15.5 C
Tirana
E martë, 24 Qershor, 2025

Pasi e lidhi fatin e tij me Berishën, Bardhi i kërkon llogari SHBA-ve: Pse doni të na bëni “Non Grata”?

Lufta brenda PD, ka kaluar në plan të dytë! Gazment Bardhi, i ftuar në A2 CNN, tha se këtë çështje do e diskutojnë më vonë, por tashmë kanë një synim tjetër, që është opozita e përbashkët. Përballë gazetares Bruna Çifligu, Bardhi tha se Berisha është një ndër faktorët kryesor të opozitës, por nuk ndan këtë mendim për ish-aleatin e tij, Lulzim Basha.

“Berisha është ndër faktorët kryesor opozitar, është opozitar ndaj regjimit të Ramës, qëndrimi im dhe i kolegëve është që pavarësisht debateve mbi zhvillimet në PD, kemi vendosur që ta lëmë menjëherë këtë debat dhe të jemi të gjithë bashkë si opozitar.

Më thoni në 2 vite, kolegu im Basha ka thënë diçka kundër Ramës, nëse e gjeni këto 2 vite, unë tërhiqem. Flet vetëm kundër opozitës, kjo nuk është strategjia e duhur e një subjekti politik që pretendon se është në opozitë”, tha Bardhi.

Pyetur nëse ndërkombëtarët sot nuk janë rreshtuar krah opozitës pikërisht për “Non Gratën” e Berishës, Bardhi ka një përgjigje.

“Nuk mund ta lidhin kurrë fatin e opozitës në vend apo qasja ndaj opozitës me qëndrimin personal ndaj një individi të caktuar, nuk bëhet fjalë për të mbështetur atë, apo ne që nuk jemi shpallur “Non Grata” dhe nuk kemi çështje me SHBA, por partnerët nuk mbështesin apo injorojnë individë, por e kanë marrëdhënien me Shqipërinë, me interesin e popullit shqiptar”, tha ai.

Në fund, sqaroi se greva e urisë është një opsion për aksionin opozitar, por ende nuk ka asnjë datë se kur ky skenar do të vihet në zbatim.

Trafikuan qindra kilogramë kokainë, zbardhen rolet e Ervin Matës, Eralbi Breçanit dhe të tjerëve. Si i kalonin ngarkesat dhe planet për vrasjet

Emisioni në “Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, ka zbardhur dosjen e plotë hetimore për grupin e narkotrafikut nga Amerika Latine në drejtim të Evropës, goditur së fundmi nga SPAK.

Dokumentari:

Nëse të vdekurit nuk kanë gojë dhe i japin llogari një bote që duket sikur për momentin nuk na përket, drejtësia në tokë ka për detyrë të mos harrojë. As kur ti beson se gjithçka i takon një të shkuare dhe e vërteta është strukur aq thellë sa askush nuk mund ta lëvizë kapakun e saj të rëndë ku ti mendon se e ke varrosur me sigurinë edhe të kriminelit më të regjur. Por duket se e vërteta pret dhe ajo është aty edhe pse mund të vonojë në kohë. Dhe kur arkmorti yt, ku ti e ke fshehur me aq skrupolozitet quhet teknologji e avancuar, të tradhton. Fati i keq me të cilin duhet të përballen tashmë shumë personazhe të jetës së krimit, bota e të cilëve nuk duket më dhe aq e nëndheshme, pas çkodimit të aplikacionit Sky ECC.

Fati i keq me të cilin duhet të përballen tashmë shumë personazhe të jetës së krimit, bota e të cilëve nuk duket më dhe aq e nëndheshme, pas çkodimit të aplikacionit Sky ECC. Miti i pallateve të tyre perandorake të krimit, po rrëzohet një e nga një, ashtu si një lojë gurësh dominosh. Një prej këtyre personave është Ervin Mata, një emër thuajse i papërfolur deri mbrëmjen e 4 tetorit 2018, kur një ngjarje e rëndë e ndodhur në zemër të Tiranës, në zonën e ish-Bllokut tronditi kryeqytetin. Ku gjatë një përplasje me armë brenda ambienteve të lokalit luksoz ‘Monopol’, midis dy grupeve që më pas rezultuan me përmbajtje të lartë kriminale, mbeti i vrarë Fabiol Gaxha si edhe u plagos i ashtëquajturi atë kohë Mbreti i Kumarit, Ervis Martinaj dhe një nga ushtarët e tij, Eljon Hato.

Ngjarje që në atë kohë, u tha se ndodhi për shkak të ngacmimit që i ishte bërë të fejuarës së Matës, një këngëtare shumë e famshme në Shqipëri, por që më pas doli se shkaku që çoi deri në përdorimin e armëve në qendrën argëtuese më të populluar të Tiranës, ishte përplasja për drogën.  Dyshimet mbetën vetëm të tilla, pasi nuk u provuan kurrë nga drejtësia, e cila në vazhdim dha vetëm disa vendime gati qesharake për personazhet e përfshirë në këtë masakër, që në fakt nuk do të ndalej këtu. Por kohë pas kohe do të hante edhe koka të tjera. Ndoshta edhe të vetë Mbretit të Kumarit, Ervis Martinaj, që rezulton i zhdukur që nga vera e vitit 2022.

Por ku dukej se masakra në Ish-Bllok i përkiste të kaluarës dhe motivi i vërtetë i kish mbetur kohës duke u varrosur aty, duket se nuk ishte kështu për Sky ECC, platforma, që këta personazhe u kishin besuar verbërisht krimet e tyre dhe e kishin përdorur për të komunikuar në fshehtësi të plotë. Dhe që SPAK, po e rrotullon në duar si një xhevahir të çmuar, duke çmontuar nga aty, çdo grup kriminal dhe çdo ngjarje të tillë të pazbardhur deri më sot. Ashtu si edhe atë më të fundit, ku në rrjetë kanë rënë ish-drejtues të lartë të policisë, zyrtarë aktual të rrobës së rendit, por edhe narkotrafikantë që deri dje bënin një jetë të pashqetësuar luksi në kryeqytet dhe që sot kanë marrë arratinë. Por cila është veprimtaria kriminale e Ervin Matës e zbuluar nëpërmjet aplikacionit Sky ECC? Dhe si lidhet ajo me një grup të gjerë të strukturuar kriminal?

Sipas dosjes së siguruar nga emisioni “Në ‘Shënjestër” Ervin Mata duket se ka pasur rolin e ndërlidhësit në trafikun e drogës midis bashkëpunëtorëve të tij në Amerikën e Jugut dhe Eralbi Breçanit, djalit të madh të ish-nëndrejtorit të policisë së Tiranës, Erzen Breçanit, të cilit i kishte dhënë motrën për grua.  I gjithë aktiviteti i tyre nis dhe zbulohet pas sekuestrimit të disa sasive me lëndë narkotike të kapura në portet e Evropës dhe që vinin nga Amerika e Jugut. “Në muajin maj të vitit 2023 SPAK ka kërkuar informacione nga Brazili përmes letërporosisë për tentativën për trafikimin e një sasie prej 69 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar më datë 18 maj 2021, me  nisje nga Sao Paolo Brazil dhe destinacion portin e Valencias, në Spanjë. Po kështu SPAK i ka kërkuar informacion edhe Kolumbisë, ku kërkohen të dhëna lidhur me tentativën për trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit kokainë prej 1 100 kg, ngarkesë e cila është gjetur dhe sekuestruar nga shërbimet e doganës në portin Santa Marta në muajin Mars 2021”, thuhet në dosje.

