30.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Qershor, 2025

16,7 % rriten aksidentet në muajin tetor, në 12,0 % të rasteve faji i këmbësorit

Në muajin Tetor 2023 numërohen 98 aksidente rrugore nga 84 të ndodhura  në muajin Tetor 2022. Numri i aksidenteve rrugore është rritur me 16,7 %, sipas të dhënave të INSTAT, referuar Drejtorisë Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) sipas të dhënave të INSTAT rezulton 130 persona nga 105 në muajin Tetor 2022. Aksidentet rrugore, në 83,7 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 45-59 vjeç, duke zënë 26,5 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 73,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin Tetor 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e Hënë me 19,4 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur të ditën e Enjte me 8,2 %.

Në muajin Tetor 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë harkut kohor 08:00-12:00 dhe 14:00-17:00 duke zënë secila nga 22,4 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.

Në dhjetëmujorin e vitit 2023, numërohen 961 aksidente rrugore nga 968 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 0,7 %.

Numri i të aksidentuarve është 1.319 persona nga 1.362 persona të aksidentuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Aksidentet rrugore, në 12,0 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit për dhjetëmujorin është ulur me 9,4 %. /Liberale.al/

Dy ditë e dy net, të pa harrueshme e të pamjaftueshme në Pejë

Nga Zef Ndreka 

Me dhjetra herë kisha kaluar rrugës për në Prishtinë dhe Pejën e bukur e kisha lënë anash vetëm duke parë tabelat në autostradë, pa e parë e pa e “prekur” nga afër, megjithëse kisha lexuar shumë e kisha dëgjuar për të e historitë e saj.

Rrugën për në Pejë e mora me mikun tim Berat Boja nga pyjet e Malit të Zi dhe zbritëm nga afër Grykës së Rugovës nga vendi që pejanët e quajnë Kulla. Kulla, ajo zonë historikisht shqiptare, nga e cila janë dhuruar 1800 ha Malit të Zi. E megjithatë, banorët e zonës nuk e quajnë vetën malëzez!
Pas një pushimi nga rruga e gjatë, mëngjesin e nisem me kafe tek hotel Dukagjini, tek njeriu i mirë, bisnesmeni i suksesshëm i Pejës e më pas shëtitje në qytet, në rrugët karakteristike të pazareve të vjetra, në shëtitoret moderne të qytetit shumë të gjelbëruar të saj.

Peja, ka shumë për të të ofruar si vizitor. Parqet e mëdha brënda qytetit, pyjet e pa fundme që e ushqejnë me oksigjen atë, klima e rrallë dhe e shëndetshme, qyteti i pastër e i rregullt me infrastruktur moderne, lagje historike të pandryshueshme, qytet, që rritet natyrshëm dhe me plan urbanistik të studiuar që zgjerohet fushave përreth.

Peja, të ofron bukuri që nuk i fsheh. Të ofron historitë dhe krenaritë e saj, pa shumë bujë, por plot krenari.
Pejanët në çdo kohë kanë qëndruar e kanë luftuar. I kanë rezistuar e dëbuar serbët, po ashtu janë djegur e masakruar prej urrejtjes së tyre, prej ushtrive militare të Millosheviçit.
Në Pejë tashmë jetohet.

Qyteti, në çdo lulishte, në çdo cep të saj është i mbushur me bustet e luftetarëve, të drejtuesve, të politikanëve që kanë dhënë jetën për vatan.
Në qendrën e qytetit të bie menjëherë në sy një monument gjigand i Heroit Adrian Krasniqi, trimit pejan i vrarë nga serbët në moshën 25 vjeçare.

Po ashtu, në lulishtet pranë kafeneve e lokaleve janë përjetësuar të tjerë luftetarë, trima e atdhedashës. Busti i Heroit të Kombit Enver Hadri me nënshkrimin e vargut brilant të Ali Podrimes: ” Kosova, gjaku ynë që nuk falet”.

