40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Arrestimi i Breçanit/ Detajet e reja, ish-drejtori i Policisë do shihte ndeshjen, u ndalua te stadiumi ‘Air Albania’

Mbrëmjen e kaluar përfundoi në pranga ish-drejtori i policisë së Tiranës Erzen Breçani. Ai u vu në pranga pas një operacioni të SPAK, ku u lëshuan 11 urdhër arreste, pas zbërthimit të aplikacionit SKY ECC.

Në momentin e arrestimit, Breçani ka qenë pranë stadiumit ‘Air Albania’ bashkë me Dedan Gjonin, shef i Krimeve te komisariati Nr. 6 në Tiranë. Ata kishin prerë biletat për të parë ndeshjen e kombëtares me Ishujt Faroe, përballja e fundit për kualifikueset e europianit. Në atë moment, bashkë me Breçanin u arrestua edhe Dedan Gjoni. Ndaj shefit të krimeve janë ngritur disa akuza për vepra të rënda penale, një prej të cilave është ajo e sigurimit te kushteve për të kryer vrasje.

Ndërsa Breçani dhe djali i tij, Eralbi Breçani, akuzohen për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash.

Gazetari ironizon rithemelimin: Skenat në Kuvend? Ishin votë pro buxhetit!

Mazhoranca miratoi këtë të hënë me 73 vota pr. buxhetin e vitit 2024 mes tymit dhe zjarrit të flakadanëve të futur në sallën e parlamentit nga opozita.

Gazetari Flogert Muça tha në një intervistë për Euronews Albania se skenat e opozitës sot në Kuvend iu dukën më shumë si një festë dhe votë pro buxhetit.

“Unë e pashë më shumë si festë, ne kemi disa arsye për të festuar; kombëtarja është kualifikuar për në Berlin, festat e nëntorit dhe Vitit të Ri po afrojnë dhe e gjitha çfarë ndodhi në Kuvend ishte e bukur në thelb, s’duhet ta shohim me kaq tragjizëm. Ajo që bëri sot opozitë në një farë mënyrë ishte votë pro buxhetit se e manifestoi me flakadanë, dukej më shumë si stadium sa si Kuvend”, ironizoi gazetari.

Berisha nuk shkon në SPAK, si zgjidhet situata?/ Ish-prokurorja Imeraj sqaron procedurat: Ja çfarë pritet të ndodhë

Ish-kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj nga studio e emisionit “Open” në News24, ka sqaruar procedurat që duhet të ndjekë SPAK në rastin e Sali Berishës, i cili nuk pranon të paraqitet sipas vendimit të caktuar.

Imeraj u shpreh se vendimet e gjykatës duhet të zbatohen dhe pretendimet duhet të pasqyrohen sipas shkallëve të gjykimit, ndërsa shtoi se në rastin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Prokuroria është në kushtet që duhet të analizojë se çfarë duhet të bëjë më tutje.

Pjesë nga emisioni

A duhet të shkojë Berisha në SPAK?

Imeraj: Ka një vendim gjykate dhe vendimet e gjykatave realisht duhen zbatuar. Pretendimet që palët kanë për këtë vendim gjykate duhet ti pasqyrojnë sipas shkallëve të gjykimit, deri në Gjykatë Kushtetuese. Ndërsa për pretendimet kjo është një moment tjetër.

Si zgjidhjet ky ngërç?

Imeraj: Çdo organ hetimor duke përfshirë edhe SPAK kur i drejtohet gjykatës me një masë sigurimi personal ka marrë për bazë disa kushte dhe kritere ligjore për të cilat masa e sigurimit personal duhet të caktohet. Për Berishën ka caktuar detyrim paraqitje dhe ndalim për të mos dalë jashtë shtetit, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë. Në rastin konkret subjekti nuk i përgjigjet organeve të drejtësisë jo vetëm për masën e sigurimit, por edhe për procesin që po zhvillohet duke pasqyruar pretendimet e veta. Prokuroria tashmë është në kushtet që duhet të analizojë se çfarë duhet të bëjë më tutje. Nëse duhet të operojë me një masë sigurimi personal më të rëndë, kështu që duhet të jemi në ditët në vijim si mund të reagojë Prokuroria. /

“Njëri-tjetrin ta ndihmojmë/ në rrezik e në nevojë!/ Bejko ironizon Berishën dhe Ramën…

Me anë të një postimi nënkryetari i PD, Roland Bejko ka ironizuar Berishën dhe Ramën, pas deklaratës së deputetit Luan Baci që deklaroi se flakdanët në kuvend ju kishin ardhur nga kolegët e PS. Duke faktuar kështu bashkëpunimin Rama-Berisha.

