35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Kaosi i Berishës në Kuvend, Idrizi: Parlamenti jo vendi i kacafytjeve, por i të urtëve!

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi i ftuar në emisionin “Kontrast” në Report Tv ka dënuar kaosin e krijuar nga Rithemelimi, veçanërisht në seancën e sotme parlamentare ku u votua projekt-buxheti dhe paketa fiskale e vitit 2024. Për Idrizin sot Rithemelimi duhet të bënte “armëpushim” që të kishte diskutime mbi buxhetin, duke e cilësuar seancën e sotme si më të rëndësishmen.

“Nëse do të komentoj pamjet, tregon sa e brishtë ose sa pak ka ecur parlamentarizmi në Shqipëri. Janë pamje që u kthehemi vazhdimisht. Buxheti nuk është si ligjet e zakonshme por përcakton jetën ekonomike sociale të të gjithë shqiptarëve. Është akti më i rëndësishëm. Pamje të tilla tregojnë sesa pak ka ecur parlamentarizmi në Shqipëri. Parlamenti nuk vendi dy palëve që kacafyten por i të urtëve që diskutojnë dhe gjejnë zgjidhje të përbashkët. Unë vetë isha përgatitur për të thënë ato që më preokupojnë në këtë buxhet. Bëhet fjalë për buxhetin e një vendi të vogël të varfër.

Parlamenti opozita padyshim duket se është në të drejtën e vetë që të protestojë apo të gjejë akte kur nuk gjen hapësirën. Për mua është gabim dhe retorika e opozitës kur thotë se nuk po na lënë të drejtën tonë për komisione. Është e drejtë e deputetëve. Nëse ne themi se do bëhemi prokurorë për të dënuar këta sigurisht që edhe pala tjetër do të reagojë.

Mendova se sot për projektbuxhetin opozita do të bënte armëpushim. Edhe ata vetë dhe ne të diskutonim të debatonim sepse sot duket se për 5 minuta të dy palët duket se e kryen detyrën e tyre.  Kurse ne i kemi fjalimet në xhep”, – tha Idrizi në një bisedë me Denis Mingën dhe Lorenc Vangjelin.

Akuzat ndaj Ilir Beqajt për sterilizimin, gazetari Kikia: Pse prokuroria nuk pezullon punën e kompanisë?

Gazetari Mentor Kikia i ftuar në “Open” në News 24, tha se ndërkohë që të gjithë arkitektët e marrëveshjes së sterilizimit të pajisjeve spitalore janë nën akuzë, por marrëveshja vazhdon.

“Pa hapur letrat më e arsyeshme do të ishte një masë të ngjashme me ish-vartësin e zt.Beqaj. Ajo gjëja që kërcet më shumë në këtë histori është fakti kemi tashmë një ish-ministër të akuzuar, një zv/ministër që është prapa hekurave si arkitekt i asaj marrëveshje, pronari i një kompanie që është në burg.

Të gjithë këta të çojnë te logjika që ka një gjë që nuk shkon tek kjo marrëveshja, ndërkohë marrëveshja vazhdon. Të gjithë njerëzit pas kësaj marrëveshje janë nën akuzë, ndërkohë marrëveshja vazhdon të funksionojë me të njëjtat çmime dhe të njëjtat kushte. Pyetja është çfarë kanë bërë keq këta që janë nën akuzë, dhe prokuroria duhet të pezullojë edhe kompaninë”, tha Kikia.

Në shtator, “kulmi i turizmit”: Në veri vizitorët u shtuan me 2.2 herë! Në bregdet, 93%

Strukturat akomoduese kanë raportuar 300 mijë vizitorëve, rritje me 70% në krahasim me një vit më parë, ndërsa diferencën më të madhe e kanë bërë të huajt.

INSTAT thotë se rritjen më të fortë të vizitorëve e ka rajoni i Veriut me 2.2 herë, ndërsa në zonat bregdetare vizitorët u rritën me 93%.

