18.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Qershor, 2025

Në Gaza po vdes edhe Perëndimi!

Nga Blendi Kajsiu

Në Gaza sot nuk po vdesin vetëm me mijëra fëmijë të pafajshëm por edhe vetë perëndimi qoftë si ide, qoftë si sistem politik.  Nuk mund të mohohet e drejta e Izraelit për tu mbrojtur kundër sulmeve terroriste të Hamasit që në mënyrën më barbare vranë më shumë se një mijë hebrenj, shumë prej tyre mbrojtës të paqes me Palestinën.

Ama përgjigja ushtarake e Izraelit, nën udhëheqjen e një qeverie të ekstremit të djathtë me kryemnistër Benjamin Netanyahun, më shumë se mbrojtje ngjan si hakmarrje dhe dënim kolektiv ndaj palestinezëve. Nga statistikat e deritanishme bombardimet kanë vrarë më shumë fëmijë palestinezë sesa terrorist të Hamasit. Më shumë se mbrojtjen e Izraelit strategjia e Netanyahut duket se ka për qëllim zbrazjen e Gazës nga popullësia e saj palestineze.

Strategjia e Netanyahut nuk prodhon vetëm vdekjen masive të palestinezëve por vë në rrezik edhe vetë qytetarët izraelit, pasi në një periudhë afatgjatë do prodhojë më shumë esktremizëm, dëshpërim dhe terrorizëm anti-izrelit. Historia na tregon që terrorizmi nuk luftohet me ushtri. Mjafton të shkosh eksperiencën e SHBA-ve në Irak dhe Afganistan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit për të kuptuar që lufta ushtarake kundër terrorizmit prodhon më shumë terrorizëm dhe vdekje.

Në këto kushte lufta që Netanyahu i ka shpallur Hamasit është e dënuar të dështojë. Edhe sikur ushtria izraelite të vrasë të gjithë antarët e kësaj organízate terroriste dëshpërimi dhe urrejtja që kasaphana izraelite po prodhon në Gaza kanë mbjellë tashmë farën e terrorizmit të ardhëshm. Ky është një film që përsëritet prej brezash në lindjen e mesme.

Ndërhyrja ushtarake e Izraelit në Liban në vitin 1982 kundër sulmeve terroriste që vinin nga grupe ekstremiste palestineze aty prodhoi me mijëra civilë të vrarë dhe me qindra ushtarë izraelit të vdekur.  Pushtimi i Libanit jugor nga ushtria izraelite u kurorëzua me shpartallimin e disa grupeve të vogla terroriste për të përfunduar me krijimin e grupit ekstremist dhe terrorist Hezbollah që ishte shumë më i rrezikshëm për Izraelin sesa të gjitha grupet e mëparëshme ndaj të cilave Izraeli kish shpallur luftë.

Ndaj lufta e përgjakëshme dhe kasaphana që forcat e armatosura të izraelit po zhvillojnë në Gaza nuk zgjidhin hallet e sigurisë izraelite por hallet e kryeministrit Netanyahu dhe të qeverisë së tij të ekstremit të djathtë. Forcimi dhe financimi i Hamasit ka qenë politike e deklaruar e ekstremit të djathtë në Izrael për të eleminuar cdo mundësi të krijimit të një shteti të pavarur Palestinez.

Sipas llogjikës “përça e sundo” forcat e sigurisë së Izraelit dhe politikanët e ekstremit të djathtë kanë mbështetur Hamasin për të minuar Autoritetin Palestinez. Prej vitesh Hamasi ishte partneri strategjik i Netanyahut për të dobësuar Autoritetin Palestinez në Bregun Perëndimor në mënyrë që të eleminohej çdo mundësi për krijimin e një shteti të pavarur palestinez. Ndaj Netanyahu lejonte prej vitesh financimin e Hamasit me qindra milionë dollarë amerikan nga vendet fqinje (shiko: https://www.timesofisrael.com/for-years-netanyahu-propped-up-hamas-noë-its-bloën-up-in-our-faces/).

Ky është një fakt publik që e ka rrëzuar përtokë popullaritetin e Netanyahut në sytë e shumicës së izraelitëve bashkë me faktin që dështimi i forcave të sigurisë izraelite për të ndalur sulmin e Hamasit është përgjegjësi direkte e Netanyahut. Shto këtu këtu edhe faktin që Netanyahu është nën hetim për korrupsion, dhe mund të përfundojë në burg nëse mbaron lufta me Hamasin, për të kuptuar se përse ai nuk ka asnjë plan tjetër përveç luftës totale pavarësisht maskarës që ajo prodhon tek civilët palestinez dhe rrezikut afatgjatë që krijon për vetë qytetarët e izraelit.

Ajo që të trondit në këtë skenar të errët është mbështetja pa rezerva që perëndimi me në krye SHBA-të i kanë dhënë Netanyahut dhe qeverisë së tij, më ekstremistja në gjithë historinë e Izraelit. Është një qeveri ku gëlojnë racistë, terroristë dhe anti-arabë të deklaruar si Ministri i Financave Bezalel Yoel Smotrich dhe Ministri i Sigurisë Kombëtare Itmar Ben-Gvir.