Po kështu SPAK i ka kërkuar informacion Mbretërisë së Holandës, ku kërkohen të dhëna lidhur me tentativën për trafikimin e një sasie lëndë narkotike të llojit kokainë, dërguar nga vendet e Amerikës së Jugut me konteinerin me numër SUDU8014835 me destinacion Antëerp dhe destinacion final shkarkimin në një magazine në Hollandë. Konteiner që rezulton se është transportuar nga Antëerp drejt Hollandës me kamion. Menjëherë pasi SPAK mori informacione lidhur mbi këto ngarkesa me drogë që po pushtonin ndërkohë Evropën dhe grupin  kriminal shqiptar që dilte të ishte i përfshirë, kërkoi nga homologët e tij francezë, informacione mbi bisedat që ata kishin kryer në platformën e komunikimit Sky ECC. Aty nga ku nisi të zbardhej roli i ‘Bolit’, nofka me të cilën thirret Ervin Mata dhe të burrit të motrës së tij, Eralbi Breçani.

“Në ngjarjen e datës  5 janar 2021, ku rezulton se është sekuestruar një sasi prej 446 kg lëndë narkotike e llojit kokainë në Holandë, rezulton se informacioni i ardhur nga  Oficeri i Kontaktit pranë Ambasadës së Mbretërisë së Holandës është si më poshtë: Ai ka informuar se ishte kontrolluar kontejneri në zonën e quajtur ‘Maasvlakte’ në portin detar të Roterdamit, Holandë.  Gjatë kontrollit në kontenier u zbulua një sasi droge si edhe u arresuar dy shtetas holandezë. Kontejneri rezulton se ishte ngarkuar në portin detar të Guayaquil në Ekuador. Gjatë  analizimit të bisedave në Sky Eç, mes Ismail Zenelit me  nofkën ‘Daja’, apo ‘Dajloki’ dhe “Transporter”, Eralbi Breçani  me nofkën ‘Boli’ ose ‘Toni’, Besmir Murtati  me nofkën ‘Kukësi” dhe përdoruesit të paidentifikuar  me nofkën ‘Elb’ ose ‘Elb Nissan’, del në pah bashkëpunimi ndërmjet këtyre shtetasve dhe funksionimi i tyre si një grup i strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve. Po kështu evidentohen rolet e secilit për realizimin e trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut në drejtim të portit të Antëerpit, Belgjikë dhe Roterdamit, Hollandë”, thuhet në dosje.

Bazuar në punët për të cilat ata ishin ngarkuar të kryenin, gjithsecili prej shqiptarëve të përfshirë në këtë aktivitet kishte një detyrë të posaçme për të çuar deri në fund.  Kështu, sipas grupit hetues,  Ismail Zeneli mbante rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës si edhe të sigurimit të daljes së lëndës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur ajo mbërrinte në këtë port e transportuar me kontenier. Eralbi Breçani kishte rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës. Po kështu për shkak të lidhjeve të tij, kryesisht në Amerikën e Jugut, ai kishte krijuar kontakte edhe me anëtarë të tjerë të grupit që kishin udhëtuar në këto shtete, me qëllim organizimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikimin të lëndëve narkotike.

Në lidhje me Besmir Murtati, ky i fundit del se ishte porositësi dhe financuesi për blerjen e lëndës narkotike në Brazil. Por pjesa më interesante e të gjithë hetimit, janë bisedat tashmë të çkoduara midis grupit, por veçanërisht midis Ismail Zenelit dhe Eralbi Breçanit.  Ku këta të dy diskutojnë rreth dërgimit të një ngarkese prej 500 kg të llojit kokainë nga Amerika e Jugut drejt Valencias.

Ismail Zeneli i shkruan Eralbi Breçanit dhe i dërgon mesazhe zanore: Kam fol por mtha për kët javë 100% do bëj 500 cop me dysheme….
Eralbi Breçani: O dajlok se jam në makinë dhe nuk jam duke të shkrujt dot se edhe nuk shof mirë. Ça me të thënë, po presim këtë javë se ai tha po nisim këtë javë 500. Presim edhe kët javë ça me bo….

Në një tjetër bisedë në vazhdim Ismail Zeneli flet me Besmir Murtatin, ku duket se punët nuk janë edhe aq mirë dhe dikush nuk e ka mbajtur fjalën.

Ismail Zeneli flet me Besmir Murtatin për çështjen e drogës.

Murtati është i nxehur: ‘Tani më tha kam për Brazilin.  Po leje thash ore na bëj ktë punën e Ekuadorit. Ai lekt smi ka dhënë mua mbrapa a kupton. I q…. robt mor burrë, jo sot, jo nesër, ma nxiu ftyrën.

Në një tjëtër bisedë Ismail Zeneli kujdeset me Eralbi Breçanin të ndajnë si duhet punët dhe po kështu edhe fitimet që nuk duken fort të këqija.

Ismail Zeneli bisedon me Eraldi Breçanin për ndarjen e drogës: ‘Gjithsej jemi 6 persona. Unë dhe…mbajmë nga 13.5 që bëjnë 27. Dhe ju te katërt nga 7 copë që bëjnë 28. Total unë me dy qunat e mi do paguj 27.5. Dhe ju keni, ‘Kuksi’ dhe ‘Toni’ 27.5. Kjo është them e drejta. Po jeni dakord na thuni. Duhet ti keni parasysh se tek 55 na marrin 30 %. Por duket se një situatë e papritur, e pakëndshme ua ka prishur sërish humorin, çunave. Të cilët po përballen me faktin që një pjesë e grupit që ishte angazhuar për nxjerrjen e drogës nga porti, ishte tërhequr nga kjo punë. Ismail Zeneli, personi përgjegjës për nxjerrjen e drogës nga porti, ka problematika lidhur me personat që do nxjerrin lëndën, pasi ata janë tërhequr dhe në chat grup ka nisur debati rreth kësaj situate.

Ismail Zeneli flet me Eralbi Breçanin dhe Murtatin për personat që kanë marrë përsipër nxjerrjen e drogës: ‘Daje të lutem thuj atyre sot a e boni punën, po ose jo, se janë përgjësi o daj. Un i mora punën përsipër atyre edhe grupi duhet të jet i sigurt, e bon ose se bon. Për mendimin tim ato jan tremb se nuk e bëjn dot punën mbase’.

Pas kësaj bisede Ismail Zeneli dhe Eralbi Breçani që janë dy kokat e grupit, shfaqin një tjetër hall. Atë se si do ta kalojnë drogën në skaner pa u vënë re. Ismail Zeneli flet ne grup me Eralbi Breçanin dhe Besmir Murtatin. Ata shprehin shqetësim se si do kalojë ngarkesa në skaner: ‘Dajlok e bëjm prove 150-200 si fillim, Ska problem pse marrin 25 %. Ta shikojm si pun…

Zeneli: E kemi me shtet…

Murtati: Nuk njofin humbje?…

Grupi flet që nëse nuk njihet humbja në Brazil këta nuk do të njohin humbjen në Valencia. Por duket se grupi dështoi në transfertën e drogës nga porti holandez dhe më tej. Kjo pasi lënda narkotike u kap nga autoritetet ligjzbatuese në këtë vend, gjë që vihet re edhe në bisedat midis tyre, të cilat janë të shqetësuara.