Edhe netqëndrimet kanë ndjekur të njëjtin trend duke u rritur me 87.8%. Tek ky tregues diferencën e kanë bërë vendasit që kanë rritur me dy herë qëndrimet e tyre në struktura akomoduese, ndërsa rritje ka edhe nga të huajt.

Edhe netqëndrimet janë rritur më shumë në rajonin e Veriut, ku përfshihen Dibra, Durrësi, Kukësi, Lezha dhe Shkodra. Numri më i lartë i vizitorëve erdhën nga shtetasit e Kosovës, Italisë, Polonisë dhe Gjermanisë. Edhe norma neto e shfrytëzimit, që tregon shfrytëzimin e kapaciteteve akomoduese në vend, tregon se 32% e tyre kanë qenë të zëna.

Këtu mungojnë ende deklarimet e shtëpive ditore me qira, që konsiderohet një treg i madh informal, duke marrë parasysh dhe mospërputhjen me shifrën e turistëve që sipas raportimeve ishin 1.1 milionë vetëm gjatë shtatorit. Ky treg i madh informal është bërë së fundmi pjesë e skemës së taksimit nga qeveria, ndërsa një ligj i ri synon të rregullojë certifikimin e tyre sipas standardeve.

Daily Express: “Qyteti fantazmë” shqiptar ku të rinjtë dynden për të punuar në Angli

Me qindra të rinj që largohen për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar, një komunitet shqiptar është kthyer në një “qytet fantazmë”, shkruan në një reportazh Daily Express. Gazetarët e medias prestigjioze kanë qenë në Kukës, ku kanë takuar banorët e mbetur aty.

Ramizi, i cili pësoi goditje në tru, qau në kujtimin e djalit të tij që u largua nga qyteti i Kukësit për të punuar në Londër me qëllim për ta ndihmuar.

Duke u dridhur mes të qarash, ai tha për Daily Express“I gjithë brezi i ri i Kukësit po shkon në Londër. Ata thonë se është e vend i shkëlqyer për të bërë para.” Ai shqetësohet për djalin e tij, i cili kaloi tre muaj në burgun e emigracionit dhe, kur u lirua, përfundoi duke larë makina.

Ramizit i dërgojnë para, por nuk janë shumë, në fakt janë shumë larg pasurisë që reklamojnë ata që janë kthyer nga Britania e Madhe. Shumica e makinave që qarkullojnë në rrugën kryesore të Kukësit janë Mercedes të rinj, të shtrenjtë dhe BMW me targa britanike.

Kontrasti me gjendjen e atyre që jetojnë aty nuk mund të ishte më i egër.

Ramizi, i cili pësoi goditje në tru

Në fushat përreth qytetit, gratë përdorin parmendë dore për të punuar tokën.Shtëpitë më afër maleve janë braktisur tërësisht. Ato tani strehojnë bagëti, me pjesën tjetër që po shembet dalëngadalë në tokë.

Sadije Cenaj, një banore e një fshati aty pranë, tha se paratë që fituan nipat e saj në Londër i shpëtuan jetën. Duke mbajtur foton e tyre me krenari, ajo tha: “Pa to do të kisha vdekur. Ata paguajnë faturat e mia mjekësore.

Sadije Cenaj, banore e një fshati aty pranë

Shtëpia e saj është e rrethuar nga prona të rindërtuara me pasuritë britanike nga djemtë e shtëpisë, por mbeten bosh për pjesën më të madhe të vitit. Pronarët kthehen për një pushim të shkurtër në gusht. Që nga viti 1990, popullsia e zonës është pothuajse përgjysmuar për shkak të migrimit.

Osmani, një tjetër banor, tha: “Është gjëja më e keqe që mund të ndodhë. Kur i gjithë brezi i ri shkon jashtë shtetit. Si mund të mbijetojmë dhe të jetojmë këtu? Nuk e di si do t’ia dalin njerëz si ne, ne jemi të vjetër.”

Osmani ka dy fëmijë në Britaninë e Madhe, një vajzë në Cardiff dhe një djalë në Londër. “80% e familjeve kanë të paktën një fëmijë në Angli”, tha ai.