Rreshtimi i Perëndimit përkrah personazheve të tilla dhe përkrah masakrës dhe dënimit kolektiv të popullit palestinez në shkelje të hapur të Konventës së Gjenevës dhe të çdo parimi humanitar nënkupton vdekjen e vlerave perëndimore. Pa këto vlera perëndimi reduktohet thjesht në një nocion gjeografik dhe humbet çdo kapital moral, ligjor apo ideor për të udhëhequr në skenën ndërkombëtare.

Flet shumë heshtja e qeverive perëndimore për vdekjen e mijëra fëmijëve të pafajëshëm palestinezë nga sulmet izraelite teksa dënon vdekjen e fëmijëve të pafajëshëm ukrainas nga sulmet ruse. Ashtu sikurse tingëllojnë hipokrite thirrjet e Perëndimit për të dënuar krimet e luftës së Putinit në Ukrainë përballë heshtjes mbi krimet e luftës që Netanyahu po kryen në Palestinë.

Kjo situatë forcon Rusinë putiniste dhe dobëson Ukrainën demokratike. Së pari, sepse lufta afatgjatë që planifikon Netanyahu, për të mbijetur politikisht dhe për të evituar burgun, do të tërheqë vëmendjen dhe fondet perëndimore nga Ukraina drejt Lindjes së Mesme.  Së dyti, sepse si SHBA-të edhe BE-ja do e kenë të vështirë të ruajnë një aleancë të gjerë ndërkombëtare pro-Ukrainës me hipokrizinë që po tregojnë përballë masakrës së civilëve në Gaza.

Fitorja e Putinit në Ukrainë do ishte një tjetër grusht për demokracinë, idealin kryesor politik të perëndimit. Putin përfaqëson një ideologji anti-demokratike sa konservatore edhe nacionaliste që admirohet dhe imitohet nga e djathta në Perëndim, që nga Viktor Orban në Hungari deri tek Donald Trump në SHBA. Ndaj fitorja e Putinit në Ukrainë nënkupton një fuqizim të forcave anti-demokratike në perëndim, dhe veçanërisht të Trumpit në SHBA.

Sisdomos kur rrjeshtimi i Presidentit Biden pa rezerva përkrah Izraelit dhe kryeministrit Netanyahu ka prodhur shumë pakënaqësi tek elektorati demokrat në SHBA. Shumica e amerikanëve janë për ndalimin e bombardimeve në Gaza. (shiko https://www.reuters.com/world/us-public-support-israel-drops-majority-backs-ceasefire-reutersipsos-2023-11-15/).  Ndaj rrjeshtimi i qartë i administratës Biden përkrah Netanyahut e ka ulur edhe më tej popullaritetin e Biden, sidomos tek elektorati demokrat (shiko https://thehill.com/homenews/campaign/4288202-biden-progressives-anger-over-israel-hamas-conflict/).

Për të gjitha këto arësye në Gaza sot po vdesin jo vetëm mijëra fëmijë të pafajëshëm palestinez por edhe vetë perëndimi si ide dhe sistem politik. Mos denoncimi i masakrës që po ndodh sot në Gaza si shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar por edhe e parimeve elementare të humanizmit dhe arësyes njerëzore e zhvesh perëndimin nga çdo lloj kapitali moral dhe vleror. Kjo hipokrizi e politikanëve liberal perëndimor po e redukton liberalizmin në një farsë hipokrite duke forcuar armiqtë e tij ideologjik.

Rreshtimi i vendeve perëndimore në krah të një qeverie agresive të ekstremit të djathtë në Izrael po forcon çdo ditë fitoren e putinizmit në Ukrainë dhe të djathtës ekstreme në vendet perëndimore. Fitorja e Putinit në Ukrainë dhe ardhja në pushtet e Donald Trump në Amerikë do jenë dy goditje vdekjeprurëse për demokracinë perëndimore që prej vitesh lëngon në gjithfarë krizash, ekonomike, sociale dhe demografike. Pa humanizmin, liberalizmin, respektin për ligjin dhe demokracinë perëndimi është thjesht horizonti ku shuhet drita.(Lapsi.al)

Foltorja ‘djeg’ Parlamentin/ Topi: Banda në institucionin e fjalës së lirë, ajo sallë s’jep shpresë për sa kohë ka brenda ‘agjentin mikrobik’

Kaosi i krijuar nga Rithemelimi në Kuvendin e Shqipërisë për ish-presidentin Bamir Topi është “rrjedhë e një sëmundjeje relativisht të gjatë dhe kronike që ka përfshirë politikën shqiptare”.

I ftuar në “Frontline” në Report TV me Marsela Karapançon, Topi shprehet se në të gjithë eksperiencën e tij nuk e ka parë kurrë kështu parlamentin.

“Është rrjedhë e një sëmundjeje relativisht të gjatë dhe kronike që ka përfshirë politikën  shqiptare dhe parlamenti është institucioni më përfaqësues i politikës. Shohim dy banda në atë institucion që duhet të ishte i fjalës së lirë i respektimit të ligjit i komunikimit me publikun. Kemi bandën e pushtetit dhe bandën e opozitës.

Diagnoza duhet treguar drejt. Në një eksperiencë të gjatë parlamentare kurrë nuk e kam parë parlamentin kështu, ndonëse ka pasur dhe ngjarje tragjike deri në plagosje, kurrë s’ka qenë kështu. Kam menduar se këto mendje do emancipoheshin por po rrëshqasin keq e më keq”, tha ai në Report Tv.

