37.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Të hënën ndeshja e Kombëtares me Ishujt Faroe, policia me plan masash: Ja rrugët që bllokohen

Policia e Shtetit ka publikuar një plan masash për ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Shqipëri-Ishujt Faroe.

NJOFTIMI I POLICISE

Plani i masave parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha strukturat, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Ishujve Faroe, që do të zhvillohet më datë 20 nëntor 2023, në stadiumin “Air Albania”.

Duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare, masat e marra nga Policia e Shtetit janë si më poshtë:

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Ishujve Faroe, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë, në stadium;

-Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;

-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndër të cilët përmendim:

• Federatën Shqiptare të Futbollit;
• Policinë Bashkiake;
• Shërbimin Zjarrfikës;
• Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë);
• Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Ishujve Faroe, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 20 nëntor 2023, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara:

-bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
-rruga “Papa Gjon Pali II”;
-rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;

-rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së”;
-rruga “Themistokli Gërmenji”;
-rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut;
-rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
-rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
-rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Portat e hyrjes në stadium, ditën e ndeshjes, do të hapen në orën 17:00.

Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, duke filluar nga kjo orë, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

Gjithashtu, apelojmë për tifozët dhe për qytetarët që të jenë vigjilentë për të mos rënë pré e mashtrimit me çmimet e biletave, të cilat janë të bëra publike zyrtarisht, si dhe që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas rradhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar.

Ju informojmë se dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Shqipërisë.

Në rast se gjendeni në situata të tilla paligjshmërie, denonconi menjëherë në numrin 112.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.

VOA/ Shkodër, ekspertët të shqetësuar për dëmtimet në ekosistemin e Drinit

Ne konferencën e parë rajonale “ Menaxhimi i integruar i pyjeve përgjatë basenit të Lumit Drin”, mbajtur në Shkodër, ekspertët e mjedisit nga Shqipëria, Kosova, Mali Zi dhe Maqedonia e Veriut ngriten shqetësimin mbi gjendjen e pellgut më të madh ujor të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Me një gjatësi prej 285 kilometrash dhe sipërfaqe të përgjithshme të pellgut prej 14173 km2, Drini është një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore për katër vendet e rajonit, ndaj, sipas ekspertit të mjedisit, Mark Rupa, nga organizata CNVP, “Mbrojmë vlerat e natyrës dhe njerëzit”, të katër vendet po përballen me të njëjtat problematika në menaxhimin e situatës përgjatë pellgut ujor të Drinit.

“Transformimet e frikshme që ky basen ka pasur, sidomos gjatë 50 viteve të fundit, sidomos nga ndërtimi i digave, nga zjarret në pyje, prerjet ilegale, braktisjen e territorit nga njerëzit, kërkon marrjen e masave urgjente.”

Sipas ekspertit Kliti Starja, drejtor i analizës së performancës në Agjencinë Kombëtare të Pyjeve të Shqipërisë, problematikat në pellgun ujëmbledhës të Drinit kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e rajonit verior të Shqipërisë, por edhe në të ardhmen e hidrocentraleve më të mëdhenj të vendit, të cilët janë ndërtuar mbi kaskadën e Drinit.Duke qenë që kemi degradim të sipërfaqeve pyjore, mbase si pasojë e keqmenaxhimit, por kryesisht si pasojë e zjarreve, një efekt ky i lidhur po me ndryshimet klimatike, do të thotë se është rritur erozioni i basenit dhe do kemi mbushje më të shpejta të hidrocentraleve që në Shqipëri ndodhen mbi këtë lum. Dhe ne kemi edhe sfidat e energjisë që lidhen me pellgun ujëmbledhës të Drinit”.

Në Shqipëri, Sipas INSTAT, gjatë 10 viteve të fundit janë djegur nga zjarret 23 815 hektarë me pyje dhe kullota, një pjesë e madhe në zonën veriore të vendit ku shtrihet edhe pellgu ujor i lumit Drin.