Osmani beson se realitetet e jetës në Mbretërinë e Bashkuar nuk përputhen me mitet që po shesin të rinjtë në Shqipërinë rurale. Pavarësisht se ka kaluar shumë kohë në Angli, djali i tij mezi ka qenë në gjendje të përmirësojë jetën e babait të tij.

Djali im u përpoq të më ndihmonte dhe më dërgoi disa para xhepi, por jo shumë siç thonë mediat.”

Top Channel

Dieta e vezëve – A duhet ta provoni për të ulur peshën?

Një nga temat me interesante në kërkimet shkencore për diteat dhe jetesën e shëndetshme është roli i vezeve dhe proteinave që trupi mund të marrë prej tyre. Veza është një burim i pasur i proteirnave, acidit folik dhe vitaminës B12, të cilat mund t’i japin trupit një numër të madh të elementeve ushqyes. Ky artikull do të shqyrtojë përfitimet dhe sfidat e përfshirjes së vezeve dhe proteinave të tyre në dietat tona si një burim parësor ushqimi.

Çfarë është dieta e vezëve?

Dieta e vezeve përshkruan një plan ushqimor të përqendruar rreth vezëve. Kjo është një mënyrë e re për të humbur peshë duke përdorur ushqime bazuar në një nga mënyrat më të zakonshme të të ngrenit siç janë vezët e pules. Ky program është një plan me kalori të ulëta,përmban pak karbohidrate dhe me sasi të larta të proteirave, i projektuar për të ndihmuar në humbjen e peshës në mënyrë të shpejtë, pa humbur masën muskulare. Duke qenë se dita e vezeve është një plan me kalori të ulët dhe karbohidrate të pakta, mund të ndihmojë në humbjen e peshës në mënyrë relativisht të shpejtë. Për disa, mund të jetë një mënyrë efektive për të filluar një program humbjeje peshe, por për të tjerët, mungesa e lirshme në ushqim dhe monotonësia e dietës mund të jenë sfiduese.

Çfarë përmban dieta e vezëve?

Dieta e vezeve nuk është një plan formal diete apo ushqyerje i përcaktuar në një libër aponjë vakt që mund ta blini në restorant. Megjithëse ka shumë versione të kësaj diete, ajo konsiston në përfshirjen e 1 veze në ditë në vaktet tuaja ose në ushqyerjen vetëm me vezë të ziera.

Në të gjitha variantet, do të hani tre vakte në ditë duke përjashtuar ngrënien ne mës të vakteve dhe do të pini vetëm ujë. Të gjitha llojet e dietave me vezë kërkojnë që veza të jetë pjesë kryesore e vakteve tuaja. Përveç saj ju mund të përfshini mish pule, peshk dhe perime të ziera të cilat nuk përmbajnë karbohidrate.

Çfarë Thonë Ekspertët

Sipas ekspertëve, vezët janë si një thesar i vogël duke ofruar proteina, kolinë, vitaminë D, lutein dhe shumë vlera të tjera. Megjithatë, dieta e vezëve në përgjithësi është e varfër në karbohidrate, gjë që mund të çojë në rritjen e ndjenjës së urisë. Po ashtu, konsumimi i  ushqimeve të njëjta çdo ditë mund të bëhet i mërzitshëm.

Edhe pse dieta e vezëve mund të jetë një mënyrë e shpejtë për të humbur peshë, është e rëndësishme të konsultoheni me ekspertë në fushën e nutricionizmit përpara se të filloni një regjim të tillë./AgroWeb.org

10 vite nga vdekja e Sokol Olldashit! Gazetar i talentuar, politikan karizmatik dhe poet sharmant