Për Topin salla e Kuvendit nuk ofron shpresa se gjërat do të ndryshojnë dhe kjo situatë sipas tij do të vazhdojë kështu për aq kohë sa “e keqja është brenda”, duke nënkuptuar Berishën.

“Kjo situatë do zgjasë aq kohë sa e keqja është brenda. Duke vazhduar metaforën e diagnozës agjenti mikrobik viral për të mos thënë një sëmundje më të rëndë të pashërueshme, është brenda. Ajo sallë nuk ofron asnjë shpresë se gjërat do të ndryshojnë. Kur e bëj këtë koment nuk kam parasysh përbërjen e të gjithë deputetëve sepse nuk janë futur të gjithë me një thes. Edhe pjesëtarët e bandave klasifikohen si njerëz në vijën e parë.

Aty është një e keqe e madhe që më bën të rikthehen në atë situatë që e kam kundërshtuar në 2008. Pashë që qëllimi ishte shumë i mbrapshtë. Ky është një krim që i është bërë demokracisë. Nëse ata do kishin menduar se nga paaftësia do kishin reaguar janë të dy. Mos e mendoni se ai që është në opozitë nuk ka pushtet është pushteti i opozitës”, u shpreh ai.

Nga Beqaj, Koka, Dako e deri te Gjici, cilët janë 12 zyrtarët e lartë të PS-së që kanë rënë në rrjetën e SPAK

12 zyrtarë të lartë socialistë, disa prej tyre bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit Rama, disa prej të cilëve ndër më të afërtit në vite, janë sot ose ish të dënuar, ose pas hekurave, ose nën hetim.

Më i fundit që iu shtua listës së ‘të dymbëdhjetëve’ nga hetimet e SPAK është një nga miqtë më të hershëm të kryeministrit, Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë, i akuzuar vetëm disa ditë më parë për “shpërdorim detyre në bashkëpunim”.

Ilir Beqaj akuzohet nga SPAK për koncensionin e sterilizimit ne shëndetësi, një koncesion i denoncuar nga opozita dhe i konkretizuar në dyert e drejtësisë nga Endri Shabani në emër të lëvizjes ‘Thurje’. Gjykata e Posaçme i komunikoi Beqajt këtë të hënë se përse kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje” si dhe ndalimin për daljen jashtë Shqipërisë.

Në fakt, i pari njeri i rëndësishëm i socialistëve që u akuzua dhe u dënua nga drejtësia e re ishte një yll në ngitje politike deri në atë kohë, ish-Ministri i Brendshëm, Samir Tahiri. Ai u dënua nga Gjykata me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa kreu vetëm 16 muaj burg. Kjo pasi Gjykata e Elbasanit argumentoi lirimin e tij me një raport të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku theksohej se bashkëshortja e ish-ministrit të Brendshëm, për shkak të problemeve shëndetësore, nuk mund të kujdeset për dy fëmijët e çiftit.

 

Për nga rëndësia hierarkike në detyra shtetërore, këtë listë e kryeson ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i akuzuar ndoshta edhe më ashpër se të gjithë bashkëpunëtorët e Edi Ramës në këto 10 vite pushtet. Ahmetaj, aktualisht në arrati, i larguar nga Shqipëria vetëm disa orë përpara se të bëhej publik vendimi i SPAK për të kërkuar ndalimin e tij, akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ahmetaj ka drejtuar Financat dhe Rindërtimin, duke qenë numri dy i Qeverisë me postin e fundit, nga ku ka firmnosur edhe dhjetëra vendime në emër të kryeministrit Rama.

 

Ish ministri tjetër, Lefter Koka, i larguar fillimisht nga socialistët drejt LSI-së e më pas i afruar nga vetë Rama në PS, bart sot një nga çështjet e konsideruara si afera korruptive më e madhe e këtyre 30 viteve, ajo e inceneratorëve. Bashkë me Kokën në qeli është dhe ish deputeti Alqi Bllako, dikur ish Drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve.

Ndërkaq, ish kryebashkiakët duket se vijojnë të jenë një listë edhe më e gjatë. Pa përmendur ata që janë paraqitur në SPAK por pa akuza ndaj tyre, janë gjashtë ish krerë bashkie që ose kanë kryer dënimin, ose janë në qeli ose nën hetim.

Vangjush Dako, për nga rëndësia si në parti ashtu edhe për lidhjet me Edi Ramën, është sot në qeli, pasi ndaj tij është marrë masa arrest me burg. Dako, I përmendur edhe në dosjet e hetuara gjatë, si ajo 339, për manipulime në zgjedhje, është sot në qeli vetëm në lidhje me tenderin për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në Currila në Durrës. Ai pret ende përfundimin e hetimeve që Gjykata e Posaçme të vendosë për fatin e tij.

Një tjetër i afërt bashkëpunëtor i kryeministrit, Safet Gjici, ish-kryebashkiak i Kukësit, është sot nën akuzë nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion, pas video-skandalit seksual të publikuar në media.  Ai u akuzua se i dha ‘tenderin për sterilizimin e qenve’ një gruaje më të cilën u denoncua pas një video ku shfaqej në një aferë seksuale në zyrën e tij.

Fatos Tushe, ish-kryebashkiaku i Lushnjës, vuajti dënimin prej 2.4 vitesh burg, të dhënë nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK. Tushe u akuzua se abuzoi me tenderat e pastrimit te kanaleve.