Me ndryshimet klimatike të viteve të fundit, thotë eksperti Starja, edhe në sektorin e pyjeve sfidat janë globale, ndaj dhe zgjidhjet duhet të jenë të bashkërenduara ndërmjet vendeve të rajonit, për t’ju përgjigjur në kohë ndryshimeve klimatike.

Pellgu i Drinit, sipas ekspertit nga Kosova Tahir Ahmeti, drejtor i departamentit të pyjeve në Ministrinë e Bujqësisë së Kosovës, përbën gati gjysmën e territorit të Kosovës dhe aty gjenden burimet kryesore pyjore, çka e bën atë një nga vlerat më të rëndësishme natyrore dhe ekonomike. Duke qenë se krenohemi që jemi të parët e rrjedhave të Drinit, thote ai, na takon që të marrim edhe përgjegjësitë për ndotjet, por edhe për rastet e keqmanaxhimit që ndodhin në shtratin e Lumit Drin.

“Besoj që problemi kryesor është erozioni, dheu, gurët, materialet e tjera që i bart Drini dhe që depozitohen përrreth tij. Ka një histori të gjatë të kësaj problematike në Kosovë. Menjëherë mbas luftës, i vetmi burim i materialit për ndërtim, i rërës, zhavorit, është marrë nga Drini. Kjo e ka degradu tej mase shtratin e lumit, por kësaj i kanë ndihmu edhe prerjet ilegale që kanë ndodhur në pyje.”

Në Konferencën e parë rajonale “Menaxhimi i integruar i pyjeve përgjatë basenit të Lumit Drin” ekspertët theksuan faktin se, pasojat e keqmenaxhimit, ndërhyrjeve të njëanshme në ekosistem dhe dëmtimeve të shkaktuara në këtë pellg ujor nga ndryshimet klimatike dhe ndërhyrjet njerëzore, sjellin pasoja për të katër vendet e rajonit përnga përshkohet Drini.

Rëndësia që paraqet pellgu i Drinit ka nxitur organizatën CNVP që, me mbështetjen financiare të Agjencisë Austriake për Bashkëpunim dhe Zhvillim, të ndërmarrë projektin trevjeçar për menaxhimin e integruar të sipërfaqeve pyjore në zonën ujëmbledhëse ndërkufitare të Lumit Drin, që shtrihet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, duke harmonizuar politikat e zhvillimit dhe duke promovuar përfshirjen e komuniteteve lokale në mirëmenaxhimin e integruar të ekosistemit natyror të këtij lumi të përbashkët./VOA/

“DIKUR NË LIBRARINË LUMO SKËNDO”