Nga Albert Vataj

U bënë 10 vite prej asaj nate të kijametshme, me stuhi dhe natë të thellë, natë që vinte me vdekje dhe davaritej me një re të ngjeshur misteri. Kishte vdekur në një aksident të pretenduar, gazetari, deputeti dhe ish-ministri i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi. Ai, miku i mirë i aq shumë njerëzve, gazetari i talentuar, ai, zëri i fuqishëm i demokratëve, ministri që u bë tmerri i grupeve kriminale, poeti penëhollë, Sokol Olldashi nuk ishte më.
Lajmi i kobshëm e mbushi atë mbrëmje realitetin shqiptarë para dhe pas mesnate, me pikëllim, lot, lajme, hipoteza dhe teori, të cilat zgjatën deri në mëngjes, për të vijuar për ditë e muaj të tëra, pa mundur të hedhin një dritë të qartë dhe të mëtonin argumente bindëse, mbi arsyen e vërtetë të kësaj vdekjeje të bujshme.

Sokol Olldashin e kam takuar për herë të parë në selinë e Partisë Demokratike, mbrëmjen e 23 dhjetor të vitit 1997, unë i gazetës i “55”, me Agron Balën e “Radio Kontakt”, Astrit Patozin e gazetës “Rilindja Demokratike” dhe ai i gazetës “Albania”. E kam përcjellë tragjikisht humbjen e tij në mbrëmjen e kobshme të 20 nëntorit në gazetën “Koha Jonë”.

Ishte vonë, mbrëmje vonë, me pjesën e mbetur të stafit po i jepnin dorën e fundit numrit të ditës së nesërme. Binte shi i kijametshëm, kur i’a behu në redaksi botuesi Nikoll Lesi.
Ndodhte rrallë të vinte kur pothuajse gjithçka kishte përfunduar. Me patjetër diçka kishte ndodhur. Ne mbajtëm frymën. Ka vdekur Sokol Olldashi, tha me buzën që dridhej dhe me lot në sy! Kaq tha dhe hyri në zyrën e tij.

Fjalët e tij ranë si një shpërthim dhe heshtje në ambientet e gazetës. Ishte një natë e gjatë. Gazetarët e kronikës merrnin dhe jepnin ngado ku kishte informacion, krejtkund gjësend bëzante rreth kësaj ngjarje kaq të beftë dhe kaq tragjike. Kishte ndodhur diçka e pazakontë, diçka tronditëse, kishte vdekur Sokol Olldashi, gazetari dhe një nga veprimtarët më të zëshëm të Partisë Demokratike.

Ajo që telegrafisht thuhej dhe që kurrë nuk e besova ishte se më 20 nëntor të vitit 2013, Sokol Olldashi vdiq pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Kërrabë. Aksidenti ndodhi në mbrëmje, shkak i aksidentit ka qenë lagështia e rrugës dhe shpejtësia e lartë, me të cilën Olldashi ka udhëtuar. Makina e tij për shkak të shpejtësisë së madhe dhe kthesës së pjerrët humbi kontrollin, duke u rrëzuar 20 metra poshtë në humnerë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

E megjithatë që pas asaj nate të gjatë dhe nxitimesh kaq të pakuptimta, Sokol Olldashi, gazetari simpatik dhe politikani konseguent, kolegu i mirë e miku me cigaren në buzë, ai të cilit mund ti besoje në gjithçka që thoshte dhe në çfarë bënte, sepse ishte një potencial njerëzor i mbushur me qëllime të mëdha dhe një zë i fuqishëm në atë kohë heshtjeje të makthshme. Ai, miku dhe kolegu, Sokol Olldashi nuk do të ishte më, siç do të mbetet mungim i pazëvendësueshëm në PD dhe në ambientet e gazetarëve, kur zëri dhe mirësia e tij linin gjurmë inkandeshente.

Çfarëdo që u tha dhe u bë, ai, Sokoli, nuk do të mund të kthehej. Vdekja e tij mbeti mister, po kaq sa dhe e pakuptimtë nxitimi për t’i gjetur një vendprehje në amshim. Edhe sot pas 10 viteve gishti tregues ka mbetur i drejtuar kah dikush apo diçka, pa mundur të bëhet dëshmues për natën fatale të fundit të një jete që i’u kushtua me mish e me shpirt, si gazetarisë, politikës, ashtu edhe poezisë.