Kryebashkiaku i katërt i vënë në akuzë nga SPAK është Lefter Alla, ish-Kryetar i Bashkisë Bulqizë, i cili akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.

Kryebashkiaku i pestë nga radhët e PS-së, i cili akuzohet nga SPAK është Fran Tuci, ish-kryetar i bashkisë së Fushë-Arrzit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

I 6-ti kryebashkiak, i cili po hetohet nga SPAK është ai i Rrogozhinës. Edison Memolla akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion aktiv ne zgjedhjet e 6 marsit.

I shtati Kryebashkiak nga radhët e PS, i akuzuar nga SPAK është Kreshnik Hajdari. Kryebashkiaku i Kuçovës akuzohet për falsifikim dokumentash ne formularin e dekriminalizimit, pasi nuk ka vet deklaruar një dënim që ka marrë nga Gjykata e Janinës.

Veprat për të cilat akuzohen 12 zyrtarët e rëndësishëm të PS-së, të cilët kanë rënë në rrjetën e SPAK, janë konsideruar nga krye socialisti Rama si ‘përgjegjësi individuale’./ Nga Osman Stafa, BalkanWeb.com

“Më shumë se gjysma duan të ikin”, sondazhi i publikuar nga BIRN zbulon arsyet e emigrimit: Korrupsioni dhe keqqeverisja

Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare prezantoi ditën e martë në një tryezë të rrumbullakët gjetjet e sondazhit kombëtar mbi perceptimet, tendencat dhe pritshmëritë e shqiptarëve në lidhje me migracionin. Albert Rakipi, drejtor i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, e quajti valën aktuale të emigracionit si një kërcënim i sigurisë në vetvete, duke e krahasuar më dy valët e mëparshme të viteve ’90 dhe ’97, që ishin thjesht simptoma të një shteti të dobët.

“Për të parën herë, migracioni po kthehet në një kërcënim të sigurisë në vetvete. Vetëm përgjatë dekadës së fundit 400 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi”, tha Rakipi gjatë fjalës së tij.

Studimi me titullin: “Migracioni, shpopullimi dhe destabiliteti: kriza e heshtur”, i kryer në bashkëpunim me fondacionin Hanns Seidel Stiftung, gjatë muajit Prill përfshiu 1200 pjesëmarrës nga Shqipëria dhe hedh dritë mbi dëshirat, aspiratat dhe planet e tyre në lidhje me emigrimin.

Gjetjet e studimit tregojnë një dëshirë të madhe të shqiptarëvë për t’u larguar nga vendi nëse do u jepej mundësia.

 

“70% e të intervistuarve kanë deklaruar se do emigronin nga Shqipëria nëse do e kishin mundësinë, teksa 28% e tyre kanë menduar ta lënë përgjithmonë vendin”, tregojnë gjetjet e studimit.

 

Sipas autorit të sondazhit, Andi Balla, shifra më shqetësuese është pikërisht ajo pjesë e popullsisë të cilët kanë shumë gjasa të largohen nga vendi brenda një viti.

“19% e atyre që kanë shprehur dëshirën për t’u larguar kanë shumë gjasa të largohen realisht brenda 12 muajve”, theksoi Balla.

Sondazhi zbuloi se prej arsyeve kryesore që i shtyn qytetarët shqiptarë të largohen nga Shqipëria drejt një destinacioni tjetër renditet “kërkimi për një jetë më të mirë”.

“49% e të intervistuarve janë shprehur se kërkojnë një jetë më të mirë, teksa arsyeja tjetër është ajo e të ardhurave financiare dhe e punësimit”, citojnë gjetjet e raportit.

Sondazhi gjithashtu tregon se 54% e të intervistuarve e shohin veten jashtë Shqipërisë në pesë vitet e ardhshme.

“Sigurisht kjo është disi jo realiste dhe e pamundur, por kjo tregon prirjen e popullsisë për t’u larguar”, tha Andi Balla.

Të intervistuarit kanë listuar si probleme kryesore të shoqërisë aktuale papunësinë, korrupsionin, keqqeverisjen dhe mungesën e mundësive në vend, teksa 58% e tyre janë të mendimit se e ardhmja e Shqipërisë po shkon në drejtim të gabuar. /Birn/

“Po i ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit”, ambasadori gjerman reagon për kaosin në Parlament: Kuvendi të ushtrojë kontrollin e ekzekutivit

Pas ambasadës amerikane dhe britanike, edhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë ka reaguar për situatën në Parlament, duke theksuar se është thelbësore që Kuvendi i Shqipërisë të ushtrojë kontrollin e ekzekutivit.

“Po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Qytetarët/et e Shqipërisë presin me të drejtë nga parlamenti i tyre që të jetë një forum, ku anëtarët e të cilit të mund të prezantojnë dhe diskutojnë hapur propozime të ndryshme politike. Ky shkëmbim duhet të zhvillohet në paqe dhe të drejtohet nga rregullat, që i ka përcaktuar vetë parlamenti.

Ndaj u bëj thirrje anëtarëve të shumicës dhe opozitës në Kuvend që të bashkëpunojnë, me qëllim që të garantojnë, që parlamenti të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e ekzekutivit dhe ligjvënien në interes të qytetarëve/eve të përfaqësuar përmes deputetëve”, mbyllet reagimi i ambasadorit gjerman.