Më tej busti i Akademikut, Prof.Dr. Ali Hadri me nënshkrimin patriotik: “Aspak nuk do të shqetësohem nëse do bëhet viktimë e sadizmit politik, sepse në këtë mënyrë do të ndaj fatin tragjik të popullit tim”.
Diku më tej, një tjetër monument kushtuar Heroit të Kombit, Gjeneralit Shkëlzen Haradinaj, i rënë në 1999 në betejë për çlirimin e Kosovës.

Por, në qytet nuk mungojnë edhe përsonalitete me të hershme si ai i trimit patriot Haxhi Zeka, i rënë në vitin 1902.

Qyteti ka lëvizje, galleria, edhe pse i ftohtit e ka mbuluar atë.

Qytetin e përshkon përmes lumi Lumbardh që buron nga bjeshkët e Rugovës, ku rritet trofta e egër, e rrallë.
Qytetarët e dashur, të qetë e të edukuar të binin në sy kudo.

Por edhe bisnesmenët aty nuk është se janë të pakënaqur. Ka rregulla dhe bisnesi e tregu është më i rregulluar se në Shqipëri.

Pakënaqësia ndjehej vetëm tek proçeset e asocionit, tek nënshkrimet e kryeministrave të Kosovës nga viti 2013 e më pas për ndarjen e territoreve të Kosovës në favor të Serbisë dhe Malit të Zi. Kjo ndjesi është vrastare, është realisht goditje kombëtare, e pakuptimtë dhe tradhtare.

Takuam e biseduam me shumë miq atje. Historitë e luftës janë ngjarje që kurrë nuk i harrojnë.
Por, një takim dhe bisedë e veçantë, e dashur dhe e bukur ishte më një të moshuar 93 vjeçarë që ngjitej çdo ditë në malet e Rugovës duke qëndruar i fortë, elegant, energjik.
Kishte punuar 40 vjet mësues i gjuhës shqipe. Kishte mbi 30 vite në pension.

Pasioni i tij për malin, për fushën, për lulet, për pyjet, për fluturat e mbanin gjallë. Një përsonazh i gjallë që të mëson shumë.

Për të fituar në kohë dhe për të marrë më tepër informacion, u drejtuam nga Muzeu i qytetit, një institucion kulturor që të prezanton trashëgiminë e Pejës, të luftës nacionaliste çlirimtare të luftës së dytë botërore. Po ashtu, Muzeu i Pejës ruan dhe promovon trashëgimitë materiale dhe shpirtërore të rajonit.

Muzeu i Pejës është krejtësisht i veçantë në mjediset e “Konakut të Tahir Beut”.
Ky muze, të ofron edhe shumë zbulime në sektorin e arkeologjisë dhe historisë.

Ky muze të ofron rreth 2000 objekte muzeore, eksponate etnologjike, arkeologjike dhe dokumente historike. Të gjitha këto, prezantojnë trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore, materiale dhe shpirtërore të Rrafshit të Dukagjinit.

BIRN: Gjykata Kushtetuese u jep të drejtë organizatave jofitimprurëse për lirinë e organizimit

Disa përcaktime ligjore në ligjin “Për regjistrimin e organizatave jofitmprurëse” që pengonin lirinë e organizimit dhe transferonin kompetencat e gjykatës tek kancelari lidhur me regjistrimin e tyre janë gjetur në papajtueshmëri nga Gjykata Kushtetuese dhe janë shfuqizuar pas kërkimit të parashtruar prej disa organizatave jofitimprurëse.