Përjetësia është e merituar për shpirtin tënd, miku dhe kolegu i pashoq, Sokol Olldashi!

Pesë ndryshime nga porta e deri në sulm, publikohet formacioni i Shqipërisë për ndeshjen e sotme

Kombëtarja shqiptare e futbollit pret Ishujt Faroe në ndeshjen e sotme në ”Air :Albania” ku merr fund me një festë të madhe cikli i eliminatoreve të Euro 2024. Kuqezinjtë kanë siguruar që në ndeshjen e kaluar kualifikimin dhe kjo i ka dhënë qetësinë trajnerit Silvinjo që të bëjë ndryshime në rreshtimin e tij.

Kështu, mungojnë emra të rëndësishëm si Berisha, Hysaj, Ramadani, Seferi e Cikalleshi, me ndryshimet që kanë prekur çdo repart të kuqezinjve për këtë sfidë.

FORMACIONET ZYRTARE

SHQIPËRIA: Strakosha, Balliu, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj, Asllani, Bare, Asani, Bajrami, Uzuni, Daku
Trajner: Silvinjo

ISHUJT FAROE: Lamhauge, Danielsen, Faero, A. Edmundson, Davidsen, Bjartali, Joensen, Andreasen, Hendrikson, J. Edmundson
Trajner: Hakan Erikson

BIRN: Prokuroria i lidh duart gjykatës për masën shtrënguese ndaj Ilir Beqajt

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të hënën më 20 nëntor që pas thirrjes së ish-ministrit të Shëndetësië, Ilir Beqaj për t’u pyetur lidhur me akuzën “shpërdorim i detyrës” të ngritur nga SPAK për procedurën e sterilizimit, që të lërë në fuqi masat shtrënguese të vendosura ndaj tij, paraqitje në policinë gjyqësore dhe ndalimin e daljes jashtë vendit.

Gjyqtari i seancës së caktimit të masës së sigurimit personal ndaj Beqajt, Erjon Bani shpalli vendimin e shkurtuar kur sqaroi se Beqaj kishte përfituar nga e drejta për të mos dhënë deklarime në seancën e marrjes në pyetje. Ai u shpreh se në këto kushte, gjykata ka vendosur të vijojë masat e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Beqajt, pasi bazuar në nenin 244 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë nga ajo e kërkuar nga prokurori.

Pas përfundimit të seancës, Beqaj deklaroi për mediet se kishte vendosur të mos e ankimonte vendimmarrjen e gjykatës për masat shtrënguese të vendosura ndaj tij, duke vërejtur se ishte në dispozicion të hetimit. Ndërkohë, ai u shpreh në mbrojtje të procedurës së koncesionit për të cilën është nën hetim, duke pretenduar se kishte sjellë modernizim të kushteve për ndërhyrjet kirurgjkale.

Beqaj është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterizilimit, pas arrestimit në gusht të këtij viti të zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj.

Hetimet 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

Hetimet e SPAK për këtë çështje deri në prill të vitit 2022 nuk kishin avancuar përtej fazës paraprake, duke sjellë dhe parashkrimin e veprës penale“shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, që për rrjedhojë solli shmangien nga përgjegjësia penale të personave përgjegjës.

Në kërkesën për caktim të masës së sigurimit personal që SPAK dërgoi në gjykatë ndaj të hetuarve për këtë çështje, emri i Beqajt mungoi, por gjyqtari Erjon Bani vlerësoi se shkeljet e akteve ligjore ngriheshin në nivelin e përgjegjësisë penale për ish-ministrin. Bani vlerësoi gjithashtu se hetimet ishin të paplota dhe e orientoi Prokurorinë drejt hetimit të çështjes edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Pas vendimit të gjykatës, SPAK deklaroi se hetimet për Beqjen ishin në proces.