Arrestimi i Breçanit dhe të tjerëve, eksperti: Akuzat janë të rënda, në përgjimet kanë dalë edhe 56 punonjës policie

SPAK ka zbardhur akuzat për 11 personat, të cilët dyshohet se vepronin si grup i strukturuar kriminal, mes të cilëve edhe ish-drejtori i policisë së Tiranës Erzen Breçani. Për 10 prej tyre është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg” përfshirë dhe Ervin Mata,  ndërsa për Jonida Babameta, oficere e drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, është masa e sigurimit personal.

Ky zhvillimi ka ardhur pas zbërthimit të “Sky” me ndihmën e agjencive të huaja.

Fatjon Softa, ish-drejtues policie në një lidhje “Skype”  me ABC News, tha se akuzat për këta persona janë shumë të rënda, pasi flitet për grup të strukturuar kriminal, por megjithatë ai shtoi se janë thjesht akuza dhe ato duhet të bazohen në prova para gjykatës.

Ai theksoi se ky hetim ka nisur në vitin 2013 në bashkëpunim me agjencitë e huaja, të cilat merren me zbatimin e ligjit dhe goditjen e rasteve të rënda.

“Ky grup ka 11 fletë arreste, nga të cilët katër janë ekzekutuar. Hetimet kanë nisur në prill të vitit 2013 dhe që nga kjo kohë janë bërë disa bashkëpunime me agjenci ndërkombëtare, si Europol dhe agjenci të tjera dhe akuzat e ngritura ndaj këtij grupi janë shumë të rënda, sepse flitet dhe për grup të strukturuar kriminal”, tha ai.

Ai shtoi se nga përgjimet e administruara kanë dalë 56 policë, të cilët mund të arrestohen.

“Analiza ime është që për aq koha sa kemi masa sigurie, që janë me arrest me burg, presim të kemi dhe arrestime të tjera. Mendohet se mund të ketë edhe 56 punonjës policie, të cilët kanë dalë në përgjime dhe mund të kemi arrestime. Nga eksperienca e deritanishme, në përgjithësi të gjitha këto kanë qenë me informacione dhe me fakte. Jemi në fazën e akuzave”, tha ai.

Sipas SPAK, gjatë ekzekutimit të vendimeve, është ushtruar kontroll në banesa dhe ambiente të tjera, ku janë gjetur dhe sekuestruar shuma monetare, automjete, telefona dhe armë zjarri.

Koasi ne kuvend/ Kreshnik Çollaku: PD ndan shqetësimin me partnerët amerikanë dhe britanike…

Nënkryetari i PD, Kreshnik Çollaku ka reaguar pas deklaratave të ambasadave përëndimore për kaosin në kuvend. PD ndan shqetësim të njëjtë me partnerët amerikanë dhe britanikë për mosfunksionimin e parlamentit, shkruan deputeti i PD.

Kujtojmë që sot reaguan ambasada e Shba ajo Britanike dhe ajo e Gjermanisë, që bënë thirrje që kuvendi duhet të shkojë në rrugën e duhur rë funksionimit.

DEKLARATË E NËNKRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, KRESHNIK ÇOLLAKU

PD ndan shqetësimin me partnerët amerikanë dhe britanike, se “mosfunksionimi i përsëritur i (Parlamentit) vërejtur gjatë muajve të fundit, nuk është në interes të Shqipërisë”.

Siç e kemi deklaruar dhe më parë, situata në Parlament është në interesin e dy personave që duan të mbajnë peng Shqipërinë, njëri që i fshihet drejtësisë dhe tjetri që kërkon t’i ikë përgjegjësisë për situatën ekonomike dhe aferat korruptive ku është zhytur qeveria e tij. Prandaj, në marrëveshje me njëri-tjetrin, në seanca ofrojnë shfaqe të tilla, ndërsa feshurazi shkojnë në komisionet e Lindita Nikollës.

Siç u pa dhe në seancën e fundit, shqiptarët u privuan nga mundësia për të kuptuar se çfarë ndodh me paratë e tyre, si do të përdorën ato në buxhetin e ardhshëm apo çfarë marrëveshje ka bërë Edi Rama për refugjatët.

Edi Ramës nuk i intereson të japë llogari. Edi Ramës dhe Sali Berishës nuk u intereson vetingun në politikë, as hapja e listave dhe as vota e diasporës. Edi Ramës dhe Sali Berishës u intereson kaosi për të mbijetuar në politikë.

“Vettingu sjell boshllëqe në sistem dhe vonon drejtësinë për qytetarët”, juristët: Sjell pasoja sociale dhe ekonomike

Në Shqipëri sistemi i drejtësisë vijon të mbetet i mbërthyer nga ngërçi i vendeve bosh si pasojë e largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga procesi i Vetting-ut. Sot në këtë sistem mungojnë 39% e gjyqtarëve dhe 31 % e prokurorëve dhe situata paraqitet e përkeqësuar krahasuar me dy vite e gjysmë më parë. Veç mungesave, organet e drejtësisë po përballen me një strukturë të re pas miratimit të hartës së re gjyqësore që përgjysmoi numrin e gjykatave në vend. Sot pas disa muajsh KLGJ ka arritur në konkluzionin, se në pjesën më të madhe të gjykatave, harta e re solli shpërndarje të barabartë të drejtësisë dhe balancim të numrit të gjyqtarëve me dosjet në shqyrtim, si dhe rritje të numrit të çështjeve të përfunduara në disa gjykata. E megjithatë qytetarët vijojnë të përballen me vonesa në marrjen e drejtësisë.