Postimi i Roland Bejkos 

Pas zjarrit të ndezuar sot në parlament, Sali Berisha shpreson t’i shpetojë zjarrit qe SPAK ka ndezur në avllinë e tij.
Sa herë Berishës i duhet të përballet me drejtësinë është gati të ndezë zjarr; sa herë që Edi Ramës i duhet të japë llogari për krimin dhe korrupsionin që i ka mbërthyer qeverinë i duhet nje aleat zjarrvënës.
Tani është koha që Sali Berisha dhe Edi Rama të japnin llogari para SPAK, por në vend të saj, këta të dy në bashkpunim me njlri tjetrin na shfaqin spektaklin e rradhës.
Asnjëri prej tyre nuk ka interes për llogaridhënie në parlament sepse u dalin zbuluar oligarkët e përbashkët që marrin shumicën e parave nga buxheti i shtetit.
Sot do diskutohej në Parlament buxheti ku dhe si do përdoreshin paratë e shqiptarëve për vitin tjetër. Por Berisha me zjarrin që ndezi në mes të sallës nuk u dha mundësi shqiptarëve të dëgjonin mbi abuzimet e mundshme financiare që qeveria e Ramës ka llogaritur të bëjë më 2024.
Rama dhe Berisha janë bashkë sipas parimit, “njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën e aleancës së kullave me oligarkët e përbashkët të korrupsionit”.
Një deputet i Saliut, (shkuar në parlament me firmën e Lulit të cilit i dogjën tavolinën në Parlament), sapo konfirmoi në Top News se flakadanët në sallë nuk i fusin deputrtët e foltores, se ata i kontrollon garda një për një, por janë deputet e PS që ua japin pasi ata nuk kontrollohen nga garda.

E falenderoj shumë zotërinë, sepse pikërisht këtë kam thënë që ditën e parë kur Saliu e ndezi folëtoren e parlamentit flakë, dhe më pas na rezervuan shfaqjen e cirkut duke dalë nga porta e duke u kacavjerë mbi kangjallat e dritaret e kubendit.

Pra kam thënë dhe vazhdoj ta them se Edi Rama është duke e ndihmuar Saliun që sa herë duhet të paraqitet në SPAK, të ndezë flakadanë në parlament. Me bllokimin që Saliu i bën debatit në Parlament për hallin e vet, Rama kalon buxhetin pa debat, që do të thotë, se me ndihmën e Saliut, Rama u heq mundësinë shqiptarëve të marrin vesh nëpërmjet diskutimeve të deputetëve të pakapur nga “Trekëndëshi i Bermudës” se çfarë buxheti abuzues ka planifikuar Rama për 2024.

Pra Rama e ka ndihmuar Berishën sot sipas vet deputetit të tij, duke i dhënë urat e zjarrit për t’i vënë flakën si Neroni, Agorës së përfaqësimit popullor, ndërsa Berisha e ndihmon Ramën ta kalojë buxhetin pa debat, pa transparencë, pra, ashtu siç e do vet ai dhe Oligarkët që do t’i përfitojnë miliardat si investime publike.

Parimi i tyre është, “shoku-shokun ta ndihmojmë, në rrezik, e në nevojë”.

