator. Lëvizja nuk prodhoi asnjë dënim të zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion nga vetë shefi i tyre politik. Nuk u bitis asnjë proces penal apo administrativ pavarësisht se akuzat vinin nga nivelet më të larta të pushtetit politik. Përkundrazi të akuzuarit për korrupsion u rishfaqën në qeverinë socialiste.

Gradualisht akuzat për korrupsion reduktohen në denoncime politike me të cilat sistemi i drejtësisë nuk ka fare të bëjë. Idea se gjithkush mund të akuzojë gjithkënd teksa sistemi i drejtësisë nuk vepron, u normalizua në të gjithë sferën tonë publike. Aq sa përballë akuzave për korrupsion përbënte lajm negativ veprimi dhe jo mos-veprimi i sistemit të drejtësisë.  Cdo veprim i prokurorisë për të zbardhur denoncimet anti-korrupsion stigmatizohej si lëvizje politike, çka e forcoi paktin e heshtur të mos-ndërhyrjes mes politikës dhe drejtësisë.

Ky pakt u respektua edhe nga Berisha me ardhjen e tij në pushtet në vitin 2005. Pavarësisht akuzave pa fund që Berisha i kish bërë qeverive socialiste gjatë periudhës 2005-2013 nuk pati asnjë dënim të profilit të lartë politik, qoftë nga pozita qoftë nga opozita. Edhe pse në opozitë Berisha kish denoncuar pa fund korrupsionin e Nanos, Metës, Cacit, apo Kaçit, nuk u nis asnjë proces gjygjësor kundër tyre me ardhjen e PD-së në pushtet. Në këto kushte armëpushimi pervers mes politikës (majtas dhe djathtas) dhe drejtësisë u konsolidua pasi askush nuk kishte interes të futej në hullinë e tjetrit.

Politika nuk kish interes që drejtësia të zbardhte denoncimet që palët i bënin njëra-tjetrës, sepse pa këto denoncime politika shqiptare nuk mund të ekzistonte. Pas vitit 1997 diferenca programatike dhe ideologjike mes PS dhe PD zhduket dhe palët diferencohen vetëm nëpërmjet akuzave anti-korrupsion. PD-ja vjen në pushtet në vitin 2005 kryesisht nëpërmjet diskursit anti-korrupsion. Po kështu protesta më e madhe opozitare e Edi Ramës më 21 janar të vitit 2011 ishte kundër korrupsionit të Ilir Metës.

Por asnjë aktor politik nuk i kishte seriozisht akuzat anti-korrupsion ndaj askush nuk dëshironte përfshirjen e drejtësisë në zbardhjen e tyre. Denoncimet antikorrupsion ishin thjesht një instrument në lojën politike për pushtet. Mjafton të kujtojmë që një nga të akuzuarit kryesor për korrupsion nga Lëvizja Katharsis e Fatos Nanos në vitin 2001, Anastas Angjeli, u bë Ministër i Ekonomisë në qeverinë e Nanos 2003-2005. Po kështu Berisha dhe Rama qeverisnin me Ilir Metën pasi e kishin akuzuar si kriminel, hajdut dhe të korruptuar.  Madje e bënë edhe President të Republikës.

Në këto kushte sistemi i drejtësisë e injoronte tërësisht korruptimin e politikës teksa politika e linte të qetë të pasurohej nëpërmjet një korrupsioni galopant. Për këtë arësye degradimi i sistemit të drejtësisë shqiptare në periudhën 1997-2020 ka qenë spektakolar. Pasurimi marramendës i gjygjtarëve bëhej në ditën me diell. Ata dhe ato zotëronin prona dhe pasuri që nuk mund të justifikoheshin me pagat e tyre. Simboli më tipik i degradimit dhe korruptimit të sistemit të drejtësisë ishte i famshmi Gjin Gjoni, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) në periudhën 2013-2018.

