23.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

VIDEO/ Gaz Bardhi si badigard kamikaz i Berishës, përleshet me gardistët: Jeni gati të na hiqni edhe brekët

Gaz Bardhi ka zëvendësuar Flamur Nokën mëngjesin e së hënës, duke u shfaqur si badigard i Sali Berishës në Parlament.

Teksa Berisha tentonte që të shkonte te foltorja, është ndaluar nga Garda.

Pas kësaj ka ndërhyrë Gazment Bardhi, i cili kërkon që Garda mos të shtyjë dhe është përplasur me gardistët.

“Po ia heqin rripin e pantallonave dhe xhaketave deputetëve.

Jeni gati të na hiqni edhe brekët.

“S’ju vjen zor, e keni kthyer në shtet policor. Për ça ka i ke sjell këta? Për ça ushtroni kontroll? Kush jeni ju mo”, tha ai.

 

Gentian Gaba: Berisha-Rama kanë vetëm një parti: Partinë Anti-SPAK

Nuk jam partizan i “justicializmit”, një republikë parlamentare bazohet mbi përparësinë e legjislativit, sigurisht të kontrolluar dhe të balancuar nga pushtetet e tjera.

Është banale ta thuash, por kështu funksionon sistemi që kemi zgjedhur, paçka se për tre dekada ka qenë kryesisht jashtë funksionit, ose më mirë, nën hyqmin e politikës.

Megjithatë, në këtë moment historik, të ideuar, mundësuar, dhe financuar nga SHBA-ja dhe BE-ja, jemi dëshmitarë të rimëkëmbjes së autoritetit dhe pushtetit të drejtësisë, që po shkakton një tërmet në sferat e larta të politikës, pasojat e të cilit, po i ndiqni ekraneve. Kështu do të vijojë për disa muaj, derisa të arrihet një ekuilibër i ri, pas prishjes së rendit të vjetër.

Për pasojë, pjesë të mazhorancës dhe opozitës kanë vetëm një parti:

Partia anti-SPAK.

Skenat e kontrolluara të rrëmujës që priten të nisin pas pak në kuvend, sherret me buton, krijmi i një tensioni politik të rremë, grricjet fiktive, lajmet denigruese për SPAK-un (si ai i letrave higjenike), të ideuara për t’i goditur kredibilitetin institucionit nga ata, që për dekada kanë pastruar të ndenjurat me Kushtetutën dhe me paratë e shqiptarëve, janë tregues i humbjes së davasë, përballë këtij realiteti të ri.

Natyrisht, si çdo institucion njerëzor, edhe SPAK-u, do të ketë të metat e tij por, të mbështesës pretendimet e atyre që janë subjektet e SPAK-ut, teksa ky institucion po hyn në regjim të plotë, është si të presësh degën mbi të cilën jemi ulur të gjithë.

Koncesioni i sterilizimit/ Sot seanca në GJKKO për marrjen në pyetje të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të mbajë sot seancën për marrjen në pyetje të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili akuzohet për shpërdorim detyre nga SPAK në lidhje me hetimet që janë kryer për koncesionin e sterilizimit të instrumenteve mjekësore.

Seanca për marrjen në pyetje të ish-ministrit të Shëndetësisë është vendosur në orën 12:00. Pas masës së caktuar nga gjykata, Beqaj duhet të paraqitet pranë oficerit të policisë gjyqësore çdo të premte, ndërsa nuk mund të dalë jashtë vendit pa një autorizim nga gjykata.

Për të njëjtën çështje, janë arrestuar ish -zv ministri i Shëndetësisë Klodjan Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Ata jane nën hetim për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh. Të dy ndodhen në qeli dhe gjykata u ka rrëzuar kërkesën për liri.

Basha poston foton mes artistëve: Një interpretim emocionues nga Herion Mustafara dhe Era Makoçi

Kreu i PD, Lulzim Basha ka postuar një foto nga Teati Metropol me disa artistë. Basha vlerëson interpretimin e Herion Mustafarajt dhe Era Makocit.

Postimi

Mes miqsh dhe artistësh ndoqa këtë mbrëmje “They never knock”, një interpretimi emocionues nga Herion Mustafara dhe Era Makoçi, në skenën e Teatrit Metropol.

Një produksion teatral me tekstin dhe regjinë e Armand Borës, i cili është ftuar të prezantohet në fund të muajit Nëntor në New York dhe në disa qytete të tjera të Amerikës.