Arben Resuli, drejton një aktivitet tregtar modest në fushën e riciklimit. Prej më shumë se një viti ai pret vendimin nga gjykata administrative e shkallës së parë në Tiranë pas padisë së tij, ndaj strukturave shtetërore që i pezulluan liçensën pas një kontrolli.

“Ekspertiza ishte në favorin tim, por unë kam kërkuar dhe dëmin ekonomik. Ndërkohë ka kaluar viti unë jam me liçensë të hequr. Unë nuk mund të bëj eksport. Nëse nuk bëj eksport jam i falimentuar. Kam 10 punëtorë që duhet t’i mbaj se kam kontratë me ta, të paktën deri në fund të këtij viti, por dhe me humbje s’mund të punosh dhe me një të ardhme që nuk mund ta parashikosh. Unë nuk e di kur mbaron gjyqi, duhej ta kisha marrë vendimin për 30 ditë. Nuk besoj se shtetit i intereson ta mbyll aktivitetin”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Arben Resuli, administrator i shoqërisë “Rea” shpk.

Në dy prej gjykatave më të mëdha në vend, në atë të shkallës së parë në Tiranë dhe atë të Apelit, numri i çështejve të shqyrtuara dhe të mbyllura, në 9 mujorin e parë të këtij viti krahasuar me atë të një viti më parë ka qenë më i vogël. Në të dyja këto gjykata numri i çështjeve të përfunduara ra me 17 dhe 25%. Nga ana tjetër stoku i dosjeve në Gjykatën e Apelit në Tiranë, vazhdon të rritet dhe ka mbërritur në mbi 37 mijë nga rreth 33 mijë që ishte në shkurt të këtij viti kur nisi zbatimi i hartës së re gjyqësore.

 

 

“ Këtu ka ndodhur një bllokim ekonomik, ne dalim themi duam investime të huaja, lekët janë këtu, por janë çështje të bllokuara. Sot gjen në gjyktatat tona gjen çështje mes shoqërive tregtare, mes një shoqërie tregtare dhe shtetit, ka njerëz të punësuar aty. Nëse çështja shkon 10 vjet shoqëria thotë po e mbyll, po iki nga Shqipëria”- u shpreh për Zërin e Amerikës Blerta Kraja avokate.

“Në rastin më të mirë shkon 10 vjet, në rastin më të keq nuk di të them sa shkon” -thotë Alban Çaushi avokat.

Ai vëren me keqardhje se ka një ndikim negativ në jetën sociale dhe ekonomike të vendit, për shkak të drejtësisë së vonuar. Mjaft prona janë bllokuar thotë ai për këtë arsye.

“Janë mosmarrëvshje të karakterit për njohjen e pronës, marrjen e pronës dhe pasurisë së qytetarëve. Sigurisht pengohet futja e tyre në qarkullimin civil, sepse janë sende të cilat në momentin që ka një mosmarrëveshje ato janë të bllokuara. Duke qenë se tek ne nuk ka një kulturë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në arbitrazh tregtar biznesi i zgjidh marrëveshjet në gjykatë. Shikojmë që ka bllokime kapitali, shtim të detyrimeve përkundrejt atyre të cilët janë debitorë ndaj kreditorëve të tyre, për shkak të interesave që llogariten në vijimësi. Pra e gjithë kjo është pasojë që bie në jetën ekonomike sociale të vendit”- argumentoi Alban Çaushi avokat.

KLGj i tha Zërit të Amerikës, se ka ngritur një grup pune dhe po analizon ecurinë në disa gjykata të vendit për të hartuar një strategji për uljen e çështjeve të prapambetura. Sipas parashikimeve të këshillit, pas tre vitesh synohet të plotësohet e gjithë trupa gjyqësore duke marrë në konsideratë prurjet nga shkolla e magjistraturës dhe pritshmëritë se disa gjyqtarë mund të rikthehen në detyrë nga Kolegji i posaçëm i Apelimit.

Sipas statisikave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, gjendja në disa gjykata të vendit paraqitetet më e rëndë.

Gjykata e Apelit e vetmja e këtij lloji në vend, ka mangësitë më të mëdha. Aktualisht në të ka vetëm 24 gjykatës nga 78 që duhet të ketë gjithsej, pra punon me 30% të trupës, ndërkohë që në gjyktatat e tjera mesatarja e trupës së gjyqtarëve në detyrë shkon nga 60-100%. Sipas njohësve të fushës kjo lidhet edhe me specifikën e emërimeve në këtë gjykatë. Mundësitë janë të kufizuara pasi kandidatët duhet të jenë magjistratë me eksperiencë jo më pak se 7 vjet. E megjithatë avokatë me përvojë mendojnë së zgjidhjet ekzistojnë.