Gjykata Kushtetuese njoftoi të hënën më 20 nëntor vendimarrjen lidhur me kërkimin e disa organizatave jofitimprurëse për të shfuqizuar disa përcaktime të ligjit “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kërkuesit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, dega Tiranë; Këshilli Shqiptar i Medias; Aleanca kundër Diskriminimit LGBT dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetarinë Investigative, Shqipëri – BIRN Albania, kanë pretenduar në kërkim se përmbajtja e disa dispozitave në këtë ligj cënon të drejtën kushtetuese për t’u organizuar, që garantohet nga neni 46 i Kushtetutës dhe nenin 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; se janë në kundërshtim me parashikimet e nenit 17 të Kushtetutës dhe me standardet ndërkombëtare, që kërkojnë që kufizimi i kësaj të drejte, përfshirë sanksionet, të jetë i parashikuar nga ligji, të ketë një qëllim legjitim dhe të jetë proporcional me qëllimin që synohet të arrihet.

Gjykata Kushtetuese njofton se ka pranuar pjesërisht kërkesën, duke shfuqizuar parashikimin që përcakton detyrimin për regjistrim fillestar brenda një afati 30-ditor. “Gjykata arriti në përfundimin se ai jo vetëm që nuk buron si i tillë nga legjislacioni në fuqi, por, nga njëra anë sjell detyrime të tjera shtesë për këto subjekte dhe, nga ana tjetër, mosrespektimi i tij çon deri në konsiderimin e tij si shkelje, me pasojë dënimin administrativ me gjobë. Për rrjedhojë, ky parashikim vendos një barrë joproporcionale, veçanërisht për organizatat që synojnë të krijohen rishtazi, duke përbërë kështu një pengesë në drejtim të lirisë së organizimit”, vlerëson Gjykata Kushtetuese.

Në lidhje me ato dispozita që kanë parashikuar kompetencat e kancelarit, gjykata arrin në përfundimin se vijnë në kundërshtim me nenin 46 të Kushtetutës, që në mënyrë të shprehur ka parashikuar se regjistrimi i organizatave ose shoqatave bëhet në gjykatë, e cila është organi i vetëm kompetent në lidhje me çdo veprim që kryhet nga organizata ose shoqata, si në lidhje me fitimin e personalitetit juridik ose përfundimin e tij, ashtu edhe veprimet që lidhen me ushtrimin e kësaj veprimtarie.

 

 

“Për rrjedhojë, kancelari, megjithëse ushtron detyrën pranë gjykatës, nuk përfshihet në konceptin kushtetues të gjykatës për sa u përket çështjeve që lidhen me regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, argumenton Gjykata.

Të tjera parashikime ligjore që janë rrëzuar si në papajtueshmëri me Kushtetutën, janë edhe ato të pikave 2 deri në 6 të nenit 49 të ligjit të kontestuar. “Gjykata arriti në përfundimin se këto parashikime nuk plotësojnë standardet e kërkuara kushtetuese lidhur me qartësinë e normës juridike për sa i përket kuptimit dhe përllogaritjes së gjobave mbi të ardhurat vjetore të deklaruara të organizatave jofitimprurëse. Po kështu, edhe kufijtë minimalë dhe maksimalë për vendosjen e gjobave nuk plotësojnë standardet e kërkuara për proporcionalitetin e kufizimit, duke mos respektuar kështu kriteret kushtetuese të kufizimit të lirisë së organizimit”, citohet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shprehet në vijim se pjesa tjetër e kërkimeve është rrëzuar pasi vlerëson se përmbajtja e tyre nuk cenon në thelb lirinë e organizimit dhe as nuk e bën të pamundur ushtrimin e saj./BIRN

CEZ-DIA/ Me urdhër të SPAK, agjentët e BKH kontroll në zyrën e Ilir Metës

Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kanë kryer sot kontrolle në zyrën e kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta në kuadër të hetimeve për aferën CEZ-DIA.

Kujtojmë se më 8 nëntor, Ilir Meta u thirr në SPAK lidhur me këtë çështje.

Para se të hynte brenda ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, ai tha për gazetarët se është thirrur për çështjen ÇEZ-DIA, të cilën e quajti telenovelë.

Çështja ÇEZ-DIA

Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka dëshmuar se Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Hetuesit mund të konfirmojnë udhëtimet e Metës në Çeki, por edhe çështjet e diskutuara.