NGA VEDAT KOKONA
Në Tiranën e viteve tridhjetë, që kishte nja tridhjetë mijë banorë dhe jo pesëqind e ca mijë si sot, kur shkonin e nuk shkonin nja katër karroca dhe ndonjë veturë në sheshin e bashkisë, kur dilnin vetëm dy gazeta të përditshme dhe një revistë në jave, kishte një librari, i zoti i së cilës ishte Mit’hat Frashëri, alias, Lumo Skëndo, bir i Abdylit dhe nip i Samiut dhe i Naimit. Kur mendoj se sot, në Tiranën me gjysmë milion e ca banorë, të mijërave veturave, që paradojnë në karuzelin e Sheshit Skëndërbej, ku botohen me dhjetëra gazeta e revista në ditë, madje edhe pornoje, dhe se nuk ka një librari si ajo e Lumo Skëndos më shumë se gjysmë shekulli më parë, më hipën një valë hidhërimi që s’di si ta përcaktoj.
Ishte një librari e bukur, së cilës s’i ka mbetur as gjurma më e vogël; jo vetëm e asaj të parës të viteve ’33 por as asaj që ishte në Rrugën Mbretnore, pranë Bela Venecias, që më vonë u quajt Rruga e Barrikadave dhe që sot dhe asaj i ka humbur vula. Sipas traditës së vendit tonë çdo gjë e bukur prishet dhe vendin e saj e zë e shëmtuara.
Që disa vjet më parë kisha dëgjuar emrin e Lumo Skëndos, emrin e librit “Hi dhe shpuzë”, që kishte botuar në fillimin e shekullit tonë, pastaj edhe nga babai im, që e kishte mik dhe që ishte pajtuar në revistën “Dituria” që botonte në Tiranë në vitet tridhjetë. Nuk e kisha parë kurrë në kafenetë Bela Venecia dhe Kursal të kryeqytetit, siç shihja qeveritarët dhe intelektualët e asaj kohe.
Lumo Skëndon mund ta gjeje vetëm në librarinë “Lumo Skëndo”. Iu luta babait të më shpinte një ditë tek ai. Më shpuri. E gjetëm ulur përpara një tryeze të gjatë katërkëndëshe. Ajo që më ra në sy, posa e pashë, ishte jaka e ngrirë e kollarisur, me dy cepa të ngritura siç e mbanin ata të shekullit XIX, kapaku i kollarisur i mëngës së këmishës që dilte nga xhaketa e kostumit krem shantung e që binte menjëherë në sy nga pastërtia dhe pastaj ajo fytyrë që s’ishte si fytyra të tjera. Është e vërtetë se s’ka fytyrë të jetë si një tjetër, ashtu siç nuk ka edhe shenja gishtash që të jenë identike por, në përgjithësi, të gjitha fytyrat e njerëzve janë njësoj në vështrim të parë, të shpëlara, pa kolorit. Një fytyrë ndryshe nga të tjerat është ajo që godet menjëherë me vështrimin si një rreze dielli. Ajo që më bëri përshtypje në fytyrën e thatë, ishte shkëlqimi i syve. Thashë se ky njeri ishte ndryshe nga ata që kisha njohur deri atëherë, me përjashtim, sigurisht, të babait tim.
Ai sikur u gëzua – apo ashtu m’u duk mua, – kur mësoi se studioja në Liceun e Korçës. Që atë ditë, sa kohë isha në Tiranë gjatë kohës së pushimeve të verës, do veja shpesh në Librarinë e tij. Një ditë, iu luta t’i bëja vizitë në shtëpi, se kisha dëgjuar që kishte një bibliotekë shumë të pasur. Më ftoi më gjithë zemër. Vajta.
Më duket sikur e kam para syve edhe sot e kësaj dite pas gjashtëdhjetë vjetëve. Ishte një nga ato shtëpitë e vjetra tiranase, me dy kate e me oborr të madh, në rrugën e Tenis Klubit. Kati i parë ku qëndruam, përbëhej nga një sallon i madh, muret e të cilit ishin mbuluar me libra. U ulëm në dy karrige të vjetra përpara një tryeze të vogël vezake, ku ishin vendosur një filxhan kafeje me pjatë dhe një cigarishte. E dija që s’e pinte duhanin dhe ajo cigarishtja më tërhoqi vëmendjen.
-Po shikon cigarishten?
-Si urdhëron, i thashë me një zë pak të druajtur. Ju s’e pini duhanin?
-Kjo cigarishte dhe ky filxhan kafeje janë të Naimit.
M’u duk sikur isha në ëndërr. Kisha përpara meje cigarishten dhe filxhanin e kafesë të Naimit dhe, pranë meje, ja, këtu, nipin e Naimit, Mit’hat Frashërin! A kishte gjë më të bukur. Më bëri çaj, solli edhe kutinë e vogël me peta sheqeri.
-Sa peta?
-Tre.
-Jo, bir, çaji pihet me pak sheqer. Një petë e ke mjaft.
I kundërshtohesh Lumo Skëndos? Kisha dëgjuar se ashtu e pinin dhe anglezët. Jo me një petë, po edhe pa sheqer fare e pija me ëndje atë çaj nga dora e tij!
-Mid’hat bej, pse nuk shkruani një monografi më të gjatë se ajo që keni shkruar për Naimin, sepse përveç jush, s’ka se kush ta shkruaj?
Mirë i thashë, më duket. Ç’mirë zeza! Se mos kishte nevojë ai për mendimin tim. Nuk më dha përgjigje. E kuptova që kisha nderur jashtë jorganit këmbët që m’u bënë akull: kisha lëshuar një notë të rreme në simfoninë e asaj pasdrekeje të bukur. U tregua i duruar me mua edhe i sjellshëm.Një ditë, më fali një libër, që i kishte pëlqyer shumë, “Un jardin sur l’Orente” (një kopsht në Orontë) të Moris Baresit, për të cilin më foli më pasion, sidomos për prozën e magjishme. Iu zotova se, meqë i kishte pëlqyer, do ta përktheja. Më vështroi me një buzëqeshje të lehtë stërpikur me ironi: “Në arrifsh dot”! – sikur donte të thoshte ajo buzëqeshje. Isha duke shkruar asi kohe disa poezi lirike dhe, me guximin e të riut, iu luta të më shkruante një parathënie. Prisja dhe isha i sigurt se do të merrja një përgjigje mohuese. Si u mendua pak, më tha:
-Kur e do?
M’u duk sikur isha bërë me fletë!
-Kur të doni ju, Mid’hat bej!
Kaloi java dhe parathënien e kisha në dorë. Në dorë! Përmbledhja e parë e vjershave të mia “Dritë dhe hije” me parathënien e Lumo Skëndos! Mrekulli! Fluturova te Luarasi! Me këtë kaniks po nisesha për në dasmën e letërsisë.