Në fakt, nga njëra anë, zjarri që ndez në Kuvend Sali Berisha i ndihmuar nga Edi Rama, është mesazh që u dërgohet amerikanëve që ta tërheqin SPAK nga misioni i tij për të goditur Trekëndëshin e Bermudës, pasi dihet që rënia e njërit, sjell herët a vonë, edhe rënien e tjetrit.
Dhe nga ana tjetër, Saliu vet, tymin nga flakadanët e dhuruar nga Rama, e nxjerr në çatinë e parlamentit si një tjetër mesazh për amerikanët, për t’iu thënë se në rast se do vazhdoni ta thelloni goditjen ndaj meje, unë jam në gjendje që të djeg jo vetëm parlamentin, por edhe Shqipërinë, dhe më tej të destabilizoj Ballkanin.

Por kot e kanë, nga ai vesh, as SPAK, as amerikanët, për fat të mirë, nuk dëgjojnë. Ajo që është nisur do shkojë deri në fund.

Trekëndëshi i Bermudës do shkërmoqet, dhe shqiptarët do shpëtojnë prej tyre njëherë e mirë, e përgjithmonë.

VIDEO

 

SHQIPËRI-ISHUJT FAROE/ Raste të shkëlqyera vetëm në shtesë, mbyllet pjesa e parë e ndeshjes

Kombëtarja shqiptare e futbollit pret Ishujt Faroe në ndeshjen e sotme në ”Air :Albania” ku merr fund me një festë të madhe cikli i eliminatoreve të Euro 2024. Kuqezinjtë kanë siguruar që në ndeshjen e kaluar kualifikimin dhe kjo i ka dhënë qetësinë trajnerit Silvinjo që të bëjë ndryshime në rreshtimin e tij.

Kështu, mungojnë emra të rëndësishëm si Berisha, Hysaj, Ramadani, Seferi e Cikalleshi, me ndryshimet që kanë prekur çdo repart të kuqezinjve për këtë sfidë.

LIVE SHQIPËRI-ISHUJT FAROE 0-0

NGJARJET KRYESORE

45’+7’ Pjesa e parë mbyllet pa gola.

45’+7’ Bajrami jep një asist të shkëlqyer për Dakun duke e nxjerr të vetëm para portës, por portieri i mohon sulmuesit golin. (

45’+6’ Mitaj pason për Uzunin i cili gjuan me shpejtësi, por gjen përgjigjen e portierit dhe më pas Daku gjendet në pozicion jashtë loje.

45’+4’ Janë miqtë që ushtrojnë më shumë trysni në këto minuta, me harkime drejt zonës që detyrojnë kuqezinjtë të kthehen mbrapa për të spastruar zonën.

45′ Jepen 7 minuta shtesë.

41’ Daku merr përsëri një top në thellësi, por nuk i shpëton dot pozicionit jashtë loje.

39’ Joensen ndëshkohet me karton të verdhë për një faull ndaj Bares në mesfushë.

36’ Bajrami bën gjithçka vetë në krahun e majtë, i afrohet zonës dhe lëshon një të djathtë të fortë, por gjen grushtimin e portierit të sapofutur.

34’ Portieri Lamhauge nuk vazhdon më dhe i lë vendin Rejnatrod.

30’ Në një aksion sulmues të Ishujve Faroe, Davidsen godet shokun e skuadrës duke bërë që të kërkohet ndihma e stafit mjekësor.

25’ J. Andreasen provon të rrezikojë me një gjuajtje brenda zonës, sfera devijohet jashtë në këndore për ekipin mik.

24’ Portieri mund të vazhdojë dhe provon të qëndrojë në ndeshje.

22’ Portieri i miqve ka nevojë për asistencën e stafit mjekësor pasi gjatë aksionit të mëparshëm u përplas me sulmuesin kuqezi.

18’ Daku përfiton nga një top në thellësi dhe shfaqet para portierit, por më pas nuk arrin të kalojë gardianin e nordikëve. Gjithsesi, aksioni bëhet i pavlefshëm nga sinjalizimi për pozicion jashtë loje.

16’ Asllani nis topin për Dakun, ky i fundit nuk ia del ta kontrollojë mes mbrojtësve kundërshtarë.

14’ Edhe miqtë tentojnë me një top të gjatë drejt zonës tonë, mbrojtja bën mirë gjithçka duke e kthyer sferën qetësisht te Strakosha.