“Në bisedën e zhvilluar këtë datë, dyshohet se është gjetur dhe sekuestruar nga policia holandeze një sasi prej 446 kg kokainë e fshehur në dyshemenë e konteinerit.  Kjo sasi, dyshohet se ka lidhje me bisedën e dates 16 dhjetor 2020 ku D…. i thotë shtetasve Ismail Zeneli, Besmir Murtati dhe Eralbi Breçani që në ngarkesë ka futur edhe 10 kg për secilin nga to. Kjo është arsyeja përse personat janë aktivë dhe interesohen se si është kapur ngarkesa e kokainës. Një tjetër episod i trafikimit të drogës nga Brazili në Evropë, është edhe ai i 69 kg kokainë në portin e Valencias. Ku edhe në këtë transport emrat e përfshirë janë ata të Eralbi Breçanit, Ismail Zenelit dhe Besmir Murtatit”.

“Më datë 18 Shkurt 2021, në portin e Valencias në Spanjë, është sekuestruar rreth 69 kg kokainë e fshehur në motorin frigoriferik në fund të kontenierit, i cili transportonte fuçi me lëng limoni të ngrirë të koncentruar. Ngarkesa thuhet se kishte ardhur nga Brazili. Nga hetimet del se të dyshuar për këtë trafik janë Ismail Zeneli, Eralbi Breçani dhe Ergys Dashi, ky i fundit i ekzekutuar në Ekuador. Ismail Zeneli ka patur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil. Si edhe të nxjerrjes së lëndës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur do të mbërrinte në këtë port e transportuar me kontenier.  Artan Sulejmani ishte bashkëpunëtor i Zenelit, ndërsa Eralbi Breçani ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil”, thuhet në dosje.

Në një nga bisedat që lidhen me këtë transport droge, ku i përfshirë del të ketë qenë edhe Ergys Dashi, i ekzekutuar disa kohë më pas në Ekuador, Ismail Zeneli dhe Eralbi Breçani, shprehin hapur dyshimin se mos Dashi, u bën  ndonjë lojë.

Ismail Zeneli flet me Besmir Murtatin: Duke qenë se nuk kanë besim tek Ergys Dashi për shkak se po vonon nisjen e lëndës narkotike nga Amerika e Jugut. Në bisedë, Ismail Zeneli thotë: ‘Ishallah s’na del dardhë’.

Por ndërkohë grupi nuk kujdesej vetëm që droga të kalonte e qetë matanë rrethimit të porteve në Evropë, por edhe të lante disa hesape të vjetra, ashtu edhe si në rastin e vëllezërve Nela, për të cilët Ismail Zeneli, besonte se në vitin 2013 i kishin vrarë në sy të tij, vëllain  me emrin e ndryshuar, Xhem Krasniqi, krim që kishte ndodhur në Britaninë e Madhe. Dhe që shumë vite më pas, Ismail Zeneli mendonte se kishte ardhur koha të hakmerrej. Dhe të porosiste vrasjen e tyre.

Episodi në lidhje me sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasve Edmond dhe Albert Nela: Më datë 18 Maj 2013, rezulton se në rrugën ‘Church Road’ në qytetin e Kentit në Angli, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Xhem Krasniqi me kombësi shqiptare.  I cili ka mbetur i plagosur në pjesën e barkut dhe disa ditë më pas ka humbur jetën për shkak të plagëve të marra.

Në momentin që u qëllua me armë zjarri, Xhem Krasniqi ishte i shoqëruar nga nipi i tij, shtetasi Kelmend Murataj dhe vëllai i tij, shtetasi Ismail Zeneli.

Autorë të dyshuar për këtë ngjarje kanë qenë shtetasi shqiptar Edmond Nela, i cili pas një gjykimi në Mbretërinë e Bashkuar, u shpall i pafajshëm, si dhe në momentet e para u kërkua nga policia e Sussex edhe vëllai i tij.  Në vitin 2020, shtetasi Ismail Zeneli alias Luan Sadria, ka komunikuar me shtetasin Bujar Ajeti alias Bujar Gërmizi. Nga bisedat dyshohet se Ismail Zeneli ka qenë i interesuar në gjetjen dhe vrasjen e vëllezërve Albert dhe Edmond Nela, me qëllim hakmarrjen për vrasjen e vëllait të tij Xhem Krasniqi alias Guximtar Sadria dhe për realizimin e qëllimit kriminal ka kontaktuar shtetasin Bujar Ajetin.  Shtetasi Ismail Zeneli ka kryer disa takime me shtetasin Bujar Ajeti në Shqipëri dhe gjithashtu ka kryer disa veprime me qëllim identifikimin e banesës së vëllezërve Nela.

Ky është edhe momenti kur në lojë për sigurimin e informacioneve për vëllezërit Nela futet edhe Dedan Gjoni. Deri para arrestimit, shef i krimeve në komisaratin nr 6 në Tiranë.

“Bujar Gërmizi, ka krijuar nëpërmjet përdoruesit JTD0FN, kontakt me punonjësin e policisë Dedan Gjoni, identifikuar si përdorues i Sky EÇ DM16CF, me të cilin ka vënë kontakt dhe nëpërmjet tij ka arritur të gjejë adresa dhe automjete nga sistemit e Policisë së Shtetit për vëllezërit Albert dhe Edmond Nela. Ismail Zeneli i dërgon Bujar Gërmizit disa foto të sistemeve që përdorim agjencitë ligjzbatuese, konkretisht dy fotografi personash të ngjashme me fotografitë që paraqiten në sistemin TIMS, si dhe disa fotografi të rubrikës së hyrje-daljeve të sistemit TIMS për poseduesin e dokumentit të udhëtimit 50 7415890- GB dhe 524910311-GB po ashtu dërgon një fotografi të sistemit E-Gjoba ku evidentohet targa AA892IA dhe pronari i mjetit, Albert Beqir Nela”, thuhet në dosje.

Pasi oficeri i policisë Dedan Gjoni i siguron këto informacione Bujar Gërmizit, ky i fundit ia kalon ato Ismail Zenelit. I cili duke shfrenuar gjuhën, gati sa nuk i vjen plasja që këtë informacion nuk e kishte më herët kur njëri nga vëllezërit Nela ishte në Shqipëri.

Teksa dërgon këto fotografi, HFNERI në orën 08:15, shtetasi Ismail Zeneli i shkruan që: I pasna patur aty…. Moter…. Edhe nga Luton… Me avion….Noshta a në Kosovo….O ka dal anej e ka hy ne këmb…Dhelpra jan…Jan shumë tinzak…’.  Atij të voglit me ja hup b… o mik, njanit, cilit të vije. Ky i vogli a kupton, është bash ai kryesori, tash të shofim…..

Por Ismail Zeneli nuk e le me kaq. Edhe pse vëllezërit Nela shfaqen shumë rrallë në Shqipëri dhe qëndrojnë këtu në intervale të shkurtra kohore.  Ai ndërkohë interesohet te Besmir Murtati në Britaninë e Madhe, mos u gjej adresën vëllezërve.

 Përgjimet:

Më datë 6 Janar 2021 në orën 4:26, Ismail Zeneli duke përdorur Q3QNV9 komunikon me përdoruesin e V6FGL7. Duke qenë se shtetasi Besmir Murtati ushtron aktivitet në Mbretërinë e Bashkuar, Ismail Zeneli interesohet që të marrë informacion lidhur me autoveturat apo banesat që përdorin Edmond Nela dhe Albert Nela, për të cilët thotë se i ka armiq. Në vijim Ismail Zeneli i shpjegon se Edmondi, emrin në pasaportë e ka ‘Edmund’. Nga biseda dyshohet se në takimin e paradites, Ismail Zeneli e ka vënë në dijeni Bujar Gërmizin (Ajetin) se do takojë një punonjës policie për të marrë informacion dhe Bujari kërkon të dijë se çfarë i ka thënë polici.