Fati i individit i cili zhvillohet nën ankthin, depresionin dhe frikën ndaj një pushteti diktatorial vjen përmes simboleve dhe një gjuhe teatrale që i jep këtij projekti teatror një dimension universal.

Si po rritet buxheti për koncesionet e shëndetësisë, në kurriz të rimbursimit

Rritja e fondeve për shëndetësinë po thithet nga koncesionet PPP, që u dhanë për disa shërbime jothemelore, teksa gati për një dekadë, buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vendnumëro. Në vitin 2013, shpenzimet për rimbursimin e barnave ishin sa 2,1% e shpenzimeve totale buxhetore, ndërsa në vitin 2024, ky raport u përkeqësua në vetëm 1,6%. Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSKDSH-së, ndërsa më 2024, vetëm 20.6%. Ndërkohë fondet për PPP do të zënë mbi 9% të buxhetit të FDSDKH më 2023 nga 7% në vitin 2020. Për shkak të fondeve të pakta në dispozicion të rimbursimit, Shqipëria renditet e fundit në Europë për qasje ndaj barnave të reja. Nga 169 produkte të reja të regjistruara në Europë nga 2018-2021, ne kemi të vlefshme për pacientin vetëm 9 produkte në listën e rimbursimit, të fundit në Europë

Blerina Hoxha

Ekonomia dhe kapacitetet buxhetore janë shtuar gjatë dekadës së fundit, por financimet për shërbimet themelore shëndetësore, të tilla si rimbursimi i barnave dhe kujdesi parësor kanë mbetur në vendnumëro, në një kohë që nevojat për produkte farmaceutike dhe shërbime shëndetësore në një popullsi në plakje po rriten.

Treguesit zyrtarë referojnë se brenda buxhetit të shëndetësisë ka shpërndarje të deformuar të fondeve.

Gati për një dekadë, buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vendnumëro, në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH) janë rritur.

Në vitin 2013, shpenzimet për rimbursimin e barnave ishin sa 2,1% e shpenzimeve totale buxhetore, ndërsa në vitin 2024 ky raport u përkeqësua, pasi ato zënë vetëm 1,6% të totalit të shpenzimeve buxhetore.

Nga viti 2019 deri më 2024, buxheti i FSDKSH (struktura që financon shërbimet shëndetësore publike) është rritur me rreth 40%, ndërsa zëri i rimbursimit të medikamenteve vetëm 20%, sipas të dhënave zyrtare.

Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSKDSH-së, ndërsa më 2024 vetëm 20.6%

Rritja e fondeve për shëndetësinë po thithet nga koncesionet PPP që u dhanë për disa shërbime jothemelore, të cilat janë në hetim për abuzime dhe deri tani ka disa të arrestuar.

P.sh., për koncesionin e shërbimeve laboratorike vitin që vjen janë planifikuar 1,85 miliardë lekë, ose 42% më shumë se vlera e përcaktuar në kontratën fillestare. Gjithashtu kontrata e sterilizimit do të financohet vitin që vjen me 1,75 miliardë lekë, nga 1,2 miliardë që ishin parashikuar pagesat vjetore në kontratë.

Nevojat e popullsisë për medikamente po rriten së tepërmi prej përhapjes së sëmundjeve jo të transmetueshme dhe këtë e tregojnë edhe importet e barnave, të cilat u rritën me 70% nga viti 2013 më 2022.

Dr. Kliti Hoti, president i Shoqatës së Kompanive Farmaceutike Multinacionale tha se, hapësirat për rritje të mëtejshme të importeve në artikujt e farmaceutikës janë të larta, për shkak se shqiptarët kanë konsumin më të dobët për frymë të produkteve farmaceutike në raport me Europën dhe vendet e rajonit.

Ai tha se nga 169 produkte të reja të regjistruara nga 2018-2021, ne kemi të vlefshme për pacientin vetëm 9 produkte në listën e rimbursimit.

Të dhëna më të detajuara nga IQIVIA (një burim kërkimor për novacionin në shëndet) tregojnë se shqiptarët kanë akses të ulët te barnat kryesore që trajtojnë sëmundjet kardiovaskulare, onkologjinë, autoimunet, nervore, etj., në raport me Europën dhe rajonin.

Po sipas IQIVIA nga 46 produkte të regjistruara dhe të vlefshme për pacientët në fushën e onkologjisë, Shqipëria ka regjistruar vetëm 3 të tilla. Për shkak të këtyre mungesave, qindra pacientë të prekur nga sëmundjet onkologjikë trajtohen jashtë vendit me shpenzime nga xhepi.