Në rastet e rralla kur drejtësia kërkonte të kryente rolin e saj kushtetues duke i rënë në qafë ekzekutivit, reagimi i këtij të fundit ishte i egër. Mjafton të kujtojmë reagimin e Sali Berishës si kryeminstër kur Ina Rama, e cilësuar prej vetë Berishës si Silvia Konti shqiptare, u përpoq të hetonte vrasjet makabre të 21 janarit nga ana e gardës. Në një nga episodet më të turpshme të demokracisë shqiptare Berisha e bllokoi hetimin dhe e sulmoi kryeprokuroren me termin rrugaçëror “lavire”.

Mëkati themelor i Ina Ramës, një nga jursitet më profesioniste dhe më me integritet të Shqipërisë, ishte dhunimi i paktit të heshtur mes politikës dhe drejtësisë. Për sa kohë drejtësisa nuk futej në hullinë e politikës, kjo e fundit nuk merrej me korruptimin galopant të drejtësisë. Kërcënimi publik që Berisha i bëri Ina Ramës e betonizoi edhe një herë këtë pakt, duke frikësuar çdo prokuror, hetues apo gjygjtar që do guxonte të hetonte politikën në përgjithësi dhe ekzekutivin në veçanti.

Sot ky pakt pervers është prishur. Sistemi i drejtësisë po heton politikën, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë. Natyrisht mund të debatohet mënyra, koherenca apo efektet e këtij hetimi. Ajo që nuk mund të vihet në dyshim sot është fakti që mes politikës dhe drejtësisë nuk ka armëpushim. Paqja mes tyre është prishur, për herë të parë në historinë e tranzicionit dhe të shtetit shqiptar.

Prishja e paktit filloi nga politika me nxitje nga faktori ndërkombëtar. Nëpërmjet reformës në drejtësi dhe sistemit të vettingut politika ia prishi qetësinë sistemit të drejtësisë, duke nxjerrë në rrugë me qindra gjygjtarë dhe prokurorë. Natyrisht procesi nuk ishte perfekt. Mes të larguarve kishte disa gjygjtarë dhe prokurorë profesionist dhe të ndershëm. Por shumica e të larguarve nga sistemi i drejtësisë ishin thellësisht të korruptuar.

Prishja e paktit nga ana e politikës vijoi me prishjen e paktit nga ana e sistemit të drejtësisë. Asnjëherë në historinë e shtetit shqiptar, dhe aq më pak në historinë tonë të tranzicionit, nuk janë dënuar apo hetuar kaq shumë zyrtarë të lartë dhe skandale të partisë në pushtet, apo politikanë të profilit kaq të lartë si Sali Berisha. Hetimi i Berishës sot krijon një precedent të fortë për hetimin e Edi Ramës nesër. Ndaj propaganda anti-drejtësi që dëshiron ta portretizojë SPAK-un si vegël të Ramës apo si të gjunjëzuar nga berishizmi është thjesht zhurmë.

Natyrisht fakti që sot nuk ekziston një pakt mes politikës dhe drejtësisë nuk do të thotë që ky pakt nuk mund të marrë formë nesër. Me të drejtë një pjesë e ndershme e opinionit publik është e shqetësuar se forcimi i pushtetit politik të Ramës sot mund të prodhojë kapjen e sistemit të drejtësisë nesër. Mund të ndodhë.

Diçka e tillë nuk evitohet thjesht duke dobësuar pushtetin politik të Ramës por duke forcuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Pavarësia e sistemit të drejtësisë është një risi e brishtë në historinë e shkurtër të shtetit tonë. Ndaj nëse duam ta mbrojmë atë sulmet tona nuk duhet të drejtohen nga drejtësia e brishtë shqiptare që gradualisht po çlirohet nga zgjedha e politikës por nga shantazhuesit dhe dhunuesit kronik të saj.(Lapsi.al) 

Rreziku nga përdorimi i pesticideve/ Tregjet europiane refuzojnë produktet shqiptare

Një ditë më parë një ngarkesë prej 20 tonësh me kastraveca, që ishte eksportuar nga prodhuesit vendas, u bllokua nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit sepse përmbanin pesticide mbi normën e lejuar. Ky abuzim me inputet bujqësore po pengon në mënyrë të vazhdueshme produktet shqiptare të jenë pjesë e tregjeve evropiane.