Më datë 8 Shkurt 2021 Ismail Zeneli duke përdorur Q3QNV9 komunikon me përdoruesin e DM16CF, ku i kërkon të dhëna lidhur me targat e makinave të vëllezërve Nela dhe çdo informacion përveç informacioneve për motrën dhe mamanë e vëllezërve Nela, pasi edhe nga bisedat e mëparshme këto të dhëna Ismail Zeneli i disponon kur ka biseduar lidhur me banesën e tyre në rrugën ‘Lord Bajron’.  Më datë 13 Shkurt 2021, Ismail Zeneli pasi e pershëndet bashkëbiseduesin  ai i tregon se motra e vëllezërve Nela, S… Nela ka qenë në Kukës ditën që Ismaili dhe Bujari janë ndarë, që dyshohet për datën 9 Shkurt 2021 një ditë para se Ismail Zeneli të largohej nga Shqipëria. Bujar Ajeti i shpjegon se S… Nela ka qenë në Kukës me një makinë ‘Citroen’ të kuq dhe se ka kaluar kufirin me shami në kokë, dhe për të kaluar kufirin e ka nxjerr djali i tezes së saj, të cilit nuk ja përmendin emrin.  Ata diskutojnë se si ta gjurmojnë S… Nelën duke diskutuar nëse do i vënë pajisje GPS apo do e ndjekin. Bujar Ajeti kërkon që ta ndjekin dhe ti vendosë një rojë nga pas për të mësuar shtëpinë se ku ndodhet.

Ndërkohë që ishin vënë pas motrës së vëllezërve Nela për të parë lëvizjet e saj, me besimin se kështu do të binin në gjurmët e tyre, Ismail Zeneli dhe Bujar Gërmizi ndjekin njëkohësisht edhe nënën e hasmëve të tyre.

Por edhe bashkëshorten e njërit prej vëllezërve.

Në orën 20:12, pas bisedës me Bujar Ajetin, Ismail Zeneli i kërkon që të fliste më shpesh me policinë. Ismail Zeneli i shkruan DMI6CF dhe i kërkon adresën tek ‘Fresku’.

“Dyshohet se bëhet fjalë për adresën e F…. Nela, e cila është në rrugën ‘Shaban Karaj’ dhe ndodhet pranë zonës së Freskut në Tiranë. Ismail Zemeli diskuton me Gërmizin dhe Dedan Gjonin për adresën e bashkëshortes të njërit prej vëllezërve Nela. Gjonit i kërkojnë të gjejë adresën dhe më pas flasin rreth një lajmi ku janë kapur rreth 2-3 ton lëndë narkotike kokainë”, thuhet në dosje.

Sipas SPAK, Dedan Gjoni është i qartë për rolin që po kryen në ndihmë të Ismail Zenelit, në kundërshtim të plotë me parimet e punës së tij si oficer policie, duke i siguruar informaicone lidhur mbi lëvizjet e shënjestrave të tij, vëllezërve Nela.

Po kështu gjatë bisedave del qartë fakti se ai e njeh qëllimin kriminal të Ismail Zenelit.

Më datë 7 Mars 2021 në orën 09:46, në bisedën mes JTD0FN dhe DMI6CF, midis Artan Sulejmanit dhe Dedan Gjonit, ndër të tjera diskutohet edhe rreth problemeve dhe veprimeve që ka Ismail Zeneli me vëllezërit Albert dhe Edmond Nela.  JTD0FN duke qenë se është personi që e ka prezantuar Dedanin me Ismailin, i thotë që ta ndihmojë Ismailin për informacionet që kërkon deri në pikën që nuk i cënon punën Dedanit, por ky i fundit i thotë që ja ka kryer Ismailit ato që i janë dashur. Në bisedë Dedan Gjoni shprehet se i ka gjetur edhe banesën e vëllezërve Nela.  JTD0FN i thotë që nga biseda me shtetasin Ismail Zeneli, ai i ka thënë që adresat i ka parë nga kompjuteri, por Dedani i thotë më tej që Ismaili i ka fotografuar dhe se ai do ta mbarojë si punë, ku dyshohet se i referohet qëllimeve të shtetasi Ismail Zeneli ka për të vrarë vëllezërit Nela”, thuhet në dosje.

Por emri i Dedan Gjonit, nuk del vetëm në këtë episod ku ai tradhton detyrën si oficer I policisë, por edhe në trafikun e drogës. Ku ai del se është i përfshirë në episodin e trafikimit të një sasie marijuana nga Spanja drejt Gjermanisë.

“Nga hetimet e kryera janë disponuar të dhëna se disa shtetas shqiptar kanë organizuar tentativën për trafikim të një sasie lënde narkotike e llojit marihuanë, e cila dyshohet se është nisur nga Spanja e nëpërmjet Francës dhe Luksemburgut, ka pasur si destinacion final Gjermaninë.

Më datë 3 Nëntor 2020 nga Policia Gjermane është sekuestruar një sasi lënde narkotike prej 166 kg, e dyshuar e llojit marihuanë.  Kjo lëndë narkotike ishte ngarkuar në kamion, që drejtohej nga shtetasi shqiptar Bajram Grabova.

Më datë 25 Tetor 2020, Albert Prenga këshillon në lidhje me paketimin dhe sistemimin e lëndës narkotike si dhe njofton mbi ardhjen e shoferit Bajram Grabova, ku do të bëhet e mundur pritja në aeroport.  Më datë 28 Tetor 2020, Albert Prenga komunikon me Dedan Gjoni  për detajet të trafikut.  Albert Prenga i dërgon Dedan Gjoni 3 foto të një paketimi drejtkëndësh, me etiketë me mbishkrimin ‘Bu2’, një tjetër e hapur nga paketimi, në të cilën dallohet pako me material të bardhe, i presuar dhe stampuar me thellim ‘777’ dhe një pakọ tjetër e ngjashme me material të bardhë, i presuar dhe stampuar me thellian ‘BU2’. Prenga dhe Dedan Gjoni flasin në mënyrë të vazhfueshme.

Dedan Gjoni i dërgon dhe foto TIMSI të shoferit, Bajram Grabova.

Lidhur mbi këto në ndihmë Dedan Gjonit, i vjen një oficere e policisë kufitare në Rinas, njohje e vjetër e tij. Jonida Babameto, e cila edhe kjo tashmë është arrestuar në kuadër të operacionit më të fundit të SPAK.

“Në lidhje me veprimet e kryera nga personi nën hetim Dedan Gjoni: Rezulton se ky shtetas në periudhën 25 Shkurt 2020 deri më 5 Nëntor 2021, ka qenë i emëruar oficer policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan. Në muajin Shtator 2020, përdoruesi i SkyEÇ JKE1C8 i ka kërkuar që të verifikojë në sistemin Interpol nëse ai vetë dhe disa shtetas kishin probleme në Interpol, i cili është sistemi ku shpallen në kërkim ndërkombëtar personat nga shtete të ndryshme. Dedan Gjoni, duke mos patur akses në sistemin e Interpol, e ka vënë në dijeni që do e bëjë verifikimin e kërkuar por jo vetë, nëpërmjet një të njohurit të tij që punon në zyrën e Interpolit.  Midis personave që kanë kërkuar për verifikim, dyshohet të jetë edhe emri i Dritan Rexhepit, të cilit Dedan Gjoni i referohet në bisedë si ‘Vlonjati’, që do mbarojë punë në Ekuador. Dedan Gjoni i dërgon një fotografi të një bisede në aplikacionin Ëhatsapp, ku bashkëbiseduesi i shkruan Dedan Gjonit që personi i verifikuar nuk ka probleme në Shqipëri, por vetëm në Spanjë mund të ketë.