Rimbursimi mbulon vetëm 35% të konsumit të produkteve farmaceutike

Nga viti 2013 deri më 2022, importet e produkteve farmaceutike në vlerë u rritën me 11,3 miliardë lekë, ndërsa fondet për rimbursimin e medikamenteve u rritën me 3 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare.

Vlera e importeve të produkteve farmaceutike ka ardhur në rritje të shpejtë nga viti në vit, sidomos pas pandemisë COVID-19, e cila ka rritur barrën e sëmundjeve në popullatë.

Vitin e kaluar, importet e produkteve farmaceutike arritën në 28 miliardë lekë, rreth 270 milionë euro, ndërsa fondi shtetëror i rimbursimit ishte 11,4 miliardë lekë.

Të dhënat tregojnë se pacientët shqiptarë financuan nga xhepi për blerjen e medikamenteve 61% të vlerës së produkteve farmaceutike të importuara më 2022. Ky raport ishte më i përkeqësuar gjatë pandemisë Covid-19, ku më 2021, shqiptarët paguan nga xhepi me 64.5% të vlerës së produkteve farmaceutike.

Fondet e ulëta të rimbursimit kanë çuar konsumin e barnave drejt alternativave të lira që vijnë kryesisht nga Turqia, ndërkohë që përfaqësitë e kompanive shumëkombëshe janë tërhequr nga Shqipëria. Nga 13 të tilla që ishin para disa vitesh, tani janë vetëm 3.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se shqiptarët kanë akses të ulët te barnat kryesore që trajtojnë sëmundjet kardiovaskulare, onkologjinë, autoimunet, nervoret etj.

Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Përfaqësive Farmaceutike tregojnë se barnat e reja që kanë një trend të lartë shitje në tregjet europiane dhe ato të rajonit ende nuk kanë hyrë në tregun shqiptar.

Ato kushtojnë shumë dhe nuk janë të përballueshme për pacientët, pasi shteti nuk i rimburson. P.sh. në Shqipëri nuk janë të pranishme të tilla si Apixaban, Pembrolizumab që trajtojnë sëmundje autoimune.

Tregu shqiptar është në zhvillim e sipër, ku barnat tradicionale gjenerike dhe ato jashtë patentës përfaqësojnë 76%, ndërsa trajtimi spitalor i specializuar dhe me terapi inovative vetëm 24%.

Përfaqësuesit e tregut farmaceutik thonë se nevojat e popullsisë janë shumë më të larta se furnizimet aktuale. Por përvoja globale ka treguar se financimet publike dhe orientimi i tyre i drejtë i çon përpara sistemet shëndetësore dhe përmirëson ndjeshëm shërbimet shëndetësore për popullatën.

Financimet e ulëta buxhetore bëhen shkak për rimbursim të ulët të medikamenteve inovative, që kurojnë sëmundje të tilla si kanceri dhe autoimunet.

Fondet buxhetore për rimbursimin e medikamenteve kanë qëndruar në nivelin 10-11 miliardë lekë për vite me radhë, edhe pse nevojat e popullatës në plakje janë në rritje.

Qëndrimi në vendnumëro i fondeve të rimbursimit mban gjithashtu tregun e barnave të pazhvilluar dhe e orienton ndaj produkteve më të lira.

Manovra ligjore për të ulur fondet për rimbursim

Ka të dhëna që nevojat për medikamente të popullatës janë shumë më të larta se kufijtë tavan që përcakton qeveria për rimbursimin e tyre. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të fundit në FSKDSH, evidentoi se, vendosja e tavaneve buxhetore në lidhje me këto shpenzime, si dhe mospërfshirja në listën e rimbursimit të gamës së nevojshme të medikamenteve jetësore dhe të kushtueshme ndikon negativisht nivelin shëndetësor të popullatës.

Rimbursimi i barnave në vitin 2022 u mbështet në një VKM të vitit 2021, që përcakton listën e barnave që rimbursohen nga FSDKSH dhe masën e mbulimit dhe çmimit të tyre.

Por një vendim tjetër i qeverisë në vitin 2022 uli çmimet referuese, të cilat janë më të ulëta se në vitin 2021, sipas listës së barnave nr. I dhe nr. II.

KLSH ka vërejtur se, ndryshimi i çmimeve të referencës, i cili është me ulje të tyre, pavarësisht se nuk ka ndryshuar masa e mbulimit të çmimit të barnave në përqindje, ka sjellë uljen e masës së rimbursimit në vlerë.