Importet, librat dhe pikturat zënë 0.3% – Llogariten në 2.6 miliardë lekë në vitin 2022, Holanda partneri kryesor

Importet e librave, revistave, pikturave, dorëshkrimeve dhe shtypshkrimeve llogariten në 2.6 miliardë lekë, përgjatë vitit 2022, sipas të dhënave të “Institutit të Statistikave”. Sipas shifrave të analizuara nga ‘Scan Intel’ kjo vlerë zë rreth 0.3% të importeve gjithsej për 2022-shin.

Historiku i të dhënave për këtë kapitull tregon se katër vitet e fundit kanë regjistruar vlerën më të lartë të importeve që nga viti 2005-së, viti i fundit për të cilin INSTAT disponon të dhëna. Megjithatë, krahasuar me vitin 2021, importet e librave dhe pikturave kanë rënë me 5.8% në vitin 2022.

Viti 2019-të regjistron rekord të importit për këto produkte me një vlerë në 2.97 miliardë lekë, ndërkohë që viti 2005-së ka vlerën me të ulët me 437 milionë lekë.

Por me cilat vende kemi patur vlerën më të lartë të importeve? Krahas analizës së vlerës së importeve ndër vite, ‘Scan Intel’ ka analizuar edhe shtetet nga të cilat vendi ynë importon librat, pikturat, revistat dhe shtypshkrimet. Pesë shtetet kryesore nga të cilët Shqipëria ka importuar kategorinë e përmendur më lart janë Hollanda me 898 milionë lekë, Franca me 320 milionë lekë, Italia me 250 milionë lekë, SHBA-ja me 233 milionë lekë dhe Greqia me 224 milionë lekë.

Pra, konkludojmë se Hollanda zë 34% të importeve totale të librave në Shqipëri, Franca zë 12%, Italia dhe SHBA me 9% ndërsa Greqia zë 8%. Nëse do të plotësonim dhjetë partnerët kryesorë më të cilët Shqipëria importon libra, revista dhe piktura renditja vijon me Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Gjermaninë dhe Maqedoninë e Veriut.

Namir Lapardhaja: Letërsia ka fuqi transformuese për të përmirësuar shpirtin njerëzor

Urë Fjalësh*

Unë besoj në fuqinë transformuese të Letërsisë për të ngritur shpirtin njerëzor në lartësinë dhe pastërtinë që meriton.

Bukuria artistike, posaçërisht ajo letrare, ka energji të jashtëzakonshme shëruese, shpirtërore dhe biologjike.

Njerëzit janë në kërkim të vazhdueshëm për të arritur lartësitë sublime, perfeksionizmin shpirtëror, sidomos.