Ka rezultuar se punonjës i gatshëm me akses në databazën Interpol ka qenë punonjësja e policisë Jonida Babameto.

ROLI I EFEKTIVIT TË POLICISË NË FUSHATË

Por po kështu Dedan Gjoni del se është aktiv edhe në fushata zgjedhore. Në favor të kandidatëve të ndryshëm. Siç shikohet edhe në këto biseda të kapura në Sky Eç.  “Shtetasi Dedan Gjoni, veç veprimeve të evidentuara më sipër, rezulton që më

datë 5 Mars 2020, ai përfshihet në fushatë zgjedhore për një subjekt të caktuar politik. Në këtë datë ai zhvillon biseda me përdoruesin JTD0FN dhe kërkon të sigurojë vota për kandidatin Myslim Murrizi dhe subjektin zgjedhor ku ai është përfaqësues Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare.

Shtetasi Dedan Gjoni zhvillon bisedat:

DMI6CF: Shok do më ndihmosh me vota…

JTD0FN: Hahaha..në kto momente nuk e di me ka je pz…kam shumë dyshime për ty…

DMI6CF: Me Myslym Murrizin…Shok sa të kem mundësi do e ndihmoj…. 

JTD0FN: Më pëlqen…kam simpati…

DMI6CF–Është i vetmi që kam mik e detyrim…Më ndihmon mua……A më ke shok…

JTDOFN: Nja 15 vota ti jap nga Valencia online…kto që kam me dokumenta…

DMI6CF: Ore në Tirane… Hahah…Jepi urdhër babës..

 

Sulmet ndaj gjyqtarëve, reagon KLGJ: Cenojnë figurën, duke synuar intimidimin, kërcënimin dhe ndikimin e paligjshëm

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka dënuar gjuhën dhe etiketimet drejtuar gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas KLGJ-së, deklaratat nga persona publikë dhe disa shkrime të publikuara në media cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

KLGJ thotë se këto etiketime janë të pajustifikuara dhe për pasojë ndikojnë në uljen e besimit të publikut tek institucionet e drejtësisë. Më tej shton se kjo gjuhë synon intimidimin, kërcënimin dhe “ndikimin e paligjshëm të tyre nëpërmjet përndjekjes mediatike”.

Njoftimi:

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit sa i përket deklaratave nga persona publik dhe disa shkrimeve të publikuara në media, të cilat në përmbajtjen e tyre cënojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

 

Këshilli vëren me keqardhje se këto publikime reflektojnë vetëm disa shembuj të sulmeve mediatike, të pajustifikuara ndaj gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, si dhe përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar intimidimin, kërcënimin dhe ndikimin e paligjshëm të tyre nëpërmjet përndjekjes mediatike.

Njëkohësisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se këto qëndrime jo vetëm që ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj pushtetit gjyqësor por edhe krijojnë imazhin e gabuar mbi veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës me synimin për t’i detyruar ata të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor fton të gjithë aktorët të respektojnë gjyqtarët dhe impenjimin e tyre në forcimin e shtetit të së drejtës, pasi dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi apo ndërhyrjeje nga subjektet publike apo private.

Në respektim të dispozitave ligjore në fuqi, sjellim në vëmendje se mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë.

Kryeministri shqiptar, magjistar i paqes

Në një lëvizje që kapi në befasi Fuqitë e Mëdha, Kombet e Bashkaura, BE-në, NATO-n dhe G20, Shqipëria arriti të ndalojë luftën mes Izraelit dhe Hamasit.

Konflikti 70 vjeçar dhe lufta e përgjakshme mes Izraelit dhe Hamasit që rinisi më 7 tetor të këtij viti, do të mbeten kujtim i një të shkuare të hidhur.

Armëpushimi katër ditor është vetëm preludi i fundit të konfliktit të përgjakshëm.
Kryeministri i Shqipërisë, dje, në dy takime të veçanta, një me ambasdorët e Ligës Arabe dhe tjetrin me ambasadoren e Izraelit parashtroi vizionin e tij për të ardhmen: “Një Gaza pa Hamasin dhe Izraelin”
5 fjalë më të fuqishme se fuqia çdo lutje fetare që njeh rruzulli- janë magjia që ktheu luftën në paqe dhe konfliktin e përgjakshëm në bashkëjetesë paqësore.

Dega e ullirit e ofruar nga Kryeministri shqiptar- është pranuar nga të dy palët dhe Tirana nga një kryeqytet i Sportit dhe Rinisë, befas kthehet në Qendrën Universale të Paqes!
Ndërkohë që Komiteti i çmimit Nobel për paqen dhe revista Time Magazine ndihen të lehtësuar sepse e kanë që sot njeriun e vitit 2024, Uashingtoni, Brukseli, Pekini dhe Moska ndihen të lehtësuar, por edhe të frustuar nga ky sukses diplomatik i nivelit Kisinger.

“Jemi të lehtësuar dhe të shokuar”- tha një zëdhënës i NATOs për suksesin e befasishëm të kryeministrit shqiptar.

 

“Kam bërë gabim që kam shkuar në Gaza dhe që kam thirrur disa herë Këshillin e Sigurimit për të ndalur luftën. Duhet të kisha shkuar në Tiranë dhe t’i lutesha kryeministrit Rama”- tha sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.Shqipëria e armatosur vetëm me sharmin e Kryeministrit arriti të bëj atë që nuk e ka bërë deri më sot as Presidenti i shtetit më të fuqishëm të Globit dhe as Papa i Romës: paqe në Lindjen e Mesme.
Ndonëse lajmi është pritur me hare si në botën arabe ashtu edhe në Perëndim, nuk mungojnë as teoritë konspirative. Në rrjetet sociale, po shkruhet se Kryeministri i Shqipërisë posedon aftësi magjike me të cilat i kthen armiqtë e betuar në miq për kokë dhe anasjelltas.
Për të mbështetur teorinë e tyre, konspiracionistët thonë se dy njerëz miq për kokë në Shqipëri (Sali Berishën dhe Lulzim Bashën) i ka kthyer në armiq të betuar…

 

Por mbështetësit e Kryeministrit Rama e hedhin poshtë këtë konstatim pasi, theksojnë ata, Kryeministri, siç e bëri të qartë edhe në Forumin e Paqes në Paris, është shumë i zënë me çështje rajonale si konflikti gjysëm i ngrirë Kosovë- Serbi, luftën në Ukrainë, varfërinë në Jemen dhe ngrohjen globale.

I pyetur për mundësinë e ringjalljes së shpejtë të konfliktit në Ballkan, një zëdhënës i qeverisë shqiptare tha: “E pamundur. Nuk ka asnjë shans. Axhenda e Kryeministrit është e zënë me probleme në rajone të tjera të globit”

Bosi i bursës më të madhe të kriptomonedhave në botë, miku i Ramës, pranon fajësinë për pastrim parash

Në një moment historik për industrinë e kriptomonedhave, miliarderi Changpeng Zhao dhe Binance, bursa më e madhe e kriptomonedhave në botë, janë deklaruar fajtorë për akuzat federale si pjesë e një marrëveshjeje të koordinuar. Ky zhvillim gjithëpërfshirës synon të sjellë rregull në hapësirën e kriptovalutës që shpeshherë ka paligjshmëri.