Kjo ka bërë që qytetarët që trajtohen me barnat të rimbursueshme të përdorin alternativa më pak cilësore.

Ky është rasti i fishave të diabetit, ku me vendim qeverie të prillit të vitit 2022, vlera e rimbursueshme e fishave të diabetit nga 19 lekë është bërë 14 lekë.

Të dhënat nga FSDKSH tregojnë se shpenzimet e rimbursimit të barnave në vitin 2022 kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë. Numri i pacientëve, të cilët kanë përfituar nga rimbursimi i barnave në vitin 2022, në krahasim me vitin 2021, është 8,954 më i ulët.

Të dhënat zyrtare të FSDKSH tregojnë se në vitin 2022, janë rimbursuar 400,825 pacientë dhe në vitin 2021 janë rimbursuar 409,779 pacientë. Analiza e të dhënave nga Fondi tregon se janë rritur rastet e reja të trajtuara me barna të rimbursueshme.

Gjithashtu ka pasur rritje të diagnozave si diabeti mellitus, hipertensioni esencial, aritmi kardiake, çrregullime mendore të lidhura dhe me periudhën post-COVID.

Këta faktorë kanë sjellë rritjen e numrit të recetave 4,334 raste, e për rrjedhojë edhe të vlerës mesatare të rimbursimit për recetë me 109 lekë më shumë.

Popullsia në plakje dhe pandemia COVID-19 kanë rritur barrën e sëmundjeve në popullatë. Të dhënat zyrtare tregojnë se vitin e kaluar janë shtuar 8603 raste të reja me sëmundje kronike dhe vlera e rimbursimit të barnave për shkak të rritjes së sëmundshmërisë dhe kompleksitetit të tyre u rrit me rreth 1,1 miliardë lekë vitin e kaluar.

Nga ana tjetër, Kontrolli i Lartë i Shtetit vuri në dyshim funksionin e Kontrollit bazë mjekësor Check-UP, i cili ka për qëllim të zbulojë dhe të parandalojë sëmundjet pa arritur në një fazë të avancuar.

Por përderisa shtrimet në spitale u rritën me 18,979 raste më shumë më 2022 dhe, rritja e vizitave ambulatore në Spitalet Universitare dhe Bashkiake me 123,354 raste më shumë etj., tregojnë se efektet e masës profilaktike “Kontrolli Mjekësor Bazë”, nuk janë reflektuar në rezultat konkrete.

Rimbursimi i pamjaftueshëm “vret”

Fondet e ulëta për rimbursimin e medikamenteve e kanë lënë Shqipërinë pa akses në barna të gjeneratës së fundit që trajtojnë sëmundje që rrezikojnë seriozisht jetën, të tilla si neoplazmat.

Një studim i IQVIA, që ka si objekt kërkimet në inovacionet mjekësore, tregoi janë shtuar 168 barna inovative me autorizim tregtimi midis 2018 dhe 2021 në Europë, por Shqipëria ka pranuar në listat e rimbursimit vetëm 9 prej tyre, referuar informacioneve deri në janar 2023.

Të dhënat e IQVIA tregojnë se Shqipëria ka pranuar në listën e rimbursimit vetëm 5% të terapive inovative që kanë hyrë në përdorim në vitet e fundit.

Nga 2018 deri më 2021 janë miratuar gjithsej 46 barna që trajtojnë sëmundjet onkologjike, por Shqipëria ka pranuar në listat e saj të rimbursimit vetëm 3 prej tyre.

Për të njëjtën periudhë, 61 barna të reja përdoren për trajtimin e sëmundjeve të rralla në Europë, ndërsa në Shqipëri janë përfshirë në listat e rimbursimit vetëm 2 prej tyre.

Kapacitetet e Shqipërisë për të përfshirë terapi të reja në listën e rimbursimit janë ulur dukshëm vitet e fundit. P.sh., gjatë vitit 2014-2017, Europa miratoi për përdorim 154 barna të reja, ndërsa Shqipëria pranoi në listat e rimbursimit 18 prej tyre.

Ndërsa nga 2018-2021, 168 terapi të reja hynë në përdorim në Europë ndërsa Shqipëria përfshiu në listën e rimbursimit vetëm 9 prej tyre.

Siç shihet, kapacitetet për përfshirjen e barnave të reja në listën e rimbursimit u përgjysmuan nga 2018-2021 në krahasim me 2014-2017, në një kohë që neoplazmat po rriten dhe Covid-19 ka përkeqësuar sëmundjet në popullsinë e gjerë.

Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se, shtrimet në spital nga kanceri kanë ardhur në rritje të vazhdueshme si për meshkujt, edhe femrat. Në periudhën 2015-2019, shtrimet u rritën me mbi 70%, tregojnë të dhënat zyrtare.

Prirja në rritje është shumë më e lartë se prirja e incidencës, e cila është rritur me vetëm 16%, çka demonstron rritjen e kontakteve vjetore me shërbimin spitalor për çdo rast të ri të diagnostikuar me kancer.

ISHP vë në dukje se duhet një ofertë më e madhe e shërbimeve shëndetësore lidhur me trajtimin e tumoreve, dhe një ndërgjegjësim më i madh i shoqërisë për këtë grup sëmundjesh.

Fondet e shëndetësisë gllabërohen nga Koncesionet PPP

Ndërkohë që fondi për rimbursimin medikamenteve mbetet në vendnumëro, financimet buxhetore për kontratat koncesionare në shëndetësi nga viti 2020 në programin e 2024 u rritën me 127%, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave.

Në vitin 2024 janë programuar 5,4 miliardë lekë financime për të katër kontratat, kontrollin bazë, sterilizimin, laboratorin dhe dializën. Kostot e financimit për këto PPP dolën jashtë kontrollit vit pas viti, në një kohë që po rrezikohen edhe shërbimet spitalore për të cilat janë dhënë.

Gjatë vitit 2022, plani fillestar për PPP-Laboratorit është në shumën 1,574, mijë lekë, por është shtuar më tej gjatë vitit dhe rezulton në shumën 1,639 mijë lekë, ndërsa për vitin 2024 është planifikuar në 1,850 mijë lekë. E njëjta ecuri edhe për PPP-në e sterilizimit, e cila arriti në 1,75 miliardë lekë në vit nga 1,2 miliardë që ishte projektuar në kontratën fillestare

Në vitin 2020, financimi i kontratave PPP zinte 7% të buxhetit të FSDKSH, ndërsa më 2024, do të zënë 9.3%.

Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit vuri në dukje se përcaktimi i tavaneve vjetore buxhetore po kufizon kryerjen e analizave laboratorike për secilin spital, të sanksionuar në kontratën koncesionare të laboratorëve, duke rrezikuar ofrimin e analizave laboratorike, në masën e duhur, sipas nevojave spitalore dhe duke sjellë për pasojë drejtimin e pacientëve në marrjen e këtij shërbimi te subjektet private, me kosto për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse.

Burimet në QSUT pohuan se shumë shpesh, në javën e fundit të muajit nuk autorizohen analiza rutinë, për shkak të përmbushjes së planit, por shpesh nuk kanë mundur të autorizohen as analizat e emergjencës. Analizat në shërbimin spitalor janë themelore për trajtimin e sëmundjeve më pas.

Kontratat koncesionare të shëndetësisë, ajo e kontrollit mjekësor bazë e njohur si “Check Up” dhe e dializës në vitin 2022 morën 1,2 milionë euro pagesa nga buxheti i shtetit për shërbime të pakryera.

Shëndetësia nuk përfiton sa duhet nga rritja ekonomike

Të dhënat krahasuese të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për 42 vende europiane tregojnë se Shqipëria renditet e treta në Europë për shpenzimet më të ulëta buxhetore për shëndetësinë.

Mesatarisht shtetet europiane dhanë për financimin e shëndetësisë, 5.2% të PBB-së më 2021, ndërsa Shqipëria afërisht 3.3%, duke qenë ende poshtë mesatares.

Shtetet me shpenzimet më të larta publike në sektorin e shëndetësisë ishin Gjermania me 8.9%, Norvegjia me 8.7%, Danimarka me 8.4%, Franca me 8.3% dhe Britania me 7.9% të PBB-së.

Të dhëna të brendshme tregojnë se financimet e sektorit shëndetësor u zgjeruan ndër vite, nga 2.6% të PBB në vitin 2017 në 3.3% të PBB-së në 2021.

Rritja në përqindje të PBB-së vitet e fundit ka shkuar për financimin e katër kontratave koncesionare me Partneritet-Publik-Privat që operojnë në sektorin shëndetësor.

Në Shqipëri, shpenzimet totale për shëndetësinë (publike + nga xhepi) ishin 7.2% e PBB-së në vitin 2000 dhe më pas erdhën gjithnjë në rënie, duke zënë vetëm 5.3% të PBB-së në vitin 2021.

Kjo ecuri tregon se sistemi shëndetësor shqiptar ka përfituar më pak fonde nga rishpërndarja e rritjes ekonomike të vendit në dy dekadat e fundit.