Ndërkaq, vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta i kërkon Kastriot Ismailajt, 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat në familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para.

Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qenë mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё CEZ, sigurisht në bashkëpunim me CEZ.

Ismailaj paraqiste fatura fiktive, merrte paratë nga CEZ dhe më pas CEZ favorizohej nga qeveria Berisha-Meta. Pasi Ilir Meta u bashkua me PS, në vitin 2015, Sali Berisha e ktheu në kauzë implikimin e Metës në çështjen CEZ-DIA, kërkoi dorëheqjen dhe hetimin e tij.

Përgjimet që fundosën grupin kriminal, Lita: Ja si të penduarit zbuluan kodet

Gazetari Lavdrim Lita tha në një intervistë për Euronews Albania se ka qenë një kryqëzim informacioni mes autoriteteve franceze dhe të penduarve të drejtësisë, ai që çoi në shkatërrimin e grupit kriminal.

SPAK lëshoi 11 urdhër arreste pas një hetimi të detajuar me informacione nga autoritetet franceze dhe belge që më pas u ndërlidhën dhe me kode të zbuluar nga të penduarit e drejtësisë.

“Transkriptimet që kanë ardhur nga autoritetet franceze dhe belge janë me mijëra faqe. Ka kode për çdo person të përfshirë në këto komunikime. Te komunikimet janë zbardhur kujt i përket telefoni, janë kryqëzuar informacionet sepse ti ke një telefon Sky ECC që ngjan SI Samsung, por ndërkohë ke dhe një telefon tjetër. Duke parë GPS e lëvizjes së telefonit, lëvizsshmërinë, komunikimet, ta thotë fiks ku ke qenë atë ditë, atë orë dhe çfarë ke komunikuar, pra ka kryqëzim informacioni dhe kodet që janë marrë, një pjesë e madhe janë marrë nga fletoret që ka dhënë Dumani për SPAK-un apo të penduarit e tjerë që kanë treguar listën e kodeve me të cilët kanë folur. Pra, janë bërë disa kryqëzime nga të penduarit dhe autoritetet franceze që janë marrë me dosjen shqiptare,” – u shpreh Lita.

Lorenc Vangjeli: S’keni parë gjë akoma, do arrestohen njerëz të rëndësishën nga media, përveç politikanëve e oligarkëve

Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në “Top Story”, u shpreh se në “rrjetën” e SPAK, janë njerëz të rëndësishëm të politikës dhe medias. Sipas Vangjelit, janë disa ministra e ish-ministra që mund të arrestohen me urdhër të SPAK.

“Do të shikojmë politikanë të rëndësishëm që kanë shkëlqyer me ‘make up-in’ e tyre nën dritën e prozhektorëve, që do të shndërrohen në banditë të rëndomtë. Ministra dhe ish-ministra, deputetë. S’keni parë asgjë akoma, thoshte dikur Edi Rama. S’keni parë gjë akoma duket sikur thotë Dumani dhe njerëzit e tij. Do të ketë edhe njerëz të rëndësishëm të medias”- u shpreh analisti.

“Njerëz të legjislativit, drejtues të lartë të policisë, ish dhe aktualë, madje edhe njerëz të botës së medias. Të gjithë, në një mbrëmje si kjo ose në një mëngjes që do të pasojë, do të pësojnë këtë Metamorfozë. Nga shkëlqimi e shndërrimi në të kundërtën e saj.

Do të shikojmë edhe njerëz shumë të pasur, që do të përfundojnë po njëlloj. Ora e të vërtetës nuk paralajmëron. Ora e të vërtetës kur vjen, kupton që jeton. Ne tani po jetojmë në mallkimin e famshëm kinez, po jetojmë në kohë interesante. Nuk e di sa mund të sigurohet drejtësi, por që do të ketë ndëshkim, do të ketë”- shtoi Lorenc Vangjeli.