Si pjesë e marrëveshjes, Binance ka rënë dakord të paguajë më shumë se 4 miliardë dollarë gjoba dhe penalitete, duke e bërë atë vendimin më të rëndësishëm të korporatës që përfshin akuza penale për një ekzekutiv të kriptovalutës. Changpeng Zhao, drejtori ekzekutiv influencial dhe themeluesi i Binance, do të largohet dhe ai personalisht do të paguajë 200 milionë dollarë gjoba.

Akuzat kundër Binance përfshijnë shkelje të rënda, pastrim parash, transferime të palicensuara parash dhe shkelje sanksionesh. Zyrtarët amerikanë pretendojnë se Binance lejoi transaksione të paligjshme në platformën e saj, duke mundësuar një sërë aktivitetesh kriminale, nga abuzimi seksual i fëmijëve dhe tregtia e narkotikëve deri te financimi i organizatave terroriste si ISIS, Al Kaeda dhe Brigadat Al-Qassam të Hamasit.

Ky pranim fajësie është pjesë e një ujdie të koordinuar që përfshin agjenci të ndryshme qeveritare, duke përfshirë Departamentin e Drejtësisë, Rrjetin e Zbatimit të Krimeve Financiare të Thesarit (FinCEN), Zyrën e Kontrolleve të Aseteve të Huaja (OFAC) dhe Komisionin e Tregtisë së të Ardhmes së Mallrave (CFTC). Thesari e ka përshkruar këtë zgjidhje si aksionin e tij më të madh në histori.

Changpeng Zhao, pasuria e të cilit i kalon 23 miliardë dollarë, do të paguajë 200 milionë dollarë gjoba dhe do të largohet nga roli i tij si drejtor ekzekutiv. Ky dënim nënvizon vendosmërinë e qeverisë amerikane për t’i bërë përgjegjës liderët e industrisë së kriptovalutave për aktivitete të paligjshme në platformat e tyre. Problemet ligjore të Binance vijnë pas rritjes së kontrollit mbi shkëmbimet e kriptomonedhave, pas rënies së FTX dhe dënimit të themeluesit të saj, Sam Bankman-Fried, për akuza për mashtrim. Kjo seri e fundit e veprimeve nga rregullatorët dhe agjencitë e zbatimit të ligjit pasqyron një përpjekje më të gjerë për të rregulluar dhe sjellë përgjegjësi ndaj sektorit kryesisht të parregulluar të kriptomonedhave.

Zyrtarët amerikanë shpresojnë që pranimi i fajësisë nga Binance, së bashku me veprimet e fundit ligjore kundër platformave të tjera të kriptovalutës, do të shërbejë si një parandalues i fuqishëm për aktivitetet e paligjshme brenda industrisë.

Goditja ndaj Binance dhe themeluesit të saj përputhet me një prirje më të gjerë të rritjes së vëmendjes rregullatore ndaj krimeve të lidhura me kriptovalutat, duke theksuar se shërbimi ndaj klientëve amerikanë kërkon respektim të rreptë të ligjeve të SHBA-ve.

Ky zhvillim sinjalizon një moment kyç për industrinë e kriptovalutave, duke u kërkuar pjesëmarrësve të industrisë që t’i japin përparësi pajtueshmërisë, sigurisë dhe përgjegjësisë për të nxitur një mjedis më të sigurt dhe më të rregulluar.

Shefi i Krimeve Dedan Gjoni kërkoi vota për Myslim Murrizin: E kam shokë dhe detyrim

Përgjime të reja kanë dalë nga zbardhja e bisedave në SKY ECC të grupit kriminal. Në një pjesë të bisedave shihet se shefi i krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni ka zhvilluar me një person në Valencia. Gjoni i ka kërkuar këtij personi ta ndihmojë duke siguruar vota për deputetin e asaj kohë Myslim Murrizin. Personi nga Valencia ka theksuar se ia siguron 15 vota që aty ku është.

Pjesë nga mesazhet:

Dedan Gjoni –Si te kam.

J… Ca bëre shok….mir je…un mir qetësi pz…

Dedan Gjoni: -Shok do me ndihmosh me vota

J …hahaha.në kdo momente nuk e di me ko je pz…kam shum dyshime per ty…

Dedan Gjoni- Me Myslym Murrizin Shok sa te kem mundesi do e ndihmoj….

J… Më pëlqen…kam simpati…

Dedan Gjoni–Eshte i vetmi që kam mik e detyrim…Me ndihmon mua……A më ke shok…

J…Nja 15. ota ti jap nga valencia online…kto që kam me dokumenta..

Dedan Gjoni: Ore në Tiranë. Hahah. Jepi urdhër babes nipit fortë… Hahaha…

J- Aty do jem per vitime…

Dedan Gjoni: Ok shok… Mirardhsh…”

Gjoni i ka kërkuar dhe Ismail Zenelit vota për Murrizin. Zeneli i thotë Gjonit që të flasë me vëllanë e tij se i siguron ai plus 200 vota.

Pjesë nga mesazhet:

Dedan Gjoni: Sot isha me deputetin…Do na ndohmosh me vota… Me sa njerez ke….Se e kemi mik te mire…

Ismail Zeneli: Qa je ti?

Dedan Gjoni: Une demokrat jam….Por i duam per partine e myslimit…E kam sh mik Murrizin

Ismail Zeneli -audiofile “shko fol me ate byrazelin atje ne bathore e ti gjajne ai nja 200 vota se a demokrat me ate byrazelin tem me ate shoferin e kamioni. 200+-Fol ti me te.. Se myslimi eshte ndare nga pd….Por e djathte eshte…Fol nje here ti me te..

Ismail Zeneli: -Ok ok… Pa merak…”

Reforma zgjedhore, Kthupi: Listat e hapura, çështje nga e cila PD-ja nuk tërhiqet. Ndihmë ndërkombëtarëve

Avokati Rezart Kthupi tha në studion e MCN Live se PD-ja e drejtuar nga Lulzim Basha nuk mund të ketë kurrë bashkëpunim me Berishën, i cili është një person i shpallur non-grata.

Sipas Kthupit, nëse opozita bashkohet për të rrëzuar Ramën atëherë ajo nuk ka prodhuar asgjë.

Ajo që i mungon opozitës është objekti, Rama nuk mund të jetë objekt në vetvete, është pasojë e objektit që duhet të jetë një plan pune, apo ca platforma politike. Nëse bashkohemi për të rrëzuar Ramën, nuk kemi prodhuar asgjë, nëse bashkohemi për një program politik të caktuar që duam ta implementojmë duke rrëzuar Ramën si fillim dhe pastaj për të ardhur në pushtet, këtu ka një qasje të mundshme. Rama nuk do të rrëzohet për shkak të shifrave se edhe nëse bashkohet opozita do bëhen vetëm 63 deputetë. Bashkimi është i nevojshëm por ka disa parime. PD nuk mund të ketë bashkëpunim me një person që është shpallur non-grata kjo është vija e kuqe. Nuk mund të kesh bashkëpunim me një person që sulmon drejtësinë, sulmon ambasadorët. Berisha për ne mbetet vijë e kuqe, është ndarje me qasjen.

Më tej, Kthupi tha se listat e hapura janë një çështje nga e cila PD-ja nuk do të tërhiqet.