Financimet e ulëta publike për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri lidhen me kapacitetet e dobëta fiskale të vendit. Para pandemisë, shpenzimet buxhetore në total ishin sa 29% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe më 2022 arritën mbi 323%.

Ky tregues në vitin 2018 ishte më i ulëti në Europë dhe vjen si rrjedhojë e aftësisë së ulët që vendi ka për të grumbulluar taksat dhe tatime në përqindje të larta të PBB-së.

Shqipëria mbledh të ardhura rreth 27% të PBB-së, e fundit në Europë. Për rrjedhojë fondet e posaçme për sektorin e shëndetësisë mbeten të kufizuara dhe më të ulëtat në Europë.

Krahasimet me shtetet europiane tregojnë se sa më i madh të jetë rendimenti fiskal (arkëtimet nga taksat në raport me PBB-në, aq më e madhe është hapësira për të shpenzuar nga fondet publike.

Për shembull, Franca e cila i ka shpenzimet buxhetore sa 55.9% e PBB-së saj gjithashtu ka financimet më të larta për shëndetësinë, sa 9% e PBB-së. Përgjithësisht, vendet e zhvilluara europiane shfaqin raporte të larta të shpenzimeve buxhetore në raport me PBB-në e për rrjedhojë dedikojnë më shumë fonde për shëndetësinë.

Finlanda i ka shpenzimet buxhetore sa 53.2% të PBB-së së saj, teksa financimet për shëndetësinë arrijnë në 7% të PBB-së.

Në të kundërt vendet më pak të zhvilluara të Europës ku kryeson Shqipëria, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, Lituania, Turqia, Rumania, Bullgaria kanë kapacitete të ulëta buxhetore për të shpenzuar dhe për këtë arsye gjenerojnë më pak fonde për sektorin e shendetësisë./ MONITOR

Ankimimi i dytë: Berisha dhe Malltezi kërkojnë në GJKKO heqjen e masave

Po këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme është dhe seanca e radhës për marrjen në pyetje të Sali Berishës, nën hetim për çështjen e privatizimit të klubit Partizani.

Ky është afati i dytë i vendosur nga gjykata për masat ndaj ish-kryeministrit, i cili deri më tani ka refuzuar të shkojë në gjykatë për t’u pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore, duke e konsideruar një proces antikushtetues, që nuk mori leje nga Kuvendi në një kohë që ai ka imunitet si deputet.

Pas këtij momenti pritet të ketë dhe një qëndrim nga gjykata, për ashpërsim ose jo të masës ndaj tij.

Nga ana tjetër, në të njëjtën ditë, Apeli i Posaçëm pritet të shqyrtojë dhe ankimimet e bëra si nga Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili është lënë në “arrest me burg” për këtë çështje.

Avokatet e Berishës kane kërkuar deklarimin e humbjes së fuqisë së masës së parë “detyrim paraqitje”, pikërisht pasi sipas tyre, ajo nuk është zbatuar brenda 48 orëve referuar Kodit të Procedurës Penale.

Ndërkohë, Jamarbër Malltezi kërkon heqjen e masës “arrest me burg”.

Merret në mbrojtje zona ku u gjet mozaiku i rrallë në Durrës

Në qytetin e Durrësit Ministria e Kulturës mori në mbrojtje një zonë ku mesin e tetorit të këtij viti u zbulua një mozaik i rrallë.

Mozaiku doli në dritë kur po hapeshin themelet e një shkolle të mesme e cila do të rindërtohej pasi ishte dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të katër viteve më parë.

Arkeologu Luan Përzhita thotë se mozaiku është në gjendje mjaft të mirë me një sipërfaqe mbi 60 metër katrorë.

“Jemi fatlum pasi mozaiku i zbuluar është në një gjendje shumë të mirë. Ai ka zbukuruar territorin e një vile luksoze, në afërsi të amfiteatrit të Durrësit dhe si kohë datimi mendojmë se është diku nga fundi i shekulli I para Krishtit dhe fillimi i shekulli I pas Krishtit. Sot flasim për atë që njohim, por mbase zhvillimet e ardhshme do të kenë një datim më të saktë të këtij mozaiku. Në vetvete mozaiku është i tillë, i veçantë , edhe për qytetin e Durrësit dhe për Shqipërinë dhe është pjesë pasurisë së mëtejshme të kësaj trashgimie antike që i shtohet qytetit aq të njohur si ka qenë në antikitet qyteti i Dyrrahut”.