‘Kërcënimet’ me bllokadë për integrimin në BE, ministri grek takon sot Fredi Belerin në burgun e Durrësit

Ministri i Shtetit të Greqisë, Stavros Papastavrou, pritet të takohet sot kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg. Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke.

Takimit pritet të zhvillohet gjatë mesditës së sotme në burgun e Durrësit, ku ndodhet prej muajsh Beleri. Vizita bëhet ne funksionin të gjyqit që do të bëhet nesër, për të shprehur edhe njëherë mbështetjen ndaj tij.

Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Zoti Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik. Kërkesat e tij të herëpasherëshme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, të cilave ai u është drejtuar sërish me të njejtën kërkesë.

Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian.

Projekti 170 mln USD i depozitës në Dumre synohet të përfundojë brenda 2030

Ndërtimi i depozitave nëntokësore të gazit në Dumre pritet të bëhet në partneritet me operatorë të tjerë ndërkohë që kjo parashikohet të ketë përfunduar brenda vitit 2030. Të paktën kështu synon kompania publike e gazit në vend e cila nënvizon se projekti me një kosto 170 milionë euro do të lidhet me gazsjellësin TAP.

“Duke identifikuar nevojën e ardhshme të brendshme dhe rajonale për kapacitete depozitimi, Shqipëria po hulumton mundësinë e ndërtimit të një impianti depozitues nëntokësor që varion midis 0.23 dhe 0.8 BCM në Dumre, rrethi Kuçovë në qarkun e Beratit, në afërsi të korridoreve të gazsjellësit TAP dhe IAP. Një Studim Fizibiliteti së bashku me Studimin e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social janë përfunduar në vitin 2021 me financim nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor – Infrastruktura e Projektit 9 (ËBIF-IPF9). Në rast se do të ndërtohet UGS Dumrea, Albgaz mund të ndërtojë lidhjen midis vend depozitimit të gazit dhe TAP.

Dumrea UGS parashikohet për t’u ndërtuar nga një operator depozitimi i licencuar nga palët e treta, përveç ALBGAZ-it, prandaj nuk përfshihet në prioritet. Për këtë objektiv investimi, ALBGAZ do të ndërtojë lidhjen nga depozitën nëntokësore me TAP-in, me parakusht që Dumrea UGS të jetë ndërtuar deri në vitin 2030” thuhet në dokumentin e investimeve të ALBGAZ.

Kompania pranon se gazsjellësi UGS Dumrea – TAP varet nga gatishmëria e një operatori tjetër (depozitimi) për të ndërtuar depozitën, ndërsa shtrirja e IAP nga Kashar në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi varet ndjeshëm nga shpejtësia me të cilën Kroacia dhe qeveritë malazeze (gjithashtu edhe boshnjake) do të merrnin një vendim për të investuar në një kompani projekti për përfundimin e IAP.

Sipas planit veçanërisht, projekti i mundshëm i Depozitimit Nëntokësor të Gazit në Dumrea, nëse do të vendoset për ndërtimin e këtij objekti, do të kërkojë lidhjen me rrjetin e transmetimit. Pritet që UGS Dumrea të lidhet me TAP pranë Kuçovës. Ky gazsjellës që do të ndërtohet do të ketë dy drejtime ndërkohë që gjatësia e parashikuar është 13 kilometra.

Në mars 2021, ALBGAZ nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me SNAM-in italian për zhvillimin e projektit të depozitimit nëntokësor të gazit natyror në rajonin e Dumresë, pranë TAP-it dhe itinerarit të pritshëm të IAP. Ky projekt synon të ruajë midis 270 dhe 800 milionë metra kub gaz natyror bazuar në një investim të pritshëm prej 170 milionë dollarësh./MONITOR

55% e shqiptarëve e perceptojnë veten të varfër, të dytët në Europë; Të arsimuarit shqiptarë njësoj me ata me arsim fillor në BE

Më shumë se gjysma e shqiptarëve (55.3%) e konsideronin veten subjektivisht të varfër, sipas një publikimi të Eurostat për vitin 2022, por që të dhënat e Shqipërisë janë deri në vitin 2021.