Ne i kemi referuar dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimet e OSEB ODIHR në raportet e 2021 dhe të ritheksuara në raportin e 2023 në atë draft që kemi paraqitur. Kemi paraqitur një draft ku rregullohen listat e hapura, nuk jemi më në kushtet e një interpretimi të mundshëm ligjor në lidhje me do të jenë apo s’do të jenë listat e hapura, por saktësimin ligjor që në zgjedhjet e ardhshme shkohet me lista të hapura. Kemi përfshirë dhe faktin që në listat e hapura nuk përfshijnë vetëm listën e deputetëve por edhe listën e këshillave bashkiakë.

Kemi rregulluar votën e diasporës, që në momentin e regjistrimit të emigrantëve deri në momentin e votimit. Kemi shkuar në atë që është interesi i të gjitha partive në Shqipëri, që është Shqipëria një zonë e vetme elektorale. Ishte mënyra më e mirë për të evituar disbalancën e votës nëpër qarqe të ndryshme elektorale mënyra më e mirë për të zvogëluar deformimin. Kemi futur disa nocione të reja në Kodin Zgjedhor, një ndër to është votimi në dy ditë.

Ne kemi një draft, një projekt e kemi propozuar. Ky draft duhet t’i nënshtrohet diskutimeve. Ne nuk pretendojmë që kemi draftin më të mirë të kësaj bote. Kemi përcaktuar disa parime që vlejnë për tu diskutuar. Në draft kemi disa pika që ne nuk heqim dorë.

Listat e hapura janë çështje nga e cila ne nuk do të tërhiqemi. Listat e hapura janë detyrim sepse është e vetmja mënyrë për të rishkruar mënyrën si formohet Kuvendi.

Çështjet zgjedhore në Shqipëri nuk janë zgjidhur kurrë ne vullnetin e palëve, janë zgjidhur gjithmonë me mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve.

Sikurse të gjitha reformat e tjera zgjedhore pararendëse do të kalojnë në mbikëqyrjen dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve në ato pika që janë në raporti e OSBE dhe janë detyrime në raport me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Gjermania dhe Italia duan të bashkëpunojnë më ngushtë

Të dyja vendet duan të thellojnë marrëdhëniet e tyre në fushën e ekonomisë, mbrojtjes, mbrojtjes së klimës dhe migrimit. Meloni dhe koalicioni i saj janë të interesuar për marrëdhënie më të ngushta me Gjermaninë.

Qëllimi i deklaruar është intensifikimi i bashkëpunimit. I ashtuquajturi plan veprimi, i cili u nënshkrua të mërkurën në mbrëmje, 22.11.2023, në Berlin. përmban plane konkrete. Një çështje e rëndësishme është siguria dhe politika e jashtme. Do të ketë një format “dy plus dy”, pra takime periodike mes ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes.

Italia dhe Gjermania tashmë po flasin në të njëjtën frymë për disa çështje, siç është lufta në Ukrainë, theksoi kancelari federal Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Romë në qershor. “Së bashku qëndrojmë pranë Ukrainës, të cilën e mbështesim politikisht, financiarisht, humanitarisht dhe me armë dhe trajnime ushtarake. Dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.”

Për marrëveshjen ishte rënë dakord me qeverinë e mëparshme të Mario Draghit, por Giorgia Meloni dhe koalicioni i saj i tre partive të djathta janë gjithashtu të interesuar për marrëdhënie më të ngushta me Gjermaninë. Një forum vjetor synon të ndihmojë në fushën ekonomike, si dhe në çështjet industriale si sektori i automobilave, digjitalizimi dhe lëvizshmëria e gjelbër. Vëmendje e veçantë mund t’i kushtohet hidrogjenit të gjelbër, në të cilin Italia ka nisur tashmë projekte të shumta.

Si Roma ashtu edhe Berlini duan të zgjerojnë furnizimin e tyre me energji. Sipas një informacioni të agjencisë së lajmeve Reuters, projektet midis dy vendeve përfshijnë ndërtimin e një përcjellësi midis Afrikës së Veriut dhe Bavarisë. Infrastruktura e tubacioneve ndërkufitare do të zgjerohet për të ashtuquajturin South Central Hydrogen Corridor (SCHC) (Korridori Jug-Qendror i Hidrogjenit) nga Gjermania Jugore në Afrikën Veriore, duke kaluar përmes Italisë, duke lejuar importin e dhjetë milionë tonë hidrogjen deri në vitin 2030.

Importi i energjisë së ripërtëritshme nga Afrika e Veriut gjithashtu duhet të lidhë Italinë dhe Gjermaninë me Austrinë dhe Zvicrën dhe të kontribuojë në krijimin e një rrjeti më të gjerë evropian të hidrogjenit. Për ta arritur këtë, Gjermania dhe Italia gjithashtu duan të nxisin prodhimin e energjisë së ripërtëritshme, të gazit natyror dhe hidrogjenit në Afrikën e Veriut.

Meloni dhe Scholzi duket se kuptohen

Dy vendet dëshirojnë të bashkëpunojnë më ngushtë në veçanti për çështjet e energjisë, dhe një rol të rëndësishëm luan edhe bashkëpunimi me vendet e Afrikës së Veriut, tha Meloni gjatë vizitës së kancelarit në Itali. Gjithashtu në këtë fushë ka pika të rëndësishme marrëveshjeje me Gjermaninë, pra nevoja për të nisur forma të reja bashkëpunimi, kryesisht me vendet e rajonit të Mesdheut dhe Afrikën Veriore, veçanërisht për çështjet energjetike.

Mirëkuptimi mes Melonit dhe Scholz duket se funksionon, të paktën të dy ishin shumë të ngrohtë me njëri-tjetrin në Romë në qershor. Kjo mund të ndihmojë me çështje të diskutueshme, të tilla si financat.

Dallimet mbi migrimin vazhdojnë

Shteti italian ka një nivel borxhi mbi mesataren dhe Meloni dëshiron të relaksojë më tej rregullat e deficitit: “Më duket se po bëhet përparim. Sepse ne e kuptojmë se kthimi në rregullat e vjetra do të ishte fatal për ekonominë tonë pas një kohe të shkurtër. Duket se ka përparim, por për sa më përket mua dhe Italisë, këto hapa nuk janë të mjaftueshëm.”

Qeveria gjermane, nga ana e saj, kërkon më shumë disiplinë buxhetore dhe presioni është bërë edhe më i madh. Ka pasur edhe disa mosmarrëveshje të mëdha mes dy vendeve për çështjen e migrimit, kryesisht për shkak të ekipeve gjermane të shpëtimit emergjent në det, të cilët janë halë në sy për qeverinë e djathtë të Italisë.

Përveç kësaj, Meloni shpesh beson se nuk ka mbështetje të mjaftueshme për të ndaluar imigracionin e paligjshëm. Tani dëshiron të krijojë qendra pritjeje jashtë BE-së dhe së fundmi është nënshkruar një marrëveshje me Shqipërinë. Pavarësisht zemërimit atje dhe mes opozitës në Itali, eurodeputetja 46-vjeçare sheh mundësi në këtë drejtim. “Është një zgjidhje inovatore dhe e di që do ta zbatojmë mirë. Prandaj besoj se mund të bëhet model për marrëveshje të tjera bashkëpunimi të këtij lloji në të ardhmen.”

Scholz kohët e fundit ka qenë i hapur ndaj planeve të Melonit dhe shenjat duken në favor të një afrimi të përgjithshëm, duke përfshirë politikën e imigracionit. Konsultimet ndërqeveritare janë të parat që nga viti 2016, duke i dhënë shtysë të re një marrëdhënieje të gjatë.

Gati Fjalori i ri i Gjuhës Shqipe me 110 mijë fjalë!