Zoti Përzhita thotë më tej se zona mbart vlera arkeologjike por është prekur edhe nga ndërtimet ndër vite.

“Është shumë shpejt për të folur. Ajo që ne dimë është se këtu ka qenë ndërtuar shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti” në vitet 1960-1970. Po ashtu në këtë zonë në vitet dyzetë është ndërtuar një bunker i madh nga forcat italiane. Këto ndërtime, me sa kemi parë ne, kanë bërë dëmtime herë pas here të strukturave arkeologjike që ndodhen në këtë territor. Është dhe një qoshe e shkollës që lidhet me pjesën e mozaikut që ka pasur themelet në këtë pjesë”.

Gërmimi arkeologjik në zonë është i brishtë por bashkëpunimi i strukturave si shtetërore dhe vendore por edhe i sipërmarrjes që punon për rindërtimin e shkollës është mjaft i mirë, thotë Maringlen Meshini arkeolog në Sektorin e Arkeologjisë së Shpëtimit.

Jemi në kushtet optimale ku paralel me projektin ne kemi të gjitha mundësitë për të realizuar edhe gërmimin arkeologjik të shpëtimit, i cili është vetëm një nga fazat e këtij procesi.Pasi të realizohet gërmimi arkeologjik do të shikojmë të gjithë situatën në një kontekst të gjerë se si qëndrojnë këto gjetje arkeologjike, këto zbulime ,vetë mozaiku pore dhe objektete tjera në raport me projektin dhe më pas do të kemi një vendimmarrje tjetër për ardhmërinë e kësaj zone.

Zoti Meshini thotë më tej se zbulimi është një ndër kartolinat e ardhshme të turizmit dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare .

“Për vetë natyrën që ka ky zbulim, për përmasat, për cilësinë mbi të gjitha dhe për atë që ai përfaqëson në kontekstin ku ndohet le të themi që paraprakisht kemi të bëjmë me një kartolinë të turizmit dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare”.

Ndërsa zoti Përzhita thotë se jo vetëm mozaiku por edhe gjetjet e tjera arkeologjike pritet të sjellin më shumë informacion për këtë zonë.

Nëntoka e Durrësit sjell herë pas here zbulime të reja arkeologjike por mbingarkesa e ndërtimeve në jo pak raste ka dëmtuar duke cënuar periudha të ndryshme historike të zhvillimit të qytetit të lashtë./VOA

Beqaj në SPAK, kryenegociatorit të bisedimeve me BE-në pritet t’i ndalohet dalja jashtë vendit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj do të merret në pyetje dhe do t’i komunikohet masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe ndalim i daljes “jashtë vendit”.

Intersant është fakti si ai është emëruar pak kohë më parë nga qeveria në krye të grupit negociator për përshpejtimin e negociatave me Bashkimin Eueopian.

Ilir Beqaj ka dhënë dorëheqjen nga detyra e drejtorit për Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) dhe është emëruar pak kohë më parë nga qeveria në krye të grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në vend të Romina Kukos. Por ironia qëndron te fakti se kryenegociatorit pritet t’i komunikohet urdhri i ndalimit jashtë vendit.

Seanca pritet të mbahet në mesditë. Vetë Beqaj ka deklaruar se nuk do ta ankimojë këtë masë, ndonëse nuk është dakord me akuzën e shpërdorimit të detyrës të dyshuar nga prokurorët, lidhur me koncesionin e sterilizimit.

Beqaj do duhet të të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit një herë në javë, ditë të premte, ora 15:30.

Prokurorët e SPAK, prej tre vitesh, e kishin nën hetim ish-ministrin socialist të Shëndetësisë për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrje në tendera apo ankande publike kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”.

Sipas prokurorisë special, këto shkelje të ish-ministrit, Ilir Beqaj lidhen me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore. Ndërkohë, në pranga për “Sterilizimin” kanë rënë biznesmeni, Ilir Rrapaj, i cili fitoi koncesionin dhe ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj.

OSHEE njofton ndërprerjen e energjisë në datat 20-25 nëntor në Tiranë

Në datat 20-25 nëntor do të ketë stakim të energjisë nga ora 09:00-15:00 në disa zona të Tiranës.

Lajmi është bërë i ditur nga OSHEE, ku me anë të një njoftimi zyrtar shkuan se shkak është bërë kryerja remont në disa fidera që furnizohen me energji nga NST Qendër, Kinostudio, Selitë, Vorë, Traktora, Mëzez dhe Valias.