Në përditshmërinë tonë, ku politika merr zakonisht kohën dhe energjitë më të mëdha, të flasësh për librat, është një lloj luksi që fatkeqësisht jo të gjithë ia mundësojnë vetes dhe të tjerëve.

Nuk ka gjë më të dobishme dhe më të bukur se përmes shpjegimit dhe interpretimit ta lartësosh qënien njerëzore, kompleksitetin e saj, magjinë e saj.

Shumë njerëz kanë gjetur shërim te Letërsia.

Në regjimet e mbyllura diktatoriale, Letërsia ka shërbyer si nga të paktat dritare prej të cilave njerëzit merrnin frymë, jetë, shpresë.

Megjithëse shkenca mbi letërsinë ofron një gamë të gjerë metodash interpretative, tek ky libër nuk do të gjeni të aplikuar veçmas asnjë prej tyre.

Sa më tepër lexojmë, aq më tepër e kuptojmë se teoria rrezikon ta zbehë bukurinë letrare, duke e shkëputur nga shpirti dhe thelbi njerëzor që fshihet brenda saj.

Të lexuarit e një vepre artistike mund të jetë shpëtimi ynë në momente dëshpërimi.

Ajo na lidh me të tjerët, na ndihmon të kuptojmë më mirë botën dhe të jetojmë në harmoni me veten dhe mjedisin.

Këto janë arsyet pse këto shkrime janë mbi vetë tekstet, dhe jo mbi teoritë.

Si filozofia dhe shkencat humane, Letërsia ofron gjithashtu një udhë të mendimit dhe të njohjes së botës psikike dhe shoqërore.

Kjo përmbledhje nuk pretendon të mbushë boshllëkun e kritikës së sotme letrare, as të debatojë rreth veprave dhe autorëve.

Ajo është një koleksion i shënimeve personale mbi autorë dhe vepra, vendas dhe të huaj, të hershëm dhe bashkëkohor.

Këto shënime janë interpretime dhe përvoja personale.

Zgjedhja e autorëve dhe veprave nuk është ngritur mbi ndonjë kriter të veçantë. Bazohet në lexime të ndodhura në periudha të ndryshme.

Synimi i vetëm që dëshiroj të arrihet, është një ndërmjetësim miqësor, një urë fjalësh, mes veprës dhe lexuesit, bazuar në ftesën e vazhdueshme për të lexuar Letërsi të vërtetë, si një nga mjetet më rezultative për progres njerëzor.

*Fjalë e mbajtur në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës gjatë përurimit të librit të autorit Namir Lapardhaja me titull “Një urë fjalësh mes nesh e tjetrit”, botim i UET PRESS. 

 

Imeraj: Si rikuperohet dëmi i sterilizimit, rasti kur mund t’u sekuestrohen pasuritë

Ish-drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, ishte e ftuar këtë të shtunë në emisionin “Review” në Euronews Albania, ku analizoi çështjen e sterilizimit.

Imeraj u pyet nga moderatorja Jonida Shehu se si prokuroria dje gjykata mund të bëjnë një rikuperim të dëmit monetar në rast se provohen abuzimet e sterilizimit.

Ish-prokurorja theksoi që të ketë sekuestrim të pasurisë duhet të ketë një akuzë për korrupsion dhe më pas të provohet se një pasuri e caktuar është vënë si pasojë e kësaj veprimtarie korruptive.

Ajo shtoi se deri në këto momente nuk kemi asnjë akuzë për korrupsion, por situata mund të ndryshojë pasi hetimet po vijojnë.

“Rikuperim të dëmit dhe sekuestrim të pasurisë të subjekteve të hetura mund të ketë vetëm nëse vërtetohet që kjo pasuri është përfituar nga kjo aferë korruptive. Pra duhet të kemi një akuzë për korrupsion dhe më pas duhet të vërtetohet me prova që kjo pasuri vjen si rrjedhojë e kësaj veprimtarie korruptive. Deri në këtë fazë të hetimit nuk kemi akuzë për korrupsion, por jo detyrimisht do të thotë ashtu pasi hetimi po vijon”, tha Imeraj.