Në këtë renditje, shqiptarët ndihen të dytët më të varfrit e Europë, me mbi dy herë më shumë se mesatarja e BE-së (24.8%). Vendin e parë e mbajnë grekët, 68% e të cilëve kanë deklaruar se ndihen subjektivisht të varfër.

Treguesit subjektiv të varfërisë bazohen në rezultatet nga statistikat e Bashkimit Europian (BE) mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës (EU-SILC), një mbledhje e të dhënave që kryhet në të gjithë Shtetet Anëtare të BE-së, si dhe në shumicën e vendeve kandidatëve. Treguesit përdorin, si bazë, informacionin mbi aftësinë për të përballuar jetesën.

Nga vendet e rajonit më pak të varfër ndihen serbët me 44% që e perceptojnë se janë të varfër, po për vitin 2021, Maqedonia e Veriut me 47.2%, Kosova 47.3 (për vitin 2019), Mali i Zi me 50.1%.

Sipas gjinisë, 54.7% e meshkujve shqiptarë e konsiderojnë veten të varfër, përkundrejt 55.6% të femrave. Sipas grup moshave, të moshuarit janë ata që e ndjejnë veten më shumë të varfër në vend. Sipas të dhënave të Eurostat, 58.4% e të moshuarve (mbi 65 vjeç) e konsideronin veten subjektivisht të varfër.

E lartë është dhe përqindja e fëmijëve deri në 18% vjeç që e mendojnë njëlloj, me 58.1%, nga 43% që është psh në Serbi. Kjo përqindje ulet në 54.5% për grupmoshën 18-64 vjeç.

Sa më i ulët niveli arsimor, aq më e lartë është varfëria e perceptuar, teksa 66.8% e personave me arsim të ulët e konsiderojnë veten të varfër, nivele të ngjashme këto me vendet e rajonit.

Për ata që kanë arsim të mesëm, shifra është 50.9%.

Për personat me arsim të lartë, treguesi përmirësohet dukshëm, një dukuri që konstatohet për të gjitha shtetet, me 28.3% të tyre që e konsideronin veten subjektivisht të varfër. Më mirë në rajon janë të arsimuarit e Serbisë, me 22.2%.

Gjithsesi, në krahasim me mesataren europiane prej 9.2%, të arsimuarit shqiptarë ndihen tre herë më të varfër.
Të arsimuarit shqiptarë (28.4%) ndihen pothuajse njësoj të varfër me shtetasit e Bashkimit Europian me arsim fillor (29.5%).

Varfëria subjektive në Europë
Sipas Eurostat, një në katër persona në BE e konsideronte veten subjektivisht të varfër në vitin 2022. Kjo përqindje ishte më e lartë tek femrat sesa tek meshkujt dhe më e lartë tek popullsia me nivel të ulët arsimor krahasuar me ato me nivel të lartë arsimor.

Në vitin 2022, pjesa e popullsisë së BE-së e cila konsiderohej si subjektivisht e varfër ishte 24,8 %. Pesha u ul lehtësisht me 0,6 pikë përqindjeje (pp) që nga viti 2021 dhe me 5,4 pp që nga viti 2018. Në vitin 2022, pesha ishte 24,3 % për burrat dhe 25,3 % për gratë. Dallimet midis shteteve anëtare të BE-së janë të dukshme.

Në nivel kombëtar, pjesa e popullsisë që konsiderohej subjektivisht e varfër varionte në vitin 2022 nga 5,8 % në 68,4 %. Përqindjet më të ulëta janë vërejtur në Luksemburg (5,8 %), Finlandë (6,2 %) dhe Holandë (6,8 %). Përqindjet më të larta u konstatuan në Bullgari (40,4 %) dhe Greqi (68,4 %).