Gjatë një komunikimi të drejtëpërdrejtë gjatë kohës kur gjykata ishte tërhequr për vendim, dy prokuororët e çështjes, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi i thanë BIRN se prej muajit gusht ishin kryer shumë veprime hetimore prej nga ishte bërë e mundur që Beqaj të regjistrohej si person nën hetim për “shpërdorim detyre”, por pa dhënë detaje lidhur me këto veprime.

Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.

Prej vitit 2021, Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, post nga u dorëhoq të shtunën. Në tetor të këtij viti ai u bë gjithashtu pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian./ BIRN

‘Sa herë që Berisha duhet të shkojë ne SPAK, i vini zjarrin parlamentit”, Evi Kokalari shpërthen ndaj Rithemelimit: Jeni partia e dhunës, s’duhet të isha ngatërruar kurrë me ju

Aktivistja Evi Kokalari ka dënuar kaosin e krijuar nga grupi i Rithemelimit në seancën e sotme plenare, ku deputetët e Berishës ndezën tymuese, ndërsa një prej tyre mori dhe flakë.

Me anë të një reagimi në Facebook, Kokalari shkruan se sa herë që Sali Berisha duhet të paraqitet në SPAK për të zbatuar masën e sigurisë për aferën Partizani, Rithemelini i vë flakën parlamentit, duke nënkuptuar se e gjithë “revolta” e tyre lidhet me betejën e ish-kryeministrit me drejtësinë dhe jo me ngritjen e komisioneve parlamentare siç pretendojnë ata.

Kokalari shton se nëse do “ta kishte ditur nivelin që kanë, nuk do ishte bërë kurrë pjesë e tyre”.

Postimi i plotë:

Sa te turpshem jeni!! Ju padiskutim jeni partia e dhunes. Ta kisha ditur kete nivel, une do isha ngaterruar kurre me ju sepse ju as te qendres se djathte nuk jeni. Ne kam kuptuar dicka keto dy vite ne politiken Shqiptare, eshte urrejtja qe shqiptaret kane per shqiptaret. Foltoristet urrenin deri ne vdekje mbeshtetesit e Bashes. Demokratet ne teresi urrejne mbeshtetesit e PS. Myslymanet urrejne katoliket. Ne fakt, kjo eshte programuar keshtu, sepse te percare ju duan qe t’ju sundojne.

Zjarrin ja vini tavolines se Bashes nderkohe qe ju vete e installuat Bashen ne ate pozicion, dhe si hipokrite te pashprese qe jeni, po ne te njejten dite, postoni mesazhe perkujtimi per 10-vjetorin e Sokol Olldashit. A keni nje fije dinjiteti o njerez?

Kjo foto tregon qarte qe sa here Berisha duhet te paraqitetet ne SPAK, ju i vini zjarrin parlamentit.

This is NOT who we are!

p.s. Albana Vokshi, what an embarrassment of a woman you are!

Ti duhet te japesh dorehqjen si kryetare e forumit te gruas, sepse nuk ke as klas, as meriten e duhur per te drejtuar forumin qe duhet te fuqizoje gruan ne ate parti. Do thoja jep doreheqjen si deputete, por fakti qe ti nuk ke fituar kurre vota dhe tere jeten je ne parlament me listat e mbyllura, dhe s’te ben pershtypje – flet qarte per dinjitet qe ke -ose jo – dhe je e korruputuar thelle ne shpirt.

Shoh dhe Ina Zhupen ne foto, nje turp tjeter qe ne kryesi e futi Kellici nepermjet votave te orientuara nga forumi rinor. Por kjo nuk eshte asgje perpara faktit qe Ina Zhupa, nepermjet burrit dhe kunates po ngrejne kullen ngjitur me Bashkine e Tiranes. Ina vete eshte nga Saranda, ku e gjeti ate toke ne mes te Tiranes? Po leket per ta ndertuar, apo i shiten apartamentet ‘ne grope’, sic sygjeron Argita Berisha, a thua se ne jemi nje tufe me budallenje dhe nuk kuptojme.

E kam thene dhe e perseris, Rama hiqet duket bashkuar bazen dhe duke afruar elektoratin gri. Ju jeni larg, shume larg sepse aty ju duan keta qe sot i vene flaken parlamentit!