“Nga pikëpamja e kushtetutës në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese mund të bëhesh anëtar i tyre, mjafton të kesh punuar 15 vite, të jesh një jurist i spikatur, të kesh punuar si avokat pedagog, apo kështu me radhë. Po ashtu mjafton të jesh thjesht një jurist i spikatur për të qenë inspektor i lartë i drejtësisë. Në këtë

kuptim është gjithë masa e madhe e avokatëve, ne kemi 3 mijë avokatë aktivë. Ka avokatë shumë të mirë në komunitetin e avokatëve. Mund të kenë eksperiencë të dendur dhe do të ishin një prurje interesante në sistem. Zgjidhja është një ndryshim kushtetues tek kriteret, se cili mund të jetë gjyqtar dhe prokuror, pra nuk do jenë vetëm nga shkolla e magjistraturës. Përvoja në Shqipëri ka treguar që kushtetuën e ndryshojnë dhe brenda natës, kur politika ka interesa”-vijoi Blerta Kraja, avokate.

Zëvendës kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor Ilir Rusi i tha Zërit të Amerikës se nuk mund të gjenden zgjidhje ekstraligjore, por po shihen mundësitë e rikthimit të skemës së delegimit të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit dhe se ka pritshmëri të larta se numri i shqyrtimit të dosjeve në këtë gjykatë mund të rritet ndjeshëm deri në fund të vitit.

“Gjatë këtij viti ne kemi bërë 3 ngritje në detyrë të gjyqtarëve dhe kemi aktualisht dhe 13 proçese të tjera për ngritje në detyrë të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Qëllimi kryesor është evadimi i çështjeve të prapambetura. Mund të vlerësohet në varësi të këtyre çështjeve që përmes skemës së delegimit të përfshihen dhe gjyqtarë që i plotësojne kriteret edhe në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm”- u shpreh për Zërin e Amerikës Ilir Rusi zëvendës kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Sot juristët po ngrenë shqetësim për pasojat që mund të ketë në të ardhmen buxheti i shtetit, nga mosdhënia e drejtësisë brenda një afati të arsyeshëm. Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strazburg ka filluar të japë vendime për të dëmshpërblyer qytetarët e prekur në Shqipëri nga tejekalimi i afateve të arsyeshme të gjykimit. /Voa/

Kurti: Rritja ekonomike në Kosovë këtë vit pritet të jetë 3.8 për qind

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shteti ka nevojë për njerëz profesionistë dhe se shkollat profesionale duhet të shihen si vlerë e shoqërisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i bindur se rritja ekonomike këtë vit do të jetë 3.8 për qind.

Ai madje ka thënë se Qarkullimi i ekonomisë ka parë një rritje të jashtëzakonshme.

“Qarkullimi i ekonomisë sonë ka parë një rritje të jashtëzakonshme, nga 12.56 miliardë euro në vitin 2019, në 18.15 miliardë euro në vitin 2022, një rritje prej 44.5%. Të hyrat nga taksat në periudhën 2020-2022 u rritën me 47%, pa e ndryshuar politikën fiskale”

Ai ka folur edhe për investimet që janë bërë në Kosovë.

“Investimet në vendin tonë kanë qenë të fuqishme, me investimet e huaja direkte që janë dyfishuar për dy vite. Vetëm në vitin 2022, ne regjistruam 772 milionë euro në Investime te Huaja Direkte, në total prej 1.2 miliardë euro për dy vitet e fundit”.

Shefi i qeverisë ka dhënë edhe një parashikim, ku sipas tij këtë vit rritja ekonomike do të jetë 3.8 për qind.

“Rritja jonë ekonomike në vitin 2022 ishte 5.2%, dhe për vitin 2021 në një nivel impresiv prej 10.7%. Ndërkaq këtë vit duket se do të mund ta përmbyllim me një rritje ekonomike prej 3,8%”.

Duke u gjendur para kryqëzimit të ndryshimeve globale dhe rritjes ekonomike, ku kërkohet një fuqi punëtore e aftë, e adaptueshme dhe inovative, kryeministri Kurti theksoi se Arsimi dhe Aftësimi Profesional është thelbësor për mirëqenien sociale.

“Duke mësuar nga modeli gjerman, qeveria jonë synon të integrojë praktikat më të mira me kontekstin tonë unik; një sistem i cili i përgjigjet nevojave të ekonomisë dhe shoqërisë sonë, por edhe potencialeve të vendit tonë. Këtu bashkëpunimi i ngushtë mes kompanive, shoqatave përkatëse, shkollave profesionale, nxënësve por edhe prindërve tonë, është parakusht i çdo përpjekjeje institucionale për ndërtimin e sistemit dual”.

Ai po ashtu tha se përveçse do të plotësohen vendet e lira të punës, duke zhvilluar dhe pilotuar sistemin dual, tashmë në 12 profile, në 21 shkolla e në 14 komuna, njëherësh po ndërtojnë themelin për të mësuarit gjatë gjithë jetës.

Përmes kësaj fushate, kryeministri rekomandoi që kompanitë t’i adresojnë propozimet e tyre te Ministria e Arsimit dhe te shkollat përkatëse në komunat e tyre, ndërkaq odat t’iu ndihmojnë kompanive anëtare në mbledhjen e kërkesave që nga viti shkollor 2024/25 të kemi hapësira të mjaftueshme nëpër shkolla profesionale për t’i përgatitur nxënësit.

Në anën tjetër, për nxënësit dhe prindërit kjo fushatë është një thirrje për të njohur mësimin dhe sistemin dual si një rrugë e qëndrueshme dhe e vlefshme drejt suksesit personal e profesional, pasi siç tha kryeministri, sistemi dual do të thotë edhe karrierë, jo vetëm aftësim.