RUTH HUBER

AMBASADORE E ZVICRES NE SHQIPERI

“Nuk mund të aksesoni tregjet evropiane pa arritur standardet e Bashkimit Evropian. Nëse duam eksportojmë, duhet të arrihen këto standarde. Disa prodhues shqiptarë nuk janë pranuar në tregun evropian. Pse? Një nga arsyet kryesore është sasia e pesticideve që produktet përmbajnë. Duhet të sigurohemi që pesticide janë në normat e lejuara dhe standardet janë plotësuar.”

Për të kthyer fermerët drejt produktit organik, sipas ekspertëve, është e nevojshme të nxiten dhe mbështeten financiarisht nga Ministria e Bujqësisë.

ALBAN ZUSI

SHOQATA E EKSPORTUESVE TE SHQIPERISE

“Duhet të kemi politika nxitëse, mbështetëse, së paku për 5 vite, për të mbështetur produktin e pastër, sa më pranë organikës, që plotëson standardet. Është e dosmodshme që të financohet fermeri për fertilizantin organik, që të përdorë produkte organike në mbrojtjen e bimës, kur të marrë impaktin dhe të jetë futur në tregje që e paguajnë këtë produkt të pastër, do të jetë vetë i interesuar dhe do të ketë pasqyrë të qarë që të punuarit.”

Por pavarësisht këtij problemi, sipas ministres, eksportet shqiptare u rritën gjatë vitit 2022 dhe aksesuan edhe tregje elitare.

 

Afera CEZ-DIA, Poli Hoxha: Po mbyllet, shumë shpejt Ilir Metës i vendoset masë sigurie

Gazetari Poli Hoxha tha në Report Tv se Ilir Metës i është ushtruar një hetim pasuror. I ftuar në emisionin ‘Pa Protokoll’, Hoxha u shpreh se edhe Metës do t’i vendoset masë sigurie, ndërsa si ‘afat’ vendosi muajin nëntor. Sipas tij, Meta është në pozitë më të vështirë se Berisha.

“Meta e ka punën edhe më vështirë se zoti Berisha. Është shumë më e fortë, më e kositur. Është jashtëzakonisht e kopsitur. Shumë e rëndë si dosje. Ka bashkëpunëtorë të dorës së parë që nuk i mohon dot. 28 nëntori do jetë si kështu…, nëntori i tretë, deri atëherë…Meta është i parapërgatitur, është edhe çështja e lobimit. Zoti Meta i është bërë një hetim i thellë pasuror, jo vetëm këtu, por edhe jashtë vendit. Do ketë masë deri në këtë afat që vendosët? Patjetër që do ketë masë”, tha Poli Hoxha.

SPAK në krye të listës së institucioneve me besueshmërinë më të lartë

Matjet e reja të Barometrit në Euronews Albania, kanë zbuluar se sa i përket besueshmërisë së instritucioneve në vend, SPAK është në krye të listës, ndryshe nga matjet e një viti më parë.

1000 qytetarë të pyetur ballë për ballë nga Data Centrum, kanë zbuluar për Barometrin duke vlerësuar me një shkallë nga 0 në 10, se SPAK është për ta institucioni më i rëndësishëm menjëherë pas ambasadës amerikane, delegacionit të BE-së, dhe perfaqësisë së OSBE-së.

Nga gjetjet e Barometrit, SPAK kryeson listën e institucioneve më të besuara nga qytetarët, me 26.1 % të atyre që e kanë vlerësuar si të tillë.

Në këtë renditje për besueshmërinë tek shqiptarët, SPAK lë pas qeverinë, opozitën, parlamentin, partitë poltike, shoqërinë civile, pushtetin lokal, mediat dhe universitetin.