Ismail Kadare në panair: Nuk ka jetë pa brenga, letërsia mund vdekjen

Shkrimtari i shquar Ismail Kadare ka qenë këtët të shtunë në stendën e ‘Onufrit’ ku është takuar me lexuesit e tij dhe ka dhënë autografe. Vepra e tij e plotë ka ardhur në një botim të ri me 7 vëllime për 7 dekadat e krijimtarisë së tij. I pyetur nga mediat për vitet e jetës e krijimtarisë ai tha se vdekja është mundur.

“Nuk ka jetë pa brenga e nuk ka brengë pa jetë. Kur bën diçka që e di se nuk vdes nuk ke frikë, sepse frika kryesore në jetë ose ajo që kemi frikë është e vdekja. Kur shkrimtari shkruan, ai çlirohet nga vdekja, e kur çlirohet nga vdekja, do të thotë se jeta për të është e pafund”, tha Kadare.

Ai u pyet nëse ndjehet disi në faj që emri i tij la në hije, te shoqen, Helena Kadare. “Helena, vetë qenia e saj e ekzistenca e saj, është një nevojë për të shkruar nuk mund të them se ndihem fajtor por edhe ndihem. kur ermi i saj përmendet ngjitur me emrin tim më jep gëzim si më jep gëzim qenia e saj përbri meje”, vërjeti shkrimtari përkrah të shoqes shkrimtare.

A mendon ai se ka fituar ndaj pushteteve në çdo kohë?

 

 

“Nuk ka nevojë të mendoj, por ndjej që është e vërtetë e më ka dhënë gëzim dhe takimi me ju është pjesë e kësaj të vërtetë”, pohoi ai.

Një koment të shkurtër edhe për çështjen emigrantëve

“Më pëlqen që ka kontakt, lëvizja, është zhvillim, jetë” tha Kadare.

Shkrimtari i njohur është më i vlerësuari e më i përkthyeri autor shqiptarë në botë. I vlerësuar me disa çmime ai çmohet për njohjen që i dha vendit dhe shërbimin e madh që i bëri gjuhës shqipe përmes një lëvrimi të kujdesshëm./ BalkanWeb.com

Euro 2024, trajneri i Shqipërisë i përulur: Faleminderit, realizuam ëndrrën e një kombi

Shqipëria siguroi një biletë për në Europian, pas barazimit me Moldavinë. Për vendin e parë në grup tashmë mjafton një pikë, në ndeshjen e fundit ndaj Ishujve Faroe. Arkitekti i kombëtares, pikërisht trajneri Sylvinho, ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku zgjedh t’i falenderojë të gjithë.

“Lumturi dhe krenari e madhe. Sigurimi i një vendi në EURO 2024 është padiskutim realizimi i ëndrrës së shumë njerzve, ëndrrës së një Kombi. Pjesëmarrja në një moment të tillë gëzimi për popullin shqiptar është një burim i jashtëzakonshëm kënaqësie.

Faleminderit e mija shkojnë për shumë njerëz: për futbollistët, të cilët kuptuan dhe mbështetën idetë tona dhe gjithmonë luajtën me shpirt dhe zemër.Për pjesëtarët e stafit teknik dhe administrativ, të cilët punuan intensivisht dhe u kujdesën për çdo detaj gjatë të gjithë këtij rrugëtimi. Për drejtuesit dhe punonjësit e Federatës, që kanë bërë gjithçka që puna jonë të bëhej në perfeksion.

Për fansat, për mbështetjen e tyre jetike brenda dhe jashtë shtëpisë tonë.Për familjen time, që janë baza e gjithçkaje që bëj dhe më japin mbështetje që të bëj punën time me dashuri dhe dedikim! Për këdo që direkt apo indirekt ka qënë pjesë e kësaj historie të mrekullueshme. Euro 2024 është këtu tani” – Shkruajti ai.