Ndërsa ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se për të qenë të suksesshëm duhet angazhim i të gjithë partnerëve, përfshirë Qeverinë, shkollat dhe bizneset.

“Edhe vetë sektori bëhet i rëndësishëm, nëse këto angazhohen. Siç e tha edhe kryeministri, çdo kush që është pjesë e arsimit dhe aftësimit profesional duhet të jetë krenar. Që nga viti 2016, kemi investuar në këtë nivel të arsimit për më shumë se 30 milionë euro ka investuar për të rinjtë e Kosovës”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se kampanja synon t’i përgatisë të rinjtë për tregun e punës.

“Kjo nismë është detyrë morale e jona. E filluam me katër profile për arsimin dual, ndërsa tani i kemi 21. Unë i ftoj të gjithë aktorët që t’i hapin dyert për këta nxënës që t’ua japim mundësinë të jenë pjesë e bizneseve tuaja”.

Analiza e tregut, AKEP propozon ulje të tarifave me shumicë të telefonisë celulare nga 1 marsi 2024

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka hedhur për konsultim publik analizën e tregut e telefonisë celulare për tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet e telefonisë së lëvizshme.

Ky është dokumenti më i rëndësishëm periodik i rregullimit të tregut të telefonisë celulare, mbështetur në të cilin përcaktohen operatorët me fuqi të ndjeshme në treg dhe vendosen masat rregullatore. Analiza propozon shpalljen si Operatorë me Fuqi të Ndjeshme (OFNT) në tregun përkatës me shumicë të terminimit të thirrjeve kombëtare për operatorët celularë One Albania dhe Vodafone Albania.

Analiza e tregut pritet të sjellë një ulje të mëtejshme të tarifave të terminimit në rrjetet celulare. Tarifat e terminimit janë tarifat që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për thirrjet që kryhen drejt rrjeteve respektive. Përcaktimi i këtyre tarifave është instrumenti kryesor i rregullimit të tregjeve të komunikimeve elektronike nga autoritetet përkatëse.

Mbështetur në dokumentin final për rezultatet e modelit të kostove të shërbimeve me shumicë të rrjeteve celulare, që u miratua nga AKEP në vitin 2021. Dokumenti në fjalë synon të vendosë tarifa me shumicë (terminimi) të thirrjeve që të reflektojnë kostot direkte, të matura për operatorët e komunikimeve të lëvizshme në Shqipëri. Orientimi në kosto i tarifave me shumicë vlerësohet si mënyra më e mirë për të mundësuar një konkurrencë të drejtë dhe të ndershme mes operatorëve në tregun me pakicë.

Deri tani, për vendosjen e tarifave të terminimit të thirrjeve kombëtare AKEP është mbështetur në metodën benchmark të mesatarizimit të tarifave të aplikuara në vendet e BEREC (Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike). Megjithëse dokumenti me kostot e matura u miratua qysh në vitin 2021, ulja e tarifave në kosto nuk ishte miratuar ende, në pritje të analizës së re të tregut për të shpallur edhe njëherë OFNT.

Sipas analizës së kostove të përgatitura nga konsulentët e kontraktuar nga AKEP për këtë qëllim, kosto e terminimit të thirrjeve kombëtare ka rezultuar rreth 0.751 lekë për minutë, ndërsa për thirrjet hyrëse ndërkombëtare 0.762 lekë për minutë. Tarifat aktuale të terminimit në Shqipëri janë rreth 1.11 lekë/minutë për të dyja llojet thirrjeve. Për t’i çuar tarifat në kosto, që është edhe objektivi i AKEP, tarifat e terminimit të thirrjeve duhet të ulen me rreth 32%.

Mbështetur në këtë document dhe në analizën e tregut, AKEP propozon që tarifa maksimale e terminimit të thirrjeve kombëtare në rrjetet celulare të ulet në 1.02 lekë/minutë në 1 mars 2024, në 0.89 lekë/minutë në 1 shtator 2024 dhe përfundimisht në 0.75 lekë/minutë në 1 mars 2025.

AKEP vëren se, bazuar në praktikat rregullatore në vende të BE-së, orientimi i tarifave në kosto rekomandohet të kryhet nëpërmjet një reduktimi të përshkallëzuar. Në praktikën rregullatore, uljet e përshkallëzuara janë konsideruar të zakonshme në caktimin e tarifave të orientuara drejt kostos, për t’u dhënë kohë operatorëve për të rregulluar gradualisht planet e tyre të biznesit, duke shmangur ndërprerjet e menjëhershme në treg, veçanërisht kur ndryshimi midis tarifave ekzistuese dhe atyre të orientuar drejt kostos është i lartë.

Për sa i përket terminimit të thirrjeve ndërkombëtare, dokumenti i analizës së tregut kufizohet në shtrimin e avantazheve dhe dizavantazheve që do të sillte rregullimi i këtij tregu, por nuk përmban një propozim nëse tregu në fjalë duhet rregulluar ose jo. Vendimi do të merret pas konsultimit publik nga Këshilli Drejtues i AKEP. Tregu i terminimit ndërkombëtar të thirrjeve është hequr nga rregullimi që prej vitit 2011./E.Shehu

Revista “Monitor”