9’ Kuqezinjtë kanë qarkullimin e topit në këto minuta teksa mundohen të gjejnë hapësira mes radhëve të ngjeshura të skuadrës mike që mbrohet me shumë forca.

6’ Top i gjatë në thellësi i Ismajlit për Uzunin, portieri i miqve del dhe largon sferën.

3’ Shqipëria mundohet të shpërthejë menjëherë në krahun e djathtë me Asanin por ai bllokohet në kufijtë e zonës.

1′ Nis dueli në “Air Albania”.

FORMACIONET ZYRTARE

SHQIPËRIA: Strakosha, Balliu, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj, Asllani, Bare, Asani, Bajrami, Uzuni, Daku
Trajner: Silvinjo

ISHUJT FAROE: Lamhauge, Danielsen, Faero, A. Edmundson, Davidsen, Bjartali, Joensen, Andreasen, Hendrikson, J. Edmundson
Trajner: Hakan Erikson

Rithemelimi dogji tavolinën e Bashës në Kuvend, Bardhi dhe Paloka nënqeshin me ironi! Kadilli: Të papërgjegjshëm

Në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, Fatbardh Kadilli anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së ka komentuar kaosin në Kuvend.

I pyetur në lidhje me faktin se iu vu flaka vendit ku ulet Lulzim Basha, Kadilli tha se komentet e deputetëve janë të papërgjegjshëm.

‘Nuk u ndjeva mirë kur dëgjova zërat e papërgjegjshëm të disa deputetëve aty. Nuk e mendoja këtë transformim. Nesër kur të mos jetë Berisha çfarë do t’u thonë nesër demokratëve? Berisha ka tre probleme, refuzohet nga shqiptarët 75%, 3 në 4 shqiptarë e refuzojnë. Humbi me 1 mln vota në 2013 kur ishte kryeministër. Reportet me ndërkombëtarët e ka humbur. E treta problemet ligjore. Ka shqyer PD-në në dysh. Nuk ka asnjë ide politike, fjalitë baron i drogës janë të stërkonsumuara. Rama nuk zv me dikë që është më i vjetër se Rama. Rama zv nga shqiptarët kur shqiptarët shohin që kanë përballë dikë ndryshe nga Rama. Mes të dyve, shqiptarët zgjedhin rregullisht Ramën. Duhet alternativë opozitare dhe alternativë opozitare është kur je 100% ndryshe nga Edi Rama.’– tha Kadilli.

Deri në 135 milionë euro, biznesmeni Francesco Becchetti kërkon sekuestrimin e parave që qeveria italiane i premtoi Shqipërisë për emigrantët

Problemet e qeverisë italiane me Evropën për shkak të protokollit të nënshkruar ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigrantëve, i shtohen edhe ato gjyqësore. Sipërmarrësi italian Francesco Becchetti, ish-pronar i platformës televizive italo-shqiptare Agon, ka njoftuar një vendim sekuestrimi për kryeministrinë dhe të gjitha ministritë të qeverisë italiane për 135 milionë euro.

Becchetti, nëpërmjet avokatëve të tij, kërkoi sekuestrimin e të gjitha shumave “deri në afërsisht 135 milionë euro”, të cilat qeveria ka marrë përsipër t’i paguajë Shqipërisë në bazë të protokollit të 6 nëntorit 2023. Sipërmarrësi, në fakt, pretendon të drejtën atyre parave në bazë të çmimit ARB 15/28 të datës 24 Prill 2019 nga Gjykata ICSID e Bankës Botërore e cila dënoi Shqipërinë duke kprkuar kompensimin e dëmeve për mbylljen e televizionit. “Çmimi – thotë Becchetti – është përfundimtar, detyrues, ekzekutiv dhe ka të njëjtin efektivitet si një dënim përfundimtar i dhënë brenda shtetit. Megjithatë, në 4 vitet e fundit, qeveria Rama ka refuzuar të zbatojë dispozitat e vendimit të Gjykatës së ICSID të Bankës Botërore, të krijuar nga Konventa e Uashingtonit e vitit 1965”, shkruan biznesmeni cituar nga “La Stampa”.