Kjo renditje e SPAK në nivelin e besueshmërisë që ka tek qytetarët shqiptarë bëhet edhe më e dukshme nëse e krahasojmë me matjet e një viti më parë.

Me një trend rritës pothuajse te dyfishuar, SPAK ka fituar edhe më tepër besimin e publikut.

Kështu në nëntor të vitit 2022 besueshmëria ndaj SPAK ishte 14.2% ndërkohë që në nëntor të vitit 2023 kjo shifër është pothuajse dyfishuar, duke shkuar në shifrat e 26.16 % të besueshmërisë.

Fryma juaj e gojës përmban aromë të keqe? Zbuloni arsyen

Sipas gjetjeve të fundit shkencore, shëndeti i zemrës suaj mund të varet nga sa mirë kujdeseni për pjesën e brendshme të gojës. Studimi zbulon se bakteret orale mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Shkencëtarët sugjerojnë se bakteret mbizotëruese përgjegjëse për inflamacionin në mishrat e dhëmbëve, që shkaktojnë kancerin oral dhe erën e keqe të gojës, mund të rrisin gjithashtu rrezikun e sulmit në zemër ose goditje në tru.

Studiuesit zbuluan se antitrupat që luftojnë bakterin oral Fusobacterium nucleatum janë të lidhura me një rrezik pak më të lartë të ngjarjeve kardiovaskulare. Sipas ekspertëve, prania e këtyre antitrupave tregon infeksion aktual ose të mëparshëm me bakterin.

“Fusobacterium nucleatum mund të kontribuojë në rrezikun kardiovaskular duke rritur inflamacionin sistemik për shkak të pranisë së baktereve në zgavrën me gojë”, shpjegon autorja kryesore Flavia Hodel nga Shkolla e Shkencave të Jetës së EPFL Zvicerane.

Spondiloartriti – Sëmundja që Prek Nyjat e Shtyllës Kurrizore

Dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës mund të jetë një shenjë e hershme që tregon se vuani nga një sëmundje e pashërueshme. Sipas “The Sun”, rreth gjashtë për qind e njerëzve me dhimbje kronike diagnostikohen me spondiloartrit aksial, ose shkurtimisht SpA aksial.

Sipas organizatës “CreakyJoints”, kjo sëmundje ka tendencë të fillojë në adoleshencën e vonë dhe në fillim të viteve 20, por mund të duhen mesatarisht 8.5 vjet për t’u diagnostikuar.

Nëse nuk trajtohet, ajo mund të bëjë që rruazat në shpinë të shkrihen së bashku, duke i bërë aktivitetet e përditshme shumë të dhimbshme. Në rastet më të këqija, një kockë e re mund të formohet në trup.

Trajtimi fokusohet në lehtësimin e dhimbjeve të pacientëve, në vend që të ndalojë përparimin e sëmundjes.

Dr Raj Sengupta tha: “Është e dhimbshme për një reumatolog të shohë pacientë në një klinikë që kanë përjetuar dhimbje shpine për vite me radhë dhe që u është thënë se shkaku lidhet me lëndimet nga sporti apo nga lodhja.

Dhimbja shpesh shfaqet kur dikush është në të 20-tat. Kjo mund të çojë në probleme të shëndetit mendor, si dhe më shumë dëmtim të shtyllës kurrizore. Gjendja prek nyjet e shtyllës kurrizore, duke shkaktuar dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës dhe tek ijet.

Por një tipar tjetër i zakonshëm i është dhimbja e vitheve e ngjashme me dhimbjen e nervit shiatik, që mund të ngatërrojë mjekët për të diagnostikuar sëmundjen”.

Ai shtoi: “Dhimbja e nervit shiatik shkakton dhimbje dhe ndjesi shpimi gjilpërash në vithe e deri te këmbët, por SpA aksiale shkakton dhimbje vetëm tek vithet, jo tek këmbët”./Burimi:Panorama