Remontet do të kryhen në intervalin kohor 09:00-15:00, teksa ndan edhe zonat që do të kenë kufizim të energjisë elektrike.

Në 20 nëntor do të jenë pa energji pjesërisht zonat “Tirana e Re”, “Rruga e Barrikadave”, Rruga “Qemal Stafa”, rruga “Hoxha Tahsim”, Shkozë, rruga “Ali Demi”, zona pranë shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, zona pranë maternitetit të Ri, Prezë, Vorë

Në 21 nëntor do të jenë pa energji pjesërisht zonat “Tirana e Re”, “Kushtrimi i Lirisë”, Rruga “Bardhyl”, zona pranë qendrës “17 Nëntori”, Kryegjyshata, eeuga “Pashko Hysi”, zona pranë kompleksit sportiv “Ali Demi”, Gjokaj, Vorë, Tufinë, Fushë-Mëzez, Valias, Kamëz,

Në 22 nëntor do të jenë pa energji pjesërisht zonat “Tirana e Re”, “Ali Demi”, rruga “Aleksandër Moisiu”, zona pranë fakultetit të Mjekësisë, rruga “Bajram Curri”, rruga “Selaudin Zorba”, rruga “Don Bosko”, Prezë, Vorë, Gjokaj, Tufinë, Fushë Mëzez, Valias, Kamëz.

Në 23 nëntor do të jenë pa energji pjesërisht zonat “Tirana e Re”, Rruga “ Gjon Pali II”, rruga “Kongresi i Manastirit”, rruga “Xhezmi Delli”, rruga “Bardhyl”, rruga “Gogo Nushi”, rruga “Riza Cërova”, rruga “4 Dëshmorët”, Prezë, Vorë, Gjokaj, Paskuqan, Fushë Mëzez

Në 24 nëntor do të jenë pa energji pjesërisht Rruga “Gjon Pali II”, Rruga “Thanas Ziko”, qyteti “Studenti”, GjokaJ, Vorë,

Ndërsa në 25 nëntor do të jetë pa energji pjesërisht Rruga “Met Sallaku”.

Me Ilir Ikonomin, biografin modern

Nga Ben Blushi

Imagjinoni sikur të kaloni ditën me një njeri që ju shoqëron në brendësinë e errët të një magazine antikuarësh dhe ju tregon me zë të ulët për kapricot e Faik Konicës, për dilemat e Ismail Qemalit, për huqet e Fan Nolit apo për kurthet e Esat Pashë Toptanit.

Pastaj duke ecur me hapin e një rinoceronti të shkathët ky njeri i afrohet një stende me qelqurina ku ka shumë fotografi, ka orë të ndryshkura, qostek argjendi, armë safiri, unaza floriri, gjyslyke, libra të mykur, pendë të vjetra, kallamrë, thika të gjakosura, flamuj të rreckosur apo sende të tjera të vogla që mund të kenë ndikuar në histori duke u përdorur nga pronarët e tyre të mëdhenj.

Kështu kalohet dita me Ilir Ikonomin, biografin modern të Shqipërisë.

Duke shkruar jetët e panjohura të Ismail Qemalit, Faik Konicës, Esat Toptanit dhe tani në fund edhe të Fan Nolit, Ilir Ikonomi ka sjellë disa histori fantastike. Unë mund ta imagjinoj se si ai endet me vite duke mbledhur copa statujash nëpër arkivat e botës dhe pastaj i shtron të gjitha në tavolinën e tij të punës dhe fillon ti bashkojë duke rindërtuar portretet e Burrave të Kombit.

Nëse do ishin gjallë, ata, do mbanin rradhë te shtëpia e Ilirit me shpresën se ai mund ta pastronte jetët e tyre nga dhjetëra cene, teka dhe vese që ata do donin ti fshinin, njëlloj sic bëjnë njerëzit e zakonshëm të cilët para se të kërkojnë një punë pastrojnë cv e tyre.

Por Ilir Ikonomi nuk është një pastrues jetësh të mëdha por shkruesi e jetëve të vogla të njerëzve të mëdhenj. Ai nuk fshin por zbulon. Ai gërrmon, studjon, bashkon dhe ndërton jetë. Përvecse një biograf ai është një zbulues dhe një historian. Ilir Ikonomi ka vullnetin e një dedektivi, këmbënguljen e një jeniceri dhe frymëzimin e një fëmije. Ai po na e tregon historinë, sic nuk e kemi njohur, për cka duhet t’i jemi shumë mirënjohës.