Në vitin 2019, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit e shpalli Shqipërinë përgjegjëse për shpronësimin e paligjshëm të Agonset-it në kundërshtim me marrëveshjen dypalëshe të investimit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë dhe dënoi Tiranën të dëmshpërblejë Becchettin dhe subjektet e tjera me mbi 120 milionë euro përfshirë dëmet, kostot dhe interesa të maturuara.

Sipas avokatëve të sipërmarrësit, Gjykata “ka konstatuar me vendimin gjyqësor se Edi Rama dhe strukturat e tij qeveritare kanë kryer një fushatë politike me shpërdorim të pushtetit policor, duke shpikur krime të pabaza ndaj Becchettit”.

 

Ndërsa Shqipëria e kundërshton vendimin prej 4 vitesh, avokatët thonë se qeveria ka “përshkallëzuar përndjekjen ndaj Becchettit në shkelje të rëndë dhe të përsëritur të detyrimeve ndërkombëtare të përcaktuara nga Konventa ICSID dhe traktatet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”.

 

Rrjedhimisht, përkufizimi i Protokollit “ka të ngjarë të dëmtojë seriozisht interesat e Francesco Becchetti”, kjo është arsyeja pse më 8 nëntor të kaluar sipërmarrësi paralajmëroi presidencën e Këshillit të Ministrave “të miratojë çdo akt ose masë që synon transferimin e parave ose burimeve të tjera ekonomike në Republikën e Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë ka formuluar një kërkesë formale për akses në dokumente” dhe sot ka arritur të njoftojë fletë-sekuestrimin e shumave. Agon u prezantua në Shqipëri në Prill 2013 dhe transmeton 24 orë në ditë çdo ditë të javës që nga viti 2014, pa kursyer asnjëherë kritikat e ashpra ndaj kryeministrit Rama.

Kanali u mbyll në tetor 2015 pasi Becchetti u akuzua për pastrim parash, duke rezultuar në ngrirjen e aseteve dhe lëshimin e një urdhër arresti. Pas fitores në arbitrazh, saga e Agonit vijon me një episod të ri.

Kurti pret shefin e NATO-s Stoltenbergun, i shpreh shqetësimin për praninë e 48 bazave të operacioneve serbe përreth kufirit me Kosovën

Në takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, u diskutua roli historik i NATO-s në Kosovë dhe kontributi i vazhdueshëm i misionit të KFOR-it për sigurinë dhe paqen në vend, krahas zhvillimeve të fundit në vend dhe rëndësisë së bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve.

ZKM njofton se Kurti duke folur për situatën e sigurisë, veçanërisht në raport me rrezikun e përhershëm që Serbia paraqet për të, “veçoi praninë e 48 bazave të përparme operacione serbe përreth kufirit me Kosovën dhe sistemin kundër-ajror në afërsi të këtij kufiri”. “Më këtë rast, Kryeministri listoi sistemet ushtarake të Serbisë që përfshijnë sistemin e modernizuar të raketave “FK-3” dhe “Pancir S1” si dhe sistemet tjera të raketave “Neva M1T” dhe “Kub M2 (SM)” të Brigadës 250 të ushtrisë serbe. Ai tha se sistemi FK-3 është sistem raketor kinez, me të cilin në vitin 2022, Serbia u bë vendi i parë në Evropë që operon me armë kineze, e që përfshinë edhe dronët luftarak CH-92. Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë po ashtu kanë krijuar një njësi të veçantë për mbikëqyrjen e dronëve e cila si njësi operon në kuadër të Brigadës së 63-të të Parashutistëve të ushtrisë serbe”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Kryeministri Kurti kërkoi nga Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n për paqen dhe sigurinë.

Ai tha se përderisa viti i kaluar u përshkrua me barrikada të ngritura nga grupe kriminale që qëllim kishin t’u kundërviheshin rendit dhe ligjit (korrik dhe dhjetor 2022), ky vit ishte vit i sulmeve të dhunshme ndaj institucioneve të rendit dhe ligjit, vendore dhe ndërkombëtare, siç ishte rasti i 26 dhe 29 majit, pastaj rrëmbimi i policëve të Kosovës me 14 qershor e që kulmoi me agresionin e 24 shtatorit që cenoi sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe sigurinë kombëtare.