Qeveria “vetting” qytetarëve të vendit dhe emigrantëve: Të tregojnë pronat kudo ku i kanë, që të marrin shërbime

Qeveria shqiptare ka hartuar ndryshimet në ligjin “Për Gjendjen Civile”. Nisma e cila është punuar në Ministrinë e Brendshme, synon deklarimin e vendbanimit të të të gjithë shtetasve shqiptarë, që jetojnë në Shqipëri, por edhe ata që jetojnë e punojnë jashtë vendit e që mbajnë shtetësinë shqiptare. Ndryshimi i propozuar sjell kontrollin dhe verifikimin e banesave, thënë ndryshe është një vetting i vendndodhjes së pronave të paluajtshme të shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërie.

Në nenin 4, të projektligjit parashikohet ndryshimi i dispozitës për nenin 14 të ligjit “Deklarimi i vendbanimit”, ku parashikohet detyrimi i shtetasve për deklarimin e adresës së çdo banese që ka në pronësi brenda ose jashtë vendit, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit duke zgjedhur ndër to vendbanimin e tij. Ky nen përcakton detyrimin e çdo qytetari shqiptar për deklarimin e të gjitha adresave të banesave që ka në pronësi, dhe të përcaktojë mes tyre vendbanimin e tij.

Në pikën 2 të dispozitës së propozuar përcaktohet se shërbimi i gjendjes civile do të ofrohet për qytetarët vetëm pasi të respektojnë detyrimin e mësipërm, pra të deklarojnë adresën e çdo banese në pronësi.

 

 

Neni 5 i nismës parashikon se regjistrimi fillestar i vendbanimit, bëhet në zyrën e gjendjes civile të njësisë administrative që ka në juridiksion territorial banesën e deklaruar si vendbanim, duke përcaktuar njëkohësisht se shtetasi nuk mund të deklarojë më shumë se një vendbanim njëherazi.

Po ashtu, parashikohet ndryshimi i vendbanimit që ka në juridiksion territorial vendbanimin e ri, jo më vonë se 30 ditë nga ardhja në këtë vendbanim, duke përcaktuar se i njëjti afat zbatohet edhe për deklarimin e vendqëndrimit.

Gjithashtu përcaktohet se një ose më shumë familje kanë të drejtë të banojnë në vendbanimin e një familjeje tjetër vetëm kur plotësohen standardet e sipërfaqes së banimit për frymë.

Sipas relacionit që shoqëron nismën ligjore, ky proces i shërben zgjidhjes së problematikave të evidentuara për ceshtjet e adresave të shtetasve.

Marinda, atletja e artë e diktaturës/ Sfida e fundit, beteja me sëmundjen e rëndë

Gjithë vitet e rinisë ja kushtoi atletikës. Ka arritur rekorde dhe ka lartësuar emrin e Shqipërisë në evente të shumta sportive zhvilluar jashtë vendit nga ku gjithmonë kthehej me një medalje në qafë. Kjo është Marinda Preka, sot 64 vjeç.

Nga e shkuara që e cilëson të artë ka ruajtur me kujdes jo vetëm trofetë por edhe fotografitë me ata që ishin bashkë-udhëtarë të jetës së saj. Me sport nisi të merrej në moshë të hershme, fëmijë. Talentin ia kuptuan prindërit.

Kushtet asokohe nuk ishin të lehta. As këpucë të përshtatshme për stërvitje nuk kishte, as pistë vrapimi e as ushqime. E megjithatë ja doli. Në vitin 1977 Marinda Preka merr titullin nënkampione e Ballkanit.

Të veçantë ka një medalje që e ka fituar në garën e saj të fundit ne Stamboll. Thonë se e institucionet dhe ata që e kanë pasur në atletikë e kanë harruar.

Nga e shkuara ka një brengë. Prej disa vitesh Marinda është tërhequr nga sporti për shkak të një sëmundjeje të rëndë, megjithatë ende stërvitet tani më jo për të fituar medalje por për të fituar betejën me të keqen.