Turp cdo demokrati dhe cdo shqiptari qe eshte OKAY me kete lloj dhune. Ju nuk jeni as demokrat dhe as te djathte!

Seancë e shpërdoruar, buxhet i miratuar, qeveri e fituar!

Nga Namir Lapardhaja

Miratimi i buxhetit do duhej të ishte seanca më e rëndësishme në punën vjetore të Parlamentit.

Nëse qeveria ka institucione të tjera, opozita të vetmin institucion ku do duhej t’i dëgjohej fjala, të bënte oponencë dhe të jepte një alternativë për qytetarët, është Parlamenti.

Por aty ku do duhej ‘me fol’ për hallet e njerëzve, grupimi i deputetëve të “Rithemelimit” kanë vendosur ‘të flasin’ për hallet e familjes së Sali Berishës.

Pamjet e sotme ishin në vazhdën e një shfaqje turpi që vijon prej disa javësh. Përveçse dëshpërim, ato nuk tregojnë asnjë gjë tjetër. Përveçse frikë nga drejtësia, ato nuk përçojnë asnjë mesazh trimërie. Përveçse të paefektshme në elektorat, ato e tkurrin edhe më tej besimin te ky grupim politik.

Shpërdorimi i seancës më të rëndësishme, miratimi i buxhetit pa asnjë debat dhe diskutim, përveçse mirë, nuk i shkakton asnjë të keqe qeverisë.

Me një ish-ministër Shëndetësia të marrë në hetim dhe me masë sigurie nga Prokuroria e Posaçme, opozita mund ta kishte shndërruar seancën e sotme në një debat të frytshëm se si dhe se pse qeveria vijon të japë miliona euro në buxhetin e vitit 2024 për një aferë korruptive dhe në hetim nga SPAK.

Me një ish-zëvendëskryeministër në arrati, opozita do duhej t’i ‘shkulte dhëmbët’ qeverisë, t’i kërkonte dhe të inkurajonte drejtësinë që të bënte edhe më shumë për hetimin e kësaj çështjeje, duke mos vijuar dhënien e fondeve të tjera për kontratat e inceneratorëve, deri në përfundimin e plotë të hetimeve.

Mirëpo, deputët e Rithemelimit dhe Sali Berisha nuk mund t’i ngrejnë këto çështje, sepse, në dallim nga Ilir Beqaj, që ka zgjedhur të përballet me drejtësinë dhe të mos e ankimojë në Apel masën e sigurisë, ata kanë zgjedhur të fshihen pas njëri-tjetrit: deputetët pas Berishës, sepse e konsiderojnë të fortë dhe shpresojnë vazhdimësinë post tij, ndërsa Berisha pas grupit parlamentar, sepse, nëpërmjet tyre, kërkon të mbajë sa më larg SPAK-un.

Ata nuk mund ta mbështesin SPAK-un dhe të gëzohen kur ai heton një aferë korruptive, sepse hetimi i qeverisë së sotme, paralajmëron të njëjtën gjë edhe për qeverisjen e djeshme.

Është prishur loja 30-vjeçare e pandëshkueshmërisë, ndaj kemi këtë situatë, këto shfaqje dhe këto pamje të çdojavshme.

Sigurisht që nuk do të vijojë gjatë, sepse, fatmirësisht, SPAK-u i ka veshët me dyllë, dhe vijon punën pa ndërprerje, pavarësisht se çfarë thotë qeveria ditën dhe çfarë bën Sali Berisha me shokët e tij natën.

Kur drejtësia të ketë folur dhe kur gjërat të jenë qetësuar, atëherë do duhet të fillojë politika, njerëzit të dëgjojnë alternativat dhe të fillohet të jepen edhe zgjidhjet.

Deri më sot nuk kemi politikë, sepse kemi një drejtësi që po heton një klasë politike dhe një kast që po kërkon të mbrohet dhe të mbijetojë me të gjitha mënyrat.