 

 

Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri Kurti ndau me Sekretarin e NATO-s, Stoltenberg të gjetura nga procesi i hetimeve të institucioneve vendore të sigurisë mbi rastin e sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, por edhe mbi rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës së Kosovës, me 14 qershor, “që konfirmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë. Kryeministri tha se këto dy raste dëshmojnë nevojën për të rritur sigurinë sidomos përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa i bëri thirrje Sekretarit që NATO gjithashtu të dalë sa më parë me konkluzionet e hetimeve të saj të pavarura mbi rastin e rrëmbimit kriminal të tre policëve të Kosovës dhe sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, thuhet në njoftim.

Në takim u fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel. Kryeministri e njoftoi Sekretarin për mbarëvajtjen e atij takimi, dhe qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës kundruall planit evropiano-amerikan për rrugën përpara drejt zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike. Me këtë rast, kryeministri Kurti nënvizoi edhe një herë rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe, si dhe propozoi hapjen e një zyre diplomatike të Kosovës në NATO.

Sipas ZKM, Sekretari Stoltenberg shprehu mirënjohjen e tij për koordinimin e institucioneve të sigurisë me KFOR-in, si dhe për mbështetjen që Qeveria dhe Republika e Kosovës i ka dhënë Ukrainës në përballje me agresionin ushtarak të Federatës Ruse, teksa sulmin e 24 shtatorit në Banjskë e quajti të tmerrshëm dhe të papranueshëm.

Kryeministri Kurti, në takim shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Ergys Mërtiri: Berisha ka marrë peng opozitën, qëllimi i tij të mbrohet nga SPAK

Seanca e plenare e së hënës u zhvillua në kushte jo të zakonshme, pasi u shoqërua me tym e flakë, dhe për pasojë kjo solli edhe përfundimin brenda pak minutave.

Në një intervistë në “News Line”, Ergys Mërtiri u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë peng opozitën dhe se qëllimi i tij i vetëm është të mbrohet nga SPAK.

Ndër të tjera Mertiri u shpreh se buxheti sot në seancën plenare kaloi në tym e flakë dhe nuk u kuptua asgjë, por sipas tij kjo nuk është aspak problem për ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Kishte vetëm gjëra banale që nuk të çojnë askund dhe këto ndihmojnë Ramën, dhe pyetja është përse  e bën Berisha këtë? Berisha ka hall tjetër dhe as buxhetin. Por ai mund të zgjasë vetëm agoninë, pasi Berisha po synon të mbrohet nga SPAK. Pra po të shohim këta nuk kanë armik njëri-tjetrin por vetëm SPAK. Këta janë armik me amerikanët. Pra ai thotë Skap-i i partisë, ndonëse në këtë janë dënuar si kurrë ndonjëherë, ministra e ish-ministra, por sërish Berisha thotë se problemi më i madh në Shqipëri është SPAK. Pra këta janë bashkë kundër SPAK, pasi këta ndajnë kulla bashkë”, tha ai.

Ndër të tjera shtoi se Partia Demokratike duhet të ketë aksion politik, duke theksuar se dëmtimi i PD-së zyrtare, favorizon foltoren.

Dashamir Shehi: Opozita bën gabim që merret me çështje personale të cilat nuk u interesojnë shqiptarëve

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi ka komentuar kaosin që deputetët e Rithemelimit kanë krijuar në Kuvend dhe komisione që pas marrjes nën hetim të ish kryeministrit dhe arrestimit të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi lidhur me aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Shehi shprehet se opozita bën gabim që merret me çështje personale të cilat nuk u interesojnë shqiptarëve.

”Zgjidhjet politike nuk vijnë nga çështjet gjygjsore!

Nëse Opozita, do të vetë konsumohet duke u marrë me çështje personale të cilat nuk u interesojnë shqiptarëve, gjykoj se bën gabim!

Në të drejtë apo jo, persaonat në fjalë duhet ti dalin për zot vetes përndryshe biem të gjithë në grackën e Edi Ramës”, shkruan Shehi.