Në 13 shtete anëtare të BE-së, më shumë se 1 në çdo 5 persona jetonin në varfëri subjektive. Përqindja e varfërisë subjektive për gratë ishte më e lartë se për burrat në të gjitha Shtetet

Anëtare të BE-së me përjashtim të Austrisë, Irlandës dhe Spanjës. Në këto tre vende, vlerat ishin pothuajse të barabarta ose të barabarta për burrat dhe gratë.

Sipas tre grupmoshave – fëmijët (njerëzit nën 18 vjeç), të rriturit në moshë pune (18 deri në 64 vjeç) dhe popullsia më e vjetër (65 vjeç e lart) – varfëria subjektive në BE në vitin 2022 ishte më e larta tek fëmijët dhe më e ulëta. në mesin e të rriturve në moshë pune.

Në 9 shtete anëtare (Estonia, Lituania, Sllovenia, Polonia, Letonia, Rumania, Kroacia, Bullgaria dhe Greqia) pjesa me vlerën më të lartë ishte tek popullsia e moshuar. Përqindja ishte më e lartë në mesin e të rriturve në moshë pune vetëm në Finlandë (7,2 %) dhe Holandë (7,5 %).

Segmentimi i varfërisë subjektive sipas arsimit është i dukshëm. Në vitin 2022, në BE, pothuajse një e treta (29,5 %) e popullsisë me nivel të ulët arsimor (nivelet ISCED 0-2) konsiderohej subjektivisht e varfër. Shkalla ishte më shumë se 3 herë më e ulët (9.2%) për popullatën me arsim të lartë.

Nga ana tjetër, përqindja e personave me nivel të mesëm arsimor ishte 18,0 % që ishte dy herë më e lartë në krahasim me popullsinë me nivel të lartë arsimor. Në përgjithësi, përqindja u rrit për të tre grupet e arsimit midis 2021 dhe 2022./Monitor

Zbardhen emrat e të arrestuarve nga SPAK, planifikimet e vrasjeve u kryen për shkak të hasmërisë mes Martinajt dhe Matës

Zbardhen emrat e personave që përfunduan në pranga mbrëmjen e djeshme nga aksioni i SPAK. Gazetarja Anila Hoxha bën me dije për Top Channel detaje mbi akuzat dhe aksionin e mbrëmjes së kaluar që po vijon ende.

TË ARRESTUARIT DHE AKUZAT:

Ervin Mata, i cili dyshohet se gjendet jashtë vendit sipas gazetares Hoxha, dyshohet për grup të strukturuar kriminal, trafik narkotikësh dhe kryerje e veprimeve nga organizata kriminale.

Ismail Zeneli dhe Bujar Ajeti akuzohet për veprën e sigurimit të kushteve për të kryer vrasje.

Dedian Gjoni, shef i krimeve në Kombinat, i cili është nga Lezha dyshohet të ketë siguruar kushtet për të kryer një vrasje në bashkëpunim me grupin kriminal.

Djali i Erzen Brecanit, Eraldi dyshohet dhe për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash

Erzen Brecani ka veprën e pastrimit të parave dhe  dhe përkrahje e autorit të krimit.

Në listë gjenden edhe Bujar Grabova, Besmir Murati, Artan Sulejmani, Albert Prenga dhe Bajram Grabova, të dyshuar për trafik kokaine. Grupi trafikonte kokainë nga Ekuadori dhe Kolumbia drejt vendeve të Bashkimit Europuian.

Ndërkohë që planet për të vrarë kundërshtarët ndodhën midis 2019-2020 në Durrës, Belgjikë dhe Holandë. Veç prishjes së pazareve për ngarkesat e drogës, shkak i planeve për krime ishte dhe ajo e përplasjes dhe hasmërive midis Ervis Martinit ( i shumë kërkuar dhe me dy masa sigurimi në mungesë arrest me burg) dhe Ervin Matës ( i kërkuar).