Fjalori i madh i gjuhës shqipe për të cilin është duke u punuar nga viti 2021 do të përmbajë mbi 110 mijë fjalë dhe mbi 11.500 shprehje frazeologjike dhe do të jetë gati vitin që vjen në formë elektronike për të vijuar më tej edhe me procesin e printimit.

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe hedh për herë të parë në përdorim një pasuri kaq të larmishme jo vetëm nga numri i fjalëve dhe i shprehjeve, por edhe i njësive të tjera gjuhësore, edhe nga pasqyrimi i të gjithë shtresave të leksikut të shqipes që nga shekulli i 16-17-të deri në ditët tona

Gjatë një takimi me studentë dhe pedagogë të zhvilluar në universitetin Fan Noli, prof.dr Ali Jashari pjesë e grupit të punës që është marrë me hartimin e këtij fjalori tha se për këtë fjalor është angazhuar një grup i madh specialistësh dhe pjesë e tij do të jetë edhe arbërishtja.

“Kjo zbrazëti që duket nga 1980 deri në vitin 2023, jo se s’janë botuar fjalorë, janë botuar e janë pasuruar me fjalë të reja si ai i 2006 apo 2020, janë bërë shumë botime leksikografike që shërbyen si bazë për ndërtimin e këtij fjalori të madh. Vetë kartoteka elektronike që u krijua me punën e hartuesve për 1 vit e ca, ishte baza kryesore ku mbështetet pikërisht hartimi i këtij fjalori. Nëse themi që ka kaq fjalë dhe kaq shprehje, do të thotë që është një bazë e dokument real ku janë mbështetur hartuesit. Fjalori ka përmbi 110 mijë fjalë, pa llogaritur kuptimet sepse një fjalë ka disa kuptime dhe këto janë fjalë më vete, ka rreth 11.500 shprehje frazeologjike dhe shumë njësi të tjera ligjërimi si sinonime, antonime, homonime etj. Deri tani themi se ka përfunduar puna më e madhe hartuese e më pas vijnë proceset e tjera, së shpejti do të fillojë korrektimi, redaktimi dhe botimi do të jetë brenda vitit 2024”, u shpreh Dr. Ali Jashari, anëtar i grupit të punës.

Çfarë Është Terapia me Kupa? Problemet Shëndetësore që Trajton

Treapia me kupa është një lloj terapie alternative. Ajo përfshin vendosjen e kupave në lëkurë për të krijuar thithje, e cila besohet se përmirëson rrjedhën e energjisë në trup dhe lehtëson shërimin.

Kjo terapi mendohet të jetë kryer fillimisht duke përdorur brirë kafshësh, më vonë kupat u bënë nga bambuja dhe më pas nga qeramika.

Ndërsa sot terapia kryhet shpesh duke përdorur gota qelqi në formë sferike, por ato mund të jenë edhe prej plastike ose silikoni.

Thithja krijohet kryesisht përmes përdorimit të nxehtësisë. Fillimisht kupat nxehen me zjarr dhe më pas vendosen në lëkurë. Ndërsa ftohen, ato e tërheqin lëkurën brenda.

Një nga tekstet më të vjetra mjekësore që përmend terapinë e kupave është papirusi i Eberit (1550 p.e.s.) nga Egjipti i Lashtë.

Gjithashtu mjeku grek Hipokrati, i njohur edhe si “babai” i mjekësisë, përpiloi përshkrime të teknikave të kupave.

Në ditët e sotme, terapia me kupa zakonisht gjendet si një trajtim i ofruar nga praktikuesit e Mjekësisë Tradicionale Kineze.

Shumë besojnë se kupa ndihmon në rivendosjen e ekuilibrit në trup, duke rritur rezistencën e trupit ndaj patogjenëve, si dhe aftësinë e kësaj terapie për të rritur qarkullimin e gjakut dhe për të zvogëluar dhimbjen.

Në këtë shkrim AgroWeb.org ju njeh më tepër me përdormet e tyre për të mirën e shëndetit tuaj.

A është i vërtetuar shkencërisht efektiviteti tyre?

Ekziston një numër në rritje i kërkimeve që synojnë të zbulojnë se si, dhe pse mund të funksionojë terapia me kupa.

Sipas disa studimeve në të cilat AgroWeb.org bazohet, disa nga efektet e terapisë së kupave përfshijnë:

  • Nxitje e qarkullimit të gjakut.
  • Ulje të inflamacionit.
  • Rritje e imunitetit.
  • Eleminin të toksinave në trup.
  • Rritje e qarkullimin e gjakut në zonat ku vendosen.
  • Lehtësim të tensionit të muskujve dhe nxitje e riparimit të qelizave.
  • Mund të ndihmojnë në formimin e indeve të reja lidhëse dhe krijimin e enëve të reja të gjakut në inde

Shqetësime të tjera që mund të trajtohen me kupa janë:

Mund të jetë shumë efektive në lehtësimin e problemeve që krijojnë dhimbje, si për shembull:

Për dhimbjen në pjesën e poshtme të shpinës, dhimbjen në qafë dhe shpatulla,  dhimbjen e kokës dhe migrenën, dhimbjen e gjurit, paralizën e fytyrës, hernien diskale lumbare, artritin rheumatoid etj

Megjithatë ende nevojiten më shumë studime për të vlerësuar efektivitetin e vërtetë të kupave për këto probleme.

Llojet e teknikave me kupa

Ekzistojnë katër kategori kryesore të kupave që kryhen sot:

Kupa e thatë: një metodë vetëm me thithje.

Kupa e lagur ose me gjakderdhje: mund të përfshijë si thithje ashtu edhe gjakderdhje të kontrolluar.

Kupat e lëvizshme: përfshin lëvizjen e gotave rreth trupit pas aplikimit të vajit për të masazhuar zonën e dëshiruar.

Teknika e shpejtë: përfshin thithjen dhe lëshimin e shpejtë, të përsëritur të kupave në një zonë të trupit.

Ku mund të vendosen?

Kupat aplikohen më shpesh në kurriz, gjoks, bark, vithe dhe këmbë, por mund të vendosen edhe në fytyrë për qëllime estetike.

Çfarë duhet të prisni gjatë një trajtimi me kupa?

Për rezultate më të mira, mund t’ju kërkohet të jeni pa ngrënë ose të hani vakte të lehta 2 deri në 3 orë para seancës suaj.

Gjatë një trajtimi me kupa, mjeku juaj do t’ju pyesë se çfarë simptomash keni përjetuar, për të marrë një histori të detajuar shëndetësore nëse kjo është hera e parë për ju.

Mjeku do të vendosë gota në lëkurën tuaj dhe ju do të përjetoni një ndjesi thithjeje dhe presioni.

Ju do të qëndoni me kupat në lëkurë për disa minuta përpara se specialisti t’i heqë ato.

Lëkura juaj mund të skuqet dhe të shfaqë mavijosje të lehta pas seancës.

Në varësi të llojit të shërbimit që po merrni, seanca mund të zgjasë diku nga 10 minuta në një orë, ose më shumë.

Efektet anësore

Efektet anësore që mund të përjetoni zakonisht ndodhin gjatë trajtimit tuaj ose më pas. Ato janë të tilla si:

-Shenja rrethore ku kanë qenë kupat ose hematoma, që zakonisht largohen brenda 7 ditëve nga seanca.

-Marramendje

-Rrallëherë, mund të keni edhe djersitje ose vjellje.

Nëse keni ndonjë nga këto probleme, konsultohuni me mjekun. /AgroWeb.org